• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2018

Koreano- jugorja e dashuruar në Kosovën

November 9, 2018 by dgreca

Për mua Kosova është  dhe do të  mbetet një  vend i rëndësishëm që  ka një  ndikim të  madh në  jetën time, thotë Eunji Lee./

 1 Engji1 shkolla katolike2 enxhi koreane

… Është nxënëse e klasës 11 në “Loyola – Gymnasium“ në Prizren, ku i vijon mësimet që nga klasa e gjashtë/

Nga Enver Sulaj/

Emri i saj është Eunji, por të gjithë e njohin si Engji, një trajtë e veçantë emri në gjuhën shqipe e identitetit të saj kosovar. Familja e saj është me prejardhje nga Korea Jugore dhe që nga viti 2001 jetojnë në Kosovë. Është nxënëse e klasës 11 në “Loyola – Gymnasium“ në Prizren, ku i vijon mësimet që nga klasa e gjashtë. Vitin e kaluar, ajo, bashkë me familjen ka qëndruar për një  vit në  Korenë Jugore, ku i ka vijuar mësimet në  shkollën “Taejon Christian International School (TCIS)”. Është rikthyer sërish në Kosovë, me përshtypje dhe përvoja të reja, por nuk e fsheh aspak dashurinë dhe simpatinë për vendin dhe njerëzit këtu.

Ishte një fillimi i ri, me një kurrikulë IB program, me të cilën nuk isha mësuar, thotë në filim të rrëfimit të saj Eunji. Ashtu si në Kosovë, edhe atje nga klasa e dhjetë kishin filluar me një kurrikulë të re dhe vështirësitë e shumta i kam përballuar me ndihmën e shoqërisë dhe të profesorëve.

Përveç pjesëmarrjes në kamp, ajo thotë se për ta kaluar kalsën e 10-të, secili nxënës ishte i detyruar të kryente një projekt me temë shoqërore, të cilin mund ta zgjidhnim vetë. Unë për këtë  projekt e zgjodha titullin “Ta njohim Kosovën”, që e kam ndarë në  katër pjesë, ku përfshihej hyrja, qytetet, ushqimet dhe natyra e Kosovës. Gjatë prezantimit të projektit në fund të vitit, nxënëst, profesorët, prindërit dhe vizitorët tjerë  kishin përshtypje  shumë  të  mira. Shumë njerëz ishin kureshtarë  të  informoheshin mbi një  vend të  panjohur e të  padëgjuar dhe mbetën të habitur e gojëhapur me bukurinë  dhe traditat e Kosovës. Shumë  prej tyre shprehën dëshirën  që  në  të  ardhmen ta vizitojnë  Kosovën.

Ajo thotë se një ngjarje shumë  e rëndësishme gjatë  këtij viti ishte “Olimpiada dimërore 2018” e cila u mbajt në PyeongChang, Kore. Ishte një skitar nga Kosova, të cilin ne si familje kishim dëshirë  ta takonim, por nuk ia arritëm, megjithatë, kisha nderin që t’i  vizitoja dhe të  shihja nga afër lojërat e mbajtura dhe t’i  admiroja sportistët që  me vite ishin ishin përgatitur për ato momente. Përveç kësaj, kam pasur mundësi  të  shihja një  koncert të  shumë  artistëve koreano- jugorë  të  muzikës K-pop.

Kjo përvojë  më  mësoi shumë  gjëra për jetën në  Kore dhe mbi njerëzit e kulturën koreane dhe më  dha një  perspektivë  më  të  gjerë  për prejardhjen time. Mirëpo, para së  gjithash, sërish më  mori malli për Kosovën dhe për shoqërinë që  kam këtu. Për mua Kosova është  dhe do të  mbetet një  vend i rëndësishëm që  ka një  ndikim të  madh në  jetën time, thotë Eunji Lee.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: e dashuruar në Kosovën, Enver Sulaj, Koreano- jugorja

DIALOGU-KOSOVA PARALAJMËRON NDËRPRERJE, SERBIA KUSHTËZON

November 9, 2018 by dgreca

PRISHTINË, 9 Nëntor 2018-Gazeta DIELLI/ Për dialogun Kosova paralajmëron ndërprerje, Serbia kushtëzon – janë raportimet e shtypit të sotëm të Prishtinës ndërkohë që dje në Bruksel u zhvillua një takim tjetër i presidentëve Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Shefja e  Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini:KOSOVA PARALAJMËRON NDËRPRERJEN E DIALOGUT ME SERBINË NËSE NUK KA LIBERALIZIM TË VIZAVE-

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe zëvendësi i tij, Enver Hoxhaj, kanë përmendur mundësinë e ndërprerjes së dialogut me Serbinë nëse Këshilli i Ministrave të BE-së në muajin dhjetor nuk e vendos në agjendë çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ata e kanë vlerësuar të arsyeshëm ndërlidhjen e këtyre dy proceseve në qoftë se BE-ja nuk e mban pretimin e dhënë për vizat, shkruan gazeta “Epoka e re”.

Sipas tyre, nuk është e drejtë që Kosovës t’i bëhet presion për dialog duke ua mohuar qytetarëve të saj të drejtën për të lëvizur pa viza në Zonën Shengen.

 SERBIA KUSHTËZON VAZHDIMIN E DIALOGUT ME TËRHEQJEN E TAKSËS PËR MALLRAT SERBE NË KOSOVË

Takimi mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndodhi në Bruksel të enjten mbrëma, edhe pse kishte spekulime se mund të mos vinte deri tek ai takim për shkak të acarimit të Serbisë me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të vendosur taksa për mallrat që importohen nga Serbia.

Por edhe pse ndodhi, takimi ishte më i shkurtër sesa që pritej, shkruan sot Koha Ditore.

Si zakonisht, lehtësuesja e dialogut, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, së pari pati takime dypalëshe, fillimisht me presidentin e Kosovës e pastaj me atë të Serbisë, për të vazhduar në një takim jo edhe aq të gjatë me të dy presidentët së bashku.

Por pas takimit të të dy presidentëve, Vuçiqi tha se vazhdimi i dialogut varet nga “pala shqiptare”, e cila “nuk po zbaton asnjë marrëveshje që ka nënshkruar”, duke kritikuar Kosovën për shkelje të Marrëveshjes për CEFTA me vendosjen e taksës prej 10 për qind për mallrat që importohen nga Serbia, si dhe për atë që ai e quajti “kërcënim ndaj serbëve të veriut”, duke menduar në deklaratën e kryeministrit Haradinaj për vendosjen e një togu të ushtrisë së Kosovës edhe në veri./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: dialogu, Kosova nderpreje, Serbia-Kushte

FALEMINDEERIT QË MË DËNUAT!

November 9, 2018 by dgreca

Shefqet Dobra

NGA SHEFQET DOBRA/Ish i dënuar politik/

Rakip Dervishaj, pas dhjet vjetësh, u lirua nga burgu; në Vlorë e dërguan si të “dëbuar”, në kooperativë duhet të punonte. Në kooperativë, orari nuk respektohej, e diela nuk ishte ditë pushimi si në ndërmarrjet shtetërore, edhe kur binte shi, nuk u paguhej dita. Dita e punës- dmth, një ditë punë në kooperativë, quhej një normë. Për ta sqaruar: nëse norma në bërje kanali, ishte nëntë metrokup- kush bënte nëntë metrokup- thuhej se ka bërë një ditë pune, ose: 100 pikë, kush bënte katër –thoshin: 50/të pikë, dmth, gjysëm norme, gjysëm dit pune . Në fund të vitit llogaritej sa të ardhura kishte kooperativa, ato pjesëtoheshin për ditët- normat- dhe qëllonte që për një normë- sidomos kooperativave malore, mund ti binte për të marrë:- 20 lek të vjetra për një dit pune- dmth- për një normë. kurse kooperativat  fushore, ishin më me fat, prodhonin më shumë- u shkonte dhe 100, lek të vjetra ditës, nëse kishte bërë çdo ditë normën.

Rakipi, që nuk ja dinte punëve të kooperativës- kishte rënë i ri fare në burg, vetëm në minierë kishte punuar- mjaft që të siguronte të paktën bukën dhe pak gjizë ose ndonjë zarzavat që ta bënte supë. Gjithmonë rrinte vetëm, nuk përzihej me tjerë.

Një ditë, në pushimin e drekës, i afrohet një i brigadës dhe i thotë: – pse nuk martohesh more Rakip, të krijosh familje?

-Po kush më merr mua more: kështu si jam katandisur..- i përgjigjet..

-Të marrin ore, pse s’të marrin- i thotë.

-Po kush guxon të më japë vajzë mua?

-Po gjej ndonjë të sojit tënd.

-Pse ore, keni filluar të martoheni edhe brenda sojit ju?

-Jo more jo, të jetë si ti nga biografia.

-Nuk kam qejf të martohem, po….

-Pse more, po është më mirë për ty.

-Po, është më mirë, është po, martesa sjellë edhe fëmijë, po… po sikur t’u mbushet mendja prapë të më çojnë ne burg, ku ti lë ata?  Më mirë jam kështu, kur rafsha mos u vrafsha. Të bëhet si të bëhet, nuk e kamë mendjen prapa.

-Unë të them: martohu se kështu është më mirë.

– Faleminderit po… me që ma dashke të mirën, ma jep gocën tënde.

-Joo, se…

-Pse ke frikë?  Ti je me biografi të mirë, ça të pengon? Meqë ma do të mirën, meqë më qave hallë- po të them. Duhet ti jesh mirnjohës atij që ta do të mirën.

-Epo, nuk i kemi njësoi kushtet.

-Po për atë familjen tjetër, pse nuk mendon si për vete?

-Për të mirën tënde e pata- i tha.

-Të faleminderit shumë, e kuptoj që më do të mirën por.. dhëndër nuk ke qejf të…

Një ditë, kur po kthehej nga puna, me lopatë e kazëm në krah, i lodhur e i mërzitur, kokë ulur, kishte humbur në mendime veta kur, pa pritur- dëgjoi ti thonë: – në emër të popullit, je i arrestuar, duart mbrapa! U drejtua, lëshoi veglat në tokë, i shikoj dhe, kur njëri po i vinte “byzylyket” – u tha:-E dini sa mirë bëtë që erdhët e më….

-Natyrisht! Të merresh me veprimtari armiqësore sigurisht që e pret dhe arrestimin.

-Jo, jo, edhe ju e dini që nuk e kam bërë atë gjë se, ça do fitoja?

-Sigurisht! Pse dimë çdo gjë që bën, ku shkon e me kë bënë plane, erdhëm të vëmë hekurat! Në prezencën tënde të kontrollojmë shtëpinë.

-Ç’far do kontrolloni?

-Shtëpinë, ta tham. Po ju nuk ditkeni kam a s’kam shtëpi more, nga dini se qenkam marr me veprimtari…hëh…  Unë dy batanije,  dy çarçafë dhe një dyshek me kashtë kam, edhe këto, të kooperativës janë, nuk kam asgjë timen, atje në një koçek të misrit, më kanë dhënë një vend të rri.  Shkoni ju, unë nuk kam gjë për të marrë,  bëni ç’të doni me to, vetëm një gjë u kërkoj, t’ja dorëzoni kooperativës se mos më akuzojnë , për përvetësim e pasurisë përbashkët, të atyre vjetërsirave.

Në hetuesi pranoi çfarëdo që i thanë.  Një ditë e çuan ti bëjnë gjyqin. Pasi bënë formalitetin, dëshmitarët të njohur e të pa njohur, thanë ça deshën- si i kishin porositur. Prokurori- i tha: -je dakord?

-Ç,më pyetni mua, jam a sjam?  Unë kam pranuar ça keni dash ju.

-Se i ke bërë.

-Jo zati prokuror jo! po nuk fitoja gjë, po mos pranoje.

Prokurori kërkoi dhjetë vjet burg dhe gjykatësi kur dha pretencën -tha: gjykata vendosi: Për veprimtarinë armiqësore, për agjitacion e propagandë kundër partisë e pushtetit popullor,  duke dashur të helmojë ndërgjegjen e shokëve, sidomos të rinjve,  dënohet me dhjetë vjet burg dhe konfiskim të pasurisë. Ke gjë ti thuash drejtësisë?- i tha gjykatësi, ç’far i kërkon gjykatës?

-Ça të them unë Zoti kryetar i seancës, shikoni ato vitet ju, pa, për pasuri, rrapin e trapin kam unë, nuk keni ça të më merrni as ça të lini.- tha Rakipi

– Edhe këtu në sallën e gjyqit, armiku volli vrer kundër drejtësisë popullore,  ndërpresim seancën- tha.  Dy orë pushim. Pas dy orësh u futën në sallë dhe vazhduan gjyqin: – I pari e mori fjalën përsëri prokurori-  I  pandehuri, pikërisht këtu në tempullin e drejtësisë popullore, volli vrerin kundër drejtësisë popullore pa ju dridhur syri as goja; unë  propozoj  ti japim edhe pesë vjet tjera, për ofendimin që i bëri trupit gjykues , në total pesëmbëdhjetë.

E mori fjalën kryetari i seancës: edhe unë- tha gjykatësi- mendoj ashtu si tha prokurori, në total i bëhen pesëmbëdhjetë vjet burg. E ke ti fjalën- ça do i thuash?- i tha gjykatësi. Rakipit, pa e shikuar fare u ngrit më këmbë, shikoi një herë sallën në të cilën ishin  vetëm dëshmitarët  – tha:- Falënderoj trupin gjykues që m`a shtoi dënimin- Ata shikuan njëri tjetrin.- sepse vazhdoi- këtu unë isha krejt i vetmuar dhe heshti. – Se nuk ke merituar të kesh shokë- i tha gjykatësi. Jo,  zoti gjykatës jo, po kishin frikë të rrinë me mua, si të isha  bishë e do i kafshoja

-Edhe më keq se kaq, do i helmoje! Prandaj të kanë ndenjur larg.

-Jo, o zoti gjykatës jo, kishin frikë të rrinin me mua se, po ti shikonit ju, u kërkonin llogari.

-Dmth, nuk kërkon mëshirë, je koshient për armiqësinë që ke bërë.

-Mëshirë…!  Përkundrazi, ju më dëgjuat që u falënderova- Ata po e shikonin –  Se këtu mu qelb goja more Zoti gjykatës! Nuk kisha me kë të flas,  edhe kur merrja bukën në dyqan, nuk flisja, jepja lekët, më jepte bukën, aq gram sa ishte racioni, kusurin, nëse kisha për të e merrja dhe, drejt e në koçek, shkoja. Po deshët mos më vononi, të shkoj sa më shpejt në Spaç, te shokët e mi.

-Atje do të çojmë! – i tha

-Faleminderit shumë. Atje nuk do rri me frikën e burgut se, në burg jam.

-Edhe atje të arrestojmë prapë, po nuk ndenje rehat- i tha gjykatësi.

-Sa herë të keni qejf, vetëm mos më lironi se nuk e duroj dot vetminë! – tha Rakipi.

-Merreni, na e hiqni nga sytë këtë specje të pa parë – tha gjykatësi

– Të rrojë partia që nuk më la të më qelbet goja- tha Rakipi

Mos ki merak, do të lëmë të qelbesh atje!- tha prokurori. Policat e rrëmbyen, i vunë hekurat dhe e morën për krahësh.

KË TË LË E KË TË MBAJ, NJËRIN ËSHTË BURRI, TJETRIN VËLLAI!

Sapo lamë punën, nuk na lan të shkonim në shtëpi, kemi mbledhja- na thanë.

I deleguar ishte sekretari i partisë të ndërmarrjes- Petraq Nushi. Pasi na foli Petraqi për situatën politike nëpër botë- kështu fillonin gjithnjë këto lloj mbledhjesh – shtoj: -edhe këtu mes jush, ka armiq që vjellin vrer kundër partisë…. Në fund tha: këtu është Zabit Shazivari?

-Po, këtu jam.- u përgjigj Zabiti.

-Hajde këtu! Rri aty përballë kolektivit, të shohin sa i bukur je! Zabiti nuk po kuptonte gjë. Më pas i tha: – thuaj këtij populli që për qejfin tënd janë mbledhur këtu, në vend që të shkojnë në shtëpi.- fol për armiqësinë tënde.

– Nuk di gjë, shoku sekretar.

– Nuk di, ëh? kush ka për të folur, meqë ky nuk pranon. Me lej tha Zan Hasko, po më shumë i thoshin: Zan Fiku- ngaqë ky Zani, kishte bërë dhjet vjet burg për  vjedhje shtëpishë, por ky shquhej edhe për; meqë fshatarët i varini kusitë me qumësht në fikun në oborr, në mëngjes e gjenin qumështin pa ajkë, se e hante Zani, natën, prandaj i thoshin: Zan Fiku.

-Kur po shkonim një ditë në Divjakë, kaloi një makinë jugosllave, ky shoku sekretar- tha: -makinat jugosllave janë shumë të mira.

-Hë more, ç’ke dash të thuash me këtë, pse i paske lavdëruar kaq shumë makinat e tyre?

-Shoku sekretar, ky më pyeti, dhe unë i thash se janë të mira, ku qëndron armiqësia ime këtu?

-Si more nuk qenka armiqësi, të lavdërosh prodhimet e tyre, do të thotë se nuk të pëlqejnë prodhimet tona, edhe këtë do e mohosh? Kjo tregon se ti, ndjek rrugën e babës tënd,  tradhtarit, armikut të parisë.

-Shoku sekretar, unë nuk mburra makinat Jugosllave për të nënvlerësuar tonat, ne nuk prodhojmë makina.  Ku qëndron armiqësia ime këtu?  Këtu dua ta thotë Zan Fiku.

-Mjafton që i mburrur- tha Petraqi

-E shikon shoku sekretar? Tha Zani- Edhe mbiemrin ma ndryshon- të gjithë qeshën.

-Sekretari shikoj sallën, nuk po kuptonte. Më pas iu drejtua: -Pse i thua kështu?

-Kështu ka mbiemrin, si ti them ndryshe. Nëse nuk i pëlqen mbiemri, le ta ndërrojë.–Shum vetë e dinin se “Fiku” e kishte mbiemri.

Kur kuptoj arsyen sekretari, u nxeh më shumë, edhe nuk la gjë pa i thënë, duke u mbështetu vetëm te i ati, që ishte cilësuar “armik” i popullit e partisë.

Aty nga mesi i natë, të gjithëve, pas asaj dite të lodhshme, na hapej goja për gjumë, papritmas pas shpine dëgjuam një plakë që mallkonte Zabitin, ishte e ëma.:- haram qumështin që ke pirë nga gjoksi im. Ke mohuar gjakun e dajës tënd, që është dëshmor mor qelbanik- për të gjithë kjo qe e pa pritur.

-Po jo moj mama, nuk e kam mohuar dajën,  nuk kam bërë gjë, për kokën tënde, po Zan Fiku se ça ka trallis, nuk ka bërë gjë të keqe.

-Ky, moj shoqe, ka ndjekur rrugën e babës, jo të dajës- tha Petraqi.

-Ç’ma zini me gojë atë, ai është armik, Zabitin e kam rritur unë, motra e dëshmorit, jo ai.  Ishte burri im, po ne e kemi fshirë nga mendja jonë. Për ne të rrojë partia, për atë ka dhënë jetë valloi im. Unë… unë.. nëse ky, ikur edhe emrit t’i përmend të atit, e mohoj për djalë.

Ndërsa kjo mallkonte djalin e burrin, Petraqi aprovonte duke luajtur kokën.

Në fund, i dha paralajmërimin e fundit, nëse gabonte edhe një herë- vetëm për hatër të kësaj plakë- që mohoj burrin,, si armik dhe, vlerësoj gjakun e vëllait që dha jetën për atdheun, po të fal. Por ti  duhet të na bindësh jo me fjalë, po me vepra se e mohon babën, për ndryshe, e di ti se ku përfundon?. o me babën o me dajën.

Të gjithë shikonin sekretarin,  u këputëm për gjumë, pritnim të na thonë: mbledhja mbaroj.   Sekretari shfletonte ca letra dhe tundte kokën, sikur një hall të madh kishte.  Kur ngriti kokën  shikoi  mëkëmbësit e tij, që i kishte në dy anët, të cilët rrinin si pult, e shikonin në sy; papritmas- pyeti: këtu është Riza gega?

-Këtu jam- tha Rizai.

-Hajde këtu, hajde! – I tha

-U ngrit Rizaj, po ecte ngeshëm ngeshëm, pa e prishur terezinë fare.

-Më shpejt se nuk të kemi thirrur për krushk, që më ecën  ashtu.

-Mos u mërzit o shoku sekretar, nuk po mërzitemi neven që kemi punur gjith ditën, ke kohë, nata është e gjatë. Sekretari e shikoi gjithë inatë  Kur shkoi atje ku i thanë, u kthye nga salla duke i kthyer shpinë, Petraqit dhe atyre që ishin ulur në dy anët e tij.

-Riza Gega, Riza Gega! Iu kërcënua. Pse ti, kur janë bërë votimet për këshillat popullor, ke bërë çmos t’u mbushësh mendjen njerëzve, të mos i votojnë ata që i kishte zgjedhur partia?

-Votimet ka dy vjet që janë barë, more shoku sekretar- tha Rizai.

-S’ka rëndësi kur janë bërë, ti përgjigju përse të pyeta!

-Shoku sekretar- iu drejtua Petraqit- kandidatët i caktoni ju, ne nuk kemi të drejtë të fshijmë ndonjë emër, vetëm të marrim fletën, ta fusim në kuti. Kur është këshuna, si do u thosham njerëzve unë: mos voto ktëna apo atëna?

Këtu u nxeh muhabeti midis Petraqit dhe Rizait, të dy e ngritën zërin, Rizai, nuk ishte Zabiti,  nuk  mposhtej kollaj , xha Rizai. Në fund, e humbi durimin sekretari- i tha: – tani, nuk mbeti gjë tjetër veçse të çuhemi me pëllëmba syve, dhe po e shikonte drejt në sy, si bisha prenë e sajë.

-Shoku sekretar, tyven, nuk të kanë bërë sekretar, për të rrahur njerëz por, të na mbrosh ne nga padrejtësitë që na bojnë. Nëse ndonjërit i është mbushur menja, kushdo që të jetë- shikoi sallën- le ta provojë po deshi, po të mendohet mirë! Nuk kom ngron pllama syve una, deri më sot.

-E shikoni armikun! Edhe partinë e kërcënon. Nuk e di ky se….

-Shoku sekretar, lere partinë, nuk kam gja me partinë una, po flas për këta këtuna në sallë,  kurrë nuk do ndodhë kjo gja, sa të kem frymëm. Kjo e xhindosi shumë Petraqin, Nuk la fjalë të ligë pa përdorur por, të njëjtën faturë mori prej Rizajt. të gjithë shikonin si të shtangur, si Rizai i përgjigje ashtu, njeriut më të fuqishëm të partisë që kishte ndërmarrja. Petraqit, me Rizan, i hasi sharra në gozhdë, nuk i kishte ndodhur kurrë me ndonjë tjetër kështu. Ndërsa Petraqi fliste si i xhindosu, nga pa durimi ishte ngritur më këmbë, Rizai dukej sikur nuk i bënin përshtypje fare ato që thoshte ai.

Ishte orën një e natës, kur i dha fund fjalimit me kërcënimin: do e marrësh vesh si do përfundosh o Riza Gega!- i tha.  Rizai vetëm e shikoi po, mos përfillja që tregonte qëndrimi i Rizait e xhindosi shumë Petraqin. Kur thanë: mbledhja mbaroj, turma, sikur shpëtuan nga zinxhiri u turrën drejt derës, ishin këputur për gjumë,  Rizai doli nga mbledhja më krenar nga Petraq Nushi.

Pas tre vejtsh, e burgosën Rizanë, por pëllëmba, nuk mundën ti japin.

Pas ca ditëve, te puna, në pushimin e drekës, i thamë nënës të Zabitit: -shumë e mallkove burrin! Duhet tja heqësh atësisë djalit, ta  shkruash pa babë ?

-Po ç’të bëja more biri nënës, për të shpëtuar djalin, mallkova burrin, një nëne tjetre, i bie të mallkojë vëllanë, eh… kështu… pështyj lart të bie në sy, pështyj poshtë, të bie në gji. S’ka rrugë tjetër!

Filed Under: LETERSI Tagged With: faleminderit, qe me denuat, Shefqet Dobra

Timokracia e Platonit

November 9, 2018 by dgreca

1 astriti

Nga Astrit Lulushi/

Timokraci do të thotë qeverisje me tru, me vlerë apo me nder. Platoni e karakterizon timokracinë si përzierje regjimesh – aristokraci e oligarki. Si në demokracinë e sotme, edhe në kohën e Platonit, sistemet qeverisëse duket se nuk i respektonin rregullat e lojës. Të vetëquajturit timokratë përbuznin veprimtarinë dhe tregtinë dhe udhëhiqnin me parti a bashkësi. Ashtu si oligarkët, ata tregoheshin të pangopur me pasuri dhe nuk u besonin mendimtarëvd që të vendoseshin në pozita pushteti. Në të kundërtën e emrit që mbanin, timokratët kishin prirje për të grumbulluar pasuri në mënyra të dëmshme e korruptive, dhe për t’i fshehur zotërimet e tyre nga publiku. Ata kontrollonin llumin e krimin po aq sa kontrolloheshin prej tyre. Ligjet e tyre mund të imponoheshin dhe zbatoheshin vetëm me forcën e policisë, e quajtur ‘policia e shtetit’, sikur, çuditërisht, nuk ishte krijuar për të mbrojtur popullin.
Platoni thotë në Republikën e tij, se në këtë lloj regjimi, në përzgjedhjen e zyrtarëve pëlqehet tipi i njeriut të mbizellshëm dhe me mendje të thjeshtë, mediokër. Dhe dihet pse; ky lloj njeriu bëhet besnik dhe shërbëtor i mirë i atij që e ka zgjedhur, dhe kurrë jo ndaj atyre të cilëve duhet t’u shërbejë. Timokracia është pasojë e llogarive të gabuar të klasës qeverisëse të mëparëshme, thotë Platoni, e cila duke përkrahur personat me natyrë inferiore (persona shpirtzinj ose me shpirt të hekurt dhe jo idealistët me shpirt të artë (sipas Platonit), mungesa e të cilëve ndihet kaq shumë sot.
Në kohën e Platonit, (423-347 pes) qytetet greke qeveriseshin kryesisht nga oligarki ose demokraci. Platoni paraqet një kritikë ndaj këtyre regjimeve – se kushtetutat e tyre kishin lënë pas dore dy virtyte thelbësore për një shtet të përkryer e të drejtë; përkatësisht mençurinë dhe moderimin. Këto e bëjnë njeriun të jetë më pak i dhënë pas parasë, më shumë të fokusuar në përftimin e dijeve dhe ruajtjen e virtyteteve. Kështu, thotë filozofi, duke mësuar se si të respektojë lirinë e tjetrit, njeriu njëkohësisht bëhet i bindur ndaj autoritetit, ndërsa pushtetari bëhet jo agresiv dhe jo përbuzës ndaj atyre që i vijnë për të zgjidhur një problem që kanë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Timokracia e Platonit

Bukëpermbysurit

November 9, 2018 by dgreca

1 Nue Oroshi Cameria 1

Nga Nue Oroshi /

Buka për shqiptarët ka qenë dhe është një produkt i cili ka qenë njëri ndër produktet më të kërkuara për të mbijetuar gjatë shekujve.Madje në traditën tonë shqiptare kur të ka ardhur mysafiri dhe një pjesë e familjeve që nuk kanë pasur mundësi me prit si duhet mysafirin për shkak të gjendjës së vështirë ekonomike e ka përdorur gjithmonë atë shprehjen:” Bukë e Krypë e Zemër.” Por fatkeqësisht një pjesë e shqiptarëve nga defrimet e ndyra dhe vjamosja e trurit që ju është bërë dhe nga milionat e krijuara pa djersë dhe pa mund duke keqpërdorur pozitat shtetërore janë kthyer në bukpërmbyesurit më të mëdhenj që ka pasur populli shqiptarë gjatë shekujve. Në të kaluarën nëse dikush, një i afërm apo kojshi të ka dhanë edhe një thes me miell e ke uruar dhe falënderuar me dhjetra herë.Kurse sot një pjesë e politikanëve tanë janë shëndrruar në bukëpermbysurit e shekullit. Kur Kosova ishte nën okupim ishte pikërisht kjo Evropë e cila ju bëri strehim, mjekim, rreth një milioni shqiptarësh. Ju bëri strehim ,mjekim e veshmbathje edhe shumë bukëpermbysurve të sotem në rrethana mjaftë të vështira, disave duke ju pranuar azilin politikë në bllok, disa e shfrytzuan pikërisht humanizmin Evropianë dhe vazhduan shkollime të ndryshme që ju mundësoj të avansohen në karrierën politike dhe profesionale.Por fatkeqësisht ata politikanë mbetën kunguj, e kungulli nuk noton gjithmonë mbi ujë ai fundoset dikur.E një mikë në kohën me të hershme e pat shkruar një poezi, se kungulli është kungull kudo në botë kungulli është kungull e jo patriotë. Një pjesë e politikanëve kunguj të Kosovës duke parë se genjeshtrat që i kanë proklamuar tashë e një dekad se do të bëjmë liberalizimin e vizave,madje duke hargjuar miljona euro të fondit të varfër të Kosovës, për defrime dhe shetitje të panevojshme pa angazhuarë asnjëherë një ekip profesionistësh që kanë ndikim dhe qasje në politikën perëndimorë por fatkeqësisht këta politikanë i dhanë hapësirë Serbisë që të avansohet në plasimin e genjeshtrave të saja shekullore në dëm të çështjes shqiptare.Këta bukëpermbysur në vend që ta gjejnë fajin të vetvetja që para syve të tyre lejuan shkatrrimit e palcës ashtnore kombëtare në Kosovë duke lejuar dhe dhënë hapësirë lloj-lloj mjekercapi e pantollshkurti për të vepruar sikur Kosova të ishte tokë pa zot ata drejtojnë shigjetat tek Evropa si Islamofobe dhe Albanofobe.Duke e akuzuar Evropën për fajët që si ka.
Të vetmin faj e ka Evropa që ju dha hapësirë shumë të madhe islamit politikë e veçanarisht në Gjermani që në të ardhmën do të këtë edhe ajo pasoja nga kjo tolerancë dhe ky humanizëm i tepruar.Këtu po e sjelli vetëm një pjesë të bisedës që e kisha me një bashkatdhetarë që jeton në Republikën e Schleswig Holsteinit dhe që shquhej kohë pas kohe në sharjen e gjermaneve dhe të Gjermanisë.Pikërisht kjo Gjermani në 22 vjet qendrimit të tij që si kishte bërë as 22 ditë punë i kishte dhënë mbi gjysmë milioni euro për familjen e tij ndërkohë kur i thashë more i mjerë po a i ke marrë ti nga vëllezërit e tu apo baba i yt këtë shumë të parave për këto vite ai atëherë heshti. Por shtrohet pyetja se pse politikanët tanë e kanë filluar luftën kundër Evropës për gabimet e tyre në shkatrrimin e shtetit të Kosovës, që fatkeqësisht e kanë futur edhe në pazar këtë shtet. Pa harruar se ishte pikërisht Amerika dhe kjo Evropë që investojë me miliarda Euro në shtetin e Kosovës, mjete që i dorzuan institucioenve të Kosovës që fatkeqësisht për shumë këto mjete nuk dihet se nga shkuan dhe si u shfrytzuan.Prandaj fillimi i luftës me Evropën i politikaneve kunguj të Kosovës, dhe jo me armiqtë tanë Serbinë, Rusinë dhe Turqinë që po punojnë bashkarisht për shkatrrimin e shtetit të Kosovës, tregon qartë se politikanët kunguj duhet të ikin nga politika e Kosovës. Duhet ta dinë qartë këta bukëpermbysur se nuk shkon gjithmonë kungulli mbi ujë dhe ata duhet të japin përgjegjësi penale, morale dhe shtetërore për të gjitha këto të keqija që ja bënë shtetit të ri të Kosovës…

Filed Under: Analiza Tagged With: Bukëpermbysurit, Nue Oroshi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 24
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT