Theofan Stilian Noli lindi dhe vdiq larg atdheu. Por gjatë të gjithë jetës zemra e tij rrahu vetëm për Shqipërinë, shpirti i tij krijoi gjëra madhështore që e lartësuan dinjitetin e shqiptarit, kurse në veprimtarinë energjike të përditshme iu përkushtua pavarësisë e tërësisë tokësore të atdheut dhe sidomos demokratizimit të jetës shqiptare. Sic është shprehur i Përndershmi At Arthur Liolin, Fan S.Noli, (1882-1965) është dhe do të mbetet përjetë të jetëve, një figurë e shquar në botën shqiptare, si një fetar, njeri i ditur, poet, shkrimtar dhe burrë shteti. Ai është themeluesi i të parës Kishë Orthodhokse Shqiptare në SHBA, më 1908. Ai ka përkthyer dhe është autor i mbi 42 librave liturgjikë, historikë dhe letrarë, në të dyja gjuhët, në shqip e anglisht dhe konsiderohet, një nga njerëzit më të ndritur të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Përkthimi i Testamentit të Ri, nga greqishtja në anglishten e sotme, është cilësuar si një nga kryeveprat e tij, e pasuar nga një numër i madh përkthimesh të liturgjisë dhe muzikës kishtare të Kishës Orthodhokse, në të dyja gjuhët, shqip dhe anglisht. Zotërues, në mënyrë të përkryer, i 12 gjuhëve të huaja, të pasqyruara në një numër të madh albumesh, në përkthimin e dramave dhe poemave origjinale. Ai bëri të flasin shqip veprat e Longfellow-t, Ibsenit, Servantes-it dhe Omar Khajam-it. Noli i madh ka marrë nderimin dhe vlerësimin nga Shtëpia e Bardhë, për përkthimet e William Shekspirit, në shqip.
Më 1912, ai drejtoi Federatën Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, si themelues i saj me Faik Konicën dhe atdhetarë të tjerë. Më 1920, ai përfaqëson atdheun e tij, Shqipërinë, në Gjenevë, ku garantoi futjen e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, njohjen e shtetit të parë modern shqiptar dhe shpalljen e pavarësisë. Në vitin 1924, ai ishte Kryeministër i Shqipërisë.
Vepra e tij kritike “Bethoveni e Revolucioni Francez”, është vlerësuar nga njerëz të dëgjuar, si; George Bernard Show, kompozitor, Jan Sibilius dhe autori Thomas Man etj. Ndërsa studionte në Konservatorin e New England, për muzikë, ai kompozon Rapsodinë Shqiptare, Uverturën Bizantine dhe një numër të madh poemash, të gjitha të përkthyera e të përshtatura në gjuhën shqipe. Dy librat e tij historikë rreth Gjergj Kastriot Skënderbeut, Heroit tonë Kombëtar, konsiderohen studime klasike me shumë vlera.
I lindur në Ibrik Tepe (Qyteza), një qytezë e përbërë nga komuniteti shqiptar në Turqinë evropiane, jeta e tij shpaloset si një epos ekzemplar, e cila ndriti për më se një shekull me suksese në të gjitha drejtimet dhe në shërbimin që ai i bëri popullit të tij. I diplomuar në Universitetin e Harvardit, më 1912, më vonë ai mori doktorata në histori dhe në muzikë nga Konservatori i New England. Shumë i thjeshtë dhe popullor në jetën e tij, i flaktë dhe i debatushëm në oratori, ai ishte truri dhe përkushtimi për t’i shërbyer popullit të tij, në shumë drejtime. Në shumë mënyra enigmatik, ai në të njëjtën kohë jo vetëm ishte një patriot dhe atdhetar i devotshëm, por ai ishte një njeri me horizont të gjerë dhe shumë i respektuar nga ndërkombëtarët për bindjet e tij.
Gjithmonë i qeshur e me një sens humori, jeta dhe vepra e tij edhe sot e kësaj dite është një rezonancë për shqiptarët që ata të jenë të bashkuar e të punojnë për kombin e tyre. Duke qenë një njeri modest, përparimtar, atdhetar, dashamirës, ai karakterizohej nga një karizmë, që tërhoqi vëmendjen dhe interesimin e diplomatëve të huaj dhe njerëzve të ditur të botës. Noli diti të shfrytëzojë këtë interesim duke e vënë në dobi të atdheut e të shqiptarëve, duke qenë një përçues i flaktë i atdhetarizmës, duke luajtur një rol model për popullin e tij shqiptar në SHBA, por edhe jashtë saj.
Jeta dhe vepra e tij e ndritur ruhet në kujtesën dhe memorjen e kombit të tij shqiptar dhe do jetojë në brezat që do të vijnë.
***
Vendlindja, Ibrik-tepeja ose Qyteza, një fshat shqiptar në Traki, afër Adrianopojës, si dhe disa fshatra të tjera afër tij ishin për Nolin nga mënyra e jetesës, zakonet e temperamenti, si një copëz e shkëputur nga Shqipëria. Aty shpirti i tij thithi të pastër botën shqiptare, kulturën e gjerë popullore, mori informacionin e parë për historinë e Shqipërisë e jetën e kryetrimit Skënderbe. Pasi kreu në greqisht shkollën fillore dhe gjimnazin, në vitin 1900, në moshën 18 vjeçare, ai u largua nga vendlindja për të mos u kthyer dot më dhe shkoi në Athinë.
Në gjimnazin grek ai ishte njohur me letërsinë antike greke, me letësinë evropiane e sidomos me veprën e Shekspiri.
Kjo gjë i kishte ngjallur atij dëshirën për ta zgjeruar kulturen e vet, dëshirë që mbeti e zjarrtë në shpirtin e tij deri sa vdiq. Kështu ky djalosh i ri , me interesa të gjera, shëndetlig, por i guximshëm e me një intuitë të zhvilluar, i hyri rrugës së studimeve, që për të ishte mjaft e vështirë, sepse i mungonin mjetet financiare. Pikërisht prej kësaj mungese ai shpejt i ndërpreu ato, të cilat do të mund t’i vazhdonte shumë më vonë, në një moshë të madhe. (Vetëm me 1912 ai kreu studimet e larta dhe u diplomua per arte , kurse më pas në moshën 55-vjeçare, mbaroi konservatorin, dhe në moshën 63-vjeçare mori doktoratën e filozofisë për histori). Për të siguruar jetesën hyri në një shoqëri tramvajesh e me pas si sufler në një teater. Herë-herë luante edhe ndonjë rol të vogël , por puna në teater nuk i vleu më tepër, sepse e nxiti të shkruante dramën “Zgjimi”, në greqisht, (e cila u ndalua të shfaqej sepse aludonte për lëvizjen shqiptare për liri), dhe me vonë dramën në shqip “Izraelitë e filistinë”. Më 1903 shkoi në Egjipt ku punoi për dy vjet si mësues. Gjatë kësaj kohe ai u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit: Thanas Tashkon e Jani Vruhon, të cilët luajtën një rol të rëndësishëm për drejtimin që do të merrte jeta e Fan Nolit. Ata e lidhën atë me lëvizjen patriotike shqiptare edhe ai po në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Më 1906 Noli u dërgua në Amerikë nga patriotët e kolonisë së Egjiptit për organizimin e lëvizjes kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm. Brenda një kohe të shkurtër Noli krijoi shoqërinë “Besa-besë”, që më pas u shkri në federatën “Vatra”si dhe gazetën “Dielli”. Noli ishte editori i parë i Diellit dhe bashkëthemelues i Vatrës së bashku me Konicën dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Nga gjithë veprimtaritë e kësaj periudhe të jetës politike të Nolit, më e rëndësishmja është shkëputja e kishës ortodokse shqiptare dhe lufta kundër propagandës shoviniste greke. Për këtë qëllimin më 1908 ai u dorëzua prift dhe duke vazhduar traditën e nisur nga Kristoforidhi përktheu shumë libra të ndryshëm të kishës në gjuhën shqipe.
Kur u shpall Pavarësia, Noli përshëndeti qeverinë e Ismail Qemalit, ndërkohë që kishte bërë edhe një udhëtim nëpër Evropë për të mbrojtur çështjen shqiptare. Periudha më e rëndësishme e aktivitetit të tij në të gjitha fushat është dekada 1920-1930. Më 1920 ai, së bashku me patriotë të tjerë, u përpoq dhe arriti të sigurojë pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Më 1921 ai botoi edhe veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”.
Gjatë viteve `20-24, në krye të opozitës demokratike, Noli zhvilloi një luftë të ashpër në Parlament dhe jashtë tij duke ngritur zerin për vendosjen e lirive demokratike dhe zbatimin e reformës agrare. Fjalimi i tij mbi varrin e Avni Rustemit në Vlorë shënoi fillimin e atij që është cilësuar si Revolucion Demokratik në Shqipëri.
Me fitoren e revolucionit Noli u caktua kryetari i qeverisë së re, që doli prej tij. Kjo qeveri shpalli një program revolucionar e demokratik, por nuk arriti ta realizojë. Nolit iu desh të bënte një përpjekje të jashtëzakonshme që qeveria e kryesuar prej tij të njihej, por nuk arriti dhe mbeti e shkeputur edhe nga shtresat e popullsise, u gjend e rrethuar dhe u rrezua nga kundërshtari i tij, Ahmet Zogu..
Noli u detyrua të mërgojë jashtë vendit në Austri dhe u dënua me vdekje në mungesë. Gjithë demokratët revolucionarë në mërgim themeluan në Vjenë Komitetin Nacional Revolucionar (Konare) me Nolin si kryetar. Në organin “Liria Kombëtare”
Përveç veprimtarisë politike, poetike e publiçistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat e Omar Khajamit, Don Kishotin e Servantesit etj. Në gjithë këtë veprimtari politike, patriotike, artistike e shkencore Noli mbeti demokrat.
Pasi u vendos në ShBA, u mor me krijimtari letrare, me studime të ndryshme, siç ishte “Bethoveni dhe Revolucioni Francez” etj dhe me organizimin e veprimtarive të kishës shqiptare në Amerikë, e cila shërbente si qendër e lidhjes së kolonisë shqiptare. Fan Noli mbeti deri në fund të jetës së tij një demokrat i shquar.
Ky vigan i demokracisë e i kulturës shqiptare, te i cili vepron me të njëjtën forcë intuita e artistit shkencëtarit dhe e politikanit, ky patriot i madh që shkriu gjithçka për Shqipërinë, për fat të keq vdiq larg saj më 13 mars 1965 në ShBA, ku ndodhen edhe sot eshtrat e tij.
KRONIKE, JETA PERMES DATAVE
Lindi më 6 janar 1882 në Qytezë (turqisht: Ibrik Tepe), fshat shqiptar në Traki, jo shumë larg nga Edreneja. Si disa fshatra të tjera të asaj krahine të banuar me shqiptarë, Qyteza kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe kostumet e të parëve. Noli e mbante fisin e vet me prejardhje nga Qyteza e Kolonjës. I ati, Stiliani, ndonëse trashëgoi një pronë tokë, nuk u mor me bujqësi, po shërbeu si psalt në kishën e fshatit. E ëma, Maria, ishte shtëpiake. Familja u shtua shumë dhe erdhi një kohë që jetesa u bë e vështirë për të. Sa qe i mitur Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shkollën e nisi me vonesë. Filloren dhe të mesmen i bëri greqisht. Por me shumë ndikoi tek ai krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip. Që në bankat e shkollës iu shfaqën karakteri i pavarur dhe fryma e revoltës. Për këtë shkak nuk iu dha diploma në kohën e duhur, gjë që e pengoi të emërohej mësues atë vit shkollor. Më 1900 vajti në Greqi, me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belge, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. S’i eci mbarë. Studime nuk i bëri. Atëherë u hodh në punë të tjera, si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatri shëtitës. Tek punonte atje, iu ngjall dëshira të mërej me dramaturgji. Më 1903 kaloi në Egjipt, ku zuri punë si mësues i greqishtes. Ndërkohë, njihet me lëvizjen kombëtare. I ndihmuar nga patriotë, nis veprimtarinë politike dhe letrare: shkruan artikujt publicistikë, përkthen greqisht «Shqipëria ç´ka qenë, ç´është e ç´do të bëhet» të Sami Frashërit. Më 1909 njeh Faik Konicën[3] Nga viti 1908 deri më 1912 kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit, të cilat i përfundon me cum laude në Bachelor of Arts.
Në fund të jetës së tij shkon në Florida. Atje, në banesën e tij, në Fort Lauderdale, vdiq më 13 mars 1965, larg atdheut të shtrenjtë, që e deshi me zjarr të pashuar. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit.(Dielli-arkiv)