• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2017

Senatori amerikan Ron Johnson në Kosovë, Pritet nga Presidenti dhe Kryeministri

August 30, 2017 by dgreca

1 sen Ron Johnson

PRISHTINË, 30 Gusht 2017-Gazeta DIELLI/ Senatori amerikan, Ronald Johnson, anëtar i Komitetit të Senatit për Politikë të Jashtme, mbërrin sot për vizitë në Kosovë.Sipas axhendave të njoftuara deri tani, Senatori Johnson do pritet në takime të veçanta nga presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe  kryeministri Isa Mustafa.Media ka njofuar se, dje në Beograd, senatori amerikan Johnson është takuar me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, ku kanë biseduar për Kosovën, dialogun, ekonominë e integrimet europiane.

***

Senatori Johnson: Administrata e Presidentit Trump do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në të gjitha fushat/

1 Thaci Senatori

-Presidenti Thaçi priti në takim senatorin amerikan, Ronald Johnson. Takohet edhe me kryeministrin Mustafa/

PRISHTINË , 30 Gusht 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Senatori amerikan, Ronald Johnson, sot në Prishtinë ka siguruari se administrata e Presidentit Trump do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në të gjitha fushat dhe do të mbetet e përkushtuar për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon.Kjo bëhet e ditur nga takimi me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka pritur Senatorin amerikan, Ronald Johnson, me të cilin ka bashkëbiseduar për shumë tema që përbëjnë interes për dy shtetet.Njoftimi dërguar nga Presidenca bën të ditur se, presidenti Thaçi ka falënderuar senatorin amerikan për mbështetjen që po i jep Kosovës administrata e presidentit Trump në rrugën e saj drejt integrimit në struktura euroatlant“Mbështetja amerikane është përcaktuese për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurimin e rrugës euroatlantike për Kosovën dhe shtetet e tjera të rajonit”, ka theksuar presidenti Thaçi.Presidenti ka njoftuar senatorin amerikan për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për procesin e transformimit të FSK-së dhe për sfidat që e presin qeverinë e re të Kosovës në jetësimin e prioriteteve strategjike, duke theksuar se institucionet e reja duhet të themelohen sa më shpejtë.Senatori amerikan, Ronald Johnson, anëtar i Komitetit të Senatit për Politikë të Jashtme, mbërriti sot për vizitë në Kosovë, ku, sipas axhendës, pasdite pritet në takim të veçantë edhe nga  kryeministri Isa Mustafa.

TAKIMI ME KRYEMINSTRIN ISA MUSTAFA

1 Mustafa Johnson

Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot pasdite në takim senatorin amerikan, Ronald Johnson, anëtar i Komitetit të Senatit për Politikë të Jashtme i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri Mustafa e njoftoi për punët që janë bërë gjatë mandatit qeverisës dhe fokusin kryesor në zhvillimin ekonomik, proceset integruese euroatlantike, si dhe në fuqizimin e institucioneve demokratike.
Kryeministri Isa Mustafa, theksoi mirënjohjen e qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për përkrahjen e pazëvendësueshme që kanë dhënë SHBA-të për Kosovën në të gjitha periudhat. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin miqtë dhe përkrahësit më të mëdhenj të Kosovës, prandaj u jemi mirënjohës përjetë”, tha kryeministri Mustafa, duke shprehur po ashtu përkushtimin e qeverisë për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-të, edhe në të ardhmen.
Senatori i SHBA-ve, Ronald Johnson, gjatë takimit, vlerësoi progresin që është arritur në Kosovë gjatë këtyre viteve. Senatori Ronald Johnson u interesua për proceset zhvillimore në Kosovë, duke theksuar përkrahjen e mëtejme të SHBA-ve për Kosovën.Senatori amerikan, Ronald Johnson, anëtar i Komitetit të Senatit për Politikë të Jashtme, mbërriti sot për vizitë në Kosovë.

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: ne Kosove, Ron Johnson, Senatori amerikan

MUSTAFA KRUJA,BURRË SHTETI,ANTIKOMUNIST I VENDOSUR

August 30, 2017 by dgreca

1 Mustafa Kruja

Shkruan:Eugen SHEHU/

1 eugjen shehuNë plejadën e burrave të shquar të shtetit shqiptar,të atyre burrave që muarën mbi vete përgjegjsi të mëdha në kthesat kulmore të jetës të kombit të tyre,është shkruar me germa nderi edhe emri i Mustafa (merlikës) Kruja.Ky personalitet i madh,ngjit sot shkallët e lavdisë në historinë e kombit shqiptar jo si tradhëtar (kështu e quajnë ende komunistët e shtetit amë) por si protagonist i ngjarjeve më kulmore të Shqipërisë ç’prej vitit 1912 e deri më 1944.Ai është pjesë e historisë së këtyre viteve dhe pamvarsisht se ende sot anatemohet prej disa mjeranëve,pseudohistorian ideologjik,kjo asesi nuk mund t’ia fshehë vlerat,ashtu sikundër ndonjë re e zezë,kalimtare,nuk mund të fsheh dritën e diellit. Mustafa Merlika,lindi në qytetin historik të Krujës më 15 mars 1878.Aty i mori edhe mësimet e para në gjuhën turqishte,por duke u mëkuar me legjendat e famshme të kalasë së qytetit, ku qindra vjet më parë,kryetrimi,Gjergj Kastrioti pat ngritur flamurin e lashtë arbëror.Qytetin e vet e desh me mall dhe kur shkoi në Janinë për të vazhduar gjimnazin,kish dëshirë ta thërrisnin Mustafa Kruja.Këtë mbiemër ai e mbajti me nder,deri në ditën e largët kur dhe mbylli sytë.Në qytetin shqiptarë të Janinës,tanimë në moshën 16-17 vjeçare,nga shqiptarët e atyshëm do të njihte trimërinë e Ali Pashait të Tepelenës,i cili la gjurmë në kohra sa për trimëritë,aq edhe për rrebelizimin e tij. Falë rregullave të forta të gjimnazit,Mustafa Kruja do të paisej me kulturë të madhe për kohën e vet. Ndërkaq ai do të dallohej ndër gjimnazistët e tjerë,për etjen e madhe që shfaqte në rrafsh të përvetsimit të kulturave të lashta si edhe atyre të kohës.Me nxitjen e prindërve të vet,pasi ka mbaruar mjaft mirë gjimnazin e qytetit shqiptar të Janinës,Mustafa Kruja,sikundër qindra e mijëra bashkëkombas të atyre viteve,merr rrugën për në Stamboll,në kryeqendrën e perandorisë Osmane.

Më 1905,filloi studimet e larta në Universitetin Mylkije të Stambollit,në shkencat politike dhe administrative,aty sigurisht tejet enregjik,biri i Krujës do të jetë i preferuar në shoqërinë e atdhetarëve shqiptarë,të cilët patën filluar përpjekjet për një lëvizje madhore të kombit të tyre,në kahjen e ideve të pavarsisë.Qysh herët,Mustafa Kruja,shquhet për prirjet e tij në fushën e publicistikës.Ndonëse student,mësimet nuk e pengojnë asapk të marrë lapsin dhe të shkruaj në shtypin osman të kohës,mbi problemet e mëdha që patën kapluar në fillim të shekullit 20-të perandorinë osmane.Por guximi i birit të Krujës,do t’i kalonte idetë e shprehura në faqe të gazetave. ”Atdhetari i flaktë dhe përkrahës i pamvarsisë së kombit të vet,u gjind do s’do,i përfshimë në ngjarjet politike,tue marrë pjesë aktivisht në përpjekjet për çlirimin e Shqipërisë nga sundimi osman.Në 1909 u përjashtua nga Univeristeti si protagonist i një demonstrate të rreptë të studentëve në favor të minoriteteve kombëtare të perandorisë osmane”.( Mustafa Kruja “Antologji historike “ Sejko 2001 , faqe 8 ).

Edhe pas kësaj,Mustafa Kruja nuk do të rreshtete përpjekjet atdhetare për të ndihmuar çështjen tone kombëtare.Shkrimet e tij në vite 1909-1910,(me pseudonimin Asim Xhanani) do të tronditnin ate system të kalbur të autokracisë osmane,duke bërë thirrje për më shumë të drejta ndër popujt e vegjël,të rrobëruar.Në këto vite,pos të tjerave,Mustafa Kruja do të njihet edhe me atdhetarin tjetër të shquar Mid’hat Frashërin,me të cilin do ti lidh miqësi burrash të përkryer.Në verën e vitit 1910,Mustafa Kruja merr titullin në shkencat politike dhe administrative të Universitetit të Mylkijes dhe detyrën për të punuar në qytetin e Durrësit. 23 vjeçar,me dëshirën e madhe për t’i shërbyer atdheut,me aftësi të dukshem në punët e administrates,çuditërisht Mustafa Kruja nuk do të pranonte ofertën e Esat Pashë Toptanit,për të punuar si nënprefekt i Durrësit.Biri i Krujës,në shum pak takime që pati me Esat pashën,dyshoi në atdhetarizmin e tij,në të kaluarën disi të errët,ndaj edhe la pezull dorën e shtrirë për bashkëpunim të Esatit.Përkundër “Ndereve” të propozuara nga Pashai i Shqipërisë së Mesme,Mustafai u punësua në Durrës,por në detyrën që vet e dëshironte të thjeshtë dhe modeste,si mësues i matematikës.”Në këtë qytet,u lidh me Don Nikoll Kaçorin dhe Abdi bej Toptanin me të cilët zhvilloi veprimtari kombëtare”( B.Gaçe,”Ata që shpallën pavarsinë kombëtare” – Tiranë 1997 , faqe 98 ).

Në vitet 1911-1912,ndonëse jepte lëndën e matematikës në gjimnazin e Durrësit,ai kurrsesi nuk mund të ishte indiferent për gjithshka ndodhte në trojet shqiptare.Ngase bashkëpunonte me atdhetarin Abdi bej Toptanin (kushëriri i Esat Pashës) në pranverën e vitit 1912, e le gjimnazin dhe i përkushtohet me gjith shpirt ngjarjeve nacionale që po tentonin pavarsinë e trojeve tona.Me nismën e tij shkon në qytetin e Krujës falë emrit të nderur të familjes,por edhe emrit të tij,organizon çetat e para luftarake kundër sundimit osman.Më pas kalon edhe në rrethina të Matit dhe duke i shtrirë dorën e bashkëpunmit 17 vjeçarit Ahmet Zogu,arrin të ngrejë edhe aty formacionet vullnetare popullore në dobi të çështjes shqiptare.Kështu që,kur në verën e vitit 1912,forcat e garnizonit turk të krujës,donin të bënin reprezalje në qytet e rrethina,kinse flitej hapur kundër qeverisë së Stambollit,Mustafa Kruja mblodhi disa qindra luftëtarë të armatosur dhe duke rrethuar garnizonin lëshoi ultimatumin se batarja e pare e osmanlinjëve,do të ishte fillimi i luftës,mandej le të fitonte kush të ishte më i zoti.Komandanti i garnizonit të qytetit,ftoi Mustafanë në bisedë dhe pas këtij kuvendi të dy palët ulën armët.Por askush prej osmanlinjëve nuk e ndjente në ato momente vehten të sigurtë,ndërsa nacionalistët krutanë parashihnin tek figura e Mustafa Krujës,prijësin e tyre energjik dhe syçel.

Në tetorin e vitit 1912,Mustafa Krujën e shohim në Shkup,për të biseduar me udhëheqës të tjerë të lëvizjes kombëtare shqiptare siç ishin Bajram Curri,Mid’hat Frashëri,Rexhep Mitrovica,Bedri Pejani,Sali Gjuka etj.Në emër të popullit të Krujës,Mustafa Merlika çoi në Shkupin e lashtë shqiptar,mesazhin e madh të bashkimit të krejt shqiptarëve,për arritjen e pavarsisë së tyre.Ai çoi gjithashtu në zemër të Maqedonisë shqiptare,besën e madhe krutane për të luftuar deri në fund për kufijtë e rrezikuar të vilajeteve shqiptare.Ndërkaq në Krujë e rrethina,emri i Mustafa Krujës,po përcillej me respekt të madh.Nën shembullin e tij,ishin me dhjetra atdhetarë,të cilët lanë bangat e shkollave për të rrëmbyer armët në mbrojtje të flamurit kuqezi.Është kjo arsyeja që populli i qytetit të Krujës dhe rrethinave,së bashku me Abdi bej Toptanin,zgjodhi si përfaqsues në kuvendin kombëtar të vlorës(28 nëndorë 1912) edhe Mustafa Krujën,birin e vet që pat dhënë prova të pashembullta të heroizmit.Firma e tij,në listën e madhe të firmave të dhjetra patriotëve dhe atdhetarëve të tjerë ;”është shënuar me emrin,Mustafa Asim Efendija”(Lef Nosi “ Dokumente Historike – Elbasan 1924 , faqe 119 ).Në ditët historike të kuvendit të Vlorës,fjala e Mustafa Krujës u dëgjua me respekt,pamvarsisht moshës së re të tij.Në proces verbalin e mbledhjes së parë të këtij kuvendi,pasi u vërtetuan kartat e kandidatëve : “Fjalën e mori z.Salih Gjuka e tha që,duke qenë se Korça ndodhet sot e qarkuar nga ushtria e nuk mund të dërgojë delegatë dhe duke qenë se atdhetaria e Korçës është njohur,kërkon që të pëlqehen si përfaqsonjës të Korçës zotërinjtë : Pandeli Cale,Athanas Floqi e Spiro Ilua.Mbledhja me plotsinë e zerave e pelqeu kete vendim.

z.Mustafa Asim Efendiu kërkoi edhe që për Shkodrën të pëlqehet Luigj Gurakuqi,i cili ka qenë edhe në mbledhje të tjera kombëtare përfaqsues i Shkodrës dhe është nga inisiatorët e mbledhjes së sotme.Kuvendi me plotësi zërash e pelqeu z.Luigj Gurakuqi përfqsonjës i Shkodrës”.( Gazeta “Përlindja e Shqypnis” viti II,nr 6-7, datë 31 janar – 4 shkurt 1913 ).

  Ngase dallohej për ndershmëri dhe korrektësi në punët e administratës shtetërore,me propozim të Ismail Qemal Vlorës,Mustafa Kruja emërohet si nënprefekt i qytetit të Vlorës.Këtu duhet pasë parasysh se në atë kohë Vlora shërbente edhe si rezidencë e shtetit të parë shqiptar,me ç’rast detyrat dhe përgjegjsitë ishin tejet të mädha dhe të ndërlikuara.Nën trusninë e një finance të dobët,Mustafa Kruja u përpoq të bënte ç’të mundete për qytetin e Vlorës,të cilit i mungonin jo vetëm dritat,rrugët dhe shkollat por edhe buka e gojës.Po aq sa për punët administrative,Mustafa Kruja u përkujdes edhe për furnizimin e ushtrisë dhe xhandarmërisë së prefekturës së vlorës,formacionet e të cilave ishin çdo ditë në përpjekje me armiqtë e shtetit të pavarur shqiptar.Disa muaj më vonë,Mustafa Kruja emërohet në detyrën e drejtorit të arrësimit në rrethin e Elbasanit.Ai gjen përkrahje të madhe në personalitetin e Aqif Pashë Elbasanit ( asaj kohe prefekt i qytetit) dhe ndërrmer nisma të mëdha për përhapjen e arësimit dhe shkollave shqipe jo vetëm në qytet por edhe në fshatra.Energjik nga natyra por edhe njohës i mirë i mentalitetit shqiptar,Mustafa Kruja punon ditën dhe natën për shkollimin e bashkëkombasve të vet,i bindur në idenë se pavarsia e një kombi mbrohet me pushkë dhe pendë.Shtypi shqiptar i asaj kohe duke pëlqyer cilësitë e birit të Krujës,shkruante: “Një nga nënpunësit më të shkathtë dhe puntor që ka Elbasani,asht zotnija e tij Mustafa Asim Kruja,drejtor i arësimit”.(Gazeta “Përlindja e Shqynies “ 1914 ).

Ndërkaq ngjarjet në Shqipëri sa vinin e përkeqësoheshin,qeveria e Ismail Qemal Vlorës,po goditej nga të gjitha anët,si nga faktorët e brendshëm ashtu edhe ata të jashtëm.Fuqitë e Mëdha,duke paraparë në horizont interesat e tyre,dërguan në Shqipëri,Princ Vidin,i cili do të përpiqej ta kalonte krizën shqiptare.Ndër elementët turbullues më të rrezikshëm,u shfaq në vitin 1914,Esat Pashë Toptani,i cili nëpërmjet lëvizjes së Haxhi Qamilit,donte të rrëzonte Princ Vidin për të vendosur në krye të Shqipërisë së coptuar një princ tjetër.Me porosi të Aqif Pashë Elbasanit,Mustafa Kruja le detyrën e drejtorit të arësimit dhe shkon në qytetin e lindjes.Aty bashkëpunon ngushtë me Abdi Bej Toptanin dhe atdhetarë të tejrë,duke mos lënë që lëvizja rebele e Haxhi Qamilit të depërtonte në Krujë.Pas largimit të Princ Vidit,Esta Pashë Toptani u vetshpall si kryetar i parisë së Durrësit,Tiranës,Krujës e rrethinave,duke patur sigurisht ndihmën e të huajve e sidomos Italianëve.Me urdhër të tij,Mustafa Kruja internohet në Itali,në fillim në qytetin e Barit e mandej në ishullin e Favinjavës në perëdnim të Sicilisë.Dy vjet ai do t’i kalonte në këtë ishull,sigurisht larg atdheut dhe familjes,por pranë librave e studimeve që i kishte aq fort në zemër.Në verën e vitit 1917,biri i Krujës lirohet nga internimi dhe shkon në Romë.Aty bie në kontakt me atdhetarin e njohur shqiptar Sotir Gjika,me ç’rast të dy së bashku botojnë gazetën politiko-letrare “Kuvendi”. Në detyrën e kryeredaktorit të kësaj gazete,Mustafa Kruja do të shpallosë ide të shquara për ardhmërinë shqiptare.Ai do të përpiqet me çdo kusht të ringjallë tek bashkëkombasit e vet,ate ndjenjë të shquar nacionale si në vitin 1912,për të rikthyer atdheut besimin e humbur.

Në vjeshtën e vitit 1918,i ndikuar sidomos nga Sotir Gjika,Luigj Gurakuqi dhe Abdi bej Toptani,shkon sërish në Krujë dhe 1 muaj pas shkuarjes atje,populli i qytetit e zgjedh përfaqsues të tij në Kongresin e Durrësit.Siç dihet,më 25 dhjetor 1918,në Durrës u formua qeveria e përkohshme shqiptare nën drejtimin e Turhan Pashës.Falë reputacionit të madh që gëzonte,Mustafa Kruja në këtë qeveri,emërohet në detyrën e ministrit të Postë-Telegrafeve.Më pas,në vitin 1919,ai do të ishte në delegacionin shqiptar për Konferencën e Paqës në Paris ku së bashku me atdhetarë të tjerë shqiptarë do të ngrinin zërin në mbrojtje të fateve të vendit të vet. Me dhjetra telegrame, memorandume e peticione të qeverisë shqiptare në konferencën e Paqës,mbajnë pikërisht nënshkrimin e Mustafa Krujës.Një ngjarje tjetër që flet për vizionin e gjërë dhe atdhetar të Mustafa Krujës,është Këshilli Kombëtar i dalë prej zgjedhjeve parlamentare,të lirë,në vitin 1921.Në këtë Këshill Kombëtar,Mustafa zë vend si përfaqsues i popullit të Kosovës,i cili,duke u mbështetur në vetitë më të vyera të burrit e pranoi ate si zërin e vet në ngjarjet kulmore që kalonin viset shqiptare.Të dhënat e shumta arkivore,provojnë se ndër shqetsimet e mëdha të këtij Këshilli Kombëtar,ishte dhuna serbosllave në Kosovë dhe Maqedoninë shqiptare.Në diskutimet që këshilli bëri në korrik 1921,Hasan Prishtina,kërkoi që të dërgohej një komision parlamentar në Romë,Paris e Londër,dhe deri në Vashington,për t’i bërë të qartë botës  se çfar po ndodhte me shqiptarët jashtë kufijve politike të shtetit amë.Menjëherë pas fjalës së Luigj Gurakuqit,diskutoi deputeti i Kosovës,Mustafa Kruja i cili jo vetëm përkrahu Luigj Gurakuqin,por propozoi për ta vënë problemin mdhahorë të Kosovës në urdhër të ditës.Propozimi i deputetit Kruja u pranua nga të gjithë të tjerët,mandej u lexua edhe urdhëri i ditës i punuar prej Mustafa Krujës ku hidhej ideja e formimit të një komisioni parlametar prej tre vetash,për të shkuar pranë parlamenteve të kombeve kryesore “Me qëllim që të mundohen me i shty ata,për me detyru qeveritë e tyre me mjete që kan në dorë,për krijimin e të drejtave njerzore e kombëtare të vllezërve tanë”.(Arkivi Qendror i shtetit-Tiranë. Fondi 246, dosja 43 , fleta 19 ).

Në vitet 1922-1924,mërgon nga Shqipëria dhe lidhet sidomos me atdhetarët Aqif Pashë Elbasanin,Azis Çamin,Halim Pashë Derallën dhe Hajdin Dragën.Ndjen së brendshmi se ka mospërputhje të mendimeve të tij me Ahmet Zogun dhe për këtë arsye nuk pranon të bashkëpunojë me të.Vetëm 6-7 muaj shkon në Shqipëri në vitin 1924 dhe largohet po në fund të atij vitit së bashku me familjen,për t’u kthyer në atdhe në vitin 1940.Në periudhën kohore 1925-1940,më së shumti ai qëndron në Itali e Zvicër.Studiues i apasionuar,njohës i shkëlqyer i greqishtes,italishtes, turqishtes,frengjishtes dhe gjuhës sllave,punimet e tij,në këto vite do të drejtoheshin në rrafshe të ndryshëm,por kurdoherë brenda historisë dhe gjuhës së shqiptarëve.Do të ishte interesant,sjellja në këto radhë, e mendimit të thellë të Mustafa Krujës,lidhur me etimologjinë e emrit shqiptar.E them këtë,pasi Kruja,futet nëpër labirintet e gjuhës,duke patur parasysh sidomos historinë e kombit të vet.Ja çka thotë ai tekstualisht.”Mue as emri i mbretit të shpendëve s’ma mbush mendjen per etimologjinë e shqiptarit.Ma parë nuk ma rezulton që populli shqiptar,flas për popullin,për turmën,natyrisht dhe jo për poetët e shkrimtarët,t’i kenë dhënë ndonjëherë atij zogu,ndonjë farë rëndësije të veçantë,për të zgjedhur emrin e tij,per emën e vet.E quem shqipe ose shqype,shiponjë e shkabë,shkabonjë.Mundohet me e  vrame kudo që ta shohë,pra s’ka ndonji simpati të madhe për te… S’mjafton simpathija,admirimi poet edhe adhurimi per diçka,ose një trill çfardo,per me lanë nji   emen të vjetër,të trashiguem brez pas brezi,per me marrë nji të ri.Për këte duhen shkaqe me të thella,duhen shkaqe historike e psykologjike shumë të rëndësishme”.(M.Kruja “Antologji Historike” – “Sejko” 2001 , faqe 122 ).

Gjatë kohës së qëndrimit në Itali,dijetari dhe atdhetari Mustafa Kruja,pos të tjerave arrin të hulumtojë edhe në dorëshkrimet e rralla të bibliotekës së Venedikut.E cila ruante në arkivat e saj mjaft të fshehta për derën e princërve të Kastriotëve.Mendohet se pikërisht mbi bazë të këtyre dokumentave,por edhe prej hulumtimeve në Rumuni e Zvicër,Mustafa Kruja të ketë dalë në konkluzionet e mëposhtme ; “S’ka gja që s’bahet.Por me faktet historike e gjeografike që kemi sot në dorë,une them se Kastrijotëve tanë,troje me të vjetër se ato të Kastriotit të Dibrës nuk mund t’u caktohen.Dynastija e Kastrijotëve i ka pasur rranjët në Dibër të Poshtme.Origjina e Hasit lyp prova shumë ma të sigurta se ato që permenden në veprën e Fan Nolit… Gjoni,i ati i Skenderbeut,i permendur nder dokumenta qyshe prej datës 1407 ka sunduem krahinat e Dibrës,Matit, Krujës , Tiranës,Shijakut,Kavajës,Bregun e Mates deri afër Lezhës”. (M.Kruja”Antologji historike” –“Sejko” – 2001 , faqe 254 ).

Sidoqoftë,ajo ç’ka do të përflitej gjatë lidhur me personalitetin e Mustafa (Krujës) Kosovës,është padyshim detyra e tij si kryeministër i qeverisë shqiptare në vitin 1940-1941.Duke shkuar nga Zvicra për në Shqipëri,në vitin 1940,Mustafa Kosova (kështu ka qenë edhe i njohur),vendoset në Tiranë dhe me propozimin e disa intelektualëve shqiptarë inicon çeljen e Institutit të studimeve shqiptare.Tri muaj më pas,emërohet drejtor i këtij Instituti dhe në nëndorin e vitit 1940 ngarkohet me detyrën e kryeministrit të Shqipërisë.Historiografia shqiptare e dalë prej pelenave të arkitekturës bollshevike,ende sot, e merr funksionin e Mustafa krujës në ato vite,si shembull i bashkëpunimit me Italinë.Dhe ku bashkëpunimi nuk mohohet.Po Mustafa Kruja nuk hypi askurrë në atë fron për të përfituar për vehte.Ai parashihte rreziqet e mëdha që i kanoseshin krejt trevave shqiptare dhe Italinë e parshihte vetëm si instrument me anë të të cilit do të realizonte Shqipërinë Etnike dhe të rimëkëmbte sadopak ekonominë e rrënuar shqiptare.Por vlen të mos harrohet edhe diçka tjetër.Mustafa Kruja ka qenë ndër ata intelektualë shqiptarë,të cilët më tepër se kushdo,ndjenin së largu dhe parashihnin rrezikun komunist që i kanosej Shqipërisë.Tejet energjik,në detyrën e kryeministrit shqiptar,ai do të drejtonte me dorë “të hekurt” luftën kundër komunizmit,si rrymë ideologjike jashtë kontinuitetit shpirtëror e moral të shqiptarëve.Janë dhjetra lëvizje të menduara të tij,për të goditur qysh në rrënjë,pemën e helmuar të komunizmit.Mjafton të sjellim në këto radhë një prej qindra urdhërave të tij,të cilat gjenden në arkivat e shtetit shqiptar,për tu bindur pse historiografia komuniste ka dashur të nëpërkëmbe emrin dhe veprën e Mustafa Krujës. “Urdhnoj forcat tona të gjindarmërisë,të marrin masa sa ma të rrepta e t’domosdoshme,kundra gjithfarë levizjesh të komunistëve shqiptar,të shitun tek sllavo-bullgarët”(Arkivi Qendror i shtetit –Tiranë. Fondi Kryeministria, dt.6 maj 1941 ).Po aq sa ish i rreptë me komunistët shqiptarë,po aq ishte i afërt me nacionalistët e krejt trevave shqiptare.Kujdesi i Mustafa krujës,veçanërisht për Kosovën,shihet edhe në një varg zgjedhjesh që ai kreu në funksionin e Kryeministrit,sidomos për çeljen  e shkollave shqipe si edhe organizimin e mbrojtjes sonë kombëtare.Edhe mbas dorëheqjes së tij si kryeministër (kjo donte të thoshte se bashkëpunimi i tij me italianët ka patur parakushtet e veta) Mustafa Kruja nuk e ndërpreu veprimtarinë e vet atdhetare.Anipse,nuk mori më funksione shtetërore,biri i krujës do të bahskëpunonte me Rexhep Mitrovicën,Azis Camin,Bedri Pejanin, Mid’hat Frashërin dhe Fuad Dibrën duke dhënë ndihmesë të çmuar në krejt lëvizjen nacionale shqiptare.Me nismën e tij,Mustafa Kruja,ky intelektual i madh dhe i shquar,ndonëse i kishte rrugët dhe dyert e hapura në krejt Evropën,preferoi më mirë të grumbullonte dhjetra burra e të të luftonte kundër forcave komuniste,të cilat,që në traktet e para të hedhura tinëz nëpër rrugë kishin dënuar me vdekje birin e Krujës.Në verën e vitit 1944,atëherë kur forcat gjermane po e linin të detyruara Ballkanin,komunistët shqiptarë muarrën zemër dhe u vërsulën mbi nacionalistët shqiptarë.,në bashkëpunim me serbosllavët.Në këto momente,Mustafa Kruja ndodhet kurdoherë pranë mikut të vejtër të tij ,Mid’hat Frashërit,duke u përpjekur t’i bëjnë ballë sulmeve të hapura të komunistëve.Vetë historiografia shqiptare është e detyruar të pohojë se : “Kreu i Ballit Kombëtar, Mid’hat Frashëri,ish kryeministri kuisling Fiqri Dine,Mustafa kruja e të tjerë,vinin rrotull zonave të veriut,binin në kontakt me bajraktarë e krerë tradhëtarë duke i bërë thirrje popullit që të qëndronin duke i mbajtur me shpresën se së shpejti do të zbarkojnë ushtritë anglo-amerikane”.(Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar” vëllimi 4 , faqe 511 ).

  Në rrjedhën e këtyre ngjarjeve,në shtatorin e vitit 1944,Mustafa Krujën e lajmërojnë se biri i tij,Besimi,student në Vienë,ishte sëmurë rëndë.Biri i Krujës ngarend drejt Vienës,por me gjithë kujdesin e madh,Besimi 19 vjeçar vdes.Vdekja e djalit,sidoqoftë do të shpëtonte jetën e atit.Në fillim të vitit 1945,Mustafa Kruja shkon në Itali ku rri disa vite.Më pas,në vitet e 50-të të shekullit që lamë pas e shohim në Egjypt ku ndjehet sigurisht më mirë në shoqërinë e Ahmet Zogut.Nga Egjypti shkon në Francë për tu prehur në vitet e 70 në Amerikë.Gjatë tërë kësaj kohe,ai punoi me vullnetin dhe intelegjencën që e karakterizonte,për të hedhur sa ma shumë dritë mbi fatin e mjerë të popullit shqiptar.Botoi me dhjetra artikuj në shtypin evropian dhe ate amerikan për çështjen shqiptare por meraku i tij,deri në varr,ishte “Fjalori i Gjuhës Shqipe” i cili mbeti pa botuar dhe kishte mbi 2500 faqe.Një mikut të vet,më 1949 do t’i shkruante ; “Kam lanë në Shqipni nje mori dokumentash të jetës seme,që sigurisht janë bamë hi e tym ose pluhun në duer te komunistëve.S’mujshim me i bartun me vete,kur u ndava i deshpruem prej atdheut dhe familjes.Atje lash edhe dorshkrimin e fjalorit”.

  Me këtë brengë si edhe me dhimbjen e madhe për fatin e zi të kombit të vet,Mustafa Kruja,ky burrë i madh i shtetit,shkenctar,studjues e antikomunist i vendosur,mbylli sytë përgjithmonë më 27 dhjetor 1958 në qytetin Niagara Falls të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Bern-Zvicër

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: ANTIKOMUNIST I VENDOSUR, burre shteti, Eugen Shehu, Mustafa Kruja

Një nga thëniet e ndritura të At’ Daniel Gjeçaj

August 30, 2017 by dgreca

Folësi i mrekullueshëm, me zë të bukur, kumbues, shpirtkulluar dhe përplot stil i Radio Vatikanit për 30 vite rresht në Seksionin Shqip…/

atdanielgjecaj

Shënimet 1977/

 Nga Xhevair Lleshi/Jemi ende të rinj. Kena lanë çdo gja pasdore, kalojm’ ditën me të shkepme, i merrna gjanat siç vin’ dhe krijojm’ grupe me katër e pesë vetë, shtojm’ përdit edhe kokoroshë e pijetar, gjejm’ talente, ushqejm’ iluzione lávdi, humbim rrugët, rrëmojm’ ndër xhepa dhe s’gjejm’ ma kurrgja, natën e ditën, verës a dimnit, rrim’ me ftyrë kah dritaret e m’dha t’botës dhe asnjëherë nuk hymë dot brenda tyne, përjetojm’ situata komike, themi batuta të shkëlqyeme, harrohemi pas të bukurës dhe pas femnave, dalim në skenë dhe ia këpusnim kot dhe plot, pa pikë turpi e kthejm’ çdo gja përmbys dhe kjo na kënaq  gjer në marrí, pa dhe me paterica, të ligur e të fishkur, futemi kudo e dalim nga kudo, xam’ tryezat ma t’mira dhe presim pa ndoj qëllim, nuk  përfillim kurrkand, nuk na del pija e nuk kujtohemi ma për asgja, kalamendemi, heqim shpirt pa ndihmën e kujt, mbështetemi pas murit me nji këmbë vënë pas të palosun, durojm’ dhimbjet me një shtrembnim të shëmtut tiparesh, herë-herë e marrim veten n’dorë, kqyrim njerëzit e tjerë rreth e rrotull, shpresojm’ për nji gja ideale pa pikën e turpit, herë jemi qytetarë të nderuem, herë hermafroditë, herë katundarë verioro-jugoro-lindoro-perëndimorë, e kena bá zanat bezdinë, s’lam’ asnje dhe asgja pa kërcnue , pastaj ngecim si miu në çark, shpërbahena në një furtunë dhe frymë dielli, shpërthejm’ nga gazi dhe pija, nga mungesa e dashnisë dhe mallkimit, përlajm’ lekë e gjellë e ç’gjejmë përpara, bahemi edhe aktorë çfarëdo edhe brilantë edhe dosido edhe coftina, po krejt siç jena, fare injorantë, rrimë ca aty ku dergjet sëmunda të cilën dimë ta  përqeshim, jemi po ne që shtyjmë t’keqen dhe t’mirën, punojm’ aq sa na bie bretku, s’duam t’ia dimë për fundin e natës a për fillimin e një ditë të re, bahena befas tejet të famshëm, dhe na njofin t’gjithë, hedhim e presim batuta e qyfra, shpërdorojm’ ç’të mundna, zgjatim duart për të mirën e njerëzimit, nuk e japim kurrë tonën, nuk dimë ku po shkojm’ e nuk dimë ç’na pret, fillojm’ faljen, bajm’ kurbane, shohim gjakun ndër këmbë, mbajm’ vesh ç’ngjet në Azinë Juglindore, kapim këdo që na e ha syri, merrna vesh mirë por ma shum’ grindemi sesa kuptohena si njerëz, e shtyjmë çdo gja për ma vonë sepse… sepse jena t’lodhun e t’shkalafitun, pastaj kur s’jemi në të sigurisht s’mbajm’ mend asgja, flasim edhe me gëzim, ka raste që edhe zhdukemi, zdërhallemi, por edhe shpërthejm’ n’brohorima, pastaj n’heshtje, shkrepim fyshekzare, themi barsoleta pa fund, dhurojm’ t’qeshuna t’bujshme, hipim madje deri në qiellin e shtatë gjithnji me raki t’pastër ball’ kazani, bajm’ qyfra politike, hapim shkolla e spitale po të duam sepse jemi vërtet t’aftë që ta bajm’ edhe politikën gazmore… dhe të gjitha kto ndodhin pasi ne vdesim për atdheun, atdheun që s’e kena ma, atë që e kërkojm’ n’hartë e s’e gjejmë, që ka humbur diku në labirintin e tmerrshëm të botës… Sepse kështu ndodh gjithnji, atdheun e duam kur s’e kemi ma. Përshkojm’ fushat dhe malet e atdheut dhe kemi gjithnji n’zemër nji breng’ të pakuptueshme. Çohu, bre burrë! O pykë në diell, o patericë, or malok, o sakat me këmbë, or lypës… Sa herë vjen ndonjë i ri për të filluar punë ne lujm’ me të se e duam atdheun! Ne e kemi atdheun – t’mirë – t’pasun – t’vorfën – t’keq – ndaj bajm’ naze, madje e shkundna gjer në fund, e pim si kupë rakie, ia mësojmë shkronjat, ia vëmë themrat nga majat dhe mallkojmë duke thanë «mos ia pafshim bojën»! E duam atdheun prandaj jena kaq t’thjeshtë dhe gati t’dhembshun dhe kur qeshna mbytena n’lot, martojmë madje trishtimin me gazmendin e tjetërfartë, mbytena edhe n’humorin tonë, kthehena n’mumje arkivi, tregojm’ saga islandeze se ato të atdheut tonë ose s’i kemi ose i kena humbur, festojm’ vetëm vitin e ri, ditëlindjen e partisë dhe të revolucionit socialist të tetorit të mëmës Rusi, marrim në vit ndonjëherë nji kilogram mish – aq sa fal Atdheu! Rroftë Atdheu! Poshtë Atdheu! Dhe qajm’ me lott breshní kur Atdheun e dashtun s’e kena ma… Amen!

Filed Under: ESSE Tagged With: At Daniel Gjecaj, thenie et ndritura, Xhevair Llesi

NJË ALBUM I SHKËLQYER I ATJON ZHITIT NË DATËLINDJEN E 22-TË TË TIJ

August 30, 2017 by dgreca

2 AtjonHappy Birthday Atjon

Në datëlindjen e 22-të e Atjon Zhitit, (30 Gusht), “studentit-engjëll” siç e quajnë të gjithë, doli dhe është shpërndarë librarive kryesore të Kryeqytetit një Album i shkëlqyer me vizatime të tij.Brenda 250 faqeve me format të madh “Opera Atjon” përmbledh skica të fëminisë dhe të adoleshencës së autorit, punime e kompozime të ndryshme, ku shpaloset një botë me plot fantazi, me lëvizje dhe dritë, me dashuri e ëndrra, që dëshmon furishëm dhe një anë tjetër të talentit shumë planësh të Atjonit.

Albumi është përgatitur nga kritiku i artit, piktor dhe botues, Gëzim Tafa. Ai ka realizuar me estetikë dhe freski një vepër, sa rinore, po aq dhe të qendrueshme, ku ngjyrat janë dhe emocione, ku linjat japin dhe mesahe, nga konturet e të cilave shpërthejnë dëshira…

Albumi është dy gjuhësh, shqip dhe italisht, nga që Atjoni studionte në Itali, në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano për Filozofi dhe ishte anëtari më i ri i PEN Clubit italian.                                                                                               Në faqen e parë të Albumit janë vënë fjalët e Eda Zhitit, mamit të Atjonit: “…këto vizatime të Atjonit, të fëminisë dhe adoleshencës së tij, i ruaja si thesar timin për të ardhmen, që t’ia jepja një ditë si befasi e bukur… por Ai, me flatra qiellore, befasisht u largua dhe na i la të gjitha për t’ua dhënë të gjithëve…”

Në parathënien e tij, “Kutia me xixëllonja” studiuesi dhe kritiku i artit, Prof. Gëzim Qendro, kuratori dhe i ekspozitës së Atjonit në Universitetin “Polis” ndër të shpjegon: “…Të rrethuar nga vallëzimi i dritëzave misterioze nisim të ecim përmes tyre dhe fillojmë të dallojmë në mugëtirën e kopshtit shëmbëllesa, forma dhe silueta shpesh të pakuptueshme…                                                                E kështu të dalldisur nga vallëzimi i xixëllonjave rrotull nesh endemi nëpër kopsht duke pyetur veten se kushedi sa mirë do të jetë ndjerë Atjoni brenda këtij kopshti të magjishëm… Demiurg i plotfuqishëm që me pak prekje dhe lëvizje krijon një univers që nuk ekzistonte më parë. Një lojë tensionesh dhe harmonish kromatike befasuese të krijuara me kokëshkrepjen dhe guximin tipik për temperamentet krijues. Këto tablo dhe vizatime të arrira janë dëshmitare të heshtura të energjisë, lirisë dhe dëshirës së natyrshme fëminore për të komunikuar…”.

Dhe ja, shfletojmë, vizatimet e para, kur Atjoni ishte 3 vjeç e gjysmë, “Nënë Tereza dhe kryqet”, për të cilat do të shkruante dhe gazeta e njohur e Vatikanit “L’Osservatore Romano”. Ja ç’thotë gazetari i saj, Giampaolo Mattei: “…vizatimi i tij është një ‘strategji politike’ e madhe, shumë më serioze dhe konkrete se ato të udhëhequra me forcën e armëve.”

Në album, krahas gazetës vatikanase, është dhe faksimilja e gazetës shqiptare “TemA” që e botoi këtë shkrim që në vitin 1999.

Dhe vijonë punët si një ditar gëzimesh fëminore, personazhe përrallash moderne televizive, kafshë të humanizuara, peizazhe, vendlindja, shkolla, pllakate, portrete, qiell me yje, galaktika, etj, etj, universi Atjon, siç e quan në pasthënie përgatitësi i Albumit, Gëzim Tafa. Ndër të tjera ai sintetizon:  “Kapja e universit në të gjitha dimensionet. Kjo është fabula e pikturës së tij. I mbërthyer nga ky detaj artistik… ajo tingëllon përtej moshës dhe me tendenca të dukshme ndaj artit modern, abstraksionit apo minimalizmit… Për të fluturuar drejt së pamundurës, përjetësisë…”

Në kapitullin e fundit të Albumit “Opera Atjon” janë “të tjerët për Atjonin”, vizatime kushtuar atij nga Mjeshtrat e shquar Ibrahim Kodra, Nestor Jonuzi, Skender Kamberi, Maks Velo, Sali Shijaku, etj, e së fundmi nga piktori i ri Gjergj Kola.

Krahas autografëve, dhënë Atjonit nga shkrimtarë të njohur, janë dhe disa thënie të tyre për atë: “Atjoni është djali që cdo prind do të donte ta kishte të vetin” shkruan poeti Italian, Presidenti i PEN-it, Sebastiano Grasso

Ndërsa poeti me famë botërore, Adonis, që më shumë se prej 30 vjetësh jeton në Paris, do të thoshte: “Atjoni e iluminonte poezinë, sepse ai vetë ishte pothuajse një poeme magjike…”

Shkrimtarja Helena Kadare, në letrën e saj dërguar bashkarisht me shkrimtarin botëror Ismail Kadare kujton: …E kam ende të gjallë buzëqeshjen e tij të çiltër, kokën e bukur plot kaçurrele të zinj, tek vraponte galerive të Muzeut të Arteve në Vjenë, për të kapur dhe kuptuar gjithçka mahnitëse të atyre tablove të mjeshtërve të mëdhenj, që po vizitonim së bashku. I them këto se nuk është diçka e zakonshme për një fëmijë të moshës së tij ai pasion dhe ajo kureshtje, për të mësuar njëherësh dhe sa më shpejt gjithçka….

Kjo fytyrë e bukur engjëllore… Ajo krijesë e mrekullueshme pra, ishte bërë për qiellin, jo për këtë botë…”.

Ky paragraf është vendosur dhe në kopertinën e pasme të Albumit, që del pas botimit me suksese të librit me ese të Atjon Zhiti “Për atë që dua(m)” si dhe dy librave të të atit, Visar Zhiti, ku Atjoni, si të thuash është bashkautor, ilustrues i vëllimit me tregime “Valixhja e shqyer…” dhe përmbledhjes me poezi botuar në Itali “Ku është jeta?”.

Edhe pse në fillimet e tij, të ndërprera tragjikisht, Atjon Zhiti vazhdon të na magjepsë me bukurinë e shpirtit dhe të bëmave rinore, të asaj që na jep vazhdimisht si në këtë 22 vjetor të datëlindjes së tij: frymëzime dhe dritë.- Nga “Lajmëtari i së mirës”

Filed Under: ESSE Tagged With: dalip greca, NJË ALBUM I SHKËLQYER I ATJON ZHITIT NË DATËLINDJEN E 22-TË

AZEM NEZA NDËRROI JETË NË NJU JORK

August 29, 2017 by dgreca

Azem Neza

Azem NEZA 06/30/ 1937- 08-29-2017/

Familja Nezaj me banim në Nju Jork njofton miqtë, fare e fisin dhe komunitetin shqiptar, se ka ndërruar jetë në moshën 80 vjecare i dashuri i tyre Azem Neza . I ndjeri la në pikëllim të thellë bashkëshorten Merjemi(Dervishi) Neza, djalin Dritan Neza, vajzat Roberta, Natasha dhe Elvira, la nipër e mbesa dhe të gjithë fisin Neza.

I ndjeri ishte një ndër fatkeqët e dënuar nga regjimi komunist dhe së bashku me familjen e kaloi tërë jetën në internim(në Savër).

Njoftohet komuniteti se shërbimet mortore kryehen Ditën e Mërkurë me 30 Gusht 2017 nga Ora 2 pm deri në 9 pm në Shtëpinë Mortore Farenga Brodhers, që ndodhet në adresën:

920 Allerton Ave, Bronx, NY 10469

Ceremonia e Varrimit do te kryhet diten e Enjte, me 31 Gusht 2017

Telefoni i Shtëpisë Mortore:  (718) 654-0500.

 

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: AZEM NEZA, nderroi jete, ne Nju Jork

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 63
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT