Më 10 Janar 1945 kur Ibrahim Rugova nuk ishte as gjashtë javësh, brigadat partizane e kishin arrestuar të atin Ukën (27 vjeç), dhe gjyshin Rrustën (67 vjeç) të cilët i kishin ekzekutuar pa asnjë proces gjyqësor.Kështu Ibrahimi u rrit jetim në Cerrcë të Istogut, nën përkujdesjen e nënë Sofës. Rugova mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë më 1967. Më pas vijoi studimet në letërsi në Universitetin e Prishtinës, ku diplomoi më 1971. Ai qëndroi gjatë një viti akademik (1976-77) në Paris, (në Ecole Pratique des Hautes Etudes), nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku i thelloi studimet e veta në fushën e letërsisë.
Ibrahim Rugova doktoroi në Universitetin e Prishtinës, më 1984, në degën e letërsisë.
Dr. Rugova për afro dy dekada punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në degën e letërsisë. Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës shkencore “Gjurmime albanologjike”, që e botonte ky Institut.
Në vitin 1988 Dr. Rugova u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Angazhimet e tij në shkencë u kurorëzuan më 1996, kur ai u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe në të njëjtin vit u shpall “doktor honoris causa” i Universitetit të Paris VIII, në Paris. Ai botoi 10 vepra autoriale si dhe shumë artikuj shkencor e kumtesa në periodikë dhe revista të ndryshme shkencore në Kosovë dhe jashtë saj.
Rugova shquhej si një burrë i urtë, largpamës, fisnik dhe i traditës. Ishte i ndikuar nga idetë përparimtare e liridashëse të kohës. Dr. Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë, që e sfidoi drejtëpërdrejtë regjimin komunist të Serbisë dhe Jugosllavisë, në një kohë dramatike dhe shumë të vështirë për shqiptarët.
Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe me forcat e tjera politike dhe me Kuvendin e atëhershëm të KSAK, nxitën dhe miratuan Deklaratën e Kushtetuese të 2 korrikut 1990. Deklarata e 2 korrikut i parapriu akteve tjera shtet-formuese si: Kushtetutës së Kaçanikut më 7 shtator 1990, Referendumit për Pavarësinë dhe Sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991 dhe Zgjedhjet e para Parlamentare dhe Presidenciale, në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992.
Në këto zgjedhje LDK-ja fitoi shumicën absolute të votave të shqiptarëve, kurse Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës, me një votim plebishitar. Ai u rizgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës, në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.
Pas përfundimit të luftës nën udhëheqjen e dr. Rugovës, LDK-ja në zgjedhjet lokale, në tetor të vitit 2000, fitoi 58% të votave të elektoratit kosovar.
Në lidershipin e Ibrahim Rugovës, LDK-ja fitoi shumicën e votave edhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. Dr. Rugova fitoi edhe zgjedhjet nacionale të vitit 2004.
Profesor Demaj tha se Presidenti Rugova duke qenë personalitet i rrallë dhe me vlera të veçanta mori edhe çmime dhe tituj ndërkombëtarë, duke i cituar me radhë.
Në këtë përvjetor të kalimit në amshim të presidentit Rugova dua të rikujtoj disa fjali të thëna nga vet ai, të bazuara në traditën, nacionalen, politiken dhe vizionin rugovian, për një shoqëri demokratike dhe me vlera nacionale.
“Mbrojtja e pragut të shtëpisë”, ishte bazament i traditës nacionale të shqiptarëve… që kërkonte Presidenti Rugova.
Kërkojmë që Kosova të jetë shtet i pavarur i integruar në bashkimin evropian dhe anëtar i NATO-s dhe në miqësi të përhershme me SHBA, thoshte presidenti, para rreth 26 vjetësh, kur askush nuk e imagjinonte dot. Sot vizioni rugovian po bëhet realitet.
Pavarësia e Kosovës është me të gjitha kuptimet zgjidhja më e mirë, që do të sjellë paqe e qetësi në të gjithë rajonin.
Kosova është një vend i vogël, thoshte presidenti, por ajo gjithashtu ka shumë pasuri, që janë dhënë për ne nga Perëndia.
Është rrezik kur cilido religjion fillon të bëhet politikë. Pra presidenti këshillonte që feja dhe politika të jenë të ndara dhe secila në natyrën e vet, pa pretendime, për të ndërhyrë në njëra tjetrën, meqë përzierja e religjionit në politikë, dëmton interesat kombëtare.
Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë.
Serbia nuk dëshiron ta njohë vendin tonë në mënyrë paqësore, prandaj ajo dëshiroi të na shkatërronte ne. Të gjitha përpjekjet tona, për të gjetur një zgjedhije paqësore, ishin të pamundura. Në mënyrë që ta shpëtojë popullin, NATO-s iu desh të ndërhyjë.
– Pushteti i mirë i dëgjon intelektualët e vërtetë, të cilët udhëhiqen nga ideja universale e progresit njerëzor. Kurse sot, pushteti i izolon, i anashkalon, i poshtëron, i fyen dhe i margjinalizon intelektualët.
Akademik Frashër Demaj tha se për vlerat humane, politike, diplomatike dhe akademike të Presidentit Rugova, kanë dhënë mendimet e tyre shumë figura të shquara botërore. Ilustrojmnë vetëm me ca syrësh:
Sali Berisha, ish- President dhe Kryeministër i Shqipërisë
Ibrahim Rugova, është prijësi dhe legjenda e qëndresës qytetare, misionar i madh i paqes, pavarësisë së Kosovës, mikut të madh, të çmuar të perëndimit në Ballkan. Doktor Ibrahim Rugova për 18 vjet udhëhoqi qëndresën legjendare të qytetarëve të Kosovës për liri, pavarësi, dinjitet. Ai u shndërrua në mishërimin e aspiratave, shpresave, idealeve më fisnike të qytetarëve të Kosovës, të cilat i mbrojti me një përkushtim të jashtëzakonshëm, me një qendresë epike, me sukses të madh.
Ismail Kadare, shkrimtar
Ibrahim Rugova, kryetar pa pallat e pa komb, luftëtar idesh, luftëtar i paqes, një burrë këmbëngulës dhe i vetmuar që e dërgoi popullin e vet drejt një të ardhmeje, që nuk do të jete veçse e mirë, na përkujton angazhimin tonë dhe premtimet tona. Pa të, pa këmbënguljen e tij, pa rezistencën e refuzimit të tij, nuk do të kishte sot as Kosovë as shpresë për lirinë. Ai ishte një erudit, i paparashikueshëm dhe fleksibël, njëkohësisht, njeri i dialogut, luftëtar këmbëngulës, shumë popullor, gjithnjë i sjellshëm, aq sa druajtja e tij, kultura e tij e thellë dhe maturia e bënin krenar.
Bob Doll, senator shumëvjeçar amerikan
Kur e kam takuar Ibrahim Rugovën për herë të parë, ai dukej si një zë i vetmuar, në betejë të vetmuar, duke bartur një shall që thoshte se do ta varte, vetëm kur ta sheh vendin e lirë. E shikoja duke ndjekur ëndrrën e popullit të vet nën kushte të jashtëzakonshme me urtësi dhe këmbëngulësi, dhe u bëra admirues dhe shok i tij. Çfarë kënaqësie ishte ta shoh më në fund në Prishtinë pa shallin e tij!
(Riçrad Hollbruk, diplomat i njohur amerikan)
Dr. Rugova ishte një njeri i madh dhe heroik, që personifikonte shpresat dhe aspiratat fisnike të popullit të Kosovës, për një shtetet sovran, të pavarur dhe të njohur nga komuniteti ndërkombëtar. Ka qenë privilegj për mua të punoja në aspektin profesional me Dr. Rugovën dhe ta konsideroja atë një nga miqtë e mi më të ngushtë, gjatë rreth dy dekadave, që kur u njoha me të. Përpjekja e madhe e Presidentit Rugova për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës, ka të njëjtat përmasa me fushatat e ngjashme paqësore dhe historike të Mahatma Gandit, Nelson Mandelës dhe Martin Luther Kingut.
Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova ndërroi jetë më 21 janar 2006. Ai kaloi në amshim, por vepra e tij politike e patriotike e fitoi pavdekësinë dhe do të skalitet në shekujt e historisë. Ai është personalitet rrallë i papërsëritshëm në historinë tonë. Sa më shumë kohë që kalon aq më shumë do të spikasin vlerat njerëzore, intelektuale, akademike dhe patriotike të njeriut që u lind dhe jetoi për paqen, lirinë, shtetin dhe demokracinë e Kosovës dhe të shqiptarëve”, – përmbylli fjalën e tij, Prof. Dr. Frashër Demaj.Nga e majta: Abaz Imeri, Reshad Murati, Mentor Thaqi, Naser Rugova, Fazli Hajdaraj, Bahtir Kastrati/
“Ah bre Bablok, po ngusht ishe kenë e nuk e kishim pas ditë,
n´njai an´ tuj t´gjua mas shpine,
e n´tjetren n´shpi tonë tuj t´a pi duhânin tinëz,
hë marrja i mloftë e dheu i vorrit i shploftë,
bre, Zoti paftë e pagoftë, po keq gjujshin gur e mshef dur´…!”
Moderatorja e talentuar prishtinase, Labinote Syla, recitoi, me ndjenjë e mjeshtërisht, poezinë hymn të Fan Nolit: “Hymni i Flamurit”.
Ndërsa mbesa e deputetit Hero Smajl Hajdaraj, Erza Hajdaraj, emocionoi të pranishmit, me poezinë e poetit Mentor Thaqi, kushtuar të rënëve dëshmorë të muajit janar, me titull “Kallnor Arbnor”:
“Po bre, po,
jam Maja e Hajlës e Ibrahim Rugovës,
e mbështjellun me shallin e tij
dhe shoken e bab´s në roje brezi,
Gryka e Rugovës e Smajl Hajdaraj
hapave të bab´s Arif Reku me zjerm ner dhambë,
Gjeravica dhe Maja e Strellcit e Tahir Zemaj
me nip e djalë mes dy krahësh e mes dy krenash!
Më thërrasin edhe Albert e Kosovë Podguri,
dy cepat e një Flamuri…”
Kjo intermexo artistike e trinomit të sipërthënë, ngjalli emocione e dhembje krenare, tek të pranishmit në sallën e Akademisë Përkujtimore.
Këngëtarët e muzikës popullore, Besnik Shuti dhe Florim Thaçi, kënduan për Presidentin Rugova dhe Heroin Sali Çekaj. Teksti, muzika dhe zëri kumbues i binomit, bukur të harmonizuar, për disa çaste, largoi ndjesinë mortore, duke ngushëlluar të pranishmit me dhimbjen krenare.
Një mirënjohje dhe falenderim shkon për ekipin informativ artistik, si: Kameromanin i RTK-së, Ahmet Konjusha, fotografët e kudondodhur, në organizimet e Mërgatës, Rashid Murati dhe Gani Kryeziu, me regjistrimet filmike dhe fotografimet, si dhe kolegu i tyre, kameroman e gazetar profesionit, Halil Rrustemaj, i cili, mungoi, për arsye të përcjelljes të një aktiviteti tjetër, tashmë, janë bërë krijuesit e një arkivi viziv dhe artistik të Mërgatës shqiptare. Ne shërbehemi, madje gratis, me fotografitë e tyre, për ilustrimin e shkrimeve-reportazhe, në pasqyrimin e veprimtarive të Mërgatës.
Dikur, në Koperativat socialiste, në Shqipërinë tonë, kuzhinat quheshin “shpirti i repartit”, sepse pas një pune normative e garuese të mundimshme, vetëm kuzhina, ishte shpresa shpëtuese. Familja Ramadani nga Ferizaj, me shefin e kuzhinës dhe të sallës, Nehat Ramadani, meriton çdo lavdatë, sepse, veç sjelljes dashamirëse, cilësisë të ushqimit, për Akademitë Përkujtimore, favorizojnë, madje ndjeshëm, koston ushqyese dhe shërbyese.
Me porosi të organizatorit, një falenderim publik të veçantë!
Duke rrespektuar një traditë, jo vetëm të shqiptarëve, por, edhe të popujve evropjanë, në raste përkujtimesh mortore, shtrohet drekë, natyrisht, me numër më të kufizuar. Por, Organizatorët kishin vendosur të shtrohet drekë, për të gjithë të pranishmit në Akademinë Përkujtimore.
Kryesia e Nëndegës të LDK-së, në Rheinland Pfalz, e përbërë nga: Fazli Hajdaraj-kryetar, Xhevat Berisha e Riza Zeqiraj-nënkryetarë, Lush Cana- sekretar, Nexhmedin Syla-arkatar, Rashid Nikçi, Nezir Gjonbalaj, Ibrahim Rexhaj, Bujar Lajçi, Alush Zeqiraj, Sherif Haxhijaj, Shaban Nikçi, Fatmir Lajçi- anëtarë, tashmë, janë aktivistë të dëshmuar dhe veprojnë në kuadrin e Landit të tyre, si dhe bashkëpunojnë me Nëndegët simotra dhe Shoqatat numerike, brenda Gjermanisë dhe mëtej në Evropë.
Për organizimet e kësaj natyre dhe të tjera, konsultohen dhe marrin vendimet përkatëse. Shpenzimet i përballojnë me forcat vetanake. Por, prijnë në shuma më të mëdha ata që kanë biznese. Edhe kësaj radhe, gjysmën e shpenzimeve i mbuluan treshja: Bujar Lajçi, Lush Cana dhe Fatmir Lajçi. Ndërsa për gjysmën tjetër, u përgjigjën, proporcionalisht, anëtarët e Kryesisë të Nëndegës.