• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2018

NJOFTIM I MESONJETORES”KUQ E ZI” NE ASTORIA, NY

August 3, 2018 by dgreca

1 Kuq e ziTe ndruar Bashkombas,banor te Astorias,,Queens-it e me gjere!Mesonjetorja “Kuq e Zi”e hapur me 7Mars te vitit 2015,ne saje te ndihmes e mbeshtetjes tuaj,funksionon normalisht ,duke dhene nje kontribut modest ne ruajtjen e trashegimin nga brezat e rinje te Gjuhes sone Shqipe.
Ne kete kuader ,do te hapet kete vit nje klase e pare ,per te plotesuar tre nivelet e studimit te saj.
Rregjistrimet e femijeve tuaj ,mund te behen ne:
1-Ne adresen 21-23,21 Av Astoria 11105;ne fletoren qe gjendet ne Biblioteken e Librit Shqip ne kafen “Kuq e Zi”

2-Ne nr e tel 917-832 2376 ne c’do ore te dites ,duke mare edhe informacion te zgjeruar .
Rregjistrimet kane filluar e do te vazhdojne deri ne dt 31 Gusht 2018.
Ndihma me e madhe e juaja eshte te shperndani kete njoftim ne gjithe miqet e dashmiret tuaj ,sa te shkoj tek prinderit qe kane femije te moshes 6 deri 9 vjec qe te rregjistrohen ne klasen e pare !

Me shprese te plote ne ndihmen tuaj ,si gjithemone !

MESONJESIT E MESONJTORES “KUQ E ZI”

Filed Under: Featured Tagged With: Kriataq Papa, Kuq e zi, Njoftim, Shkolla shqipe

Thaçi: Jo ndarjes – Po bashkimit të Preshevës me Kosovën

August 2, 2018 by dgreca

1 Thaci interviste

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se pikëpamja e tij për korrigjimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nënkupton refuzim të çdo ideje për ndarjen e Kosovës, por përfshinë kërkesën për bashkimin e Preshevës me Kosovën. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, presidenti Thaçi tha se ideja e tij nuk nënkupton as shkëmbim territoresh, ndërsa korrigjimi i kufijve sipas tij nuk paraqet ndonjë efekt domino për Kosovën apo rajonin.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se pikëpamja e tij për korrigjimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nënkupton refuzim të çdo ideje për ndarjen e Kosovës, por përfshinë kërkesën për bashkimin e Preshevës me Kosovën. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë, Leonat Shehu, presidenti Thaçi tha se ideja e tij nuk nënkupton as shkëmbim territoresh, ndërsa korrigjimi i kufijve sipas tij nuk paraqet ndonjë efekt domino për Kosovën apo rajonin.

Zëri i Amerikës: Zoti president, javëve të fundit është hapur debat për mundësinë e ndarjes së Kosovës. Ju keni përjashtuar ndarjen por keni shprehur mundësinë e korrigjimit të kufirit me Serbinë. Çfarë nënkupton korrigjimi?

Presidenti Thaçi: Definitivisht e ritheksoj edhe sot, në asnjë rrethanë, me asnjë çmim, nga askush, nuk mund të imponohet ndonjë ndarje e Kosovës, por në të njëjtën kohë ne duhet të jemi të vetëdijshëm që shënimi i kufirit mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë, apo korrigjimi i kufijve. Çka nënkupton kjo? Kjo nënkupton se ne duhet që definitivisht në procesin e dialogut që do të ndodhë në të ardhmen, të punojmë që së bashku edhe me akterët ndërkombëtarë të vëmë kufirin Kosovë-Serbi. Tani kur në asnjë rrethanë nuk do të ndodhë ndarja dhe e ritheksoj shumë fuqishëm se diçka e tillë as që do të mund të hidhet në tavolinë nga Beogradi, që është një kërkesë e hershme e tyre. Por, ajo që mund të them, në kuadër të korrigjimit të kufijve tani më unë kam pritur në zyrën time përfaqësuesit e luginës së Preshevës të cilët e kanë bërë kërkesën dhe e kanë institucionalizuar në adresë të Kosovës, që të drejtën e tyre të deklaruar në vitin 1992 për t’iu bashkangjitur Kosovës si luginë e Preshevës, është diçka reale ,është një kërkesë e tyre e prezantuar tek unë të cilën definitivisht veç kam vendosur që pas kërkesës së tyre, do ta hedh në tryezën e dialogut në mënyrë që çështja e tyre të zgjidhet njëherë e përgjithmonë. Do të jetë shumë e vështirë, kjo kërkesë e tyre do t’i komplikojë dhe rëndojë edhe më tepër procesin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare, mirëpo ndjejë obligim moral, kombëtar, demokratik, kushtetues dhe ligjor diçka të tillë ta prezantojë në tavolinë.

Zëri i Amerikës: Nëse ju e hidhni në tavolinë çështjen e luginës së Preshevës, a prisni që të njëjtën gjë ta bëj edhe Serbia për veriun e Kosovës?

Presidenti Thaçi: Diçka e tillë ende nuk është dëgjuar nga askush, kërkesa për ndarje është e vazhdueshme jo vetëm në vitet e fundit, por është kërkesë historike e Serbisë,që i takon shekullit të kaluar. Unë e theksoj atë që unë do të ndërmarr, që do të thotë në kuadër të korrigjimit të kufijve, t’i themi shumë qartë jo ndarjes dhe po bashkimit të Preshevës me Kosovën.

Zëri i Amerikës: Si do të mund të ndodh një gjë e tillë?

Presidenti Thaçi: Mendoj se të gjithë janë dëshmitarë që duke punuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë duke punuar me seriozitetin më të lartë për finalizimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, duke punuar me përgjegjësi më të larta kushtetuese, ligjore por edhe vizionin e qëndrueshmërisë së të ardhmes mendoj se marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi do të përmbyllet me njohjen reciproke, që Kosova nuk do të ketë pengesa për t’u anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, vlerësoj se vetëm me këtë përfundim do të mund të ketë kuptim ajo marrëveshje. E ritheksoj, do të jetë një proces shumë i rëndë, i vështirë, i dhimbshëm por dua të shpresoj që të jetë fitues me një marrëveshje të balancuar të të dy palëve dhe që një marrëveshje e dyanshme e palëve të përfshira në proces do të jetë e pranueshme edhe për Bashkimin Evropian, edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe për NATO-n. Një marrëveshje e vullnetshme e dyanshme e palëve Kosovë-Serbi, do të jetë e parezistueshme në kuptimin e pranueshmërisë edhe prej faktorit ndërkombëtar dhe askush nuk mund dhe nuk do të del kundër.

Zëri i Amerikës: Duke përfshirë këtu edhe nëse mund ndodh edhe shkëmbim territoresh ose diçka të tillë?

Presidenti Thaçi: Unë nuk fola as për shkëmbim as për ndarje. Fola për korrigjim të kufijve dhe në kuadër të këtij procesi mendoj që mund të gjendet zgjidhje nëse ka vullnet të mirë, vullnet të dyanshëm, ka përgjegjësi për të ardhmen. Ne jemi dëshmitar të pozicionit shumë të qartë të Bashkimit Evropian se ata po punojnë për modernizim dhe reformim të BE-së dhe se asnjë vend nuk do të mund të lëviz drejt së ardhmes evropiane pa i kryer obligimet veta dhe tejkalu problemet e ndërsjella. Mendoj se korrigjimi i kufijve dhe e vullnetit të dyanshëm, nuk paraqet ndonjë efekt domino për neve, nuk paraqet hapjen e kutisë së Pandorës, nuk e humb karakterin shumë etnik të Kosovës por e ruan atë karakter dhe se në asnjë rrethanë nuk paraqet luftë, përkundrazi kjo përpjekje dhe ky angazhim paraqet paqe, qëndrueshmëri afatgjatë dhe fqinjësi të mirë në mes dy shteteve Kosovës dhe Serbisë.

Zëri i Amerikës: Zoti president, do të thotë që ideja është që Kosova tani siç është plus lugina e Preshevës?

Presidenti Thaçi: Definitivisht, unë i njoh aspiratat e Beogradit sikurse i njohin edhe të tjerët. Për fat të keq në Kosovë më shumë po flitet për ndarje dhe kërkesën e Beogradit se sa integrimin e Preshevës dhe të drejtës së tyre. Unë mbaj pozicionin se ajo çka është në interesin e shtetit të Kosovës duhet ta shtyjmë përpara dhe të mos sensibilizojnë dhe dominojnë temat e diskutimit idetë e Beogradit në Kosovë siç po ndodhë nga disa individë apo grupe të ndryshme. Prandaj është momenti që të gjithë së bashku; partitë politike, parlamenti, presidenca, qeveria, shoqëria civile, mediat të punojmë që në një periudhë të shkurtër kohore katër deri në gjashtë muaj, definitivisht të arrijmë marrëveshjen përfundimtare, historike në mes të Kosovës e Serbisë që do të nënkuptonte njohjen formale nga Serbia për Kosovën, njohjen reciproke, por edhe të shmangen të gjitha pengesat për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Zëri i Amerikës: Përse do të pranonte Serbia një marrëveshje të tillë?

Presidenti Thaçi: Ne duhet të shikojmë kah perspektiva euro-atlantike si Kosovë. Kosova pa marrëveshje me Serbinë definitivisht është e qartë nuk mund të anëtarësohet as në NATO as në Bashkim Evropian. Gjithashtu, Serbia pa marrëveshje me Kosovë nuk do të mund të lëvizë drejt perspektivës evropiane, prandaj unë dua të besoj në udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë që do të dominojë arsyeja dhe përgjegjësia e frymës dhe shpirtit evropian mbi ngatërresat lokale që i takojnë shekullit të kaluar.

Zëri i Amerikës: Zoti president, a e keni mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, posaçërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për idenë tuaj për korrigjim të kufijve?

Presidenti Thaçi: Unë mendoj që, dhe e them me përgjegjësi të lartë se një marrëveshje lokale Kosovë-Serbi, një marrëveshje e vullnetit të mirë e dyanshme e pranueshme nga të dyja palët definitivisht nënkupton që askush nuk do të mund të dal kundër dhe nuk do të dal as Bashkimi Evropian, as NATO-ja dhe as Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përkundrazi, të gjithë do të jenë në mbështetje të një marrëveshjeje të vullnetit të mirë të dy shteteve, Kosovë-Serbi, që nënkupton paqe, qëndrueshmëri dhe e ardhme euro-atlantike.

Zëri i Amerikës: Kosova nuk e ka të shtrirë tërësisht autoritetin në veri të Kosovës po ashtu lugina e Preshevës ndodhet në Serbi?

Presidenti Thaçi: Unë nuk dua të bëj paralele. Atë që mund ta them është që unë kam takuar udhëheqësit e luginës së Preshevës, janë sjellur në mënyrë të përgjegjshme, kanë institucionalizuar kërkesën në adresë të Prishtinës, të shtetit të Kosovës, për të futur në procesin e dialogut të drejtën e tyre të shprehur me vullnetin e qytetarëve. Në të njëjtën kohë, dua të potencoj po ashtu se ne po punojmë për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel edhe për pjesën e veriut. Ka ndodhur proces i rëndësishëm posaçërisht sa i përket integrimit në polici, në sistemin e drejtësisë, lëvizjes së lirë, të funksionimit të doganave, të kufirit, prandaj do të vazhdohet të punohet në drejtim që të mos ketë problem dhe tërë ky proces të jetë paqësor, mirëkuptues dhe suaza të lojës së drejtë të aspektit reciprok.

Zëri i Amerikës: Zoti President, vëzhguesit thonë që deklaratat tuaja ditëve të fundit po sjellin paqartësi të shumta, ndërsa kanë shtuar edhe shqetësimet që tashmë mund të jetë arritur një marrëveshje ndërmjet jush dhe presidentit Vuçiç. Si u përgjigjeni ju pohimeve të tilla?

Presidenti Thaçi: Definitivisht as që është hedhur në tavolinë ndonjë letër e shkruar apo ndonjë ide sa i përket arritjes së marrëveshjes përfundimtare. Deri më tani kanë ndodhur dy takime, do të thotë jemi vetëm në fazën fillestare dhe procesi që ka filluar nga muaji shtator do të jetë shumë më dinamik. Mendoj se idetë e mia vetëm kanë qartësuar procesin, ajo e korrigjimit të kufijve realisht është një realitet që ne duhet të ballafaqohemi herët apo vonë, kush e injoron tregohet naiv në politikë sepse i kemi katërqind kilometra të kufirit Kosovë-Serbi që duhet të merremi dhe të përmbyllim një herë e përgjithmonë. Askush me paqartësi kufitare nuk të pranon, as në NATO as në Bashkim Evropian, pra ajo që po shikoj unë është ajo që nuk po shikohet në rrafshin e vizionit por të politikave populiste, elektorale, problematike dhe të konflikteve. Kështu që jam në favor të arritjes së marrëveshjes përfundimtare dhe natyrisht se pres rezistencë të fuqishme nga Beogradi, pres një kokëfortësi prej tyre, por edhe ata duhet të përcaktohen, duan integrime evropiane apo duan të mbesin peng i së kaluarës së tyre paranojake në raport me Kosovën. Nëse duan të mbesin peng i politikës së vjetër të tyre në raport me Kosovën, atëherë e kanë të humbur edhe Kosovën edhe perspektivën evropiane. Unë jam i bindur që të gjitha forcat që duan paqe dhe stabilitet do të punojnë. Kosova do të jetë unike, bashkërisht edhe do të lëvizim drejt finalizimit të kësaj marrëveshjeje që përmbyll edhe një padrejtësi historike të së kaluarës dhe hap perspektivë për të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Zoti President, në Serbi politikanët tashmë hapur po flasin për idenë e ndarjes së Kosovës, si u përgjigjeni?

Presidenti Thaçi: E ritheksoj, në asnjë rrethanë, me asnjë çmim, nga askush nuk mund të imponohet ndarja e Kosovës, pikë. E di që presidenti Vucic është i pandreqshëm në raport me Kosovën, e ndoshta edhe politika krejt e Beogradit, por këto ide u takojnë shekujve të kaluar dhe këto ide të prezantuara me të vërtetë janë për të ardhur keq dhe të parealizueshme.

Zëri i Amerikës: A shqetësoheni për ndonjë trazirë në rast se vazhdohet kështu me idetë për ndarje dhe shqetësimet rreth tyre?

Presidenti Thaçi: Deri sa ka vullnet për të diskutuar, deri sa të tregohet përgjegjësi për të dëgjuar njëri tjetrin, përderisa mund të arrihet një ujdi e vullnetit të mirë në mes të palëve, atëherë e gjithë kjo sjell paqe, sjell stabilitet, mirëkuptim, fqinjësi të mirë dhe perspektive euroatlantike. Unë punoj që marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi, të jetë një marrëveshje e shpirtit evropian, euroatlantik, që do të nënkuptonte stabilitet rajonal dhe paqe definitive, përfundimtare në Ballkanin Perëndimor. Ata që flasin për luftë, flasin në të vërtetë për të hedhur pengesa krejt të panevojshme në procesin e bërjes së paqes në mes dy vendeve tona dhe në tërësi në Ballkanin Perëndimor.

Zëri i Amerikës: Zoti President, janë ngritur shqetësime kohëve të fundit lidhur me atë se a po ndryshon qasja e partnerëve ndërkombëtar kundruall Kosovës?

Presidenti Thaçi: Unë nuk mendoj se ka ndryshuar qasja e partnerëve tanë karshi Kosovës. Ekziston një mbështetje e fuqishme e Bashkimit Evropian. Ne sapo morëm rekomandimin për liberalizimin e vizave që Kosova ka përmbushur në tërësi kriteret për liberalizim, mbështetja e SHBA-ve është e fuqishme, është e njëjtë, mbështetja e NATO-s është e njëjtë, por një gjë është e vërtetë, sot bota po na shikon dhe vështron nga afër, sot SHBA-të, Bashkimi Evropian, NATO, duan të ketë marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ne nëse vazhdojmë kështu mos të mendoj dikush në Kosovë që do të mund ta pengoj Serbinë në të ardhmen evropiane, nëse Kosova bojkoton dialogun, Serbia do të lëvizë përpara. Ne jemi dëshmitarë të lojërave politike që ndodhën në Maqedoni, 27 vite vonesë për t’u anëtarësuar në NATO. Në moment që arritën marrëveshjen Maqedoni-Greqi iu erdhi ftesa për NATO. Ne nuk kemi kohë për të humbur për shkak të politikave individuale, interesave grupore, populiste apo edhe zërave të luftës. Ne duhet të punojmë për mirëkuptim, paqe, stabilitet dhe frymë evropiane.

Zëri i Amerikës: Zoti President një pyetje të fundit, si mendoni ta bëni bashkë spektrin politik në këto bisedime?

Presidenti Thaçi: Ne do të punojmë fuqishëm që të jemi sa më të bashkuar që është e mundur. Kështu kemi qenë në Ramboulliet, kemi fituar, kështu kemi qenë në Vjenë, kemi fituar, prandaj unë jam i bindur që marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi, Kosovës do të ia përshpejtojë rrugëtimin euroatlantik, prandaj të gjithë e di që janë dëshmitarë për të lëvizur më shpejt për tu anëtarësuar në NATO dhe Bashkim Evropian. Nuk do të lejojmë edhe më tutje të ndodhin gabime siç ka ndodhur me shtyrjen e themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës në vitin 2014 e që sot do të ishim pjesë e partneritetit për paqe, apo nuk do të lejojmë që të vonohemi sikur që u vonuam për demarkacionin me Malin e Zi dhe sot do ta kishim përmbyll procesin e liberalizimit të vizave, pra kemi humbur për ushtri katër vite e tri vite për liberalizim të vizave. Do të punojmë shumë fuqishëm që të krijojmë unitet sa më të gjerë të mundshëm, por edhe në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë individë apo parti të caktuara pulitke të mbajnë peng këtë proces të së ardhmes së Republikës së Kosovës. Tek e fundit, do të punoj që çështja e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi të përmbyllet përmes deklarimit të qytetarëve të Kosovës, përmes referendumit.

Filed Under: Interviste Tagged With: bashkim me Kosoven, Hashim Thaci, Lugina e Presheves, zeri i amerikes

Thaçi dhe Rama duhen shpallur “nongrata” për dialogun me Serbinë!

August 2, 2018 by dgreca

  • Hodhi idenë e “korrigjimit” të kufijve, duke kërkuar bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Ndërkohë sot nxiti Lutfi Hazirin ta shpallë dështimin e kësaj skeme si “luftë në Ballkan”. /
  • Ideja e “korrigjimit të kufijve është maskë e idesë dhe përpjekjeve për ndarjen e Kosovës. Lugina e Preshëvës është maska, Lutfi Haziri e Nexhat Daci janë masha. Nga  Enver Bytyçi/

1 Rama Thaçi

Thaçi, i udhëzuar nga Edi Rama dhe në shërbim të idesë së ndarjes së Kosovës, bëri dje dhe sot dy lëvizje: 1. Hodhi idenë e “korrigjimit” të kufijve, duke kërkuar bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Ndërkohë sot nxiti Lutfi Hazirin ta shpallë dështimin e kësaj skeme si “luftë në Ballkan”. Ideja e “korrigjimit të kufijve është maskë e idesë dhe përpjekjeve për ndarjen e Kosovës. Lugina e Preshëvës është maska, Lutfi Haziri e Nexhat Daci janë masha. Hashim Thaçi komandon mashën, ndërkohë që vetë është po mashë e Viçiqit. Edi Rama ngrohet në zjarrin që ka ndez Beogradi, e trazon Thaçi me mashën e vet. Kush ka vetëm pak intuitë dhe pak nuhatje politike, e kupton se Hashim Thaçi, në stilin e sivëllëit të tij kryeministër të Shqipërisë, po tallet me viktimat e veta, qytetarët e Kosovës, po i përçmon ata në mënyrën më barbare dhe po sillet me Kosovën, sikur ajo të ishte pronë e vetja. Edhe pronën e tij private ai që e posedon nuk mund ta shesë me ligj pa dakordësinë e anëtarëve të familjes së paku mbi 18 vjeç. Hashim Thaçi ka vendosur ta copëtojë e ndajë Kosovën në vija etnike pa pyetur për ligj, për kushtetutë, për të drejtën që e ka çdo qytetar i atij vendi mbi territorin e saj. Prandaj duhen gjetur burra e gra që presidentin e Kosovës ta mbyllin në presidencë, ta detyrojnë të merret vetëm me protokollin e presidencës, ta shkarkojnë nga detyra e rrëmbyer si kryenegociator në bisedimet me Serbinë, madje t’ia ndalojnë çdo kontakt fizik e telefonik me anëtarët e këtij grupi negociator. Shkurt, Hashim Thaçi dhe Edi Rama duhen shpallur non grata në pjesmarrjen e tyre në çfarëdo forme në negociatat me Beogradin. Izoloni dhe Lutfi Hazirin, Neshat Dacin e këdo tjetër që nëpërkëmbë sovranitetin e Kosovës! 2. Sot ka dalë dhe një provokim i ri. Edi Rama urdhëroi një opinionist të Shqipërisë të flasë për demarkacionin e kufirit të Kosovës me Shqipërinë. Këtij opinionisti ish-ministri im demokrat i kulturës i pati dhënë çmimin kombëtar për kolumnen më të mirë, edhe pse ai asokohe e sot bën pjesë në lobingje të dyshimta të dëmshme për vendin tonë, si manekin i Edi Ramës e ndonjë tjetri. Mesa lexoj midis rrjeshtave, mesazhi i kryeministrit të Shqipërisë është ky: “Jepjani ju veriun e Kosovës Serbisë, sepse ne do jua japim në këmbim të kësaj veriun e Shqipërisë. Ka ekzistuar një ide e tillë e çmendur para njëzet vitesh, kur Edi Rama ishte ministër kulture në këtë vend të marrësh! Po riaktivizohet prapë një ide e tillë. Veriu i Shqipërisë duket se shihet si “pjesa reaksionare” për qeverisjet e socialistëve dhe si e tillë ajo “duhet bashkuar me raksionarët e Kosovës”, por që sot fatkeqësisht po manipulohen nga Edi Rama dhe Hashim Thaçi. Diletantët politikanë të rajonit tonë në Serbi, Kosovë dhe Shqipëri besojnë se “deti po bëhet kos dhe o burra të marrë kush është i zoti lugën e të hidhet brenda”! Edhe Thaçi e tha sot hapur: “Nëse ne në Kosovë vendosim ta ndajmë Kosovën, Fuqitë e Mëdha nuk do të jenë kundër”! Kaq pristë në Beograd Vuçiqi e Daçiqi, këtë paska pritur me shumë entusiazëm presidenti i Kosovës! Bravo! Më shumë nuk ka nevojë për këtë radhë!

Tiranë, 02.08.2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Dialogu me Serbine, Enver Bytyci, Thaci-Rama

KUR NAZISTET SULMUAN ALEKSANDER MOISIUN

August 2, 2018 by dgreca

GAZETA”DIELLI” SHBA:ALEKSANDER MOISIU VDIQ ME PASAPORTE SHQIPTARE/

1 aleksander-moisiu_3

COMOEDIA (1929) : KUR SIMPATIZANTËT E HITLERIT SULMONIN ALEKSANDËR MOISIUN-Moisiu2

 

Nga Aurenc Bebja *, Francë – 2 Gusht 2018/

Gazeta kulturore franceze, “Comoedia”, ka botuar, të enjten e 18 shkurtit 1929, në ballinë, një shkrim në lidhje me sulmet e simpatizantëve të Adolf Hitlerit ndaj aktorit të famshëm me origjinë shqiptare, Z. Aleksandër Moisiut.

Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, ka sjellë, në vijim, tekstin e plotë për publikun shqiptar :

Ngacmim grotesk, por hitlerian.

“Komediani i famshëm Aleksandër Moisiu, më i duartrokituri deri tani në vendet gjermanofolëse, është pre e ngacmimeve të mbështetësve të Hitlerit. Dhe pse ? Sepse gushtin e kaluar, duke dashur të shkruajë një roman në të cilin do të ndodhte një lindje, ai dëshiroi të studionte këtë ngjarje në vend dhe veshi bluzën e bardhë me autorizimin e drejtorit të një spitali në Salzburg. Është reagim i zakonshëm për një shkrimtar. Kush është ai autor që nuk ka shkuar për të vizituar një spital, një azil, i fshehur mes pacientëve ? E gjitha kjo për të përshkruar realen.

Por një praktikant i spitalit të Salzburgut, i shkarkuar nga puna, për t’u hakmarrë ndaj drejtorit, zbuloi këtë fakt në një gazetë të partisë së Hitlerit.

Shqetësimi i Aleksandër Moisut për ndërgjegjësinë profesionale u tansformua si “përdhosje nga një ndërhyrës i besdisshëm gjatë lindjes së një gruaje gjermane”.

“Henaurme!” – apo jo ? Megjithatë, artikulli i gazetës lokale ishte riprodhuar, kështu Moisiu u vu në listën e zezë të hitlerianëve (nazistëve).

Dhe natën tjetër, në Deutsches Volkstheater të Vjenës, gjatë një shfaqjeje në të cilën ai luante rolin kryesor, aktori u prit mes sharjeve dhe topave me aromë të keqe të shpërndara nëpër sallë, diçka mjaft besdisëse.Policia vëzhgonte për fat të mirë dhe ndërhyrësit u dërguan në burgun më të afërt…Nëse tallja mund të vriste, partia e Hitlerit nuk do të fitonte asgjë nga kjo ngjarje.”- Horatio-

***

KRONIKA E DIELLIT-INTERVISTA ME MOISIUN

Gazeta e Vatres “Dielli” e ka ndjekur udhetimin e autorit te madh gaten turnhut te tij ne Nju Jork dhe en Boston gjate shfaqejeve te vitit 1928. Gazetari dhe gjuhtari Nelo Drizari nga Mallkastra, i pari q ekishte studiuar e ishte diplomuar ne Universitetin e Kolumbias,  e ishte ndjekur gjate shfaqjeve dhe i shoqeruar nga nje shkrimtar i ri gjermeni-amerikan, arriten qe ta takonin dhe Nelo e intervistoi dhe i tregoi se sa shume e respektonin dhe e donin shqiptaret, edhe pse kishte pres tyre qe nuk e donin pse nuk deklaronte origjinen shqiptare.

Po sjell nje fragment nga shkrimi im dossier kushtuar Nelo Drizarit si gjuhetar, shkrimtar e gazetar, botuar ne Gazeten”Diell” dhe ne shtypin e Tiranes:

Nelo Drizari pati fatin që të takonte dhe të intervistonte aktorin e madh me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu gjatëturnout, që trupa e teatrit të tij bëri në ShBA. Po ndalemi gjatë tek përshkrimet e Drizarit, pasi pas shkrimit zbulohet adhurimi që ai kishte për aktorin e madh. Pritjen e ngrohtë që i bënë amerikanët aktorit me origjinë shqiptare, Nelo e përcjell me një ndjenjë ngazëllimi: Kur erdhi për të parën herë Aleksandër Moisiu në Amerikë, nëntor 1927, bota tha se erdhi vetëm për katër javë. Por lojërat e tij aktoriale muarën bujë të madhe.Populli kërkonte kohë dhe rast që të shihte këtë aktor të famshëm.Programi i Reinhardit ishte që tëloste një dramë në javë, që ashtu të mbeste vent për të tjera.Kërkimi i popullit e shtërnguan që ta zgjaste kohën dhe ta mbajë protagonistin deri më 8 të këtij muaji(shkurt  1928).

Duke e përcjellë atmosferën që e rrethonte aktorin e famshëm gjatë shfaqjeve, Nelo shkruan për lexuesit e diellit:Moisiu është me të vërtetë njeri i dashur. Tri herë që e kam bashkuar  back stage pas lodrave, jam habitur me sjelljet e  admironjësve të tij.Shumë njerëz, shumica përbëhej prej grashë, suleshin si turma të tërbuara për t’i shtërnguar dorën Moisiut.Të tjerë lotin rolin e gjujtsave për dhurata(Souvenr hunters). Të fundit kërkonin nënshkrimin e tij mbi programe, fytyra ose libra që kishin lidhje me Moisinë.Aktori i madh i priste me buzëqeshje,dhe kalorësi të shquar dhe u mbushte dëshirën, kur nuk nxitohej për të shkuar gjëkundi.Këto sjellje të këndshme,kjo kalorësi e shquar, së bashku me talentine  tij, kanë fituar  miq të ngushtë dhe admironjës të shumtë.Megjithë që thonë disa se Moisiu është i sertë, natyra e tij m’u duk si e butë.Moisiu ngjanë sikur është nga raca nordike: nga raca anglo-saksone ose Teutonike.Ata që nuk e dinë se edhe në Shqipëri ka plot njerëz të këtij tipi, s’e besojnë se të atin e kishte shqiptar dhe të ëmën italiane.

Kjo është e vërtetë. Moisiu u lind në Trieste më 1890. I ati ishte Kostandin Moisiu nga Durrësi,i  cili kishte tregëti në  Vienën dhe më vonë  në Fiume në Hungari.

Foshnjërinë e tij Aleksandër Moisiu e shkoi në Shqipëri.Në Durrës ky vajti në shkollë  dhe më parë se të nisej për në Vjenë, dinte shqip mirë.Që kur e dërgoi i ati në Vjenë, në shkollë, s’pati rast të përdorte gjuhën e Atdheut, gjuhën shqipe.Ashtu që sot mban mend vetëm disa fjalë të rralla.

Autori i shkrimit e merr në mbrojtje aktorin me origjinë shqiptare nga ata shqiptarë, që e përflisnin se ai e kishte humbur identitetin shqiptar dhe nuk ndjente asgjë për racën e vet. Nelo kundërshtonte:”Por s’munt të themi që Moisiu ka humbur dhe ndjenjat ose dhembshurinë  për Shqipërinë. Jo. Sa kohë që ish në Vjenë ky shoqërohej me shqiptarët.Veç kësaj Moisiu vajti në Shqipëri për disa muaj pas Luftës Ballkanike.S’ka dyshim që Moisiu ndjen gëzim të nxehtë kur bashkohet me ndonjë shqiptar.Gjithashtu ay mbahet madhështor kur kujton që i ati ishte shqiptar.

Nga ana tjetër janë dhe disa sende  të tjera që duhen marrë ndër sy.Moisiu është një artist i mësuar në vendekulturale të Evropës. Ky përballi shpenzime dhe  zor të madh duke tretur mësimet në gjuhë të huaj.Moisiu i është vënë artit të dramës  me gjithë mish dhe shpirt.Me fjalë të tjera bëri ca sakrifica, pra e hodhi lumin.Si një shkencëtar, ose muzikant, ose çpikës, që la mënjëanë çdo gjë tjetër për të realizuar idealin, ashtu edhe Moisiu, mori ndër sy të arrijë  në kulmin e fushës që zgjodhi;domethënë të  bëhet një aktor i shquar.

Si aktor i shquar, artist i mbaruar, pranohet me brohoritje në qarqet e huaja.Domosdo gjermanët e quajnë të tyrin.Por bota e dramës interesohet në interpretimin dhe talentin e personalitetin e Moisiut, dhe jo aq për kombësinë e tij.Kudo që vete trimfon.Kudo bën përshtypje të shkëlqyera. Sepse ka zotësi dhe talenti i tij s’kufizohet vetëm si tragjedian.Moisiu është dhe komedian i mbaruar. Nga këto shkake, Moisiu s’mund të dalë sheshit dhe të thotë:”Unë jam shqiptar”! Kur e ka sjellë rasti ay e ka thënë pa ndrojtur se si qëndron fisi i tij.

Drizari tregon se si e takoi aktorin e madh dhe si e priti ai: Desha ta ndjek, desha të fjalosem me të  dhe një herë më parë se të nisej për në Evropë me vaporin “New York” shkova ta takoja. Për fat të mirë erdhi me mua  edhe zoti Paul Linke, shkrimtar i ri gjerman dhe mik i ngushtë i Moisiut.Back-stage një varg njerëzish po priste. Moisiu posa na pa na qasi në Odën e tij, odë e vogël që ka çdo Theatër për krye-aktorin dhe na priti me nje ngrohtësi gjeniale. Megjithë që ishte i lodhur , u gëzua pa masë kur mori vesh se shqiptarët i dëshirojnë përparim të madh  dhe interesohen për triumfin e tij.Në këtë çast fytyra e tij u çel, kur dëgjoi prapë se shqiptarët e  nderojnë , jo vetëm si artist, por e njohin edhe si shqiptar nga ana e të atit.Atij i ndriti fytyra.

Keni parë fytyrën e ndonjë të riu që lëvdohet  prej prindëve për ndonjë gjë të mirë që ka bërë? Keni vënë re se sa bukur tingëllojnë fjalët ”Bravo!..të lumtë…! Dhe na nderove? Ashtu dhe Moisiu.Veçanërisht Moisiu u gëzua kur pa që gazeta “Dielli” ka bërë fjalë kaq herë për të.

Në përshëndoshjen e fundit, Moisiu më siguroi,që dëshiron t’u falet nderit shqiptarëve për interesin dhe dashurinë që rrëfejnë ; dhe mbahet kryelartë kur kujton që ati i tij ish shqiptar dhe vjetët e foshnjërisë i shkoi në Shqipëri.Kur hapi derën dhe doli jashtë populli gjerman e priti me “Hoch Moissi!..”Hoch Moissi”!(rroftë Moisiu!)

Brenda qenies së tij, Nelo Drizari ndjen një sëmbim në zemër, që Moisiun shqiptar e gëzonin kombe të tjerë, shtete të tjerë. Ai shkruan:” Kur Moisiu shkoi përmes turmës gjer te automobili, m’u kujtuan ca shqiptarë të historisë:”Pemët e punërave të tyre janë shijuar prej Botës, ajo botë që i rriti dhe i nderoi.Kur do t’i vijë koha që Shqipëria t’i mbajë për vete djemtë e saj?”  Për ironi të fatit dhe vetë Nelo, do të mbetej larg vendit të vet…

***

ALEKSANDER MOISIU VDIQ ME PASAPORTE SHQIPTARE

Kur aktori i madh nderroi jete, Dielli serish shkroi me superrelativa ne numrin e marsit te vitit 1935. Ne shkrimin-homazh, gazeta Dielli pergenjeshtron ata zeri qe thoshin se Mbreti Zog nuk ia dha shtetesine shqiptare. Dielli konfirmon se kur Moisiu pa urrejtjen patologjike te diktatures hitlerinae ai hoqi dore nga shtetsia qe mbante dhe mori shtetesine shqiptare. Sot shkruhet ende se Moisiu kerkoi shtetesine shqiptare dhe italiane, por ndersa Italia ia dia ne momentet e pragvdekjes, Shqiperia ia refuzoi.JO, shkruan Dielli, Moisiu vdiq me pasaporte shqiptare.

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja, dalip greca, kur hitlerianet, sulmuan Aleksander Moisiun

Humori i lig i një reforme me gjyqtarë

August 2, 2018 by dgreca

2 Ilir-Levonja-300x298Nga ILIR Levonja/

Kur një nga anëtarët e komisionit shqipton atë frazën magjike se e kalon apo jo Vetingun, iks apo ypsilon gjyqtar, me siguri ndonjë Kasem diku në provincë fërkon barkun. Dhe thotë, ptu, ptu rracë e poshtër, shiko sa ka vjedhur etj. Kjo e gjitha sipas ca hamëndësimeve në shtyp, me një fjalë pavarësisht pakënaqësive të opozitës për një kolaps të plot institucional, populli është i kënaqur. Sidomos kur shqiptohen shifrat e apartamenteve, rekordi deri më sot është 27, pra një gjyqtar ka 27 apartamente rreth e rrotull Tiranës Durrësit, Kavajës e Vlorës… Apo kur shqiptohet shifra e milionave në eurove, shifër që afërmendsh nuk mund të justifikohet me të ardhurat a pagën që merr një gjyqtar. Ky është një opinion i shtypit, e gjen sot kudo në të gjitha webet, mjaft t’i hedhësh një sy. Ka një numër të tërë kalemxhinjsh që i gëzohen gëzimit të Kasemëve të provincës, atyre që quhen popull. Nga ana e tij edhe Rama tregon me gishtin e syve se janë në rrugën e duhur. Ne e dimë mirë se në atë kulturën tonë të mbrapshtë, të rryshfetit, çfarë do lloj krimi, çfarë do lloj veprimi antiligjor, është plotësisht i sheshueshëm mjafton të japësh ca para. Dhe po nuk i patëm, do luajmë të gjithë miqtë, i kemi ku s’i kemi deri sa të gjejmë paratë e honorarit. E themi dhe me mburrje…, i derdha xhixhet unë atij, pa ma nxorri djalin etj. 

Nuk e diskutoj që është zakoni më i keq i yni dhe një zot e di se kur do ta heqim, por kjo puna e gjyqtarëve o ti Kasem i provincës, Kasem popull, është maja ajsbergut. Maja e çibanit kombëtar që ti, unë, ai, mendojmë se do na shpëtoj shëndetin me pastrimin e drejtësisë. Në fakt është reforma më e pa sinqertë dhe shuplakë për ne që u jemi vërsulur me qjef pervers këtyre emrave që lënë drejtësinë. Ka bërë e vepruar në bazë të kulturës sonë. Kanë kërkuar i keni dhënë (mund të mos kishit dhënë)… arsyet janë të shumta. Keni mbuluar krimin, kanë mbuluar krimin, kemi mundur vetveten. Kaq…Kanë falsifikuar letra, vërtetime, kanë mbajtur me hatër, atë punë kanë ata. Dhe normalisht një sakrificë ligjore, ka haraç. Reforma në drejtësi është këmbëngulje e Perëndimit, madje me paratë e tyre, duke marrur parasysh edhe kolapsin institucional. Më pakta e mundshmja që edhe Amerika e madhe mundi të bëj… iu drejtua dikasterit të ligjit, me shpresë të vënies në punë të institucionit. Pasi afërmendsh asnjë nga faktorët politikë nuk do votonte nisjen e një pastrimi nga politika përshembull a pushtete të tjera, përfshi këtu edhe median vizive dhe të shkruar. Asesi nuk do pranonin dhe asesi nuk do vepronin. Jo më shumë se dje, një senator amerikan me rrënjë nga arbëreshët Joe di Guardi, i thoshte një televizioni shqiptar në Kosovë, se që nga 91 kur ai kish zbritur në Tiranë të lobonte për demokracinë, e deri më sot, si në Shqipëri dhe pjesën e epërme të saj, Kosovë, kishte vetëm një arritje…, milionat marramendëse të faktorit politik dhe ekzekutivit. Dhe me të drejtë, pasi sot shqiptarët krahasojnë një shëtitore buzë detit, atë në Vlorë me atë të Rio de Janeros…, Ashtu dhe senatori lobues, kumtonte se vërtetë niveli i krahasueshmërisë së Shqipërisë dhe Kosovës është plotësisht me atë të Brazilit të sotshëm, ku 5% e shoqërisë janë miliarderë dhe 95% të varfër, kasemër, popull. Me mijra Kasemër qeshin dhe fërkojnë barkun kur del nga salla me ngërdheshje një gjyqtar i rrëzuar, fërkojnë barkun i qeshen Ramës, reformave. Pa e kuptuar asnjëherë se reforma të tilla, çikërrima janë vetëm një humor i lig i zgjatjes së tranzicionit shqiptar. Mendoni sikur të kishit filluar me politikën, ulni Ramën aty, të parin… i takon se është kryeministri i vendit. Ulni dhe të tjerët me radhë, Berishën, Metën… ulni dhe këta shtypistat që kanë nisur ta quajnë si reformë që po kënaq popullin. Ulini dhe shikojini se a i justifikojnë ato makinat e shtrenjta me të ardhurat. Dhe ajo që është më e rëndësishme, pyesni veten… përshembull kaq është reforma. Iks apo Ypsilon gjyqtar hiqet nga puna, i hiqet liçensa etj. Po me paratë çfarë do bëhet, deri sa themi që fituar në mënyrë korruptive? Çfarë do bëjmë me ‘to… se ju griu barkut interesi i përqindjeve të 3 p-ve. Një pyetje që kërkon zgjidhje të menjëhershme, jo qejf o qejf që hoqën Gjonin.

Filed Under: Politike Tagged With: Humori i lig, i një reforme me gjyqtarë, Ilir Levonja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT