• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2017

I pari duhet “arresuar” dhe korrigjuar ligji i keq

October 3, 2017 by dgreca

PSE PËR TË GARANTUAR SUKSES TË VETINGUT NË DEKLARATAT E AMBASADORIT TË SHBA , TË FMN DHE BANKËS BOTËRORE, PRONA DUHET SHTUAR SI PARAKUSHT PËR KRYEMINISTRIN EDI RAMA DHE KUPOLËN E POLITIKËS/

2 gzimii-c1200x600

Nga Prof. Dr. Gëzim Boçari/

Askush nuk kundërshton se kriminelët duhen dënuar dhe se shtetin  e bën ligji dhe i pari duhet “arresuar” dhe korrigjuar ligji i keq. “Prona private është garancia më e rëndësishme e lirisë.” – Friedrich A. Hayek, ekonomist dhe filozof i shquar dhe Fitues i Çmimit Nobel në Ekonomi…

Të drejtat e pronës janë “më themeloret e të drejtave të njeriut dhe një themel esencial për të gjitha të drejtat e tjera njerëzore.” – Milton Friedman, ekonomisti më me ndikim dhe Fitues i Çmimit Nobel në Ekonomi. “Programi i liberalizmit, nëse do të kondesohej në një fjalë të vetme, do të duhet të lexohej: prona, që do të thotë, pronësia private e mjeteve të prodhimit… Të gjitha kërkesat e tjera të liberalizmit rrjedhin nga kjo kërkesë themelore.” – Ludwig Von Mises, ekonomist dhe filozof i shquar që influencoi Hayek dhe Friedman.

  1. Për shkak se integrimi europian dhe aspiratat e njerëzimit janë rrënjosur fort në një angazhim të përbashkët ndaj vlerave universale të të drejtave të padhuneshme dhe të patjetërsueshme të njeriut, përfshi të drejtën për gëzimin dhe respektimin e pronës, të cilat kanë dëshmuar se janë themelore (rrënjësore/bazë) për të siguruar drejtësi, paqe, liri, sundim të ligjit dhe prosperitet, që janë gjithashtu vlera që shërbejnë si “shtylla e parë” për zgjerimin e Bashkimit Europian, realizohen vetëm nëse Kuvendi me ligj bën që të respektohet plotësisht e drejta e pronës në përputhje me detyrimet kushtetuese, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut dhe mbi disa koncepte ligjore të përcaktuara mirë në jurisprudencën e vendeve më demokratike.
  1. Shumë filozofë dhe ekonomistë të mëdhenj pranojnë se të drejtat e pronësisë kanë lindur nga konventat shoqërore, duke gjetur origjinën në moralin dhe ligjin natyror. John Locke, një nga filozofët që ka patur një ndikim të madh mbi demokracinë, në Traktatin e Dytë, pohon se shoqëria civile u krijua vetëm për mbrojtjen e pronës. Ai mbështetet për këtë në rrënjën etimologjike të fjalës pasuri, “property” në anglisht dhe që vjen nga latinishtja “proprius” që do të thotë ajo çka është e vetja, përfshi vetveten. Kështu, nga kjo, Locke thotë që “pronë” do të thotë “jetë, liri dhe pasuri”. Kjo do të thotë se kur i mohohet dikujt prona e tij, atij i mohohet jo vetëm pasuria (fizike) por edhe jeta e liria. Çdo individ, si minimum, “zotëron” veten e tij – ky është një konkluzion që vjen nga fakti që çdo individ është i lirë dhe i barabartë në gjendje të natyrshme. Rrjedhimisht, ti mohosh një individi pronën e tij do të thotë barasvlershmërisht ti mohosh punën që ka krijuar këtë pronë, do të thotë barasvlershmërisht ti mohosh vetveten e, për pasojë, do të thotë ta skllavërosh atë. Nga Inkasit tek “Politika” e Aristotelit, nga Tora e hebrejve, Bibla dhe Kurani tek Kanuni i Lekës, të gjitha këto krijuan ligjet, parimet dhe rregullat e para që mbronin pronën private, ato ishin një mbrojtje e përgjithshme dhe e hershme e pronës private, ndërkohë që ndalonin vjedhjen. E drejta për të poseduar dhe gëzuar pronën është pjesë themelore e të drejtave të njerëzve dhe së cilës i referohen si një zgjatim i të drejtave të njeriut. Në të vërtetë, të drejtat pronësore janë themelore për të gjitha të drejtat e tjera. Funksionimi i mbrojtjes nga ana e shtetit të të drejtave pronësore në një sistem të formalizuar të pronës, ku pronësia dhe transaksionet shënohen dhe regjistrohen në mënyrë të qartë dhe të pakontestueshme, bën të mundur një pavarësi më të madhe për individët për të mbrojtur pasuritë e tyre dhe siguron pronësi të qartë, të vërtetueshme dhe që mund të mbrohet; rrit investimet serioze dhe afatgjata, veçanërisht ato të huaja; rrit besimin që vjen nga një siguri më e madhe në dënimin e mashtrimeve në transaksionet ekonomike; lejon marrjen më lehtë të rrezikut të përbashkët dhe pronësisë në kompani; standardizim dhe transferueshmëri të deklaratave që dokumentojnë pronësinë e pronës që i hap rrugën strukturave të tilla si tregjet kombëtare për kompanitë si edhe transportim lehtësisht të pronës nëpërmjet rrjeteve komplekse të individëve dhe entiteteve të tjera; mbrojtje më të madhe të biodiversitetit për shkak të minimizimit të ndryshimeve të praktikave bujqësore. Të gjitha këto më sipër rrisin zhvillimin ekonomik.

Një pjesë e rëndësishme e mbrojtjes së të drejtave pronësore është edhe për shkak të trashëgimisë. Marrëdhënia midis pasurisë dhe edukimit të fëmijëve, shkollimit të njeriut, fqinjësisë dhe klasës sociale së cilës njeriu i përket, ka një korelacion të drejtpërdrejtë me trashëgiminë që i bën njerëzit që trashëgojnë pasuri, të kenë një jetë më të begatë dhe më të përmbushur. Shkalla në të cilën statusi ekonomik dhe trashëgimia transmetohet nëpër gjenerata luan një rol të rëndësishëm në shanset e individit në jetë. Përcaktimi dhe atribuimi në mënyrë të pakontenstueshme i të drejtave pronësore mund të ndihmojë po ashtu në zgjidhjen e problemeve mjedisore duke inkorporuar nga jashtë brenda vlerat, zakonet, motivet, etj. dhe duke u mbështetur në stimujt ndaj pronarëve privatë për të ruajtur burimet për të ardhmen. Forcimi i tregjeve dhe i të drejtave pronësore do të zvogëlojë probleme të tilla mjedisore dhe do të forcojë zhvillimin e qëndrueshëm.

Mosrespektimi i të drejtave pronësore ushqen pafund korrupsionin. Korrupsioni është një kërcënim vdekjeprurës për demokracinë, ai minon dhe e shkatërron besimin e njerëzve në institucionet politike dhe administratën shtetërore. Mosrespektimi i të drejtave të pronësisë krijon një rrezik real që demokracia të mos funksionojë, të kthehet në një maskaradë ose edhe thjesht të zhduket. Më shumë se 8.000 shqiptarë janë vrarë dhe më shumë se 5.000 familje janë ngujuar, deri më sot, për shkak të anarkisë me të drejtat e pronësisë që kanë shkaktuar dy fjalë mohuese, të maskuara në nenin 8 të ligjit 7501 dhe ligjet e derivuara prej tij pas vitit 1991. Këto problem ka shumë vjet që ngrihen në raportet e  shoqatave të pronarëve, të Avokatit të Popullit dhe nga Komiteti i Pajtimit Kombëtar, por nuk vlerësohen nga kupola e politikës. Një zgjidhje e çështjes së të drejtave të pronësisë që do të jepte tituj pronësie të pakontestueshëm, do të parandalonte humbjen e jetëve të tjera njerëzore dhe do të rriste sigurinë.

  1. Një pasurim i padrejtë është një përfitim i marrë gabimisht (për shkak të ligjit apo fakteve) ose rastësisht. Është pranuar gjerësisht edhe në jurisprudencën e vendeve më demokratike që, moralisht dhe etikisht, ai që merr një përfitim në dëm të pronarit të ligjshëm duhet të bëjë kthimin e tyre pronarit të ligjshëm, prona e të cilit vërtetohet se është e blerë, e dhuruar apo e trashëguar. Një pasurim i padrejtë është ai pasurim të cilit i mungon një bazë adekuate ligjore: ai rezulton nga një transferim që, ligjërisht, është i paefektshëm për të çuar në një ndryshim përfundimtar të së drejtës së pronësisë.
  2. Le të konsiderojmë rastin e një shkeljeje të pafajshme kur A-ja, me koshiencë, por gabimisht (për shkak të ligjit apo fakteve) i paguan para B-së, dhe B-ja, me koshiencë, gabimisht, por në mënyrë të pafajshme, e merr atë si pagesë nga Aja. Edhe nëse presupozojmë se titulli i pronësisë së këtyre parave ka ndërruar duar teknikisht, paratë qartazi janë paguar për shkak të një gabimi dhe pranohet gjerësisht në jurisprudencën perëndimore që, gjykata do të detyronte Bnë t’ja kthente paratë A-së; dhe kjo jo sepse gjykata nuk e konsideron B-në pronar ligjor të tyre por sepse është e padrejtë (nuk ka barazi) që B-ja ti mbajë ato. Parimi i barazisë që mundëson në këtë rast A-në të rikuperojë paratë e veta, ashtu siç mund të veprohet edhe në një detyrim kuazi-kontraktual, bazohet në parimin e pranuar gjerësisht edhe në jurisprudencën e shumë vendeve demokratike “të pasurimit të padrejtë apo të gabuar” që thotë se “askush nuk duhet të lejohet të pasurohet apo të përfitojë padrejtësisht në kurriz të tjetrit”. Në momentin që pranohet doktrina e pasurimit të padrejtë dhe e kthimit të pronës për shkak të saj, nuk ka më dallim nëse gabimi është bërë për shkak të ligjit apo të fakteve.
  3. Ka ndryshim të madh ndërmjet shpronësimit për nevoja publike dhe grabitjes në emër të ligjit. Rasti i pronave të shpronësuara, sekuestruara apo të shtetëzuara përmes ligjeve nga 29.11.1944 deri në vitin 1991 apo qoftë edhe në bazë të ligjeve pas vitit 1991 që ende nuk kthyen pronën, por jua dhanë palëve të treta, nuk është, madje, as edhe rasti kur titulli i pronësisë mund të kishte kaluar ligjërisht, por gabimisht; në fakt, ky është një rast ku titulli i pronësisë nuk ka kaluar fare as ligjërisht sepse transaksionit i mungon pëlqimi i pronarit të ligjshëm në përputhje me Kodin Civil dhe Kushtetutën pasi prona nuk është as dhuruar, as blerë dhe as trashëguar prej pronarit të ligjshëm në mënyrë që të ndryshojë pronësinë. Për më tepër, pronat e shpronësuara, sipas ligjislacionit në fuqi mbas 29.11.1944, ju dhanë vetëm në përdorim palëve të treta dhe për pasojë, teknikisht, pronat nuk u vunë asnjëherë as në pronësinë e palëve të treta dhe as të shtetit dhe prandaj, ligjërisht, mbeten në pronësi të pronarëve të ligjshëm edhe me ligjislacionin nga 29.11.1944 deri në 1991. Kjo përforcohet edhe nga vendimi unifikues nr. 24 i datës 13.3.2002 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë që konkludoi se pronari i ligjshëm, duke mos e poseduar pronën gjatë gjithë këtyre dekadave, nuk është privuar nga titulli i pronësisë së saj por thjesht nga posedimi i saj dhe ai mbetet ende ligjërisht pronari i kësaj prone. Rasti i pronave të shpronësuara, shtetëzuara apo sekuestruara me anë të ligjeve nga data 29.11.1944 deri në vitin 1991 apo atyre të marra arbitrarisht në bazë të ligjeve të pas vitit 1991 që nuk e kthyen pronën por jua dhanë atë palëve të treta, nuk është madje as edhe një rast ku titulli i pronësisë, pafajësisht por gabimisht, të ketë ndërruar duar dhe për të cilin koncepti i pasurimit të padrejtë kërkon kthimin e pronës pronarit të ligjshëm; ky është një rast edhe më i fortë në favor të pronarit të ligjshëm pasi, në ketë rast, prona thjesht është grabitur, marrë padrejtësisht (neni 1 në ligjin 7698/1993), është një rast ku madje as titulli i pronësisë nuk ka kaluar ligjërisht. Është tashmë e qartë si drita e diellit se, të paktën, kthimi i pronave pronarëve të ligjshëm, është absolutisht i drejtë, dhe që kjo të zbatohet nga politika shqiptare, në kushtet aktuale duhet të shqiptohet qartë nga ndërkombëtarët.
  4. Teoria e Kompensimit në jurisprudencë (bazuar në humbjen) çbën humbjen e paditësit (pronari i ligjshëm ose A-ja) si rezultat i padrejtësisë civile, ndërsa Teoria e Restituimit (bazuar në fitimin) kërkon që i padituri (pala e tretë ose B-ja) të heqë dorë edhe nga çdo fitim i bërë.
  5. Kufizimet e Teorisë së Restituimit (bazuar në fitimin): Ndryshimi i Pozicionit është një mbrojtje kundrejt restituimit. Nëse zbatohen parimet e barazisë për restituimin për gabimet, mund të jetë e padrejtë që ti kërkohet një “dëmtuesi” të pafajshëm restituimi i fitimit. Në thelb, një person i cili kryen një padrejtësi juridike pa qëllim mashtrimi ka vepruar me ndershmëri, dhe kjo është një arsye legjitime për të kufizuar detyrimin e tij nëse ai ka ndryshuar pozicion. Aty ku pozicioni i një të padituri (B) të pafajshëm është ndryshuar në mënyrë të tillë që ai do të vuajë një padrejtësi nëse i kërkohet të shlyejë plotësisht edhe fitimin, padrejtësia e të kërkuarit atij (B-së) të paguajë në këtë mënyrë mund të peshojë më shumë se sa padrejtësia e të mohuarit restituimin paditësit (A-së). Ky propozim nuk mund të vlerësohet plotësisht deri sa të konsiderohen padrejtësitë e veçanta ndaj të cilave ndryshimi i pozicionit mund të zbatohet.
  6. Kufizimet mbi Mbrojtjen “Ndryshim Pozicioni”: a. Është e mundur që një ‘dëmtues’ është thjesht dikush që vepron në mënyrë jo të ndershme, jo në mirëbesim ose me qëllim mashtrimi, për shembull kur i padituri (B) i fsheh apo i përdor paratë (pronën) duke e ditur që paditësi (A) ka të drejta pronësie mbi to (A), ky është një akt që bëhet jo në mënyrë të ndershme. Si veprimi jo në mirëbesim, mashtrimi po ashtu edhe keqbërja janë arsye për përjashtim nga mbrojtja e ndryshimit të pozicionit. b. Ligji duhet gjithmonë të kthejë mbrapsht transfertat e gabuara të vlerës, përndryshe kjo do të legjitimonte padrejtësinë. Kjo do të thotë se ndryshimi i pozicionit vetëm mund të kufizojë kthimin mbrapsht të transferimit të gabuar në masen e fitimit të mbetur (të të paditurit), jo të humbjes që i është shkaktuar paditësit. I padituri gjithmonë duhet të kompensojë paditësin për humbjet e shkaktuara. Të lejosh qoftë edhe një të paditur të pafajshëm t’i shpëtojë përgjegjësisë do të thotë të prishësh/asgjesosh qëllimin e vetë ligjit të kompensimit që ka të bëjë me çbërjen e efektit të padrejtësive civile. Për më tepër, si një çështje e logjikës, ndryshimi i pozicionit të të paditurit kurrë nuk mund të ndryshojë faktin që paditësi ka pësuar humbje dhe duhet të kompensohet për të; mbrojtja, kur ekziston, mund të bëhet vetëm në lidhje me fitimin dhe është pavend aty ku ka humbje.
  7. Zgjidhja e Qëndrueshmme: Të gjithë ata që konvertojnë pronën e pronarit të ligjshëm duhet të përgjigjen për përfitimet që marrin prej tyre. Prona I përket pronarit të ligjshëm dhe ai ka të drejtë mbi të gjitha përfitimet që të tjerët kanë marrë prej tyre. Përgjegjësia ligjore (e të paditurit) në këtë drejtim është strikte dhe ajo i nënshtrohet vetëm mbrojtjes së ndryshimit të pozicionit. Çdo person i detyrohet fqinjit që të vetëpërmbahet nga tregtimi i pronave në një mënyrë të tillë që nuk është në përputhje me titullin e pronësisë që fqinji mund të ketë mbi to. Për këtë arsye, thuhet se, konvertimi (i padrejtë i pronave) është një padrejtësi civile që kërkon përgjegjësi ligjore strikte: njerëzit që tregtojnë pronë duhet ta bëjnë këtë duke marrë parasysh rrezikun që kjo sjell. Megjithatë, ka edhe një mbrojtje të ndryshimit të pozicionit por që duhet të jetë e pajtueshme me mbrojtjen ligjore të të drejtave të pronarit. Kjo kërkon shqyrtimin e legjitimitetit të përgjegjësisë ligjore strikte si një mekanizëm për të arritur këtë qëllim dhe nëse ndryshimi i pozicionit mund ta zbusë atë në raste të caktuara pa prishur këtë arsyetim. Ndryshimi i pozicionit është një mekanizëm i vlefshëm për të bërë drejtësi praktike ndërmjet palëve duke siguruar se vetëm fitimi i mbetur i të paditurit (B) kthehet, përveçse në rastet e sjelljes jo në mirëbesim, mashtrimit apo keqbërjes, ndërkohë që humbja gjithmonë i kthehet paditësit (A). Kjo krijon një zgjidhje të qëndrueshme. Nuk do të ketë paqe pa drejtësi dhe çdo lloj drejtësie vetëm në emër e kufizuar ose e vonuar është drejtësi e mohuar.

Filed Under: Analiza Tagged With: i pari, Ligji duhet arrestuar, Prof. Dr. Gezim Boçari

Zoti ambasador ti nuk di më shumë se ne!

October 3, 2017 by dgreca

-Z. Ambasador, Jo se ti di më shumë se ne, por të paktën ti po guxon. Dhe ne shqiptarët priremi të besojmë më shumë të huajin se sa njëri – tjetrin. Fatkeqësisht, po!…/

5-Ilir-levonja-2-288x300-1-250x260

Nga Ilir Levonja/Zoti Lu, mos i bëj këto deklarata nga salla seminaresh, por merr ca kamera me vete dhe në sy të popullit plasja të parit të vendit. Ose të parëve të vendit. Shko në zyrën e gjithsecilit, faqe popullit, brenda dhe jashtë vendit. Ulërit. Ndofta shqiptarët bëhen qytetarë dhe e kuptojnë një here e mire faktin që në demokraci qytetari mburret me veten dhe fëmijën e tij, jo me vilat e njëshave. Se këtu kanë arritur, ia plasin shoqi-shoqit se kush e ka liderin më të forte, më mashtrues të zotin. Se kështu në salla konferencash po bëhesh pak shqiptar edhe ti. Ndize fitilin siç duhet. Fitilin e popullit, jo të mediave. Këtë e dime si metodë. Kështu e kemi ne, mjafton që ia thashë më në fund, ia plasa në sy dhe kaq. Nuk e shikon rezultatin, një media, një opinion i tërë, një shoqëri klanesh që po merret me deklaratën tuaj se Shqipërinë e kontrollojnë 20 grupe dhe 4 klane kriminale.

Do vazhdojnë sot e nesër, u dhe punë. Ne jemi kampionë të zhurmës. Të gjithë po mbledhim supet. Dhe për më tepër me atë hori tonën, suferinë thashjesh, pëshpëshesh, habish, kënaqësish, potere etj. Sikur ke bërë zbulimin e shekullit. Dhe se vërtet shqiptarët nuk e dine ekzistencën e këtyre grupeve. Sikur nuk i njohin ata që të vrasin me pak lekë. Sikur nuk e dine që burgjet janë zyrat nevralgjike nga drejtohen atentatet, kultivimi apo shitja e drogës. Sikur nuk e dine që selitë e partive, kapot dhe bandat e tyre, i ruajnë me fanatizëm, i kanë asete. Nuk ka militues partiak, qytetar shqiptar, qoftë ky socialist a demokrat që nuk e di këtë. I ruajnë me qëllim, që, nëse u dështon plani A, kanë plan ndërrmarrjen B. Pra shefat dhe bandat e tyre. Ata t’i mbushin kutitë për qejf, si t’i duash.
Kur fitojnë i kanë të qarta strategjitë, u çojnë njoftim që të ndryshojnë vilat, se qeveria do bëj sikur do i arrestojë. Po njoftimin ua ka çuar ama. Edhe udhëzimin që për ca ditë të lëvizin me makina gabi. Dalin me televizione, me daulle e tellall. Hiqe nga mendja se voton populli tek ne. Tek ne votojnë të fortët. Ata janë më të shenjtë se akadamikët dhe ekzistenca e ligjit dhe e shtetit. Ju ndofta nuk e dini, por në Shqipëri ka bërë vaki që kapot të presin burra nga shtetet fqinjë. Me hori kallashësh. Po ku di gjë ti, nga këto. Ti vjen nga një vend, ku vota ka pushtet. Dhe se shtetarët janë gogla përpara qytetarit. Në karrierën tënde kushedi sa burra shteti ke ndërruar. Kurse tek ne, laj e thaj, këta kemi. I mbajmë si ujin e pakët. Nuk lindin më tjerë nënat tona. Janë shterpa të shkratat. Vetë, le t’i mbajnë këmbët në mut, kurse kokat në luks. Rrofshin e i paçim sa malet. Lërna rehat në mizerjen tone.
Janë më shumë se aq ambasador.
Shqipëria e vogël ka të paktën gjashtë qytete të mëdha. Këto gjashtë për nga 20 grupe, del tjetër shifër. Ka nga 20 baronë që u bëjnë rreshtore atyre kajmekam-mëve që mbajnë titullin kryebashkiak. Dhe a e di përse, sepse, ne, arsyen nuk e konsiderojmë efikase pa dhunën e forcës. Dhuna tek ne është bereqet. Kriminelë nuk janë vetëm ata që të vrasin për shkak se i bezdis. Jo, jo…, janë më të keq ata që e kanë futur vendit një mendësi të tërë dasimi, konfliktesh. Ata bartësit, e propogandës së unit. Aq sa shqiptarët sot përshembull, më shumë duan qelqllëkun a virgjërinë e Edi Ramës, se nderin e tyre. Ne po na vdes propaganda. Po na e pi gjakun, duke na mpakur ditë më ditë.
Ne vetëm për demokraci nuk mund të flasim. Jo, jo asesi!
Kutadish si vjen ora, po t’u shkosh në zyra me kamera. T’i pyesësh…, me çfarë parash e bërë këtë dhe atë resort, pallat a vile. Sa kushtojnë dhe sa e ke rrogën etj? Jemi me pamje aty faqe burrash. Se këta, çunat që vishen trendy, me atlete Adidas. Këta soje xhaketash të kthyera, nuk kanë për të bërë kurrë demokraci. Po, siç e tha ai poeti, veç shkërdhatokraci.
Jo se ti di më shumë se ne, por të paktën ti po guxon. Dhe ne shqiptarët priremi të besojmë më shumë të huajin se sa njëri – tjetrin. Fatkeqësisht, po!

Filed Under: Politike Tagged With: ambasador Lu, Ilir Levonja, MË SHUMË SE NE, Nuk di ti

Dom Anton Kçira, Ambasadori i shqiptarëve në SHBA

October 3, 2017 by dgreca

Anton KciraKëto ditë doli nga shtypi libri i dytë kushtuar aktivitetit kombëtar dhe fetar të Dom Anton Kçirës me titull “Don Anton Kçira në jubileun e 50-vjetorit të meshtarisë” me bashkautorësi të studiuesve Tomë Mrijaj & Klajd Kapinova botuar në Shtëpinë Botuese  & Shtypshkronjën Volaj, Shkodër./

1 Leonora Laçi

Nga Leonora Laçi, Shkodër/Duke qenë se këtë libër e pata në duar para se të shoh dritën e botimit, pasi kam nderin të jem redaktore, dëshiroj që ti them dhe unë dy fjalë lexuesit.Ky libër është i strukturuar në katër pjesë, pjesa e parë –Historia e kishës së re në Detroit dhe don Anton Kçira, pjesa dytë- letër-këmbime, mesazhe, pjesa e tretë- refleksione dhe pjesa e katërt shtypi për don Antonin dhe kishën e shën Palit Detroit MI.Kjo monografi është referenca më e plotë jo vetëm për të njohur veprimtarinë e Dom Anton Kçirës për komunitetin shqiptar në SHBA por dhe  për kontributin e tij për Shqipërinë, Kosovën  e trevat shqiptare, si dhe për të ditur për kontributin e diasporës për atdheun.Historianë e studiues që do merren me veprimtarinë e diasporës shqiptare në SHBA, duhet ta kenë pjesë të bibliotekave të tyre pasi rëndësia është e shumanshme, mirë do ishte që të mos lihet në harresë dhe përkthimi në anglisht si vlerë e shtuar e plotësuese që ta kenë librin dhe kongresmen amerikan, mbështetës të shqiptarëve, e studiues të huaj.

Unë do ndalem tek rëndësia e letër-këmbimit në këtë monografi. Të cilat janë të rëndësishme për të njohur më mirë aktivitetin kombëtar e fetar të Dom Anton Kçirës; roli i tij për çështjen e Kosovës, për Shqipërinë e dal nga një sistem totalitar, problemet e rikthimit të besimit në Zot në Shqipërinë ateiste, një mision i vështirë që duhej filluar gjithçka nga zeroja.

Po ashtu, donacionet e ndryshme për ndërtimin e kishave e rindërtimin e atyre ekzistuese si në Gllogjan-Kosovë, Melgush-Shkodër, Kçirë-Pukë etj. Ndihmat për Kosovën paslufte. Donacione te bashkuara në komunitet nga Dom Anton Kçira pati dhe në rastin e përmbytjeve në Shkodër në 2010 të cilat ju dërguan Famullisë së Shën Jozefit-Dajç Bregu i Bunës, bëhej fjalë për shumën 20.000 dollar. Pa harruar dhe organizimin e darkave të bamirësisë për ti ardhur në ndihmë atdhetarëve.

Dom Antoni që me ardhjen në krye të kishës së Shën Palit në Detroit, që del dhe nga letrat si datë, 20 nëntori i 1989 në letrën e mirëseardhjes që i dërgon Arkidioqeza e Detroitit, i përkushtohet fillimisht kishës ekzistuese e më pas ndërtimit të kishës së re e cila do jetë stacioni më i rëndësishëm për komunitetin shqiptar por dhe bëhet vend pritje e përcjelljeje për delegacionet e huaja e ato shqiptare nga Shqipëria e Kosova, pa lënë mënjanë mësimin e gjuhës shqipe me klasa të përshtatshme e mësues të kualifikuar, si dhe festimet e festave të rëndësishme kombëtare e përkujtimin e figurave historike.

Ai ndërtoi jo vetëm një vend kulti, por Shqipërinë në miniaturë duke i ndihmuar shqiptarët të mos humbnin traditat e zakonet e tyre për t’ja përcjell ato dhe fëmijëve. Kisha e Shën Palit u bë model për nga rregullat strike jo vetëm për të respektuar rregullat kishtare por dhe shtëpinë e Zotit, Dom Antoni minimizoi hakmarrjen dhe ktheu besimtarët shqiptar në kishë.Urimet për përurimin e Kishës së Shën Palit  në gusht të 2010, kanë qenë nga personalitete të ndryshme si: shkrimtari Ismail Kadare, Prof.dr Anton Kolë Berishaj, Ilir Meta në postin e zëvendës/kryeministrit e Ministër i Punëve të Jashtme, Admira Jorgji- E ngarkuar me Punë-Konsulle e Republikës së Shqipërisë etj. Letrat janë dhe urime për ditëlindje, letërkëmbime  si nga Gjon Sinishtaj, Antonio Bellusci, Ramush Haradinaj etj.

Pjesë e librit, është mbështetja që i është ofruar Dom Antonit pas përhapjes së video-montazhit, ku i dolën në krah kongresmen e senator si dhe punonjës të policisë vendase si: Michael W.Reaves- shef i Policisë i cili i dërgon letër Arkidioqezës së Detroitit duke shprehur mbështetjen për Dom Antonin i cili ishte një emër i respektuar në Detroit dhe jo vetëm, po ashtu dhe nga Kapiten Thomas Fett Departamenti Policisë.

Libri përcjell mesazhe të forta të bashkëjetesës fetare e largpamësisë së Dom Antonit që bashkëpunoi pa dallim me klerin mysliman në dobi të çështjeve të përbashkëta. Libri demonstron mbështetjen morale me shkrime nëpër gazeta dhe suportin e intelektualëve qoftë dhe të besimit mysliman apo katolik si: Prof.dr.Riza Sadiku, dr.Mentor Quku, Beqir Sina, Hasan Hasani, Astrit Lulushi, Mr.sc.Nue Oroshi, Ekrem Bardha, Harry Bajraktari, Gjek Gjonlekaj, Prend Buzhala, Klajd Kapinova, Mikel Gojani, Agim Shehaj, Faruk Myrtaj, Bardh Nëngurraj, Krist Gjinaj, Lekë Mrijaj, Dalip Greca, Pjetër Dom Gjoni, Franz Llesh Grishaj, Kastriot Myftaraj, Ilmi Veliu, Bep Kuqani, Sami Repishti, Tonin Mirakaj etj. E gjithë kjo mbështetje publike na tregon qartë respektin që gëzonte Dom Antoni në rrethet e intelektualëve, dhe kurrsesi një video montazh nuk mund ta hedh poshtë të gjithë kontributin e tij.

Letërkëmbimet janë dëshmi e qartë e nuk kanë nevojë për komente pasi çdo njëri me ndërgjegje e formim të shëndosh mund ta kuptoj të vërtetën që shkruhet në këtë libër, ku Dom Antoni ka punuar pa u ndalur për kombin shqiptar, pa u kursyer, e në çdo formë, pa pritur dekorata apo fjalë të bukura.

Shpesh thotë:” Mos e bani mizën buall”, kjo shprehje tregon thjeshtësinë e tij, pasi ndonëse ka merituar e meriton respekt dhe vlerësim maksimal, disa antishqiptar deshën ti bënin gjëmën, në fakt më shumë i bënë dëm vetës sepse i dënoj Zoti, pasi Dom Antoni edhe pse luftohej në të gjitha format, qëndroi kryelartë e stoik përballë sharjeve e denigrimit, sepse ishte i vetëdijshëm se sa ka punuar me ndërgjegje të pastër e me përkushtim për komunitetin shqiptar në SHBA, për Shqipërinë, Kosovën e trevat shqiptare. Misionin e tij e ka ndjerë si detyrim moral kombëtar e fetar që duhet ta bënte çdo kush në vend të tij.Çdo kush që do të vazhdoj të shpif për Dom Anton Kçirën bazuar në video-montazhin apo thashetheme, më parë të marr të lexoj këtë libër.Pa hezitim mendoj se Dom Antoni ka qenë Ambasador i çështjes shqiptare dhe i ka shërbyer kauzës mbarëkombëtare për 50-vite meshtari.

Shkoder, Shtator 2017

Filed Under: Kulture Tagged With: “Don Anton Kçira në jubileun e, 50-vjetorit, Leonora Laci, të meshtarisë”

LUFTA PËR TIVARIN SIPAS S.GOPÇEVIQIT

October 3, 2017 by dgreca

Shkruan: Dr.Nail  Draga*/

Nail_Draga

Hyrje/Në lidhje mbi ngjarjet e zhvilluara në periudhën kohore të Krizës Lindore(1875/78) deri me tash janë publikuar studime të  ndryshme nga autor vendas dhe të huaj. Është e njohur se në sajë të kontekstit gjeopolitik të kohës Principata e Malit të Zi parësore kishte projektin e pavarësisë se vendit nga Perandoria Osmane,  por njëherit edhe të zgjerimit territorial, me synim daljen në det, ku aspiratat pushtuese  ishin edhe ndaj viseve shqiptare në perëndim të Vilajetit të Shkodrës.

Në këtë aspekt Tivari dhe rrethina e tij paraqet ekzemplar të veçantë për hulumtim dhe analiza ushtarake e gjeopolitike për kohën. Duke qenë qyteti më perëndimor i Vilajetit ai ishte arena e një lufte të përgjakshme, duke u bërë simbol i vandalizmit dhe shkatërrimit të përgjithshëm gjatë dy muajve të bombardimit  si asnjë qytet tjetër deri në atë kohë.

Pas zhvillimit të operacioneve ushtarake dhe pushtimit të disa territoreve në lidhje me perfitimet dhe me zgjerimin territorial të Malit të Zi me mbeshtetje kryesisht nga Rusia u diskutu edhe  në Konferencën e Shën Stefanit(3 mars 1878) dhe në Kongresin e Berlinit(13 qershor 1878). Ishin pikërisht vendimet e Fuqive të Mëdha të cilët vendosen sipas interesave të tyre gjeopolitike duke legjitimuar  fillimin e  dekompozimit të Perandorisë Osmane në Ballkan në aspektin territorial,  duke anashkaluar parimin etnik në territoret përkatëse, ku shqiptarët e pësuan më së shumti.

Deri më tash ngjarjet për Tivarin për  vitët 1877/78 janë  trajtuar nga autor të ndryshëm  duke ofruar të dhëna të cilat mund të trajtohen në  shumë aspekte varësisht nga qasja e tyre profesionale. Por në lidhje me këtë temë ekziston një autor i cili pothuaj ka mbetur i panjohur për opinion e gjerë, dhe si i tillë  nuk citohet fare nga studiues të ndryshëm, sidomos të ata sllav, që është rast për hulumtim, duke marrë parasysh se libri i tij mund të konsiderohet si bazë për trajtimin e kësaj çështje ne këtë periudhë kohore.

Fjala është për autorin  Spiridon Gopçeviq (1855-1937) i cili këtë çështje e ka trajtuar me shumë kompetencë në librin Crnogorski turski rat 1876-1878,botuar në Beograd të  përkthyer në gjuhën serbe në vitin 1963 nga shtëpia botuese Vojno dello. Libri ofron të dhëna me interes nga vet fakti se autori ka qenë dëshmitar okular i ngjarjeve, që është rast i rrallë për kohën duke ofruar të dhëna autentike, në aspektin ushtarak por edhe ate gjeopolitik në këtë regjion. Qasja e tij për këtë ngjarje historike mbetet burim  kryesor për të gjithë ata të cilët dëshirojnë ta trajtojnë këtë çështje pa subjektivizëm e improvizime, por në realittein e rrethanave të kohës.

_________________

*Qendra Kulturore-Ulqin

Kush është Spiridon Gopçeviqi ­?

Spiridon Gopçeviqi (1855-1937)

Ka  lindur ne Trieste ne vitin 1855 nga familja me origjinë nga Boka e Kotorit. Familja e tij është marrë me tregti. Në  vendlindje ka kryer shkollën fillore ndërsa të mesmen dhe fakultetin në Vien.  Në Vien ka studiuar shkencat historike, gjeografike, ushtarake dhe të detarisë. Po ashtu është marrë edhe me studime filologjike. Ai ishte poliglot ku  sipas  disa të dhënave ka ditur ti flasë dhe ti shkraj 13 gjuhë! Pas vdekjës së të emës ka ndërprerë shkollimin dhe ka filluar karierën si gazetar, duke raportuar vendet ku luftohej.

Në vitet 70- ta të shek.XIX ka qendruar në Mal të Zi, dhe ka punuar planin e parë urbanistik të Cetinës. Ka qenë vullnetar në kryengritjën e Bosne-Hercegovinës(1875) dhe në luftën malezezo-turke(1876). Raportet nga lufta i ka publikuar në gjuhën gjermane në pjesën e veçantë për Malin e Zi.Nga një punë e tillë disavjeçare boton librin Lufta e Malit të Zi kundër Portës 1876-1878(Wien 1879).  Po ashtu gjatë vitit 1878 ka botuar edhe broshurën Turqit dhe miqtë e tyre.  Si korespondent i Wiener Allgemeine Zeitung ka përcjellur punën e Lidhjës Shqiptare të Prizrenit dhe kundërshtimin e saj vendimeve të Kongresit të Berlinit. Si rezultat i këtyre shkrimeve ka shkruar veprën  Shqipëria e Veriut dhe liga e saj(Lajpcig 1881). Në vitin 1882 raporton për kryengritjen në Bokë të Kotorit e Hercegovinë dhe krizën në Egjipt.Si reporter i Berliner Tagblatt-it  ka informuar për luftën serbo-bullgare në vitin 1885, duke shkruar edhe librin Bullgaria dhe Rumelija lindore (Lajpcig 1886-1889). Duke mbajtur qendrim pro Serbisë, ata e emërojnë atashe  i përfaqësisë së Serbisë në Berlin(1886) e më pas në Vjenë(1887-1890). Gjatë kësaj kohe shkruan librin Serbija dhe serbët. Me rekomandim të Mbretërisë serbe udhton në  Bullgari e Maqedoni në vitin 1888 ku më pas shkruan shkruan librin Serbija e vjetër dhe Maqedonia dhe ka punuar Hartën etnografike të Maqedonisë dhe të Serbisë Jugore.Në vitin 1889 e lëshon Serbinë ku me pas mban anën e Austro-Hungarisë.

Ka bashkëpunuar me 60 revista dhe 86 gazeta ditore. Në Vienë ka botuar revistën Die Velt(1889) dhe Wiener Tagespot. Gazetarinë e ka lëshuar në vitin 1893.Një kohë të shkurtër ka qenë në burg për shkak të shkrimeve kundër pushtetit. Nga Viena shkon në Mali Loshinj dhe është marrë me astronomi. Këtu në vitin 1893 themeloi observatorin Manora . Ky observator u emërua me emrin e gruas së tij, një grua fisnike austriake e pasur. Në këtë observator ai përdori teleskopët e tij për të vëzhguar Henën, Marsin, Saturnin, Venerën  e planetë të tjerë. Për shkak të problemeve financiare e mbylli ate në në vitin 1909. Nga viti 1899-1909 u dhe themeluesi i Astronomische Rundschau  një gazetë shkencore e njohur asokohe  në gjuhën gjermane. Më vonë ai kaloi disa vite në Amerikë, ku ka shkruar dy opera. U kthy përseri në Vienë(1914) dhe iu kushtua politikës dhe publicistikës. Gjatë Luftës së   Parë Botërore ka qendruar në Vienë, duke pasur  qendrimin austrofil ku ka theksuar se sllavet e jugut duhet të jenë nën Austro-Hungarinë. Pas luftës ka jetuar i tërhequr në Berlin. Rrethanat e vdekjës së tij(1937) janë akoma të paqarta, por arsyeja duket se ka qenë vetmia, varfëria e stresi.

Të dhëna me interes për shqiptarët

Edhe pse në artikujt dhe studimet e tia mund ti bëhët verejtje për qasje subjektive e ca herë edhe jo shkencore, libri Lufta malazezo-turke 1876-1878, ofron të dhëna me interes për ne shqiptarët, sidomos për viset shqiptare në Vilajetin e Shkodrës, para dhe pas Kongresit të Berlinit. Ishte pikërisht kjo periudhë kohore e cila në sajë të pazarlleqeve të Fuqive të Mëdha, filloj në praktikë rrudhosja territoriale e hapësirës etnogjeografike shqiptare dhe zvoglimi  demografik i shqiptarëve në viset përkatëse, të cilat iu dhanë Malit të Zi në sajë të vendimeve të Kongresit të Berlinit. Ishte kjo koha e fillimit të shpërnguljës së shqiptarëve dhe popullsisë tjetër me përkatësi konfesionale islame sllavofone, duke u vendosur kryesisht në Shkodër, por edhe në mjedise të tjera të Shqipërisë.

Hapësira etnogjeografike shqiptare

Duke lexuar librin e Gopçeviqit del qartë se kemi të bëjmë me të dhëna të veçanta, sidomos kur është fjala për hapësirën etnogjeografike shqiptare. Çështja ka të bëjë me ate se territoret e banuara me popullsi shqiptare i quan jo Perandoria Osmane por Shqipëri, dhe pse në atë kohë  Shqipëria nuk ishte shtet i pavarur, por ekzistonte me emër të tillë.  Në aspektin territorial Gopçeviqi hapësirën etnogjeografike shqiptare e ka ndarë në tre njësi përkatësisht regjione, apo nahije sikurse e cekën në libër, duke qenë autori i vetëm në kohë dhe me pas me një përkufizim të tillë  gjeografik.  Kështu kemi Nahija e Shkodrës, me 376 km2 ku si qytet i përkiste Tivari më 8000 banorë, pastaj Nahija  Shqiptare  me sipërfaqe prej 379 km2 ku qytet kryesor  ishte Podgorica  me 6000 banorë  dhe Nahija e Plavës, me 958 km2 me qytet Plavën me 14000 banorë(f.360).Po ashtu na ofron edhe të dhëna të përkatësisë konfesionale.Kështu për Nahinë  shqiptare  cekën se prej 22.000 banorëve sa janë gjithsej  8000 janë muslimanë të cilët e urrejnë malazezet…. (361). Nga këto të dhëna hapësinore del qartë se hapësira etnogjeografike shqiptare përfshinte sipërfaqen prej 1713 km2.

Ndërsa duke analizuar  vendimet e Kongresit të Berlinit Gopçeviqi me plotë të drejtë  thot se “dhe ma keq është dhurata e danajve Nahisë së Plavës ku nga 14000 banorë as ma pak e as ma shumnë por 10000 janë muslimanë të cilët llogartitën armiqtë me të medhënj të malazezve”(f.361), duke konstatuar se “Malit të Zi i jepen ato vise që popullata i urren malazezët dhe me të gjitha forcat mbrohet nga aneksimi”(f.362).

 

Ballina e librit e përkthyer serbisht (1963)

Lufta e Malit të Zi për zgjerim territorial

Në  kontekstin gjeopolitik të kohës Principata e Malit të Zi parësore kishte projektin e pavarësisë se vendit nga Perandoria Osmane,  por njëherit edhe të zgjerimit territorial, me synim daljen në det, ku aspiratat pushtuese  ishin edhe ndaj viseve shqiptare në perëndim të Vilajetit të Shkodrës.

Lufta e zhvilluar në Hercegovinë e Bosnje, si dhe nxitja nga Rusia e shtynë Serbinë e Malin e Zi në një aksion të përbashkët kundër Perandorisë Osmane.Ato pasi lidhën marrëveshje me 12 qershor 1876 në Venedik, nga fundi i qershorit i shpallën luftë Turqisë. Por, në sajë të situatës gjeopolitike Austro-Hungaria e frikësuar se situata nuk do të zhvillohej në favor të saj, arriti një marrëveshje me Rusinë për caktimin e sferave të interesit. Ajo tentativë u paralajmërua në Rajshtat(Çeki) me 8 korrik 1876, ndërsa me Konventën e Budapestit, më 15 janar 1877, u përkufizuan obligimet ku me këtë rast Rusia lejoi që Austro-Hungaria ta pushtonte Bosnjën e Hercegovinën, ndërsa Rusia të mos ndihmonte  në formimin e një shteti të madh sllav në Ballkan.Por, nga data 24 prill 1877 Rusia i shpalli luftë Turqisë, duke paralmëruar se do të ketë ndryshime në hartën politike të territorëve që ishin në kuadër të Perandorisë Osmane.Se Rusia qendronte pas veprimeve të Serbisë dhe Malit të Zi, nuk ishte veprim i panjohur, dëshmon edhe angazhimi i saj  me 1 nëntor 1876, për të lidhur armëpushimin në mes Serbisë dhe Turqisë, ndërsa me ndërhyrjen  e fuqive evropiane një armëpushim i tillë u arrit në mes Malit të Zi dhe Turqisë.Por, një paqë e tillë ishte e përkohshme sepse Serbia dhe Mali i Zi duke filluar nga muaji prill 1877, vazhduan luftën kundër Turqisë. Ishte kjo aleanca ortodokse e cila nga Perandoria Osmane kishte planifikuar përfitime territoriale me konceptet mesjetare duke mos përfillur përkatësinë etnike të popullsisë në territoret përkatëse.Dhe e sulmuar si në lindje nga Rusia dhe perëndim nga Mali i Zi e Serbia, ishte e qartë se Turqia nuk do të ishte në gjendje të mbronte territoret qe i kishte pushtuar shekuj më parë në Ballkan.

Rrjedhat e ngjarjeve treguan se qarqet drejtuese të  principatave ballkanike e shftytëzuan situatën situatën e krijuar jo vetëm për të realizuar qellimin e tyre për pavarësi kombëtare, por edhe për të realizuar planet ekspansioniste, të cilat kalonin caqet e bashkimit të tyre kombëtar duke synuar kufijt e shtetëve të tyre mesjetare, ku përfshihej edhe pjesa më  madhe e tokave shqiptare.Pikërisht gjatë shek.XIX sundimtarët dhe shtresa e lartë në Mal të Zi  kanë shprehur dëshirën e tyre për zgjërim territorial të Malit të Zi dhe aneksim të tokave të reja, ku si caku jugor i vendit të tyre ishte lumi Drin. Pra, kemi të bëjmë me një politikë të hapur pa improvizime për pushtimin e territorëve të reja, ku shqiptarët u vendosën para sfidave të mëdha për të mbijetuar  dhe qendruar në territoret e tyre në rrethana të reja në prag të dy tubimeve ndërkombëtare(Paqa e Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit).

Lufta kundër Perandorisë Osmane zhvillohej në disa fronte.Rusia i shpalli luftë Perandorisë Osmane me 24 prill 1877 dhe me shpejtësi korri suksese të mëdha ne shumë fronte, duke  depërtuar  në drejtim të Stambollit. Kështu  me 10 dhjetor 1877 pushtuan Plevnën, me 4 janar 1878  Sofjen, me 20 janar Edrenën, ndërsa më 24 shkurt 1878 e pushtuan Shën Stefanin paralagje të Stambollit. Të frymëzuar nga këto fitore Mali i Zi  vazhdoi luftën kundër Turqisë, ku parësore ishte depërtimi ndaj jugut dalja në detin Adriatik dhe pushtimi i territorëve nga deti, lumi Buna e deri të liqeni i Shkodrës, përkatësisht marrja e Tivarit e Ulqinit për të vazhduar për Shkodër.

Por,  para se të fillonin operacionet luftarake për marrjen e Tivarit, ushtria malazeze  veproi në mënyrë strategjike fillimisht duke  okupuar rrethinën e tij, për të siguruar territorin për veprime ushtarake pa pengesa ndaj qellimit kryesor qe ishte pushtimi i Tivarit.  Kështu pasi kishte depërtuar në perëndim deri të   Kufini  me pas arriti afër Tivarit,  e më pas me tetë batalione  pushtoi   Krajën me 13 nëntor 1877, duke djegur e plaçkitur fshtara, e madje duke  treguar vandalizëm sepse  shkatërruan përktësisht i thyen  varret.  Pasi kishin siguruar kushtet  në terren për rreth  filluan  bombardimin e Tivarit me topa  me 16.11.1877. Po ashtu për qellime stratgjike me pas u nisën në aksion nga drejtimi i Dobravodës, Mërkotit  e  Goranës duke djegur e plaçkitur fshatra të tëra.  Por, ata nuk u ndalën këtu por  ia mësynë edhe   Anës së  Malit ku  me 19.11.1877 në vendin e quajtur Rrezigaqe të Suka e Hanit në Krythë u zhvillu një betejë e përgjakshme. Në këtë marshim të tyre  në Anën e Malit ku si qellim kishin për të vazhduar  tutje për në Shkodër  forcat malazeze humben betejën dhe u terhoqen për në drejtim të  Tivarit.

Në sajë të dhënave   në këtë betejë kanë marrë pjesë nga ana e Perandorisë  Osmane  ushtarët shqiptarë vendas, shkodranë dhe dibranë të udhehequr nga Mehmet Mlika. Sipas disa burimeve në luftën e Rrezigaqës kanë humbur jetën  nga ana malazeze 38 ushtarë e  78 janë plagosur, ndërsa  humbjet e turqve(shqiptarëve) ishin 71 të vdekur dhe 115 të lënduar. Në Anë të Malit kjo kohë njihet si “Koha e Shkjaut të parë:”Ushtarët e vrarë janë varrosur në Sukën e Hanit, varrez kolektive  e cila ekziston edhe sot.

Në ndërkohë bombardimi i Tivarit nuk kishte të ndalur ku pasojat ishin të mëdha në objekte dhe në popullsinë e cila ishte e vendosur në Kala. Në rrethimin dhe luftën për pushtimin e Tivarit kanë marrë pjesë pothuaj të gjitha batalionet e Malit të Zi(rreth 20), përveç atyre qe kanë siguruar pozitat kufitare. Artileria ka qenë e përbërë nga 4 topa rus e 6 topa turq dhe 8 të tjerë më të vegjël.Topat e malazezëve  kanë gjuajtur ditën dhe natën duke shkatërruar e djegur shtëpitë në qytet, ndërsa bedenet iu kanë përballuar goditjeve.Ishte kjo një luftë e paparë deri atëherë ne keto regjione.

Sipas disa të dhënave para rrethimit të Tivarit qyteti në Kala  kishte 3000 banorë, ndërsa në Tivarin Poshtë 5000 banorë. Por, me të filluar lufta u kriu një situatë dekompozuese e popullsisë, sepse të friguar nga fillimi i luftës  për të gjetur shpëtimin e vet në qytet u vendosën edhe popullsi nga rrethina e ngushtë. Banorëve të Tivarit  iu kanë ardhur në ndihmë, mërkotas, ulqinakë e shkodranë. Këtij numri duhet shtuar edhe 2800 ushtarë  andaj  llogaritet se numri i i banorëve në Kala  të Tivarit arriti në rreth  8000 banorë.  Së bashku më banorët në kala ishin  kryetari i qytetit  Ibrahim begu e poashtu edhe  Shaban begu e Selim beg Bushati. Pas rezistencës  dy mujore, humbjeve të mëdha në njerëz(250 banorë dhe 1400 ushtarë), mungesës së ushqimit dhe shkatërrimit të ujësjellesit, Ibrahim begu pranoj dorëzimin e qytetit përfaqësuesit të Principatës së Malit të Zi me datën 8 janar 1878, duke nënshkruar  aktin përkatës.

Ishte kjo një luftë e veçantë, sepse gjatë këtij rrethimi Tivari mbeti i izoluar, si nga toka dhe nga deti. Edhe pse forcat e Perandorisë Osmane, tentuan disa herë ti ndihmojnë Tivarit përmes rrugës detare, duke vendosur anijet e tyre me armatime pranë bregdetit dhe bombarduar caqet malazeze, objektivi nuk është arritur. Në lidhje me luftimet për pushtimin e Tivarit Gopçeviqi shkruan detalisht në librin e tij, por me këtë rast po paraqesim pjesën e cila ka të bëj me procesin përfundimtar të dorëzimit të qytetit ku ai shkruan:

Rënia e Tivarit

“Në kala pamja ka qenë e tmerrshme, nga 600 shtëpi qe kanë qenë aty, asnjëra nuk ka shpëtuar, me tepër se gjysma e tyre janë bërë hi e pluhur, ndërsa disa ndërtesa tjera janë shënderruar në germadha. Por, turqit megjithate kanë qendruar.(f.333)

Me kapitullimin e Tivarit (10 janar 1878) përkatësisht dorëzimit të tij(N.D.) malazezet kanë fituar  një grumbulll të madh germadhash. E tëra ka qenë e shkatërruar përveç azamateve qe  iu kanë përballuar bombardimeve, ku në të cilat  janë gjetur 2600 banorë të stresuar-kryesisht ga, pleq dhe femijë.ga meshkujt dhe njësitet  kanë mbetur rreth 1400 të aftë për luftë dhe 200 të plagosur, ndërsa 1200 ushtarë dhe 400 joluftetarë kanë vdekur  gjatë këtyre dy muajve të rrethimit. Janë rrembyer  topa të kalibrit më të rëndë, 6 flamuj, 800 kuintal barut, 2000 pushkë të tipit “martina” dhe 1100 pushkë të tjera, disa qindra pjesë të armeve të vjetra dhe helmeta nga koha mesjetare sllave dhe vendedikase, 1 milion fishekë për pushkën “martina” dhe me në fund ushqim për një muaj ditë për 4000 ushtarë. Kështu ka rënë kjo vendqendresë e Shqipërisë, pas një mbrojtje të   lavdishme të gjatë”.(f.337).

Për luftën e zhvilluar për pushtimin e Tivarit  dhe rënien e tij ka të dhëna të ndryshme por me ketë rast po japim  dy të dhëna  tjera  nga autorë joshqiptarë. Kështu duke qenë pranë ushtrisë malazeze  gazetari francez Aguste Maylan sjell dëshmi autentike  në rrethimin e Tivarit. Ai ne mes tjerash shkrua se:

“Mali i Zi hodhi mbi këtë qytet 10.000 gjyle topi, që i pat dhënë Rusia dhe s la gjë në këmbë.Qelbëshin rrugët nga kufomat e  mbuluara nën gërmadha. Në një xhami të rrëzuar u gjetën kufomat  e 200 grave “muslimanka”(shqiptare), të vdekura nga uria. Kam parë shumë rrethime të tjera, por s kisha parë kurrë një gjë kaq të tmerrshme sa ky qytet i mjerë i Tivarit, ku s ka mbetë asnjë shtëpi në këmbë…”

Ndërsa po ashtu edhe Antonio Baldacci jep të dhëna interesante për Tivarin duke cekur:

I shkatërruar tërësisht  nga një bombardim i gjatë dhe i vazdueshëm në vjeshtën  e vitit 1877, sot është një grumbull rrënojash që ruhen me kujdes si një dëshmi e aftësisë  së ushtrisë malazeze fitimtare në ato ditë kur e shkatërroi qytetin e bombarduar nga të gjitha anët, në fillim duke  shembur minaretë dhe xhamitë, pastaj pallatet e bejlerëve dhe të krerëve myslimanë, dhe më në fund  të gjithë qytetin që nuk donte në asnjë mënyrë të dorëzohej.

Në këtë grumbullim kaotik të rrënojave  ngrihen muret e bardha ndarëse të shtëpive të rrënuara, si një skelet i heshtur i një të kaluare të shkëlqyer..

 

Foto: 1. Pamje nga qyteti i Tivarit   në vitin  1877 (para luftës)

 

Foto nr.2. Pamje nga qyteti i Tivarit (1878) pas luftës

 

Pas pushtimit të Tivarit ushtria malazeze vazhdon me operacionet ushtarake  drejt jugut dhe pas një lufte të përgjakshme Ulqini me 18 janar 1878 bie nën sundimin e Malit të Zi. Gjatë kohës së luftimeve Ulqini është djegur, ku ka marrë flakë gjysma e qytetit si dhe vet çarshija.

Protestat e shqiptarëve kundër aneksimit  nga Mali i Zi

Ne rrethanat e reja si pasojë e pushtimit të territoreve të tyre  shqiptarët u shpërngulën kryesisht në Shkodër por edhe në vende të tjera të Shqipërisë. Vetëm nga Ulqini bëhët me dije se janë shpërngulur 143 familje, e po ashtu edhe nga Tivari, Kraja e Ana e Malit, Podgorica, Spuzha e Zhablaku.

Ishte kjo koha e ekzodit i cili ka pasur pasoja të mëdha për popullsinë shqiptare. Në lidhje më këto çështje shqiptarët kanë ngritur zërin duke shkruar memorandume, letra e peticione përfaqësive të ndryshme diplomatike, duke treguar gjendjen e tyre momentale dhe dëshirën për tu kthyer në vendet e tyre.

Në   letrën  e protestuese dorëzuar  ambasadorit francez në Stamboll më 8  maj 1878, të cilët e  kanë nënshkruar   delegatët nga Podgorica, Shkodra, Ulqini, Malësia e  Tivari  thuhet:

Ne poshtë të nënshkruarit, përfaqësues të Podgoricës, Spuzhës, Zhablakut, Tivarit, Ulqinit dhe rajoneve të Grudës(Malësia), Kelmendit, Hotit e Kastratit, të krahinës së  Shkodrës, kemi nderin t ju drejtohemi shkëlqesisë Suaj, që përfaqësoni në këtë  kryeqytet  Republikën  Franceze, për ti parashtruar sa vijon:

Fqinjët tanë malazezë, me anë të sulmeve të vazhdueshme kundër qytetëve tona na kanë detyruar prej shekujsh të jetojmë në gjendje mbrojtjeje të përhershme dhe nëpërmjet veprimeve të tyre të egra kanë bërë që të mos kemi asnjë lloj sigurie.

Ne, katolikët e myslimanët, vëllezër që prej shekujsh dhe që jetojmë në bashkësi interesash e zakonesh, kemi qenë gjithnjë të bashkuar për t u rezistuar akteve të kusarisë dhe kemi derdhur lumenj gjaku për të mbrojtur qytetet  dhe fshtarat tona.

Mirëpo sot morëm vesh nga gazetat se qeveria osmane, duke mos i rezistuar dot presionit të Rusisë u detyrua të pranojë aneksimin tonë nga ana e malazezve të egër, armiqt tanë që prej katër shekujsh.

Është fakti  që në gjirin tonë ka një pakicë të vogël sllavësh, që u takojnë viseve të Podgoricës  e Tivarit,  ndërsa nëntë e dhjetave të banorëve të këtyre vendeve janë myslimanë dhe katolikë. Midis nesh (katolikë e myslimanë) dhe malazezëve nuk ka kurrfarë lidhjeje në pikëpamje feje, kurse ne jemi në pjesën më të madhe shqiptarë si nga feja, ashtu  edhe  nga gjuha.

Malazeztë, duke mos respektuar kushtet e armëpushimit dhe duke përbuzur të gjithë zakonet e paqës,njerëzimit dhe  qytetërimit, u janë vërsulur pronave  tona  dhe ullishtave, kanë plaçkitur pasuritë tona, në vlerë prej 100.000 lirash , e kanë keqtrajtuar priftin tonë, të cilin më në fund  edhe e kanë arrestuar, kanë djegur me zjarr tempujt tanë, kanë detyrua të gjithë bashkëkombësit tanë nga 15 deri 70 vjeç për të kryer shërbimin ushtarak,  fakte këto të pa parë në historitë e popujve, dhe kanë arritur deri atje sa edhe gratë tona i kanë çuar në fushën e luftës.

A mund të lejojë Republika e Francës që vende të zhvilluara të shndërrohen  në rrënoja? Mbeshtetur në sa u parashtrua  mbi bazën e ligjeve të vendeve të civilizuar është e domosdoshme që forcat okupuese të largohen prej territoreve tona.

Ne kemi … ruajtur gjatë pesë shekujsh zakonet dhe fenë tonë, gjuhën dhe kombësinë tonë, prandaj ne protestojmë pranë Fuqive të Mëdha kundër aneksimit të vendit tonë nga Mali i Zi.

Në qoftë se Evropa… dëshiron të na ndihmojë për të gëzuar një shkallë më të lartë qytetërimi nga ajo që kemi arritur deri më sot dhe ka dëshirë të garantojë përparimin dhe sigurimin tonë, si mund të lejojë aneksimin tonë nga një vend (tjetër)…

Shkurtimisht, ne shohim rrezikun që na kërcënon dhe sa të vdesim nesër të poshtëruar dhe të skllavëruar, pëlqejmë të asgjësohemi sot duke mbrojtur nderin dhe lirinë tonë, prandaj kemi vendosur të mos biem nën skllavërinë e Malit të Zi.

Lusim që shkëlqesia e Juaj  të ketë mirësinë  për t ia paraqitur  ketë kërkesë tonën  qeverisë franceze para se të mblidhet  Kongresi i Berlinit”.

 

Letër protestuese edhe nga banorët e krahinës së Krajës

Në një protestë të fshatarëve të krahinës së Krajës, të dëbuar prej malazezëve, drejtuar Grinit konsullit të Anglisë në Shkodër ndër të tjera thuhet:” Ne të nënshkruarit, kryetarët e dymbdhjetë familjeve fatkeqe… jemi prej fshatrave të Kështenjës dhe të Martiqit në Krajë. Që kur Mali i Zi i ka pushtuar, shkatërruar dhe djegur shatrat tona dhe pasurinë tonë, ne kemi ardhur në Shkodër, ku bëjmë një jetë të mjerueshme…Në fillim qeveria na caktoi një sasi misri për të ushqyer familjet tona fatkeqe edhe të mëdha në numër. Ky misër, në vend që të pakësonte vuajtjet e tyre, i shtoi edhe më tepër sepse, për të mos vdekur urie, këto familje e pëprdorën këtë misër të kalbur dhe të prishur…Këto familje vdiqen nga misri i kalbur. Nga ky shkak brenda një kohe fare të shkurtër vdiqën 240 vetë nga ata që kishin ardhur prej krahinës së shkretëruar të Krajës, ku kishin lënë vatrat e tyre dhe ishin kthyer  në njerëz pa shtëpi…Ndodhemi në gjendje të mjerueshme  dhe të vajtueshme. Për shkak të kësaj gjendjeje të mjerueshme ne kemi vendosur të kthehemi në fshatrat tona për të punuar dhe nxjerrë bukën e gojës. Përndryshe, po të zgjatim qëndrimin tonë këtu, pa strehë dhe pa ushqim do të duhej të pësojmë fatin e shokëve  tanë tash të vdekur”.

Gjendja nuk ishte më e mirë as në Ulqin. Pas rënies nën Mal të Zi(18 janar 1878), Ulqinin e lëshuan 143 familje, duke u vendosë kryesisht në Shkodër.Theksohet  se në Tivar e Ulqin autoritetet malazeze konfiskojnë bereqetin e tokave të atyre qe kishin ikur.

Në raportin e konsullit anglez në Shkodër, Grin, drejtuar qeverisë së vet, me 12 prill 1878, bën fjalë për Ulqinin ne mes tjerash duke cekur se “… tre mijë banorë të Ulqinit janë thjeshtë shqiptarë. Kufiri natyror i propozuar me rrjedhën e Bunës nuk mund të pranohet nga ulqinakët…”

Ndërsa në raportin e ambasadorit të Francës në Stamboll, Furnie, dërguar ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, Vadingtonit, pos tjerash theksohet, “… M u dorëzua nga Jusuf Efendiu, njëri nga deputetët shqiptarë të parlamentit  të fundit të Turqisë, një protestë e bashkatdhetarëve të tij…Tivarit dhe Ulqinit… ku ishin kundër aneksimit të tyre nga ana e Malit të Zi. Ata do të rezistojnë…”.

Gjithashtu  ndaj sundimit të Malit të Zi treguan mospajtim edhe katolikët e Krajës.

Kështu në një memorandum  dërguar Fuqive të Mëdha me 16 qershor 1878 gjenden nënshkrimet e tetë përfaqësuesve nga Shestani. Midis tjerash në atë memorandum shkruhet:“Ne ju lutemi që ta mbroni tërësinë  tonë nacionale dhe territoriale”. Duhet cekur me ketë rast se nënshkruesit janë shqiptarë të konfesionit katolikë e myslimanë të kësaj pjese të krahinës së Krajës, që dëshmon qasjen unike ndaj çështjes kombëtare shqiptare nga të gjithë përfaqësuesit e popullit pa dallim feje e krahine.

Dekompozimi territorial sipas Traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të  Berlinit

Në sajë të marrëveshjeve paraprake  Paqja e Shën Stefanit  në mes Rusisë dhe Perandorisë Osmane u nënshkrua me 3 mars 1878. Rusia bëri çmos dhe mbeshteti aleatet ballkanik, duke i siguruar Malit të Zi zgjerim territorial, dalje në det duke legjitimuar aneksimin e territoreve shqiptare.

Por, Anglia dhe Austro-Hungaria me kohë e kishin sinjalizuar Rusinë se nuk do të pranonin kurrfarë paqeje  që nuk do të ishte në përputhje me interesat e tyre. Me një fjalë kemi të bëjmë me një Traktat politik sipas interesave sllave të udhëhequr nga Rusia për dominimin e saj gjeopolitik në Europën Juglindore. Kështu në Shën Stefan u muar vendim që pjesë të mëdha të hapësirës etnogjeografike shqiptare t’i jepeshin Serbisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë.

Kështu Malit të Zi i jepeshin Ulqini, Tivari, Kraja, Ana e Malit, Hoti, Gruda, Kelmendi, Vermoshi, Plava, Gucia, Rugova etj.(neni 1). Më njëherë u vendos për formimin e Komisionit përkatës për caktimin e vijës kufitare në mes Malit të Zi dhe Turqisë. Por, duhet theksuar se deri në Kongresin e Berlinit, mbi kufijtë në mes Malit të Zi dhe Turqisë në anën e Shqipërisë nuk është arritur marrëveshje e detajuar dhe globale.

Traktati i Shën Stefanit ishte vepër e Rusisë dhe aleatëve të saj ballkanikë, dhe si i tillë ishte akt ndërkombëtar që konfrontoi interesat e Fuqive të Mëdha dhe shënoi fillimin e copëtimit të trevave shqiptare në dobi të monarkive ballkanike. Ishte pikërisht ky Traktat i cili u bë shkak përçarjesh  e grindjesh të thella e të zgjatura midis popujve të Ballkanit, u bë nxitje për luftëra të reja e më të tmerrshme. Nga ky Traktat dual qartë se Perandoria Osmane nuk ishte në gjendje të ruante  tërësinë e saj tokësore në Gadishullin Ballkanik, por më tepër , do t i detyronte shqiptarët të paguanin me tokat e tyre për disfatën që ajo kishte pësuar. Me një fjalë Traktati i Shën Stefanit nxori në shesh tërë politikën grabitqare, rrezikun e madh të copëtimit të tokave shqiptare si dhe interesat gjeopolitike të Fuqive të Mëdha në Europën Juglindore.

Por, vendimet e Shën Stefanit mbetën vetëm në letër, sepse me një projekt të tillë nuk u pajtuan Fuqitë e Mëdha evropiane rivale të Rusisë, të cilat nuk mund ta lejonin dominimin e Rusisë në Ballkan. Ato kërkuan që të rishqyrtoheshin të gjitha hollësitë e Paqes së Shën Stefanit.

Pikërisht në lidhje me ketë çështje Austro-Hungaria, që me 6 mars 1878 dha propozimin që të thirret Kongresi në Berlin. Po ashtu edhe Anglia ishte kundër vendimeve të Shën Stefanit dhe me 1 prill 1878 u dërgoi notë shtetëve nënshkruese të Kontratës së Parisit(1856) dhe Konventës së Londrës(1871), duke parashtruar tërë problematikën dhe arsyet e thirjes së Kongresit. Rusia u frigua nga situata e kriuar dhe iu përgjigj me Memorandumin  e datës 9 prill 1878, duke theksuar se vendimet e Paqës së Shën Stefanit mund të korigjohen prej Fuqive të Mëdha. Pas marrëveshjeve të fshehta, Fuqitë e Mëdha, në mënyrë që të fitonin benificione të tjera duke siguruar edhe pjesë  nga territoret që mbante Turqia, definitivisht u përcaktuan ta thirnin Kongresin e Berlinit  me 13 qershor 1878.

Duke parë intrigat e Fuqive të Mëdha dhe rrezikimin e tërësisë tokësore shqipatre, shqiptarët vendosën formimin e një organizate politike e cila do të ishte në interes të popullit shqiptar. Pikërisht me 10 qershor 1878, në Prizren u themelu Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Kuveni i Lidhjes vendosi të njoftonte Kongresin e Berlinit, që do të mblidhej me 13 qershor, që mos ti jepte asnjë pjesë toke nga atdheu i shqiptarëve  ndonjë shteti të huaj, se shqiptarët do të luftonin për ti mbrojtur.

Kongresi i Berlinit i zhvilloi punimet nga 13 qershori deri me 13 korrik 1878, ku moren pjesë gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglia, Gjermania, Franca, Italia, Austro-Hungaria dhe Rusia. Përfaqësuesit e Turqisë nuk kishin të drejta më përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha, ndërsa përfaqësuesit e shtetëve ballkanike  kishin të drejtë vetëm të pikëpamjet e qeverive të tyre. Ndonëse shqiptarët i  dërguan Kongresit meomrandume, letra e peticione kundër copëtimit të territoreve shqiptare  ata nuk u moren fare parasysh.Ky kongres kishte si mision për të rishikuar vendimet e Shën Stefanit, pra për hartimin e një harte të re politike në Europën Juglindore, sipas interesave të Fuqive të Mëdha. Kështu në ketë kongres u vendos që Malit të Zi ti jepen ato territore të cilat ishin  definuar në Traktatin e Shën Stefanit, duke filluar në jug nga Tivari, Podgorica, Zhablaku, Spuzha Plavën dhe Gucinë, ndërsa Ulqini do të mbetej në kuadër të Perandorisë Osmane, përkatësisht të Shqipërisë. Ishin këto vendime të përcaktuara në nenin 28 të Traktatit të Berlinit, ndërsa i mbetej komisionit përkatës të përcaktoj në terren kufrin në mes Malit të Zi dhe Turqisë. Me një fjalë Kongresi i Berlinit  i dhuroi Malit të Zi territore që as historikisht, as etnikisht nuk i kanë takuar asnjëherë.

Ishin këto vendime arbitrare të Fuqive të Mëdha   duke mos e  marrë  fare parasysh parimin etnik  pra të kombësisë, por në shprehje kanë ardhë interesat  gjeopolitike të Fuqive të Mëdha që ishin në dëm të popullit shqiptarë. Ishte ky fillimi i rrudhosjes së hapësirës etnogjeografike shqiptare, dhe zvoglimit demografik, pasoja këto që do të jenë të pranishme në dekadat që do të pasojnë.

Ndërsa më pas është e   njohur çështja  e  Ulqinit  që paraqet rast të veçantë diplomatik ndërkombëtar, duke renë viktimë e pazarlleqeve të Fuqive të Mëdha. Dihet se në sajë të vendimeve të Kongresit të Berlinit u vendos qe Ulqini ti mbes Shqipërisë-përkatësisht Perandorisë Osmane, andaj  ushtria malazeze është tërhequr me 8.2.1879.  Por Fuqitë e Mëdha, ne kompensim për Plavën e Gucinë, përkatësisht Hotin e Grudën,  bën presion diplomatik dhe ushtarak ndaj Perandorisë Osmane, e cila ia dorëzoj Ulqinin  Malit të Zi në nëntor  të vitit 1880, edhe pse shqiptarët luftuan aq sa kishin mundësi për të mbrojtur tërësinë toksore shqiptare. Këto ngjarje historike populli i ka pasqyruar  në këngë të cilat janë dëshmi e sakrificës për të mbijetuar për liri në trojet e veta.

Se si ka ndryshuar madhësia e territorit të Malit të Zi dëshmojnë të dhënat se para Kongresit të Berlinit Principata e Malit të Zi e kishte sipërfaqen 4.400 km2, ndërsa pas Kongresit ajo u dyfishua në 8.665 km2. Ky zgjerim u bë në sajë të nenit 28. të Kongresit të Berlinit.

Ndërsa pas vitit 1880, kur iu dorëzu Ulqini Malit të Zi nga ana e Perandorisë Osmane dhe  me disa ndryshimeve të tjera  të vogla territoriale sipërfaqa e Malit të Zi arriti në 9.475 km2. Këto të dhëna numërike flasin qartë  së përveç  luftës për pavarësi Mali i Zi po ashtu qellim  ka  pasur  zgjerimin  territorial që u arrit me mbeshtetjen diplomatike të Fuqive të Mëdha e ate kryesisht të Rusisë, duke krijuar hartën e re politike të Ballkanit.

 

Përfundim

Të dhënat e prezentuara nga S.Gopçeviqi, dëshmojnë të dhëna autentike sepse ai ishte dëshmitar okular i ngjarjeve të zhvilluara rreth Tivarit, dhe  në regjionin bregdetar. Por këto të dhëna vërtetohen edhe nga burime të tjera nga literatura e konsultuar enkas për këtë ngjarje historike. Eshtë çështje tjetër se ai ishte përkrahës i pushtetit malazias të kohës, por ofron të dhëna objektive në lidhje me operacionet luftarake të zhvilluara në Tivar si dhe në regjion. Madje ky është autori i vetëm sllav i cili viset shqiptare të aneksuara nga Mali i Zi i quan pa komplekse vise shqiptare sipas nahijave përkatëse. Madje mendoj së është  pikërisht  kjo  arsyeja qe ky autor nuk citohet pothuaj aspak nga autorët sllav ne studimet e tyre,kur trajtojnë një çështje të tillë. Sepse sipas të dhënave të publikuara del qartë se  autorë të tjerë kësaj çështje i janë qasur   sipas interesave të politikës shtetërore, duke arsyetuar aspiratat ekspansioniste të monarkive ballkanike të kohës qe u legjitimuan  nga  Fuqitë e Mëdha  në Kongresin e Berlinit(1878).

Të dhënat qe na ofron autori del qartë se  populli shqiptar luftoi me aq sa pati mundësi për të mbrojtur tërësinë tokësore shqiptare por ishte e pamundur të rezistohej më tepër duke marrë parasysh rrethanat ushtarake e gjeopolitike të kohës.

Andaj  ne të ardhmen çdo temë apo studim qe ka të bëjë ne lidhje me çështjen e Tivarit në vitet 1877-78 duhet patjetër të merret në konsiderim edhe libri i S.Gopçeviqit, duke qenë referencë e domosdoshme në literaturën historike.

 

Literatura:

  1. Spiridon Gopčević, Crnogorski-turski rat 1876-1878, Vojno delo, Beograd 1963
  2.   Zloković, Ignjatije: Spiridon Gopčević, Godišnjak Pomorskog muzeja u Kotoru, br. 15, Kotor, 1967., str. 147-165.

3.Emekli General I.Halil Sedes, Osmanli-Karadag Seferi, Istanbul 1936

  1. Antonio Baldacci, Rrugëtime shqiptare(1892-1902), Botoi:Argeta LGM, Tiranë 2004
  2. Hajrudin Muja, Ulqini dhe Tivari ndërmjet krishtërimit dhe islamit, Botoi: LOGOS-A, Shkup 2009
  3. Grup autorësh, Bar grad pod Rumijom, Botoi: Izbor, Bar 1984

7, Gjokë Dabaj, SHESTANI-studim filologjik gjithëpërfshirës I-II, Botoi: “Gjon Buzuku”, Ulqin-Tiranë-Prishtinë, 2004

  1. Gjokë Dabaj, E kaluara e vërtetë e Arqipeshkvisë së  Tivarit, Botoi: Art Club,          Ulqin 2014
  2. Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, Botoi: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Tiranë 1978
  3. Nail Draga, Shqiptarët në Mal të Zi, Botoi: Art Club, Ulqin 1994
  4. Fejtoni në gazetën Pobjeda, janar 1980
  5. Riza Rexha, Ulqini në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit(1878-1881), Botoi: Art Club, Ulqin 1998
  6. Xhevat Repishti, Isuf Sokoli dhe lufta per mbrojtjen e Ulqinit, Tirane 1978
  7. Këngë popullore nga Rilindja Kombëtare Shqiptare, IAP, Prishtinë 1978
  8. Novak Ražnatović, Crna Gora i Berlinski kongres, Titograd 1979
  9. Iljaz Rexha, Memorandumi i Abdyl Frashërit kundër vendimeve të Traktatit të Shën Stefanit, Lemba nr.18-19/2014
  10. Muhamet Pirraku, Roli i myderris Jusuf Efendi Podgoricës për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare para dhe gjatë LSHP-së, Lemba nr.11/2007
  11. Andrija Jovićević, Crnogorsko primorje i Krajina, SKA, Beograd 1922
  12. Safet Bandžović, Iseljavanje muslimana Crne Gore u Tursku, knj.I, Podgorica, 2011
  13. Shaqir Ismaili, Bojku në Anë të Malit, Art Club, Ulqin 2011
  14. Xhafer Belegu, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Tiranë 1939
  15. Skendër Rizaj, Çështja e Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës dhe Ulqinit, LEMBA nr.1/1999

 

LUFTA  PËR  TIVARIN SIPAS  S.GOPÇEVIQIT

Summary

Deri më tash ngjarjet për Tivarin për  vitët 1877/78 janë  trajtuar nga autor të ndryshëm  duke ofruar të dhëna të cilat mund të trajtohen në shumë aspekte, varësisht nga qasja e tyre profesionale. Por në lidhje me këtë temë ekziston një autor i cili pothuaj ka mbetur i panjohur për opinion e gjerë, dhe si i tillë  nuk citohet fare nga studiues të ndryshëm, sidomos të ata sllav, që është rast për hulumtim, duke marrë parasysh se libri i tij mund të konsiderohet si bazë për trajtimin e kësaj çështje ne këtë periudhë kohore.

Fjala është për autorin  Spiridon Gopçeviq (1855-1937) i cili këtë çështje e ka trajtuar me shumë kompetencë në librin Crnogorski turski rat 1876-1878, botuar në Beograd të  përkthyer në gjuhën serbe në vitin 1963 nga shtëpia botuese Vojno dello. Libri ofron të dhëna me interes nga vet fakti se autori ka qenë dëshmitar okular i ngjarjeve, që është rast i rrallë për kohën duke ofruar të dhëna autentike, në aspektin ushtarak por edhe ate gjeopolitik në këtë regjion. Ngjarjet e trajtuara janë në kontekstin e luftës së Malit të Zi kundër Perandorisë Osmane, ku Mali i Zi luftonte për pavarësi  por edhe për  zgjerim territorial. Ndërsa, për luftën  e Tivarit e cila zgjati rreth dy muaj(15.11.1877-8.1.1878)  ofron të dhëna interesante duke  cekur  se ajo ishte e përgjakshme me shumë viktima në popullsi civile dhe ushtarë, duke e shkatërruar pothuaj tërësisht Kalanë e qytetit, që dëshmohet me germadhat e mbetura edhe në ditët tona. Rënia e Tivarit nën pushtetin e Malit të Zi si dhe disa viseve tjera shqiptare u legjitimua me bekimin e interesave të Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit(1878), duke  mos marrë parasysh parimin etnik të popullsisë në territoret përkatëse.

Qasja e tij për këtë ngjarje historike mbetet burim i rëndësishëm për të gjithë ata të cilët dëshirojnë ta trajtojnë këtë çështje pa subjektivizëm e improvizime, por në realittein e rrethanave të kohës.

Filed Under: Histori Tagged With: LUFTA PËR TIVARIN SIPAS S.GOPÇEVIQIT, Nail Draga

GJERMANIA E PASZGJEDHJEVE DHE DITA E RIBASHKIMIT

October 3, 2017 by dgreca

Nga Ines Pohl/

Pak pas zgjedhjeve për Bundestagun, dita e ribashkimit të Gjermanisë vjen në një kohë kur Gjermania lufton me veten. Kjo ndodh kur Gjermania duhet të pozicionohet edhe në botën e jashtme/

Mauerchronik 6_01 (picture-alliance/ dpa)

Që prej vitit 1990, Gjermania e kremton ribashkimin e saj me një festë në tre tetor. Megjithë vështirësitë e pazgjidhura, shpresat e zhgënjyera, projektet e papërfunduara: një ditë e gëzimit. Një ditë, në të cilën bota shikonte herë pas here me habi dhe respekt drejt këtij vendi, i cili ndihet përgjegjës për kaq shumë mizori dhe që e rrëzoi megjithatë në mënyrë kaq paqësore Murin, që qëndroi për një kohë kaq të gjatë, për t’u bërë i ribashkuar. si demokraci e sigurtë dhe si fuqi ekonomike e suksesshme, një nga kolonat mbajtëse të botës perëndimore.

Bota ka dalë nga shinat

Por pastaj erdhën zgjedhjet e vitit 2017 për Bundestagun. Dhe partia populiste e djathtë AfD përfundoi me gati 13 përqind në vend të tretë. Që atëherë, kushtrimi i betejës, me të cilin qytetarët e

RDGJ-së luftuan atëherë për lirinë e tyre, tingëllon krejt ndryshe. “Ne jemi populli”, thirrën ata në Dresden dhe në qytete të tjera në vitin 1989 dhe e rrëzuan me këtë sistemin e padrejtësisë. “Ne jemi populli” donte të thoshte, ne duam të vendosim në mënyrë demokratike, se në cilin vend do të jetojmë. Ne nuk lejojmë më të na mbajnë nën tutelë dhe të na shtypin.

Sot, kur me AfD futet në parlament për herë të parë një parti populiste e djathtë, kjo fjali tingëllon krejt ndryshe. Në këtë “Ne jemi populli” nuk dominon më kërkesa për bashkëvendosje demokratike. Për shumë, mesazhi kryesor i “Ne jemi populli” ndërkohë është para së gjithash:”Dhe ju nuk jeni. Ju nuk bëni pjesë te populli. Dhe jo këtu.” Kjo thuhet në lidhje me refugjatët, që erdhën dy vitet e fundit në Gjermani, për të kërkuar mbrojtje dhe për të gjetur një të ardhme. Por është edhe një reagim i kthyer së prapthi ndaj një bote që ka dalë nga shinat, ku nuk është më asgjë siç ka qenë – dhe që nuk do të jetë më kurrë.

Milionë vetë në arrati

Miliona vetë e kanë marrë rrugën – sepse nuk mund apo nuk duan të jetojnë më në atdheun e tyre, sepse luftërat, epidemitë, thatësirrat dhe përmbytjet i dëbojnë. Miliona të tjerë do të pasojnë. Ata nuk do të lejojnë që të ndalohen, por do ta kërkojnë, madje edhe do të luftojnë për pjesën e tyre në një jetë më të mirë. Të gjithë këta njerëz nuk do të duan të vijnë detyrimisht në Evropë. Por lëvizjet migratore dhe pasojat e tyre do të lënë domosdoshmërisht pasoja të ndjeshme në të gjithë botën. Prandaj “Ne jemi populli” e menduar si përjashtuese është në fund një parullë, e cila në pafuqinë e saj u drejtohet jo vetëm politikaneve dhe politikanëve, por edhe 87 përqindshit të zgjedhëseve dhe zgjedhësve gjermanë, të cilët vendosën kundër AfD. Situata është e tillë që ndryshe nga viti 1989, pas këtij kuptimi të “popullit” nuk qendron e mbledhur një shumicë.

Dhe megjithatë: thjesht një “edhe më tej kështu” dhe tërheqja në përparimin vetjak dhe në lumturinë private nuk mjaftojnë si përgjigje për këtë rezultat të zgjedhjeve. Edhe negociatat e ndërlikuara të koalicionit janë një dëshmi se bëhet fjalë për çështjen e madhe se në cilin vend duam të jetojmë.

Ines PohlInes Pohl

Bashkimi nuk është diçka e vetëkuptueshme

Poeti gjerman, Johann Wolfgang Goethe e bën Faustin e vet të thotë:”Atë që trashëguar nga baballarët e tu e ke, fitoje, për ta zotëruar”. Një fjali që duket se është shkruar për këtë ditë të ribashkimit gjerman. Sepse ky ribashkim nuk është një gjë, që thjesht është aty. Ai nuk është një fakt, për të cilin të tjerët mund të kenë luftuar, por që tani është diçka e vetëkuptueshme.

Suksesi i AfD-së në landet perëndimore të Bavarisë dhe Baden-Vyrttembergut dëshmon përfundimisht, se ndarja e thjeshtë në zona problematike lindore dhe perëndimore është shumë e thjeshtëzuar për këtë botë. Tani kërkohet që të luftohet për një Gjermani, e cila e sheh veten si anëtare të Bashkimit Evropian, që ndodhet fort në tabanin e Kushtetutës dhe që nga pasuria dhe ndikimi i saj nxjerr përgjegjësinë për të ndihmuar aty ku njerëzit janë në situatë më të keqe. Gjermania feston ditën e bashkimit. Një festë, e cila në 2017-ën është më tepër porosi, se sa rikujtim.(DW)

Filed Under: Analiza Tagged With: DITA E RIBASHKIMIT, GJERMANIA E PASZGJEDHJEVE DHE, Ines Pohl

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • …
  • 62
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT