
Tregim nga Hasan KOSTRECI
– Jetoni jashtë apo ishit si turist diku dhe sot po ktheheni – më pyeti personi që kisha në krah, me të cilin po udhëtonim me avionin e vogël “Al Italia” nga Roma, për në Tiranë.
– Po, jam në Amerikë – iu përgjigja.
– Sa mirë, paski shpëtuar, sepse ky vënd, o vëlla nuk bëhet – më tha dhe më vështroi edhe njëherë.
Isha lodhur, në fakt duke e dëgjuar gjithmonë këtë shprehje dhe megjithëse vërtetësi kishte, këtë herë nuk munda dot ta duroj dhe e kundështova.
– Paske urrejtje të madhe për demokracinë dhe kjo tregon se duhet të kesh qënë mirë në atë kohë dhe e kujton me nostalgji.
Ai nuk m’u përgjigj, por mbasi bëri një buzëqeshje të lehtë, u kthye me fytyrë nga dritarja dhe nisi të shikojë poshtë “Detin Adriatik”. Stuardezat në atë moment na prunë nga një pako biskota dhe ndërsa unë kërkova edhe një gotë ujë, ai porositi kafe. Po e vështroja me bisht të syrit dhe vura re se në moshë duhej të ishte diçka më i madh nga mua, pra, afër të tetëdhjetave, por nishani që kishte në faqe, më bëri të dyshoj se diku me të isha parë.
– As hasmit, vëlla, nuk do ia uroja, jetën që kam kaluar unë – vazhdoi ai mbas një heshtje – prandaj duhet që të më kërkosh falje për akuzën që më bëre.
– Ndofta ke të drejë – iu përgjigja – por ne në emigracion, kemi mall për vëndin dhe s’na e mban zëmra që të dëgjojmë keq për të.
– Sa kohë ke që je larguar?
– Qysh në nëntëdhjetën.
– Dhe ke akoma nostalgji.
– Kur ika, të them të drejtën, jo, por me kalimin e viteve, sigurisht….Po dua t’u pyes mos ke shërbyer si ushtarak para shumë vitesh në Kodovjat të Gramshit?
– Po, ashtu ka qënë, por edhe ti ama po më kujtohesh, sepse pikërisht atë kohe, ke qënë arsimtar në një fshat gjysëm ore më tutje, në Bulçar. A po jo? – tha dhe kur qeshi, iu përafrua edhe më shumë fytyrës së atij oficeri simpatik, me të cilin qeshë njohur pesë e më shumë dekada perpara.
– Mirë unë të njoha ty nga nishani, po ti si më njohe mua? – u bëra unë kurioz.
– Sepse ai regjim të gjithëve na ka lënë nga një nishan, që nuk na hiqet, sa të jemi gjallë – m’u përgjigj dhe prej ironisë së tij, këtë radhë qesha edhe unë.
– Po jemi takuar edhe njëherë tjetër në hidrocentralin e Fierzëz – më tha – a të kujtohet, por meqënëse të dy qemë veshur me xhupa të vjetër pambuku dhe as unë s’e kisha më uniformën ushtarake, por as edhe ti atë të mësuesit, vetëm u pamë, por nuk folëm.
– E pse ashtu? – e pyeta përsëri më shumë, që të më thoshte ndonjë tjetër batutë, sepse e pashë që kishte humor.
– Sepse u kuptua që të dy e kishim marë nga regjimi nga një goditje dhe nuk qe e nevojshme ta pyesnim se si apo qysh – m’u përgjigj.
Ai, e dija qysh atëhere se kishte mbaruar studimet në Moskë. Që ishte intelektual dhe përveç rusishtes, dinte gjithashtu edhe italisht, por arësyen se pse kishte rënë nga kali, jo, por nuk erdhi puna për ta pyetur, sepse ai mbas pak filloi vetë të ma tregojë.
– Mbasi u ktheva nga Bashkimi Sovjetik, u emrova oficer me gradën major në Ministrinë e Brendëshme. Punova atje disa vjet dhe me ambicjen që të ngrihesha më lart e të bëja karierë, pranova që të aktivizohesha në disa raste, jo dhe aq të këndëshme – më tha – po me prishjen me Rusët, nisi edhe rrokullima. Gramshi qe ndalesa e parë, e dyta në Fierzë dhe me të tretën përfundova në burgun e Burrelit.
– Ashtu, më ardhka keq – i thashë.
– Aspak mos të vijë keq, sepse Zoti për mëkatat që unë dhe klasa jonë ka bërë, na ndëshkoi – m’u përgjigj dhe nxorri me shpejtësi nga xhepi një cigare, e vuri në buzë dhe nga nervozizmi gati po e kafshonte. E shikova në sy dhe kuptova se diçka i kishte ndodhur, por dhe u habita njëkohësisht, sepse ishte hera e parë që nga një ish komunist, dëgjoja akuza të tilla për veten dhe klasën e tij.
– Më shumë na ka dënuar historia – i thashë për ta qetësuar, sepse e pashë që ishte i fryrë dhe donte të zbrazej.
– Po që më divorcoi gruaja, sa u futa në burg, historia e kishte fajin – më pyeti dhe m’u sikur priste përgjigje nga mua – bile pa pikë turpi më përvetësoi edhe apartamentin që e kisha në emrin tim dhe kur u lirova, s’kisha ku të futja as kokën.
– Paska qënë e keqe dhe nuk e ke njohur mirë – i thashë.
– Xhinsi jonë nga familje komunistësh ishte. I gjithë rrethi i saj qenë o sekretara partie o hetues degash.
– Dhe a e more apartamentin?
Mbasi bëra disa gjyqe, sepse ajo edhe në kohën e demokracisë, qe e fortë dhe kishte përkrahje.
Ndaluam për disa sekonda bisedën, sepse nga altopalanti u njoftua që po i afroheshim aeroportit “Nënë Tereza” në Tiranë .
– Sot po vij nga Milano –vazhdoi – sepse shkova që të takoja t’im bir.
– Qënka student në Itali?
– Është në burg, sepse u muar me drogë. Prandaj jam edhe kaq i mërzitur. Pra, klasa jonë e ka pësuar edhe më keq nga ju. A je dakord?
– Jo – e kundërshtova – sepse me ne ai regjim e nisi qysh në dyzet e katrën dhe nuk rreshti deri në nëntëdhjetën
– Po si familje ama, nuk u shkatërruat, kurse neve na ndanë gratë, vëllezërit, motrat dhe i gjithë farefisi. Do që t’i numuroj me emra se sa nga ata që e pësuan si puna ime, i divorcuan gratë?
– Jo, nuk është nevoja, po…. si e shpjegon ti këtë?
– Si e shpjegoj, sepse qemë një klasë e dalë nga hiçi dhe shkuam në krye artificialisht, kur nuk kishim as merita, as taban, as trashëgimi dhe as genie – m’u përgjigj – jam dëshmimtar dhe i kam parë vetë, se si familjet tuaja linin veten pa gjë, por ata që kishin në burg, i ndoqën nga pas dhe asnjëherë s’i braktisën, ndërsa neve s’na erdhi asnjë nga të afërmit të na sillte, sikur dhe një paketë cigare.
Më erdhi, në fakt, keq dhe m’u dhimbs për çka atij i kishin ndodhur, prandaj kur zbritëm, shkëmbyem numurat e celularve dhe i thashë që të takoheshim diku një ditë tjetër e të pinim kafe.