• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2019

Ne VATER, nxenes te shkolles Children of the Eagel”

March 17, 2019 by dgreca

Ne VATER, nxenes te shkolles Children of the Eagle – Albanian American Dual Language & Culture AADLC

Te shtunen, një grup përfaqësuesish nxënësish nga Shkolla Shqipe”Children of the Eagel” ne Yonkers-NY vizituan VATREN

Sot, e Shtune 16 Mars 2019, nxenes te shkolles shqipe “Children of the Eagel” ne Yonkers ne drejtimin e mesueses Drita Gjongecaj vizituan VATREN.
Vizita u organizua ne kuader te 110 vjetorit te Gazetes DIELLI. Krahas editorit ishte edhe gazetarja Marjana Zeneli Bulku,anetare e Kryesise se VATRES, e cila ishte edhe inisatorja e kesaj vizite.E falenderojme mesuesen Drita Gjongecaj se bashku me femijet, qe e zbukuruan sot Vatren. Faleminderit Marjana!

Mesuesja e palodhur, Drita Gjongecaj, qe edhe ditet e pushimit e ve ne dispozicion te kultures dhe gjuhes kombetare, komentoi kroniken e shkurter te Diellit: Drita Gjongecaj Këta fëmijë përbëjnë vetëm një grup të vogël të fëmijëve të shkollës Children of Eagle. Sot në mësimin e pasdites, ata me krenari ndanë me shokët e shoqet ato që mësuan në Vatër rreth historisë së shqiptarëve të Amerikës dhe punës kolosale për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit tonë.
Falenderojmë gazeten”Dielli” dhe Federaten Panshqiptare et Amerikes”Vatra” për mikpritjen dhe për faktin që gjithmonë i mban hapur dyert për shqiptarët. Falenderim i vecantë për znj. Marjana Zeneli Bulku dhe z. Dalip Greca për mbështetjen e vazhdueshme që u japin shkollave shqipe.Children of the Eagle – Albanian American Dual Language&Culture AADLC

Filed Under: Featured Tagged With: Drita Gjongecaj

Arratisjet dhe mamuthët e pushtetit

March 17, 2019 by dgreca

Nuri Dragoj

Para vitit 1990, me Dritëroin nuk kam patur marërdhënie të afërta, por e kam takuar 3-4 herë, ndërsa më pas, edhe më shumë. Më kanë lenë mbresë të veçantë takimet e vitit 1989, kur sistemi socialist qe lëkundur, ndërsa ne vazhdonim të jetonim ende nën darën e diktaturës.  Ishte e hëna e katërt e muajit nëntor të atij viti. Kisha ardhur nga Berati, ku dhe punoja, me dëshirën për të takuar Dritëro Agollin. Pas botimit të romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, i cili qe bërë objekt diskutimi në fushën e letërsisë, por edhe më gjerë, Dritëroin e kisha idhull. Portretizimi i shokut Zylo ishte mjaft i këndshëm, pasi në mënyrë komike paraqitej një aparatçik i kënaqur nga vetja. Me mjeshtëri bëhej analizë e hollë dhe djallëzore e hipokrizisë së pushtetit burokratik, ku shoku Zylo, personazhi kryesor, me humor dhe mirësjellje ushtronte presing, si të thuash një farë dhune ndaj njerëzve. Dhe besonte që këtë e bënte në emër të lumturisë, të begatisë së njerëzimit. Madje, në ato vite, në kooperativa e ndërmarrje, jo rrallë herë ironizoheshin zyrtarë të ndryshëm me fjalët: “Je bërë si shoku Zylo i Dritëro Agollit”. Sepse Zylua ishte fjalëmadh e punë pak, hipokrit e ndjellakeq. Ndonëse në vetvete besonte që ishte i ndershëm, qe njëkohësisht një copë injoranti i pandreqshëm. Duke i venë përkrah Demkën, një shkrimtar mediokër e sevil, Agolli dukej sikur kishte krijuar një farë paralelizmi me Don Kishotin e Sanço Pançën e Servantesit. Libri qe kritikuar edhe nga Mehmet Shehu, i cili pati thënë se “ironizon zyrtarët”. Por tashmë ato qenë harruar. Zylua atë vit ishte botuar edhe në Francë.

Por nuk qe e lehtë të rrije me Dritëroin, pasi ishte i ngarkuar me punë dhe kërkonin shumë njerëz. Për këtë arsye kërkova ndihmën e Xhevahir Spahiut. I shkova në zyrë dhe e ftova për kafe.

-Nga Përmeti dhe më fton për kafe? Pikë e zezë! Çudi! Kësaj i thonë të kesh curufiasur! Qenke bërë për jazëk! – thoshte ai, në dukje tërë seriozitet.

-Kam dy litra raki me vete, ia ktheva, por dëshiroj të marrësh dhe Dritëro Agollin.

-Po atë thua, ç’më vjen vërdallë? – Biej drejt, se pret më shkurt, – themi ne andej. Dhe shtoi: – Po tjetër kë do të marrim?

– Kë të duash, por unë mendoj vetëm Dritëroin.               

– Jo, jo, – tha krejt papritur Xhevo. Bëj shaka. Nuk kam kohë. Ashtu kam ca punë. Pastaj, nuk gjendet kollaj Dritëroi. Nuk është si puna ime.

Mbeta si i ngrirë. Nuk kisha afinitet me të, veç një përshëndetje. Qemë takuar rrallë. E dinte që unë botoja ndonjë shkrim në gazetat e kohës, dinim dhe që fshatrat tanë i ndante mali i Qarrishëts. Vetëm kaq. Për ta venë në sedër, i recitova disa vargje nga poezia me titull: “Bota ku eci“. Jam rrahje nga mijëra rrahjet e një zemre/ nga mëngjesi në mbrëmje/ nga e hëna te e diela/ nga janari në dhjetor/ eci, eci, eci/… me kumtin e këngës/ ditën bir i diellit/ natën bir i hënës. Pas saj dhe poezinë për fshatin e tij, Malindin: … Fshati im i vogël sa një pikë gjaku,. / Fshati im i madh. / Afër edhe larg…

-Ma mblodhe, – tha Xhevo. -Tani nuk kam nga t’ia mbaj. Nga dheu do ta nxjerr Dritëroin e do të ulemi. Dhe më përqafoi.

-Merre motoçikletën dhe bjere këtu, te këmbët e mia! – më tha në formë urdhëri. Ashtu bëra. Hipi pas meje dhe shkoi në disa zyra. Unë prisja në rrugë. Një çerek ore më pas, ai po vinte me vështrimin para. Dukej sikur shihte përherë tej në horizont.

-E gjeta! – tha krejt papritur, me shikimin mbërthyer diku mbi Dajt. – Do të vij. Ik e na prit te Drini. Dhe vështronte sa andej këndej, por vetëm nga unë jo.

Dritëroin e adhuroja si poet e si njeri. Ishte sa i thjeshtë dhe autoritar. Me flokë të gjatë, krehur sipër, paksa hapur në të dy anët, me ballin e lartë e të gjerë, rrahur nga erërat e forta të Devollit, të malit të Gjerë në Gjirokastër e deri në Leningrad, kishte ardhur në botën poetike shqiptare me një zë ndryshe. Ai bënte përjashtim nga kori i fanatikëve entuziaztë, që tentonin të na bindnin për lumturinë e njeriut të ri në epokën e deliriumit. Shpesh herë i shmangej konturit të gjuhës dhe krijonte një farë gjuhe të vetën. Dritëroi nuk e shihte poezinë të lidhur me personin që e kishte shkruar, por me vlerat. Ngazëllehej kur lexonte poezi të arrira. Për të gjitha këto, edhe një nipit tim, i vumë emrin e poetit të kombit. “Le të bëhet si Dritëroi”, – u thashë prindërve të vet.

Po vinin. Agolli mu duk me trup më të madh nga sa ishte, me sy të mëdhenj e flokë të gjatë, me pamjen e shkencëtarëve që kishim parë në filma, apo lexuar në libra. Kishte mbi supe dyzet vite udhëtim poetik, njëzetedyvjet gazetar e shkrimtar, fare pak për shpirtin të tij poetik, që synonte  majat e botës së poezisë shqipe. Poetëve të tillë nuk do t’u mjaftonte as përjetësia për të derdhur në letër hovet e trazuara të shpirtit.

U takuam dhe shkuam në cep të sallës së restorant Drinit.

-Hë, ç’na thua ti përmetar? – pyeti Dritëroi. Dhe pa pritur përgjigje, shtoi: Ç’thotë Përmeti? Ka një thënie të vjetër për atë qytet: O Përmet, o xhenet, bukë pak e ujë e det. Tani besoj ka ndryshuar.

-Po, – tha Xhevahiri, tani ka ndryshuar. I thonë: raki plot e ujë det!

-Përmeti ka shumë histori, por i mjaftojnë frashërllinjtë, – thashë unë.

-Ashtu më të lumtë! – tha Xhevo. Pastaj e mori fjalën Dritëroi.

– Rrethi juaj ka shumë njerëz të shquar. Natyrisht, Abdyli, Naimi e Samiu, janë maja që nuk arrihen, por edhe teqja e Baba Alushit mbetet një tempull gjigant atdhetarizmi. Pa kini dhe figura të tjera si Mithat Frashëri, paçka se mbajti anën e nacionalistëve. Odhise Paskali ka dhënë kontribut të çmuar në zhvillimin e artit, Nonda Bulka penë e rrallë, Androkli Kostallari… Janë shumë.

-Naimi është profet i bektashizmit, na dhuroi gjuhën e embël shqipe, ndaj është i pavdekshëm, tha Xhevo.

-Është më shumë se kaq, – ia ktheu Dritëroi. – Ai ka qenë edhe diplomat, njeri që dinte të përshtatej me regjimin dhe kohën. Dinte kur duhej ngritur zëri dhe kur duhej heshtur. Për shumë kohë ka qenë censurent. Kishte për detyrë të shihte cili libër duhej të botohej dhe cili jo, në një kohë që vazhdonte të botonte veprat e tij në gjuhën shqipe. I botonte në Rumani, në Hungari e gjetkë. Mos përballja e tij me sulltanin nuk është përunjësi, por mençuri, në të kundërt nuk do të kishim në duar këtë pasuri të çmuar që ai na ka lënë. Po ta lemë këtë bisedë, se aq do Xhevua, fillon me Naimin e s’pushon më.

Duke trokitur gotat, Xhevahiri tha: – Dritëro, unë nuk do të vija. S’kisha nge të të gjeja ty, kushedi nga ishe! Po ma mblodhi qeratai. Recitoi vargje të miat dhe u dorëzova. “Do ta gjej shefin, – i thashë, – nga dheu do ta nxjerr”.

-Ndaj janë të ndryshëm njerëzit, – tha Dritëroi duke qeshur, – unë erdha pa më recituar.

Dhe unë nisa të thosha vargje nga poema e famshme “Nënë Shqipëri”. Më lerë të bie në prehrin tënd të ngrohtë / O hellemadhja shekullore! / Të puth duart e tu, më të mirat në botë, / I ngazëllyer të hesht me heshtje foshnjore; / Duart e tua që u regjën nga puna / Dhe gishtrinjtë që zunë kallo nga këmbëzat e dyfekëve, / Dhe supet që u varën nga xhokja e nga guna, / Dhe mesin që u hollua nga gjerdanët e fishekëve, / Dhe ballin që u rrudh e u lerua nga mundimi, / Dhe beben e syrit që u mpreh nga shenjestra, / Dhe këmbët që u zmadhuan nga ecja e mundimi, / Dhe qerpikët që u dogjën nga baruti në shkrepa…

Dritëroi më hodhi dorën në qafë dhe ma afroi kokën në krahërorin e vet, duke më rënë shpatullave. Zemra më hidhej përpjetë nga emocioni. Pulsi i kalonte 100 rrahje. E ndjeu edhe Dritëroi, e më tha:

-Mos ki droje! S’ka emocion midis nesh. Jemi njëlloj, të tre gazetarë, ndonëse në fronte të ndryshme pune.

Pastaj ndërhyri Xhevahiri. – Djemtë dhe vajzat tona e duan librin, e duan poezinë, lexojnë letërsi. Më shumë do ta donin po të qe e lirë.

– Është e vështirë të jesh artist në kushtet tona, – tha Dritëroi,  – sepse duhet ta kesh lëkurën të trashë, të durosh shpimet e shigjetës që mbajnë në duarë mediokrit, të përballosh fyerje e sharje nga çdo anë që të vijnë. Ata që nuk dinë të krijojnë, e shkelin artin me këmbë. E keqja shoqërisë i vjen nga ata që nuk dinë të ëndërrojnë, jo nga ata që krijojnë.

Xhevo shpërtheu, sikur recitonte:

-Bota po zjen! Është tronditur. Tërmete gjithandej. Paqe në sipërfaqe, stuhi në thellësi!

-Është e vërtetë, – miratoi Dritëroi. – Ka marrë të tatpjetën, me shpresë për t’u ngjitur në një lartësi të re, me më shumë dritë.

-Po ndodhin çudira, – vijoi Xhevo. -Tre djem kishin shkuar në Korfuz me not nga Ksamili, tani në pikën e të ftohtit. Çudi e madhe! Kam dëgjuar se po bëjnë terror. Vrasin njerëz në kufi. Janë çmendur ata lart. Pikë e zezë, ku do të vejë kjo punë!

Agolli ra në mendime. Krimi i agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit ishte në fuqi. Njerëzit që dënoheshin, supozohej që e kishin kryer atë krim prej çastit që kishin folur dhe dialoguar në rrethin e tyre shoqëror. Kërkonin të largoheshin nga atdheu dhe të shkonin në vendet borgjeze, në Greqi, Jugosllavi e nga andej deri në Amerikë. Këtë agjitacion ata mund ta zhvillonin pa dashje, ose për të pohuar që atmosfera për të jetuar në Republikën Popullore të Shqipërisë nuk qe e përshtatshme. Kishte katër vjet që, 6 pjesëtar të familjes Popa, ishin ngujuar në ambasadën italiane. Marrëdhëniet midis dy shteteve thuajse qenë ngrirë. Negociatat patën dështuar. Ramiz Alia nuk lëshonte pe, por edhe ambasada nuk mund t’i shiste njerëzit që patën kërkuar strehim politik.

Duke ecur në këmbë pati dëgjuar refrenin e njëtrajtshëm të lypsave që kishin mbetur aty, duke kërkuar bukë, ndofta që nga koha e mjerimit të Migjenit. Ai ndjente keqardhje për ta, pasi në përgjithësi kishte raporte të afërta me njerëzit e varfër. Por ndihej i pafuqishëm. Mendonte se ushtria e shkrimtarëve ndodhej ende në periferinë e realitetit dhe nuk mund t’i afronte ndihmën e duhur popullit të vet. Por qe i vetëdijshëm se lufta me të keqen do të kërkonte dhe flijues. Kishte kohë që përplasej me njerëz të pushtetit për të zbutur ingranazhet e kësaj makinerie, e cila prodhonte varfëri dhe vdekje. Ishte i bindur se edhe vetë  gjendej, dita-ditës, në prag të flijimit. Aparati shtetëror gjente gjithmonë një arsye për të çuar deri në fund inkuizicionin e vet. Para se të jepej urdhri i burgosjes së një poeti, organizohej një diskutim për poezitë e tij, pasi nevojiteshin blloqe me letra, për të fshehur prangat. Ministria e Brendshme kishte marrë urdhër të survejonte shkrimtarët. Shpesh mësohej që dikujt i qenë hedhur prangat, gjë që e brengoste tej mase Dritëroin.  

Unë dëgjoja i habitur për guximin e treguar prej tyre. Vija nga provinca, ku nuk bëheshin biseda të kësaj natyre. Tirana qe ndryshe. Intelektualët zjenin.

-Bela është me këta mamuthët – shtoi Dritëroi. – U janë ngjitur prapanicat në karrige dhe nuk dinë të shkulen. Nuk e shohin që kapitalizmi e mundi socializmin. Kaq e pati ky sistem. U lodh. Ka vite që i merren këmbët, më keq se ne kur dehemi. Nuk ecën dot më. Sistemet bien si gjethet e pemëve, ndonëse jo aq shpesh. Polonia e dha shembullin e vet me zgjedhjet. Rumania është përfshirë në trazira. Ka përplasje midis popullit dhe njerëzve të sigurimit. Çaushesku me bashkëshorten tentuan të largoheshin, por i kanë kapur e thonë se do t’i nxjerrin në gjyq. Rinia zjen kudo. Fitoi Perëndimi. E ka marrë Amerika në dorë këtë punë. Ziejnë radiot e huaja. Çfarë nuk thonë! Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike do të shpërbëhet. Këtë fat do të ketë dhe Federata e Republikave Socialsite të Jugosllavisë. Nuk rrinë nën zgjedhë Sllovenia e Kroacia. Kështu thonë. Por ajo që ka më shumë rëndësi, është shpresa e madhe për Kosovën.

Xhevahirit i ndrinin sytë. Ashtu më të lumtë! Të shpëtojnë vëllezërit tanë, se i mbytën serbët. Janë të fortë kosovarët. Unë kam besim. Kam qenë atje. Kam biseduar me shumë intelektual. E duan lirinë. Baruti është gati për t’u ndezur. Çudi si vijnë punët!

-T’i lemë këto muhabete dhe të pimë ndonjë gotë, se qënka raki e mirë, – tha Dritëroi. Dhe u drejtua nga unë: Të të jap paratë, të na gjesh pak për Vitin e Ri, se qenka ilaç.

-Patjetër do të gjejmë, – i thashë. – Do të vijë sërish muajin tjetër.

26 dhjetor 1989: Në sfond, Çaushesku, Stalini dhe Ramiz Alia

Natën, duke u ngdhirë 26 dhjetori i vitit 1989, era kishte fryrë si e marrë dhe mëngjesi nisi me shi të rrëmbyeshëm. Qe krijuar një mjergull e dëndur, sa nuk shihje as 10 metra para. Shkreptimat e rrufeve, të shoqëruara me gjëmimin e thellë, ngjasonin me zhurmën e zbrazjes së 20 topave njëherësh. Kur ra intensiteti i shiut, lumi i Lanës qe gati për të dalë në rrugë. Stuhia u ndërpre dhe retë e ulta lundronin ende në qiellin e zymtë, pa u përshkruar nga rrezet e diellit. Kur u qetësua koha, i telefonova Xhevahirit. Dritëroit duhej t’i thoshte ai. E dinin që kisha ardhur dhe më thanë t’i prisja te Bar Sahati. I pari erdhi Xhevua. Fliste si me vete. Pikë e zezë! Është rrebeluar natyra. Çudi e madhe! Shi i paparë, shi me rrëmbim, si shi pranvere. “U shemb qielli”, – thoshte halla ime, kur binte shi i tillë. Tani u hap, bereqaves! Nejse, si je ti vëlla? Të goditi kohë e keqe, po s’ke ç’bënë! Po vjen dhe Dritëroi. Ta rrëkëllism nga një gotë dhe secili në punë të vet.

U ulëm te restorant “Drini”. Erdhi dhe ikona e poezisë shqipe. Pa bërë si je e tek je me Dritëroin, Xhevua shpërtheu: Iku dhe Çaushesku! Çudi e madhe! E vranë! I bënë gjyq popullor. S’pyetën ata, as për ligje e as për shtet. Të shohim ku do të ndalet kjo punë. Hë, si thua ti Dritëro?

-Çaushesku iku si qen rruge, – tha Agolli. – Nuk e kuptoi dot kohën. S’i ndoqi zhvillimet, ose nuk e la egoja, ngrohtësia e kolltukut. Puna është ç’do të bëhet me këta enukët tanë. Ky yni besoj se do ta mbledhë mendjen. Trim nuk është, por erën e ndjen, ka nuhatje. Çështja është, a do ta mbaj mirë timonin?

-Pse, iku thua? Mori fund kjo punë, s’ka kthim?

-Po, – tha Dritëroi qetësisht. – Mori fund. Socializmi u rrëzua. Gjithë vendet e Lindjes janë rrëzuar. Ka mbetur vetëm Shqipëria. Tani çdo gjë e drejton Perëndimi. Kam dëgjuar që kanë filluar lëvizje të fshehta edhe këtu. Shkodra zjen. Nuk e duan bustin e Stalinit. Prite kur ta hedhin ndonjë ditë. Mundet të ketë dhe revolta.

-Mirë do të bëjnë. S’kanë ç’e duan. Diktator ka qenë, – tha Xhevo.

-Ashtu është, – ia ktheu Dritëroi. -Të gjithë dikatorët një staturë kanë, por mendimet lidhur me veprimtarinë e tyre janë të ndryshme dhe shpesh herë kontrakditore. Boris Suvarin, thotë për Stalinin se ishte personazh që të kallte krupën, i djallëzuar, dhelparak, i pabesë, brutal, gjaknxehtë dhe i pamëshirshëm.  Në vitin 1931, Stalini bisedoi me gazetarët e njohur, Xhorxh Bernard Shou dhe Nensi Astor. Kjo është një nga intervistat e pakta të tij, për të huaj. Atëherë qe duke bërë kolektivizimin. Astor guxoi dhe e pyeti:

–  Kur do të pushoni së vrarë njerëzit?

– Kur kjo të mos jetë më e nevojshme,- qe përgjigja e Stalinit.

Dhe vërtetë ai nuk ndaloi së vrari njerëz. Rregjimi që udhëhiqte, e bëri të vriste deri në vdekjen e tij. Leonid Serebrjakovi, që e njihte prej shumë vitesh, ka thënë: Stalini është njeriu më hakmarrës në botë. Në qoftë se jeton gjatë, ai do të arrijë te secili prej nesh.

Vlerësimet e njerëzve të huaj, që janë takuar me të dhe kanë patur mundësi të deklaronin hapur opinionin e tyre mbi Stalinin, ndryshojnë në mënyrë të çuditshme. Çurçill është shprehur se Stalini i pati lënë përshtypjen e një njeriu me gjykim të ftohtë, të thellë, krejt iluzione të panevojshme. Por, kur dëshironte, kishte aftësi për të joshur. Ruzvelti e cilëson personalitet mjaft mbresëlënës etj. Por këto nuk ndryshojnë asgjë, për sa thamë. Puna është të mos derdhet gjak.   

-Pa gjak nuk ka liri, – tha prerë Xhevahiri. – Hiqe nga mendja. Gjak do të derdhet këtu dhe në Kosovë. Në Kosovë ca më shumë. Hallall e kemi bërë edhe gjakun. Njerëzit duan liri…

Dritëroi e pa Xhevon ngultas në sy dhe tha qetësisht.

-Dekadat e fundit njerëzimi ndërtoi mure më shumë se asnjëherë më parë, duke i theksuar kufijtë ndarës nëpërmjet nxitjes së urrejtjes racore e fetare. Mesa duket është koha për t’i transformuar këto mure ndarëse në mure lidhëse, kudo në botë, pasi vetëm kështu mund të vendoset paqja. Dihet që shkak i mosmarrëveshjeve midis popujve është ideologjia, grindjet dhe mospajtimi i mendimeve. Për arsye të tilla janë marrë shumë njerëz në qafë. Gjërat mund të rregullohen pa mundim, nëse do të kuptoheshim sinqerisht me njeri – tjetrin, por nuk është e lehtë.

Ndërhyri Xhevua:

-Si s’është e lehtë? Mund të bëhet që ç’ke me të! Ata lart duhet t’i thërrasin mendjes, t’i venë gishtin kokës! Boll janë tallur. Të mendojnë më seriozisht për njerëzit! Ramiz Alia i  pari.

-Nuk është e lehtë,- përsëriti Dritëroi. – Ata lart, që thua ti, mendojnë se koka e dijes është partia, byroja, qeveria. Harrojnë që të ditur ka kudo, në çdo sektor, madje ca më shumë jashtë qeverisë. Se po të ishte mbledhur gjithë mendja e ndritur në qeveri, është njëlloj sikur të pranojmë që i gjithë gjaku na u mbledhka në kokë. Po të qe kështu, atëherë krahët dhe këmbët do të thaheshin. Nëse koka do të fryhej shumë, do të humbiste drejtpeshimi. Në fakt, ata e kanë humbur drejtpeshimin, dhe shkak është rëndimi i kokës, por jo nga gjaku i tepërt, nga mishëzimi i trurit. Ndaj them se duhet të mendohen mirë. Populli nuk është aq budalla, sa e mendojnë ata. Mekanizmi i lëvizjes së shoqërisë ngjason me një ingranazh gjigant që, siç dihet, përbëhet nga dhëmbëza. Ingranazhi lëviz, sepse dhëmbëzat futen brenda njera-tjetrës. E tillë është dhe vetë jeta, ka të dala e të hyra. Brenda popullit ka shumë njerëz të ditur, ka shkencëtarë, që me mendjen e tyre i japin shtysë zhvillimit. Ata duhen afruar, duhen pyetur dhe të bëhet siç këshillojnë ata.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Nuri Dragoi

KU PO ECËN FONDACIONI PLAVË-GUCI

March 16, 2019 by dgreca

“Fondacioni Plavë Guci  shoqatë e Plave Guciaseve me veprimtari ne SHBA do të mbaj kuvendin zgjedhor me datën 14 Prill 2019”

 U bënë njëzetepesë vjet që kur shoqata  jonë filloi një rrugëtim të gjatë, me krenari e dinjitet, por edhe me zvarritje varësisht nga periudhat dhe ngjarjet e kohës dhe lidreshipi i saj. Historia e Fondacionit Plavë- Guci ( FPG ) kishte batica e zbatica dhe kishte përjetuar arritje, mburrje dhe krenari por edhe si çdo organizim tjetër vullnetar edhe ngecje. 

Gjeneratat të cilat e themeluan FPG me kalimin e kohës po moshohen,  ndërkaq pasardhësit e tyre të lindur dhe të rritur në mërgim gjithnjë e më shumë jeta dhe koha po i largon nga rrënjët e origjinës, gjegjësisht Plavë e Gucisë. Si duket,  mplakjen si proces të natyrshëm nuk po e kuptojmë si të tillë, mplakjen në kuadër të organizmit dhe funksionimit të FPG mund ta mposhtim vetëm nëse atë e ripërtërijmë me gjak të freskët të gjeneratave të reja. Një proces ky qe i gjason funksionimit dhe hapërimit të familjes, ku fëmijët vazhdojnë misionin jetësor duke trasuar atë që prindërit kanë bërë apo kishin kontribuar për pasardhësit e tyre. Duke iu kthyer shoqatës  në këtë kontekst në bazë të analizave shtrohet pyetja logjike se a kemi bërë ne si gjeneratë atë që është deshtë ta bëjmë për të trasuar rrugën e komunitetit, gjegjësisht të diasporës që fëmijët tanë dhe komuniteti si tërësi të kenë urën lidhëse me rrënjët e origjinës. Përgjigjja dihet qartë : jo nuk kemi bërë dhe nuk po ua lëmë pasardhëseve tanë këtë urë lidhëse me rrënjët e origjinës së tyre.

 Fatkeqësisht Plava dhe Gucia sot janë në SHBA, e them këtë bazuar ne shifra dhe të dhëna sipas të cilave më shumë se 70% e popullsisë  shqiptare të Plavë-Gucisë sot gjendën përtej Oqeanit në SHBA dhe gjithandej globit . Para disa vitesh, respektivisht mes viteve 2011/15 rreth shoqatës tonë patën filluar të afrohen gjenerata të reja, që edhe qëllimi kryesor i ekzekutivit të shoqatës aso kohe. Të rinjë këta që sot komunitetit plave-gucias i bëjnë nder me arritjet e tyre në jetën e tyre private e profesionale. Ishin po këta të rinjë të arsimuar dhe edukuar nëpër institucionet më elitare  të shkencës e kulturës  në SHBA që sollën edhe frymën e rigjallërimit dhe të rikthimit të krenarisë në kuadër të shoqatës e që sot zën pozita të drejtorëve korporatash të përmasave botërore dhe janë  mirë të inkuadruar në politikbërjen amerikane, por për fat të keq janë të tërhequr nga aktivitet e FPG. Reflektimi i tyre në çdo fushë ishte shpresëdhënës që rruga dhe ura lidhëse filloi të ndërtohej në frymën e duhur intelektuale dhe të njerëzve të suksesshëm. Gjatë kësaj periudhëje mentaliteti ku komuniteti shikohej si donator pat filluar të merr një kahëje pragmatike ku përherë të parë FPG filloj të pranojë përkrahje nga korporatat dhe kompanitë amerikane, ku mendohej që të merren edhe grante nga shtetit,  fal statusit 501 (C) 3 që gëzon FPG pranë institucioneve përkatëse të shtetit amerikan. Ecja dhe rrugëtimi i FPG do të jetë i shëndosh dhe vizionar vetëm nëse në kuadër të ekzekutivit të saj afrohen gjeneratat e reja të arsimuara dhe të suksesshme sepse ata që dinë të udhëheqin suksesshëm korporata te fuqishme,  dinë të menaxhojnë edhe një shoqatë. E fatmirësisht në mesin e komunitetit plave- gucias të tillë njerëz këtu në SHBA kemi shumë. Shumë shoqata kanë bërë këtë hap, ta quajmë tranzicion të rëndësishëm dhe shumë domethënës duke e kyçur rininë dhe femrat ne kuadër të aktivistëve të shoqatës, e ne ende po merremi, në kuadër te shoqatës, me mentalitete vëllazërish e lagjesh. Është skandaloz fakti  se si në Kuvendet e FPG, ditën e votimit, respektivisht të zgjedhjeve vijnë për të votuar njerëzit të cilët kurrë nuk kanë bërë asgjë, ama thënë troç asgjë për FPG asnjëherë. 

Këto mentalitete dhe praktika duhet të ndërpritën sepse nuk është koha e fillimit të aktivitetit të FPG, apo e ringjalljes së tij. Nëse FPG-së i’a duam të mirën, nëse FPG do të këtë vizion dhe itinerar të rrugës drejt cakut dhe destincaionit të duhur, sjelljet dhe praktikat e tilla janë të dëmshme dhe kontraproduktive . Në çdo organizim, duke filluar që nga familja, shoqëria dhe shteti nëse nuk respektohen rregullat, rregulloret dhe ligjet atëherë aty zë vend dhe lëshon rrënjë  anarkia dhe kaosi. Edhe FPG duhet të respektoi elementin bazë të funksionimit të tij- statutin ose në të kundërtën njerëzit e suksesshëm dhe të ngritur nuk do të jenë pjesë e procesit në një organizim ku nuk ka elemente bazë të funksionimit, e për këtë FPG është edhe i obliguar edhe nga shteti ku funksionon dhe ku vepron shoqata jonë. 

Është koha e fundit  që komuniteti plavë-gucias këtu të bëjë diç edhe për vetëveten, për ta krijuar një qendër të vetēn e kjo është e mundur vetëm nëse afrohemi si një familje, duke ua dhënë krahun dhe mbështetjen njerëzve të suksesshëm, intelektualë,  të përkushtuar dhe me vizion largpamës për çështjen kombëtare. Rrugëtimi dhe përparimi i mëtutjeshëm i FPG do të jetë i ndritur nëse secili nga ne udhëhiqet nga profesionalizmi pragmatizmi, toleranca dhe mbi te gjitha atdhedashuria me një qëllim të përbashkët.

Esad Gjonbalaj

New York 15 Mars 2019

foto 1; Albert Gjonbalaj, ish sekretar i FPG ne mandatin 2013/15. sot një nder biznesmenët me te suksesshëm shqiptar  ne New York

Foto 2 : Mbrëmje rinore e FPG mbajtur ne Restorantin Antica Venecia ne New York

Foto 3 : Konference e Dytë Ndërkombëtare për “Shqiptarët në Malin e Zi” 

u mbajt më 1 Nëntor 2014 në sallën historike “Meadow Brooke Mansion” të Universitetit Oakland në Roçester të Miçiganit.

Konferenca u sponsorizua nga Departamenti i Shkencave Politike dhe Enti i Studimeve Ndërkombëtare të Universitetit Oakland, së bashku shoqatat shqiptaro-amerikane nga Nju Jorku dhe nga Miçigani ku FPG kishte rol parësor .

Filed Under: Emigracion Tagged With: Esad Gjonbalaj

Zëdhënsi i Ipeshkëvisë së Kosovës Don Fatmir Koliqi Viztoi VATREN

March 15, 2019 by dgreca

Të premten pasdite, 15 Mars 2019, Don Fatmir Koliqi, famullitar në Prishtinë në Shenjtëroren Shën Nënë Tereza(Katedralen) dhe zëdhënës i Ipeshkëvisë së Kosovës vizitoi selinë e Vatrës. Ai shoqërohej nga anëtari i Këshillit të Vatrës, biznesmeni Anton Raja, i njohur për mbështetjen dhe udhëheqjen e fondeve për Katedralen dhe organizimin e turneve të golfit për këtë qëllim. Don Fatmir Koliqi u prit nga Editori i Gazetës”DIELLI”, Dalip Greca, i cili e njohu me historikun e 107 viteve të Federatës VATRA dhe me 110 vjetorin e gazetës”DIELLI”.

Duke ndjekur gjurmët shekullore të Vatrës në SHBA, don Fatmir Koliqi tha se të gjithë ne shqiptarët duhet t’i jemi mirënjohës shqiptarëve të Amerikës, vecanërisht Federatës VATRA, që ka shërbyer për shumë kohë në vend të shtetit shqiptar, kur nuk e kishim. Shqiptarët e Amerikës, por dhe ata në vendlindje duhet të luftojnë të gjithë për ta përkrahur Vatrën sepse ajo përbën një trashëgimi të madhe historike Kombëtare. Vatra duhet të forcohet sepse detyrat Kombëtare nuk kanë përfunduar ende dhe Kombi shqiptar ka probleme të mëdha për të zgjidhur.

Editori e njohu mysafirin edhe me përgatitjet që po bën VATRA për të kremtuar 110 vjetorin e Gazetës së saj”DIELLI”. Veprimtaritë do të kulmojnë me 6 Prill 2019, në 3 West, 51th Street, Manhattan, NY, ku do të organizohen dy veprimtari brenda ditës, Konferenca Shkencore kushtuar këtij përvjetori historik dhe Darka solemne.

Filed Under: Kronike Tagged With: Don Fatmir KOLIQI

Historia e Shtëpisë së Bardhë-WHITE HOUSE

March 15, 2019 by dgreca

NGA RAIMONDA MOISIU/

Ndërtimi i Shtëpisë së Bardhë ka filluar  në vitin 1792, sipas planimetrisë të arkitektit irlandez James Hoban, i cili ishte edhe fituesi i tenderit  arkitektorial, që u zhvillua enkas për ndërtimin e saj. James Hoban pati emigruar në Amerikë, në moshë fare të re. Pas disa problemeve  të mprehta financiare, të cilat sillnin shpesh ngadalësimin dhe ndërprerjen e punimeve në kohë, ndërtesa u bë gati për  banim pjesërisht në vitin 1800, që shënon edhe vitin kur Presidenti i Dytë i Amerikës, John Adams dhe bashkëshortja e tij, hynë për herë të parë brenda  Shtëpisë së Bardhë. Planimetria origjinale e fasadës veriore nga Hoban, e cila edhe i mbijetoi kohës, reflektonte arkitekturën angleze e stilit paladian të mes-shekullit të 18-ë.

Thomas Jefferson, Presidenti i Tretë, i cili  hyri më pas në Shtëpinë e Bardhë, punësoi arkitektin e talentuar dhe vizionar, Benjamin H. Latrobe  në vitin 1806-ë,  i cili ndihmoi  në dizenjimin e sallave (Dhomave) të ndërtesave  lindore dhe perëndimore. Arkitektura moderne e fundit, ajo e Dhomës  Legjislative i ka mbijetuar kohës dhe është  afërsisht në gjendjen origjinale që prej ndërtimit të saj. Gjithashtu, Latrobe bëri edhe skicimet e tablove të Dhomave  veriore e perëndimore të cilat janë modifikuar me kalimin e kohës.

Por, në vitin 1816, -në kohën e Luftës, e cila pati filluar  në vitin 1812, -forcat britanike dogjën të gjitha ndërtesat publike në Washington, duke mos kursyer edhe atë, -Shtëpinë e Bardhë. Përvecse portretit të Xhorxh Washingtonit nga Gilbert Stuart, portret, i cili  ekziston edhe sot në Dhomën Lindore, të gjitha  pajisjet dhe mobilimet e tjera që nga koha e administratës së presidentëve Adams, Jefferson, dhe Madison, u rrënuan. Nën mbikqyrjen e arkitektit James Hoban, Shtëpia e Bardhë u rindërtua brenda vitit, dhe në vitin 1817 ishte e banueshme, e rimobiluar në stilin  perandorak, me pajisje, orendi  dhe mobilje të importuara nga Franca prej Presidentit James Monroe. Gjithsesi,  arkitekturën e ndërtesës dhe praktikisht asaj në brendësi, arkitekti irlandez James Hoban  iu riktheu  stilin Palladian të mëparshëm, dhe nuk ripërsëriti inovacionet neo-klasike të bëra nga Latrobe. Fasadat e jashtëme të përzhitura nga zjarri u bojatisën të bardha. Flitet se është kjo arësyeja që aksindetalisht kjo  ndërtesë u quajt dhe  thirret Shtëpia e Bardhë, megjithëse  ka edhe një të dhënë  tjetër, që realisht  është emërtuar me atë term, qëkur u ndërtua për herën e parë. Gjatë gjithë shekullit të 19-ë, dekorimi i brendshmëm i Shtëpisë së Bardhë ka ardhur duke  rinovuar  në  mënyrë të njëpasnjëshme çdo stil dekorativ, porse fasada e jashtëme e ndërtesës mbeti njësoj.

Në vitin 1833, tubacionet sillnin ujin nga  një rezervat uji, që ndodhej shumë pranë Shtëpisë së Bardhë, i cili  zvendësoi gjithashtu përkohësisht  depon e ujit të mëparëshme. Ndriçimi me gas u fut në Shtëpinë e Bardhë, në vitin 1849 dhe sistemi ngrohës në vitin 1853. Midis viteve 1850-1853, filloi furnizimi me ujë në Shtëpinë e Bardhë, nëpërmjet sistemit hidraulik të instaluar gjatë këtyre viteve, dhe i lidhur direkt me sistemin ujor  qëndror të qytetit. Disa të dhëna të hershme pohojnë se ishte pikërisht Millard Fillmore,  Presidenti i 13-të amerikan, i cili  përdori për herë të parë  sistemin  hidraulik të brendshëm, koha kur ai ishte në Shtëpinë e Bardhë nga viti1850 deri në vitin 1853. Porse  një artikull i vitit 1989-ë mbi sistemin hidraulik të  Shtëpisë së Bardhë, botuar  në revistën “Plumbing & Mechanical”, – shkruan  se mund të ketë qenë, Lincoln  Presidenti  i Shteteve të Bashkuara, i cili  përdori për herë të parë dushin me rrjedhje  uji dhe vaskën e parë, të cilat mendohet se janë  instaluar gjatë presidencës së Lincoln.

Në vitin 1877-ë, në administratën e Presidenti Rutherford B. Hayes, u instalua linja telefonike dhe  aparati telefonik i parë në Shtëpinë e Bardhë, sinjali i të cilit vinte nga dhoma telegrafike e instaluar në  rezidencën presidenciale. Presidenti Hayes e përqafoi teknologjinë e re, edhe pse rrallë merrte telefonata. Në fakt, Departamenti i Thesarit posedonte të vetmen linjë telefonike, veçse të drejtpërdrejtë me Shtëpinë e Bardhë në atë kohë. Numri i telefonit të Shtëpisë së Bardhë ishte “1”.  Kështu që shërbimi telefonik në të gjithë Amerikën i ka  fillesat  e tij në vitin1877-ë. Vetëm një vit më vonë, shkëmbimi i parë telefonik u krye në Connecticut (Kenerike) dhe 50 vjet më pas  do të ishte Presidenti Herbert Hoover që instaloi  linjën e parë telefonike në tavolinën e Presidentit, pikërisht në Zyrën Ovale.

Ndërsa energjia elektrike hyri për herë të parë, gjatë rezidencës së Presidentit, Benjamin Harrison. Në vitin 1902, gjatë administratës së Presidentit, Theodore Roosvelt, Shtëpia e Bardhë, iu nënshtrua  një rinovimi pothuajse tërësor, nën drejtimin e  firmës arkitekturale të njohur e kohës,- e McKim, Mead dhe Ëhite.  Dhomave të katit të parë iu hoq plotësisht veshja viktoriane dhe iu kthye traditës se hershme të shekullit të 19-ë. Shkallët e mëdha u zhvendosën në  korridorin hyrës, për të patur  mundësinë të  shkonin në kafeterinë shtetërore, që ndodhej në cepin jugperëndimor të ndërtesës.

Në vitin 1949, gjatë administratës së  Presidentit Harry S. Truman, u konstatua se Shtëpia e Bardhë nuk ishte e përshtatëshme dhe e sigurtë  për të  banuar aty.

Fasadat e mureve të jashtme ruajtën ngjyrën e bardhë, ndërsa struktura e brendshme e ndërtesës ndryshoi pothuajse tërësisht dhe u rindërtua me skelete,  shtylla betoni e çeliku. Kujdes i madh u tregua për ruajtjen e punimeve origjinale prej druri, oxhaqet prej mermeri,  dhe suvatë dekorative. Planimetria origjinale e bazamentit u ruajt me devocion. Po ashtu edhe njëra prej verandave, e njohur sot e kësaj dite si Ballkoni Truman, e ndërtuar në katin e dytë të portikut jugor. Qysh atëhere  Ballkoni Truman është një nga verandat më të  preferuara të familjeve presidenciale.

Vite më vonë, kur Presidenti John F. Kennedy dhe familja e tij hyri në Shtëpinë e Bardhë, bashkëshortja e tij, znj. Jacqueline Kennedy nisi restaurimin tërësor  në brendësi të Shtëpisë së Bardhë, nga  formatet  origjnale të fundshekullit të 18-ë  dhe  ato të fillimshekullit të 19-ë, deri në shkëlqimin e sotëm të saj. Gjithashtu Znj. Kennedy ngriti një Komsion të posaçëm arti, i përbërë nga specialistë  të aftë e të talentuar dhe personalitete mjaft  të njohura të kohës,  në fushën e artit artikteturial dhe restaurimit të muzeumeve e veprave të artit, me qëllim për të drejtuar punimet e restaurimit KENNEDY-sikundër u quajt në atë kohë. Një komision i veçantë këshillimor dhe një komision i tablove, pikturave, peisazheve, dezanjimit  dhe kompozimit të tyre forcuan më tej punën e komisionit qëndror.

Para këtij restaurimi, nuk kishte pasur ndonjë përpjekje për të ruajtur ose për të përdorur orenditë antike dhe historike të Shtëpisë së Bardhë, dhe dhomat e katit të parë ishin të pajisura kryesisht me orendi të rigjeneruara. Shumica e sendeve të rëndësishme u gjetën  të magazinuara në depot e Shtëpisë së Bardhë. Donatorë dashamirës ofruan relike të qëmotëshme të  arteve dekorative dhe mobilje antike e të çmuara për krijimin e kabinetit presidencial.  Zonja Kennedy u ndje fort e ngazëllyer prej aktit filantropist dhe dashamirësisë  të donatorëve , duke u shprehur se “ çdo gjë e dhuruar në Shtëpinë e Bardhë, duhet të ketë një arësye për të qenë aty ku duhet”. Më pas Presidenti Johnson ngriti Komisionin për Ruajtjen dhe Mirëmbajtjen e Shtëpisë së Bardhë, dhe departamentin e përhershëm përgjegjës për mirëmbajtjen e saj. Pajisje të tjera të mobiljeve  dhe tablove amerikane me vlerë u  sollën në Shtëpinë e Bardhë gjatë  administratës së Nixon-it,  dhe dhomat kryesore të kateve të para dhe  kateve  tokësore u zbukuruan gjatë viteve të presidencës së Nixon-it. Pasi u u shpërngul në rezidencën presidenciale në janar të vitit 1981-ë, bashkëshortja e Presidentit Ronald Regan, znj. Nancy Regan, mbikqyri rikonstruksionin e dhomave të katit të parë, të dytë dhe të disa projekteve të ruajtjes e mirëmbajtjes. Për publikun amerikan, rezidenca presidenciale është bërë rezidencë kombëtare, si edhe shtëpia e presidentit, apo thënë ndryshe të kreut të ekzekutivit.  Sipas Presidentit Dëight d. Eisenhoëer: “Shtëpia e Bardhë ka qenë dhe duhet të mbetet gjithmonë një vend që duhet të nderohet dhe respektohet jo vetëm nga  banorët e saj,  por edhe nga  të gjithë amerikanët.”

Post-scriptum

Shtëpia e Bardhë ndodhet në 1600 Pennsylvania Avenue, N.W., në  Washington DC, dhe prej kohës  që u ndërtua është  pallati presidencial, që përkon edhe me  kohën kur u akomodua Presidenti i Dytë  i Amerikës, -John ADAMS. Pallati presidencial zotëron 7.3 hektarë, rrethuar me drurë të lartë dhe shekullorë.

Ballina  kryesore e ndërtesës është  52 metra (170f.) e gjatë dhe 26 metra (85f.) e gjerë. Disa nga katet përdhese  janë ndërtuar sipas stilit anglez,  kjo për shkak të pjerrësisë së  tokës, ndërsa dy pjesët  anësore, i kanë  rezistuar dhe i përkasin strukturës origjinale. Konstruksioni i krahut perëndimor u bë në  vitin 1902, nën kujdesin e Kongresit Amerikan me një investim prej $65.196 (dollar). Aty ndodhen Zyra Ovale presidenciale, dhoma e seancave, e quajtur ndryshe Roosevelt Room, Sekretaria dhe Dhoma e Senatit. Dyert prej xhami të Zyrës së Presidentit hapen  mbi dhe në drejtim të Rose Garden (Parku Rose). Kontruksioni i Pjesës Lindore u bë në vitin 1942, dhe në të ndodhen përveçse zyrave të sekretaritve presidenciale, por edhe zyrat arkivore dhe depo magazinimi.

Jacqualine Kennedy Garden, ( Parku Zhaklin Kennedy-i) është quajtur kështu nga bashkëshortja e Presidentit Lyndon B. Johnson, Znj.  Claudia Alta “Lady Bird” Johnson, e cila ishte  edhe pasaardhësja e saj. Ky park i bukur ndodhet jashtë pjesës lindore dhe është përdorur nga Zonja e Parë si një park mikpritës, shëtitës  dhe argëtues. Para viti 1902, kati e parë ka shërbyer si vendi  e punës së presidentit. Aty gjendet biblioteka,  e cila u riorganizua tërësisht në vitin 1962.  Dhoma Muze e Shtëpisë së Bardhë “Vermeil Room, e cila quhet edhe Gold Room, për shkak të mureve të paneluara  në ngjyrë ari dhe koleksionin e takëmeve  të praruara prej ari  dhe argjendi, lënë trashëgimi Shtëpisë së Bardhë në vitin 1956-ë nga zonja Margaret Thompson Biddle.

Perdet prej mendafshi me sfondin në të gjelbrën e zbehtë, ku  dalloheshin  qartë fije ari të praruara dhe qëndisura nëpër to, dhe janë  dizajne  të  hershëme të shekullit të 19-të. Tapeti  është Herek  prodhim turk i qëmotshëm, rreth vitit 1860.

Në qendër të dhomës muze ndodhet një tavolinë antike –sofër- e stilit perandorak të  shekullit të 19-të. Në tavanin e saj  varet një shandan  kristali me dhjetë degëzime, edhe ky i qëmotshëm, i prodhuar në Angli në vitin 1785. 

Portrete të shtatë Zonjave të Para janë ekspozuar në Dhomën Muze të Shtëpisë së Bardhë, (Vermeil Room), dhomë që thirret gjithashtu edhe si; The Room of First Ladies!

Më pas vjen kabineti i pritjeve diplomatike, zyra e hartave, nga e cila Presidenti Franklin D. Roosevelt monitoronte ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore. Ndonëse kati i parë është rinovuar shumë herë përgjatë viteve, dyshemeja nuk ka ndryshuar nga ana arkitektonike, që pasi Shtëpia e Bardhë u projektua nga John Hoban, në vitin 1792. Të gjitha dhomat e katit të parë janë të hapura për publikun amerikan, me përjashtim të dhomës së ngrënies, e cila përdoret vetëm nga banorët e Shtëpisë së Bardhë. Madje, East Room-  Salla Lindore –e quajtur “Public Audience”(Audiencë Publike),  ruan ende stilin klasik të shekullit të 19-ë. Por jo vetëm kaq, East Room përdoret për mbrëmje argëtuese, dasma, funerale, dhe aty bëhen edhe firmosje të kontratave ekonomike.

E veçanta historike e East Room,  qëndron në faktin historik presidencial se në atë kabinet, presidenti Gerald Ford-it, mori tributet e një burri shteti dhe një figurë imponuese në histori, si një nënpresident dhe president, në një kohë kur Amerika po përballej, me luftën aspak popullore në Vietnam, Skandalin e Watergate-it, dhe Richard Nixon u largua pa mbaruar mandatin, i cili u zvendësua  prej G. Ford. Kati i dytë përfshin komplekse dhoma të ndryshme, që nga dhoma e çlodhjes, e argëtimit dhe  kafeterisë të Zonjës së Parë. Po në katin e dytë ndodhet dhoma e gjumit  e quajtur Lincoln, e cila më herët ka shërbyer edhe si Kabineti i Presidentit të 16-ë –LINCOLN, dhe Dhoma ngjitur me të,- gjatë administratës së John F. Kennedy-i, ka qenë ish zyra e Kabinetit Presidencial, nga ku janë pasqyruar shumë vendime të rëndësishme, të marra brenda saj. Kompleksi i apartamenteve të jetës private të  Presidentit dhe Familjes së tij, gjenden në anën perëndimore të katit të dytë. Me rindërtimin e Shtëpisë së Bardhë në vitin 1952, u tregua kujdes i veçantë në ruajtjen e pjesës më të madhe të rinovuar në vitin 1902,  megjithëse shumë prej orendive “barionale” u hoqën nga muret e lyer me të blertën celadon. Nga viti 1961 -1963 u bë një tjetër rinovim edhe më tej, u ndryshuan disa dhoma, duke i përafruar ato me atë të stilit perandorak dhe me  orendi antike dhe klasike  të periudhave të kahershme. Ndryshime dhe rinovime u bënë edhe në vitet 1970-të, 1980-të, 1998-të dhe 2015-të.

*Referuar “The New Lexicon Webster’s Encyclopedic Dictionary of the English Language.

Filed Under: Histori Tagged With: Raimonda Moisiu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT