• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2017

Kosovë-Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit

October 30, 2017 by dgreca

1 afer-Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie: Edhe në SHBA kemi të tilla probleme dhe na është dashur shumë punë për të trajtuar këto raste. Edhe këtu do të duhet që qeveria të japë përkrahje të veçantë për këto raste. Nuk arrihet drejtësia nëse nuk ka drejtësi për viktimat e krimit/1 folesi

Prishtinë, 30 Tetor 2017-Gazeta DIELLI/ Ka filluar të mbahet java për të drejtat e viktimave të krimit, e organizuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, me temë ”Kompensimi i viktimave, e drejtë, satisfaksion dhe hap drejt rehabilitimit“.Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, në fjalën hapëse të konferencës, ka thënë se të drejtat e viktimave të krimit janë të drejta të garantuara me Kushtetutë dhe me ligj në Republikën e Kosovës, të cilat hyjnë në kuadër të të drejtave themelore dhe si të tilla duhet mbrojtur nga shteti.”Si kryeprokuror i Shtetit, siguroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se do të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme që viktimat e krimit të trajtohen me respekt dhe dinjitet, ashtu siç meritojnë. Për këte kemi krijuar infraskrukturën e nevojshme ligjore dhe humane, ashtu që viktimat e krimit të trajtohet sipas standarteve të larta për të drejtat e njeriut. Kompensimi i viktimave është obligim ligjor andaj institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që këtë obligim ta realizojnë këtë vit  përmes  kompensimit të rasteve të para“, është shprehur kryeprokurori Lumezi, duke potencuar se java do të arrijë objektivat e caktuara dhe se numri i rasteve të kompensuara do të shtohet.

Ndërkaq, Presidenti i Republikës së Kosvës, Hashim Thaçi, ka thënë se përkushtimi dhe respektimi i të drejtave të njeriut e sidomos kategorisë së viktimave të krimit, duhet të jetë i përditshëm.

Presidenti Thaçi potencoi se e sheh shumë të rëndësishëm ligjin për kompensimin e viktimave të krimit. ”Institucionet e Republikës së Kosovës janë të orientuara në krijimin e kushteve në mbrojtjen  e viktimave të krimit”, u shpreh presidenti Thaçi, duke shtuar se në bazën e rekomandimeve për trajtimin e dinjitetshëm të viktimave të krimit, institucionet e vendit duhet të jenë të orientuara në krijimin e kushteve sa më të mira për këtë kategori të shoqërisë. ”Zotohemi se do të vazhdojmë angazhimin që Republika e Kosovës t’i mbrojë dhe avancojë të drejtat e njeriut në përgjithësi e po ashtu dhe viktimat e krimit”.

Ndërkaq, në fjalimin e tij para të pranishmëve, ministri i drejtësisë, Abelard Tahiri, pohoi se “në dekadën e fundit, institucionet tona i kanë dhënë mbështetje të veçantë kësaj kategorie dhe unë si ministër zotohem se do të punoj edhe më shumë për këtë kategori. E kemi lansuar programin e kompensimit të viktimave të krimit dhe si ministër i drejtësisë ju informoj se në shtator është trajtuar rasti i parë dhe do të kompensohet sipas legjislacionit në fuqi. Ju siguroj se rekomandimet e para të dala nga kjo konferencë do të merren për bazë“.

Në anën tjetër, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, ka nënvizuar se  probleme të tilla ka edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por se duhet punuar shumë për t’i mënjanuar ato.

“Edhe në SHBA kemi të tilla probleme dhe na është dashur shumë punë për të trajtuar këto raste. Edhe këtu do të duhet që qeveria të japë përkrahje të veçantë për këto raste. Nuk arrihet drejtësia nëse nuk ka drejtësi për viktimat e krimit”, theksoi ai.

Ndërkaq Enver Peci, kryetar i Gjykatës Supreme, potencoi se “të gjitha forcat e drejtësisë duhet të angazhohen në trajtimin e rasteve dhe të merren në konsideratë nevojat e viktimës. Ka nevojë për ngritjen e efikasitetit për këto raste dhe të avancohen të drejtat e viktimave”.

Menaxheri i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave të Krimit, Basri Kastrati sqaroi para të pranishmëve angazhimin e kësaj zyreje në ndihmë viktimave dhe theksoi nevojën e mbështetjes institucionale për këtë kategori./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, e Viktimave të Krimit, Kosovë-Java për të Drejtat

Mos urre Fejsbukun zemër, mjaft me urrejtje!

October 30, 2017 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/

Dje u nda nga jeta një gazetare e re dhe as që diskutohet që është një dhimbje. Një jetë e këputur mes qindra planeve
ia dyfishon kobin vdekjes. Për më tepër kur e kemi bërë të udhës të solidarizohemi në një lloj horie të ”dhunshme” të një dashurie të cilën dime ta shfaqim si duhet vetëm pas vdekjes.
Sado që nënat tona thonë shpesh që, duam sa më ke, mos u kujto për këtë kur mos të jem më. Por tek ne vepron më shumë e kundërta se sa e mbara. E çuditshme! Të bën të mbledhësh supet. T’i nënshtrohesh! Kjo ndofta na ka çuar edhe në atë garën të tregojmë se kush do më bukur. Se sa e madhe ka qënë dashuria jonë. Kjo ndofta na shpie edhe tek gara tjetër, se, kush mund dhe e bën qivurin më të bukur a më të shtrenjtë. Dhe po të vazhdojmë kështu, edhe pak dekada ta dini, qytetet më të bukura tek ne, për nga shkëlqimi i mermerit, kangjellave, do jenë qytetet e të vdekurve. Bota ka kohë që i ka kthyer në lëndina. Ne na rroftë shprehja, i lehtë të qoftë dheu i lëndinës.
Para pak ditësh u nda nga jeta dhe Robert Elsie. Një qytetar kanadez i dashuruar me albanologjinë. Me shqiptarët. Vloi horia e patriotëve sa ta shpifnin kur thoshin do ta varrosim këtu, amaneti i tij të varroset në Shqipëri. Ta varrosim. U vendos do varroset tek ne. Në të vërtetë ashtu është, ne të varrosim. Të varrosim të gjallë a të vdekur. Edhe pse kemi shprehjen prehet. Do të prehet, u prehtë në paqe. Ne, vrull varrosje, vrull xheneti. Mirëpo mes kësaj horie të djeshme, plasi edhe një kundër hori. Urrejtja për fejsbukun? Shumë njerëz shpesh i kundëvihen instrumentit, jo dorës, mendjes, a shpirtit që e luan keq. Pak sentimentalizëm, natyra, mali, shëtitja, qetësia e shprishur prej ikjes së realitetit. Dukesh simpatik, apo jo? Desha të them se nuk ka e ka fajin fejsbuku? Ashtu si shumë gjëra të tjera edhe ky i ururari fejsbuku, që i qofshim fal këtij djali nga Nju Jorku me emrin Mark Zuckerberg, është një mjet. Çdo njeri të mund të ketë televizionin e tij, gazetën a institucionin. Kaq. Dhe nuk ka më bukur. Dikur ishte privilegj i një pakice që e bëri komunikimin pushtet të katërt, po aq të pa sukseshëm sa pushtetet e tjera. E ka fajin kultura. Mendësia…, horia për tu dukur. Facebooku është një mundësi komunikimi. Kaq! Do e hap, do nuk e hap. Do e shikon, do nuk e shikon. Nuk bën zhurmë, nuk ta prish qetësinë fejsbuku, por mendësitë.
E sidomos dje kur bota shqiptare sapo bëhej gati të kacafytej me vendimin e fundit të Mustafait që, është apo nuk është hero Azem Hajdari? U desh të humbte me natë herët, ai shpirt i bukur që ne t’i shmangeshim Muçit. Ndofta Muçi ka qënë më i trishtuari dje. I iku dorësh zbulimi i fundit mbi heronjtë. Eshtë një instrument, një mundësi…, tjetër gjë se dikush e përdor me edukatën e fëmijës karshi lodrave, tjetër gjë se dikush e përdor me kënaqësinë kafshërore të vrasësve. Dhe tjetër gjë se ca mendojnë se ju kufizua pushteti mbi të drejtën për tu shprehur. I të drejtës se vetëm një pakicë që e ka aftësinë për të lëvizur si ta duan njerëzimin. Tjetër gjë se abuzuesve më të mëdhenj mbi qarkullimin e vlerave, u vjen plasja, rrahin dyshemenë me këmbë, duan që gjithçka ta dirigjoj mendja e tyre. Eshtë një larmi e madhe dhe koha po verteton se sa talente janë vrarë padrejtësisht për shkak të pritjes në radhë tek dyert e redaktorëve. Por kjo nuk ia vlen fare.
Ka plot pse të tjera që të dërrmojnë bashkë me vdekjen e një bukurie. Një nga këto është edhe kultura e të heshturit, një panik njerëzor në shqoërinë tone për të mbajtur të fshehtë sëmundjet. Shqiptarët e kanë frikë mjekun. Shkojnë tek mjeku kur takojnë vdekjen. Jetojnë me mendësinë mos trego, se sëmundja është turp. Ndofta mungesa e një edukate të tillë sjell shpesh situata ku edhe habitemi se si vdiq kaq papritur ky apo ai person. Këtu janë problemet tona, tek mendësia me të cilën jetojmë. Dhe këtu duhet t’i mëshojmë ndreqjes së vetvetes. Jo tek fejsbuku… a qetësia që na ”prish” ai.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, mjaft me urrejtje!, Mos urre Fejsbukun zemër

REPLIKË ME SYMBYL AGEN (IZET HAXHIA)

October 30, 2017 by dgreca

1-azganhaklajNga Azgan HAKLAJ/

 Ti nuk ke lavdi as sa Frati në Btoshë në Lekbibaj./

Boll má !/

Keni mëshirë për shpifësit e mashtruesit, thoshte Seneka, sepse ata janë skllevërit e vërtetë të shoqërisë dhe njerëzimit. E citova këtë sentencë të filozofit të madh të Romës, sepse në qoftë se ka njeri për të cilin vlen më së shumti mëshira e lutja ky është Izet Haxhia.

Peng i mëkatit, skllav i shërbimeve sekrete i Klosit e sojit të tij, siç dëshmoj edhe vet si bashkëpuntor i ish shikasit të Gazidedes, një kukuvajkë e zëdhenës i ish-sigurimit të shtetit dhe pse jo i shërbimeve sekrete të huaja serbo-greko-turke. Qëllimi final i platformës së tyre është destabilizimi i Shqipërisë, përçarja e lufta civile mes bashkëkombasve, e më në fund coptimi i trojeve etnike për t’i kthyer në plaçkë tregu për orekset e këtyre shteteve ish-perandori të dikurshme, armike shekullore të Shqipërisë.

Shumë miqë më këshilluan të mos merrem me ty Izet, sepse më thanë se ky interpret konspiracionesh, ky Rasputin i vogël, ka përgenjeshtruar vehten duke i kërkuar falje Dritan Zaganit, të akuzuar në fakt për një periudhë që ti dole bllof, sepse për në atë kohë që ti zotëri bën fjalë i bie që ai të ketë qenë student (shih ditëlindjen). Por unë vendosa t’iu përgjigjem tutorëve e mentorëve tuaj që të udhëheqin në sulmet e paprincipta ndaj çdokujt që nuk është në vathen e tyre.

Këto ditë ju zgjodhët të sulmoni një çift ekselentë juristësh me shpifje e intriga për shkak të detyrës, znj Elisabeta Imeraj dhe z Agron Bajri, por dhe grupin e prokurorëve në bllok, duke u bërë pjesë e ansamblit të korbave të zi Mero Baze – çorapes dhe Muç (t) Nanos që dirigjojnë frontin antimalësorian edhe pse urrejtja krahinore është krim.

Izeti iu erdhi në ndihmë qeverisë narkotrafikante në krye të të cilës janë trinomi Rama, Tahiri, Xhafa e të tjerë.Ai sulmoi një zyrtar që kishte zbuluar oktapodin e zullumit të Tahirit dhe po mundohej të këpuste këto tentakula kriminale, konkretisht Dritan Zaganin duke e lidhur me mua, por që shpejt përgënjeshtroj vehten duke i kërkuar falje.Shpifësi i përdorur duhet të më kërkonte falje mua, sepse Dritan Zagani këtij mashtruesi publik i duhej për të më goditur moralisht mua, i xhelozuar nga aktiviteti im në shërbim të demokracisë dhe kontributi ndaj Kombit Shqiptar.

Por, si padashje, ai, Izet Haxhia, zbulon skenarin e përplasjeve, si dhe tentativën për eleminimin fizik të Zaganit dhe faturën për ta lanë tek Haklajt, pse jo tek unë, me argumentumin e fshehjes së gjurmëve, natyrisht për të fshehur skenaristët, regjizorët dhe aktorët e vërtetë të ekzekutimit, si gjithmonë.

Ka 20 vjet që organizatori, skenaristi, regjizori i vrasjes së Tribunit të Demokracisë Azem Hajdari, i dënuar tashmë nga gjykata në tre nivelet, është strehuar me përkujdesjen e Fatos Klosit e miqëve të tij serbo-grekë në një katund tē Turqisë për t‘i shpëtuar drejtësisë duke u kthyer në instrument përgojues deri në jargavitje për këdo që e urdhërojnë ustallarët e tij.

Prej aty, ky Symbyl Agë i oborrit të Klosit, firmos, vulos e çertifikon pa u menduar dy herë enqiklikat e gatshme të cilat ia servir padroni Klosi.

Bodiguardi Izet gjatë viteve që ka shërbyer ka intriguar me mjeshtri të lartë artistike për Haklajt tek Berisha dhe Azemi dhe të njëjtën gjë për te dy tek Haklajt në vitet  ‘97-2000 për interesat e tij utilitare, që tashmë dihen kur dhe humbi pavarësinë dhe u ba instrument në platformën anti-PD në Tropojë dhe në të gjithë Shqipërinë.

Ju sugjeroj Izet të lexoni librin e vëllait tuaj, Ismetit, që thotë për këto vite: Më thirri ministri i Brendshëm i asaj kohe dhe më tha do të emëroj shef komisariati në Tropojë dhe detyra kryesore që ke është arrestimi i Kryetarit të PD-së Tropojës, Azgan Haklaj.

Nē fakt arrestimi im ndodhi, por më vonë.

Partia Demokratike me kandidoi për deputet. Populli i Tropojës më votoi për faktin se shpirtërisht përfaqësoja familjen blu, Partinë Demokratike, më votoj për AND-në familjare Haklaj që i ka dhanë katër dëshmorë Atdheut në betejat për liri dhe pavarësi të Kombit Shqiptar, si dhe nē mbrojtje tē institucioneve të shtetit demokratik. Partia Demokratike më kandidoi për kontributin tim në mbrojtje të vlerave të demokracisē, për asgjë të pamoralshme në shërbim të dikujt dhe në dëm të dikujt tjetër, siç aludoni ju me gjuhën tuaj tē helmtë si të nëperkës

Filozofi i madh Niçe na mëson se: “Liria e juaj është deri në kufirin e fillimit të lirisë sē tjetrit”. Shtetari i moçëm, arkitekti i Spartës aristokratike, Likurgu, thotë: “Kur mbaron liria jote fillon liria e tjetrit”.

Gjatë jetës tuaj, ju Izet, i shkelët këto parime duke intriguar për të gjithë.

Ju intriguat për Azem Hajdarin derisa ia arritët qëllimit, ekzekutimin e tij.

Sigurisht që thonë se ke marrë pjesë dhe në ngjarje të tjera të dhimbshme, edhe tek Haklajt, e tani bën sikur të dhimbsen shumë.

Se sa të dhimbsen e tregon fakti i tentativës tuaj për kurbanizimin e Zaganit dhe faturën t’ua kaloni me lehtësi Haklajve pas interpretimit mjeshtëror tē konspiracionit të rradhēs qē ta servirin mendjet diabolike që të kanē skllavëruar.

Ti zgjodhe pikërisht ditët e inaugurimit të Shtatores së Azem Hajdarit në Tropojē për të ndërmarrë këtë fushatë shpifjesh.

Nē fakt zhveshe karakterin tënd tē vërtetë. Veshja e mantelit të Pejgamerit për të hapē 7 vulat e librit “Zbulesa” tē Shēn Gjonit për t’u treguar shqiptarëve të vërtetat e mëdha, të cilat ti i dinë, ështē përpjekja jote dëshpëruese dhe dështimi juaj i turpshēm i rradhës dhe përfundimtar.

Por Haxhia nuk ngopet me vrasjen e Azem Hajdarit, me përgjakjen e Tropojës dhe vrasjen e qindra djemve të saj. Ai është peng i betimit solemn para Fatos Klosit se do ta zhdukë PD-në e Tropojës.

A i mbani mend Izet deklaratat që ju bënit gjatë Referendumit të Kushtetutës në vitin 1998?!

Sigurisht, kori që drejtonit në të cilin bënte pjesë edhe autori i atentatit ndaj meje që do merrte pjesë dhe në atentatet ndaj Azemit, Hidajet Gjeçi: “Sa të jemi gjallë ne nuk ka PD në Tropojë”. Dhe unë ju përgjigjesha vendosmërisht: “Sa tē jem gjallë unë ka PD në Tropojë”. Po i pate harruar rilexoj gazetat e asaj kohe. Natyrisht Tropoja votonte në Referendum sistematikisht kundër padronēve tuaj dhe PD e udhëhequr nga unë ka fituar edhe me rezultate spektakolare duke i marrë të gjitha njësitë administrative të Tropojës, 8 me 0.

Para 500 vjetësh Sulltan Mehmeti ekzekutoi të gjithë vëllezërit e tij për të hypur në fronin e Stambollit. Izeti është i gatshēm tē firmosē ekzekutimin e tē gjithē personazheve të demokracisë e të patriotizmit shqiptar: Azem Hajdarin ta rivrasë; të vrasë Berishën; tē nxjerrë nga varri e të vrasë Rugovën, Ismail Qemalin e Isa Buletinin; ta zhdukē Gjergj Kastriotin nga Sheshi për tē mbajtë nē Fron Trinjakët, bijtë e Eskobarit: Tahirin, Xhafën, Edi Ramën.

Izet Haxhia, ju keni lindur në Gash tē Malësisë të Gjakovës, por në damarët e tu nuk rrjedh asnjë pikë gjaku e këtij fisi të lavdishëm, i cili u shndërrua në shekuj në parzmore të Atdheut, në simbol shekullor të betejave historike për liri e pavarësi.

Linde në Tropojë dhe u bane dirigjent i përgjakjes së saj.

Ishe badiguard i Berishës dhe thure intriga, artikulove akuza e shpifje, sa do ta kishte zili vetë Nastradin Hoxha.

Mburreshe si mik e bashkëpuntor i Azemit, si protagonist i Dhjetorit ‘90 dhe udhëhoqe ekzekutimin pa mëshirë të Heroit të Demokracisë, ashtu si Bruti para 2000 vjetësh Jul Qezarin.

Haxhia, ky senator i krimit, është i tërbuar ditët e fundit ngaqë me dt. 27 tetor 2017 u inaugurua Shtatorja e Azem Hajdarit. Ai nuk guxon ta shohë as me dylbi vendlindjen e tij dhe monumentin e studentit liberator, tribunit të demokracisë, Azem Hajdari.

Ështē tërbuar nga frika e burgosjes së Sajmir Tahirit dhe si dem i harbuar sulmon këdo e shpif gjithçka e për gjithkënd që e urdhërojnë, në mënyrë të padrejtë e cinike.

Si sharlatan që është sulmon prokuroren Imeraj, bashkëshortin e saj Agron Bajri, pinjoll i familjes atdhetare e nacionaliste të legjendarëve Kadri dhe Deli Bajri, grupin e prokurorëve të Çështjes Tahiri, familjen Lushaj, Pishtarët e Demokracisë Saliun dhe Ukën e shumē djemë të Partisë Demokratike, deputetin Hysen Osmanaj, madje përsëri Azemin, dhe iu hakërrehet tē gjithë Tropojanëve.

Haxhiaj është tërbuar sepse e din mirë se Gashi, Tropoja e kanë leçitë (shlyer nga defteri) sipas gjuhës së tij turke.

Për Tropojën Izeti nuk ekziston.

Ai, Izeti, e shiti Tropojën për 30 aspra si Juda ndaj Jezu Krishtit.
Tropoja e Shqipërisë dhe e Flamurit Kuqezi nuk i bjen kurrë në gjunjë trekolorit serb, kryqit grek, gjysëm-hanës turke, koktejet më tē hidhur me të cilët ngre dolli Izeti.

Si përfundim, për ty Izet, kam zgjedhur një histori të vërtetë të ndodhur në bjeshkët e Btoshës (të Gashit) në Lekbibaj (Tropojē) para shumē kohësh: Njē çoban i thotë Fratit (qenit të tij) kujdes tufën e deleve. Ikën çobani për punēt e tij dhe e lenë fratin e lidhur, por vjen ujku dhe e mbytë gjithë tufën. Frati i këputë vargonjtë e hekurtë dhe e mbytë ujkun, të cilin e mbulon me delet e mbytura. Kur vjen çobani e sheh çfarë ka ndodhur, çmendet nga zemërimi dhe e vret Fratin. Pasi pastron vendin nga delet e ngordhura dhe e gjen ujkun, çobani nga dëshpërimi tenton të vrasë edhe vetvehten. Ndërhyjnë familjarët e të tjerēt dhe nuk e lejojnë. Çobani i mërzitur thërret të gjithë fshatin dhe e varrosi Fratin në bjeshkët e Btoshës me gjamën e burrave të Lekbibajve. Edhe sot e kësaj dite i thonë:  tek Varri i Fratit”.

Ti, me shpifjet e tua, kërkon përfitime e lavdi Izet, por të siguroj se ke humbë gjithçka. Nuk do të kesh lavdi as sa Frati !

Boll má !

Filed Under: Komente Tagged With: Azgan haklaj, me Izet Haxhine, Replike

KUR PETRAQ KOLEVICA KUNDËRSHTOI DIKTATORIN PËR BIBLIOTEKËN E KORÇËS

October 30, 2017 by dgreca

1 Petraq Kolevica12biblioteka e KorcesNga Dr. Orhan Sakiqi/Para pak kohe isha në Korçë. Korça më ka tërhequr gjthmonë sidomos për urbanistikën e saj, për ndërtimet me kriter që janë bërë, për ruajtjen e rrugicave me gurë dhe banesave të ulta, së fundi me pazarin e rikonstruktuar. Pra eshte nga të pakta qytete kur shkon e njeh Korcën e vjetër, dhe Korca e re lidhet shumë mirë me të. Prisja të shoh dhe objektin me aq halle të kolegut Kolevica bibliotekën kur u habita kur pashë punime ndërtimi dhe një tabelë ku thuhej se këtu do të bëhen zyra për bashkinë ose dicka e ngjashme. Pra biblioteka kthehet në zyra. Mar menjiherë në telefon Petraqin dhe e pyes. E di mor xhan më thotë, por nuk më ka pyetur njeri. Më vjen shumë keq, për vetë peripecitë e objektit që ti i di. E keqja është se unë nuk mund të vete vetë atje për pa mundësi fizike, por po e vuaj këtu në strofkën time si qëmoti.

Por cilat janë peripecitë e Bibliotekës së Korçës që aq shumë e kanë munduar ark.Petraq Kolevicën. Besoj që e vlen për lexuesin e nderuar të shkëpus këtu disa fragmente nga libri i tij Arkitektura dhe Diktatura.

-Duhet të ketë qenë fundi i vjeshtës së vitit 1967, kur shkova në Korvë, i thirrur nga Kryetari i Komitetit Ekzekutiv M.Grabocka. Kryetari më kishte thirur të më thoshte se do të prishej kisha e Shën Gjergjit dhe në vend të saj do të ndërtohej një bibliotekë….Më kërkoi të merrja përsipër bërjen e projektit të bibliotekës. Sheshi i ndërtimit, në kishën e Shën Gjergjit,  kuFan Noli,prift celebroi të parën meshë shqip. Dhe kjo kishë duhej të prishej!……..Ishte viti i egër 1967 mbas fjalës së diktatorit në Mat….

Tani të kthehemi të vazhdojmë tregimin e dramës së bibliptekës……..Studiova bibliotekat e ndërtuara kohët e fundit në Angli,vendet skandinave ,Gjermani e Zvicer dhe them se mundimi smë shkoi kot……….Të mos e zgjasim, projektin e bëra, u miatua, zyra e Korcës vazhdoi projektin e konstruksionit dhe filluan punimet dhe bashkë me të edhe zvaritjet e qëllimta………..punimet vazhduan por gjithnjë me ngadalësi. Kështu deri deri në fillim të vitit 1975, pra, më shumë se katër vjet, ende s kishte mbaruar si karabina.

Ndërkohë, më 1974, filloi lufta kundër burokracisë dhe kundër ndikimeve të huaja në letësi dhe art ,sipas orientimeve të famëkeqit plenium IV. Nga kjo nuk shpëtoi as arkitektura……….Sipas zakonit të atëhershëm në fillim dolën fjalët vesh më vesh e pastaj u tha haptas sikur në Korcë paskësh qenë shoku Enver,i cili nuk e paskësh pëlqyer bibliotekën. Cështë ky mur kështu pa dritare?- paskësh thënë. E kisha shpjeguar disa herë  se cdo të bëja në atë faqe muri,që po quhej bosh. Për ta sqaruar edhe më mirë, bëra fasadën në shkallë 1:50 dhe vizatova një lloj kompozimi të basoreliefit të mundëshëm dhe ia dorëzova Ministrit, i cili do ta conte më lart.Kam shpresë se ajo fletë mund të gjendet në ndonjë ditë nëpër arkivat e ish Komitetit Qëndror. Megjithatë cështja lihej qëllimisht zvarrë, që të fryhej e zmadhohej me  thashetheme. Pyesja ctë bëj? askush nuk përgjigjej. Ndërtimi i shte pezulluar………….

Në vitin 1974 unë drejtoja punimet në ekspozitën ‘Shqipëria Sot’, që u bë me  rastin e 30 vjetorit të clirimit……….

Më 24 dhjetor 1974 ekspozitën e vizitoi Enver Hoxha. Ay erdhi bashkë me Mehmetin e me suitë tjetër .Drejtori më prezantoi si arkitektin, që kisha drejtuar punimet dhe atje u zhvillua biseda e tij me mua. Me që kundërshtova Enver Hoxhën në sytë e të gjithëve gjë që për mentalitetin e atëhershëm ishte një skandal i rrezikshëm, tekstin e bisedës e daktilografova dhe të nesërërmen që në mëngjez ja dorëzova Ministrit që të mos lija shteg për deformime nga keqdashësit:

Shoku Enver, duke më shtërnguar dorën, filloi kështu :

-Ju lumtë, kini bërë një ekspozitë shumë të bukur.

-Ju jeni Kolevica?

-u  përgjigja po.

-Sh.Enver- Juve jeni nga Korca?

-u përgjigja-po.

Sh.Enver- Juve keni ndërtuar disa gjëra shumë të bukura në Korcë, por në një gjë ma kini prishur pak qefin.

-u përgjigja: E di shoku Enver…

-Sh.Enver – Me  gjithse aty pati influencë Todi Lubonja.

-u përgjigja: Vetëm aty ska vend këtu në  këtë ceshtje.

Sh.Enver-Po mua kështu më kanë informuar.

-Gabim ju kanë informuar.

-Sh. Enver –Të përpiqesh që që ai objekt të dalë mirë,cpo bën?

-u përgjigja- As unë sdi cpo bëhet. Më kanë futur në një rreth, ku spo marr vesh asgjë.

Sh.Enver-Si kështu?

U përgjigja –As njeri spo më thotë se cduhet të bëj më tej.

-Sh.Enver- Pamvarësisht nga këto ti si autor duhet ta mbrosh deri në fund duke marrë edhe mendimin e shokëve………..

Atmosferën e rëndë që u krijua pas atij kundërshtimi e dinë ata që ishin të pranishëm…….por peshën e vërtetë e di unë ,që mbeta i vetëm kur të gjithë më largoheshin….

Pas disa ditësh më thirrën në Komitetin Qëndror ku më thanë se sjellja ime ishte mungesë rëespekti ndaj udhëheqjes. Dhe kjo për ty nuk është hera e parë. Edhe kur të ka kritikuar shoku Mehmet, ti nuk ke mbajtur qëndrim të mirë.

Shumë shpejt, pas kësaj, mua më cuan në Ndërmarjen 21 Dhjetori, për tu edukuar në gjrin e klasës punëtore.

Këto ishin mbresat e Petraqit. Pra biblioteka kishte hyrë në vallen e objekteve të ndikuara nga rryma perendimore dekadente.

Mbaj mend se nga fillimi i verës 1975 në sallën e Pallatit të Kulturës në Tiranë u organizua një mbledhje nga Ministria e Ndërtimit ku do të dënoheshin objektet e  ‘influencuara’ dhe sigurisht edhe projektuesit e tyre. Për të mbushur sallën na kishin ftuar edhe ne nga zbatimi. Sidoqoftë unë do të shkoja se shqetësimin e Petraqit e dinja prej kohësh. Salla ishte mbushur, dhe si është në të tilla raste kur luhet me fatin e njeriut,me fatin e projektuesit të talentuar,me fatin e shokut .Nuk pipëtinte miza. Zura vend nga fundi, dhe holla syte dhe pashë Petraqin në anën trjetër po nga fundi.

Përvec Petaqit u përmendën edhe emërat e Sokrat Moskos, Koco Comit, Mauricio Begës dhe Maks Velos që kishin projektuar në rrymë moderniste me ndikime të huaja. Mbas hapjes së mbledhjes nga Ministri, u ngrit Petraqi me diskutim të shkruar por nuk e lanë të mbaronte duke i kërkuar autokritikë që në fillim. Dale të shpjegohem tha ai, por jo ulu, kemi vite që të dëgjojmë. Pak punë kemi ne të dëgjojmë ty gjithmonë. Foli pastaj Maksi,por edhe atë e ndaluan. Në fund zv kryeministri i zi i ndërtimit nuk tha gjë pa thënë për projektuesit, modernizmin që synonte zhdukjen e luftës së klasave përbysjen e diktaturës së proletariatit e të tjera si këto. Kur rrëmbehesh ai nxirte edhe fjalë të tjera që nuk ja vlen të përmenden.

Kolevica e kishte pësuar goditjen e parë duke e cuar ne zbatim tani e cuan edhe më larg në minierën e Valiasit. Ajo që e ka vrarë më shumë atë dhe që e përmend vazhdimisht edhe sot e kësaj dite është: Në moshën 40 vjevare më hoqën nga profesioni i arkitektit të cilin e doja më gjithë shpirt. Unë jetoja me të jo vetëm kur punoja por edhe ne cdo cast të ditës mbase edhe të natëes.

                     Tani kur tërë bota fle,

                      O shpirt i im përse rri zgjuar?

Do të shkrante ai. Në shtypin e kohës vërshuan lajkatarët : Kështu na ndodhi me Biblikotekën e Korcës ,e cila jo vetëm nuk ka asgjë kombëtare në formën e saj, por edhe stonon në planin e përgjthshëm të ndërtimit të qytetit, shkruante në gazetën’ Drita’ arkitekti V.B. më 14 mars 1976.

Jam ulur tani me Petraqin e bisedojmë . Sigurisht merakun e ka për ‘mollën e sherrit’ ,për atë të cilën guxoi të kundërshtoi dhe diktatorin. Lere thotë ishte kuja e kohës ,si e kam shkruar në rromanin tim me të njëjtin titull, por këta të sotmit nuk pyesin. Ku është e drejta e autorit, ku është qytetaria e nderit që më ka dhënë Korca? Kam bërë disa objekte në qytetin tim të lindjes por për bibliotekën kisha dobësi të vecantë.

E vështroj Petraqin dhe më vinë në mend një frazë që e lexova së fundi në Kujtimet 1939-1944 të Mustafa Greblleshit, mbas një vizite të tij në Athinë : Më fort se sytë e saj më tërhoqën sytë e Homerit, të cilët edhe në mermer dukeshin të verbët. Thua se poeti i madh u verbua për të mos parë shëmtimin e botës. Kështu është. Edhe mua kështu më duken sytë e poetit Kolevica.Bisedojmë sigurisht për vendin . Kujtoi vargjet e tij nga vjersha’ vitet që vinë’ shkruar në vitin 1976 dhe botuar në vitin 1993. Vargje të fshehura në vite :

                            Kaq u shtuan poshtëritë,

                            Kaq u rritën marrëzitë ,

                            Kaq na mbytën ligësitë ,

                            Sa kam frikë që një ditë ,

                            Kur dhe ne të shohim dritë,

                            Kur të hapen krejt kufijtë,

                            Oh kam frikë atë ditë,

                        Ikjen e gjithë njerëzisë…

                        ……………….

Vargje profetike. Ndahem me Petraqin me mendimin se Bibliotekës së Korcës, jo vetën nuk duhej ti nderrohej qëllimi për të cilën u ngrit por duhej ti jepej emëri ark. Petrat Kolevica. Po them vetëm arkitekt,por ai ishte poet,shkrimtar përkthyes e mbi të gjitha njeri. Korcar i rradhë. E kanë cilësuar si i fundit i rromantikëve.

Në hyrje të bibliotekës duhej të shkruhej. Biblioteka ark.Petraq Kolevica. Ai që guxoi të kundërshtojë diktatorin.

Tiranë-5-09-2017.

Filed Under: Histori Tagged With: Biblioteka e Korcës, Dr. Orhan Sakiqi, kundershtoi dikttaorin, Petraq Kolevica

30 vjetë marrdhenie dilpomatike mes Shqipërisë dhe Kanadasë

October 30, 2017 by dgreca

1 kanada shqiperiDitën e shtunë më 28 tetor 2017, nën kujdesin e ambasadës shqiptare në kryeqytetin e Kanadasë, Otava, u përkujtua 30 vjetori i vendosjes së mardhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kanadassë me një koncert të « Trio Fammus » i ndjekur nga  një kokteil/

Nga Ajet Nuro, Montreal, Kanada/

Ndoshta lajmi për vendosjen e marrdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kanadasë para 30 vjetëve nuk ka patur atë rëndësi sa edhe vendosja e marrdhënieve diplomatike me Gjermaninë Perëndimore apo Britaninë e Madhe por,  sot 30 vjetë më vonë ajo merr një rëndësi të veçantë. Në epokën e vendosjes së marrdhënieve, lajmi, e shumta ka gëzuar ata që do të donin një Shqipëri më të hapur me botën, ndoshta pa guxuar të mendojnë një Shqipëri të lirë dhe demokratike. Sot, ai veprim i thjeshtë ka sjellë në peisazhin diplomatik, ekonomik dhe social të Shqipërisë një nga vendet më ndikues në jetën e shqiptarëve. Modeste në diplomacinë ndërkombëtare, me një imazh paqësor por me një ekonomi solide, Kanadaja është vendi i dytë për nga volumi i investimeve në Shqipëri pasi për disa vite ka mbajtur vendin e parë. Kanadaja, është bërë atdheu i dytë i disa dhjetra mijëra shqiptarësh që janë vendosur, punojnë dhe jetojnë në këtë vend.

30 vite histori suksesi

Në këto 30 vjetë nga vendosja e marrdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kanadasë shumë ngjarje kanë ndodhur, ngjarje që kanë ndikuar edhe në marrdhëniet mes dy vendeve. Së pari, vetëm tre vjetë pas vendosjes së mardhënieve diplomatike Shqipëria hyri në epokën e ndryshimeve madhore që çuan në ndryshimet demokratike dhe fillimin e një tranzicioni të gjatë shoqëruar me probleme ekonomike e sociale që bënë që mijëra shqiptarë të linin vendin e tyre për t’u larguar në vendet fqinje dhe shumë prej tyre edhe përtej oqeanit Atlantik në Amerikë dhe, edhe në një vend të ri ku shqiptarët nuk kishin shkelur më parë (përveç një komuniteti të vjetër të pas Luftës së Dytë Botërore), në Kanada.Së dyti, lufta në Kosovë, e rreshtoi Kanadanë me vendet e NATO-s që ndërhynë në Kosovë për të shpëtuar shqiptarët e atjeshëm nga shfarosja. Kanadaja ishte nga vendet e pakta që vendosi të merrte 5000 refugjatë për të ndihmuar sado pak në krizën e refugjatëve të shpërnguluar nga vendi i tyre nga dhuna e makinës ushtarake serbe.

Kanadaja, ndonëse një vend i largët, ka marrdhënie ekonomike me Shqipërinë dhe duke qenë se ajo ka ekspertizë në sektorë strategjikë si nafta, gazi dhe minierat, ajo ka mundur të siguroj një vend të nderuar në rangun e vendeve investuese në Shqipëri. Jam i bindue se me politika tërheqëse dhe sidomos me krijimin e  kushteve politike e sociale, investimet kanadeze në Shqipëri mund të shtohen për të ndikuar pozitivishtë në ekonominë e brishtë shqiptare.

Në 30 vjetë nga vendosja e marrdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kanadasë një komunitet i tërë shqiptarësh është vendosur në Kanada. Ata janë integruar në një vend ku « multikulturalizmi » përbënë krenarinë e këtij vendi dhe mund të themi se ata i gjenë në të gjitha sferat e jetës ekonimke, politike e sociale të këtij vendi.  Shqiptarët janë të vendosur në metropole si Toronto (Ontario), Montrteal (Kebek), Kalgari (Alberta), Vankuver (Kolumbia Britanike) por edhe në qytete të vogla dhe janë të integruar më së miri në të gjitha aspektet.

30 vjetë marrdhënie diplomatike dhe më shumë se kaq

Nën kujdesin e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Kanada, shkëlqesisë së Tij zotit Ermal Muça mund të them me plot gojën se jo u përkujtua por u festua 30 vjetori i këtyre marrdhëneve mes dy vendeve tona. Të shtunën më 28 tetor 2017, u mblodhën në Ottawa në National Gallery of Canada, miq të Shqipërisë, pjestarë të trupit diplomatik në Ottawa, përfaqësues të Parlamentit të Kanadasë dhe atij të Ontarios, përfaqësues të ministrisë së tregëtisë së jashtëme të Kanadasë si dhe shqiptarë nga Toronto, Montreali, Hamiltoni dhe qytete të tjera. Unë kam marr pjesë në shumë festa organizuar nga ambasada jonë në Ottawa por përkujtimi i 30-vjetorit të marrdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Kanadasë përbënte një kulm për sa i përketë pjesmarrjes së bashkatdhetarëve tanë. Koncerti i « Trio  Fammus » ishte një zgjedhje e shkëlqyer që u pëlqye nga të gjithë pjesmarrësit. Për shqiptaro-kanadezët koncerti i familjes Papajorgji, Jani (violinë), Sofia(piano) dhe Livia (violinë), ishte një përkëdhelje e nostalgjisë së atdheut të largët dhe krenari e pasurisë kulturore e muzikore  dhe për të huajt një udhëtim në muzikën shqiptare e klasike botërore transmetuar me virtuozitet e mjeshtëri nga artistët shqiptarë.

Një kokteil pas koncertit shërbeu si pikë takimi mes të gjithë pjesmarrësve.  shqiptaro-kanadezë të ardhur në shenjë respekti për shtetin shqiptarë dhe atdheun e tyre, drejtues shoqatash që grumbullojnë shqiptarët këtu në Kanada si dhe intelektual shqiptarë, ishin të gjithë të gëzuar që gjendeshin së bashku. I pranishëm ishte edhe gazetari i talentuar i komunitet tonë, gazetari i televizionit PASQYRA në Toronto zoti Ilir Lena.

Do të doja të falenderoja organizatoriët e këtij aktivitetit, ambasadorin e Shqipërisë në Kanada, zotin Emal Muça si dhe stafin e tij për organizimin e aktivitetit.

Mardhënie të shkëlqyera por …

Nëse marrdhënet mes Kanadasë dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera e Kanadaja është duke e mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin e Europian dhe në strukturat e tjera Euro-Atlantike kjo nuk do të thotë se nuk ka vend për përmirësime. Nëse Kanadaja ka mundur të zëri një vend të dytë për volumin e invesitmeve në Shqipëri, investimet Kanadeze mund të jenë shumë e shumë më të mëdha nëse do të nxiteshin kompani të tjera të përmasave të vogla dhe të mesme. Duhen gjetur rrugët për një gjë të tillë. Pse mos të shtohen lidhjet dhe marrdhëniet në fushën e edukimit, shëndetsisë dhe fusha të tjera. Nëse shqiptarët mundën të ngrenë një statujë të Nënë Terezës në Montreal ndërsa në Toronto të shpallin muajin nëntor muaji i trashëgimisë shqiptare dekretuar nga parlamenti i Ontarios (për mos të përmendur arritje të tjera), ata janë në gjendje të japin edhe më shumë ndihmë në forcimin e marrdhënieve dypalëshe.  Ngjarjet e fundit në Shqipëri, përfoljet për lidhjet e krimit me politikën (thashethemet kanë ekzisuar gjithmonë….) ishin një temë që nuk mungoi në bisedat mes shqiptarëve por edhe në formë pyetjeje nëse investimet kanadeze do të stepen nga këto ngjarje. Sigurisht, klima politike dhe sociale është një nga kushtet bazë të suksesit të investimeve të huaja. Por, nëse flasim për një rritje të komunitetit shqiptar në Kanada, arritjes së një pjekurie të këtij komuniteti, ai  mund të ndikoj edhe më shumë në fatet e vendit të origjinës së tyre. Më duket se duhet t’i qëndrojmë larg atij slloganit famkeq të epokës komuniste « të mosndërhyrjes në punët e brendëshme ». Nëse Kanadaja n’a ka dhënë mundësinë të jemi qytetarë të saj duke ruajtur qytetarinë tonë shqiptare, kjo e fundit nuk duhet të jetë thjeshtë një stoli. Në Kanada, pjesmarrja në jetën politike të vendit është një detyrë, pse jo edhe në atë shqiptare?  Shqiptaro-kandezët si pjesë e diasporës shqiptare kanë shumë për t’i dhënë Shqipërisë. Ata nuk duhet të presin t’u kërkohet ndihmë. Shqipëria është e të gjithëve. Ne duhet të jemi pjesë e historisë dhe e traditës së shkëlqyer të disaporës sonë që është gjendur gjithmonë pranë atdheut, pikërisht në momente vendimtare.

Pamje nga aktiviteti

 

Nga e majta Lulzim Laloshi, Laze Leskaj dhe Ajet Nuro
Shqiptarë nga Montreali me ambasadorin e Shqipërisë në Kanada zotin Ermal Muça

 

Artistët e Trio Fammus Jani Papadhimitri, Sofia Papadhimitri dhe Livia Papadhimitri
Kryetarja e nderit e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze Toronto, zonja Ruki Kondaj dhe kryetarja e shoqatës Kulturore Shqiptare të Montrealit zonja Anila Erindi
Me artistët e Trio Fammus

 

Me artistët e Trio Fammus
Nga e majta në të djathë Laze Leskaj, Mariola Leskaj, Alma Nuro dhe Ajet Nuro

 

Nga e majta Laze Leskaj, Aulona Leskaj, Alma Nuro dhe Marjola Leskaj
Një grup shqiptarësh nga Toronto në foto me ambasadorin shqiptar në Ottawa z. Ermal Muça
Shqiptarë dhe aktivistë nga Toronto, Ontario

 

Kryetarja e Shoqatës kulturore shqiptare në Montreal si dhe kandidate për këshilltare në një nga rajonet e Montrealit zonja Anila Erindi
Zoti Ilir Lena (Televizioni Pasryra) duke intervistuar zonjën Anila Erindi

 

“Delegacioni” i Montrealit
Një grup shqiptarësh nga Montreali, Kebek

 

Autori, Cezarina Kora dhe Alma Nuro

Filed Under: Emigracion Tagged With: 30 vjet, Ajet Nuro, diplomaci, Kanada -Shqiperi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT