• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2018

Dje dhe sot

December 4, 2018 by dgreca

1-Astrit-Lulushi-286x300

Nga Astrit Lulushi/

Devijimi më i vogël nga e vërteta shumëzohet më vonë një mijëfish, ashtu si njeriu mund të bëjë gabim në jetë, por jeta kurrë nuk bën gabim me njeriun. Por ka edhe të tjera që e çojnë njeriun në të njëjtin përfundim; fuqia, pushteti tërheq të korruptuarin, pastaj e korrupton atë më tej. Shenja e parë e korrupsionit është kur qëllimi bëhet justifikim për mjetin; kur rezultati i mirë justifikon çdo gabim të kryer; një fushatë me fonde të paligjshme e shtyn një parti të mendojë se fitorja në zgjedhje do të justifikonte çdo mjet të përdorur, ose një kandidat, me qëllim për të fituar votat, bën premtime boshe.
Përkeqsimi i çdo qeverie fillon me prishjen e parimeve mbi të cilat u themelua, thotë Montesquieu. Të gjithë precedentet e këqinj, patën filluar si masa të justifikueshme.
Por le të jemi mirënjohës, sepse në qoftë se nuk mësuam shumë nga jeta, të paktën mësuam pak; nëse disa arritën të mos mësonin fare, të paktën nuk u sëmurën; nëse u sëmurën, të paktën nuk vdiqën burgjeve e internimeve, as nuk u rrezikuan. Pra, le të jemi mirënjohës, sepse kurrë më parë nuk vodhëm; edhe nëse na vodhën, të paktën nuk na morrën jetën; nëse na i morrën të gjitha, prapë nuk ishin shumë; le të jemi mirënjohës, sepse ne ishim të grabiturit dhe jo grabitësit. Ndryshe nga sot, jeta ishte e errët atëkohë, si një labirinth plot dredha, padritë, papasqyrë, plot me njerëz të verbër.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, DJE DHE SOT

SHQIPTARËT, NJË POPULL POET

December 4, 2018 by dgreca

Takim Botëror i Poezisë, Strasburg/

MEP_02_Mail2. afishe Andrea Fotaq3. Fotaq Andrea ne Takimi boteror te poezise4. peuple poète5. Antologji frengjisht ok6. michel metais poezia e I. Kadarere7. chateaubriand i semure dhe shqiptarka8. popull poet nga Gerome1 havzi nela ok

Nga Fotaq Andrea-Strasburg/*

Në datat 19-24 nëntor 2018, u mbajt në Strasburg, konsideruar si kryeqyteti i Europës, Takimi Botëror i Poezisë, organizuar nga Shoqata Mo-Zar (Mots-Arts), në bashkëpunim me Forumin Botëror të Demokracisë (Këshilli i Europës), me Bashkinë e Qytetit të Strasburgut si dhe me pjesëmarrje poetësh, shkrimtarësh e studiuesish nga pesë kontinente, nën drejtimin e një Komiteti shkencor përbërë nga profesorë universitetesh europiane, konferencierë, shkrimtarë, botues, doktorë në Letra, etj. dhe kryesuar nga Enrique Uribe, profesor në Universitetin e Strasburgut.

1 Moikomi2 Lahuta

Në Takim, ndër poeteshat, poetët e studiuesit që morën pjesë nga mjaft vende – nga Franca, Portugalia, Spanja, Maroku, Çadi, Kanadja, Irani, Iraku, Belgjika, Rusia, Bullgaria, Rumania, Greqia, Venezuela, Kolumbia, Anglia, Shtetet e Bashkuara, Palestina, Peruja, Gjermania, Algjeria, etj. -, merrte pjesë edhe autori i këtij shkrimi për të përfaqësuar Shqipërinë, ku mbajti kumtesën “Shqiptarët një popull poet” më datën 23 nëntor në Villa Schützenberger, si dhe prezantoi në mënyrë të veçantë dy poetë shqiptarë: poetin martir të demokracisë Havzi Nelën, dhe poetin Moikom Zeqo në Kinema Odysée më 24 nëntor 2018 me poezi që i kishim përkthyer posaçërisht për këtë ngjarje të shënuar.

Takimi botëror i Poezisë u udhëhoq nën moton “Poezi, çfarë ke për të na thënë?”, ku poetë, studiues, botues, librarë, amatorë të poezisë, studentë e gjimnazistë që mbushën sallat për një javë rresht kishin shumë për të thënë në këtë periudhë të cilësuar “Krizë e shoqërisë, Krizë e poezisë”, përballë apatisë së masës njerëzore për mbrojtjen e demokracisë dhe paqes në botë, për kultivimin dhe ruajtjen e tyre nëpërmjet institucioneve demokratike dhe bashkimit e bashkëpunimit mes popujve, duke kundërshtuar çdo fatalizëm, çdo humbje besimi në regjimin demokratik dhe integrimin europian. Në Manifestin e miratuar në përfundim të veprimtarisë, titulluar: “Ruhu Europë, Europa për Europianët”, u vu në dukje fuqimisht se poetët dhe poezia janë në gjendje të rigjallërojnë besimin në vlerat demokratike, se pasioni poetik nuk është thjesht e vetëm në varg, por se atë e përjetojmë të gjithë përditë si qytetarë të këtij universi harmonik që na bashkon mrekullisht, dhe më në fund se poezia mbetet thelbësisht e pandashme nga vetë nocioni i lirisë e i besimit në shoqërinë njerëzore, themeli për ta mbajtur përherë gjallë këtë poezi, siç parashikonte poeti peruvian Cesar Vallejo që më 1937: “Europë, po të kujtojmë: “Ruhu për veten tënde!… Ruhu për të ardhmen…!”  

Paraprakisht, në takim me kryetarin e shoqatës Mots-Arts Enrique Uribe Carreño, i paraqitëm Komitetit drejtues të aktivitetit një abstrakt të kumtesës sonë si dhe dymbëdhjetë poezi të përzgjedhura nga poetë shqiptarë, klasikë e të sotëm (në frëngjisht), nga N. Frashëri, Migjeni, Çajupi, L. Poradeci, D. Agolli, I. Kadare, F. Arapi, Xh. Spahiu, M. Ahmeti, M. Velo, P. Shllaku, D. Çomo. Kërkuam me këtë rast t’i bëhej nderim i veçantë në Takim poetit martir shqiptar Havzi Nela (varur më 1988 nga regjimi komunist – dy vjet para shembjes së Murit të Berlinit), poezia e të cilit “Quand je mourrai” (“Kur të vdes”), së bashku me foton e tij të botoheshin në faqen web kushtuar kësaj ngjarjeje. Kjo kërkesë e jona u miratua menjëherë.

Në kumtesën tonë, për gati një orë e gjysmë, bëmë një historik të shkurtër të poezisë shqipe ndër shekuj, duke u ndalur konkretisht në tre etapa të zhvillimit të poezisë: asaj rilindëse, post rilindëse dhe poezisë së sotme, si dhe duke paraqitur pikëtakimet e poezisë shqipe me poezinë europiane e posaçërisht me poezinë frënge. Vumë në dukje se që më 1847, Lamartin, i shkruante poetit arbëresh De Rada se “poezia ka ardhur nga brigjet tuaja dhe duhet të rikthehet atje”. Po ashtu, në vitet ’40 të shek. XX, një artikull në italisht për kombin shqiptar mbante si titull “Gli Albanesi, un popolo di poeti et di soldati”. Më 1989, një personalitet i njohur francez Xavier Diniau, ish sekretar shteti dhe ish sekretar i përgjithshëm i asamblesë parlamentare të frankofonisë, në një shkrim kushtuar Shqipërisë, vinte në dukje: “Atdheu shqiptar… është krijuar nga poetët”. Veç kësaj, Alain Bosquet dhe Michel Métais, që në vitet ’70, duke prezantuar Kadarenë tek lexuesi francez, nxirrnin në pah shpirtin poetik ndër shekuj të popullit shqiptar dhe po në atë periudhë, dy poezi të Kadaresë do të figuronin për vite me radhë në një Antologji letrare për sistemin e shkollës së mesme franceze (kolegjet e gjimnazet).

Që në fillim, theksuam dallimin midis poezisë gojore, tradicionale dhe tepër të pasur nga njëra anë dhe nga ana tjetër, poezisë së shkruar, të kultivuar apo “savante”, sipas termit të përdorur nga prof. Alexandre Zotos në Antologjinë e tij “Poezia shqipe” me mbi 70 autorë  (botuar më 1996). Vumë në dukje se është pikërisht poezia gojore ajo që përbën bazën themeltare të vetë poezisë së shkruar, shtratin historik të saj. Tradita e fortë e poezisë gojore shqipe, së bashku me folklorin e pasur, njihet që në mesjetën e hershme dhe një libër për poezinë epike shqipe është botuar në Francë më 1968, titulluar “Chansonnier des preux albanais”, (Eposi shqiptar i kreshnikëve), që përmban shumë vëllime në origjinal për këngët historike shqipe me zanafillë në shekujt XI-XII dhe që trajtojnë ngjarje të ardhjes së sllavëve në Ballkan në shekujt VI-VIII. Theksuam në këtë mes pikëtakime të eposit shqiptar me eposin frëng dhe se Këngët e Rolandit (eposi francez) përmbajnë disa strofa për kalimin e frankëve të Karlit të Madh në Shqipëri gjatë periudhës së Kryqëzatës së parë.

Nga ana tjetër, tërhoqëm vëmendjen se kjo poezi gojore është e pasur në zhanre të ndryshme, dhe arrin kulmin e vet me këngët polifonike të Jugut të Shqipërisë dhe këngët me lahutën monokorde të Veriut të Shqipërisë, për të cilat ka shkruar edhe Prosper Merimé. Një lloj i tretë kënge krejtësisht të veçantë përbën korpusi i këngëve çame të Epirit të Veriut, apo të shqiptarëve të Greqisë, pa harruar këngët e shqiptarëve të Italisë (arbëreshëve), apo ato të shqiptarëve të Kosovës. Nëse kënga dhe poezia gojore janë tejet të zhvilluara historikisht në Shqipëri, kjo ndodh thjesht për faktin se gjuha e shkruar ishte e ndaluar gjatë pushtimit  osman prej pesë shekujsh të vendit. Nga ku dhe rëndësia e poezisë gojore, e baladave, legjendave, këngëve epiko-historike, që jo vetëm përcilleshin lehtë me gojë nga brezi në brez për shekuj të tërë, por ishin edhe një përgjigje e drejtpërdrejtë e popullit ndaj pushtimit të egër osman, dhe kur populli i thjeshtë, për çdo ngjarje brenda fshatit, qytetit, krahinës, për çdo bir të tij martir, për çdo bëmë të lartë thurte menjëherë këngë për të pavdekësuar çastin epiko-historik e për të përjetësuar me lirizëm çdo gëzim e dashuri të njeriut shqiptar me jetën dhe natyrën. Në këtë kuptim, theksuam se poezia në Shqipëri është po aq e lashtë sa dhe vetë gjuha shqipe, një degë e veçantë, origjinale, në familjen e gjuhëve europiane.

Katër tiparet themelore të poezisë shqipe:

  1. Poezia gojore ka qenë shkollë për lëvizjen patriotike shqiptare, që e ka shoqëruar krejt Rilindjen shqiptare dhe i ka shërbyer në pikën më të lartë zgjimit të ndjenjës kombëtare. Tërë promotorët e Rilindjes shqiptare (rilindësit) kanë qenë para së gjithash poetë, dhe tërë përpjekjet e tyre u kurorëzuan me aktin e shpalljes së pavarësisë më 28 nëntor 1912. Pikërisht, kjo është forca madhore e poezisë së angazhuar militante, të motivuar dhe të mbështetur masivisht.
  2. Poezia gojore i ka shërbyer fuqishëm vetë emancipimit të shoqërisë mesjetare dhe feudale shqiptare për ta afruar sa më shpejt me botëkuptimin përparimtar të kohëve moderne, dhe në këtë kuptim, kjo poezi emancipoi edhe vetveten duke u afruar me shkollat poetike europiane.
  3. Poezia gojore çeli perspektiva të reja zhvillimi drejt një poezie që përdor bukurinë e gjuhës për ta bërë këtë edhe më shprehimisht artistike dhe të pasur në figura letrare. Synohet drejt idealit të poezisë së kulluar artistike dhe në këtë mes vumë në dukje forcën shprehëse të vargut shqip, aftësinë e gjuhës shqipe nga pikëpamja gramatikore, që lejon zhvendosje të lehtë leksiku dhe veshje të tij bukur artistikisht.
  4. Më në fund, poezia e kultivuar në këtë mënyrë ia kthen monedhën e vet poezisë popullore, domethënë, mban gjallë frymën poetike të këtij popullit poet.

Tre etapat (moshat) klasike të poezisë shqipe (sipas prof. Zotos) janë:

Etapa e parë: Rilindja shqiptare, që shkon nga vitet ’40 të shek. XIX (me De Radën), deri në vitet ’20 të shek. XX;

Etapa e dytë: është ajo e lulëzimit të poezisë realiste e kritike kur shohim të formohet rryma progresiste e viteve ’20-30’ dhe që kulmon me Migjenin. Ky autor i fuqishëm shqiptar, ndër poetët e parë modernë njihet për forcën e fjalës, me varg të lirë e të ngjeshur, por edhe të shkurtër: “Unë jam djepi juaj, dhe ndoshta varri juaj”, shkruan ai për vargun e tij poetik. Për herë të parë shohim tek ai lindjen e prozës poetike shqipe.

Etapa e tretë: është ajo e izolimit dhe e hermetizmit të vendit gjatë sistemit komunist, konkretizuar me rrymën e soc-realizmit, që zgjati rreth pesëdhjetë vjet dhe që kulmoi në vitet 60-70, kur poezia veshi petkun zyrtar të ideologjisë sunduese, po ku dalluan edhe poetë disidentë, që i largoheshin rrymës ideologjike e për më tepër që u persekutuan e u dënuan rëndë për mospajtim me sistemin në fuqi. Mbi 200 intelektualë të shquar, shkrimtarë, artistë, poetë, përkthyes, etj. njohën shtypje, tirani, martirizim dhe ndër të tjerë përmendëm fatin tragjik të poetëve martirë të demokracisë Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Genc Leka dhe Havzi Nela, duke u ndalur konkretisht në vargun e tyre të lirë e fuqishëm dhe në vdekjen torturuese, me pushkatim apo varje.

Një etapë e katërt vazhdon sot me poezinë e quajtur moderne të autorëve të rinj poetë.

Në zbërthimin e këtyre etapave u ndalëm në mënyrë të veçantë në poezinë e Rilindjes shqiptare, para, gjatë dhe pas saj, duke vënë në dukje se poezia e Budit dhe e Bogdanit në shekujt XVI-XVII, edhe pse me theks kënge tradicionale të krishterë, ishte para së gjithash përgjigje e drejtpërdrejtë e regjimit osman.

Në etapën përgatitore të Rilindjes dhe të poezisë së saj të angazhuar u dalluan fillimisht poetët e diasporës shqiptare, pasuar drejtpërdrejt nga poetët brenda vendit: De Rada, si shtylla e fillimit të Rilindjes njihte nga afër poezinë klasike dhe romantike europiane të shek. XIX dhe mbante lidhje epistolare me Lamartinin, Hygoin, Mistralin dhe Dora d’Istrian. Këtu u ndalëm posaçërisht te figura e Dora d’Istrias, duke qenë se ky vit përkon me 190 vjetorin e lindjes së saj dhe 130 vjetorin e vdekjes. Duke vënë në dukje origjinën e saj shqiptaro-rumune dhe duke theksuar lidhjet e ngushta që ajo mbante me rilindësit tanë, ngritëm lart figurën e saj si princeshë e kulturës evropiane, që ka kapur e zbërthyer thelbin e shpirtit poetik të mbarë popujve të  Europës me 30 esetë e saj të mrekullueshme, botuar në Revistën prestigjioze franceze “Revue des Deux Mondes”, nëpërmjet të cilave nxjerr në pah e zbërthen me penë të fuqishme lidhjen e ngushtë kombësi – poezi popullore. Me këtë rast, në prani të Znj. Ana Maria Girlenau, pedagoge dhe drejtore e departamentit të studimeve rumune UNISTRA (e cila na miratoi në propozimin tonë), formuluam kërkesën që Pllaka përkujtimore që mban emrin e Dora d’Istrias (Helena Ghica) në një nga sheshet e Strasburgut të pasqyrojë origjinën e vërtetë të saj si shqiptaro-rumune dhe jo vetëm rumune. Theksuam se ky propozim i yni i bën nder jo vetëm Rumanisë, por edhe Shqipërisë në kuadrin e Europës së Bashkuar, duke qenë se shumë herë vetë Dora d’Istria ka pohuar origjinën shqiptare të saj dhe të krejt familjes princërore Gjika. Shpresojmë që kjo kërkesë e jona të merret parasysh nga autoritetet e Bashkisë së Strasburgut, dhe të ndiqet nga përfaqësia shqiptare pranë Këshillit të Europës.

Poezia shqipe shfaqet që në fillim të shekullit XIX në përmbledhjet e këngëve historike dhe heroike të Greqisë, përkthyer frëngjisht nga M. Mépomucène dhe L. Lemercier, si dhe në antologjinë e përgatitur nga Claude Fauriel, ku zinin vend heronjtë dhe udhëheqësit arvanitas të Revolucionit grek dhe të pavarësisë së Greqisë (1821-1824), për të cilët do të kushtonte vargjet më të bukura të “Orientaleve” të tij vetë Viktor Hygoi, duke ngritur lart bëmat e shqiptarëve. Po ashtu, vend të nderuar zinin këtu edhe Udhëpërshkrimet e konsullit frëng Pouqueville nëpër Shqipëri e në pashallëkun e Janinës kur flet veçanërisht për këngët polifonike, si dhe punimet e filologut frëng Auguste Dauzon për poezinë popullore shqipe, të gjuhëtarit Louis Benloew për metrikën e poezisë popullore shqipe, etj. Por, interesimi i publikut në Villa Schützenberger u bë edhe më i madh kur vumë në dukje se në dy raste konkrete historike, poezia shqipe, e sublimuar në këngë do të shërbente si “melhem” shërimi për dy gjeni të mëdhenj të letërsisë botërore: për Shateaubriand-in, pararendësin e romantizmit francez dhe emër i madh i Letrave frënge, dhe për Lord Bajronin, poetin e ndritur të Letrave angleze, i cili mbante përherë një shpurë shqiptarësh besnikë gjatë udhëtimeve të tij nëpër Greqi e Shqipëri. Në fakt, do të ndodhte që Shatobriandi i madh do të sëmurej rëndë, me temperaturë të lartë në Kerathia (Athinë) dhe do të strehohej për një javë rresht në kasollen e një arvanitasi, ku një vashë shqiptare do përkujdesej për atë duke i njomur ballin me napë me uthull, pa e ndërprerë këngën e saj shqipe gjatë tërë ditës (“në gjuhë të panjohur”, thotë poeti i “Kujtimeve përtej varrit”), dhe pikërisht ajo këngë shqipe do të shndërrohej në shtrat shërimi të vetë poetit dhe politikanit të madh frëng Shatobriand. Ja pra, forca e poezisë së kënduar shqipe, e asaj kënge-poezi, që mban gjallë mbi të gjitha shpirtin e paepur të popujve!

Po ashtu, Bajroni, që do të përjetësonte shqiptarët, veshjet, armët dhe këngët e tyre, u sëmur rëndë gjatë udhëtimeve nëpër Epir, dhe trimat e tij shqiptarë të pandarë e mbajtën mbi supe në shtrat prej druri dhe pikërisht, në përhumbje të plotë nga ethet, do të ndiqte mes erërave, shiut, furtunës, tallazeve, jehonën e këngës polifonike shqipe (labe), që vinte nga thellësitë e kohërave, atë këngë që ishte bërë për të burim frymëzimi për vargjet hyjnore të “Çajld Haroldit”. Ai është ndër të parët autorë të huaj që sjell të transkriptura edhe dy këngë të lashta shqipe në epistolarin e tij.

Tipar themelor i poezisë së Rilindjes shqipe është se tërë promotorët e saj janë poetë, ashtu sikurse tërë arsimtarët e shkollave të para shqipe të çelura në fund të shekullit XIX janë poetë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ideologët e lëvizjes politike të Rilindjes dhe për drejtuesit e kryengritjeve të armatosura që ishin në një pjesë të mirë edhe këta poetë. Pikërisht një fakt i tillë i përgjithëson shqiptarët si popull poet e luftëtar dhe se pavarësia shqiptare është fryt i shpirtit rilindës e liridashës të këtij populli. Numërohen mbi njëqind poetë rilindës shqiptarë të njohur për poezitë e tyre militante të fuqishme, e ndër ta vend të nderuar zë Naim Frashëri, i konsideruar edhe si poeti kombëtar shqiptar.

Temat kryesore të poezisë rilindëse shqiptare janë: dashuria për atdheun, dashuria për gjuhën amtare, glorifikimi i historisë e i heronjve të Shqipërisë, konkretisht Skënderbeut, Heroit kombëtar shqiptar, për nder të të cilit ky vit u shpall “Viti Skënderbeu – 2018”, që po festohet me madhështi në mbarë kombin shqiptar me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së tij.

Domosdo, detyra kryesore e Rilindjes shqiptare ishte pavarësia e vendit, çlirimi nga zgjedha e perandorisë osmane, por kjo detyrë e shenjtë shkonte më larg: drejt emancipimit të mbarë shoqërisë, drejt progresit të saj dhe integrimit në familjen e madhe evropiane. Në këtë drejtim, poezia e kultivuar dhe e angazhuar shqipe kishte një theks mjaft kritik dhe nuk është aspak rastësi nëse motoja e Rilindjes Shqiptare ishte: “Mos shikoni kishë e xhamia, feja e shqiptarit asht shqiptaria”. Janë në fakt, vargjet më të fuqishme të poetit Pashko Vasa në poezinë e tij “O moj Shqypni”. Ngaqë kërcënimi i konflikteve fetare rëndonte ashpër në Shqipëri. Po ashtu, vend i rëndësishëm i njihej që në atë kohë emancipimit të gruas shqiptare dhe rolit të shkollave për të luftuar analfabetizmin masiv.

Vlen të theksohet roli që luajti Diaspora shqiptare gjatë periudhës së Rilindjes kombëtare – e cila ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me poezinë europiane – duke përgatitur botime të shumta tekstesh shkollore dhe përmbledhjesh poetike, sidomos në Rumani, Itali, Bullgari, Francë, Belgjikë, Egjipt, etj. Në këtë mes, Faik Konica, një personalitet i shquar shqiptar me përmasë europiane, sa shkrimtar, botues, gjuhëtar, përkthyes aq edhe poet me varg elegant, dhe që vepronte në Francë, Belgjikë e Angli, mbante lidhje të ngushta me poetin e shquar Guillaume Apollinaire dhe ndiqte nga afër zhvillimet e poezisë simboliste dhe të krejt plejadës së poetëve simbolistë. Revista e tij “Albania” pasqyron ndër të tjerë, edhe mjaft poetë evropianë e botërorë, klasikë e modernë.

Lidhur me moshën e tretë klasike të poezisë shqipe, në Takimin botëror të Poezisë u ndalëm në mënyrë të veçantë te poezia “Kur të vdes” e poetit martir Havzi Nela, të cilën e recituam dy herë gjatë takimeve tona me lexuesin frëng të poezisë, pasi theksuam fatin e tij tragjik dënuar me varje nga diktatura komuniste, dhe akoma më tragjik “varrimi” i tij në një vrimë të mbetur bosh nga heqja e një shtylle elektrike në një vend të humbur, që u gjet me vështirësi pas pesë vjet kërkimesh. Edhe vetë nuk i mbajtëm dot lotët gjatë recitimit, dhe duartrokitjet që pasuan, dhe lotët tek disa të moshuar, ishin si një tufë lule, me simbolikë tashmë botërore, mbi varrin e Havzi Nelës, ashtu siç ishte edhe dëshira e tij e fundit në poezinë e tij: “Kur të vijë pranvera/Kur bilbili nis me këndue/Mbi vorrin tim me gurë e ferra/Nji tufë lule me ma lëshue”.  Po ashtu, përshtypje të thellë tek të pranishmit bëri vdekja tragjike me pushkatim e poetit Trifon Xhagjika që më 1963, si dhe komenti ynë për poezinë e tij “Atdheu është lakuriq”, ku poeti denoncon fuqishëm kastën në fuqi për të keqen që i ka futur në trup, kokë, shpirt krejt atdheut, në prag të vetizolimit, hermetizmit dhe diktaturës komuniste.

Vend të veçantë i kushtuam poezisë së Moikom Zeqos, ku bëmë këtë prezantim për autorin dhe recituam në frëngjisht poezinë e tij nga më të fundit “Psalmi 160”:

 

“Moikomi, i vetmi në botë që mban një emër të tillë kaq origjinal, ka një korpus voluminoz poezie, të cilën e praktikon me zell, eth e përkushtim që nga adoleshenca e tij. Është sot Boris Viani shqiptar, duke qenë ai vetë njëkohësisht historian, arkeolog, poet, piktor, shkrimtar, gazetar, filolog, publicist, erudit. Mjeshtër i lirisë së fjalës, e kërkon forcën shprehëse të verbës poetike në një përmasësi (dimensionalitet) të shumëfishtë, duke shkuar gjer në kufijtë e përtej-përmasësisë (supra-dimensionalitetit). Të shkruash ndryshe, është tipari themelor i poezisë së tij që i hedh rrënjët në poezinë futuriste, surrealiste, simboliste, si dhe në një univers tepër origjinal, ku bota njerëzore, artistike, letrare, madje filozofike pasqyrohet nëpërmjet forcës magjike të verbës së tij poetike. E ndjen veten sa në parajsë të bukurisë artistike, ku vallëzojnë nimfa të botës shpirtërore me krahë fluturash e pilivesash, aq edhe në ferrin e lumenjve infernalë, ku fjalët grinden, duke mbjellë erëra e stuhi. Poet me tejdukshmëri të larmishme, i etur për metafora e alegori, Moikomi dallohet nga universalizmi i tij poetik brenda një marrëdhënieje të ngushtë kohë-hapësirë, njeri-natyrë, dhe realitet metafizik-realitet sensual. Është arkitekti i fjalës poetike shqipe par exellence.

Edhe më thjesht, vargu është tek ai një emocion i përhershëm, duke testuar pareshtur të shkuarën, të tashmen e të ardhmen, është burimi i tij i pashtershëm jetësor e krijues. Moikomi di të pikturojë me fjalë, duke zotëruar mjeshtërisht ritmin dhe muzikalitetin e vargut shqip, duke xhongluar me tropet dhe duke u bashkëngjitur ide e figura letrare nga më të çuditshmet e më të ndryshmet.

Është i përkthyer në shumë gjuhë.”

Kjo Kumtesë e jona u ndoq me interesim nga të pranishmit.

© Ndalohet ribotimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit.

Filed Under: Featured Tagged With: Fotaq Andrea, NJË POPULL POET, shqiptaret, Strasburg, Takim Botëror i Poezisë

Kosova, ditë zie për ish-Presidentit George H.W. Bush, Thaci në ceremoninë e varrimit

December 4, 2018 by dgreca

-Presidenti Thaçi shpall të mërkurën ditë zie në nderim të ish-presidentit George H.W. Bush/

PRISHTINË, 4 Dhjetor 2018- Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas vdekjes së ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H. W. Bush, në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar për kontributin e tij të dhënë për lirinë e Kosovës, ditën e mërkurë (5 dhjetor 2018), e ka shpallur ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës.

Në ditën e zisë, flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës do të ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit. Dita e mërkurë është shpallur ditë zie kombëtare edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës./b.j/

***

Presidenti Thaçi merr pjesë në varrimin e ish-presidentit amerikan  George H. W. Bush në Teksas

PRISHTINË, 4 Dhjetor-2018-Gazeta DIELLI/  Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në ceremonitë mortore dhe në varrimin e Presidentit të 41-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H. W. Bush.Ish-presidenti i ndjerë amerikan, George H. W. Bush, do të varroset në College Station të Teksasit.

Njoftimi i sapodërguar thekson edhe se, në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar për kontributin e dhënë për lirinë e Kosovës të Presidentit të 41-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H. W. Bush, presidenti Thaçi e ka shpallur ditën e mërkurë ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: George H.W Bush, Kosova Zi, ne varrim, Thaci

Lamtumirë Niko Kirka !

December 4, 2018 by dgreca

nikokirkav

Nga Skënder  Shkupi/

E njoha për herë të parë në Nju Jork ku na bashkoi një mërgim i detyruar. U bëmë shumë shpejt miq të afërt. Ai ushtronte tek unë një tërheqje të veçantë që buronte nga afëria e madhe e pikëpamjeve tona mbi kombin, historinë tonë të përgjakur dhe zig-zaget politike të viteve pas shembjes de-jure të diktaturës komuniste. Por ndryshe nga unë që qëndroja disi gjakftohtë edhe kundrejt absurditeteve më të pabesueshme të ish-komunistëve që bënin të pamundurën për ta shpëlarë disi, qoftë edhe me ujë të ndotur, realitetin e shëmtuar të viteve 1944-1991, Niko Kirka shpërthente. Ai nuk kursente askend, qoftë edhe njeriun më të afërt që shfaqej si ‘vërejtës objektiv’ për të maskuar subjektivitetin e tij të tejskajshëm në analizat e situatave të kaluara që përjetoi një komb i tërë për gati pesëdhjetë vite të gjata vuajtjesh e mjerimi të paparë që deformuan deri ADN-në e racës sonë.

Nuk e di pse shpesh më ngjante si Rilindas i mirëfilltë (kuptohet s’është fjala për ata modernët, ngjyrë mavi), diçka ndërmjet Petro Nini Luarasit dhe Themistokli Gërmenjit, njeri i mendjes dhe i veprimit, me një vendosmëri të rallë në mbrojtje të interesave të kombit për të cilat – unë kisha krijuar bindjen time të patundur, – ai nuk do të kursente asgjë, as edhe jetën e tij. Sa vuante tek vërente që punët në Atdheun e largët nuk venin mbroth. Si bir i denjë i Kristo Kirkës, njërit nga themeluesit e ‘Vatrës’, mikut të afërt të Nolit e të Konicës, interesat e Shqipërisë ishin gjëja më e shenjtë për të dhe në asnjë rrethanë ai nuk pranonte të bënte kompromis për to. Sa më prekte kjo anë e karakterit të tij. Nuk është se këto tipare të Nikos u demonstruan vetëm në bisedat që bënim rëndom në lokalet e Nju Jorkut. Jo, jo, ai pat tërbuar xhelatët komunistë në Kampin e tmerrshëm të Maliqit të cilët të xhindosur nga qëndrimi i tij burrëror, e lanë të lidhur në një hu në mes të kampit tri ditë e tri net, gjysmë të zhveshur, për ta thyer, për ta mposhtur, për ta nënshtruar. Por nuk e thyen dot.

E arrestuan më 1946, pasi e përjashtuan nga gjimnazi i Korçës, fill pas burgosjes së Kristo Kirkës, ish prefektit të atij qyteti, që shpëtoi qindra jetë njerëzore nga pushkatimi hakmarrës i nazistëve. Shpërblimi i komunistëve qé burgu. I njëjti fat ndoqi edhe të birin. Përplasjet e tij me policët e kampit ishin të përditshme. Por edhe reagimi i dhunshëm i xhelatëve të Tasi Markos, komandantit të kampit, ishte thellësisht mesjetar. Në një vend të hapur, lidhur tek një hu i trashë, me ca lecka mbi trup ngrihej si monument i qëndresës, në të ftohtit e hidhur të asaj zone, ditën e natën, figura sfiduese e Niko Kirkës si një Jezu Krisht i shekullit XX që luftonte me tiraninë e kuqe sunduese mbi gjysmën e Europës.

Niko Kirka ishte këmbëngulës në përpjekjen që duhej bërë për rivlerësimin e figurave të shquara të së kaluarës, të demonizuara nga komunistët. Të shumtë ishin shkrimtarët, studiuesit, politikanët e diplomatët të cilëve u qé hedhur baltë nga historianët komunistë. Përfaqësuesi më i spikatur i tyre ishte pa dyshim Mid’hat Frashëri.

Me  nismën e tij u nisëm, bashkë me mikun tonë të përbashkët  Pëllumb Kullën, rreth 12 vjet më parë, në varrezat e Nju Jorkut, për t’i bërë homazh njerit prej burrave më të mëdhenj të shqiptarizmës, Mid’hat Frashërit. Arritëm atje dhe me ndihmën e hartave të përpikta që na dorëzuan nëpunësit e Varrezave gjetëm atë që kërkonim. E vështroja me kureshtje Nikon tek qëndronte thellësisht i menduar përpara varrit të shqiptarit të madh. Ishim që të tre mjaft të emocionuar. Ai nuk nguroi ta quajë Mid’hatin një ndër etërit e kombit të shekullit XX për ndihmesën e tij të jashtëzakonshme në emancipimin europian të shqiptarëve, si një mbartës i denjë i ideve dritëdhënëse të prindërve të tij.

Për vite me radhë takoheshim çdo të shtunë paradite te ‘Kafja e Kuksianit’ në Rrugën 186 të Bronksit. Bisedat me Nikon ishin të këndshme. Ai kishte njohuri shterruese në temat politike dhe ato historike. Interesant është fakti që nëse ndokush mundohej të shfajësonte ndonjë të afërm të tij për mëkatet që kishte bërë në të kaluarën e afërt komuniste të Shqipërisë, Nikoja ia priste me ‘sëpatën e dardharit’. I tillë ishte ai, armik i mashtrimit dhe i hipokrizisë.

U përpoqa ta takoja Nikon e sëmurë para tri javësh kur gjendesha në Nju Jork. Por qé e pamundur. Meri, gruaja e tij fisnike që i qëndroi gjithmonë pranë atij burri të papërkulur e trim më kërkoi ndjesë : ‘Është në gjendje kome – më tha në telefon – nuk njeh njeri.’ Dy pika lot më rodhën padashur. E parandjeva të keqen. I kthyer në Tiranë mora vesh lajmin e hidhur. Niko Kirka, ky Rilindas i fundit, ndërroi jetë.

Lamtumirë i dashur Niko. Të qoftë i lehtë dheu i Amerikës, Atdheut tënd të dytë, dheu i atij vendi që u bë limani shpëtimtar i qindra mijëra shqiptarëve të përzënë nga trojet e tyre prej trilleve tekanjoze të historisë sonë të dhimbshme.

Filed Under: ESSE Tagged With: Lamtumirë Niko Kirka !, Skender Shkupi

Misioni i pamundur i Johannes Hahn në Kosovë

December 3, 2018 by dgreca

1-enver-Bytyci

Nga Enver Bytyçi/

I pari i Kosovës, Hashim Thaçi, thirri në ndihmë Johannes Hahn përmes Mogherinit, me qëllim që ta “mposhtë” kundërshtarin dhe rivalin e tij, kryeministrin Haradinaj. Hahn nisi rrugëtimin e tij fillimisht direkt në Prishtinë e më pas u kthye pak nga rruga për të takuar Aleksandër Vuçiq në Beograd. Vuçiq i premtoi Hashim Thaçit se do t’i bëjë presion zotit Hahn, me qëllim që Brukseli ta shpallë Haradinajn ekstremist. Por nuk ndodhi kjo. Shkaku i vizitës ishte vendosja e taksës 100 përqind të vlerës së mallrave që hyjnë nga Serbia në Kosovë. Sot pasdite komisioneri Europian për Zgjerim u takua në kryeqytetin e Kosovës me tri personalitetet e vendit, presidentin, kreun e Parlamentit dhe kryeministrin. Takoi dhe deputetët e Listës Srpska, të cilët u ngujuan dje ora 11.00 në ambjentet e parlamentit të Kosovës, në shenjë proteste pse Hahn kishte refuzuar këtë takim. Ndërkaq nga deklaratat në përfundim të takimeve dhe bisedave duket se qeveria e Kosovës është e vendosur në zbatimin e vendimit të marrë për taksën, ndërkohë që komisioneri europian ka shpreh befasi nga marrja e këtij vendimi. Haradinaj thotë në deklaratën e tij për shtyp se ia ka shpejguar zyrtarit të lartë të Brukselit arësyet pse qeveria mori vendimin përkatës. Sigurisht që Hahn nuk është pajtuar me ato argumente dhe ka kërkuar heqjen e taksës për mallrat që vijnë nga Serbia në Kosovë. Por Johannes Hahn u duk se e ka zbutur qëndrimin e tij për këtë çeshtje kur deklaroi se “Ka nevojë që të dyja palët t’i adresojnë këto çeshtje”! Kjo do të thotë se gjatë vizitës ai ka kuptuar që nuk është e nuk mund të bëhet fajtore vetëm Prishtina. Në të vërtetë fajtore dhe përgjegjëse për konfliktin e stërzgjatur shqiptaro-serb është Beogradi. Vitet e fundit është bërë bashkëpërgjegjës edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Kemi parë tashmë se sa më shumë lëshime ka bërë Thaçi, aq më shumë është rritur veprimtaria diversioniste e sabotuese e Beogradit në drejtim të Kosovës. Më e keqja është se zoti Thaçi ende nuk dëshiron t’i kundërvihet kësaj skeme. Prandaj dhe fajëson Haradinajn për gjithçka, përfshirë taksën për mallrat e Serbisë. Kësisoj nuk është vështirë të kuptohet se presidenti i Kosovës thërret në ndihmë Serbinë dhe Beogradin për t’i qëruar hesapet me kundërshtarët dhe rivalët e tij politikë në Kosovë. Duhet hetuar a ka bërë të njëjtën gjë me Ibrahim Rugovën dhe Fatmir Sejdiun?! Ka shumë gjasa që po. Derisa sot presidenti i vendit bashkëpunon me të gjitha qarqet antiKosovë në Serbi, Rusi e në botë kundër Kosovës dhe qeverisë së saj, atëherë duhet besuar se ky bashkëpunim nuk ka ardhur “në befasi”, siç u shpreh Hahn për taksën. Bashkëpunimi i zotit Thaçi për eleminimin fizik të Rugovës dhe eleminimin politik të Sejdiut janë përvojat e para të skemës së Thaçit në bashkëpunim me Beogradin! I nxitur nga Beogradi dhe Hashimi Johannes Hahn erdhi me shumë pompozitet në Prishtinë. “Magjinë” e tij e ngjizën te publiku gjithashtu mediat e Ramës dhe të Thaçit. Por në fund të ditës kemi një sukses të pamendueshëm. Në vend që Hahn ta qortojë kryeministrin Haradinaj, ai la të kuptohet se kreu i ekzekutivit të Kosovës është tashmë më shumë faktor sesa kreu i shtetit. Prandaj vizita e tij në Prishtinë do të ketë efekte pozitive. Infoja që ai do të çojë në Bruksel do të jetë ndryshe nga çdo info e mëparshme e shpëlarë, e manipuluar dhe e intriguar edhe si rezultat i retushimeve dhe redaktimeve që atyre u ka bërë Beogradi para se të arrijnë në kryeqytetin europian përmes Hashim Thaçit dhe Gebelsit kosovar, Baton Haxhiu. Takimi me Haradinajn dhe besoj edhe me Kadri Veselin e ka bindur komisionerin për Zgjerim se nuk ekziston vetëm Kosova e Hashimit, por ka dhe një Kosovë tjetër jashtë perimetrit të përceptimit dhe imagjinatës së presidentit të Republikës. Mjafton kjo që ta konsiderojmë të suksesshme vizitën e sotme të Johannes Hahn në Kosovë. Shkoi e u mbars në Beograd, por u shkarkua pas pak orësh në Prishtinë. Ky është sukses jo i vogël.

Tiranë, më 3.12.2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, Misioni i pamundur i Johannes Hahn, ne Kosove

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT