• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2019

Emërohen Ministri i Mbrojtjes dhe Komandanti i Forcës së Kosovës

January 22, 2019 by dgreca

-Zbulohet pllaka me mbishkrimin Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës/

1 Prezantohet Min Mbro2 zbulohet1 mins Mbrojtjes1 Betimi

-Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha: Falënderoj të gjithë partnerët ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfaqësuesit e NATO-s që janë këtu, në veçanti dua ta falënderoj kryeministrin e Kosovës, i cili në vazhdimësi, në të gjitha etapat e ka përkrahur transformimin e FSK-së dhe do të vazhdojë ta përkrahë 1 berisha Ministeredhe në procesin e tranzicionit/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 22 Janar 2019/ Zyrtarizohen emërimi  i Ministrit të  Mbrojtjes së Kosovës  dhe Komandantit të Forcës së Sigurisë të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj me vendimin e nxjerrë më datë 17 janar 2019, ka emëruar Ministër të Mbrojtjes Rrustem Berishën, i cili edhe më parë ishte ministër – i FSK-së. Vendim ka hy në fuqi më 20 janar 2019.

Po ashtu edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka emëruar sot zyrtarisht Komandant të FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Ramën me mandat 5 vjeçar.

“Komandantin e Forcës së Sigurisë, gjenerallejtënantin Rrahman Rama, duke u bazuar në përgjegjësitë e mia kushtetuese dhe ligjore, e dekretova edhe për një mandat të ri pesëvjeçar. Komandanti Rama u betua se do të vazhdojë t’i shërbejë atdheut dhe mbrojtjes së qytetarëve tanë. Jam i bindur se gjenerallejtënant Rama do t’i kryejë me zell, nder dhe dinjitet të gjitha detyrat e tij. Ai ka dhënë kontribut të rëndësishëm në tranzicionin e deritashëm dhe mandati i tij i ri do të jetë vazhdim i forcimit dhe konsolidimit të mëtejmë të forcës sonë.”, shprehet Presidenti Thaçi.

Edhe Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës bën të ditur se Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama u betua para Presidentit të Republikës se do të vazhdojë t’i shërbejë atdheut dhe mbrojtjes së qytetarëve të Kosovës.

Pas votimit të tre projektligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, nënshkrimit nga Presidenti Hashim Thaçi, si dhe pas publikimit në Gazetën Zyrtare, dje më 21 janar 2019, solemnisht u bë zyrtarizmi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe procesi i tranzicionit të FSK-së në Ushtri të Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Rrustem Berisha dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Rrahman Rama, dje kanë bërë zbulimin e pllakës me mbishkrimin Ministria e Mbrojtjes, ceremoni kjo e zhvilluar në Ministrinë e Mbrojtjes.

Pas zbulimit të pllakës, kryeministri Haradinaj ka zhvilluar një takim me ministrin e Mbrojtjes, Rrustem Berisha, komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant, Rrahman Rama, dhe përfaqësues tjerë të ministrisë së Mbrojtjes, të cilët i ka uruar për këtë fazë të re të funksionimit, duke vlerësuar se Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë forcë multietnike dhe profesionale, e gatshme për të kontribuuar në forcimin e paqes dhe të stabilitetit në Kosovë, rajon dhe më gjerë.

Pas zbulimit të pllakës, ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, tha se sot është një ditë e veçantë për Ministrinë tonë, për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe që nga sot do të ndryshojë emërtimi i Ministrisë në Ministri të Mbrojtjes.

Më pas, ministri Berisha falënderoi të gjithë ata që kontribuuan që Ministria e Forcës së Sigurisë të shndërrohet në Ministri të Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë të shndërrohet në ushtri të Kosovës.

“Zyrtarisht që nga sot është dita e parë kur fillon procesi i tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës. Dua t’i falënderoj të gjithë partnerët ndërkombëtarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfaqësuesit e NATO-s që janë këtu, në veçanti dua ta falënderoj kryeministrin e Kosovës, i cili në vazhdimësi, në të gjitha etapat e ka përkrahur transformimin e FSK-së dhe do të vazhdojë ta përkrahë edhe në procesin e tranzicionit”, tha ministri Berisha dhe shtoi se i tërë procesi i tranzicionit do të jetë një proces gradual, transparent dhe është paraparë një plan dhjetëvjeçar i arritjes së kapaciteteve të mbrojtjes.

Duke folur rreth mandatit të ri,  ministri Berisha tha se Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë forcë multietnike, profesionale që do të jetë e përfaqësuar nga të gjithë qytetarët e Kosovës, në interes të gjithë qytetarëve të Kosovës, por edhe në interes të ndërtimit të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Ministri Berisha falënderoi kryeministrin Haradinaj për mbështetjen dhe përkrahjen e dhënë në të gjitha etapat.

Në ceremoninë e zbulimit të pllakës me mbishkrimin Ministria e Mbrojtjes, përveç  kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ministrit të Mbrojtjes, Rrustem Berisha, komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ishin të pranishëm edhe zëvendësministri Agim  Çeku, zëvendësministri Burim Ramadani, sekretari i përgjegjshëm Shkëlzen Sylaj, gjenerali Gëzim Hazrolli, gjenerali Zymer Halimi, si dhe stafit i lartë i Ministrisë dhe FSK-së.

Në 13 shtator 2018, Qeveria e Kosovës, bazuar në të drejtën e saj kushtetuese, ka miratuar pakon e projektligjeve që rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Në 18 tetor 2018 në Kuvendin e Kosovës në shqyrtim të parë pa asnjë votë kundër e asnjë abstenim u miratuan tre Projektligjet – për Ministrinë e Mbrojtjes, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Pakoja e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës  Ushtri është miratuar me unanimitet edhe në shqyrtim të dytë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës 120 anëtarsh me 107 deputetë në sallë në seancën e 14 dhjetor 2018 dhe kjo vlerësohet ngjarja e vitit.

Pas seancës së Kuvendit – të vendimit për transformimin e FSK-së, është zhvilluar edhe një ceremoni – pritje shtetërore festive në ambientet e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila me ligj tani është Ministri e Mbrojtjes.

Në 28 dhjetor 2018 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekretuar tre ligjet që e ndryshojnë mandatin dhe misionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008, Forca e Sigurisë së Kosovës është aktivizuar nga janari 2009, kur u deaktivizuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat lindën nga transformimi i  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lujtën rolin e tyre shumë të rëndësishëm në nëntë vitet e pas luftës së përfunduar në qershorin 1999.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Emrohet Ministri i Mbrojtjes, Zbulohet Pllaka

Frank Shkreli: 30-vjetori i vizitës së parë të dr. Ibrahim Rugovës në Washington

January 22, 2019 by dgreca

…dhe 13-vjetori i kalimit të tij në amshim/

fr-768x384

Dr. Ibrahim Rugova dhe Dr. Engjëll Sedaj në shtëpinë e autorit në Falls Church, të shtetit Virginia, jo larg Washingtonit (1989) ku miqtë e dashur kaluan dy net e tre ditë, të shoqëruar nga aktivisti i komunitetit, Z. Simon Simolacaj. Mysafirët e lartë nga Kosova erdhën për herë të parë për vizitë në Washington, pasi kishin marrë pjesë në seminarin e organizuar me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit, të organizuar nga Kisha Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, në Universitetin e njohur Fordham, të New Yorkut.

Disa ditë pas përfundimit të seminarit në Universitetin e njohur Fordham, Dr. Ibrahim Rugova dhe Dr. Engjell Sedaj erdhën me një mik timin, Zotin Simon Simolacaj të më vizitonin në Washington. Në atë kohë, unë punoja si Këshilltar i Programeve radiofonike drejtuar botës komuniste në Drejtorinë Evropiane të “Zërit të Amerikës”.

Dr. Ibrahim Rugova, Frank Shkreli dhe Dr. Engjëll Sedaj në Kongresin e Shteteve të Bashkuara në Washington, Tetor 1989. Ishte kjo vizita e parë dhe takimi im i parë me Presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës në Washington, por jo e fundit.

Në atë kohë, unë nuk i njihja dhe as nuk dija shumë, as për Dr. Rugovën, as për Dr. Sedajn, përveç faktit se ishin dy intelektualë të dalluar nga Kosova, të ftuar nga Kisha Katolike Shqiptare në New York për të folur me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit. Por e prita mirë vizitën e tyre pasi, pa dyshim, ishte një privilegj për të pasur në shtëpinë tonë dy mysafirë të tillë, të nderuar. Për më tepër, vizita e tyre bëri të mundur për të biseduar me dy intelektualë të kalibrit të tyre, mbi gjendjen e atëhershme në Kosovë, pasi megjithëse punoja në qendër të informacionit dhe lajmeve ndërkombëtare, lajmet nga Kosova ishin të pakta dhe ato që na vinin në redaksi ishin pothuaj, pa përjashtim, të ngjyrosura nga propaganda serbe, e cila ia paraqiste botës çështjen shqiptare në Kosovë si donte vetë dhe bota fatkeqësisht e besonte. Zëri i shqiptarëve në Kosovë nuk dëgjohej dhe bota e jashtme nuk ishte aspak në dijeni të vuajtjeve e torturave që diktatura serbe bënte mbi popullsinë shqiptare në atë krahinë. Ishte jetike që të krijohej një kundër-balancë, por edhe të zbuloheshin shpifjet e Beogradit dhe të njoftohej bota, e sidomos Washingtoni rreth instalimit të një regjimi diktatorial dhe terrorist, policor e ushtarak serb në Kosovë, që si objektiv kryesor kishte zbatimin e planit për shfarosjen e shqiptarëve nga Dardania antike.

 Në një moment miqësor me vizitorët e nderuar nga Kosova në Washington, 1989

Kanë kaluar 30-vjet, por me kënaqësi e kujtoj këtë vizitë dhe bisedat e paharrueshme me miqtë nga Kosova, të cilët megjithëse nuk i kisha njohur më parë, na shkoi biseda si është më mirë dhe sikur të kishim qenë miq të vjetër, megjithëse isha pak më i ri nga mosha. Pa ditur se si do shkonin punët në Kosovë dhe për atë vetë si person dhe politikan i ardhshëm i Kosovës, pasi në atë kohë ishte vetëm Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, më kujtohet se shqetësimi i tij kryesor ishte nevoja për sensibilizimin e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare, në përgjithësi, por sidomos në Washington. Si studiues i mirë i historisë dhe si atdhetar i vërtetë që ishte – ai i dallonte mirë miqtë nga armiqtë e Kombit shqiptar. Megjithëse ishte vizita e parë e tij në Washington dhe në Shtetet e Bashkuara, Dr. Rugova ishte i bindur në mendjen e tij, se Kosova dhe shqiptarët – në Shtetet e Bashkuara dhe në Washingtonin zyrtar, do të gjenin mikun dhe përkrahësin e të drejtave të shqiptarëve, ashtu siç edhe ka ndodhur që prej përkrahjes së pavarësisë së Shqipërisë nga Presidenti Udrou Wilson e këtej.Në mendimin tim, vizita e parë e Dr. Ibrahim Rugovës në Nju Jork dhe në Washington – sigurisht pa e ditur as ai vetë këtë gjë në atë kohë – mund të konsiderohet si fillimi i diplomacisë moderne të Kosovës ose si fillimi i ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Koha e tregoi se Dr. Rugova u kthye në Kosovë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i frymëzuar dhe me një ndjenjë misioni personal, megjithëse disa kritikë e ndoshta edhe disa miq të tij mund të thonë se, i hyri kësaj fushe, me një mungesë dëshire për t’u marrë me politikë.

Historia e mëvonshme tregoi se, me gjithë të metat që mund të kishte si njeri dhe si udhëheqës, që kundërshtarët e tij, pa hezitim ia venin në dukje vazhdimisht, jo vetëm Kosova, por i mbarë Kombi shqiptar tashti kishte një zëdhënës ndryshe dhe si asnjëherë më parë. Sidomos Kosova, megjithëse në rrethana shumë të vështira, tashti kishte një zë të urtë që dëgjohej dhe respektohej nga të gjithë bashkëbiseduesit e tij ndërkombëtarë.

Ishte një zë që fliste për të drejtat e shqiptarëve në trojet e tyre, për liri dhe demokraci për popullin e vet dhe si asnjë përfaqësues tjetër i Kombit shqiptar, siç ka thënë edhe ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Klinton, Ibrahim Rugova e shpjegonte çështjen shqiptare në një mënyrë të kuptueshme – nga pikëpamja historike dhe njerëzore, sidomos për të huajt.

Si askush tjetër – para tij ose pas tij – Dr. Ibrahim Rugova i paraqiti botës përdhunimin historik të Kombit shqiptar dhe bota filloi ta dëgjonte dhe, më në fund, filloi të interesohej për tragjedinë dhe krimet që regjimi kriminal i Serbisë po bënte në Kosovë, me qëllim zhdukjen e racës shqiptare nga trojet e veta mijëvjeçare.

Foto e fundit e autorit me Presidentin Ibrahim Rugova, në zyrën e tij në Prishtinë, 2005

Në këtë 30-vjetor të vizitës së tij të parë në Washington, desha vetëm të shënoj dhe të ndaj me miqtë e mi disa mbresa, shkurtimisht – por për mua të paharrueshme – nga vizita dy-tri ditëshe e Dr. Rugovës në shtëpinë tonë në Washington, më 1989 dhe arsyet se pse jam përpjekur ta përkrah gjatë viteve. Ajo vizitë nuk më harrohet mua, as familjes time dhe njohja ime me të, gjatë asaj vizite, çoi në një miqësi shumëvjeçare, deri sa ai ndërroi jetë – dritë i baftë shpirti! Respekti im për Dr. Rugovën e ka zanafillën, pikërisht, në atë vizitë, pasi përshtypjet e mia të para dhe respekti për këtë udhëheqës të madh të Kombit shqiptar, sa ka ardhur e është rritur gjatë viteve. Për mua, arsyeja për këtë është se, si asnjë udhëheqës tjetër shqiptar që unë kam njohur, Presidenti Rugova kishte një vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës dhe të Kombit shqiptar. Si asnjë tjetër udhëheqës, ai ishte i bindur në rrugën që duhej të ndiqte Kombi shqiptar për t’u radhitë ndershmërisht në radhën e kombeve të përparuara të perëndimit. Ai ishte i bindur në përkrahjen e perëndimit drejt kësaj rruge e, sidomos, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – drejt rrugës së bashkimit dhe integrimit të Kombit shqiptar me vendet perëndimore.

E respektova për bindjen e tij se komunizmi ishte rreziku dhe fatkeqësia më e madhe që i kishte ndodhur Kombit shqiptar në shekullin e 20-të dhe për faktin se besonte që Kombi shqiptar duhej të ndërtonte bazat e ekzistencës së tij mbi vlerat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe patriotike të rilindësve të vërtetë. Ibrahim Rugova nuk mburrej me retorikë të zbrazët, por me ide e vizione të qarta për një të ardhme më të mirë të Kombit të vet, duke i dhënë kështu një emër të nderuar dhe të respektuar gjakut shqiptar edhe në arenën ndërkombëtare. E respektova Dr. Rugovën, sepse ai nuk ishte i frymëzuar nga ideologjia komuniste, as në mendime, as në veprime – si shumë nga ata të brezit te tij që ishin rritur e shkolluar në atë sistem ideologjik të huaj. Përkundrazi, Ibrahim Rugova kishte parime gjykuese dhe një kulturë e qytetërim njerëzor plot urtësi, të gërshetuar nga traditat dhe vlerat më të mira të Kombit shqiptar. Ai ishte i vetëdijshëm se, natyrisht që, trimëria dhe pushka e kanë vendin dhe kohën e vet për t’u përdorur në mbrojtje të interesave të Kombit, por me shembullin e tij, ai gjithashtu tregoi se dashuria për popullin e vet dhe mbrojtja e interesave kombëtare, dëshmohet gjithashtu duke i ruajtur nderin emrit shqiptar – një mesazh ky shumë i përshtatshëm dhe tepër i nevojshëm për kohën sot – sidomos për politikanët e sotëm anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Kjo është edhe njëra nga trashëgimitë e Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës me rastin e 30-vjetorit të vizitës së tij të parë në Washington dhe në 13-vjetorin e kalimit të tij në përjetësi. Për këto ai gëzon respektin tim!

Duke bërë nderimet e mia para arkivolit të ndjerit President Ibrahim Rugova, Prishtinë, 21 Janar, 2006

Filed Under: Histori Tagged With: 30 vjetori, DR. IBRAHIM RUGOVA, Frank shkreli, Vizita ne Washington

PO SHTOHET REZISTENCA BOTËRORE NDAJ UDHËHEQËSVE AUTOKRATË

January 22, 2019 by dgreca

1-Frank-shkreli-1 HRW-685x368

 

Nga Frank Shkreli/

Organizata jo-qeveritare ndërkombëtare, “Human Rghts Watch” me qëndër në Nju Jork, e cila merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, botoi para disa ditësh në Berlin raportin e saj vjetor për 2019.  Siç dihet, kjo organizatë, si mbështetëse e të drejtave të njeriut, ka si mision të vetin ushtrimin e trysnisë ndaj qeverive, politikanëve dhe shkelësve të ndryshëm të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, duke u kërkuar atyre që të prononcohen dhe të denoncojnë abuzimin e të drejtave të njeriut, kudo që ndodhë.  Po vihet re një prirje botërore, gjithnjë në rritje, për të rezistuar abuzimet e të drejtave të njeriut nga ana e udhëheqësve autokratë, deklaroi organizata Human Rights Watch, duke paraqitur raportin e saj vjetor, për vititn 2019.  “Në radhët e Bashkimit Evropian, në Kombet e Bashkuara dhe anë e mbanë botës, koalicione shtetesh, të mbështetura nga grupe civile dhe nga protesta popullore, po rezistojnë politikat e udhëheqësve populistë, të cilët ndjekin politika që nuk janë në përputhje me të drejtat e njeriut”.

Në raportin vjetor prej 674 faqesh të Human Rights Watch, flitet për “anën e errët” të politikave të udhëheqësve autokratë dhe mbi gjëndjen dhe praktikat e zbatimit ose jo të të drejtave të njeriut, në më shumë se 100-vende.  Kosova përmendet shkurtimisht, por Shqipëria nuk përmendet në raport, por ndërkaq theksohet se mungesa e shumë shteteve në raport nuk do të thotë se ato vende nuk kanë probleme me të drejtat e njeriut dhe me qeverisje autoritare, por thjesht, është bërë për mungesë burimesh financiare dhe personeli në vendet që nuk pasqyrohen në raportin vjetor të Human Rights Watch.

Në parathënien e raportit, Drejtori Ekzekutiv i Human Rights Watch, Z. Kenneth Ross thekson se lajmi më me rëndësi për vitin që kaloi është në të vërtetë rezistenca popullore ndaj prirjeve autoritare, duke i kundërshtuar politikat e tyre anë e mbanë botës.  Kjo rezistencë ndaj sulmeve kundër demokracisë nga udhëheqës të caktuar autokratë, sipas tij, vihet re sidomos në Evropë, në përpjekjet për të ndaluar gjakdherdhjen në Siri, në protestat për të sjellur para drejtësisë personat që po kryejnë spastrime etnike kundër myslimanëve në Myanmar, kundërshtimet e politikës saudite në Jemen, protestat kundër armëve kimike si dhe kërkesat për një hetim të gjithanshëm për vrasjen e gazerit sauidt, Jamal Khashoggi, e të tjera.

Të njëjtit udhëheqës populistë, të cilët po përhapin urrejtje dhe mos tolerancë, po nxisin një rezistencë mbarë popullore, rezistencë e cila është duke shënuar fitore kundër tyre”, u shpreh Z. Ross, duke shtuar se, “Fitorja kundër tyre (atuokratëve) nuk është siguruar ende, por sukseset e shënuara vitin që kaloi, sugjerojnë se abuzimet e qeveritarëve autoritarë, janë duke shkaktuar kundër sulme të fuqishme ndaj tyre, nga mbështetsit e të drejtave të njeriut”.   Në Evropë, për shembëll, gjatë vitit që kaloi, mbështetja për të drejtat e njeriut u shpreh në forma të ndryshme, me protesta nepër rrugë si dhe mbrenda institucioneve.  Në një demokraci perëndimore, nuk është i lehtë sundimi autoritar dhe tolerimi i tij.  Kjo u vu re në Hungari dhe në Poloni, ku populli polak dhe hungarez reaguan ndaj atyre që ata i shikuan si kufizime të lirive të tyre bazë duke protestuar politikat e Kryeminstrit hungarez, Z. Viktor Orban dhe të Presidentit polak Andrzej Duda.  Ndërsa raporti përmend si shembëll edhe zgjedhjet e nëntorit që kaloi këtu në Shtetet e Bashkuara, duke përmendur fitoren e demokratëve të opozitës, të cilët tani kontrollojnë Dhomën e Përfaqsuesve — si një reagim të votuesve amerikanë ndaj asaj që raporti e cilëson si politikë, “frikësimi” e Presidentit Trump, një reagim ky, sipas Z. Roth, nga poshtë lart.

Në parathënien e raportit të Human Rights Watch thuhet se Bashkimi Evropian dhe disa vende anëtare të saj u treguan mbështetse të forta të drejtave të njeriut, madje edhe përtej kufijve të tyre.  Kancelarja e Gjermanisë, Angel Merkel dhe ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas kanë kritikuar publikisht Presidentin e Rusisë, Z. Vladimir Putin, Presidentin kinez, Z. Xi Jinping dhe Presidentin e Turqisë, Z. Recep Tayyip Erdogan, si abuzues të të drejtave të njeriut dhe shtypës të opozitës politike, të gazetarëve dhe aktivistëve të drejtave civile, thuhet në parathënien e raportit vjetor të Human Rights Watch.   Por, megjithë sukseset e shënuara kundër autokratëve vitin që kaloi, aty thuhet se jo të gjitha prirjet ishin pozitive në fushën e të drejtave të njeriut.  Raporti thekëson se autokratët e sotëm politikë, po përpiqen të fajësojnë grupe të shoqërisë që mund të jenë kundër tyre, me qëllim për të shtuar mbështetjen popullore për ndaj tyre dhe partive politike që ata përfaqësojnë.   Këta autokratë, thuhet aty, po dobësojnë ato që në anglisht cilësohen si “checks and balances” të një shoqërie, ose balancimi dhe kontrolli i detyrave dhe i përgjegjësive midis degëve të ndryshme të qeverisjes, duke përfshirë gjykatat e pavarura, legjislativin, median e lirë dhe grupet civile.   “Autokratëve u përshtatet shkelja e të drejtave të njeriut, sepse kështu ruajnë pushtetin dhe mbushin xhepat.   Në këtë mënyrë ata shpërblejnë miqtë.  Këto janë arsyet pse qeveritë duan të shkelin të drejat e njeriut”, thekson raporti vjetor i Human Rights Watch.

Drejtori Ekzekutiv i organizatës Human Rights Watch, Z. Roth përfundon duke thënë se, “Përpjekjet dhe terreni në mbrojtje të të drejtave të njeriut po ndryshojnë për nga forma dhe për nga pjesëmarrësit, ndërkohë që disa mbështetës të vjetër të këtyre të drejtave nuk janë më të tillë… por nga ana tjetër, koalicione të forta dhe efektive janë themeluar për të kundërshtuar qeveritë të cilat nuk janë përgjegjëse ndaj popujve të tyre dhe të cilët njëkohësisht nuk respektojnë as të drejtat e tyre bazë të njeriut.”

Sfidat ndaj respektimit të drejtave të njeriut mbeten anë e mbanë botës, megjithë sukseset e arritura vitin që kaloi, sipas raportit.  Megjithëse tani standardet ndërkombëtare për të respektimin e të drejtave të njeriut janë bërë pjesë e rëdnësishme e vlerësimit se si qeveritë trajtojnë shtetasit dhe të drejtat e tyre – të drejtat bazë të njeriut vazhdojnë të jenë të kërcënuara nga politikanët autoritarë të cilët shohin gjithnjë përfitime politike dhe ekonomike për veten dhe të tjerët kur shkelin dhe abuzojnë me të drejtat e njeriut, thekësohet në raport.  Por u takon mbrojtësve të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut që të bindin qeveritë dhe udhëheqsit autoritarë se do të paguajnë një çmim të lartë për sjelljet e tyre dhe se nuk ia vlen të ndiqet një politikë e tillë nga qeveritarët autoritarë.   Organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch premton se vitin që vjen do të shtrijë hapësirën e një veprimi më energjetik në mbrojtje të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, nga abuzimi dhe shkelja e këtyre të drejtave bazë, prej qeverive dhe udhëheqësve politikë autoritarë.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Rezistence boterore, Udheheqesve autokrate

Liria e fjalë dhe shpifjes

January 21, 2019 by dgreca

1-astrit-LulushiNga Astrit Lulushi/Flitet për ligje kundër shpifjes për t’u mbrojtur nga sulmet e fjalës; palët ndërrojnë vendet në bankën e të akuzuarve dhe saga vazhdon – pozita dhe opozita bëjnë lojën e njëratjetrës.
Nëse ka diçka në këtë botë që nuk mund t’i qëndrojë diskutimit, le të shkërmoqet e bëhet pluhur, thoshte Wendell Phillips (1811-1884), i cili sakrifikoi karrierën dhe reputacionin e tij duke dalë kundër skllavërisë para luftës civile amerikane.
Kufizimi i lirisë së shprehjes godet dyfish lirinë intelektuale, sepse kushdo që privon të drejtën për të shprehur një pikëpamje ndryshe, njëkohësisht u privon të tjerëve të drejtën për ta dëgjuar atë. Në një shoqëri të tillë, vetëm hapja e buzëve është krim. Kush nuk e di, të pyesi atë që e di, nëse citojmë Osman Gazepin.
Liria e fjalës është e gjitha. Fjala e lirë është vetë jeta, është gjallëria e një shoqërie. Çfarë është liria e shprehjes? – Pa lirinë për të fyer, ajo pushon së ekzistuari, thotë Salman Rushdi, duke u dalë në mbrojtje romaneve të veta.
E keqja është lehtësia me të cilën disa njerëz duke mos thënë se nuk u pëlqen diçka e thënë, i kërkojnë qeverisë ta ndalojë atë. Kur i hyn kësaj rruge, mos prit që liria të mbijetojë shumë kohë, shkruan Quintus Ennius që jetoi rreth viteve 239 -169 pes), i cilësuar si ati i poezisë romake.
Pa marrë parasysh se çfarë do të thuash, fjala duhet të dalë nga goja e lirë dhe e paautorizuar. Një shoqëri që nuk guxon të mbrojë anëtarin e saj në shprehjen e lirë të mendimeve të tij, pavarësisht se sa e rreme apo e urryer, është vetëm një bandë skllevërish.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, dhe shpifjes, Liria e fjalë

Përse duhet që gjithë shqiptarët të jenë me Ramushin!

January 21, 2019 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/1 Elida Ramushi

Sot jemi me Ramushin!

E kritikuam Ramushin fort kur iu bashkua Hashim Thaçit!

Tash na u desh Ramushi!

Sepse të jesh me Ramushin do të thote të jesh me Amerikën!

Do të thotë të jesh me vlerat e lirisë!

Të jesh me Ramushin do të thotë t’i thuash “jo” një lufte të re në Ballkan!

Të jesh me Ramushin do të thotë t’i thuash “po” paqes në Ballkan!

Të jesh me Ramushin do të thotë të jesh për paqen midis shqiptarëve dhe serbëve!

Të jesh me Ramushin do të thotë të respektosh gjithçka që arriti në fund të shekullit XX dipomacia Euro-Atlantike, Amerika dhe shtetet e NATO-s! Pas përpjekjesh të pafundme diplomatike, ku u aktivizuan shterrshëm figurat më të shquara të diplomacisë Amerikane dhe Europiane, ku u aktivizua administrata Bill Clinton, me Sekretaren e Shtetit Madeleine Albright, veterani i diplomacisë Richard Holbrooke bashkë me të gjitha shtetet bërthamë të Perëndimit, që përbëjnë Perëndimin e vlerave!

U deshën shumë sakrifica, viktima, deportime, varre masive!

Kur Milosheviçi shkaktari i tragjedive në ish-Jugosllavi e hodhi në kosh të plehrave diplomacinë Perëndimore, atëhere Perëndimi u detyrua të ndërmarri sulmin e NATO-s dhe ishte i gatshëm edhe të zbarkonte me trupat e Aleancës!

Për të gjithë Presidentët e SHBA integriteti territorial i Kosovës është i pacënueshëm dhe i panegociueshëm!

Integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm!

Për Presidentin George Bush senior, që kur i dërgoi selam Milosheviçit me Paralajmërimin e Krishtlindjeve dhe Vijën e Kuqe!

Integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm!

Për Presidentin Bill Clinton,

Integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm!

Për Presidentin George W Bush,

Integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm!

Për Presidentin Barack Obama,

Integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm!

Duhet të jetë edhe për Presidentin Donald Trump!

Në emrat që kam përmendur më sipër është 30 vjet konsensus i të gjitha administratave Amerikane, qëndrim bipartizan dhe i unifikuar!

Që do të thotë çështja e Kosovës is over!

Don’t touch! Mos e prekni!

Mos e harroni paralajmërimin e Presidentit të 41.të SHBA George W.H. Bush!

Ai nuk jeton më! Por vepra e tij do të jetë e përjetëshme!

Prandaj jemi me Ramushin!

Kur jemi me Ramushin jemi me Britaninë e Madhe, me Gjermaninë, me Francën, me Italinë, jemi me të gjithë ata burrashtetesh të nderuar që vendosën fatin e Kosovës dhe që kanë dhënë kontributin pandalshëm që Kosova të jetë shtet i pavarur!

I jemi mirënjohës SHBA dhe Perëndimit!

Prandaj jemi me Ramushin!

Ka qenë i njohur qëndrimi i Ambasadorit John Robert Bolton kundër kësaj që krijoi për tridhjetë vjet Amerika,

por sado i rëndësishëm të jetë Këshilltari i Sigurisë sot i Presidentit të SHBA,

statura e tij nuk mund të krahasohet me burrat më të fuqishëm të botës në 30 vjet histori moderne të SHBA!

Prandaj jemi me Ramushin sot!

I japin ose jo vizën Amerikane për Mëngjesin e Lutjeve!

Sepse Ramushi po vepron konform vendimit konsensual të SHBA dhe Perëndimit!

Ne duam që Kosova dhe Serbia, të funksionojnë sikur Franca e Gjermania, por kjo kërkon respekt të ndërsjelltë, reciprok, bilateral!

Ti më respekton, unë të respektoj! Ju e dini si janë shqiptarët, po i respektove një herë, ata të respektojnë dhjetë herë, 100 herë!

por Serbia jo, Serbia e Daçiçit dhe Vuçiçit tallet me të ardhmen e shtetasve të Serbisë dhe të Kosovës, nën ombrellën e një zonje që do të duhej të kishte shkuar me kohë në shtëpinë e saj,

sepse zonja Mogherini ka dhënë kontribut kundër interesave të BE dhe paqes afatgjatë midis serbëve e shqiptarëve, duke hapur një kapitull të mbyllur një herë e mirë!

Nëse administratat serbe me në krye Vuçiç dhe Daçiç organizojnë gjithë diplomacinë me në krye lobin në SHBA që shtetet të cilat e kanë njohur Kosovën ta anullojnë njohjen e tyre, dmth kjo është kundër interesave të SHBA dhe 25 shteteve të BE që e kanë njohur të parat Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran,

kjo do të thotë se është Serbia që nuk respekton vendimet e Perëndimit dhe jo Kosova!

Kur Serbia organizoi gjithë diplomacinë e saj dhe e festoi me shampanjë triumfaliste mos lejimin e anëtarësimit të Kosovës anëtare e UNESCO-s dhe INTERPOL-it,

atëhere si është e mundur që Kosova t’i gjunjëzohet Serbisë!

Po si është e mundur që diplomacia e Bashkimit Europian t’i gjunjëzohet Serbisë, kur politikat e këtij vendi bien ndesh me politikat e shteteve të BE-së në raport me Kosovën?

Prandaj jemi me Ramushin!

Sepse kur jemi me Ramushin jemi me Amerikën dhe Europën e vlerave!

Kosova dëshiron që të jetë pjesë e NATO-s, Serbia është kundër anëtarësimit në NATO!

Duke qenë pjesë e NATO-s, Kosova nuk përbën rrezik për Serbinë, ndërsa Serbia duke mos pranuar të jetë pjesë e NATO-s është shteti i vetëm në zemër të Europës që del jashtë kontekstit të përbashkët që ka Europa e Bashkuar!

Ramushi është brenda ëndërrës të përbashkët Euro-Atlantike,

nuk jemi ne kundër Serbisë,

është Serbia e Vuçiç-Daçiç jo vetëm kundër shqiptarëve, por edhe kundër Serbisë e serbëve,

ne shqiptarët jemi pro integrimeve të Serbisë,

jemi për paqen midis shqiptarëve dhe serbëve,

ashtu sikur e ka vendosur SHBA, BE dhe NATO,

prandaj jemi me Ramushin!

Prandaj duhet që gjithë shqiptarët të jenë me Ramushin!

Sepse jemi për paqen midis shqiptarëve dhe serbëve!

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Ramush Haradinaj, Serbia2

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT