• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2018

HISTORI-70 vjet nga Kryengritja e Zhapokikës

October 6, 2018 by dgreca

1 a sim1 a denuar12 zhapo1 of3 den5 ofic5 den zhProcesverbalet

 Nga Sadik Bejko*/

Kryengritja  më e njohur e fundviteve ’40 të shekullit që shkoi, e ndodhur në Jug të Shqipërisë, njihet si Kryengritje e Zhapokikës për shkak të emrit të fshatit ku u zhvillua. Zhapokika është një fshat në Tepelenë. Ne përbërje kishte fshatarë dhe nga fshatrat Luftinjë e Kamçisht.

Më 20 shtator 1948 u formua çeta “Baba Shefqet”, për nder të klerikut bektashi të pushkatuar më 14 janar 1948. Flamuri i çetës ishte flamuri kombëtar pa yllin e kuq.

Më 28 shtator 1948 u zgjodh me votim komanda e çetës.Çeta i caktoi vetes si detyrë të lidhej me grupet e tjera antikomuniste derisa në Shqipëri të krijohej një qeveri nacionaliste demokratike.

Fshatarë kundër shtetit

Ca fshatarë në një rrebelim me armë kurrë nuk mund ta përmbysin shtetin, apo rendin kushtetues zotërues në një kohë të dhënë.

Por një kryengritje e ca fshatrave shqiptare kundër shtetit komunist ka ndodhur. Tashmë ajo përmendet, ka hyrë në literaturë si Kryengritja e Zhapokikës, 1948.

Historikisht, si të gjitha kryengritjet fshatare të natyrës a të tipit të saj, kryengritje të mëdha a të voglash qofshin, ato janë shtypur me gjak e me dhunë shembullore.

Kështu ka ndodhur dhe me kryengritjen e Zapokikës.

Parë nga kjo pikëpamje, të ngjan se fare naive dhe e pamend sa nuk ka të dytë ka qenë kjo kryengritje. Ashtu ka qenë. Rreth 25 fshatarëve të veshur keq, të ushqyer me bukë e domate, me ca pushkë e fishekë të ndryshkur, ua thotë truri se po të ngrihen, rrëzojnë shtetin. Po të ngrihen, përmbysin komunizmin për të sjellë në fuqi një rend demokratik.

Koha tregoi se kjo aventurë, kjo ndërmarrje e pamenduar dështoi keqaz.

Vetëm se tej epiteteve apo etiketimeve për të, ajo ka një përparësi. Kryengritja ka ndodhur, është një fakt historik i padyshimtë.

Të mëdhenjtë e botës në Jaltë a në Postdam kishin vendosur rendin e botës, por këta  fshatarë nuk donin t’ia dinin për këtë, nuk donin t’ia dinin për të mëdhenjtë e planetit.

U ngritën dhe e thanë me armë se nuk e donin këtu komunizmin.

I thanë ‘jo’ kolektivizimit të pronës dhe të njeriut, i thanë ‘jo palirisë’, thanë ‘nuk duam që vajzat e djemtë tanë të modeloheshin e të përpunoheshin ideologjikisht. Duam të jemi me Perëndimin, jo me Lindjen”.

Një kryengritje si kjo i fton burrat nën armë, por realisht i ftoi ata që të përfundojnë të vdekur nën shtresat e dheut të tokës së tyre, apo të dergjeshin të prangosur në burgjet me punë të detyruar.Por ata njerëz në vitin 1948 kështu e donin, ata burra kështu e gjykuan.

Organizimi i kryengritjes

Rreth muajit gusht 1948 Xhemal  Brahimi, një fshatar 30-vjeçar nga Zhapokika, merr takime me shumë të pakënaqur nga regjimi. Lidhjet e tij i kapërcejnë tre-katër rrethe të Jugut. Është mister se me kë është i lidhur në qendër. Në fshatin e tij dhe në ato përreth ai ka krijuar grupe të besuarish që mund ta ndjekin. Për të realizuar ngritjen me armë kundra regjimit ai bëri në fshahtësi disa mbledhje

Mbledhja e parë bëhet te Ledha e  Madhe. Xhemal Brahimi ishte në Berat. Drejtimin e mbledhjes e bën Mehmet Yzeiri. Marrin pjesë pothuaj gjithë ata fshatarë të Zhapokikës që më pas rrëmbyen armët.

Burrat që dhanë fjalën për luftë, sigurojnë armë nga shokët e tjerë.

Fshatarët po ktheheshin në luftëtarë.

Ata mendojnë se kanë në krahë dhe çetën e Sulo Zaimit nga Allkomemaj. Major Sulo Zaimi kishte qenë oficer ushtarak nga koha e mbretërisë. Ca kohë qe oficer në Kosovë në vitet ’40. Ishte kunati i Xhemal Brahimit. Nga Gjykata e Lartë Ushtarake, që më pas e dënoi me njëzet vjet burg, cilësohet si nxitësi e frymëzuesi kryesor i rebelimit. E nxiti, por nuk mori pjesë në rrebelimin e Zhapokikës.

Mendojnë se kanë me vete dhe Demo Kason (Demir Allkushaj) nga Gllava, nga e njëjta krahinë. Ky, një oficer policie në lirim, me grupimin e tij të fshehtë nuk iu bashkua Zhapokikës. Grupi i tij u kap më pas dhe u ndëshkua me burg. Demo Kaso u arratis në Itali.

Mendojnë se në Mallakastër, në krahinën e Lopsit dhe në zonën e nahijes së Beratit kanë përkrahës me armë në dorë.

Mbledhja e dytë mbahet në Mëlovë. Flet Xhemal Brahimi që është mendja politike e grupit të Zhapokikës. U bën thirrje të bëhen ushtarë në luftën për demokraci.

Ky ka bërë disa takime në gjithë ata që e mbështesnin në rrethet fqinjë me Tepelenën, deri dhe në Tiranë. Ka korierë që mban lidhjet me këto pika.

Në Mëlovë mbledhja është e gjerë në pjesëmarrje. Vijnë dhe ata që e përkrahin dhe ata që japin fjalën se do jenë me grupin, por tërhiqen.

Xhemal Brahimi e merr fjalën në emër të partisë nacionaliste. Kjo parti, sipas tij, ka lidhje me ministra e anëtarë të lartë të Partisë në pushtet. Sipas tij, nëpunësit kryesorë të Tepelenës, ushtria e policia janë në mbështeteje të tyre. Mehmet Yzeiri e mbështet, por shton se dhe ushtria e Sazanit dhe diversantët e maleve dhe Abaz Ermenji e Muharrem Bajraktari janë në krah të tyre.  Kabineti qeveritar ka rënë.

Atmosfera ndizet. Bëhen thirrje antikomuniste.

Vendoset të krijohet Çeta. Zgjidhet komanda me votim. Komandant Bajram Kamber Ahmataj, 59 vjeç. Sekretar politik Xhemal Brahimi. Mehmet Yzeiri-nënkomandant, Salo Kaso, Sefer Yzeiri anëtarë të shtabit. Bëhet betimi tradicional me nga 10 lekë të shkuara midis dy buzëve, të cilat më pas bëhen qiri në faltore. Formula: “Po tradhëtova, më pret plumbi kokës”.Krerët e çetës shkojnë në lagjen Keçerisht, në Zhapokikën e dytë. Në Keçerisht ua hapën dyert. I pritën si shpëtimtarë. U dhanë ushqim e strehë.Xhemali mban një mbledhje në lagjen Mukaj të Luftinjës. Mbledhja zgjati tri orë. Në mëngjes u bashkohen të tjerë burra me armë.

Kamçishti, përplasja e parë me policinë

Vijnë nga Kamçishti përkrahës që i ftojnë për t’u mbledhur në Kamçisht

Bëjnë mbledhje në vreshtin e Halil Sulos në Kamçisht. Ishte natë. Folën krerët e çetës për partinë nacionaliste, për rënien e qeverisë, për kryengritjet që kanë plasur gjithandej. Xhemal Brahimi fyen Partinë Komuniste, Bashkimin Sovjetik. I bëjnë thirrje Kamçishtit të rreshtohet me ata. Poshtë Komunizmi.

Realisht ishte një propagandë në erë, por njerëzit pëlqejnë, besojnë atë që ata dëshirojnë.

Mbledhja zgjati dy orë. Flasin për tatime të larta, për atë që janë lakuriq dhe të këputur. Qeveria është amorale, i mbledh djemtë e vajzat natën. I marrin me zor në konferenca, në hekurudhë.

Xhemal Brahimi u thotë se “do na kolektivizojnë edhe gratë. Se po na vrasin njerëzit e fesë”.

Ikin natën nga Kamçishti për në Kackë të Xhapokikës. Shkojnë në malin e Izvorit.

Ndërkohë policia i ishte drejtuar Kamçishtit. Kanë kapur dy nga shokët e tyre. Çeta kthehet në Kamçisht dhe sulmon policinë. Gani Kojdheli i merr armën nga duart një polici. Qëllojnë me bomba dore. Policia thyhet, tërhiqet. Kryengritësit i ndjekin policët e shpartalluar. Mbetet i vrarë shefi i Sigurimit për Tepelenën, toger Xhezo Makashi.

Marrin shokët e Kamçishtit dhe ngjiten në mal. Marrin me vete të lidhur dy fshatarë që i spiunuan. Nuk merret vendim për t’i vrarë, ndaj i lëshojnë.Datën 2 tetor çeta kaloi në malin e Rabijes. Kanë triumfuar mbi policinë. Këndojnë këngën e Çetës.

 

Të ndjekur këmba-këmbës

Për t’iu shmangur një përplasjeje të dytë me policinë, merret vendim që të nisen drejt malit të Rabijes.

Dikush nga Kamçishti këmbëngul: “O luftojmë e vdesim këtu, o unë kthehem në shtëpi”. Dhe u kthye.

Xhemal Brahimi dhe Beg Veizi shkuan në Allkomemaj te Sulo Zaimi.

Çeta ecën përroit dhe i pret në Levan. Sulo Zaimin e kanë arrestuar.

U ngjitën në malin e Rabijes. Atje flenë dhe rrinë gjithë datën 3. Të nesërmen te shkëmbi i Koçit.

Një bari nga Rabija u çon ujë. Kalojnë në Çocaj të Allkomemajt. Xhemal Brahimi dhe Mehmet Demua marrin bukë te fshatari Novruz. Muharrem Sulua u jep pak bukë, aq sa kishte me vete. Hanë bukë afër mëngjesit. Këtu në Çoçaj i rrethon policia që i ndjek këmba-këmbës. Qëllojnë në drejtim të tyre në tërheqje e sipër. I sprapsin me armë dhe bomba. Ka dëshmi jo të saktësuara se aty u vra një nga forcat e ndjekjes.

Forcat e ndjekjes nga Tepelena dhe ato të Beratit, të drejtuara nga toger Sulo Gradeci, përbëheshin nga ushtarë dhe policë.

Janë kapur nga policia ata që i kishin lënë me detyrën e prapavijës, për t’i furnizuar me ushqim dhe me informacion. Janë rrethuar nga policia shtëpitë që do të ishin baza për strehim dhe për mbështetje me armë e njerëz. Janë arrestuar korierët.

Mbas përplasjes me armë në Çoçaj, çeta ulet në përruan e Çërrilës ku pushojnë rreth dy orë.

Marrin drejtimin për nga Plashnikut i Beratit, ku mendojnë se kanë një bazë të sigurt.

Të vetmuar, të ndjekur. Pa ushqim. Ka filluar demoralizimi. Ndahen të lëkundurit nga trimat. Dëgjohen shprehjet “sikur nuk e kishim kështu”. Propagandës së Xhemalit se “i presin çeta ngado, se ka rënë qeveria, se ushtria dhe nëpunësit e shtetit janë me ata, se do vijnë ndihma nga jashtë…” nuk i besojnë më.Të zhgënjyer, shkëmbejnë fjalë të serta. Antikomunistët e bindur mblidhen rreth shtabit të çetës. Kjo bërthamë e të betuarve përmbledh të tjerët.

Dezertimet

Tre kamçishtjotët Gani Kojdheli, Halil Sulua dhe Selfo Xhemali natën e 5 tetorit, pasi ndjekin çetën rreth një orë, ndahen praj saj, sapo hyjnë në një pyll. Kthehen nga erdhën. Ditën fshihen, në mbrëmje afrohen në një korije pranë lagjes Bardhaj të Allkomemajt. Aty gdhihen e ngrysen një natë e një ditë. Në datën 7 tetor ndjekin shtigjet përfund Allkomemajt, Levanit, Xhaxhajt deri te një pyll ndanë Kamçishtit. Data 8 tetor në pyll. Në mbrëmje Selfua hyn në fshat, merr bukë dhe kthehet. Aty e shtyjnë edhe datën 9 tetor.  Në mbrëmje marrin bukë në shtëpitë e tyre dhe flenë te Halili. Në datën 10 fshati Kamçisht gdhihet i rrethuar. Dorëzohen Ganiu dhe Selfua, Halili vret veten (ose e vrasin në shtëpinë e tij, sipas një dëshmije tjetër).

Plashniku, fundi i arratisë

Që nga dita kur major Sulo Zaimi nuk u bashkua me çetën,  hyri grindja. Dhe Sulon na e morën. Si do të vazhdojmë tani? Xhemali mendon të shkojnë në Skrapar, ku ishte Dilaver Çorrogjafi, një ‘diversant i regjur’.

Ku janë ata nga jashtë që do të na hidhnin armë?

Çeta merr drejtimin për në Osmënzezë. Pas kamçishtiotëve, ndahet nga çeta dhe Mehmet Demo.

Në përruan e Plashnikut, në Velemen, pylli i koçimares së Plashnikut. Drejtohen për bukë te shtëpia e mikut, që ishte përkrahës dhe bazë e tyre, te Skënder Aliko. E kanë arrestuar.

Shtigjet janë zënë nga forcat e ndjekjes.

Tatëpjeta, shpartallimi

Kthehen pas. Diku hanë rrush, diku pinë ujë. Në fshatin Zhapokikë të Beratit gjejnë ushqim. Duan të shkojnë te pylli i Zagonit, por gdhihet. Ndodhen në Gllavë. Janë me shpirt ndër dhëmbë.

Në Shkozë të Gllavës ndeshen ballas me policinë.

Është data 8 tetor 1948.

Shaqo Muçodemaj, Sefer Yzeiri, Mehmet Yzeiri, Salo Kaso, Xhemal Brahimi (të betuarit) luftuan deri sa i hodhën gjithë bombat, i zbrazin  gjithë fishekët që kishin me vete.

Mehmet Yzeiri dhe Salo Kaso mbetën të vrarë. Dy policë mbetën të vrarë.

Çeta përfundimisht shpartallohet.

Disa u fshehën, deri sa u kapën. Të tjerë shkuan në shtëpitë e tyre ku i prisnin forcat e ndjekjes. Disa u vetëdorëzuan. Shaqo Limja e Sefer Yzeiri iu fshehën policisë për disa muaj.

Komandant Bajram Kamber Ahmataj, ish-xhandari 60-vjeçar, e zgjati arratinë nëpër stane e pyje deri në janar 1949. U kap i fundit, u kap në befasi në fshatin Malëshovë të Përmetit.Vëllai i tij Safet Kamberi u vra në kufi, tek po arratisej.

Xhemal Brahim Asllani

Xhemal Brahimi u arratis. Ai u stërvit në kampet e perëndimorëve dhe u desantua në Shqipëri, hyri dhe doli disa here deri më 1960. Fëmijtë dhe gruaja e tij u internuan në Tepelenë, më pas në Lushnje. Dy djemtë bënë burg. U liruan më 1991. Vdiqën shpejt. E shoqja, Sambretja, me të cilën Xhemali pati dhe një vajzë që lindi në internim në Lushnjë më vitet ‘50, jetoi më gjatë.

Xhemali pati fëmijë nga martesa e dytë në SHBA. Vdiq i alkolizuar me brengën për familjen që në Shqipëri vazhdonte të ndëshkohej për llogari të tij.

Dosja e tij formulare mund të na sjellë të dhëna të tjera.

Procesi gjyqësor

Gjyqi u zhvillua në Gjykatën Ushtarake të Gjirokastrës. Gjyqtarët Llazi Polena, Arqile Toska dhe Hamit Bilbili me prokuror Mustafa Beqon dhanë vendimin nr.24, datë 14.5.1949. Akuzoheshin se në shtator – tetor 1948 “kanë formuar bandë të armatosur për të rrëzuar pushtetin popullor”, se kishin marrë pjesë në luftime kundër forcave të regjimit, se kishin vrarë dy policë dhe shefin e seksionit të Sigurimit Xhezo Makashi dhe se kishin lidhur e dashur të vrisnin dy fshatarë”.  Për të gjithë urdhërohej dënimi me punë të detyruar, konfiskimi i pasurisë si dhe heqja përkohësisht e të drejtës së zgjedhjes. Dënimet mbështeteshin në ligjin nr.372, datë 12.12.1946  “Mbi fajet penale kontra popullit dhe shtetit”.

Gjykata e Lartë Ushtarake e përbërë prej Bilbil Klosit, Sotir Spiros dhe Nonda Papulit, me prokuror Bexhet Memën, me vendimin nr.77, datë 6.7.1949 (për dënimet me heqje lirie) la përgjithësisht në fuqi ndëshkimet e gjykatës së Gjirokastrës. Gjykata e Lartë nuk ua vë në ngarkim të dënuarve vrasjen e toger Xhezo Makashit, shefi i Sigurimit Tepelenë.

U dhanë këto dënime:

1-Bajram Ahmetaj, vjeç 59, arrestuar më 4.1.1949, me vdekje.

2-Sefer Yzeri, vjeç 39, arrestuar më 10.10.1949, me vdekje. I falet jeta nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.  Bëri 33 vjet burg, vdiq i uritur, i vetmuar në një kasolle.

3-Shaqo Muçoderraj, vjeç 29, arrestuar më 16.10.1948, me 20 vjet burg.

4-Xhemal Asllani, vjeç 21, arrestuar më 5.10.1948, me 15 vjet burg.

5-Xhemal Begaj, vjeç 35, arrestuar më 10.10.1948, me 12 vjet burg.

6-Mete Didi, vjeç 36, arrestuar më 19.10.1948, me 15 vjet burg.

7-Balil Veliu, vjeç 39, arrestuar më 10.10.1948, me 15 vjet burg.

8-Xhelal Begaj, vjeç 35, arrestuar më 10.10.1948, me 12 vjet burg.

9-Gani Kodheli, vjeç 36, arrestuar më 16.10.1948, me 12 (5) vjet burg.

10-Mehmet Mupoderraj, vjeç 21, arrestuar më 5.10.1948, me 12 (5) vjet burg.

11-Hajri Mahmutaj, vjeç 39, arrestuar më 10.10.1948, me 12 (6) vjet burg, vdes ne burg pas 11 vitesh.

12-Selfo Xhemali, vjeç 49, arrestuar më 16.10.1948, me 4 vjet burg.

13-Beg Veizi, vjeç 49, arrestuar më 5.10.1948, me 4 vjet burg.

14-Nuredin Rrodhaj, vjeç 29, arrestuar më 5.10.1948, me 4 vjet burg.

15-Hajredin Alushi, vjeç 33, arrestuar më 16.10.1948, me 4 vjet burg.

16-Mehmet Kalemaj, vjeç 49, arrestuar më 16.10.1948, me 4 vjet burg.

17-Teme Pajo, vjeç 49, arrestuar më 5.10.1948, me 3 vjet burg.

18-Shefqet Didi, vjeç 19, arrestuar më 16.10.1948, me 3 vjet burg.

19-Seit Çaushaj, vjeç 34, arrestuar më 10.10.1948, me 3 vjet burg.

20-Jashar Canaj, vjeç 44, arrestuar më 10.10.1948, me 3 vjet burg.

21-Maliq Didi, vjeç 57, arrestuar më 5.10.1948, me 2 vjet burg.

22-Demo Aliu, vjeç 45, arrestuar më 5.10.1948, me 2 vjet burg.

23-Riza Çaushi, vjeç 49, arrestuar më 10.10.1948, me 2  (1) vjet burg. Ky arratiset jo me çetën por i vetëm me armë fshihet larg fshatit në një pyll. Kish dhënë fjalën të jetë ne çetën, por nuk shkon me ata. Dorëzohet vetë më 10.10.1948 në Tepelenë.

24-Mufit Islami, vjeç 29, arrestuar më 5.10.1948, me 2 vjet burg.

25-Adem Memaj, vjeç 21, arrestuar më 10.10.1948, me 12 vjet (2) burg. U ridënua, bëri 33 vjet burg.

Shifrat e viteteve në kllapa () janë dënimet përfundimtare dhënë nga Gjykata e Lartë.

 

Kryengritës të vrarë

Mehmet Yzeiri Selaj  (në përpjekje me policinë në Gllavë, 10 tetor 1948).

Salo Kaso Didaj, në përpjekje me policinë 10 tetor 1948.

Safet Kamber Ahmataj, vritet në kufi.

Halil Sulo, vritet nga policia në shtëpinë e tij Kamçisht. Sipas dëshmisë së Gani Kojdhelit në gjyq Halil Sulo ka vrarë veten, kur u kthyen nga arratia në fshatin Kamçisht.

Më 21.7.1949 u krye ekzekutimi i dënimit me vdekje i të dënuarit Bajram Kamber Ahmetaj. Ai thotë: “Për toger Xhezo Makashin, dëgjova rojet e burgut të thoshin e vrau kush e vrau, u mbeti këtyre”. Bajrami kërkoi që pushteti të mos hakmerrej mbi fëmijët e tyre, që kufomën e tij mundësisht t’ia çonin familjes… E mbylli jetën me fjalët  “Rroftë Shqipëria”.Shefi i sigurimit të Tepelenës, Xhezo Makashi (1920-1948) me vendimin nr.65, datë 2.10.1971, u shpall dëshmor.

Kjo është një kryengritje e fshatarëve të varfër

Ja cilat ishin ato që quhen logjistikë, si depo rezervë, fuqi financiare, buxhet mbështetës për çetën.

Në gjithë udhëtimin e saj çeta mbante me vete një mitroloz pa gjilpërë që nuk u zbraz kurrë.

Nga dosjet vijnë dhe këto fakte mbi atë se ç’fuqi ekonomike kishte çeta më 2 tetor 1948 kur u nis në luftë:

Hëngrëm bukë e dhallë te Zeneli.

Xhelal Rizai solli bukë dhe një gavetë mjaltë. M. Yzeiri hëngri petulla që i solli Sefer Yzeiri, vëllai.

Te Muharrem Mehmeti morëm bukë e dhallë.

Musa Qazimi ka prurë një gavetë mjaltë.

Te Halili Sulua morëm bukë e duhan.

Shaip Sulos i morëm bukë thatë, i dhamë 1000 lekë.

Hajdar Rustemi dha bukë dhe një torbë me domate.

Te Hajredin Alushi bukë e domate.

E shoqja e Zane Abazit na ka dhënë një trastë me bajame kur kemi qenë në pyllin e Zagonit.

Një mulli dha tre trasta me bukë dhe një batanije. Barinjtë jepnin bukë e duhan. Djali i Sefer Yzeirit dha në shportë rrush.

Ibrahim Jonuzi nuk erdhi me ne se nuk kishte pushkë.

Shaqua e bleu pushkën 6 napolona.

Me këtë fuqi ekonomike çeta e uritur dhe me frymë të rënduar i mbylli ditët e saj me armë, me luftë.

Pastaj… vite e vite burg.

Qenë njerëz që besonin në atë që ishin, në atë që donin. Jo në gjë tjetër. Dhe i paguan me kokë, me burg bindjet e tyre.

Për të tillët gjithmonë do të ketë vetëm respekt.

* E dergoi per Diellin gazetari Cerciz Loloci

Filed Under: Histori Tagged With: 70 vjet nga, Kryengritja e Zhapokikës, Sadik Bejko

Juncker: Merreni seriozisht Ballkanin!

October 6, 2018 by dgreca

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker e sheh perspektivën reale të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor si kusht për stabilitetin e rajonit./

1Jukner

Në një fjalim në Parlamentin e Austrisë, kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker u shpreh të premten (05.10) mbi perspektivën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Sipas AFP, nëse vendet e BE-së nuk e kanë seriozisht me anëtarësimin e Shqipërisë, Bosnjes, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, e Malit të Zi, kjo mund të çojë në një luftë të re, tha Juncker.

„Nëse në këtë pjesë të komplikuar të Europës, krijohet përshtypja, se ne nuk e kemi seriozisht me anëtarësimin europian për Ballkanin Perëndimor, atëherë më vonë, – e ndoshta më herët- ne do të përjetojmë sërish atë që përjetuam në vitet 90-të në Ballkan”, theksoi Juncker në Hofburgun vjenez duke pasur parasysh luftërat në Jugosllavi.

„Hapësirë ekonomike”

Megjithatë Juncker pranoi se rruga e vendeve të Ballkanit drejt BE-së „është e gjatë”. Vërtet që ata kanë bërë përparime, por „jo aq sa duhet”. Presidenti i Komisionit Europian kërkoi që në këtë fazë të ndërmjetme të ofrohet një „hapësirë ekonomike”, në të cilën këto vende do të silleshin

pjesërisht, siç do të vepronin një ditë si vende anëtare.”

Që në dhjetorin e kaluar, Juncker kishte theksuar, se zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është vendimtar për stabilitetin e rajonit. Ndërsa në strategjinë e BE-së për Ballkanin në shkurt 2018, u përmend viti 2025 si vit i mundshëm anëtarësimi për Malin e Zi dhe Serbinë. Por në Vjenë Juncker tha se 2025-a është afati më i hershëm. Juncker u bëri thirrje vendeve të BE-së, që të „kujdesen” për Ballkanin e „të ndihmojnë aty ku është e nevojshme”. Por vetë këto vende, duhet ta dinë se duhet t’i zgjidhin konfliktet e tyre për kufijtë para anëtarësimit, tha Juncker.

Filed Under: Komente Tagged With: ballkanin, Juncker, Merreni seriozisht

KOSOVE- Pengesat e fundit në rrugëtimin drejt heqjes së vizave

October 6, 2018 by dgreca

Autoritetet në Prishtinë presin që në fund të këtij viti, vendet anëtare të Bashkimit Evropian të marrin vendim pozitiv lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.1 Vizat

Nga Arton Konushevci/ RFL

Vendimi i ardhshëm i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian në lidhje me liberalizimin po pritet me vëmendje të shtuar, jo vetëm nga qytetarët, por edhe vetë zyrtarët e institucioneve.

Njohësit e integrimeve evropiane thonë se përfaqësuesit e institucioneve nuk duhet të nguten e të japim afate kohore e as data për liberalizimin e vizave, pasi që sipas tyre, vendimet në Këshillin e Ministrave të BE-së janë politike dhe mund të ndryshojnë.

Analisti i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se ka vende në Bashkimin Evropian që janë ende skeptike lidhur me atë se a janë përmbushur kriteret dhe reformat e duhura për këtë proces.

“Skepticizmin e kemi parë kryesisht në tri vende, që është Gjermania, Franca dhe Holanda, vende të cilat kanë votuar në masë më të madhe kundër sa i përket këtij procesi dhe kanë hezitime – e këtu kryesisht po flas për Holandën dhe Francën – kurse Gjermania ka një lloj hezitimi. Kjo është vërejtur në Parlament dhe pak a shumë është indikacion edhe i pozicionimit të këtyre vendeve anëtare të BE-së në vendimin të cilin do ta marrin në Këshill”, thotë Kryeziu.

Kryeziu thotë se vendimmarrjet politike në Bashkimin Evropian ndikohen në forma të ndryshme.Ai thotë se në një vendim mund të ndikojë gjendja në sistemin e drejtësisë, migrimi i mundshëm, por edhe temat e fundit të hapura në raporte me dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë.

“Çdo marrëveshje që Kosova e arrin me Serbinë duhet të jetë e qëndrueshme, duhet të jetë marrëveshje e cila mbështetet nga qytetarët, dhe nën tre është marrëveshje e cila prodhon stabilitet dhe jo destabilitet në rajon. Prandaj, nëse ne flasim për tema të korrigjimit të kufijve, shkëmbim i territorit e ide të tilla, kjo është një shuplakë fytyrës për të gjitha ato shtete të cilat e kanë njohur Republikën e Kosovës në këta kufij”, tha Kryeziu.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se shqetësimi në Bashkimin Evropian lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën është migrim ilegal, e jo dialogu me Serbinë dhe temat e ndryshme.

“Dialogu edhe liberalizimi i vizave janë dy procese që nuk janë të ndërlidhur me njëra-tjetrën, prandaj për ne mbetet prioritet i dorës së parë të tregojmë cilat punë i kemi bërë në këto gjashtë vjetët e fundit dhe si i kemi përmbushur kriteret. Shqetësimet të cilat janë sa i takon liberalizmit të vizave kanë të bëjnë më atë se si do të reflektohet të lëvizja e lirë e qytetareve pa viza. Pra, shqetësimi bazik në Evropë është menaxhimi i njerëzve që të mos ketë një valë të madhe të njerëzve, të cilët do të mund të lëvizin pa viza drejt Evropës, gjë që nuk do të ndodhë”, tha Hoxhaj.

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka theksuar së fundmi se Kosova e ka mbështetjen e tij për procesin integrues, duke përfshirë edhe liberalizimin e vizave.

Hahn ka bërë thirrje që Kosova të vazhdojë me reformat, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, administratës publike dhe të bërit biznes.

Donika Kadaj – Bujupi, anëtare e Komisioni për Integrime Evropiane, nga partia në pushtet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se të gjitha institucionet e vendit duhet të punojnë dhe bashkëpunojnë në mënyrë që liberalizimit të vizave të ndodhë sa më parë.

Ajo thotë se të gjitha atë zëra që mund të paraqesin probleme në këtë rast janë kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj.

“Sa i takon çështjes së kufijve, ne jemi të qartë në pozicioni tonë. Do të thotë se nuk ka shkëmbim, nuk ka ndryshim dhe çfarëdo teme për hapje eventuale në këtë fazë do të shkaktojë më shumë dëme, jo vetëm për liberalizim, por edhe çështje të tjera sesa që do të ketë ndonjë progres në ketë drejtim”, tha deputetja Kada- Bujupi.Pas rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian dhe votimit në favor të liberalizimit nga Parlamenti Evropian, sfida kryesore në këtë proces për Kosovën mbetet në Këshillin e Ministrave, ku ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së i japin vlerësimet e tyre.

Filed Under: Featured Tagged With: Kosove, pengesat e fundit, vizat

Elena Gjika – Shqiptarja më e shquar në Europë në shek.XIX “

October 6, 2018 by dgreca

Nga Jahja LLUKA/

Të mos ketë më gegë,as toskë,as lebër as çam,por vetëm Shqiptar bij të devotshëm që të marshojnë si një trup i vetëm, nën flamurin e Aleksandrit të Madh,të Pirros,dhe të Skenderbeut” Elena Gjika Një personalitet i shquar, një grua e rrallë me tipare të veçanta pushtoi botën në shek.XIX. Ajo quhej Elena Gjika, një shqiptare fisnike e cila zgjodhi rrugën e Dijes, për të mos u harruar kurrë. Filozofe dhe artiste Elena Gjika u paraqit para kulturës europiane me pseudonimin “Dora d’Istria”, sharmi, mençuria dhe natyraliteti ishin gërshetuar në figurën e Elenës, e që në kohën sa jetoi ishte e respektuar dhe e admiruar nga shoqëria aristokrate dhe njerëzit e thjeshtë. Vepra e saj u bë e përjetshme duke na bërë krenar para botës, që nga gjaku ynë kishim një femër të tillë, e cila më vonë do bëhej pasqyrim për femrën shqiptare duke nxitur breza frymëzimi pas vetes. Dija thonë është pushtet, që Elen1 Elena gjikaa e përdori për ta pushtuar kohën në të cilën jetoi. Andaj saherë, lexojmë apo shkruajmë diçka për personalitetin e saj ne çdoherë do gjejmë diçka të re që na mbush me frymëzim. Elena Gjika mbeti e përjetshme me mençurinë e saj, duke mos harruar asnjëherë origjinen prej nga vinte, figura e saj unike do jetojë sa të jetë njerëzimi. Me 22 janar 1828 në Bukuresht të Rumanisë, lindi Elena Gjika.Babai i saj ishte princ Gjika me origjinë shqiptare. Gjika përveç që ishte guvernator i principatës së Vllahisë, ai ishte dhe arkeolog. Muzeu i parë kombëtar në Rumani u themelua pikërisht nga babai i Elenës, Mihal Gjika,ndërsa nëna e saj ishte Katinka Faka, njihet si shkrimtare dhe poashtu përkthyese e veprave të huaja, e cila dha kontribut në zhvillimin e shoqërisë së asaj kohe, duke përkthyer në rumanisht veprat më të arrira nga letërsia e begatë franceze. Nga dera e familjes Gjika dolën dhjetë princër të cilët sunduan Vllahinë dhe Moldavinë dhe poashtu dy kryeministra të Rumanisë. Elena pati një vëlla, Gjergjin dhe një motër, Gjeorgjetën, e cila u martua me princin Stefan Lupasco në vitin 1929. Elena kishte fatin që të rritej me një kulturë aristokrate, e që kjo frymë e përcolli gjatë gjithë jetës, duke qenë një ndër personalitetet e rralla të asaj kohe në Evropë. Mësuesi i saj, të cilit iu besua edukimi i Elenës, ishte nga Selaniku dhe quhej Gregor Gjergj Papadopulos. Qysh herët tek Elena u shfaqën cilësi të veçanta, të cilat e dërguan më pas në rrugën e gjatë të Njohjes. Për këtë në mesin e aristokratëve Elenes i’u jep epiteti “Mrekullia e Vogël”, fliste nëntë gjuhë të huaja, qysh në moshën katërmbëdhjetëvjeçare. Ishte e martuar me princin rus Aleksandër Koltov Massalskij, por jeta e saj bashkëshortore nuk i solli aspak lumturi. Kështu, ajo largohet për në Zvicër dhe udhëtimet e saj zgjasin deri në Amerikën e largët. Shpirti i saj i trazuar dhe i etur për dije nuk mundi të qëndroj vetëm në një vend, ajo ëndërronte që ta shihte botën dhe të njihej me kultura e popuj të ndryshëm.Por asnjëherë nuk e harroi origjinën e saj, në udhëtimet e shpeshta që bënte u takua me elitën politike dhe intelektuale të kohës, duke ua bërë të njohur çështjen shqiptare. Për kontributin e saj në skenën e kulturës europiane, mori titullin Qytetare Nderi e Athinës në vitin 1862. Elena me sharmin dhe mençurinë e saj nxiti poetin amerikan Longfellou që të shkruante një poemë për Skënderbeun. Ishin miq të afërt me poetin e madh arbëresh Jeronim de Rada, poashtu njohu rilindasit shqiptar Zef Jubani dhe arbërshin Leonardo de Martino. Të tre këta e vlerësuan lartë kontributin e Elenës për ngritjen e çështjes shqiptare në nivelin botëror të asaj kohe. “Ajo zgjodhi si pseudonim artistik emrin “Dora d’Istria”, sepse përmblidhte gjithçka që përbën themelin e punës së saj: lidhjen e fortë me vendin, rrënjët e saj dhe në të njëjtën kohë një konceptim kozmopolit dhe tolerant, të hapur ndaj botës dhe kulturës.” Elena Gjika vdiq në Florence në vitin 1888 duke lënë pas vetes një krijimtari të gjërë në fusha të ndryshme.Veprat e saj njihen në të gjithë Europën, ajo shkroi “Les Femmes en Orient” (Femrat në Lindje) në vitin 1860 dhe “Des femmes par une femme” (Femrat për një femër) e vitit 1865, “Les Femmes fortes” (Femrat e forta) të 1871-shit, “Lettre à la presidente de l’Association des dames grecques pour l’istruction des femmes” (Letër drejtuar kryetarit të Shoqatës së zonjave greke për arsimimin e femrave) 1872, ”The ëoman question in Austria e The ëoman question Germany” (Çështja e gruas në Austri dhe çështja e gruas në Gjermani në 1873-shin), e të tjera. Ajo shkroi edhe një numër të madh shkrimesh për çështje të historisë së letërsisë, poezisë, politikës, religjionit, problemeve sociale, historisë, artit, e tjerë në disa organe të njohura shtypi si në Revue des Deux Mondes të Francës; Libre Recherche të Belgjikës; Diritto, Antologia Nuova, Rivista Europea të Italisë, si dhe në revista rumune, greke dhe amerikane. Dora D’Istria merrej edhe me pikturë.

Filed Under: Histori Tagged With: Elena Gjika – Shqiptarja, Jahja Luka, më e shquar, në Europë në shek.XIX “

Sa janë kosovarët shoqëri e (a)politizuar?

October 6, 2018 by dgreca

1 Fadil MalokuNga Fadil MALOKU/
1. Një fenomen, që pa dyshim është duke e përcjellë këmba-këmbës procesin shtetndërtimit të Kosovës, është edhe ai i teprisë së politizimit apo tendencës së “ngjyrimit”, të çdo segmenti që prodhoi në ndërkohë jeta sociale,dhe ajo politike në “betejat” e konsolidimit të institucioneve shtetërore, dhe ridefinimit të kauzave reja demokratike.
2. Kur flasim për politizimin, zakonisht mendja na shkon te perceptimi për humbjen e sensit dhe kohezionit tonë politik për të krijuar institucione kredibile, që po prodhon përveç sjelljeve të devijante (krim kulminant, anomi, konflikte ndërgrupore e brendainstitucionale, shtim të interesave klanore dhe zbehje të atyre publike, fatëpajtimi të çuditshëm dhe “gjumë dogmatik” të publikut, kur janë në pyetje interesat e përgjithshme qytetare) edhe konflikte e skandale me afera të matshme…
3. I gjithë ky proces i fillimit të vetëkërkimit të shkaqeve në rastin tonë kosovar, mund t’u adresohet shumë faktorëve: psh. shpërnguljes nga një zonë rurale në një zonë urbane, margjinalizimit të grupeve të caktuara, deprivimit social, krizës morale, anonimitetit…etj.
4. Por, në të njejtën kohë është evident edhe antipodi i këtij fenomeni, ai i apolitizmit. I cili sipas një gjykimi ende të paprerë sociologjik, është duke u bë edhe një ndër shkaqet e kësaj gjendjeje të tepruar të “ngjyrosjes” me indiferencën e tepruar ndaj veprimeve të partive tona politike, për kauzat kombëtare.
5. Perceptimi kësisojt qytetar që nënkupton jo gjithherë edhe qëndrimet e publikut të gjerë, ato të shoqërisë civile, e sidomos ca medieve mercenare, pa dyshim që ngjallë dyshime për shkallën e gatishmërisë së emancipimit tonë politik.
6. E themi kështu, edhe për shkak se perceptimet për dallim nga kërkimet empirike na çojnë gjithëherë në gjykime të gabuara për ndonjë fenomen apo dukuri që zhvillohet në shoqëritë e transicionit të vonuar, sikurse është Kosova.
7. Sipas kësaj logjike që më shumë na imponohet si perceptim, fitohet përshtypja që kujdestar kryesor për gjitha këto vonesa, e nëpërkëmbje të qarta të institucioneve tona sociale e politike, janë (jo gjithë, por) DISA POLITIKAN grykësa që pushtetin e përdorën ekskluzivisht për interesat e veta personale, e klanore…, e jo edhe për kauza nacionale dhe shtetndërtuese.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fadil Maloku, Sa janë kosovarët, shoqëri e (a)politizuar?

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • 34
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT