• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2019

PRESIDENTI IBRAHIM RUGOVA NUK E HUMBI ASNJËHERË RRUGËN DREJT PAVARËSISË*

January 29, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Në Janar të vitit 2009, komuniteti shqiptaro-amerikan organizoi një akademi përkujtimore me rastin e 3-vjetorit të vdekjes së Presidentit të parë të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës.  Këtë muaj u bënë 13 vjetë nga ndarja prej kësaj jetë e Presidentit Rugova.  Me këtë rast e kujtojmë këtë burrështeti me fjalën e mbajtur në akademinë pëkujtimore mbajtur me 17 Janar, 2009, në universitetin e njohur amerikan, Fordham të Nju Jork-ut:

“Presidentin Ibrahim Rugova e kujtojmë si diellin që gjatë viteve të kalvarit të Kosovës nuk e humbi kurrë rrugën drejt objektivit të tij, për një Kosovë të lirë e të pavarur, as nepër vranësitë më të errëta të jetës kombëtare, politike dhe shoqërore të vendit të tij.

Presidenti Rugova na la në kohën kur Kosova dhe Kombi ynë kishin më së shumti nevojë për një njeri si ai, për një hov të pashterrshëm të ndjenjave për atdhedashuri dhe të vlerave tona kombëtare.

Unë kam pasur privilegjin ta njihja Presidentin Rugova, si njeriu i cili megjithë qenjen e tij qëndronte kundër atyre që mohonin traditat tona më të shëndosha dhe kundër sistemit komunist, që për pothuaj 50-vjetë u përpoq të shlyente të gjitha  virtytet tona stërgjyshore, në favor të një ideologjie sllavo-aziatike.Disa thonë fati, por unë them ishte Perëndia që përcaktoi Ibrahim Rugovën të jetonte në një periudhë historike për Kombin tonë, kur kënaqjet ishin të paka dhe mjerimet të shumta.  Kjo periudhë historike kërkonte guxim e vendosmëri – bërtiste për një udhëheqës ndryshe për shqiptarët.  Presidenti Rugova shpesh thonte se gjatë historisë, Kombi ynë ka patur shumë dështime megjithë përpjekjet e mëdha dhe flijimet e patriotëve shqiptarë që nga periudha e Gjergj Kastriotit-Skendërbeut e deri tek rilindasit në fillim të shekullit të kaluar.  Megjithë këtë histori dhe vuajtjet personale dhe familjare, Dr. Ibrahim Rugova asnjëherë nuk u dmeoralizua as nuk ndërpreu përpjekjet e tija, por përdori çdo rast, sidomos me të huajt, të lartësonte emrin e Kombit shqiptar dhe të Dardanisë së tij të dashur, duke ndërkombëtarizuar njëkohësisht edhe çështjen e Kosovës dhe vuajtjet e shqiptarëve nga një shtet terrorist.

Ai ishte i bindur në drejtësinë e kërkesave të shqiptarëve të Kosovës dhe nuk kurseu asgjë për të siguruar sigurinë, paqën dhe një jetë më të mirë dhe në liri për popullin e vet.Ç’prej se e kam njohur Ibrahim Rugovën – në fund të viteve 80-ta të shekullit të kaluar, ai asnjëherë nuk u lëkund nga vija e drejtë e shqiptarizmit dhe as nga ideali, përpjekjet e tija dhe as nga bindja e tij se me ndihmën e miqëve tanë perëndimorë, Kosova, më në fund, do të çlirohej nga zgjedha serbe dhe se më në fund do të fitonte lirinë dhe do të siguronte pavarësinë.  E kishte shumë të qartë objektivin përfundimtar, si dhe mënyrën për realizimin e këtij objektivi.

Presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova me diplomacinë e tij personale – që në të vërtetë filloi me vizitën e tij të parë në Shtetet e Bashkuara në vitin 1989, e që mund të konsiderohet gjithashtu edhe si zanafilla e diplomacisë moderne të shtetit të Kosovës – ishte një testament para botës, sidomos asaj perëndimore,  e cila nuk na njihte vetëm ndoshta si “rebela” – se Ibrahim Rugova në të vërtetë rrjedhte nga një familje dhe nga popull që mendjen, zemren dhe karakterin e tij ia brumosën në frymën e idealeve  të burrënisë e të nderit dhe të traditave shekullore të shqiptarit.

Presidenti Rugova vinte nga bjeshkët shqiptare, nga atje ku zanat e malit ruajnë sekretet e thelbit etnik të racës sonë, të një race që si e tillë ka siguruar të drejtën që madhështia e veprës së tij të këndohet me lahutë, si kalorës kreshnik i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës — si shtet i ri dhe i pavarur.

Megjith pështjellimet politike, pasionet e përkundërta dhe grindjet politike të botës së vogël shqiptare madje edhe në periudhën post-komuniste, gjatë gjithë kohës që e njoha, Presidenti Rugova i mbante sytë drejt vlerave kombëtare si baza për realizimin e objektivave afat-gjata.   Ai i kishte sytë ngulur në epopenë e Lahutës së At Gjergj Fishtës, në thjeshtësinë burrënore të Bajram Currit dhe në politikën largpamëse të Luigj Gurakuqit, për arritjen e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës.

Fatkeqësisht, ai vdiq pa qenë dëshmitar i shpalljes dhe i njohjes zyrtare të pavarësisë së Kosovës nga shumë vende të botës, e sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilat kurdoherë që fliste për Amerikën e përfundote me fjalët, “Zoti e bekoftë Amerikën” dhe në “Miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara”.  Por epopeja e tij nuk vdiq me të.   Ai është duke lëshuar dritë përherë e më tepër, duke lulëzuar e duke dhënë fryte agimesh të reja e fatlume për Kosovën dhe për mbarë Kombin shqiptar.

Ndoshta duket si e rastësishme që disa organizata në Shqipëri – në bashkpunim me ambasadën gjermane në Tiranë kanë shpallur ditën e sotëme, 17 Janarin, si Ditë Lutjeje dhe Reflektimi Kombëtar, me qëllim për të nxitur mirëbesimin dhe bashkpunimin midis qytetarëve dhe politikanëve. Pas realizimit të madh dhe historik kombëtar — dmth pavarësisë së Kosovës — i ndjeri President Ibrahim Rugova – në këtë ditë përkujtimore — do na këshillonte se nëqoftse dëshironi të kujtoni mua dhe veprën time, atëherë ju lutem promovoni bashkpunimin midis shqiptarëve për të mirën e përbashkët, duke venë mbi të gjitha interesin kombëtar mbi atë partiak dhe interesin publik mbi atë personal.

I përjetëshëm qoftë kujtimi i tij!

*Fjala e mbajtur nga ish-Shefi i Drejtorisë për Evropën në Zërin e Amerikës, Frank Shkreli me 17 Janar, 2009 në akademinë përkujtimore, në 3-vjetorin e vdekjes të Dr. Ibrahim Rugovës, në Universitetin e njohur amerikan, Fordham të Nju Jork-ut.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, pavaresia e Kosoves, Presidenti i Ibrahim Rugova

KRYEMINISTRI HARADINAJ U SHKRUAN KRYEMINISTRAVE TË BOTËS

January 29, 2019 by dgreca

– Kryeministri Ramush Haradinaj: Dialogu Kosovë-Serbi është dialog mes dy shteteve sovrane dhe për subjekt nuk e ka statusin final të Kosovës, por normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, me njohje reciproke/

1 Ramushi shkruan-Letër edhe ambasadorëve ambasadorëve të Quint-it dhe përfaqësueses së Bashkimit Evropian në Kosovë, ku ka shkruar edhe për atë se kur do pezullohej taksa 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja/

LETRA

-. Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE), pas marrjes së hapave praktik për inicimin dhe mbështetjen e një konference ndërkombëtare (“Konferenca”) me qëllim të arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 29 Janar 2019/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj bën të ditur se, mëngjesin e sotëm, u ka dërguar letër shpjeguese të gjithë kryeministrave të botës, me anë të së cilës u kam shpjeguar natyrën e dialogut Kosovë-Serbi.

“Dialogu Kosovë-Serbi është dialog mes dy shteteve sovrane dhe për subjekt nuk e ka statusin final të Kosovës, por normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, me njohje reciproke.

Me anë të këtij sqarimi dhe qëndrimi, synojmë t’i japim fund propagandës serbe se statusi dhe territori i Kosovës është ende në tavolinë.

Kosova e ka përmbyllur shtetësinë e saj më 17 shkurt 2008”, shprehet Kryeministri Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dje u ka dërguar poashtu letër ambasadorëve të Quint-it dhe përfaqësueses së Bashkimit Evropian në Kosovë, ku ka shkruar edhe për atë se kur do pezullohej taksa 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnja.

Kjo u bë e ditur në njoftimin e dërguar nga Qeveria e Kosovës mbrëmjen e djeshme.

Letra e Kryeministrit Haradinaj dërguar ambasadorëve të Quint-it dhe përfaqësueses së BE-së në Kosovë është kjo:Pas marrjes së vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND-së) se shpallja e pavarësisë nga ana e Kosovës në vitin 2008 nuk ishte e paligjshme, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Rezolutën nr. 64/298 (2010), e cila njohu përmbajtjen e Opinionit të GJND-së dhe mirëpriti “gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të lehtësuar procesin e dialogut ndërmjet palëve”.

Ne kemi bindje të thelle që mund të arrihet në vitin 2019 një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do t’i adresojë të gjitha çështjet e pazgjidhura, duke përfshirë reparacionet e luftës, të drejtat e minoriteteve në të dyja vendet, si dhe çështjet e ndryshme ekonomike, sociale dhe kulturore – duke shpjer në njohjen e ndërsjellë dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Më 21 nëntor 2018, Qeveria e Kosovës vendosi një taksë prej 100% (‘taksa’) mbi importin e mallrave me origjinë nga Serbia si dhe nga Bosnja dhe Hercegovina.
Taksa ka ardhur si përgjigje ndaj shkeljeve të vazhdueshme të Marrëveshjes për Tregti të Lirë me Evropën Qendrore (CEFTA) dhe akteve të vazhdueshme të agresionit që kanë për qëllim dëmtimin e shtetit të Kosovës.
Qeveria e Kosovës do të pezullojë menjëherë tarifën në rast se plotësohen rrethanat e mëposhtme:
1. Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE), pas marrjes së hapave praktik për inicimin dhe mbështetjen e një konference ndërkombëtare (“Konferenca”) me qëllim të arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të pazgjidhura ndërmjet dy vendeve – konferenca duhet të fillojë sa më parë që është e mundur pas plotësimit të rrethanave të përshkruara në paragrafët 2 deri në 5 më poshtë dhe duhet të përfundojë brenda 14 ditëve:
2. SHBA-të dhe BE-ja do të japin zotime publike dhe do të garantojnë që në Konferencë nuk do të ketë:

(i) Çfarëdo rivendosje të kufijve ekzistues të Kosovës, ose ndarje të Kosovës, ose shkëmbime territoriale të çfarëdo natyre.
(ii) Dhënie të kompetencave ekzekutive të çfarëdo forme për asociacionin e komunave serbe në Kosovë ose ndonjë marrëveshje tjetër që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
(iii) Masa të çfarëdo natyre të bazuar në koncesione që shkojnë para datës 17 shkurt 2008.

  1. BE-ja do të jep zotime shtesë publike dhe do të garanton se:
    (i) Do të hyj në fuqi liberalizimi i vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës para fillimit të Konferencës.
    (ii) Do të zbatohet dhe do të jetë plotësisht funksionale Marrëveshja për Energji e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë para fillimit të Konferencës.
  2. Është verifikuar se Serbia ka larguar të gjitha barrierat jo-tarifore të shkaktuara ndaj lëvizjes së mallrave nga Kosova, si dhe të gjitha kufizimeve të paligjshme në tregtinë e shërbimeve dhe lëvizjen e njerëzve nga Kosova në Serbi.
    5. Presidenti, Kryeministri ose Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë konfirmojnë publikisht se janë ndaluar në mënyrë permanente të gjitha politikat dhe veprimet e çfarëdo lloji të drejtuara kundër aspiratave të Kosovës si shtet sovran qoftë nëse ato aplikohen në nivel lokal, rajonal apo ndërkombëtar.
    Tarifa do të ri-vendoset menjëherë nëse Konferenca nuk përfundon me një marrëveshje gjithëpërfshirëse të detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron, ndër të tjera, njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Tarifa do të ri-vendoset në një datë të mëvonshme nëse nuk arrihet të zbatohet marrëveshja gjithëpërfshirëse e detyrueshme e arritur në Konferencë.

 

***

Following the ruling of the International Court of Justice (ICJ) that Kosovo’s Declaration of Independence in 2008 was not unlawful, the UN General Assembly adopted Resolution 64/298 (2010), which acknowledged the content of the ICJ opinion and welcomed ‘the readiness of the European Union to facilitate a process of dialogue between the parties’.

It is our strongly held view that a comprehensive and legally binding agreement between Kosovo and Serbia can be concluded in 2019, which will address all outstanding issues including war reparations, the rights of minorities in both countries, as well as various economic, social and cultural matters – leading to mutual recognition and Kosovo’s membership of the United Nations.

On 21st November 2018 the Government of Kosovo imposed a tariff of 100% (‘the Tariff’) on the importation of goods originating in Serbia and Bosnia & Herzegovina. The tariff is a response to continuing and persistent violation of the Central European Free Trade Agreement (CEFTA) and continuing and persistent acts of aggression intended to undermine the state of Kosovo.

The Government of Kosovo will suspend the tariff immediately on the coming into existence of all of the following circumstances:

The United States of America (USA) and the European Union (EU) having taken practical steps to initiate and support an international conference (‘the Conference’) for the purpose of concluding a legally binding comprehensive agreement between Kosovo and Serbia to resolve all outstanding issues between the two countries – the conference to commence at the earliest practical date following the coming into existence of the all of the circumstances described in paragraphs 2 to 5 below, and to conclude within 14 days:

The USA and the EU having given public commitments and assurances that the Conference will not countenance:

Any redrawing of the current borders of Kosovo, or partition of Kosovo, or land swaps of any nature whatsoever.
The granting of executive powers to any form of association of Serb Municipalities in Kosovo or any other arrangement that violates the Constitution of Kosovo.
Measures of any nature based on concessions that pre-date 17th February 2008.

The EU having given additional public commitments and assurances that:

A visa free travel regime for citizens of the Republic of Kosovo will be in force prior to the commencement of the Conference.
The Energy Agreement concluded in Brussels between Kosovo and Serbia on shall be implemented and fully operational prior to the commencement of the Conference. Serbia having verifiably removed all non-tariff barriers imposed on the movement of goods from Kosovo as well as all unlawful restrictions on trade in services and movements of people from Kosovo to Serbia.

The Serbian President, Prime-Minister or Foreign Minister having publicly confirmed that all policies and actions of any nature directed against the aspirations of Kosovo as a sovereign state whether applying locally, regionally or internationally have ceased permanently.

The Tariff will be immediately re-imposed if the Conference does not conclude with a binding comprehensive agreement between Kosovo and Serbia which provides, inter alia, for mutual recognition and for Kosovo’s membership of the United Nations. The Tariff will be re-imposed at a later date if there is failure of implementation of a binding comprehensive agreement arising from the Conference.

Filed Under: Politike Tagged With: Bell Jashari, Kryeministri Haradinaj, Peter Kryeministrave

FUSHATA E DIELLIT- Dr. PASHKO CAMAJ $300, FRANK SHKRELI $200

January 29, 2019 by dgreca

pashko-rr-camajPASHKO CAMAJ ($300.00) DHE GAZETARI FRANK SHKRELI ($200.00)IU BASHKUAN FUSHATES SE DHURUESEVE TE GAZETES DIELLI/1 FrankShkreli-FanNoli

Dr. Pashko Camaj, shefi I Kabinetit te Kryetarit te Vatres  u bashkohet dhuruesve te fushates per 110 vjetorin e Gazetes”DIELLI” duke dhuruar $300.00. Edhe gazetari Frank Shkreli iu bashkua dhurueseve me $200.00.

***FUSHATA E 110 VJETORIT TË GAZETËS “DIELLI” MERR PËRKRAHJET E PARA

– Ja dhuruesit e rinj: Ambasador Mal Berish $ 200.00, Gazetari Sinan Kamberaj $200.00, Anëtari i kryesisë Marjan Cubi $300.00. Alfons Grishaj $250.00, Mondi Rakaj $250,Uka Gjonbalaj $200.00, Asllan Bushati $200.00.
Bashkatdhetarë, doni të dhuroni?
Dërgoni një Chek (Pay to: VATRA- Memo-110 vjetori i Diellit) ose Money Order në adresën:
VATRA
2437 Southern BLVD
BRONX, NY 10458
I falenderojmë dhuruesit e deritanishëm.
Përsërisim thirrjen e Editorit të ditës së enjte, 24 Janar 2019:

***
VATRANË, FUSHATA PËR DIELLIN FILLOI

– NËNKRYETARI Z. AGIM REXHAJ JU FTON NË GARË DUKE PRIRË ME $500.00!

– GARA NISI ME DHURIMET E PARA: MARJANA BULKU $200.00, NAZO VELIU $200.00, AGIM REXHAJ $500.00, DALIP GRECA $200.00-GARA ËSHTË E HAPUR!
Të Enjten në mbrëmje,24 Janar 2019, gjatë takimit të Kryesisë, ku u miratua programi për festimin e 110 Vjetorit të Gazetës”DIELLI”, Editori njoftoi hapjen e Fushatës. E para që iu përgjigj thirrjes ishte anëtarja e Kryesisë së Vatrës zonja, Marjana Bulku me $ 200.00(dyqind dollarë).Menjëherë iu përgjigj sekretarja e Vatrës zonja Nazo Veliu po me $200.00.
Nënkryetari i Vatrës, z. Agim Rexhaj e mbështeti garën, duke prirë, dhuroi $500.00. Në mbyllje të celjes simbolike të fushatës, Editori dhuroi $ 200.00. Gara mbetet e hapur!
Vatranë; është radha juaj të tregoni bujarinë dhe frymën vatrane. Dielli ka 110 vjet që mbahet me dhurime të nxitura nga fryma vatrane dhe shpirti bujar i shqiptarëve të Amerikës.Le të vedosim të gjithë nga një gur në kështjellën e shqiptarizmës këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, Kështjellën me emrin e bukur VATRA & DIELLI. Secili kontribuon me aq sa mundet, por gur -gur bëhet kalaja. Kështu e kanë mbajtë Kështjellën e shqiptarizmës vatranët këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Drejtues dhe Kryesi të Degëve të Vatrës
Vihuni në krye të degëve dhe kontribuoni në këtë fushatë që synon të përballojë veprimtaritë kushtuar 110 vjetorit të DIELLIT dhe Konsolidimin në këtë shekull të dytë të gazetës tonë të dashur.
Ju të zgjedhur në strukturat e Vatrës, tregojeni me vepra se dini t’u prini fushatave të Vatrës. Është koha të kryeni obligimet tuaja!
Ju biznesmenë, që ju karakterizon shpirti i patriotizmit, mbështetni gazetën, që ka regjistruar 110 vite jetë të Kombit tonë. DHURONI!
Për ju miq të Diellit dhe të Vatrës, që keni dëshirë të përfshiheni në fushatën tonë, dërgoni një Chek (Pay to: VATRA- Memo-110 vjetori i Diellit) ose Money Order në adresën:
VATRA
2437 Southern BLVD
BRONX, NY 10458

 

Filed Under: Featured Tagged With: dhurues te Diellit, Frank shkreli, Pashko camaj

MUSINE KOKALARI- NE KUJTIM TE ZHAN DARKES SHQIPTARE

January 28, 2019 by dgreca

“Bermude të Gjirokastrës: “Musine, Ismail, Enver”/1 musine Kokalra

Nga Shpend Sollaku Noé./(retrospektive)/
Vështirë të gjendet një qytet tjetër kaq i vogël sa Gjirokastra që të ketë ndikuar aq shumë në historinë apo kulturën e një vendi. Dikush këtë e shpjegon me përpjekjet e qytetarëve të saj për të mbijetuar në një vend të tillë të izoluar, me pak banorë, më mundësira të kufizuara për zhvillim ekonomik, ku gjithçka ishte e kursyer përveç gurit, ku duhej kursyer parimisht dhe, veç të tjerave, larg prej qendrave të rëndësishme ku vendosej edhe fati i tyre. Dikush tjetër, sidomos të kaluarën e saj, e shpjegon si një ekzaltim të qëndresës ndaj të huajt të një fortese të fundit kufitare, politike apo kulturore. Ndonjë tjetër shkon edhe më tej, duke gjetur zgjidhjen e gjithçkaje gjirokastrite në ADN-në e banorëve të saj, me arësyetimin e thjeshtëzuar: lindin të tillë, për tʼju imponuar të tjerëve.

Pavarësisht nga reflektimet, faktet thonë që janë të shumta ngjarjet e ndodhura në Gjirokastër dhe personazhet e lindur në atë qytet që janë imponuar në rang kombëtar si në histori, ashtu edhe në kulturë apo shkenca.

Por unë këtu do të merrem vetëm me tre prej tyre, që të tre në vështrim të parë shumë larg njeri-tjetrit. Por që jetët dhe veprimtaritë e tyre i kanë patur të lidhura nëpërmjet shumë fillesh, diku të nëndheshme, diku tjetër mëse të dukshme: Enver Hoxha, Ismail Kadare dhe Musine Kokalari.

Për të parin është folur shumë, për tragjeditë e krijuara prej diktaturës së tij të përgjakshme, viteve të fundit edhe për veset e tij private. Personalisht më intereson pak nëse ai ishte apo jo i denjë për Gay Pride. Raste figurash historike që kanë qenë gay, të deklaruar ose jo, janë të shumtë. Është shkruar që edhe Michelangelo, Aleksandri i Madh apo edhe të tjerë të mëdhenj të kulturës apo të historisë deri në kohën e sotme kanë qenë homo apo biseksualë. Ky fakt, për studiuesit, është krejt i parëndësishëm për tʼi vlerësuar ata si të mbetur në histori apo kulturë e arte për veprën e tyre. Edhe Enveri ka për të mbetur përgjithmonë në historinë shqiptare. Nuk fshihen me një të rënë të lapsit pesëdhjetëvjetë nga jeta e një populli. Sa më shpejt të shihet realisht dhe me gjak të ftohtë kjo figurë makbethiane, aq më shpejt shqiptarët do të kthehen në qytetarë normalë, që gjykojnë, por nuk shajnë e mallkojnë. Por kjo nuk do të thotë të tolerohen manifestime nostalgjikësh me portretet e tij.

Nëpërmjet shumë fijesh figura e diktatorit tonë është lidhur qoftë më atë të Kadaresë, qoftë me atë të Musine Kokalarit. Lidhjet ndërmjet kësaj tresheje kanë qenë dhe mbeten kaq të rrezikshme për ne që pëpiqemi tʼi interpretojmë, saqë ndodhemi shpesh në gjendjen e një piloti mu në mes të Trekëndëshit të Bermudeve, duke rrezikuar seriozosht rënien në pikiatë apo zhdukjen pa lënë gjurmë. Aq shumë intriga në mes këtyre të treve, aq urrejtje, aq hakmarrje, aq kryeneçësi për tʼi rezistuar tiranit, aq egërsi për të errësuar tjetrin deri në eliminim.

Midis dy të parëve, Hoxhës dhe Kadaresë, më shumë se një raport dashuri-urrejtje, ka qenë një mbështetje e njëri-tjetrit, siç duhet të bëjnë dy gjirokastritë model; herë për konveniencë prej të të dyve, herë për nështrim total të të dytit ndaj të parit, herë për imponim me anë të frikës të të parit me të dytin; një kombinim i përsosur i kulaçit me kërbaçin, ose: më shumë kulaç sesa kërbaç. Nga ky fakt Kadareja ka qenë gjithmonë i ndier herë si më i përkëdheluri i regjimit, hërë më i kërcënuari, kur fama apo veprat e tij rrezikonin të tejkalonin ato të diktatorit. Sidoqoftë që të dy e shfrytëzonin njeri-tjetrin deri në palcë: Hoxha – Kadarenë për tʼu përjetësuar në letërsi, ndërsa shkrimtari për të patur liri veprimi në shkrimet e tij, liri deri në masën që nuk duhej të minonin autoritetin e diktatorit.

Tjetër gjë ka qenë raporti i Enverit me Musinenë. Njiheshin që në rini. Në një nga botimet e fundit për Musinenë, lihet të kuptohet që Hoxhët kishin kërkuar që të fejonin Musinenë me Enverin, gjë që paskërka qenë kundërshtuar nga Kokalarët. Kjo i paskërka dhënë shkas edhe ndjenjës së vazhdueshme hakmarrëse të Hoxhës në periudhën e mëpastajme. Ky detaj mund të ishte një gjetje e mirë për një telenovelë, por kundërshtohet me vendosmëri nga pasardhësit e vajzës Kokalari. Nuk mund të jetë e vërtetë, pasi Musineja ishte mjaft e vogël kur Enveri kish kohën e fejesës.

Xhelosia e diktatorit ndaj saj duhet parë së pari në prizmin politik.

Hoxhët dhe Kokalarët ishin farefis, dhe kjo nuk ka qenë ndonjëherë një sekret. Hoxha pra i ka pasë njohur mirë ata, por jo vetëm prej lidhjes fisnore. Gjirokastra ishte shumë e vogël. Intelektualët e saj numëroheshin me gishta. Ata banonin në një lagje. Ishin nga familjet më të vjetra të qytetit. Me vëllain e Musinesë, Hamitin, Enveri kish bërë shkollën që nga klasa e parë e deri në mbarimin e shkollës së mesme. Madje që të dyve u doli njëkohësisht bursa dhe njëkohësisht u nisën të studiojnë jashtë. Dy vëllezër të Musinësë kanë qenë profesorë të Enverit në liceun francez të Gjirokastrës. Enveri, për mënyrën e të sjellurit dhe për lidhjen e mëvonshme me komunistët, është parë, jo vetëm nga Kokalarët, por edhe vetë nga familja e tij, si një renegat dhe si i padenjë. Jo rastësisht diktatori ose e përmend pak, ose e injoron fare të atin në kujtimet e tij, duke marrë si përfaqësues të denjë të familjes xhaxhain, Hysenin. Inatet ndaj familjes së tij, por sidomos ndaj Kokalarëve, do të trasformoheshin shpejt në hakmarrje, veçanërisht ndaj Kokalarëve, që u kushtoi këtyre të fundit disa dënime me vdekje e mjaft vite internimi. Pa dyshim krijesa më e dhimbshme në kuadrin e kësaj hakmarrjeje të përbindshme ishte Musineja. Së pari, sepse ishte një intelektuale e fortë dhe e përgatitur; së dyti, dhe sidomos, si kundërtshtare politike. E reja Kokalari kish guxuar të themelonte një parti politike, atë Socialdemokrate, taman në kohën kur pluralizmi politik ishte sanksionuar si një herezi. Goditja u fundit e hakmarrjes së diktatorit ndaj saj mori shkas sidomos nga qëndrimi në gjyq i Musinesë. Kur të tjerë ishin dridhur në seancat penale të diktaturës, kishin kërkuar mëshirë, kishin qarë dhe ishin deklaruar të penduar, duke pranuar edhe dënimin me vdejke ndërsa thonin «rroftë partia», ajo kish qëndruar e pathyer, kish vazhduar tʼi sfidonte edhe para trupit gjykues, pa u lëkundur as edhe një grimë nga idealet e lirisë që mbronte prej kohësh. Këtë gjë Hoxha nuk kish për tʼia falur kurrë sa qe gjallë.

Musineja, nga ana e saj, e ka injoruar diktatorin pothuaj në të gjitha kujtimet e lëna me shkrim, përveç ndonje ironie të hollë, të cilës i nënkptohej qartë adresa.

Po Kadareja në çʼraport ka qenë me Musinenë? Në të gjitha veprat e tij me temë Gjirokastrën, ai është përpjekur vazhdimisht të errësojë apo të denigrojë gjithçka që ka të bëjë me Kokalarët apo kushërinjtë e miqtë e tyre. Tek «Kronikë në Gur», për shembull, dihet sesi e përshkruan Aqif Kashahun, nip i Kokalarëve. Po ashtu, sipas Kokalarëve, mendohet të jetë Musineja modeli i personazhes së vajzës së shkolluar që sʼbënte gjë tjetër veç dilte nëpër dritare.

Jashtë kontekstit të këtij romani, Enveri kish njohur Myfitin, vëllain e Aqif Kashahut, me të cilin kish qenë bashkëstudent. Enveri i ka pasë shprehur dëshirën Myfitit që ta martonte me njërën nga motrat e tij, por vëllai i Aqifit nuk kish pranuar. Shumë në Gjirokastër e komentojnë një përshkrim të tillë të Kashahut nga Kadareja, si një haraç të paguar diktatorit, ndaj atij mbiemri që dikur atë e kish «përçmuar». Kusuri është vetëm heshtje. Asnjë koment i Kadaresë, as edhe prej dy rreshtash, për librat e botuar nga Musineja, as edhe për faktin sesi ajo ka qenë si një zë i veçantë në enciklpedinë francese Larousse, në vitet 1945-1950.

I tillë ka qenë edhe qëndrimi i Musine Kokalarit ndaj Ismail Kadaresë, të paktën me shkrim, të paktën për aq sa kam mundur të lexoj prej kësaj autoreje: heshtje e plotë.

Deri tani kemi folur për mite: Miti i diktatorit që ende duhet zbërthyer siç duhet; miti i Kadaresë në të cilin ka meritë ai vetë por edhe diktatori që e lançoi: miti i Musinesë ku, në mënyrë paradoksale, edhe diktatori ka luajtur një rol të dorës së parë për ta bërë të pavdekshme, pikërisht duke e persekutuar.

Si paraqitet sot raporti në mes të këtyre tre miteve të Gjirokastrës?

Ai i diktatorit vazhdon të jetojë tek nostalgjikët. Dje ishte kryesori. Pas tij vinte sigurisht Kadareja. Musineja ishte fare e panjohur për turmat kombëtare.

Në një kohë të dytë ( vitet ʼ90) ndodhi parakalimi i Ismailit në dëm të Enverit. Ai ka patur edhe propozime që nuk i ka pranuar, për tʼu bërë president i Shqipërisë. Musineja, ndërkaq, sapo kish nisur të nxirrte kokën, si një manushaqe e brishtë, poshtë një shkëmbi, pas një dimri të zgjatur e të akullt.

Mitet vlejnë për turmat. Atyre nuk u intereson as të njohin në thellësi veprën dhe moralin e Enverit. As të lexojnë librat e Ismailit. As të thellohen e të njohin më tepër një vullkan të nënujshëm si Musineja. Turmat dijnë të bëjnë vetëm dy gjëra: ose të adhurojnë, ose të urrejnë. Është detyrë e studiuesve të vërtetë dhe, sidomos e shtetit, të ndajë mitin e tyre nga realieti.

Çʼqëndrim ka mbajtur shteti shqiptar ndaj këtyre tre miteve, të këqinj, të dyshimtë apo të kristaltë qofshin?

Rreth Enver Hoxhës janë bërë shumë botime, përgjithësisht denigruese, përgjithësisht nga privatët. Shteti shqiptar nuk e ka cilësuar kurrë ligjërisht apo formalisht atë si një diktator. Në Shqipëri janë lejuar manifestime të nostalgjikëve, gjë që nuk ndodh në Itali apo në Gjermani, ku janë ndaluar me ligj grumbullime që himnizojnë Musolinin apo Hitlerin. Kushtetuta shqiptare nuk shprehet qartë për këtë problem. Sikur të mos mjaftonin këto, ditët e fundit janë dekoruar edhe eksponentë të ish-diktaturës, diçka e palejueshme kjo për një qeveri që pretendon të jetë europeiste. Është rindërtuar prej kohësh shtëpia e djegur e Enverit, në lagjen Palorto, në trajtën e Muzeut Etnografik. Atje gjenden edhe pak objekte të familjes Hoxha, pa dicitura, si dhe një bust i anesë, nënës së Enverit, i mbuluar nga pluhuri, i fshehur në një kthinë, pas një dere të vjetër, me kurriz të kthyer hyrjes, që unë e hapa rastësisht, për të parë se ku të shpinte. Gjatë vizitës tonë të fundit në atë muze, kushërinjtë e Hoxhës që banojnë aty pranë na thanë, edhe pa i pyetur: Enverin këtu e kanë akoma frikë, dhe prej nesh trëmben!

Edhe shtëpisë së Kadaresë, në skaj të Sokakut të të Marrëve, i ka pasë rënë zjarri. Por me të shteti është duke u marrë seriozisht. Edhe pse në mënyrë të ngadalshme, nuk kanë munguar fondet dhe atje punohet për të ndërtuar një fortesë që do të jetë Muzeu Kadare. Brenda saj pashë një skuadër muratorësh, por edhe modifikime që prishnin traditën gjirokastrite. Nga këto lloj modifikimesh jashtë tradite të ndërtesave dhe rrugicave vuante në përgjithësi e gjithë zona historike e Gjirokastrës, për të mos përmendur ato të braktisurat në degradim.

Shtëpia ku lindi Musine Kokalari, ndërkaq, nuk ka parë as edhe një qindarkë ndihme nga shteti apo nga fondacionet e kamufluara «joshtetërore». Rekuperimi i saj ka qenë vetëm vepër e përkushtimit të mbesës së Musinesë, Arjeta, dhe të të shoqit Yzeir Ceka. Ata, me sforcimin e tyre, arritën sa ta sjellin atë Muze deri në fazën e fundit, atë të mbushjes me materialet e duhura, të kataloguara me kujdes që më parë. Por, mesa duket, zjarri në Gjrokastër do të vazhdojë të jetë protagonist. Një ditë të premte, më 21 nëntor 2014, rreth orës njëzetë të mbrëmjes, ai do të bënte shkrumb, në pak minuta, gjithçka që qe ndërtuar e rekuperuar në Muzeun Kokalari. Prej tij tani kanë mbetur vetëm ngrehinat e mureve. Një humbje e madhe kjo jo vetëm për Kokalarët, por edhe për të gjithë të interesuarit e tjerë. Ngushëllimi i vetëm është që janë shpëtuar të gjitha materialet arkivore. Vetëm me forcat e Arjetës dhe Yzeirit, ai Muze nuk mund të rindërtohet. Bashkia e Gjirokastrës vazhdon të jetë indiferente, Tirana gjithashtu. Për një vlerë të tillë kombëtare, të gjithë ne dashamirësit do të japim ndihmesën tonë. Por, sado që të bëjnë privatët, roli i shtetit shqiptar këtu është i pazëvendësueshëm. Në kthimin të prekshëm për të gjithë, të mitit të kristaltë, që shkon drejt superimit të Kadaresë e Hoxhës; Musine Kokalarit.

Filed Under: Featured Tagged With: Mermude te Gjirokastres, Musine Kokalari, Shpend Sollaku Noe'

Gëzuar ditlindjen e 83-të Shkrimtari ynë Ismail Kadare!

January 28, 2019 by dgreca

1 Kadare Fransua Holland

ISMAIL  KADARE  ( 28 JANAR 1936 28 JANAR 2019)/

NGA ASLLAN  BUSHATI

Sot është ditlindja e 83-të e Ismail Kadaresë, njerut të madh të letrave shqiptare, atdhetarit e europianistit të madh  të trojeve tona. Kurrë nuk kam  patur  guximin të shkruajtur  për këtë uragan të madh të botës shqiptare. Arsyesja është e thjeshtë se unë personalisht, nuk zotroj mjetet artistike të  të shkruarit  për njerëz të kalibrit të  tij.  E them këtë sepse duke shkruajtur për të  (me mjetet e mija të vakta artistike -fjalë,figura, fjali e shprehje)  më duket se në vend që të ndihmoj  në shkëlqimin e figurës së tij, mos bëj keq. Sido që të jetë, edhe nëse mendimet e mija nuk janë aq  të qëlluara, me ndiesitë shpirtërore që kam në zemër e në mendje   për Kadarenë tonë të madh, do të them dy-tre gjëra  në këtë ditlindje të 83-të.

Më kujtohet si tani një ngjarje e  vjeshtës  së  vitit 1989. Në Shqipërinë e asaj kohe, cdo gjë ishte  e zymtë , cdo gjë e vaktë, turbullirë shpirtërore e mendore, e  varfëri e tejskajshme. Fjalimet e Ramiz Alijës ishin llustra gënjeshtare e radhës pa asnjë efekt mbi jetën tonë. Një dite nga ato vjeshtoret  e  kësaj periudhe, u planifiku që në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë (SHQUP), të bëhej një takim nga  aparati i Ministrisë së Mbrojtjes  me Ismail Kadarenë. Me sa duket ishte zgjedhur një temë koti si: ” prania e E.Hoxhës në veprat e Kadaresë”. Unë pikërisht atë ditë u  ndodha me shërbim në postin e operativit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe nuk pata mundësi të marr pjesë në këtë takim. Por pas takimit pyeta disa kolegë se si shkoi takimi me Kadarenë? Disa heshtnin e disa ishin shumë të pa kënaqur, se Kadareja gjatë gjithë ligjëratës së tij kishte folur për vlerat kombëtare dhe rolin e sejcilit në shtimin e shumimin e këtyre vlerave. Kurse  pyetjes për praninë e E.Hoxhës në veprat e tij, Kadareja ishte përgjigjur shumë shkurt se:”..këto janë gjëra të ditura për të gjithë..”. Kjo shprehje, ato më të “ thekurit” e Enverit, i kishte nervozuar në kulm sa pa hezitim thonin “ky (Kadareja), është një borgjez i flliqur dhe habitemi se pse nuk e fusin  prapa hekurave në birucë”. Kur dëgjoja këto më vinte për të qeshur e për të qarë në të njejtën kohë. Disa ishin brenda virtualitetit idiot të komunizmit e disa në dilemë se cfarë po ndodh me ne si vend e si shoqëri. Mbaj mend që njeri më provokoi direkt duke më pyetur: “po ti cfarë mendon për Kadarenë ? I thashë shkurt se :”unë mendoj se ai është njeriu i madh i letrave shqiptare”. Dhe në vazhdim bashkbiseduesi më tha:”ik ore p…dhu me gjithë borgjezin  Kadarenë”.

Pas një viti në vjeshtën e 1990-tës , Kadareja u largu për në Francë dhe menjëherë doli në një intervistë në Zërin e Amerikës. Shqiegimi i tij për largimin nga Shqipëria ishte shterrues, por në  të njëjtën kohë edhe udhërrëfyes për ne që e donim atë. U gëzova me ato që dëgjova, por edhe u hidhërova se nuk e kishim më në Shqipëri. Më dukej vetja se me largimin e Kadaresë , kisha humbur mbrojtjen time intelektuale. Kurse thëniet e disa enveristave idiote  se:” hë more a u kishim thënë se Kadareja është tradhëtar” si kapërdija dot.

Koha eci e bëri të veten dhe në 1995-sën, kur po drejtoja ceremonialin e rivarrimit të eshtrave të të madhit Faik Konica  u takova me Kadarenë. Ishte rinuar nga pamja, dhe  e përshëndesnin me shumë mallë e respekt të gjithë të pranishmit në ceremonial.  Edhe unë e shoqërova që në hyrje e deri sa doli.  Para se të largohej bëra një foto me të  dhe më tha:”Më vjen mirë që e kemi organizuar kaq mirë ceremoninë e rivarrimit të Faik Konicës. Ne shqiptarët i jemi shumë borxhëli  këtij personaliteti të madh të letrave, diplomacisë e atdhetarisë”.

Duke  përfundur këto pak rreshta për Kadarenë tonë të madh, lutem që ai të ketë shëndet dhe jetë sa më të gjatë për vehte, familjen, dashamirët dhe Kombin tonë.

Gëzuar ditlindjen e 83-të i madhi Ismail Kadare.

 

Filed Under: Featured Tagged With: asllan Bushati, ditelindja, Ismail Kadare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT