• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2018

25 vjet të revistës Kuq e Zi ( tetor 1993-2018)

November 3, 2018 by dgreca

NGA FRANK SHKRELI/

Fund javën që kaloi, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptarë në Belgjikë organizoi takimin me shkrimtarin dhe botuesin Lek Pervizi, me rastin e 25–vjetorit të revistës kulturore euro–shqiptare, “Kuq e Zi” dhe botimit të dy librave: “Gjenerali” dhe “Odiseja e pafajsisë”.

Me shembjen e komunizmit në Shqipëri dhe në Evropën lindore, qindra mijëra qindëra mijëra shqiptarë janë larguar nga Atdheu për në vendet perëndimore.  Aty ku janë vendosur shqiptarët për të ndërtuar një jetë të re për veten dhe familjet e tyre, janë shtuar edhe gazetat, portalet e revistat në gjuhën shqipe.  Intelektualë, gazetarë individë ose grupe individësh drejtojnë ente të tilla mediatike anë e mbanë diasporës shqiptare në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara.  Njëri prej tyre, Z. Lek Previzi, i njohur gjithashtu edhe si — “Piktori i kampeve të vdekjes të regjimit të Enver Hoxhës” — është një i ish-përndjekur dhe vuajtës i kampeve të internimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili ç’prej vitit 1993, boton në Bruksel revistën “Kuq e Zi”, e cila këtë vit shënon 25-vjetorin e botimit të saj në internet.

Është një revistë patriotike, mbi të gjitha, pasi ashtu e kishte përcaktuar misionin e saj në editorialin e parë, botuesi Previzi, ku thoshte se revista Kuq e Zi do të synonte të shërbente si tribunë shqiptarizmi, “Ku ata që vuajtën dhe u sakrifikuan nën dhunën komuniste gjatë një gjysëmë shekulli, të kenë mundësinë të shprehin e të tregojnë aftësitë e tyre në fusha të ndryshme të dijes e të kulturës.”  Siç dihet, jo të gjithë ata që ishin të dënuar në ato kampe, patën fatin të dilnin të gjallë nga kampet e përqendrimit të regjimit më të egër komunist në Evropën Lindore.  Njëri prej këtyre dëshmitarëve që i shpëtoi vdekjes në kampin e Tepelenës është edhe Lekë Pervizi, pikërisht botuesi i revistës Kuq e Zi, një nga vuajtësit dhe dëshmitarë të jetës në ato ato kampe dhe siç thotë edhe ai vet, një prej, “Përjetuesve të asaj shfarosjeje sistematike e të planifikueme me gjakftohtësi të madhe nën diktatin e të huejve: jugosllavë, rusë e kinezë, për t’i zhdukun të gjithë tiparet shqiptare, si burrëninë, besën e traditat, ashtu edhe historinë, gjuhën e kulturën.  Këto iu nënshtruen falsifikimit e manipulimit, sipas strategjisë së ideologjisë marksiste të zhdukjes totale të trashigimisë sonë mijëravjeçare”, ka shkruar ai një editorial të revistës, Kuq e Zi.

Lek Previzi me Presidentin e Republikës, Z. Ilir Meta në Kampin e Tepelëns, ku u kujtuan të mbijetuarit e atij kampi, Gusht, 2018

Është kjo revistë pra, përvjetorin e të cilës shënuan antarët e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë në Belgjikë, të shtunën që kaloi.   Revista Kuq e Zi është një pasurim, jo vetëm mediatik, por edhe kulturor dhe politik për diasporën shqiptare në veçanti dhe për botën shqiptare në përgjithësi.  Lek Previzi, me sakrifica personale ia del, për një çerek shekulli tashti, të përgatisë botimin e revistës Kuq e Zi, me artikuj mjaft interesantë, të cilët – për nga subjekti dhe përmbajtja — rallë mund të gjënden në revistat, gazetat dhe portalet shqiptare të ditës.  Unë kam pas fatin të jem “ndeshë” në këtë portal para disa viteve dhe kam venë re se secili numër është më i pasur dhe më interesant se tjetri.Botimi i revistës Kuq e Zi ka filluar pra të botohej në Bruksel tetorin e vitit 1993, nga Lek Previzi, ky ish i burgosur politik, i cili pas shembjes së komunizmit doli nga burgjet dhe kampet e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës.  Botimi i revistës Kuq e Zi nuk ishte diçka e rastit, sipas Z. Previzi.  Duke përshkruar fillimin e vështirë të botimit, ai shprehet se “Revista Kuq e Zi, s’u krijue kot pse mu tek mue, por pse unë e kisha si një detyrë që më takonte të kryeja, në nder të atyne burrave që mendonin vetëm për përparimin e naltësimin e kombit shqiptar, ku dhe një revistë sado e vogël dhe e thjeshtë, do të lozte rol të madh.  Me këto premisa ishte si një formë amaneti që unë duhej të përmbushja.  Sigurisht se në këto kushte, pavarësisht se gjendëshim në botën e lirë, truri ynë ishte akoma i bllokuem, nga ndikimi i shtypjës së diktaturës.  Dashje pa dashje, truni ynë ishte formatuë dhe duhej kohë që të rikthehej në gjendjën normale”, ka shkruar Leka.

 

Kështuqë, me gjithë problemet dhe sfidat fillestare, sidomos ato financiare, Leka ai doli, ja arrijti që më në fund në Bruksel, siç thotë edhe ai vet, “Po ripërtrihej nisma e Faik Konicës, pas rreth 100 vjet, jo me titullin “Albania” por Kuq e Zi”.   Kjo u bë e mundur, shkruan Previzi, me ndihmën dhe me inkurajimin e disa miqëve të tij të dalluar si, Mikel Koliqi, Guljelm Deda, Mitat Araniti, Lazër Radi, Arshi Pipa, Nermin Vlora, Renzo Falaski, Injaz Zamputi, Mark Dema, Zef Pllumi, Nikoll Mazrreku, Ndue Pjetër Gjomarku, Tef Krroqi, J-H. J Lanksch, Myrteza Bajraktari; Idriz Bésha, arbëreshi Vinçenz Golletti Baffa, etj., prej të cilëve erdhën përgëzime dhe urime dhe të cilët, fatkeqësisht, nuk jetojnë më.

Por me kohë, nisma modeste e botimit të kësaj reviste, sipas botuesit të saj, ndryshoi dramatikisht me paisjen me kompjuter, gjë që rriti cilësinë si dhe shpërndarjen e revistës.  Përballë mos aftësisë për të përballuar shpenzimet e botimit të revistës, ai vendosi që si alternativë, revistën Kuq e Zi ta botonte në internet, ndërkohë që ua dërgonte një numri të zgjedhur lexuesish e miqësh të botuesit.  Z. Previzi thotë se kohët e fundit, revista është digjitalizuar komplet nga Nr. 1 deri në numërin e tanishëm 126, në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë dhe në Bibliotekën e Shkodrës, ndonëse ka kërkesa edhe nga biblioteka të tjera.

Revista Kuq e Zi, kushtar Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Lek Previzi shkruan se ai, në të vërtetë, ia ka kushtuar gjithë numërat e këtij viti të revistës, 550-vjetorit të Gjergj Kastriotit Skenderbeut.

file:///C:/Users/fgshkreli/AppData/Local/Packages/microsoft.windowscommunicationsapps_8wekyb3d8bbwe/LocalState/Files/S0/30630/Revista%20nr.%20126[56291].p

Lek Previzi është gjithashtu edhe përkthyes nga italishtja e vjetër i librit, “Veprat e lavdishme të Skenderbeut”, të Dhimitër Frangut, që konsiderohet edhe si libri i parë i shkruar për Gjergj Kastriotin Skenderbeu, një libër sipas tij i haruar nga historianët e ish-regjimit komunist, për të mos thënë i humbur.  Libri “Vepra të famshme të Skenderbeut” i vitit 1480, jo shumë e njohur ndër shqiptarë, por i vlerësuar nga të huajt, shkruar latinisht nga At Dhimitër Frangu, e përkthyer nga Previzi, cilësohet në parathënien e tij si një, “…Libër që ashtë shkrue latinisht me dorë prej Dhimitër Frangut, i cili ishte i pranishëm personalisht dhe i mirë informuem për të gjitha betejat e veprat e atij Princi.”

Në një intervistë, Lek Previzi shprehet se respekti i tij për Heroin Kombëtar ishte ç’prej rinisë dhe se kjo figurë i ndjekë të gjithë shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre.  Por, atij pas 40-vjet burgjesh e kampesh përqëndrimi – ku nuk kishte as të drejtë dhe as mundësi – më në fund iu dha mundësia që të jepte kontributin e vet në fushën e kulturës dhe historisë shqiptare, përfshirë edhe jetën dhe veprimtarinë e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit Skenderbeu – veçanërisht në këtë 550-vjetor të Tij dhe me rastin e 25-vjetorit të botimit të revistës Kuq e Zi.

Filed Under: Histori Tagged With: ( tetor 1993-2018), 25 vjet të revistës Kuq e Zi, Frank shkreli

Ministri Tahiri u prit nga i pari i drejtësisë në SHBA, Jeff Sessions

November 3, 2018 by dgreca

 1 Ok Ministri Tahiri

Washington, 3 Nëntor 2018–Gazeta DIELLI/ Ministri Kosovar i Drejtësisë, Abelard Tahiri, është pritur në takim nga i pari i drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Prokurori i Përgjithshëm z. Jeff Sessions.
Në takim e mbajtur në Departamentin e Drejtësisë, Ministri Tahiri ka shprehur konsideratë të lartë për angazhimin dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës së Kosovës dhe në veçanti për sektorin e sundimit të ligjit.Ministri Tahiri ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës për të vazhduar në mënyrë të fuqishme dhe me efikasitet luftën kundër terrorizmit, trafikimit, narkotikëve dhe pastrimit të parave.

Ministri Tahiri ka vlerësuar se mbështetja që Departamenti i Drejtësisë është duke i dhënë Kosovës dhe veçmas sektorit të sundimit të ligjit, ka mundësuar që autoritetet kosovare të radhiten përkrah forcave më efikase në botë në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit, njëkohësisht duke e bërë Kosovën një strehë të pasigurt për krimin e organizuar dhe trafikimin e narkotikëve.

Ministri Tahiri ka falënderuar Prokurorin e Përgjithshëm Sessions, për ndihmën që Departamenti i Drejtësisë është duke dhënë përmes programeve të OPDAT-it dhe ICITAP-it si dy komponente të rëndësishme në funksion të politikave legjislative dhe programore që mundësojnë fuqizimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe parandalimit dhe luftimit të terrorizmit.

1 USAID

SHBA-KOSOVË, USAID ndihmon Drejtësinë

Washington, 2 nëntor 2018-Gazeta DIELLI/

 Në kuadër të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka zhvilluar një takim në Washington me Asistentin e Administratorit të Përgjithshëm të USAID-it, njëherit udhëheqës i Zyrës së USAID-it për Evropë dhe Euroazi, Brock Bierman.
Ministri Tahiri ka falënderuar z. Bierman për mbështetjen e USAID-it në avancimin e infrastrukturës ligjore si dhe ka shpalosur ndryshimet dhe reformat që janë ndërrmarrë për fuqizimin e sundimit të ligjit, avancimin e qasjes në drejtësi si dhe agjendën legjislative që ka për qëllim forcimin e shtetit ligjor në Republikën e Kosovës.Ministri Tahiri ka vlerësuar lartë kontributin e USAID-it si partner i rëndësishëm për fushën e sundimit të ligjit, veçmas në avancimin e parimeve ligjore që mundësojnë një qasje të drejtë dhe të barabartë të qytetarëve në të drejtat e tyre dhe në shërbime efikase ligjore.Gjatë takimit është diskutuar edhe për reformat e ndërrmarra në fushën e të drejtave pronësore, agjendën “Drejtësia 2020” si dhe procesin e Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, në kuadër të së cilës USAID-i është duke mbështetur në veçanti shtyllën e Drejtësisë Komerciale.
Ministri Tahiri ka mirëpritur gatishmërine e USAID-it për të vazhduar mbështetjen e mëtejme në sektorin e sundimit të ligjit përmes plotësimit dhe përmirësimit të qasjeve legjislative dhe strukturore si dhe në konsolidimin e drejtësisë komerciale si një shtyllë e rëndësishme e drejtësisë që lehtëson të bërit biznes dhe nxit investimet e huaja në Republikën e Kosovës.Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, (USAID) është duke ndihmuar Ministrinë e Drejtësisë në një numër të konsiderueshëm projektesh dhe duke mundësuar zbatimin e prioriteteve të Ministrisë së Drejtësisë në vazhdimësi./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Jeff Sessions, Ministri Tahiri, U prit

TË MOHUAR NGA REGJIMI

November 3, 2018 by dgreca

BURGJET, SISTEMI I INTERNIM-DËBIMEVE DHE PUNA E DETYRUAR NË SHQIPËRI 1945-1990/

2-Frank-shkreli-2-300x183-1-11 Konference1 ok konf.JPG2 Konfe 23 drejtusi.jpg

Nga Frank Shkreli/

Për ata që mund t’u ketë shpëtuar lajmi, ose për ata që nuk kanë mësuar nga mediet e përditëshme shqiptare, të cilat siç duket nuk e mbuluan siç duhej dhe sa duhej, më 30-31 Tetor, 2018, në Tiranë u mbajtë Konferenca Ndërkombëtare Shkencore me temë: “Të Mohuar nga Regjimi: Burgjet, Sistemi i Internim-Dëbimeve dhe Puna e Detyruar në Shqipëri 1945-1990”.   Për nga përmbajtja e programit si dhe për nga lista e pjesëmarrësve, vendas dhe ndërkombëtarë, duket se duhet të ketë qenë një konferencë tepër interesante, me një rëndësi të veçantë historike dhe shoqërore, kur të merret parasyshë se Shqipëria zyrtare ka qenë shumë e ngadalshme, për të mos thënë aspak active dhe as e gatëshme, këto 28-vjetë komunizëm, për tu përballur me të kaluarën e saj komuniste.  Me sa vura re, mungesa e pjesëmarrjes së përfaqsuesve të qeverisë dhe e opozitës në këtë konferencë është një shenjë e mëtejshme treguese për një mos interesim të vazhdueshëm të tyre në këtë subjekt, tepër me rëndësi, për historinë kombëtare, për të tashmen dhe për të ardhmen e Kombit. Siç u shpreh në fjalën e saj të hapjes së Konferencës edhe Kryetarja e Autoritetit Për Informim Mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, (AIDSSH) Zonja Gnetiana Sula, “A është normale që ende sot të mbetemi kaq të përçarë? Kaq të pandjeshëm për vuajtjet e bashkëqytetarëve tanë? Kaq pak të interesuar për të vërtetat?”

Megjithëkëtë, kjo konferencë ndërkombëtare — e organizuar nga AIDSSH në bashkëpunim me Institutin e Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, me Institutin për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe me Institutin për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë  — duhet të konsiderohet si një hap përpara, jo vetëm drejt përballimit të shoqërisë shqiptare me të kaluarën e saj të hidhur komuniste, por edhe si një hap drejt zbulimit të së vërtetës historike, me qëllim të zbulimit të krimeve të komunizmit në Shqipëri.  Për këtë kontribut, merita i shkon pikësëpari, “Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”, ashtu si edhe sponsorizuesve dhe mbështetësve të tjerë, vendas dhe ndërkombëtarë ndër të cilët, sipas Autoritetit ishin: zyra e OKB-ës, PNUD në Shqipëri, Qeveria e Italisë, në kuadër të projektit, “Përkujtojmë për të shëruar dhe parandaluar”, Fondacioni Konrad-Adenauer (KAS), Rrjeti Europian i Kujtesës dhe Solidaritetit (ENRS) dhe Muzeu Historik Kombëtar. Siç mund të shihet edhe nga programi ishte kjo një konferencë, e parë e këtij lloji, në nivel shkencor, akademik dhe historik, ku u paraqitën punime të studiuesve vendas dhe të huaj, të organizuar në panele të punës shkencore dhe kujtesës.  Kryetarja e AIDSSH, Zonja Sula, deklaroi në hapjen e konferencës se enti që ajo kryeson, “Me partnerë shumë të çmuar ia ka dalë ta gjejë veten duke luajtur një rol të rëndësishëm, mes një procesi të hulumtimit që synon rishqyrtimin e historisë bashkëkohore, ’44 -‘90””, ndërkohë që gjithsejt, “36 studiues, nga brenda dhe jashtë vendit, kanë vënë mundin e djersën e tyre, plus intelektin dhe formimin, me qëllim që të ndihmojnë shoqërinë tonë t’u përgjigjet pyetjeve “Pse?” dhe “Si ndodhi?”, që në një kohë aspak të largët, shqiptarët u “vunë kundër njëri-tjetrit”, siç e thotë bukur një rrëfyes”, ka thënë ajo.  Znj. Gentiana Sula, u shpreh në hapje të takimit, se “Ne e kemi provuar në lëkurë që studimi i historisë bashkëkohore ka sfida të mëdha.  Protagonistët ende jetojnë, faktet akoma nuk kanë dalë të gjitha në dritë; kujtimet dhe ditarët janë ende pa mbledhur e pa botuar; arkivat, përveçse janë masive, janë ende të pashfrytëzueshme, plotësisht. Vetëm një studim korrekt dhe një dialog i bazuar në dokumente e fakte mund të bëjë të mundur që historia bashkëkohore ’45 – ‘90 e periudhës që kemi në dorë, të mund të kuptohet më mirë”, ka theksuar ajo në fjalën e saj me rastin e hapjes së punimeve të konferencës.

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit njofton në faqen e tij të internetit se të ftuar shqiptarë e të huaj dhe personalitete të kërkimit shkencor e institucioneve të kujtesës, hapën siparin e kësaj konference të parë që trajton, përmes studimesh cilësore, periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri.  Perspektivës studimore të profesorëve dhe akademikëve vendas e të Kosovës, u është shtuar kontributi i ndjeshëm i studiuesve të huaj dhe pjesëmarrja aktive e Rrjetit Europian të Kujtesës (ENRS) e BsTu, Autoritetit gjerman të Hapjes së Dosjeve, thuhet në njoftimin e AIDSSH-it, ku jepet një përmbeldhje e shkurtër e disa prej folësve vendas dhe të huaj.

Ndër ta Z. Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë dhe anëtar i këshillit shkencor të konferencës, veç kënaqësisë për realizimin e një aktiviteti shkencor të përmasave të tilla, e vuri theksin te diskutimet e shumta që pritet të hapen pas trajtimit të temave të përzgjedhura. Ndërsa, Z. Brian Williams, përfaqësues i OKB në Shqipëri, mbështetës i veprimtarive të Autoritetit, nënvizoi rëndësinë e objektivave të Kombeve të Bashkuara, mes të cilëve është përmbushja e detyrimeve të shoqërisë për të drejtat e njeriut, sidomos për të dënuarit dhe të ndëshkuarit në diktaturë.  Z.  Bernd Borschardt, ambasador i OSBE-së në Shqipëri u tha të pranishëmve se, “Është e domosdoshme të krijohet një narrativë për të shkuarën, të qëmtohen faktet dhe të arrihet tek e vërteta. Ne e mbështesim fuqimisht këtë proces”, është shprehur ambasadori i OSBE-së në Shqipëri.
Ndërkaq, në vijim të konferencës, Znja. Rafaella Campanati, përfaqësuese e Ambasadës Italiane, shpjegoi rëndësinë e posaçme që ka projekti “Përkujtojmë për të shëruar dhe parandaluar”, në kuadër të të cilit organizohet konferenca.  Sipas saj, “Duke e analizuar të shkuarën dhe duke u dhënë zë viktimave, do të mund ta projektojmë më mirë të ardhmen”.   Znj. Vasilika Hysi, deputete e Kuvendit të Shqipërisë, anëtare e Komisionit të Ligjeve, vuri në dukje bashkëpunimin në organizimin e konferencës, mes të gjitha institucioneve zyrtare të kujtesës, në respekt të rekomandimeve të rezolutës së Kuvendit për ta. Sipas Hysit, “përkujtimi është detyrë e shoqërisë së sotme, e cila duhet të marrë përgjegjësitë që i takon”.
Në emër të Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, z. Çelo Hoxha, se veç entuziazmit për përfshirjen e shumë aktorëve në organizimin e konferencës, nënvizoi se “tek e shkuara nuk duhet të përqendrohemi te dhimbja, duhet të fokusohemi te padrejtësia, kush e shkaktoi dhe përgjegjësitë që rrjedhin prej kësaj”.
Në të njëjtën linjë, drejtori i Institutit të të Përndjekurve Politikë, z. Bilal Kola, e vuri theksin te koncepti juridik i ndëshkimit sa i përket punës së detyruar, jo dënimit si të tillë. Fëmijë i lindur, rritur dhe burrëruar në internim, i ndëshkuar që në lindje, z. Kola bëri thirrje që “të dëgjohet zëri i kësaj shtrese, e cila e rrëfen me fakte jetën e saj, përvojën e mundimshme dhe mbijetesën, përballë dokumentacionit të makinës së pushtetit”.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, z. Dorian Koçi, bëri një paraqitje të bashkëpunimeve institucionale në kuadër të kujtesës, të cilat prej më shumë se një viti kanë synuar të ndërtojnë një paradigmë studimore, ku me konferencën shkencore arrijnë të projektojnë njëherazi kujtesën dhe lirinë.
Në emër të Fondacionit Konrad Adenauer, znj. Klaudia Zerva kërkoi që pas përvojave përkatëse të secilit institucion a organizatë në trajtimin e së shkuarës, të arrihet në ndërtimin e strategjive të përbashkëta për të pasur rezultate të qenësishme dhe kontribute të ndjeshme në të sotmen, me punën profesionale të të gjithëve.
Në vijim u shfaq filmi “Dyert memece të Ferrit”, një rrugëtim nëpër burgjet dhe kampet e punës së detyruar në Shqipëri, i realizuar nga bashkëpunimi i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe Fondacionit Konrad Adenauer. (Burimi: Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991)

Siç u shpreh edhe Profesori i Filozofisë Gjergj Sinani, njëri nga pjesëmarrsit në atë konferencë se, “Pa të Vërtetën nuk ka Liri”.  Prandaj, sot pothuaj 30-vjetë post-komunizëm — siç tha edhe Kryetarja e AIDSSH-ës, Zonja Gentiana Sula, “Mungesa e një procesi të mirëfilltë shkencor për studimin e historisë ka bërë që empatia dhe mirëkuptimi të mungojë sot e kësaj dite për këto privime.  Nga njëra anë është zemërimi, trishtimi, ankthi, humbja dhe të ndjerët i përjashtuar nga grupet e prekura, kurse nga ana tjetër është mohimi i krimeve, mungesa e ndjeshmërisë për vuajtjet dhe viktimat, si dhe nostalgjia për arritjet e diktaturës, siç u bë e qartë në studimin që OSBE kreu mbi perceptimet për diktaturën në vitin 2016”, ka thënë ajo.

Është konstatuar gjatë këtyre 30-vjet post-komunizëm, nga ekspertë dhe historianë nga Evropa dhe më gjërë, se shumë prej krimeve të regjimeve komuniste – bazuar në ligjet ndërkombëtare ç’prej vitit 1945 – mund të cilësohen si krime kundër njerëzimit.  Le të shpresojmë se konferenca me temën: “Të Mohuar nga Regjimi: Burgjet, Sistemi i Internim-Dëbimeve dhe Puna e Detyruar në Shqipëri 1945-1991”, që u mbajtë javën që kaloi në Tiranë, të frymëzojë zbulimin e mëtejshëm të së vërtetës dhe të çojë në zbardhjen e plotë të krimeve të komunizmit në Shqipëri: në hapjen e të gjitha dosjeve dhe arkivave si dhe në njohjen e vuajtjeve dhe në kujtimin e të gjitha viktimave të komunizmit në atë vend, me shpresën që totatilitarizmi të mos rikëthet më, në asnjë formë të veten.

 

Filed Under: Politike Tagged With: burgjet, Frank shkreli, sistemi i internim-debimeve, Te mohuar nga regjimi

VATRA, KRENARIA, BRERORJA E SHENJTË E SHQIPTARISË

November 3, 2018 by dgreca

– SHKRIMTARI AGRON TUFA VIZITOI VATRËN-/*

1 agroni sheh

Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit denoncoi instalimin e strukturave të trashëgimisë së diktaturës komuniste, fshehjen e krimeve të diktaturës, riciklimin e elitave të vjetra akademike dhe riprodhimin e elitave të reja me  lidhje me trashëgiminë e diktaturës; rikthimin e ish sigurimsave në institucionet e shtetit etj.-

1 Agron shenimet librat1 dalip spjegon1 ne ekmbe

Shkrimtari AgronTufa, njëkohësisht drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojat e Komunizmit ishte mysafir në Vatër të premten me 2 nëntor. Gjatë vizitës së tij ai shoqërohej nga shkrimtari Ramiz Gjini.

Shkrimtari Tufa u prit nga Zef Balaj, anëtar i Kryesisë së Vatrës, nga ish gazetari i Zërit të Amerikës, studiuesi Idriz Lamaj, njëkohësisht anëtar i Këshillit të Vatrës, dhe nga ish zv. Kryetari i Vatrës Asllan Bushati.

Editori i Diellit Dalip Greca e njohu mysafirin me pikat kulmore të historisë 106 vjeçare të Vatrës, me vatranët që lanë Amerikën për ti shërbyer Shqipërisë , por ranë në kurthin e  diktaturës, shumë prej tyre u burgosën, u pushkatuan dhe u persekutuan. Ish nënkryetari i Vatrës Asllan Bushati i prezantoi mysafirit veprimtaritë e kohës së sotme të Vatrës në qendër dhe degët e saj nëpër shtete të ndryshme të Amerikës dhe Kanada.

Zef Balaj dhe Idriz Lamaj i uruan mirëseardhjen mysafirit dhe e uruan për kontributin e tij të veçantë në luftën pa kompromis për të zbardhur krimet e komunizmit, luftën

pa kompromis të tij për të denoncuar instalimin e elementëve të diktaturës në tranzicionin shqiptar.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Z. Tufa, pasi falenderoi për mikpritjen shpalosi tablon e sotme të tranzicionin Shqiptar, duke u ndalur  veçanërisht tek instalimi i strukturave të trashëgimisë së diktaturës komuniste si dhe rikthimin e ish sigurimsave në institucionet shtetërore. Në Shqipëri vazhdojnë të riciklohen elitat e vjetra komuniste, përfshi dhe ato akademike, që riprodhojnë elitat e reja pasardhëse. Linja komuniste vazhdon të jetë dominante. Realiteti është i dhimbshëm: Shqipëria nuk po dekomunistizohet realisht, tha z.Tufa.

Eshtë e dhimbshme që shqiptarët të shkojnë deri atje sa të mohojnë ekzistencën e ish kampeve të internimit dhe vdekjen e femijeve ne ato kampe, siç ishte rasti i Tepelenës, tha z. Tufa. E keqja është e instaluar që në programet dhe tekstet mësimore ndër shkolla, ku periudha komuniste , diktatura, krimet, nuk përmendet drejtëpërdrejtë, por kanë filluar të krjojnë terma që fshehin krimet e diktaturës , duke përdorur terma si “lufta e ftohtë” etj, tha ai.

  1. Tufa tregoi përpjekjet që bën Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit për të qenë në ballë të luftës për sjelljen në optikën e sotme të krimeve të komunizmit. Ai tregoi për botimet e shumta të Institutit siç ishte dhe rasti i promovimit para pak ditësh i Vellimit të VII të Fjalorit Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist në Shqipëri.

Po ashtu ai prezantoi dhe veprimtari të Institutit siç ishte ajo e fundtetorit e konceptuar si Konferencë Ndërkombëtare Shkencore: “Të mohuar nga regjimi”: burgjet, sistemi i internim-dёbimeve dhe puna e detyruar në Shqipëri 1945-1990”, ku morën pjesë studiues vendas dhe te huaj.

Gjatë takimit u fol edhe për një bashkëpunim të ndërsjelltë mes Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit e Vatres.

Në fund të takimit shkrimtari Agron Tufa dhuroi për bibliotekën e Vatrës librat e tij:”Gurit të varrit ia Rrëfej”, “Elegji për Dritën- Elegy on Light”(anglisht), si dhe “Avec Des Abimes Au Milieu”(frëngjisht). Edhe shkrimtari Ramiz Gjini i dhuroi bibliotekës së Vatrës librin e tij“Pëllumbat e Rrugës”.

Shkrimtari Agron Tufa shkroi në librin e vizitorëve:

Pata kënaqësinë të vizitoj “Vatrën Shqiptare” të Amerikës; më pritën si në Shtëpinë e Atdheut të zotët e shtëpisë. Më rrëfyen historikun e Vatrës, përpjekjet e atdhetarëve për lirinë e dinjitetit të Kombit tonë.Vatra dhe vatranët janë krenaria, brerorja e shenjtë e Shqiptarisë.

Biseduam përzemërsisht me z. Idriz Lamaj,Zef Balaj,  Asllan Bushati,  dhe gazetarin/ciceronin-Editorin e Diellit, Dalip Greca. Gjeta në Vatër një pasqyrë të shqetësimeve tona kombëtare e shoqërore.

Jam shumë i kënaqur që isha këtu, në Shtëpinë e Vatrës së bashku me shkrimtarin Ramiz Gjini. Faleminderit Vatranë!

Jepni gjithcka për Vatrën!

Agron Tufa

Shkrimtar

(Korresp i Diellit)

  • per me shume fotografi shihni ne Facebook(dielli vatra)

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: Agron Tufa, dalip greca, vizite ne Vater

JO UÇK-JA, SERBIA ËSHTË TERRORISTE !

November 1, 2018 by dgreca

Prof. Dr. Mehdi HYSENI/

 1 Mehdi_Hyseni

Dalja në skenën politike dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën kryengritëse kundër okupatorit të egër serb, i tronditi në themel jo vetëm konceptet e startegjisë dhe të taktikës pushtuese të Serbisë militariste, por edhe filozofinë doktrinare të koekzistencës pasive paqësore(1990-1998).

Fatkeqësisht, si rrjedhim i një politike të tillë status quo, Serbia kolonialiste e Slobodan Milosheviqit problemin e Kosovës e mbajti të “konservuar” në kontekstin e politikës dhe të diplomacisë ndërkombëtare, duke e cilësuar vetëm si “çështje të brendshme” të Serbisë.

Mirëpo, pas përfundimit të dy agresioneve të Serbisë në Kfroaci dhe në Bosnjë (1990-1995) pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit (1995), Serbia tërë forcën e vet ushtarake, policore dhe paramilitare e vendosi në Kosovë, që pati për pasojë radikalizmin e terrorizmit shtetëror serb ndaj shqiptarëve, ky terrorizm krijoi domosdonë e lindjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila sidomos pas vitit 1996 intensifikoi  veprimtarinë e saj luftarake në mbrojtjen e popullit të pambrojtur shqiptar në Kosovë. Këmbëngulësinë dhe heroizmin e saj të paepur UÇK-ja është duke e dëshmuar në rajonet e tashme të krizës – në Drenicë dhe në Dukagjin (Deçani e Gjakova me rrethinë, ku si rrjedhim i ndërhyrjes  ushtarako-policore serbe, u vranë 300 shqiptarë, dhjetra u plahosën, ndërsa qindra të tjerë morën rrugën e eksodit në Shqipëri dhe në shtetet e tjera të Evropës), me ç’rast okupatorit okuptarit serb I shkaktoi humbje në njerëz         (disa policë të vrarë) dhe dëmtime në armatimet ushtarake, siç bëjnë të ditur masmediat e huaja.

 Ia vlen të theksojmë faktin se Serbia konfliktin e drejtpërdrejtë luftarak me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, u oravt ta murkullojë dhe ta minimizojë si para opinionit të vet, ashtu edhe para atij ndërkombëtar, duke e quajtur atë vetëm si  një “incident kufitar” me Shqipërinë. Qëllimi ishte krejtësisht i qartë, që vëmendja  e bashkësisë ndërkombëtare të përqëndrihej  kinse në “përzierjen” e Shqipërisë në çështje të brendshme të Serbisë, ngase andej po hynin “terroristë” shqiptarë?! Këto akuza të paqëndrueshme dhe të fabrikuar në kuzhinat e shërbimeve secrete të zbulimit dhe të kundërzbulimit në Beigrad, bëhen me të njëjta “rekuizita” sikurse nga fillimi i vitit 1912 e deri në fund të vitit 1915, kur hordhitë ushtarake serbo-malazeze depërtonin në territorin e Shqipërisë  për të vrarë dhe për të plaçkitur shqiptarët  (sikurse sot në Kosovë), ku terrorizmin e tyre ua atribuonin çetave kryengritëse shqiptare.

Mirëpo, sot (1997) lidershipi i Serbisë, duhet ta mbajë parasysh faktin se Shqipëria dhe shqiptarët në Kosovë, ashtu edhe në diasporë kanë një strategji të përbashkët, kur është fjala për mbrojtjen e të gjithë shqiptarëve dhe të trojeve të tyre etnike. Këtë e provon edhe  Himni Historik, Kombëtar, Luftarak dhe Atdhetar i UÇK-së : “Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe për bashkimin ne tyre, do të jem përherë besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i  disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë , pa kursyer as jetën, të luftoj për t’imbrojtur interest e shenjta të Atdheut. Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im. Betohem!” (gazeta “Bujku”, 15 korrik 1998, f.1).

Prandaj është fiksion juridik mbrojtja me çdo kusht e parimit të sovranitetit kolonial serb se “Kosova është pjesë e patjetërsueshme e territorit të Serbisë”, duke nënvizuar se nuk mund të bëhet fjalë për shkëputjen e saj nga Serbia. Dhe, prandaj as për njohjen e së drejtës së vetëvendosjes popullit shqiptar në Kosovë, ngase sipas kuazishkencës historiko-juridike e politike serbe, “shqiptarët nuk janë komb”, por minoritet, që në të vërtetë, është e kundërta, shqiptarët janë komb, kurse serbë mbetje koloniale minoritare. Kështu e thotë historia.

Mirëpo, përderisa serbomëdhenjtë pushtues të mos lirohen nga paragjykimet dhe nga mitomania histerike, në bazë të të cilave e kanë falsifikuar historinë kombëtare, gjeopolitike dhe shtetërore të shiqptarëve, dialog me shqiptarët në Kosovë, Slobodan Milosheviqi nuk do të mund të bëjë dot, pavarësisht nga  gjuha e diktatit dhe nga përdorimi i focës ushtarako-policore.

                               Distorcioni  i parimit të sovranitetit

Në frymën e shtrembërimit të këtij parimi, Serbia (përmes referendumit të datëes 23 prill 1998, ku elektorati serb votoi 95% kundër ndërmjetësimit ndërkombëtar për zgjidhjen e problemit të Kosovës) në formë të prerë i mbron pikëpamjet dhe qëndrimete  e veta, se me pjesëmarrjen e palës së tretë ndërmjetësuese  në zhvillimin e negociatave me përfaqësuesit e “G-15” të Ibrahim Rugovës, do të sillej në pikëpyetje shkelja e sovranitetit të Serbisë, përkatësisht do të vinte në shprehje përzierja e bashkësisë ndërkombëtare në çështjet e brendshme të saj.

Pavarësisht nga krrokatjet dhe nga arroganca  e propagandës nacionalshoviniste e zëdhënësve të kamarilës së Slobodan Milosheviqit, i cili mbështete drejtpërdrejt nga ultranacioalisti fashist (nënkryetari i qeverisë së Serbisë) dr. Vojislav Sheshel, se “Kosova është çështje e brendshme” e Serbisë, kjo, shprehur në gjuhën juridike ndërkombëtare (sidomos nga masakra e Drenicës (Prekaz, Qirez e Likoshan etj. dhe nga vrasjet barbare, shkatërrimet dhe djegiet në fshatrat e rajonit të Dukagjinit –Gjllogjan, Gramaçel, Baballoç, Dubravë, Dushkajë, POnoshec, Morinë etj., është bërë object shqyrtimi i së drejtës dhe i bashkësisë ndërkombëtare. Këtë e provojnë edhe: Dokumenti i përbashkët i Grupit të Kontaktit  të BE-së(9 mares 1998) në Londër, Rezoluta 1160 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së (1 prill 19980), Dokumenti i Këshillit të Parlamentit të Evropës etj.

Miratimi i të gjitha këtyre dokumenteve është në përputhje me normat dhe me parimet e së drfejtës ndërkombëtare, me Kartën e Kombeve të Bashkuar, me Dokumentin Përfundimtar të Helsinkit  të KSBE-së (1975), me Kartën e Parisiti për Evropën e Lirë (Document of  the Paris CSCE Summit, November 1990). Mirëpo, pavarësisht nga parashikimi i masave, që dalin nga mbledhjet e anëtarëve të Grupit të Kontaktit, të bëra, njëra në Londër e tjetra në Romë), si dhe nga Rezoluta e theksuar e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Slobodan Milosheviqi nuk ka bërë asnjë hap drejt shmangies së sanksioneve  ekonomike ndërkombëtare, edhe pse për këtë i ka kaluar afati njëmujor. Mosbindja dhe mosdisplinimi i këtillë i kryekriminelit Slobodan Milosheviq ndaj bashkësisë ndërkombëtare vë në dukje riaktivizimin e lojërave të pakufijshme të vieteve të tetëdhejtë, kur në saje të tyre ai ngriti në këmbë ultranacionalistët fashistë serbë në Fushë-Kosovë, të cilët i përdori si instrument për shkatërrimin-shembjen e RSFJ-së, përkatësisht për okupimin e Kosovës.

S. Milosheviqi,edhe pse është i vetëdijshëm se Kosova është bërë çështje ndërkombëtare (pikësëpari falë luftës së rezistencës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës), S. Milosheviqi (në stilin mazohist) orvtet që të ndezë popullin serb, sërish mbi bazën ultrancionalsite dhe fashistoide kundër shqiptarëve në Kosovë dhe kundër faktorit ndërkombëtar. Mirëpo, nëse  S. Milosheviqi llogarit se ky referendum (duke përfillur me konsekuencë parimin e sovranitetit kolonial, përkatësisht duke e përdorur atë si instrument të përshtatshëm për t’i shtypur edhe më tej shqiptarët në Kosovë), do ta shpëtojë nga vdekja politike , atëherë, do të gabohe dyfish, ngase papërgjegjësinë dhe racizmin e tij, do ta paguajë me një çmim të lartë edhe vetë populli serb në emër të mbrojtjes së “djepit” nacioteokratik dhe të “shenjtë” serb – Kosovës!? S’ka dyshim se logjika absurd e referendumit të arkitektit të Pashallëkut të Beogradit, alias të Slobodan Milosheviqit, e ka legalizuar përsëri nacionalshovinizmin dhe hegjemonizmin serbomadh ndaj aspiratave legjitime të shqiptarëve për liri dhe për pavarësi të Kosovës. Kjo edhe po ndodh në terrenin luftarak, ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), e përkrahur nga forcat e rezistencës gjithëpopullore shqiptare po përballet me agresionin e vazhdueshëm të të “AJ-së”, të paramilitarëve dhe të policies. Këtë konstatim tonin e provon edhe KUMTESA  E Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së (27 prill 1998), të cilën e botoi gazeta e përditshme “Bujku”, më 29 prill 1998, kur ndër të tjera thuhej: “JEMI NË GJENDJE LUFTE”. Përmbajtja e kësaj Deklarate politike të UÇK-së ka karakter APELI HISTORIK për të gjithë shqiptarët, që t’i bashkohen kësaj USHTRIE POPULLORE SHQIPTARE, e cila dita-ditës po fuqizohet dhe po masivizohet me pjesëtarë të rinj, dhe po bëhet KËSHTJELLË E PAMPOSHTUR kundër armikut pushtues serb.

Pra, filozofia e strategjisë së organizimit, e veprimit politko-ushtarak e UÇK-së është në përputhje  me të drejtën e luftës , me të drejtën humanitare ndërkombëtare  dhe me të gjitha marrëveshjet e tarktatet ndërkombëtare, që burojnë nga e drejta ndërkombëtare publike. Nga kjo shihet se UÇK-ja NUK ËSHTË KURRFARË ORGANIZATE TERRORISTE, siç po e akuzojnë politika dhe propaganda terrosite e regjimit të Serbisë së Slobodan Milosheviqit.

Pa marrë parasyh kreyeneçësinë dhe gënjeshtrat e pushtetit shtypës të Beogradit, përshkallëzimi  i agresionit serb në Kosovë brenda këtyre muajve (1998) është tejet e vështirë të  mbrohet dhe të justifikohet në dritën e fakteve dhe të argumenteve, që konflikti i armatosur me shqiptarët të karakteriziohet vetëm si “çështje e brendshme” e Serbisë. Në pajtim me konceptet e tilla, Serbia si shtet sovran ka kërkuar nga jajshtë, që të ndëshkohet “terrorizmi shqiptar”  në Kosovë, sipas kritereve kundër terrorizmit ndërkombëtar. Mirëpo, një kërkesë e këtillë e saj nuk gjeti mbështetje në asnjë institucioan a forum ndërkombëtar ngase  e vërteta është në anën e kundërt – subjekt i terrorizmit të organizuar shtetëror, individual dhe grupor në Kosovë, është vetëm Serbia, jo USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS ( UÇK), misioni historik  i së cilës është që t’i çlirojë dhe t’i mbrojë shqiptarët nga sundimi tiranik, hegjemonist, kolonial dhe gjenocidal i Serbisë.

                 Agresioni serb në Kosovë nuk mund të justifikohet me mbrojtjen e parimit të sovranitetit dhe të së drejtës ndërkombëtare

Për të diskredituar dhe izoluar në planin ndërkombëtar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Serbia agresore dhe kolonialiste mbështetet kryesisht mbi parimin e sovranitetit dhe të mosndërhyrjes sipas së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Vërtet, sipas këtryre parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së OKB-së, shtetet anëtare të saj rezervojnë të drejtën që në mënyrë të mëvetësishme t’i zgjidhin problemet e tyre      të brendshme, pa ndërhryjen e shteteve të tjera.  Në çështjen e zhvillimit të brendshëm bën pjesë edhe çështja e ruajtjes së rendit dhe qetësisë, dhe në përputhje me këtë marrja e masave për vendosjen e paqes, po qe se kjo për shaqe të ndryshme është çrregulluar. Nga ky parim buron një parim tjetër themelor, parimi i mosndërhyrjes , sipas të cilit shteti gëzon të drejtën e pezullimit të çdo ndërhyrjeje të ndonjë shteti tjetër, si dhe të faktorëve të tjerë të jashtëm. Prandaj, e gjithë ajo që bën pjesë në sfondin e kompetencës së brendshme të një shteti, është e mbrojtur juridikisht nga ndërhyrja e jashtme. Mirëpo, këto dy parime në rastin konkret janë të papranueshme, ngase Serbia ka bërë aggression në Kosovë, domethënë ndaj republikës së Kosovës, duke  e  okupuar me force ushtarake dhe policore, që nga viti 1989. Prandaj, këtu nuk kemi të bëjmë me kurrfarë territory a shtetasë të Serbisë, por me një shtet  dhe me shtetas të huaj-Republikën e  Kosovës dhe me shqiptarët, të shteti kolonial serb me dhunë, me meterror dhe me terrorizëm, është në sundimin e saj të egër  shekullor (1912-1998). Kjo formë e sundimit kolonial serb ndaj shqiptarëve dhe ndaj Kosovës ligjërisht nuk mund të jusitifkohet, duke u thirrur në aplikimin e parimit të sovranitet dhe të parimit të mosndërhyrjes ndërkombëtare, sepse nuk ka kurrfarë baze juridike, sepse është në kundërshtim  të plotë me normat dhe me praktikëne rendit të ri juridik pozitiv ndërkombëtar.

Nga kjo del se Serbia si  shtet aggressor ka shkelur në mënyrë flagrante si parimin e sovranitetit, ashtu edhe parimin e mosndërhyrjes në punë të brendshme të Republikës së Kosovës. Pra, në këtë rast, nuk mund të pranohet ndërrimi i tezës se, ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës juridikisht cenon të drejtën e sovranitetit të Serbisë. Përkundrazi, ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës e aktualizon domosdoshmërinë e interpretimit të drejtë të parimit të sovranitetit, për shkak se agresori serb thirret në të, duke i rezervuar vetes (si fuqi koloniale) të drejtën se mund të veprojë si të dojë, dhe se në bazë të këtoj parimi gjoja ka të drejtën ta parandalojë ndërhyrjen e jashtme ndërkombëtare në territorin e Kosovës, që është duke e mbajtur nën sundimin e egër kolonial. Aplikimi me konsekuencë i parimit të mosndërhyrjes së jashtme , nuk nuk do të thotë edhe   zbatimin e së drejtës pa kurrfarë kufizimesh. Sipas së drejtës ndërkombëtare, ekzistojnë një varg kufizimesh të sovranitet (sidomos pas krijimit të rendit të ri botëror më 1988, ku sovraniteti nuk është më kategori absolute juridike), që janë manifestuar gjatë zhvillimit  të së drejtës ndërkombëtare dhe të marrëdhënieve politike ndërkombëtare. Kufizimet e këtilla i ndeshim edhe në nenin 2 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, ku janë të sanksionuara parimet dhe objektivat parësore, që duhet t’i respektojnë shtetet anëtare të kësaj Organizate  universale botërore. Veprimi në kundërshtim me këto parime dhe synime është në shpërputhje me rendin juridik pozitiv ndërkombëtar, të përcaktuar nga Karta e  OKB-së. Në nenin 2 të kësaj Karte, janë përfshirë disa parime, të cilat, patjetër, duhet respektuar kundrejt respekrtimit të raportit të caktuar, të cilin sistemi juridik i kësaj  Karte e ka vënë mes tyre dhe pafrimeve të tjera themelore të së drejtës ndërkombëtare.

 Pavarësisht se në ç’shkallë dhe për çfarë qëllimesh tendencioze, ekspertët dhe projektuesit e politikës strategjike serbe, e keqinterprewtojnë nocionin e sovranitetit, të drejtat që rezultojnë nga ky parim nuk janë të pakufizueshme, për më tepër, në rastin tone konkret, Serbia kolonialiste mbështetet në parimin e sovranitetit , me të vetmin qëllim që të mënjanojë ndërhyrjen ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes koloniale të Kosovës, duke e konsideruar këtë si “përzierje në punë të brendshme” të saj. Mirëpo, në këtë frast nuk është fjala për kurrfarë përzierjeje faktike të faktorit ndërkombëtar në çështje të brendshme të Serbisë, por për faktin se praktika krijon rregullat se shteti gjakatar agresiv i Slobodan Milosheviqit nuk mund të shekelë ( pa u ndëshkuar nga bashkësia ndërkombëtare) të drejtën e vetëvendosjes  dhe parimet e tjera që janë në funksion të mbrojtjes së drejtave të njeriurt dhe lirive themelore, sepse një shkelje e këtillë është e lidhur ngushtë me sistemin e mbizotërimit kolonial serb në Kosovë, gjë që kjo nënkupton ndërhyrjen e ligjshme ndërkombëtare të shteteve të huaja, përkatësisht të bashkësisë ndërkombëtare. ( Dr. Mehdi Hyseni, “UÇK-ja faktor vendimtar  për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”. Shih: “Dituria Islame”, viti XIII, nr. 102-103 Maj-Qershor, Prishtinë, 1998. f. 22, 23, 24)

Filed Under: Analiza Tagged With: JO UÇK-JA, Prof. Dr. Mehdi Hyseni, SERBIA ËSHTË TERRORISTE !

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT