• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2019

LEGALISTËT DHURUAN $1,600.00 PËR 110 VJETORIN E DIELLIT

February 12, 2019 by dgreca

– Aleksander NILAJ, Kryetar i Albanian American Open Hand Association dhuroi $200.00/

1 Legalistet16 aleksi po flet

Legalisti veteran Ndrec Gjergji, në një bisedë telefonike me Editorin e Diellit premtoi javën e shkuar se do të organizonte një fushatë me legalistët për t’i ardhur në ndihmë Gazetës DIELLI me rastin e 110 vjetorit. Legalistët janë treguar të gatshëm dhe sot, e Martë 12 Shkurt 2019, arriti në postën e Vatrës Cheku me 1,600.00 dollarë. Falenderime të përzemërta legalistëve, që i janë ndodhur pranë Vatrës dhe DIELLIT në kohë të vështira dhe kanë qenë bashkë edhe në festa e gëzime! Me uratën e vatranëve të vjetër të kohës së Nolit & Konicës, lagalistët meritojnë përhirimet e Vatrës.

Po kush janë dhuruesit?

1- Hakik Mena $200.00

2-Ahmet Hoti $300.00

3- Ndrec Gjergji $100.00

4-Zef Berisha $200.00

5-Sabri Dani $200.00

6- Sokol Kupi $200.00

7.Lulzim Kupi $200.00

8- Tomorr Selmani $100.00

9- Muharren HUdenishti(Xhydollari) $100.00

Shuma e përgjithshme:$ 1,500.00(Njëmijë e Gjashteqind Dollarë)

I falenderojmë legalistët dhe shpresojmë që shembulli i tyre të nxisë vatranët që të mbështesin fushatën e 110 vjetorit të Diellit, gazetës së tyre!!!

Po ditën e sotme arriti në postën e Vatrës edhe një Chek prej $200.00, dhuratë nga Aleksander NILAJ, Kryetar i Albanian American Open Hand Association. Faleminderit Aleksandër!

***

THIRRJE E EDITORIT

Vatranë; është radha juaj të tregoni bujarinë dhe frymën vatrane. Dielli ka 110 vjet që mbahet me dhurime të nxitura nga fryma vatrane dhe shpirti bujar i shqiptarëve të Amerikës.Le të vedosim të gjithë nga një gur në kështjellën e shqiptarizmës këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, Kështjellën me emrin e bukur VATRA & DIELLI. Secili kontribuon me aq sa mundet, por gur -gur bëhet kalaja. Kështu e kanë mbajtë Kështjellën e shqiptarizmës vatranët këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Drejtues dhe Kryesi të Degëve të Vatrës
Vihuni në krye të degëve dhe kontribuoni në këtë fushatë që synon të përballojë veprimtaritë kushtuar 110 vjetorit të DIELLIT dhe Konsolidimin në këtë shekull të dytë të gazetës tonë të dashur.
Ju të zgjedhur në strukturat e Vatrës, tregojeni me vepra se dini t’u prini fushatave të Vatrës. Është koha të kryeni obligimet tuaja!
Ju biznesmenë, që ju akrakterizon shpirti i patriotizmit, mbështetni gazetën, që ka regjistruar 110 vite jetë të Kombit tonë.

DHURONI! BUJARIA KA QENE DHE MBETET VIRTYT PER VATRANET E PERKUSHTUAR !

Dërgoni një Chek (Pay to: VATRA- Memo-110 vjetori i Diellit) ose Money Order në adresën:
VATRA
2437 Southern BLVD
BRONX, NY 10458

I falenderojmë dhuruesit e deritanishëm.

Filed Under: Featured Tagged With: Dhurime, Fushata e Diellit, Legalistet, Ndrec Gjergji

PARADOKSI : BASHKIMI ME SHQIPËRINË VJEN SI PATERICË PER NDARJEN E KOSOVËS!

February 12, 2019 by dgreca

Paris, 12 shkurt 2019/

Nga Klara BUDA-Shefe e Këshillit për Promovimin e Paqes mes Kosovës dhe Serbisë/

Në këtë moment preçiz, trumpetimi i bashkimit të Shqipërisë me Kosovën është një patericë e idesë së ndarjes së Kosovës dhe si rezultat është kundër interesit kombëtar shqiptar.

E kam shprehur edhe më herët pozicionin[1]tim në lidhje me bashkimin Kosovë – Shqipëri.

Së pari, Kosova është definuar si një shtet multietnik dhe jo shtet etnik shqiptar. Si rrjedhojë e këtij specificiteti në ndërtimin e parlamentit të saj, ky i fundit e ka të vështirë të marrë shumicën e votave për çështje të mbijetesës, e jo më të vendosë për bashkim e Kosovës me Shqipërinë.

Së dyti, bashkimi Kosovë-Shqipëri, një endërr e gjithë shqiptarëve që prej ndarjes së Kosovës nga trungu amtar, mund dhe do të duhet të realizohet vetëm kur të dy shtetet të jenë të pastruara nga krimi. Sot nën gangrenën e krimit, ato nuk janë funksionalë për të qeverisur problemet e brendëshme, e jo më të realizojnë bashkimin kombëtar.

Vërehet një hipokrizi dhe një manipulim i opinionit nga liderët shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë që mbrojnë idenë e bashkimit me Shqipërinë. Ata nuk e sqarojnë se si do të zgjidhet kjo aspiratë e tyre praktikisht në parlamentin aktual të Kosovës dhe anashkalojnë pasojat që do të sillte kjo : kërkesën e serbëve të Kosovës për krijimin e asociacionit të komunave serbe, që do të institucionalizonte një “republika serbska” brenda Kosovës dhe do të shërbente si justifikim për kërkesën e bashkimin të veriut të Kosovës më Serbinë.

Por kjo nuk është tema e këtij artikulli, ai rreket të tregojë se kërkimi i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë pikërisht në këtë moment para zgjidhjes së problemit të Kosovë me Sërbinë, shkon në favor të ndarjes së Kosovës dhe kundër interesit kombëtar shqiptar.

Nëse pranojmë se bashkimi nuk mund të bëhët për shkak se të dy shtetet janë thellësisht të kriminalizuara dhe se kushtetuta e Kosovës nuk e mundëson një gjë të tillë atëherë është e qartë se deklaratat për bashkim në këtë moment kanë qellime të tjera. Ato, përveç se janë bomba tymëse për nevoja momentale të spektrit politik në të dyja anët e kufirit, të artikuluara në këtë moment kanë kryesisht një arsye tjetër : të ndihmojnë në pranimin e idesë për ndarjen e Kosovës.

Sado paradoksale që kjo mund të duket ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, e hedhur paralelisht me korrigjimin e kufijve të Kosovës, i shërben pranimit të këtij të fundit nga opinioni publik dhe është kundër interesit kombëtar shqiptar dhe në shërbim të krijimi të Serbisë së madhe.

Cilat janë idetë që përpiqen të ndihmojnë në pranimin nga opinioni publik të idesë qendrore serbe për ndarjen e Kosovës?

I – Bashkimi i Preshevës me Kosovën[1].

Presheva, është një zonë të lënë në mëshirë të fatit prej pushtetit serb e nga ku shqiptarët janë larguar në atë masë sa që ka shumë pak fëmijë shqiptarë në një fshat për tu hapur klasa të shqipes, apo që të ketë një maternitet. Përpos kemi të bëjmë më një pjesë pa burime natyrore, të cilën Serbia e ka kokëçarje.

II – Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën

Nëse Veriu i Mitroviçës (Miniera e Trepçes dhe Liqenin i Ujmanit) do të bashkoheshin me Serbinë, Kosovës i hiqet pjesa më e madhe e burimeve të saj natyrore dhe si rezultat ajo nuk do të mund të mbijetonte ekonomikisht. Ndaj ndarja e veriut kalon me vështirësi tek opinioni publik. Atëhere hidhet karemi i bashkimit me Shqipërinë: vërtet aneksohet miniera e Trepçes dhe liqeni i Ujmanit, por bashkimi me Shqipërinë i jep Kosovës dalje në det dhe së bashku me Shqipërinë bëhet një vend që mund të mbijetojë!

Shtrohet pyetja, se pse pikërisht në këtë momënt, Serbia i ka harruar akuzat e saj të gjithëherëshme për Shqipërinë e madhe? Edhe ky fakt vjen e vërteton hipotezën se ideja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë është vetëm një patericë që i shërben idesë së ndarjes së Kosovës dhe aneksimit të veriut të saj të pasur nga Sërbia.

Si konkluzion bashkimi Kosovës me Shqipërinë në fakt nuk është ende një projekt serioz i liedershipit në Shqipëri e në Kosovë, por qartësisht vetëm një patericë e idesë për ndarjen e Kosovës e kurdisur në Beograd. Trumpetimi i tij në këtë moment i shërben ndarjes së Kosovën dhe krijimit të Sërbisë së madhe, të cilën askush në Ballkan e në Europë nuk e dëshëron.

[1]Nënvizojmë se nuk bëhët fjalë për gjithë zonën shqiptare ku përfshihet lugina e Preshevës, Medvegja dhe Bujanovçi dhe këtu është një kurth tjetër; pse jo e gjithë pjesa shqiptare e jugut të Sërbisë, po vetëm Presheva?

[1]shih Rrokum Tv, nentor 2017

Filed Under: Politike Tagged With: bashkimi me Shqiperine, Klara Buda, kosova, ndarja, Paradoksi

E PARA BIBLIOTEKAT DHE E FUNDIT BIBLIOTEKAT

February 12, 2019 by dgreca

Nga Xhevair Lleshi/

E para është Fjala. Shkruhet në Bibël. Po edhe ka qenë e para, sigurisht. Do të jetë patjetër edhe e fundit. E kur themi Fjala (e folur apo e shkruar, s’ka rëndësi) nënkuptojmë Biblioteka. Mund t’i duket dikujt edhe një çmenduri, por ama të mos harrojmë se gjërat mund të fillojnë kështu: me një çmenduri. Se dihet që brenda është pasioni dhe ky i uruar është vetëm i çmendur. Bibliotekat! Kudo. Në çdo qelizë. Kushdo që ka dëshirë ta bëjë për së mbari këtë vend, duhet ta fillojë e ta mbyll me bibliotekat. Si, si e harruam , ta themi troç dhe qartë, si harruam kohën kur çdo qelizë e jetës shoqërore, e botës së punës dhe e kohës së lirë kishte një bibliotekë. Aty edhe një postë kufitare dhe një anije peshkimi! Nuk ju vjen në mendje, po ja që po jua sjell unë. Mendoni paksa se të kujtuarit e gjërave kurrë nuk ju bën keq. E pra bibliotekat ndokush i ka lënë në prehër të harresës sepse brenda ishte ideologjia marksiste-leniniste, veprat e E. Hoxhës dhe të PPSH, por ama çdo fshat kishte vatër kulture, dhe ato në qendër kishin biblioteka. Po ashtu çdo ndërmarrje shtetërore (edhe në fund të botës të qe) kishte bibliotekë, po ashtu çdo repart ushtarak, çdo institucion, shkollë, burg, spital, anije, pika stërvitore, repart, qendër e rëndësishme (madje edhe e parëndësishme) etj., etj.,… pra edhe një qelizë Shqipërie kishte një bibliotekë dhe ne ishim një nga popujt që lexonim. Po, po, lexonim dhe ushqyem ëndrra të mëdha. Herë tjetër jo në tym e kam thënë numrin e saktë të bibliotekave. Sot jini apo s’jini në gjendje për të ditur numrin e saktë mjafton të kini para syve panoramën e gjerë të shtrirjes së tyre. Dhe nuk bëhet fjalë për nostalgji po thjesht për ta prurë atë realitet në kohën tonë.

Sidoqoftë, si nuk zuri mend kjo Koha e Re, me pretendime aq të mëdha e, njëkohësisht me aq dëngla e premtime të bujshme, si? Kjo kohë do të kishte e ç’nuk do të kishte, aty edhe çeqe të bardhë dhe… me siguri do të na përmbytninbibliotekat. Mirëpo ja, kaluan si pa u parë, gjithnjë nëpër këmbët tona, tridhjetë vjet (dhe nuk janë pak për këtë jetën tonë jo kozmike!) dhe Shqipëria e gjorë nuk ka biblioteka! As me ligj, as pa ligj. Dhe mos i vini re karagjozllëqet e filmuara për biblioteka nëpër lagjet e Tiranës! Ato janë vetë sarkazëm dhe aq, që t’i mbledh buzët dhe ti i përvesh nga zori. Dhe, ta mendosh: është tejet e vështirë ta mendosh Tiranën pa biblioteka! Se vetëm ajo ka 36 qytete shqiptare! Domethënë vetëm Tirana duhet të kishte 36 biblioteka, pa përfshirë bibliotekat e mëdha; kombëtare, shkencore, universitare, akademike, korpuset etj., se në të vërtetë as këto nuk ekzistojnë, duke lënë paksa mënjanë Bibliotekën Kombëtare, e cila nuk ble libra, por ama qahet e lënduar se s’ka ku të çojë librat e shkarrashkruesve shqiptarë.

Pa fjalë të tepërta miq! Është e tmerrshme t’u lësh brezave që vijnë këtë vend kaq të mjerë! Ne kemi gati 2000 shkolla të të gjitha kategorive, duke përfshirë edhe universitetet, kemi mbi 20 mijë biznese të mëdha, pastaj kemi plot institucione, ushtri, spitale, azile, polici, burgje e çfarëdo tjetër dhe kudo nuk kemi biblioteka! Dhe ndërkohë ishte dhe është kaq e thjeshtë sa të humb menjëherë edhe oreksi! Pa pikën e andrallave po me një optimizëm të paparë. Maksimumi Shqipëria jonë nuk do më shumë se tremijë biblioteka. Dhe të mendosh që ato janë të ndërtuara kryesisht në shkolla, për të funksionuar si biblioteka të shkollës dhe të komunitetit. Mbetet vetëm të pajisen me libra. Po ne çfarë, vetëm libra nuk paskemi? Jo, mo libra dhe shumë të mirë ka, por askush nuk i do bibliotekat, sepse pranohet që 40 milionë euro t’i hedhim për 2 km rrugë që sigurisht ekziston, është e ndërtuar (pra, për t’i ndarë me barkun e Shën Mërisë ato para!) dhe ja gjysma e këtyre parave do ta kishte mbushur Shqipërinë që nuk lexon më, përplot biblioteka dhe të ishin çelur kudo nëpër institucione bibliotekat e shkreta! O Zot! Një gjë e mundshme bëhet krejt e pamundur. Dhe mos pasja e tyre vjen nga kryeministra që shkruajnë vet libra, nga politikanë që i kanë mbushur raftet me libra tirazhi dhe jo libra që s’ka ku të shiten, sepse është e pamundur të shiten, në një vend që s’ka librari dhe në pastë ndonjë tek tuk ajo e mjerë nuk nxë dot as gazetat. Me ato pará që hidhen kot (Kot jo, xhanëm, se ato pará duket se janë mirë në xhepa se sa të bëhen libra!) mund t’i ndërrohej faqja vendit duke ngritur 36 biblioteka publike në Tiranë, duke i lejuar urat e Lanës të kthehen në librari të vërteta e të fuqishme që Tirana të mund të cilësohet kudo si kryeqyteti me librari të mëdha prej xhami në urat e një lumi të vogël. Të paktën tani që afron 100 vjetori duhet të arrihet ky projekt i bukur, i pakushtueshëm dhe mjaft qytetar. Po pse, pse, pse, pse, pse, pse nuk i japin, teksa nuk harxhojnë asnjë kacidhe?!

E di që mund të vërsulen dhe të nxjerrin nga goja lloj-lloj palavish, por unë kam këmbëngulur dhe këmbëngul: kthejeni sa më parë urën e madhe midis Taivanit dhe Sky-Tower në qendrën më të madhe të librit. Fillojeni prej këtej! Aty në një ditë venë e vijnë mbi njëqind e pesëdhjetë mijë kalimtarë dhe me probabilitet aty do të marrin kontakt me librin 10 për qind e tyre. Projektin e kam gati. Ejani o zotërinj ta bëjmë. Pse jo! S’ka kurrfarë shkaku për t’u penguar, përveç meskiniteteve. Ia vini emrin si të doni. Dhe ashtu, jo me budallallëk e me mendje për të zhvatur. Kini një mundësi të artë në duar. Tirana, (për shembull Tirana, pra!) nuk do të ketë 36 biblioteka publike që zumë ngoje, por aq biblioteka komuniteti sa shkolla të mesme e shkolla 9 vjeçare ka dhe ky është një numër i konsiderueshëm! Po kështu edhe në të gjithë vendin. Me të njëjtën logjikë. Biblioteka mbi det. Biblioteka mbi lumë. Biblioteka urë. Biblioteka anije. Biblioteka shkollë. Biblioteka repart ushtarak. Biblioteka institucion. Si biblioteka shëtitëse e Lezhës. Bëjeni këtë vend të vogël dhe pa shpenzime! Sepse 20 mijë kompanive të mëdha e të fuqishme, po t’u njihen shpenzimet e bëra për bibliotekat edhe pagesa për tatimet (jo thjesht shpenzime për t’i zbritur nga bilanci) do të fitonit një kredibilitet kulturor të paparë. Dhe sipërmarrja është një çast larg punës nga urdhri juaj i nderuar. Ju lutem mos i quani ëndrra këto! Mos i quani budallallëqe vetëm pse nuk ngrohen xhepat e iksit e të ipsilonit. Jo. Bëjeni Shqipërinë me kulturë të lartë, sepse thjesht do jetë në nderin tuaj!

Nesër do të thonë: vajtëm në Shqipëri dhe nuk gjetëm drogë dhe kriminelë, nuk gjetëm fabrika e kombinate të mëdhenj… por ama gjetëm biblioteka e librari, gjetëm shumë libra! Ejani po të doni, shkojmë bashkë dhe e shohim! Një vend ideal. Dhe një vend që lexon do bëhet se s’bën. Dija të bën. Dhe bibliotekat sigurisht do të mbeten një pasuri kombëtare, sepse të gjitha janë biblioteka të komunitetit… Atëherë do të themi: Po e meritonte kjo e mjerë të ngrihej lart vetëm nëpërmjet LIBRIT. Fjalës. E cila nuk është vetëm e para, po edhe e fundit. Dhe Fjala është Bibliotekë…

Tiranë, më 11. 02, 2019

Filed Under: ESSE Tagged With: E FUNDIT BIBLIOTEKAT, E PARA BIBLIOTEKAT DHE, Xhevair Lleshi

Kryeministri Haradinaj: Mbrojmë Kosovën e 17 Shkurtit

February 11, 2019 by dgreca

-Kreu i Qeverisë: Po i hapem kufijtë e Kosovës, ne i hapim varret e atyre që i kujtojmë sot, Ai që cenon këta kufij, është armik i Kosovës/

1 b Ramushi 1

-Kryeministri Haradinaj, foli edhe për vendosjen e taksës ndaj Serbisë duke e theksuar edhe njëherë se ajo do të qëndrojë deri në njohjen e Kosovës nga Serbia/

DEÇAN, 11 Shkurt 2019- Gazeta DIELLI/“Nëse ne i hapim kufijtë e kësaj Kosove, atëherë i hapim edhe varret e atyre për të cilët jemi ardh për t’i kujtuar sot, plagët dhe vuajtjet e tyre. Ai që cenon këta kufij, është armik i Kosovës”,  tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë fjalimit të tij të mbajtur para familjeve të dëshmorëve të Komunës së Deçanit.Me këtë rast, kryeministri Haradinaj,  pasi i ka përshëndetur të gjithë të pranishmit, tha se janë në javën e përvjetorit të Pavarësisë ku bëhen 11 vjet që Kosova u bë shtet sovran dhe i pavarur.

“ Kjo javë ka rastisur që të fillojë në Deçan, një rastësi e cila është me meritë. Pra Deçani dhe kjo trevë e Dukagjinit, vërtet janë me meritë për lirinë e atdheut tonë, pavarësinë”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se e drejta e shqiptarëve është studiuar e trajtuar nga shumë mendimtarë e njohës të zhvillimeve,  jo vetëm në Ballkan por edhe në botë.Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj tha se si populli më i vjetër në Ballkan, edhe historia e shqiptarëve është prej më të hershmëve  dhe se vërteta e tyre është prej më të parave në Ballkan, dhe kësisoj gjithë rrugëtimin e shqiptarëve deri këtu, sot askush nuk e konteston.

“Në luftën e ’98 e ’99 të UÇK-së me ndihmën e NATO-s të prirë nga Amerika, e për të cilën ne jemi mirënjohës ndaj tyre, u realizua një pjesë e të drejtës shqiptare e cila kishte mbetur peng me mijëra vjet përpjekjesh, e që ajo ishte Kosova”, theksoi kryeministri Haradinaj.Më tej, duke folur për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, kryeministri Haradinaj e bëri të qartë se 17 Shkurti i 2008-ës dhe flamuri i saj ishte një minimum kompromis i të drejtës së shqiptarëve dhe se duke qenë kështu, çdo shqiptar e  ka obligim ta mbrojë këtë Kosovë, Kosovën e 17 Shkurtit, mbrojtjen e së cilës siç tha ai, e obligon edhe Kushtetuta.Kryeministri Haradinaj, foli edhe për vendosjen e taksës ndaj Serbisë duke e theksuar edhe njëherë se ajo do të qëndrojë deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.Nga një fjalë rasti mbajtën edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe kryetari i OVL – UÇK-së dega në Deçan, Abdyl Mushkolaj. Ndërsa, në emër të familjeve të dëshmorëve, Antigona Dabiçaj, i ndau mirënjohje kryeministrit Ramush Haradinaj./b.j/

Filed Under: Histori Tagged With: Kosoven e 17 Shkurtit, Kryeministri Haradinaj, Mbrojme

Serbia ka territor ZERO TERRITOR të vetin në Kosovë

February 11, 2019 by dgreca

1-Mehdi_Hyseni

Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI/

           –Të mos ndiqet tradhtia e Esat Pashës,  duke ia falur Kosovën Veriore  ish-Serbisë së Madhe kolonialiste dhe gjenocidale, në emër të “normalizimit të marrëdhënieve” me Serbinë dhe në emër të ashtuquajturit “korrigjim i lehtë i kufijve të Kosovës me Serbinë, sepse ajo do të ishte tradhti ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Pavarësisht se çfarë do të jetë shpërblimi ndërkombëtar për faljen e Kosovës Veriore Serbisë, historia dhe populli shqiptar atë do ta gjykojnë si akt  tradhtir të rëndë dhe të pafalshme, ashtu sikurse Esat Pashë Toptanin dikur.

Ndaj, zgjohuni nga “egjra” e politikës mashtruese serbo-sllave,  sepse Kosovës  së Shqipërisë etnike nuk i duhen “diplomaci e hollë” dhe “diplomatë elastikë” sikurse  Esat Pashë Toptani (agjent i sulltanit, aleat dhe mik i ngushtë i serbëve dhe i malazezëve, të cilëve u fali territore shqiptare) i cili, para se t’ia dorëzonte Shkodrën Malit të Zi, më 23 prill 1913, “kishte vrarë  gjeneralin Hasan Riza Pasha, kryekomandantin  e forcave turke dhe shqiptare  vetëm pse kishte dalë në mbrojtjen e Shkdorës nga pushtimi i Malit të Zi.”

Prndaj,  nuk ekziston asnjë argument valid qoftë historik, gjeopolitik, diplomatik, apo juridik  i së drejtës së brendshme dhe asaj ndërkombëtare, që përfaqësuesit shtetërorë të Kosovës, të zhvillojnë kurrfarë bisedimesh  me palën serbe qoftë në Bruksel, në Vjenë, në Londër, në Berlin, në Nju-Jork apo në Uashington, sepse Kosova nuk është pjesë e territorit të Serbisë, por e Shqipërisë etnike.

Pse  ish-Serbia kolonialiste nuk e njeh shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës (17 shkurt 2008), kjo nuk do të thotë  se  ndonjë pjesë e saj është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë.

Pse  ndërmjetësuesit e BE-së së Dialogut të Brukselit (2011-2019) dhe aleatët e tyre po ushtrojnë trsyni, që  patjetër Kosova të vazhdojë atë Dialog të dështuar 9-vjeçar, kjo nuk nënkupton se ndonjë pjesë territoriale e Kosovës i përket Serbisë.

Pse Rusia me VETO-n e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së  ka “betnouar” statusin e Kosovës, kjo nuk do të thotë se Kosova është provincë e Serbisë.

Pse Rezoluta 1244 e KS-së së OKB-së nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, kjo nuk do të thotë se Kosova është krahinë e Serbisë.

Pse Kushtetuta e Republikës së Serbisë në fuqi (2006) Kosovën e ka sanksionuar si pjesë integrale të  territorit të saj, kjo nuk do të thotë se Kosova është “koloni e ligjshme” serbe.Pra, sa më sipër, as Qeveria e as Kuvendi i Kosovës nuk kanë të drejtë ligjore e as kushtetuese, që të  formojnë dhe të autorizojnë “grupe speciale” për t’i dërguar në “Dalogun tekniko-politik” në Bruksel) për të biseduar me palën serbe të Beogradit, sepse statusi politik i Kosovës së pavarur është mbyllur më 17 shkurt 2008.

 Nuk nevojitet “Platformë” për copëtimin e territorit Kosovës, POR për shkolonizimin e Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës nga Serbia kolonialiste (1878-2019)

Pra “diplomacia e hollë” e  Prishtinës dhe e Tiranës, duhet të angazhohen për mbajtjen e një konference ndërkombëtare, që Kosova dhe Shqipëria ta denoncojnë Serbinë për kolonializmin e  saj mbi  territoret shqiptare (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Novi Pazar). Në këtë kontekst, PLATFORMA STRATEGJIKE e boshtit Tiranë-Prishtinë, domosdo, duhet të përfshijë edhe çështjen e shkolonizimit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në Greqi.  Kjo Platformë, do të duhej bërë nga “asët” e politikës së Tiranës dhe të Prishtinës, jo të negociohet me Serbinë kolonialiste për revidimin e kufijve territorialë të Kosovës së Shqipërisë etnike, ashtu siç po dialogohet me palën serbe në Bruksel (2011-2019).

Sikur Serbia të mos kishte bërë agresion dhe gjenocid në Kosovë, me ç’rast masakroi dhe vrau mbi 12000 shqiptarë, shkretoi dhe e dogji Kosovën (1989-1999), domethënë para luftës, atëherë do të kishte pasur kuptim zhvillimi i dialogut paqësor mes Prishtinës dhe Beogradit për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës.

Mirëpo, sot, pas gjenocidit të kryer (1989-1999), kur Kosova me ndihmën e Amerikës u pavarësua nga Serbia kolonialiste, çdo dialog me Beogradin për statusin e Kosovës, është në kundërshtim flagrant me të drejtën historike të shqiptarëve mbi Kosovën; është  në shpërputhje me normat e parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe me dispozitat e Kartës së Kombeve të Bashkuara, sepse  Kosova si ish-koloni 100-vjeçare e Serbisë,  në ASNJË KUPTIM nuk është territor i Serbisë, por  historikisht, de fakto dhe de jure i përket  Shqipërisë etnike (shek. II – XXI).

Prandaj, nga e drejta e qeveritarëve të Kosovës, që të zhvillojnë dialog me Serbinë dhe me ndërmjetësuesit  e BE-së për kufijtë territorialë të Kosovës. Nga e drejta e Serbisë kolonialiste të kërkojë,  ose ndarjen, ose shkëmbimin, ose korrigjimin  ose ripërkufizimin gjeopolitik të territorit të Kosovës së Shqipërisë etnike?

Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës e as populli shqiptar i Kosovës, nuk duhet të pranojnë asnjë  nga opsionet e theksuara politike të “fabrikuara” nga  Beogradi dhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sepse Serbia nuk ka asnjë pëllëmbë hise të territorit të Kosovës, e cila 100 vjet më parë ishte vetëm plaçkë koloniale e Serbisë.

Prandaj,  as Hashim Thaçi dhe, asnjë lider tjetër politik shqiptar i Kosovës, apo i Shqipërisë së Edi Ramës nuk ka kurrfarë obligimi e as të drejteje, që të negociojë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për statusin e kufijve territorialë të Kosovës, ku Serbia ka vetëm ZERO SOVRANITET  në Kosovë dhe minoritetin e saj kolon serb, si dhe kishat e manastiret e tyre, të cilat janë të mbrojtura sipas Planit të Marti Ahtisarit dhe Kushtetutës në fuqi të Republikës së Kosovës (15 qershor 2008). Kjo është e tëra sa i përket Serbisë dhe serbëve në Kosovë.

Vazhdimi i Dialogut të Brukselit (2011-2019) nga ana e palës shqiptare të Kosovës, de fakto dhe de jure është legalizim, mbështetje dhe amnistim i politikës kolonialiste dhe hegjemoniste  të Serbisë së madhe mbi shqiptarët dhe mbi territoret e ankesuara dhe të kolonizuara të Shqipërisë etnike: Nishi, Prokupla, Vranja, Leskovci, Bllaca, Kurshumlia,  Presheva, Bujanoci, Medvegja , Novi Pazari etj., duke përfshirë edhe pjesën veriore të Republikës së pavarur të Kosovës, e cila, sipas paralajmërimit parashikues të “diplomacisë së hollë dhe elastike” të  “korrigjmit të lehtë të kufijve” të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që tani mund të llogaritet se “ është akaparuar” me Beogradin, kinse për ta “këmbyer” me Preshevën, pa Bujanocin dhe pa Medvegjën.

Filed Under: Analiza Tagged With: ne Kosove, Prof. Dr. Mehdi Hyseni, Serbia, zero teritor

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT