• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2018

FLAMURI I SHOQЁRISЁ “DЁSHIRA”

February 19, 2018 by dgreca

1 Shoqeria Deshira FlamuriSi u krijua dhe si u bë pronë e Muzeut Kombëtar/

1 Frederik Stamati

Nga Frederik Stamati/ Gazeta”DIELLI/

Aty nga vitet e fundit të shek. XIX veprimtaria e shqipëtarve të Sofjes mori të gjitha nuancat e atdhetarizmit, duke arritur një kulm. Ky kulm, njëherazi politik dhe shpirtëror, ishte formimi i Shoqërisë “Dëshira”, më 1 janar1893. Ajo kënga aq e njohur në kohërat e shkuara, kur patriotizmi ishte ndjenja e ditës, por fare pak e kënduar sot, “Që më një të kollozhegut, u formua shoqëria”, origjinale për nga fjalët dhe me melodi të përshtatur nga Spiro Garo, është pikërisht për këtë ngjarje. Sot ngjan anakronike, si melodi kishëtare, e përshtatëshme për repertorin e “Korit të pleqëve”, por në ato kohëra lartësonte shpirtin në hapësira shqiponjash.

Lajmi dhe gëzimi, këta bashkëudhëtarë të përhershëm të ngjarjeve të arrira, prekën dhe ngazëllyen koloninë shqiptare, që po mundohej të akordonte instrumentat e pavarësisë.Për fat të mirë, në arkivin e Institutit të Historisë ruhen në një dosje të veçantë kujtimet e patriotit Loni Grabocka për Shoqërinë “Dëshira”, të cilat edhe po t’i lexosh me një frymë, të ndriçojnë me një rreze drite të shenjtë nga lartësia e mendimit të asaj kohe aq të nderuar.

Mendimi i njeriut, sado i fuqishëm, në çdo rrethanë e pranon një të parë. Psikollogjia e do një simbol.

Simboli i parë i shoqërisë ishte emri i saj.

Në vitin 1896 shoqëria pranoi simbolin e saj të dytë, datën 15 gusht, ditën e Shën Mërisë së verës, në kujtim të eskursionit të parë me mbresa ekzaltuese.

Simboli i tretë ishte flamuri.

Një shoqëri patriotike ngjan me një lule, flamuri është nektari i saj. Mbretëresha e bletëve, sado autoritare, nuk është asgjë përpara forcës së tij. Rreth flamurit do të mblidhen të gjithë. Ai do të jetë udhërrëfyesi. Të gjithë do të ecin prapa tij, si prapa një profeti.

Të paktën unë nuk e di se kush e çfaqi i pari idenë e flamaurit; në ato dokumente që kam patur rastin  të shikoj, nuk përmendet emri që meriton nderim historik.

Kjo ndodhi në vitin 1904. Atëhere  i u kërkua shqipëtarëve të Sofjes që të ndihmonin me të holla për të punuar një “flamur kombëtar të shoqërisë”. Gatishmëria e tyre për të kontribuar mund të krahasohet me një garë atletësh, ku diploma, dëshmia, apo kupa ishin vetëm një simbol përfytyrimi, fantazi, të shumës së dhuruar. U mblodhën 45 napolona ar. Në se nuk e dimë se kush e ideoi flamurin, dimë që atë e qëndisi në mëndafsh Polikseni Luarasi. Ai është i madh. Dimensionet e tij janë 110 cm me 100 cm. Në të majtë ka vendin ku futej shkopi. Fusha e tij ndahet në dy pjesë të barabarta, njëra e kuqe dhe tjetra e bardhë në koncept, por në të vërtetë krem në të verdhë në bezhë. Idenë e dy fushave e dha qeveria bullgare. Në mes qëndron e qëndisur me mjeshtëri shqiponja e zezë, e madhe, ndryshe nga shqiponja e sotme zyrtare, e flamurit kombëtar. Në atë kohë nuk ishte miratuar ndër atdhetarë forma e shqiponjës, ishim akoma nën Turqinë dhe seicili e kompozonte shqiponjën sipas konceptit të vet për madhështinë që ajo duhej të paraqiste. Nën shqiponjë shkruhet me fill të verdhë, e të ndritshëm metalik:

SHOQЁRIA E SHQIPЁTARVET

“DЁSHIRЁ”

FILLUAR MЁ 1 KOLLOZHEG 1893

NЁ SOFJE

Anash varen thekë të verdha, e të rënda, të cilat njëlloj si germat konsiderohen të arta. Edhe dy xhufkat lart. Nuk i kemi analizuar akoma, por errësimi që kanë pësuar të bën të mendosh për një metal jo aq të çmuar. Sido që ta varësh, flamuri rri i tendosur, është i rëndë, peshon 1,5 kg.

Përurimi i flamurit u bë në ditën simbol të shoqërisë, me 28 gusht 1904. Kjo datë përkon me kalendarin e vjetër. Në se da ta kthejmë në kalendarin e ri i bie dita e Shën Mërisë së verës, simboli i dytë i shoqërisë, pra me 15 gusht.

Ceremonia ishte një nga ato ngjarjet  që kujtohen gjithë jetën me emocion. U bë një manifestim shqiptar në rrugët e Sofjes. Në krye të manifestuesve valavitej flamuri i shoqërisë, i mbajtur nga Pando Llazar Treni. Mbas flamurit banda ngrinte edhe më lartë entusiazmin e të pranishmëve. Këngë, edhe ndonjë lot ngazëllimi.

Pranë Sofjes, vetëm 5 km. larg ndodhej “Pavlovo”. Lule dhe drurë të gjelbëruar  gjatë të gjithë vitit në këtë kopësht të madh, vend ideal për ceremoni dhe aktivitete argëtuese! Nganjëherë festimi i gushtit, i ditës patronale të shoqërisë “Dëshirë” bëhej në restorantin e Pavllovos.

E gjithë dita ishte demonstrimi më i zjarrtë i atdhedashurisë, gazmore, mallëngjenjëse dhe respekt i kujtimit të traditës. Që në mëngjes herët shqipëtarët mblidheshin tek stacioni i tramvajit. Udhëtimi ishte një vragë hareje në kryeqytetin bullgar. Në krye të tramvajit qëndronte si udhërrëfyes flamuri i madh i shoqërisë. Banda përhapte ndjesi shqiptarie. Ejani të gjithë këtu! Ejani me ne në këtë gëzim shpirti! Këngët, sado të kënduara nga turma, nuk kanë disakorde, ato mbeten gjithmonë të bukura, sepse janë pjesë e asaj hareje që ndjen shpirti.

Flamuri kishte vend nderi në gosti: drejtoju atij dhe e ke menjëherë të gjithë gamën e përbërsave  të atdhetarizmit. Dollitë, urimet,  këngët patriotoke dhe ato popullore, vallet, recitimet, i gjithë repertori i gostisë ngrohte shpirtin. Flamuri ishte pjesëmarrësi i përherëshëm i kësaj hareje. Ai i ka thëthitur të tëra, i ka në simbolikën e vet.

Edhe gjatë kthimit vazhdonte nëpër rrugët e Sofjes  marshi triumf i të gjithë shqipëtarëve, me brohori dhe me bandë, në krye të të cilit ecte dhe ecte flamuri.

Por si u ndodh në Shqipëri? Informacioni i parë ishte se ky flamur u dorëzua nga ambasada e Shqipërisë në Sofje në Institutin e Historisë,  përpara vitit 1980.

Ah këto ngutje në dhënien e informacionit! E vërteta është fare ndryshe.

Në vitin 1930 ka ardhur këtu nga Sofja një Përfaqësi e Federatës Shqiptare “Dëshirë”, duke sjellë me vete edhe flamurin, të cilin i a dorëzoi mbretit  Zog. Dhe Zogu urdhëroi që flamuri t’i dhurohej Muzeut Kombëtar.

Delegacioni erdhi në rrugë tokësore në drejtimin Bilisht-Korçë-Librazhd-Elbasan-Durrës-Tiranë. Në Tiranë arriti drekën e të premtes me datë 28 mars.  Zogu i priti me 31.

Ngjarja u pasqyrua në shtypin e kohës gjatë disa ditëve, natyrisht me vonesë, falë mundësive teknike të atëhershme.

Ja disa raste:

  • GAZETA SHQIPËTARE, Bari, e Djellë 6 prill 1930

LETRA NGA ELBASANI

                        Ardhja e Paris së Federatës “Dëshira”

Ditë përpara kaloi prej këndej tyke ardhur nga Sofia e Bullgaris, dhe shkoi për në Tiranë Parija e Federatës “Dëshira”, që ka qendrën në Kryeqytetin e Bullgaris, e degë nëpër disa qytete t’asaj Mbretnije. Kjo pari ish e përbame prej Kryetarit të Federatës, z. Lazar Janko Grabova, Ndën Kryetarit z. Sherrif A. Tetova, Kryetarit të Degës, z. Jovan Treni, Kryetarit të Degës II, z. Dhimitr Toska, Kryesekretarit, z. Thoma Luarasi, Sekretarit z. Jorgji Prifti, Këshilltarit Kontrolluës,  Z. Adham Shkaba e antarit të Këshillës Administartive, z. Kollumbi.

Prej Korçës deri në  Tirane i shoqënuan edhe i përnderëshmi Mitrofor Vasil Marku, së bashku me z. Dhimiter Mole. U ka dale perpara për t’i pritun një komisjon i përbamum prej Kryetarit të Bashkis, Komandantit të Kompanis Z. Kap. Idriz Ruka, drejtorit të Shkollës Normale, z. Ahmet Gashi e antarit të Bashkis, z. av. Kamber Gjergjanit.

Ky komisjon u duel përpara gjer ne Librazhdë. Sikurse dihet, parija e naltpermendun e Federatës “Dëshira” të Bullgaris shkon në Kryeqytet për t’i paraqitun e për t’i dhurue N. M. Tij Mbretit t’onë August flamurin e parë të Shoqenis “Dëshira”. E cila ka qenë nga ma te vjetrat Shoqëni shqiptare që janë  përpjekun për çështjen shqiptare, sikurse merret vesh edhe nga data historike që mban flamuri:1893.

Në Librazhdë i u ba përfaqesuesëvet të Federatës një pritje shum e bukur dhe u shkëmbyen fjalë pritjeje e falenderime midis z.z. Kollumbi e Rustem Ymeri, kryetar i Bashkis këtu. Përfaqësuesit e Federatës “Dëshira” mberritën n’Elbasan në kohën e mjesditës, dhe për nderim të tyre u dha nje drekë në Hotel “Bristol”, e pregatitun apostafat për ta.

Në këtë drekë kanë folun Z. Qazim Bodinaku, Prefekti i Elbasanit, edhe Z. Rustem Ymeri, për dobitë që i ka sjell :Shoqërija “Dëshira” çeshtjes kombëtare dhe për mundimet dhe sakrificat e atyre patriotëve të paharruem qe muaren nisjativën me e formue, tyke shtye se N. M. e Tij Mbreti August i Shqiptarëvet, i cili s’flen as dit as natë tyke mendue një avenir te shkëlqyeshëm për historin e Shqipnis, do të ndjeë gëzim e kënaqësi për këtë dhuratë të shenjtë, që i dërgojnë vëllezrit t’anë te Bullgarisë.

U pergjegjën Z.Z. Thoma Luarasi e Kolumbi me fjalë shumë të bukura falenderimi e mirëdije.

Flamuri ndenjti i ekspozuem në ballkon të Prefekturës që kurse erdhën përfaqësuesit e gjer sa u nisën për Tiranë.

Kur u nisën për Tiranë, u përcuallën prap prej komisjonit pritës edhe në te dalmen prej Elbasani. Baoni, (“Baon” është një term i marrë nga ushtria austro-hungareze dhe nënkupton një njësi ushtarake të ngjashme me kompaninë. F. S.), i paraushtarakëvet i përcuell tyke i nderue e tyke ba edhe një paradë përpara tyre për nderim”.

Me datën 5 prill 1930, ditë e shtunë, GAZETA SHQTPËTARE në kronikën Lajme nga Durrësi boton shkrimin:

“Komisjoni i Shqiptarvet të Sofjës

                                        (Korrespondenca e veçantë)

Durrës,4.

Lajmi i ardhjes së delegacionit shqiptar të Shoqënis Dëshira të Sofjes së Bullgaris qe dhanë prej shumë kohësh në Durrës dhe për këtë qëllim autoritetet e vendit dhe Banda e Bashkis kishin dalë dy herë ne pontilin e Durësit për t’i bamë pritjen e duhun.

Per mbanë tjetër u muer vesh se ky delegacion duel në Bilisht dhe prej andej ban udhëtimin në Korçë e Elbasan. Po sa arrijnë në Elbasan, Bashkija e Durrësit i ban nji telegram asajë së Elbasanit, tue i treguem gëzimin që ndjen kjo Bashki kur do të shofi që të gjinden pranë tryezës së tyne të vogël, vizituësit e dashtun.

Nji këjo thirrje dhe nji kënaqje për durrësakët, mblodhi gjithë popullin, e ndër këta edhe djemt e vajzat e shkollës në krye të Bandes së Bashkis, për t’i bamë pritjen e kënaqshme.

Turma e madhe priste edhe paraushtarakët zën vend pranë centralit elektrik të Durrësit, prej orës 5 mbas dreke. Nji kohë prej erës se ftohët djemt dhe vajzat u shpërndanë, pse mjerisht vizituësit vonuën edhe ma.

Pak ma vonë kur era fryente ma me tërbim, autoritetet e populli kthen per t’i bamë pritjen në Hotelin “Splendit”, ka ishte edhe salla e pregatitun prej Bashkis. Nuk zgjati ma se gjysem ore dhe plote në orën 7 delegacioni zbret në hotelin e përmendun, ku Banda me njiherë  për nderim lot hymna të bukura.

Ditën e nesërme vizituësit paraqiten në Hotelin “Splendit” përpara popullit e femijve të Shkollës flamurin që do të dhurojshin në duert e N.M. Tij Mbretit. Banda dhe djemt e shkollës në këtë rast banë nderimet ma të nxehta, dhe mbas ligjëratës që mbajti nji nga delegatës dhe nje nxanës i shkollës, trupi deleguës u nis për në Tiranë, i përcjellun deri jasht qytetit me nderime të medhaja”.

Pritja e delegacioni nga mbreti Zog u bë ditën e hënë, me datë 31 mars.

Në shtypin e kohës ngjarjet në përgjithësi ipeshin me vonesë, por “Gazeta e Korçës” e dha njoftimin me datën 1 prill, nën titullin:

“PËRAQËAONJËSIT E FEDERATËS “DËSHIRA” PËRPARA MBRETIT

Tiranë, 31. Sot L.M.T. Mbreti pret përfaqësuësit e federatës panshqipare “Dëshira” të Sofjes të cilët ndodhen këtu që të premten më drekë. Në këtë audiencë këta do t’i paraqesin flamurin historik të shoqërisë, nën hijen e të cilit Shqipëtarët e Bullgarisë kanë punuar për dobin e vendit t’onë edhe L.M.T. Mbreti do t’u japë një të ri. Sonte bashkija do të japë një darkë për nderin e tyre.

Flamuri që do t’i paraqitet L.M.T. Mbretit ka madhësi të zakonëshme. Fusha është gjysmë e kuqe dhe e bardhë. Në mes ka një shqipe të qëndisur me të zezë dhe bojë hiri. Rreth shqipes janë të qëndisura në ar këto fjalë: Shoqëria e Shqipëtarëve “Dëshira” filluar më 1 kollozheg 1893 në Sofje”.

Veç të 12 përfaqësuësve të federatës do të marrin pjesë në delegacionin H.R. Vissarioni, At Vasil Markus, Jashar Erebara dhe disa të tjerë bashkëpunëtorë të vjetër të tyre”.

Po kjo gazetë, në të njëjtën datë dhe nën të njëjtin titull, informon edhe për takimin.

“Tiranë, 31. Sot ora më 11 L.M. e T. Mbreti pranoj n’audiencë delegacionin e kollonisë shqiptare të Sofjes për t’i dorëzuar L.M. së T. flamurin historik nën hien e të cilit u zhvillua aktiviteti patriotik i shoqërisë “Dëshira” të Sofjes në kohën e lëvizjes për independencën e Shqipërisë.

Delegacionin, të cilin e shoqëronte ministri i ri i Shqipërisë në Sofje z. Qemál Mesareja, ia paraqiti L.M. së T. ministri i púnëve të jashtme z. Raúf Fico. Pranë L.M. së T. ndódheshin pjesëtarët e shtëpisë ushtëriake e civile.

Në përgjigje të ligjeratës së mbajtur prej njërit nga delegatët, L.M. e T. theksój veprimet patriotike të kollonis’ së Sofjes dhe tha se do të japë urdhër që flámuri i shoqërisë të ruhet në muzeumin kombëtár si shëmbull për brezat e rinj te therorive që janë bërë për fitimin e lirisë e t’independencës së Shqipërisë.

Pas mbarimit të ligjeratës L.M. e T. i dórëzoj delegacionit flámurin e ri”.

Një informacion më të plotë  e dha GAZETA SHQIPËTARE, të premte me 4 Prill 1930.

“Delegacioni i Federatës “Dëshira”

                                                      Para N.M.T. Mbretit

Të hënën, n’orën 11,30 para dreke, u paraqit të N.M.R. Mbreti delegasioni i federatës “Dëshira” të Sofjes, të Cilit i dorëzuan flamurin historik mbas fjalimit të Z. Thoma Luarasi. Delegasioni, i përbërë prej 9 vetësh ishte shoqëruar prej zz. Rauf Fico, Qemal Mesereja, Rasim Kalakula, Imzot Vissarion, At Marko, Jasar Erebara, Bajo Topulli, Kristo Luarasi, etj.

Ja teksti i fjalimit që tha zoti Thoma Luarasi:

“Nalt  Madhëri,

Kollonia e shqipëatrëve rë Bullgaris po mbush gjysëm shekulli që kurse ka filluar shoqërinë “Dëshira”. Kjo kolloni, atdhetarësh, ndonëse e përbërë prej klassit të punëtorëve, ka ditur se si të punojë, për lirimin e Atdheut dhe për perhapjen e mësimit të gjuhës s’onë.

Në mes të veprave të tyre, këta bënë kët flamur me shkabë të zezë në fushë të kuqe, nën hijen e të cilit kryen me gjithë deshirë  detyrat e tyre.

Qeverrija bullgare e aherëshme, e cila u dha lejë nisiatorëve, i këshilloi që fushën t’a bënin gjysmë të kuqe e gjysmën të bardhë me shkabë të zezë në mes, me qëllim q’e bardha të tregontë arësim dhe e kuqja shenjën e flamurit, edhe më tepër që të mos keq-interpretohej.

Rreth kësaj shenje historike, punuan dhe vepruan me sa u ishte e mundur gjithë pleqtë t’anë, një pjes e të cilëve ka ndërruar jetë dhe lumturisht pjesa tjetër rron edhe gëzohet bashkë me neve.

Nalt Madhëri,

Jemi fatbardhë që i arrimë kësaj dite që shoqëria u transformua në Federatë dhe nën hijen e patronazhit të N.M.T., gjithë vëllezërit t’anë atje me një enthusiazmë të pa treguar dhe nën kryesin e kryetarit energjik të  Federatës z. Llazar Janko Grabovës, bashk me shokët e tij, në një mbledhje të përgjithëshme vendosmë që këtë shenjën e shenjtë e historike të ja dorëzojmë N.M.T..

Me një dërgatë të posaçme nga ana e Federatës nga banuësit e atjeshëm, dhe një pjesë prej të këtushmëve, për shënjë nderi dhe pjesën që kan pas lidhje me këtë shoqëri të zgjedhur po prej Federatës.

Kjo dërgatë, nën kryesin e Kryetarit të Federatës ka faqebardhësin me Ju çfaq ndjenjat e adhurueshme, bindjen që po Ju a dorëzojm këtë flamur, duke thirrur:

Rroft Shqipërija!

Rroft Zog I, Mbreti i Shqipëtarëve!”

N.M.T. Mbreti i dorëzoi delegasionit një flamur të ri  e në përgjigjen që i dha folësit, tha se flamuri historik do të çohet në muzeun kombëtar që të mbetet si kujtim për brezat e ardhëm”.

Në Arkivin e Shtetit ruhet dokumentacioni përkatës, që parqet veprimet zyrtare për dërgimin e flamurit në Muzeun Kombëtar, e prej të cilit  po rreshtojmë disa, si më poshtë:

“ASH Fondi 149. Viti 1930.  Dosja IV- 260 

Nr. 515                                                                                     Tiranë më, 22 maj 930

 

                        Kryeministris

                                                T i r a n e

Për t’a derguem në muzeumin kombtarë të këtushëm, bashkë me këtë shkresë po ju dergojmë flamurin qi na kishte paraqitë Federata Shqiptare “Dëshira” e Sofjes, qi kështu të jetë shembëll vullneti e patriotizme për brezin e ri t’ardheshem.

                                                            (Firmosur)

                                                                  Zogu

 

                                                                        Min. Ares.

  1. V. 30
  2. S.

KRYESI E KABINETIT

MBRITUN ME   23. V. 930

LIDHKA.. NR 1433”

Menjëherë, kryeministri Pandeli Evangjeli, urdhëron rrugëtimin e flamurit, që paraqitet në këtë dokument;

            “KRYESIJA E KSHILLIT MINISTRUER

                                    Nr. 1433

                                                                                                Tirane, me 23 –V-  1930

                                         Ministris s’Aresimit

                                                                                                            Tirane

                                         Per njoftim e veprim

                                           KRYEMINISTRI

                               (Firma, vula, Pandeli Evangjeli)

Me ja dërgue këtë bibliotekës

  1. xh

24/5/30

Drejt. Bibliotekes e Muzeumit Kombëtarë

                                                                                                                        Tiranë

            Bashkë me këtë shkresë ju dërgohet si flamuri ashtu edhe statuti i Shoqnis “Deshira” të Sofjes me porosi qe të na njoftoni marrjen në dorëzim

                                                                                                                        30-V-1930

MINISTRI E ARSIMIT

                                                                                                            Tiranë, me ________

DEGA

Prot. Nr. 1637       Nd/I

            Ndërsa nga broshura që botonte Muzeu Kombëtar për veprimtarinë e tij, konfirmohet qenia e flamurit në muze.

ASH. Fondi 149. Viti 1931. Dosja IV-285

BIBLËJOTEKA DHE MUSEJA KOMBËTARE

                        TIRANË

                        VEPËRIJ’

                               E

     BIBLËJOTEKËS’ KOMBËTARE

                        Gjatë vitit’

                            1930

                        TIRANË

                                Shtypshkronja “Mbrothësija” Kristo P. Luarasi

                                                               1931

DHURATA

  1. M e Tijë Mbëreti pati mirësijën t’i falinj’ Muzejës’ Kombëtare:

            Flamurin’ e vjetër’ të “DËSHIRËSË” Shoqërijës’ së Shqipëtarëvet’ të Bullgarijësë, të ngrehur, në Sofje mbë 1893.

Edhe këtë ngjarje, pra dorëzimin e flamurit në Muzeun kombëtar e paraqiti shtypi i kohës.

Me  datën 28 maj 1939, ditë e mërkurë, gazeta “GAZETA SHQIPËTARE”, shkruante:

Lajme nga Kryeqyteti dhe Krahinat

                                             Flamuri i Shoqërisë “Dëshira”

                                                  në Muzeumin Kombëtar

            Dhe tjetër herë nga këto shtylla na është dhënë rasti të shkruajmë mbi flamurin të Shoqërisë Patriotike që ka vepëruar që në kohën e robërimit të Atdheut për ringjalljen shqipëtare në Sofje dhe Bulgarie përgjithësisht, me shqipëtarët e atjeshme të mërguar, dhe që po vazhdon dhe pas ringjalljes s’Atdheut t’onë. Me një zell për të u lavdëruar, vepërimet e saja shoqërore në mërgim.

Këshilli i kësaj shoqërie vendosi prej kohësh të i dergojë L.M.Tij Mbretit të Shqipëtarëve flamurin e vetë të asaj kohe për kujtim, dhe një komision ardhi në Kryeqytet prej Sofjes, dhe e paraqiti L.M.Tij flamurin në fjalë, kur se Mbreti t’onë i dhuroj Shoqërisë “Dëshira” nji flamur të ri simboll të shejtë të vazhdimit të punës të lartër dhe patriotike, në një Shtet të huaj po fqinjë dhe mik.

Këtë flamur L.M. e Tij Mbreti i Shqipëtarëve ja dërgoj Kryeministrit z. P. Evangjelit. Me letrën që vijon:

“Për t’a dërguem në Muzeumin Kombëtar të këtushëm, bashkë me këtë shkresë, po ju dërgojmë flamurin qi na kishte paraqitë Federata Shqiptare “Dëshira” e Sofjes, qi kështu të jetë shembëll vullneti e patriotizme për brezin e ri t’ardhëshëm”.

Në vitin 1981 u vendos që flamuri të ekspozohej në Muzeun Historik Kombëtar. E morëm në laborator për ta restauruar. Lufta e tij me erën dhe koha kishin bërë të tyren: pëlhura e flamurit ishte grisur deri në rrënim. Me kohë ajo ishte “djegur” dhe dobësuar aq shumë, sa që nuk mbante asnjë lëvizje. Për hir të së vërtetës duhet thënë se faji, megjithëse jetim, në këtë rast e kishte një autor, teknik dhe të fshehur. Vende-vende e kishin qethur për të hequr shëmtinë e leckave të varura. Germat ruheshin shumë mirë. E gjithë literatura që lexuam ipte një zgjidhje të egër: në të tilla raste priten germat dhe qepen në një faqe të re me ngjyrë të njëjtë me atë origjinale. Nuk më pëlqeu. Pëlhura e vet ishte ajo që ruante prekjet e duarve të dridhura nga emocioni, mbështetjen e buzëve, ndonjë lot; ajo ishte valavitur së bashku me valët e shpirtit të atëdhetarëve, kishte ndjerë frymën,  këngën të përplasej mbi të…A mund ta çvishnim flamurin nga kjo ndjenjë? Kjo nuk ishte punë që bëhej! Në ndonjë rast u konsulltuam edhe me specialistë të njohur në botë, për të gjetur një zgjidhje. Na u dha e njëjta këshillë, që rekomandonte gërshërën!

Atëhere vendosa ndryshe. Flamuri do të ruhej ashtu siç erdhi nga Bullgaria, i grisur, por origjinal. Do të vendosej shtrirë, pa tensione, në një vitrinë të veçantë të Muzeut Historik Kombëtar. Dhe ashtu u bë. Natyrisht që ndërhymë kimikisht, pak, aq sa ishte e domosdoshme, por pa lënë gjurmë të dukëshme të ndërhyrjes.

Herë-herë shkoj në Muzeun Historik Kombëtar dhe shikoj objektet me të cilat lidhet një pjesë e jetës time, shoh edhe flamurin e shtrirë në vitrinë, gëzohem dhe mendoj se sa mirë  bëmë që nuk ndoqëm këshillat që na rekomanduan.

E megjithatë sot ka ardhur koha për të ndërhyrë. Si edhe në mjeksi, fillohet me analiza. Spektroskopia e fluoreshencës së rrezeve X tregoi praninë e kallait në të dyja ngjyrat. Kallai dy valent në formën e klorurit të tij është përdorur për të ngjyer fibrat shtazore, ku bën pjesë edhe mëndafshi, jo si ngjyrues, por si “mordant”. Kjo fjalë angleze, sot në shqip është zëvendësuar me fjalën “ngulitës”, pra kallai lidh ngjyrat me fibrën. Në rastin e pëlhurës së kuqe mund ta shpjegojmë më lehtësisht. Për përftimin e saj duhet të jetë përdorur femra e vrarë e insektit koshenill, e cila jep nëpërmjet të acidit karminik që përmban dhe ngulitesit kallajor, një të kuqe të ndezur e të ndritshme, që në literaturë ndeshet me termin “scarlet”.  Më të vështirë e kemi që të shpjegojmë ngjyrën tjetër, duke menduar për përdorimin e turmerikut, të flavonoideve dhe tanineve. Por duhen bërë analiza në laboratorë tepër të specializuar. Po rrënimi që ka pësuar? Një arsye e fortë është prania e kallait në përbërje, apo qëndrimi i gjatë në banjën e ngjyrimit, si edhe konditat e ruajtjes dhe ekspozimit, që kanë favorizuar brishtësinë dhe dërmimin. Analizat me stereomikroskop dhe mikroskop na treguan strukturën tekstil, por jo më shumë. Tani po mendojmë për të marrë foto nëpërmjet të SEM, (Scaning Electron Microscopy), dhe për identifikimin e ngjyruesve, kryesisht me anë të metodave kromatografike.

#          #          #

Ditët e fundit, një miku im i mirë, Shpëtim Sala, koleksionist i pasionuar, por edhe studiues, më njohu me shkrimin “Kujtimet e një veterani, THANAS NIKOLLA JANI TREBICKA”, që është një nga themeluesit e Shoqërisë “Dëshira”, botuar ne fletoren “JAVA” me 8 gusht 1937. Ja se çfarë kujton Thanasi:

“Unë, bir, kam punuar në Bullgari. Kam vajtur atje më 13 Mars të motit1888 dhe u installova në fshatin Batkofe. Atje na erdhi nga Rumania, Dhimitri Mola dhe na mësoi abecenë shqipe. Pas ca kohe, vajta në Sofje. Dhimitri Mola, mbante një tunell, (që do të thotë han, apo pijetore, F.S.), dhe  një të Djel, u-mblodhëm atje, shumë shqipëtarë…

Ishim më se 200 veta; vetëm nga Trebicka ishim nj’a 76 veta. Atë ditë, pra, u v-vëndos dhe u-formua Shoqërija e shqipëtarëve të Sofjes, nënë emrin “Dëshira”….

Kështu më 1 të Kollozhekut (Janarit) 1891, Shoqërija ishte e formuar dhe kishte dhe statutin e saj prej 47 artikujsh. Ky Statut u-njoh zyrtarisht dhe hyri ligjorisht në fuqi më 1893. Bëmë edhe një këngë:

Që më një të Kollozhekut

u-formua Shoqëria…

-Na duhesh edhe Flamur’ i Shoqërisë dhe për këtë gjë u-përpoqa unë dhe mblodha të holla. Unë dhashë 40 franga dhe Flamurin e bëmë me shkronja të florinjta”.

Diçka vibron në këto kujtime dhe  trubullon mendimin. Ai luhatet, kërkon, duke konfiguruar kështu një vizion sa më pranë të vërtetës.

Filed Under: Histori Tagged With: “DЁSHIRA”, FLAMURI I SHOQЁRISЁ, Frederik Stamati

SIGURI

February 19, 2018 by dgreca

1 astrit LULUSHI

Nga Astrit Lulushi/

Njeriu paturp është arrogant. Ai e di që s’e prek njeri; është i fuqishëm, i pushtetshëm, pra ndjehet i sigurt. Kështu mund të kuptohet pushtetari sot; ka pushtet prandaj s’ka turp, ose edhe anasjelltas.
Duhet të jesh i paturpshëm për të marë një pozitë të lartë sot në Shqipëri; nuk duhet të kesh turp nëse ke qenë spiun, informator, polic vullnetar, fuks, hetues, prokuror e deri ministër në kohën e diktaturës, për të aplikuar, për t’u komanduar a vendosur në poste me përgjegjesi. Kaq të sigurt ndjehen ata.
Siguria morale është shenjë inferioriteti kulturor, thotë H. L. Mencken, gazetar amerikan, eseist, gjuhëtar, leksograf filozof (1880-1956). Pra, sa më i pacivilizuar është njeriu, aq më i sigurt është se di saktësisht se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar, çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe. Por dihet se gjithë progresi njerëzor, përfshi moralin, ka qenë punë e njerëzve që kanë dyshuar në vlerat morale të kohës, dhe jo e njerëzve që janë përpjekur t’i zbatojnë ato.

Filed Under: Komente Tagged With: Astrit Lulushi, siguria

SHORTI PËR MONEDHËN E ARGJENDËT U HODH NË VATËR

February 19, 2018 by dgreca

-Gjovalin Nikçi & Friends, $3,011 .74 për Shokë Klase Përgjithmonë/

– SHOQATA RINORE “SHOKË  KLASE PËRGJITHMONË” PRANON NJË  DONACION NË  SHUMË  TË $3,011 .74/

1 esati3 short dritani3 medalioni

– Shorti për Monedhën e Argjendit të prodhuar me rastin e 500 vjetorit të Heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu,u organizua me 17 Shkurt 2018, në  Selinë e VATRËS.

– Fitues i Monedhës së Argjendët ishte donatori Adem Elezi-

NGA ESAD GJONBALAJ/ Foto Gazeta Dielli*

New York 17 shkurt 2018- Duke mos harruar bankat shkollore dhe duke parë rolin fisnik të shoqatës “Shokë Klase Përgjithmonë”-Classmates Forever- veprimtari i mirënjohur Plavë-Gucias, Gjovalin Nikçi, para ca ditëve filloi një aksion online për të përkrahur këtë shoqatë rinore që vepron në diasporën tonë prej disa vitesh. Nga ky aksion Gjovalini arriti që të siguronte saktësisht $3011.74.

Me këtë rast fituesi, gjegjësisht donatori i përzgjedhur, fitoi një monedhë argjendi e prodhuar në vitin 1968 me rastin 500 vjetorit jubilar të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbut, përkatësisht sot 550 Vjetorit pavdekësisë së tij(2018-Viti i Heroit Kombëtar).

Fituesi fatlum i kësaj monedhe argjendi ishte donatori z.Adem Elezi, ndërkaq fituesin përmes lotarisë e përzgjodhi kryetari i Vatrës zt Dritan Mishto dhe artisti Fredrik Ndoci.

Dhurimi mjeteve të tubuara dhe ndarja e çmimeve fituese të lotarisë në kuadër të këtij aksioni u bë ditën e shtunë, me datën 17 shkurt 2018 drejtpërsëdrejti nga selia e Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”, në New York.

Ky aksion u bashkërendua për të nderuar dhe njëkohësisht  festuar edhe 10 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Një ditë historike që do të mbetet në kujtesë.

  • Me shume fotografi i gjeni ne Facebook-dielli vatra

 

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: 3 mije dollare, Classmates Forever, Esad Gjonbalaj, Gjovalin Nikci

SHBA-të, mbështetëse të fuqishme të Kosovës

February 19, 2018 by dgreca

-Senatori amerikan Ron Johnson ka ofruar mbështetjen e plotë për Kosovën në të gjitha fushat/

1 Senat Ron Johnson Thaci.JPG

-Presidenti Thaçi: SHBA-të, rol përcaktues në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës/

Kryeministri Haradinaj me Senatorin Ron Johnson_19 02 2018- ZKM 2 (3)

-Kryeministri Haradinaj: Përkrahja e SHBA-së shumë e rëndësishme për Kosovën/

PRISHTINË, 19 Shkurt 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Shtetet e Bashkuara të Amerikës do vazhdojë të jetë mbështetëse të fuqishme në zhvillimin ekonomik, demokratik dhe të konsolidimit të shtetndërtimit të Kosovës, tha sot në Prishtinë Senatori amerikan Ron Johnson, duke uruar qeverinë dhe popullin kosovar për kremtimin e dhjetëvjetorit të pavarësisë. Senatori Johnson ka ofruar mbështetjen e plotë në të gjitha fushat për Kosovën. Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti sot në takim senatorin amerikan, Ron Johnson, të cilin e ka falënderuar për mesazhet dhe urimet për 10 vjetorin e pavarësisë.“Jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së, e cila ka qenë përcaktuese për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Mesazhet dhe urimet e presidentit Trump janë inkurajuese, për të punuar edhe më shumë”, ka shtuar presidenti Thaçi.Ai e ka informuar senatorin Johnson për konsenusin e krijuar lidhur me ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe për domosdoshmërinë e transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës.

 Presidenti ka kërkuar mbështetjen e SHBA-së për këto tema, në mënyrë që këto procese të kenë sukses.Presidenti në fund ka thënë SHBA-të janë partneri më i rëndësishëm i Kosovës dhe miku më i madh i popullit te Kosovës.Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim senatorin amerikan, Ron Johnson, i cili po qëndron në Kosovë për vizitë zyrtare. Në takim, ku të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministri Dalibor Jevtiç dhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, u bisedua për zhvillimet politike aktuale në vend, për mbështetjen e gjithanshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën në procesin e shtetndërtimit dhe për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, posaçërisht në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të sundimit të ligjit.Kryeministri Haradinaj, falënderoi senatorin Johnson për vizitën në Kosovë, duke theksuar nevojën për mbështetje të mëtejme në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.“Përkrahja e SHBA-ve është shumë e rëndësishme për ne. Kosova dhe populli i saj do të jetë përherë falënderues për ndihmën që SHBA-të dhe populli amerikan kanë dhënë në të gjitha periudhat”, theksoi kryeministri Haradinaj.Ai tha se Kosova është e përkushtuar për rrugën e saj euroatlantike duke thelluar reformat e brendshme, posaçërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe të rendit dhe në forcimin e institucioneve demokratike.“Kosova është sot një faktor paqeje dhe stabiliteti dhe shembull i fqinjësisë së mirë dhe e angazhuar në dialog me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë”, u shpreh kryeministri Haradinaj.

Kreu i qeverisë së Kosovës tha se procesi i dialogut me Serbinë duhet të afatizohet në kohë dhe të përmbyllet me njohje reciproke.Duke uruar Qeverinë dhe popullin e Kosovës për kremtimin e dhjetëvjetorit të pavarësisë, senatori amerikan Ron Johnson, tha se SHBA-ja do të vazhdojë të jetë mbështetëse e fuqishme në zhvillimin ekonomik, demokratik dhe të konsolidimit të shtetndërtimit të Kosovës.Senatori amerikan Ron Johnson mbërriti sot pasdite për vizitë në Kosovë. Para se të mbërrijë në Kosovë ka qëndruar në Serbi, ku ka takuar presidentin Aleksandar Vuçiç. Në takim, sipas medias serbe, kanë folur edhe për marrëdhëniet Prishtinë-Beograd.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Haradinaj, Kosove-SHBA, Senatori Jonson, Thaci

VATRANËT NË DARKËN E 10 VJETORIT

February 19, 2018 by dgreca

2 Yllka drit

VATRANËT NË DARKËN E 10 VJETORIT TË PAVARËSISË SË KOSOVËS NË NJU JORK-ME PJESMARRJEN E KOMUNITETIT SHQIPTAR NEN DREJTIMIN E KESHILLTARIT MARK GJONAJ/*

Në darkën solemne me më shumë se 700 pjesmarrës, që u organizua nga Komuniteti shqiptar i Nju Jork-ut i bashkuar rreth Këshilltarit të Nju Jork-ut, z. Mark Gjonaj, morën pjesë rreth 150 vatranë nga Nju Jorku, Nju Xhersi dhe Kënektikat.
Sic e kanë zakon vatranët përgjatë të gjithë historisë 105 vjecare së bashku me familjet e tyre u bënë pjesë e kësaj feste. Falenderime te vecante për të gjithë ata vatranë që u bashkuan në këtë darkë festive që i kushtohej përvjetorit të 10-të pavarësisë së Kosovës. Një falenderim të veçantë Familjes Mrnaçaj, së cilës i printe Marash Mrnacaj, që në simbolikë të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës kishte vënë një kapele me stemën e UÇK-së,… tre breza të kësaj familjeje ishin të pranishëm në këtë festë. Me vatranët ishin bashkuar edhe familja Çabej, studiuesi i pasionuar Nelson R Çabej me zonjën Nikoleta, me Familjen Aliko, Familja Brogi e Lleshi me miqtë e tyre nga Nju Xhersi.
Falenderime për të gjithë vatranët që iu bashkuan kësaj ngjarje, ndërkohë që u kujtojmë të zgjedhurëve në strukturat e vatrës, si dhe anëtarësisë së Vatrës, se në veprimtari të organizuara nga federata VATRA duhet të kontribuojnë të gjithë, së bashku me pjesmarrje të tyre dhe familjeve.
***
Me duartrokitje u prit përshëndetja në emër të vatranëve dhe të gjithë organizatave të komunitetit, e kryetarit të Vatrës z. Dritan Mishto. Është nder, tha z. Mishto, që në emër të komunitetit shqiptar, në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës, organizimit më të hershëm të shqiptarëve të Amerikës, që prej105 vitesh, t’ju uroj për festën e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Është rrugë e gjatë e shqiptarëve të Kosovës deri në pavarësi; është derdhur shumë gjak, janë bërë shumë sakrifica, për të ardhur deri tek dita e Pavarësisë, tha Mishto..
Ta gëzojmë festën e Pavarësisë, ka uruar Kryetari i Vatrës.
Më pas z. Mishto ka paraqitur para publikut kapitenen Yllka Cana, e cila u prit me duartrokitje. Tek e prezantoi ushtaraken që ka arritë suksese në ushtrinë amerikane, z. Mishto tha se kapitenia ka arritur të shënojë një rrugë të shkëlqyer suksesi në radhët e ushtrisë amerikane.Ajo u lind dhe e kaloi fëmijërinë në Kosovë. U largua nga vendlindja kur ishte vetëm 10 vjeçe. Deri në moshën 15 vjeçe u rrit dhe u edukua në Pensilvani. Pikërisht në këtë moshë ajo iu bashkua Programit të Trajnimit të Ushtrisë. Yllka u diplomua në Shkencat Politike dhe Sigurinë Kombëtare në Universitetin DeSales dhe Sigurinë Kombëtare, si dhe në Universitetin Lehigh, u diplomua në Shkencat Ushtarake.
Pas Diplomimit në vitin 2011, ajo kishte fituar graden Toger i Dytë, ndërkohë që u promovua Togere e Parë në vitin 2013 gjatë vendosjes së saj në Operacionet Paqeruajtëse në Ballkan.
Yllka Cana ka shërbyer në Kore dhe është përzgjedhur për të udhëhequr operacionet gjatë misionit të KFOR-it në Kosovë, vendin që e pat lënë kur ishte 10 vjecare.
Kapitenia Yllka Cana aktualisht është e vendosur në Shtabin e Ushtrisë Amerikane në Evropë. Ajo u gradua Kapitene pas vitit të saj të parë dhe tani është zyrtare në ngarkim të Operacioneve Strategjike në të gjithë Evropën.
Kapitenes Yllka Cana është dekoruar me medaljen e NATO-s nga Sekretari i Përgjithshëm, me Medaljen e Lavdërimit të Ushtrisë, Medaljen e Arritjes së Ushtrisë, Medaljen e Shërbimit Kombëtar të Mbrojtjes dhe shumë medalje të tjera.
Z. Mishto në fund të prezantimit tha se duke ju prezantuar Kapitenen Shqiptare Yllka Cana, shpresoj se ajo do të jetë e para Gjenerale në ushtrinë amerikane.
Vetë oficeria shqiptare ka bërë një përshkrim emocionues rrugëtimit të suksesshëm të jetës dhe karrierës së saj.(dg-Fotografite i gjueni ne Facebook)

 

Filed Under: Featured Tagged With: 10 Vjetori i Pavaresise, dalip greca, Kosove, Mark Gjonaj, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT