• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2017

Ministrja Reshitaj dhe “një planifikim i duhur hapësinor”

September 26, 2017 by dgreca

Ylber-Vokshi-Ylli-210x160

Nga arch. Ylber Vokshi-Ylli/

Në një prononcim publik gjatë një takimi me kryeministrin Haradinaj e para e MMPH-së ( Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ),deklaroi se Kosovës i duhet ”një planifikim i duhur hapësinor” dhe kjo çështje do të jetë prioritet i ministrisë që do ta udhëheqë ajo. Pas tërë asaj çka  ishim në gjendje ti bëjmë territorit të vendit tonë kjo deklaratë befason për të mirë, por duhet me qenë realist për me konkluduar sa është realiste kjo deklaratë e Ministres, pasi kthimi i situatës ku  do  të respektohen ligjet ,normat dhe standardet ndërkombëtare të planifikimit hapësinor ati urban dhe arkitektonik do jetë shumë vështirë të aplikohen, pasi për 18 vite ato nuk janë respektuar, mu nga kjo klasë politike që deri me tani e ka udhëhequr Kosovën. Për atë e kemi kaosin me ndërtime në vendbanimet urbane dhe rurale në tërë vendin, ku kualiteti i jetës është shumë i varfër.

Në shekullin e ri në Kosovë është ndërtuar ashtu si kanë diktuar individët e privilegjuar, grupet e ndryshme të interesit,të përkrahura nga klasa ynë politik në pushtetin lokal dhe qendror. Ajo çka është ma tragjike ka munguar kontrolli shtetërorë, që ka ndikuar direkt në kualitetin dhe SIGURIN e ndërtimeve në të gjitha anët e Kosovës. Të jetë ironia ma e madhe mu partia e kryeministrit Haradinaj (AAK) që nga fillimi i funksionimit të MMPH (2002) e ka udhëhequr këtë Ministri deri në vitin 2007. Menaxhimi skandaloz me keqpërdorime të mëdha me hapësirën dhe urbanistikën e vendit në ato 6 vite, ishte bazament i mirë që të ketë vazhdimësi kriminale edhe nga pasardhësit e tyre deri në ditët e sodit.

Pretendimet e Ministres Reshitaj për ”një planifikim të duhur hapësinor”aq janë abstrakte,po duken të pa mundura për momentin pasi kërkojnë sakrifica dhe veprime të dhimbshme, për të iu kthye rrugës së drejtë  në respektimin e ligjeve,normave dhe standardeve të planifikimit hapësinor,urbanizmit dhe arkitekturës në tërësi. Këtë e vërtetojnë veprimet dhe lejimet 18 vjeçare të kësaj klase aktuale politike, e cila nuk është në gjendje ti bënë ndryshimet e duhura. Vetëm ndryshmet rrënjësore politike dhe ardhjen e një gjenerate e re të politik-bërësve të pa komprometuar,të bazuara në profesionalizëm dhe të arriturat shkencore të botës së civilizuar, do të jepte shpresë se fusha e planifikimit hapësinor dhe urbanizmi do  të ndryshoi për të mirë edhe tek ne.

Ndoshta një shpesë e vogël ekziston për ndryshime pozitive, nga e dhëna se z.Haradnaj ka pasur kohë të mjaftueshme dhjetë (10 ) vjeçare në opozitë parlamentare, me pa gabimet e mëdha që janë bërë në ato vite dhe si degradoi në ekstrem funksionimi i kësaj Ministrie deri në ditët e sodit nga qeveritë pasardhëse, me pasoja tronditëse për tërë territorin e vendit që do të reflektohet negativisht në të ardhmen tonë. Për të riparuar situatën e krijuar,atë që ka mundësi teknike, do të duhen intervenime të dhimbshme në hapësirë e cila kërkon kohë dhe shpenzime të mëdha materiale. Në të kundërtën duhemi me i detyruar gjeneratat reja  me jetuar në kushtet primitive urbane dhe rurale që iu kemi krijuar në shekullin 21.

Isha pjesë e kësaj Ministrie që nga fillimi që si profesionist i fushës së planifikimit hapësinor dhe urban, sado pak me të tjerët të kontribuoj në formësimin dhe funksionalizimin e saj, që duhej të kishte trajtim të veçantë në procesin e forcimit të shtetit të Kosovës. Ferrin profesional që e përjetova atyre viteve (5) më detyroi që të reagoi haptas, pasi kurrsesi nuk u pajtova me mënyrën e punës dhe mospunës në atë dikaster shtetëror, që për fat të keq ka vazhduar deri në ditët e sodit. Trajtimi i problematikës që i takon kësaj Ministrie në këto vite ishte skandaloz me pasoja katastrofave, posaçërisht në fushën e planifikimit hapësinor dhe urban që ka krijuar një situatë kaotike, dhe përfundoi me 350 000 ndërtime pa leje në një pjesë të Kosovës, të cilat ende po ndodhin në disa pjesë të vendit.

Ka shumë probleme të mëdha që kjo Ministri duhet ti trajtoi seriozisht në periodën vijuese nën udhëheqjen e z.Reshitaj,që së paku të filloi të funksionoi ashtu si e kërkojnë normat dhe standardet ndërkombëtare në fushën Planifikimit Hapësinor,do të iu rikujtoj disa ma të rëndësishmet :

  • Rishikimi të gjitha ligjeve aktuale që kanë të bëjnë me fushën e ndërtimit e posaçërisht ligji i Ndërtimit dhe Planifikimit Hapësinor të bëra në vitin 2012 dhe 2013, të cilët tërësish e pa nevojë e ndryshuan këtë veprimtari, kinse në emër të reformave progresive në fushën e ndërtimeve. Në thelb vetëm krijuan një situatë konfuze, e cila nuk është përcjell me përpilimin e akteve nënligjore as sot e kësaj dite për ti bërë ato funksionale.
  • Rishikimi i të gjitha dokumenteve ekzistuese hapësinore,përpilimi i të rejave realiste dhe të zbatueshme, e jo si deri me tani formale dhe që nuk ishin të bazuara në gjendjen faktike në terren.
  • Monitorimi i realizimit të tyre si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal. Kjo çështje u tregua shumë e dëmshme, pasi u lejuan komunat që në mënyrë të kundër ligjshme të bëjnë çka të donë me urbanistiken e tyre.
  • Realizimi i kontrollit shtetëror të kësaj veprimtarie në nivelin qendror dhe lokal. Ky trup ishte themeluar në vitin 2010, por Qeveria Kosovës as që ishte e interesuar për dokumentet që i kishte bërë Këshilli për Planifikim Hapësinor i Kosovës deri në vitin 2013, kur në mënyrë perfide arritën ta largojnë dhe ta  shuajnë tërësisht këtë  institucion profesional në të dy nivelet shtetërore,që do t’i ndihmonte Shtetit për të avancuar dhe kontrolluar problematikën Hapësinore,Urbane dhe Arkitektonike,  përkundër kundërshtimeve të shumta me argumente të profesionistëve.
  • Kontrolli shtetëror i veprimtarisë së profesionistëve me anën e LICENCIMIT të tyre,proces i cili në mënyrë të turpshme u pezullua, pas punës dhe përgatitjeve disa vjeçare në Ministri. Ende sot pjesëmarrësit në procesin e ndërtimit nuk detyrohen ti japin përgjegjësi shtetit fal gupeve mafioze të interesit.
  • Trajtimi i ndërtimeve pa leje duhet tërësisht ndryshuar pasi “lojërat” e luajtura deri me tani që 18 vite u treguan të suksesshme. Propozimet për legalizime skajsmerishtë do të dëmtojnë shtetin dhe funksionimin normal të tij në të ardhmen.

Ka edhe shumë çështje tjera që duheni trajtuar seriozisht por në ketë shkrim të shkurtë kamë potencuar vetëm disa ma të rëndësishmet ,që qeverisja e ardhshme e Ministres Reshitaj domosdo duhet trajtuar dhe tejkalua,duke u bazuar në kërkesat reale të popullit të Kosovës për zhvillimin e territorit shtetëror.

 

Prishtinë                                                                             *arch. Ylber Vokshi-Ylli

25 shtator 2017                                                                                arkitekt i pavarur

ylberv@gmail.com

Filed Under: Analiza Tagged With: arch. Ylber Vokshi Ylli, Ministrja Reshitaj, Planifikimi hapsinor

KUR VUTHJANET E TROPOJANET PERNDIQESHIN NGA UDBA DHE SIGURIMI

September 25, 2017 by dgreca

REXHEP DEDUSHAJ-2

Nga Rexhep DEDUSHAJ-PEJE/Pas pjesemarrjes dhe kalitjes ne LNC Ali Lushaj u sistemua ne pushtetin lokal te rrethit te Tropojes,duke kryer pune te llojllojshme sipas nevojes dhe duke i sherbyer popullit te shumvuajtur te asaj krahine.Sfidate ishin aq te medha saqe gurin plasaritnin e jo me njeriun .Ne po e permendim vetem nje:Ishte vjeshta e vitit 1961 .Nje fortune e stuhishme e stines se vjeshtes  por edhe fortune politike .Ishte koha e ckunorzimit te dyte te Tiranes me  Beogradin e Mosken.Shkuarja e Tiranes ne Kine.

     Ne ate fortune te tmerrshme nje mengjes Aliut i vjen motra  RAZA ,e martuar ne Vuthaj e qe s’e kishte pare me dhjetra vite .Ishte me pase femije motea Raze.
     Kesaj .pasi ia kishte mbytur burrin me hu UDN-a malazeze ishte detyruar te ikte ne Shqiperi .Te kthehej ne gjini .E ku te kthehej se ?!
     Aliu e strehoi nje apo dy net, por te treten ia benen ata te Sigurimit dhe i shkreti vella detyrohet t’ia dorzinte sigurimit – simotres se UDB-se. E moren dhe e internuan ne kampin  e Cermes. O ZOT! -do te thonin Amerikanet.Vec zemra e Aliut dhe e Razes e dine cdon te thot kjo…
     Por Aliu mbeti i forte si shkembijte e Tropojes .Mbeti pran kufirit per ti pritur vellezerit e motrate tjere qe i ndiqte UDB-a nga Vuthajt ne Tropoje apo Sigurimi Shqiptar nga Tropoja ne Vuthaj,duke mbetur i paperlyer ne ate flliqerihane te llojit te vet.
     Te shtojme ketu se Sigurimi atebote i conte terrenistet  e vet ne Vuthaj gjuja per ta rrezuar Titon nga pushteti…Qellonte qe ata vrisnin police Jugosllave dhe e pesonin me dhjetra Vuthjane ,sic e pesuane Dedushajt ne korrik te vitit 1951,duke i masakruar diten per dreke Cung Tahirin e Isuf Xymerin,ne mes te fshatit.
     E femijte e tyre duke i futur neper burgjet jugosllave apo ne kampet e perendrimit ne Cerme si  Jugosllav-nese arrinin te iknin ne Shqiperi…
     Ndodhnin keto histori te dhimbshme ne ate kohe kur Rankoviqi i mbytete me dhjetra Kosovar e ate per nje pushke e se kishin fare e i mbyllte shkollat shqipe neper viset shqiptare nen Malin e Zi, apo  ne anen tjeter Tirana e pranonte ne vizite kreatorin e ketyre krimeve- Dushan  Mugoshen,duke u cmallur te  mallengjyer nga ritakimi me mikun e vet…( Lexo librin  ESAT MYFTARI  ,, KOSOVA DHE E. HOXHA  ,,)
     Aliu jet gate, e ruajti shpirtin dhe kur doli ne pension i botoi ne nje liber te gjitha ato tmerre qe i kishte perjetuar.I ndershem.i urte dhe i mencur  .E mbi te gjitha i forte,i palekundur..
     Ne librate e tij sikurse te shume autor te tjere te Malesise se Gjakoves e gjejme nje gabim qe spo e permiresojne dot:- VALBONES I THONE KELMEND  E CEREMIT  VUTHAJ.Duhet ta dine se te dyjate keto jane pjes e Kelmendit apo e Vuthajve .s,’ben te ndahen…

Filed Under: Komente Tagged With: rexhep dedushaj, Sigurimi & UDBA, Vuthjanet e Tropojanet

PRANGAT QË ÇMENDËN DJALIN

September 25, 2017 by dgreca

1 shefqet-dobraNGA SHEFQET DOBRA/

Ramazan Taga, pasi bëri dhjetë vjet burg,  lirohet. Sapo mbushi javën, e kërkuan në kryesinë e kooperativës, Ramazan- i tha kryetari- a e di se ligj të dënon si parazit, nëse nuk del në punë?

– Po more, e di po….ndenja ca dit sa të shmallesha me fëmijët, në punë do dal, si jo- u tha. Të nesërmen doli të punonte në kooperativë, familja u qetësua, dhe Ramazani, mendoj se tani, do vazhdojë jetën i qetë, çdo ditë shkonte e kthehej në shtëpi pa e kthyer kokën, majtas as djathtas. Një vit më pas ja ndërruan vendin e punës, e çuan në ndërmarrjen e bonifikimit. Ishin Zjedhur një grup burrash të fortë, për këtë punë të vështirë, hapja e këtijë kanali që gjarpëronte në kodra e lugina, me kazëm e lopatë, në këtë tokë të gurtë, ishte shumë e lodhshme, kurse të nxehtit e verës, ishte torturë më vete; në këtë kanal do futnin tubo me të cilat do shkonte uji në qyteti.

Këto tubo, të gjata e të rënda, do i ngjitnin me krahë në zhegun e të nxehtit, kur i ngrinin në krah, ato të përvëlonin duart e supin ku e mbështesnin. Rruga ishte me ulje e ngritje, shpesh herë, e gjithë pesha u binte atyre dyve që ishin në dy skajet e tubit. Nga lodhja, dikush dhe ankohej por,  Ramazani kurrë, ai kishte harruar të ankohet. Një ditë, njëri nga shokët- i tha: o Romazon, a shef ça ka bo partia?- duke i treguar tubot.

-Po, po!- tha Ramazani- pa e shikuar

-Të nesërmen, përsëri- i tha: a shef ti ça  bon paria jonë, or Romazon?- i tha duke i rënë tubit me dorë.

-Po more po- tha Ramazani, duke fshirë djersën. Kjo gjë u bë e përditshme, dhe  Ramazani, të njëjtën përgjigje- i thoshte. Një ditë, kur po hanin drekë, në hijen e lisit, ishin të këputur fare, veç lodhjes, edhe nga vapa, sapo të hanin drekën, do shtriheshin të mblidhnin forcat për pas dite,  shoku përsëriti refrenin e përditshëm; a e shef ça tuobsh ka bo partia jonë, o Romazon! -. Ramazani e shikoi, u ngrit, e kapi për dore.

-Ça ke more?- i tha shoku, Ramazanit.

-Hajde n’her me mu! –i tha

-Pse more, ku do me m’çu? – i tha duke e shikuar drejt në sy.

-Do të rrëfej ni gjo- i tha Ramazani. E mori për dore, e çoi te tubotë: – knoje ni her k’tu, ça thot- Shoku filloi të lexonte në  fundin e tubit: Maa-de-in- madein- tha.

-Po ma mrapa: ça thot? Knoje knoje krejt- i tha Ramazani, Su-e di-a. Suedia- tha.

-Nuk i paska bo partia jonë- i tha Ramazani. Mos m’bezdis mo se, kur jam i lodhun, nonën teme nuk munem me e nigjue, jo të përgjigjem ty.

-Aaa! Po pse more, a u mërzite a?

-Po, at qi e di ene une, pse do ma thush për ditë ti?

-Mer pra, nuk po t’them mo!- i tha. Dhe nuk i tha më, veçse, se si e shikonte Ramazanin me bisht të syrit. Edhe Ramazani e shikonte dhe sikur, diçka nuk po i pëlqente në atë vështrim tinzarë.

Një javë më pas, te puna shkoi një burrë i pa njohur për Ramazanin.

Hajde pak ti Ramazan? – i tha dhe duke i kthyer shpinën, i dha me kuptuar Ramazanit që ta ndiqte pas. Gjithë frikë, i shkoi pas këtij njeri të pa njohur. U ulën në hijen e  një rrapi të madh, pak larg tjerëve. U prezantua me Rmazanin: Ti nuk më njeh mua- i tha. Nuk ka shumë që kam ardhur këtu.  E pyeti me mirësjellje, si i kishte nga shtëpia, për ekonominë e tjera, në fund i tha:  puna që bëni ju, është ca e lodhshme për moshën tënde, kam menduar me të ndihmuar.

-Falemineres, po, boll më keni nimu- ai po e shikonte- më hoqët nga kooperativa, më prut këtu. Mer jom, falemineres pri partisë edhe pri teje. Jom merë, gjënaf të qahem.

-Edhe ne të falënderojmë që vlerëson ndihmën që të jep partia. Partia i vlerëson njerëzit, ata që sillen mirë, meritojnë edhe favore. Të kemi pru këtu sepse, paguhesh ma mirë se në kooperativë.

-Falemderes shumë prej jush. Edhe unë, do punoj pa u kursye, se, për ne bohet kjo punë.

-Kështu pra që ti e kuton! Po ka tjerë që, edhe se i ndihmon, nuk e vlerësojnë ndihmën që u jep partia- tha operativi.

-Nuk di.., po…, unë nuk munem me e mohu të mirën që më m’keni bo.

-Kështu pra! Partia, duke vlerësuar punën që bënë ti, sjelljen e mirë, edhe këto që the, kemi menduar të heqim edhe nga kjo punë e lodhshme, të nxjerrim një raport pa aftësie, edhe të lidhim një rrogë të mirë. Boll ke punuar. Pate dhe një taksirat se ca njerëz të pa ndërgjegjshëm, që nuk duanë partinë, ta bënë të pa vërtetën të vërtetë, dhe ti bërë ca vite burg. Këtë duam të ta shpërblejmë tani.

-Falemineres shumë po, unë, jom hala në gjenje të merë, mundem me punu, pse ta bëni këtë?

-Po ne, e kemi parë të arsyeshme që të rrish, mund edhe të bësh ndonjë punë të lehtë. Boll ke punuar. Me gjithat, mendohu, për të mirën tënde e kemi. Partia të ndihmon, edhe ti, ke mundësi ta ndihmosh partinë!  Ka shumë mënyra që edhe ta ndihmosh edhe të përfitosh… Nuk fitohet vetëm me punë krahu… ëh?- i tha duke e vështruar në sy.

-Falemneres po unë, veç punës krahut, as gjo tjetër nuk di t’boj!

-Nuk do bësh ndonjë punë të vështirë, jo. Diçka të vogël që nuk do shumë mund, do takohemi prapë e do i kordinojmë së bashku, kadal kadal. Ti mjafton të shikosh kush dëmton, e të dëgjosh ç’thonë, kaq. As do derdhësh djersë, as do mundohesh.  Do marrësh dy rroga, këtë ta vlerëson partia, jo unë. Ramazani, po e shikonte, në momentin kur Ramazani desh të fliste,- ai i tha:

-Mirë, mjafton kaq për sot, i zgjati dorën, u ndanë atë ditë. Por, biseda nuk kishte mbaruar me kaq, operativi i shkonte herë pas here te puna dhe rrinin me orë duke biseduar, ndenja me këtë njeri, i jepte siklet, shikimet e shokëve, e çvlerësonin, në fund Ramazani i tha: të më falësh, po unë, nuk mund ta kryej atë detyrë që më kërkon ti, unë vetëm të bëj kanale e të mbuloi çato tubo di. Që atë ditë Ramazani mendohej, vriste mendjen si të shpëtonte jo vetëm nderin prej këtij njeriu, nuk fliste fare, as donte të takonte njeri. Edhe në shtëpi, dukej që nuk ishte i qetë. Kur e pyeste e shoqja: Ça ke more, pse rri mërzitshëm? A të dhem gjo a? Ramazani, nuk i kthente përgjigje, vetëm se mendohej e psherëtinte nga një herë.

Një ditë shoku që e pati mërzitur- i tha: Ça ke mor Zon, nuk e ke hap gojën hiç, a je smun, a ça?

-Nuk kom gjo, mer jom me shnet, pse po më pyet?

-Kot mor. Ene shnet me t’thon, ty të duket: si me t’thon plaç, ça ke k’shtu?

-Jo mor po, na përvvloi ky të nxehti- i tha.

Më në fund Ramazani mendoi të bënte diçka, për të shpëtuar nga ky njeri. U ngrit një ditë që me natë, u nis për rrugë, pa i thënë as të shoqes, në Priskë kishte motrën, te ajo shkoi natën vonë dhe në mëngjes, doli që me natë, që mos e shikonte njeri.  Mëngjesi e zuri në Tiranë, te ministria e brendshme. Ju deshën tre dit, të rrinte para asaj banese të madhe e të frikshme, më në fund, e priti ministri i brendshëm. Pasi ja tregoi hallin, i kërkoi mbrojtje ministrit. Kush mund ta mbronte- sipas mendjes të Ramazanit, më mirë se ministri. Kadriu e dëgjonte me mirësjellje të jashtëzakonshme, herë herë tundte kokën, bëri sikur, i erdhi keq që ky burrë ishte munduar të vinte deri këtu, për këtë hall.

-Ik! – i tha Kadriu- duke i vënë dorën në shpatull. Mos ki merak. Nuk lëmë ne, të marrin njerëz të pa fajshëm. Edhe ata që veprojnë kështu, ç’fardo  të jenë, partia i ndëshkon. Shko, puno si ke punuar. Për këtë, të vlerëson partia. Nëse konstaton ndonjë veprim në dëm të partisë, ç’do qytetarë e ka për detyrë të lajmërojë organin përkatës por,  me përgjegjësi që, mos dënohen njerëz kot, këtë nuk e do partia. Shqipërinë e kemi të gjithë bashkë, do e mbrojmë bashkë-apo jo?

-Po zoti, ministër- iu përgjigj Ramazani. I dha dorën ministri duke e shikuar drejtë në sy: hajt, shko, mos ki merak, do e sqaroj unë këtë punë.

Gjithë gëzim, nga premtimi që i dha burri i shtetit, u drejtua për në shtëpi. Ndjehej i sigurt si as një  herë tani, nga besa që i dha ministri.

Dy javë më vonë, një ditë, sapo ishte kthyer nga puna, ishin ulur para shtëpisë, në hijen e pemëve, fresku i asaj pasditeje po e kënaqte Ramazanin; e shoqja sapo i kishte prurë kafen, një djalë i vogël që kishte lindur një vit pasi doli nga burgu, i rrinte gjithnjë pranë, tani fëmija ishte shtrirë në lëndinë dhe kokën e kishte në prehër të Ramazanit, shumë e donte të atin ai djalë, sapo kthehej nga puna, nuk i ndahej. Pa mbaruar së piri kafen, u dëgjua uturima e një makine,-ço osht kjo, more? Tha e shoqja që ishte në këmbë.

-Qoft për hajr!- tha Ramazani. Nuk vonoj dhe, në fund të oborrit, u duk xhipsi i degës. Ndërsa xhipsi ndaloi në fundin e oborrit, djali si qe shtrire me kokën në prehër të ati, u ngrit dhe ju fut në prehër Ramazanit. Gruaja e Ramazanit, ngriu me tabakanë në dorë. Prej tij zbritën katër vetë të pa njohur dhe polici, i plotfuqishmi i zonës. Ramazanit, ja ndjeu zemra të keqen; djali e kapi të atin dhe shikonte krejt frikë të pa njohurit që afroheshin. Ramazani, la filxhanin në tokë, për gjysmë pa pirë, u ngrit dhe filloi të përkëdhelte djalin, të cilin ja dha së shoqes: kape kët çamarrok i herë se, sikur….

-Ramazan Taga- tha njëri prej  atyre që zbritën nga makina- në emër të popullit, je i arrestuar!  Djali, i shpëtoj së ëmës dhe e kapi të atin për dore dhe iu ngjit pas trupit.

-Duart mbrapa i tha polici, kurse civilët dhe operativi, e shikonin. Ramazani i tha djalit: lëshoje babin se, kom do pun me këta shokët e mi, po djali, nuk e lëshonte të atin, at’herë, Ramazani i tha së shoqes, kope mori ket çamarroku tem! Pa pritmas, njëri prej tyre, e tërhoq djalin ta shkëpuste prej të atit, e kapi dhe e ëma po, nuk shkëputej djali. Ata ia përdrodhën duart mbrapa Ramazanit, ti vinin prangat, por nga që e ëma nuk shkëpuste djalin nga i ati,  njëri prej tyre, e tërhoqi me forcë djalin, djali siç ishte kapur në krahun e të atit, tërheqja e duarve, nga prangat, të rridhte gjak. Kur djali pa gjakun të rridhte, i tha së ëmës: më vranë babin këta TV poshtër dhe, i shpëtoi së ëmës, shkoi e pushtoi të atin për mesi, dora e policit e kapi djalin me forcë, dhe tha: Këta këlyshë, sa dalin nga gopi i së ëmës, armiq lindin dhe e shtyu Me një herë e kapi e ëma djalin.  Ramazanin-  as nuk e lan të takonte djalin që qante. Ramazanit ja ulën kokën, e futën brenda, djali përsëri vrapoi të shkonte te i ati, njëri prej tyre tha: na e hiqni sysh atë fëmijë! Ai që do ulej pran Ramazanit, e kapi djalin, desh ta shtynte me forcë por, njëri prej civilëve – i tha- lere djalin! Mbyllën derën dhe makina u nis, djali vrapoi pas duke thirrë: më varnë babin, më morën babi! O babi, ku do më lësh mua! ndërsa djali qante duke vrapuar, e ëma, kishte ngrirë si statujë në vend. Gjithë këto lot e klithma të këtij fëmijë, nuk e thyen zemrën e këtyre burrave të paktën, me gjakftohtësi e më dashamirësi, të kishin zbutur sjelljen ndaj babës të atij fëmije dhe fëmijës, ti thoshin dy tre fjalë të buta, duke i ngjallë shpresën se do kthehej shpejt baba i tij, hekurat mund t’ja vinin edhe pak ma vonë, por, ata përdorën gjithë egërsinë e tyre, jo vetëm kundrejt Ramazanit, por shtytja që i bënë fëmijës ishte më kriminale. Ata, e shkatërruan për gjithnjë atë fëmijë. Xhipsi iku, djali u shtri për toke.  Goja e atij djali për gjithë ato vite, vetëm një gjë dinte të thoshte:- o babi, mos ik, ku do më lësh mua o babi? Të vranë ata të poshtër, o babi.

Kur vuante dënimin Ramazani, si në Spaç edhe në Qaf-Bari, këtë fëmijë nuk e pa më sy. Një ditë i tha së shoqes: bjermë nji her çat çamarrokun e vogël se, m’ka djeg malli për to. E kom parasysh si ta her tu qamun. Ma bjer ta shof i herë.

-Nuk vjen- i tha e shoqja. Ramazani e mbante mend duke qarë, po nuk dinte si ishte katandisur çamarroku i tij.

Kur u lirua Ramazani pas dhjet vjetësh, në tetëdhjetë e nëntën, mendoj për gëzimin që do kishte çamaroku i tij, kur të takoheshin, që tashmë ishte gjashtëmbëdhjetë vjet, por në vend të gëzohej, Ramazani më shumë u pikëllua, sa nuk i luajti mendja.

Çamaroku, lindja e të cilit, i kishte dhënë gëzim, që tani pas lirimit, do gëzonin të dy bashkë, takimi i dha më shumë dhimbje Ramazanit, kurse djali, nuk ndjeu aq gëzim as hidhërim, që atë ditë që i arrestuan të atin, djali nuk dinte as gjë, ai nuk njihte as të ëmën, goja e tij, vetëm dy fjalë di të thotë edhe tani pas dhjet vjetësh: Mos ik o babi, më vratë babin o të poshtër, shpesh herë, në mes të natës, ai bërtiste: o babi, ku më le mua ose: më vratë babin o të poshtër.

Ramazani e kap e përkëdhel, i thotë- këtu jam babi, jam me ty, po djali nuk di gjë, në mendjen e atij fëmije, ka mbetur vetëm gjaku që rridhte nga duart e të atit. Djali thotë vetëm: më morën babin, ata burrat, më vranë babin ose, mos ik o babi, ku do më lësh mua o babi, lëshoje babin tim! Këto thotë ditën, këto thotë në gjumë Lirimi, më shume i dha brengë Ramazanit, gëzimet, ja shoi gjendja e çamarrokut që, për të cilin aq shumë kishte ëndërruar, të kënaqej me të.

Kjo bëri që Ramazani, mos shijonte lirinë, kishte djalë, po ja atë që la.Çamaroku nuk u gëzua për të atin, edhe se e kërkonte për ditë, edhe se tani e ka pran, Ramazanit, ai nuk di gjë, përsëri, e kërkon.

Filed Under: LETERSI Tagged With: PRANGAT, QË ÇMENDËN DJALIN, Shefqet Dobra

Një lajm i vonuar në Top Channel me qëllime dashakeqe

September 25, 2017 by dgreca

Prej më shumë se 70 vitesh grekët nuk e kanë vërtetuar kurrë me dokumenta dhe fotografi bashkëpunimin e çamëve. E vërteta është se çamët ishin zyrtarisht luftëtarë të ushtrisë çlirimtare të Greqisë EAM-ELAS./

1-arben-llalla-250x299

Nga Arben LLALLA/

Lajmi, i botuar ne fcb, 7 shtator

Mediat shqiptare si përherë me vonesë përcjellin lajmet nga Greqia rreth Çështjes Çame, por ajo që është tragjike për mediat tona, vjen nga fakti që ndikohen nga zyra e informacioni dhe propagandës së zbulim – kundërzbulimit të sigurimit të Greqisë. Media që më shumë ndikohet nga ato që thashë më lartë është Top Channel që përcjell shtrembërimet që dalin nga ambasada e Greqisë në Tiranë nëpërmjet gazetarit Ilir Paço, i cili mban kontakte të rregullta me diplomatët grekë që mbulojnë sferën e informacionit dhe propagandës së Greqisë. Lajmi për themelimin e shoqatës të pasardhësve të viktimave të masakrave të nazistëve gjermanë me “bashkëpunëtorët” e tyre çame 1941-1944, Top Channel e dha më 24 Shtator, ndërsa shoqata është themeluar më 3 shtator nga Bashkia e Pargës në një aktivitet. Shtypi grek disa herë ka botuar shkrime për themelimin e kësaj shoqate me mendimin se do të shkaktonte reagime në Shqipëri, por kjo gjë kaloi në heshtje në Shqipëri, sepse themelimi i shoqatës greke që e drejton ish-ministër dhe deputeti i djathtë Andonis Bezas është një provokim për interesa të ngushta politike.

Shkrimi i fundit për themelimin e kësaj shoqate e botoi më 22 shtator, miku i Ilir Paços, publicisti Stavris Çimas tek gazeta “Kathimerini” dhe asnjë media në gjuhën shqipe nuk ia vari shkrimit të drejtorit mediatik Çimas (E njoh personalisht Stavro Çimën qysh nga viti 1997, dhe kam biseduar shpeshherë kohëve të fundit edhe për Çështjen Çame, për të cilën ai ka një qasje krejt të gabuar).

Atëherë, Greqia kur e pa se në Shqipëria nuk e vuri njeri ujët në zjarr për themelimin e kësaj shoqate të lojtur mendsh, u ndezën motorrët e zyrës së informacionit dhe propagandës të sigurimit të Greqisë pranë ambasadës së tyre në Tiranë. Kuptohet nëpërmjet njerëzve të tyre të kontaktit, në rastin në fjalë me Ilir Paçon na del në Top Channel ky lajmërim, thua se ishte lajm i minutës së fundit që do të bënte bujë.

Gjithsesi lajmi për themelimin e “Shoqatës së pasardhësve të viktimave të çamëve” ka prapavijë politike për të fituar disa vota më shumë partia “Demokracia e Re” e Micotaqit, sepse nëse vërtetë shqiptarët nga Çamëria do të kishin bashkëpunuar me italianët dhe gjermanët, kjo shoqatë qo të ishte themeluar në vitet 1945, 1950, 1970, 1980, pra para shumë kohësh dhe jo sot në vitin 2017, kur dy vendet po kërkojnë të merren vesh që Çështja Çame dhe pronat e shqiptarëve në Greqi duhet të zgjidhen, me qëllimin e mirë që dy popujt ta shohin njeri-tjetrin me mirëbesim dhe jo duke ngritur kurthe dhe presione me veto.

Prej më shumë se 70 vitesh grekët nuk e kanë vërtetuar kurrë me dokumenta dhe fotografi bashkëpunimin e çamëve. E vërteta është se çamët ishin zyrtarisht luftëtarë të ushtrisë çlirimtare të Greqisë EAM-ELAS. Historianët dhe studiuesit grekë nuk kanë sjellë asnjë fakt që vërteton pjesëmarrjen e shqiptarëve të Çamërisë në ndonjë masakër apo shkatërrim të fshatrave në periudhën 1941-1944 që Çamëri, në të cilat banonte edhe një pakicë greke.

Prandaj, si përfundim, Top Channel me lajmin për themelimin e shoqatës në fjalë është i vonuar dhe dashakeq, ashtu siç është ish-deputeti grek Andonis Bezas për themelimin e shoqatës në 3 shtator 2017 në Pargë të Çamërisë. (27.al)

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, ne Top Channel, nje lajm dashakeqes

60 vjetori i krijimit të Shërbimit Hidrografik Shqiptar

September 25, 2017 by dgreca

1 sherbimi hidrografik Port DurrNga Shefqet Kërcelli/Ne Foto:Godina e Sherbimit hidrologjik ne Portin e Durresit/

Shërbimi ynë Hidrografik është një komponent i rëndësishëm i Forcës sonë Detare dhe shtetit shqiptar, sepse luan rol parësor në sigurimin e kushteve hidrolundrimore dhe sinjalistikës detare për lundrim të parrezikshëm të mjeteve detare në hapësirën ujore të Republikës së Shqipërisë. Për shtetet e zhvilluara apo vendet në zhvillim, një hidrografi dhe sinjalistikë efikase janë domosdoshmëri në zhvillimin e transportit detar dhe turizmit të vendit duke ndikuar direkt në integrimin e shpejtë të tij në strukturat ndërkombëtare të detit dhe në BE. Në fakt ne si popull detar dhe për nevojat e transportit detar na është dashur të përdorim mjete sinjalizimi të thjeshta  që në kohët e vjetra, por vetëm në shekullin e XIX-të u ndërtuan disa fenerë me shërbim të kufizuar për shkak të teknologjisë dhe personelit. Feneri më i vjetër në vendin tonë është ndërtuar në VP të Sazanit më 1871, pastaj më 1884, në Shengjin. Mbas clirimit pati një fazë të re të ngritjes së fenerëve.  Gjithashtu gjurmë të këtij shërbimi gjejmë dhe në vitet 1878-1890, kur specialistë të Perandorisë Austro-Hungareze përpunuan hartat e para të vendit, të cilat u përmirësuan nga specialistë italianë në vitet 1933-1941. Gjithashtu ato vendosën disa faro-fenerë në pozicionet kryesore të bregdetit shqiptar si feneri i Durrësit, Kalasë së Vlorës,i Cukës, etj. Mbas clirimit të vendit u bë riparimi i disa fenerëve kryesorë përgjatë bregdetit dhe në bashkëpunim me palën sovjetike u botuan harta të reja për gjithë bregdetin dhe zonën detare të vendit.feneri tek kalaja lekures

Në Foto:Feneri në Kalanë e Lëkursit/

Më 25 shtator 1957, u krijua Shërbimi Hidrografik si strukturë e vecantë për sigurimin hidrolundrimor. Zoti Arqile Papadhimitri u caktua shefi i këtij shërbimi, Koco Lati, zv.kom. për punë politike, Mersin Shqypi, Shef i seksionit të hidrografisë, Teofik Digli, shef i fenerëve, Dhimitër Postoli, për hartografinë dhe Seit Berisha, shef i sinoptikës. Kështu Shërbimi ynë Hidrografik mori formë të plotë si strukturë e vecantë për sigurimin hidrolundrimor në Flotën Luftarake Detare. Pra, ky shërbim mori një dimesion të ri, cilësor dhe sasior, duke realizuar disa detyra të rëndësishme si në aspektin ekonomik dhe atë ushtarak, psh: vendosjen përgjatë bregdetit shqiptar të fenerëve të rinj dhe përmirësimin e atyre ekzistues, sigurimin e informacionit hidrometerollogjik për flotën tregëtare, luftarake, të peshkimit e sinoptikën detare; ndërtimin e poligoneve në interes të Forcës Detare{IshFLD} dhe botimi i “Udhëzuesit të lundrimit për detin Adriatik dhe Jon” dhe ribotimi i tij në vitin 1989. Përgjatë këtyre viteve, personeli i Shërbimi tonë Hidrografik, ka kryer studime të karakterit hidrografik dhe hidrologjik të bregdetit, relievit dhe fundit të detit, ka vendosur fenerë, shënja detare, ka përpunuar e botuar harta detare, udhëzues të lundrimit, etj. duke mbajtur në gatishmëri të plotë sistemin e farofenerëve përgjatë bregdetit shqiptar. Gjithashtu u intensifikua puna për përmirësimin e teknologjisë së fenerëve. 1 feneri vloreFeneri ne Vlore/

Krahas vënies në punë të fenerevë me gaz acetilen, u rikonstruktuan mjaft prej tyre dhe u pajisën me aparatura të reja. Në vitet 1958-1960, u ndërtuan kulla fenerësh prej betoni dhe guri me lartësi nga 8-14 m, në kepin e Palermos, në jug të ishullit të Sazanit, në Shënvasil, Pashaliman, Treport, në Kepin e Selitës, në malin e Durrësit, kepin e Palit, etj. Në v.’84-‘86, u ndërtuan me arkitekturën e kohës dy kulla të reja fenerësh, një në derdhjen e lumit Vjosa, 20 m të lartë dhe në këpin e Palit, 14 m. Mbas ’85 u bë pajisja e disa fenerëve me aparaturë elektronike automatike, që rriti rrezen e tyre të shikimit dhe uli në masën 40% harxhimin e energjisë elektrike. Në vitin 1985, në bregdetin shqiptar numuroheshin mbi 40 fenerë detarë, që mbulonin me rrezet e tyre ujërat tona bregdetare me një brez nga 6 deri në 13 milje detare, dhe në disa kepe deri 25 milje detare. Në vijimësi shteti shqiptar dhe Komanda e Forcës Detare ka treguar kujdes për zhvillimin dhe modernizimin e këtij Shërbimi të rëndësishëm me interes kombëtar. Për zbatimin e detyrave të institucioneve përkatëse ndaj sektorit të fenerëve, ka një VKM, nr.1, datë 9.02.1985 dhe një tjetër më 13.06.1999, për taksën e farofenerëve, ku specifikohet se 20% e të ardhurave që përfitohet duhet ti kalojë Ministrisë së Mbrojtjes, konkretisht sektorit të SHHSH.

1 fen i vjeter durres

Nga fenerët me te vjetër është ai Durrësit/

Mbas vitit 1990, u shtuan përpjekjet për modernizimin e Shërbimit tonë, për t’ju përshtatur kushteve e kërkesave të reja pasi hidrografimi i hapësirës detare dhe bregdetare konsiderohet si element esencial për zhvillimin e infrastrukturës së një vendi dhe përfshin jo vetëm portet dhe transportin detar, por dhe shfrytëzimin e mbrojtjen e pasurisë detare, ekologjisë dhe turizmit, si prioritete të vendit tonë.

1 feneri sazani

Feneri i Sazanit/

Vecanerisht mbas vitit 1997, me gjithë vështirësitë dhe mungesat e bazës materiale, në sajë të ndihmës e bashkëpunimit me partnerët tanë u sigurua profilkatika, riparimi dhe mirëmbajtja e fenerëve ekzistues bashkë me vendosjen e disa fenerëve të rinj, me teknologji të avancuar në disa pika të nevojshme për lundrimin e mjeteve detare. Kështu specialistët tanë në bashkëpunim me vendet aleate kanë vënë në punë teknologjinë me llampa të tipit LED, vetushqyese, nëpërmjet paneleve diellore, që kanë disa avantazhe si kërkesa më të vogël në mirmbajtje, riparime të shpejta, ekonomike, të mbrojtura nga dëmtimet dhe pashmëri më të madhe. Kjo teknologji shihet si e ardhmja e sinjalistikës portuale. Aktualisht nga Buna deri në Sarandë numurohen 84 fenerë, të cilët janë në gatishmëri të plotë në sajë të përkushtimit e profesionalizmit të personelit të SHHSH, specialistëve tanë të vjetër dhe të rinj.

Ndërkohë Shërbimi ynë hidrografik vitet e fundit ka bashkëpunuar me Zyrën Hidrografike të SHBA dhe Flotës së 6-të, me Shërbimin e Mbretërisë së Bashkuar, Shërbimin Hidrografik Italian, Grek,Turk, etj. në fushën e ndërtimit të sinjalistikës detare, matjeve hidrografike në porte dhe zona të vecanta, madje ka përgatitur harta hidrografike përfshirë dhe ato elektronike. Vlen të përmendim këtu projektin “304” me palën italiane “Për fuqizimin dhe modernizimin e sistemit të farofenerëve në Shqipëri’, i cili bëri të mundur riparimin e disa fenerëve në rajonin Vlorë-Sazan-Sarandë, por dhe vendosjen e fareve të rinj në zona delikate, ku ka dhe anije të mbytura si Sarandë, Vlorë, gjiri i Drinit, etj. Gjithashtu gjatë kësaj periudhe Specialistët Hidrografë të SHHSH, bazuar nga të dhënat e matjeve batimerike të bëra me partnerët tanë ndërkombëtare, në bashkëpunim me specialistë të IGJUI, u prodhuan hartat e para “Paper charts”, për qëllime lundrimore. Për herë të parë në procesin e prodhimit të këtyre hartave u aplikuan standartet ndërkombetare të IHO. Kjo dëshmon rritjen e vetëdijes për rendësine që ka vetë Hidrografia dhe hartografimi detar, kontributin e saj në menaxhimin e duhur të “ekonomisë blu” si dhe varësise njerëzore ndaj këtij ambjenti që është vazhdimisht cdo ditë e në rritje.

Hidrografia dhe hartografimi detar tashmë konsiderohen si elementë thelbësorë në zhvillimin e infrastrukturës kombëtare për detin. Kjo infrastrukturë përfshin jo vetëm portet e transportin detar por edhe shfrytëzimin e resurseve (pasurive mbi dhe nënujore) si dhe mbrojtjen e jetës njerëzore, mjedisit e ekologjisë detare. Në mënyrë të vazhdueshme janë përgatitur publikime dhe njoftime për lundërtarët. Kështu në bashkëpunim me IGJUI, janë publikuar harta detare, rrugëkalimet detare si dhe listat e faro-fenerëve, me qëllim përmbushjen e nevojave për një lundrim të sigurt.

Natyrisht projekti më i rëndësishëm, është ai me Shërbimin Hidrografik Norvegjez, ALNO HIP, i cili do fokusohet në kryerjen e matjeve batimetrike, përpunimin e të dhënave dhe menaxhimin e prodhimin e hartave detare elektronike. Nga ky projekt do përfitojë jo vetëm Forca Detare por të gjithë subjektet detare private e shtetërore. Zbatimi i këtij projekti filloi në vitin 2015 dhe do zgjasë tre vjet. Projekti i perbashkët me Shërbimin Hidrografik Norvegjez është duke u zbatuar sipas një plani të mirë detajuar dhe ka në themel të tij zhvillimin e një politike kombëtare detare për Hidrografinë dhe Hartografimin. Ai kërkon që krahas njohurive esenciale të karakteristikave gjeografike, gjeologjike dhe gjeofizike të shtratit të detit dhe të bregdetit, të bëhet dhe grumbullimi i të dhënave të mjaftueshme për rrymat detare, baticë-zbaticat dhe fenomenet e tjera detare deri në përpunimin përfundimtar të këtyre të dhënave. Sigurisht që ky projekt do shtojë kapacitetet operacionale të Shërbimit tonë Hidrografik, standartizmin dhe ndërveprimin e tij meqëllimqë vendi ynë të përmbushë kërkesat e organizmave dhe legjislacionit ndërkombëtar në fushën e sigurisë hidrolundrimore.

Synimi final i SHHSH është arritja e standarteve dhe kapaciteteve të kërkuara nga IHO, {Organizata Ndërkombëtare Hidrografike} dhe plotësimi i kushteve për anëtarësim me të drejta të plota në këtë organizatë. Realizimi i tyre vec angazhimit maksimal kërkon edhe përshtatjen e teknologjisë ekzistuese me teknologjinë moderne bashkëkohore apo përzgjedhjen e personelit të kualifiluar për specialitetin e hidrografisë. Nga ky synim burojnë dhe prioritetet specifike për të ardhmen, të cilat janë: Përpilimi dhe publikimi i hartave të reja detare, (paper charts & elektronike) të bregdetit Shqiptar; Pajisja e bregdetit Shqiptar  me mjete dhe pajisje bashkekohore të sigurisë hidro- lundrimore si dhe instalimi i  fenerëve të rinj detarë duke përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën e atyre ekzistuese dhe së fundmi përmbushja e detyrimeve ndërkombëtare të cilat Shqipëria i ka nënshkruar në kuadrin e IMO, SOLAS, UNCLOSS, rezolutës të Kombeve të Bashkuara, UN A53/32. Aktualisht Shërbimi Hidrografik Shqiptar ka status vëzhguesi në “Mediterranean and Black Seas Hydrographic Commission (MBSHC)”, por sfida e këtij shërbimi është anëtarësimi në Organizatën Ndërkombëtare të Hidrografisë-IHO, në një afat kohor sa më të afërt. Ndërkohë të dyja këto organizata të rëndësishme hidrografike këshillojnë që vendi ynë të marrë një rol aktiv në këto organizata, për të qënë dhe përfitues i projekteve dhe financimeve të rëndësishme për ngritjen e kapaciteteve tona hidrografike. Sigurisht që për misionin dhe dobinë ekonomike që i sjell vendit, ky shërbim kërkon më tepër vëmendje dhe ndihmë nga shteti shqiptar në të ardhmen.

Në këtë 60-vjetor, kujtojmë me respekt ish Komandantët e Shërbimit Hidrografik Shqiptar, ndër kuadrot më të arsimuar e kualifikuar të Forcës Detare, {ishFlotës-Luftarake}, që nga pionieri i këtij shërbimi zoti Arqile Papadhimitri, e më pas Mersin Shqypi, Capajev File, Bashkim Kryeziu, Nikolla Tole, Ilirjan Hoxha, Gëzim Koci, Arjan Copani, Lulzim Kryeziu, Artan Malo, etj. Kujtojmë dhe nderojmë oficerin hidrograf Kadri Ylviu, i cili vdiq aksidentalisht më 11.03.1961, kur anija hidrografe u përplas me shkëmbinj të nënujshëm në Porto-Romano. Gjithashtu kujtojmë dhe nderojmë kuadrot dhe specialistët e këtij shërbimi, hidrografë, gjeodetë, kartografë, feneristë, specialistë të sigurisë hidro-lundrimore, ekuipazhe të mjeteve lundruese, që me punën dhe arritjet e tyre e kanë lartësuar imazhin e këtij shërbimi: zotërinjtë Dhimitër Postoli, Liman Limani, Hajdar Lala, Vasil Gjoni, Petrit Ajazi, Përparim Zani, Mina Gjermeni, Agim Musta, Miltiadh Driza, Fadil Nurka, Sadulla Elezi, Bilal Koci, Merdan Kalemi, Nesti…Raqi Kondakciu, Petrit Pasho, Qazim Baza, Viktor Marku, Fatmir Bega, Andi Gerveni, Artan Kambo; zonjat Eleni Ibro, {Gjoni}, Dhimitra Tome, Shpresa Dhima, Yllka Cela, etj. Kjo trashëgëmi e vyer, shembulli dhe profesionalizmi i tyre, frymëzon dhe edukon kuadrot dhe specialistët që shërbejnë aktualisht në Shërbimin tonë Hidrografik për të ecur në gjurmët e tyre.

Literatura:

-Antologji e Detarisë Shqiptare, vëllimi i I-rë, faqe 327-328.

-Antologji e Detarisë Shqiptare, vëllimi i II-të dhe I II-të, faqe 575-582.

Filed Under: Histori Tagged With: 60 vjetori i Sherbimit, Hidrografik Shqiptar, Shefqet Kërcellim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 51
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT