• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2018

Jeta e krijusve të mëdhenj është me plot therra e me pak lule

May 16, 2018 by dgreca

Nga Nue Oroshi/

Gjelosh Gjokaj 1Gjelosh Gjokaj 2Gjelosh Gjokaj 3

Piktori ynë i madh Gjelosh Gjokaj në moshën dhjetë veçare e la vendlindjen e tij të dashur,Mileshin dhe Malsinë dhe bëri një rrugëtim të gjatë në mes të Prishtinës ku e themeloi Fakultetin e Arteve, Romës ku për pesëmbëdhjetë vjet bëri dhe krijoj një emër në artin Evropian dhe Augsburgut ku edhe ishte në majat e karrierës së tij artistike. Ai i la kulturës shqiptare dhe asaj Evropiane mbi 3000 piktura dhe punë të ndryshme grafike, duke u bërë njëri ndër piktorët më të mëdhenj të botës shqiptare. Gjelosh Gjokaj i takon treshës apo trinisë së shenjët të kulturës shqiptare: Ernest Koliqi,Martin Camaj dhe Gjelosh Gjoka, të cilët lanë gjurmë të thella të kulturës shqiptare në Evropë. Nuk është rastësi që ekspozitën e parë në Romë në vitin 1971 piktorit Gjelosh Gjokaj ia hapi i madhi prof.Ernest Koliqi ndërsa në vitin 1983 ekspozitën në Mynih të Gjermanisë ia hapi shkrimtari ynë i madh Martin Camaj. Gjelosh Gjokaj bashkëpunonte ngushtë me të dytë ku i përgatiste kopertinat e librave të Martin Camaj, si dhe kopertinat e revistës shkencore të Ernest Koliqi “Shejzat”. Arti dhe kultura shqiptare sot është më e varfër se asnjëherë më parë sepse humbi maestron e fundit të treshës së madhe që i dhanë emër në botë kulturës shqiptare.

Familja Gjokaj duhetë të jeni krenarë që në gjirin e saj u lind dhe u rrit një piktor i madh, i cili duke marrë shembull nga xhubletat shqiptare, krijoj një art të veçantë gjithnjë duke u inspiruar edhe në traditën dhe folklorin e madh shqiptar. Madje ai me thjeshtësi pikturonte edhe figurat e mëdha kombtare siç ishin :Dedë Gjon Luli, Kapidan Gjon Marka Gjoni, Mehmet Shpendi, Kapidan Mark Gjon Marku, dhe këto piktura të këtyre atdhetarëve i ekspozoj edhe në Akademin e parë të “Trojeve te Arbrit “që e kemi mbajtur ne Hamburg me 12 e 13 Qershor 2004 ku me plotë dëshirë mori pjesë në këtë sesion shkencor.Gjelosh Gjokaj ishte nje kohë të gjatë edhe krytear i Shoqatës “Lahuta “e cila mblidhte Malsorët e mërguar për t’i ndihmuar vendlindjes në forma të ndryshme.Ai rrjedhte nga një familje e nderuar e baca Kurtit një atdhetari të mirfilltë kombtar.Pas shtetgtimit të gjatë shtatë dekada në mesë Prishtinës, Romës dhe Augsburgut ai vitet e fundit të jetës i kaloj më shumë në fshatin e tij të lindjes ku e ktheu edhe Atelien në Milesh. Gjelosh Gjokaj në Panteonin e Kulturës Shqiptare është i fundit maestro nga treshja e trinisë së shenjët kombtare Koliqi-Camaj-Gjoka.Kjo treshe rrezatojë shkelqyeshem duke e prezentuar kulturën shqiptare si pjesë e pandarë e trungut Evropian.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Gjelosh Gjoka, Jeta e krijueseve te medhenj, Nue Oroshi

“RECETA PA KOMB” E AUTORIT SAIMIR A LOLJA

May 16, 2018 by dgreca

Receta Pa Komb_Mbulesa e perparme“Receta Pa Komb” e autorit Saimir A Lolja u botua në Tiranë në Shkurt 2018 dhe është tani pjesë e Bibliotekës Kombëtare dhe librarive të Tiranës, Rinasit, Elbasanit, Lushnjës, Prishtinës, si dhe tek www.bukinist.al.Brendia e tij në anglisht “The Nation-Free Recipe” u botua Prill 2018 dhe është përhapur në libraritë e Amerikës së Veriut dhe rrjetet www.amazon.com, www.thebookdepository.com, www.barnesandnoble.com, etj.

The Nation-Free Recipe_front cover_April 2018

RECETA PA KOMB

Ky është titulli i librit me brendi të papritur botuar në Shqip dhe Anglisht këtë fillim viti.

Autori: Saimir A. Lolja

Titulli: RECETA PA KOMB

Nëntitulli: Lufta e sllavo-komunistëve për “çlirim”

Shtëpia Botuese: Helga’s Secrets, Tiranë

Kur: Shkurt 2018

Ku gjendet: Biblioteka Kombëtare, libraritë në Tiranë, Prishtinë, Elbasan, etj.

Internet: www.bukinist.al

Autori: Saimir A. Lolja

Titulli: THE NATION-FREE RECIPE

Shtëpia Botuese: Tellwell Talent, Vancouver

Kur: Prill 2018

Ku gjendet: Bookstores in the West

Internet: www.amazon.com, www.bookdepository.com, etc.

Libri RECETA PA KOMB ka përmbajtje ndryshe nga një hartë mendore e zakonshme. Libri e përparon historinë shqiptare duke e ndriçuar atë më mirë. Aty lexohet ajo që nuk ishte menduar më parë. Libri nuk është opinion personal. Libri është si një bibël shqiptare: aty janë të gjitha. Brendia e tij përshkruan njërës dhe përmban analiza ushtarake, psikologji, histori shoqërore, gjuhë, politikë, spiunazh, Holokaust dhe Holodomor, dhe matematikë.

Libri ka në themel shqipërimin dhe prandaj që në fillim bëhet dallimi midis fjalëve jo-shqipe, atyre të albanizuara dhe atyre në shqip. Libri ka mënyrën e të shkruarit ndryshe ku nuk mungojnë themelet e domosdoshme çfarë-kur-ku-kush-pse-si. Libri nevojitet të lexohet dhe kuptohet i tëri, përndryshe një fjali e vetme do dukej si thashethem. Në këtë libër ai që di shumë gjen vetveten dhe ai që di më pak do dijë më shumë. Prandaj të lexosh këtë libër domethënë të mos ngelesh mbrapa.

Libri thur historinë shqiptare që nga fillimi i shekullit XX e deri tani si pjesë e historisë rajonale dhe evropianë. Ajo që ka ndodhur në Shqipëri e përreth ka qenë e porositur. Me këtë brendi shqiptare kuptohet edhe rrjedha e ngjarjeve evropianë dhe botërore. Dhe se çfarë ka ndodhur me trojet shqiptare dhe në to nuk ka qenë dhe nuk është rastësi.

Shteti shqiptar u krijua në fund të Korrikut 1913 për shkak të përplasjeve ndërmjet vendeve të Lidhjes Entente (d.m.th. perandorive britanike, ruse, franceze) dhe vendeve të Boshtit Qëndror në Evropë (d.m.th. perandorive gjermane, austro-hungareze, italiane). Nëse Lidhja Entente do kishte patur autoritet të plotë, atëherë nuk do ishte krijuar shteti shqiptar. Vendimmarrësit nuk llogaritën përpjekjet dhe veprimet shqiptare për pavarësi. Ato as nuk llogaritën që shumicën e popullsisë dhe trojeve shqiptare po i linin jashtë kufijve të shtetit të cunguar shqiptar. Sa për kureshtje, disa pyetje që marrin përgjigje janë:

  • Nëpërmjet kujt ideje u përhap lufta e shenjtë sllave (Svyashchennaya Voyna ose Slavic Jihad)?
  • Pse në hartën e Evropës Juglindore gjatë shekullit XX u krijuan tre Jugosllavitë mutante dhe prej kujt?
  • Pse edhe ai shtet shqiptar i cunguar i njohur në fund të Korrikut 1913 është sulmuar pa ndërprerje edhe tani?
  • Çfarë ishte Lufta I Botërore dhe Lufta II Botërore?
  • Cilët i financuan, stërvitën, furnizuan, mbathën dhe i ndihmuan ushtarakisht forcat sllavo-komuniste në Jugosllavinë Nr. 2, në Shqipëri dhe forcat e krishtera ortodokse në Greqinë veriperëndimore; dhe pse?
  • Masakra e Borovës më 6 Korrik 1943, pse dhe nga ku erdhi urdhëri për të?
  • Pse numri i 28’000 “dëshmorëve”?
  • Incidenti me minat në Kanalin e Korfuzit më 22 Tetor 1946, pse e si?
  • Kur e nga kush u piratuan qindra ton ar nga Shqipëria më 1946?
  • “Diversanët” e futur në Shqipëri 1949-1954, pse ai emër dhe pse u dërguan?
  • Historia politike e mbretit Ahmet Zog, pse ajo?
  • Çfarë ishte Titizmi?
  • Çfarë ishin në të vërtetë të ashtuquajturit pesë spiunët britanikë të Kembrixhit që i shërbyen BRSS?
  • Çfarë ishte e ashtëquajtura Perdja e Hekurt e Luftës së Ftohtë dhe zgjatim i kujt ishte?
  • Pse Shqipëria e krasitur u mbyll në kafaz për 45 vjet dhe vitet pas 1991 kanë qenë ato që kanë qenë?

Përgatiti Saimir Lolja, autori

Filed Under: Histori Tagged With: Receta Pa Komb, RECIPE, Saimir A Lolja, The National-Free

Gjergji i lirisë, i lavdisë dhe i dinjitetit kombëtar

May 16, 2018 by dgreca

1 Skenderbeu Është aq larg nesh – më se gjashtë shekuj nga lindja e tij, sa ta kundrojmë si Hero, me ato më të lartat virtyte njerëzore, por sidomos me ato virtytet aq të fisme, që e kanë shquar gjithnjë popullin tonë; por është edhe aq afër nesh, i kohëve e ditëve tona, sa ta kundrojmë gjithnjë si Hero, me ato më të lartat virtyte njerëzore dhe sidomos me ato më të fismet virtyte të “racës” sonë. Të tillë e ka ruajtur kujtesa popullore, të tillë e ka gdhendur populli në këngët, legjendat e gojëdhanat e veta, në veprat e ndryshme të artit aplikativ dhe të tillë e ka shkruar historia.

anton-cefa

Nga Anton Çefa/

Qe koha kur një pjesë e mirë e trojeve tona ishte pushtuar nga turqit. Populli lëngonte nën thundrën e tyre për lirinë e humbur. I duhej një bir për ta udhëhequr në luftën kundër tyre. I duhej dhe e krijoi. Po, e krijoi në nënvetëdijen e tij para se të lindte: gojëdhëna thotë, siç na e ka dhënë Frang Bardhi, që e ëma, Vojsava, pau në ëndërr një dragua që në njërin krah kishte të vijëzuar një shpatë, me të cilën do të luftonte për të mbrojtur Arbërinë. 1). Një tjetër gojëdhënë shkon edhe më tej: Skënderbeu, kur lindi, e kishte të vijëzuar shpatën në krahun e tij. 2).

Shqipëria vërtet e lindi birin e saj, atë që do ta çlironte dhe do ta mbronte, sepse do ta donte siç don një bir nënën e tij. E krijoi atë prej dheut dhe prej qiellit të saj, prej baltës dhe ajrit të saj, prej kockës dhe frymës së saj; ajo e lindi atë njeriun e madh, Heroin, tek i cili do të shkëlqenin tiparet më dalluese të tharmit tonë etnik. E lindi për të na treguar çfarë jemi dhe për të na paraqitur para botës luftëtarë të lirisë, trima dhe guximtarë, fisnikë dhe dinjitozë.

Njeriu është strukturë e disa botëve: botës lëndore, anatomisë e fiziologjisë, mishit e gjakut; botës njohëse, ku mpleksen aftësitë e tij për ta shpjeguar veten dhe realitetin rrethues, tokën dhe universin, lëndën dhe idenë; botës emocionale, aftësisë për ta ndjerë realitetin së brendshmi, për ta dashur dhe për t’i vlerësuar shfaqjet e tij, për të ndjerë dhimbje dhe kënaqësi, për të shijuar bukuritë dhe për të urrejtur çoroditjet e tij e të tjerëve; dhe botës së vullnetit, përpjekjeve për të vepruar dhe për ta shndërruar realitetin ku gjendet, në përshtatje me qëllimet e idealet e veta, për të krijuar bukuritë dhe për të zhdukur shëmtitë e saj e të vetes.

Nga kjo mpleksje e larmishme vetish lëndore e shpirtërore të njeriut, çfarë ka spikatur më tepër krijimtaria popullor tek Heroi ynë ?

Edhe pse i larguar nga vendi i tij dhe nën trysninë e një mjedisi krejt të huaj, edhe pse nën peshën e një edukate e kulture krejt të ndryshme nga ajo e vendit të tij; ai jo vetëm nuk do ta harrojë, por do ta dojë ashtu siç e do shqiptari vendin e tij. Në kushtet e një emigracioni të detyruar, ku e pati përplasur fati dhe, duke mos pasur as mundësinë ta shfaqë, do ta ruajë thellë në zemrën e tij mallin përvëlues dhe atë ndjenjën më magjike që përjeton njeriu, dashurinë e dhimbshme për atdheun, dhe dëshirën e flaktë për t’i shërbyer atij – çka përbën shtratin ku rritet një prej idealeve më humane të natyrës njerëzore, ideali kombëtar.

Sa ndryshim me ca vezirë e pashallarë shqiptarë që arritën në rangjet më të larta të pushtetit në Perandorinë Turke, të cilët jo vetëm që nuk u kujtuan për vendin e tyre, por përkundrazi erdhën me hekur e zjarr për të shtypur kryengritjet popullore, që shpërthenin herëpashere! Dhe, për çudinë tonë më të madhe, ca shqiptarë “shkencëtarë”, na i lavdërojnë duke i ngritur në qiell dhe ca të tjerë, për turpin tonë, na i ofrojnë si heronj, duke sulmuar Heroin e vërtetë, Kastriotin e Madh. Nuk mund t’i mohohet që qenë të mëdhenj si administratorë dhe u bënë të njohur në botën e atëhershme; por nuk mund të pohohet edhe që kishin zemër shqiptare. Përkundrazi.

Në një këngë të mbledhur në fshatin Kodrali të Deçanit (Kosovë), rapsodi tregon që kur ushtarët shqiptarë që kishte me vete në Nish ia kujtojnë Shqipërinë, ai nuk mund ta fshehë përmallimin.

“Veni jonë-o asht n’Shqipni-e,

shqipja asht-o nana jon-e

mos gabo me u ba i huj-e!

Skënderbeu u përmallue,

Për vendlindje tuj kujtue.” 3).

Shumë udhëtarë të huaj që janë përshkuar nëpër vendin tonë e kanë vërejtur dhe vënë në dukje lidhjen e ngushtë shpirtërore të shqiptarit me vendlindjen, mallin e thekshëm dhe dashurinë e pakufishme për të. Po mjaftohem vetëm me dy shembuj:  “Kurrë s’kam parë dashuri më të madhe për vendlindjen!”, shkruan në fund të viteve ’40 të shek. XIX udhëtari anglez Mac-Ferlane për banorët e një fshati shqiptar në rrethinat e Shkupit, të cilët autoritetet e vendit kërkonin t’i shpërngulnin me forcën e bajonetave.” 4). Dhe Hobhouse, shoqëruesi i Bajronit në vendin tonë, thotë: “Asnjë vend i ri, asnjë pamje e re s’mund t’ua fshijë atyre (shqiptarëve, A. Ç.) kujtimet dhe dashurinë për malet, miqtë dhe për fshatrat e tyre” 5).

Qe koha kur malet tona qeveriseshin me Kanunin e tyre të kohëve më të lashta, Kanun të cilin e vuri në jetë dhe e pasuroi edhe vetë Heroi ynë; qe koha kur populli ynë e kishte formësuar që heret ligjësinë shpirtërore të jetës me atë pasuri morale aq fisnike, aq të dalluar nga popujt e tjerë dhe aq të vlerësuar nga të huajt, atë ligjësi që i kishte themelet tek burrëria, nderi, besa, trimëria, miqësia, dashuria e pakufishme për liri dhe atdhe, dhe gatishmëria për t’u flijuar për të. Është kjo pajë shpirtërore që e karakterizon Heroin tonë dhe e bën atë dëshminë më të gjallë të virtyteve tona etnike, e shquan atë në jetësimin, ruajtjen dhe lartësimin e vlerave morale, që përftojnë personalitetin autentik e origjinal shqiptar.

Në kushtet e luftës, ajo që del më në pah, natyrshëm, është aftësia e tij luftarake. Ai ishte një strateg i madh dhe luftëtar i pashok, me të gjitha cilësitë e një luftëtari, trim i çartur e guximtar.

Gjashtë shekuj më parë, kur lindi, jetoi e luftoi Skënderbeu, populli ynë jetonte ende në një qytetërim me mbeturina të theksuara mitologjike e pagane, prej të cilit do të shkëputej shumë vonë, a edhe nuk do të shkëputej kurrë plotësisht. Qe koha kur vatra shqiptare këndonte këngët e trimave legjendarë, Mujit e Halilit, dhe shokëve e bashkëluftëtarëve të tyre; prandaj rapsodi dhe tregimtari popullor shpesh e kanë trajtuar Heroin me ato veti fizike që janë karakteristike për këngët legjendare. Skënderbeu fluturon me kalin e tij nga një mal në tjetrin, pret katër copash me shpatën e tij shkëmbinj të mëdhenj për të nxjerrë ujë për ushtarët e tij të etur, bën kërdinë mbi armiqtë me shpatën e tij.

“S’ka pasë si Skanderbegju. Ai ka qanë me fletë nan sqetull. Mustaqet i kishte katër pllamë më njan’ anë e katër më tjetrën. Kur luftonte Skanderbegju, iu bajshin sytë xhak, ene qitte duhm prej gojet” – thuhet në një gojëdhënë të mbledhur në fshatin Macukull të rrethit të Matit. 6).

Aftësitë luftarake dhe cilësitë e tjera të personalitetit njerëzor që lidhen me to, ia kanë vënë në dukje popullit tonë të gjithë të huajt, që janë përshkuar nëpër vendin tonë në kohëra të kaluara. Po përmend këtu mjekun e njohur anglez Holland që shkruan: “Shqiptarët gëzojnë famën më të lartë ushtarake në Perandorinë Turke, në More, në Siri dhe në provimca të tjera” 7). “Zotësia ushtarake, thotë një Anonim, i është e lindur kësaj race, ajo i ka ngjitur shqiptarit vulën e ushtarit të përjetshëm”8). Dhe Çabej: “Natyra e ushtarit është një trajtë e përbashkët karakteri, një atribut konstant i këtij kombi” 9).

Gjithsesi, ajo që e dallon Heroin tonë në hullinë luftarake të personalitetit të tij është thjeshtësia – sa është komandant aq është edhe ushtar i thjeshtë; jo vetëm pse lufton si ushtar i thjeshtë, por kryesisht sepse sillet  si ushtar dhe si njeri i thjeshtë.

Edhe pse lavdia e tij pati kapërcyer kufijt e Shqipërisë, ai u shqua gjithnjë për sjelljet e tij modeste, plot thjeshtësi. Ai nuk e njihte mburrjen dhe kotësinë e të dukurit, që i brejnë aq shumë vetëdijet e shqiptarëve të sotëm dhe dëmtojnë veprimtarinë kombëtare.

Tek Skënderbeu bie në sy dashuria e trajtimi vëllazëror ndaj të tjerëve, ushtarëve dhe popullit të thjeshtë. Në një perlë të folklorit arbëresh, këndohet: “Hajin bukë si dy vëllezër/ Skënderbeu e Miloshini”10), duke u shpërfaqur thjeshtësia e këtij strategu të madh në marrëdhënie me luftëtarët të tij, dashuria vëllazërore dhe respekti e konsiderata ndaj tyre.

Bujaria dhe zemërbutësia përbëjnë tipare tjera të vlerta të figurës morale të Skënderbut. Në veprën “Skanderbegu mbas gojdhanash”, botuar në Shkodër në vitin 1926, e para dhe më e plota vepër e kësaj natyre, historiani, Atë Marin Sirdani, që nuk u përmend asnjëherë gjatë 50-viteve të diktaturës, sepse kishte të veshur zhgunin françeskan, si Fishta, Gjeçovi, e të tjerë, na jep disa gojëdhëna që tregojnë shumë raste në të  cilat Skënderbeu ua ka falur jetën dhe i ka lënë të lirë ushtarët armiq të zënë robër ose si ua fali jetën Mojs Golemit dhe Hamza Kastriotit, që e patën tradhtuar. Gjithashtu, ai shkruan: “Kishte formue Skanderbegu nji trupë të zgjedhun ushtrije prej ma se dy mi shqyptarësh, të cilt për dishiplinë, trimni e besniki s’kishin shokë në botë. Shpesh e shpesh u gjindte në mjes të tyne e u kujdeste me dijtë deri punët e nevojët ma të vogla të tyne. Disa herë hante në tryezë më ta, e mbas ndonji ngadhnije (ngadhnjimi, fitorje, A. Ç.) i u falte atij qi kishte diftue ma tepër trimni edhe i ipte me pi me qelqen e vet.”11).

Mënçuria karakteristike shqiptare e shoqëron Heroin tonë në çdo veprim. Në shumë gojëdhëna tregohet se si ai ua punon armiqve dhe del fitimtar, edhe pse rrethanat nuk i kishte në favor.

Urtia e maleve tona, jo vetëm në sjellje, por edhe në qëndrimet e veprimet e peshuara mirë, mbështetur në mënçurinë dhe përvojën e pasur jetësore si dhe në taktin e tij të përmbajtur, e ka karakterizuar gjithnjë. Me këtë cilësi të lartë sa mendore sa morale, ai pati fituar edhe të drejtën për të bërë pleqërime sipas ligjëve të Kanunit, deri në atë shkallë sa që Kanunin e trojeve kastriote, të quajtur “Kanuni i Arbërisë”, tradita popullore e lidhi me emrin e Skënderbeut, sepse ishte pikërisht ai që, në përputhje me kushtet e reja shoqërore, ekonomike e politike, bëri ndryshimet e nevojshme. “Kanuni i Skandërbegut” u mblodh dhe u kodifikua nga Dom Frano Illia dhe u botua në vitin 1993.

Gojëdhëna tregon që Skëndërbeu dhe Leka diskutonin normat kanunore dhe shpesh kishin edhe kontradikta. Në një rast, ata diskutuan çështjen e vlerës së njeriut lidhur me marrjen e gjakut. Skënderbeu i dha të drejtë Lekës, edhe pse kishte tjetër mendim, që “Çmimi i jetës së nierit asht nji, si për të mirin si për të keqin”, sepse “Sejcili mbahet i mirë dhe i thotë vedit: ‘Jam burrë’ e i thonë: ‘A je burrë!”… “Prandej gjaqet i la Leka si nja-nja: del i miri prej të keqit e i keqi prej të mirit. Shpirt për shpirt, se dukën e falë Zoti” 12).

Gojëdhëna të tjera flasin gjithashtu për pleqërime në bazë të kanunit që Skënderbeu bante me Kokë Malçin, një plak i mënçur i Kurbinit, dhe me pleq të tjerë. Heroi ynë këshillohej me të dhe pleq të tjerë të urtë jo vetëm për çështje kanuni, por edhe për çështje lufte.

Besnik i ngulët i zakoneve e traditave, gjithnjë e kudo, në çdo rast dhe për çdo gjë, në çdo sjellje dhe në çdo veprim, ai do t’u përmbahet atyre. Në këngën arbëreshe “Martesa e Skendërbeut”, këndohet: “Mblodh në Krujë Skendërbeu / bujarët dhe peshkopët, / me ta për t’u këshilluar / se në ç’ vend ta merrte nusen”. Bujarët e peshkopët e këshillojnë ta marrë nusen napulitane, të tjerë nga Pulja a Siqelia a vise të tjera, por përgjigjja e tij është:

“E di vetë se ke do të marr

Vashën e dua shqiptare

Nga gjuha dhe zakonet” 13).

Dhe mori Donikën, të bijën e Gjergj Arianitit, një prej personaliteteve kryesore historike të asaj kohe.

*   *   *

Me cilësitë e rralla fizike dhe sidomos me pajën e fisme shpirtërore, me meritat e tij të shkëlqyera në fushën e luftës dhe në veprimtaritë organizative për funksionimin e shtetit, me sjelljet e tij të shkueshme, të dashura e plot takt në marrëdhënie me të tjerët, dhe me shumë cilësi të tjera, Skënderbeu pati fituar në popull dhe ndër ushtarët nderimin, bindjen dhe besimin e të gjithëve dhe, mbi të gjitha, dashurinë e admirimin e mbarë popullit.

Kështu duhet shpjeguar legjendarizimi dhe idealizimi i Heroit nga populli; por nëse trajtimi në krijimtarinë popullore me elemente të legjendës shpjegohet nga fakti se ndërgjegjja artistike e popullit, në kohën kur jetoi Skënderbeu dhe pak më vonë mbas vdekjes së tij, luhatej mes legjendës dhe historisë, pra jemi në fazën e parë të kalimit nga kënga legjendare tek kënga historike; idealizimi buron nga admirimi i përgjithshëm popullor për Heroin.

Referenca: 1.Frang Bardhi: “Skënderbeu”, Tiranë 1957, f. 73

2.Për gojëdhënat dhe këngët historike jemi mbështetur:

-Atë Marin Sirdani: “Ndriçime të historisë, të kulturës dhe të artit shqiptar” “Shpresa”, Prishtinë, 2002.

3-Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë-Instituti i Kulurës Popullore:   “Epika historike 1”, f. 77-78 (fragment}.

4 –  Mac Ferlane, Ch.: “Turkey and its Destiny. The Results of Journeys made in                 1847”,  f. 70.

5-Hobhouse, J. C. “A Journey through Albania and other Provinces of Turkey    …”, f. 70-71.

6-Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, vepër e cituar, f. 127.

7-Holland, H. “Travels in the Ionian Isles, Albania, Thesaly, Macedonia, etc.               during   the years 1812-1813. London, 1815, f. 113.

8-Anonymi descriptio Europae Orientalis në. v. 1308. Cituar smbas Eqrem Çabej: “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes” MCM, Tiranë, f. 27.

9-Eqrem Çabej, vepër e cituar, f. 27.

10- Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, vepër e cituar, f. 89.

11-Atë Marin Sirdani, vepër e cituar, f. 332.

12-   Kanuni i Lekë Dukagjinit, kodifikuar nga Atë Shtjefen Gjeçovi, Gjonlekaj Publishing Company, NY, 1989, f. 169.

13- Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, vepër e cituar, f.97.

Filed Under: Featured Tagged With: Anton Cefa, Gjergji i lirisë, i dinjitetit kombëtar, i lavdisë dhe

Ndërroi jetë në Nju Jork Nikoll Gjomarkaj

May 16, 2018 by dgreca

Lajm mortor- Ndërroi jetë në Nju Jork Nikoll Gjonmarkaj/

1 Gjomarkaj

Familja Gjomarkaj në New York, lajmërojnë komunitetin shqiptar, se sot me datën 15 Maj 2018, ndërroi jetë, në moshën 91-vjeçare Nikoll Gjonmarkaj (1927-2018), i rrethuar nga familja në shtëpinë e tij.

Homazhi do të jetë në Fox Funeral ditën e Ejte dhe të Premten, me 17 dhe 18 Maj 2018, nga ora 2 deri 5 mbasdite  dhe nga ora 7 deri ne 9 mbasdite.http://foxfuneralhome.com/

Ditën e Shtune do të mbahet mesha në Kishën Our Lady Queens of Martyrs Forest Hills, në orën 9:30AM. Trupi i të ndjerit do të varroset ditën e Shtune në varrezat Mount St. Mary Cemetery Flushing, Queen County, New York 72-00 Booth Memorial Avenue, Flushing N.Y. 11365

9807 Ascan Ave
Forest Hills, NY 11375

Forest Hills

Phone number (718) 268-7711

Filed Under: Emigracion Tagged With: nderroi jete, Nikoll Gjonmarkaj

JERUZALEMI DHE KONFLIKTI IZRAELITO- PALESTINEZ

May 16, 2018 by dgreca

1 rudina-hajdari1 ambasadeA group of Israelis hold U.S. and Israeli flags ahead of the annual Jerusalem Day parade outside Jerusalem's Old City's Damascus Gate, May 13, 2018. REUTERS/Baz Ratner - RC1171B1C1701 a netanjahuUS-Embassy-officially-opened-in-Jerusalem0007D0N6WXY04KL9-C123-F4

NGA RUDINA HAJDARI/Deputete e PD në Kuvendin e Shqipërisë/

Jerusalemi, ky qytet i lashtë i njerëzimit, qëndron edhe sot në zemër të konfliktit izraelito-palestinez. Ndër vite kemi qenë dëshmitarë se si një ndryshim i vogël në këtë pjesë të botës është pasuar me trazira. E vërteta është se ajo që ndodh në Jerusalem është me një rëndësi të veçantë sepse ndikon jo vetëm në paqen dhe stabilitetin e rajonit, por implikon shumë shtete dhe organizata ndërkombëtare. Përveç faktit se është një vend i shenjtë për disa fe të ndryshme, çfarë ndodh në Jerusalem është me një rëndësi të madhe edhe në arenën politike. Natyrisht, lind pyetja se pse Jerusalemi luan një rol kaq të rëndësishëm për të gjithë jo vetëm për dy palët e konfliktit, por edhe për aktorët e rëndësishëm politikë si Amerika, Rusia apo vendet Arabe? E para, siç e përmenda më parë, Jerusalemi konsiderohet si një vend i shenjtë për tri komunitete fetare. Në qytetin e vjetër të Jerusalemit ndodhen disa nga vendet më të shenjta për hebrenjtë ,myslimanët , kristianët dhe të gjitha këto komunitete fetare e kanë shpirtërisht të lidhur identitetin e tyre me këtë qytet të lashtë. Duke pasur këtë rëndësi të madhe në ndjenjën e ekzistencialitetit për secilën fe dhe reagimin njerëzor që ajo ndez në momentin që kjo e drejtë cenohet, Jerusalemi luan po ashtu dhe një rol të rëndësishëm në prizmin politik dhe tërheq drejt saj të gjithë aktorët më të rëndësishëm të arenës ndërkombëtare, që përpiqen të mbajnë balancat midis palëve për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme për paqe. Problemi kryesor ekziston në faktin se shumica e hebrenjve në Izrael e shohin Jerusalemin si kryeqytetin e tyre ‘të përjetshëm dhe të pandarë’.

Zionistët apo hebrenjtë lëvizën fillimisht në pjesën e protektoratit të perëndim të qytetit të Jerusalemit. Në 1967 shteti i Izraelit tentoi të marrë të gjithë qytetin e Jerusalemit dhe ta pushtojë atë tërësisht. Kjo solli një konflikt të hapur midis Izraelit dhe vendeve arabe, që nuk e pranuan këtë lëvizje. Gjithashtu, edhe komuniteti ndërkombëtar nuk e pranoi pushtimin e qytetit të Jerusalemit si të ligjshëm, sepse në lindje të Jerusalemit 1/3 e popullsisë janë palestinezë që kanë jetuar në atë pjesë të qytetit me mijëra vjet dhe e konsideronin pjesën lindore si pjesë të territorit të palestinezëve, sipas ndarjes territoriale që ishte bërë në vitin 1948, kur u krijua Izraeli si shtet. Aneksimi i qytetit të vjetër nuk u njoh si një lëvizje e ligjshme nga ndërkombëtarët dhe nëpërmjet rezolutave të ndryshme u ra dakord që shteti izraelit duhet të qëndronte brenda kufijve të territorit të përcaktuar para luftës së vitit 1967. Por kjo nuk u pranua nga udhëheqësit e qeverisë së Izraelit dhe ata shpeshherë shpërfillin rezolutat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe shprehin frustrimin e tyre tek aleatët e tyre ndërkombëtarë. Natyrisht që, palestinezët e shohin realitetin e tyre ndryshe dhe ata pretendojnë se duhet të formojnë shtetin e tyre dhe pjesa lindore e qytetit të Jerusalemit të jetë pjesë e territorit të tyre dhe të njihet si kryeqyteti tyre. Kjo është po ashtu dhe zgjidhja e shumë folur kur flitet për arritjen e paqes, nëpërmjet zgjidhjes së dy shteteve të pavarura. Kjo është formula ndërkombëtare e paqes për shumë shtete, pra, formimi i një shteti të pavarur palestinez, që do të krijohet përgjatë kufijve që ekzistonin para vitit 1967 midis Izraelit dhe palestinezëve, gjë që duket e vështirë për t’u arritur. Shteti i Izraelit nuk është dakord me këtë zgjidhje dhe shpesh ndërton vendbanimet përtej këtyre kufijve ose në pjesën lindore të qytetit të Jerusalemit. Këto vendbanime tashmë njihen si ndërtesa të paligjshme nga e drejta ndërkombëtare. Ishte vetë iniciativa e Presidentit Trump, si aleati kryesor i Izraelit, i cili shprehu publikisht se ai do të mbështesë qeverinë e Izraelit në vendimin për të shpallur Jerusalemin si kryeqytet dhe si rrjedhojë, Presidenti në mënyrë simbolike vendosi të lëvizë ambasadën amerikane në pjesën perëndimore të Jerusalemit, pikërisht në 70- vjetorin e shtetformimit të Izraelit. Gjatë deklaratës së tij për shtyp, Presidenti Trump tha se është krenar për hapjen e ambasadës së Shteteve të Bashkuara për Izraelin në Jerusalem dhe se kjo ngjarje e rëndësishme përmbushte një premtim të bërë nga Presidenti Trump, por edhe nga presidentë të tjerë të mëparshëm që nuk e kishin bërë. Ai tha se shtatëdhjetë vjet më parë, Shtetet e Bashkuara, nën Presidentin Truman, e njohën shtetin e Izraelit dhe që atëherë, shteti i Izraelit ka shpallur kryeqytetin e tij në Jerusalem – sepse është kryeqyteti ku populli hebre është vendosur dhe ka jetuar në kohët e lashta. Prandaj, sipas tij, është e përshtatshme për Shtetet e Bashkuara të njohin Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit. Por në deklaratën e tij, Presidenti Trump nuk cilëson nëse ai flet për të gjithë qytetin e Jerusalemit apo e ka fjalën vetëm për pjesën lindore.

Pse ka rëndësi Jerusalemi në konfliktin izraelito-palestinez?

Quajnë Jerusalemin e tyre si kryeqytetin e tyre të përhershëm dhe të pandarë. Gjithashtu, Presidenti Trump thekson se administrata e tij mbetet e përkushtuar për të çuar përpara një paqe të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse midis Izraelit dhe palestinezëve, por nuk thotë se si ky vendim favorizon zgjidhjen e dy shteteve. Gjuha e tij në deklaratën e fundit shpreh se Trump është i vendosur për këtë vendim dhe se “Ka ardhur koha që Amerika të njohë zyrtarisht Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit”. Por Trump nuk qartëson nëse ai flet për Jerusalemin në tërësi siç pretendojnë hebrenjtë për kryeqytetin e tyre “të përjetshëm dhe të pandarë”. Ndërkohë, para disa muajsh, kur Rusia e njohu Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit, ata thanë Jerusalemin Perëndimor dhe jo Jerusalemin në tërësi. Ngjarja e sotme me ndryshimin e vendndodhjes së ambasadës amerikane në Jerusalem dhe ambiguiteti i deklaratave të zotit Trump ka dhënë shenjat e para të frustrimit të myslimanëve në atë zonë. Të paktën 52 palestinezë janë vrarë sot nga forcat izraelite dhe pothuajse 1,960 të tjerë u plagosën, pasi mijëra protestues u bashkuan në gardhin e telave midis Rripit të Gazës dhe Izraelit në shenjë proteste për lëvizjen e Amerikës për hapjen e ambasadës së re në Jerusalem. Presidenti Trump ka të drejtë kur thotë se shumë presidentë në Shtetet e Bashkuara kanë dhënë shumë premtime për të arritur në një zgjidhje të këtij konflikti, por asnjëri nuk ka arritur t’ia dalë. Pra, është e vërtetë se konflikti është zvarritur pafund dhe është e nevojshme për një zgjidhje të re, një strategji të re që mbështesin të dyja palët e konfliktit. Por deri tani nuk është e qartë se si zgjidhja e Presidenti Trump do të çojë në një zgjidhje përfundimtare, pa shkaktuar një luftë tjetër.

Filed Under: Analiza Tagged With: Izrael-Palestine, Konflikti, m Jeruzalemi, Rudina Hajdari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT