• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2019

FAN NOLI – KY KOLOS I KULTURËS SHQIPTARE

January 6, 2019 by dgreca

1 Sinani1Nga Sinan Kamberaj*/

Kritikë të letërsisë, biografë, kulturologë dhe studiues të veprës së Nolit kanë konstatuar gati njëzëshëm se figurën e Fan Nolit e stolisin të gjitha atributet që i shkojnë një figure poliedrike si ai: peshkop patriot e vizionar, ikonë e “Vatrës” dhe e “Diellit”, poet e përkthyes, politikan e ideolog, diplomat e strateg, filozof e historian, publicist e botues, biograf, polemist, kritik, dramaturg, muzikolog, poliglot … Me një fjalë, Fan Noli është vlerësuar me të drejtë si njeri ndër figurat më të spikatura të kulturës e të dijes shqiptare të shekullit qe e lamë mbas.

NOLI – POET

Fan Noli ishte një poet i madh. Ndonëse nuk qe një prodhimtar i madh në gjininë e  poezisë, megjithatë ai e lëvroi me pasion të madh atë dhe, me aq sa shkroi, – dhjetëra vjersha e poema, –  spikati me artin e tij, duke zënë një vend të nderuar në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe.

Brezi im në Kosovë, prej nga vi unë, i rritur e i formuar në frymën e gjakimit të lirisë së munguar, e përjetonte poezinë patriotike të Fan Nolit në mënyrë të veçantë. Ndërkohë që në Shqipëri ajo mëtonte të përçonte një mesazh të drejtpërdrejtë: kritikë e ashpër rendit social, – në Kosovë kjo poezi përjetohej si një protestë jo vetëm kundër shtypjes sociale, por “interpretohej” edhe si një kushtrim për liri. Mund të them se një numër i madh i nxënësve dhe studentëve i kanë ditur përmendësh shumicën e poezive të Nolit.

Në krijimtarinë poetike të Nolit, pra, kryet e vendit e zë, natyrshëm, poezia me motive patriotike. Le ta kujtojmë këtu poezinë ‘Hymni i Flamurit’, (1926) një tekst që i bën karshillëk edhe sot tekstit të Hymnit të sotëm Kombëtar, me tekst të Asdrenit, si dhe teksteve të autorëve të tjerë, me pretendime për Hymn, si një poezi e Gjegj Fishtës (1913), një tjetër e  Ernest Koliqit (1921),  Mihal Gramenos, Hil Mosit e deri te Lasgush Poradeci (1933). Le të kujtojmë këtu poezinë programatike, “Jepni për Nënën”, këtë Hymn nolian të Mërgatës së Amerikës, që u bë këngë gjithëpopullore, pastaj poemën “Anës së Lumenjve”, që “gurgullon” nga figuracioni stilistik, poezitë “Rent, or Marathonomak”,  “Thomsoni dhe Kuçedra”, e deri te poezia elegjiake, sa pikëlluese aq edhe trishtuese, “Syrgjyn Vdekur”, që ta shohim Nolin – Poet, në dritën vezulluese të artit të tij poetik.

Krahas poezisë me motive kthjelltësisht patriotike, pastaj asaj me motive elegjiake -përkushtuese, si “Shpellë e Dragobisë”, Te ura, të ura”, etj., pjesa dërmuese e krijimtarisë së  Nolit dominohet nga motivet politike, me frymë të rreptë polemiste. “Kënga e Salep Sulltanit”, “Marshi i Barabajt”, si dhe një varg poezish të tjera te kësaj fryme, godasin kundërshtarin e tij politik, kryeministrin e vendit Ahmet Zogun e fuqishëm, të cilin Poeti i brishtë e rrëzoi dhe e dëboi nga Atdheu. Për ironi të fatit, Noli, ky ‘demokrat fatkeq’, siç është quajtur shpesh, që provoi ta bënte shtet demokratik Shqipërinë e sakatosur e të cfilitur nga varfëria e injoranca, midis ujqish të egër të Ballkanit, e përjetoi vetë një rrëzim edhe më të ashpër nga froni kryeministror, pas gjashtë muajsh. Krahas rrëzimit, ai përjetoi edhe dëbimin dramatik e të përjetshëm nga Atdheu, për të mbetur ‘syrgjyn gjallë’ deri më 13 mars ‘65 dhe ‘syrgjyn vdekur’, deri sot.

Pertej analizës ideo-estetike, asaj metode, tashmë fatmirësisht të tejkaluar të kritikës së arteve, të cilës iu nënshtrua shpesh edhe poezia e Nolit, ajo, si art,  përgjithesisht është vlerësuar lart nga kritika letrare, ndërsa autori është çmuar dhe çmohet si njëri ndër mjeshtrit e rrallë të poezisë politike satirike shqiptare.

Kritikët e poezisë së Nolit e kanë çmuar jo një herë fuqinë fshikulluese të artit të tij satirik, të realizuar me mjete artistike letrare, të zgjedhura me sqimën noliane.

 

NOLI – PËRKTHYES

Noli Patriot, është Noli përkthyes dhe botues i librave doracakë liturgjikë, për nevojat e Kishës Orthodokse Autoqefale Shqiptare.  Autoqefalia, kjo vepër madhështore dhe e jashtëzakonshme e Nolit, duhej të merrte urgjentisht frymë shqip, pra e kishte të ngutshme nevojën e ligjërimit kishtar në gjuhën shqipe. Dhe, kush do ta bënte e mund ta bënte këtë, përveç Nolit?

Do ta përkthente më 1908 librin liturgjik “Shërbes’ e Javes së Madhe”, pastaj tjetrin ‘Libri i Kremteve të Medha’, (1911), etj. Në përkthimin shqip, nga greqishtja, të Librit të Kremteve të Mëdha, krahas rëndësisë së botimit shqip që e thekson në parathënien e saj, Noli shprehet i kënaqur që po shkarkohej nga detyrimi i përkthimit të librave fetarë të nevojshëm, siç thotë ai, “në mënyrë që të më lërë të lirë të merrem me kthime veprash letrare, për të cilat kombi ynë ka aq nevojë”. Pra, Noli i quante të barasvlefshme detyrimet dhe prioritetet, përkthimin e librave fetarë dhe të atyre artistikë, paçka se kënaqësinë e ndjente te e dyta.

Kjo s’kishte si të ndodhte ndryshe, nga që një njeri me një kulturë elitare botërore, nuk mund të mos i vinte detyrë vetës t’u ofronte kënaqësi lexuesve shqiptarë (fatkeqesisht të paktë), duke përkthyer shqip veprat e mëdha të letërsisë botërore, në mënyrë që ta ngriste kombin e tij në rradhët e kombeve të ditura e të ndritura të  botës. I prirë nga kjo ndjenjë fisnike iluministe, Noli i bëri të flasin shqip kolosë të mëdhenj botërorë, si Shekspirin, Allan Poe, Ibanjezin, Khajamin, Servantesin, Longfellow, etj.

Noli i shoqëronte përkthimet e këtyre veprave të përbotshme me parathënie për lexuesit dhe dedikime për njerëzit e shquar, shqiptarë e të huaj. Në parathënien e përkthimit të njërës prej kryeveprave të letërisë botërore, të kryedramaturgut botëror William  Shakespeare, “Tragjedia e Othellos”, (Boston Mass. 1915), Noli thoshte se kjo vepër i kishte marrë pesë muaj ta shqipëronte dhe dy të tjerë ta ‘limonte” e t’i jepte “formën e funtme’, pra kishte bërë një punë shumë të madhe. “Këndonjësit do të gjykojnë në e ktheva mirë”, thoshte ai, dhe shtonte me humorin e tij fin: “Unë mburrem vetëm që munda ta kthenj”.

Libri i dedikohej aktorit shekspirian dhe menaxherit të famshëm të Teatrit Londinez, Herbert Tree, i cili e kishte frymëzuar ta përkthente shqip, pra, siç thotë Noli në tekstin përkushtues anglisht, “në gjuhën e lashtë të ilirianëve”.

Nje vit më vonë (1916) Fan Noli e kishte përkthyer nga anglishtja me një zell të jashtëzakonshëm poemën ” Skanderbeg” (“Skcenderbeu”) të shkrimtarit amerikan Henry Longfellow. I rrëmbyer, përveç artit të padiskutueshëm që përmbante poema, edhe nga motivi patriotik, pra nga ekzaltimi që ndjente që një i huaj, poet i madh gjithsesi, ishte marrë me kryeheroin e shqiptarëve, Skenderbeun, Noli e përktheu poemën aq bukur, sa që “kritikët konspiracionistë” mund të “dyshojnë”(!) se Lonfellow e kishte shkruar veprën me qëllim parësor – që të përkthehej shqip.

Tema e saj, siç dihet, është episodi i betejës së Nishit, midis ushtrisë Osmane dhe asaj Hune, prej nga kryeheroi shqiptar, Gjergj Kastrioti, kryekomandant i ushtrisë turke në këtë betejë, ikën dhe kthehet në Krujen e tij, me një ferman të Sulltanit në dorë dhe e merr Fronin shqiptar për ta mbajtur me luftë të pandërprerë kundër osmanëve, deri në frymën e tij të fundit.

Anglisht:

“In the middle of the night,

In a half of the hurrying flight

There came a scribe of the King

Wearing his signet ring

And said in a voice severe:

This is the first dark blot

On the name, George Castriot!

Alas, the army of Amurath slain.

And left on the battle plain”

 

Shqip:

“Mes’ i natës kur afroj

Ikja e rreptë kur pushoj

Një qatip na i vjen Mbretit

Me myhyrin e Dovletit

Edhe tha me zemërim:

“Njoll’ e parë t’u vu sot

N’emër, o Gjerq Kastriot!

Pse kështu? Oh, mjerë ne!

Ushtërinë pse e le?

Therrur fushës për vajtim?

Kritika letrare e ka vënë në pah përkthimin mjeshtëror të poemës së Longfellow-s, ritmin dhe muzikalitetin e vargut. Këtë mund ta bënte vetëm Fan Noli. Ai vetë thoshte se gjatë përkthimit ishte përpjekur të mos largohej shumë nga teksti, “duke përdorur masën dhe ritmin e këngëve tona popullore”.

“Skenderbeu” anglisht-shqip, paralelisht, ishte botim i Librarisë Popullore të Nolit, të cilën, siç thotë vetë, e themeloi, me qëllim që t’u jepte bashkatdetarëve “ca vepra të zgjedhura nga letratyra e përbotshme”. Ai thotë, midis tjerash se “kjo poemë, ndoshta, mund të jetë më e bukura, e shkruar në gjuhë të huaj për trimin tonë kombëtar”, ndaj e meritonte vendin e parë në mesin e vëllimeve që kishte ndërmend të nxirte në dritë për lexuesit shqiptarë. Ai nuk ngurronte t’i luste lexuesit ta blenin këtë libër, me qëllim që të përballonte shtypjen e librave të tjerë, që kishte në plan të botonte.

Libri i dedikohej mikut të tij, Faik Be Konicës, “Lëronjësit të gjuhës Atërore dhe Kaloresit të Kryqësatës Kombëtare, si shenjë nderimi, nga shoku i tij i armëve, Noli”.

Fan Noli solli në shqip edhe një kryevepër të letersisë botërore, romanin me temë kalorsiake, “Don Kishoti i Mançes”, një roman humoristik-satirik i Miguel Servantesit, botuar spanjisht me 1555. Eshtë një nga përkthimet më të bukura në gjuhën shqipe. Ndoshta pse satira dhe sarkazma, që e përshkon veprën fund e krye, ishte mjet artistik që i përkiste prirjes së lindur të Nolit.

Një poemë tjetër, një nga më të mirat e letërsisë botërore, “Korbi”, e Edgar Allan Poe-s, është poashtu  perlë e përkthimit nolian. Eshtë vlerësuar si përkthimi më i mirë në gjuhët e botës, që ruan plotësisht origjinalitetin, madje shkon edhe përtej vlerave të origjinalit.

Me poaq ëmbëlsi stilistike Noli i ka sjellë në gjuhën shqipe, pa humbur asnjë akord të muzikalitetit poetik të artit te Lindjes, Rubairat e famshme të Omar Kjajamit, njërës prej kryeveprave jo vetëm të letërsisë persiane, duke e vënë shqipen në piedestalin e gjuhëve që përballojnë stilet shkrimore të kryeveprave të letërsisë botërore.

 

NOLI – DRAMATURG, HISTORIAN, MUZIKOLOG

Fan Noli, siç u tha, lëvroi me sukses shumë fusha të artit e të dijes shqiptare. E provoi veten edhe si dramaturg. Vlerësohet e suksesshme vepra e tij në gjininë e dramës “Israelitë dhe Filistinë”.

Janë dy vepra madhore që e përplotesojnë figurën komplekse e të jashtëzakonshme të Fan Nolit, si njeri me kulturë e dije të thellë: “Histori e Skenderbeut”, me temë shqiptare, një nga kryeveprat e tij, dhe tjetra – Bethoveni dhe Revolucioni Francez, një studim i thelluar nga fusha e muzikologjisë dhe kulturës frënge. (…)

***

Dhe, fare në fund, dua ta mbyll këtë fjalë timen modeste për Kolosin Fan Noli, i cili bashkë me Kolosin tjetër, bashkëkohës, Faik Konicën,  ngritēn Shtëpinë e Shqiptarëve të Amerikës, Vatrën famëmadhe, zjarri i pashuar i së cilës mbijetoi një shekull dhe arriti te ne, bashkë me dritën e “Diellit” të saj.

Do të mjaftonte vetëm kaq, që ky Kolos të kujtohet brez pas brezi.

———

* Kumtese e mbajtur në Federatën “VATRA”, me rastin e 50 vjetorit të ndarjes nga jeta e Imzot Nolit. New York,13 mars 20015. Ribotohet me rastin e Dites se Lindjes, ^ Janar 1882

Filed Under: Histori Tagged With: FAN NOLI - KY KOLOS, i kulturës shqiptare, Sinan Kamberaj

BERAT- Ujë i bekuar, Ortodoksë dhe Myslimanë festuan së bashku

January 6, 2019 by dgreca

15 djem për të kapur kryqin në ujrat e ftohta të lumit Osum, fati i buzqesh 18 vjeçarit nga Gorica Kostandin Musha./

1 Ura e GorricesPer Diellin nga Berat- Sulo GOZHINA/*
BERA- Qyteti i ujit të bekuar me traditën më të lashtë dhe të pa ndërprerë  prej më shumë se 2400 vjetësh, ka mbledhur në paraditen e djeshme qindra e mijëra beratas dhe të rrethinave të tij, mbi urën e Goricës dhe në gjatësi prej më shumë se 100 metra në të dyja anët e lumit Osum për të parë nga afër hedhjen e kryqit. Janë 15 djem të ndarë në grupe që presin në ujrat e ftohta të Osumit kryqit që lëshohet nga lartësia e urës nga kryepeshkopi i Beratit, Kaninës, Vlorës dhe gjithë Myzeqes, Imzot Ignati. Ndoshta është e vetmja festë që mbleth dy fetë bashkë, atë Myslymanë dhe Ortodoks për të parë nga afër këtë ritual pagan. Edhe pse ditë më parë  rënia e shiut dhe e dëborës nuk kanë munguar në malin e Tomorrit si për çudin e besimtarve ujrat e Osumit kanë rrjedhur të kthjellta. Kryqin  në ujrat e lumit e kapi 18 vjeçari Kostandin Musha. Më pasë me djemt që e shoqëronin 18 vjeçari ja ka dorzuar kryqin mes mijra besimtarve kryepeshkopit Ignati dhe duke marrë bekimin e tij. Qindra besimtar me bekimin e imzotit dhe me peligrinazhet që shoqëronin kryepeshkopin Ignatin, priftërinjët e tjerë si dhe korin e kishës, për në kishën më të madhë të koduar me emrim Katedraleja e “Shën Dhimitrit”, për të vazhduar festën me këngët për kryqin dhe ndezjen e qirinjve nga besimtarë. Fitusi i kryqit së bashku me grupin e tij pas shpërblimit të një shume simbolike të dhënë  nga  Ignati në emër të kishës i janë drejtuar portave të shtëpive në lagjet Goricë, Mangalem e Kala për të marë nga besimtarët një bekim më shumë, por ndryshe nga vite më përë këtë viti djemt që kapën kryqin kanë trokitur dhe në lagjet e tjera të këtij qytetit ku dhe janë pritur me dashamirësi.   Kësaj festë që simbolizon pastërtinë e trupit dhe shpirtit dhe që zanafillën e ka që nga pagëzimi i “Jezu Krishtit”, në lumin Jordan, nga Gjon Pagëzoi, i janë bashkuar veç, mijëra pjesëmarrës të ardhur nga qytete dhe rrethinat e Beratit edhe pushtetar lokal N/ kryetari i bashkisë Çlirim Brisku e Afize Skëndo dhe Sekretari i përgjithshëm Gëzim Zema si dhe deputeti Nasip Naço e Fadil Nasufi, përfaqësues të shoqërisë civile, gazetar, banorë të qytetit e të rrethinave të tij, etj.  Deputeti Nasip Naco në një prononcim për gazetën ka vijuar me urimin për festën dhe vit të mbarë për banorët e qytetit dhe të rrethinave të tij, ndërkohë që ka cituar se jo vetëm berati që është simbolli i bashkjetesës fetare, por e gjithë shqipëria ka harmoni fetare gjë të cilën e tregon dhe kjo festë. Më pas deputeti Naco e Nasufi dhe pushtetarët lokal të kryesuar kanë kryer edhe një vizitë në Metropolin e Qytetit ku janë pritur nga Imzot Ignati dhe priftërinjët dhe stafi i tij, po gjëtë pritjes kori i kishës Ortodokse i përbërë nga fëmiëj të qytetit kanë kënduar disa këngë fetare kushtuar Jezukrishtit dhe ditës së ujët të bekuar.

Festën pagane të ujët të bekuar e festonim  edhe në kohën e  komunizmit fsheurazi festën pagane të ujit të bekuar e festonim   edhe në kohën e  komunizmit fsheurazi
Kryqi është hedhur në lumin Osum edhe në koheën e komunizmit. Kështu ka pohuar  për gazetën  çifti 74 vjecar Thomrilla e Sotir Gjoka. Pas vitit 67-të, kur u prishën kishat edhe xhamit dhe feja ishte e ndaluar, unë së bashku me bashkëmoshatarët fsheurazi në ditën e 6 janarit mernim disa djem dhe shkonim tek lumi afër fshatit Bilçë aty me një kryq që e sajonim në moment kryesishtë me dega e hidhnim në ujërat e Osumit. Njeriu që bëhej edhe prift për momentin bënte para hedhjes së kryqit, kryente ritet fetare të mësuara në shtëpi nga të moshuarit dhe më pas djemët që ndodheshin në ujrat e osumit bënin garë në uji kush ta kapte kryqin më parë. Fitusi fsheurazi në orët e vona të darkës së bashku me dy nga katër, pes shokët që hidheshin në lum, trokisnin në familjet më të besuara dhë kryenin ritualin e festës, ndërsa thuajse në të gjitha shtëpitë ndizeshin qirinjë. Ndryshe sot dita ujit të bekuar festohet nga qindra dhe mijera ortodoks dhe myslyman pra është kthyer në një festë popullore ndërsa për kapjen e kryqit në lum hidhen djem të të dy feve myslymane dhe ortodokse.   Edhe pse e festonim fsheurazi hedhjen e kryqit them se nuk kemi parë vetëm momentin pagan të hedhjes së kryqit në ujin e bekuar, por në shtëpit tona vini fitusit dhe ne i bekonim duke puthur kryqin dhe hedhur lekë në tabakan e kryqit, ndërsa festa vazhdonte me  ndizjen e qirinjve, fsheurazi shkonim afër kishës dhe hidhnim lekë. Mbaj mënd këngën “Në kohën që u bekove o zot”, dhe në moment hapeshin portat dhe prisnim fitusin e kryqit në fshehtësi.
Në drekë dhe në darkën e 6 jenarit shtroheshin tavolina dhe kryeshin vizita familjare

Sipas biblës, festa përkon me mbrëmjen kur lindi Jezu Krishti
Origjina e ditës së Bekimit të Zotit.
Sipas biblës, kjo ditë përkon me mbrëmjen kur tre Mbretërit panë në qiellin e Bethelemit në Jerusalem, yllin i cili paralajmëronte lindjen e birit të Zotit, Jezu Krishtit.  Befana festohet natën e 5 janarit apo ditën e Epifanës, një fest fetare që njihet si vizita që i bënë tre mbretërit dijetar Jezu Krishtin fëmijë. Dita e fundit e Krishtlindjes, 12 ditë pas 25 dhjetorit. Të tre mbretërit Melchiorri, Baldassarri, dhe Gasperi u nisën nga vende të ndryshme për t’i parë dhe për t’i ofruar dhuratat e tyre Jezu Krishtit fëmi. Duke u nisur nga ky fakt, kjo ditë njihet si dita e Bekimit të Zotit. Me rastin e kësaj dite organizohen mesha, të cilat shoqërohen me lutje të ndryshme, me “Bekimin e ujit”, dhe marrjen e këtij uji nga besimtarët. Për besimtarët ortodoks  të sërbisë dhe të Rusisë, kjo ditë përkon edhe me ditën e Krishtlindjeve. Në lidhje me këtë festë, ka lindur shumë kohë më parë në disa vise të Italisë edhe legjenda e Befanës. Që atëherë, kjo festë është bërë festë e rëndësishme dhe e shumëpritur nga fëmijët. Befana përfaqëson një plakë të shëmtuar, e cila trëmb fëmjët me pamjen e saj, por në të njëjtën kohë ajo është, zemër mirë, sepse u jep atyre dhurata të ndryshme. Pas viteve `90-të, dita e “Ujit të bekuar”, e njohur ndryshe edhe si dita e Epifanës së Zotit, ka nisur të kremtohet edhe në Shqipëri, dhe më të veçantën se ajo festohet nga të dy komunitetet. Besimtarë të shumtë në të gjithë vendin në këtë ditë marrin pjesë në ritualin dhe meshën e përvitëshmë të “Bekimit të Ujit”, ku kryqi do të hidhet në ujë dhe besimtarët duhet ta nxjerrin nga uji. Besimtarët e pranishëm në këtë ritual marrin pak uji të bekuar për tu sjellë fëmijëve të tyre fat dhe mbarësi. Në vendin tonë, zakonisht kryqi hidhet në lum. Sipas besimit, uji i marrë në këtë ditë mund të qëndroi i paprishur në një enë përgjatë gjithë vitit, deri në 6 janarin e ardhshëm.

Dëshmitarja e rrallë.
Në një prononcim për gazetën prifit At Petraq Simësia citon: edhe nga rrëfimet e prindërve por dhe ngasa mbaj mend, të paktën që nga mosha 7 vjeçe, ura e Goricës ka shërbyer veç të tjerave dhe si vendi ku hidhej kryqi në lum dhe se asnjëherë nuk ka ngelur pa u festuar, dita e “Ujit të Bekuar”, edhe në kohën e luftës. Në kohën e komunizmit kemi festuar fshehurazi hedhjen e kryqi, ndoshta nuk kemi parë vetëm momentin pagan të hedhjes së kryqit në “Ujin e Bekuar”, por në shtëpitë tona vinin fituesit dhe ne i bekonim, duke puthur kryqin dhe hedhur lekë në tabakan e kryqit, ndërsa festa vazhdonte me ndezjen e qirinjve. Fshehurazi shkonim afër kishës dhe hidhnim lekë. Mbaj mend këngën, që tashëm më është bërë kënga më dashur. “Në kohën që u bekove o zot”, ku në moment hapeshin portat dhe prisnim fituesin”, përfundon pohimin e tij At Petraqi.

Shërbesa liturgjike
6 Janari është e kremtja (festa) e Theofanisë ose Epifanisë, e quajtur ndryshe në gjuhën e popullit Uji i Bekuar, është një prej të kremteve më të mëdha të Kishës sonë të Krishterë Orthodhokse. Kjo festë është shfaqja e perëndisë në botë si Trini (pra një qenie e vetme në tre persona)Ati, Biri e Shpirti i Shenjtë, në momentin e pagëzimit të Jizu krishtit, birit të perëndisë të bërë njeri. Të krishterët besojnë se qysh që biri i perëndisë mori mish njerëzor dhe u zhyt në ujërat e jordanit, e tërë materia u shenjtërua dhe u pastrua në atë, u la prej cilësive të saj që kishin të bënin me vdekjen, të trashëguara nga i ligu dhe nga dobësia e ligësia e njerëzve. Në Epifaninë e Zotit i gjithë krijimi bëhet përsëri i mirë, ashtu siç vet perëndia e shpalli atë në fillim, kur e krijoi botën.

Festën pagane të ujit të bekuar e festonim   edhe në kohën e  komunizmit fsheurazi
Kryqi është hedhur në lumin Osum edhe në koheën e komunizmit. Kështu ka pohuar  për gazetën  çifti 74 vjecar Thomrilla e Sotir Gjoka. Pas vitit 67 kur u prishën kishat edhe xhamit dhe feja ishte e ndaluar, unë së bashku me bashkëmoshatarët e mi fsheurazi në ditën e 6 Janarit mernim disa djem dhe shkonim tek lumi tek plllakat poshtë fshatit Bilçë aty me një kryq që e sajonim në moment kryesishtë me dega Ulliri e hidhnim në ujërat e Osumit. Njeriu që bëhej edhe prift për momentin bënte para hedhjes së kryqit ritet fetare të mësuara në shtëpi nga të moshuarit dhe më pas djemët që ndodheshin në ujrat e osumit bënin garë në uji kush ta kapte kryqin më parë. Fitusi fsheurazi në orët e vona të darkës së bashku me dy nga katër, pes shokët që hilleshin në lum trokisnin në familjet më të besuara dhë kryenin ritualin pagan të festës, ndërsa thuajse në të gjitha shtëpitë ndizeshin qirinjë.Ndryshe sot dita ujit të bekuar festohet nga qindra dhe mijera ortodoks dhe myslyman pra është kthyer në një festë popullore ndërsa për kapjen e kryqit në lum hillen djem të të dy feve myslymane dhe ortodokse. Një tjetër besimtar Ortodoks 75 vjeòari Lili Avrami tha për gazetën se Armandi djali im e ka kapur kryqin 3 vjet rreshtë sivjet e kapi kryqin për të dytën herë një djal myslyman dhe përsëri festa vazhdoj gëzushëm në të gjitha familjet ortodokse dhe myslimane. Këtu në kish unë shikoj shumë shokë të mij mysliman që vazhdojn të ndezin qirinjë. Ndërsa dje në kishën “Shën Spiridhoti”, së bashku edhe me grupin e djalin fitus i shoqëruar dhe nga pelingrinazhë kanë ndëzur qindra qirinjë si dhe kanë kryer ritet fetare sipas traditës të kësaj feje. Në kohën e komunizmit kemi festuar fsheurazi hedhjen e kryqit, ndoshta nuk kemi parë vetëm momentin pagan të hedhjes së kryqit në ujin e bekuar por në shtëpit tona vini fitusit dhe ne i bekonim duke puthur kryqin dhe hedhur lekë në tabakan e kryqit, ndërsa festa vazhdonte me  ndizjen e qirinjve,  fsheurazi shkonim afër kishës dhe hillnim lekë. Mbaj mënd këngën “Në kohën që u bekove o zot” dhe në moment hapeshin portat dhe prisnim fitusin e kryqit në fsheuri. Në drek dhe në darkën e 6 jenarit shtroheshin darka e dreka dhe kryeshin vizita familjare.

Çudia
Shiu i rënë pak ditë më parë dhe bora që ka rënë po këto ditë në malin e Tomorrit, dje nuk ka mundur që të turbullojn ujrat e Osumit që si për çudin e të gjith pjesmarsve, ujë i tij ka qenë më i kulluar se çdo ditë tjetër, askush nuk di si t’a shpjegoj këtë fenomen natyral, ndërsa qindra qytetar vazhdojn të mbushin disa enë me ujë në lumin e kulluar.

Nga Berati per Diellin- Sulo Gozhina

*Per me shume foto shah ne Facebook(diilli vatra)

Filed Under: Sociale Tagged With: Muslimane e Ortodokse, Sulo Gozhina, Uji i Bekuar

Fan S. Noli dhe Koshienca Shqiptare *

January 6, 2019 by dgreca

1 liolin, laska

Nga Atë Arthur Liolin*/

Fan Noli ishte njeri i të gjitha kohërave. Tërë jetën, talentin dhe aftësinë e tij të pashoqe ai i vuri në shërbim të popullit shqiptar.

Në fe dhe letërsi, qeverisje dhe gazetari, studime skolastike dhe në muzikë, ai u përpoq t’i jepte popullit të vet – aq të vuajtur nën pushtimin shekullor – një bazë të shëndoshë për të rizbuluar identitetin kombëtar pas disa shekujsh shtypjeje dhe asimilimi kultoror.  Në këtë drejtim, ai e përqëndroi tërë energjinë e tij intelektuale e shpirtërore me një vullnet të paparë në lëmitë ku ai e pa të domosdoshme, sepse ai e kishte kuptuar mirë thënien biblike: “një popull pa vizion zhduket.”

Çdo pjesë e punës që bëri ai gjatë jetës përbën një përpjekje të vetme për ndërtimin e kombit dhe ngritjen e koshiencës kombëtare. Po përdor fjalën koshiencë, me qëllim për ta dalluar këtë kategori shoqërore nga ksenofobia e ligë që po u kërcënohet shumë shteteve tani kur po kalojmë në shekullin tjetër.  Kjo përpjekje e Nolit në bërthamë çonte drejt bashkimit dhe afrimit dhe nuk ndante apo përjashtonte. Le të shohim disa aspekte.

Shqiptarët orthodokse po ballafaqoheshin me pengesa të mëdha në përpjekjen e tyre për të krijuar një kishë kombëtare në gjuhën e tyre, përpjekje kjo plot martirizime e sakrifica.  Kështu, në fillim si prift në vitin 1908 dhe pastaj si peshkop, Noli vuri themelin e një kishe autoktone përmes përkthimeve dhe botimit të librave kryesorë të shërbimit fetar dhe duke frymëzuar Shpalljen e Autoqefalisë në vitin 1922.  Për këtë, ai u quajt, pas Shen Palit, apostulli i dytë i shqiptarëve. Bash për këtë arsye, mbështetja që ai pati prej popullatës muslimane, katolike, protestane, hebreje si dhe asaj kristiano-orthodokse dhe bile edhe të mosbesimtarëve ishte shprehje e një bashkëpunimi kulturor midis tyre, që më vonë u bë standard për shoqëritë multi kulturore.

Në fillim të këtij shekulli, menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria u gjend pa një arkivë kombëtare. Si një atë i urtë, Noli përktheu në shqip, në mënyre sistematike kryeveprat e autorëve dhe poetëve të mëdhenj botërorë, duke u shtuar atyre veprat e veta orgijinale, të cilat që atëherë vazhdojnë të jenë inspirim i intelektualëve tanë për të menduar, kompozuar, shkruar dhe krijuar në gjuhën e tyre të njësuar.  Dimensionet kozmopolite të të menduarit, entusiazmi patriotik, ironia ideologjike dhe rrëfimi i thjeshtë karakterizuan gjuhën e tij, ndërsa me individualitetin e tij të madh dhe respektimin e parimeve në veprat e tij, me forcën tronditëse të luftërave të tij personale, të dyshimeve dhe epifanive u jepte shkrimeve të tij një vërtetësi çliruese: vulen e një njeriu të ndershëm.

Para më pak se një shekulli, vendet e banuara me mija vjet nga shqiptarët ishin ende pjesë te padefinuara të perandorive dhe konfiguracioneve gjeopolitike të huaja. Dihet nga të gjithë se gjysma e popullit shqiptar jeton tani jashtë kufijve të vërtetë të Shqipëris dhe se shumica është e privuar nga të drejtat më elementare humane dhe civile të mbledhjeve dhe të shprehjes së lirë.  Meqë Shqipëria qe shndërruar në një korridor për fiset endacake dhe për ushtritë invaduese, banorët e saj shpesh reflektonin divergjenca kulturore.  Por, megjithatë, ky popull antik mbeti kompakt dhe në thelb homogjen deri në ditët e sotme.

Si themelues i Federatës Panshqiptare Vatra dhe editor i gazetës “Dielli”, Noli prej viteve 1909 deri 1919 udhëtoë nëpër vende të ndryshme ku banonin shqiptarët dhe ku ata kishin të drejtë organizimi – një gjë që ishte mohuar në vendin e tyre autokton.  Shtetet e Bashkuara ishin një nga këto vende që e mirëpriti Nolin. Këtu ai fitoi respektin e Presidentit amerikan Ëodroë Ëilson, më 1918, dhe përfaqësoi Shqipërinë në Gjenevë, më 1920, duke siguruar kështu futjen e saj në Lidhjen e Kombeve.  Duke fituar admirimin e shokëve dhe respektin e bashkatdhetarëve të rinj të ndërgjegjshëm, ai shërbeu si anëtar parlamenti, ministër i Punëve të Jashtme dhe Kryeministër: një karrierë diplomatike që do të kishte kërkuar një jetë të tërë për t’u përmbushur.

Një provë tjetër për orientimin, durimin dhe ndërgjegjen e tij qe mërgimi i tij politik, në vitin 1925, kur ai ia kushtoi jetën kishës së tij, studimeve shkencore dhe zgjërimit të veprimtarisë letrare.  Muzika shqiptare, që kishte lindur nga temat antike të luajtura me instrumenta antike, ishte ende e lokalizuar dhe e kufizuar në ritualet e fshatrave.  Kështu Noli u regjisrua në Neë England Conservatory për të marrë mësime në një fushë krejt tjetër.  Duke kompozuar një Rapsodi Shqiptare dhe Uverturën Bizantine, ai u dha shqiptarëve shembullin  se atë që kishin bërë të tjerët mund ta bënin edhe ata vetë. Nëse ai mund ta bënte këtë, nuk ishte pse mos ta bënin edhe ata. Ishte ky një mësim për kurrajo. Për këtë ai është njëri nga modelet kryesore për vendin tonë.

Në Shtetet e Bashkuara, ai pat studiuar historinë dhe shkencat politike në Harvard (1909-1912) dhe më vonë në Universitetin e Bostonit, gjithnjë duke u përpjekur për të bartur shpirtin e demokracisë dhe qytetërimit amerikan në tokën e të parëve të tij, duke arritur kulmin e përpjekjeve me reformën agrare që bëri qeveria e tij në vitin 1924. Në këtë kohë Shqipëria ballafaqohej me pengesa të mëdha që nuk lejonin ndryshime, si ekonomia e varfër, mentaliteti feudal, besnikëria ndaj klaneve primitive, numri i vogël i miqve dhe numri i madh i kundërshtarëve grykës. Kjo ishte një nismë e guximshme, që edhe sot na habit për nga trimëria dhe largpamësia.  Qeverija dhe përkrahësit e tij pasqyronin më së miri diversitetin krahinor dhe fetar, që nuk ishte gjë e zakonshme në atë kohë dhe dëshmonte për tolerancën dhe zemërgjerësinë e të gjithë udhëheqësve shqiptarë të këtij zgjimi kombëtar të shqiptarëve. Gjatë tërë kohës Nolin, kuptohet për interesate e veta, shumë e shpallnin si të vetin, por kurrë nuk u bë vegël e ndonjërit.

Nuk ka dyshim se kishte edhe kontradita të brendshme në këtë eksperimentim fillestar të lirisë dhe të një qeverisje iluministe. Realiteti politik i kohës, mungesa e një baze të përshtatshme arsimore, pavendosmëria e tij që menjëherë të formonte një bazë kushtetutare, mbështetja e tij vetëm në mjeshtërinë diplomatike dhe presionet e panumërta nga jashtë ishin gabime të trashëguara, që pengonin suksesin e menjëhershëm. Duhej kohë, dhe kohë ai nuk pati.

Sidoqoftë, qeveria e vitit 1924 qe fillimi: një Pranverë e shkurtër por e ndritur që edhe sot frymëzon zemrat dhe mendjet e atyre që aspirojnë një Shqipëri të lirë, demokratike, të lulëzuar dhe të barabartë, me besim të plotë në vetevete, por gjithmonë e gatshme për të bashkëpunuar me fqinjët e ndershëm në rajon, në kontinentin e saj dhe në tërë botën… Një Shqipëri që e respekton vendin stërgjyshor, por mbron edhe parimet universale të drejtësisë…Një Shqipëri e zellshme për të rritur potencialin e saj ekonomik, por dhe e vetëdijshme për grykësinë njerëzore, shfrytëzimin dhe mungesën e përgjegjësisë ekologjike….Një Shqipëri e udhëhequr nga prijës të aftë dhe të besuar, por që në të njëjtën kohë i japin llogari parlamentit dhe elektoratit të tyre…Një Shqipëri që respekton lirinë e besimit dhe diversitetin fetar, por që nuk lejon fanatizmin eksklusiv…Një Shqipëri që përkran talentin dhe ëndërrat e qytetarëve të saj plot vitalitet, por që edhe pranon parametrat e provuara nga koha të ligjit kushtetues dhe të konventave ndërkombëtare.

Por ky synim i vlefshëm ka edhe çmimin e vet. Bashkë me lirinë vjen edhe detyra. Me krenarinë kombëtare duhet të vijë edhe përgjegjësia. Me dëshirën për tokën dhe pasurinë personale duhet të vijë edhe shpirtgjërësia dhe synimi personal duhet të përputhet me mirëqenien e përgjithshme.

Në fund të fundit, këto janë çështje të ndershmërisë dhe të drejtësisë, të mëshirës, të trimërisë dhe të mikpritjes. Të koshiencës.  Këto janë çëeshtje të etikës dhe moralit që përbëjnë ndërgjegjen e një kombi dhe popullatës së tij. Të gjitha sistemet jetëgjata demokratike kanë këtë element të domosdoshëm për bazë.  Noli e dinte këtë dhe, mu për këtë, u mundua ta kultivonte në të gjitha fushat e lartepërmendura.

Republika e Shqipërisë sot, me udhëheqësinë e saj ekzekutive dhe gjykatën, qytetarët dhe diasporen, klerikët dhe fermerët, minatorët dhe mësuesit, tregtarët dhe mjekët, ushtarakët dhe intelektualët, shumicën dhe pakicën e saj ka detyre para gjeneratave të ardhshme dhe vetvetes të shfrytëzoje shansin për ta mbushur jetën e tyre me liri, siguri dhe nder.

Duhet të jemi të bindur se realiteti demokratik i Shqipërisë sot ende mbetet të përceptohet plotësisht, të absorbohet plotësisht dhe të zbatohet plotësisht. Është gjithashtu e qartë se ky proces filloi vetëm para ca vitesh dhe si i tillë nuk mund të mohohet. Janë të shumtë ata që përjetuan çnjerëzimin dhe manipulimin në mungesë të demokracisë. Pavarësisht nga provat dhe sfidat që duhet të përballojnë koshienca dhe vullneti i këtij vendi, ka shenja shpresëdhënëse se populli shqiptar po përpiqet t’i tejkalojë pengesat e mëdha dhe të sigurojë vendin e tij të merituar në këtë botë.

Qeveria e Noit e vitit 1924 ishte faza e parë dhe do ta ruajë përherë vendin e saj si lajmëtar i idealit demokratik në Shqipëri. Prandaj, Fan Stilian Noli do të përkujtohet jo vetëm për veprimtarinë e tij voluminoze dhe përpjekjet e tij në emër të interesit kombëtar të atdheut. Noli përkujtohet sot sepse ai ndihmoi në hedhjen e themeleve të gjera të një qëllimi kombëtar të bazuar në kultivimin dhe vlerësimin e asaj që vlerësohet nga i gjithë njerëzimi.  Duke bërë këtë, ai nderoi veten, popullin e tij dhe Zotin e tj.

“Kumtesë e mbajtur në Tiranë, me rastin e 70-vjetorit të Qeverisë Demokratike të vitit 1924 nga I Përndershimi Atë Arthur Liolin Tiranë, 15 Qershor 1994 

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Ate Arthur Liolin, Fan S. Noli dhe, koshienca shqiptare

SHKRELI DHE ROLI I TIJ NË KRYENGRITJEN ANTIKOMUNISTE TË MALËSISË SË MADHE TË VITIT 1945

January 6, 2019 by dgreca

 

Njihuni me emrat e dëshmorëve dhe viktimat e komunizmit enverian te malit t’Shkrelit/

1 a franz-llesh-grishaj

NGA FRANZ-LLESH GRISHAJ/*

Simbas Frederick Douglass, “e verteta asht e pershtatshme dhe e bukur ne çdo kohe dhe ne çdo vend. ” Por për fat të keq, kjo e vërtetë kje e kunderta në shtetin tonë Amë dhe nëpër viset tjera shqiptare nën sundimet shoviniste greke dhe sllavo-komuniste-jugosllave. E verteta historike jo vetem që ëshë mohue e lanë n’erresinë por ashtë edhe shtremnue në një mënyrë të pafalshme. Për shembull dokumenti i Shpalljes se Pamvarësisë Shqiptare të vitit 1912 falsifikohet nga historiografët e Akademisë së Shkencave të RPS e të Shqipnisë tue mbulue firmat e Mid’hat Frashërit, Lef Nosit dhe Mustafa Merlika Krujës. 1

Në të njajtën kohë, ata qe patën guximin për të folë, me shkrue ose me veprue te vërtetën janë denue me burg ose vra me gjyq apo pa gjyq nga pushtetmbajtësit. Çka ashtë edhe ma tronditëse ashtë se edhe sot përseritet politizimi i historigrafisë sonë kombëtare. Lufta ma e madhe qe vazhdohet të bahet në Akademinë e Shkencave në Shqipni ashtë botimi i plotë i Historisë së Popullit Shqiptar, sepse te njajtet “historianë” që deri dje përdoren epitete të ndryshme ndaj figurave të shqueme dhe ngritën në Altarin e Kombit figura si Haxhi Qamili me shokë do të ishte një paradoks që të merreshin me pjesën e tretë të historisë së viteve 1913-1939, dhe atë të katertën, të viteve 1939-1991 . Prandaj, kemi një detyrë të madhe morale, para vetvetes, para kombit dhe para së vërtetës historike me folë për të vërtetën. Dhe këtu përdori fjalët e Edward Schillebeeckx, kur tha se “paanësia historike nuk ashtë rindertimi i faktave të kohës së kalueme, por ashtë e verteta e se kaluemes nën dritën e kohës se tashme. ” Në këtë kontekst, çdo njeri qe e don dhe e perkrahë të vërtetën historike ka të drejtë për hirë të se vërtetës me shprehë këtë fakt si një realitet pa mohime, zmadhime, ose ilustrime.

Për këta burra të maleve kreshnike të Malësisë së Madhe që na bashkuan sot në këtë seminar për Rrezistencën stoike te Malit te Kelmendit ku i printe luani i kësaj krahine Prek Cali (Hasanaj-Vermosh), i cili i kushtoi krejt jetën e tij çeshtjes gjithëshqiptare bashkë me fatosat Gjergj Lul Toma (Gjeloshaj-Selce) e Gjek Marash Selca (Tinaj-Selce), të dalluem për luftnat e tyne kundra forcave komuniste nëpër tanë anët e Shqipnisë si dhe për kryengritjen antikomuniste te Malësisë së Madhe të vitit 1945 e udhëhequn prej Major Llesh Marashit të Shkrelit, e para kjo në krejt bllokun komunist – na, bijt dhe bijat e tyne kena përgjegjësi për me paraqitë realitetin historik ashtu sikurse ashtë. Këta burra qe na mësuan si me jetue, me luftue dhe me vdekë për të mirën e Atdheut nuk pritën pasuni, lëvdata, kangë, darka ose shpërblime të ndryshme. Ata vetem iu përgjegjën kushtrimit të Nanës Shqipni te robnume, kushtrim të trashiguem prej t’parvet tynë! Prandej çka ata kërkuen dhe e meritojnë nuk ashtë “rehabilitimi” i tyne! Ata nuk banë ndoj mëkat ndaj atdhuet, por përkundrazi, ata rrokën armët e lirisë për mbrotjen e Shqipnisë, brez mbas brezit. Edhe pse i lindun dhe i rritun jashtë shtetit amë, dhe si autoditakt i shqipës, jam bir i këtyne trevave. Rrjedhimisht, kjo kumtesë me titull: Shkreli dhe Roli i Tij në Kryengritjen Antikomuniste të Malësisë së Madhe të Vitit 1945, ashtë për mue si fjala e bukur dhe kuptimplote Amerikane, “a labor of love” [një punim i dashunisë].

Çka kje Shkreli? Dhe kush kjenë shkrelasit qe më gjithë Malësinë e Madhe patën guxim për ti dalë me pushkë pushtetmbajtësit të ri komunist? Historikisht Shkreli si një etno- gjeo-politike, ekonomike dhe shoqnore i përket Malësisë së Madhe dhe radhitet si mali i pestë mbas Hotit, Grudës, Kelmendit, dhe Kastratit. 2 Këto pesë male së bashku me bajraqet e Recit, Lohes, Koplikut, Grizhes, Rrjollit dhe Postripes, përbajnë Malësinë e mbi Shkodrës. 3 Gjithashtu, edhe Triepshi me Kojen (qi Kongresi i Berlinit, 1878, i cungoi prej vilajetit të Shkodrës dhe ja dhuroi padrejtësisht Malit të Zi), shkojnë me Malsinë e mbi Shkodrës.4 Gjeografikisht Shkrelin e ndan Prroni i Thatë dhe kufizohet në veri, nga Bogë-Kelmend, në lindje me Dukagjinin, në jug me Koplikun, Recin dhe Lohen, dhe në perëndim me Bajzën dhe katundin e Kastratit. 5Domethanë se Shkreli shtrihet për se gjatit prej qafës së Grishajve te Zagorës deri në kullën e Ducajve te Bzhetës.

Malësia e Madhe, në përgjithësi ka një histori të lavdishme për mbrojten e interesave kombëtare të Shqipnisë etnike kundër sundimeve turko-otomane dhe serbe-malezeze-jugosllave. Si pjesë e kësaj krahine malore të Shqipnisë së Veriut, Shkreli kje i pandamë prej këtyne trevave të Malësisë së Madhe në betejat e përgjakshme kundër pushtimeve të hueja. Për shembull, në vitin 1614, Shkreli, Hoti, Kelmendi dhe fiset e tjera lidhën besën kundër forcave të Turqisë. 6 Në vitin 1621 Imzot Pjetër Budi organizoi kryengritjën kundër Turqisë, në të cilin mori pjesë edhe Shkreli. 7 Persëri, në 1645 Shkreli dhe Kelmendi në një rezistencë të përbashkët përjashtuen me forcë fuqitë Otomane dhe fituen njifarë lirijet deri më 1700. 8 Në vitin 1835 Dasho Shkreli dhe Hamza Kazazi kjen prisat e forcave antiosmane te qytetit Shkodër. Gjithashtu, në vitin 1840 Dasho Shkreli me qetën e tij mori pjesë në luftën e Kalasë së Shpuzës kundër forcës grabitçare te Malit te Zi e ku heroikisht Dasho Shkreli u vra me gjithë vëllanë Sefon. 9 Në luftën e Kernicës të vitit 1862 edhe Shkrelasit me Shkodrën morën pjesë kundër forcave malazeze, ku mbet i vramë edhe Kaso Shkreli, vëllai i Dasho Shkrelit. 10 Po kështu kur pjesa Katolike e Shkodrës ishte e pernjekun prej ushtrisë osmane, që Shkreli qe u shkoi në ndihmë katolikëvet me ma shumë se 250 vetë. 11 Edhe në Lidhjën Shqiptare të Prizrenti, 1878-1880, mori pjesë bajraktari i Shkrelit, Marash Dashi megjithë krentë tjerë të Malësisë së Madhe, 12 dhe firmuen kërkesa e ndryshme kundra aneksimit te tokave shqiptare nga Mali i Zi. Gjatë vitit 1883 u ba lidhja e burrave të fisevet të Shkrelit, Kastratit, Hotit dhe Grudës për me i ndalue pazarlleqet e komisioneve ndërkombëtare, në vazhdim e sipër me Malin e Zi për grabitjen e trojave shqiptare. 13 Formimi i lidhjes së Shkrelit (”Bashkimi Kombëtare” ose “Lidhja e Mfshehet”) në vitin 1893 prej famullitarit të Shkrelit, Dom Ndoc Nikaj, me gjithë Abatin e Mirditës, Imzot Preng Docin, Dom Mark Shllakun, Dom Zef Shkrelin, Dom Jak Serreqin, Dom Dodë Kolecin dhe të tjerë për lirimin, bashkimin dhe arsimin tonë kombëtar. Në vitin 1911, me iniciativën e Nikollë Mirash Lucës dhe Gjelosh Gjokës u ba një besëlidhje e re mes Shkrelit dhe Kastratit në shtëpinë e Zef Mirash Shytit, në Dedaj-Shkrel. Prej këndej ata dolën në Bzhetë, te Tomë Nika i Shkrelit, dhe së bashkut me dy djemtë e Tomës, Nikollë Mirash Lucën dhe Gjelosh Gjokën, u nisën për Bogë, Rec dhe Lohë tue krijue lidhjen me e luftue okupatorin turk. 15 Në kryengritjen e Malësisë së Madhe, t’udhëhequn nga trimi legjendar i Traboinit, Dedë Gjo’Luli, Shkrelasit jo vetem qe morën pjesë në luftën e përgjakshme në majën e Bratilsë, 16 por edhe patën Tomë Nikën si një prej prisave kryesorë të kryengritjes, 17 dhe nënshkrusi i Memorandumit të Grecës. 18 Kishte me kenë një shtremnim dhe boshllek i madh historik mos me vlerësue këtu edhe ndihmën e pazëvënsushme të barijvet shpirtnorë të këtyne kreshnikëve d. m. th. te klerit katolik i cili qe dhe vazhdoi me qenë gjithmonë krah për krah me besimtarët e tyne si pershembull priftin e Shkrelit, Dom Nikollë Ashten megjithë famullitarët e Kastratit, të Hotit, të Grudes dhe të Kelmendit. 19 Mbas një qëndrese te shkurtë qe bani Shkreli me 25 Maj në sukën e Sterkujes në Dedaj, ushtria e Shefqet Turgut Pashës i dha zjarrin Dedajve dhe Zagores, 20 dhe si hakmarrje ndaj kryengritsave plaçkiten dhe ia vunë flakën krejtë Malësisë së Madhe. 21 Kur Ms. Durhami shkoi personalisht për me pa damin në Bajzë-Kastrat dhe në Shkrel, ajo perdori fjalët Biblike që e përshkruen katastrofën në luginën e Shkrelit “si luginën e hijes së vdekjës”22 (Psalm 23:4). Kastrati dha kushtrim atëherë dhe Shkreli u solidarizuen me ta si vllazën të pandamë, tue luftue trimnisht në Sukat e Moksetit te Bajzës, Kastratit kunder njië force të madhe osmane. 23 Për t’u përmendë ashtë edhe Memorandumi i Hierarkisë së kishës katolike shqiptare të 2 korrikut 1919, dergue Kryesisë se Konferencës se Paqës në Paris kundër copëtimit te tokave shqiptare, e ku ashtë nënshkrimi i famullitarit të Shkrelit, Dom Frano Karma bashkangjitun me firmën e bajraktarit te Shkrelit, Vate Marash Dashi, me gjithë 106 kryefamiljarëve shkrelas. 24 Në luftën e Koplikut (1920/21), mandej, qe Vat Marash Dashi që i prini Shkrelit kundër ushtrisë ndërhyrëse serbo-malezeze-jugosllave, e cila pushtoi Koplikun, Shkrelin, Kastratin dhe Kelmendin. 25 Gjithashtu, duhen përmendë fatosat e Shkrelit qe poeti ynë kombëtar, At Gjergj Fishta, O. F. M. , i bani të pavdekshëm në vargjet e tij rrapsodike të veprës epike Lahuta e Malcis – Bibla e nacionalizmit Shqiptar! Këta kjen: Kacel Doda26 dhe Kerrni Gila27 të Zagorës, Bajraktari Marash Dashi28 i Vrithit, vllaznit Bec dhe Cul Batani29 të Bzhetës, dhe Rrushman Hasani. 30

Perveç këtyne burrave, duhen me përmendë edhe disa prej meshtarëve që sherbyen në famullinë e Shkrelit e u banë prelatë te shquem si për shembyll Imzot Luigj Bumqi dhe Imzot Gjergj Volaj; Monsinjorët Ndoc Bozhi e Nikollë Ashta; dhe klerikët intelektualë si Dom Ndoc Nikaj, Dom Aleksandër “Lek” Sirdani, Dom Kolec Prenushi, Dom Ndre Zadeja, dhe Dom Nikollë Gazulli. 31 Dhe nuk duhet harrue faktin se mbledhjet e prisave shqiptarë u banë për mborjtjen e Shqipnisë në oborrin e Kishës. 32

Në përgjithësi, ngjarjet historike nuk ndodhen pamvarësisht prej vetvetes, por ato janë reaksion i nderlidhun nga ngjarjet e tjera. Prandaj, për me arritë te kuptojmë kompleksitetin e kryengritjes antikomuniste te Malësisë së Madhe jam i detyruem për me paraqit një lidhje te ngjarjeve nderkombëtare, kombetare dhe krahinore për me arritë në një kuptim të mirëfilltë historik.

Fill mbas pushtimit të Shqipnisë nga Italia Fashiste, 33 Llesh Marashi ikë nga Shkodra dhe del në katundin e tij në Zagore-Shkrel kunder okupatorit, ku e strehojnë vëndasit e tij shkrelas. 34 Gjithashtu, në Zagorën e Llesh Marashit bashkidealistat e tij, Dom Zef Sheshtani, Dr. Bahri Kopliku dhe Zef Logoreci janë aktivistë antifashistë. 35 Në përgjithësi, rezistentët kunder okupatorëve të ri ishin nacionalistë dhe intelektualë të shquem. Një nga këta dallohet Mid’hat Frashëri, krijuesi i Ballit Kombëtar, që jo vetem deshti çlirimin e Shqipnisë, por edhe bashkimin e gjithë trojeve të saja nën një qeveri demokratike. 36 Disa grupe të vogla komuniste që ishin të shpërdame nëpër disa qytete, nuk morën pjesë aktive kundra invazionit fashist derisa Gjermania Naziste sulmoj ushtarakisht Bashkimin Sovietik në 1941 dhe këtë me organizimin e dy emisarëve jugosllavë, Miladin Popoviqi dhe Dushan Mugosha që i bashkun grupet nën një parti të vetme komuniste Shqiptare, por gjithnjë nën influencën jugosllave. 37 Me 30 dhe 31 te Korrikut 1943, plas Lufta e Recit (deri tash krejt përvetësue nga regjimi enverian), por e verteta ashtë së pjesa dermuese e luftarëve ishin nacionaliste si Jup Kazazi, Llesh Marashi me çetën e tij, Zenel Kazazi, Ujk Tahiri, Zef Ashta, Rrok Kanto Marashi (nipi i Llesh Marashit), Caf Smajli, Zef Luka, Sokol Bajrami, Metë Rrustemi, Brahim Bishja, Rexhep Lani, Lan Sokoli, Halil Sokoli, Ramë Meti, Qamil Tahiri, Fejzi Boriqi, Isuf Muça, Shaban Binaku, Oso Bishja, Ragip Meta, 38 Sali Myftia, Daut Komi, 39 etj. Depertimi i thellë i influencës sllavo-komuniste u vertetue mbas presionit që Svetozar Vukmanovic-Tempo i bani partisë komuniste shqiptare. Menjëherë Enver Hoxha e denoncoi marrëveshjen e Mukajt (2-3 gusht 1943) te dergatës se Ballit Kombëtar dhe te Lëvizjes Nacionale Çlirimtare, vetem për arsye se nacionalistët kerkuen këtokushte: 1) Nji luftë të përbashkët, 2) Luftë për nji Shqipni te pavarun dhe etnike, dhe 3) Luftë për nji Shqipni të lirë, demokratike dhe popullore. 40 Dhe këtu u nda shapi prej sheqerit! Në shator te 1943, me shtymjën jugosllave, lufta civile në Shqipni fillon me nji sulm të ashper ushtarak kunder Ballit Kombëtar, 41 dhe mandej, kunder forcave te Abaz Kupit (Legalitetit) si dhe te nacionalistëve të tjerë. 42

Mbas kapitullimit t’ Italisë Fashiste, Fronti Nacional Çlirimtar dergon Riza Danin me gjithë profesor Mark Prelën, për të ba një takim me Llesh Marashin, tu e ftue te bashkohet me Lëvizjen anti-fashiste. Lleshi u përgjegj me këto fjalë: “kjo ashë punë qe s’ bahet more burra. Po ju a nuk i keni sytë n’ ballë e s’ e shifni se si komunistat janë tue luejt teater me ju? Nuk e shifni ju se ata udhëhiqen prej serbve? Mlidheni menën e kthejuni n’ rrugë t’ komtarisë se internacionalistat juve kanë me ua pre krenat! Ju asgja s’ ju lidhë me ta. ”Rizaja ja pret, “mirë qi ti e luftove fashizmin, po prej gjermanve c’ pret? Pse s’ i lufton?” Lleshi ju pergjegj,“ushtria gjermane ashtë kalimtare e ne s’ na hin gjem n’ kambë prej saj. Po sllavin kjo ushtri po e lufton e na prej saj kem se shka me perfitue. ” (Këtë bisedë e thotë Mergim Korça, deshmi kjo prej tezës se tij, bashkeshortja e Riza Danit). 43

Jemi në vitin 1944. Perfundimi i luftës së Dytë Botnore ishte e hidhun, sepse fitorja e komunistave ishte krejt e kjart. Mbasi Shqipnia e Veriut me, kryeqytetin e saj te Teutës e Gentit -Shkodrën, kishin pësue gjatë luftimeve shekullore me serbo-malazezët, kjo pjesë e Shqipnisë e kuptoi se komunistat ishin të indoktrinum me ideologjinë bolshevike, që, jo vetem se ishte e huej por edhe sllave. Me 13 Maj në kinema “Rozafat”, 152 përfaqësues të Malësisë së Madhe, të Dukagjinit, të Postribës, të Anës se Malit, te Gurit të Zi, te Nën-Shkodrës, etj, u mblodhen në Shkodër dhe krijuen Lidhjen e Shkodrës kunder rrezikut sllavo-shqiptar-komunist. 44

Malësia e Madhe, me krahinat e tjera te Shqipnisë së Veriut u organizue për një sulm kunder komunizmit. Prisat e Shkrelit kjen këta: 1) Major Llesh Marash Vata (Marvukaj-Zagore), Qark Komandant i Shkodrës dhe Kryekomandanti që do të kryesonte Kryengrijten e Malesisë se Madhe. Familja e tij ishte ma e dalluemja në krejt Malësinë e Madhe për pregatijen ushtarake. Prej gjashtë djelmëve te Marash Vatës tre prej tyne, Kanti, Gjeka dhe Lleshi, u bënë oficerë, kurse një tjetër ishte oficer reserv, Pjetri. Gjithashtu, dy nipa tue e vazhdua këtë tradit familiare u bënë oficera, Fran Pjetër Marashi, dhe Vat Gjelosh Marashi. Rrok Marashi u shugurue frat dhe nipi Ndoc Gjelosh Marashi prift. 45 2) Pjetër Gjokë Deda (Milaj-Vrithe), z. bajraktar i Shkrelit, trim, besnik e i urtë, simpatik dhe anëtar i shtabit te Llesh Marashit; 3) Nikollë Prekë Gjeka (Dedaj), kryetari i komunës se Shkrelit, i arsimuem dhe i njoftun si orator, guximtar, trim dhe besnik. 46 4) Prekë Lekë Gjoni (Kolaj-Zagore), një ndër djemtë më te zgjedhun të Shkrelit, trim, besnik, i pashem dhe luftar i denjë kunder Komunizmit. 5) Luket Marash Luca, i pagëzuem Lukë, (Grishaj-Zagore), i njoftun në Malësi edhe në Shkodër, e i cili mori pjesë në moshë të re në Kryengritjen e Malësisë, 1911, dhe në luftën e Koplikut. Ai ishte mësus popullor. Gjithashtu, në vitin 1932 ai mori pjesë në delegacionin Kreshnik te Malësisë së Madhe pranë Atit Shejt, Papë Piu XI në Shejtorën e Zojës se Shkodrës, në Genazzo-Itali. 47 Së bashku me këta trima mori pjesë në organizimin e kryengritjes edhe dijetari, poligloti (që zotnonte pesë gjuhë të hueja), fetari, patrioti dhe themeluesi i leksikografisë krahinore dhe i asaj onomastike, Dom Nikollë Gazuli, që ishte famullitari i Dekanatit të Malësisë se Madhe – Kisha e Shkrelit. 48

Gjatë vjeshtës se vitit 1944, krenët e Kastratit, Gjon Martin Lulati (Ivanaj-Bajzë), Mirot Palok Kokaj (Ivanaj-Bajzë), Nikë Gjelosh Gjokë Dodaj (Pjetroshan-Bajzë), Kolë Llesh Malaj (Ivanaj-Bajzë), Kolë Ujk Osllani (Pjetroshan-Bajzë), etj bashkë me Vasel Pjetër Gjoka që ishte bashkpunëtor i Nikës (kushrinit tij), dhe me krenët e Shkrelit kjen në marveshje për ta shmangë rrezikun që e kërcenonte mbarë popullin shqiptar. Takimet e shpeshta të tyne u zhvilluen në shtëpinë e Luket Marash Grishaj, një ndër qendrat e bisedimave ndermjet këtyne dy maleve. 49

Në katundin Ivanaj në Bajzë, me 24 dhjetor 1944 në shtëpinë e Gjokë Tomë Kokaj u zhvillue mbledhja e krenvet te Kastratit, thotë Vasel Pjetër Gjoka e ku morën pjesë edhe krenët e Shkrelit, dhe ku të gjithë lidhen besën për me e luftue komunizmin. 50 Në fund te dhetorit, Llesh Marashi u nis prej Zagoret dhe shkoi në katundin Brojë, me u takue me krenët e Kelmendit, si Kolë Gjon Bajraktarin, Franë Gjergj Uçin, Gjergj Lul Toma, Gjekë Marash Selca etj. Aty vëndosen se Selca, Nikqi dhe Vukli me e ndalue turrin e Brigadës së Parë. 51 Dhe me datën 15 Kallnuer 1945 filloi rezistenca e përgjakshme e Petritave te Kelmendit kundër bishës së terbueme komuniste. 52

Nderisa Kelmendi luftonte heroikisht, me qendresë të pashembullt, Kuvendi i Maleve u caktue në Poicë, në katundin Dedaj-Shkrel, në shtëpinë e Rrok Nikollë Zefit tre ditë ma vonë (me 18 Kallnuer 1945) për me caktue datën për një sulm të përgjithshëm. 53 Morën pjesë Llesh Marashi me Shtabin e tij, Marash Kolë Mali (Vojvoda i Dedajve) me gjithë kumbarën Nikollë Zefi, Luket Marash Grishaj, Pal e Dedë Thani nga Dukagjini, 54 Gjelosh Luli, Pjetër Gjokë Bajraktari, Nikollë Prekë Dedaj, Dom Nikollë Gazulli, Gjon Martin Lulati, Mirot Paloka, dhe Caf Smajli me disa Lohjanë. 56 Per arsyena jo të kjarta munguen perfaqsuesit e Shkodrës dhe të Postribës, ndonëse jo vetem Malësia e Madhe por edhe Shkodra, Postriba dhe nën-Shkodra ishin në bashkpunim me Llesh Marashin për një kyrengrijtje te armatosun, ku mbas tubimit Llesh Marashi me shokë u nisën për ne Grishaj te Luket Marashi dhe do në Cukaj te Zef Nikë Colaj dhe Gjergj Prelë Colaj, e ku qendruen deri kur plasi pushka para afatit të caktuem, me 23 Kallnuer 1945.

Komandanti i Postkomandës se Bajzës Jonuz Naci (Aliaj-Bajze) dha urdhen qe të niset një toge partizanësh për në Grishaj-Zagores, për me arrestue Luket Marashin qe ishte nën shikimin e komunistavet prej kohesh, nën komandën e Gjosh Nikës (Vuçetaj-Bajzë) te cilët iu ngjitën brisës se Jeranit për në Grishaj. Aty, barijtë e vendit ishin te porositun prej Luketit që te lajmërojnë çdo lëvizje që bahet prej ma shumë se pesë ose gjashtë vetash. Kur partizanët erdhën në fund te brises se Jeranit barijtë në shpejtësi shkuen me lajmrue Shtabin nacionalist, se komunistat janë tue iu ngjitë malit për në Grishaj. Menjëherë, Llesh Marashi lajmëroi luftarët qe të bëheshin gati, me dalë prej ku ishin në Grishaj dhe me shkue në Cukaj, me u bashkue me shokët e tjerë, dhe prej andej me u nisë për në Poice. Kur u bashkue Shtabi në Cukaj, u bisedue shkurtimisht, mbasi nuk priste koha. Dhe ndodhi një mosmarreveshje për sa i përket drejtimit, se ku me shkue Shtabi. Disa thoshin,“ma mirë për në Stol, ” kurse të tjerët, “ma mirë për në Poice, ” qe ishte propozue nga vetë Llesh Marashi. Si perfundim, trimat Gjon Martin Lulati dhe Mirot Paloka ngulën kambë se nuk do te kthehemi mrapa prej komunistave, dhe se do ta fillojshin pushkën, ata qiten pritat në vendin stratigjik, prej kah do të vijshin partizanët në Grishaj. Llesh Marashi dhe Luket Marashi nuk u pajtun me këtë mendim, tue thanë, se sulmi ishte pesë ditë parakohet, por pjesa dermeuse vendosi, ose sot ose kurrë! Dhe ashtu u bë. Partizanët u njitën në Grishaj dhe u banë një rrethim shtëpive. Gjosh Nika me tre ushtarë iu afrue shtëpisë se Luket Marashit dhe fjalët e para qe tha kjenë: “A ashtë Luket Marashi këtu? Ku gjendet?” Axha i tij, Franë Luca, tue mendue se Shtabi iku prej Çukajve, u përgjergj: “Luketa nuk ashtë neë shpi, por noshta ashtë te shokët tonë në Cukaj. ” Gjoshi atëherë e nisi Franë Lucën me dy partizanë për në Cukaj. Sa u nis Franë Luca me ta, partizanët i zbuluan rojet e kryengritësave dhe në atë çast plasi pushka. Një pjesë e partizanëve sulmuen dhe të dy palët u ndeshën grykë për gryke. Në pushkët e para u plagosen Pjetër Gjokë Hoti (nipi i Gjon Martin Lulati, i cili mbas disa diteve vdiq në Bajzë), Gjosh Nika me dy partizanë të tjerë mbetën të plagosun. Mbas një luftimi të rrept, fuqitë partizane u thyen dhe për shpetim afër pesëmbëdhjetë ushtare u futën nëpër shtëpitë e Grishajve dhe u dorëzuen. Llesh Marashi urdhëroi qe tu merren armët dhe të lihën të lirë. Thuhet, se disa prej tyne shkuen me fuqit e kryengritjes për në Bajze (marrë prej Llesh Luket Grishaj që ishte një ndër ata që furnizonte bashkë me familje luftarët e lirisë dhe ai vetë e perjetoi këtë ngjarje). 57

Kështue filloi kryengritja antikomuniste e Malësisë së Madhe me 23 Kallnuer te vitit 1945. Forcat e kryengritjes zbritën në Bajzë, ku mbas një përpjekjeje t’ashper morën Postkomandën ku Zef Tomë Ceka i Shkrelit u vra ballëpërballë me Januz Nacin. Edhe Lulash Cuk Curanaj (Uldedaj-Bajzë) mbet i vdekun. Mbas marrjes se Postkomandës, luftarët e lirisë u grumulluen te oborri i Kishës së Bajzës, ku Franqeskani patriot Pater Ciril Cani rrahu kumbonet e kishës në shenjë kushtrimit dhe i bani lutje Zotit me iu pri mbarë forcave nacionaliste. Në të njejtën kohë, edhe me bekimin e famullitarit te Shkrelit, Dom Nikollë Gazulit, Kolë Nikë Prela Marcinaj (Cekdedaj-Bzhetë) u ra kumonëve për me mobilizue Shkrelin në luftë. Burrat e Shkrelit u nisën për me u bashkue me forcat e kryengritjes në Koplik. Tue dijtë rrezikun, Komisari i Rrethit te Malësisë së Madhe, Çun Januzi (i biri i Januz Nacit), u nis për në Shkodër për me i përballue kryengritësat. Mbas një qëndrese në Koplik këta u nisën për në Shkodër. Forcat partizane lajmërue prej Cun Januzit, zunë pozicion te Ura e Rrjollit. Aty u zhvillue beteja ma e ashper dhe vendimtare për kryengritjen ku trimënisht u vranë Gjon Martin Lulati dhe Mirote Paloka, dhe u plagosen shumë të tjere. 58 Ndër kohë, te kisha e Shkrelit luftoi Marash Tomë Gjeloshi (Makaj-Bzhetë) kundra një toge te njekjës dhe u vra tue luftue me gjithë Luigj Kolë Shetajn, Mirash Gjonin e Prekë Kolën. 59 Mbas luftimesh të rrepta, kryengritësit u tërhoqen në male, ku kishin shpresë se vëllaznit e tyne malësorë me gjithë forca të tjera nacionaliste te Shkodrës dhe krahina tjera, do te organizoheshin për një kundersulm , edhe pse kryengritja filloi para kohet. Në këtë kohë, simbas Vasel Pjetër Gjokës, disa luftëtarë të Hotit ishin pregaditë për me u hjedhë në luftë por Kadri Deli Meta (Bajraktari i Hotit) nuk i la me marrë pjesë, tue thanë: “Na jemi tue u mundue me i ndalë vrasjet, e kush e ka fillue, e pastë për vedi, e ju ne me ndigjoshi mue, nuk shkoni në at vend. ”60 Porosia e Kadriut kje e randë edhe për Hotin, sepse ai nuk mori parasysh se trimi i shtëpisë se Dedë Gjo’ Lulit, Gjelosh Luli, ishte në bashkpunin me mikun e tij të ngushtë Llesh Marashin kundra komunizmit. Rrjedhimisht, ai qendroi në Kastrat i strehuem te probatimi i tij, Marash Doda dhe në Traboin te vllaznit Mark e Kolë Miri (Dedvukaj-Hot). Këtu forcat e Toger Babës torturuen Kolë Mirin tue pjekë në hell, për me gjetë prej tij se ku ishte Gjelosh Luli, dhe vetem me ndihmën guximtare te trimit Marash Lushk Gjoni (Dushaj-Hot), Kolë Miri muejti me u ikë prej durve të tyne. 61

Në mal qendruen luftarët e Shkrelit dhe të Kastratit. Si ndeshkim për pushkët e para qe krisen në shtëpinë e Luket Marashit, Çun Januzi qoi vëllanë e tij, Qelën, misioni i të cilit ishte me e burgosë familjën e Luketës së bashkut me gjithë robët e axhave të tij (Zef e Franë Luca). Ata plaçkiten dhe djegën shtëpinë sikurse pat ba turku me 1911 dhe shkjau me 1913. Shtëpia e Luket Marashit kje e parë në Shkrel dhe Kastrat së cilës komunistat ia vunë zjarrin, 62 për të cilin shkrimtari dhe historiani i mirëfilltë Uran Butka, tha: “vullkan u pa shtëpia e Luket Marashit, qe ishte një potencial i madh bese e burrërie në Malësinë e Madhe. ” 63 Kështu filloi hakmarja ndaj Malësisë së Madhe!

Viti i 1945 kje i vështirë edhe për atë pjesë të Malësisë së mbi Shkodrës qe mbetën nën okupacionin Malazias, sidomos për Hotin dhe Grudën, ku për te nënshtrue Malësorët, Bajo Stankoviqi do të bashkpunonte me Toger Babën dhe me Petro Bullatoviqin. komunistët jugosllavë do te këndonin, “Tito-Enver-Stalin, Trisine, ” kurse komunistët shqiptarë, “Enver-Tito-Stalin, jemi të gjithë për një betim!” Bajo Stankoviqi qe kishte danën e hekurt kundra kësaj zone, filloi me arrestue malësorët. I biri i Prekë Tomë Ujkes (Selisht-Grude) Luc Preka Lulgjuraj me kushrinin e tij, Mirash Zef Kola u kthyen prej Kelmendit (ku ishin luftëtarë vullnetarë) dhe dhanë kushtrimin për me ndihmue vllaznitë malësorë të Kelmendit, Shkrelit dhe Kastratit. 64 Në atë kohë, vdiq Shab Smaku Berisha dhe në hatrin e tij në Priften-Grudë u caktue një bashkim për me bisedue për luftimet qi ishin zhvillue kundra komunizmit në Malësinë e Madhe dhe viset tjera në Shqipni. 65 Dhe në këtë hater Luc Preka Lulgjuraj lexoi letrën e Prekë Calit qi mes të tjerash thonte, “… Kush e nie vetin Shqiptar dhe beson në Zotin, i baj therrje te dalin në nime Kelmendit dhe te Malësisë së Madhe kunder kumunizmit!”66 Për fat të keq, rrethanat kjenë faktori për të cilin paria e Grudës dhe e Hotit nuk muejti me marrë pjesë në këtë bisedim, sepse ishin ndermjet dy zjarresh. Nji pjesë e Rapshes dhe krejt Troboini, me gjithë Grudën, mbeten prap nën-pushtimin jugosllav, ku Bajo Stankoviqi me partizanët e tij terrorizuen malësorët, ndërsa n’anën tjetër kjenë Toger Baba me gjithë jugosllavin Petro Bullatoviq. 67Kështu, aleanca e pathyeshme gjatë pesë shekujsh e nepërmjet luftnash të përgjakshme për lirinë dhe integritetin tokësor shqiptar u këput në Malësinë e Madhe!

Në Fruer t’atij viti, komunistat jugosllavë arrestuen famullitarin e Traboinit, At Leonard Tagaj (i quejtun Patër Zefi nga malësorët) me Pjetër Zekun Camajn (kushëri me Smajl Mark Lulin) dhe Vasel Mirash Camajn (Vojvoda i Vuksanajve). Këta u pushkatuen pa proçes juridik. 68 Fillë mbas këtyne, Gjelosh “Losh” Gjokë Lajcaj (djali i hallës i Luket Marashit) shkoi në Selisht të kumbara i tij dhe dashamir i Luketës, Zef Miliqi Lulgjuraj me qëllim për me strehue dy djemtë e Luketës (Palokën dhe Dedën) dhe kushrinin e tij (Prel Franë Grishajn) qe ishin në Hot. Edhe këtu Bajo Stankoviqi arrestoi në Selisht Luc Prekën për veprimtarinë e tij antikomuniste, bashkë me dy vëllaznit e tij, Dodë dhe Gjergj Lulgjuraj, Kolë Gjel Cakun (Ujkaj-Treipsh), dhe Zef Miliqin e Gjelosh Gjokë Lajçajn dhe i pushktatuen të gjithë pa gjyq, te kisha e Grudës (këtë ngjarje e dijmë prej nipit te Gjelosh Gjokës, Vasel Pjetër Lajçaj). 69 Si shenim, vlenë për tu përmendë, se në kohën e Inform-Byrosë Bajo Stankoviqi kërkon strehim politik në Shqipni dhe Enver Hoxha menjëherë e prenoi tue shperblye barbarizmin e tij ndaj shqiptarëve nën Mal të Zi dhe e emnoi Kryetar i Zyrës se Rrefugjatëve të nënshtetasve jugosllavë në Shqipni, ku pjesa dermuese kjenë shqiptarë. 70

Në pranverë, po t’vitit 1945, Toger Baba i shoqnuem nga partizani i vendit, Nikollë Mirash Gjonaj shkoi në Drume-Hot tue kerkue me arrestue Shkodranin Gjysh Pistullin me Vasel Pjetër Gjonaj. Në mënyrë barbare u torturuen Marash Uc Gjonaj, Franë Pjetër Gjonaj (vëllaun e Vaselit), Lene Kolën Gjonaj (kushrina e Vaselit), dhe u muer në hetusi Gjeto Dedë Vatë Gjonaj. 71

Gjatë viteve 1945-46 kishin mbetë vetem disa çeta luftare, që ndiqeshin prej forcave komuniste. Të tjerët u pushkatuen, u burgosen, u internuen, ose prej rrethanavet te njohuna u dorëzuen. Në fillim te 1946, Prekë Lekë Gjoni, me vëllanë Pashkun u rrethuen nga brigada partizane, por nuk u dorëzuen dhe në Bjeshkë, mbi Kronin e Kurriles së Dedajve u vranë mbasi qendruen heroikisht. 72

Po atë vit, dijetari dhe patrioti Dom Nikollë Gazulli u vra prej forcave te sigurimit. Gazeta Komuniste “Kohe e Re” e Shkodrës trumbetoi, “Me datën 23 mars 1946 vritet Dom Nikollë Gazulli në Sukë te Madhe, Katundi i Kastratit në Nën/Prefekturën e Koplikut, bashkëpuntor i Llesh Marashit, tradhëtar i popullit. ” 73

Per 18 muej rresht, Luket Marashi qendroi në rezistencë për mos ra në duert e sigurimit të shtetit. Një ndihmë të madhe për qëndresen e Luketës dhanë miqët e tij, shpeshherë tue e strehue dhe tue e furnizue me ushqime. Në një rrethim te forcave ndjekëse në Kastrat, ai u plagos tue ça rrethimin. Trupi i tij, gjysëm i dekompozum, u gjet të Premtën e Madhe, 1946, tek brija e Kastratit në Gurët e Bardhë, prej kushëririt të tij Gjon Zefi bashkë me të jatin Zef Luca (axha i Luketës). 74

Në arrati qendruen edhe Llesh Marashi me Pjetër Gjokë Bajraktarin dhe Rrok Kantin, me bazë në Bjeshkët e Vrrithit. Këtu forcat e ndjekjës i zbuluen dhe i rrethuen. Pjetër Gjokë Bajraktari u plagos randë, Rrok Kanti tentoi me vra veten për mos me u dorëzue. Lleshi u dorëzue me kusht qe mos ta vrisnin Pjetrin e Rrokun. 75Mbas kapjes se tyne gazeta “Kohe e Re” i njoftoi lexuesit se Gjykata Speciale do te zhvillonte procedurën kundër Llesh Marashit dhe shokëve të tij t’akuzuem si “tradhtarë” dhe “bashkëpuntorë” me anmiqë të huej. Gjyqi filloi me 10 Korrik, 1946, në Kinema “Rozafat” dhe perfundoi me 17 Korrik, me këtë: “Llesh Marashi dënohet me vdekje, me varje në litar. ” Ai u var te Dugajat e Reja në Shkodër. Po me te njajtin vendim, u denue me pushkatim edhe një prijës tjetër i Shkrelit, Nikollë Prekë Dedaj dhe Dom Alfons Trackin (famillutari i Velipojës, ku pjesa dermuese e famullisë ishin Shkrelas t’ulun prej malit) si bashkpuntorë i Lleshit. 76

Me deshtimin e Kryengrijtjes se Malësisë së Madhe filloi kalvari i Malësisë te mbi Shkodrës, që mbeti nji ndër krahinat ma të përnjekuna dhe te terrorizume në të gjithë Shqipninë prej regjimit Stalinist-Enverian. Si përfundim, kujtojmë fjalët e John Adamsit që tha: “Detyrimet tona ndaj atdhuet nuk pushojnë derisa te jena gjallë. ” Dhe, me të vërtetë, shpirti liridashës i malësorit nuk u perkul, por përkundrazi u ba fli për idealin e naltë të nacionalizmit shqiptar, që do të thotë – ideja Kombëtaro-Shqiptare!

Pra, tue i rikujtue edhe njiherë fjalët e Schillenbeeck-ut, e besoi qe ashtë e kjartë, se kush i sherbeu lirisë, kombit, fesë dhe atdhuet.

I përjetshëm kjoftë kujtimi i tyne!

Lista emnore e dëshmorëve dhe viktimat e komunizmit enverian te malit t’Shkrelit. 77

Vrrith:

1) Pjetër Gjokë Deda Milaj, Bajraktar 101 vjet burg

2) Preq Pjetër Vulaj Vdekje prej torturave

3) Mirash Gjoka Arratisë, varrue dhe vdekë në Jugosllavi

4) Martin Franë Popaj Vra

5) Kolë Tomë Deda Vra

6) Gjokë Dedë Milaj Vdekë në internim (Berat)

7) Franë Cul Kroni 20 vjet burg

8) Prekë Gjergj Milaj 10 vjet burg

9) Pjetër Prekë Pacaj Burgim, djegë shtëpia

10) Gjergj Kolë Luca Burgim

11) Gjeto Prekë Ramaj Burgim

12) Lukë Mac Tucaj Burgim

Bzhete:

1) Mark Tomë Gjeloshi (Makaj) Vra në rezistencë

2) Nikollë Zef Patanaj Vra me forcat partizane

3) Prel Tomë Makaj 101 vjet burg

4) Kolë Nikë Marcinaj 25 vjet, vdekë në burg

5) Gjon Lekë Mirukaj 20 vjet burg, torturohet, vdes

6) Zef Murran Luca 25 vjet burg

7) Franë Zef K. Gjeli 25 vjet burg

8) Gjeto Lekë Miruka 25 vjet burg

9) Prel Tomë Gjeloshaj 20 vjet burg

10) Pjetër Lekë Mirukaj 20 vjet burg

11) Gjokë Zef Cekaj 15 vjet burg

12) Marash Zef Cekaj 10 vjet burg

13) Gjelosh Nikë Vukelaj 5 vjet burg

14) Pashko Vat Malota Burgim, djeg shtepia

15) Tomë Franë Brrakaj Burgim

16) Prel Vat Malotaj Burgim

17) Lulash Palok Vrucaj Burgim

18) Tereze Prekë Xhaj Torturohet në mënyrë çnjerëzore, dhe

(motra e Nikollë Prekë Dedaj) heroikisht nuk e tregon vëllanë.

Dedaj:

  1. Nikollë Prekë Dedaj Pushkatue me Dom Alfons Tracki etj.
  2. Gjokë Koka Pushkatue

3) Prekë Gjon Dedaj Pushkatue

4) Mirash Gj. Sokolaj Pushkatue

5) Pjetër Kolë Sokolaj Pushkatue

6) Mark S. Sokolaj 20 vjet burg, djegë shtëpia

7) Marash Kolë Mali, vojvode 3 vjet burg

8) Marash Kolë Stake Burgim

9) Kolë Tomë Stake Burgim, djegë shtëpia

10) Gjelosh Martini Burgim

11) Zef Mali Burgim

12) Gjek M. Sokoli Burgim

13) Rrok Nikollë Zefi Burgim

Zagore:

1) Major Llesh Marashi Varje në Konop, djegë shtëpia

2) Luket Marash Grishaj Vra në mal, djegë shtëpia

3) Prekë Lekë Kolaj Vra në mal, djegë shtëpia

4) Pashko Lekë Kolaj Vra në mal

5) Dan Coli Vucaj Vra kundra partizanët (Kisha e Lezhës)

6) Franë Pjetër Marashi Pushkatue

7) Ndue Gjelosh Marashi Pushkatue

8) Nrekë Pjetër Zef Culaj Pushkatue

9) Mark Gjokë Leknikaj Vdekë në burg

10) Rexhë Mehmet Vucaj Vdekë në burg

11) Gjelosh Marashi 101 vjet burg

12) Edvard Llesh Marashi Burg, lirohet pasi ja pret dy këmbet

13) Rrok Kanto Marashi 10 vjet burg, internim deri 1990

14) Pjetër Marashi Burgose, vdes pas daljes

15) Mark Gjelosh Marashi 10 vjet burg

16) Kolë Nikë Colaj 10 vjet burg

17) Mirash Prec Grishaj 10 vjet burg

18) Prel Gjelosh Marashi 7 vjet burg

19) Gjelosh Ndoc Marashi 7 vjet burg

20) Marash Vat Gjelosh Marashi 7 vjet burg

21) Franë Luc Grishaj Burgim, torturue, 3 vjet burg

22) Brahim Xhigji Vucaj Burgim

23) Sadri Zekë Leknikaj Burgim

24) Dyl Qerim Leknikaj Burgim

25) Prec Curri Grishaj Burgim

26) Zef Luc Grishaj Burgim

27) Prel Franë Grishaj Burgim

28) Palok Luket Grishaj Burgim, internim

29) Dedë Luket Grishaj Burgim

30) Familja e Llesh Marashit (gra e femijë) internim në Berat (afer 2 vjet).

31) Familja e Luket Marashit (gra e femijë) burgosun në burgun e Shkodrës dhe internim ne Berat (së bashku 16 mujë).

32) Familjet e Zef e Franë Luc Grishaj (gra e femijë) burgosun në burgun e Shkodrës.

33) Palok Luket Grishaj internohet për të dytën herë në Saver, prej vitit 1957 deri 1990 (internim me familja), ku edhe vdes në internim.

Famullitari i Kishës Shkrelit:

1) Dom Nikollë Gazulli Vra nga forcat e ndjekjës komuniste në vitin 1946

Meshtarët që i sherbyn famullisë së Shkrelit dhe vdiqën nga Komunizmi:

1) Dom Ndre Zadeja Pushkatue në vitin 1945

2) Dom Gjergj Volaj (Imzot) Pushkatue në vitin 1947

3) Dom Pjetër Quni Vdekë prej torturave në vitin 1948

4) Dom Aleksander Sirdani Vdekë prej torturave në vitin 1948

6) Dom Ndoc Nikaj Vdekë në burg në vitin 1951

7) Dom Pjetër Gruda Vdekë në burg në vitin 1989

Shenim: Shkrimi që vijon është paraqitur për të parën herë në Simpoziumin Shkencor për 60 Vjetorin e Rezistencës dhe Kryengritjes anti-komuniste të Malësisë së Madhe të vitit 1945, në sallën “At Gjergj Fishta” të kisha katolike shqiptare të Shen Palit në Rochester Hills, Michigan, U. S. A. , me 6 Fruer 2005. Autori me kënaqësi ia dorëzon për botim Këshillit Organizues për Ndriqimin e Historisë Shqiptare.*Kortezi-Albemigrant

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 1945, FRanz Llesh GRISHAJ, Kryengritja Antikomuniste, Malesi e Madhe, shkreli

KUJTESË- ME 6 JANAR LINDI FAN S. NOLI

January 5, 2019 by dgreca

7 Fan Noli ne Kish shen Gjergji 1939

Theofan Stilian Noli lindi dhe vdiq larg atdheu. Por gjatë të gjithë jetës zemra e tij  rrahu vetëm për Shqipërinë, shpirti i tij krijoi gjëra madhështore që e lartësuan dinjitetin e shqiptarit, kurse në veprimtarinë energjike të përditshme iu përkushtua pavarësisë e tërësisë tokësore të atdheut dhe sidomos demokratizimit të jetës shqiptare. Sic është shprehur i Përndershmi At Arthur Liolin, Fan S.Noli, (1882-1965) është dhe do të mbetet përjetë të jetëve, një figurë e shquar në botën shqiptare, si një fetar, njeri i ditur, poet, shkrimtar dhe burrë shteti. Ai është themeluesi i të parës Kishë Orthodhokse Shqiptare në SHBA, më 1908. Ai ka përkthyer dhe është autor i mbi 42 librave liturgjikë, historikë dhe letrarë, në të dyja gjuhët, në shqip e anglisht dhe konsiderohet, një nga njerëzit më të ndritur të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Përkthimi i Testamentit të Ri, nga greqishtja në anglishten e sotme, është cilësuar si një nga kryeveprat e tij, e pasuar nga një numër i madh përkthimesh të liturgjisë dhe muzikës kishtare të Kishës Orthodhokse, në të dyja gjuhët, shqip dhe anglisht. Zotërues, në mënyrë të përkryer, i 12 gjuhëve të huaja, të pasqyruara në një numër të madh albumesh, në përkthimin e dramave dhe poemave origjinale. Ai bëri të flasin shqip veprat e Longfellow-t, Ibsenit, Servantes-it dhe Omar Khajam-it. Noli i madh ka marrë nderimin dhe vlerësimin nga Shtëpia e Bardhë, për përkthimet e William Shekspirit, në shqip.

Më 1912, ai drejtoi Federatën Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, si themelues i saj me Faik Konicën dhe atdhetarë të tjerë. Më 1920, ai përfaqëson atdheun e tij, Shqipërinë, në Gjenevë, ku garantoi futjen e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, njohjen e shtetit të parë modern shqiptar dhe shpalljen e pavarësisë. Në vitin 1924, ai ishte Kryeministër i Shqipërisë.
Vepra e tij kritike “Bethoveni e Revolucioni Francez”, është vlerësuar nga njerëz të dëgjuar, si; George Bernard Show, kompozitor, Jan Sibilius dhe autori Thomas Man etj. Ndërsa studionte në Konservatorin e New England, për muzikë, ai kompozon Rapsodinë Shqiptare, Uverturën Bizantine dhe një numër të madh poemash, të gjitha të përkthyera e të përshtatura në gjuhën shqipe. Dy librat e tij historikë rreth Gjergj Kastriot Skënderbeut, Heroit tonë Kombëtar, konsiderohen studime klasike me shumë vlera.
I lindur në Ibrik Tepe (Qyteza), një qytezë e përbërë nga komuniteti shqiptar në Turqinë evropiane, jeta e tij shpaloset si një epos ekzemplar, e cila ndriti për më se një shekull me suksese në të gjitha drejtimet dhe në shërbimin që ai i bëri popullit të tij. I diplomuar në Universitetin e Harvardit, më 1912, më vonë ai mori doktorata në histori dhe në muzikë nga Konservatori i New England. Shumë i thjeshtë dhe popullor në jetën e tij, i flaktë dhe i debatushëm në oratori, ai ishte truri dhe përkushtimi për t’i shërbyer popullit të tij, në shumë drejtime. Në shumë mënyra enigmatik, ai në të njëjtën kohë jo vetëm ishte një patriot dhe atdhetar i devotshëm, por ai ishte një njeri me horizont të gjerë dhe shumë i respektuar nga ndërkombëtarët për bindjet e tij.
Gjithmonë i qeshur e me një sens humori, jeta dhe vepra e tij edhe sot e kësaj dite është një rezonancë për shqiptarët që ata të jenë të bashkuar e të punojnë për kombin e tyre. Duke qenë një njeri modest, përparimtar, atdhetar, dashamirës, ai karakterizohej nga një karizmë, që tërhoqi vëmendjen dhe interesimin e diplomatëve të huaj dhe njerëzve të ditur të botës. Noli diti të shfrytëzojë këtë interesim duke e vënë në dobi të atdheut e të shqiptarëve, duke qenë një përçues i flaktë i atdhetarizmës, duke luajtur një rol model për popullin e tij shqiptar në SHBA, por edhe jashtë saj.
Jeta dhe vepra e tij e ndritur ruhet në kujtesën dhe memorjen e kombit të tij shqiptar dhe do jetojë në brezat që do të vijnë.
***

 

Vendlindja, Ibrik-tepeja ose Qyteza, një fshat shqiptar në Traki, afër Adrianopojës, si dhe disa fshatra të tjera afër tij ishin për Nolin nga mënyra e jetesës, zakonet e temperamenti, si një copëz e shkëputur nga Shqipëria. Aty shpirti i tij thithi të pastër botën shqiptare, kulturën e gjerë popullore, mori informacionin e parë për historinë e Shqipërisë e jetën e kryetrimit Skënderbe. Pasi kreu në greqisht shkollën fillore dhe gjimnazin, në vitin 1900, në moshën 18 vjeçare, ai u largua nga vendlindja për të mos u kthyer dot më dhe shkoi në Athinë.
Në gjimnazin grek ai ishte njohur me letërsinë antike greke, me letësinë evropiane e sidomos me veprën e Shekspiri.
Kjo gjë i kishte ngjallur atij dëshirën për ta zgjeruar kulturen e vet, dëshirë që mbeti e zjarrtë në shpirtin e tij deri sa vdiq. Kështu ky djalosh i ri , me interesa të gjera, shëndetlig, por i guximshëm e me një intuitë të zhvilluar, i hyri rrugës së studimeve, që për të ishte mjaft e vështirë, sepse i mungonin mjetet financiare. Pikërisht prej kësaj mungese ai shpejt i ndërpreu ato, të cilat do të mund t’i vazhdonte shumë më vonë, në një moshë të madhe. (Vetëm me 1912 ai kreu studimet e larta dhe u diplomua per arte , kurse më pas në moshën 55-vjeçare, mbaroi konservatorin, dhe në moshën 63-vjeçare mori doktoratën e filozofisë për histori). Për të siguruar jetesën hyri në një shoqëri tramvajesh e me pas si sufler në një teater. Herë-herë luante edhe ndonjë rol të vogël , por puna në teater nuk i vleu më tepër, sepse e nxiti të shkruante dramën “Zgjimi”, në greqisht, (e cila u ndalua të shfaqej sepse aludonte për lëvizjen shqiptare për liri), dhe me vonë dramën në shqip “Izraelitë e filistinë”. Më 1903 shkoi në Egjipt ku punoi për dy vjet si mësues. Gjatë kësaj kohe ai u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit: Thanas Tashkon e Jani Vruhon, të cilët luajtën një rol të rëndësishëm për drejtimin që do të merrte jeta e Fan Nolit. Ata e lidhën atë me lëvizjen patriotike shqiptare edhe ai po në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Më 1906 Noli u dërgua në Amerikë nga patriotët e kolonisë së Egjiptit për organizimin e lëvizjes kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm. Brenda një kohe të shkurtër Noli krijoi shoqërinë “Besa-besë”, që më pas u shkri në federatën “Vatra”si dhe gazetën “Dielli”. Noli ishte editori i parë i Diellit dhe bashkëthemelues i Vatrës së bashku me Konicën dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Nga gjithë veprimtaritë e kësaj periudhe të jetës politike të Nolit, më e rëndësishmja është shkëputja e kishës ortodokse shqiptare dhe lufta kundër propagandës shoviniste greke. Për këtë qëllimin më 1908 ai u dorëzua prift dhe duke vazhduar traditën e nisur nga Kristoforidhi përktheu shumë libra të ndryshëm të kishës në gjuhën shqipe.

Kur u shpall Pavarësia, Noli përshëndeti qeverinë e Ismail Qemalit, ndërkohë që kishte bërë edhe një udhëtim nëpër Evropë për të mbrojtur çështjen shqiptare. Periudha më e rëndësishme e aktivitetit të tij në të gjitha fushat është dekada 1920-1930. Më 1920 ai, së bashku me patriotë të tjerë, u përpoq dhe arriti të sigurojë pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Më 1921 ai botoi edhe veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”.
Gjatë viteve `20-24, në krye të opozitës demokratike, Noli zhvilloi një luftë të ashpër në Parlament dhe jashtë tij duke ngritur zerin për vendosjen e lirive demokratike dhe zbatimin e reformës agrare. Fjalimi i tij mbi varrin e Avni Rustemit në Vlorë shënoi fillimin e atij që është cilësuar si Revolucion Demokratik në Shqipëri.
Me fitoren e revolucionit Noli u caktua kryetari i qeverisë së re, që doli prej tij. Kjo qeveri shpalli një program revolucionar e demokratik, por nuk arriti ta realizojë. Nolit iu desh të bënte një përpjekje të jashtëzakonshme që qeveria e kryesuar prej tij të njihej, por nuk arriti dhe mbeti e shkeputur edhe nga shtresat e popullsise, u gjend e rrethuar dhe u rrezua nga kundërshtari i tij, Ahmet Zogu..

Noli u detyrua të mërgojë jashtë vendit në Austri dhe u dënua me vdekje në mungesë. Gjithë demokratët revolucionarë në mërgim themeluan në Vjenë Komitetin Nacional Revolucionar (Konare) me Nolin si kryetar. Në organin “Liria Kombëtare”
Përveç veprimtarisë politike, poetike e publiçistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat e Omar Khajamit, Don Kishotin e Servantesit etj. Në gjithë këtë veprimtari politike, patriotike, artistike e shkencore Noli mbeti demokrat.
Pasi u vendos në ShBA, u mor me krijimtari letrare, me studime të ndryshme, siç ishte “Bethoveni dhe Revolucioni Francez” etj dhe me organizimin e veprimtarive të kishës shqiptare në Amerikë, e cila shërbente si qendër e lidhjes së kolonisë shqiptare. Fan Noli mbeti deri në fund të jetës së tij një demokrat i shquar.
Ky vigan i demokracisë e i kulturës shqiptare, te i cili vepron me të njëjtën forcë intuita e artistit shkencëtarit dhe e politikanit, ky patriot i madh që shkriu gjithçka për Shqipërinë, për fat të keq vdiq larg saj më 13 mars 1965 në ShBA, ku ndodhen edhe sot eshtrat e tij.

KRONIKE, JETA PERMES DATAVE

Lindi më 6 janar 1882 në Qytezë (turqisht: Ibrik Tepe), fshat shqiptar në Traki, jo shumë larg nga Edreneja. Si disa fshatra të tjera të asaj krahine të banuar me shqiptarë, Qyteza kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe kostumet e të parëve. Noli e mbante fisin e vet me prejardhje nga Qyteza e Kolonjës. I ati, Stiliani, ndonëse trashëgoi një pronë tokë, nuk u mor me bujqësi, po shërbeu si psalt në kishën e fshatit. E ëma, Maria, ishte shtëpiake. Familja u shtua shumë dhe erdhi një kohë që jetesa u bë e vështirë për të. Sa qe i mitur Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shkollën e nisi me vonesë. Filloren dhe të mesmen i bëri greqisht. Por me shumë ndikoi tek ai krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip. Që në bankat e shkollës iu shfaqën karakteri i pavarur dhe fryma e revoltës. Për këtë shkak nuk iu dha diploma në kohën e duhur, gjë që e pengoi të emërohej mësues atë vit shkollor. Më 1900 vajti në Greqi, me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belge, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. S’i eci mbarë. Studime nuk i bëri. Atëherë u hodh në punë të tjera, si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatri shëtitës. Tek punonte atje, iu ngjall dëshira të mërej me dramaturgji. Më 1903 kaloi në Egjipt, ku zuri punë si mësues i greqishtes. Ndërkohë, njihet me lëvizjen kombëtare. I ndihmuar nga patriotë, nis veprimtarinë politike dhe letrare: shkruan artikujt publicistikë, përkthen greqisht «Shqipëria ç´ka qenë, ç´është e ç´do të bëhet» të Sami Frashërit. Më 1909 njeh Faik Konicën[3] Nga viti 1908 deri më 1912 kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit, të cilat i përfundon me cum laude në Bachelor of Arts.

Në fund të jetës së tij shkon në Florida. Atje, në banesën e tij, në Fort Lauderdale, vdiq më 13 mars 1965, larg atdheut të shtrenjtë, që e deshi me zjarr të pashuar. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit.(Dielli-arkiv)

Filed Under: Featured Tagged With: KUJTESË- ME 6 JANAR, LINDI FAN S. NOLI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT