• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2018

Historiani i oborrit të Enver Hoxhës mohon krimet në kampin e Tepelenës

March 29, 2018 by dgreca

1 Tomorr Alizoti

Nga Tomorr ALIZOTI/

Në një studio televizive një historian i oborrit familjar të Enver Hoxhës,(Pellumb Xhufi) paska mohuar vuajtjet në kampin famëkeq të Tepelenës duke thënë se aty nuk ka pasur kushte të këqija, se nuk paskan vdekur fëmijë dhe se të burgosurit paskan qenë familje armiqsh të vendit, të arratisur në Jugosllavi, të cilët ktheheshin dhe në Shqipëri fshehtas për të bërë atentate ndaj njerëzve të shtetit.
Unë i përkas një familjeje që ka vuajtur në atë kamp. Babai im ka qenë një prej fëmijëve të burgosur aty, bashkë me gjyshërit. Në familjen time nuk kemi pasur të arratisur, siç shprehet historiani në fjalë. Ai ka qenë një kamp ku grumbulloheshin kryesisht pleqtë dhe fëmijët, ndërsa të rriturit e aftë për punë i dërgonin në fabrikën e Nish Tullës duke i ndarë nga familja. Nëse regjimi do ta kish ngritur këtë kamp si një masë mbrojtëse nga të arratisurit, nuk do burgoste aty fëmijë e pleq.
Është e turpshme që ka njerëz që kërkojnë të mohojnë vuajtjet dhe tmerret e atij regjimi, duke synuar të mbrojnë kriminelët që vranë e prenë elitën e këtij vendi. Dëshmitë e njerëzve që janë ngujuar aty janë nga më tronditëset. Unë ruaj dëshmitë e të afërmve të mij që më tregonin sesi im atë, fëmijë i vogël, kërkonte bukë, i dërrmuar nga uria, dhe gjyshërit e mi nuk kishin ç’ti jepnin. Im atë mbijetoi, por shumë fëmijë të tjerë, si dhe të rritur, nuk ia dolën. Të dëgjosh sot përralla të tilla që mohojnë kalvarin e vuajtjeve dhe tmerreve që kanë pësuar ata njerëz është një dënim për së dyti.
Është e trishtë të dëgjosh se, akoma pas 27 vjetësh, ka historianë që mbrojnë atë regjim. Akoma ka njerëz që duan të bëjnë avokaturën e krimit duke mohuar gjakun dhe vuajtjen e viktimave! Dhe më e ndyra është kur shikon që këtë e bëjnë njerëz të lidhur me atë regjim e bij hetuesish të makinerisë së krimit, të cilët nuk u penduan e nuk shfaqën kurrë keqardhje për atë që kanë bërë ata dhe etërit e tyre.
Një vend normal nuk mund të lejojë që të artikulohen pikëpamje të tilla që mbrojnë krimin dhe dënojnë viktimat. Nëse kjo do të ndodhte në një vend si Gjermania apo Anglia ata sot do të ishin ishin përpara gjykatës. Por në një vend ku e vërteta nuk u zbardh kurrë e ku përgjegjësit nuk u vunë përballë përgjegjësisë, është e kuptueshme që poshtërsia të mos ketë kufinj, dhe natyrisht ajo do të mbajë peng vendin në çdo aspekt.
Mos prisni që ky vend të ecë përpara kur fle dhe ushqehet mbi një të kaluar kriminale të panjohur e dënuar në asnjë moment! E kaluara nuk mund të shlyhet me harresë, e as me apologjetët e krimit!

***

 

Filed Under: Politike Tagged With: Kampi i Tepelenes, Tomorr Alizoti

Kosova u revokon lejet e qëndrimit shtetasve të arrestuar nga Turqia

March 29, 2018 by dgreca

Ne Foto: Shkolla “Mehmet Akif”/Policia e Kosovës arrestoi mëngjesin e sotëm drejtorin e përgjithshëm të Shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë Mustafa Erdem, zëvendësin e tij Yusuf Karabina, drejtorin e shkollës në Gjakovë, Kahraman Demirez dhe dy arsimtarë Cihan Ozkan dhe Hasan Gunakana, bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë, Nazmi Ulus, drejtor i Shkollës “Mehmet Akif” në Lipjan.

Të gjithë të arrestuarit janë qytetarë turq.Lejete TurqiSipas përfaqësuesve të shkollës, arsyet për arrestimet nuk janë të qarta.

Por, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i pyetur nga gazetarët lidhur me këtë rast theksoi se arsyeja e ndalimit të udhëheqësve të shkollës “Mehemet Akif” ka të bëjë me mos respektim të procedurave të qëndrimit në Kosovë.

“Këto janë ndalime. Kam kërkuar informacion nga Policia dhe nga institucionet tjera. Arsyeja e ndalimit është se mënyra e qëndrimit, është e padefinuar. Për të huajt që vijnë në Kosovë janë disa procedura për qëndrim dhe jemi të detyruar t’i zbatojmë ndaj të gjithëve”, tha Haradinaj.

“Sa di unë arsyeja e ndalim është vetëm kjo, pra është mungesë e respektimit të procedurave në Kosovë. Nuk besoj që ka të bëjë me aspekte të tjera dhe do të interesohem më tutje për këtë temë”, tha Haradinaj.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme, përkatësisht Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se në bazë të mandatit të saj për zbatimin e ligjit për të huajt, ka revokuar lejet e qëndrimit për shtetasit e Turqisë të arrestuar gjatë ditës së sotme.

“Duke iu referuar rasteve konkrete Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion ka vepruar në bazë të Ligjit për të Huaj dhe mandatit që ka për shqyrtimin dhe vendosjen e të gjitha kërkesave që kanë të bëjnë me leje qëndrim. Kjo është një procedure ligjore e cila është aplikuar edhe në rastet e mëhershme, si për të huajt me leje qëndrim, gjithashtu edhe për të huajt që kanë fituar shtetësinë e Kosovës dhe u është revokuar për arsye të sigurisë, apo procedurave tjera të parapara me ligjin përkatës”, thuhet në komunikatën për media.

Ministria e Punëve të Brendshme bënë të ditur se gjatë administrimit të provave kanë konstatuar se për personat në fjalë, ka bazë të mjaftueshme ligjore që të merren masat për revokimin e leje qëndrimit të tyre në territorin e Republikës së Kosovës siç thuhet “për arsye të përcaktuara me ligjin për të huaj, konkretisht nenit 6 të ligjit ku flet për refuzimin apo revokimin e lejes së qëndrimit për rrethanat e sigurisë shtetërore”.

Pas revokimit të leje qëndrimit, sipas kësaj ministrie, qëndrimi i mëtejmë i këtyre qytetarëve konsiderohet i jashtëligjshëm.

Nazmi Ulus, drejtor i Shkollës “Mehmet Akif” në Lipjan thotë se i frikësohen dëbimit nga Kosova për në Turqi.

Nazmi Ulus, drejtor i Shkollës "Mehmet Akif" në Lipjan
Nazmi Ulus, drejtor i Shkollës “Mehmet Akif” në Lipjan

“Unë jam vërtet i frikësuar për veten, për familjen time dhe për të gjithë kolegët e mi, por unë mund ta them se besoj në mbështetjen e institucioneve të Kosovës dhe sistemin demokratik të Kosovës që të mos ndikohet nga presidenti turk, regjimi i Erdoganit”, thotë Ulus.

Në anën tjetër, Adem Vokshi, avokat i rastit, tha për Radion Evropa e Lirë se policia, deri më tash, ka ofruar pak informacione, pasi që aksioni është duke vazhduar.

“Si duket i ka arrestuar policia kufitare dhe kjo neve na shqetësoj shumë mos po i depërtojnë pa u zhvilluar procedurë e rregullt gjyqësore. Ata janë arrestuar duke shkuar në punë. Ne ishim në polici dhe nuk na jepen asnjë informatë. Ata më dërguan në zyrën për mbajtjen dhe atje kontrolluan dhe thanë se aty nuk janë. Më vonë më informuan se policia kufitare i ka në qëndrim dhe nuk mund të kontaktojmë për të marr ndonjë informatë, deri sa të përfundon aksioni”, tha Vokshi.

Avokati Vokshi tha se e vetmja arsye për arrestimin e tyre mund të jetë mbyllja e shkollës dhe ekstradimi i tyre, kinse, siç thotë ai, “këta janë armiqtë e shtetit turk, por që për këtë nuk kanë asnjë provë”.

Aksionin e arrestimit të drejtorëve dhe arsimtarë të Shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Zëdhënësi Bajram Krasniqi tha për Radion Evropa e Lirë se aksioni është në zhvillim e sipër” dhe se “detajet do të publikohen pas përfundimit të tij”.

Ndërkohë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) përmes një njoftimi për media ka kundërshtuar arrestimin e shtetasve turq në Kosovë.

“Autoritetet kosovare që synojnë të integrohen në demokracinë e përparuar, me këtë arrestim po e vënë në dyshim të skajshëm qëllimin dhe orientimin demokratik duke iu nënshtruar një kërkese autokratike dhe duke u rreshtuar në anën e përndjekësve politikë. Në këtë qërim hesapesh midis Erdoganit dhe Gylenit, Kosova duhet të mbajë qëndrim neutral duke respektuar standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut”, thuhet në një komunikatë të KMLDNJ-së.

Shkollat “Mehmet Akif” në Kosovë i përkasin Institucionit Arsimor Gylistan.

Ky i fundit ka kopshte, institucione parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme në gjithë Kosovën.

Besohet se ato janë të frymëzuara nga Lëvizja Hizmet e Fethullah Gulenit, klerikut fetar turk, të cilin presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e fajëson për orkestrimin e përpjekjes për grushtshtet në Turqi, në vitin 2016.Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit në Kosovë kanë deklaruar më herët për Radion Evropa e Lirë se këto shkolla veprojnë në përputhje me ligjet e Kosovës.(RFL)

Filed Under: Rajon Tagged With: kosova, leje, qytetaret turq

ETRUSKËT DHE ILIRËT

March 29, 2018 by dgreca

A ka pasur  kontakte midis dy qytetërimeve ?/

28 niko ferro

Shkruan: Dr Niko FERRO/

fig 1

Tema që do trajtojmë në vijim nuk është bërë ndonjëherë objekt studimi apo kërkimi të mirëfilltë shkencor. Është një temë e veçantë,  e pa rrahur më parë dhe si e tillë kërkon hulumtim të gjerë në tekste.

fig 2

Janë të shumtë  librat që flasin për etruskët, për  gjuhën e tyre “misterioze”,  për kulturën e veçantë, mitologjinë e pasur dhe për traditat e hershme që e karakterizojnë si popull. Të tillë me shumicë ka edhe për  ilirët. fig 4Por kur bëhet fjalë për kontaktet midis dy popujve të cilët për disa shekuj me radhë  i ka ndarë vetëm  një det nuk gjejmë asgjë të shkruar qoftë dhe  një rresht të vetëm apo ndonjë detaj të vogël të shkruar kalimthi. Edhe ato pak  shkrime që janë bërë nga autorë të huaj dhe  të botuara së fundmi nuk flasin për këtë argument.

fig 5A është kjo mungesë e qëllimshme apo vjen si rezultat i mungesës së informacionit për marrëdhëniet që mund të kenë pasur dy qytetërimet, vështirë se mund të jepet një përgjigje e saktë.  Megjithatë na duhet të sqarojmë se paraqitja e kësaj teme  nuk do të thotë se është  më e rëndësishme se të tjerat, por të evidentojmë (mbështetur në gjetjet arkeologjike) nëse ka pasur kontakte midis dy qytetërimeve. Pikërisht këtë gjë synojmë të paraqesim në mënyrë koncize dhe pa u zgjatur në shkrime të tepërta. Më poshtë po rendisim vendet ku janë zbuluar objektet arkeologjike me origjinë etruske.

fig 3Objekte të zbuluara në Slloveni

  • Në qytetin e Novo Mesto është zbuluar një objekt arkeologjik i identifikuar si tripod (enë me tre këmbë) e derdhur në bronz, i përdorur për ceremoni fetare. Sipas arkeologëve slloven ky objekt mund të jetë prodhuar në qytetin etrusk të Vetulonisë.[1] Ky objekt daton në   VII p. Kr.[2]
  • Një kupë e prodhim etrusk i tipit “etruske-korintike” është zbuluar në afërsi të fshatit Striçna, Slloveni.[3]
  • Një ojnohe e prodhimit etrusk e indetifikuar si tipi “etruske-korintike” është zbuluar edhe kjo në afërsi të fshatit Stična, Slloveni.[4]
  • Dy Askos në formë shpendi nga Muzeu i Lubjanës. Sipas Stipčević[5] “dy objektet e tipit aksos (pas studimit) u arrit në përfundim se kanë analogji të përbashkëta me një tjetër askos të zbuluar në Bolonjë.
  • Një helmet etruske me kreshtë dhe me zbukurim VIII p. Kr (fig1) gjetur në shpellën “Musja Jama” në Škocjan afër qytetit Divača, Slloveni. Sipas akademikut kroat Mate Suič: “gjetja e këtij objekti (fig 1) tregon se bregdeti i Adriatikut Lindor, i kryesuar nga Liburnët kishte lidhje të hershme me territorin etrusk që në periudhën villanoviane.[6]

Objekte të zbuluara në Kroaci:

  • Në ishullin Vis në Kroaci është gjetur një enë etruske (fig 2) kantharos e tipit “bucchero”.[7]
  • Po në këtë ishull është gjetur një enë etruske e tipit aribal.[8]
  • Në vitin 1925 pranë lumit Kupa në qytetin e Sisak, Croaci, u zbulua rastësisht një monedhë etruske (fig 3).  Në “faqe” ka “rrotën” dhe në “shpinë” ndoshta “spirancën” paraqitet shumë e dëmtuar.  Kjo lloj monedhe etruske datohet në gjysmën e parë të shek III p.e.s.[9]
  • Në vitin 1955 në varrin n. 47 të nekropolit japodik të Kompoljes në afërsi të Otočac u gjetën 5 objekte të punuar në qelibar. Objektet i janë dhënë formë me tipare njerëzore, gruaje. Të gjitha figurinat kanë dimensione të vogla që fillon nga 0.5 cm në 1 cm. Pas studimit të bërë në atë kohë u arrit në përfundim se 5 figurinat prej qelibari nuk janë të prodhimit japod por janë mall importi.[10] Krahasimi që u bë me të tjerat të gjetura në Itali mund të thuhet pa dyshim se atdheu i tyre është territori etrusk. Të tilla janë zbuluar në Bologna, Marzabotto, Roma, Vasto e të tjerë.  Stipčević doli në përfundim se këto objekte kanë hyrë nëpërmjet rrugëve detare nga qyteti etrusk i Spinës.[11]

Objekte të zbuluara në Bosnje Hercegovinë

  • Një fibul etruske e tipit Certosa zbuluar në Vrankamen vicino a Krupa, Bosnje Hercegovinë.
  • Një skyphos etrusk gjetur në afërsi të qytetit Sanski Most.
  • Një enë me mbishkrim etrusk[12] (fig 4) gjetur në një kodër të vogël pranë Bugojno-s në Bosnje-Hercegovinë.[13] Kjo enë me mbishkrim sot ruhet në Zemaljskog Muzeja, Sarajevë, Bosnje- Hercegovina.

Objekte të zbuluara në Malin e Zi

  • Në nekropolin e Gotovuša në afërsi të Pljevlja, qelibar të prodhimit etrusk. [14]

Objekte të zbuluara në Serbi

  • Një kuti për mbajtje eshtrash e tipit etrusk[15] (fig 5) është zbuluar në një varrë në qytetin e Atenica në Serbinë Qendrore.[16]

Objekte të zbuluara në Shqipëri.

  • Në muzeun arkeologjik të Durrësit ruhet një amforë e veçantë e cila besohet se mund të jetë me origjinë etruske? Sipas arkeologut shqiptar Fatos Tartarit. “Ndonjë autor e përcakton atë në mënyrë shumë të përgjithësuar si greko-italike, tipike për transportin e verës gjatë shek III p.e.s; kurse në gjetje të tjera e gjejmë si amforë vere të prodhimit etrusk.[17] Në Durrës kjo formë është gjetur qoftë në fundin e detit, qoftë në tokë. Ena ka përmasa mesatare me lartësi 67-72 cm e me diametër 37-40 cm.

 

Përfundimi

Ndonëse janë vetëm  pak objekte ato janë të mjaftueshme për  të dëshmuar se midis etruskëve dhe ilirëve ka pasur kontakte gjatë fazës II –III të Hekurit. Mendojmë se duhet të ketë të tjera objekte që ruhen në muzetë e shteteve të përmendura më lartë.  Përfshirja e tyre kërkon punim më të zgjeruar dhe gjithëpërfshirës. Pa dashur ta mbyllim me kaq po sjellim edhe një shënim të ilirologut të shquar Aleksandër Stipçeviq “Pavarësisht se disa objekte të cilat kanë tipare të artit vendas ilirë; ato i detyrohen shumë ndikimit etrusk”. [18]

 

Bibliografia

 

1- S GABROVEÇ. Etruskischer Niederschlag in Slowenien. Vol V. Wien. 1992

2- J. M. Turfa. The Etruscan World. Routledge Taylor & Francis Group, London and New York 2013

3- M. Suić. Jadranska obala u protohistoriji: kulturni i etnički problemi : simpozij održan u Dubrovniku 1976

4- A. Stipčević. Arte degli illiri. Edizione del Millione. Milano 1963

5- L. Bonfante. Etruscan Life and Afterlife. A Handbook of Etruscan Studies. Warminster: Aris & Phillips, 1986

6- S. Haynes. Etruscan Civilization: A Cultural History. J. Paul Getty Publications. Los Angelos 2005

7- M. Martelli. “Scrigni etruschi tardo-arcaici dall’Acropoli di Atene e dall’Illiria”. Prospetiva 1988-1989

8- ARCHAEOLOGIA IUGOSLAVICA. Volume 15 1974 f. VIII

9- R. VASIÇ. Gli Autariati, la tribu illirica piu grande e piu forte, nella storia e nell’archeologia. Gli Illiri e L’Italia. Convegno internazionali di Studi. Treviso 2004

10- R. VASIÇ. An Etruscan bone box from south-west Serbia and the problem of  Late Archaic imports in the central Balkan area. Arheoloski Vesnist nr 43 1992

11-Fatos Tartari. Amforat e Muzeut arkeologjik të Durrësit (përpjekje për një katalog të tyre). Iliria nr 2, 1982

12- Z. Dukat. I Mirnik. Etrušcanski i Umbrijski novci u arheološkom muzeju u Zagrebu. Vjesnik Arheološkog muzeja u Zagrebu, Vol.19 No.1 Rujan 1987.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

                              

Fig 1 . Përkrenare me origjinë etruske zbuluar në  Škocjan , Sloveni.

(Sipas Prokajinski Muzej Koper 2018)

 

 

Fig 2 . Kantharos etrusk e tipit “bucchero” shek VI p. Kr gjetur në ishullin e Vis, Croaci

Fig 3. Monedhë etruske gjetur në buzë lumit Kupa afër qytetit të Sisak, Croatia

(Sipas Dukat- Mirnik 1987)

 

 

Fig 4. Enë me mbishkrim etrusk shek. VI p. Kr

Gjetur në një kodër të vogël pranë Bugojno-s në Bosnje-Hercegovinë

(Sipas  Basler 1974)

 

 

 

Fig. 5 – Mbjetet e një kutie prej kocke, me origjinë etruske zbuluar në Atenica[19]

(Sipas VASIÇ 1990)

 

 

[1] S GABROVEÇ. Etruskischer Niederschlag in Slowenien. Vol V. Wien. 1992 f. 212

[2] J. M. Turfa. The Etruscan World. Routledge Taylor & Francis Group, London and New York 2013 f. 382

[3] Po aty f. 383

[4] Po aty f.383

[5] A. Stipčević. Arte degli illiri. Edizione del Millione. Milano 1963 f XIV

[6] M. Suić. Jadranska obala u protohistoriji: kulturni i etnički problemi : simpozij održan u Dubrovniku 1976 f. 89

[7] L. Bonfante. Etruscan Life and Afterlife. A Handbook of Etruscan Studies. Warminster: Aris & Phillips, 1986 f. 73

[8] S Haynes. Etruscan Civilization: A Cultural History. J. Paul Getty Publications. Los Angelos 2005 f. 260

[9] Z. Dukat. I Mirnik. Etrušcanski i Umbrijski novci u arheološkom muzeju u Zagrebu. Vjesnik Arheološkog muzeja u Zagrebu, Vol.19 No.1 Rujan 1987.f. 180-182

[10] Stipčević vep e cit f. XXVIII

[11] Stipčević vep e cit f. XXIX

[12] M. Martelli. “Scrigni etruschi tardo-arcaici dall’Acropoli di Atene e dall’Illiria”. Prospetiva 1988-1989 f.

[13] Archaeologia Iugoslavica. Volume 15 1974 f. VIII

[14] R. VASIÇ. Gli Autariati, la tribu illirica piu grande e piu forte, nella storia e nell’archeologia. Gli Illiri e L’Italia. Convegno internazionali di Studi. Treviso 2004 f. 17

[15] R. VASIÇ. An Etruscan bone box from south-west Serbia and the problem of  Late Archaic imports in the central Balkan area. Arheoloski Vesnist nr 43 1992 f. 53

[16] Rastko Vasiç. Gli Autariati, la tribu illirica piu grande e piu forte, nella storia e nell’archeologia. Gli Illiri e L’Italia. Convegno internazionali di Studi. Treviso 2004 f. 17

[17] Fatos Tartari. Amforat e Muzeut arkeologjik të Durrësit (përpjekje për një katalog të tyre). Iliria nr 2, 1982 f. 245

[18] A. Stipčević. Arte degli illiri. Edizione del Millione. Milano 1963 f XIV

[19] Po aty f. 28

Filed Under: Histori Tagged With: Dr. Niko Ferro, Iliret dhe Etrusket

SHKULJA E BOSTANEVE

March 29, 2018 by dgreca

 

1 Faslli Haliti 3 

  . tregim  nga Faslli HALITI/

….Sonte në mesnatë do të nisemi për dru në pyllin e Spolatës, tha xhaxhai që nuk bënte punë, pa ne, pa mua, nipin, dhe të birin, Fadilin. Unë dhe Fadili ngarkuam në qerre degët që do të hanin qetë kur të arrinim në pyll. Fadili u fut poshtë degëve për t’u fshehur dhe e zuri gjumi nën freskinë e gjetheve të njoma të misrit. Do të niseshim aty nga mesnata. Xhaxhai  po kërkonte djalin. Ku të kishte shkuar? Është në shtratin e qerres, i thashë, po fle poshtë degëve të misrit. Xhaxhai  u qetësua. Mos  e zgjo, tha, lëre te flejë. Aty  nga ora një apo dy e natës, u nisëm për në pyll. Do të bënim tre ose katër orë rrugë deri në pyllin e Spolatës. Xhaxhai e ndali qerren te driza e Shurdhit. Zbritni shpejt, tha, e mos u vononi se bëhet vonë për në pyll. Ne zbritëm nga qerrja me gëzim. Xhaxhai na dha leje të futeshim në bostanin e Daut Sefës, që të vidhnim ca pjepra, pasi bostani  ynë ende s’ishte pjekur. Me t’u futur, filluam të këpusnim nëpër errësirë pjeprat e pjekur të cilët i dallonim nga era e mirë që lëshonin. Xhaxhai priste te qerrja, jo pa shqetësim. Po sikur Hysniu, roja i Daut Sefës të na kapte duke vjedhur pjepra ? Por Hysniu ishte dede dhe gjumash i madh. Ndërsa  ne  vidhnim, ai bënte ende gjumin e thellë. As topi i karadakut s’e zgjonte dot nga ai gjumë. Me të mbërritur te qerrja të ngarkuar me pjepra dhe shalqinj, xhaxhai u qetësua.

E mbushëm shtratin e qerres plot me pjepra e shalqinj. Pashë se xhaxhai u kënaq. Kur kënaqej xhaxhai, kënaqesha dhe unë, sepse ai ishte gjithmonë i ngrysur me mua. Ndërsa qerrja ecte, ne na zuri gjumi si në djep. Fjetëm që të dy mbi degët e njoma të misrit, mes pjeprave plot erë të mirë gjersa arritëm në pyllin e Spolatës në orët e para të agut. Xhaxhai na zgjoi. Në fillim zgjoi të birin me përkëdhelinë e tij të çuditshme që unë s’e kuptova kurrë se ç’do të thoshte: «Dili kabullkà, kabullkà», përkëdheli kjo që më zgjoi dhe mua. Pasi na zgjoi, xhaxhai zhbreu qetë. Unë  dhe Fadili u vumë qeve përpara degat e njoma të misrit dhe qetë e lodhur e të uritur filluan të hanin duke e mbushur gojën gjithë shkumë jeshile. Ndërkaq xhaxhai shënjoi kërcunjtë që do të priste e do t’i çante me pyka, me sëpatë e vare. Xhaxhai priste dhe çante kërcunjtë e thatë, kurse ne i afronim te qerrja për t’i ngarkuar së bashku me xhaxhanë. Pasi kishte zbardhur mirë mëngjesi dhe dielli i korrikut zhuriste. Herë pas here ne futeshim e freskoheshim në hijet e lisave, shkozave dushqeve që ishin tepër të freskëta. Xhaxhai ngarkonte qerren. Kërcunjtë  që i jepnim ne, ai i vendoste në shtratin e qerres. Mbahej si mjeshtri më i madh për të ngarkuar qerren me dru. Ngarkesa e drurëve zgjati, gati, dy orë. Pasi e pa qerren të ngarkuar, siç donte ai, xhaxhait iu ngop syri, u ul mbi një trung e ndezi një cigare. Duke pirë cigaren, nisi të bënte shaka me ne duke na quajtur dërdyla, ngaqë kishim ngritur goxha kërcunj. Mua më erdhi mirë që xhaxhai, na quajti dërdyla, sepse ai ishte një qiell i vërejtur plot re me mua. Kur ai tregonte pak ngrohtësi ndaj meje, unë gëzohesha, çelesha, më hapej syri. Si  mbaroi së piri cigaren, xhaxhai na tha të hipnim në qerre dhe ne hipëm sipër kërcunjve, kurse vetë ai qëndroi para qeve gjatë gjithë tatëpjetës së pyllit, që të frenonte qetë, që të mos merrnin me vrap teposhtë e të përmbysnin qerren  Me të mbaruar tatëpjeta, xhaxhai i zhbreu qetë e u dha ujë te burimi. Ne u freskuam të tre. Hëngrëm mëngjesin. Këtu, xhaxhai preu edhe pjeprin e fundit që ishte më i ëmbli nga të gjithë pjeprat e tjerë, kurse gjysma e shalqinjve na dolën poça, të pa pjekur. Nisëm udhën për në shtëpi. Rruga tani ishte fushore. Do të kalonim Hajlerin që kishte aty-këtu  ca pellgje, mbeturina të kënetës së «Tërbufit», pastaj rruga ishte e thatë deri në fshatin Plug i Madh. Sapo lamë pas të tatëpjetën e Spolatës, atë copë rrugë me  pellgje kënete, po ecnim qetësisht përmes fushës së Labotit, xhaxhai ia mori këngës që, mbase kishte lidhej me xhaxheshën, gruan e tij leshverdhë për të cilën ai kishte dobësi të madhe: Shkarko drutë,/ Lidh shaminë,/Leshra verdha/Moj trëndelinë Gjate gjithë rrugës xhaxhai s’pushoi së kënduari këngë që lidheshin me gjendjen e tij shpirtërore. Vetëm, kur arritëm në atë pjesë të rrugës ku tragët e qerreve prisnin njëra-tjetrën dhe krijonin një thelë bakllavaje, xhaxhai e pushoi këngën. Shikoni, na tha, arritëm tek thela e bakllavasë. Tani s’na mbetet të udhëtojmë edhe aq shumë deri sa të arrijmë në shtëpi. Qetë vazhdonin të  tërhiqnin qerren duke u përtypur, xhaxhai vazhdonte të këndonte, qete ecnin nën ritmin e këngës së tij duke u përtypur, sikur kënga t’u pakësonte lodhjen dhe  t’u shtonte fuqitë. Kur po i afroheshim arës së Vidhishtës, xhaxhai zuri të këndojë përsëri këngën e tij te preferuar që lidhje, mbase, me xhaxheshën  leshraverdhë: Shkarko drutë,/Lidhe shaminë/Leshverdha/ Moj trëndelinë..  Por befas, nuhati një erë pjeprash që vinte andej nga ndodhej ara e Vidhishtës. Xhaxhai e pushoi këngën sikur ajo erë pjeprash ta kishte paralajmëruar për diçka të përzishme, të kobshme. Po kjo erë pjepri, ç’të jetë, nga vjen?, e sjell era, apo…?, na pyeti xhaxhai, e ndieni ju apo më bëhet mua se bie erë pjeprash?  Po i thamë ne, e ndiejmë. Duket se era vjen këtej nga ara e Vidhishtës. Xhaxhai u pre në fytyrë. Zbriti nga qerrja. Mori drejt arës së Vidhishtës. Ç’të shihte. Rrënjët e bostanit, së bashku me pjeprat ishin shkulur e hedhur mbi ferrën që rrethonte arën.  Rrënjët e bostanit qëndronin krahëhapur mbi ferrë dhe kokrrat e pjeprave të zverdhur paksa aty-këtu, dukeshin si koka fëmijësh që i kishin rrjepur e u kishin marrë skalpin. Ç’është kjo hata e kush e ka bërë? Kush e ka shkulur bostanin tim?.. Unë dhe Fadili shikonim rrënjët e pjeprave të nderur krahëhapur mbi ferra, me kokrrat e pjeprave si  koka fëmijësh që u kishin rrjepur lëkurën dhe po na vinte keq tashmë, jo  për pjeprat, por për  xhaxhanë që gati po tërbohej nga kjo gjemë. Xhaxhai kapi hosteni, shpoi qetë me inat, sikur ta kishin ata fajin. Qetë  nxituan, kurse xhaxhai dhe ne të dy, ndiqnim qerren që nxitonte drejt shtëpisë. Për një gjysmë ore, arritëm në oborrin e shtëpisë. Në oborr kishte dalë xhaxhesha dhe nëna ime. Të dyja kunatat kishin marrë ngjyrën e dheut në fytyrë. Kur xhaxhesha pa të shoqin që ishte pjekur e bërë tullë në fytyrë, jo vetëm  nga dielli, por ishte përflakur e kishte marrë zjarr edhe nga tërbimi e nga kobi që i kishte ndodhur. Pa pritur që ta pyeste i shoqi, xhaxhesha tha: kryetari i Këshillit, ai qeni, ai qeni i tërbuar dha urdhër të shkuleshin rrënjët e bostanit të mbjellë nëpër pambuk. Është urdhër nga lart, urdhri i qeverisë, bërtiste qeni, bostani nuk e lë pambukun të bëjë përpjetë dhe bën që pambuku të mos çel gonxhe. Si thoni ju ta lemë Kombinatin «Stalin» pa pambuk, t’i lemë punëtorët pa punë dhe popullin lakuriq? Bostanin tonë e shkuli vetë Kryetari i Këshillit, me zagarët e tij. Në asnjë arë tjetër s’vajti dhe atje, ku nuk vajti Kryetari, nuk u shkul asnjë rrënjë bostani. Ja kështu or burrë na e bëri ai, zagari i Këshillit, Ali Struga. Me ne e kishte xanxën, vetëm me ne e, me asnjë tjetër. Xhaxhait iu tërbimi aq sa s’mbante më. Ali Struga, Ali Struga, nisi të bërtasë tërbimshëm, xhaxhai, ti edhe buajt e beut, në vend që t’i ftohje e t’i lerosje, i mbysje në strugë, dhe thoshe fare pa të keq se buajt, pëlcitën vetë nga vapa e madhe. Pa e mbaruar mirë fjalën, xhaxhai kapi sëpatën që e kishte varur në rrapinën e qerres pranë shtambës së ujit dhe vrapoi për në zyrën e këshillit. Ku po shkon kështu?, i bërtiti xhaxhesha. T’i pres kokën atij qenit, Kryetarit të Këshillit. T’ia rrjep lëkurën dhe t’ia hedh në ferrë, atje ku ka hedhur ai rrënjët e pjeprave të mi. Po ai është Pushteti Popullor, mor burrë. Ngrihet sëpata kundër Pushtetit Popullor?  Nëse Pushteti Popullor është ai, aq më mirë atëherë. Do t’ia pres kokën e do t’ia hedh në ferrë, atje mes pjeprave të mi që i shkuli vetë  ai me dorën e tij…Po mua, ku do të më lesh? Po fëmijët? Por xhaxhai me sëpatë në dorë vrapoi i përflakur për në zyrën e Këshillit, ku ishte strukur Ali Struga. Atje ai e ndjente veten të sigurt, të pacënueshëm, të mbrojtur si në kullën e vet. Iku, tha xhaxhesha, iku, do më bëjë hatanë…, por  do zoti e s’e gjen në zyrë Kryetarin e Këshillit…

Po afronte mesnata dhe ai s’po vinte, atëherë xhaxhesha nuk priti më, por shkoi të pyeste në polici…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Faslli Haliti, SHKULJA E BOSTANEVE

DISONANCAT DRAMATIKE TE NJE KALORESI TE GUXIMSHEM POLEMIST

March 29, 2018 by dgreca

Shkruan: Prof. Dr.  SPIRO J. SHETUNI/

Universiteti Winthrop/Rock Hill, South Carolina-U.S.A./

  • Mohim! Mohim!  Mohim!
  • Paragjykime! Paragjykime!  Paragjykime! 
  • Pseudo-novatorizëm! Pseudo-novatorizëm!  Pseudo-novatorizëm!
  • Shtrembërime! Shtrembërime!  Shtrembërime!
  • Mediokritet! Mediokritet!  Mediokritet!
  • Pretendime! Pretendime!  Pretendime!
  • Shpërdorim! Shpërdorim!  Shpërdorim!
  • Formalizëm! Formalizëm!  Formalizëm!

Spiro J. Shetuni1

 

DISONANCAT DRAMATIKE TE NJE KALORESI TE GUXIMSHEM POLEMIST

Këtë radhë, valët e fuqishme të Oqeanit Atllantik, që ndan Europën me Amerikën, s’ishin në gjendje që të ndalonin mjegullën e dendur të një debati ose diskutimi të mprehtë polemist, që ishte duke u zhvilluar në rrethet shkencoro-artistikë të Shqipërisë:  atdheut tim të dashur, të cilin e kisha lënë në 20 shtator të vitit 1992, pra, plot 25 vite më parë.  Një debat i tillë vuri në epiqendër të tij kryesisht nocionin e ashtu-quajtur iso-polifoni, i përdorur pa asnjë lloj përgjegjësie profesionale prej etnomuzikologut Vasil S. Tole, disa vite më parë.  Siç duket, sapo u bë i njohur, nocioni iso-polifoni u prit me irritim të madh, si nga qarqet shoqërorë në përgjithësi, ashtu edhe nga qarqet shkencoro-artistikë në veçanti.  Për të protestuar përdorimin e tij, fillimisht, këmbanave nisi t’u bjerë studiuesi Fitim Çaushi.  Ndërkohë, punonjësi shkencor i ish-Institutit të Kulturës Popullore, studiuesi i mirënjohur etno-organolog, Pirro Miso, erdhi me një numër artikujsh shkencorë, brenda të cilëve çështja vështrohej në gjerësi e thellësi.  Për të përgjithësuar estetikisht mendimet mbi përdorimin ose mos-përdorimin e nocionit iso-polifoni, Presidenti i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave, kompozitori i mirënjohur, Limos Dizdari, organizoi një diskutim të gjerë me studiues, kompozitorë, muzicienë, vjershëtorë, këngëtarë, instrumentistë, valltarë popullorë, etj., nga i gjithë vendi.  Në tërë këtë sagë, u vërejt se, vazhdimisht në bisht të situatës qëndroi Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit, ndonëse është i specializuar për studimin e aspekteve të identitetit etnik të kombit shqiptar!  Po ashtu, as Ministria e Kulturës e Shqipërisë s’e ka luajtur deri më sot rolin e saj përkatës administrativ!

Nocioni iso-polifoni u përdor gjerësisht, për herë të parë, në librin me titull Folklori muzikor:  Polifonia shqiptare (Tole 1999), të etnomuzikologut Vasil S. Tole.  Duke qenë se libri, ndonse me pretendime shkencorë, përmban gabime parimorë aq të shumtë e aq të mprehtë, ndodhem në një pozitë që të pyes:  Në çfarë rrethanash është botuar vallë ky libër?!  Që ai të mund të botohej, a janë marrë, apo nuk janë marrë, vallë reçensa nga studiues të fushës së etnomuzikologjisë?! Si është e mundur vallë që Shtëpia Botuese e Librit Universitar (ShBLU) ka lejuar daljen në dritë të një libri të tillë?!  Përse?!  Përse vallë?!  Përse vallë të ndodhë kështu?!

 Studiues shqiptarë e ndërkombëtarë

Hulumtimi i muzikës tradicionale shqiptare i detyrohet veprimtarisë së një numri studiuesish, etnomuzikologë e muzikologë, shqiptarë e ndërkombëtarë.  Gjatë gjysmës së parë të shekullit XX, një ndihmesë modeste në hulumtimin e saj kanë dhënë studiues etnomuzikologë e muzikologë shqiptarë, si:  Pjetër Dungu, Gjon K. Kujxhia, Kolë Gurashi, etj.  Në vazhdim, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, ndihmesë dhanë studiues etnomuzikologë e muzikologë, si:  Ramadan Sokoli, Beniamin Kruta, Hysen Filja, Albert Paparisto, Pirro Miso, Lorenc Antoni, Bahtir Sheholli, Rexhep Munishi, Ferial Daja, Kosta Loli, etj.  Ndërkohë, gjatë dhjetvjeçarëve të fundit, kanë dalë emra të rinj studiuesish etnomuzikologë e muzikologë, si:  Sokol Shupo, Vasil S. Tole, Eno Koço, Ardian Ahmedaja, Alma Bejtullahu, Visar Munishi, etj.  Aspekte të ndryshëm të muzikës tradicionale shqiptare janë rrahur, gjithashtu, nga një numër studiuesish, etnomuzikologë e muzikologë ndërkombëtarë, midis të cilëve lejomëni të përmend:  studiuesin rus, Juri Arbatski [Yury Arbatsky];  studiuesit gjermanë, Doris Shtokman [Doris Stockmann] e Erik Shtokman [Erich Stockmann];  studiuesin grek, George Leotsakos;  studiuesen amerikane, Xhein S. Shugerman [Jane C. Sugarman], etj.  Më në fund, midis studiuesve koreologë shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX, më lejoni të përmend studiues, si:  Ramazan H. Bogdani, Nexhat Agolli, Skënder Selimi, etj.  Të shpresojmë se, studiues të tjerë–etnomuzikologë, muzikologë, koreologë–, shqiptarë e ndërkombëtarë, do të bëjnë emër pikërisht duke iu përkushtuar hulumtimit të muzikës tradicionale shqiptare dhe vallzimit tradicional shqiptar.

Arritje etnomuzikologjike të shënuara

Sa më shumë që kalon koha, aq më tepër, studiuesi i një fushe të caktuar diturore, bëhet i ndërgjegjshëm, si për arritjet, ashtu edhe për mangësitë, e fushës së tij.  Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, studiuesit etnomuzikologë shqiptarë, në emër të atdhetarisë, bënë sa mundën për të studiuar universin muzikor tradicional shqiptar nga shumë pikëpamje. Ia vlen të vihet në dukje, se, krahas një numri relativisht të madh antologjish muzikore, ata erdhën edhe me artikuj të shumtë, studime e madje monografi akademike.  Pjesmarrja e tyre në takime, simpoziume, konfernca shkencore, etnomuzikologjike e muzikologjike, kombëtare e ndërkombëtare, pa dyshim se mund të shihet si një aspekt tjetër i afirmimit të etnomuzikologjisë shqiptare.

Duhet thënë se, studiuesit etnomuzikologë shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX, s’kanë qenë gjithmonë të një mendimi, përsa u takon çështjeve të tilla të rëndësishme të fushës së tyre, si:  i)  klasifikimi i muzikës tradicionale shqiptare;  ii)  terminologjia etnomuzikologjike;  iii)  metodologjia e studimitt, etj.  Sidoqoftë, duke pasur si institucion themelor kërkimoro-shkencor ish-Institutin e Kulturës Popullore (sot Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit), ata i rrihnin vazhdimisht mendimet e tyre.  Antologjitë muzikore, artikujt, studimet, monografitë, etj., të kësaj periudhe historike, u botuan vetëm pas diskutimesh aq fryt-dhënëse, vetëm pas miratimit të institucionit përkatës kërkimoro-shkencor.

 Dukuri të tejskajshme teorike e metodologjike

Siç duket, gjatë dhjetë-vjeçarëve të fundit, në fushën e etnomuzikologjisë shqiptare, përvoja e diskutimeve shkencorë dhe e miratimit të punimeve nga institucioni përkatës kërkimoro-shkencor, mjerisht, sikur u la në harresë.  Studiuesit etnomuzikologë, edhe në rastet që ata ishin pa asnjë lloj përvoje kërkimoro-shkencore, nisën që t’i botojnë shkrimet e tyre pa iu nënështruar ndonjë diskutimi shkencor dhe pa u miratuar nga ndonjë institucion i specializuar kërkimoro-shkencor.  Duke ecur në këtë rrugë, herë-herë, disa studiues të rinj etnomuzikologë shqiptarë, çuditërisht, u paraqitën me monografi, megjithse më parë s’kishin botuar ndonjë artikull, as në gazeta (politiko-shoqërore ose letraro-artstike), as në revista (letraro-artistike ose shkencore).

Gjatë dhjetë-vjeçarëve të fundit, në etnomuzikologjinë shqiptare, herë-herë, mjerisht, janë vërejtur një radhë dukurish të tejskajshme teorike e metodologjike, si:  i)  polemikë e paprinciptë;  ii)  paragjykime të panumërt;  iii)  përhumbje e kritereve shkencorë të analizës e të studimit;  iv)  vetë-lavdërime, vetë-vlerësime, vetë-citime, etj.!  Pa dyshim se, dukuri të tilla, janë më tepër tregues të një marramendjeje, të një pështjellimi, të një hutimi sesa tregues të një ecurie normale.  Ato, që të gjitha, kanë ardhur thjesht si shprehje e subjektivizmit, personalizmit, arbitrarizmit.

Kalorësi i guximshëm polemist 

Me librin e tij të titulluar Folklori muzikor:  Polifonia shqiptare (Tole 1999), etnomuzikologu Vasil S. Tole, si papritur e pakujtuar, u shfaq si një kalorës i guximshëm polemist, i paparë ndonjëherë në historinë e etnomuzikologjisë shqiptare!  Qysh në Parathënie-n dramatikisht të shkurtër të këtij libri, e cila përbëhet gjithsej nga dy paragrafë, ai erdhi me një varg deklaratash të tejskajshme, të cilat, janë, në radhë të parë, sa profesionalisht të gabuara, aq edhe moralisht të shëmtuara!   Që të mund të përdor një nocion muzikor, më lejoni që mendimet e tij t’i quaj disonanca.  Ato shfaqen më shpesh të njëanshme e subjektive—herë-herë, mohuese, nënvlerësuese, nënçmuese, dhe, herë-herë, pohuese, mbivlerësuese, mbiçmuese–, por asnjëherë të dyanshme e objektive.  Në të vërtetë, disonancat që sillen janë të shumta.  Megjithatë, unë do të bëj objekt vëzhgimi vetëm tetë prej tyre, të cilat mendoj se janë më dëm-prurëse e më flagrante.  Shqyrtimi i disonancave të tilla meriton vëmendje të plotë, në emër të mbarëvajtjes së etnomuzikologjisë shqiptare, si në ditët tona, ashtu edhe në të ardhmen.  

Disonanca e parë:  Mohim!  Mohim!  Mohim! 

 Qartësisht, disonanca e parë mund të formulohet në këtë mënyrë:  Mohimi, nënvlerësimi, nënçmimi i ndihmesës kërkimoro-shkencore etnomuzikologjike të studiuesve etnomuzikologë shqiptarë para-ardhës!  Tole u shfaq si mohues i tërë veprimtarisë kërkimoro-shkencore etnomuzikologjike të kryer nga studiuesit etnomuzikologë shqiptarë të mëparshëm, të vdekur ose të gjallë.  Me arrogancë të shquar dhe jashtë çdo natyre akademike të një libri me pretendime shkencorë, ai shkruan:“Ndërkohë, është po kaq e vërtetë se kjo temë [d.m.th., tema e muzikës tradicionale shumë-zërëshe shqiptare—Shënimi im:  S.J.Sh.] vazhdoi dhe ende vazhdon të mbetet e patrajtuar në përgjithësi siç duhet [!], për shkaqe nga më të ndryshmet [!], për të cilat s’kam ndër mend të zgjatem këtu [!].”  (Tole 1999:9)

Brenda këtij qerthulli, nëse mendohet vërtet se, studimi i muzikës tradicionale shumë-zërëshe shqiptare, deri më sot, lë për të dëshiruar ose është i gabuar, do të ishte më tepër se e nevojshme që të jepeshin shkaqet e një mangësie të tillë me të vërtetë parimore.  Por studiuesi refuzon që të vazhdojë polemikën mbi këtë çështje, ndoshta duke menduar lehtësisht se do t’i shpëtojë vëzhgimit të lexuesit në përgjithësi dhe studiuesit të profesionit në veçanti.  Duke mos nxjerrë në pah shkaqet e një dukurie aq serioze, polemika e tij, ndërsa, nga njëra anë, është e drejtpërdrejtë dhe gjithë-përfshirëse, shfaqet, nga ana tjetër, e paqartë dhe e mangët!

Duke ecur vendosmërisht në rrugën e mohimit të arritjeve të mëparshme etnomuzikologjike, kalorësi i guximshëm polemist, Tole, shfaqet edhe si mohues i përmasave epike, kur shkruan:

“… me gjithë studimet që janë kryer deri më sot, më duket ende i drejtë konstatimi i A. L. Lloyd i bërë në vitet ’60 se folklori muzikor shqiptar ende është më pak i studiuar sesa këngët e eskimezëve apo ato të malësorëve të Guinesë së Re.”  (Tole 1999:34)

Brenda këtij qerthulli, në mënyrë të natyrshme, lindin një varg pyetjesh, si:  Vallë, a i ka lexuar studiuesi artikujt, studimet, monografitë e derisotme etnomuzikologjike mbi muzikën tradicionale të popujve indigjenë eskimezë, ose të malësorëve të Guinesë së Re?!  Vallë, a ka bërë ai ndonjë ekpeditë kërkimoro-shkencore në Siberi (Rusi), Alaskë (Shtetet e Bashkuara të Amerikës), Kanada, dhe Greenland, për të regjistruar këngë tradicionale të popujve eskimezë, ose në ishullin e madh të Guinesë së Re (kontinenti i Australisë), pë të regjistruar këngë tradicionale të malësorëve të këtij ishulli?!  Brenda një qerthulli të tillë, në mënyrë të natyrshme, lindin edhe një varg pyetjesh të tjera, si:  Vallë, a i ka lexuar studiuesi artikujt, studimet, monografitë e derisotme etnomuzikologjike mbi muzikën tradicionale shqiptare?!  Vallë, a ka bërë ai ndonjë ekspeditë kërkimoro-shkencore në Gegëri, Toskëri, Labëri, etj., për të regjistruar këngë tradicionale fshatare e qytetare?!  Siç duket, në çdo rast, studiuesi i shpreh mendimet e tij plotësisht jashtë përvojës kërkimoro-shkencore.  Duke e konsideruar gjendjen e studimeve etnomuzikologjike shqiptare në vitin 1999 si të barabartë me gjendjen e tyre në vitin 1960 (!), Tole, në të vërtetë, me qëllim e me entusiazëm, mohon tërë arritjet e etnomuzikologjisë shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX.  Cinizëm!  Cinizëm!  Vetëm cinizëm i pashembullt!Polemika nënkupton interpretimin e çështjeve të një subjekti të caktuar në një mënyrë të tillë që të shihet nëse ekzistojnë aspekte të mjegullt ose kontradiktorë, në artikuj, studime, monografi, etj.  Ajo mund të jetë e dy llojeve kryesorë:  parimore ose e paprinciptë.  Polemika parimore synon që të nxjerrë në pah vështrimin kontradiktor të çështjeve të një subjekti të cakuar.  Polemika e paprinciptë, duke mos qenë në gjendje që të depërtojë në thelbin e çështjeve, e çvendos tehun e saj, sa nga një skaj ekstrem, aq edhe në tjetrin.  Polemika parimore vetëm se e gjallëron debatin.  Polemika e paprinciptë vetëm se e degjeneron atë.  Të bësh polemikë nuk do të thotë që domosdoshmërisht të mohosh!

Disonanca e dytë:  Paragjykime!  Paragjykime!  Paragjykime!

Qartësisht, disonanca e dytë mund të formulohet kështu:  Pohimi, mbivlerësimi, mbiçmimi i gjoja ndihmesës kërkimoro-shkencore entomuzikologjike të autorëve që s’janë etnomuzikologë!  Tole u shfaq si afirmues i gjoja veprimtarisë kërkimoro-shkencore etnomuzikologjike që përfaqësues të historisë, jetës e kulturës shqiptare—të cilët s’janë etnomuzikologë—kanë dhënë në drejtim të hulumtimit të muzikës tradicionale shumë-zërëshe shqiptare.  Në këtë qerthull, pasi jepen përshtypjet që, udhëtarë të ndryshëm ndërkombëtarë të shekullit XIX, kanë shkruar mbi muzikën tradicionale shumë-zërëshe shqiptare, përmenden, midis të tjerëve, figura, si:  Faik Konica, Eqrem Çabej, Mitrush Kuteli (pseudonim i Dhimitër Paskos), Ismail Kadare, sikurse edhe Zef Jubani, Lumo Skëndo (pseudonim i Mid’hat Frashërit), Mehdi Frashëri, etj.  Autorë të tillë, herë-herë, mund të kenë shprehur ndonjë mendim mbi muzikën tradicionale shumë-zërëshe shqiptare, por ata asnjëherë s’e kanë pasur atë si objekt të veprimtarisë së tyre.  Prandaj kurrë s’kanë pretenduar se kanë dhënë ndonjë ndihmesë shkencore etnomuzikologjike.

Duke rendur vazhdimisht pas çështjeve jashtë-muzikore, midis të tjerash, Tole shkruan:  “Nga pasqyrimi në letërsinë shqiptare i dukurisë së iso-polifonisë, do të përmendja romanin Kush e solli Doruntinën të Ismail Kadaresë …”  (Tole 1999:32)

[Këtu] “… gjejmë të pasqyruar jo vetëm riprodhimin [!] e një prej dukurive më domethënëse [!] të etnomuzikës [!] shqiptare, të polifonisë në vajin e grave, por edhe shpjegimin [!] e gjendjes muzikore [!] me një tjetër “partiturë.”” (Tole 1997:76-7)

Serioziteti profesional i studiuesit rrënohet sidomos kur ai merr përsipër të japë “… një skemë të përafërt grafike të linjave muzikore të 4 vajtojsave,” sipas romanit të mësipërm.  (Tole 1999:32)  Absurditeti i vëzhgimeve mund të shihet fare lehtë edhe në paragrafin e mëposhtëm:

“Trajtimi konceptual i lëndës polifonike [!] ka sjellë në veprat e Kadaresë edhe risitë përsa i përket polifonisë si formë [!].  Këtu do të vinim në pah strukturën e romanit Dimri i madh, i cilësuar si “roman me iso” [!], “roman polifonik” [!], ku çdo gjë në ‘të ndërtohet ashtu si në praktikën e gjallë të të kënduarit popullor [!] …”  (Tole 1999:32)

Paragrafë të tillë, të cilët, në këtë libër, s’janë të paktë, vetëm se e shpien vëmendjen e lexuesit në një botë jashtë-muzikore në përgjithësi dhe jashtë-etnomuzikologjike në veçanti.  Paragrafë të kësaj natyre, në vetvete, mund të jenë argëtues, por, në të vërtetë, s’kanë ndonjë përmbajtje shkencore etnomuzikologjike.  Eshtë e vështirë të thuhet se studiuesi rend pas çështjeve jashtë-muzikore për të argumentuar dukuri etnomuzikologjike të caktuara.  Se çfarë mund të pranohet me siguri, në analizë të fundit, është fakti se, në këtë mënyrë, objekti i librit çvendoset në aspekte të cilët s’janë thelbësorë.  Sofizma!  Sofizma!  Vetëm sofizma klasike!

Vendi i gjerë që zënë përshtypjet e udhëtarëve të ndryshëm ndërkombëtarë të shekullit XIX mbi muzikën tradicionale shumë-zërëshe shqiptare, sikurse edhe vendi gjithë aq i gjerë që u jepet thënieve mbi të njëjtin subjekt të një radhë autorësh shqiptarë, të cilët s’janë etnomuzikologë, në këtë libër, çuditërisht, përcillet me mungesën e plotë të mendimeve të studiuesve të vërtetë të muzikës tradicionale shumë-zërëshe shqiptare!  Kështu, nga njëra anë, vërehet, mohimi, nënvlerësimi, nënçmimi i ndihmesës kërkimoro-shkencore etnomuzikologjike të studiuesve etnomuzikologë, ndërsa, nga ana tjetër, shihet pohimi, mbivlerësimi, mbiçmimi i gjoja ndihmesës kërkimoro-shkencore etnomuzikologjike të autorëve që s’janë etnomuzikologë.  Që të mund të shprehem në një mënyrë tjetër, ndërsa studiuesit etnomuzikologë shihen me një lloj përçmimi—ndonëse ata i kanë kushtuar jetën e tyre hulumtimit të muzikës tradicionale shumë-zërëshe shqiptare!–, autorët që s’janë etnomuzikologë vështrohen me një lloj adhurimi—thjesht për faktin se ata janë të mirënjohur në fushat përkatëse!  Paragjykime!  Paragjykime!  Vetëm paragjykime!

Si pjesë të Disonancës së dytë, më lejoni që të sjell një rast të një natyre tjetër, i cili është, gjithashtu, një lloj paragjykimi.  Dëshira e mirë e studiuesit për të argumentuar lashtësinë e muzikës tradicionale shumë-zërëshe shqiptare, e shpie atë drejt zhanreve të tillë, si:  ballada, kënga historike, vallja rituale, etj.  (Tole 1999:19).  Eshtë e vërtetë se krijimet që merren si shembuj, flasin për ngjarje ose bëma të lashta, reale ose jo-reale.  Vetëm se, nga pikëpamja muzikore, ata nuk janë domosdoshmërisht të lashtë, sikurse studiuesi lë të kuptohet.  Krijime të kësaj natyre, muzikalisht, nuk diferencohen aspak, p.sh., nga këngët lirike të të gjithë llojeve (të dasmës, rituale, të punës, të dashurisë, etj.)  Një dukuri e tillë shpjegohet me veçoritë estetike të muzikës tradicionale në tërësi.  Të nënkuptosh se ballada, kënga historike, vallja rituale, etj., janë edhe muzikalisht të lashta, është thjesht një paragjykim ose mendim estetikisht i gabuar.    

 Si pjesë të Disonancës së dytë, më lejoni që të sjell një rast të dytë të një natyre tjetër, i cili përfaqëson një interpretim të gabuar.  Duke shkruar për afritë melodiko-modale që ekzistojnë midis muzikës tradicionale shumë-zërëshe toske dhe muzikës tradicionale shumë-zërëshe arumune, studiuesi, ndoshta i mbërthyer pa dashur nga ndonjë lloj nacionalizmi e shovinizmi, midis të tjerash, shkruan:“Fillimisht këngët [fjala është për këngët tradicionale shumë-zërëshe arumune—Shënimi im:  S.J.Sh.] u kënduan në gjuhën shqipe [!], e pas kësaj një pjesë e veçantë e tij [sic], ku përfshihen këngët polifonike 2-3 zërëshe me struktura të thjeshta dhe të kollajshme për t’u riprodhuar, me ambitus të vogël dhe stilema të ngushta, kryesisht me tematikë lirike u kënduan edhe në gjuhën e tyre [!].”  (Tole 1999:47)

S’duhet shumë teori për të argumentuar se, fillimisht, arumunët s’mund t’i këndonin këngët tradicionale shumë-zërëshe në gjuhën shqipe, por vetëm në gjuhën e nënës, pra, në gjuhën arumune, e cila s’është veçse një dialekt i gjuhës moderne rumune.  Në të vërtetë, arumunët i kanë interpretuar dhe i interpretojnë mbarë zhanret e kulturës së tyre muzikore tradicionale në të njëjtën gjuhë.  Të kënduarit në gjuhën shqipe është një dukuri historikisht e vonshme, ndoshta e gjysmës së dytë të shekullit XX.  Sidoqoftë, edhe në ditët tona, arumunët i këndojnë krijimet tradicionale të të gjithë zhanreve kryesisht në gjuhën e nënës.  (Në këtë qerthull, është shumë vështirë që të kuptohet qëndrimi i studiuesit, aq më tepër se ai shkruan që ka lexuar edhe ndonjë punim mbi muzikën tradicionale të arumunëve të Shqipërisë.)

Disonanca e tretë:  Pseudo-novatorizëm!  Pseudo-novatorizëm!  Pseudo-novatorizëm!

Qartësisht, disonanca e tretë mund të formulohet në këtë mënyrë:  Shpalosja, përdorimi, ndjekja e gjoja një metodologjie të re në fushën e studimit të muzikës tradicionale shumë-zërëshe shqiptare!  Tole u shfaq si gjoja etnomuzikolog novator i paparë ndonjëherë, i cili do të sillte, domosdoshmërisht, me çdo kusht, në çdo rast, një metodologji të re, përsa i takon studimit të muzikës tradicionale shumë-zërëshe shqiptare.  Me arrogance të shquar dhe jashtë çdo natyre akademike të një libri me pretendime shkencorë, ai shkruan:

“Në këtë libër … mendojmë se n’a krijohet më mirë mundësia të shprehim dhe ballafaqojmë [!] pozicionin tonë [!], i cili është themelisht i ri [!] në lidhje me temën e trajtuar …”  (Tole 1999:9).

Ashtu siç u vërejt më sipër, nёse mendohet vёrtet se, metodologjia e ndjekur deri më sot nga etnomuzikologjia shqiptare në fushën e studimit të muzikës tradicionale shumë-zërëshe shqiptare, lë për të dëshiruar ose është e gabuar, atёherё duhet qё tё jepen gjatё e gjerё argumentet.  Brenda kёtij qerthulli, disa çёshtje etnomuzikologjike qё do tё kёrkonin shpjegim, ndoshta do tё mund tё formuloheshin nё kёtё mёnyrё:  Cilët janё kriteret e pёrdorur deri mё sot?!  Ku qёndron parimisht mangёsia e tyre?!  Cilët kritere duhet tё ndiqen?!  Ku qёndron parimisht pёrparёsia e tyre?!  Pa dyshim se, muzika tradicionale shumë-zërëshe shqiptare, mund tё shqyrtohet nё rrugё tё ndryshme.  Edhe muzika tradicionale një-zërëshe shqiptare mund tё studiohet nё rrugё tё ndryshme.  Çdo dukuri etnomuzikologjike mbi rruzullin tokёsor mund tё hulumtohet nё rrugё tё ndryshme.  Tё ndjekurit e njё rruge tё re studimi, nё vetvete, nuk pёrbёn asnjё lloj sakrilegji.  Përkundrazi, ajo duhet që të përshëndetet.  Mirëpo, nëse vëzhgimet e një punimi të caktuar, sikurse është libri në fjalë, mund të karakterizohen, në thelb, si të njëanshme—thjesht teknike, thjesht strukturore, thjesht formale–, atёherё shkaqet duhen kёrkuar, midis të tjerash, pikërisht tek metodologjia e zbatuar.

Disonanca e katërt:  Shtrembërime!  Shtrembërime!  Shtrembërime!

 Qartësisht, disonanca e katërt mund të formulohet kështu:  Shtrembërimi, ndryshimi, shndërrimi i nocioneve themelorë etnomuzikologjikë!  Tole u shfaq si shtrembërues i një varg nocionesh themelorë etnomuzikologjike të mirënjohur, si në etnomuzikologjinë shqiptare, ashtu edhe atë ndërkombëtare, si:  polifoni tradicionale, stil muzikor, dialekt muzikor, nën-dialekt muzikor, etj.  Në këtë qerthull, më lejoni që, në radhë të parë, të jap disa citate, brenda të cilëve përdoren një varg nocionesh të pakuptimtë, të panatyrshëm, absurdë.  Shpresoj se, në këtë mënyrë, lexuesi ndoshta do t’a ketë më të lehtë për të gjykuar në mënyrë të paanshme:

“… iso-polifonia shqiptaro-jugore është një prodhim [!] kolektiv anonim, e cila lind si prodhim [!] artistik në momentin kur lënda bio-muzikore [!] krijon një raport të drejtë sa me vetë vijueshmërinë e saj në kohë [!], e po aq me faktorin numerik që merr pjesë në interpretim [!], i cili është edhe mbartësi i formulës së krijimit të iso-polifonisë [!].”  (Tole 1999:16)

“… iso-polifonia jonë klasifikohet të jetë edhe një veprimtari krijuese inteligjente e dorës së parë [!].  Iso-polifonia jonë popullore duhet konsideruar ashtu siç është:  një fenomen elitar i të menduarit muzikor shqiptar e më gjerë [!].  Në strukturën e ndërtimit dhe në formën e saj të shfaqjes, ajo provon se i menduari [!] dhe realiteti muzikor polifonik gjallon nga origjinaliteti i shfaqjes [!] dhe se kultura muzikore polifonike është ende një kulturë muzikore aktive [!].”  (Tole 1999:16)

“… polifonia shqiptaro-jugore është një e dhënë gjenetike [!] dhe vazhdim i natyrshëm komunikativ i mjedisit [!], dhe jo një histori darviniste e llojeve [!].”  (Tole 1999:50)

“… Isoja si koncept në muzikën popullore, në vetvete, fsheh një strukturë të tërë, e cila lidhet sa me prejardhjen e polifonisë, por dhe kodin gjenetik të shqiptarëve [!].  Iso-koncepti [!] është një ‘extra musical sound [!],’ i cili si i tillë ngelet fenomeni më i pakontestueshëm [!] i strukturës sonë gjenetiko-muzikore {!].”  (Tole 1999:59)

“… kjo shfaqje e tiparit sa kolektiv aq edhe individual të banorit jugor [fjala është për aftësinë e tij si marrës, prerës ose si pjestar i grupit të isos—Shënimi im:  S.J.Sh.] lidhet pazgjidhmërisht me strukturën gjenetike [!], me kozmogoninë e tij muzikore [!] dhe vazhdimësinë bio-kulturore të mjedisit [!].”  (Tole 1999:77).

Brenda paragrafëve të cituar, vëmendje tërheqin sidomos nocione të pakuptimtë, të panatyrshëm, absurdë, si:  i)  “iso-polifoni;”  ii)  “lëndë bio-muzikore;” iii)  “funksion biologjik i mjedisit;”  iv)  “veprimtari krijuese inteligjente e dorës së parë;”  v)  “fenomen elitar i të menduarit muzikor shqiptar e më gjerë;”  vi)   “e dhënë gjenetike;”  vii)  “vazhdim i natyrshëm komunikativ i mjedisit;”  viii)  “kod gjenetik i shqiptarëve;” ix)  “iso-koncept;” x)  “strukturë gjenetiko-muzikore;”  xi)  “vazhdimësi bio-kulturore e mjedisit,” etj.  Përdorimi i nocioneve të tillë brenda një konteksti etnomuzikologjik ndoshta ka ardhur përmes një procesi të caktuar:  Ka shumë mundësi që, fillimisht, nocionet të jenë përdorur në mënyrë të natyrshme brenda një konteksti jashtë-etnomuzikologjik:  biologjik, fiziologjik, gjenetik, anatomik, psikologjik, antropologjik, etj.  Sidoqoftë, studiuesi i ka nxjerrë ata nga konteksti i natyrshëm për t’i futur mekanikisht brenda një konteksti etnomuzikologjik!  Prandaj mendimet që jepen më sipër, duke përdorur gjerësisht nocione të kësaj natyre, s’kanë absolutisht asnjë lloj kuptimi:  ato janë thjesht ide të paqarta, ide të rrëmujshme, ide aspak frytdhënëse;  ato janë thjesht lojë fjalësh, lojë mendimesh, lojë idesh;  ato janë thjesht shkencë për shkencë, teori për teori, arsyetim për arsyetim;  në analizë të fundit, ato janë thjesht absurditete në emër të shkencës së etnomuzikologjisë! 

Përsa i takon nocionit iso-polifoni, siç u vërejt më sipër, shpjegimi i përmbajtjes së tij, nga ana e studiuesit, mjerisht, është ndoshta absurditeti profesional më i madh i parë ndonjëherë në etnomuzikologjinë shqiptare deri më sot!   Në këto kushte, më lejoni që të shpreh mendimin tim:

Së pari, nocioni iso-polifoni s’e karakterizon drejt thelbin e muzikës tradicionale shumë-zërëshe shqiptare nga pikëpamja teoriko-shkencore. Përsa i takon strukturës së përgjithshme, ajo (muzika tradicionale shumë-zërëshe), është, në radhë të parë, një këngë dy-zërëshe, tri-zërëshe, ose katër-zërëshe.  Në plan të përgjithshëm, mendoj se, veçoria më e rëndësishme e saj, është prania e njëkohshme e disa linjave melodike, të cilat këndohen pa shoqërim instrumentor, pra, në mënyrë a cappella.  Isua, i cili intepretohet nga një numër këngëtarësh, nuk është veçse një element i muzikës tradicionale shumë-zërëshe shqiptare, krahas marrësit (solistit të parë), prerësit ose kthyesit (solistit të dytë) dhe hedhësit ose mbushësit (solistit të tretë).

  • Së dyti, nocioni iso-polifoni shkon hapur kundër pikëpamjeve të studiuesve të tjerë etnomuzikologë e muzikologë shqiptarë, të djeshëm ose bashkëkohorë. Në këtë vështrim, ai vjen edhe si një lloj mohimi, nënvlerësimi, nënçmimi që i bëhet ndihmesës së tyre kërkimoro-shkencore!
  • Së treti, nocioni iso-polifoni i kundërvihet plotësisht emërtimit që i ka bërë këngës tradicionale shumë-zërëshe në shekuj vetë populli shqiptar: vjershëtorët, këngëtarët, instrumentistët, valltarët popullorë, etj.  Nga kjo pikëpamje, ai vjen edhe si një lloj mohimi, nënvlerësimi, nënçmimi ndaj ideve, mendimeve, dëshirave të tyre!
  • Së katërti, nocioni iso-polifoni, mjerisht, duket sikur është përdorur subjektivisht, personalisht, arbitrarisht, thjesht për të kënaqur fantazinë e studiuesit. Por shkenca e etnomuzikologjisë shqiptare nuk mund të përparojë asnjëherë përmes fantazisë.  Janë vetëm idetë e shëndosha teoriko-estetike me anë të të cilave ajo mund të ecë përpara.
  • Së pesti, nocioni iso-polifoni, dashur-padashur, e zbeh besueshmërinë shkencore të etnomuzikologjisë shqiptare, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Studiuesit etnomuzikologë e muzikologë, shqiptarë e ndërkombëtarë, nuk mund të mos shprehin habinë e tyre të madhe ndaj një nocioni të tillë.
  • Së gjashti, në të vërtetë, nocionet subjektivë, personalë, arbitrarë, midis të cilëve edhe nocioni iso-polifoni, vetëm se sjelllin mjegull, pështjellim, hutim në rrugën e mbarëvajtjes së etnomuzikologjisë shqiptare. Për këtë arsye, qarqet shkencoro-artistikë shqiptarë s’mund dhe s’duhet që të lejojnë kurrsesi emërtime të trilluara.

Në përgjithësi, subjekti i terminologjisë etnomuzikologjike, është shtrembëruar dramatikisht brenda librit të Toles.  Përsa i takon një subjekti të tillë, me arrogancë të shquar dhe jashtë çdo natyre akademike të një libri me pretendime shkencorë, midis të tjerash, ai shkruan:

“Përsa u përket “stileve” të polifonisë labe (apo edhe toske), teori e cila deri më tani ka qenë mbizotëruese pothuajse në të gjitha punimet me objekt polifoninë, do t’i konsideroja ato si një tendencë për të shpjeguar atë që prof. Çabej e quante “…ngjyra lokale të këngëve” [!], sesa një realitet të vërtetë “silesh” [!] në këtë muzikë.  Eshtë më se e qartë se koncepti “stil” në muzikë, në rastin tonë, mund të mos aplikohet [!], ose të aplikohet kryesisht për ndarjet e mëdha të iso-polifonisë [!], pra, për “stilin tosk” [!] dhe “stilin lab” [!], por kurrsesi për të përcaktuar variacionet brenda stilit të madh [!] të iso-polifonisë [!], qoftë asaj toske apo labe.”  (Tole 1999:68)

Duke vëzhguar me kujdes qoftë edhe vetëm paragrafin e mësipërm, del fare qartë se:  i)  Çuditërisht, Tole e kërkon përmbajtjen e nocioneve themelorë etnomuzikologjkë, domosdoshmërisht, me çdo kusht, në çdo rast, në libra të shkruar nga autorë të cilët s’janë etnomuzikologë.  (Sërish:  Përçmim i studiuesve etnomuzikologë dhe adhurim i autorëve që s’janë etnomuzikologë!).  ii)  Duke mohuar, domosdoshmëisht, me çdo kusht, në çdo rast, arritjet e mëparshme të etnomuzikologjisë shqiptare në drejtim të terminologjisë, ai e shtrembëron dramatikisht përmbajtjen e nocioneve themelorë etnomuzikologjikë.  Mjegullim!  Mjegullim!  Vetëm mjegullim i plotë!

Brenda çdo fushe diturore, shkencore ose artistike, terminologjia nuk mund dhe nuk duhet që të jetë, në asnjë mënyrë, subjektive, personale, arbitrare.  Terminologjia mund dhe duhet që të përpunohet gjithmonë nga qarqet shkencorë ose artistikë të fushave përkatëse diturore.  Po ashtu, ajo mund dhe duhet që të përdoret gjithmonë me mirëkuptimin e qarqeve të tillë shkencorë ose artistikë.  Terminologjia nuk mund dhe nuk duhet që të jetë, në asnjë mënyrë, as monopol i ndonjë studiuesi të veçantë.

 Disonanca e pestë:  Mediokritet!  Mediokritet!  Mediokritet!

-Qartësisht, disonanca e pestë mund të formulohet në këtë mënyrë:  Interpretimi, kuptimi, vështrimi i muzikës tradicionale shumë-zërëshe shqiptare si gjoja pjesa më e lartë e muzikës tradicionale shqiptare!  Për arsye që vetëm ai mund t’i dijë, Tole mendon gabimisht se, nga pikëpamja e vlerave estetike në përgjithësi dhe e tipareve melodiko-modalë në veçanti, muzika tradicionale shumë-zërëshe shqiptare qëndron më lart sesa muzika tradicionle një-zërëshe shqiptare, d.m.th., sipas tij, ajo është një “dukuri elitare.”  Meqenëse fjala elitë është një fjalë ndërkombëtare, më së pari, lejomëni që të jap kuptimin e saj:

Një vepër autoritare në botën bashkëkohore diturore, Merriam Webster’s Collegiate Dictionary [Fjalor universitar i Merriam-Uebster], jep, midis të tjerash, këta dy përkufizime të nocionit elitë:  Elitë:  i)  “pjesa më e lartë shoqërore e shoqërisë;”  ii)  “një grup personash, të cilët, në bazë të pozitës ose arsimit, ushtrojnë shumë pushtet ose ndikim.”  (Mish 2001:374)

 Duke u mbështetur në këta dy përkufizime, unë s’e kuptoj se përse muzika tradicionale shumë-zërëshe shqiptare, sipas studiuesit, n’a qenka:

  1. “… një veprimtari krijuese inteligjente e dorës së parë [!];”
  2. “… një fenomen elitar i të menduarit muzikor shqiptar e më gjerë [!];”
  • “… një e dhënë gjenetike [!] dhe vazhdim i natyrshëm komunikativ i mjedisit [!].

Shpjegimi i interpretimeve aq subjektivë, aq personalë, aq arbitrarë, në të vërtetë, është i ndërlikuar, kompleks, shumë-dimensional.  Një panoramë e shkurtër, vetëm se thelbësore, e përfytyrës së përgjithshme të muzikës tradicionale shqiptare, ndoshta do të ishte e dobishme për një shpjegim të tillë.  Muzika tradicionale shqiptare ekziston në katër dialekte muzikorë themelorë:  i)  dialekti muzikor geg;  ii)  dialekti muzikor tosk;  iii)  dialekti muzikor lab;  iv)  dialekti muzikor qytetar.  Në një mënyrë më pak rigoroze, ata mund të quhen përkatësisht:  muzika tradicionale gege, muzika tradicionale toske, muzika tradicionale labe, muzika tradicionale qytetare.  Ndër ‘ta,  dialekti muzikor geg, dialekti muzikor lab dhe dialekti muzikor qytetar ekzistojnë pa nën-dialekte të caktuar muzikorë;  kurse dialekti muzikor tosk ekziston në tre nën-dialekte muzikorë:  tosk, myzeqar, çam.  Në pamje të parë, vëmendje zgjon sidomos fakti se, muzika tradicionale shqiptare ruan një strukturë të pëgjithshme të dyfishtë:  një-zërëshe e shumë-zërëshe.  Ndërsa në Gegëri ajo është me një linjë melodike, në Toskëri shfaqet kryesisht me shumë linja melodike.  Kështu, dialekti muzikor geg dhe një pjesë e dialektit muzikor qytetar (grupimi muzikor qytetar një-zërësh) janë me një linjë melodike, kurse dialekti muzikor tosk, dialekti muzikor lab dhe një pjesë e dialektit muzikor qytetar (grupimi muzikor qytetar shumë-zërësh) shfaqen më tepër me shumë linja melodike.  Megjithatë, njësinë kulturoro-artistike nacionale të saj e dëshmojnë një sërë tiparesh.

Dialektet themelorë të muzikës tradicionale shqiptare–geg, tosk, lab, qytetar–, në të vërtetë, formojnë së brendshmi dy kategori të mëdha etnomuzikologjike.  Ndër ‘to, kategoria e parë përmbledh dialektin muzikor geg dhe një pjesë të dialektit muzikor qytetar (grupimin muzikor qytetar një-zërësh), kurse kategoria e dytë përmbledh dialektin muzikor tosk, dialektin muzikor lab dhe një pjesë të dialektit muzikor qytetar (grupimin muzikor qytetar shumë-zërësh).  Nga pikëpamja etniko-socialo-gjeografike, ato përkojnë pak a shumë me dy bashkësitë e mëdha të krahinave etnografike:  Gegëri e Toskëri.  Midis tyre, kategoria e parë etnomuzikologjike (dialekti muzikor geg dhe grupimi muzikor qytetar një-zërësh) karakterizohet nga tipare themelorë dallues, si:  i)  struktura e përgjithshme një-zërëshe;  ii)  sistemi modal/tonal, kryesisht, diatonik e kromatik;  iii)  metrika/ritmika herë-herë e matur, e qartë, e përcaktuar, herë-herë e pamatur, e paqartë, e lirë, ose kapriçoze, delikate, e stërholluar;  iv)  shoqërimi instrumentor (i muzikës tradicionale zanore).  Ndërkohë, kategoria e dytë etnomuzikologjike (dialekti muzikor tosk, dialekti muzikor lab dhe grupimi muzikor qytetar shumë-zërësh) shquhet nga tipare themelorë dallues, si:  i)  struktura e përgjithshme shumë-zërëshe;  ii)  sistemi modal/tonal pentatonik ose pentatoniko-diatonik;  iii)  metrika/ritmika herë-herë e matur, e qartë, e përcaktuar, herë-herë e pamatur, e paqartë, e lirë, ose kapriçoze, delikate, e stërholluar;  iv)  mos-shoqërimi instrumentor ose shoqërim instrumentor (i muzikës tradicionale zanore).  Kështu, brenda muzikës tradicionale shqiptare, në tërësi, afrisë së ndjeshme midis sistemit modal/tonal të dialektit muzikor geg dhe grupimit muzikor qytetar një-zërësh, nga njëra anë, i përgjigjet afria e ndjeshme midis sistemit modal/tonal të dialektit muzikor tosk, dialektit muzikor lab dhe grupimit muzikor qytetar shumë-zërësh, nga ana tjetër.  Afritё midis dialekteve tё ndryshёm të muzikёs tradicionale shqiptare s’janë veçse shprehje e njësisë kulturoro-artistike nacionale tё saj.

Ndërkohë, grupimet muzikore strukturoro-formale bazë të ekzistencës së muzikës tradicionale shqiptare janë:  1)  muzika tradicionale fshatare dhe muzika tradicionale qytetare;  2)  muzika tradicionale zanore dhe muzika tradicionale instrumentore;  3)  muzika tradicionale një-zërëshe dhe muzika tradicionale shumë-zërëshe;  4)  muzika tradicionale e kënduar dhe muzika tradicionale e kërcyer;  5)  muzika tradicionale e femrave (vajzve e grave) dhe muzika tradicionale e meshkujve (djemve e burrave);  6)  muzika tradicionale e të rinjve (vajzave e djemve) dhe muzika tradicionale e të rriturve (grave e burrave);  7)  muzika tradicionale e interpretuar individualisht dhe muzika tradicionale e interpretuar kolektivisht;  8)  muzika tradicionale zanore a cappella (e pashoqëruar me instumente muzikore) dhe muzika tradicionale zanore e shoqëruar me instrumente muzikore.

Sigurisht që dialektet themelorë të muzikës tradocionale shqiptare—geg, tosk, lab, qytetar—karakterizohen nga tipare të ndryshëm melodiko-modalë.  E njëjta dukuri shquan, gjithashtu,  grupimet strukturoro-formalë bazë të muzikës tradicionale shqiptare.  Sidoqoftë, përsa u takon vlerave estetike në përgjithësi dhe tipareve të tyre melodiko-modalë në veçanti, as një dialekt muzikor nuk është superior ndaj një dialekti tjetër muzikor dhe as një grupim muzikor strukturoro-formal nuk është superior ndaj një grupimi tjetër muzikor strukturoro-formal.  Rrjedhimisht, të pranosh se muzika tradicionale shumë-zërëshe e Shqipërisë së Jugut është elitare në krahasim me muzikën tradicionale një-zërëshe të Shqipërisë së Veriut, s’është veçse një qëndrim i njëanshëm estetik, një interpretim i gabuar i tipareve të tyre melodiko-modalë, një paragjykim pa asnjë bazë teorike ose praktike.  Mediokritet!  Mediokritet!  Vetëm mediokritet i plotë!

Disonanca e gjashtë:  Pretendime!  Pretendime!  Pretendime!

Qartësisht, disonanca e gjashtë mund të formulohet kështu:  Rendja, interesimi, afrimi ndaj çështjeve, temave, subjekteve jashtë-etnomuzikologjikë (letrarë, etnografikë, historikë, arkeologjikë, etj.), dukuri që, në çdo rast, sjell largimin nga çështjet etnomuzikologjike!  Tole u shfaq si një gjurmues vërtet kurioz përsa u takon një numri çështjesh, temash, subjektesh jashtë-etnomuzikologjikë (letrarë, etnografikë, historikë, arkeologjikë, etj.).  Natyrisht, një veprim i tillë është kryer duke iu përmbajtur parimit se shkenca e etnomuzikologjisë lidhet ngushtë me disiplina, si:  poezia, letërsia, gjuhësia, etnografia, historia, arkeologjia, etj.  Etnomuzikologjia mund të ndriçohet prej të dhënave të këtyre disiplinave, ashtu sikurse edhe ato mund të ndihmohen prej të dhënave të saj.  Sidoqoftë, mendoj se, shqyrtimi i çështjeve jashtë-etnomuzikologjike, brenda librit, s’është bërë në një raport të drejtë me vëzhgimin e çështjeve etnomuzikologjike, ose, që të mund të shprehem në një mënyrë tjetër, është bërë në kurriz të tyre, më shpesh si qëllim më vete.  Kështu, jepen shembuj të pasqyrimit të muzikës tradicionale shumë-zërëshe shqiptare në poezi tradicionale ose në poezi autorësh të ndryshëm, shqiptarë ose ndërkombëtarë;  në vepra të ndryshme letrare;  ndër libra të udhëtarëve ndërkombëtarë të shekullit XIX, etj.  Në këtë qerthull, vlen të vihet në dukje se, aspekte të tillë, ndonëse mund t’a argëtojnë lexuesin, nuk janë aspak të rëndësishëm nga pikëpamja etnomuzikologjike!  Shqyrtimi i çështjeve jashtë-etnomuzikologjike bëhet qëllim më vete sidomos kur shprehen mendime me karakter historik mbi Epirin, mbi Çamërinë, mbi kufijtë jugorë të Shqipërisë, etj.  Unë mendoj se çështjet historike, etnike, gjeografike, etj., vijnë si objekt i veprimtarisë kërkimoro-shkencore të studiuesve të profesionit:  historianëve, etnologëve, gjeografëve, etj.  Në rastin konkret, si objekt kryesor i etnomuzikologjisë, është kultura muzikore e banorëve të lashtë epirotë ose ilirë.  Nëse, për mungesë provash objektive, nuk mund të thuhet asgjë e sigurtë mbi këtë çështje, atëherë s’ka asnjë arsye se përse të mos pranohet një gjendje e tillë.  Në të kundërt, përfundimi do të ishte:  Pretendime!  Pretendime!  Vetëm pretendime pa asnjë bazë shkencore!              

Disonanca e shtatë:  Shpërdorim!  Shpërdorim!  Shpërdorim!

Qartësisht, disonanca e shtatë mund të formulohet në këtë mënyrë:  Dhënia, paraqitja, dokumentimi i emrave të qindra e qindra fshatrave, si në një vend të gabuar, ashtu edhe përmes një metode të gabuar!  Tole u shfaq si studiues i pa-orthodokstë, përsa i takon vendit se ku jepen dhe mënyrës se si jepen qindra e qindra emra fshatrash.  (Tole 1999:69-70, 73-5)  Në një libër me pretendime shkencorë, është plotësisht me vend që, krahas zonave etnografike të krahinës së Labërisë dhe asaj të Toskërisë, të jepen edhe fshatrat përbërës të tyre.  Sidoqoftë, është metodologjikisht e papranueshme që:  i)  qindra e qindra emra fshatrash të jepen në trup të librit;  ii)  qindra e qindra emra fshatrash të jepen njësoj sikur të ishin paragrafë të zakonshëm.  Përkundrazi, në emër të cilësisë, do të duhej që:  i)  për vetë numrin e tyre tepër të madh, emrat e fshatrarve të jepeshin në fund të librit;  ii)  për të njëjtën arsye, emrat e fshatrave të jepeshin alfabetikisht në tabela të veçanta.

Si pjesë të Disonancës së shtatë, më lejoni që të sjell dy raste të një natyre tjetër, por, gjithashtu, mjaft kuptimplotë, përsa u takon standarteve të ulët dhe papërgjegjshmërisë profesionale në përgatitjen e librit:  Citati aq i madh i udhëtarit britanik, John Cam Hobhouse (1786-1869), marrë nga libri i tij me titull Udhëtim përmes Shqipërisë dhe provincave të tjera të Turqisë gjatë viteve 1809-1810, sikurse edhe citati aq i gjerë i studiueses amerikane, Jane C. Sugarman, jepen që të dy në gjuhën angleze, në një kohë që libri është shkruar për lexuesin shqiptar!  Eshtë për t’u habitur se përse citate të tillë s’janë përkthyer në gjuhën shqipe!  (Tole 1999:22-3, 44)  Shpërdorim!  Shpërdorim!  Vetëm shpërdorim i plotë i së drejtës për të shkruar!

Disonanca e tetë:  Formalizëm!  Formalizëm!  Formalizëm!

Qartësisht, disonanca e tetë mund të formulohet kështu:  Dhënia, prurja, sjellja e citimeve bibliografikë që vijnë më shpesh nga burime jashtë-etnomuzikologjikë (letrarë, etnografikë, historikë, arkeologjikë, etj.).  Tole u shfaq si gjurmues i zellshëm i burimeve jashtë-etnomuzikologjikë, të cilët gjoja vlejnë për të shpjeguar së brendshmi dukuri etnomuzikologjike.  Çdo libër, sidomos kur ai vjen me pretendime shkencorë, mund dhe duhet që të shoqërohet me një bibliografi përkatëse.  Se sa e shkurtër apo e gjatë duhet që të jetë bibliografia, një çështje e tillë varet tërësisht prej gjykimit të autorit.  Siç do të shihet, në të vërtetë, përfytyrën tërësore të librit, e përcakton bibliografia e tij.

 Disa mangësi parimore të bibliografisë, ndoshta do të formuloheshin si vijon:  i)  Citimet bibliografikë vijnë kryesisht nga burime jashtë-etnomuzikologjikë (letrarë, etnografikë, historikë, arkeologjikë, etj.):  rrjedhimisht, ata, ose lidhen vetëm tërthorazi, ose s’lidhen fare, me përmbajtjen themelore të librit.  ii)  Herë-herë, referencat bibliografike përdoren si qëllim më vete, thjesht për të treguar erudicion:  kur flitet për çështje të ndryshme, p.sh., sillet një numër tepër i madh referencash, ndonëse, objektivisht, mjaft prej tyre qëndrojnë jashtë përmbajtjes themelore të librit.  iii)  Me një qetësi olimpike, sillen citime bibliografikë jashtë-etnomuzikologjikë të gatshëm, që janë dhënë nga studiues etnomuzikologë të mëparshëm, sidomos kur është fjala për burime arkeologjike.  iv)  Referencat bibliografike që autori u bën aq shpesh punimeve të mëparshëm të tij, vijnë, më tepër, si një dukuri moralisht e shëmtuar!  v)  Përsa i takon paraqitjes së saj, bibliografia është tepër e rrëmujshme:  a)  ajo nuk iu përmbahet kritereve të  mirënjohur ndërkombëtarë të citimit të burimeve;  b)  as në vetvete, bibliografia nuk ndjek kritere të njëjtë, duke shkuar nga njëri kapitull në tjetrin.

Duke u përpjekur që t’a vlerësoj sa më objektivisht bibliografinë e librit, vij, më në fund, tek një çështje parimore aq e rëndësishme:  raporti midis mendimeve të autorit dhe ideve që ngrihen në citime bibliografikë nga autorë të mëparshëm.  Në plan universal, benda çdo artikulli, studimi, monografie, etj., sidomos në rastet që ata pretendojnë të jenë shkencorë, bibliografia përcaktohet nga faktorë, si:  çështjet që trajtohen, temat që shqyrtohen, problemet që ngrihen, etj.  Në rastin konkret, duke krahasuar ndërmjet tyre mendimet e autorit me idetë që ngrihen në referenca bibliografike nga autorë të mëparshëm, të krijohet përshtypja se, në të vërtetë, idetë e autorëve të mëparshëm fitojnë përparësi ndaj mendimeve të autorit në fjalë:  studiuesi s’ka as kontrollin më të vogël mbi çështjet që mund dhe duhet të trajtohen në libër.  Thellë-thellë, përmbajtjen themelore të librit e përcakton, në thelb, bibliografia e tij:  çështjet që dalin në citime bibliografikë bëhen thjesht çështje të librit.  Që të mund të shprehem në një mënyrë tjetër, në këtë rast, mjerisht, s’janë mendimet e autorit ato që përcaktojnë bibliografinë e librit, por është bibliografia e librit ajo që përcakton mendimet e autorit!  Formalizëm!  Formalizëm!  Vetëm formalizëm i plotë!

III. 

Studiuesit etnomuzikologë e muzikologë shqiptarë të çdo brezi vijnë në kuvendin dituror me dëshirë të plotë, me energji dhe entusiazëm të veçantë, me pëkushtim të madh, me synim të qartë për të sjellë ndihmesën e tyre teoriko-shkencore të papërsëritshme.  Sidoqoftë, emri i tyre nuk rritet asnjëherë përmes një rruge teorike e praktike të njëanshme, si:Së pari, duke mohuar në mënyrë profesionalisht e moralisht të papërgjegjshme arritjet e mëparshme etnomuzikologjike!

Së dyti, duke shtrembëruar nocione themelorë etnomuzikologjikë të mirënjohur, si në etnomuzikologjinë shqiptare, ashte edhe atë ndërkombëtare!

Së treti, duke krijuar, në emër të shkencës, nocione etnomuzikologjikë subjektivë, personalë, arbitrarë, që s’pranohen, as nga rrethet shoqërorë në përgjithësi, as nga rrethet shkencoro-artistikë në veçanti!

Së katërti, duke mos respektuar parimin e mirënjohur estetik sipas të cilit artet kanë veçoritë e tyre, por estetikisht janë të barabartë!  Kështu, në rastin tonë, dialektet themelorë të muzikës tradicionale shqiptare, sikurse edhe grupimet muzikorë strukturoro-formalë bazë të saj, megjithse kanë secili tiparet e tyre dalluese melodiko-modalë, estetikisht, mbeten, gjithashtu, të barabartë.

Janë vetëm faktorë, si:  cilësia e librave që shkruhen, metodologjia e tyre, problemet që shtrohen, ndihmesa që jepet në tërësi, etj., ata që përcaktojnë emrin e çdo sudiuesi të një fushe te caktuar diturore, shkencore ose artistike.

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: DISONANCAT DRAMATIKE, Prof. Dr. SPIRO J. SHETUNI, TE NJE KALORESI TE GUXIMSHEM

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT