• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2018

Eksodi i heshtur i shqiptarëve nga Lugina e Preshevës

August 11, 2018 by dgreca

Përtej deklaratave për një korrigjim të mundshëm të kufijeve që do ta bënte Luginën e Preshevës pjesë të Kosovës, mungesa e punësimit dhe mosnjohja e arsimit në shqip në Serbi po i shtyn shumë të rinj nga Bujanoci, Medvedgja dhe Presheva ta kërkojnë të ardhmen tyre në perëndim.

1 LUGINASi askund tjetër ku jetojnë shqiptarë, një orë letrare në Bujanoc vazhdon të jetë një manifest dashurie për atdheun. Të rinjtë recitojnë poezitë e Rilindasve e burrat mbajnë radhë për të folur mbi lavdinë e popullit shqiptar ndër shekuj.

Pasi ora letrare përfundon, gjindja i kthehet realitetit. Rrugë të pashtruara dhe pa drita, papunësi në nivelin e 60 për qind, arsimim i cunguar dhe mbi të gjitha një rini që tashmë të ardhmen e saj e sheh larg vendlindjes në perëndim.

Deklaratat e fundit të Presidentit Kosovar Hashim Thaçi, për një korrektim të mundshëm kufijsh midis Serbisë dhe Kosovës, i kanë kthyer komunat me popullsi shqiptare në Serbinë jugore në qendër të debatit politik.

Por në Bujanoc vendasit ankohen se kjo vëmendje ka munguar nga Tirana dhe Prishtina për sa i përket zgjidhjes së problemeve të mprehta që përballet Lugina e Preshevës – përfshirë mungesën e teksteve shkollore në shqip dhe njohjen e diplomave të universiteteve shqiptare dhe atyre të Kosovës në Serbi.

Liderët shqiptarë të Luginës shprehen se premtimet e panumërta të Tiranës zyrtare për hartimin e teksteve shkollore për Luginën nuk janë materializuar, ndërkohë që vëzhguesit e rajonit nënvizojnë se çështja e teksteve arsimore për komunat me popullatë shqiptare në Serbi është keqpërdorur nga Tirana dhe Beogradi.

Eksodi i të rinjëve nga Lugina

Komuna e Bujanocit,me 43,302 banorë dhe shtrirë në një sipërfaqe prej 1249 kilometrash katrorë e që ndjek rrjedhat e lumit Vardar dhe Moravë, është qendra e Luginës së Preshevës.

Ky rajon është gjithashtu qendra e komunitetit  shqiptar në Serbi, ku popullsi etnike shqiptare luhatet nga 54.6% në Bujanoc, në  89% në Preshevë dhe 26% në Medvegjë, të cilat në total kanë një popullsi të regjistruar prej 111 000 banorësh.

Megjithatë, sipas zyrtarëve vendorë gjatë viteve të fundit vetëm nga Bujanoci janë shpërngulur drejt perëndimit gati 20 mijë banorë, pjesa dërrmuese e tyre të rinj. Dëshira për tu larguar nga Lugina, ndikohet edhe nga mungesa e aksesit në arsim të lartë në Serbi.

Laura Halili ka përfunduar vitin e tretë të gjimnazit “Sezai Surroi” në Bujanoc. Ajo dëshiron të studiojë për financë por në universitetet serbe e ka të pamundur.

“Do të aplikoj në Shqipëri, jo vetëm se shkolla është shqip por është ëndrra ime të studioj në shtetin mëmë,” tha ajo.

17-vjeçarja është e paqartë për të ardhmen e saj, por nuk përjashton mundësinë se mund të largohet nga vendlindja në kërkim të një të ardhme të mirë.

“Të gjithë dëshirojnë të ikin jashtë e unë nuk mund të qëndroj këtu. Pse mos me e shfrytëzoj këtë mundësi që të jepet,” shprehet ajo.

Të pashpresë në Bujanoc janë edhe ata që kanë një diplomë në xhep.

Zhaneta Avdiu ka mbaruar shkollën e mesme për infermieri, ndërsa  arsimin e lartë në Prishtinë e ka ndjekur  për Gjuhë dhe Letërsi Angleze. Prej dy vitesh është kthyer në luginë dhe është pa punë.

Zhaneta tregon  se ka bërë një aplikim në Gjermani, duke shfrytëzuar njohuritë e shkollës së mesme për infermierinë.

“Këtu nuk ke asnjë mundësi pune. Të gjithë  duan të ikin në Gjermani, sidomos ato që kanë studiuar  në infermierie dhe mjeksi. Unë do të aplikoj dhe do iki atje,” reagon vajza e re.

Nëse nuk do të kishte një punë Zhaneta shprehet se nuk do të ikte nga Bujanoci, por ajo thotë se fatet e tyre i vendos politika.

“Problem kam vetëm të kem një punë. Gjithçka këtu është e lidhur me politikën, nëse ke të njohur të fusin në punë nëse nuk ke këtu mbetesh rrugëve,” shpjegoi ajo..

Drejtori i shkollës së mesme në Bujanoc, Zejni Fejzullahu tha se largimi masiv i njerëzve po sjell vdekjen e qytetit.

“Qytetarët e Bujanocit po largohen edhe pse është një vend i shkëlqyer ku kalon korridori i 10-të. Mirëpo fatkeqësisht për momentin nuk ka një perspektivë,” tha ai.

“Shumica sapo përfundojnë gjimnazin ikin në emigrim, e kjo po i sjell vdekjen qytetit”- të thotë drejtori i shkollës,” shtoi Fejzullahu.

Ndryshe, kreu i Komunës së Bujanocit Shaip Kamberi, largimin e të rinjve në emigrim e shpjegon me politikën e mbrapshtë ekonomike të qeverisë serbe.

“Nuk dihet se çfarë do të bëhet me Luginë e Preshevës, ka mbetur pezull. Kemi disa kapacitete  që mund të ngjallin zhvillimin e vendit si banjat e Nujanocit,  prodhimin e lëngjeve minerale, fabrikën e përpunimit të duhanit,  por që janë  shtetërore e nuk i privatizojnë,” tha Kamberi.

“Kapacitetet ekonomike të zonës janë në duart të qeverisë, e jo të komunës dhe pse angazhimi ynë është se të ruanim të rinjtë, ata të rrinin në vend,” shtoi ai.

Sipas Kamberit një tjetër shtysë për emigrimin e të rinjve mbetet ngërçi për njohjen e diplomave universitare shqiptare në Serbi.

“Çështjen e pazgjidhur të diplomës nuk e zgjidh komuna, por kjo është çështje ndërshtetërore,” shfajësohet Kamberi.

Çështjet ndërshtetërore

Përgjatë 11 viteve të shkollimit të saj, Laura Halili ka mësuar se mbretëresha e Ilirëve ishte Teuta dhe se pavarësinë Shqipëria e fitoi në vitin 1912, por nuk është thelluar për sa i përket historisë, kulturës, muzikës apo dhe etnografisë së shqiptarëve në Ballkan, për arsye se lënda e historisë shqiptare nuk ekziston në kurrikulat e shkollës në Bujanoc.

“Kur në programin shkollor kishim përsëritje, profesori na fliste historinë e shqiptarëve,” kujton Laura.

Sipas drejtorit të shkollës së mesme Zejni Fejzullahu ligjërisht Luginës së Preshevës i njihet e drejta që në programin arsimor të këtë 30 për qind të kurrikulave për historinë, kulturë figurative, kulturën muzikore,  natyrën dhe shoqërinë etnike.

Sistemi arsimor në Luginën e Preshevës, një rajon i përbërë nga komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës është në gjuhën shqipe, por ajo që nxënësit mësojnë mbi prejardhjen e tyre etnike nuk zë as dy për qind të kurrikulave arsimore.

“Na duhet një ndihmë për t’i shkruar këto tekste mirëpo fatkeqësisht deri më sot kjo ndihmë nuk ka ardhur, as nga Kosova e as nga Shqipëria,” tha Fejzullahu.

Në cilësinë e ish kryetarit të Këshillit Nacional për Pakicat në Serbi, Fejzullahu thotë se kërkesat për hartimin e teksteve shkollore i janë dërguar qeverisë shqiptare që në vitin 2013.

“Kemi kërkuar ndihmë, me shkresa zyrtare, me emaile, përmes takimeve që kemi pasur si Këshill Nacional. Përgjigja është që do të na ndihmojnë, mirëpo që nga viti 2013 e deri më sot nuk kemi asnjë zgjidhje. Në vazhdimësi kemi vetëm premtime por ndoshta një ditë do të realizohet,” shpjegoi Fejzullahu.

Sistemi juridik i Serbisë pranon mundësinë për importin e teksteve mësimore në gjuhën e pakicave, por nga viti 2007 në Luginën e Preshevës është ndaluar përdorimi i teksteve nga Kosova, thuhet në një raport  të implementimit të marrëveshjeve ndërqeveritare për Luginën e Preshevës.

Kryeministri Rama edhe gjatë vizitës së tij në këtë rajon në tetor të vitit 2016 – ku ai shpalli një kapitull të ri në marrëdhëniet me shqiptarët në Luginën e Preshevës, premtoi zgjidhjen e çështjes së teksteve.

Megjithatë, pas interesimit të BIRN ministria së Arsimit, Sportit dhe Rinisë tha se nuk ka një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj serbe sa i përket çështjes së teksteve shqipe.

“Një marrëveshje e tillë, që adreson në mënyrë më të plotë nevojat për arsimin në gjuhën shqipe në Serbi, do të diskutohet nga grupe teknike të themeluara në ministritë përkatëse të arsimit në Shqipëri dhe Serbi,” tha ministria në një përgjigje me shkrim.“Rrjedhimisht edhe tekstet shkollore do të prodhohen pas konkludimit të marrëveshjes mes dy vendeve,” shtoi ajo.

Për gazetarin Ben Andoni, analist i çështjeve rajonale në shtypin e shkruar, problemi me arsimin në Luginën e Preshevës vjen nga statusi “i papërcaktuar” i këtij rajoni.

“Lugina ‘de jure’ është pjesë e Serbisë dhe minoriteti [shqiptar] mes vetes njeh si vend amë Kosovën. Ndërkohë, Kosova nuk njihet nga Serbia dhe të themi se ajo ia delegon këtë lidhje Tiranës zyrtare. Ndaj, për çdo gjë që flitet për të drejtat e Luginës jashtë Serbisë, lidhet me Tiranën,” tha ai.

“Kjo bën që në çdo takim të nivelit të lartë shqiptaro-serb të dekadës së fundit, Presheva dhe Bujanoci janë përdorur qoftë nga zyrtarët më të lartë respektivë si z.Rama edhe zoti Vuçiç, por edhe nga zyrtarët më të vegjël, që bëjnë vizita kortezie,” shtoi Andoni.

Andoni thotë se nuk ka një vullnet mes qeverive, asaj të Tiranës dhe të Beogradit për çështjen e teksteve shqipe ndaj  zgjidhja ende duket e largët.

“Mënyra sesi nuk i jepet drejtim ngërçit me Serbinë dhe mungesa e vullnetit të përbashkët të qeverive në Tiranë dhe Beograd, shtuar me konfuzionin e përhershëm të faktorit shqiptar të Luginës, tregojnë se problemi i teksteve do të mbartet dhe në të ardhmen,” përfundoi ai. /Reporter.al/

Filed Under: Politike Tagged With: eksodi, Lugina e Presheves

EDHE KRIMINELI VJERSHËTAR

August 11, 2018 by dgreca

SHQIPËRIA TUMLLAS ME BEJTEXHI – EDHE KRIMINELI VJERSHËTAR /

“Jam njeri i Shqipërisë. Jam poet i dashurisë.”/

 

2 KRIMINELI BEJTEXHI

Nga KOLEC TRABOINI /

Kalova tek faqja elektronike e kriminelit 24 vjeçar Ritvan Zykaj që me 10 gusht vrau 8 vetë të fisit të vet pa pasur as mëshirë për dy fëmijë të vegjël. Ngjarja ndodhi në fshatin Resulaj të Selenicës së Vlorës dhe shokoi gjithë Shqipërinë, siç thonë mediat, por edhe shumë për tu shokuar nuk jemi, se vrasje makabre po ndodhin përditë.   Kishte tre profile të ndryshme e në njërën prej tyre shënonte se ishte një punonjës i FBI (Federal Bureau of Investigation)  dhe në tjetrën se kish mbaruar Universitetin George Washington. Kishte dhe një tjetër anonim, me punësim gjoja në Greqi, kishte në profil edhe foto me maskë nga ato që përdorin grabitësit e bankave. Këto lloj veprimesh janë të zakonshme për shumë të rinj parazitë  që e përdorin facebook-un për trille, për mashtrime, për shantazhe. Faqja e tij kryesore në të vërtetë u mbyll punë orësh pas ngjarjes makabre. Dikush, mbase investiguesit,  u interesuan ta mbyllnin. Megjithatë arritëm të fotokopjojmë  disa pamje. Në faqen e tij vihej re se ky na ishte edhe një vjershëtar me pompë, të cilit i bënin lajka plot djem e vajza, madje edhe me shenjën zemër. Kaq pëlqime që për të ardhur keq nuk i shkojnë as poetëve të mëdhenj botërore ta zëmë Robert Frost-it. Sepse shqipot e vjershave bajate nuk e kuptojnë Frostin apo Ezra Pound e Cesare Valejo, por mirëkuptohen me bejtet e njëri-tjetrit. Ka mijëra të tillë  bejtexhinj  si puna e këtij Vani Zykaj që e quajnë veten poetë, edhe ky krimineli ishte një prej tyre sepse kishte edhe plot suksese në mes të bejtexhinjve që e kanë mbushur facebookun. Ishte dhe frekuentues i faqeve me grupime injorantësh si “Poezia më e bukur” dhe disa faqe e grupe të tjera ordinere e të çoroditura. Arritëm të marrim dy bejte prej tij ku e ndjente veten levend si shumë marrokë të tjerë grafomanë, veç ky kishte edhe shpirtin e kriminelit. Kishte edhe një foto me maskë që policia po të ishte e vëmendshme, vetëm për këtë duhet ta kishte investiguar. Ja dhe përcjelljet e tij të cilat po i lemë pa redaktuar siç i kishte në faqen që më pas u zhduk nga pamja në internet: Me mungon moj budalaqe. Me mungojne ato faqe. Me mungojne syte e tu. Me mungojne fjalet e tua. Buza jote porsi ftua. Me mungojne me te vertete. Pa te goc nuk dua jet… E më tej Jam njeri i shqiperise. Jam poet i dashurise. Jam simbol i trimerise. Jam 1 ngrenes i qershisë. Ma do zemra edhe veshka. Me pelqen edhe pjeshka… Kam përshtypjen se pjesa më e madhe e vjershëtarëve tanë ja kishin zili nivelit të këtij myteberri, prandaj duhet parë me kujdes se mos këta mijëra bejtexhinj tanë të internetit, të ashtuquajtur poetë e poetesha, se mos na shkallojnë e u bëjnë gjëmën njerëzve si ky kriminel i vetëquajtur poet, se poezisë ja kanë bërë gjëmën me vakt e me kohë. 10 gusht 2018

Make Google view image button visible again: https://goo.gl/DYGbub

Filed Under: Komente Tagged With: EDHE KRIMINELI VJERSHËTAR, Kolec Traboini

Thesari turistik mes madhështisë natyrore dhe freskisë së alpeve

August 11, 2018 by dgreca

2 zogaj-5

Fshati Zogaj, thesari turistik mes madhështisë natyrore dhe freskisë së alpeve/

Nga Adela Alla/* Shqipëria është një thesar turistik e cila ka shumë për të zbuluar. Vendet turistike për tu eksploruar nga turistët vendas dhe të huaj janë të shumta nga deti tek mali,nga lumi tek liqenet dhe natyrat e qeta deri tek ato të egrat dhe të paprekura.1 zogaj-2Veriu i vendit tonë ka vende në të cilat pushuesit mund t’i largohen vapës mbytëse të gushtit, ku një ndër to është dhe një thesar i vogël që ndoshta shumica e vizitorëve se kanë eksploruar ai është fshati Zogaj.3 zogaj-10Ndodhet vetëm 7 kilometra larg qendrës së Shkodrës në këmbët e Taraboshit dhe në liqenin e Shkodrës.

Një fshat që prej shekujsh njihet për peshkimin, bimët medicinal, natyrën e virgjër dhe veçanërisht për klimën alpine që ka.

Nuk ka pluhur makinash, nuk ka zhurma dhe nuk ka ndërtime që e kanë shkatërruar faunën dhe florën e zonës. Studiuesit mendojnë që në atë zonë kalon një rrymë ajrore e alpeve .Prej kohësh këtë fshat, e kanë vizituar familje të cilat fëmijët e tyre kishin problem shëndetësore dhe pas pak kohësh përmirësimet kane qenë të dukshme, kjo për arsye të klimës që ka, malit me sherbelën e zonës dhe shumë bimë medicinale që përhapen në ajër.

Në këtë fshat mund të gjeni tavën e famshme të krapit, gatimin tradicional të këtij peshku të cilët banorët e ruajnë me fanatizëm. Kjo zonë të jep shumë mundësi për argëtim sepse ka ujëra të pastra dhe një natyrë të paprekur.

Plazhet e zonës janë publike, moli shërben për trampolin, varkat të cilat mund të merren me një shumë simbolike për të lundruar dhe shtëpitë e vjetra që mund të shërbejnë si bujtina, janë aktraksionet dhe mundësitë ideale për të bërë pushime të lira dhe të mrekullueshme.

Në këtë zonë mund të bëhen udhëtime me biçikleta dhe eksplorime në shtigjet e malit të Taraboshit që shkojnë afër fshatit Skje në Malin e Zi.Të rinjtë e EKO Mendje po i bëjnë një promovim të mrekullueshëm disa prej atraksioneve më të bukura të vendit tonë.(Sipas ATSH)

Filed Under: Featured Tagged With: Adela Alla, Alpe, thesauri turistik, Zogaj

TRAGJEDIA E SELENICES-ARRESTOHET VRASESI I TETEFISHTE

August 11, 2018 by dgreca

Më në fund është arrestuar shkaktari i tragjedisë se tetefishte në Resulaj të Vlorës, ku një i ri ekzekutoi me breshëri automatiku kushërinjtë e tij. Ngjarja makabre ndodhi pasditen e se premtes, 10 gusht 2018.

1 Vrasesi

Nga sherri për pulat e detit tek vrasja e 8-fishtë, zbardhet krimi në Selenicë/

Detaje të reja dalin në dritë nga krimi i 8-fishtë në Resulaj të Vlorës, ku një i ri ekzekutoi me breshëri automatiku kushërinjtë e tij. Ngjarja makabre ndodhi pasditen e se premtes, 10 gusht 2018…

Gjithçka kishte nisur disa vite më parë kur familja Zykaj kishte akuzuar autorin e krimit, se i kishte vjedhur 4 pula deti.

Pas shumë debateve përgjatë kësaj kohe, siç duket 24-vjeçari nuk e ka përtypur dot këtë akuzë, ndërsa vendosi që të hakmerrej në mënyrën më monstruoze, duke shuar dy familje. ‘BW’ shkruan se debati më i fundit mes autorit dhe familjes Zyka kishte ndodhur vetëm para pak ditësh për bagëtitë. Ndërkohë, ditën e sotme i riu bashkë me familjen e tij, (jetonte me prindërit, motrën dhe vëllain) kishin qenë në një drekë familjare tek një kushëriri i tij, pasi ky i fundit ishte kthyer nga emigrimit. Teksa dyshohet se ka qenë në efektin e alkoolit, i riu është ngritur më herët se familja e tij nga dreka, ndërsa është drejtuar për në shtëpi. Bazuar tek të dhënat e grupit hetimor, por edhe të banorëve të zonës,
I riu pasi ka rrëmbyer kallashnikovin, ka hyrë në banesën e Demir Zykajt, vëllait të gjyshit të tij (familja me të cilën kishte konflikte) dhe ka hapur zjarr, duke e lënë të vdekur.

Fill pas tij ka vrarë edhe gruan e tij, bashkë me djalin dhe nusen e tij. Por Ridvani nuk është ndalur me kaq. Pasi ka dalë nga banesa e parë, i është drejtuar tjetrës ngjitur, ndërsa ka qëlluar ndaj djalit të Demirit, gruas së tij dhe dy fëmijëve të mitur, 17 dhe 9 vjeç. Fill pas krimit të rëndë, që la pas 8 të vdekur, autori është larguar bashkë me armën. Sapo u sinjalizua për ngjarjen, forca të shumta të Policisë, Renea, Delta Forcë, Fnsh, dhe forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë janë vënë në ndjekje të tij. Ndërkohë ai nuk dihet se ku është fshehur, ndërsa nuk përjashtohet fakti se mund edhe të dalë drejt autostradës Levan-Tepelene.

VIKTIMAT
1-Demir Zyka, 75 vjec (Vellai i gjyshit të autorit)

2- Ferie Zyka, 72 vjece, (Gruaja e Demirit)

3-Besim Zyka, 42 vjeç (Djali i demirit)

4-Vasilika Zyka, (Gruaja e Besimit)

5-Sara Zyka, 17 vjeçe (Vajza e Besimit)

6-Ledjon Zyka 9 vjec (Djali i Besimit)

7-Azem Zyka (Djali i Demirit)

8-Afërdita Zyka (Gruaja e Azemit)

Filed Under: Kronike Tagged With: krasja e tetefishte, Selenice, tragjedia, Vlore

SONETE NGA URAN KOSTRECI

August 11, 2018 by dgreca

NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT/

1 Uran Kostreci1

MONOLOGU I SOKRATIT PARA VDEKJES/

-Pi helmin ! – më tha gjyqi në Athinë;/
Nuk pritën sa të vdisja e po më vdesin ;/
Te verbër qenë, u hapa sytë e s’dinë/
Se me të ikur un’ prap qorra mbesin./

Zbath unë u enda e mantel pata thesin;/
Të rinjtë i nxita t’marrin diturinë/
E të përftojnë ide. Tash :–Vdis!– thërresnin/
Se gjoja … mohoj zota e prish rininë,/

Virtyt , un predikova , më cdo rast ;
Thash , ligji i keq më mir’ se anarshia;
Për cmir , tani , më bëjn’ kurban me kast ,

Vec po t’ja mbath , mohoj bindjet e mia,
Ndaj më mirë un’ pi helmin këtë çast 
Dhe shpëton nderi e filozofia .

***

OFELIA

E hijshme, e dlirë e me një princ e vluar ,
Papritur iu shëmb ëndrra , e mbuloi zia…
Iu vra pa çelur gonxhe dashuria ,
E çarti jeta e vrazhdë e fati i truar .

Në shpirt kaos , gjith lule zbukuruar 
E vdekjen pa përfillur si fëmija , 
Me këngë u mbyt në lumë Ofelia :
Si mjellma n’ujë , vdiq duke kënduar !…

Me lulet për qefin e lumin varr,
N’reflekse uji , imazhi i saj mbeti 
Si një zambak i bardh , si nimfë deti…

Ndaj po pe buzë lumi uj ‘ llagar
Zambak fillkat kokë-ul si duke qarë,
Është Ofelia që desh princ Hamleti.

***

JAGUA

Me sy kallkan qesh Jago e kqyr tërthori…
Mynxyra ysht e kobe ndjell si shtrigë,
Sa herë sajon kurth , ndjen afsh gjaksori,
Drithron nga nepsi i gjahut … vepra e ligë.

Tinzar e shpifarak Jago mizori,
Për zonjën e Otellos thur intrigë,
E ky gruan e veten mbyt i gjori;
Me shpifje i vrau , të dy , Jagua , si shlligë.

Haré ndjen pasi i vret ! Bëhet me fletë…
Prej erës gjakut t’atyre , që çarti!
Kufomat shtrirë , e ngazëllejn vërtet

Dhe qesh kur vjen kortezhi ato t’i mbarti;
Gajaset me viktimat që vrau vetë;
E shijon krimin si një… vepër arti.

***

AVNI BEJKOVA

Një miku im, shok burgu i tim eti,
Një dit’ në kafene’ , më tha gazplotë:
–Sa rrashë e fjeta mbrëmë, u bë kiameti,
Më sulen komunistët goxha skotë,

Më lidhin me zinxhir, në bimcë, o Zot,
Prap’ më kllaposën -thashë-oh ç’më gjeti!
Nga ankthi u dirsa, frymë s’merrja dot…
U zgjova at çast… Shyqyr s’qe pe vërteti ! —

Buzqeshi , at’here , Avniu që tash nuk rron…
Sa her fliste për burgje e vojtje e tmerr,
Për dëshmor’ Balli e për Mit’hatin tonë, 

Sikur t’a dija , e lusja Avninë e ndjerë:
– Ti, që i Ballit je e gjallë ikonë ,
Për Ballin fol, na bën të gjithve nder.

***

 

 

Djaloshi i Trakteve Zalo Xhomaqi

 

Me laps në dorë isha n’tavolinë,
Kur m’u faneps i veshur me savan
Një djal’ meit i zbeht , shajni , shafran
E m’tha : – Për zogj bën vargje e për lëndinë?

“Oh , pena , ty , t’u thaft’ , mos gjetsh derman !
“Po mua pse s’ma thure elegjinë
“Që trakte hodha , e nxiva robërinë
“Dhe për atë me plumb kuqot më vranë?…

“Kur hymne , atbot , i thurnin tiranisë
“E komunizmit që bënte kërdi ,
“Un’ vetëm fillikat , bonjak , i ri,

“Tek pashë i hapej varri Shqipërisë,
“E ngrita zërin kundra mizorisë
“E për Atdheun tim u bëra fli…”

__________________________________

Shënim : -savan – qefin
-shajni – fantazmë
-bonjak – jetim

 

 

 

DASHURIA PER DETIN

 

O det që ngjyra ylberi llaps e shndrit
E sytë m’i lëbyr me vezullim ,
Shkëlqimi llamburitës më mahnit 
E sa her’ të sodit , ndjej drithërim…

Kur bregun puth , o det , me shushurimë
E si pasqyrë farfurin, dremit ,
Më gufon zëmra me aq përmallim,
Sa faqen… të t’lëmoj unë ëndërrit.

Po dhe kur shfryn , o det , nxin e gjëmon ,
Tërhuzesh lart e zbret për t’u vithisur;
Kur grryen veten thellë… bëhesh hon

A dallgët shtyn… si kalë i azdisur,
Ti, prapë, nostalgji , o det , më zgjon,
Se jam si ty dhe unë i çakërdisur .

***

PËRSIATJE

Njeriu në botë mysafir qëndron;
Një ditë… ikën ; thon’ për të : ndrroi jetë!
Ku vete ?.. S’di kush gjë ; as ay vetë! 
Ky ankth , për shekuj , njerzit i mundon.

Disa mbajn’ shpres’… mos vdekja i harron!
Disa me gjallje ndërtojn’ varrë e shkretë…
Ca trëmben , ca bëjn’ çmos të ngjajn ‘ të qetë;
Më lehtë e ka ay që Zot beson;

Ky ndjen që trupi e shpirti jan ‘ të ndarë; 
Ka bindje se bën pjesë shpirti i tija
Te shpirti , lart , i madh — Gjithvetëdija!

Beson që vdekja trupin do t’ia marrë,
Po shpirti vete, atje, ku qe më parë,
Më par’ se rob ta stiste Perëndia.

***

SHTËRNGATË VERE

Kjo stuhi sot , sjell ankth e drithërima.
Papritur qielli sterrë ndizet flakë
Dhe shndritja, fill në terr kthehet mbas pak
Nga gjarpërinjtë e zjarrtë shkrepëtima.

Si fshikull godet breshri, si dajak ;
Të trumbull prrenj plot trungje e rrapëllima
Si qen zinxhir këputur me ul’rima
Rrëzojn’ gardh e mullar e plep kavak.

Po shpejt furtuna stepet sapo agon
Ashtu siç ik fantazma kur sheh dritë,
Një çast , natyra e lodhur shtang , dremit,

Pikëlojn’ drizat , dheu avullon,
Sheh diellin , bari , e …shtriqet mugullon ,
Del bagëtia , zogu çuçurit.

***

MEDITIM

 

Në kafene jam ul e m’kap trishtimi…
Këtu mbas njëqind vjetësh përsëri 
Do vijn ‘ klientë plot në koh’ pushimi,
Po nuk jenë ata që shoh tani.

Dhe vajza që tash erdhi e kam përbri
Dhe vetëtin ajo si yll agimi ,
Asaj , mbas njëqind vjet oh , kushedi !
Harruar do t’i jetë edhe kujtimi…

Vizionë e zymtë un’ zboj i lemerisur :
Bjondinën kqyr … ajo buzqesh e shndrit !
E ëmbla çehre e saj më le shastisur,

Ndaj penën mbaj në dorë e sodit,
Në vargje hijeshin për t’ia skalisur 
Që gjall’ të ngelë ajo si perënditë.

***

Akt-akuzë për dashurinë

 

O magjiplote ndjenjë , fol , dëshmo ! 
Helm a ballsam je që lëmon e rreh ,
Që shëmb e ngjall e zgjedh’ në qafë mbreh? 
A nuk je ti , që kur manare do

Vë si karem një idhull…apo jo ?
Ti , josh me idhull ; zëmrën kap trofe’…
Rrëshqanthi e heq , me hashash mjaltë e deh…
Mizore dashuri , mos e moho ,

Ti , zëmrën herë e zhyt , herë e ngjit lart;
Ajo me idhull pran , ndjen lumturi , 
Kur nuk e sheh , ofshan… ka xhelozi,

Dyshon për cilido e flet përçart , 
Zëmr’ e plagosur shend e brengë mbart ;
Kush dashuron fatlum është e fatzi –

***

Nëna dhe Kuçka

 

Nëna dhe kuçka bëjnë berihaj,
Me gjyq luftojn’ për një fëmij’ të shkretë,
Secila thotë atë e polli vetë,
Be e rrufe… që bebi është i saj,

Po kur gjykatsi u shpreh… beben ta ndajë
Dhe gjysmë trupi secila të ketë,
-Dakord ! – tha kuçka. Po nëna e vërtetë ,
– Mos e vrit ! – klithi – lerja asaj ta mbajë;

Ashtu dhe komunistët kryen tradhtinë;
Me gjasme luft’ gjermanve.. urra-urra,
Vran’ djem shqiptarë, dogjnë, bën’ hata.

Kur Balli u lut bashkim për Shqipërinë,
Mukja dështoi, se kuqot prishnë ujdinë
Dysh kombin ndanë… u bënë ortak me shkjah.

 

***

 

VETËTIMA

Një natë u gjenda në një shkretëtirë
Ku rëra avuj ngrinte e shkrumb në erë,
Gjyryk gjoksi më shfrynte nxehtësirë
E djersa m’ digjte , nëpër trup , si serë.

Po , befas , filloi duke vetëtirë
E ndonjë pikë shi zuri të bjerë ,
Fryu fllad e ç’gaz kur llapsi qielli i nxirë
E llamburitja m’zgjoi në shpirt , pranverë!

Nga tërë ai vezullim ngela mahnitur ,
Magjinë e përshkënditjes admirova , 
E kqyrja vetëtimën sy-ngulitur

E nga përflakja e qiellit fërgëllova ,
M’i lbyri sytë një e shkrepëtitur
E ment më vrau … se e dashurova.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Jagua..., Monologu i Sokratit, Ofelia, Sonete, Uran Kostreci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 34
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT