• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2019

Kryeipeshkvi i Nju Jorkut viziton kishën shqiptare”Zoja e Shkodrës”

March 4, 2019 by dgreca

1 dom Pjetri.JPG1 Kryeipeshkevi i NY1 Ipeshkevi1 agim Kola

Nga Ilir IKONOMI*/

Kryeipeshkvi i Nju Jorkut, kardinali Timothy Dolan inkurajoi komunitetin katolik shqiptar të Amerikës të qëndrojë i bashkuar dhe të ruajë besimin. Ai foli të dielën pasdite gjatë një vizite në Kishën Zoja e Shkodrës në Hartsdale të Nju Jorkut dhe shprehu simpati për katolikët e Shqipërisë që vuajtën veçanërisht shumë gjatë komunizmit. Kolegu ynë Ilir Ikonomi ishte në kishën shqiptare dhe na dërgoi këtë material.

Kardinali Timothy Dolan u prit me përzemërsi dhe me një stuhi duartrokitjesh nga komuniteti katolik shqiptar që kishte mbushur kishën Zoja e Shkodrës në periferitë e Nju Jorkut.

Kardinali Dolan, i njohur si konservator dhe si njeri mjaft karizmatik, është kleriku më i lartë dhe kardinali i dytë që vjen për të dhënë meshë në këtë kishë.

Dioqeza që ai përfaqëson përfshin disa qindra kisha dhe komuniteti katolik shqiptar i Nju Jorkut e shikon vizitën e tij si një nder të madh.

“Ju admiroj shumë për arsye të historisë që ju keni, historisë së vuajtjes dhe përndjekjes për besimin tuaj të thellë katolik,” tha kardinali.

“Ata shkatërruan kishat tuaja, vranë priftërinjtë tuaj, ju shkatërruan katekizmin, ata madje nuk ju linin tu vinit fëmijëve emra të krishterë. E megjithatë, ju, prindërit dhe gjyshërit tuaj nuk u përkulën por u mbajtën fort pas besimit të tyre.”

“Dhe tani, ju e sillni këtë besim të thellë katolik që u sprovua në zjarrin e përndjekjes, këtu në Shtetet e Bashkuara, ku ne kemi nevojë për të. Sepse këtu në Amerikë ne nuk na është dashur të vuajmë aq shumë për këtë besim. Ne e marrim atë si diçka të natyrshme.”

“Prandaj ruajeni këtë besim, ruajeni gëzimin dhe unitetin në familjet tuaja. Ruajeni dashurinë për besimin tuaj dhe bëni që ai të jetë një dritë për botën. Ne kemi nevojë për ju, kemi nevojë për shembullin tuaj,” tha kardinali Dolan.

Kardinalit iu dorëzua një pllakat me fotografitë e 38 klerikëve shqiptarë të vrarë nga komunizmi në Shqipëri, dhe një portret i Nënë Terezës.

Famulltari i Kishës Zoja e Shkodrës, Dom Pjetër Popaj u bëri jehonë fjalëve të kardinalit. Ai kujtoi kohën kur në Shqipërinë komuniste përndiqeshin njerëzit e besimit, rrëzoheshin kishat dhe shkatërroheshin kambanaret:

“Krimet e kryera ndaj priftërinjve ishin përtej përfytyrimit njerëzor, pra që një qënie njerëzore duhej të trajtohej aq mizorisht nga një tjetër qënie njerëzore.”

Kardinali Dolan dhe Dom Pjetri folën përpara një audience ku një pjesë e mirë e njerëzve janë të ardhur nga Shqipëria dhe i kanë përjetuar vetë ato vuajtje.

Tonin Mirakaj është veprimtar i Kishës Zoja e Shkodrës:

“Unë personalisht ndiej një emocion të posaçëm sepse një prej atyre është Fran Mirakaj, xhaxhai im. Kur e pashë atë pikturë në dorën e tij ndieva sigurisht një emocion. Ai u zhduk, nuk dihet as varri i tij e asgjë tjetër. Fran Mirakaj është një ndër 38 martirët e Kishës Katolike. Ishte njpë akt i mirë që bëri Dom Pjetri që i dhuroi kardinalit atë pikturë bashkë me atë të shënjtores Nënë Tereza. Për ne shqiptarët të gjitha këto janë me shumë rëndësi.”

“Me fjalët e tij, ai respektoi shqiptarët, historinë shqiptare dhe të gjitha ato që kanë ndodhur në trojet shqiptare gjatë komunizmit dhe gjatë shtypjes ndaj besimit të fesë,” thotë Marjan Cubi, veprimtar i qendrës kulturore të Kishës.

Njerëzit e duan këtë kishë, e cila u ndërtua me ndihmën e të gjithëve, edhe të komunitetit mysliman. Ata vijnë me shumë dëshirë, disa udhëtojnë më tepër se një orë me makinë për të ardhur këtu. Nuk është thjesht një kishë por edhe një shtëpi.

Por kjo e dielë ishte mjaft e veçantë. Lidia Curanaj, është një personalitet i njohur televiziv i Nju Jorkut.

“Jemi shumë të gëzuar që ka ardhur kardinali. Jemi shumë krenarë që ka ardhur këtu. Ai na do dhe ne e duam,” thotë ajo.

Lidia e ka mësuar shqipen nga prindërit që emigruan në Amerikë dhe thotë se është mjaft e lidhur me këtë kishë:

“Nëna dhe babai kanë ardhur këtu pa shkollë dhe na kanë mësuar shqipen. S’e di krejt por mirë boll e di. Kemi blerë shtëpinë afër këtu për që qenë afër kishës. Aq shumë duam që të jemi shqiptarë. Duam edhe vajzën ta rrisim që të jetë shqiptare. Është me shumë rëndësi që vajzën ta rrisim të jetë amerikane krenare dhe shqiptare krenare.”

Kardinali Dolan ka një mënyrë të hapur komunikimi dhe dëshron t’i takojë të gjithë, një për një. Kur e pyesim se ç’mendon për komunitetin shqiptar, ai përgjigjet thjesht:

“I dua shumë, jam i gëzuar që ndodhem këtu”.

Ai thotë se një ditë Nju Jorku ndoshta do të ketë një arkipeshkv shqiptar.(Zeri i Amerikes)-Fotografite-Kortezi-Lidia Curranaj

 

Filed Under: Featured Tagged With: Ilir Ikonomi, Kryeipeshkvi i Nju Jorkut viziton kishën shqiptare, Zoja e Shkodres

HISTORIKE- SHQIPTARET FITOJNE KOMUNEN E TUZIT

March 3, 2019 by dgreca

Koalicioni i partive politike shqiptare fitues i zgjedhjeve në Tuz të Malësisë/1 TuziNGA ALI SALAJ/VOA/

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve vendore për komunën e plotë të Tuzit në Malësi, tregojnë për një fitore të koalicionit “Malësia na bashkon”.

Koalicioni i tri partive politike shqiptare, fitoi 16 vende në Kuvendin lokal të Tuzit, i cili numëron 32 vende, ndërkaq pasojnë Partia Demokratike Socialiste e presidentit malazez, Milo Gjukanoviç me 10 vende, Partia Boshnjake me 4 vende dhe nga 1 vend Partia social Demokrate dhe Demokratët.

Ky rezultat paraprak e detyron koalicionin e partive politike shqiptare që të bashkëqeverisë me ndonjë parti të spektrit politik malazez ose boshnjak.

Vëzhguesit i vlerësuan zgjedhjet e së dielës në Tuz të Malësisë të qeta, pa incidente dhe demokratike.

Zgjedhjet vendore për komunën e Tuzit, që u ndoqën nga afër edhe nga anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, me përfaqësues të diasporës shqiptare nga Shtetet e Bashkuara, u konsideruan si shumë të rëndësishme për të ardhmen e shqiptarëve që janë komunitet shumicë në Malësi.

Këto zgjedhje u cilësuan si historike nga fakti se për herë të parë pas viti 1957, kur Tuzit i ishte suprimuar vetëqeverisja, rivotohet për Komunë të pavarur të Malësisë.

Komuna e plotë e Tuzit ishte pika programore e të gjitha forcave politike shqiptare në Mal të Zi, të cilat gati tri dekada kërkuan vetëqeverisjen lokale për zonën e Malësisë.

Kosova përgëzon fituesit e zgjedhjeve në Tuz

Udhëheqës institucionesh në Kosovë përgëzuan koalicionin e partive politike shqiptare për fitoren në zgjedhjet në komunën e Tuzit.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli tha se kjo fitore është mesazh për shqiptarët kudo që janë.

KADRI VESELI- Fitorja e sotme e shqiptarëve në Tuz është mesazh për shqiptarët kudo që janë: Kur bëhemi bashkë, arrijmë aty ku duam. Gjithmonë. Urime!Kur bëhemi bashkë, arrijmë aty ku duam. Gjithmonë. Urime!”, shkroi ai në faqen e tij në facebook.

Në një postim të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, thuhet se “Bashkimi në koalicion i subjekteve politike shqiptare, fitoi të drejtën për të qeverisur me Tuzin. Një shembull i shkëlqyer se uniteti i faktorit shqiptar sjell suksesin. Urime shqiptarëve të Tuzit për këtë fitore historike!”

RAMUSH HARADINAJ-Bashkimi në koalicion i subjekteve politike shqiptare, fitoi të drejtën për të qeverisur me Tuzin. Një shembull i shkëlqyer se uniteti i faktorit shqiptar sjell suksesin. Urime shqiptarëve të Tuzit për këtë fitore historike!(VOA)

Filed Under: Featured Tagged With: Ali Salaj, Kolacioni fitoi, Komunen e Tuzit

Nju Jork: Nderohen aktivistët, mblidhen fonde për sinagogën në Prizren

March 3, 2019 by dgreca

NGA ILIR IKONOMI- VOA/

1 zeri i Amerikes

Organizata Shqiptaro-Amerikane e Grave “Motrat Qiriazi” nderoi të shtunën mbrëma në Nju Jork disa aktivistë dhe grumbulloi fonde për një muze hebraik në Prizren. Kolegu ynë Ilir Ikonomi ishte në Nju Jork dhe na dërgoi këtë kronikë:

“Motrat Qiriazi”, një organizatë e hershme e grave shqiptaro-amerikane mblodhi mbrëmë në Nju Jork aktivistë dhe donatorë për të shpërndarë disa çmime vjetore.

Avokatja Beti Beno është presidente e organizatës.

“Është një organizatë që merret me emancipimin e gruas. Gjithashtu kemi ndihmuar shkollat, artin, kulturën dhe u përgjigjemi kërkesave të komunitetit duke qenë të pranishëm në plotësimin e këtyre kërkesave.”

Por të shtunën, organizata u mblodh me një mision të veçantë. Përveçse nderoi me çmime disa personalitete shqiptaro-amerikane, ajo ndihmoi në grumbullimin e fondeve për një muze shqiptaro-hebraik që do të shërbejë edhe si qendër e Bashkësisë Hebraike të Kosovës.

Fjala është për rinovimin e një ndërtese të vjetër në Prizren që bashkiua e qytetit i ka dhënë për përdorim Bashkësisë Hebraike të Kosovës.

Biznesmenët e Nju Jorkut, Harry Bajraktari dhe Rrustem Gecaj, janë kryesorët që po mbështesin me fonde këtë projekt, i cili do t’i shërbejë qëllimit humanitar të promovimit të tolerancës.

Zoti Bajraktari thotë se ky muzeum dhe qendër komunitare do të tregojnë historinë e hebrenjve shqiptarë si dhe historinë e Besës dhe bujarisë shqiptare.

“Rrustem Gecaj dhe unë jemi angazhuar të grumbullojmë 50 mijë dollarë për muzeumin. Deri tani, kemi mbledhur mbi 30 mijë dhe deri në fund të këtij muaji do të arrijmë shumën 50 mijë. Ju falenderoj për bujarinë tuaj.”

Projekti realizohet me mbështetjen e ligjvënësit Eliot Engel, kryetar i komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve. Në emër të ligjvënësit, foli bashkëshortja e tij, Patricia Engel.

“Ngritja e një muzeu të ri të bukur në një vend me shumicë myslimane në një qytet me tre fe monoteiste tregon se është e mundur që njerëz me besime të ndryshme të jetojnë së bashku në paqe dhe harmoni.”

Teuta Sahatçija është përfaqësuese diplomatike e Kosovës në Nju Jork.

“Qeveria e Kosovës e ka dhënë ndërtesën. Komuna i ka dhënë të gjitha lejet. Por ajo ndërtesë, me ndihmën tuaj do të bëhet shtëpi… Shqiptarët edhe kësaj here dëshmojnë që jo vetëm në Luftën e Dytë Botërore i kanë shpëtuar hebrejtë prej holokaustit, por dëshmojnë çdo ditë që janë afër, që njerëz të ndershëm, që janë aty kur dikujt i nevojitet.”

Organizata e grave “Motrat Qiriazi” nderoi një numër personalitetesh që luajnë rol të dalluar në komunitetin shqiptar.

Ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare, shprehu mbështetje për organizatën.

“Do të dëshiroja të shprehja mirënjohje për të gjithë ju që shpesh në mënyrë vullnetare ndihmoni për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe, kulturën dhe traditën shqiptare.”

Në mbrëmjen festive, sopranoja Lindita Mezini Lole u nderua me çmimin Gruaja e Vitit; Afërdita Osmani Mësuese e Vitit, Dino Erbeli për filantropi, në mbështetje të Fondit për Fëmijët pranë Organizatës së Grave Shqiptaro-Amerikane dhe pianistja Hermira Gjoni për kontribut të shquar në Arte dhe Edukim.

Filed Under: Featured Tagged With: Fonde Sinagoga ne Prizren, Ilir Ikonomi, Motrat Qiriazi, Nderohen aktivistet

SHQIPTARËT DHE ZGJEDHJET PRESIDENCIALE NE MAQEDONI

March 3, 2019 by dgreca

1 Xhelal Zejneli

Nga Xhelal Zejneli/

Thuhet se me të hyrë në fuqi Ligji për përdorimin e gjuhëve, rrumbullakohet edhe implementimi i Marrëveshjes së Ohrit.

                Po qe se Marrëveshja e Ohrit qenkësh implementuar tërësisht, atëherë del se faktori politik shqiptar në Maqedoni, paska mbetur pa kauzë. I mbetur pa kauzë, faktori politik shqiptar e ka vështirë të veprojë në skenën politike. Përse?! Për arsye se shqiptarët në Maqedoni i ka mbajtur të mobilizuar kryesisht kauza kombëtare apo çështja kombëtare.

Historia dëshmon se popujt vihen në veprim për objektiva politikë, kryesisht kur janë të robëruar. Shqiptarët në Jugosllavi, që nga viti 1912 e këndej, kanë qenë të robëruar. Si të tillë, më tepër se një shekull, shqiptarët kanë qenë të mobilizuar rreth kauzës kombëtare.

Implementimi “i plotë” i Marrëveshjes së Ohrit, duket sikur i lë shqiptarët pa kauzë. Si pasojë, mobilizimi apo veprimi i shqiptarëve për objektiva kombëtarë, mund të shënojë rënie.

I mbetur pa kauzë, faktori politik shqiptar e ka vështirë t’i mobilizojë qytetarët për veprime politike.

Popujt e robëruar janë mësuar të mobilizohen rreth çështjeve të mëdha apo rreth ideve madhore. Ide madhore për popujt që duan liri, në radhë të parë janë idetë kombëtare. Kur në një moment historik, idetë e mëdha realizohen, ato edhe fillojnë të shteren. Shterja e tyre ndërkaq shpie në çmobilizimin e masave popullore.

Mund të ketë individë apo grupe politike për të cilët kauza shqiptare në Maqedoni nuk ka marrë fund. Të tillët do të kërkonin ndryshimin e flamurit të shtetit, të himnit të shtetit apo të stemës së shtetit.

Mund të ketë të tillë që do të kërkonin federalizimin e Maqedonisë, të tillë të cilët do të kërkonin që shqiptarëve në Maqedoni t’u njihet statusi i popullit shtetformues.

Mund të ketë edhe nga ata që do të kërkonin që Maqedonia të jetë shtet me dy entitete: me entitetin shqiptar dhe me entitetin sllavo-maqedonas.

Mirëpo, nuk duhet harruar se sipas qendrave politike shqiptare të vendosjes – Tiranës dhe Prishtinës, si dhe qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtonit dhe Berlinit, me implementimin “e plotë” të Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarët në Maqedoni vështirë mund të shtrojnë kërkesa të reja që nuk kanë qenë të parashikuara me Marrëveshjen e Ohrit.

Kërkesa jashtë Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarët mund të paraqesin vetëm në momente historike të reja si dhe në rrethana historike të reja që mund të lindin apo të shfaqen pas 30 vjetëve apo pas gjysmëshekulli.

* * *

Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë pasur potencial të mjaftueshëm politik dhe intelektual që kërkesat primordiale të veta t’i realizonin në vitin 1991, përkatësisht në vitet ’90 të shekullit XX.

Për ta realizuar të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare, shqiptarët “vepruan”, d.m.th. pritën plot 28 vjet.

Si rrjedhojë e zvarritjes dhe e pritjes së pafund, shqiptarët nuk u entuziazmuan gjithaq nga realizimi i së drejtës së përdorimit të gjuhës amtare. Megjithëkëtë, kaluam më mirë se Estragoni i cili vazhdon të presë Godonë në teatrin absurd beketian.

Asgjë në histori nuk ka mundur të ndodhë ndryshe, përpos siç ka ndodhur.

Si pasojë e pritjes së pafund të sendërtimit të të drejtave kombëtare themelore, shumë të rinj shqiptarë i lanë vatrat e veta dhe morën në sy rrugët e botës.

Që nga viti 1945, Maqedonia u ndërtua si shtet i nacifikuar sllavo-maqedonas. Edhe në periudhën e pluralizmit, Maqedonia mbeti shteti më i nacifikuar i rruzullit tokësor.

Sot po flitet për një frymë të re në këtë vend. Po qe se vërtet po ndërtohet një frymë e re, atëherë një prej punëve të para që duhet të bëhet në Maqedoni, është denacifikimi i saj dhe respektimi i përbërjes dyetnike të saj.

Ndonëse i mbetur pa kauzë, faktori politik shqiptar nuk do të thotë se s’ka ç’ka t’i ofrojë popullit. Tani nëpër tubimet që do të mbaheshin në ndonjë klasë të shkollës së katundit, partitë politike mund t’u premtojnë qytetarëve investime nga jashtë, ndërtim fabrikash dhe çelje të mijëra vendesh pune, pa harruar të shtojnë se ishin pikërisht ato që e futën vendin në NATO. Nëpër këto tubime dhe takime të mbajtura në salla fizkulture dhe në çajtoret e lagjeve, partitë politike do të kenë rastin e papërsëritshëm për t’i amplifikuar arritjet e veta të deritashme.

* * *

Është thënë nga shumë politikanë dhe analistë se hyrja e Maqedonisë në NATO është interes strategjik i këtij vendi, e sidomos i shqiptarëve. Hyrja e këtij vendi në Aleancën Veri-Atlantike, e parandalon penetrimin e Rusisë në këtë pjesë të gadishullit. Tani Rusisë i mbetet vetëm Serbia dhe Republika Serbe e Bosnjën dhe Hercegovinës.

Duke qenë se hyrja e Maqedonisë në NATO u prolongua sa s’bën, rrjedhimisht, aderimi i saj në këtë organizëm nuk ngjalli ndonjë entuziazëm të madh ndër qytetarët e saj.

Ky ishte një akt i vonuar dhe i stërvonuar. Hyrja e Maqedonisë në NATO duhej të ishte bërë para nja 20 vjetëve. Përgjegjësia për këtë vonesë i takon të ashtuquajturës klasë politike të Maqedonisë, d.m.th. faktorit politik sllavo-maqedonas si dhe faktorit politik shqiptar.

Përgjegjësia për këtë vonesë u takon edhe qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtonit dhe Berlinit. Shkupi me Athinën bashkë, nuk kanë qenë më të forta se Uashingtoni dhe Berlini.

* * *

Kohët e fundit është folur në Maqedoni për nepotizmin. Duhet thënë se nepotizëm në Maqedoni ka pasur që nga vitit 1991 e deri në ditët tona. Nepotizëm ka pasur, si në organet e pushtetit vendor, ashtu edhe në organet e pushtetit qendror. Nepotizmin e kanë zbatuar të gjithë partitë politike që kanë qenë në pushtet, si partitë politike sllavo-maqedonase, ashtu edhe partitë politike shqiptare. Maqedonia është një ndër vendet me administratë vendore dhe qendrore më të stërngarkuar në Evropë, në mos dhe në botë. Me një administratë përmasash gjigante, nuk mund të hyhet në BE.

Krahas nepotizmit, në 28 vitet e kaluara, partitë politike, si ato shqiptare ashtu edhe ato sllavo-maqedonase, kanë kryer politizimin dhe partizimin e skajshëm të institucioneve publike, si të nivelit vendor, ashtu edhe të nivelit qendror. Partitë politike i kanë punësuar pa kritere profesionale dhe morale ushtarët dhe militantët partiakë, shumë prej tyre – diletantë.

* * *

Së shpejti në Maqedoni do të mbahen zgjedhjet për kryetar shteti. Kryetari i përtashëm – Gj. Ivanovi dy herë është zgjedhur me votat e shqiptarëve. Herën e parë, me votat e BDI-së, ndërsa herën e dytë me ato të PDSH-së. Ndonëse u zgjodh me votat e shqiptarëve, Ivanovi e refuzoi dhe e injoroi çdo kërkesë të shqiptarëve.

Nuk ka asnjë dyshim dhe kurrfarë hamendjeje se do të kishte qenë më mirë që faktori politik shqiptar në këto zgjedhje të dilte me një kandidat të përbashkët – shqiptar. Me një kandidat shqiptar, të mbështetur nga tërë spektri politik shqiptar, faktori shqiptar në Maqedoni do të kishte mundësinë të manifestonte forcën e vet politike.

Lidhur me zgjedhjet për kryetar shteti, faktori politik shqiptar duhet të ketë parasysh se:

– një pjesë e shqiptarëve janë të zhgënjyer nga veprimet dhe nga sjelljet e BDI-së dhe të PDSH-së, pa harruar këtu edhe dështimet e PPD-së;

– një pjesë tjetër e shqiptarëve mund mos të jenë të gatshëm të votojnë për një kandidat sllavo-maqedonas;

– një përqindje tjetër e shqiptarëve mund të demotivohen për mosdaljen e faktorit politik shqiptar me një kandidat të përbashkët;

– shumë shqiptarë ndërkaq, janë të lodhur nga proceset politike, të përshkuara me turbulenca, etiketime dhe polarizime ndëretnike dhe brendaetnike, e që zgjasin plot 28 vjet, pa kurrfarë rezultati ekonomik për shqiptarët;

Proceset politike në Maqedoni janë të vonuara dhe kjo ka lënë pasoja të pariparueshme. Shpërnguljet në masë të të rinjve janë rezultante e proceseve politike të zvarritura dhe të prolonguara deri në pafundësi.

* * *

Mbështetja e kandidatit të LSDM-së nga BDI-ja apo nga PDSH-ja dhe Alternativa , nuk shkon në favor të këtyre partive. Përkundrazi, shkon në dëm të tyre.

Duket sikur BDI-ja mbështet opsionin e krijimit të shtetit qytetar.

Maqedonia kurrë s’ka për të qenë shtet qytetar. Ajo është shtet dyetnik, shqiptar dhe sllavo-maqedonas dhe e tillë do të mbetet deri sa të mos lindin rrethana të reja historike për ripërkufizimin eventual të hartës politike të gadishullit.

Ka LSDM-istë që thonë se duhet punuar në ndërtimin e shtetit qytetar. Këta mbase vërtet duan shtet qytetar, por me dominimin e plotë të tyre. Ata duan shtet qytetar në të cilin shqiptarët do të kishin vetëm 1% pushtet, aq sa kanë sot, sidomos në lëmin ekonomik, financiar apo bankar.

* * *

Mbështetja e kandidatit të LSDM-së, përkatësisht mbështetja e Stevo Pendarovskit prej votuesve shqiptarë, sidomos në raundin zgjedhor të dytë, do të ishte në funksion të parandalimit të fitores së kandidates së VMRO-së, parti kjo skajshmërisht antishqiptare.

Fitorja eventuale e kandidates së VMRO-së në zgjedhjet për kryetar shteti, do të shënonte për Maqedoninë hap prapa dhe do të vinte në dyshim legjitimitetin e Marrëveshjes së Prespës. VMRO-istët do të brohoritnin se referendumi për ndërrimin e emrit të shtetit, nuk ka kaluar.]

Marrëveshjes së Prespës i nevojitet, jo vetëm legjitimiteti i fituar në procedurën parlamentare, por edhe legjitimiteti popullor.

Fitorja e kandidatit të LSDM-së, i cili tani promovohet si kandidat konsensual, përballë kandidates së VMRO-së, do të ishte në funksion të zbatimit të reformave, si conditio sine qua non për fillimin e bisedimeve për integrimin e Maqedonisë në BE, në qershor të vitit në vazhdim.

Pjesë e reformave është edhe Ligji – në fuqi – për përdorimin e gjuhëve.

Duhet shtuar se me VMRO-në antishqiptare kanë bashkëqeverisur, PDSH-ja në vitet 2006-2008, e sidomos BDI-ja në vitet 2008 e këndej.

* * *

Dy partitë e reja, Aleanca për Shqiptarët dhe Besa, hiqen apo veprojnë sikur kanë kauzë, për dallim nga BDI-ja dhe PDSH-ja, të cilat kanë mbetur pa kauzë.

Madje, Aleanca për Shqiptarët dhe Besa paraqiten edhe si mbartës të vetëm të kauzës, hiç më pak se të kauzës kombëtare. Po qe se këto dy parti politike nuk qëndrojnë përballë BDI-së, atëherë ato lehtë mund të shndërrohen në bishta apo në nëndegë të saj.

Por nuk duhet harruar se një grup politik që është nusprodukt i vonuar i partisë nënë, mund t’ia dalë të jetë edhe pjesë e bashkëlidhjes qeverisëse, por vështirë mund ta zgjidhë çështjen shqiptare.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: ne Maqedoni, shqiptaret, Xhelal Zejneli, Zgjedhjet Presidenciale

Historia- Tragjedi në shtëpinë ku qëndiseshin flamujt Shqiptarë

March 3, 2019 by dgreca

3. Abedin Tyxhari 12. Shtepia e Tyxharëve 21. Familja Tyxhari1

Nga Vepror Hasani/

Në qytetin e “Luleve të Verës” kishte ndodhur një ngjarje tragjike. Kështu e quante Korçën tregtari i madh i këtij qyteti, Abedin efendi Tyxhari. Me këtë emër e pagëzoi kur i ra në dorë libri me poezi “Lulet e Verës”. Ka shumë gjasa që libri t’i jetë dhuruar nga vetë Naimi në vitin 1890, kur kjo vepër e bukur me 16 poezi lirike doli në dritë. Në Stamboll shkonte shpesh. Gjithë jetën ia kushtoi gjuhës shqipe. Aty takohej me vëllëzërit Frashëri, të cilët dëshironin ta kthenin Korçën në qendër të rëndësishme të Jugut. Njohja me frashërllinjtë duhet të ketë qenë me e hershme, pasi edhe studimet Abidini i kishte kryer në Stamboll. Studiuesi Hamza Koçiu vë në dukje bashkëpunimin e Abedin efendi Tyxharit edhe me patriotët e Stambollit: “Patrioti Abedin Seit Tyxhari ishte një nga pjesëmarrësit aktivë në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare në Korçë, dhe një nga luftëtarët e vendosur në zhvillimin dhe përparimin e shkollës dhe të arsimit shqip në Shqipëri. Ai u lind dhe u rrit në qytetin e bukur të Korçës, në një vatër të vjetër të familjes së madhe të Tyxharëve, me tradita të mirënjohura shqipdashëse. Ky Rilindas i pasionuar i gjuhës shqipe, ky pishtar i ndritur i saj, ka një biografi të ngjeshur me një sërë veprimtarish të zhvilluara në Korçë, Bukuresht, Manastir e deri në Stambollin e largët”. (Hamza Koçiu, “Portrete patriotësh të qarkut Korçë”, vëllimi I, f. 26). Një prej poezive të vëllimit “Lulet e Verës”, poeti Naim Frashëri e shkroi enkas për Korçën. Nga Korça ishte nëna e tij, Emineja, bijë e Mirahorëve, themeluesve të qytetit të Korçës, saktësisht bijë e Islam Mirahorit dhe e Zymbyles. Vetë Zymbylja (nëna e Eminesë), ishte bijë e Mehmet pashë Zëmblakut, pasardhës të Sinan Pashës, pashait më të fuqishëm të Toskërisë. Emineja u martua në Frashër me Halitin, me të cilin pati 6 djem dhe 2 vajza.

2

Por tashmë në fisin e Tyxharëve, në shtëpinë ku qëndiseshin prej vitesh flamujt shqiptarë, kishte ndodhur një ngjarje e rëndë. Në shtëpinë e madhe ku jetonin, poshtë në bodrum ku mbanin zairenë e dimrit dhe pijet, më 30 prill 1948, duke u gdhirë 1 maj, ishte gjetur i vdekur Shefqet Tyxhari, tregtar i njohur i qytetit të Korçës, djali i patriotit të madh, Abedin Seit Tyxhari. Shefqeti u gjet që në çastin e parë, kur sapo ishte ndarë nga jeta, nga tri vajzat e tij: Verorja, Sajdeja, Erveheja dhe bashkëshortja, Neimeja, Atë çast u gjend aty edhe motra e të ndjerit, Razia, e cila ishte martuar në familjen e Kolanecëve. Gjaku i ngrohtë i rridhte ende nga damarët e prerë të duarve si një rrjedhë që s’kishte të pushuar. Shumë afër me trupin e tij u gjet një thikë e gjakosur. Tyxharët mbetën të shokuar. Ishte vrarë apo vetëvrarë?! Pas pak mbërriti doktori, i cili pasi kreu ekzaminimin, tha: “Shefqeti është vetëvrarë!” Megjithatë, njerëzit e familjes as e pohonin dhe as e mohonin vetëvrasjen, druheshin të shprehnin atë që ndjenin. Thjesht thoshin: “Na iku edhe Shefqeti”, njësoj sikur paralajmëronin vdekje të tjera. Alarmi për vdekjen e Shefqet Tyxharit u dha nga gratë me kujë e vajtime: “Të vranë o bir, të vranë…”. Pas kësaj, zëra të tjerë grash mbuluan shtëpinë: “Mallkuar qofshin ata që ta morën jetën”! Sa herë që në dhomën e të vdekurit hynin gra të tjera, ato që gjendeshin pranë arkivolit, jepnin lajmin e vdekjes me qarje dhe lot: “Na e vranë Shefqet efendinë oiii…”. Vetëm burrat rrinin të heshtur dhe prisnin mysafirët për ngushëllim. Të ardhurit, pasi dridhin cigaren, pyesnin: “Po si ndodhi”? Nipi i Shefqetit, Aliqemal Tyxhari, pasi shpjegonte atë që kishte parë me sytë e vet, shtonte: “Na iku pa e kuptuar as vetë”. “Po përse duhej ta vriste veten”?! – pyesnin njerëzit të habitur. E shoqja e Shefqetit, Neime Rakip Bilishti, nuk përmbahej dot. Fillimisht ajo qe martuar me Neim Abedin Tyxharin, me të cilin pati një djalë, Aliqemalin, por kur i shoqi vdiq, u martua me vëllanë e tij, Shefqet Abedin Tyxharin. Nga kjo martesë lindën Samimi, Verorja, Sajdeja, Skënderi, Nazimi dhe Erveheja; bashkë me Aliqemalin nga martesa e parë, bëheshin 7 fëmijë; 4 djem dhe tri vajza, që të gjithë qanin me mallëngjim e brengë bashkë. Atë çast dukej sikur qante edhe flamuri me shqiponjë, vendosur te muri i odës së madhe, ku prisnin mysafirët.

3

Abedin efendi Tyxhari, (edhe pse i vdekur), duhet ta kishte ndjerë dhimbjen therëse të vdekjes së djalit të tij. Ai ishte ndarë nga jeta, 27 vjet më parë, në moshën 70 vjeç, por dhimbje të tilla trondisin edhe varrin. Nëse do të ishte gjallë, kurrë s’do ta kuptonte dot tmerrin që kishte nisur të përjetonte qyteti i  “Luleve të Verës”, por njerëzve të qeverisë do t’u thoshte: “Tyxharët i shpenzuan florinjtë për mësonjëtoren e parë shqipe, për shkollën e vashave, për çeljen e shkollave të tjera kudo që ishte e mundur, për sigurimin e librave dhe fletoreve të nxënësve, për pagesat e mësuesve etj, etj”. Abedin Tuxhari ishte bërë pjesë e Komitetit kombëtar të fshehtë të Korçës, që nga nisja e përpjekjeve për krijimin e tij më 1885-1886. Në pranverën e vitit 1887, pothuajse gjithçka ishte gati. Më 1888, Komiteti u quajt “Këshilli i mësonjëtores shqipe”. Kjo shoqëri arsimore, sipas studiuesit Hysni Myzyri, “kishte si detyrë të kujdesej për sigurimin e mjeteve financiare e të personelit arsimor, për botimin e teksteve shkollore, për botimin e një gazete javore ose mujore në gjuhën shqipe, dhe të ndihmonte për mbrojtjen e shkollave shqipe nga armiqtë e tyre dhe  kapërcimin e të gjitha vështirësive e pengesave që do t’i dilnin përpara shkollës shqipe”. (Shkollat e para kombëtare shqipe, Hysni Myzyri, f. 69, Tiranë 1973).

Mirëpo për këtë Këshill përmenden vetëm tri emra: Thimi Marko, Orhan Pojani dhe Vani Cico Kosturi, ndërsa lihen pa përmendur Qani bej Dishnica, kryetari i “Këshillit të mësonjëtores”, dora e fortë e tij,  Abedin efendi Tyxhari, truri i kësaj organizate, Sami bej Pojani, botuesi i gazetës së parë shqiptare në Shqipëri, dhe shumë emra të tjerë që tashmë janë harruar, edhe pse kjo shoqëri në krye të herës pati jo 3 anëtarë, por 160. Kështu shkruan studiuesi Hysni Myzyri: “Shoqëria kishte mbi 160 anëtarë, në të bënin pjesë shqiptarë të të dy besimeve dhe u përkisnin shtresave të ndryshe shoqërore”. (Shkollat e para kombëtare shqipe, Hysni Myzyri, f. 70, Tiranë 1973). Por, nga sa kuptohet nga vdekja e Shefqet Tyxharit, njerëzit e ardhur në pushtet kishin vendosur t’i hiqnin nga lista njerëzit e pasur, pavarësisht nga kontributet e tyre.

4

Në vdekjen e Shefqet Tyxharit kishin ardhur edhe tregtarët e Korçës; ishin aty edhe Merdanët, tregtarët e mirënjohur. Me ta kishin patur krushqi të herëpashershme: Nadireja, motra e tregtarit Fuat Merdani ishte martuar në derën e Tyxharëve, me Aliqemalin; kurse Verorja e Tyxharëve, bijë e Shefqet Tyxharit, ishte martur me tregtarin e madh Reshat Merdani. Vite më parë, në vitin 1914, ishte ndarë nga jeta dhe vëllai i Shefqetit, Neim Tyxhari. Gjatë viteve 1910 e në vijim, ai punoi si sekretar në Prefekturën e Korçës. Edhe në ambientet e saj vendosi flamurin shqiptar, stampuar me shqiponjën e gdhendur nga babai i tij, Abedin Tyxhari. Edhe Neimi studimet i kishte kryer në Stamboll; ashtu si i ati edhe ai njihej me Frashërllinjtë. Jepte mësim edhe në Mësonjëtoren e parë shqipe. Nga derë e madhe vinte edhe e shoqja e të ndjerit, Neimeja. Xhaxhai i saj, Halit Arda nga Bilishti, kishte studiuar në Stamboll për arkitekturë. Megjithatë, ai mbahet mend edhe për projekte rrugësh dhe hekurudhash. Fal pasurisë së madhe që kishte, bleu në lagjen e të pasurve “Kadikaj” të Stambollit, përballë me “Urën e Bosforit”, shtëpinë e sulltanit. Vajzën e vet, Myqeremen e martoi me shqiptarin Hilmi Koyaturk, mjek personal i Qemal Ataturkut. Biri i tyre që erdhi nga kjo martesë, Sezai Koyaturk, studioi në Gjermani për ekonomi; fal zotësisë së tij e mbajtën atje edhe pas përfundimit të studimeve. Në Turqi u kthye pas 15 vjetësh, ku iu ngarkuan detyra të rëndësishme shtetërore. Pas vitit 1983-1984, Sezaiu punoi si President i Bankës Industriale të Turqisë. I tillë ishte rrethi miqësor i Tyxharëve, por ditën e vdekjes së Shefqet Tyxharit, të gjithë ndiheshin të mjerë.

5

Shpesh dëgjohej vajtimi drithëronjës i Razies, motrës së Shefqet Tyxharit, të cilën përpiqeshin ta qetësonin dhe nuk e qetësonin dot, teksa shkulte flokët. Po aq të dëshpëruar ndiheshin edhe gjithë të tjerët, e shoqja dhe 3 vajzat, nuk gjenin dot asnjë lloj ngushëllimi. Burrat pinin duhan të trishtuar. Kohët e fundit, Shefqet Tyxharin kishin filluar ta thërrisnin shpesh e më shpesh në degën e Punëve të Brendshme. Herën e fundit i kishin thënë: “Nëse nuk i shlyeni tatimet, atëherë duhet të lini shtëpinë dhe të strehoheni në ndonjë bodrum, qoftë edhe në bodrumin e shtëpive tuaja, sepse sipër jush do të rrinë të tjerë njerëz. Dhe nëse nuk nxirrni floririn e fshehur, shtëpia juaj do të jetë burgu”. Përgjigjja e Shefqet Tyxharit kishte qenë e ashpër. U kishte treguar çfarë kishin bërë Tyxharët për çlirimin e vendit. Shtëpia e tyre ishte shndërrua në një nga bazat më të rëndësishme të luftës për Rëzën e qarkut Korçë, ku ruheshin armë dhe municione, shtypeshin trakte dhe komunikata dhe mjekoheshin të plagosurit. Djemtë e tij: Samimi i studiuar në Itali, pati rolin e intendentit për sigurimin e ushqimeve dhe të hollave për luftën; Skënderi që punonte te mulliri në lagjen “Radanec”, pronë e familjes, mbante me bukë njerëzit e luftës. Doli edhe vetë partizan. Edhe tri vajzat e Shefqetit: Verorja, Sajdeja dhe Erveheja, morën  pjesë në të gjitha aktivitetet ilegale, pa shmangur as studimet në shkollat e kohës. Rol të veçantë luajti edhe nipi i tij, Aliqemali, i cili vuri në dispozicion të luftës shtëpinë dykatëshe, që gjendej në rrugën e Qatromit, mes vreshtave dhe bahçes me pemë dhe dyqanin e tij, ku strehoheshin njerëzit që punonin në fshehehtësi.  Aktiviteti patriotik i familjes u drejtua nga Aliqemali dhe Samimi, por tashmë të gjithë ndjenin se mundi i tyre kishte shkuar humbur. Ndryshe ishte thënë gjatë viteve të luftës dhe ndryshe po vepronin tani. Flitej veç për arrestime e dënime me vdekje.

6
Shefqet Tyxhari u kishte folur edhe për të atin, Abedin efendi Tyxharin. Ndihma e tij për shkollat shqipe s’pati të reshtur kurrë. Sot, përpjekjet e tij i mësojmë nga studiuesi, Hamza Koçiu, i cili shkruan: “Puna e tij e dukshme u konkretizua në mitingun madhështor të Alfabetit shqip, mbajtur më 14 shkurt 1910 në Korçë. Pas këtij mitingu u zgjodh në komisionin që do të merrej me hapjen e shkollave të reja shqipe, dhe  mbrojtjen e tyre nga xhonturqit dhe  kleri ortodoks reaksionar. Sipas gazetës “Lidhja Orthodhokse”, dt. 22 shkurt 1910, në Komision u zgjodhën patriotët: Çerçiz Zavalani, Abedin efendi Tuxhari, Haki Hysen Floqi, Stavre Karoli, Qazim Dërsniku dhe Sulejman Mborja. Po sipas kësaj gazete, Abedin Tyxhari si anëtar i komisionit, mori pjesë në hartimin e alfabetit dhe vuri firmën në këtë dokument ku proklamohej hapur shkrimi dhe leximi në gjuhën shqipe në të gjithë qytetet e Shqipërisë. Ky dokument iu dërgua në Stamboll vezirit të madh, ministrit të Brendshëm, Parlamentit të Turqisë dhe deputetëve shqiptarë. Pas kongresit të dytë të Manastirit (1910) Abedin Seit Tyxhari, i cili mori pjesë edhe vetë në këtë ngjarje të madhe historike për zhvillimin e arsimit shqip, e zhvilloi veprimtarinë e tij në shoqërinë shkollore “Përparimi”. (Hamza Koçiu, “Portrete patriotësh të qarkut Korçë”, vëllimi I, f. 26-27).


7
Që nga kjo kohë, Abedin efendi Tyxhari mbeti i përzgjedhuri i përhershëm me votë të fshehtë i të gjitha shoqërive shkollare. Gazeta “Koha”, shkruan: “Më 5 të këtij, te “Banda e Lirisë” ku gjendet sot shkolla e djemve u mbajt mbledhja e përgjithshme e Shoqërisë Shkollare… Pastaj me vota, u zgjodh sipas kanonizmës, komisioni i përhershëm, kësisoj: Siri bej Leskoviku kontrollor, Riza efendi Leskoviku, Stavre Karoli, Viskë Gorguzi, Qani bej Dishnica, Vasfi Iljaz Kole, Hazo Progri, Kristaq Aristidhi, dr. Haki Mborja, dr. Kristaq Zografi, Mihal Grameno, Qamil Panariti, Mustafa Selenica, Memdu bej Zavalani, Sotir Peci, Spiro Xega, Nepsi Kerenxhi, Vani Qirko, Fehim Xhaferi, Memda Panariti dhe Abedin Tuxhari, anëtarë. …Program dhe qëllimi i kësaj shoqërie është vetëm shkollare dhe do të kujdeset për të përmbajtur shkollat e Korçës edhe qark Korçës, kur të mund t’i përmbajë, andaj nuk dyshojmë që gjithë atdhetarët do ta ndihmojnë këtë shoqëri”. (Gazeta “Koha”, 18 shënëndre 1911).

Edhe një vit më vonë e njëjta gazetë shkruante: “Pas darke u mblodhën të gjithë në shkollën shqipe me shumë zotërinj, të cilët biseduan në duhet mbajtur shkolla apo jo nga shkaku që vjet pleqësia shkollare me shumë mundime mundi t’u përgjigjet nevojave të shkollës se fort pak atdhetarë ndihmuan shkollën dhe vendosën që shkolla do mbajtur. Kështu pra u zgjodh një pleqësi e re, e cila do të përkujdeset nga këta zotërinj: Orhan Pojani, Islam bej Këlcyra, Mina Frashëri, Abedin efendi Tuxhari, Stavri Karoli, Riza efendi Dërsiniku, Idhomene Kosturi dhe Andrea N. Katundi. “Gazeta Koha 22 vjesht e I-rë, 1912).
8

Miqtë më të mirë të Abedin efendi Tyxharit ishin ata që përpiqeshin për gjuhën shqipe. Po përmendim disa prej tyre, për të cilët ka shkruar edhe shtypi: “Atdhetari i Flaktë Emin efendiu, i cili është nëpunës i tapive në Korçë, kuptoi se gjuha e vet lartëson mendimin e njeriut dhe forcon kombësinë, vuri kombin përpara dhe hapi një shkollë në fshat të tij në Selenicë (Frashër)
(Gazeta Korça 20 mars 1909); “ Baba Abedini i teqesë së Frashërit, shtëpinë e tij që ka në fshatin Krushovë, e ndërtoi mirë dhe e bëri shkollë shqipe dhe me qenë se shtëpia është e madhe ka ndarë edhe ca dhoma që të flenë nxënësit, të cilët i kanë katundet larg”. (Gazeta  “Korca”, 18 shkurt 1909); Për Qani Dishnicën, që nuk i trembej as vdekjes, thuhej: “Në çdo çështje kombiare ka qenë i pandarë nga qëllimi kombiar. Vjet mori një barrë fort të rëndë duke marrë kryesinë e Shoqërisë Shkollore, por nuk mundi ta mbushë këtë barrë se një tjetër detyrë kombiare e thirri gjetkë. Qani Dishnica ishte i pari, që rrëmbeu armët dhe mori malet për të kërkuar të drejtat kombiare. Të veçanta karaktere të Qani bej Dishnicës janë këto: popullor, i urtë, i ndershëm edhe një atdhetar i vërtetë”. Kurse vdekja e Ymer Zavalani, helmoi gjithkënd: “Me helm të madh lajmërojmë vdekjen e një atdhetari dhe luftëtari të vjetër,Ymer bej Zavalani, i cili mbaroi jetë më 11 të këtij, pas një sëmundje të gjatë. I ndjeri ishte një luftëtar kombëtar edhe në çdo lëvizje kishte marrë anë duke mbrojtur të drejtat kombiare, andaj gjithë atdhetarët myslimanë dhe të krishterë e shpunë me nder të madh te i përjetshmi vend…” (Gazeta Koha, 30 janar 1913). Nuk po harrojmë këtu as, Orhan bej Pojanin, punëtorin e palodhur të gjuhës shqipe.

9

Më 2 prill 1914, Abedin efendi Tyxhari luftoi pa iu dhimbsur jeta, kundër bandave greke që synonin aneksimin e Korçës. Sipas studiuesit, Hamza Koçiu. Abedin Tyxhari mori pjesë në komisionin qeveritar për mbrojtjen e Korçës. “Anëtarë të komisionit ishin: Emin efendi, Ahmet efendi, Shaqir efendi, Rakip efendi. Abedin efendi Mborja, Miçe Çikozi, Abedin efendi Tyxhari, Andrea Turtulli dhe Xhafer bej Luarasi. Patrioti i ndritur Abedin Seit Tyxhari kurrë nuk e ndau pushkën nga pena dhe asnjëherë nuk u tërhoq në kohën kur Shqipërinë e kërcënonte rreziku i madh i xhonturqve dhe i shovinistëve fqinj”. Gjithashtu, Abedin efendi Tyxhari, u zgjodh anëtar edhe në Komisionin e Marrëdhënieve dhe i të Dërguarve, i cili raportonte gjendjen te autoritetet vendase dhe të huaja. Anëtarë të këtij komisioni ishin: “Kryetar Emin Efendi, anëtarë: Maliq Bej, Ahmet Efendi kryetari i Bashkisë; Shaqir Efendi, Emin Efendi, Rakipi Aga, Abedin efendi Mborja, Miçe Çikozi, Vani Qirko, Abedin efendi Tregtari (Tyxhari), Xhafer bej Luarasi, Mehmet Ali Bej, Rakip Aga Jemenli dhe Andrea Turtulli.”. (Gazeta Koha e shtunë, 24 maj 1914).

10

Dhe megjithse kishin bërë kaq shumë për Korçën dhe vendin, tashmë në shtëpinë e tyre kishin një të vdekur, për shkak të represionit. Megjithatë, me t’u përhapur lajmi i vdekjes së Shefqet efendi Tyxharit, lumi i madh i njerëzve u derdh drejt shtëpisë së Tyxharëve. Respekti për njerëzit e këtij fisi ishte i madh. Abedin efendi Tyxhari dhe pasardhësit e tij ishin bamirësit më të mëdhenj të qytetit dhe gjithnjë të heshtur, nuk i kujtonin kurrë mirësitë e tyre, sepse e quanin mëkat. Studiuesi i mirënjohur Ilo Mitkë Qafëzezi, ndërsa gjen rastësisht një dokument të vitit 1637, ku flitet për një takim, që ndoshta edhe mund të mos ketë  ndodhur, ndërsa vëren se aty mungojnë Tyxharët, habinë e tij e shpreh në këtë mënyrë: “Është për të venë re dhe puna se në këtë lidhje kuvendi janë vetëm shtatë rufetëra zanatçinjësh. Mungojnë sidomos isnafi i math i Kondakçinjvet (dyfekçinjtë) dhe ay i Bakërxhinjvet të cilët kanë  vlukuar (përparuar) me qindvjete në Korçë, sikurse dhe në Voskopojë. Le këta, po mungojnë dhe korporatat e Tyxharëvet!”. (Revista “Leka”, viti 1936). Pra, për Ilo Mitkë Qafëzezin, Tyxharët janë korporata të mëdha të aktivitetit tregtar. Ata  bënin pjesë në shoqërinë “Vëllazëria” që nga viti 1870, për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Qëllimi i shoqërisë në fjalë: “Në vitin 1870 në qytetin e Korçës u themelua shoqëria “Vëllazëria e miqve të të vobektëve” që kishin për qëllim ndihmën e të vobektëve pavarësisht nga feja apo kombësia  Mungesa e dallimeve të tilla për grupin që synonte të mbështeste do të edhe në përbërje. Kështu anëtarësimi në këtë vllazëri nuk kushtëzohej nga profesioni apo feja çka e bënte atë shoqëri të vërtetë filantropike. Veprimtaria e saj nuk do të kufizohej vetëm në ndihmën ndaj të mjerëve por edhe në mbështetjen për hapjen e shumë shkollave të krahinës së Korçës.” (Një vështrim historik mbi zhvillimin e filantropisë në Shqipëri, f. 135).

11

Megjithatë, pas vdekjes se Shefqet Tyxharit, njerëzit e qeverisë u kërkuan Tyxharëve të zbrisnin në Bodrum.  Tyxharët mblodhën gjërat më të shenjta që kishin dhe dolën. Mes sendeve me vlerë ishin edhe dy vula (myhyrë) të Abedin efendi Tyxharit si tregtar, dhe emblemën ku sipkaste një shqiponjë e gdhendur me mjeshtëri. Poshtë saj shkruhet “Rroftë Shqipëria” Me këtë shqiponjë vuloseshin copat e flamurit që qëndiseshin prej grave të kësaj familje të madhe. Edhe flamuri i Krahinës Autonome, që u ngrit në Korçë më 10 dhjetor 1916, kishte të stampuar këtë shqipnjë. Deri më sot nuk ka patur ndonjë shpjegim kur u gdhend së pari modeli i shqiponjës, por mundësia më e madhe është që kjo emblemë të jetë përgatitur për Komitetin kombëtar të fshehtë në Korçë. Gjatë kësaj kohe, Abidin Tyxhari shkonte shpesh në Stamboll, tashmë jo vetëm për çështje tregtie. Më 30 shtator 1879,  patriotët e atjeshëm kishin krijuar “Shoqërinë e  të Shtypurit Shkronja Shqip”, ose siç njihej ndryshe “Shoqëria e Stambollit”, kishin edhe flamurin e shoqërisë së tyre. Ndoshta modeli i shqiponjës ishte marrë prej Shoqërisë së Stambollit. E, pra, të tillë ishin njerëzit e fisit Tyxhari në Korçë, gjithnjë mendonin më të mirën për vendin dhe njerëzit. 

12
Dhe ndërsa zhvendosnin plaçkat drejt bodrumit, kujtonin revoltën e Shefqet Tyxharit përballë njerëzve të Degës së Punëve të Brendshme. Në gjaknxehtësi e sipër ai kishte ngritur zërin edhe më shumë se ata: “Tyxharët kanë lindur në Korçë dhe e duan Korçën, im’at ishte pjesë e Komisionit Qeveritar për Mbrojtjen e saj, për të luftoi edhe me armë në dorë. Ndoshta më duhet t’ju pyes: Ku ishit atëherë ju zotërinj?! Baba im, Abedin Seit Tuxhari shkonte sa në Stamboll në Bukuresht, sa në Manastir dhe në Sofje që ju të mësonit gjuhën shqipe. Seit Abdin Tuxhari ishte në krye të mitingut për alfabetin e gjuhës shqipe, hartoi alfabetin e shqipes. Në shtëpinë tonë mblidheshin njerëz të tillë si Emin Efendi, Ahmet Efendi, Shaqir Efendi, Rakip Efendi, Abedin Efendi Mborja, Miçi Çikizi, Andrea Turtulli Xhafer bej Luarasi  etj, etj, por ata ishin efendilerë. Ishin efendilerë, përsëriti ai. Me fjalën “efendilerë” përmbushi gjithë zemërimin e vet. Pala tjetër kishte mbetur edhe më e irrituar kur dëgjoi të flitej për pasanikë. Për ata, Shqipëria ishte vetëm e të varfërve; të pasurit duhej të vdisnin burgjeve, internimeve dhe bodrumeve. “Ik, i thanë, do ta shohim punën tënde!”. “Nëse do të më burgosni, ua ktheu ai, ejani merrni edhe dy vulat që ka lënë babai im, ku thuhet “Rroftë Shqipëra!” . Pas kësaj ai u gjet i vdekur në bodrum, askush nuk e di si ndodhi…
Më 27.5. 2010, Korça e shpalli Abedin Tyxharin Qytetar Nderi.

Shënim: Ky shkrim i dërguar Gazetës DIELLI u referohet dokumenteve të citura në material dhe kujtimeve familjare të Maksimit, Neimit, Abedin dhe Pëllumb Tyxharit

Filed Under: Featured Tagged With: Familja Tyxhari, Flamuri, tragjedia, Vepror Hasani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT