• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2019

NË LUDWIGSHAFEN-GJERMANI, PËRKUJTOHET PRESIDENTI RUGOVA

February 10, 2019 by dgreca

1 LDK GjermaniPamja nga salla: Nga e djathta: Xhevat Berisha, nënkryetar i Nëndegës/
 
NGA XHEVAT BERISHA & IDRIZ ZEQIRAJ
 
     Nëndega e LDK-në në Rheinland Pfalz, organizoi Akademi Përkujtimore, kushtuar Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, në Ludwigshafen, Gjermani. Bie në sy pjesëmarrja në rritje, nga viti në vit, e mërgimtarëve, në Akademitë për Presidentin Rugova. Shprehja nostalgjike: “Rugova na mungon”, – gjithnjë e më aktuale. 
 
     Moderatorja e shkathtë dhe simpatike, Labinote Syla, uron mirë se ardhjen të pranishmëve mergimtarë dhe mysafirëve nga Kosova, në Akademinë Përkujtimore, në përvjetorin e 13-të të shuarjes fizike të Presidentit Rugova. Të pranishmit nderojnë, me ngritje në këmbë, intonimin e Flamurit Dardan: “Kur ka ra kushtrimi n`Kosovë”.
  Nën përkujdesjen babë e djalë, përkatësisht, Alush dhe Getoar Zeqiraj, në ekran shpaloset Dokumentari, kushtuar jetës dhe veprës të Dr. Ibrahim Rugovës. Ishte një kronologji filmike shumë mbresëlënëse.
2 drejtuesitKryetari Fazli Hajdaraj dhe moderatorja Labinote Syla/
     Moderatorja Labinote, fton në skenë nikoqirin, kryetarin e Nëndegës të LDK-së, në Republikën e Rheinland Pfalzit, Fazli Hajdaraj, për një fjalë rasti, i cili përshëndeti Familjet e Dëshmorëve, të pranishme në sallën e Akademisë: Familjet Rugova, Çekaj, Hajdaraj dhe Zeqiraj. 
     Kryetari Hajdaraj, në emër të Organizatorit, përshëndeti mysafirët të ardhur enkas nga Kosova, Akademik Frashër Demajn, profesor në Universitetin e Prishtinës dhe Dr. Naser Rugovën, deputet dhe profesor në Universitet; Degën e LDK-së në Beneluks, me kryetar Bahtir Kastratin, Lidhjën e Krijuesëve Shqipëtarë në Mërgatë, të përfaqësuar nga Mentor Thaqi e Neki Lulaj; Kryesinë e Degës së LDK-së në Gjermani, Kryesitë e Nëndegëve të Landeve në Gjermani. 
     Veprimtarët e vjetër Florije Hysenaj, Xhafer Lecin, Zymer Lulaj, ish-deputet në Parlamentin e Kosovës, Mejdi Laçaj, Shege Selmanaj dhe Ramë Dreshaj, me shokë  shumë.
Shoqatat: ” Kadri Zeka” në Kirchheim-Teck, me kryetar Nderi Xhafer Lecin; ” Dardania ” në Wiesbaden, me kryetar Hajdar Nitaj më bashkëpuntorë; “Kosova” në Aschaffenburg, më profesor Niman Mulliqin;  “Dardania” në Pforzheim, me kryetar Xhevdet Nikçi; Lidhja Shqipëtare në Botë, dega në Gjermani, me kryetar Sebastian Nuiqi; “Salih Çekaj ” në Zvicër, e përfaqësuar nga Dinë Gashi e Saim Tahiraj; “Sali Çekaj ” në Gjermani, me kryetar Osman Ferizin; drejtuesin e Bibliotekës Popullore “Mark Krasniqi”, në Pilsting, Maxhun Smajlin; këshilltarin komunal në Mannheim, Tefik Ramadani, ish i burgosur politik; mësueset e Shkollës Shqipe, në Mannheim e Kaiserslautern, përkatësisht,  Ramadani e Krasniqi; “Dardania” në Mannheim, me kryetar Naser Hoxhën; “Djemtë e Skenderbeut”, të kryesuar nga Arben Zeqiraj; “Çamëria”, me kryetar Ismet Xhaka; Pleqnarin e mirënjohur të katër shteteve, Haxhi Rrahman Lajçin, mysafir nga Kosova, i kudondodhur në organizimet e ndryshme kombëtare.
    Veprimtarët veteranë e dominonin sallën e Akademisë Përkujtimore, madje, ata sfidojnë moshën dhe nuk llogarisin as rrugëtimet e gjata, për të qenë pjesë e veprimtarive të Mërgatës: Sebastian Nuiqi, Ragip Prapashtica, Rashid Nikçi, Ahmet Kolgeci, Sefer Zeqiraj, Haxhi Kurti, Rexhep Rexhepi, Ali Lutolli-Baca, Skënder Alimetaj, Feriz Lukaj, Sali Uka, Durak Ahmetaj, Bekë Dreshaj me shokë.
      Tradita vazhdon edhe tek brezi i mesëm, të cilët janë të shumtë në numër. Ndërkohë, ne përmendim vetëm disa syrësh, që janë të pa mungueshëm në aktivitetet e Mërgatës: Agim Aliçkaj, Cenë Berisha, Smajl Çekaj, Tahir Buçolli, Gani Blakaj, Demë Kelmendi, Mustaf Luli, Selami Morina, Tahir Zeqiraj, nga Zvicra, Xhafer Fetahaj, nga Brukseli dhe të tjerë.
     Bashkëluftëtarët dhe ushtarët e Heroit Sali Çekaj: Saim Tahiraj, Osman Ferizi, Zymer Lulaj, Isuf Qetaj, Florim Blakaj, Bujar Lajçi, tani, veprimtarë të LDK-së dhe të Shoqatave të zëshme.
     Si gjithmonë, edhe kësaj radhe po u mbetëm borxh botës femërore, duke i anashkaluar dhe harruar ato, edhe pse prania e tyre vërehet në organizimet e ndryshme, sidomos në datat e shënuara festive, por, nuk mungojnë as në përkujtime, siç ishte kjo Akademi.
3 shoq S Cekaj
 Haxhi Rrahman Lajçi, Xhafer Leci, Smajl Çekaj, Dinë Gashi-nga Shoqata “S.Çekaj”, në Zvicër /
Në fjalën e tij të rastit, kryetari Fazli Hajdaraj, përgëzoi Këshillin Organizativ të kësaj Akademie dhe anëtarët e Kryesisë të Nëndegës, si dhe anëtarët aktivistë të LDK-së në Landin e Rheinland Pfalzit.
     “Ndër shqiptarët shquhen tri përsonalitete: Gjergj Kastrioti Skenderbeu – luftarak, që luftoi Perandorinë Osmane dhe pengoi invadimin osman në Europë; Nëna Tereza – humaniste e madhe në botë, dhe Ibrahim Rugova – intelektual, në fushën e letrave, më vonë, edhe burrështetas e politikan, që udhëhoqi Lëvizjen për Pavarësi. Ky intelektual atdhetar i shqiptarëve, ishte dhe mbeti më i shquari, që nga epoka e Gjergj Kastriotit, duke bërë histori në kohë moderne.
     Ne, si dëshmitarë dhe veprimtarë, krenarë që i përkasim kohës së Rugovës, kemi obligim kombëtar e moral, ta ruajmë e kultivojmë veprën, filozofinë dhe trashëgiminë e begatë të Dr. Ibrahim Rugovës. Dhe, këtë që bëjmë sot për Atë, është gjëja më e vogël, në raport me veprën madhore kombëtare, të bërë nga Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova.
     Respekt dhe mirënjohje për të gjithë juve që jeni prezent në këtë Akademi Përkujtimore”,- tha, veç tjerash, kryeorganizatori, Fazli Hajdaraj.
     Folësi i radhës është nënkryetari i Nëndegës të LDK-së, në Rheinland Pfalz, Xhevat Berisha, i cili, në emër të Kryesisë së Nëndegës, mbajti referatin, për jetën dhe veprën e Presidentit Rugova. Ai, ndër të tjera, tha: “Të gjithë ata që menduan se Dr. Ibrahim Rugova iku pak para se ta bënte realitet ëndrrën e tij për pavarësi, u gabuan. U gabuan, sepse dita e fundit mbi dhe e Dr. Ibrahim Rugovës, ishte, de-fakto, ajo, pavarësia e vërtetë e Kosovës. 
     Në një kryeqytet ende të pa shënuar, në asnjë hartë të botës, si kryeqytet shteti, brenda një dite, zbritën nga fluturakët, mbi 40 burra shtetësh, nga vendet më të fuqishme të botës, për ta nderuar Presidentin Dr. I. Rugova. Në asnjë rrethanë tjetër, në asnjë vend tjetër të botës, apo, më mirë me thënë, në asnjë shtet të njohur ndërkombëtarisht, vdekja e një presidenti nuk është përcjellur, dhe nuk besoi kurrë se do të përcillet, me një ceremoni të tillë mortore.
     Ai na befasoi edhe ditën e fundit të Tij mbi tokë, dhe na dëshmoi se ç’fuqi kishte edhe i vdekur, për t’i dhënë Kosovës të gjitha elementet e shtetësisë të saj. Jeta e tij, vërtet, ishte e shkurtër, por ishtë e mbushur ma shumë me vepra, se sa me ditë të jetës së Tij. Pra, sado i madh që ishte pikëllimi ynë përballë asaj humbjeje, rrespekti dhe krenaria, për këtë Njeri, sa vjen e shtohet…
 
     Unë jam i bindur se emri i Dr. I. Rugovës, do të përfshihet në gjurmët e historisë së ndritur të kombit tonë, sepse ai vet ishte historia. Si duket edhe Zoti e pa si të padrejtë, që ta ndajë nga Burrat e Janarit, dhe e rradhiti në listë përkrah tyre, ku tani pushojnë, së bashku, në përjetësi. 
 
     Sot, në karrikën e Tij është i ulur një argat i shantazhuar, i cili përveç që po i valvitë flamujtë e Çubrilloviçëve, ai po e shpenzon edhe buxhetin e shtetit, duke bërë propagandë kundër Dr. I. Rugovës, përmes disa shkrimtarëve, të cilët shitën si lavire! Por, pavarësisht këtyre rrethanave, profili i Perlës kombtare, do të mbetët i pa ndryshuar, për deri sa bota të këtë njerëz, sepse Dr. Ibrahim Rugova, është një provë e pavdekësisë. 
Lavdi Presidentit Rugova, për veprën madhore që la pas, për brezat shqiptarë”, – pëmbylli fjalën e tij, nënkryetari Xhevat Berisha.
4 salla1
     -Pamje nga salla, në ballorën e mesit – Akademik Frashër Demaj dhe deputeti Naser Rugova/
Moderatorja Labinote Syla, fton në skenë Idriz Zeqiraj, për të evokuar kujtimet për shokun e klasës, Ibrahim Rugova. Veç tjerash, ai rrëfeu: “Emrin e nxënësit Ibrahim Rugova e dëgjova në valët e Radio-Prishtinës, ku lexoheshin hartimet edhe poezitë e tij, kur ai ishte në Shkollën 8-vjeçare.
      Bursa e akorduar, për shkollarin e zgjuar – Rugovë, nga gazeta “Rilindja”, me inrteresimin e redaktorit isniqas, Haki Hoxha, me shokë, për të vazhduar Shkollën Normale në Prishtinë, u ndërpre, me relacionin biografik të Familjes Rugova, dërguar Këshillit Krahinor të Kosovës, nga Byroja e partisë të komunës të Istogut.  
     Në Shkollën Normale në Istog, ishim shokë klase. Ishte nxënës i shkëlqyer në mësime, buzagaz, i dashur, i heshtur. Lexues i pasionuar, veç gjuhës amëtare, edhe në gjuhën serbokroate, ruse dhe frenge, të cilat i mësoi  mrekullisht mirë, përgjatë shkollimit së mesëm.
     Në një eskursion të bërë nëpër Jugosllavi, Ibrahimi huazoi kostumin nga asrsimtari i gjuhës shqipe, Izet Jakupi. Ndërsa nuk pranoi të mbathte këpucët, por, preferoi opingat e “Batës”, siç quheshin llastiqet e fabrikës “Bata”. Ndoshta ishte shenjë proteste figurative, për Kosovën e lënë në varfëri, nga pushtuesi serbo-sllavë.
     Në Gjimnazin e Pejës, ku përfshihej edhe Normalja e mësuesisë, Ibrahimi dhe Jusuf Gërvalla shquheshin, i pari për lexime në gjuhë të huaja, kurse i dyti, në artet e bukura.
     Edhe në Prishtinë, u shqua, madje, qysh në vitin e parë. Këshilli studentor e zgjodhi drejtues të shtypit të studentëve, oponencë e shtypit zyrtar të kohës. 
     Në vitin 1971 Ibrahim Rugova, së bashku me shokun e tij të studimeve, Rexhep Ismajlin, vizitojnë Shqipërinë, me ftesë të Institutit të Historisë dhe të Gjuhë Letërsisë Shqipe, si dhe nga gazeta “Studenti” e Universitetit të Tiranës.
    Kur djali i vetëm i Eqrem Çabejt, bëri vetëvrasje, ne, një grup studentësh, ikanak nga Kosova, vajtëm për ngushëllime. “Nuk jam babë i pa djalë. Kam djemë Ibrahim Rugovën dhe Rexhep Ismajlin me shokë”,- na tha profesor Çabej. Dhe, për habi, profesor Çabej, botimin e veprës së Tij shkencore dhe jetësore, ua besoi, pikërisht, Rexhep Ismajlit dhe Ibrahim Rugovës!
          Amaneti i pa thënë i Ukë Rugovës
     Në shkrimin e biografive dhe evokimin e kujtimeve, duhet përkujdesje e besnikëri. E vërteta duhet thënë pa lakime. Shtrembërimet, ndonjëherë, janë edhe të pa qëllimshme, për mungesë të informacionit. Për shëmbull: Së fundi, është thënë e shkruar se fëmiu Ibrahim Rugova është rritur ke dajtë; se ka filluar Shkollën fillore me vonesë, për shkak të varfërisë; se ka qenë shumë i varfër gjatë shkollimit dhe si student është detyruar të punojë mësues.
     Realisht, Ibrahim Rugova është rritur e shkolluar nën përkujdesjen e axhallarëve të tij, Shaban dhe Ali Rugova. Kunata Shahë, nusja e Ali Rugovës, më ka thënë se Nëna Sofë e Ibrahimit, më ka ndihmuar me i rritë fëmijtë e shumtë. 
      Fillimi dy vjet me vonesë i shkollës, nuk ka qenë varfëria. Por, gjyshja e Tij, nusja e Rrustë Rugovës, ka pasur pushtet në familje. “UDB-a i vret shqiptarët me shkollë”,- thoshte ajo. Sepse, Uka i saj, kishte qenë më i shkolluar në fshat dhe shteti e kishte vrarë. Në mini-bibliotekën e tij familjare, kishte edhe libra në gjuhë italiane e gjermane. Kur Rrustemi, djali i axhës Shaban, u bë 7 vjeç, filluan shkollimin së bashku, për 13 vjet radhazi, në një klasë. Thjeshtë, Ibrahimi, si djalë hasreti dhe jetim, bonjak, nuk duhej lënë asnjëherë vetëm, i pa shoqërim. Ky ishte edhe vendimi i gjyshës me djem.
     Ibrahim Rugova nuk ka qenë i varfër, në raport me shkollarët tjerë. Xhaxhai, Ali Rugova, ishte i arsimuar i lartë, i punësuar në komunë. Megjithatë, asnjëherë shteti nuk i dha pushtet, edhe pse kishte qenë pionier i luftës. Atë e ndoqi hija e babait Rrustë dhe vëllait Ukë, të ekzekutuar pa gjyq, në janarin e vitit 1945. Megjithatë, ai kishte rrogë mujore, plus vëllai Shaban që merrej me bujqësi e pak blegtori. 
      Përgjatë kohës që unë kam jetuar në Kosovë dhe duke qenë afër Familjes Rugova, dy xhaxhallarët e Tij, kanë pasur përkujdesje të veçantë për nipin Ibrahim. Dhe, mund ta sakrifikonin cilindo nga fëmijtë e tyre, për të mbijetuar Ibrahimi, si i vetmi kujtim, shenjë dhe – amanet i pa thënë -, i vëllait të tyre Ukë Rugova. Gjithëçka që mund të kenë thënë e bërë, xhxhallarët e Ibrahimit, në kohët furtunë, qëllimi ka qenë ndjenjësor e fisnik, për ruajtjen e qenjes fizike të nipit të hasretit, deshirit. Përndryshe, Çarshia mund të flasë pa doganë fare!
     Ibrahim Rugova nuk ka qenë as student i varfër. Vërtet, konvikti-barake, ku Ai me Teki Dervishin me shokë banonin, si brucoshë, ishte vjeturinë e skajshme. Ndërkohë që konviktet e reja, kishin standard evropian. Por, kjo nuk do të thotë se ai ishte i varfër. Ai filloi të bashkëpunonte  me “Flaka e Vëllazërimit” të Shkupit; revistat letrare e  gazeta “Bota e re” të Kosovës. Madje, Ibrahim Rugova ka qenë i vetmi student i kohës, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë, i cili, me aftësitë e tij krijuese, ka arritur ta këtë faqen e tij në javorën letrare “Fjala”. Duke qenë shtetërore, honorari paguhej mirë. Pastaj ka punuar edhe mësues në Obiliq, siç kanë bërë edhe studentë të tjerë.
          Ibrahim Rugova ideator i lirisë,paqës dhe pavarësisë së Kosovës/
1 Frasher Demaj
Akademik Frashër Demaj mbanë kumtesën në Akademi/
      Organizatorët e Akademisë Përkujtimore, ishin përkujdesur për përzgjedhjen e mysafirëve të ftuar. Akademik Frashër Demaj dhe deputeti Naser Rugova, kanë një mbështeteje solide edhe në Mërgatën shqiptare. Prania e tyre, në këtë përkujtesë domëthënëse, ishte admiruese dhe me paraqitjet tyre, qoftë në një takim paraprak me veprimtarët, qoftë në sallën e Akademisë, ishin mbresëlënëse.
     Prof. Dr. Frashër Demaj, një intelektual i kompletuar, i dashur dhe i rrespektuar, në Kosovë dhe Mërgatë, u prit me dashamirësi e durtrokitje. Kumtesa e tij, për ideatorin e lirisë, paqës dhe pavarësisë, ishte plotore, argumentuese. Por, ne po shkëpusim nga ajo copëza fragmetesh: “Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cërrcë të Istogut. Ai u lind rreth dy javë pas hyrjes së brigadave partizane të Malit të Zi – Brigadave Boka që nga populli quheshin Brigada e Zezë, për shkak të krimeve që ata kishin bërë mbi shqiptarët.

Më 10 Janar 1945 kur Ibrahim Rugova nuk ishte as gjashtë javësh, brigadat partizane e kishin arrestuar të atin Ukën (27 vjeç), dhe gjyshin Rrustën (67 vjeç) të cilët i kishin ekzekutuar pa asnjë proces gjyqësor.Kështu Ibrahimi u rrit jetim në Cerrcë të Istogut, nën përkujdesjen e nënë Sofës. Rugova mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë më 1967. Më pas vijoi studimet në letërsi në Universitetin e Prishtinës,  ku diplomoi më 1971. Ai qëndroi gjatë një viti akademik (1976-77) në Paris, (në Ecole Pratique des Hautes Etudes), nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku i thelloi studimet e veta në fushën e letërsisë.

Ibrahim Rugova doktoroi në Universitetin e Prishtinës, më 1984, në degën e letërsisë.

Dr. Rugova për afro dy dekada punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në degën e letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës shkencore “Gjurmime albanologjike”, që e botonte ky Institut.

Në vitin 1988 Dr. Rugova u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Angazhimet e tij në shkencë u kurorëzuan më 1996, kur ai u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe në të njëjtin vit u shpall “doktor honoris causa” i Universitetit të Paris VIII, në Paris. Ai botoi 10 vepra autoriale si dhe shumë artikuj shkencor e kumtesa në periodikë dhe revista të ndryshme shkencore në Kosovë dhe jashtë saj.

Rugova shquhej si një burrë i urtë, largpamës, fisnik dhe i traditës. Ishte i ndikuar nga idetë përparimtare e liridashëse të kohës. Dr. Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë, që e sfidoi drejtëpërdrejtë regjimin komunist të Serbisë dhe Jugosllavisë, në një kohë dramatike dhe shumë të vështirë për shqiptarët.

Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe me forcat e tjera politike dhe me Kuvendin e atëhershëm të KSAK, nxitën dhe miratuan Deklaratën e Kushtetuese të 2 korrikut 1990. Deklarata e 2 korrikut i parapriu akteve tjera shtet-formuese si: Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator 1990, Referendumit për Pavarësinë dhe Sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991 dhe Zgjedhjet e para Parlamentare dhe Presidenciale, në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992.

Në këto zgjedhje LDK-ja fitoi shumicën absolute të votave të shqiptarëve, kurse Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës, me një votim plebishitar. Ai u rizgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës, në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.

Pas përfundimit të luftës nën udhëheqjen e dr. Rugovës, LDK-ja në zgjedhjet lokale, në tetor të vitit 2000, fitoi 58% të votave të elektoratit kosovar.

Në lidershipin e Ibrahim Rugovës, LDK-ja fitoi shumicën e votave edhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. Dr. Rugova fitoi edhe zgjedhjet nacionale të vitit 2004.

Profesor Demaj tha se Presidenti Rugova duke qenë personalitet i rrallë dhe me vlera të veçanta mori edhe çmime dhe tituj ndërkombëtarë, duke i cituar me radhë.

Në këtë përvjetor të kalimit në amshim të presidentit Rugova dua të rikujtoj disa fjali të thëna nga vet ai, të bazuara në traditën, nacionalen, politiken dhe vizionin rugovian, për një shoqëri demokratike dhe me vlera nacionale.

“Mbrojtja e pragut të shtëpisë”, ishte bazament i traditës nacionale të shqiptarëve… që kërkonte Presidenti Rugova.

Kërkojmë që Kosova të jetë shtet i pavarur i integruar në bashkimin evropian dhe anëtar i NATO-s dhe në miqësi të përhershme me SHBA, thoshte presidenti, para rreth 26 vjetësh, kur askush nuk e imagjinonte dot. Sot vizioni rugovian po bëhet realitet.

Pavarësia e Kosovës është me të gjitha kuptimet zgjidhja më e mirë, që do të sjellë paqe e qetësi në të gjithë rajonin.

Kosova është një vend i vogël, thoshte presidenti, por ajo gjithashtu ka shumë pasuri, që janë dhënë për ne nga Perëndia.

Është rrezik kur cilido religjion fillon të bëhet politikë. Pra presidenti këshillonte që feja dhe politika të jenë të ndara dhe secila në natyrën e vet, pa pretendime, për të ndërhyrë në njëra tjetrën, meqë përzierja e religjionit në politikë, dëmton interesat kombëtare.

Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë.

Serbia nuk dëshiron ta njohë vendin tonë në mënyrë paqësore, prandaj ajo dëshiroi të na shkatërronte ne. Të gjitha përpjekjet tona, për të gjetur një zgjedhije paqësore, ishin të pamundura. Në mënyrë që ta shpëtojë popullin, NATO-s iu desh të ndërhyjë.

– Pushteti i mirë i dëgjon intelektualët e vërtetë, të cilët udhëhiqen nga ideja universale e progresit njerëzor. Kurse sot, pushteti i izolon, i anashkalon, i poshtëron, i fyen dhe i margjinalizon intelektualët.

Akademik Frashër Demaj tha se për vlerat humane, politike, diplomatike dhe akademike të Presidentit Rugova, kanë dhënë mendimet e tyre shumë figura të shquara botërore. Ilustrojmnë vetëm me ca syrësh:

Sali Berisha, ish- President dhe Kryeministër i Shqipërisë

Ibrahim Rugova, është prijësi dhe legjenda e qëndresës qytetare, misionar i madh i paqes, pavarësisë së Kosovës, mikut të madh, të çmuar të perëndimit në Ballkan. Doktor Ibrahim Rugova për 18 vjet udhëhoqi qëndresën legjendare të qytetarëve të Kosovës për liri, pavarësi, dinjitet. Ai u shndërrua në mishërimin e aspiratave, shpresave, idealeve më fisnike të qytetarëve të Kosovës, të cilat i mbrojti me një përkushtim të jashtëzakonshëm, me një qendresë epike, me sukses të madh.

Ismail Kadare, shkrimtar

Ibrahim Rugova, kryetar pa pallat e pa komb, luftëtar idesh, luftëtar i paqes, një burrë këmbëngulës dhe i vetmuar që e dërgoi popullin e vet drejt një të ardhmeje, që nuk do të jete veçse e mirë, na përkujton angazhimin tonë dhe premtimet tona. Pa të, pa këmbënguljen e tij, pa rezistencën e refuzimit të tij, nuk do të kishte sot as Kosovë as shpresë për lirinë. Ai ishte një erudit, i paparashikueshëm dhe fleksibël, njëkohësisht, njeri i dialogut, luftëtar këmbëngulës, shumë popullor, gjithnjë i sjellshëm, aq sa druajtja e tij, kultura e tij e thellë dhe maturia e bënin krenar.

Bob Doll, senator shumëvjeçar amerikan

Kur e kam takuar Ibrahim Rugovën për herë të parë, ai dukej si një zë i vetmuar, në betejë të vetmuar, duke bartur një shall që thoshte se do ta varte, vetëm kur ta sheh vendin e lirë. E shikoja duke ndjekur ëndrrën e popullit të vet nën kushte të jashtëzakonshme me urtësi dhe këmbëngulësi, dhe u bëra admirues dhe shok i tij. Çfarë kënaqësie ishte ta shoh më në fund në Prishtinë pa shallin e tij!

(Riçrad Hollbruk, diplomat i njohur amerikan)

Dr. Rugova ishte një njeri i madh dhe heroik, që personifikonte shpresat dhe aspiratat fisnike të popullit të Kosovës, për një shtetet sovran, të pavarur dhe të njohur nga komuniteti ndërkombëtar. Ka qenë privilegj për mua të punoja në aspektin profesional me Dr. Rugovën dhe ta konsideroja atë një nga miqtë e mi më të ngushtë, gjatë rreth dy dekadave, që kur u njoha me të. Përpjekja e madhe e Presidentit Rugova për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës, ka të njëjtat përmasa me fushatat e ngjashme paqësore dhe historike të Mahatma Gandit, Nelson Mandelës dhe Martin Luther Kingut.

Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova ndërroi jetë më 21 janar 2006. Ai kaloi në amshim, por vepra e tij politike e patriotike e fitoi pavdekësinë dhe do të skalitet në shekujt e historisë. Ai është personalitet rrallë i papërsëritshëm në historinë tonë. Sa më shumë kohë që kalon aq më shumë do të spikasin vlerat njerëzore, intelektuale, akademike dhe patriotike të njeriut që u lind dhe jetoi për paqen, lirinë, shtetin dhe demokracinë e Kosovës dhe të shqiptarëve”, – përmbylli fjalën e tij, Prof. Dr. Frashër Demaj.1 Abaz ImeriNga e majta: Abaz Imeri, Reshad Murati, Mentor Thaqi, Naser Rugova, Fazli Hajdaraj, Bahtir Kastrati/

     Deputeti i Parlamentit të Kosovës, njëherësh, profesor në Universitet, Naser Rugova, në emër të Familjes emblematike Rugova, përgëzoi organizatorët e kësaj Akademie dhe përshendeti e falenderoi për pjesëmarrje, të gjithë të pranishmit në sallën me dekor artistik dhe historik.
 
     “Ndjehem i nderuar, i privilegjuar dhe shumë i emocionuar, për ftesën e bërë, nga Nëndega strukturë e Degës të LDK-së të Heroit Sali Çekaj. (Dhe, emri i Sali Çekajt i përlotë mërgimtarët). Ju, mërgimtarë të rrespektuar, edhe pse larg, keni qenë gjithmonë pranë Atdheut në nevojë, qoftë përgjatë mbijetesës në paqen relative, qoftë në luftën për liri. Mirënjohja për ju, është obligim moral i shqiptarëve,  në trojet dardane dhe mëtej”, tha, veç tjerash, Dr. Naser Rugova
 
     Naser Rugova, i shkolluar dhe i edukuar pranë familjarit të tij, Ibrahim Rugova, ka mësuar dhe trashëguar shumë nga cilësitë dhe sjelljet e njeriut, ikonë e Kosovës. Modestinë, çiltërinë, qartësinë politike dhe përkushtimin për demokracinë, si vlerë supreme e një shoqërie të emancipuar, me synimin për t`u bërë pjesë e denjë e familjes evropiane.
 
     Akademinë Përkujtimore, kushtuar Presidentit Rugova, e përshëndetën edhe Bahtir Kastrati, kryetar i LDK-së në Beneluks; Abaz Imeri, ushtrues i detyrës së kryetarit të Degës të LDK-së në Gjermani; Osman Ferizi, në emër të Shoqatave, të pranishme në Akademi; Xhafet Leci, veprimtar veteran prej gjysëm shekulli, përshëndeti në emër të veprimtarëve të hershëm të Mërgatës shqiptare. 
 
     Pleqnari i mirënjohur i katër shteteve, Haxhi Rrahman Lajçi, i cili, veç përshëndetjes, dha edhe mesazhin e paqës, të harmonisë vëllazërore dhe të pajtimit ndërshqiptar, për ta ruajtur të pacënueshme hapësirën tokësore të Republikës së Kosovës. Sepse ky është edhe amaneti i dëshmorëve dhe i mijëra viktimave, të luftërave të përgjakshme ndër dekade e mote.
 
     Krijuesi dhe aktori i ndjeshëm dhe i zellshëm, Mentor Thaqi, vazhdon t´i emocionojë dhe mrekullojë mërgimtarët shqiptarë, në Gjermani dhe shtetet tjera të Evropës. Përveç deklamimit artistik të krijimeve të tij, si: balada, monologje dramatike, e tjera, ai krijon vargje e poezi për nxënësit e mërgatës, të cilat i recitojnë në organizimet festive, përkujtimore dhe të rasteve tjera.
Kësaj radhe, deklamoi monologun, për Dr. Rugovën, që vijon:

“Ah bre Bablok, po ngusht ishe kenë e nuk e kishim pas ditë,

n´njai an´ tuj t´gjua mas shpine,

e n´tjetren n´shpi tonë tuj t´a pi duhânin tinëz,

hë marrja i mloftë e dheu i vorrit i shploftë,

bre, Zoti paftë e pagoftë, po keq gjujshin gur e mshef dur´…!”

     Moderatorja e talentuar prishtinase, Labinote Syla, recitoi, me ndjenjë e mjeshtërisht, poezinë hymn të Fan Nolit: “Hymni i Flamurit”.

     Ndërsa mbesa e deputetit Hero Smajl Hajdaraj, Erza Hajdaraj, emocionoi të pranishmit, me poezinë e poetit Mentor Thaqi, kushtuar të rënëve dëshmorë të muajit janar, me titull “Kallnor Arbnor”:

“Po bre, po,

jam Maja e Hajlës e Ibrahim Rugovës,

e mbështjellun me shallin e tij

dhe shoken e bab´s në roje brezi,

Gryka e Rugovës e Smajl Hajdaraj

hapave të bab´s Arif Reku me zjerm ner dhambë,

Gjeravica dhe Maja e Strellcit e Tahir Zemaj

me nip e djalë mes dy krahësh e mes dy krenash!

Më thërrasin edhe Albert e Kosovë Podguri,

dy cepat e një Flamuri…”

     Kjo intermexo artistike e trinomit të sipërthënë, ngjalli emocione e dhembje krenare, tek të pranishmit në sallën e Akademisë Përkujtimore.

      Këngëtarët e muzikës popullore, Besnik Shuti dhe Florim Thaçi, kënduan për Presidentin Rugova dhe Heroin Sali Çekaj. Teksti, muzika dhe zëri kumbues i binomit, bukur të harmonizuar, për disa çaste, largoi ndjesinë mortore, duke ngushëlluar të pranishmit me dhimbjen krenare.

     Një mirënjohje dhe falenderim shkon për ekipin informativ artistik, si: Kameromanin i RTK-së, Ahmet Konjusha, fotografët e kudondodhur, në organizimet e Mërgatës, Rashid Murati dhe Gani Kryeziu, me regjistrimet filmike dhe fotografimet, si dhe kolegu i tyre, kameroman e gazetar profesionit, Halil Rrustemaj, i cili, mungoi, për arsye të përcjelljes të një aktiviteti tjetër, tashmë, janë bërë krijuesit e një arkivi viziv dhe artistik të Mërgatës shqiptare. Ne shërbehemi, madje gratis, me fotografitë e tyre, për ilustrimin e shkrimeve-reportazhe, në pasqyrimin e veprimtarive të Mërgatës.

     Dikur, në Koperativat socialiste, në Shqipërinë tonë, kuzhinat quheshin “shpirti i repartit”, sepse pas një pune normative e garuese të mundimshme, vetëm kuzhina, ishte shpresa shpëtuese. Familja Ramadani nga Ferizaj, me shefin e kuzhinës dhe të sallës, Nehat Ramadani, meriton çdo lavdatë, sepse, veç sjelljes dashamirëse, cilësisë të ushqimit, për Akademitë Përkujtimore, favorizojnë, madje ndjeshëm, koston ushqyese dhe shërbyese.

Me porosi të organizatorit, një falenderim publik të veçantë!

     Duke rrespektuar një traditë, jo vetëm të shqiptarëve, por, edhe të popujve evropjanë, në raste përkujtimesh mortore, shtrohet  drekë, natyrisht, me numër më të kufizuar. Por, Organizatorët kishin vendosur të shtrohet drekë, për të gjithë të pranishmit në Akademinë Përkujtimore.

    Kryesia e Nëndegës të LDK-së, në Rheinland Pfalz, e përbërë nga: Fazli Hajdaraj-kryetar, Xhevat Berisha e Riza Zeqiraj-nënkryetarë, Lush Cana- sekretar, Nexhmedin Syla-arkatar, Rashid Nikçi, Nezir Gjonbalaj, Ibrahim Rexhaj, Bujar Lajçi, Alush Zeqiraj, Sherif Haxhijaj, Shaban Nikçi, Fatmir Lajçi- anëtarë, tashmë, janë aktivistë të dëshmuar dhe veprojnë në kuadrin e Landit të tyre, si dhe bashkëpunojnë me Nëndegët simotra dhe Shoqatat numerike, brenda Gjermanisë dhe mëtej në Evropë.

     Për organizimet e kësaj natyre dhe të tjera, konsultohen dhe marrin vendimet përkatëse. Shpenzimet i përballojnë me forcat vetanake. Por, prijnë në shuma më të mëdha ata që kanë biznese. Edhe kësaj radhe, gjysmën e shpenzimeve i mbuluan treshja: Bujar Lajçi, Lush Cana dhe Fatmir Lajçi. Ndërsa për gjysmën tjetër, u përgjigjën, proporcionalisht, anëtarët e Kryesisë të Nëndegës.

     

Filed Under: Politike Tagged With: Idriz Beqiraj, Ludwigshafen, presidenti Ibrahim Rugova, Xhevat Berisha

MITROVICA – PORTA VERIORE E KOSOVËS

February 9, 2019 by dgreca

Historia e qytetit dhe e ngjarjeve të Mitrovicës/

1 Adil FetahuShkruan: Adil FETAHU/

Dardania (Kosova) ka dy porta kryesore që e lidhin me botën: Kaçanikun në Jug, dhe Mitrovicën në veri. Dhe nuk është çudi që, për t’i lidhur këto dy porta (hyrje-dalje) të Kosovës, Perandoria Osmane në vitin 1873-1878 e kishte ndërtuar hekurudhën Mitrovicë – Hani Elezit.

Mitrovica është një nga vendbanimet e hershme të Dardanisë shqiptare; gjatë historisë e pushtuar nga pushtues të ndryshëm: romakë, bizantinë (bullgarë e serbë), otoman, gjermanë. Megjithatë, gjatë tërë kohës e ka ruajtur karakterin etnik dominues nga popullsia shqiptare, sado që një kohë, gjatë pushtimit serb (në kohën e Nemanjiqëve) shumë shqiptarë u detyruan të kovertohen nga besimi katolik në atë ortodoks dhe të asimilohen në serbë.

Përveç rëndësisë strategjike, si portë hyrëse nga veriu për në rrafshin e Kosovës, Mitrovica shtrihet në një ambient të pasur me minerale të begatshme me metale të plumbit, zinkut, argjendit,arit dhe të tjera, të njohura prej kohës së neolitit. Në shekullin VI, Perandori Justiniani I e kishte ndërtuar kalanë e Zveçanit, ndërsa në afërsi të Minierës Staritërg gjendën mbeturinat e kalasë së quajtur – Qyteti, që besohet se është ndërtuar në shekullin XIII. Në nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve në rrethinën e Mitrovicës kanë punuar edhe Sasët e njohur për këto punë.

Mitrovica dhe gjithë Kosova e Maqedonia u pushtuan nga Serbia në vitin 1912, në Luftën Ballkanike. Gjatë Luftës së Dytë Botërore (1941-1945), Kosova që ishte e ndarë në tri zona pushtuese midis Italisë, Gjermanisë dhe Bullgarisë, Mitrovica me rrethinë ishte mbajtur zonë nën pushtimin gjerman, mu për shkak të pozitës strategjike  dhe pasurive minerale që dispononte.

Deri në vitin 1988,  komuna Mitrovicës kishte 336 km/katrore, më se 120.000 banorë, më se 77%  Shqiptarë, 10% Serbë, dhe të tjerët Boshnjakë, Romë, Turqë; me 46 fshatra, duke përfshirë  edhe Zveçanin, Zubinpotokun e Leposaviqin, të cilat më vonë u themeluan si komuna politike më vete, me përbërje të pastër etnike serbe.

Pas Luftës 1999, rajoni i Mitrovicës disi ishte lënë pasdore nga kujdesi i strukturave udhëheqëse shqiptare, ashtu që për shkak të afërsisë me Serbinë, atje ishin grumbulluar kriminelë serbë të ardhur nga Serbia, Bosnja e Kroacia. Më 4 shkurt 2000, në qytetin e Mitrovicës ndodhi “Nata e Bartolomeot”, kur bandat kriminale serbe sulmuan shqiptarët e pjesës veriore të qytetit, vranë 10 e plagosën 25 tjerë; burra, gra e fëmijë; i përzunë prej shtëpive e banesave 1564 familje, me 11364 anëtarë, duke bërë kështu spastrimin etnik të pjesës veriore të qytetit. Nën pretekstin e ruajtjes së qetësisë, forcat e KFOR-it (francez), u vendosën mu te Ura e Ibrit, duke ndarë komunikimin e qytetarëve dhe praktikisht e ndau qytetin, që edhe sot e kësaj dite qëndron ashtu i ndarë.

Në tollovitë që ndodhën më 17 mars 2004, kur u vranë 11 shqiptarë e 8 serbë, u dogjën a rrënuan ca shtëpi e kisha serbe, disa serbë nga pjesët qendrore të Kosovës ikën dhe shkuan u vendosën në pjesën veriore të Mitrovicës, në shtëpitë dhe banesat e shqiptarëve të përzënë prej andej. Kështu, në atë pjesë u koncentruan rreth 25000 serbë, më ekstremistë e kriminelë, në mesin e të ciëve ishin e janë edhe shumë ish-policë dhe ushtarë të forcave serbe. Atje, lulëzoi kontrabanda dhe krimi i organizuar, i ndihmuar nga strukturat e pushtetit të Serbisë. Vet kryetari aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një takim me punëtorët serbë të Trepçës iu dha mesazh kurajimi: “Sa të jetë Serbia, “Trepçën” askush nuk do t’ua grabis”!

Mitrovica dhe bisedimet Kosovë – Serbi

Bisedimet midis Kosovës e Serbisë, që filluan gjoja si  për zgjidhjen e problemeve “teknike”, me lëshimet dhe mungesën e dijes dhe përvojës së palës shqiptare, dalëngadalë “degjeneruan” dhe u shndërruan në negociata politike e statusore, me pretendime për ndarjen e Kosovës, sipas ambicjeve të Serbisë për të marrë pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës me rrethinë, dhe natyrisht komunat tjera serbe: Zveçan, Leposaviq e Zubinpotok, për t’ia bashkangjitur Serbisë, dhe me garancione shtesë për serbët që mbetën në Kosovë dhe eksterritorialitetin e kishave dhe manastireve ortodokse.

Në bisedimet e zhvilluara deri më tash, që janë nënshkruar afro 30 marrëveshje në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së, Serbia asnjë obligim prej atyre marrëveshjeve nuk e ka përmbushë, ndërsa tërë kohën  kakarisë, përse akoma nuk është realizuar Marrëveshja për formimin e Bashkësisë (së 10) komunave serbe, me të cilën synon të krijojë një pykë në Kosovë, sikur  ajo e ashtuquajtura Republika Serpska, në Bosnje, me qëllim të destabilizimit dhe pengimit të funksionimit të shtetit të Kosovës.  Angazhimet tjera të politikës së shtetit dhe dipomacisë së Serbisë, për ta izoluar e penguar Kosovën në marrëdhëniet ndërkombëtare, janë kapitull i veçantë i mospërmbushjes së obligimeve ndaj marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.

Pretendimet e Serbisë, në bisedimet me Kosovën nuk kanë të sosur,dhe janë një absurd sui generis. Serbia tërë kohën vërteton se kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, që nënkupton se Kosovën e konsideron pjesë të Serbisë, të cilën një ditë, në rrethana të favorshme ndërkombëtare, do ta kthejë nën sovranitetin e vet.  Nga ana tjetër, në bisedime kërkon pjesën veriore të Kosovës, bashkë me gjysmën e Mitrovicës. Atë pjesë e kërkon për shkaqe strategjike dhe ekonomike. Strategjike është për shkak të pozitës dhe lidhjeve të komunikacionit rrugor dhe hekurudhor me Serbinë. Lakmia ekonomike përqëndrohet në minierat dhe kapacitetet e “Trepçës” dhe të Liqenit të Ujmanit (“Gazivoda”), liqen ky që shtrihet nja 10-15% në territor të Serbisë, por pjesa tjetër është në territor (aktualisht) të Kosovës, dhe që është i ndërtuar nga Kosova, me investime e hua prej Bankës Botërore, për nevoja të Elektroekonomisë dhe të Bujqësisë së Kosovës (72000 ha tokë pjellore të Kosovës ujiten nga uji i atij liqeni).

Pala kosovare në bisedime, si gjithmonë shqiptarët që nuk kanë qenë unikë kur kanë pasur bisedime me ndërkombëtarët, dalin me qëndrime të ndryshme, me përfaqësime të ndryshme. Kryetari Hashim Thaçi flet për “korrigjim të kufijve”, “ndërrim të territoreve” e përralla tjera. Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës janë kundër ndryshimit të kufijve, sikur që për këtë deri më tash më kategorik ka qenë edhe Gjermania. Arsyetimet e Thaçit, që ta merr Luginën e Preshevës për Veriun e Kosovës, janë krejtësisht të pabaza, sepse Serbia nuk e jepë atë “korridor” përmes të cilit ka daljen në Selanik dhe Egje. Mund të jep disa fshatra pranë kufirit me Kosovën, por jo edhe ato që shtrihen pranë  ose mbatanë rrugës dhe hekurudhës që shkon për Selanik.

Kosova është e njohur në kufijtë që kishte sa ishte në kuadër të Jugosllavisë, dhe nuk duhet biseduar për ndryshim kufijsh.  Fundja, kufijtë e Kosovës janë çështje gjithkombëtare shqiptare dhe nuk janë vetëm çështje e Kosovës e aq më pak çështje e Hashim Thaçit. Sepse për kufijtë etnikë shqiptarë kanë luftuar të gjithë shqiptarët prej kohësh, e posaçërisht pas Lidhjes së Prizrenit.

Sido që të zhvillohen bisedimet, Mitrovica si qytet, me rrethinën e saj me fshatrat etnike shqiptare, me pasuritë e saj minerale të “Trepçës”, Staritërgun,  Ujmanin/Gazivoda,  apo çfarëdo pjese tjetër e Kosovës, nuk duhet të jenë fare temë bisedimesh as marrëveshje me Serbinë. “Kurrigjim kufiri” mund të bëhet  vetëm për disa fshatra serbe të komunës aktuale të Leposaviqit, të cilat në vitin 1959, me njëfar riorganizimi territorial të Serbisë, i janë dhënë Kosovës, për qëllime politike, në mënyrë që brenda Kosovës të ketë paksa më shumë serbë.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Adil Fetahu, e kosoves, MITROVICA – PORTA VERIORE

Po me nënën ç’keni

February 9, 2019 by dgreca

1-ilir

Nga Ilir Levonja/

Sot është dita e tretë dhe sigurisht ngjarja e Kavajës, aq ishte. Tri gota verë nga pas dhe iku. Asnjë protestë qytetare, asnjë tubim, asnjë qejfmbetje sociale. Madje tek-tuk kanë filluar me i fërku shpatullat atij që u bë ministër me mik. Nga ana tjetër i janë vërsulur të ëmës së vajzës me pretekstin se nuk e ruan e nuk di se çfarë po ndodh me vajzën e saj. Këtej i thonë së ëmës, se ç’nënë je ti që nuk di se çfarë po ndodh me tët bij, për kaq e aq muaj, nga ana tjetër na luten t’i kërkojmë ndjesë ministrit të brendshëm se nuk është si themi ne, por policia e ka bërë detyrën. Shikoni mendjet e cekëta, nënës i thonë ka kaq muaj ky avaz, kurse policia ndërhyri vetëm para tri ditëve. Pikë e zezë çfarë marrëzie. Po kështu t’i lutemi drejtorisë, t’i kërkojmë falje, edhe Elisës që gjestikulon Edi Ramën nga mëngjesi në darkë. Po kështu Kavajës që nxorri ca tipa që përzunë gazetarët se po u nxirrnin namin e keq. Dhe ajo që është më brutalja mendësia mbi fajin. Fajin e ke ti o Cane, ka qënë dikur një skeç i Fierit.Pyesni Luftar Pajën…, Can’ja prishu në fytyrë nga dëmi, ata hyr e ngjish, fajin e ke ti o Cane, ta kishe lidhur në litar. Dhe Can’ja që në fund ia ktheu, po mirë ai që e vodhi nuk kish faj fare? Dhe kjo marrëzia intelektuale a sociale post ngjarjes në Kavajë. Fajin e ka e ëma. E gjetëm vegjën, të na rroj partia dhe të plasi armiku u klasës. Nuk e ke fajin aspak ti, moj fisnike, për më tepër që e vetme mban hapur derën e shtëpisë. Nuk ke faj fare besomë… Je pjesë njerëzore e një degradimi social, vet burr, vet grua, vet zot e shkop. Dhe mos i dëgjo ata që vlojnë duke konsideruar gjindjen rreth teje, a ju si familje, si soj patriarkalësh. Nuk e kanë fare idenë se çfarë është patriarkalizmi, por përpiqen të jenë të modës duke ngjeshur e ngjeshur terme fjalën të mëdha. Sa për dijeni, kusha ka njohuritë më minimale di mirë se përdhunimi kurrë nuk ndodh në patriarkalizëm. Eshtë rregulli familjar ku i pari është gati Zot, kaq. Dhe natyrisht ka ato ngurtësimet e veta, por asesi të bëj me patriarkalizmin. Ti je pjesë e asaj përqindje të madhe grash, të cilat janë heroina, se mbajnë hapur shtëpinë. Burrat kanë marrë malet, po edhe djemtë. Këta janë heronjtë, se po mbajnë gjallë ekonominë e Shqipërisë. 99% e shqiptarëve i kanë ndërtuar shtëpitë tyre me paratë e Greqisë, Italisë, Gjermanisë, Amerikës e Kanadasë, jo me rrogat e praktikat e kredimit. Këto janë priviligje të kuvendarëve, selive të partive, a bizneseve informale, e kanalistave nëpër studio, shushunjave me një fjalë. Ndaj sot ti, e ke fajin. E ke fajin sepse akoma ata që hanë fara luledielli kanë privilegjin dhe moralin ta drejtojnë Shqipërinë tonë. Kurse ti e sëra jote, me paratë që dërgojnë burrat dhe djemtë, paguani tarifën e dritës, ujit, ilaçeve. Tarifën e spitalit, shkollave a universiteve. E atyre konvikteve nevojtore. Paguani haraçin e organikave makabre që fryhen nga militantët e partive. Shiko një dallim vrastar…, shoqëria e Kosovës e mori në mbrojtje vajzën e dëmtuar nga Drenasi, protestoj e doli me kërkesa të qarta. Falje kërkoi presidenti edhe pse ishte matanë oqeanit. Falje kryeministri, madje falënderoi edhe shtypin për investigimin dhe sensibilizimin. Kurse e jashtëqitja shqiptare as që denjoi, e solli si motiv për filmat e Hollywood-it. Ky i joni, vëllai i atij llapistit të internetit, nuk e prishi qetësinë. Ishte shumë i ngarkur me absurdin dhe abstraksionin. Dhe sot të janë vërsulur ty me pretekstin se nuk ke ditur të edukosh tët bijë. Pika edukata e tyre, janë një gjiriz që imitojnë fashionet e revistave rozë. Dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me shoqërinë dhe atdheun. Madje atdheu fillon tek pragu i shtëpisë së tyre, aty ku i presin pantoflat dhe komoditeti i siguruar me përqindjet e tenderave dhe pagat informale të katrahurës shqiptare. Ndaj edhe nga mbrëmë e sot të janë vërsulur ty, se ti e ke fajin. Nuk kanë faj policët investigues që hanë fara luledielli dhe janë pjesë atyre që gjuajnë mish të bardhë për treg, gjuajnë pluhur. Nuk kanë faj drejtorët institucionalë që janë të pa arsimuar dhe që nuk e njohin fare statutin e tyre. Le të shkojnë e të bëjnë një testim të shpejtë, plaça unë do gjeni një drejtor që të di detyrën, se çfarë i ngarkon dhe çfarë i kërkon ligji. Pastaj nuk kemi faj as ne si shoqëri, që në vend të marrim pankartat, e të dalim rrugës, bëhemi palë me jashtëqitjen kombëtare. Mbahu moj fisnike por ne kemi mbaruar, jemi fikur.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Po me nënën ç'keni

Jemi bere azilant ne token tone!!

February 9, 2019 by dgreca

1 skender_mulliqi-1

Nga Skender MULLIQI/

Kemi pritur që të zhvillohemi shumë më shpejt. Me të drejtë shumica kan menduar së Kosova do bëhët pa vonuar shumë një Zvicer në Ballkan.Kemi menduar së do të bëhëmi vend ku nuk do të ketë kaq  shumë diferenca të mëdha shoqërore. Ku nuk do të këtë varfëri , ku nuk do të ketë njerëz duke jetuar më keq së kafshet në këtë fillim shekull.Kemi menduar së pasi që të pavarësohemi nga Serbia do  te shtohet dashuria dhe respekti për njeri –tjetrin , së do të kemi solidaritet dhe unitet më shumë së kurrë më parë.Të gjitha këto dhe shumë ka tjeter po tretët si flluskë sapuni.Kemi mbetur vendi I vetëm I izoluar në Evropë, kemi mbetur mbrapa të gjithë fqinjëve tanë në proceset zhvillimore  dhe integruese .Madje ,jo vëtem që gjindemi në status- kuo por edhe kemi  procese retrograde.Kemi tendeca të kthimit të sistemit komunist të kompremetuar dhe dehumanizues.Për shumë kohë shqiptarët u sunduan nga regjimet fashizoide serbe të cilët u përpoqën më të gjitha forcat të na shlyejnë si popull nga faqja e dheut. Qëndruam stiokisht para të gjitha sfidave jo të vogla duke ruajtur identitetin kulturor , duke ruajtur gjuhën dhe qenjën tonë kombëtare.E mbijetuam edhe regjimin profashist të Sllobodan Milosheviqit.E fituam pavarësinë dhe lirinë pas 90 viteve të okupimit  nga Serbia.Pavarësinë e paguam më çmimin  shumë të shtrejtë.Më së shumti na ndodhën vrasje masovike duke mbrojtur vendin tonë , duke mbrojtur vlerat tona  historike  e kombëtare , duke mbrojtur tokat tona stërgjyshore.E gjithë kjo e patë çmimin e lartë .Pavarësia dhe liria ishte opcioni I vëtem për ta hequr qafe Serbinë hegjemoniste nga qafa, por jo edhe synimi përfundimtarë I shqiptarëve .Qëllimi I të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë dhe veprojnë është bashkimi I trojeve etnike, padrejtësisht të ndara nga fuqitë e mëdha të kohës më konferenca të ndryshme .Bashkë më miqët tanë ndërkombëtar nuk e lejuam formimin e Serbisë së Madhe .Statuset e tilla politike Kosovën direkt do ta dërgojshin në greminë, dhe në një jetë shumë të veshtirë për shqiptarët.Por, që pak kush e ka paramenduar së strukturat politike të pas luftës në pushtet  nuk do te punojne mire .Fenomenet si krimi I organizuar , korrupcioni , pa punësia e shkallës së lartë , privatizimi I egër e përfitues e kan lodhur shumë këtë popull ,duke e pru buzë greminës sociale .Jemi bërë azilant ne token  tonë  .Ndryshimet pozitive janë stopuar , nuk po punohet për mirëqenje dhe zhvillim.Po merren vendime jo t ë mira karshi të ardhmës tonë , po merren vendime të dëmshme politike të cilat po prekin edhe statusin politikë të vendit. Të gjitha këto po na ndodhin para syve tanë, e ne po sillemi shumë indiferent sikur kjo po ndodhë në ndonjë shtet tjetër . Kjo është e dhembshme , kjo është e pa falshme nga të gjithë ne , e posaqerisht nuk aryetohet gjithë kjo heshtje e intelektualëve të cilët janë vu në një kënd.Ka qenë çështje krejt tjetër viti 1999 dhe është krejt tjetër viti 2019.Kemi menduar së tash do të kemi një situatë shumë me të favorshme politike dhe ekonomike , së I kemi të gjitha predispozitat .Kosova e sotme është një dështim  se nuk I kemi punet mire .Kemi mbetur larg inkuadrimit në strukturat relevante të Evropës.Na kan lodhur akrobacionet politike të njerëzve të pushtetit krejt pas luften .Na kan lodhur llafamanit dhe premtimet boshe .Na ka lodhur propaganda e cila është bërë mbytëse.Dhe, natyrisht për të gjithë këto dështime fajtor jemi edhe të gjithë ne.Si shoqëri dhe si individ .Gjërat dhe dështimet tona nuk duhet tia faturojmë askujt …

Filed Under: Analiza Tagged With: Jemi bere azilant, ne token tone!!, Skender Mulliqi

2019-a do të duhej të jetë viti për një marrëveshje

February 9, 2019 by dgreca

2019-a do të duhej të jetë viti për një marrëveshje, 8 shkurt, 2019/

1 Amb_Scot_Kosnett

Editorial i përbashkët i ambasadorëve Scott dhe Kosnett/

Guximi dhe kreativiteti i udhëheqësve në Athinë dhe Shkup për ta zgjidhur mospajtimin që zgjati me dekada do të duhej ti frymëzonin të gjithë në rajon.  Si ambasadorë të SHBA-së në Beograd dhe në Prishtinë, jemi të bindur se udhëheqja politike e matur e vizionare mund të çojë te një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, marrëveshje që në thelb e ka njohjen e ndërsjellë.  Kjo e arritur do të vinte themelin për të ardhme më paqësore dhe më të begatshme për të gjithë popujt në këtë rajon.

Për këtë arsye sot bëjmë thirrje: është koha që Kosova ta pezullojë taksën, që Serbia të përgjigjet në mënyrë konstruktive, që të marrin fund provokimet nga të dy anët, që Beogradi dhe Prishtina ti kthehen dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe që të dy palët ta përqafojnë paqen guximshëm.  Nëse e bëni këtë, jemi optimistë se mund të arrini një marrëveshje historike për normalizim në 2019-ën.

E keni mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’ju ndihmuar që të keni sukses dhe të ndërtoni besimin e nevojshëm për ta ndërtuar dhe zbatuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse.  Para ca kohësh, Presidenti Trump iu shkroi udhëheqësve të Serbisë dhe Kosovës për ti nxitur të dy vendet për ta “shfrytëzuar këtë çast dhe për të treguar udhëheqje politike në marrjen e vendimeve që i marrin parasysh interesat e të dy vendeve”.  Presidenti Trump shtoi: “Do të ishte jashtëzakonisht për të ardhur keq nëse nuk shfrytëzohet kjo mundësi unike për paqe, siguri dhe rritje ekonomike”. Presidenti Trump ishte po aq i qartë edhe në fjalimin e tij gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara: udhëheqësit e përgjegjshëm e kanë për detyrë t’ju shërbejnë qytetarëve të tyre.

Ne besojmë se një marrëveshje është e mundshme dhe shpresojmë të festojmë bashkë me ju, ashtu siç e festojmë guximin e prijësve grekë dhe maqedonas.  Në fakt, Presidenti Trump tashmë i ka ftuar Presidentin Vuçiq dhe Presidentin Thaçi në Shtëpinë e Bardhë për të shënuar këtë të arritur sapo të ndodhë.  Shtetet e Bashkuara nuk e caktojnë dhe nuk do të caktojnë se si duhet të duket zgjidhja, por besojnë se duhet të jetë e zbatueshme në Kosovë dhe në Serbi dhe duhet ti kontribuojë stabilitetin afatgjatë të rajonit.  Iu takon prijësve dhe ekipeve të tyre për ti rifilluar bisedimet që udhëhiqen nga BE-ja për të hulumtuar çka është e mundshme dhe për të komunikuar në mënyrë të hapur me qytetarët e tyre – për të siguruar se negociatat pasqyrojnë vullnetin e popullit dhe për t’ju ndihmuar për të tejkaluar ankthin dhe dyshimin.

E kuptojmë se kjo nuk është e lehtë.  Nuk jemi të verbër përpara ngjarjeve historike dhe tensioneve të vazhdueshme që kanë sjellë te mosbesimi dhe keqkuptimi që e rëndojnë marrëdhënien.  Për këtë arsye, çfarëdo marrëveshje duhet të jetë e gjerë dhe e leverdishme për të anët, për t’ju dhënë të dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë hise në suksesin e saj.  Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara për të punuar me Serbinë dhe Kosovën për të siguruar që të dy anët në mënyrë efektive e ndërtojnë dhe e zbatojnë një marrëveshje jetëgjatë.  Hapat e kohëve të fundit të ndërmarrë si nga Beogradi, po ashtu edhe nga Prishtina që ngrenë tensionet duhet të ndalen nëse do të ketë ndonjë shpresë për të mundësuar paqe, mbarësi dhe drejtësi të përhershme në rajon.  Nëse të dy anët dështojnë për ta shfrytëzuar këtë mundësi, rrezikoni ta humbisni mundësinë më të mirë në një brez.

Status quo-ja ka shkaktuar ngecje të përparimit ekonomik dhe politik në të dy vendet, si dhe ka bërë që profesionistët dhe të rinjtë ta kërkojnë të ardhmen e tyre në vende më stabile me ekonomi më dinamike.  Në vend të tyre po zënë rrënjë krimi i organizuar, korrupsioni dhe elementet e tjerë ekstremistë duke kërcënuar sigurinë në rajon dhe në Evropë.

Asnjëri vend nuk përfiton nga obstruksionizmi dhe vonesat e vazhdueshme.  Qytetarët e Serbisë dhe Kosovës meritojnë të ardhme ku fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve të njohin paqen dhe mbarësinë e jo konfliktin dhe vështirësitë ekonomike.

Një marrëveshje kompromisi, e qëndrueshme dhe e zbatueshme, është në interes të të dy vendeve.  Stabiliteti dhe mbarësia afatgjatë e Kosovës dhe Serbisë varen në kthimin te dialogu i udhëhequr nga BE-ja dhe guximi për të tejkaluar të kaluarën dhe të për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët së bashku.  Nëse Serbia dhe Kosova janë të gatshme për tu nisur në këtë shtegtim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të qëndrojnë përkrah jush në çdo hap të rrugës.

Filed Under: Opinion Tagged With: 2019-ta, Editorial i përbashkët i ambasadorëve, Kosoves Serbi, Scott dhe Kosnett

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT