• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2017

HAJDE SHENGJINI…!

October 9, 2017 by dgreca

-Një mozaik me  16 foto (me pak tekst prezentues) nga Shengjini, në kapercyell të ketij sezioni turistik të verës ’17, ose një foto-reportazh me mbiemer gjysëm-vjeshtorë-

Nga Zeqir Lushaj/

Ky është Shengjini, qyteti ku edhe unë jetoj tash 3 vjet e sa. Ndonese rritet e zbukurohet çdo vit, prap se prap mbetet qyteti që ka vetem një rrugë dhe një shetitore buzë detit. Eshtë një qytet modest në jeten e vet…, por që ka hyre me mbresë dhe emocion edhe në jeten e mijëra e mijëra pushuesve të tij të preferuar nga vendi dhe bota. Eshtë Shen Gjini i At Zef Pllumit.

Shetitorja e Shengjinit në mbremjet verore të kujton bulevardin „Deshmorët e Kombit” në Tiranen e viteve më para që gumezhinte darkave nga shetitjet masive të kryeqytetasve. Ketë vision na e jep sidomos mua dhe dr Besim Ymajt që kemi qenë shumë amatorë të atyre „xhirove“ të Tiraneë e sot sodisim keto shetitje turistesh diku nga kati 10 a 12 i kompleksit “Adriatik” ku Besimi vjen jo veç per plazh por edhe ne fund-java gjate vitit per pak relaks breg-ujorë.

Shengjini, më së shumti është qyteti i dashur i kosovareve. Ketu ata ndjehen më të shtepisë se kerkush tjeter. Sidomos per shkrimtaret e Kosoves ky plazh është shumë i preferuar. Mes dhjetra të tjereve, një nga ata që e donë shumë Shengjinin është edhe publicisti i mirënjohur, juristi i shquar veteran i Prishtinës, bashkpunetori i nderuar i revistes ZemraShqiptare zotri Adil Fetahu që kesaj here na erdhi edhe me librin e tij më të ri PUBLICISTIKE me 415 faqe.

Rana e Hedhur, që ndoshta ua hedh të gjithë plazheve të tjera ngado në këtë breg-Adriatik! Eshtë fantastike, krejt e veçantë, e paparë, por edhe e heshtur që nuk don të ekspozohet edhe aq shume as te shesi mend sepse i kupton edhe pasojat qe mund të bijen mbi të pameshirshem ashtu si edhe në shumë perla të tjera të at’dheut!!

Një kompleks i mrekullueshem e shumë terheqes është në këtë zonë edhe ai me emrin „SIGAL“ ose siç ne të vendit ketu i themi „te Ponari“. Ketu kanë pushuar që nga ish presidenti i Rpublikes Nishani e deri te shumë e shumë njerez të thjeshte nga Shqiperia, Kosova, diaspora e nga shume vende të botes. Manaxherin gjeneral Ismet Ponarin e gjetem në shoqerinë e nje grupi shkrimtaresh dhe perkatesisht siç edhe i shihni në foto, Hasan Selimi nga Tropoja, Nikollë Loka nga Mirdita e Fatmir Halimi nga Prishtina, bashk me romanin e tij të sapobotuar „Dy vdekjet e nje jete“.

Keta 4 nxenes që shihni në foto janë mysafiret e mi më të nderuar të kesaj vere? Pse i klasifikoj të tillë? I pari majtas është Kristjan Çela, komshiu im i cili jeton në Itali dhe ketu vjen veres në pushim. Fiona Konika është nxenese e klases së 8-të në Durres, shoqja në krah është Antonela Perndojaj nga Manatia e Lezhes  si dhe vellai i Fiones, Elio Konika nga Durresi. Keta të tre janë pushues te vila e Kristit dhe Kristi ju kishte „shitur mend“ se komshiu im është shkrimtar dhe ka bere shume libra disa nga te cilat ua kishte treguar atyre. Ata shprehin deshiren të më vizitojnë dhe unë i pres me shumë shumë kenaqesi duke i perjetesuar edhe në këtë foto perballë bibliotekes time modeste në studjon e punes.

Qerim Kurmeka ka mbi dy dekada që jeton në Zvicerr. Kishte 6 vjet pa ardhur në at‘dhe dhe disa ditë i kaloi në plazhin e Shengjinit në zonen Rana e Hedhur e të gjithe mbresat e tij sikur don t‘i shpreh vetem me nje fjalë:

-Fantazi !!

Në këtë zonë bien në sy edhe vilat e Margjoneve, nga familjet me te vjetra të Mal-Shengjinit te zbritur ketu shekuj më parë nga Razma e Shkodres. Në foton që shihni më lart është njera prej tyre, ajo e Shtjefen Margjonit (Qepës), dhe shegat në oborrin e tij, shegat qe jane pema karakteristike e kesaj zone.

Profesor Pashko Sinani dhe familja e tij kanë mbi 25 vjet që jetojnë në Milano të Italisë. Pashku thotë se sa herë vjen me pushime në Durres ku ka dhe shtëpinë e tij në Sukth, po nuk kalova një ditë ketej nga Shengjini nuk e zë që isha me pushime.

Në foto: Pashku me djalin e madh Gertin para hotelit Princ në Rana e Hedhur.

Studentja Anisa Alija bashk me prinderit Gëzimin e Mirelen kanë ardhur nga Shtoi i Shkodres per një drekë, një shetitje e pak plazh në Rana e Hedhur.

Një lajm i mirë per të gjithe ata që i kane makinat me merak: -sivjet, pra kete verë deri te Rana e Hedhur ka shkuar asfalti ndaj nisuni pa ndonjë siklet!

Ini të lutur të mos befasoheni. Krejt papritur edhe sot mbas rreth tre dekada tranzicion bash ketu në zonen turistike mund të gjendeni perballe kesaj parulle të asaj kohe kur këtu mund të kalonin vetem zogjtë e malit fluturim…(Ndoshta akoma u dashka ndonjë e tillë, thjeshtë si relike e të shkuarës pa kthim!)

Ky është doktor Kolë Mëhill Berisha, i zbritur ne breg-deti nga Merturi i Gurit i Pukes, (ose Dr Berisha i Shengjnit). Eshtë plot 104 vjeçarë. Kur të gjithe mileti marrin rrugen e detit Ai merr kazmen dhe ngjitet në mal ku nxjerr bime medicinale. Them se, seshpejti me dr Berishen (e Shengjinit) do të bejmë një bisedë të veçantë per lexuesit tanë të nderuar.

Zjarri ne oxhak e saça mbi prush, ia japin ketij reportazhi mbiemrin: -gjysem-vjeshtorë!

Shumë kosovarë kanë blerë shtepia në Shëngjin. Hykja, (në foto majtas) nusja e avokatit Gani Rexha i Prekazit por me pune e banim ne Mitrovicë shpesh çdo jave por te pakten çdo muaj i kalojne 2-3 dite ne Shengjin. „Aq sa na pelqen plazhi në vere, aq na pelqen edhe edhe në muajt e tjerë të vitit shetitja neper bjeshkë në Malin e Shengjnit e të Rrencit“, -thonë ata.

Në foto: Hykja me nenen e saj Aishen (djathtas) dhe bashkshortja ime Sabrieja.

Iku vera e sivjetshme por deti e qyteti me banoret e tyre janë ketu. Puna dhe jeta vazhdon. Që të jemi më mire që të ecim më perpara. Në qender në Lezhë, gjatë tërë ditës të njejten melodi do degjoni, aty në cep të urës së Drinit:

-Hajde Shengjini!

Eshtë thirrja e shofereve të fugoneve të Shengjinit per pasagjeret e kesaj linje, thirrja që u bë sot edhe titull i ketij foto-reportazhi per ju lexues te dashur të Internetit të kudo-ndodhur.

Filed Under: Reportazh Tagged With: HAJDE SHENGJINI…!, Zeqir lushaj

Vjosë, lum e llum!

October 9, 2017 by dgreca

5-Ilir-levonja-2-288x300-1

Nga Ilir Levonja/Florida/4 Vjosa 2

Ajo që të bën përshtypje në këtë rastin e Këlcyrës, ku një shoqëri e tërë dënon masakrën mjedisore mbi lumin Vjosa, por edhe një tërësi webesh etj., është heshtja opozitare. Thuajse gjithë ato webe që janë në urdhrat e opozitës, merren me çështje tekanjoze, gërr-vërret e tyre. Dhe atë zhurmën karakteristike të langojve që vetëm lehin, se, për të kafshuar as që dinë ta bëjnë. Kurse për ato qeveritare…, nuk habitem, pasi dihet, tek ne, jep ca lek dhe i ke rrugët e hapura. Kjo kulturë e mbrapshtë na është ngjizur keq, aq sa sot na ka verbuar jo vetëm sytë por edhe mendjen.

3 vjosa1Përshembull Monika Kryemadhi ka hallin se përse kanë hequr nga dogana një këngëtar. Sipas saj një vlerë e shoqërisë sonë etj. Por çfarë të thuash. Nga t’ia gjesh fillin lëmshit shqiptar. Ekzistenca e emrave fiktiv në borderot e shtetit është një gangrene që po bluan jo vetëm Shqipërinë, por edhe ata që marrin ca rroga si dhuratë e pjesëmarrjes në komisione votimesh. Dhe kjo që një artist të paguhet fiktivisht, diku, kur dihet që fronti real i tij janë lokalet e natës, dasmat e shfrenuara shqiptare, është krejt demode. Eshtë ai çibanizëm a shushunjizëm alla shqiptar që përfshihet në atë informalitetin e dëmdemokracisë sonë, pikërisht prej militantëve. Ndaj ishin të trishtueshme fjalët e asaj vajzës nga Burreli, së cilës iu deshën dy vjet për të gjetur një vend pune në dikasteret e Shqipërsië, edhe pse kishte kryer shtatë vite studime në një nga universitet më të mira të europës. Por në Shqipërinë tone, tesera e militantit ta bën në kokë ty edhe diplomës tënde. Jemi në kohën kur e ha robi, robin. Pra Mona ka hallin pse po u fshihen emrat nga borderotë militantëve, jo shkatërrimin mjedisor.

Kurse për PD-ën as që bëhet fjalë. Kushedi i detyrohet ndonjë fond Harri Lenës. Eshtë e vendosur në gërrvërret e veta, në denoncimet e një veterani si Sali Berisha. Asnjëherë nuk është parë një PD e ndarë, e rënë, e copëtuar…, pa frymë masash, pa identitet si sot. Dhe ajo që është më e trishtueshmja, pretendimi i rikthimeve, pa e kuptuar asnjëherë se kohët kanë përfaqësuesit e tyre, vine dhe duhet te ikin, i nxjerrin ata dhe u japin mundësinë për të dëshmuar…, atë që janë liderë apo legena. Në rastin konkret, është e hidhur, por e vërtetë, ky i sotshmi i përket legenizmit.
PD-ja sot vazhdon me denoncimin. Dhe krejt absurdisht me ca platforma bllokimish folotoresh, pikërisht në momentet më të domosdoshme të një debati për hapjen, sheshim, bashkimin etj. Nuk ka tradhtarë brenda një force politike, sa kohë ata kanë dale prej saj. Por ka uzurpatorë dhe manipulues, e ky është regres.
Por e gjitha kjo heshtje e florinjtë e ka një shpjegim, atë që në pushtet Edi Ramën, e solli pikërisht retorika vulgare e Ilir Metës. Dhe ajo PD-ja me ngjyra të kuqe, ajo republika e re e Lul Bashës. Dështimet e marrëveshjeve midis njëri-tjetrit, jo marrëveshjet për Shqipërinë. Kjo është e gjitha.
Por jemi te Këlcyra. Gryka e bukur, me ato rrape e ujra…, është fatkeqësi që u përket shqiptarëve. Rracës që nuk do ta kuptojë se poshtërsitë më të mëdha vendit tonë, ia kemi bërë ne dhe jo greku e serbi. Kjo ndodh pikërisht për shkak të asaj kulture të mbrapshtë që jep një dorë lek dhe gjithçka mundet.
Eshtë gjëja më e mirë kur një shtyp, një shoqëri civile reagon fort… Nuk ka gjë më elegante. Epoka e besnikerisë së përjetshme karshi politikës, bizneseve të saj duhet të marri fund. Epoka e heshtjes. Janë një sërë biznesmenësh, përfshi politikanë, etj., që mëkatet e tyre i mbulojnë me forcën e lekut. Jo vetëm mëkatet, por edhe krimet njerëzore. Siç ishte rasti i një deputeti të përfshirë në një aksident rrugor, ku humbi jetën një njeri. Aksidenti është një fatkqësi. Dhe uroj kush mos ta ketë për pjesë. Mund t’i ndodhi gjithkujt. Por ka ca rregulla ama, ca ligje. Ka edhe kod moral. Të ikësh nga vendi i ngjarjes, e ta mbulosh gjithçka me para, bën dy here krim. E krim më të madh akoma bën një drejtësi e tërë, nje qeveri, nje shtet. Por krimin më monstruoz e bën një shoqëri që hesht dhe që fal. I fal kur gruaja e njërit apo tjetrit, vret në rrugë, paguan ca lek dhe aq. I fal kur gjykatat lirojnë nga burgu si djemë të mire lagjeje ca njerëz që i kanë bërë vendit dëme në miliarda. Çfarë të presësh prej këtij soji burrash më? Reforma, zbatim të ligjit, demokraci?!. As mos e çoni nëpër mend. Këta janë vetëm për bythën e tyre, jo për Shqipërinë. Ndaj mos heshtni!

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, lum e llum!, Vjosë

ÇAJ MALI, NË VEND TË KANABISIT

October 9, 2017 by dgreca

 1 ok Çaj

 -Një përvojë nga Sinica e Devollit-/

1 Sinice

            Nga Fuat Memelli-Boston/

Në këtë shkrim, nuk e kam fjalën për zëvndësimin e pirjes së çajit me atë të kanabisit. Gjetkë dua të dal. E kam fjalën për mbjelljen e çajit nga fshatari Ferit Hysolli e famija e tij, në fshatin Sinicë të Devollit. Njeriu punëtor që është mësuar të rojë me djersën e ballit e në mënyrë të ligjëshme, e gjen rrugën.. Kështu e gjeti para dy vjetësh Feriti dhe bashkëshortja e tij, Liria, të ndihmuar edhe  nga djali i tyre, Klodjan Hysolli. Ata nuk u morën si shumë fshatarë shqiptarë  me kultivimin e kanabisit, por me atë të çajit, pasi deshën ta bëjnë gjumin të qetë. Një pjesë e mirë e tokave në Sinicë, për vështirësitë e terenit, për largimin e disa familjeve, për çmimin e lartë të karburantit, mbetën pa u punuar. Atëhere kjo familje gjeti një rrugë tjetër: atë të kultivimit të çajit. 2 sinice cajNjë farë përvoje për kultivimin e kësaj bime në këtë zonë ekzistonte, pasi me nismën e specilistit të shquar, Kiço Çeku, kooperativa kishte mbjellë çaj për disa vjet në fshatin Dardhë, në toka të dobëta, të cilat sipas specialistit të mësipërm, janë të mira për çajin. Sigurisht tani në kushtet e reja të bujqësisë së privatizuar , këtë punë do ta bënin vetë dhe të ardhurat do t’i mernin po ata. Djali i tyre i cili jeton në Korçë, u lidh me një biznesmen grek. 2 siniceQë andej mori farën dhe këshillat e nevojëshme për kultivim. Për sigurimin e fidanave, farat  i mbollën në  farishte  në filim të pranverës.. Pasi u rritën , në muajin maj i mbollën në tokat e tyre në vendin e quajtur Selisht që ndodhet në një lartësi prej rreth 1300 metra mbi nivelin e detit. Mbjelljen e  bënë në rreshta të drejtë, në largësi 80 cm rreshti nga rreshti dhe 40 cm bima nga bima. Qëllimi ishte që bimët, jo vetëm të kishin hapësirën e nevojëshme por edhe të kultivoheshin. Nuk u përdor asnjë lloj plehu, me qëllim që bimet të ishin te pastra nga kimikate. Korja ishte një punë e madhe pasi korja do bëhej me dorë. Për këtë patën ndihmë nga njerzit e afërt. Tharja, e cila duhet bërë në hije, u krye në plevicë, por jo në kushte aq të mira. Për këtë arsye një pjesë e tij , duke qënë  e ngjeshur, nuk u tha mirë, u dëmtua dhe nuk ia pranuan.

U kënaqën me prodhimin e vitit të parë, por jo sa duhet. Në pranverën e këtij viti ndërtuan një hangar për tharjen e tij, me ndarëse dhe rjeta teli. I shërbyen bimëve me frezime. Feriti, si ish traktorist me përvojë, përshtati një frezë dhe frezioi gjithë sipërfaqen. Bimët, të cilat ishin në vitin e dytë, dhanë një prodhim edhe më të madh. Korjen e bënë nga fundi i qershorit e fillimi i korrikut. Si një specialist i mire, Feriti na tregon  se korjen e filluan në përputhje me teknologjinë, kur kishin çelur rreth 70 për qind e luleve. Për të përballuar mbledhjen (korjen) e çajit, morën 15 punëtorë më pagesë nga Mirasi, duke e përfunduar atë brenda 10 ditëve.Gjatë korjes bëhëj edhe pastrami nga barna të ndryshme si dhe nga dheu që mund të kishin bimët. Tharja sivjet u bë në hangar dhe cilësia ishte mjaft e mirë.  Biznesmeni grek u kënaq. Edhe fitimi sivjet ishte më i madh, pasi u prodhuan 3 ton çaj i thatë, i cili u shit me 6000 lek ( të vjetra) kg.

Shëmbull i Feritit për  kultivimin e çajit, u ndoq sivjet nga agronomi korçar, Vaskë Thimjo, që është dhëndër në Sinicë. Në tokat e njerëzve të tij të afërt, mbolli 20 dynymë çaj. Një shëmbull tjetër në Sinicë , është ai i Myzafer Memellit, për kultivimin e shafranit. Me ndihmën e djalit të tij, i cili jetonte në Itali, siguroi farën e nëvojëshme. Gjithashtu nga strukturat e Ministrisë së Bujqësisë, siguroi edhe dokumentacionin përkatës për importin e farave si dhe për tregëtimin në Itali. Ja , ky është modeli që na jep Sinica: të ardhura me punë të nderëshme! Përvoja e Sinicës për mbjelljen e çajit , shafranit si dhe e fermerëve të tjerë në Shqipëri që kultivojnë bimë medicinale që sjellin mjaft të ardhura, duhet përhapur e mbështetur nga qeveria shqiptare dhe dhe vartësja e saj, Ministria e Bujqësisë. Kjo mbshtetje duhet të fillojë pa vonesë, duke nisur qysh nga fillimi i vitit që vjen. Kjo rrugë si dhe të tjera dobiprurëse e të ligjëshme, do bëjnë që jo vetëm me policë, por edhe me modele të tilla, etj, si dhe me mbështetje nëpërmjet projektesh, do t’i pritet rruga kanabisit në Shqipëri. Për këtë ndoshta nuk mjafton vetëm mbështetja nga qeveria shqiptare, por t’i kërkohen fonde edhe BE-së, e cila e njeh mirë problemin e kanabizimit të Shqipërisë dhe besoj se do ta zgjidhë ca qesen, të cilën deri tani e ka patur të shtërnguar.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: ÇAJ MALI, Fuat Memelli, NË VEND TË KANABISIT

VATRA NE WORCESTER PROMOVOI “FAIK KONICA- DRITËHIJET E NJË DIPLOMATI”

October 8, 2017 by dgreca

PROMOVIMI I LIBRIT “FAIK KONICA DRITËHIJET E NJË DIPLOMATI” TË STUDIUESIT AGRON ALIBALI/1 agroni

-Kronikë nga Thanas GJIKA/*4 salle

Në NUOVO RESTORANT, Worcester MA më 23 shtator gjatë drekës u organizua prej degës së shoqërisë Vatra promovimi i librit “Faik Konica dritëhijet e një diplomati” ARGETA LMG, Tiranë 2016, shkruar prej Agron Alibalit. Ishin të ftuar nderi: autori i librit, prof. Nikolla Pano (folës kryesor), z. Van Christo Konsull Nderi i R.SH. në Massachusets dhe zonja Kostandina Lukes këshilltare e Bashkisë së qytetit.

2 agron Salli

Mbas ngrënies së drekës, z. Frank Zdruli, një nga organizatorët, e hapi takimin duke prezantuar me emra shumë prej pjesëmarrësve. Më tej e mori fjalën z. John Lito, kryetar i degës së “Vatrës”. Ky pasi përshëndeti pjesëmarrësit dhe falenderoi pronarët e restorantit, zotin dhe zonjën Gjoçaj, për bujarinë e tyre dhe gatimet e shijshme; tha se krijimi i degës së shoqërisë “Vatra” në Worcester MA gjatë vitit 2016 ishte një shprehje e mirënjohjes ndaj asaj që ka bërë e bën kjo shoqëri atdhetare për mëse 100 vjet ndaj popullit shqiptar kudo ku ky jeton. Dega jonë ka gati 30 anëtarë, por shpresojmë të shtohemi, sepse gjithnjë e më shumë shqiptaro-ameriaknët po e kuptojnë se sa më i organizuar të jetë një komunitet, aq më i vlefshëm është për diasporën dhe atdheun. Një nga detyrat tona si degë është të vlerësojmë personalitetet e shquar që e kanë drejtuar “Vatrën” dhe komunitetin shqiptar në SHBA. Pikërisht këtë synon edhe takimi i sotëm duke bërë të njohur e duke i vlerësuar materialet e shumta që ka mbledhur dhe interpretuar z. Alibali në librin e tij kushtuar veprimtarisë diplomatrike të Faik Konicës. 3 salle 3

Nga ana ime mund të them se përfitova mjaft nga leximi i këtij libri duke mësuar fakte të rinj lidhur me jetën dhe veprimtarinë e Konicës, Fan Nolit, Kristo Kirkës, Kostandin Çekrezit, etj.Në të ardhmen mendojmë të organizojmë dhe takime të tjera për të vlerësuar krijimtarinë e shkrimtarëve të shquar Visar Zhiti, Pëllumb Kulla, Gazmend Kapllani, etj, që jetojnë në SHBA, si dhe punën studimore të prof. Robert Elsie-t, albanolog i shquar kanadez, që jeton e punon në Gjermani. (Për fat të keq prof. Elsie vdiq disa ditë mbas kësaj ceremonie, më 2 tetor)

Prof. Nikolla Pano, studiues i njohur i historisë sonë kombëtare dhe pedagog në disa Universitete të SHBA-ve lexoi anglisht një material pesë faqesh, të cilin e quajti variant të papërfunduar për botim. Ai dha vlerësime për jetën e Faik Konicës dhe librin e z. Alibali. Ai tha se e kishte pëlqyer studimin e ri, prandaj mori rrugën e gjatë për të erdhur këtu nga Çikagoja e largët.Ky studim i ri, vijoi prof. Pano, nuk është një biografi, por sjell fakte nga jeta e Konicës si diplomat dhe i vlerëson. Faiku ishte diplomati i parë zyrtar midis Shqipërisë dhe SHBA-ve. Ai ishte një personalitet kompleks. Libri që kemi sot ka sjellë shumë informacion nga jeta e kolonisë shqiptare në Amerikë në vitet 1909 – 1942 kur veproi Konica këtu.

Ky studim nxjerr në dukje shumë vlera të panjohura të Faik Konicës si njeri, si diplomat e atdhetar, por njëheresh ai tregon dhe anët e dobëta të tij, ato që autori i quan hije. Aty njihemi dhe me shumë ngjarje konkrete që ngjallin interes për lexuesit në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane të viteve 1926-1942.

Interesante është se këtu sillen fakte të cilat nga një anë dëshmojnë modestinë e Faikut, por nga ana tjetër dhe mendjemadhësinë e tij. Për shembull, Faiku u tregua modest kur u pyet prej një botuesi anglez i Fjalorit Biografik për ta futur emrin e tij midis diplomatëve të shquar. Ai iu përgjigje se në atë fjalor nuk duhej futur ai, por vëllai i tij, Mehmet Konica, diplomat kariere që në kohën e Perandorisë Osmane, kur ishte 19-vjeçar. Mirëpo më tej ky intelektual modest i tha për veten e tij se mund ta them pa e tepruar që unë jam themeluesi i lëvizjes shqiptare ashtu sikurse dhe autori më i mirënjohur në gjuhën shqipe, por kjo nuk ka të bëjë me diplomacinë. Pra një formulim i tillë për vendin dhe rolin e tij në lëvizjen kombëtare shqiptare, konkludoi Pano, nuk ka si të mos na krijojë idenë se Faik Konica ishte në të njëjtën kohë dhe mendjemadh, njeri që e mbivlerësonte rolin e vet.

Ky vit, viti 2017 është vit përkujtimor, sepse 75 vjet më parë ndodhi vdekja e Faik Konicës (15 dhjetor 1942).

Faik Konica dhe Fan Noli ishin dy drejtuesit kryesorë, dy personalitetet më aktivë dhe më me influencë midis shqiptarëve të Amerikës, të cilët bashkëpunuan ngushtë me njëri tjetrin për një kohë të gjatë si intelektualë të kulturës letërsisë dhe politikës së kësaj kolonie. Ata e ndërtuan veprimtarinë atdhetare duke krijuar tre institucione themelore: 1. Kisha Orthodokse Shqiptare, ku Noli dha ndihmesën kryesore duke u shuguruar prift e duke përkthyer librat e liturgjisë. Faiku, ndonëse me origjinë myslimane ndihmoi dhe ai në mëkëmbjen e këtij institucioni. 2. Gazeta “Dielli”, të cilën së pari e drejtoi Noli e pastaj Konica e më tej dhe gazetarë të tjerë të talentuar, të cilët me shkrimet e tyre e kthyen atë në një tribunë ku u rrahën problemet e lëvizjes kombëtare shqiptare. 3. Shoqëria “Vatra” të cilën e krijuan të dy bashkë me disa shokë, e cila luajti rol të madh sidomos gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore e më vonë e vijon të jetë ende një qendër e rëndësishme kulturore e patriotike, që po merr zgjerim në ditët tona si mori këtu në Worcester me krijimin e degës së re.

Mirëpo pas dështimit të Revolucionit të Qershorit 1924, Konica i drejtoi Nolit një varg kritikash lidhur me gabimet që ky bëri gjatë qëndrimit në pushtet si kryeministër i qeverisë. Më tej Konica vijoi ta kritikonte Nolin për përqafimin e ideve komuniste në vitet 1926-1932. Madje ai jo vetëm e kritikoi, por dhe si diplomat i Shqipërisë në SHB kërkoi që qeveria amerikane të mos e lejonte Nolin të kthehej në Amerikë, si element me bindje komuniste. Këto Alibali e quan ndër dobësitë dhe hijet më të errëta të Konicës, që unë i jap të drejtë.

Duke qenë Noli e Konica dy personalitetet më të rëndësishëm të komunitetit, bashkëpunimi dhe grindjet midis tyre nuk kalonin pa pasoja midis shqiptaro-amerikanëve të asaj kohe. Grindjet e tyre sollën përçarjen e anëtarëve të shoqërisë “Vatra”. Përkrahësit e Nolit krijuan një degë të re të kësaj shoqërie me qendër në Detroit MI, kurse përkrahësit e Konicës mbajtën shoqërinë e vjetër që ishte krijuar në Boston.

Më tej referuesi theksoi: “Unë nuk kam asnjë ngurrim që të shpreh se ky libër padiskutim është një punim tërësor i mbështetur në studimin e dokumentacionit të punës dhe karrjerës diplomatike të Faik Konicës dhe misionit të tij në Uashington. Unë e përgëzoj autorin për punën këmbëngulse duke u futur në arkivat shqiptare, si dhe të fundit të gjetura përmes Ministrisë së Punëve të Jashtëme të Italisë. Rezultatet vlejnë për përpjekjet e bëra. Këto materiale sigurojnë edhe informacione ndihmese përtej njohjes së deritanishme apo që janë përdorur rreth jetës dhe karrjerës së Faik Konicës. Në zbulimet e reja më të fundit autori ka qënë në gjendje të përmbledhë fushën e veprimtarisë së Konicës. Një gjë që mua mu duk interesante dhe që edhe juve mund ta gjeni të tillë kur ta lexoni librin ku janë tregime, letra të shkruara dhe korrespondenca, përmbledhje të ndryshme nga shqiptarë dhe të huaj që e pyesnin dhe donin qendrime mbi çështjet si femrën shqiptare, gjuhën, kulturën, turizmin pra ca pyetje si ato që edhe z. Van Kristo përballet nganjëherë nduke qenë në rolin e tij si konsull nderi i shqiptarëve në Boston”…

Në këtë pikë unë desha t’ju tregoj diçka që Faik Konica Dëmtoi me shërbimin e tij si konsull ku ju kundërvu rikthimit të Fan S. Nolit nga azili në Europë deri më 1932”.

Më tej prof. Pano tregoi se pas ardhjes së Nolit në SHBA të dy atdhetarët bashkëpunuan për të mirën e Shqipërisë, sidomos pas pushtimit të atdheut prej Italisë Fashiste. Kjo ngjarje solli bashkimin e gjithë emigrantëve ashtu si gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore.

Zotin Alibali e përgëzoj edhe për kërkimin këmbëngulës dhe gjetjen e 276 librave të bibliotekës së Faik Konicës të cilat i shpuri në Bibliotekën Kombëtare Tiranë, punë e cila përbën kapituj më vete në këtë studim.

– Nuk më mbetet tjetër veçse t’ju këshilloj ta blini e lexoni këtë libër dhe autorit t’i uroj suksese të metejshme.

Më tej e mori fjalën autori i librit, z. Agron Alibali, i cili pasi falenderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit, tregoi si i lindi ideja e kërkimit të librave të bibliotekës së Faik Konicës dhe e studimit mbi veprimtarinë e tij diplomatike. Ai tregoi se ideja i lindi gjatë kohës kur ndiqte studimet në Universitetin Harvard ku u njoh me dosjen e ish studentit Faik Konica, që ishte regjistruar si shqiptari katolik. Lexova pastaj dhe dosjet e ish studentëve të tjerë shqiptarë të kësaj shkolle, si Fan Noli, Kostë Çekrezi, Koço Tashko, Hamdi Sulçebe, etj. Më vonë u njoha me dëshirën gojore të Konicës, sipas së cilës librat e tij duhej t’i dërgoheshin Bibliotekës së Shqipërisë, dëshirë që u ishte thënë miqve të tij si Vasil Pani.

Gjatë kërkimeve hap pas hapi, ky studiues mundi që nga 3000 (tre mijë) librat e paketuar në 32 arka prej të dërguarve të Vasil Panit në Vashington DC mezi gjeti katër. Pastaj djali i atdhetarit Antony Athanasi, z. Pol Athanas, e njoftoi se në një nga ambjetet e familjes Athanas ruheshin dhe 272 copë të tjera, të cilat mund t’i merrte. Kjo pasuri u shpu vitin e kaluar në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës, sipas vullnetit të Konicës.

Ndjekja e punës diplomatike nëpër arkivat e Ministrisë së Jashtme të Italisë dhe të SHB-ve e ndihmoi studiuesin të gjente një korrespondencë të pasur të Ministrit shqiptar Faik Konica me Ministrinë e Jashtme të shtetit shqiptar dhe me Departamentin e Shtetit amerikan. Kjo korrespondencë, vuri ai në dukje, nuk gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit të R. SH., por qenden vetëm në Arkivin e Ministrisë së Jashtme Italiane dhe asaj amerikane. Pasuria e kësaj korrespondence është e madhe. Aty del qartë madhështia e punës së këtij diplomati përmes ndihmës që ai u dha shtetit shqiptar dhe shumë shqiptaro-amerikanëve. Mirëpo, shtoi Alibali, këtu dëshmohen dhe gabimet e hijet e tij si diplomat e politikan, mbasi ai luftoi disa veprimtarë të shquar si Fan Nolin, Kristo Kirkën, etj.

Në mbyllje, z. Alibali tha se ishte i interesuar të dëgjonte dhe sugjerime e vërejtje, sepse synonte që të bënte një ribotim të librit.

Fjalën e mori z. Frank Zdruli, i cili e përgëzoi autorin për zbulimin e shumë fakteve të reja lidhur me jetën jo vetëm të Konicës e Nolit, por edhe të veprimtarëve të tjerë si Kostë Çekrezi, Vasil Pani, Kristo Kirka, të Mbretit Ahmet Zogu, etj. Lidhur me Kostë Çekrezin ai shtoi se duhej vlerësuar më shumë krijimi prej tij i shoqërisë “Shqipëria e Lirë” e cila u krijua në vitin 1942 dhe synonte të krijonte një qeveri shqiptare në emigracion, të cilën pranoi ta njihte Departamenti i Shtetit. Kjo qeveri duhej dërguar në Shqipëri në mënyrë që t’i priste rrugën krijimit të ndonjë qeverie tjetër ose kthimit të Mbretit Zog. Mirëpo me këtë ide nuk ranë dakord Konica dhe Noli të cilët shprehën mendimin se në fund të Luftës në Shqipëri do të ishte më legjitime të kthehej Mbreti i dëbuar dhe pastaj populli të vendoste me votën e tij llojin e regjimit…

– Unë mendoj se mospramini i mendimit të Kostë Cekrezit, ishte një gabim i Konicës dhe Nolit, sepse ajo qeveri e mbështetur prej qeverisë amerikane do t’i kishte mbyllur rrugën ardhjes së forcave komuniste në pushtet, than në mbyllje folësi.

Më tej e mori fjalën, prof. Thanas L. Gjika, i cili pasi e përgëzoi autorin për punën disavjeçare nëpër arkivat ameriakne e italiane, mbështeti mendimin e autorit për nevojën e përgatitjes së një botimi të ri të studimit më të përmbledhur, të shkarkuar nga disa  kuriozitetet me pak vlerë. Meqenëse autori shprehu dëshirën për sugjerime e vërejtje unë, tha folësi po ndalem vetëm në disa sugjerime e vërejtje. Një prej tyrë është nevoja për të cituar jo vetëm arritjet e prof. Jup Kastratit e Nasho Jorgaqit, por dhe ato të studiuesve të tjerë seriozë si Ilir Ikonomi, Fotaq Andrea, Beqir Meta, etj që kanë sjellë kontribut të shquar në studimet e jetës e veprës së Faik Konicës dhe të shoqërisë Vatra. Për variantin e ri duhet të shfrytëzohen edhe shumë shkrime të Konicës botuar në gazetat “Dielli”, “Shqiptari i Amerikës”, etj.

“Zoti Alibali, ashtu si unë dhe studiues të tjerë, vijoi Gjika, ishim edukuar gjatë rinisë sonë, që ta vlerësonim kalimin e Fan Nolit në vitet 1926-1927 nga pozitat e një demokrati në pozitat e një prokomunisti, si një ecje përpara, si një meritë botëkuptimore të tij. Kurse qëndrimin antikomunist të Faik Konicës dhe të demokratëve e nacionalistëve, ta dënonim e kritikonim si qëndrim jopërparimtar. Mirëpo krimet e shumta që kryen diktaturat komuniste dhe dështimi i komunizmit në plan botëror si ideologji dhe si sistem shoqëror, na tregoi se të tilla vlerësime ishin të gabuar dhe se ne duhet të çlirohemi nga politizimi dhe t’i vlerësojmë veprimtarët e historisë sonë me objektivitet dhe nën dritë të re. Pra ne, dmth dhe z. Alibali, nuk duhet ta kritikojmë Konicën për qëndrimin e tij konsekuent antikomunist, për kritikat që ai i bëri Nolit si prokomunist dhe as për letrat që ai i dërgonte si Ministër i Shqipërisë Departamentit të Shtetit dhe Ministrisë së Jashtme të SHBA-ve për të penguar ardhjen në Amerikë të Nolit prokomunist.

Kur Noli shpalli se nuk do të merrej më me politikë (1932-1933), Konica kërkoi lejimin e tij në SHBA dhe rifilloi bashkëpunimin me të për çështjen kombëtare, bashkëpunim që vijoi deri në vdekjen e Konicës. Pra Konica nuk gaboi dhe nuk luajti rol përçarës, por i qëndroi besnik botëkuptimit të tij antikomunist. 

Ndërkohë Faik Konica, i cili gjatë Rilindjes Kombëtare mbajti një qëndrim proasustriak dhe në vitet 1919-1942 mbajti qëndrim proamerikan, përkrahu politikën e këtyre vendeve, i informoi ato për gjendjen e lëvizjes kombëtare shqiptare, etj, nuk duhet quajtur “agjent” e “spiun” sepse këto fjalë në gjuhën shqipe kanë marrë një përmbajtje pejorative, fyese, kurse kjo marrëdhënie me këto dy fuqi proshqiptare nuk ka pasur asnjë përmbajtje spiunimi antishqiptare”.

Puna për kërkimin e librave të bibliotekës së Faik Konicës ka rëndësinë e vet dhe autori bëri mirë që u përpoq të gjente sa mundi, por më i rëndësishëm është kërkimi edhe i dorëshkrimeve të këtij autori, që kanë mbetur pa u botuar e që urojmë të mos kenë humbur. Midis këtyre veprave dëshmohen në gazetën Dielli katër: 1.Komedia “Mustaqet”, që ishte luajtur në skenë nga grupi tetral i qytetit Malburough MA., 2. Një përmbledhje me skica e tregime me titull “Kondili i kuq”, 3. Një novelë me titull “Tryeza e fshirë – një përrallë sociale dhe filozofike” dhe 4. “Themelet e gjuhës shqipe” një studim sintezë për gjuhën shqipe. Persnalitete si Noli dhe Qerim Panariti që hapën arkat me libra dhe dorëshkrime të Faik Konicës, zgjodhën dhe botuan vetëm një nga dorëshkrimet, dorëshkrimin anglisht të veprës “Shqipëria kopësht shkëmbor i Europës Jug-Lindore”. Ata kanë përgjegjësinë që veprat e tjera në dorëshkrim nuk i botuan të paktën në gazetën Dielli si nënfletë leteare. Të tjerët më vonë ose i nënvleftësuan e i hodhën diku, ose dikush i mori me synim që t’i ruante, por sot nuk dihet ku janë.     

Më tej folësi tha se mosndodhja e letërkëmbimit të Konicës me qeverinë Shqiptare e atë amerikane në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë  e ka burrimin tek krimi i madh që kreu Enver Hoxha në dhjetor 1944 – janar 1945 kur sapo mori pushtetin, u dha të dërguarve të Beogradit gjithë arkivin e jashtëm të shtetit shqiptar të viteve 1922 – 1944. Eshtë rasti që kjo tradhëti kombëtare të vihet në dukje në një libër të tillë, mbasi ky krim jo vetëm varfëroi dokumentacionin e shtetit tonë, por, si ka treguar studiuesi Kastriot Dervishi, ndihmoi zbulimin jugosllav për të gjetur shumë emra patriotësh shqiptarë që vepronin në Jugosllavinë e vjetër kundër politikës antishqiptare. Këto të dhëna shpunë në eleminimin fizik të 50.000 (pesëdhjetë mijë) patriotëve shqiptarë në Jugasllavinë e Titos brenda viteve 1945-1948.

Së fundi, Gjika shtoi se studiuesi Alibali para se ta dërgojë për shtyp variantin e ri, është mirë t’ua japë dy specialistëve të cilët duhet ta lexojnë e të japin me shkrim vlerësimet e tyre, të cilat duhen botuar brenda librit si parathënie, ose në kapakun e prapmë të librit.

Më tej e mori fjalën z. Sotir Pani, djali i Vasil Panit, mikut të Konicës dhe ish kryetar i Vatrës së Bostonit, i cili tha se humbja e librave të Faikut ka ndodhur gjatë qëndrimit në depot e kryekishës së Shën Gjergjit dhe gjatë transferimit të qendrës së shoqërisë Vatra nga Bostoni në New York, pra në vitet 1956 – 1992.

Zonja Neka Doko dhe z. Artur Vreka vijuan diskutimet, kurse Julia Gjika lexoi disa prej fjalëve të arta të Faik Konicës nxjerrë nga libri i studiuesit Fotaq Andrea “Faik Konica – Përlindësi modern Fletore Koniciane” ZENIT Tiranë 2016.Mbas këtij takimi profesor Pano i shoqëruar prej zotërinjve Zdruli dhe Steffon bëri një vizitë te Kisha Shqiptare “Fjetja e Shën Mërisë”, ku mysafiri shprehu kënaqësi për pikturat murale të piktorit të talentuar Dhimitër Çika, si dhe për pastërtinë e ambjenteve të godisë së pensionistëve “Illyrian Gardens”.

***

Shënim i Diellit: Autori i librit informoi redaksine se  në aktivitetet për promovimin e librit “Faik Konica – Dritëhijet e një Diplomati” të zhvilluara në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë në Tiranë u mbajtën recensione nga Prof. Dr. Aleks Luarasi dhe Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, të cilët e patën lexuar librin në bocet. Të dy profesorët e nderuar u shprehën pozitivisht për përmbajtjen dhe cilësinë e veprës, për risitë dhe kontributin që sjell, si dhe për trajtimin e aspekteve diplomatike, kushtetuese-juridike etj. të aktivitetit shumëplanësh të Faik Konicës në Shtetet e Bashkuara.  Lidhur me opinionet e z. Gjika për Fan  S.Nolin si kinse “prokomunist” sqarojmë se dokumente arkivore tregojnë se Peshkop Fan S. Noli ka qenë nën vëzhgim të gjatë dhe të vazhdueshëm të organeve të specializuara amerikane. Nga shqyrtimi i dokumentacionit përkatës del në pah se, në përfundim të këtij procesi të gjatë dhe të imtë, akuzat ndaj Nolit rezultuan të pabazuara. Fan S. Noli, përkundrazi, u trajtua deri në fund të jetës me respekt dhe nderim të veçantë.”
                                    ***
NJE REAGIM I THANAS GJIKES PAS SHTESES SE AUTORIT TE LIBRIT, AGRON ALIBALI
Z. Alibali, në diskutimin tim edhe unë vura në dukje arritjet e reja që sjell libri juaj, por që të mos përsërisja ato që thanë parafolësit u ndala të shpalos disa sugjerime dhe kritika për t’ju ndihuar për një botim të ri. Këto sugjerime e kritika ju i pranuat gjatë promovimit dhe nuk reaguar në sallë, përkundrazi më falenderuat. Tani në gazetë përmes një informimi, e hidhni poshtë opinionin tim ndaj botëkuptimit të Fan Nolit prokomunist në vitet 1925-1932 dhe e quani “kinse prokomunist”.
Po pse nuk e pranoni ju faktin që Noli ka qenë gjatë dy periudhave, në vitet 1925-1932 dhe 1944-1957 një prokomunist?
Për periudhën e parë e luftoi Faik Konica me të drejtë kurse ju e quani këtë një gabim, njëhije të  Faik Konicës diplomat. 
Po a nuk ishte Noli ai që më 1925 u lidh me Kominternin dhe dërgoi në Moskë shokët e tij Sejfulla Malëshova, Koco Tashko, Zai Fundo, etj për të studiuar e për t’u bërë komunistë dhe ata u bënë të tillë e punuan për komunizmin derisa i eleminoi Enver Hoxha?
A nuk ishte Noli ai që shkoi në Moskë në nëntor të vitit 1927 dhe mori pjesë në festimet e 10-vjetorit të Revolucionit të Tetorit dhe shkroi me entusiazëm për përparimet e qeverisë sovjetike? 
A nuk ishte Noli i viteve 1926-1927 ai që shkroi poezitë “Anes Lumenjve” dhe “Rent or Marathonomak” poezi revolucionare me ndikime idesh komuniste?
Për periudhën e dytë 1944-1957 mund t’i mohoni ju z. Alibali lidhjet e simpatitë e Nolit me qeverinë komuniste shqiptare dhe me diktatorin Enver Hoxha? 
Ju lutem z. Alibali të rilexoni me kujdes veprën biografike të prof. Nasho Jorgaqit për jetën e Nolit gjatë këtyre viteve.
Fan Noli për fat të mirë u largua nga idetë komuniste, herën e parë më 1932, gjë që e ndihmoi të hynte në SHBA dhe pastaj herën e dytë më 1957 kur e pa se Enver Hoxha po ia hante shokët e tij dhe po shtypte popullin si diktator i pamëshirshëm. Kjo tërheqja e dytë nga pozitat e një prokomunisti, bëri që të  mbylleshin hetimet e fshehta ndaj tij dhe të vdiste si një personalitet i nderuar.
Me respekt,
Thanas L. Gjika

Filed Under: Featured Tagged With: e diplomatit, FAIK KONICA- DRITËHIJET, promovoi, Thanas Gjika, Vatra ne Worcester

AKADEMI PERKUJTIMORE PER MITHAT FRASHERIN NE DAGLLASTON,NY

October 8, 2017 by dgreca

2 salle 1

Te Shtunen, me 7 Tetor 2017,dega e Federates Panshqiptare te Amerikes “Vatres” ne Queens, New York, organizoi ne Dagllaston takimin perkujtimor kushtuar Apostullit te Shqiptarizmes, Mithat Bej Frasheri. Ky ishte takimi I dyte perkujtimor ne kufijte kohore te nje jave, organizuar nga kjo dege e vatres, per te perkujtuar pervjetorin e vdekjes se Mithat Frasherit….

1 Murtezani okTakimi i pare u perkujtua me 3 tetor 2017, ne hotelin Lexinton, aty ku nderroi jete me 3 tetor 2017 Mithat Bej Brafheri.

1 Pashko ok Akri

Ne takimin e 7 tetorit 2017 te zhvilluar ne Dagllaston,mori pjese edhe sekretarja e Federates Panshqiptare te Amerikes zonja Nazo Veliu si dhe Shefi i Kabinetit te Kryetarit te Vatres zotit Dritan Mishto, dr. Pashko Camaj. Fillimisht ka pershendetur dhe ka mbajte fjalen e hapjes dr. Pashko Camaj qe foli ne emer te kryetarit z. Mishto per ta pershendetur kete perkujtimore. 1 Papa KristaqPastaj, drejtori i Shkolles shqipe ne Astoria,  z. Kristaq Papa informoi te pranishmit dhe foli per rendesine e shkolles shqipe ne komunitet dhe pastaj fjala i kaloi kryetarit te deges dr Skender Murtezani i cili theksoi dhe vleresoi figuren e Mithat Frasherit.1 Ok Murtezani flet
Takimi u karakterizua nga bashkebisedimi i te ardhureve te cilet kesaj radhe e kishin mbushur sallen, e cila ishte mbushur me portrete te Konices, Nolit dhe sigurisht qe edhe portreti i Mithat Frasherit. Organizatoret kishin marr masat per nje pritje te ngrohte duke vene ne dispozicion pije freskuese, kafe dhe embelsira te ndeyshme.

1 Pashko1

Filed Under: Featured Tagged With: Akademi Perkujtimore, NE DAGLLASTON, NY, PER MITHAT FRASHERIN

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT