• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2018

MESAZH ATYRE QË DUAN KUFIRIN NË MITROVICË

December 30, 2018 by dgreca

1 Rilindja 1

Nga Behlul Jashari/

Në përfundim të Vitit Historik 2008 të shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt dhe njohjes nga 53 shtete, dhe më të fuqishmet në botë, po presim gëzuar Vitin e Ri 2009 të pritjesë së anëtarësimit të shtetit tonë të ri në OKB dhe  të jubileut të 10-vjetorit të paqes e lirisë në Kosovë – të hyrjes së NATO-s, forcës më të madhe planetare.
Në Ditën e Lirisë e të Paqes, më 12 qershor 1999, kur NATO-ja hyri e nisi marshin fitimtar e çlirimtar në tokën e Kosovës për t’iu dhënë fund krimeve të tmerrshme e gjenocidit, nga kolona e tankeve të para, ku isha me ushtrinë e Aleancës Veriatlantike e gazetarë nga gjithë bota, atë mëngjes të gëzimit të madh shqiptar kemi qeshur me një grafit çmendie të shkruar nga forcat që po dëboheshin pas humbjes së luftës kundër lirisë, në një shpatull mali në Grykën e Kaçanikut: “Serbija do Tokio”.
Shkarravina, që përkthyer shqip thoshte “Serbija deri në Tokio” më rikujtoi grafitet “Shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemuna” dhe britmat “ikni përtej…” të atyre që me dhunën më të egër dëbuan më se një milion shqiptarë nga Kosova.
Ata me operacionin “patkoi” kishin dashur ta zhbënin Kosovën, që duke vrarë e dëbuar shqiptarët, duke ua djegur e rrënuar shtëpitë, qytetet e fshatrat, të zhvendosnin kufirin shqiptaro-serb edhe përtej Bjeshkëve të Nemuna, siç e kishin zhvendosur para më shumë se një shekulli përgjakshëm nga Molla e Kuqe e kujtesës sonë historike.
Ata edhe më tej duan t’ua vënë flakën kufijve të Kosovës si në 19 shkurtin e 2008-tës në veri, duan të copëtojnë hartën e vendit që deshën ta zhbëjnë me gjenocid dhe tokëdjegie.

Ata edhe më tej shohin ëndrra të pamundshme, tash më 9 dhjetor 2008, kur në ditën e shtrirjes së EULEX-it në gjithë Kosovën, në veri të urës mbi limin Ibër në Mitrovicë pashë grafitin që përkthyer shqip thoshte “këtu është Serbi”.
Por, edhe ata të gjithë do ta kuptojnë, shumë prej tyre e kanë kuptuar, se ka ikur përgjithmonë koha e pretendimeve dhe e ëndrrave të këqija kundër Kosovës, se Kosova është shtet.
Le të jetë 2009-ta edhe viti i vetëdijësimit e besimit edhe të asaj pjese të vogël të shtetasve të Kosovës që janë kundër këtij shteti, se Kosova është edhe shtëpia e atdheu i tyre, i lirisë, paqes, mirëqenies, prosperitetit e garancive për të gjithë, i demokracisë, standardeve dhe ecjes drejt integrimeve euroatlantike.
Le të jetë 2009-ta viti i vetëdijësimit përfundimtar edhe të fqinjit tonë verior që ka mbetur i vetmi fqinj kundër shtetit të Kosovës, se kufijtë e Kosovës janë të vendosur e të garantuar edhe ndërkombëtarisht dhe se Kosova është shtet i pavarur, sovran e demokratik.
Shtet që rrezaton paqe, stabilitet  e demokraci dhe që i ofron fqinjësi të mirë e bashkëpunim edhe shtetit nga i cili pret edhe kërkimfaljen për krimet e gjenocidin.

Grafitet, pretendimet e ëndrrat e këqija “Serbia deri në Tokio”, “Shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nemuna”, “Kufiri në mes të Mitrovicës” e të tjera si këto e të kohëve që shkaktuan edhe tragjedi njerëzore le të mbesin përmendore të marrëzisë e të shkuarës, apo më mirë sikur të ishte e mundur le t’i fshijë përgjithmonë e bardha dëborë e dimrit që do të shkrijë derisa shkojmë drejt Vitit të Ri 2009 e pranverës së re, drejt kohëve të mira që vijnë për të gjithë.

Gëzuar!

(RILINDJA, 30 Dhjetor 2008)

* * *

SHËNIM I SOTËM, 30 DHJETOR 2018: RILINDJA DO RIDALË…

 

Shkrimi-editoriali MESAZH ATYRE QË DUAN KUFIRIN NË MITROVICË është botuar në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja pikërisht para 10 viteve – në 30 dhjetor 2008, vitin historik të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt.

 

Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja nuk u ndal edhe kur u mbyll me dëbim dhunëshëm, kundërligjshëm e padrejtësisht, nga shtëpia e saj – Pallati Rilindja në 21 shkurt 2002 nga administrata e UNMIK-ut.

 

Në ngjarje historike të lirisë e pavarësisë Rilindja vazhdoi të jetë histori e Kosovës duke dalë me numra specialë e të jashtëzakonshëm, edhe protestues, të kohëpakohshëm.

Numri i parë i pas dëbimit –  i jashtëzakonshëm i gazetës Rilindja ka dalë në 5 mars 2002 me raportime për zgjedhjen e presidentit e qeverisë në seancën e një dite më parë të Kuvendit të Kosovës të zgjedhjeve të para në liri.


Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË.
Kryetitulli në ballinën e gazetës Rilindja ishte i ëndërres dhe i të ardhmes: KOSOVA SHTET NË OKB. Dy nga titujt tjerë në ballinë: 53 SHTETE NJOHËN SHTETIN E KOSOVËS dhe VITI 2009 I SHQIPËRISË NË NATO.
Në kalendarin e gazetës Rilindja për Vitin 2009 ishte piktuara ekskluzive, e autorit Veli Blakçori: Molla e Kuqe. Te ajo mollë, sipas kujteses historike të shqiptarëve, ishte kufiri shqiptaro-serb para dëbimit të përgjakshëm të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit e Toplica, para mëse 130 vjetëve (sa ishin në vitin e daljes së atij numri të gazetës Rilindja). Molla e Kuqe është si një mesazh atyre që duan të vendosin kufi në Mitrovicë, se nëse ndryshon kufiri – dihet ku ishte…

 

Në 2019-tën, në 21 Shkurt, bëhen 17 vjet nga dëbimi i kundërligjshëm dhe i padrejtë i gazetës Rilindja – detyrimisht mbyllja e të përditshmes së parë shqiptare në Kosovë, e cila ka nisë të dalë para 74 viteve, në 12 Shkurt 1945 në Prizren, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.

 

Kaluan plot 10 vjet nga numri i fundit i jashtëzakonshëm e protestues i 30 dhjetorit 2008 i gazetës Rilindja e të drejtës së shkelur dhe pa sundim ligji në rastin e saj…Prandaj, gazeta Rilindja në këtë ndërrim motesh pritet të ridel simbolikisht (botim digjital) për PROTESTË dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim…

 

Rilindja duhet të ridalë e privatizuar, duke pasur edhe shembullin e gazetave tjera në rajon që kishin status të njejtë si ndërmarrje shoqërore, e që vazhdojnë të dalin të privatizuara…

Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e themeluar nga Misioni  i OKB i pas luftës në Kosovë.

Behlul Jashari


Kryeredaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes (Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja sipas Statutit nuk ka drejtor, por vetëm kryeredaktor i cili e menaxhon dhe përfaqëson)

 

Kryetar i Këshillit Drejtues nga zgjedhjet me votim të fshehtë-referendum të 7 Shkurtit 2002, që i mbajtëm për të krijuar legjitimitet përfaqësimi në luftën për të drejtën derisa kishim presionet e ultimatumet e UNMIK-ut për të na dëbuar nga puna dhe Pallati, që ndodhi disa ditë më vonë në 21 Shkurt 2002 dhunshëm

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Bell Jashari, kufiri ne Mitrovice, mesazh

ÇMIMI NDËRKOMBËTAR “ATJON ZHITI” SHKON NE ARGJENTINE

December 30, 2018 by dgreca

4 AtjonÇMIMI NDËRKOMBËTAR “ATJON ZHITI” I JEPET POETES NGA ARGJENTINA SUSANA /ROBERTS/2 Vajza

 VENDIMI:IWA BOGDANI  Themelon Çmimin Ndërkombëtar “Atjon V. Zhiti”/1 atjon mimShoqata Ndërkombëtare e Shkrimtarëve IWA BOGDANI, me qendrat në Bruksel dhe Prishtinë, merr vendimin  N-109, 27/11/18,  që të themelohet  “Çmimi Ndërkombëtar Atjon Zhiti”. Ky çmim jepet çdo vit me motivacionin “për pasionin dhe sinqeritetin artistik në krijimtari” , IWA BOGDANI, Prishtinë 2018…3 vajza2

*  *  *

Juria sivjet vendosi që ky çmim t’i ipet poetes Susana Roberts nga Argjentina. Poetja Roberts e pranoi çmimin duke falenderuar dhe, siç siç tha ajo, ishte çmimi i parë që merrte nga një vend në Ballkan, ndërkaq ndihej e lumtur për këtë vlerësim, “që ky çmim mban emrin e një të riu,  i cili ishte një talent i lindur, ku pata mundësinë të lexoj pak nga ai, por vërejta se Atjon Zhiti ishte një mençurak dhe i urtë. Ishte edhe djali i një të përsekutuari nga regjimi Komunist në Shqipëri Visar Zhiti” Ajo më tej shtoj se “do ta ruaj ketë çmim si një gjë tepër e veçantë dhe do ta bashkëndjejë me prindërit e tij, praninë e dhimbëshme të këtij talenti”

Kush është Atjon V. Zhiti?
“19 vjeçari i përhershëm”, Atjon V. Zhiti, siç e quan gjenerata e tij, student i filozofisë në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano (Itali), veprimtar dhe anëtari më i ri i PEN-Clubit Italian, po kështu dhe anëtar i Paralmentit Rinor Europian, që dinte të jepte shumë dashuri e vrull ndër shokët e shoqet e miqtë, pëlqente artet, filozofinë dhe sportet, gjuhët e huaja dhe shkencat politike dhe “buzëqeshte çiltërsisht”, gjë që ata që e kanë njohur, ia quajnë “vepër”, duke mbetur kështu dhe ideali shpirtëror i tyre.                                                                                                                                                                                                – Lindi në qytetin e Vlorës (Shqipëri), në 30 gusht 1995 dhe u rrit më shumë në Romë (Itali), ku prindërit punonin si diplomatë.

– Kur ishte 3 vjeç e gjysmë një viziatim I tij për “Nënë Teerzen” iu botua në një album dhe shkruajtën gazetat në Vatikani dhe në Shqipëri. Hapi një “ekspozitë fëminore” në shtëpi në Romë dhe më pas një tjetër në Vlorë, në kopshtin e shtëpisë së gjyshit, ku vizatimet e tij u varën pemëve.                          – Shkollën fillore e nisi në Tiranë, në shkollën katolike “Ylber”.

– Arsimin 9 vjeçar e kreu në Romë në shkollën e muzikës “Giuseppe Sinopoli”, mësoi flautin dhe dha disa koncerte me orkestren e shkollës.

– Nisi studimet në liceun e njohur klasik të Romës “Giulio Cesare”, ku krahas italishtes dhe anglishtes, që i njihte mirë, studio dhe greqishten e vjetër dhe latinishten.                                                                                              – Kishte passion dhe muzeumet, i vizitoi të gjithë më të rëndësishmit në Romë e Vatikan, por dhe në qytete të tjera, Tiranë e Korçë, Vlorë, Krujë, Shkodër, etj, por dhe në, Firence, Venecia, Paris e deri në Chicago, SHBA.

– Merrej me sporte, me not, kanotazh, tenis dhe shah.

– Përfundoi gjimnazin “Ismail Qemali” në Tiranë dhe bëri kurse kualifikimi për gjuhët spanjisht, frengjisht e gjermanisht.

– Fiton një bursë për të vazhduar studimet për Filozofi në Itali, ku pranohet si antar i PEN Clubit Italian, ndërkohë bëhet dhe anëtar i Parlamentit Europian Rinor duke përfaqësuar Shqipërinë në disa Konferenca si në Spanjë, Letoni, etj.

Krahas shkrimtarëve në Shqipëri dhe Kosovë, njihet me poetë të njohur nga bota, Sebastiano Grasso, Mario Luzi, Adonis, Hermann Nitsch, Jevtushenko, nobelistin Derek Walcott, etj dhe e tërheqin përkthimet.

Ndërkohë bën dhe piktura si një adoleshent, një pjesë e të cilave vendosen dhe në ballina librash të ndryshëm.

– Në vitin e dytë universitar nis botimet e eseve të para të tij filozofike në Shqipëri dhe Kosovë dhe në median shqiptare në diasporë, Itali, Zvicër, Angli, SHBA…

– Më pas del libri i parë me ese e shkrime të Aton V. Zhitit, “Për atë që dua(m)”, botim i UETPRESS, 2015, me jehonë në lexues dhe në media.
– Hapet ekspozita me piktura të tij “Një kuti me xiëllonja”, 2015, në Universitetin “Polis”, Tiranë, nën kujdesin e kritikut të njohur të artit, Gëzim Qendro.
– Botohet Albumi “Opera Atjon”, 2017, në shqip dhe italisht me vizatimet dhe  pikturat e tij, të feminisë dhe adoleshencës, përgatitut nga kritiku i artit dhe botuesi Gëzim Tafa. Albumi ka patur jehonë brenda dhe jashtë vendit.
– Dalin librat me tregime “Valixhja e shqyer” dhe me poezi “Të rritesh nga dashuria” me ilustrime të Atjonit si bashkautor.
– Koncert për Atjonin në Romë, 2017, me violin dhe pianoforte, “Jehonë dhe butësi,, dialog mes tingujve dhe një ëngjëlli”.                                                  Festali Ndërkombëtar i Filmit “Giffoni” jep çdo vit çmimin “Atjon Zhiti” për anëtarin më të mire të jurisë, ku Atjoni bënte pjesë.
– Një rruge në Tiranë i është vendosur nga Bashkia e Kryeqytetit emri: “RRUGA E ATJONIT”

Kanë thënë për Atjonin:

 

Kjo fytyrë e bukur engjëllore… ajo krijesë e mrekullueshme pra, ishte bërë për qiellin, jo për këtë botë…

Helena dhe Ismail Kadare,  shkrimtarë                                                                 

Nuk kam takuar një të ri kaq të mire, kaq fisnik dhe kaq të dashur në Shqipëri sa Atjoni…

 

Robert Elsie,   albanalog i njohur

 

Atjoni e iluminonte poezinë, sepse ai vetë ishte pothuajse një poemë magjike.

      Adonis
poet i njohur, jeton në Francë

 

 

Libri i Atjonit – testament i Tij… si Ungjilli për bashkëmoshatarët e tij, fari ndriçues i brezit të tij…
                                                                    Eugjen Merlika                                                                                              studiues

 

E njoha Atjonin. Ai jetoi me optimizëm dhe i përkushtuar për artin dhe jetën… Mbetet një shenjë që simbolizon shpresën dhe gjallërinë rinore.

 

                           Jeton Kelmendi

Profesor Universitar, President i

“International Writers Assosaciation ‘Pjetër Bogdani’”  

  

 

 

FITUESJA

SUSANA ROBERT

– poete dhe shkrimtare, përkthyese dhe veprimtare për kulturën

paqes, nga Argjentina.
Jeton në Trelew- Chubut, Argjentinë.
Është Dr. Litt. Honoris Causa,WAAC-2009. Vital Anëtar WAAC. Ca. EEUU.
Ambasador i Paqes, “Mil Milennia.org- Pea.org- (Senati i Argjentinës (Unesco Unicef).
Zv/Drejtore. IFLAC- Argjentinë dhe Amerikën Latine / Anëtar Nderi Shoqata e Harmonisë Globale-Rusi / Anëtar SELAE: Shoqata Evropiane e Shkrimtarëve dhe Artistëve / Ambasadore Universale e Paqes /Rrethi i Ambasadorëve-Gjenevë-Zvicër.
Anëtare e Asociacionit Botëror Ekologjik Etik të “Noosphera-Rusi” (NEEWA)
Në Presidiumin e Anëtarëve WFSC (Forumi Botëror i Kulturës Shpirtërore) -Kazakhstan.
Ambasadore Ndërkombëtare e Kulturës – SIPEA.
Ambasadore “The Love Foundation” -Tampa-Florida-SHBA.

Poezia e saj është botuar në shumë vende të botës, është pjesëmarëse në shumë Kongrese Botërore, Kombëtare dhe Ndërkombëtare.

Është nderuar me çmimin e parë për përkthimin nga “lPCRT-China”.      Ka marrë çmime kombëtare e ndërkombëtare si çmimet “SADE”, çmimin e parë në anglisht WAAC, WCP Trujillo-Peru 2014, dhënë nga Qeveria e Prov. Del Chubut-Argjentinë gjatë 2013-2016.                                                  Çmimi “Grand Master Award” për Mjeshtret e Mëdha të Zonjëve të Botës në Senatin e Argjentinës, Nation- CABA. 2018.                                                               Është nderuar nga Shoqata Ndërkulturore e Indisë me çmimin ndërkombëtar “Sahitya Shree”, etj.

Ka “Medaljen e Paqes” nga Fondacioni “Salvador Allende”, org – Kili 2010. Çmimi Asolapo Arg. Çmimi Ndërkombëtar.
Poezia e saj është në future shumë antologji botërore në gjuhët spanjisht dhe anglisht.

Ka botuar në gazetat, përveçse në Argjentinë, në Peru, Rusi, Spanjë, Greqi, Kazakistan, Uzbekistan, Belgjikë, Indi, etj.

Është bashkautore e shumë librave dhe antologjive.
Disa nga titujt e librave të saj dy gjuhësh janë: Rostros / Faces. El vuelo del Ave / Zogu i fluturimit. Art dhe virtyt në evolucionin e njeriut – në frëngjisht, Epub-France-Alter Editions, etj.

 

NGA LETRA E SAJ

 

Faleminderit nga zemra për këto botime dhe faleminderit i nderuari Jeton Kelmendi për këtë urë kulturore, me suksesin deri në Argjentinë…

Është një nder i madh që jam laureate e këtij çmimi, “Atjon Zhiti”, që më jep më shumë forcë në rrugën time, ku lidhem me fëmijë e të rinj me të cilët flasim dhe veprojmë për paqen dhe për “kulturën  e Shpirtit” që bashkon njerëz anembanë globit. Bekime juve dhe të gjithë anëtarve!… Mirënjohje dhe adhurim nga vendi jugor i Argjentinës.

 

Susana Roberts

Dr Litt Honoris Causa-WAAC

Ambassador of Peace-Mil Milennia.org. Senate of Argentine Nation(Unesco-Unicef).

Vice Dir. Iflac Argentina and Latinamerica.

Honory Member Global Harmony Association.

 

 

 

 

5 POEZI  

nga Susana Roberts

 

 

 

VEPËR ARTI

 

Si merr formë një vepër e vyer arti?

Ç’bëhet me fishkëllimat që oshëtijnë në bregun tim

me ritëm rëre dhe kolibrash?

 

Po me lutjet

si të hapen dritare në një ditë të re?

Si ia del kjo jehonë drithëruese

në heshtjen e shoqërisë me ty?

 

Si ta njohësh ritmin tënd dhe ritmin

e punës tënde nëpërmjet kujtesës

me kaq shumë liri lindjesh

dhe shpresash të vdekura?

 

Si ta bëj lidhjen

e gjakut në venat e mia

për të arrijmë një dritë të re

mes vëllezërve?

 

Do të jetë mrekulli

ndërtimi së bashku i asaj cope

të madhe arti me simfoninë e dashurisë

mbi të gjithë tokën.

E GJITHA BLU

 

Ti ke derdhur të gjithë blunë

Mbi sytë e mi

Ashtu si ëmbëlsia e mjaltit

Që helmon jasminët

Lagështia është penduese e dashurisë

folja po takohet

me infinitin e oqeanit

 

Unë shkruaj Paqe kur shkruaj dhimbje

me zjarr dhe ajër

ngjeshur në grushtin tim

drita po rritet

Ashtu si një luftë e fortë

Brenda urisë nën lëkurën time

Ardhur nga shpatullat e mia

Dhe duhet që unë të jem

Flaka e trupit tend.

PËR ÇFARË PO MENDON

Për çfarë po mendon?
Kockat e mia të vetmuara
penjët në lakuriqësinë e nënndarjes së pambukut

Për çfarë po mendon?
Mishin tim dhe bebëzat e syve të mi
këngën e endacakut të artë
në rrugët e ëndrrave të mia

Për çfarë po mendon?
Nëse nesër unë vdes, djali im
sot është e Shtunë
thirrja jote shmang hijet

Nëse nuk mendon ndonjëherë
unë do të shkoj në park
ku mosha ime
po pret për më shumë lexime

Do të shkoj
ta ndjej veten të përqafuar
nga lumi me ngazëllimet e tij
ndërsa perëndimi i diellit përgatit ujërat
të kokolepsen me disa tregime pasditeje
midis dëllinjave

Pastaj ndoshta
Unë dehem
me dritat që zbehen te bankëzat
vetmi-qeta në pikturën e tharë
me konturet e figurave vjeshtore.

 

DUKE TË KËRKUAR TY

Oh! Jeta e trupit tim dhe forca ime, e gjitha ti, shpirti dhe zemra, oh! Ti je zemra dhe shpirti im! E gjitha ti je bërë me gjithë qenien time, prandaj ti je i gjithë unë. Unë s’kam bërë asgjë te ty, kjo është arsyeja pse unë jam ti i gjithë.

Rumi

Përshkova shumë shekuj

me sytë e lagësht

me lotët e fëmijës

të rërës dhe erës

Unë u deha

prej dashurisë tënde të besueshme

shtypur në mua

Emri yt

deri në kujtesë hyjnore

ti e di të gjithë këtë

në kohë të pakufizuar

formash të pamundura

ti i di kush je

dhe ti nuk më njeh mua

me çfarë emri duhet të të kërkoj

në këtë vend shenjash

kur unë puth largësinë

e madhe

nga lotët e mi deri në shtëpinë tënde?

humba

në thirrjet e erës

prapa perdeve

ku dridhet gjaku

dhe ne jemi vërtet

copëza të një puzzle

të lyer me butësi të egër

të njëjtë me fluturimin e zjarrit

kur të emëroj ty dhe ti më emëron mua

në boshtin shpirtëror te Universit.

FRUTA TË ARTË

Në agim të kohëve

Në botën time qiellore

M’u dorëzua një shenjë e çuditshme

në pëllëmbë të dorës

Pashë një kopsht të harlisur

Me fruta të artë

Ky është sekreti

Dhuratat që mua më mahnisin

E papritura në kërkimet e gjera
Për të gjetur njerëz me shpirt të jashtëzakonshëm

Këto kushte tani na përkasin ne

në çdo horizont

ku vëllazëria është e bekuar.

Përktjeu nga anglishtja: Dardan Shkreli

Filed Under: Featured Tagged With: “ATJON ZHITI” I JEPET POETES, /ROBERTS/, ÇMIMI NDËRKOMBËTAR, NGA ARGJENTINA SUSANA

Politically incorrect

December 30, 2018 by dgreca

Një event për historinë e letërsisë, një hiç për kritikën zyrtare: Pentalogjia poetike e Net IsVeizit.  

net 4net 5Net IsVeizi foto

 

U ndanë çmime gjatë 2018-ës, u bënë edhe klasifikime. Siç pritej, u nderuan me to sidomos autorë pranë pushtetit, të sjellë në dritë nga botues ngjitur me pushtetin; të lëvduar nga tellallë që mbledhin me gjuhë thërrimet poshtë tavolinës së pushtetit.net 1

Asnjë shkrim me peshë rreth një botimi të rrallë, të plotë, madhështor, epik, që i  bën një shërbim të pakrahasueshëm gjuhës së lëvruar shqipe: pentalogjia “Argenit si shpirt yjesh”, “333+333 sonete” , “+ 333 sonete”,  “Shpirtgenit si ar yjesh” si edhe “333 sonete” – sjellë për lexuesin nga “Botimet Magus”.net 2
net 3

 

Me keqardhje e kemi pranuar që nuk kemi kritikë të mirëfilltë për letërsinë. Pas largimit nga skena të burizanëve të realsocit, pritej një boshllëk, por jo që të zgjaste kaq shumë. Por boshllëqet në kritikë, ashtu si edhe më gjërë në gjithë letërsinë – janë fatale. Në kritikë ato u mbushën me shkruajtës me porosi; në letërsi lexuesi ka mbetur pa një busullë, në mes të shkurreve të mediokritetit. Mendohej se nga vetë letrarët vërtetë të talentuar do të vinin shkrime të bazuara në cilësinë e veprave, por zhgënjimi qe i plotë: rrallë u gjendën shkrime të tilla. Nëpër media e social të marrin frymën elozhet për njëri-tjetrin, pothuaj gjithmonë nga shgarravitës që nuk kanë lexuar librat që lëvdojnë, mjafton të jenë të miqve, apo dhe, sidomos, të të afërmve.

As kritikët e mirëfilltë nuk janë të zhveshur prej subjektivizmit, por tek ata kriteri bazë – vlera e mirëfilltë – mbetet gur themeli.

Me Net IsVeizin nuk ndodhi as  njëri fenomen, as tjetri. Net, ashtu si edhe vepra e tij e rëndësishme, ka qenë dhe mbetet politically incorrect. Nga ky pikëvështrim duket normale ftohtësia, për mos të thënë armiqësia ndaj tij. Për të kanë heshtur scrivanët me pagesë. Ai nuk ka familjarë apo miq që ta lavdërojnë falas.

   E mos më thoni që koha i nxjerr vet në pah vlerat. Qëmtojini sa jeni gjallë. E nesermja nuk do të jetë e lexuesit të sotëm. E vetmja gjë e sigurtë është se Net IsVeizi do vazhdojë të përmendet, edhe kur të të lëvduarve me pagesë,  atyre prej familjarëve apo prej thërrimexhinjve të politikës t’u jenë konsumuar gurët e varrit.

 

Botuar në gazetën “Dielli”, Nju Jork, 30.12.2018

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Net IsVeizi, Shpend Sollaku Noe', Triptik

“DIELLI”, KONKURS ME RASTIN E 110 VJETORIT

December 29, 2018 by dgreca

1 Flamuri shenje

Nju Jork, 29 Dhjetor 2018 – Viti 2019 përkon me 110 vjetorin e daljes të numrit të parë të Gazetës Dielli. Si gazetë e shoqërisë Besa-Besën numri i parë  i gazetës doli në Boston me 15 Shkurt 1909 me editor Fan S. Noli dhe menaxher George Konda(Gjonleka). Nga tetori i vitit 1909, Editor u bë Faik Konica. Pronare dhe themelonjëse e gazetës  ishte Shoqata Besa-Besën, e cila qe krijuar që me 6 Janar 1907, duke patur si zyrtarë: Fan S. Noli-Kryetar; Goni Katundi-nën/Kryetar; Nini Fani Katundi-Sekretar; dhe anëtarë-(Pleq): John Gjoka, Mihal Panajot Katundi, Lazo Kozma, Nisi Konomi, dhe Lambi Josif.  Dielli, që zëvendësoi “Kombin” e Sotir Pecit,që u mbyll me 10 Janar 1909, ishte gazetë javore dhe e para e përditshme shqiptare më 1914 me Kostë Cekrezin Editor. Në mbledhjen themeluese të  Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”  me 28 Prill 1912, gazeta Dielli u bë pronë e saj me editor Kristo Floqin dhe menaxher Kristo Kirkën.

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA do ta festojë 110 vjetorin e Gazetës me një sërë veprimtarish, që do të bëhen të njohura në ditët në vijim. Gazeta në përkujtim të këtij përvjetori , dhe në nderim të Editorëve të saj për 110 vite, shpall Konkursin për gazetarë e studiues. Preferohen libra të rinj, që janë botuar gjatë vitit 2018 dhe përgjatë vitit 2019; esse(shqip dhe anglisht), artikuj studimorë, analiza, portrete, Dossier, Fejtone,  kushtuar  Vatrës, gazetës Dielli dhe editorëve të saj ndër vite. Cmimet do të mbajën emrat e editorëve më të shquar të Diellit.

Konkursi mbyllet me 31 Mars 2019. Fituesit do të shpallen me 6 Prill.

Adresa ku dërgohen materialet: Email: gazetadielli@gmail.com

Adresa e Postimit:

VATRA

2437 Southern BLVD

Bronx, NY 10458

USA

 

Filed Under: Featured Tagged With: 110 Vjetori, dalip greca, dielli, Konkurs

ALTIN REVANIA OSE PIKTURA E SHPIRTIT TE ÇLIRUAR

December 29, 2018 by dgreca

…Nën një sarkofag të Beratit – qelia e dikurshme e shpirtit të tij. Përmbi Tabe – shushurima e një peneli të zhdërvjellët. Mbi Osum – cicërima e lotit. ../

1 Shpendi

Nga Shpend Sollaku Noé/

1 Altin Syri1 altin Revania1 altin Vicioze

Përditë, ndërsa fshij djersët e ftohta të krijimit, ngre sytë në faqen e murit përballë. I fiksoj atje për minuta të tëra. Nuk kam dritare në atë hapësirë. Në vend të saj më hap një thellësi të pafundme mendimi një kuadër i rrallë – “Autoprtret”-i, i piktorit Altin Revania. Gjen gjithçka në atë vaj mbi kanavacë. Në dukje janë pasionet e tij më të mëdha por, dhe sidomos, rebelimet e tij. Ajo çka e bën më të rëndësishëm – përpjekja mbinjerëzore e shpirtit për të flakur guaskat që e ndrydhin. Eshtë një SHPIRT i madh, pothuaj i perëndishëm, të cilit  i merret fryma nën QELInë që të vdekshmit e rëndomtë e quajnë TRUP.

Më mirë se ai vete askush nuk e njihte Altin Revaninë. Ne përpiqemi vetëm ta imagjinojmë tërësinë e tij, duke ngushëlluar veten me idenë se ia kemi arritur t’i afrohemi imazhit të përcjellë prej një arti,  përballë të cilit duhet menduar thellë para se të dilet në përfundime.

Vazhdoj të kqyr gjatë “Autoportret”-in e koleksionit tim. Një talent i madh, një shprit akoma më i madh, që nuk mund të ndrydheshin në trupin prej mishi e kockash, që shpesh  e shpinin maleve, luginave, në këmbë, me bicikletën e pandashme, veçanërisht me zemrën e lindur për të rendur.  Zemër tejet e gjerë, edhe ajo e gjendur keq në QELInë e quajtur TRUP. Dukej i fortë, i ngjeshur TRUPi, por tejet i brishtë e delikat për të strehuar një ZEMER, një SHPIRT, një TALENT të madh. Nuk do të mundte askurrë t’i mbante vetëm për vete. Ato i përkisnin të tjerëve, për TE TJERET rrahën, ëndëruan, djersitën, sakrifikuan.

Kjo ishte edhe pika e dobët e tij: një trup i brishtë edhe pse në dukje… Nëse talenti, shpirti e zemra e piktorit nuk mund të sulmoheshin, trupi i tij iu nënshtrua sulmeve që duhet të përballojnë të vdekshmit. Dalëngadalë, me një dinjitet të pagjendshëm gjithkund, Altini ia arriti të ndrydhë në qelinë e trupit dhimbjen dhe sigurinë e të keqes që ishte duke e sulmuar pa i dhënë më mundësi të mbrohej. Aq natyrshëm ndodhte kjo, saqë ne qe ishim larg as që e besuam lajmin e shuarjes së trupit të tij. Nuk do të jetë e vërtetë, vetëm shumë pak kohe kish kaluar që ishim lidhur me mesazhe apo kishim folur në telefon. Duke botuar një foto tek grupi Only Berat i FB-ut, në të cilën kisha dalë me mikun artist në Berat, në mesnatën e parë të vitit 2018, i kisha drejtuar pyetjen: Çfarë ishim duke menduar ndërsa shkrepej kjo foto, i dashur Altin? Ai më ish përgjigjur: Përpos bisedës për Antologjinë tënde dhe artin në përgjithësi, po shijonim edhe një verë të mirë. Por do ulemi prapë!

Ma kishte premtuar takimin e ardhshëm. Dhe qe hera e parë që nuk i qëndroi fjalës. Sigurisht ishte shpirti i tij ai që më kishte premtuar. Por trupi nuk ishte më i tij. Ai i përkriste tokës. Prandaj edhe tradhëtonte. Së pari, tinëzisht, kish tradhëtuar Altinin. Pastaj, në befasi, na tradhëtoi edhe ne. Atëherë, kur erdhi lajmi nga Berati se… Atëherë kur nuk e prisnim.

Mërgimi bart në vete të gjitha të këqijat e botës. Mendoja se kish të mirë, për pjesën më të madhe të ikanacëve, vetëm sigurimin e bukës së gojës e diçka më tej. Por vite të pafund larg të dashurve të dheut tënd, më bindën se diçka me vlere toka e huaj ta ofron: shpesh nuk të jep mundësinë të marrësh pjesë në funeralet shqiptare. Lajmet e vdekjes prej Shqipërie truri ynë i katalogon si kronika të largëta, që nuk kanë të bëjnë me njerëzit që të kanë dhe ke dashur. Edhe pas kasnecëve të zisë ti vazhdon t’i konsiderosh të gjallë tutillmbajtësit e kronikave vdekësore. Pasi i ke fisksuar ashtu siç i le herës së fundit: me një buzëqeshje të dlirë në buzë dhe një gotë vere të mirë në dorë. Nuk i ke parë funeralet e tyre. Atëherë nuk kanë vdekur. Sidomos nëse vazhdon të komunikosh me ta nëpërmjet asaj që kanë lënë pas: familjen, miqtë e shumtë. Në veçanti edhe veprën, si në rastin e Altin Revanias. Që së fundi e gjykoi si shumë të vogël botën e këtushme, që u ngjit atje, ku, sot për sot, nuk mund ta arrijmë dot.

Nën një sarkofag të Beratit – qelia e dikurshme e shpirtit të tij. Përmbi Tabe – shushurima e një peneli të zhdërvjellët. Mbi Osum – cicërima e lotit.

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: ALTIN REVANIA OSE PIKTURA, E SHPIRTIT TE ÇLIRUAR, Shpend Sollaku Noe'

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT