• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2019

DUKE UDHËTUAR PËR SHQIPËRI

March 12, 2019 by dgreca

Tregim nga Hasan KOSTRECI

  – Jetoni jashtë apo ishit si turist diku dhe sot po ktheheni – më pyeti personi që kisha në krah, me të cilin po udhëtonim me avionin e vogël “Al Italia” nga Roma, për në Tiranë.

– Po, jam në Amerikë – iu përgjigja.

– Sa mirë, paski shpëtuar, sepse ky vënd, o vëlla nuk bëhet –  më tha dhe më vështroi edhe njëherë. 

Isha lodhur, në fakt duke e dëgjuar gjithmonë këtë shprehje dhe megjithëse vërtetësi kishte, këtë herë nuk munda dot ta duroj dhe e kundështova.

– Paske urrejtje të madhe për demokracinë dhe kjo tregon se duhet të kesh qënë mirë në atë kohë dhe e kujton me nostalgji.

 Ai nuk m’u përgjigj, por mbasi bëri një buzëqeshje të lehtë, u kthye me fytyrë nga dritarja dhe nisi të shikojë poshtë “Detin Adriatik”. Stuardezat në atë moment na prunë nga një pako biskota dhe ndërsa unë kërkova edhe një gotë ujë, ai porositi kafe. Po e vështroja me bisht të syrit dhe vura re se në moshë duhej të ishte diçka më i madh nga mua, pra, afër të tetëdhjetave, por nishani që kishte në faqe, më bëri të dyshoj se diku me të isha parë. 

– As hasmit, vëlla, nuk do ia uroja, jetën që kam kaluar unë –  vazhdoi ai mbas një heshtje – prandaj duhet që të më kërkosh falje për akuzën që më bëre.

– Ndofta ke të drejë – iu përgjigja – por ne në emigracion, kemi mall për vëndin dhe s’na e mban zëmra që të dëgjojmë keq për të.

– Sa kohë ke që je larguar?

– Qysh në nëntëdhjetën.

 – Dhe ke akoma nostalgji. 

– Kur ika, të them të drejtën, jo, por me kalimin e viteve, sigurisht….Po dua t’u pyes mos ke shërbyer si ushtarak para shumë vitesh në Kodovjat të Gramshit? 

– Po, ashtu ka qënë, por edhe ti ama po më kujtohesh, sepse pikërisht atë kohe, ke qënë arsimtar në një fshat gjysëm ore më tutje, në Bulçar. A po jo? – tha dhe kur qeshi, iu përafrua edhe më shumë fytyrës së atij oficeri simpatik, me të cilin qeshë njohur pesë e më shumë dekada perpara. 

– Mirë unë të njoha ty nga nishani, po ti si më njohe mua? – u bëra unë kurioz.

– Sepse ai regjim të gjithëve na ka lënë nga një nishan, që nuk na hiqet, sa të jemi gjallë – m’u përgjigj dhe prej ironisë së tij, këtë radhë qesha edhe unë.

– Po jemi takuar edhe njëherë tjetër në hidrocentralin e Fierzëz – më tha – a të kujtohet, por meqënëse të dy qemë veshur me xhupa të vjetër pambuku dhe as unë s’e kisha më uniformën ushtarake, por as edhe ti atë të mësuesit, vetëm u pamë, por nuk folëm.

– E pse ashtu? – e pyeta përsëri më shumë, që të më thoshte ndonjë tjetër batutë, sepse e pashë që kishte humor.

– Sepse u kuptua që të dy e kishim marë nga regjimi nga një goditje dhe  nuk qe e nevojshme ta pyesnim se si apo qysh – m’u përgjigj.

 Ai, e dija qysh atëhere se kishte mbaruar studimet në Moskë. Që ishte intelektual dhe përveç rusishtes, dinte gjithashtu edhe italisht, por arësyen se pse kishte rënë nga kali, jo, por nuk erdhi puna për ta pyetur, sepse ai mbas pak filloi vetë të ma tregojë. 

– Mbasi u ktheva nga Bashkimi Sovjetik,  u emrova oficer me gradën major në Ministrinë e Brendëshme. Punova atje disa vjet dhe me ambicjen që të ngrihesha më lart e të bëja karierë, pranova që të aktivizohesha në disa raste, jo dhe aq të këndëshme – më tha –  po me prishjen me Rusët, nisi edhe rrokullima. Gramshi qe ndalesa e parë, e dyta në Fierzë dhe me të tretën përfundova në burgun e Burrelit. 

– Ashtu, më ardhka keq – i thashë.

– Aspak mos të vijë keq, sepse Zoti për mëkatat që unë dhe klasa jonë ka bërë, na ndëshkoi – m’u përgjigj dhe nxorri me shpejtësi nga xhepi një cigare, e vuri në buzë dhe nga nervozizmi gati po e kafshonte. E shikova në sy dhe kuptova se diçka i kishte ndodhur, por dhe u habita njëkohësisht, sepse ishte  hera e parë që nga një ish komunist, dëgjoja akuza të tilla për veten dhe klasën e tij.

– Më shumë na ka dënuar historia – i thashë për ta qetësuar, sepse e pashë që ishte i fryrë dhe donte të zbrazej.

– Po që më divorcoi gruaja, sa u futa në burg, historia e kishte fajin – më pyeti dhe m’u sikur priste përgjigje nga mua – bile pa pikë turpi më  përvetësoi edhe apartamentin që e kisha në emrin tim dhe kur u lirova, s’kisha ku të futja as kokën. 

– Paska qënë e keqe dhe nuk e ke njohur mirë – i thashë.

– Xhinsi jonë nga familje komunistësh ishte. I gjithë rrethi i saj qenë o sekretara partie o hetues degash. 

– Dhe a e more apartamentin?

Mbasi bëra disa gjyqe, sepse ajo edhe në kohën e demokracisë, qe e fortë dhe kishte përkrahje.

Ndaluam për disa sekonda bisedën, sepse nga altopalanti u njoftua që po i afroheshim aeroportit “Nënë Tereza” në Tiranë .

 – Sot po vij nga Milano –vazhdoi – sepse shkova që të takoja t’im bir. 

 – Qënka student në Itali?

– Është në burg, sepse u muar me drogë. Prandaj jam edhe kaq i mërzitur. Pra, klasa jonë e ka pësuar edhe më keq nga ju. A je dakord?

– Jo – e kundërshtova – sepse me ne ai regjim e nisi qysh në dyzet e katrën dhe nuk rreshti deri në nëntëdhjetën

– Po si familje ama, nuk u shkatërruat, kurse neve na ndanë gratë, vëllezërit, motrat dhe i gjithë farefisi. Do që t’i numuroj me emra se sa nga ata që e pësuan si puna ime, i divorcuan gratë?

– Jo, nuk është nevoja, po…. si e shpjegon ti këtë?

– Si e shpjegoj, sepse qemë një klasë e dalë nga hiçi dhe shkuam në krye artificialisht, kur nuk kishim as merita, as taban, as trashëgimi dhe as genie – m’u përgjigj – jam dëshmimtar dhe i kam parë vetë, se si familjet tuaja linin veten pa gjë, por ata që kishin në burg, i ndoqën nga pas dhe asnjëherë s’i braktisën, ndërsa neve s’na erdhi asnjë nga të afërmit të na sillte, sikur dhe një paketë cigare.

Më erdhi, në fakt, keq dhe m’u dhimbs për çka atij i kishin ndodhur, prandaj kur zbritëm, shkëmbyem numurat e celularve dhe i thashë që të takoheshim diku një ditë tjetër e të pinim kafe.

Filed Under: LETERSI

Populli hebre nuk e harron ndihmën e popullit shqiptar

March 12, 2019 by dgreca

-Presidenti Thaçi falënderon Kongresin Botëror të Hebrenjve për pranimin e Bashkësisë Hebraike të Kosovës/

PRISHTINË, 12 Mars 2019-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur zyrtarin kryesor ekzekutiv të Kongresit Botëror të Hebrenjve, Robert Singer, të shoqëruar nga Votim Demiri, Kryetari i Bashkësisë Hebraike të Kosovës, me të cilët ka biseduar për bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Kongresit Botëror të Hebrenjve.

Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova është mirënjohëse për ndihmën dhe përkrahjen që shteti i Izraelit u ka dhënë qytetarëve të Kosovës, sidomos në vitet 1998 dhe 1999.

“Miqësia jonë i ka rrënjët thellë në histori dhe në fatet e ngjashme që kemi pasur si popuj”, u shpreh presidenti Thaçi, duke i falënderuar për vendimin që edhe Bashkësia Hebraike e Kosovës të bëhet pjesë e Kongresit Botëror të Hebrenjve.

Zyrtari i Kongresit Botëror të Hebrenjve, Robert Singer, theksoi se populli hebre nuk e harron ndihmën e popullit shqiptar për popullin hebraik.

Ai shtoi se shteti i ri i Kosovës ka potenciale të shumta.

“E gjeni veten në një rajon të ndjeshëm dhe është i admirueshëm përcaktimi për paqe dhe harmoni mes feve”, u shpreh Singer.

Presidenti Thaçi theksoi se Kosova është shembull i tolerancës mes popujve, feve dhe kulturave.

“Toleranca dhe bashkëjetesa janë vlera tonat”, potencoi presidenti Thaçi, duke shtuar se Kosova është shtëpi e të gjithë komuniteteve të saj./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Thaci

RUDINA Hajdari: Nuk e djeg mandatin, respektoj Kushtetutën

March 12, 2019 by dgreca

Nga Ilirian AGOLLI*

Në Tiranë, deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari, bëri të ditur se do të vazhdojë të marrë pjesë në punimet e parlamentit, duke kundërshtuar vendimin e partisë së saj për të djegur mandatet parlamentare.

Zonja Hajdari thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se vendimi i saj është në respekt të Kushtetutës, ndërsa vendimi i partisë demokratike është marrë me nxitim, pa u llogaritur rreziku i destabilitetit.

Pas kësaj interviste, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se nga sot ajo nuk përfaqëson më Partinë Demokratike në Parlament .

Në Tiranë, deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari, bëri të ditur se do të vazhdojë të marrë pjesë në punimet e parlamentit, duke kundërshtuar vendimin e partisë së saj për të djegur mandatet parlamentare.

Zonja Hajdari thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se vendimi i saj është në respekt të Kushtetutës, ndërsa vendimi i partisë demokratike është marrë me nxitim, pa u llogaritur rreziku i destabilitetit.

Pas kësaj interviste, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se nga sot ajo nuk përfaqëson më Partinë Demokratike në Parlament.

Zëri i Amerikës: Zonja Hajdari! Deputetët e opozitës kanë vendosur të heqin dorë nga mandati. Ju ende nuk jeni shprehur se ‘do të bëni. A keni marrë nje vendim?

Rudina Hajdari: Ky është një moment i vështirë për jetën time. Këtu nuk bëhet fjalë për karrierën time politike. Jam vënë përpara një përgjegjshmërie shumë të lartë morale dhe njerëzore. Duke parë situatën e sotme, mendoj se Shqipëria është në një udhëkryq, ku nuk shihen zgjidhje as majtas as djathtas. Nga ana tjetër të gjithë jemi në gjendje të shohim se ku është e ardhmja, por e kaluara është ende mbi supet dhe në zemrat tona. Duke qenë se jemi në këtë udhëkryq unë mendoj se duhet të vendos me një përgjegjshmëri shumë të lartë morale. Nuk do të zgjedh rrugën më të lehtë dhe të siguroj karrierën time politike, por do të zgjedh një rrugë e cila ka të bëjë me të ardhmen e Shqipërisë dhe për fëmijët tanë.

Zëri i Amerikës: Më konkretisht, a do të merrni pjesë në punimet e parlamentit, apo do ta dorëzoni edhe ju mandatin si kolegët e tjerë të deputetë të partisë demokratike?

Rudina Hajdari: Vendimi im ka të bëjë me të ardhmen e Shqipërisë dhe me ecurinë e demokracisë në vend. Unë mendoj se parlamenti i jep oksigjen demokracisë në vend, u jep oksigjen partive politike, ai është vendi ku ne përfaqësojmë sovranin. Duke marrë parasysh këtë përgjegjshmëri të lartë që unë ndjej mbi shpatulla, mendoj se qëndrimi në parlament do të ishte vendimi më i duhur dhe shërbimi më i duhur që do t’i bëja të ardhmes së Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Pse vendosët të ndërmerrni një vendim të tillë? Cilat janë arsyet?

Rudina Hajdari: Janë disa arsye komplekse besoj, mes të cilave ka arsye shumë të rëndësishme për vendin tonë. Së pari duhet të sqaroj se kur partia demkratike mori vendimin për djegien e mandateve unë nuk kam qenë e pranishme në mbledhje, nuk jam kontaktuar në asnjë lloj forme për t’u konsultuar mbi këtë vendim. Nëse do të isha në atë mbledhje, do të parashtroja dy gjëra: vendimi për të dorëzuar mandatet në mënyrë en block nga të gjithë deputetët e opozitës dëmton interesin e Shqipërisë në dy mënyra. Së pari ai dëmton proceset integruese në Bashkimin Europian dhe së dyti dëmton marrëdhëniet bilaterale me partnerët tanë strategjikë si SHBA dhe BE. Mendoj se ky vendim është marrë në mënyrë rrufe. Përvoja e jetës na tregon që kur marrim vendime pa i menduar mirë mund a paguajmë shumë shtrenjtë. Ky vendim dëmton interesat e Shqipërisë dhe mund të na çojë vendin në destabilitet. Kjo na kujton një të shkuar që na rëndon mbi supe. Shqipëria e ka provuar destabilizimin. Me destabilizim ne zerojmë çdolloj zhvillimi dhe përparimi në procesin e demokracisë. Demokracia është fituar në Shqipëri. Kanë qenë njerëz të tjerë që e kanë bërë këtë sakrificë për ne, kanë derdhur nëpër rrugët e Tiranës dhe të Shqipërisë për të nisur demokracinë në Shqipëri. Demokracia është një proces dhe ne duhet të punojmë së bashku për të përparuar Shqipërinë, për të forcuar institucionet tona dhe për të bërë të pamundurën për ta çuar Shqipërinë drejt proceseve euro-atlantike.

Destabilizimi është një kthim pas, ndaj unë do të doja që Shqipëria të mos e përjetojë kurrë më këtë gjë. Do të doja që të ishim të gjithë së bashku të një mendimi që Shqipëria të mos shkojë më drejt asaj rruge. Këtë lloj politike, këtë model politike, që e ka çuar Shqipërinë në destabilizim, shqiptarët e kanë paguar shtrenjtë. Prandaj mendoj se vendimi im është ai i duhuri.

Zëri i Amerikës: Ka patur kandidatë nga listat dhe nga Partia Demokratike që nuk i janë bindur vendimit për heqjen dorë nga mandate, dhe tani ata po cilësohen si tradhëtarë, njerëz që kanë shitur shpirtin, që janë blerë nga shumica. A druheni se të tilla akuza mund të bien dhe mbi ju?

Rudina Hajdari: Kjo gjë mua nuk më shqetëson absolutisht fare, sepse këto akuza vijnë nga njerëz me shpirt të ngordhur dhe që janë shpresë-shtypësit e këtij vendi. Unë nuk jam nga ata njerëz: Unë nuk e shes shpirtin tim. Në momentin që shpirti shitet nuk blihet më. Ajo që më shqetëson mua gjatë gjithë ditës është që të jem përfaqësuese e mirë e këtij populli, të jem një nënë e mirë, të jem një grua e mirë dhe të bëj të pamundurën që të ecim përpara për ta zhvilluar Shqipërinë në të gjitha fushat e mundshme. Ato epitete nuk më shqetësojnë.

Zëri i Amerikës: Në rastin e deputetit Murrizi u shkua deri në masën e përjashtimit nga Partia Demokratike. E keni parashikuar një gjë të tillë?

Rudina Hajdari: Unë dua t’i kujtoj Partisë Demokratike se kjo nuk është hera e parë që ajo përjashton deputetë apo anëtarë të saj, madje kanë ndodhur edhe në familjen time, ka ndodhur me tim atë dy herë dhe në të dy rastet ato janë penduar për këto vendime.

Zëri i Amerikës: Azem Hajdari është kryetari i parë i Partisë Demokratike.

Rudina Hajdari: Po. Im atë është titulluar kryetari historik i Partisë Demokratike. Pas vdekjes së tij, ai është ttulluar kryetari i përhershëm i Partisë Demokratike. Gjatë jetës së tij Azem Hajdari është përjashtuar dy herë nga Partia Demokratike dhe për për këto vendime besoj se Partia Demokratike është penduar. Duhet të jemi shumë të matur para se të marrim këto lloj vendimesh dhe të jemi të kujdesshëm se çfarë mesazhesh ne japim me këto vendime.

Për sa i takon disiplinës brenda Partisë Demokratike, çdo deputet ka peshën e vet në vendimet e partisë. Kur marrim këto vendime kaq të rëndësishme në një mënyrë kaq të rrufeshme, duhet të jemi të përgjegjshëm se çdo deputet ka peshën e vet dhe vendim-marrjen e vet.

Ky vendim ka lidhje me Kushtetutën tonë. Unë nuk mund të ndjek dot një vendim kolegjial, që shkon kundër frymës së Kushtetutës së Shqipërisë, kundër interesit të Shqipërisë. Më vjen keq nëse unë zhgënjej partinë time në këtë mes, por unë do të zgjedh interesin e Shqipërisë mbi të gjitha.

Zëri i Amerikës: Cili do të jetë qëndrimi juaj në parlament dhe marrëdhëniet me ata përfaqësues të opozitës që tanimë kanë hyrë apo dhe disa të tjerë që e kanë shprehur publikisht se do ndërmarrin të njëjtin veprim?

Rudina Hajdari: Gjërat janë akoma në ajër. Ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë. Unë do të kem një marrëdhënie shumë normale e korrekte me kolegët, do të përpiqem të konlutohem dhe të punoj fort me intelektualët e këtij vendi, me studentët, me njerëzit, për të parë se si mund të ecim përpara. Por kjo bëhet duke përfaqësuar njerëzit brenda parlamentit, bëhet duke mos rrëzuar sistemin. Ne kemi luftuar shumë për këtë sistem. E kanë paguar të tjerë këtë çmim. Ne duhet të ecim përpara. Ne duhet të përmirësojmë sistemin aktual. Ky ka qenë gjithnjë synimi im në të gjithë angazhimet e mëparshme. Edhe kur thoja të përfshihemi me studentët, ishte që unë doja ta përmirësoja sistemin dhe jo ta rrëzoja sistemin.

Zëri i Amerikës: Si e shihni ju situatën politike dhe zhvillimet brenda opozitës, raportet e saj me qeverinë dhe rendin e protestave?

Rudina Hajdari: Partia Demokratike është një parti shumë e madhe opozitare. Anëtarësia e saj është shumë e gjerë dhe unë kam kontakt me ta. Nuk e ndjej veten time të ndarë nga ata.

Tani unë po flas thjesht për këtë vendim. Të gjithë duhet të reflektojmë dhe si t’i zgjidhim këto probleme. Nuk mund të futemi ne në një mes ku nuk shohim krye se çfarë do të ndodhë. Ne nuk mund të parashikojmë dot se çfarë lloj rreziku mund t’i sjellë ky vendim Partisë Demokratike, partisë më të madhe opozitare në vend. PD po lufton për votën e lirë dhe të ndershme. Këtu edhe kam një gjë tjetër: E kam shumë të vështirë të luftoj përkrah një partie si LSI. Nuk e bëj dot sepse është një çështje parimore për mua. Po të hapësh raportet e OSBE/ ODIHR, ajo është një nga partitë që ka patur shumë probleme kur vjen fjala për këtë fenomen. Vota e lirë dhe e ndershme duhet të kërkohet nga Partia Demokratike, sepse ka rekorde jashtëzakonisht të pastra kur vjen puna për të mos e shitur votën e saj por ka vepruar në mënyrë të drejtë.

Ne jemi një parti që jemi ngritur qysh herët kundër sistemit diktatorial dhe kundër së keqes në Shqipëri, ne duhet të vazhdojmë të jemi Partia Demokratike, ashtu si ishte qysh në origjinën e saj, duke përmirësuar sistemin aktual, sepse ne e kemi sjellë sistemin demokratik në Shqipëri.

REAGIMI

Pas kësaj interviste në VOA, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se “nga sot ajo nuk përfaqëson më Partinë Demokratike në Parlamentin e Krimit dhe për pasojë nuk është më as anëtare e Këshillit Kombëtar të PDSH”.

Ai shtoi se vendimi i saj është personal dhe se mandati është i demokratëve.

“Në rastin e Rudina Hajdarit çdo vendim statutor është i panevojshëm, sepse formalisht ajo nuk rezulton e regjistruar si anëtare e Partisë Demokratike” – tha zoti Bardhi.

Zoti Bardhi tha se Azem Hajdari ka qenë, është dhe do të mbetet simbol i demokratëve dhe historisë së Partisë Demokratike.

“Beteja dhe amaneti i tij për liri dhe demokraci është sot më aktual se kurrë, kur Shqipëria rrezikohet nga një Qeveri ilegjitime, kriminale dhe e korruptuar” – tha zoti Bardhi.

Ai përmendi djalin e Azem Hajdarit si një nga folësit e protestës së opozitës, ditën kur u dorëzuan mandatet.

“Sakrifica sublime e Azem Hajdarit nuk do të shkojë dëm. Demokratët dhe qytetarët janë në këmbë për të mbrojtur Lirinë dhe Demokracinë, për të mos lejuar që shqiptarët të qeverisen nga krimi. Ata kanë folur qartë më 16 Shkurt dhe do të flasin edhe më qartë më 16 Mars: Shqipëria do të bëhet si gjithë Europa. Koha e Edi Ramës ka mbaruar!” – mbyllet reagimi i sekretarit të përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi.

*Ndiqeni te plote ne vidio intervisten qe i mori Ilirian Agolli ne Tirane per Zerin e Amerikes

Filed Under: Analiza Tagged With: Rudina Hajdari

Rënie civilizimesh

March 12, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi
Rënia e qytetërimeve ka tërhequr prej kohësh vemendjen e historianëve.
Arnold Toynbee (1918–1950) në librin e tij “A Study of History” trajton rreth 30 qytetërime që njerëzimi ka kaluar. Sipas tij, në shumicën e rasteve qytetërimet kanë qenë vetë përgjegjëse për rënien e tyre. Vetë-shkatërrimi është natyrë e njeriut. Sidoqoftë, rrënimi i qytetërimeve është ndihmuar edhe nga faktorë të ndryshëm të jashtëm. 
Perandoria Romake, për shembull, ishte viktimë e  zgjerimit të tepruar dhe e udhëheqjes së dobët. Por ajo gjithashtu u gjunjëzua kur u dynd nga visigotë dhe vandalë nga viti 410 deri më 455. 
Rënia është shpesh e shpejtë dhe madhështia nuk shërben si vaksinë për të siguruar imunitet. Në vitet 390, Perandoria Romake mbulonte një sipërfaqe prej 1.9 milionë kilometra katrorë dhe vetëm 5 vjet më pas, ajo shtrihej vetëm në 770.000 kilometra katrorë. Prej viti 476, sipërfaqja që zinte ishte zero.
Rënia mund të përkufizohet si pakësim i shpejtë e numrit të popullsisë dhe humbje e identitetit. Shërbimet publike rrënohen dhe çrregullimi vjen ndërsa qeveria humbet monopolin. 
Rënia mund të vijë pavarësisht nga shkalla e lartë e zhvillimi. Qytetërimi i sotëm, për shembull, mund të jetë më i avancuar, por kjo nuk e mbron nga kërcënimet që kanë hasur qytetërimet e kaluara. Aftësitë teknologjike sjellin edhe sfida.
Ndërsa nuk ekziston një teori e vetme e pranuar përse bien qytetërimet, historianët propozojnë shpjegime të ndryshme, duke përfshirë ndryshimet klimatike. Rënia e Anasazit, Mayas dhe shumë qytetërimeve të tjera kanë përkuar të gjithë me ndryshime klimatike të papritura, zakonisht thatësira.
Rënia mund të ndodhë kur shoqëritë tejkalojnë kapacitetin e mjedisit të tyre. Kolapsi ekologjik vjen nga shpyllëzimi i tepruar, ndotja e ujit, degradimi i tokës dhe humbja e biodiversitetit. 
Qeverisja nga elita oligarkësh është një recetë për rrënie qytetërimesh. Pasuria dhe pabarazia politike mund të jenë nxitësit qendrorë të shpërbërjes sociale, ashtu si edhe oligarkia dhe centralizimi i pushtetit. Kjo jo vetëm që shkakton shqetësime sociale, por pengon aftësinë e një shoqërie për t’iu përgjigjur problemeve ekonomike.
Hstoriani Joseph Tainter është i mendimit se shoqëritë në fund rrënohen nën peshën e kompleksitetit dhe burokracisë së tyre të akumuluar.
“Katër kalorësit” që shënojnë fundin e qytetërimit janë lufta, fatkeqësitë natyrore, uria dhe sëmundjet epidemike. 
Një shpjegim përfundimtar përse qytetërimet bien, nuk ka. Por dihet se njeriu rrëzohet nëse ecën sy mbyllur, dhe është i dënuar nëse nuk e përfill të kaluarën.

Filed Under: Opinion Tagged With: Astrit Lulushi

Presidenti Meta vlerëson me Dekoratën “Nënë Tereza” drejtuesit e organizatës ndërkombëtare “People to People International”

March 11, 2019 by dgreca

Në një ceremoni solemne, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi sot me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza” Presidenten e organizatës ndërkombëtare “People to People International”, zonjën Mary Jean Eisenhower, si dhe Konsullin e Përgjithshëm të Nderit të Shqipërisë në Atlanta të SHBA, Ambasadorin Theodore Roosevelt Britton.

Presidenti Meta u dorëzoi dy personaliteve të shquara amerikane titullin e lartë në shenjë mirënjohjeje për kontributin e çmuar dhe të vazhdueshëm në promovimin dhe prezantimin e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe si drejtues të organizatës ndërkombëtare “People to People International”, që është e pranishme edhe në Shqipëri.

Fjala e Presidentit të Republikës së Shqipërisë Sh.T.Z. Ilir Meta:

“I dashur Ambasador Theodore Britton dhe zonja Mary Eisenhower,

Familjarë të nderuar, miq dhe të ftuar!

Jam i gëzuar që kam mundësinë në cilësinë e Presidentit të Republikës të vlerësoj sot dy njerëz të shquar e të nderuar, një zotëri dhe diplomat të respektuar dhe një zonjë të nderuar, humaniste dhe partnere paqeje, e cila drejton një nga organizatat më të njohura në botë: ‘People to People International’, e themeluar nga gjyshi i saj, Presidenti amerikan Eisenhower, çlirimtari i Europës, i cili udhëhoqi forcat aleate që i dhanë fund Luftës së Dytë Botërore.

Zonja Eisenhower dhe Ambasadori Britton nuk kanë nevojë për shumë prezantim, pasi ata janë njerëz që gëzojnë respekt të lartë e që nderohen në sferat e jetës ku janë përfshirë dhe angazhuar, veçanërisht si udhëheqës të “People to People International”, me prani edhe në vendin tonë.

Unë nuk pata asnjë hezitim kur gjeta propozimin në tryezën time për të vlerësuar këto dy personalitete me Dekoratën e “Nënës Terezës”, një nga medaljet më të larta që jepen në emër të humanistes me famë botërore, e cila ia kushtoi jetën e saj ndihmës për njerëzit në nevojë.

I dashur Ambasadori Britton,

Kontributi juaj shumë i vlefshëm si Konsulli i Përgjithshëm i Nderit i Shqipërisë në Atlanta të Shteteve të Bashkuara që nga viti 2006, detyrë që e keni mbajtur me nder dhe dinjitet, qenia anëtar i bordit të drejtuesve të ‘People to People International’, të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë si dhe në shumë organizata të tjera amerikane, por dhe arritjet që keni shënuar në jetën tuaj më inkurajuan t’ju vlerësoj me Dekoratën “Nënë Tereza”.

Ambasadori Britton ka treguar një interes të veçantë dhe mbetet një mik jetëgjatë dhe i vendosur i Shqipërisë dhe i shqiptarëve.

Dekorata e sotme e “Nënë Tereza” është një vlerësim tjetër që i jepet atij nga një vend, që e do shumë por edhe që e respekton atë pa fund.

E dashur zonja Eisenhower,

Edhe roli e vepra juaj është po aq e rëndësishme, jo vetëm ndaj paqes në botë, por sidomos kontributi juaj i prekshëm në promovimin e vendit tonë duke prezantuar e përmendur Shqipërinë në Shtetet e Bashkuara dhe më tej gjatë fjalimeve dhe diskutimeve tuaja, që nëpërmjet misionit tuaj e kanë vendosur vendin tonë në hartën e botës për mirë.

Vizita juaj e parë në Shqipëri u bë në vitin 2000 për të ndihmuar chapterat shqiptarë të “People to People International”, të cilët ndihmuan shqiptarët e Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë e tyre gjatë periudhës së genocidit dhe më vonë ju vazhduat të vinit në këtë vend, me të cilin ratë shumë shpejt në dashuri.

Puna juaj me disa programe të “People to People International”, me Forumin Rinor Botëror, me Operacionin Ndërkombëtar të Fëmijëve, Nismën Globale të Paqes, me Kampin e Paqes, Nismat Globale të Minave me Departamentin Amerikan të Shtetit, si dhe shumë të tjera kanë përfshirë edhe shumë studentë shqiptarë e të rritur, të cilët janë përfshirë duke i hyrë një udhëtimi vendimtar për të vendosur paqen aq shumë të nevojshme në botë.

Znj. Eisenhower iu bashkua në vitin 1998 organizatës për të vazhduar e çuar edhe më tej ëndrrën e të gjyshit të saj, Presidentit. Eisenhower, – që më vonë u shndërrua edhe në vetë ëndrrën e saj. Ajo aktualisht është Presidente e “People to People International”.

Të nderuar Zonja Eisenhower dhe Ambasadori Britton,

Do të doja të përftoja gjithashtu nga ky rast për të vlerësuar edhe degët e “People to People International, të cilët janë shndërruar në Ambasadorë të Mirë Shqiptarë dhe nëpërmet familjes suaj globale, kanë promovuar vendin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Ju faleminderit shumë për të gjithë kontributin që keni dhënë për promovimin e vlerave më të mira të kombit tonë

Filed Under: Emigracion Tagged With: Presidenti Ilir Meta

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT