• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2017

STIGMATA E DRITËRO AGOLLIT NGA ZYLUA TE SISTEMI QË I LIND ATA

August 23, 2017 by dgreca

18377251

“KALORËSI LAKURIQ”, romani i ri i Dritëro Agollit/

shpendi Topallaj

NGA SHPENDI TOPOLLAJ/

Ndeshja e heshtur apo e hapur midis shkrimtarëve të shquar të ç`do vendi e ç`do kohe me shtetarët burokratë në përgjithësi apo tiranët në veçanti, është e njohur. Jo vetëm mprehtësia e kritikave të tyre, humanizmi karakteristik që i dallonte apo kundërvënia e guximshme ndaj padrejtësive shoqërore, por edhe dashuria, respekti dhe autoriteti që ata gëzonin në popull, bënte që diktatorët jo vetëm t`ua kishin frikën atyre, por edhe t`i urrenin ata. Historia e letërsisë botërore është e ngopur me shembuj të tillë, ku në analizë të fundit, të fituar kanë dalë shkrimtarët, Pra, Dantet, Hygotë, Lorkat, Manët me shokë, të cilët ndëshkimi, largimi e përbuzja, i dhanë veprës së tyre një vlerë akoma më të madhe dhe një shkëlqim të ri. Këtë të vërtetë e pa dhe e përjetoi edhe shkrimtari ynë i shquar Dritëro Agolli gjatë viteve që studioi në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Leningradit (sot San Petersburg) të ish Bashkimit Sovjetik. Këtu ai dëgjoi akoma më mirë, jo vetëm për fatin e Pushkinit dhe të Lermontovit në kohën e Carit, por edhe për “herezitë” e simbolistit A. Bllok, lirikes së pikëlluar A. Ahmatova, zotit të plotfuqishëm të detajit, “refuzuesit” të detyruar të çmimit Nobel B. Pasternak, fanarit intelektual O. Mandelshtamit, tragjikut të regjimit totalitar V.  Majakovski, reformueses së vjershërimit rus M. Cvetajeva, lirikut të papërsëritshëm S. Esenin, antikonformistit J. Jevtushenko, të përzënës nga Instituti i Letërsisë, B. Ahmadulina, apo të të dëbuarit nga atdheu së bashku me klithmën e tij kundër tiranisë J. Brodskij. Pa shkuar pak më vonë tek ai disidenti sypatrembur, nobelisti i famshëm A.I. Solzhenicin. Por jo pak ai pa edhe në atdheun e tij. Realizmi socialist zhdanovian kishte ligjësitë e veta dhe mjerë ai që guxonte t`i shkelte ato. Ca më shumë ai që kishte pasur një grua ruse dhe një fëmijë me të. Për hir të së vërtetës, regjimi komunist, duke parë talentin e tij e përkrahu. Arriti deri kryetar i Lidhjes së Shkrimarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, anëtar i Komitetit Qendror dhe deputet i Kuvendit Popullor. Dhe ai nga ana e tij kishte besim se gjërat do të shkonin mirë në këtë vend të varfër. Ndaj, mangësitë fillimisht nuk i shihte te sistemi për të cilin shkroi, por te veset e zyrtarëve që ishin shkëputur nga hallet e popullit dhe po rendnin pas rehatisë e mirëqenies personale, ç`ka dukej sheshit se po i tjetësonte. Pikërisht për këtë, nuk e kurseu stigmatën e artit të tij shpotitës në gazeta dhe sidomos në faqet e revistës aq të kërkuar “Hosteni”. Por me kalimin e kohës, duke parë varfërimin e përditshëm, prishjen e karaktereve njerëzore, uniformizmin e mendimeve, mungesën e lirisë së fjalës e të lëvizjes, të flamosurën, të egrën dhe të pambarimtën luftë klasash, një njeri si ai, nuk kishte sesi të mos e kuptonte se kjo nuk qe mëkat i njerëzve sesa i vetë sistemit hipokrit, i cili ishte vënë totalisht në shërbim të Zeusit. I kujtohen fjalët e Cassierer – it – cili duke analizuar ndikimin e madh të Rusoit te Kanti që admironte aq shumë “Emilin” e tij, mendonte si ai për idenë sipas së cilës pavarësia e njeriut ndaj njerëzve të tjerë duhet të vështrohet si njera nga vlerat më të larta. Dhe shtonte: “Njeriu që varet nga një tjetër nuk është më qenie njerëzore, ai e ka humbur këtë shkallë, ai është vetëm shtesë e një njeriu tjetër, shkruan Kanti”. Pastaj është e habitëshme kur mendon se Mbreti bari Sirusi i Madh qysh para 2500 vjetëve kishte formuluar kartën e parë të të drejtave të njeriut e cila e fiksuar në një cilindër balte dhe e ruajtur në muzeun e Londrës, thotë: “Nuk do të lejoj askënd të zotërojë pasuri të tundshme apo troje të të tjerëve me forcë dhe pa kompensim. Për sa kohë që jam gjallë, do ta ndaloj punën e detyrueshme të papaguar. Sot, deklaroj se kushdo është i lirë të zgjedhë fenë e vet. Njerëzit janë të lire të jetojnë sipas fesë së tyre dhe të zgjedhin një punë, me kusht që të mos dhunojnë kurrë të drejtat e tjetrit. Askush nuk do të dënohet për fajet e të afërmve”. Mirëpo te ne, bëhet vetëm ajo që thotë njëshi. Pra, miliona mendje duhet të mendojnë, të vishen, të sillen, të hanë, të jetojnë aty ku thotë ai. Ata edhe për qumshtin duhet ta mjelin dhinë siç thosh ai, edhe tokën ta punojnë sipas këshillave të tij, edhe grurin e misrin ta mbjellin ku dhe kur mendon ai, edhe naftën ta gjejnë atje ku urdhëron ai, edhe fqinjin ta spiunojnë se do ai, edhe të dënurin me vdekje ta përcjellin me gëzim e brohorima se ashtu do ai, edhe të afërmit t`i internojnë se ashtu i është tekur atij, edhe bar të hanë se mos lëndohet lavdia e tij, edhe këngë të këndojnë për trimëritë e tij. Vetë Dritëroi është miqësor e pa qibër. Takon me të njejtë përzemërsi intelektualin, punëtorin, bujkun, romin. Ulet me ta dhe e kthen ndonjë gotë, shpesh duke ndenjur zgjuar gjithë natën. Ndaj ata i hapen atij, I tregojnë mangësitë e vështirësitë që hasin, rezervat ndaj shtetëzimit të gjithçkaje derivon nga vendimet e plenumeve. Por edhe pa folur fare ata, ai e e sheh vetë realitetin e trishtuar. Dikur fshatari e kishte një qengj për mikun a një pulë, kurse tani aha… as gotën e dhallës për të vegjlit nuk a kanë. Atje lart dhe nëpër gazeta e konferenca, raportohet me shifra marramendëse. Por shifrat nuk hahen. Ato janë vetëm pluhur i hedhur syve. E sa do shkojë kjo? Se gënjeshtra vete deri diku dhe pastaj i del boja. Këto shejtan mungesash duken edhe në qytet, ku dyqanet janë bosh. Njerëzit, ashtu në heshtje duket se pyesin: – Ky na qenka socializmi? Pakënaqsia sa vjen e shtohet. Nisin e thurren barcaleta. Ndërgjegja e shkrimtarit i thotë atij se si misionar që je, ngrije zërin. Ja Ismaili e kishte provuar herë pas here. I qenë hapur goxha telashe, por qenë kapërcyer. Shteti e nuhaste se populli e donte edhe më shumë shkrimtarin. Ndaj dhe nuk guxonte ta godiste. I bënte mirë llogaritë për këto punë. Tërhiq e lësho, gjithmonë me bindjen që e di se nuk e duan, por ta shfrytëzojë sa më shumë të talentuarin. Sidomos atë që kishte një emër të shquar jashtë vendit. Edhe Dritëroi vetë e kishte provuar një herë seriozisht. Ishte viti 1973 kur u botua ai Zylua i tij. Dhe si u prit… Me çfarë kënaqësie. Po godiste paaftësinë e servilizmin. Shteti hop! Bëri sikur se kishte me të, por me ata të paudhët. Sikur ishin vetëm disa… Por autori e dinte se tani e keqja ishte shumë më e madhe; tek ajo që kishin ndërtuar. Tek ajo që i kishin besuar. Tek ajo që po i zhgënjente paturpësisht. Kjo i pillte të tillët. Ata ishin në natyrën e tij. Pa ata, ai sistem patjomkinian, merrte fund. Partia që ishte mbi gjithçka, në interes të saj, po ngrinte ngrehinën e kalbur të pushtetit, ku duhet pranuar se njërin tra e kishte shumë të fortë: atë të diktaturës. Të diktaturës së gjoja proletariatit. Që shqip duhet kuptuar; të Neronit. Të atij që po u merrte jetën shokëve të tij dhe po u shpartallonte familjet. Kudo zotëronte terrori, frika e varfëria. Dhe ç`pret nga njerëzit e shkretë, veç përkuljes së shpinës dhe duartrokitjeve. Nga thellësia e ndërgjegjes qytetare, shkrimtarit i vinte një zë: Ku je ti njeriu i baltës? Pse hesht? Gjej një mënyrë të mençur dhe shprehu. Ata do të kuptojnë të parët. Se nuk ka njeri t`ua thotë troç: – Ku po e shpini këtë vend? Pse po e prishni racën tonë të bukur? Do t`u zërë mallkimi i tyre. Ndofta kështu do t`i ndihmosh edhe vetë ata. Por fundja të vejë si të vejë. A nuk ishte Platoni ai që pjesën e fundit të “Fedoni” – t të tij ja kushtonte Sokratit “njeriut për të cilin do të thoshim me dëshirë, se ndër ata njerëz të kësaj kohe të cilët ne kemi mundur të njohim, ai ka qenë më i miri, më i urti, më i drejti.”? Ndaj, dreq u bëftë! Më mirë Sokrat i vojtur se derr i kënaqur. Nuk e zgjat më shumë dhe vendos të shkruaj një roman, ku e ku më ashiqare dhe më kurajoz se “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Do fliste pa maska, krejt lakuriq, ndaj dhe romanin ashtu do ta quante: “Kalorësi lakuriq”. A do të ishte vetë ai në lëkurën e personazhit kryesor? Apo s`kishte sesi të ndodhte ndryshe, si në cilindo libër të shkruar deri më sot. A do ta merrte subjektin nga realitetit i zymtë, apo do të sajonte diçka, në dukje të pangjarë, por që fundja çdo kush do ta kuptonte se asnjë fantazi nuk mund t`ia kalonte realitetit dhe sido që të stisej, tek ai realitet do bazohej. E ku kish më mirë sesa të zgjidhte ca intelektualë, madje akademikë, të cilët në praninë e grave të tyre do shfaqnin vanitetin dhe anën karikatureske të marrëdhënieve mes tyre, të cilat më shumë se dobësi karakteresh, ishin të imponuara nga ajo sesi sistemi me diabolizmin e tij i kishte strukturuar sjelljet e njerëzve. Gënjeshtra, hipokrizia, falsiteti, servilizmi, interesi, në radhë të parë, kishte pushtuar mendimet dhe qendrimet e tyre. Dy akademikë korrespondentë, shkojnë herë pas here te profesor Xheladin Apollonia, njeri me autoritet të madh në shkencat ekonomike i cili teksa përgatiste kumtesën për konferencën kombëtare, nuk harronte për asnjë çast të vendoste duart nën sqetulla si Lenini dhe të theksonte slloganin “vlera, mbivlera, ligji themeltar e të tjera”. Ai gjithashtu besonte shumë te planifikimi, si shkopi magjik i mirëqenies, se planifikim kishte dhe vetë natyra.  E bënte këtë, pasi donte t`i përmbahej rreptësisht kërkesës që vinte nga lart se “Teoria është gjeneratori”. Dhe ana qesharake ishte se gjithmonë në funksion të këtij parimi, i lindnin ide gjeniale, të cilat dhe ata dy anëtarët korrespondentë që ngjanin si dy pika uji, Zyrap Kandari (që sepse të vjen ta quash Koqe Kandari) dhe Sotir Kucka (pse jo dhe Sotir Kuçka) edhe pse e dinin kotësinë e tyre, e brohorisnin me entuziazëm të shtirë, për të mos thënë të pështirë. Edhe pse biseda e tyre , që rrotullohet rreth domosdoshmërinë së teorisë marksiste – leniniste dhe sidomos të planifikimit, është anemike dhe jo për nivelin e tyre, ato bëjnë sikur habitet me gojtarinë e profesorit. Ngjarjet zhvillohen kryesisht në studion e Xheladin Apollonisë dhe nga mënyra sesi janë vendosur personazhet dhe si dialogojnë, të bëhet se je duke parë një teatër. Se në të vërtetë, këtu të gjithë janë nga pak teatralë, madje shumë teatralë. Dhe nuk e kanë keq; se ja, vetë profesori falë postit që mban e ka dërguar vajzën në Vjenë për kurim të …bajameve.  Ndaj, dy “siamezët” korrespondentë, bëjnë sikur janë të shqetësuar për të, pasi e dinë se ai edhe pse është çensori i madh, përsëri ka në dorë ardhmërinë dhe sigurinë e karrierës së tyre, pra të mundësisë që edhe ata të gëzojnë më shumë favore. Mirëpo autori i librit ka gjetur një mënyrë mjaft origjinale për t`ua prishur këtyre aktorëve monotoninë e qetësisë, duke u sjellë një njeri tepër interesant të quajtur Dane Gajtani, shok fëmijërie i profesor Xheladinit. Lexuesve u kujtohet se në zhargonin popullor, është përdorur rëndom shprehja “se mos biesh në ndonjë hundëlesh”. Ja, një hundëlesh i tillë është edhe ky tersi, mik i profesorit që kur hyn në studion e shokut të fëmijërisë, veç akademikëve dhe grave të tyre, gjen edhe Ritën, motrën mjeke të Sotirit. Profesori e do, por  ky burrë i gjatë si një lis dhe që nuk e heq nga dora kapelen e kashtës, përveçse shakatar i madh, seç ka një zakon të keq, nga i cili profesor Apollonia rri me gjak të ngrirë: ai po të hodhi dorën në qafë, të fut dhe gishtin prapa. Por më shumë se kaq, ai është kontrapedal. Pa pasur fare drojë, atë që mendon, ta përplas në fytyrë. Por belaja është se ai më shumë e ka me qeverinë dhe kështu të hap telashe që si mban toka. Kur nisi lufta për tufëzimin e bagëtive ai si Nekludovi i Tolstoit, u flet fshatarëve në sy të të deleguarve se “Po t`i hiqni lopët nga shtëpitë dhe t`i futni në pronën e përbashkët, do të vdisni… Ky do të jetë hapi i fundit drejt varfërisë.” Më shqip nuk kishte si thuhej. Veç ama fshatarët tanë nuk ishin ata bujkrobërit e kontit rus të mbushur me dyshime; ata ishin bujkrobërit e Partisë dhe ndofta fare pa konshiencë, i përgjigjeshin atij, duke e quajtur provokator dhe armik: “Do t`ia falim lopët Partisë. Për atë ne jemi gati të falim jetën, jo lopët. Do të shpëtojmë nga bajgat.” Vini re sa therëse është kjo ironi. Kurse këta që rrinë duke lavdëruar njeri – tjetrin për sofizmat e goditura të referateve, ai i tall faqeza, duke u kujtuar se asgjë nuk vjen nga fjalimet e tyre pa bereqet, ndërkohë që mjerimi ka pllakosur kudo, demokracia po vdes shkallë – shkallë dhe virtytet njerëzore po shkatërrohen. Vetë ata që e rrethojnë në atë studio i quan hije dhe nga hijet thotë del dhe shkenca hije. Le po sajon aty për aty ca vjersha me spec, duke thënë për vete se: Po vjen nga vrapon tufëzimi / Nga qan për një qengj çdo fshatar, / Po vjen ku gjëmon dikutimi / Për ligjin e madh themeltar.  Se ai, andej vinte vërtetë, se pasi e kishin shkarkuar si kryetar kooperative e kishin lënë si veteriner. Dhe ky lloj veterineri, papritur bëhet patetik: “- Mua të gjithë ju më jeni neveritur. Të gjithë: akademikët, gratë, drejtuesit, rrugët, qytetet, kalimtarët… Ngado shoh lajkatarë dhe hipokritë që fshehin të vërtetën, që mizerjen e quajnë arritje, që ligjet absurde ekonomike e shoqërore i bazojnë teorikisht për të justifikuar varfërinë dhe për t`i vënë këto ligje e këto parime në vitrinat e dyqaneve në vend të mishit, qumështit, djathit dhe patateve… Xhungël lajkatarësh dhe gënjeshtarësh! Në këtë xhungël bëni pjesë edhe ju…” Dhe kujton djalin 28 vjeçar që vdiq në fshat nga mungesa e serumit, kur vajza e profesorit dërgohej në Vjenë për të kontrolluar bajamet… Dhe për çudi, ky burrë që krijon situata komike me hundën e tij me lesh, me karakterin e tij dhe kurajon për të folur açik, i bën përshtypje të veçantë, për të mos thënë se edhe i hyn në zemër, Ritës e cila urren edhe të vëllanë si pjesë të kësaj maskarade ku tirret teori me lugën e zbrazur. Por Rita ende nuk e ka pozicionin të përcaktuar; ajo është e lëkundur në bindjet dhe frikërat e saj. Ajo e pëlqen paturpësinë dhe lakuriqësinë e mendimeve, shprehet autori, por pa rrezikuar në qëndrimet politike… Kurse ky lloj burri i paparë, as që do t`ia dijë për pasojat politike. Ai i befason të gjithë, kur deklaron se jo vetëm që do të marrë pjesë në konferencën shkencore, por edhe do të diskutojë atje, qoftë edhe pa qenë në listë. Dhe do t`i thosh mendimet e tij ashtu siç i ndiente ai. Dhe kur vëllai i Ritës e pyet në është konsultuar me literature ekonomike, ai ia kthen: “- Pse, ka ndonjë literaturë të tillë në vendin tonë? Unë nuk di të ketë! Jam konsultuar vetëm me literaturën që kanë shkruar dhentë dhe lopët e fshatit tim!..”  Dhe ditën e çeljes së konferencës, Dane Gajtani, duke sjellë ndërmend reagimin e ashpër të Xheladin Apollonisë teksa lexonte fjalën e tij, meditonte: “Shkenca ka një moral. Ku shkoi ky moral? A mund të bërtasë shkencëtari si gardian burgu? Me këtë moral idetë zyrtare nuk mbrohen me diskutim, por sigurohen me roje, ndërsa idetë kundërshtare hidhen poshtë kategorikisht dhe burgosen.” Pika kulmore e këtyre ngjarjeve, pra e vetë romanit, mbetet zhvillimi i konferencës shkencore, ku në prani të delegatëve që s`ishin tjetër, por brigadierë të veshur me rroba kombëtare, gjeologë popullorë, barinj dhensh me arritje të larta, rapsodë që këndonin me lahutë e çifteli, zyrtarë me çanta në dorë, heronj të punës socialiste me yje të artë në gjoks, të ftuar spitullaqë, pra djali i shokut.., vajza e shokut.., dhëndri i shoqes.., dhe dy anëtarëve të Byrosë Politike, Tersiti shqiptar Dane Gajtani, mban atë fjalimin tronditës, gati – gati akuzues i cili nuk është tjetër, veçse fjalimi i paharruar i vetë Dritëro Agollit, kalorësit të vërtetë lakuriq, në Kongresin e 10 të Partisë së hutuar që sapo kishte hedhur hapin e parë të rinovimit. Dhe reagimi i sallës po ai; armik, mosmirënjohës, bukëshkalë. Ca të vërteta tha i ziu Xheladin për skamjen, radhat dhe se pa liri të pronës private në fshat dhe në qytet, nuk ka as liri të individit dhe e mbytën. Njëri nga udhëheqësit kryesorë, i tërbuar dhe i nxirë në fytyrë, i hakërrehet që nga tribuna: “ – Ti po hedh baltë në realitetin tonë dhe po na servir mendime borgjeze dhe revizioniste!” Po kush na e bëri peshqesh një njeri hundëlesh si ky në këtë konferencë? Këtë e sqaron fare thjeshtë Sotir Kucka, duke deklaruar se atë e kishte sjellë profesori Xheladin Apollonia, duke nxjerrë kështu edhe inatin e mos respektimit të faljes së një ideje nga ai, por dhe duke shpresuar t`i zerë vendin. Kaq qe, dhe Profesori i famshëm u bë profesori – i shkretë dhe për të t`u dhimbsur. Uli kokën pa guxuar të zgjaste dorën për të marrë në pushim, qoftë dhe një kokërr mollë nga tavolina e udhëheqjes ku qe ulur. Tani mollët, trimëroheshin t`i merrnin akademikët korrespondentë. Vetë Dane Gajtani, tani pyet veten: “Kaq e fuqishme të jetë gënjeshtra? Çfarë force satanike duhet të ketë?” Por nuk di të japë përgjigje, veçse të presë prangat, nga të cilat edhe simpatizantja e tij Rita, nuk di si ta qetësojë. Dhe sipas zakonit të vjetër, vijon vjershërimi, por tani për veten e tij; “Ç`t`u desh të shkosh në tribunë, / Atje diskutimi ç`t`u desh, / O Dane Gajtani me gunë, / O hunda e madhe me lesh.” Këtu autori ka zgjedhur një shprehje shumë domethënëse: “…ndodh që dhjetë a njëzet minuta mendimesh mund të shembin përnjëherësh dyzet apo shtatëdhjetë vjet të jetës së njeriut.” Kjo vlen për të, për akademikun Xheladin Apollonia dhe për këdo në këtë vend, ku njeriu nuk di në duhet t`i mbajë apo t`i hedhë flamujt e grisur, gjë që për mjeken Rita ishte e pakuptimtë dhe që e shpjegonte se atë mund ta dinte vetëm ai kalorësi lakuriq ose ndofta kjo mund të ishte dhe vajtimi i tij. Turp për ata që s`kishin arritur as te mendimi i Sirusit të Madh. Turp edhe për këta të sotmit që tallen me popullin si ata që shkuan. Dhe nder për Dritëro Agollin që edhe pas vdekjes vazhdon të dritërojë si Sokrati i Greqisë së Lashtë!

Filed Under: LETERSI Tagged With: Shpendi Topallaj, STIGMATA E DRITËRO AGOLLIT NGA ZYLUA, TE SISTEMI QË I LIND ATA

KUJTESE PER KRIMET E KOMUNIZMIT

August 23, 2017 by dgreca

NE DITEN E KUJTESES EUROPIANE TE KRIMEVE TE KOMUNIZMIT/

29 Gjon kacaj

NGA  GJON  KAÇAJ*/

29 Fam miraka2

Ne Foto:- Familja Mirakaj kaloi 45 vjet në kampet e internimit/

Të përndjekurit politik të Shqipërisë, kanë një etalon përfaqësimi, Simon Mirakën. Shëndetpakët energjik, i vuajtur, tolerant, por gjithmonë i vendosur dhe plot besim se do ta fitojë betejën me kuçedrën e kuqe, falë guximit, ndershmërisë, intelektit e traditës familjare të një breznie e një geni të pastër me moralin e fisnikrisë, që s’arritën ta manipulojnë kurrë zullumqarët partiakë. Djaloshi 15 vjeçar, më i vogli i familjes Mirakaj, në internim  i përgjigjej çdo 12 orë gardianit në apel: Këtu jam!Dhe kjo u përsërit për 45 vjet. Madje edhe në qershor të vitit 1989 atij ia përsëritën denimin edhe 5 vjecarin pasardhes-5 vite të tjera internim, packa se u mbeti vendimi në letër Komisionit të dëbim internimeve sepse u përmbys e theu qafën diktatura komuniste.

Po përse u dënua ky fëmijë, që u burrërua kampeve të internimit? Sepse dyshohej se 10 vite të shkuara, pra kur ishte  vetëm 5 vjeç, kishte propoganduar për prishjen e marrdhënieve Sovjeto -Shqiptare, ndërkohë, që ato marrdhënie kishte kohë që ishin çare dhe propaganda e kuqe, dhe vetë antarët e komitetit Qendror dhe të byrosë politike  i shanin botërisht.

Eh ! Ata “burrat” me pantallona të shkurtëra vuanin në kampet e internimeve në Gjazë, Plug, Çermë, Grabian, Savër, e Gradishtë të Lushnjes, dhe në mesin e tyre zgjidheshin e arrestoheshin, si të rrezikshëm, djemtë e nacionalizmit shqiptar.

Kur mendoj për ish të përndjekurit, ndalem dhe veçoj bashkvuejtsin Simon Mirakaj, gjithëmonë stabil e i pa manipulueshëm nga intrigantët politik që  s’arriten ta triblojnë  politikisht, mbase mund të shprehem lirshëm si ish koleg pune mbas viteve 1990 edhe si të vetem të pa infiltruar në drejtimin e institucioneve të përndjekurëve politik. Figura e tij më shëmbëllen si drangue në përballje me kulçedrën ashtu si e përshkruen Fishta në kangën e 16-të,Kulçedra.

Populli shqiptar duhet të mos harrojë, por të kujtojë krimet e komunizmit. Sa shqiptarë u vranë në kufi në kërkim të lirisë? Qeveria komuniste ngrinte edhe kurthe e mashtronte si Amnistia e vitit 1987, që gjoja u riktheu lirinë, por kjo ishte tjetër gënjeshtër mashtruse- kishin ngritë një kurth tjetër,-kishin prodhuar ne makinën e tyre të propogandës mashtruse një dekret special për ndalimin e vrasjeve në kufi duke e etikitue ikjen si kalim të paligjshëm të kufinit e jo tradhti Kombtare, duke parashikuar një dënim  deri me  5000 lekë! Sa u mashtruan nga ky dekret?!

Té shumté ishin  ata qé u besuan edhe… e pësuen. Kush ka pasë fatin të lexoi librin: “Unë vi nga Shkodra” shkruar nga shkodrani Luigj Çekaj me banim në Nju-Jork do t’më kuptojë lehtësisht përse shkrova diçka për nënat shami zeza.Ne ate liber gjene shume tragjedi qe u ndodhen nga kalimet ne kufi. Ngushllime të gjithë nënave  që humbën djemët në kufi të tradhtuem  nga dekreti për ndalimin e vrasjeve në kufi të firmosur nga d.v. Ramiz Alia.

Mbas amnistisë  në vitin 1987,shtatë tiranës të liruem nga Spaçi e Qafë Bari udhtuen me tren nga Tirana në Elbasan dhe pastaj me autobusë në Prrenjas drejt kufinit në Rrajcë-Skenderbe me qëllim të kalonin kufirin nga piramida nr.40, të ndarë në dy grupe.

Kujtim Xhaja dhe Ilir Serjani të parët dhe pesë të tjerët mbasi do kalonin të parët,të cilin mbasi thyen klonin mbas mesnate duke u zvarris barkas e kame-dorë takuen pa dije telin ngjyrë bari të alarmit  që sinjalizonte grupet e gatshme kufitare.

Njësiti i parë me qenin e kufinit ndaluen në errsirë Ilir Serianin .

Sapo i vunë tyten e automatikut të skuqun nga të shtënat në ajër i dhanë dy mundësi.

Do vdiste nga plumbat apo donte të vdiste nga qeni.

-E due vdekjen nga qeni,- thirri Iliri,me qellim që shokët të fitonin kohë për të shpëtue.

Përzieria e copave të mishit me zhelet e shkyeme të njoma me gjak shtonin ulurima me nji tërbim të paimagjinuar arrinin deri në qiell.

Kujtim Xhaja, i strukun në errësirë, me nji thikë të vogël lëshohet me dhimbje në shpirt mbi qenin, që hakrrohej mbi shokune tij të shtrirë për vdekje.Edhe atë e coptuen breshëritë  pa i kursye plumbat.

Zëri i nënave ka mbetë i murosun në gjokset  e sejcilës.Ato kanë përjetuar tek shuhej për jetë shpresa, se nji ditë do të baheshin fatlume.

Nga 15 Gushti 1989 deri me 16 Shtator 1990  në Shkodër dhe në Malësinë e Madhe po luhej tragjedia makabre e instaluar nga profesionistë me përvojë 45 vjeçare të sigurimsave të diktatorit të maskuar Ramiz Alia.

Si në të gjitha zonat kufitare të Shqiperisë, në bregun e Bunës  ekzekutuen Dodë Franin 24 vjeç e Gjon Kumbullakun 26 Vjeç!

Kryefjala ishte çasti kur dy kufomat e coptuara u ekspozuen para materrnitetit në Shkodër sikur paralajmronin nënat se fëmijët që do lindni do të kenë këtë fat.

Tregojne se nga tmerri që u panë sytë, njëra nga nënat e humbi fëminë!

Ndue Narkaj 23 vjeç, mbasi kalon kufirin në Stare e qëllojnë me breshëri kufitarët,dhe mbasi e tërheqin kufomën nga andej kufinit e zhveshin dhe i heqin orën e dorës pastaj i vënë zjarrin pyllit duke djegë nje hektar dhe si humanistë, familjes i dorzojnë orën e dorës dhe xhaketë.

Mas dy vitesh nji km larg pyllit të djegur në mes dy shkëmbenjësh gjejnë të mbështjellë me plastikë gjysmën e kufomës së djegur, mbasi familjarët i kishin informue se djali i tyre jetonte në diasporë.

Po Pllumb Pllumbaj 19 vjeç i larguar nga internimi vritet në mes klonit dhe brezit të butë afër postës kufitare në Hot dhe mbahet tre ditë i lidhur me tela gjëmbash në nji pusete të hidrovori në ujë me urdhër të komandantit të postës kufitare,sot aktualisht shefi i emergjencave të Shqipërisë, ashtu si arriti në qeverisjen tjetër shefi i sigurisë në presidencë.

Sokol Veshti 21 vjeç mbasi e plagosin në tentativë për të kalu kufirin dorzohet, por e ekzekutojnë. Autori emërohet kryetar dege në vitin 2014! Sa pa Kujtesë jemi ne shqiptarët?!

Cili shtet i botës apo gjykatë mundë të barazojë viktimen me kriminelin.

Po në cilin shtet të botës krimineli lartësohet dhe viktima përçmohet?

Kjo nuk duhet të ndodhë në Shqipërin demokratike si aleate e Sh.B.A.-së,e inkuadruar në NATO,e me ngut për tu anëtarësue në Bashkimin Europian.

Jo, të paktën ndëgjoni zërin e poetit Havzi Nela. Nuke ndjeni rënkimin?:

Kur të mësoni se kam vdekë

Kurë të thoni”Ndjesë pasë,

A e dini se çfarë kam hjekë”

Unë poeti zemerzjarrtë…

 

…..Thoni, dritë ai kerkoi

E vetë dritë nuk pa me sy….

 

Ja çfarë përjetonte  zëvends prokurori F.D malësori trim kur i uruem emërimin z.v. Prokuror i pergjithshëm:-E pranova emërimin me dhimbje ashtu si përjetova degradimin si  k/ prokuror në Kukës,mbasi gjykuam dhe denuam me tetë vite heqje lirie poetin Havzi Nela.

Jam ndier i fyer kur i dhamë një denim të pa merituar, pa mbështetje ligjore.

Mbas analizës mujore më dhanë largimin dhe fletë emërimin zv/ komandant toge në postën kufitare në  Pulaj të  Velipojës.

S’më erdhi keq për zbritjen nga detyra, sa u indinjova  mbasi u rigjykua poeti.

Denimi vdekje me litarë i nxituar……..

A thue prokurori në fjalë mbasi varja në litarë ishte publike dhe varrosja në nji shpatë mali i dhuroi kënaqsinë krytarit të gjykatës kushtetuese zotit Avdiu të firmosë çfuqizimin e ligjit për denime me vdekje ndonëse të detyruem nga nderkombtarët, a thue do tu rrëfen ndërkombtarëve gazetarët e gazetës “Koha Jonë” me të gjithë opozitarët që u bën thirrje të varfërve të djegin Shqiperinë për fajdet mbasi ata personalisht financuen të parët, duke tërheq mbas një muaj trefishi e shumës që kishin dorzu tek fajdet.

Ata sot janë të gjithë të pushtetshëm, kanë prona,gazeta, kanale televizivë etj….

Sot flitet për hapjen e dosjeve, të cilat dihet se janë manipuluar. Përse të hapen dosje të montueme fakirësh kur dosierët janë të montuar në pushtet.

*Autori është ish i bugosur politik, Ish Nënkryetar i të Burgosurve Politik të Shqipërisë,sot anëtar i degës së Vatrës në Detroit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjon Kacaj, krimet e komunizmit, Kujtese, Simon Mirakaj

Në Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Komunizmit

August 23, 2017 by dgreca

 

018039331_303001481197284_gjetjaeeshtravetetepushkatuarveteambasadessovjetike.jpgimagesV9430GZHvrasjetkufiii

Europa dënon krimet e komunizmit, por Rezoluta jonë fle’/

…Në vitin 1992 kryetari i Kuvendit i kërkoi sallës të mbante një minutë heshtje në kujtim të viktimave të shumta të komunizmit, por asnjë deputet socialist nuk ishte ngritur në këmbë. As atëherë dhe as sot, 25 vjet më vonë, qasja jonë ndaj të shkuarës nuk është se ka ndryshuar vërtet. Madje, nga angazhimi im disavjeçar në këtë fushë, mund të them me keqardhje se situata është më e vështirë se në fillim të viteve 1990…./

Jonila-godole-shkrim

NGA Dr. JONILA GODOLE*/Në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë dy dekadave të fundit, mbahen mend shumë nisma të ndërmarra dhe të lëna përgjysmë, debate me rëndësi që kanë degjeneruar në sulme dhe fyerje personale, projektligje apo projekt-rezoluta të prezantuara dhe të miratuara vetëm nga njëra apo tjetra palë. Por, nuk mbahet mend asnjë debat i qenësishëm mbi raportin tonë me diktaturën, se çfarë qëndrimi duhet të mbajmë ndaj kësaj periudhe të historisë sonë, ndaj atij regjimi, cili nga individë dhe familjet që vuajtën mbi shpinë persekutime nga më çnjerëzoret, etiketohet si “kriminal”, por nga familjet që përfituan prej tij, konsiderohet me nostalgji si “shtet i respektuar socialist”!etj.

Nëse lexon materialet e regjistruara të fjalimeve parlamentare në legjislaturën e parë pas zgjedhjeve të vitit 1992, të bie në sy kujdesi i deputetëve të forcës politike që kishte ndërruar emrin brenda natës, nga Partia e Punës, për të mos u përfshirë në debate përmbajtjesore rreth vijës politike të regjimit të saporrëzuar në atë kohë. Revolta popullore, pas rënies së Perdes së Hekurt nga Gjermania Lindore, në Çeki, Poloni e deri në Rumani 1989-1990, ishte ende e freskët dhe opinioni i përgjithshëm ndërkombëtar i kishte dënuar regjimet komuniste si regjime totalitare që kishin mbajtur pushtetin me dhunë dhe terror nën petkun e “diktaturës së proletariatit” dhe ndërtimit të socializmit. (Si gazetare aktive në shtypin e parë të lirë pas 1990–s, më kujtohet ende shqetësimi i politikanëve të rinj të krahut të majtë, për të mos u identifikuar me “komunistët” e regjimit të vjetër, por me frymën progresive (që e majta nënkuptonte në socialdemokracinë perëndimore).

Nga ana tjetër, ndryshimet demokratike kishin sjellë lirimin e ish-të burgosurve politikë dhe të familjeve të tyre, shumë prej të cilave jetuan në internim deri në fund të vitit 1990, dhe ende nuk dihej si do reagonin pas lirisë së rifituar ata që ishin dhunuar, shtypur e persekutuar nga regjimi. A do kërkonin ata shpagim për jetën e shkuar dëm të dhjetëra mijëra personave, “koka të prera” si në Rumani, apo do falnin “gjakun”, siç po synonte bash në atë vit Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin në Afrikën e Jugut pas aparteidit, ku viktimat rrëfenin vuajtjet e tyre dhe persekutorëve që kërkonin falje, mund t’u jepej amnistia?

E dimë tashmë se në Shqipëri nuk ndodhi as e para dhe e as e dyta. Me gjithë “përshtatjen” në pamje të parë të opozitës ndaj situatës së re dhe kujdesit për të mos sulmuar hapur (në fakt pas fasadës shumë forca ishin angazhuar fort për të riorganizuar nga brenda, rifreskuar dhe riambalazhuar partinë që ishte fajtore për kursin e ndjekur dhe zbatuar gjatë diktaturës), frontet qëndruan të ndara. Sami Repishti kujton me trishtim, në një artikull, botuar te “Panorama” një vit e ca më parë, se si në vitin 1992 kryetari i Kuvendit i kërkoi sallës të mbante një minutë heshtje në kujtim të viktimave të shumta të komunizmit, por asnjë deputet socialist nuk ishte ngritur në këmbë. As atëherë dhe as sot, 25 vjet më vonë, qasja jonë ndaj të shkuarës nuk është se ka ndryshuar vërtet. Madje, nga angazhimi im disavjeçar në këtë fushë, mund të them me keqardhje se situata është më e vështirë se në fillim të viteve 1990. Atëkohë, së paku, vendet e kujtesës dhe dëshmitë e vuajtjeve ishin ende të freskëta për këdo që kërkonte prova, siç ishte shumë e madhe shpresa se rendi i ri demokratik do të vendoste shtetin e së drejtës, i cili duke u përballur me krimet e komunizmit dhe përgjegjësit e tij, do të kishte zgjidhur një herë e përgjithmonë edhe të drejtën e pronës, kthimin e çdo të drejte tjetër të mohuar gjatë diktaturës komuniste etj. Me qetësinë e sotme, dy dekada më vonë, sekush mund të thotë se një analizë e thellë e regjimit në të gjitha planet e tij, duhet të kishte qenë imperativi i kohës, në mënyrë që sot, (më 23 gusht), Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, të mos deklaronim se bilanci ynë me trashëgiminë e regjimit komunist është më se zhgënjyes. Për të përkrahur politikat e kujtesës në vendet dhe shoqëritë që dolën nga diktaturat komuniste, Këshilli i Europës, dhe më vonë Bashkimi Europian, ndërmorën një sërë iniciativash dhe rezolutash në ndihmë të procesit të analizës dhe ndarjes me totalitarizmat komuniste. Këto dokumente kanë qenë të njohura edhe për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, si rezoluta e Asamblesë Parlamentare te Keshillit te Europes (KE) për “Masat per te çrrenjosur trashegimine e sistemeve totalitare komuniste” (1996); Deklarata e Prages “Mbi ndergjegjen europiane dhe komunizimin” (2008) që përcaktonte angazhimin për të dënuar krimet e komunizmit, sipas praktikës së Gjyqit të Nyrenbergut, si krime kundër njerëzimit; Dëgjesa Publike Europiane mbi “Krimet e Kryera nga Regjimet Totalitare” (2008) dhe të Asamblesë Parlamentare të KE mbi “Domosdoshmerinë per denimin nderkombetar te krimeve te regjimeve totalitare komuniste”(2006) etj. Përmes këtyre rezolutave, Europa u kërkonte qeverive postkomuniste të distancoheshin qartësisht nga krimet e regjimeve komuniste totalitare dhe t’i dënonin ato pa asnjë ambiguitet. Madje, më 2 prill 2009, Parlamenti Europian shkoi më tej duke apeluar në një rezolutë të re “Mbi ndergjegjen europiane dhe totalitarizmin” dhe rëndësinë e mbajtjes gjallë të kujtesës mbi të shkuarën sepse “nuk mund të ketë pajtim pa të vërtetën dhe përkujtimin”. Në vazhdën e këtij presioni, Kuvendi i Shqipërisë reflektoi me miratimin e Rezolutës nr.11, “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”.

Rezoluta shënonte de jure ndarjen me regjimin e kaluar në aspektin politik, historik dhe moral, kur deklaronte se ‘regjimi totalitar komunist i Enver Hoxhës dhe klikës së tij, që qeverisi Shqipërinë pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1990, u karakterizua nga dhunimi masiv i të drejtave të njeriut, vrasjet dhe ekzekutimet individuale dhe kolektive, me dhe pa gjyq, vdekjet në kampet e përqendrimit, vdekjet nga uria, torturat, dëbimet, puna skllavëruese, terrori fizik dhe psikologjik, gjenocidi për shkak të origjinës politike apo trashëgimisë së pronës, si dhe dhunime të lirisë së ndërgjegjes, mendimit, shprehjes, lirisë së shtypit, lirisë së besimit fetar dhe lirisë së pluralizmit politik” (Neni 2, Rezoluta 11, 2006). Paragrafi përmbledh thelbin katërçipërisht jodemokratik të regjimit të shkuar, dhe rezoluta e miratuar pranon se regjimi i instaluar nga Republika Popullore e Shqipërisë ishte një diktaturë, edhe pse nuk sqaron premisat: se kjo diktaturë nuk erdhi si pasojë e një kursi të gabuar politik dhe kequshtrimi pushteti, por që dhunën dhe terrorin ndaj çdo mendimi opozitar, e ktheu në sistem për të forcuar pushtetin e një kaste të vogël njerëzish. Po ashtu, rezoluta e vitit 2006 i thjeshton më shumë se sa duhet përgjegjësitë, kur përmend (disa herë) si fajtor kryesor vetëm Enver Hoxhën dhe “regjimin e tij”, duke zhvlerësuar rolin e partisë, si forca që ushtronte pushtetin në tërë kapilarët e shtetit, të drejtësisë, të ekonomisë, të arsimit, të kulturës, të shkencës dhe mbarë shoqërisë. Gjithë dhuna, padrejtësitë e ushtruara ndaj individëve, shkelja e të drejtave të njeriut, kanë qenë drejtpërdrejt të lidhura me vijën politike të partisë, forumeve të saj drejtuese dhe organizatave të masave të përfshira në aksionin politik. (Por nga ana tjetër, lexuesi skeptik i ditëve të sotme, mund ta analizojë këtë edhe si një përpjekje “të suksesshme” për të delegjitimuar abuzimin personal, d.m.th., përgjegjësinë individuale dhe për t’ia ngarkuar fajin politikës represive: nën urdhrat e shtetit!) De facto, problematikat kanë mbetur në letër dhe pak janë reflektuar në praktikë. Diktatori, edhe pse i cilësuar përgjegjës për regjimin kriminal, vazhdon të jetojë përmes portreteve dhe simboleve të tij në festa përkujtimore dhe nuk u ndërmor ndonjë hap ligjor për ta zhveshur atë nga titujt dhe nderet që mban pa të drejtë. Nga ana tjetër, edhe pse në pikën 14, Rezoluta vlerësonte se “viktimat dhe familjet e tyre meritojnë respekt dhe mirëkuptim për vuajtjet, si dhe mirënjohje për qëndresën e tyre ndaj diktaturës”, me gjithë përpjekjet e bëra, ende nuk ka përfunduar “dëmshpërblimi” i tyre financiar. Ndërsa ai moral, as që ka filluar. Asnjë memorial mbarëkombëtar në kryeqytet që të kujtojë qëndresën dhe përndjekjen (përveç atij që përkujton familjet e internuara në rrethin e Lushnjës), ndërkohë që ekzistojnë sheshe dhe vende konkrete ku kanë ndodhur ngjarje historike me peshë si gjatë diktaturës, ashtu edhe në momentin e rënies së saj! Asnjë datë përkujtimore për dhjetëra, mijëra shqiptarë të pafajshëm, viktima të regjimit! Asnjë muze i ngritur në një vend kujtese, të burgosjes dhe punës së detyruar! Asnjë falje publike për ish-të përndjekurit politikë dhe familjarët e tyre! Të gjitha këto kanë qenë parashikuar gjerë e gjatë në Rezolutë, ashtu siç është parashikuar edhe rishikimi i kurrikulës shkollore, por që nuk ka ndodhur ende. Madje kush shkon në gjimnaze dhe prek nga afër situatën, sheh sa pak mësues janë në gjendje të dallojnë “investimet” e diktaturës nga synimet e saj keqdashëse për t’i përdorur ato në shërbim të instalimit më të thellë të propagandës dhe terrorit. Për të mos folur për padrejtësitë e regjimit, se ato në tekst nuk ekzistojnë! Ata pak nxënës që e njohin diktaturën, të mirat dhe të këqijat e saj nga historitë familjare, kur ngrenë dorën të shprehen, ka rrezik të ndërpriten nga mësuesit me gjykime të tilla si: “Aha, edhe ti na qenke nga të Bllokut” apo “Pa shiko, na dole edhe ti nga … ATA (armiqtë e popullit, ish të përndjekurit)”! Për pasojat që kanë lënë këto etiketime në psikikën fëminore, flasin rrëfimet e ish-të mbijetuarve në kampet e internimit, në dokumentarin “Fëmijët e Diktaturës”.

Një rezolutë parlamentare nuk mund të jetë përshtatje në shqip e një teksti të huaj, i cili edhe pse i përkthyer korrektësisht, mund të na lërë të ftohtë shpirtërisht. Ajo reflekton dokumentin final të pjekur të palëve të përfshira dhe prej andej, duhet të merrte jetë debati politik dhe publik me shpresë për t’u thelluar më tej me ligje dhe akte nënligjore. Dhe me projekte madhore në fushën e botimit të dokumenteve historike për periudhën e LANÇ dhe të diktaturës që pasoi, nga arkivat shqiptare dhe ndërkombëtare, me trajnime të mësuesve të historisë për problemet e ndjeshme dhe kontraversale të ballafaqimit me regjimin komunist etj. Një strategji e tillë do kishte rikthyer transparencën në opinionin publik dhe besimin se historia nuk do të manipulohej, paragjykohej dhe shtrembërohej sërish si në diktaturë. Në rastin tonë nuk ndodhi kështu. Pak veta e dinë se Rezoluta e 30 tetorit 2006, ekziston. Mbase lënia në harresë ose dështimi i saj për të lënë gjurmë në politikën e kujtesës dhe opinionin publik, lidhet me faktin se ajo është miratuar vetëm nga maxhoranca e asaj kohe (PD). Teorikisht kjo nuk i zhbën detyrimet që burojnë prej saj, por na tregon se ballafaqimi me të shkuarën nuk ka qenë dhe nuk është prioritet serioz i politikës sonë. Të gjitha iniciativat që janë ndërmarrë në këtë fushë janë mbështetur nga njëra palë dhe janë bllokuar nga pala tjetër. Kujtojmë këtu, përpjekjet e dështuara për të miratuar ligjin për hapjen e dosjeve (1996,2008, si dhe Komisioni Bezhani 1998-2000) me iniciativë të maxhorancës së kohës, por pa konsensus të PS, si dhe miratimin më në fund, më 30 prill 2015 të ligjit për të Drejtën e Informimit mbi dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit pa votat e PD. Edhe bashkëpunimi mes tyre për miratimin e Rezolutës së fundit “Për denimin e krimeve te komunizmit ndaj klerit, si dhe mirenjohjen e veçante per rolin dhe veprimtarinë e klerikëve ne mbrojtjen e vlerave demokratike dhe te drejtave e lirive themelore te njeriut”, më 27 tetor 2016, ishte minimal, me gjasë, një akt i ndikuar nga firmosja e dekretit të lumturimit të martirëve nga Papa Françesku, pak muaj më parë. Rezoluta e vitit 2006 duhet të shënonte ndarjen tonë me të shkuarën, pikërisht duke garantuar brezat që vijnë për të mos njohur më kurrë regjim diktatorial. Kjo do të tregonte se ne kemi mësuar nga historia e afërt. Dhe të më- sosh nga historia, nuk nënkupton të gjykosh politikisht popullin shqiptar, i cili për gati një gjysmë shekulli u detyrua të jetonte nën terror dhe sundim të egër (aq i madh represioni, sa persekutori i sotëm mund të ishte viktima e nesërme!). Por nga ana tjetër, brezit të ri nuk mund t’ia mësosh historinë me “bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës”, se kështu ai nuk do të jetë kurrë në gjendje të ndajë të mirën nga e keqja. Regjimet totalitare prodhojnë persekutorë, njerëz që i përshtaten sistemit për mbijetesë, dhe viktima të pafajshme. Këto kategori duhet të dallohen qartë nga njëra-tjetra, përmes bërjes publike të dokumenteve përkatëse, siç edhe këshillon me të drejtë Rezoluta në pikat 10, 11. Por sa persona janë dënuar si përgjegjës deri më sot për krimet e sistemit, në bazë të dosjeve të paraqitura?! Që ne njohim viktimat, por jo persekutorët, kjo është dhe mbetet dështimi i ballafaqimit tonë me të shkuarën. I takon Kuvendit dhe deputetëve të mbështesin zhvillimin e një kulture të kujtesës mbi diktaturën dhe pasojat e saj, për sa kohë viktimat dhe persekutorët janë ende gjallë. Dhe jo vetëm kaq. Përkujtimi i viktimave, por edhe i qëndresës gjatë diktaturës, si dhe vitet kyçe të transformimit nga regjimi totalitar në pluralizëm, në fillim të 1990-s, duhet të mbahen gjallë, jo formalisht, por në emër të ndërgjegjes së opinionit publik dhe të kulturës sonë kombëtare. Prandaj, në Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave të regjimeve totalitare dhe në prag të punës së Kuvendit të ri, të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit, në emër të IDMC, Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, i cili vepron prej disa vitesh në partneritet të ngushtë me fondacionin gjerman “Konrad Adenauer”, për ndërgjegjësimin e rinisë dhe shoqërisë shqiptare mbi krimet e regjimit totalitar, dëshiroj me anë të këtij apeli publik, t’u kujtoj ligjvënësve zbatimin në praktikë të Rezolutës së vitit 2006 dhe detyrimeve që burojnë prej saj, që të mos e lënë atë të flejë në sirtar. Një sugjerim mund të ishte ngritja e një komisioni (në vend të konferencës kombëtare që parashikonte në pikën 17 të Rezolutës), me pjesëmarrës nga parlamenti, nga institucionet shtetërore që veprojnë të fushës dhe me ekspertë të pavarur nga bota akademike dhe shoqëria civile, i cili të analizonte ecurinë e deritanishme të procesit të ballafaqimit me diktaturën në të gjitha fushat, situatën aktuale të ish-të burgosurve politikë, ish-të dënuarve me dhe pa gjyq, familjet e internuara dhe rehabilitimin e viktimave në aspektin material dhe fizik, si dhe vendin e Shqipërisë në hartën e kujtesës historike europiane e më gjerë. Kësisoj, do të kishim një dokument të plotë zyrtar për ecurinë e procesit të dënimit të krimeve të regjimit komunist, përgjegjësitë dhe sfidat e tij në të ardhmen. Ky apel i drejtohet gjithashtu Presidentit të Republikës, Kryeministrit, kryetarëve të partive politike parlamentare, Kryetarit të ri të Kuvendit, institucioneve dhe subjekteve shtetërore dhe private që kanë mundësi ta nxisin dhe ta mbështesin këtë nismë si dhe të ushtrojnë presionin e duhur që Rezoluta, jo vetëm të zbatohet, por edhe të ndiqet nga iniciativa të tjera të ngjashme. Partnerëve tanë ndërkombëtarë, veçanërisht institucioneve që monitorojnë ecurinë e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, do t’u propozoja të vendosnin në listën e kritereve që duhen plotësuar, edhe angazhimin serioz shtetëror për të dënuar krimet e regjimit komunist dhe për t’u ndarë përfundimisht me të shkuarën. Si garanci që ajo të mos përsëritet më nesër, në zemër të Europës, dhe si shpresë që shteti i së drejtës që synojmë të ngremë, mund të funksionojë. *Dr. Jonila Godole është drejtoreshë ekzekutive e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë (www.idmc.al; www.observatorikujteses.al) me qendër në Tiranë.

Filed Under: Featured Tagged With: Në Ditën Europiane të Përkujtimit të Viktimave, të Regjimeve Totalitare

KOZMA LARA: KOMPOZITOR I SHQUAR SHQIPTAR

August 23, 2017 by dgreca

1-spiro-j-shetuni1

Shkruan: Prof. Dr.  SPIRO J. SHETUNI

Universiteti Winthrop/

Rock Hill, South Carolina-U.S.A./

  • Kompozitor i shquar
  • Pedagog i klasit të parë
  • Pianist i talentuar
  • Studiues serioz
  • Intelektual thellësisht modest
  • Mik i sinqertë i studentëve

2 Kozma Lara2

Ne Foto:Kozma Lara/

Ndër figurat muzikore me përmasa kombëtare e ndërkombëtare të gjysmës së dytë të shekullit XX në Shqipëri, krahas një numri kompozitorësh, si:  Çesk Zadeja, Tish Daija, Nikolla Zoraqi, Tonin Harapi, etj., një vend të merituar zë pa dyshim edhe kompozitori i shquar shqiptar, Kozma Lara (1930-).  Duke qenë të ndërgjegjshëm se figura e tij është e ndërlikuar, komplekse, shumë-dimensionale, në këtë artikull do të preken shkurtimisht, por në mënyrë thelbësore, vetëm disa aspekte—profesionale dhe jashtë-profesionale—të kësaj figure.

PERSA I TAKON JETES

Kompozitori shqiptar me kombësi arumune, Kozma Lara, lindi në qytetin e lashtë të Durrësit, aty ku edhe sot e kësaj dite jeton një bashkësi e shkëlqyer arumune në miqësi të përhershme me popullsinë shqiptare vendase.  Qysh në moshë fare të re, ai iu përkushtua tërë energji e entusiazëm fushës, sa tërheqëse, aq edhe delikate, të muzikës, duke u diplomuar për piano në Liceun Artistik “Jordan Misja.”  Disa vite më vonë, pianisti i ri, i cili ushqente ëndrra të mëdha për të ardhmen e tij, fatmirësisht, pati mundësinë që të studiojë për kompozicion në Konservatorin “Pjetër Iliç Çajkovki” [“Peter Ilich Tchaikovsky”] të Moskës (në ish-Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike, sot Rusi).  Mirëpo, për shkak të faktorëve politiko-shtetërorë të kohës, ai i përfundoi studimet e larta muzikore për kompozicion në Tiranë, pranë ish-Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve).  Pas diplomimit, kompozitori Lara, me përgatitjen e lartë profesionale dhe zellin e madh që e karakterizonte, kreu detyra të rëndësishme sidomos në fushën e arsimit muzikor, të mesëm dhe universitar.  (Për jetën dhe veprimtarinë e kompozitorit, më gjerë, mund të shihen tre burime kryesore:  i)  “Fjalori Grouv i Ri i muzikës dhe muzicienëve” (Sadie, hartues. 2001);  ii)  “Enciklopedia [sic] e muzikës shqiptare,” Vëllimi i parë (Shupo, hartues. 2002);  iii)  “Wikipedia” (2017)).    

ÇASTI I NJOHJES

Gjatë viteve që ndiqja Shkollën e Mesme të Kulturës në Tiranë, unë e kisha dëgjuar emrin e kompozitorit Lara shumë e shumë herë me radhë në programet muzikore të Radio-Tiranës, veçanërisht si autor veprash pianistike, instrumentore e simfonike, por asnjëherë s’e kisha takuar atë.  Duke qenë se, pasi mbarova Shkollën e Mesme, ëndërroja që të vazhdoja studimet e larta në fushën e muzikës, shpresoja se, ndonjë ditë, mbase do të mund t’a takoja.  Ky moment erdhi në datën 10 korrik, 1970, kur, i veshur me uniformë ushtari, unë u paraqita në konkursin e Fakultetit të Muzikës të ish-Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve).  Kryetar i komisionit ishte pikërisht kompozitori Lara, në atë kohë Përgjegjës i Katedrës së Teorisë dhe Kompozicionit.

KOMPOZITORI

Në një vështrim tërësor, krijimtaria muzikore e kompozitorit Lara, është mjaft e gjerë.  Ajo përfshin një numër të madh veprash muzikore, të cilat u takojnë zhanreve e gjinive të ndryshme muzikore:  zanoro-operistike e instrumentoro-simfonike.  Ndër ‘to, vendin kryesor e zënë, pa dyshim, veprat instrumentoro-simfonike, si:  suita, koncerte, valle, rapsodi, simfoni, etj.;  vepra instrumentore, si:  prelude, ballada, variacione, sonata, etj.;  vepra të muzikës së dhomës, si:  trio, kuartete, skerco, rondo, etj.;  vepra të muzikës skenike, si:  opereta, balete, etj.  Ndërkaq, veprat zanore vijnë në një masë më të vogël, por as ato nuk mungojnë,  Midis tyre, përmendim:  pjesë korale a cappella, këngë popullore të përpunuara, këngë për fëmijë, etj.  Ndër veprat muzikore më të rëndësishme, lejomëni që të sjell në vëmendjen e dëgjuesit krijime, si: “Simfonia nr. 1 në Fa minor,” një vepër klasike me karakter të përgjithshëm liriko-dramatik.  Për një mjeshtëri të spikatur artistike, vlejnë të përmenden, gjithashtu, pesë koncertet për piano e orkestër:  “Koncert për piano e orkestër nr. 1,” “Koncert për piano e orkestër nr. 2,” “Koncert për piano e orkestër nr. 3,” “Koncert për piano e orkestër nr. 4,” “Koncert për piano e orkestër nr. 5.”  Vlera të pamohueshme artistike, shpalosin edhe tre kuartetet për harqe: “ Kuartet për harqe nr. 1,” “Kuartet për harqe nr. 2,” “Kuartet për harqe nr. 3,” etj.  Ndërkohë, vepra skenike, Baleti “Fatosi partizan,” e merr subjektin në Luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare të popullit shqiptar (1939-1944).  Historikisht, autor i sonatës së parë për piano në Shqipëri, kompozitori Lara u përfshi, gjerësisht e thellësisht, në krijimin e veprave instrumentoro-simfonike, duke dhënë në këtë lëmë një ndihmesë të veçantë.  Individualiteti krijues i tij del në pah sidomos duke dëgjuar, përjetuar e studiuar pikërisht veprat instrumentoro-simfonike.  Përsa i takon përmbajtjes, tipari kryesor individual i muzikës së kompozitorit shfaqet lirika dramatike.  Kështu, pa dyshim, kompozitori Lara është një krijues muzikor i shquar. 

PEDAGOGU

Për shumë vite me radhë, kompozitori Lara punoi si pedagog pranë ish-Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve).  Në këtë institucion të rëndësishëm shkollor artistiko-muzikor, ai jepte leksione në lëndën “Analiza e veprave muzikore,” një disiplinë teorike themelore për formimin profesional të muzicienëve të rinj:  kompozitorë, kritikë muzikorë, historianë të muzikës, instrumentistë, etj.  Po ashtu, jepte lëndën “Kompozimi muzikor,” një disiplinë, e cila, për vetë natyrën e saj, zhvillohet individualisht, pra, me pjesmarrjen e një studenti të vetëm.  Sa herë që jepte leksion në lëndën “Analiza e veprave muzikore,” kompozitori Lara hynte në klasë i qeshur e i vëmendshëm.  Në duar mbante gjithmonë pjesë muzikore klasike të zhanreve e gjinive të ndryshme, të cilat mund të ishin për instrumente solistikë të caktuar, për familje instrumentesh, për instrumente të caktuar dhe orkestër simfonike, etj.  Duke qenë vetë instrumentist, për të ilustruar mendimin teorik, ai niste të luante në piano pjesët muzikore, që përdorte si shembuj.  Eshtë e qartë se, përmes ndërthurrjse së anës teorike me anën praktike të çështjes, shpjegimi i lëndës bëhej më i thjeshtë dhe më i kuptueshëm për studentët.  Kështu, pa dyshim, kompozitori Lara është një pedagog i klasit të parë. 

PIANISTI

Historikisht, kompozitori Lara u shkollua më së pari në jetën e tij si instrumentist, duke u diplomuar si pianist pranë Liceut Artstik “Jordan Misja,” në Tiranë.  Pa dyshim se, zotërimi mjeshtëror i këtij instrumenti, i cili shquhet për gjerësinë dhe thellësinë shprehëse muzikore, luajti një rol përcaktues në tërë karierën profesionale të mëvonshme të kompozitorit.  Në të vërtetë, ai e përdori njohjen praktike të instrumentit të pianos më shumë për të krijuar sesa për të interpretuar muzikë. Veprimtaria e tij krijuese u nxit fuqishëm pikërisht prej aftësisë së tij interpretuese.  Kështu, pa dyshim, kompozitori Lara është një pianist i talentuar.

STUDIUESI

I ndërgjegjshëm për rolin e rëndësishëm të lëndës “Analiza e veprave muzikore,” kompozitori Lara hartoi, midis të tjerash, dy tekste muzikore bazë të kësaj lënde, për shkolla muzikore të niveleve të ndryshme, si vijon:  “Analiza e veprave muzikore” (për shkollat e mesme të muzikës), “Analiza e veprave muzikore” (për Universitetin e Arteve).  Po kështu, duke ndjekur aktivisht jetën kulturoro-artistike të vendit në përgjithësi dhe jetën artistiko-muzikore në veçanti, kompozitori Lara, ndër vite, shkroi e botoi në organe qendrore letraro-artistike, siç ishin, gazeta “Drita,” revista “Nëntori,” etj., mjaft artikuj e studime muzikore kritike.  Si objekt i tyre janë dukuri të ndryshme artistike të kohës:  vepra muzikore, veprimtari muzikore, çështje të procesit krijues muzikor, etj. Hulumtimet e tij teorike tashmë janë botuar si një libër i veçantë, çka e bën më të lehtë procesin e studimit të tyre nga ana e lexuesit.  Kështu, pa dyshim, kompozitori Lara është një studiues serioz.

INTELEKTUALI

Kompozitori Lara asnjëherë nuk fliste për vlerat artistike të veprave të tij të shumta, zanore e instrumentore.  Këtë rol ai ia linte vetëm kritikës muzikore.  Nëse ndonjëherë ajo ishte e thartë, kompozitori përsëri heshtte.  Eshtë e qartë se, nga pikëpamja etiko-morale, ai shërbente si model i mrekullueshëm për muzicienët e rinj studentë.  Kështu, pa dyshim, kompozitori Lara është një intelektual thellësisht modest.

MIKU

Kompozitori Lara përgatiti breza të tërë muzicienësh të rinj shqiptarë të të gjitha fushave:  kompozitorë, kritikë muzikorë, historianë të muzikës, instrumentistë, etj.  Brenda këtij qerthulli, ai interesohej vazhdimisht për ecurinë e tyre gjatë procesit mësimor.  Nëse ata kishin probleme ose shqetësime mbi çështje të ndryshme, ai do t’u jepte atyre pa vonesë ndihmën e domosdoshme profesionalo-pedagogjike.  Si përgjegjës i Katedrës së Teorisë dhe Kompozicionit, kompozitori Lara nuk u diktonte asnjëherë studentëve të fushës së muzikës se në çfarë drejtimi duhet të specializoheshin ata:  kriteri kryesor nga udhëhiqej ai, ishte, mbi të gjitha, dëshira e vetë studentëve.  Në një mënyrë vërtet të rrallë për kohën, herë-herë, kompozitori Lara do të ftonte studentë për vizitë në shtëpinë e tij.  Po ashtu, ai mbante lidhje me studentët edhe pas përfundimit të studimeve, duke u interesuar vazhdimisht që të mësonte mbi përparimin e tyre në jetë.  Kështu, pa dyshim, kompozitori Lara është një mik i sinqertë i studentëve të tij.    

PERSA I TAKON BASHKEKOHESISE

Në ditët tona, kompozitori Lara jeton larg Mëmëdheut:  në Kanada.  Me tërë peshën e viteve që mban mbi supe, ai sërish vazhdon që të krijojë muzikë pa rreshtur.  Siç duket, vetëm duke kompozuar, ndihet i lumtur!  Arti i magjishëm i muzikës e mban atë vazhdimisht të gjallë!  Ndërkohë, Shqipëria e largët i sjell kujtime të rralla …

 ***

Kompozitor i shquar, pedagog i klasit të parë, pianist i talentuar, studiues serioz, intelektual thellësisht modest, mik i sinqertë i studentëve të tij, etj., Kozma Lara është pa dyshim një figurë muzikore me përmasa kombëtare e ndërkombëtare, e gjysmës së dytë të shekullit XX në Shqipëri.  Veprat muzikore zanore e instrumentore më të mira të tij, sidomos ato që u takojnë zhanreve instrumentoro-simfonike, do të qëndrojnë vazhdimisht si pjesë e thesarit të artë të muzikës profesioniste shqiptare.  Vepra të tilla do të vazhdojnë me siguri që të pasurojnë, frymëzojnë e edukojnë estetikisht shoqërinë shqiptare në përgjithësi dhe brezat e rinj të muzicienëve shqiptarë në veçanti.

 

Filed Under: Histori Tagged With: I SHQUAR SHQIPTAR, KOZMA LARA: KOMPOZITOR, Spiro Shetuni

Një president i ve në Shtëpinë e Bardhë

August 23, 2017 by dgreca

1 albana 1

Nga Albana Lifschin/

Gjenerali Endrju Xhekson (Andrew Jackson) triumfoi në zgjedhjet presidenciale të 1828 përmes një fushate elektorale shumë të ashpër. Shumë baltë u hodh mbi kandidatin që kishte fituar zemrat e popullit amerikan. Gjenerali Endrju Xhekson ishte Heroi i betejës historike të Nju Orleansit, fitorja e të cilës shpëtoi pavarësinë e SHBA.

1 Andrew_Jackson

Ne Foto:Presidenti  Endrju Xhekson (Andrew Jackson)/

Por triumfi i tij qe tragjik. Pak para se të inaugurohej si president i SHBA, gruaja e tij e shtrenjtë vdiq nga një atak masiv në zemër.Nuk vdiq nga gëzimi, por i plasi zemra nga një hidhërim i mbledhur 40-vjeçar, të cilin s’e mundi dot.

1 rachel-jackson-portrait0k

Ne Foto: Rejçëll, gruaja e tij e shtrenjtë vdiq nga një atak masiv në zemër, në prag të inaugurimit të prisedientit./

Dy fjalë nga historia.

Edhe 30 vjet pas shpalljes së pavarësisë së SHBA, (1776), Britania e Madhe e ruante të nxehtë ndjenjën e hakmarrjes ndaj Amerikës që i kishte ikur nga duart. Pasi u çlirua nga luftërat në Evropë, u angazhua sërish në luftë me SHBA, me një ashpërsi të vendosur për ta kthyer atë në gjendjen e mëparshme, dmth në gjendjen koloniale. Lufta kundër Britanisë së madhe, (1812-1815) për nga rëndësia e saj konsiderohet si lufta e dytë e amerikanëve për të mbrojtur pavarësinë e vendit.

Me zbarkimin e trupave angleze në Merilend dhe marshimin e tyre drejt kryeqytetit të vendit Uashington DC, njerëzit nxituan ta braktisnin atë, si një vend pa zot. Në ato momente kritike, kujtesa njerëzore ka përcjellë figurën e Dolli Medison, gruas se presidentit Xhejms Medison, e cila shpëtoi nga Shtëpia e Bardhë, një portret të Xhorxh Uashingtonit dhe dokumenta të rëndësishme, për të mos rënë në duart e anglezëve. Ushtria britanike i vuri zjarrin Shtëpisë së Bardhë (këtë emër e mori pas restaurimit) dhe godinës së Kongresit amerikan. Krenaria amerikane mori një goditje të rëndë. Por anglezët nuk e dinin që në marshimin drejt jugut, në Luizianë i priste gjenerali Endrju Xhekson. Fitorja e Betejës së Orleansit ndaj ushtrisë britanike, thyerja e Anglisë në përmasa të mëdha qe vendimtare në mbrojtjen e pavarësisë së Amerikës. Amerikanët nuk flisnin për asgjë tjetër veçse për këtë fitore të madhe. Xhekson fitoi famë në të gjithë Amerikën si Heroi kombëtar. (Siç thuhej, ai ishte hero me “H” të madhe). Ai kishte shpëtuar pavarësinë e Amerikës, kundrejt një pushtimi i dytë nga Britania e madhe. Populli e krahasonte Xheksonin me Xhorxh Uashingtonin

…Endrju Xhekson mbeti jetim që në moshën 14 vjeç. Fati e privoi nga dashuria e prindërve në një moshë delikate. Jeta e bëri të ashpër, trim të çartur dhe po aq neglizhent, deri atë ditë që vendosi të vazhdojë studimet për t’u bërë avokat. Pas kësaj, udhëtoi për në West, në Nashville, Tennesee, për ta provuar mundësitë që i jepte ai vend në profesionin e vet. Këtu ai takoi të bukurën e njerëzoren Rejçëll (Rachel). Rachel ishte e martuar dhe për shkak të natyrës së saj të butë, të qeshur e talentit që manifestonte në ditët festive, të gjithë e admironin dhe vlerësonin. Në të kundërtën, i shoqi bëhej shumë xheloz dhe abuziv. Ai e keqtrajtonte. Ato kohë sado të vuante gruaja nga keqtrajtimi i burrit, divorci ishte diçka që nuk ndodhte kollaj. Endrju iu bë shok e mbështetje gruas së re dhe përfundimisht ra në dashuri me të. Rejçëll dhe Endrju u rrëmbyen dhe u larguan nga ai shtet. Më pas u kthyen sërish dhe familja e saj e pranoi Xheksonin si njeri të shtëpisë. Atë kohë ish bashkëshorti i saj kishte bërë kërkesën për divorc duke e akuzuar për tradhëti bashkëshortore,mirëpo procesi i divorcit ende nuk kishte përfunduar, gjë që ata të dy nuk e dinin. Kështu në sytë e opinionit Rejçëll ishte një grua që kishte tradhëtuar të shoqin dhe njëkohësisht bashkëjetonte me një tjetër (Endrjun). Ajo u akuzua për bigami. Kjo njollë turpi e ndoqi gruan për afro dyzet vjet rresht.

Ndërsa Endrju Xhekson ngjiti shkallët e karrierës së vet, arriti lavdinë e respektin, kundërshtarët e tij politikë nuk linin rast pa e sulmuar moralisht si një burrë që i kishte marrë gruan një tjetri dhe të shoqen, gjatë fushatës së tij për president, e quajtën si një grua pa moral për të cilën nuk mund të kishte vend në Shtëpinë e Bardhë. Xheksonin e “akuzonin” për tipin e tij të rrëmbyer dhe mungesë të kontrollit të vetvetes, duke e bërë këtë si argumentin kryesor që mund të shkatërronte integritetin e Republikës dhe institucioneve të saj. Publiciteti i emrit të Rejçëll për një çështje shumë private e zhyti atë në depresion. Ajo i pat thënë një mikeshe “Unë më mirë bëhem roje në portën e Zotit, se jetoj në atë pallat në Uashington.” Asaj nga natyra nuk i pëlqente të ishte në qendër të vëmendjes.

Ajo e paralajmëroi Xheksonin se kishte frikë që fama që kishte marrë pas fitores së Nju Orleansit dhe popullariteti i madh (që krahasohej me atë të Xhorxh Uashingtonit) do ta bënte që një ditë ai të vlerësonte lavdinë e tij, mbi familjen.

Gjithsesi, gjatë fushatës presidenciale, Rejçëll nuk dinte shumë se ç’bëhej dhe as akuzat që i ngrinin të shoqit, sepse atë kohë ajo nuk banonte në Uashington D.C. Kur Endrju Xhekson u zgjodh president, Rejçëll shkoi në Washington DC, dhe filloi të përgatiste veshjen për ditën e inaugurimit. Aty mësoi të tëra epitetet me të cilat opinioni e kishte veshur atë dhe të shoqin. Pas gati dyzet vjet martese, dashurie dhe devotshmërie për të shoqin, në mendjet e liga ende ruhej i freskët divorci dhe historia e dashurisë së saj me Endrjun. Armiqtë politikë të së shoqit kishin gërmuar dokumentat e divorcit, kaq kohë të shkuara, dhe ‘zbuluan’ që gruaja e Xheksonit paska qenë tradhëtare dhe bigamiste! Kjo ishte shumë e rëndë për të.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Albana M. Lifschin, ne Shtepine e Bardhe, Një president i ve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT