• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2019

Kosova përjetësisht mirënjohëse NATO-s

January 31, 2019 by dgreca

1 Thaci ushtarak-Presidenti Thaçi e kryeministri Haradinaj takime me admiralin e Marinës së SHBA-së, James Gordon Foggo III/1 haradinaj Usht-Viti 2019 është shpallur vit i NATO-s në Kosovë për të kujtuar dhe nderuar përkushtimin dhe sakrificën e ushtarëve të shteteve të NATO-s për Kosovën/

 -Admirali Foggo tha se misioni i KFOR-it mbetet i pandryshuar për një mjedis të sigurt në Kosovë dhe për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe rajon/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

 PRISHTINË, 31 Janar 2019/ Admirali i Marinës së SHBA-së, James Gordon Foggo III, i cili shërben si Komandant i Forcave të Marinës së SHBA-së për Evropë, sot në Prishtië është pritur në takime të ndara nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri Ramush Haradinaj, ku është theksuar se, Kosova është përjetësisht mirënjohëse ndaj KFOR-it dhe NATO-s.Presidenti Thaçi i ka thënë admiralit amerikan se Kosova është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm.“Po punojmë që të krijohen kushtet për të vazhduar dialogu, si mënyrë e vetme për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm. U jemi mirënjohës për përkushtimin tuaj në ruajtjen e paqes në Kosovë dhe rajon”, u shpreh presidenti Thaçi.

 Presidenti Thaçi dhe admirali James Foggo kanë folur edhe për tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili është proces i koordinuar me KFOR-in dhe NATO-n.Në anën tjetër, admirali i marinës së SHBA-së, James Gordon Foggo III, theksoi se dialogu është rruga e vetme që çon përpara.

“KFOR-i do të vazhdojë të ofrojë paqe e siguri”, ka thënë ai.Presidenti Thaçi ka thënë se viti 2019 është shpallur vit i NATO-s në Kosovë për të kujtuar dhe nderuar përkushtimin dhe sakrificën e ushtarëve të shteteve të NATO-s për Kosovën.Kryeministri Haradinaj në takim me admiralin James Foggo III, komandant i Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli dhe komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Lorenzo D’Addario, ka biseduar për gjendjen e tanishme të sigurisë në Kosovë dhe rajon.

Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar admiralin Foggo për zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë në Kosovë, duke e falënderuar atë dhe NATO-n për mbështetjen e Kosovës në të gjitha proceset dhe për misionin e tyre në krijimin dhe forcimin e paqes dhe sigurisë në Kosovë dhe më gjerë.“U jemi mirënjohës përjetësisht për angazhimin dhe rolin tuaj dhe të gjithë ushtarëve të KFOR-it, të cilët kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë për të krijuar një ambient të qetë dhe të sigurt për qytetarët e Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj, duke e siguruar atë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për bashkëpunim me KFOR-in në forcimin e stabilitetit dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon.
Duke konfirmuar bashkëpunimin e të gjitha institucioneve të sigurisë të Kosovës me KFOR-in, kryeministri Haradinaj tha se Kosova do të ruajë dhe forcojë partneritetin me NATO-n.  “Ne jemi popull që i takojmë popujve të lirë, të udhëhequr nga ShBA-të, në shërbim të paqes në vend, rajon dhe botë”, ka thënë kryeministri Haradinaj në takim, duke shtuar se Kosova është e gatshme t’i bashkohet NATO-së në misionet paqësore, në shërbim të paqes dhe sigurisë në botë.
Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar admiralin Foggo për periudhën e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke thënë se kjo forcë do të jetë multietnike, profesionale dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit, në të cilën do të jenë të përfshira të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

 Nga ana e tij, admirali Foggo tha se misioni i KFOR-it mbetet i pandryshuar për një mjedis të sigurt në Kosovë dhe për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe rajon.

NJOFTIMI I DËRGUAR NGA KFOR:

Pristina, 31st January 2019

 Foggo meets with Thaçi, Haradinaj and Jevtić

Admiral James Foggo met with Mr. Hashim Thaçi, Mr. Ramush Haradinaj and Mr. Dalibor Jevtić today. The leaders discussed the current state of security in Kosovo, in the context of KFOR’s mission to provide a safe and secure environment plus freedom of movement for all people in Kosovo, under UN Security Council Resolution 1244.

During the visit, Foggo discussed the issue of Kosovo’s plan to transition the Kosovo Security Force. 

Foggo reminded Mr. Thaci and Mr. Haradinaj that the Secretary General and the North Atlantic Council have consistently said that any change to the mandate of the KSF will mean that NATO will have to re-examine its level of engagement with the KSF.  This work is under way now in Brussels.

Foggo stated that he expects the transition of the KSF to be a progressive, transparent and inclusive effort that is closely coordinated with NATO and the international community. He reinforced the need for KSF activities to adhere to the limits set out in Mr. Thaçi’s 2013 letter in which he stated the KSF would not operate in northern Kosovo without prior concurrence by KFOR.

Foggo underlined that all interested parties understand that the Kosovo Police Special Units is not part of KSF, and that Institutions in Kosovo must demonstrate the difference.

Lastly, as KFOR nears its 20-year anniversary, Foggo said that KFOR intends to honour those NATO personnel who gave their lives in support of a safe and secure environment.

Foggo commands NATO’s Allied Joint Force Command Naples, which oversees KFOR.  NATO remains committed through KFOR to a safe and secure environment in Kosovo and to the stability in the wider Western Balkans.

Filed Under: Kronike Tagged With: Bell Jashari, Haradinaj, kosovo, NATO, Thaci

Dy Amerikat dhe dy grupimet proamerikane në Prishtinë!

January 31, 2019 by dgreca

Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi /

Taksa e qeverisë së Kosovës për mallrat serbe dhe boshnjake, e vendosur në dhjetorin e kaluar ka shkaktuar debate të mëdha brenda spektrit politik të vendit. Debati ka marrë drejtim aspak normal, sepse kundërshtarët e kësaj takse nën regjinë e presidentit Thaçi kanë filluar ta interpretojnë mosheqjen e saj si qëndrim antiamerikan të kryeministrit Haradinaj. Ndërkohë zoti Haradinaj, në përgjigje të kësaj akuze thotë se “Taksa nuk është kundër SHBA-ve, ajo drejtohet kundër Serbisë, prapa së cilës qëndron Rusia”! Debatin e ka nxit së tepërmi intervenimi intensiv i ambasadës amerikane me kërkesën ultimative për heqjen e kësaj takse. Madje në një deklaratë të saj thuhej se “mosheqja e taksës ndaj mallrave serbe është cënim i interesit straegjik të SHBA-ve”! Dje këshilltari për Siguri Kombëtare, Bolton, telefonoi në Prishtinë dhe përsëriti presionin për heqjen e kësaj takse. Sot ambasadori Philip S. Kosnett takoi autoritetet kryesore të Prishtinës dhe për të disatën herë kërkoi heqjen e taksës me Serbinë. Ndërkohë kryeministri paralajmëroi se në javën e ardhshme publiku do të ballafaqohet me ngjarje dramatike! Panorama është trishtuese, sepse gjithsa ndodh në Kosovën jostabile e të padefinuar përfundimisht si shtet sovran krijon huti dhe undësi që shteti të shkërmoqet. Heqja e taksës konsiderohet si kusht i vazhdimit të bisedimeve Beograd-Prishtinë, gjë për të cilën është i interesuar aq shumë Uashingtoni. Por këto bisedime tashmë janë kthyer në favor të politikës dhe diplomacisë së Serbisë dhe me shumë gjasa ato të përfundojnë në cënimin e integritetit territorial të Kosovës. Presidenti serb, Vuçiq, para pak ditësh pranoi publikisht se me bisedimet e Brukselit “Beogradi fitoi kohën e duhur për t’ju kundërvënë Kosovës”! Në këtë situatë avantazhi Beogradi bëri gjithçka që të nxisë aktorët amerikanë për të bërë presion në Prishtinë për heqjen e taksës. Në këtë aksion presidentit serb i erdhi në ndihmë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili udhëtoi disa herë në Uashington, i sponsorizuar prej Vuçiq, me qëllim që të bindë zotin Bolton për një zgjidhje të konfliktit në favor të Serbisë. Duke analizuar gjithçka ka ndodhur më duhet të theksoj mendimin tim se nëse SHBA-të janë të interesuara për vazhdimin e dialogut ato nuk kanë asnjë interes strategjik që ky dialog të çojë në cënimin e territorit të Kosovës. Edhe sikur interesi amerikan për këtë territor të jetë minor e i papërfillshëm, nga kjo zgjidhje do të përfitojë Serbia dhe Rusia. Një zgjidhje që favorizon Serbinë dhe Rusinë nuk mund të jetë interes jetik amerikan, me çka interpretohet ndërhyrja e Uashingtonit në Prishtinë. Taksa në vetëvete adresohet kundër Beogradit dhe Moskës ndërkohë që Moska shfaqet si armike e Amerikës dhe Beogradi ai aleat i Moskës! Kësisoj as heqja e taksës, as ndryshimi i kufijve nuk mund të jenë interes amerikan. Në një raport të inteligjencies amerikane të publikuar sot thuhet se “Mundësia e një konflikti të hapur ushtarak dhe ndikimi i Rusisë, mbeten kërcënimet kryesore për sigurinë e Ballkanit Perendimor për vitin 2019! Dhe nëse është kështu atëherë duket qartë se ndarja e Kosovës si interes rus nuk mund të jetë gjithashtu interes amerikan. Nëse kthehet kjo ndarje në “interes amerikan” për këtë kanë rol skenarët e hartuar në Beograd. Duke e ditur këtë fakt, Edi Rama, Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçi kanë hartuar një strategji të re serbe, me qëllim që ta joshin Amerikën pro zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb me ndryshime kufijsh midis Kosovës dhe Serbisë. Vuçiq ka premtuar dhe Rama e Thaçi kanë dëshmuar e garantuar, se “Serbia është e gatshme të anëtarësohet në NATO, nëse SHBA-të mbështesin ndarjen e territorit të Kosovës në favor të territorit serb”! Hyrja në lojën serbe të kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Kosovës i jep pamje të besueshme edhe procesit të bisedimeve dhe rezultatit të tij me ndarjen e Kosovës, si dhe jep më shumë garanci se “Serbia do të jetë në të ardhmen pjesë e NATO-s”, çka do të thotë se do të shndërrohet në bastion antirus në Ballkan dhe në Europë. A mund të ndodh kjo dhe si mund të përfitojë Kosova prej këtij procesi dhe përfundimi? Do ta pranojmë se Serbia pas marrjes së Trepçes do të jetë dakord të bëhet pjesë e NATO-s. E pranojmë dhe premtimin e Hashim Thaçit se “Serbia do ta njohë Kosovën”. Por a do ta pranojë Kosovën Moska?! Në rastin kur Serbia tërhiqet nga orbita ruse, Kremlini do të marrë pozicion antiserb e për pasojë do të vazhdojë të mos e njohë shtetin e Kosovës. Pa njohje në Këshillin e Sigurimit nuk mund të ketë ulëse në OKB! Që do të thotë se Kosova mbetet edhe më tej një problem i pazgjidhur, kësaj here me integritet territorial të cunguar. Ndërkaq anëtarësimi i Serbisë në NATO do të bënte që Kremlini të ndërhynte dhe vendi do të shkonte në luftë civile. Kurrë nuk do të pajtohej Vladimir Putin që vota e Beogradit t’i bashkohej Aleancës së Atlantikut kundër tij! Ndaj ai do aktivizonte gjitha potencialet proruse në Serbi me qëllim rrëzimin e liderëve properendimorë. Në këtë rast do të dështonte edhe anëtarësimi i Serbisë në BE. Unë besoj se kjo llogari është bërë në hava! Refuzimi i Haradinajt për të mos heq taksën me Serbinë i ka dhënë shansin sponsorëve të ndarjes së Kosovës të venë bast për “miqësinë me SHBA-të”?! Hashim Thaçi foli sot për individë ose axhendë antiamerikane, ndërsa Xhavit Haliti dje kërkoi që prokuroria të hetojë ata “që prishin marrëdhëniet me SHBA-të”! Ky i fundit në vend të kërkojë hetimin e shefit të tij, presidentit të Kosovës, për cënim të integritetit territorial të vendit në favor të Serbisë, shpik si “shkelje penale, nëse dikush kundërshton një kërkesë të njërës Amerikë”! Po si qëndron e vërteta? Vënia e taksës ishte kërkesë amerikane. Ashtu siç është sot kërkesa për heqjen e saj po ashtu një kërkesë amerikane. Vënien e taksës e kishte rekomanduar sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mathis, si masë dhe kundër ndarjes së Kosovës . Mattis u shkarkua. Por kjo kërkesë ka sot mbështetjen e kongresmenëve demokratë e para së gjithash të kryetarit të Komitetit të Jashtëm, Eliot Engel. Ndërkohë nuk ka mbështetjen e Jon Bolton, i cili për fatin e keq të Kosovës, sot gjendet në krye të institucionit më të rëndësishëm të sigurisë kombëtare në Amerikë. Jon Bolton ishte në shkurt të vitit 2008 kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndaj dhe nuk ka problem nëse procesi për Kosovën kthehet para 17 shkurtit të atij viti. Kësisoj shohim se Bolton mbështet dhe mbështetet nga ideatorët e ndarjes së Kosovës, Edi Rama e Hashim Thaçi, me të cilët ka zhvilluar bisedë telefonike dje dhe sot. Sponsiorët amerikanë të pavarësisë së Kosovës janë kundër Thaçit dhe Ramës, pra edhe kundër ndarjes së Kosovës e pro taksës ndaj Serbisë. Kështu Haradinaj gëzon mbështetjen e kësaj pjese të Amerikës, ndërkohë që kërcënohet nga Amerika e Bolton. Pala proserbe, Rama e Thaçi, mbështëtin e mbështeten te antikosovari, Bolton, Haradinaj te prokosovari i dëshmuar, Eliot Engel e të tjerë! Amerika është e ndarë aq sa mund të thuhet se Trump ka krijuar dy Amerika. Siç po shihet, njëra është me Kosovën dhe tjetra kundër saj. Duke qenë dy Amerika edhe në Prishtinë u krijuan dy grupime. Njëri proamerikan e në favor të Kosovës dhe tjetri proamerikan e në favor të Serbisë! Se Amerika bëhet dy ose tri pjesësh, ky është problem i saj. Po që presidenti i Kosovës t’i bashkohet Amerikës proserbe, kjo është përgjegjësi e Hashim Thaçit. Kështu që ndër dy grupet pro dy Amerikave, para drejtësisë duhet të shkojë grupi i atyre që mbështesin orekset e Serbisë për të pushtuar territoret e Kosovës! Apo jo Xhavit Haliti?! Tirane, 31.01.2019

Filed Under: Analiza Tagged With: d grupimet, Dy Amerikat, Prishtine, Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

SHQIPATRET NËN MAL TË ZI NUK KANË NEVOJË PËR 10 PARTI POLITIKE

January 31, 2019 by dgreca

1 EsadiNga Esad GJONBALAJ/

Lajmet e ditëve të fundit për bashkimin e faktorit politik shqiptar në Malësi,  gjegjësisht në Tuz ngjallë shpresën se më në fund diçka pozitive po ndodh atje. U deshtë një kohë e gjatë që, më në fund, në skenën politike të vie dikush pragmatik dhe vizionar për ta bërë të pamundurën për këtë arritje, u deshtë të bisedohet shumë për ta shndërruar misionin e pamundur në  të mundur. Ky bashkim i spektrit politik shqiptar  duket shumë shumë shpresëdhënës sepse më në fund faktori politik shqiptar e kuptoi se mbi interesat partiake duhet të mbizotërojë interesi i shenjtë kombëtar.

Kjo frymë bashkëpunimi dhe përafrimi duhet të reflektojë  gjithandej trevave shqiptare nën Mal të Zi dhe, si edhe  gjatë historisë së lavdishme,  Malësia le të jetë ajo shpresë lajmëtare për të mirë të interesave kombëtare për një fillim te të ri e të mbarë.

Politikat perfide antishqiptarë e kanë sjellë popullatën autoktone para dy akteve gjysmë te kryera: boshatisjes së tokave stërgjyshore dhe aktit  te asimilimit.

Është koha e fundit që të bashkohemi sepse në të kundërtën praktikat e cekura më lartë do ti sjellin subjektet  politike para një akti të kryer dhe ogurzi, që nuk do të kanë kënd ta përfaqësojnë.

Këto skenare rrënqethëse mund të ndryshohen dhe të parandalohen vetëm nëse jemi të bashkuar dhe me ndihmën e sinqertë dhe serioze të shteteve tona. Ndihma e shteteve tona është e domosdoshme,  por edhe obligim nacional i qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës,  sepse nëse Serbia për 5% serbë në Kosovë investon qindra miliona euro,  duke i mbrojtur interesat nacionale,  shtrohet një pyetje e thjeshtë: Çka janë duke bërë dhe çfarë do të bëjnë shtetet tona për ne ?

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Esad Gjonbalaj, Jo 10 Parti Politike, Shqiptaret nen Mal te Zi

Susanne Schütz: Kush përballet me të shkuarën, ka edhe një të ardhme

January 31, 2019 by dgreca

“Edhe muret kanë veshë” – Krijohet arkivi i dëshmive gojore të represionit komunist në Shqipëri. Gjermania e mbështet procesin me infrastrukturë dixhitale.

Nga Ani Ruci/DW/

1 Dossje

Një arkivë e pazakontë dixhitale dëshmish gojore nga të mbijetuarit e përndjekjes dhe terrorit komunist po ngrihet në Tiranë përmes platformës “Edhe muret kanë veshë”, pjesë e procesit të lustracionit që po zhvillohet në Shqipëri. Ky proces nisi shumë vonë: 25 vjet pas rrëzimit të regjimit komunist, kohë gjatë së cilës krimet e komunizmit, për dy dekada e gjysmë në demokraci, mbetën jashtë vëmendjes së publikut dhe ҫdo qasjeje reflektuese.  Këtë po e bën tani të mundur, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) i ngritur më 2016, përmes hapjes së arkivit të dosjeve sekrete për publikun dhe krijimit të Arkivit të dëshmive gojore. Infrastruktura moderne dixhitale për këtë të fundit është donacion nga Gjermania, që ka mbështetur procesin e lustracionit dhe dhurimin e aparaturavedixhitale që në ngritjen e Autoritetit. Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz, theksoi të martën, (29.01) rëndësinë e zbardhjes së të shkuarës, në fjalën e saj në ceremoninë e donacionit të pajisjeve moderne për arkivën e dëshmive gojore.

Albanien Sussane Schuetz deutsche Botschafterin in Tirana (DW/A. Ruci)Ambasadorja e RFGJ, Susanne Schütz në ceremoninë e AIDSSH

” Unë e di, pak më shumë, sepse jam gjermane, se të merresh me të shkuarën tënde të errët mund të jetë e dhimbshme, por mjaft e rëndësishme për një fillim të ri shoqëror. Shumëkush mund të kishte preferuar t’i vinte kapak së shkuarës, të niste prej zeros dhe kësisoj t’ia linte harresës ҫështje të tilla si përgjegjësia dhe vuajtjet individuale. Ky nuk është një proces i thjeshtë.  Bindja ime është që një shoqëri duhet të përballet me të shkuarën, në mënyrë të hapur dhe të sinqertë.  Përvoja jonë tregon se vetëm kush njeh të shkuarën e tij dhe përballet me të ka edhe një të ardhme.”

Sa e errët ka qënë e shkuara e regjimit komunist në Shqipëri?

Perceptimet për të shkuarën komuniste janë të ndryshme në Shqipërinë e sotme. Sipas një studimi të Pranisë së OSBE-së në Tiranë, të kryer më 2016 del se njerëzit ose nuk dinë asgjë për represionin dhe përndjekjen politike nga ish-Sigurimi, ose japin shifra shumë të ulta, ose shumë të larta. Kjo ndarje është e kuptueshme në kushtet e mungesës së të drejtës për informim, përtej propagandës së regjimit komunist. Por me hapjen e dosjeve dhe deklasifikimin e dokumentave sekrete, 1944-1991, tabloja e së shkuarës së regjimit komunist në Shqipëri shfaqet sterrë e zezë. Gentiana Sula, Kryetarja e  AIDSSH thotë për DW: ”

“Janë 212 mijë dosje të ish Sigurimit, 250 mijë kartela individuale, 15 mijë dosje hetimore gjyqësore, 21 mijë dosje të personave të përndjekur, mijëra regjistra, procesverbale, akte normative, në total 32 milionë faqe dokumenta të hartiara nga ish-Sigurim i shtetit , nga 1944-1991 , në një Shqipëri që nuk i kalonte 3 milionë banorë. Pët të gjithë këtë dokumentacion kemi detyrim ligjor ta ruajmë, administrojmë, përpunojmë dhe ta vemë në dispozicion të publikut”, thotë për DW , drejtuesja e Autoritetit , Gentiana Sula.

Kultura e Kujtesës dhe konsolidimi i saj në Shqipëri

Platforma dixhitale “Edhe  muret kanë veshë” është pjesë e projektit “Përkujtojmë për të shëruar dhe parandaluar ”që AIDSSH po zbaton që prej një viti me mbështetjen  UNDP dhe Italisë. Rrëfime të padëgjuara kurrë më parë, histori autentike persekutimi dhe terrori politik po mbushin nga dita në ditë arkivën dixhitale të dëshmive gojore. Një shans më shumë për kërkimin shkencor, edukimin qytetar krahas qasjes së lirë tek arkivi i dosjeve dhe dokumentave të tjera të ish -Sigurimit. Një shans më shumë për të krijuar dhe konsoliduar kulturën e kujtesës që në Shqipëri mbeti e pazhvilluar për 28 vjet.

” Një kulturë aktive e të kujtuarit është e rëndësishme. Që edhe të rinjtë që nuk e  kanë përjetuar vetë, regjimin e Hoxhës, t’u mprehet vetëdija se paqja dhe pluralizmi demokratik, toleranca mes njerëzve, të pranuarit e njëri-tjetrit në historinë e Europës nuk kanë qenë – dhe vazhdojnë të mos jenë ende- diҫka e vetëkuptueshme”, tha Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz.

Drejtuesja e Autoritetit thotë DW se klikuesit e website dhe media sociale për platformën dixhitale “Edhe muret kanë veshë” përbëjnë 40 % të totalit dhe janë rini deri nga 18- 24 vjeҫ. Ajo thotë se ideja për ta ngritur këtë arkivë erdhi nga interesi i madh i rinisë dhe qytetarëve.

” Kur qytetarët, ish-viktima të persekutimit, vijnë për të parë dosjet e tyre konstatojnë që në to është vetëm një pjesë e historisë, përqasja denigruese, përbaltjja që ish-Sigurimi i bënte viktimës për të përligjur  persekutimin, burgosjen dhe pushkatimin. Por historia është shumë më tepër sesa ajo që është në dosje. Në to mungon përjetimi i viktimës, ҫfarë ka ndodhur para arrestimit dhe më pas. Dëshmitë gojore e bëjnë të plotë historinë,” thotë për DW, Gentiana Sula.

Albanien, Albanien, Deutschland spendet digitales Equipment für die Oral History der Opfer der kommunistischen Geheimpolizei (DW/A. Ruci)Gentiana Sula, drejtuese e AIDSSH

Shoqëria drejt rivendosjes së ekuilibrit

Dosjet e pahapura të ish-Sigurimit kanë qënë mjet presioni politik për 25 vjet. Në shtypin postkomunist dilnin emra politikanësh, zyrtarësh të lartë, figurash publike që akuzoheshin se kishin dosje si bashkëpunëtorë të policisë sekrete, ish-Sigurimit. Akuzat dhe kundërakuzat mes palëve, të pavërtetuara për 25 vjet në demokraci shkaktuan një atmosferë të sëmurë në shoqëri dhe humbjen e ekuilibrit të saj.  AIDSSH po tenton të sjellë të vërtetën e asaj që ka mbetur e dokumentuar pas një kohe kaq të gjatë mungese ligji për hapjen dhe administrimin e dosjeve sekrete, djegies apo shkatërrimit të tyre gjatë  trazirave të 1997. Shkurt histori sa më të plota viktimash,  reabilitimin e tyre dhe ndjesën morale të atyre persekutorëve  që janë gjallë. Gjithë ky proces do të lehtësojë rivendosjen e ekuilibrit të prishur të shoqërisë shqiptare. Dhe tregues të ekuilibrave të prishur nuk mungojnë. Ditët e fundit, një prokuror, Bujar Sheshi 61 vjeҫ, aplikoi për të qenë anëtar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, një nga institucionet më të rëndësishme të Drejtësisë së reformuar në Shqipëri. Por nga verifikimi i AIDSSH rezultoi, se kishte qenë i rekrutuar si  si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit, në moshën 18 vjeçare.

“Kemi edhe raste të tjera si ai i prokurorit Sheshi, që nuk e pranojnë që kanë qenë të rekrutuar nga ish-Sigurimi. Pse? Mendojnë se sistemi i  automatizonte si të tillë. E mohojnë, është një peshë e madhe psikologjike për ta përballuar para familjes, fëmijëve. Por ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit nuk duhet të jenë pjesë e drejtësisë së reformuar. Qytetarët duan drejtësi të pastruar nga njerëz të implikar në ish-policinë sekrete të regjimit komunist, duan të  kenë besim, në një drejtësi të re, që i shërben demokracisë” thotë për DW, Gentiana Sula.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ani Ruci, Arkivi I deshmive gojore, Perballja me te shkuaren, Susanne Schutz

Taksa e dialogu me Serbinë sjellin përplasje në koalicion Kosovar

January 31, 2019 by dgreca

Brenda koalicionit qeverisës në Kosovë ka ndarje të thella sa i përket taksës doganore ndaj Serbisë dhe thirrjeve për pezullimin e saj. Kjo ka bërë që të lëkundet koalicioni, duke rrezikuar rënien e qeverisë.

Nga Bekim Shehu/

1 Qeveria e Kosoves

Dallimi në qëndrime i udhëheqësve kryesorë politikë në Kosovë për taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe idetë e ndryshme për qasje që duhet të ketë Kosova në dialog me Serbinë, bëri që të ketë angazhim të shtuar të ambasadorit  amerikan në Kosovë, Philip Kosnet. Ky i fundit takoi së bashku Presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj, kryetarin e kuvendit Kadri Veseli dhe njërin nga udhëheqësit e ekipit negociator Fatmir Limaj. Nuk u dha asnjë deklaratë pas takimit.

Rrezikohet qeveria në Kosovë

Gjatë të enjtes kryeministri, Ramush Haradinaj paralajmëroi mundësinë që nëse vazhdojnë mospajtimet rreth taksës, mund të  ketë vendime të tjera politike, duke aluduar në mundësinë e  prishjes të koalicionit. “Ne jemi në procese reale politike, të gjitha janë të mundshme në javët dhe ditët që vijnë. Nëse mospajtimet vazhdojnë mund të rezultojnë edhe me vendime të tjera”, tha Ramush Haradinaj për mediat. Ai tha se është i interesuar për një marrëveshje me Serbinë por, siç tha “pa shkëmbim territoresh dhe pa asociacion të komunave me shumicë serbe”. “Ne nuk e kushtëzojmë dialogun me vendime të qeverisë. Jam për rikthim të dialogut por vendimet janë tonat. Dje kemi pasur takime me partnerët, kemi folur për sfidat, nuk jemi pa sfida. Kemi kërkesa për t’i dhënë shanse dialogut. Jam për dialogun, por, se kuptoj pse ndërlidhet taksa me dialogun. Është një kërkesë e vazhdueshme për tërheqje të taksës. Një marrëveshje mes dy vendeve mund t’i zgjidh të gjitha çështjet, dhe ekonominë e lirë”, këmbëngul Haradinaj.

Presion nga SHBA

Presioni amerikan ndaj Kosovës përkatësisht kryeministrit që qeveria e tij ta heqë taksën ndaj prodhimeve serbe në mënyrë që t’i hapet rruga dialogut, ka vazhduar edhe në nivele shumë të larta të administratës së presidentit amerikan Donald Trump. Mediet në Prishtinë shkruajnë se  këshilltari për siguri kombëtare i presidentit Trump, John Bolton, ka pasur mbrëmë telefonata me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht. Ramush Haradinaj vazhdon të mbajë qëndrimin e ngurtë, që siç thotë “taksa ndaj prodhimeve serbe mund të hiqet vetëm atëherë, kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës”. Presidenti Thaçi nuk flet për taksën, por kërkon që Kosova të unifikojë qëndrimin dhe të arrihet një marrëveshje finale me Serbinë.

Kosovo erhöht Einfuhrzölle - Ramush Haradinaj spricht auf der West-Balkankonferenz in Österreich (picture-alliance/AA/A. Kiyagan)

Takimin me ambasadorin Kosnet, Presidenti Thaçi e quan “një takim normal”. “Takimet e tilla ndodhin shpesh, janë takime të rregullta edhe me ambasadorin e Amerikës po edhe me liderët politikë në përkushtimet që kemi në udhëheqje të shtetit, gjithmonë në konsultim të ngushtë me SHBA-në. Kosova është dhe do jetë fryt i Amerikës dhe s’ka kush që e prish këtë bashkëpunim me SHBA-në”, tha Presidenti Thaçi pas një ceremonie përkujtimore.

Propozim tjetër nga Kadri Veseli

Para disa ditësh kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli propozoi që taksa ndaj prodhimeve serbe të pezullohet për 120 ditë, me shpresën që Serbia të reflektojë nga ana e saj për këtë periudhë në raport me Kosovën drejt arritjes së një marrëveshje finale. Kadri Veseli, tha në një televizion lokal që “SHBA janë garantuesit e pavarësisë së Kosovës dhe ai është në gjendje ta lërë politikën vetëm që Kosova të mos ketë marrëdhënie të këqija me SHBA-në”. SHBA e BE po këmbëngulin aktualisht që Kosova ta heq taksën ndaj  mallrave  të Serbisë. Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon të jetë i ngrirë për shkak të tensioneve që u krijuan pas lobimit të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL,  ndërsa, si kundërpërgjigje Kosova vendosi taksë 100% për mallrat e Serbisë.

Kosovo Präsident Hashim Thaci | ARCHIV (Reuters/L. Hasani)

Takim i partnerëve të koalicionit

Gjatë mbrëmjes së të mërkurës partnerët kryesorë të koalicionit, PDK, AAK, Nisma, AKR, zhvilluan një takim të gjatë. Zhvillimet e fundit politike në vend, funksionimi i institucioneve, përmbushja e agjendës qeverisëse dhe legjislative, me theks të posaçëm aprovimin e Buxhetit 2019, pakoja e ligjeve përcjellëse, platforma e dialogut dhe në fund çështja e taksës ishin temat qendrore të takimit.

Liderët e partive politike pjesë e koalicionit qeverisës u zotuan për intensifikimin e hapave dhe bashkërendimin e vendimeve me partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA dhe BE. “Gjatë takimit është biseduar kryesisht për aspektet kryesore që ndërlidhen me platformën e dialogut, e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës. Platforma e Dialogut do të reflektojë pozicionin unik të institucioneve të vendit për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht e Obligueshme, e cila duhet të rezultojë me njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB”, u tha pas takimit në një komunikatë për medie.

Opozita kërkon dorëheqjen e qeverisë

Partitë politike opozitare nga ana e tyre kërkojnë dorëheqjen e qeverisë Haradinaj dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. LDK dhe Vetëvendosja thonë se kjo qeveri nuk po mund ta kalojë e vetme Buxhetin, ka tensionuar raportet me faktorin ndërkombëtar dhe duke qenë që nuk i ka votat e mjaftueshme në parlament, atëherë, kjo tregon sipas opozitës që “qeveria Haradinaj, nuk e përfaqëson shumicën”. (DW)

Filed Under: Featured Tagged With: në koalicion Kosovar, Taksa e dialogu me Serbinë sjellin përplasje

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT