• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2018

LULE DHE MIRENJOHJE NE 25 VJETORIN E AAWO

October 29, 2018 by dgreca

5 valle masive

1 ada dhe BetiNGA MARJANA BULKU/*

1 motrat tek shkallet25 vjetori i krijimit të Albanian American Women Organization “Motrat Qiriazi” AAWO mblodhi këto ditë në Manhattan qindra shqiptaro-amerikanë, ambasadorë të misioneve tona diplomatike nga Shqipëria e Kosova; Besiana Kadare dhe Teuta Sahatçija ,kongresmeni Eliot Engel dhe Patricia M .Engel.VatraCouncil Member Mark Gjonaj, Ariel Palitz, (NYC Nightlife Mayor,cityof New York) ,aktivistë dhe mjaft personalitete të njohura të komunitetit shqiptaro-amerikanë të Federatës Panshqiptare Vatra.Ishte një mbrëmje ku 25 vjetët e punës dhe përkushtimit, vullnetarizmit dhe kontributeve do të nderoheshin me mirënjohje dhe vlerësime për humanitarizmin , arritjet jetësore, lidershipin, si dhe mbështetjen e vazhdueshme ndër vite. Dy himnet , performuara bukur e me mjeshtëri nga tenori Riad Ymeri çelën këtë mbrëmje duke e bërë edhe më të ngrohtë atmosferën .

Mbrëmja u hap përmes një fjale të shkurtër ku presidentja e AAWO Beti Beno  në mënyrë të përmbledhur bëri një paraqitje të asaj çka AAWO ka arritur në këtë gjysmëshekull përmes iniciativave,
programeve,workshopeve , ndihmave medicinale , bursave dhe se çfarë kjo organizatë do mund të bëjë më tej duke e bërë edhe më të fortë zërin e grave , bijave dhe motrave tona në funksion të civilizimit të familjes, komunitetit.
Dr .Anna Kohen ,Esmeralda Mosko,Dr.Shpresa Xhakli  në fjalët e tyre përshëndetëse në këmbim të vlerësimeve theksuan se çmimet janë përgjegjësi e përbashkët pasi gjithçka që ato kanë mundur të realizojnë do ishte e pamundur pa mbështetjen e komunitetit.
Mjaft emocionues ishte dokumentari që Vera Belliu dhe Albanian Culture Tv kishin realizuar enkas për këtë event.
Materialet e hershme filmike të regjistruara dhe transmetuara nëpër vite nga
drejtuesi i ketij televizioni Adem Belliu,ku
ngjarjet , personazhet,intervistat ,festimet  janë përmbledhur bukur përmes një video përshëndetjeje konceptuar mrekullisht.
Në një jubile të tillë vlerësimet janë jo vetëm mirnjohje dhe falenderim por edhe lutje e ftesë që këto kontribute të nxitin dhe frymëzojnë të tjerë në mënyrë që solidariteti dhe humanizmi, ruajtja e kulturës dhe gjuhës të trashëgohen nëpër gjeneratat pasardhëse. Ndaj edhe nuk munguan nderimet për aktivistët e spikatur të komunitetit shqiptaro-amerikan që e kanë mbështetur misionin dhe punën e AAWO- as sistematikisht, Harry Bajraktari, Fadil Berisha, Sergio Bituçi, Lou Fundos, Georgio Kolaj, Edward Toptani ,Esq, Isidoros Tsamblakos ,Esq, Kumrie Selimaj, Albert Fundos.
Nuk munguan edhe vlerësime për mbështetjen që ia ka rritur qasjen dhe profilin në publik AAWO ndër vite dhe këtu spikat televizioni Albanian Culture me producent Adem Belliu si një kanal mediatik që ka ndjekur në progresivitet të gjitha veprimtaritë e AAWO në këto 25 vjet.
Nderohet gjithashtu Illiria Newspaper Vehbi &Gena Bajrami, publisher.
VATRA, the Pan-Albanian Federation of America, Albanian Yellow Pages me Ismer Mjeku, gjithashtu nje vlerësim special shkoi për Albana Krasniqi për shpëtimin e jetës së fëmijëve shqiptarë
Mjaft mirë u pritën edhe vlerësimet meritore të cilat kanë zhvilluar edukimin e gjuhës shqipe në diasporën amerikane ku u nderua Shkolla Shqipe “Alba Life” me drejtues Kozeta dhe Qemal Zylo si dhe Children of the Eagle -Albanian American Dual Language &Culture School me Drita Gjongecaj.
Sabita Ballo, Kino Gira u vlerësuan për mbështetjen permanente financiare dhe kulturore në shërbim të AAWO.
Beqir Sina u vlerësua gjithashtu për punën e palodhur si gazetar .
Falenderime dhe vlerësime shkuan gjithashtu për Shqipe Malushin e cila me përkushtimin dhe punën e saj të palodhur në shërbim të komunitetit shqiptaro-amerikan zë vend të veçantë në kujtesën e tyre.
Netë të tilla vlerësimesh dhe nderimesh na bëjnë të reflektojmë mbi aktet tona të përditëshme, se sa të paharrueshme bëhen ato kur i shërbejnë qëllimeve që nën një kujtesë të tillë falin kaq shumë tekst dhe nëntekst e mbi të gjitha përcjellim dashuri për Njeriun.
AAWO motrat Qiriazi u krijuan 25 vjet më parë mbi historinë shqiptare të Parashqevi dhe Sevasti Qiriazit të cilat konsiderohen si nëna të civilizimit, edukimit dhe diplomacisë duke kontribuar e lënë gjurmë në historinë tonë e cila na bën më europianë se kurrë kur e prezantojmë veten përmes Vlerash të cilat edhe të ftuarit amerikanë që ishin prezentë nuk mund të mos i vinin re .E nën këtë llogjikë ishte edhe fjala mbresëlënëse e Mrs .Patricia M.Engel e cila nuk e fshehu aspak kënaqsinē që mori nga ky nderim dhe vlerësimin për komunitetin shqiptaro-amerkan që rritet përmes vlerash.
 *Per te pare fotografie suoni ne Facebook (dielli vatra)

Filed Under: Featured Tagged With: Lule dhe Mirenjohje, Marjana Bulku, ne 25 vjetorin e AAWO

Vetëmbrojtja është ligji më i vjetër i natyrës, edhe në Shqipëri

October 29, 2018 by dgreca

KostandinasNga Aurel Dasareti, USA/*

Është e domosdoshme që edhe në trojet e arbrit të sundojë Ligji, i njëjtë për të gjithë, askush para ligjit.

Në vend që të qaje nëna e ndonjë polici të ndershëm, që vetëmbrohet nga plumbat e kriminelit gjatë kryerjes së detyrës (Operacionit të mbrojtjes së Rendit dhe Sigurisë së Shoqërisë), le të qaje nëna që e ka lindë terroristin (vrasësin në tentativë), kushdo qoftë ai. Rruga e mbarë i qoftë. Për në skëterrë.

***

Papushtet(dhunë, forcë) prapa drejtësisë shoqëria mund të zhvillohet në anarki, por në anën tjetër, pa drejtësi prapa pushtetit, mund të zhvillohet në një shtet policor.

Kjo që thash (fjalia e mësipërme)është e përshtatshme për të përshkruar pse është e nevojshme qasja në përdorimin e fuqisë fizike (dhunës)dhe pse duhet të kemi rregulla për ushtrimin e pushtetit.

Shteti duhet të ofrojë shërbimin policor që i nevojitet shoqërisë dhe vendit. Dispozita (pjesë e një norme juridike që përmban një rregull të caktuar të sjelljes)përcakton parimin e monopolit të përdorimit të dhunës nga ana e policisë dhe rolin e policisë si aparat pushteti i shoqërisë civile. Për kryerjen e detyrave, policisë i caktohet një numër i madh autorizimesh dhe mjeteve të përshtatshme efektive.

Bazuar në këto, policia mund të vendosë urdhërime dhe ndalime ndaj qytetarëve, si dhe të ndërhyjë në gjykimin e tyre. Fuqia fizike (përdorimi forcës)është një nga mjetet që policisë i është shtuar në këtë rol. Një mundësi për të zbatuar urdhrat publike me forcë është një parakusht për të qenë në gjendje të kontrollojë dhe zbatojë Ligjin dhe Rendin. Ky mund të jetë një instrument i fortë dhe ndërhyrës, njëherësh duke lejuar policinë (e aftëson) të mbrojë qytetarët.

Autorizimet e policisë për të përdorur fuqinë fizike (dhunën)janë pra të justifikuara (arsyetuara)me konsideratën për interesat themelore të shoqërive. Për të legjitimuar këto autorizime, është i rëndësishëm besimi në zyrtarët (nëpunësit)e policisë. Besimi i qytetarëve është gjithashtu një parakusht për policinë që të kryejë detyrat e tyre në një mënyrë të mirë (ligjore).Nëse forcat policore veprojnë jashtë autorizimit apo i keqpërdorin ato, kjo mund të dëmtojë marrëdhëniet midis qytetarëve dhe policisë. Në të njëjtën kohë, qytetarët presin veprime nga policia. Prandaj, kjo do të ishte e dëmshme për qytetarët nëse policia nuk ushtron kompetencat e tyre pasi ata kanë qasje. Kjo, pra, mund të dëmtojë besimin e qytetarëve, nëse policia nuk i shfrytëzon autorizimet e tyre në të cilat kanë qasje.

***

Në një shtet ligjor, autoritetet e policisë janë të autorizuar për të zbatuar (kryer)vendimet qeveritare me anë të përdorimit të forcës (domethënë, edhe armëve aty ku është e domosdoshme, shumë e nevojshme, e pashmangshme).

Në një shtet ligjor, në parim, shteti është ai që ka të drejtën ekskluzive për ushtrimin e autoritetit policor, shpesh të referuar si “Monopoli i policisë së shtetit”ose “Monopoli i dhunës”. Një zyrtar shtetëror mund të ushtrojë autoritet policor nëse ai/ajo ka një pozicion të caktuar për një autoritet të tillë, eventualisht nëse atij personi i caktohet një autoritet i tillë.

Autoritet:E drejta për të ushtruar një pushtet, forca detyruese për t’iu bindur dikujt a diçkaje: Autoriteti i ligjit. Kryes. Përfaqësuesit kryesorë të pushtetit të një vendi: Autoritetet e larta (ushtarake) etj. 

***

Është e domosdoshme që edhe në trojet e arbrit të sundojë Ligji, i njëjtë për të gjithë, askush para ligjit.

Respekti për Ligjin është kërkesa e parë në disiplinën ku një person mund të edukohet dhe rritet në nivelet e duhura morale, intelektuale, emocionale, atdhetare…

***

KRONIKE-Plumba në kokë dhe në gjoks, detaje nga vrasja e ekstremistit grek në Dropull-

Policia e Shtetit dhe Forcat RENEA kanë njoftuar se 35-vjeçari, Kostandinos Kaçifa, që hapi zjarr ndaj tyre ka mbetur i vrarë në Bularat të Gjirokastrës.

Mësohet se kanë qenë dy goditje vdekjeprurëse që Kaçifa ka marrë, një në gjoks dhe një në kokë. Që prej paradites së sotme fshati Bularat i Gjirokastrës u ‘blindua’ nga policia, pasi kjo e fundit u vu në ndjekje të një 35-vjeçari grek që hapi zjarr ndaj mjetit të bluve. Gjithçka nisi rreth orës rreth 10:00, kur Kaçifa nisi të quante me armë zjarri në ajër, duke shkaktuar panik tek banorët e zonës, të cilët ishin mbledhur në qendër për të festuar festën e Greqisë, e cila si çdo vit po organizohej edhe në këtë fshat.

Menjëherë në drejtim të vendit nga vinin të shtënat kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat ishin të dislokuara në qendër të fshatit pasi do zhvillohej aktivitet me rastin e festës së Greqisë. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se shtetasi Kostandinos Kaçifa pasi ka parë shërbimet e policisë që po afroheshin në drejtim të tij ka hapur zjarr me breshëri ndaj punonjësve të policisë duke rrezikuar jetën e tyre.

Fatmirësisht nga të shtënat nuk pati punonjës policie të plagosur, por vetëm është thyer xhami i mjetit të tyre. Policia menjëherë ka rrethuar zonën ku përsëri i riu ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të policisë që po e ndiqnin.

Kaçifa u fut në thellësi të fshatit ku forcat “Shqiponja” dhe shërbimet e tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë vijuan krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e tij. Në ndihmë të shërbimeve të Policisë së DVP Gjirokastër shkuan forcat speciale Renea, aksion ky që përfundoi me vrasjen e 35-vjeçarit.

Autori ishte fshehur pranë depos së ujit në Bularat, ndërkohë që mes tij dhe policisë ka pasur shkëmbim zjarri. Po ashtu 35-vjeçari qëlloi herë pas here ndaj policisë pasi kur u largua nga vendi i ngjarjes kishte edhe tre karikatore me vete, ndërsa me pas u vra nga policia, duke marrë dy plagë, në gjoks e në kokë.

Filed Under: Kronike Tagged With: Aurel Dasareti, Vetembrojtja

KARVANI I FERRIT

October 29, 2018 by dgreca

Karvani i ferrit/

2Rafael-300x263

Nga Rafael Floqi/

Mikut tim Nikollë Hysa, të cilin një vjeçar, së bashku me djepin e hodhi mushka ne greminë, ndërsa nëna e tij po dërgohej tok me fshatarët për internim në Kampin e Tepelenës…./

Malet po kërrusen nën peshën e dhimbjes

Kreshta e Marlulës ngushëllon atë të Vilës,

Shkëmbinjtë gërricin faqet në vallen e gjamës,

Në fshat s’ka më as kuaj as mushka,

As keca, aq qengja, as lehje qensh lajmërues,

As gjelat s’këndojnë,

Veç korbat,

Dhe lakuriqët fole bëjnë në oxhak,

Pasi tym s’del më nga kullat,

Dhe lumi i Limit s’ka ujë por lot.

Në Vermosh kudo zjarret janë fik….

Mbi shkëmb era si kasnecë ndjellakeqe

përhap gjamëm majëkrahu si britmë:

Në Qafën e Përdelecit, në të Vjedernikut,

Është shfaqur kuçedra e kuqe

Burrat kanë ikun ….

Të tan’ po i marrin, pleq gra e ferrishta

Të tan po i mbledhin e po shkojnë,

Me gra me pleq me çuna me cuca,

Vermoshin po mbyllin në Vathën e Vdekjes,

Kelmendin duan ta shuajnë.

-Po ku je, o ku je,…  o Prekë Cali ?, thërret mali…

Të gjithë i tubuan, e mblodhën gjindjen si berra,

Tok me mbi 70 kuaj, mushka, kosha, kashunë,

pleq e fëmijë, dhe djepe,

oh sa djepe,

vuri përpara Batalioni i zbulimit….

 

Dhe kullat janë bosh….

Dhe veç era oshtin e shkërmoq dyert në pragje.

Bravat, kërcasin, kanatat përplasen

Ata gajasen…

Qentë i lehin hënës dhe kuisin duke trembur orlat

nga kufomat e burrave të vramë e të pavarrosur…..

Të tan’ i morën, të tan po shkojnë,

Dhe shpirti i Prek Calit endet fantazmë

nga shpella.

“Se di se për ku këta njerëz, po i çojnë…

Nuk mundem sot t’u prij dot gjindjes

Si Mem Smajli, në Bjeshkët e Pojanicës”.

E gjithë lama vjen erë tradhtie, gjëmon Preka.

Në shesh kanë qerthue të gjithë që i gjetën

Qe Marku, Pali, qe Gjeka qe Frani qe Kola,

Qe Mria, qe Lezja, dhe Lula dhe Pashka

Me pleq dhe ferishta dhe reja dhe plaka,

Ndër ta turfullon gjaku i Norës së Kelmendit,

Ndërsa në oborr korbat mësynë trupin e të vrarit

Që nata tradhtare, siç duket pa gjyq e vrau

“Për një faj, për të vetmin faj, se qe i pafaj

O Krisht ….

Para skuadrës të pushkatimit “Zjarri” dhe flaka,

Dhe jehona e tyre që ende zhdaravitet honesh

Fjalët e thikta “Ta vrasim, ta bëjmë shembull”,

Babën që erdhi veç për të parë të birin.

Dhe shkabat ia shqyen plakut të vdekur sytë,

Por djaloshit sytë ia lënë pa cekur.

Para bukurisë

dhe shkabat dhe orlët s’munden, kanë shpirt

Por jo njerëzit.

Dhe ashtu të vdekur e lanë zbuluar,

Vetëm 15 vjeç,

se bukuria e kishte aq të pacak gjëmën.

 

Dhe në frëngjitë e përflakuara, përzhitshëm,

Përzishëm vajtojnë e nxjerrin flakë në kamare,

Ata erdhën tok me shqaun dhe na vranë…

Në atë kullë të Calajve ku pleqnoheshin ngjarjet koha,

Ku gjykoheshin njerëzit, nderi, besa, burrnia,

atdhedashuria, feja, fisnikëria

dhe dënohej me shpërfillje paburrnia…

Por sot ka bujt i paftuar,

Toger Baba, apo toger vdekja

Tok me batalionin …

Dhe të vdekurit

Sot s’ka e s’mundet kush me i varrosë…

S’mundet.

 

“Një nënë lutet, veç të mjelë pak dhitë

Të ushqejë për udhë të dy fëmijtë,

Njëri katër e tjetri tre vjeç strukur

në koshat e një kali nuk flasin,

as luajnë me topin e grisur të leckës…

Karvani niset, kambanat e kishës janë shortitë

Zanat kanë marrë arratinë Bjeshkëve të Namuna…

Zilet e mushkave po treten ca nga ca

Duke çuar e zgjuar hamendjet e të mbeturve

Ku po i çojnë ku po e çojnë karvanin ?

Larg Vermoshit, larg Lugut të Skropatushës,

Larg Lugut të Dolit dhe shkëmbinjve të Lëpushës,

Thonë në Tamarë , tek ura 500 vjeçe,

thonë përtej në Shkodër,

Thonë larg në jug në një vend erërash

Buzë lumenjsh të tjerë, buzë malesh të tjera…

Tepelenë i thonë.

Karvani ecën, ecën por gjë s’di se ku

Ata s’ pyesin, s’munden, asnjë s’bëzan…

Janë bërë një dhe njerëzit dhe kafshët

Me ca zhurma të çuditshme thundrash zvarritëse

që habisin dhe nallbanët

Mushkat kuajt dhe hajvanët heshtin,

Dhe tërheqin zvarrë patkonjtë në pluhur.

Dhe malet klithin

e shkëmbinjtë rrezojnë gurë,

Dhe oshtijnë nga dhimbja shpellat

E tremben ujkonjat, tremben edhe mushkat,

Njëra hedh vickla

E shkund dhe rrëzon nga samari

Djepin e motakut, fluturimthi tej natës,

Rrëkëllehet mes bungjesh në greminë

Foshnja dhe djepi, përkundet mes shkrepash

”O bir ku je”, klith nana,

e me gjëmime gjame kall në flakë rrufetë e pezmit.

Ngrin karvani,

Fëmija qan se s’di të flasë ende,

Djepi rrokulliset, mes shkurresh, trandiset,

Ajo turret pas tij, ndër ferra gërvishtet

Pa, pra, një breshërimë e step, Një klithmë : “Ndal!”

Shqyhen qiellin e natës, që pa frymë grah

“Thirrja “O bir….!, i dhimbet dhe dheut ….

A ka Ajkunë qe mos kërkojë dot djalin?

Mbi bokërima, mbi shqopa, ku kacavirret djepi,

Fëmija i trembur hesht dhe fle…

E klithma e nënës që natën çau.

Bën malet të thërrasin njeri-tjetrit majëkrahu

“Qetësohu shsht, atë e shpëtuan zanat,

E Gurrës së Smutirogës që mbron nënat”.

“Ec para, para bërtet bisha …, Para!! ”

Dhe jehonat e urdhrave përthyen në harresë,

Gjersa heshtja mbretëron, gjithçka e zbrazët,

Zemra e nënës papritmas qetësohet,

Një ditë më parë i qe vrarë burri, sot i iku djali,

Ç’e do jetën le të hidhet mbi një hon…

A zemra që sa s’ plas rroket pas molike,

Por burrat me pushkë e shtyjnë, “Ec para!”.

“Ec, ec!” nuk dëgjohen më të qarat e foshnjës

Pishat e egra thurin djepet e trishtimit.

Thumbojnë dhembjen e madhe me hapa ecje,

E presin me tehe thikash shkëmbinjtë e bardhë

Që përlotin stalaktitet e gjalla e shpellës së Jacicës,

Si në defterët e tragjedive si në kryqet e varrezave,

Si në fluturimin e skifterëve dhe të bufave,

Që prekin malet me kulmin e pezmit e të dhimbjes,

Dhe karvanin e ngucin e shtyjnë të ecë para

Dhe në mes të natës një këngë mërmërisje,

Që mushkat me zilet si vajtojca për fëmijët e tretur

Dhe karvani ec, ec, duke ia marrë edhe ai gjëmës.

Ndërsa qumështi i Rozafës niset e thahet prej lodhjes

Dhe gurra e Jasicës nuk i ndihmon dot lokes.

Xhubleta u çor nga ferrat, këmisha plas nga dhimbja

Dhe nëna thith gjinjtë e saj

e për t’u ushqyer ha veten, pi dhimbjen e saj…

Dhe hana ngjallet mbi Bjeshkët e Nanuma

E përpiqet të fiksojë të rënët dhe retë

Vrasësin e tokës së varreve të burrave të mirë,

Që Kelmendi mos t’i harrojë, u qet këngë,

Burra si gurë sinori në trojet e atit…

Maleve drita papritmas përkundet në djepa drush,

Dielli nuk i beson syve të vet,

Lumi turbullon shakujt e rrokullis gurë

Dhe zogjtë dhe qielli tani janë gurë të ngrirë

Veç mushkat dhe gjëmat ecin,

Drejt shelgjeve të vajtimit marshojnë

Në fshat hingëllimat e kuajve e fundit

përzihen me zërin e gjetheve në pyll,

Drejt shelgjeve të erës të vajtimit

Marshon karvani i dhimbjes,

Te-pe-lenë, i tingëllon “të fat pa lemë”….

E tok me hapat e pleqve në natën e fundit të ferrit,

Në një këngë të re legjendash përcillet

Nga rreka e thatë e përroit të pasigurt, derdhet,

E zbret prej malesh karvani i vdekjes prore

Përtej nëntë rrathëve të Ferrit të Dantes,

Lahuta përvajshëm, përvujtshëm qan

E dredh në harqe vargjet e saj mortore,

E këlthet Malësia me zërin e At Fishtës :

“O natë e kobshme!  O natë tri herë mizore,

O nata e fundit t’ferrit,

Pse ti shtekun ia çile ushtris gjaksore”.

 

Mëngjes, për në punë

 

 

Hëna e plotë pas pemësh gjurmon fshehtas

Në këtë agim të mistershëm Halloweeni,

Nanurisjen e shoferëve që shkojnë në punë

Me makina si në karvanin funeral të gjumit.

Ajo mëngjesin pret, ende s’ka kënduar gjeli…

Shekujt e rinj, shtriga të reja pjellin

U, u, kuku, duku tek Facebook-u,… boou-ku

Mallkojnë një gjykatës dhe pse i pafajshëm,

Ç’ rëndësi ka, dhe ne qemë të pafajshme,

Me too, boo, kur shpirti digjej nga turra me dru…

Radioja ysht hënën, “Abrakadabra, t’u shoftë drita“

Dhe në këtë autostradë makabre të vjeshtosur,

Mbuluar nga një rrjetë merimange gjethesh

Një karvan njerëzish që ikin, e një karvan që vjen,

Duke cytur hënën, herë me drita mjegullash,

E duke e zbuar herë me pishtarë të kuq stopash…

E në çast, duket sikur Dielli e rrufiti kafenë,

Rreziti pyllin, e pemët i pyeti “ Si keni ndje?”

Mes dridhmash, dushqet, drodhën degët,

E Hëna si gjethe e zverdhur u rrëkëllye përdhe,

Dhe aureolën e misterit  e shoi, e fiku

E alivanosur u zbeh, dhe i humbi drejtpeshimi,

E anës një rruge u ngul si tabelë trafiku,

Ku shkruhet:

”Ndalohet rreptësisht, ëndërrimi!”

 

 

Vjeshtë

 

Një çift patash i gëzuar para shtegtimit,

zbuloi një pellg të vockël në lëndinë,

mes pemëve me gjethe ngjyrë shege

që rrëkeja e shiu e pat harruar jetime.

 

Dhe me zhurmë, përqafuan, u puthën,

s’e se dinin kur do çiftoheshin sërish,

Plot zhurmë pendët e qullëta shpupluan,

ajo qafëzezë , ai qafë ngjyrë plumb.

 

Mbi ta “V”-ja e një skuadrilje patash

shkundte prej resë pupëlore vesën,

e mështekna rrëzonte mbi baltë gjethet

si për t’ia mbuluar mëkatit gjurmët.

 

Një puthje e lashtë

 

Nuk e di se ku je ti tani,

Shumë vjet kanë kaluar,

Por nuk e di,

sesi ngrohtësia e asaj puthje

ka mbetur në kujtime…

Nuk e di

a ka një termos memoria

Për sa kohë

kur ndjenjat janë fikur

ka mbetur

ca prush

nga mumja e puthjes,

edhe pasi ti ke ikur.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Karvani i Ferrit, Rafael Floqi

Përkushtimi shpirtnor i një artisti

October 28, 2018 by dgreca

10 Autori i shkrimit me Pjerin Sheldinë

Kushtue mjeshtrit të pikturës Pjerin Sheldija/

2 AutoportretNga Pjetër Logoreci/*3 Burgosja e besimit

Si e gjithë Shqipnia edhe Shkodra ka shumë vende që mahnisin nga bukuria çdo kalimtar, vizitor apo turist të huej që (janë të shumtë). 3 Burgosja e besimit

Një qytet unik, ku në pak kilometra katrorë gjinden: liqeni, tre lumej e deti ku derdhen ujnat e tyne, si dhe parajsa e bjeshkës të virgjër. E ndër këto mrekulli, një nga objektet ma të vizituem e ma pikantë të Shkodres është Katedralja e Sh’Shtjefnit, e cila të emocionon me bukurinë e madhështinë e saj. E çlirueme nga kangjellat rrethues shekullorë, sheshi dhe krejt hapsinat për rreth Kishës së Madhe (kështu e thërrasin shkodranët), të shtrueme me gurë të latuem e pllaka cilësore, të hijeshueme me bimësi e gjelbrim, të duken si gjerdan argjëndi. Ambientet, muzeu, sallat, fushat sportive, krijojnë për të gjithë ngrohtësi e përkujdesje sociale si dhe mjedis modern e çlodhës. Në çdo kohë të ditës, por sidomos në buzëmbramje, burra, gra e fëmij, ulen ndër stolat e lulishtes, për të ndrrue biseda apo meditue në heshtje, nën hirin e madhështinë e Katedrales. Fëmijë të shumtë, të aktivizuem ndër projekte e lojna të ndryshme, i japin gjallni e sharm atmosferës.

Ndërsa i ndalun po shijojshe pamjen para mejet, i tërhequn nga vështrimet kurioze të disa njerzve të mbledhun te dera e auditorit Mikel Koliqi, vendosa të afrohem aty e të “hjedh një sy”. Pamja që m’u shfaq ishte befasuese.

Mbi një skelë rreth një metër naltësi, në veshje të thjeshtë pune, në mes ngjyrash e penelash, piktori shkodran Pjerin Sheldija po pikturonte mbi nji telajo stërmadhe (7.5 x 3m) një tablo masive, me shumë personazhe e figura impresionuese, që të egërsuem, po hidhnin gurë mbi një viktimë i cili qindronte i pambrojtun në mes të turmës. Hyra në sallë, e pa bëza u vodha në cepin tjetër tuj kundrue e tuj fotografue piktorin gjatë punës. Nga lëvizjet e trupit e nga shprehjet e ftyrës, më dukej sikur mjeshtri po bisedonte me figurat, sikur donte t’i mbushte mendjen që mos ta vrisnin viktimen.

Ishte një kompozim i piktorit, vrasja me gurë e Shën Shtjefnit, martirit të parë të Krishtënimit. Mbi 30 figura të vizatueme mbi copë, ku nëpermjet dinamikës e shprehjes së ftyrave të tyne, mjeshtri kishte arrijtë të nxirrte në pah karakterin personazheve e të zberthente idenë e tablosë. Piktorin Pjerin Sheldija e njihja nëpermjet pikturave të tij, nga një vizitë qi pata ba ma parë në Kishen e Shën Mërisë në Laç Vau të Dejës, e cila ishte e zbukurueme me piktura murale kishtare të mjeshtrit Sheldija. Në një çast pushimit, gjeta rastin të bisedoja me piktorin, i cili më impresionoj me mendimin dhe interpretimet e tabllove të tij, për të cilat e pyeta.

Pak fjalë mbi jeten dhe vepren e piktorit Pjerin Sheldija.

Mjeshtri i pikturës Pjerin Sheldija lindi në lagjen Arra e Madhe të Shkodres (afër shpisë së Pashko Vasës) me 9 korrik 1937, në një familje të njohun katolike e qytetare shkodrane.  Filloren e nisi në shkollën e Jezuitëve, ma vonë 11 Janari, e mandej në atë Ndoc Mazi. Qysh i vogël ai dha shejat e para të talentit për pikturë të cilën ja kultivoj ma ndej mësuesi i tij i vizatimit Luigj Sheldija (jo i fisit të tij), e ma vonë piktorja Nelda Gera që e pat drejtuese të rrethit të vizatimit në Shtëpinë e Pionierit në Shkoder, e cila e këshilloj që të ndiqte studimet për pikturë në Liceun Artistik  në Tiranë.

Mbasi mbaron shkollën fillore, për nevoja ekonomike familjare, Pjerini, punoj për një periudhë të shkurtë si mekanik pranë Fabrikës së Çimentos në Shkoder. Gjatë kësaj kohe hyni në kursin e pikturës në Shtëpinë e Kulturës në Shkoder, të cilin e drejtonte piktori i njohun Vladimir Jani (i cili kishte studjue në Firence me mësuesin e famëshëm Feliçe Karena), që ka pasë ndikim të madh mbi piktorët shkodranë, si njeri dhe artist. Në këtë kurs pat shumë elementë të talentuem si Selim Bilali, Ferdinand Paci, Tefë Palushi, Rudolf Daka, Gjovalin Saraçi etj. disa prej të cilëve u banë ma vonë përsonalitete të artit e të kulturës kombëtare. Nga Vladimir Jani, kursantët e pikturës mësuen, përveç vizatimit, tekniken e aquarelit dhe të bojnave të vojit.

Përpara se me fillue mësimet në Liceun Artistik, Pjerini së bashku me Bahri Jubanin krijojnë Repartin e Pikturës në Kooperativen e Fotografisë në Shkoder, që ishte i pari laborator shtetnor i këtij llojit, për të plotësue nevojat e agjitacionit figurativ të qytetit.

Në vjetin 1956, ai filloj mësimet në Liceun Artistik të Tiranës ku pat mësues Abdullah Eminin (Cangonji), Abdurrahim Buzën (drejtori i Liceut) në Pikturë e Skenografi, Kel Kodhelin në Përspektivë, Janaq Paçon e Kristina Hoshin në Anatonmi, Andrena Menon në Histori Artit, Sadik Kacelin në Pllakatë. Nexhmedin Zajmi, Shaban Hadërin e Guri Madhin në vizatim.

Me kryerjen e Liceut në vitin 1961 (me një nderprerje për të kryer shërbimin ushtarak), u  emnue mësues në Shkollen Pedagogjike të Shkoders. Gjatë periudhës së mesimdhanies ai punoj në disa shkolla të Shkodres si mësues vizatimi: në Shkollën Ndoc Mazi, Shkollën 10 Korriku, në Institutin e Lartë Pedagogjik (për ciklin e ulët). Kudo që punoi, krahas mësimdhanies së vizatimit krijoj dhe drejtoj rrethet e pikturës me nxanësit ma të përzgjedhur të shkollave, deri në vitin 1992 kur doli në pension. Krahas punës si mësues ai punonte pa ndërprerje edhe vizatime, piktura e karikatura, merrte pjesë në ekspozita të ndryshme lokale e kombëtare si dhe të botonte punimet e tija (vizatime e karikatura) në organet e shtypit të kohës si: gazeten Jeta e re (gazetë e Shkodres), Mësuesi, Puna, Bashkimi, Revisten Shqiptarja e re, Revisten Ylli, Hosteni, ku ka marrë edhe çmime kombëtare. Në Konkursin Kombëtar të organizuar në 20 vjetorin e revistës Hosteni, ai meritoj çmimin e dytë.

Si të gjithë artistët, krijimtaria e Sheldisë në periudhën komuniste i asht përmbajtë në mënyrë të detyrueshme metodës së realizmit socialist, temave të kohës. Ai ka provue të lavrojë të gjitha llojet e gjinive, tue provue çdo teknikë, por kompozimi e terhiqte ma tepër, pa lanë mbrapa portretin, pejsazhin e natyren e qetë (influencë e mësimeve të Vladimir Janit).

Gjatë rinisë së tij, Pjerin  Sheldija, përveç se piktor ishte aktiv edhe si aktor dhe skenograf me teatrot amatore në Shkoder, shfaqje që viheshin në skenë nga shoqnitë e ndryshme kulturore si dhe Shtëpia e Kulturës.

Më duhet me përmendë një ekspozitë e vitit 1982, ku mjeshtri Sheldija merr pjesë me një punim me temë “Ngritja e flamurit me 1914 në Kështjellen Rozafat”, ku ndër atdhetarët që mbajten fjalën për flamurin, ishte dhe At Vinçenc Prendushi të cilin autori e realizoj si figurë civile, mbasi ju ndalue me e vendosë në tabllo si frat françeskan. Me ardhjen e demokracisë kjo pikturë u ripunue dhe At Prendushi shihet aty, si klerik, me petkun e fratit. Sot kjo vepër ndodhet në Vatikan.

Dalja e tij në pension qëlloi në ditët e rrëzimit të komunizmit në Shqipni. Tashti Pjerini pat ma shumë kohë në dispozicion për t’ju kushtue plotësisht pikturës, por kësaj herë pikturës  së lirë nga ndikimet partiake të realizmit socialist. Ai i filloj të punojë pa nderprerje në zbukurimin e objekteve të kultit të sapo hapuna rishtas. Që nga viti 1992, mjeshtri Pjerin Sheldija ishte i pari piktor në republikë që filloj të pasqyrojë në veprat e tij përsekutimin e klerit katolik, me të paren tabllo KRYQËZIMI I SHEKULLIT XX, të cilën ja dhuroj Kuvendit Françeskan në Shkodër. Për afro 25 vjet, me qëllim ringritjen e Kishave dhe dekorimin e tyne, mjeshtri shtegtoj  në shumë krahina të Shqipnisë, të Kosovës e Malit të Zi, ku gjet mirënjohjen e respektin e popullsisë kudo ku shkoj. Ai nuk kërkoj për punën e kryer asnjë herë shuma të mëdha shpërblimi edhe pse ishte punë voluminoze. Në fillim, në kushte të vështira ekonomike, ai pranoj çka famullia  kishte mundësi me pague, por 20 vitet e fundit, punën, kohen e mundin e tij ja ka kushtue Zotit tuj punue falas. Si shpërblim, me rastin e 70 vjetorit të piktorit, Provinca Françeskane në Shkoder, botoj një album ku përmblidhen të gjitha pikturat e tija me temë fetare.

Për këtë punë të pamasë e të lodhëshme artistike, mjeshtri Pjerin Sheldija u dekorue nga Papa Benedikti i XVI me medaljen e artë “Për Kishen e për Papen”. Gjithashtu Sheldija ka marrë si mirënjohje nga shteti shqiptar Urdhërin Naim Frashëri të Kl. të parë, te Kl. dytë e të tretë me motivacionin: për merita në mësimdhënie, zbulimin dhe edukimin estetik të nxënesve të talentuem…

Mjeshtri Pjerin Sheldija punoj në zbukurimin e pothuajse të gjitha kishave të Shkodres dhe të fshatrave për rreth, si në vepra murale (kupolat, kollonat, tavanet), por edhe në pikturën në telajo. Gjurmët e tija i gjejmë në 36 Kisha e kuvende, mbrenda e jashtë vendit, tuj fillue me Katedralen e Shkodres, Kishen e Sh’Françeskut (në Gjuhadol), Kishë e Zojës Rruzare (te Arra e Madhe), Kishen e Torovicës, Kishen e fshatit Malocaj, të  Balldrenit, të Blinishtit, Kishen e Gjadrit, Kishen në Baçel, në Peraj, Nenshat, Vau Dejës, Shën Gjergj, Shtoj, Braticë (në Mal të Zi), Dinoshë, Razmë, Kishen në Bushat e Stajkë. Janë gjithësejt 203 punime e ndër to 1375 persona, pa llogaritë këtu figurat e engjëjve pa trup… Për këtë kontribut të çmuem, Bashkia e Shkoders e ka nderue me titullin “Mirënjohja e Qytetit”.

“Asht dora e Zotit, më tregon mjeshtri, nuk ka si me kenë ndryshe. Unë jam vetëm peneli në doren e të Lumit. Vetëm të mendosh që punimi më i madh më ka marrë jo ma tepër se një muej…p.sh. “Darka e mbramë” e Kishes së Barbullushit 5m x 3m asht ba për 10 ditë…Unë jam i privilegjuem që i Lumi më ka zgjedhë për ti sherbye Atij.

Asht karakteristikë e piktorit, përdorimi i motiveve kombëtare si në tematikat që zgjedh ashtu edhe në detajet, veshtjet, tiparet shqiptare e popullore të personazheve që vizaton. Mbi çdo tabllo piktori përjetëson fytyrat e shumë figurave të njohuna të çeshtjes kombëtare, të njohurve e miqve apo familjarë të tij, të cilët vetëm përsonat afër tij dijnë ti tregojnë. Në gjithë këto vite pune të mundishme e në levizje të panderpreme, ai ka pasun përkujdesjen dhe inkurajimin e grues së tij Marijes që ka kenë edhe “kritikja” e parë artistike e veprave të tij.

Mjeshtri i pikturës Pjerin Sheldija edhe pse vitet kalonjë, asht shumë aktiv, si në jeten familjare, ashtu dhe për të kryer “detyrimin shpirtnor”, (siç e quen ai), realizimin në pikturë të figurave të kultit apo të ngjarjeve kryesore të bibles. I nxitun nga besimi dhe dashtunia për pajtoren e qytetit të Shkodres “Zojen e Këshillit të mirë” që për shkodranët asht ZOJA E SHKODRES, mjeshtri ka realizue në pikturë figuren klasike të Zojës që mban në krah fëmijën e saj, Jezusin, por me veshje kombëtare të zonës së Shkodres, diçka krejt e veçantë në fondin e pikturës tradicionale shqiptare.

Së fundi, punimi i tabllosë gjigande me përmasat 7.5m x 3m, që i mori  shumë kohë dhe energji asht drejt përfundimit, e mjeshtri Sheldija asht krenar që ajo do të vendoset në krahun e majtë të altarit kryesor të Katedrales, përballë pikturës “Bekimi i Gurit Themelit” të Katedrales (7 prill 1858), të piktorit akademik Simon Rrota, që ai e respektonte shumë.

Faleminderim e Respekt Mjeshtër, për punët me vlerë që po i len artit, brezave të tjerë, Shkodres dhe gjithë Shqipnisë .

Vjenë, me 23 tetor 2018

*Per me shume foto simone e shihni ne facebook(dielli vatra)

Filed Under: Featured Tagged With: piktori Pjerin Sheldija, Pjerin Logoreci

Kosovë-Dialogu me Serbinë përsëri në axhendë Kuvendi

October 28, 2018 by dgreca

-Në Kosovë, kërkesa e opozitës për seancë të jashtëzakonshme Kuvendi për dialogun me Serbinë përsëri në axhendë. Kërkesa e 42 deputetëve/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 28 Tetor 2018/ “Kërkesa e 42 deputetëve për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për debat parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjimit të kufijëve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”, është nesër përsëri në axhendën Kryesisë së Kuvendit, e cila mblidhet me kryetarët e grupeve parlamentare edhe për përgatije të një seance të re plenare.

Në Kuvendin e Kosovës, në fillimin e sesionit vjeshtor, as maxhoranca as opozita nuk i kishin numrat për kuorum në dy seancat ejashtëzakonshme të ftuara lidhur me dialogun me Serbinë, njëra me kërkesë të qeverisë e tjetra me kërkesë të opozitës. Maxhoranca dhe opozita bojkotonin njëra-tjetrën, ndërsa deputetët e Listës Serbe i bojkotonin të dyjat.

Kuvendi i Kosovës nisi sesionin vjeshtor pasi ishin ftuar dy seanca të jashtëzakonshme për t’u mbajtur brenda ditës së martë të 4 shtatorit, ku rikthehej debati për dialogun Prishtinë-Beograd në Bruksel, me të cilin u përmbyll sesioni vjeshtor me një seancë tëpapërfunduar në 30 korrik.

Gjatë ditës së hënë të 3 shtatorit, seancat e jashtëzakonshme për ditën e nesërme – të martë u ftuan në dy mbledhje të  Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare, njëra e mbajtur pasdite pas një kërkese të javës paraprake nga opozita e tjetra në mbrëmje pas kërkesës së qeverisë  që u mbledh pasditen e po të hënës.

Jo sipas renditjes së kërkesave, fillimisht u ftua nga ora 9:00 të mbahet seanca e jashtëzakonshme me të vetmen pikë në axhëndë: “Shqyrtimi i Propozim-vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.

Ndërsa, për në orën 10:00, ishte ftuar seanca e jashtëzakonshme poashtu me vetëm një pikë në axhendë: “Debat parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Por, seanca e jashtëzakonshme e kërkuar nga qeveria vetëm nisi dhe pas disa shtyrjeve nuk përfundoi në mungesë kuorumi. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli paralajmëroi se seanca do të vazhdojë në momentin kur do të ketë numër të mjaftueshëm të deputetëve.

Pas kësaj, po ashtu, për shkak të mungesës së kuorumit, edhe pas shtyrjeve as nuk ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e  kërkuar nga opozita.

Në seancën e 13 Shtatorit me 40 pika në axhendë po që nuk përfundoi përsëri shkaku i mungesave të kuorumit, opozita, LDK e LVV,  duke u larguar nga salla plenare kanë paralajmëruar se nuk do marrin pjesë në seancat e Kuvendit derisa të mbahet seanca ejashtëzakonshme që e kanë kërkuar lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Ndërkohë, në 20 Shtator, Kuvendi i Kosovës u mbledh në një seancë të jashtëzakonshme, të kërkuar nga opozita, për të ratifikuar tre marrëveshje ndërkombëtar, për të cilat duhen dy të tretat e votave – të së paku 80 deputetëve të parlamentit 120 anëtarësh.

Edhë në 18 tetor opozita mori pjesë në seancën e Kuvendit dhe votoi unanimisht Pakon e tre projektligjeve drejt Ushtrisë së Kosovës, në shqyrtimin e parë.

Por, dy partitë më të mëdha opozitare LDK e LVV kanë vijuar mospjesëmarrjen në  seanca të tjera të rregullta, derisa kërkojnë edhe zgjedhje të parakohëshm parlamentare.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Dialogu me Serbine, Kosove

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT