• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2019

Katër letrat e fundit të Faik Konicës për mbretin Zog

April 4, 2019 by dgreca

Fletore koniciane nr.24/

Nga Fotaq Andrea/

Këto ditë, në vigjilje të datës së zezë të 7 prillit 1939, 80 vjet më parë, i pasionuari dhe hulumtuesi ngulmues i Letrave koniciane Bejdullah Destani – i cili ka botuar në Londër në vitin 2000, në bashkëpunim me të Madhin Robert Elsie, librin “Faik Konitza, Selected Correspondance, 1896-1942” –  nxori nga arkivi i tij personal dhe më dërgoi me shumë dashamirësi katër letrat e mëposhtme të Faik Konicës dërguar mbretit Zog. Letrat janë të hartuara në frëngjisht, jo thjesht si gjuhë pune e zakontë e Konicës, por edhe për njëfarë konfidencialiteti që e kërkonte koha për çështje politike delikate. Nga sa shihet, letrat e datuara në korrik 1942 duhet të jenë nga më të fundit dokumente të Konicës para vdekjes së tij të papritur në dhjetor të atij viti. Vihet re në to një si rihovje e shpirtit nacionalist konician në kushtet e rënda të emigracionit shqiptar dhe të luftës së dytë botërore. 

Një gjë del qartë edhe prej këtyre letrave: në luhatjet e marrëdhënieve Zog-Konica, me ulje-ngritjet e tyre karakteristike, me tensione-çtensione gjatë një periudhe kohore prej mbi dy dekadash, Konica shfaqet përherë gjithë vlerë të lartë, intelektuale e patriotike, njeriu që Zogu, në çdo kohë, por sidomos në kushtet e mërgimit të tij, i kërkon atij mendim, e më tej, edhe veprim organizativ. Është fjala konkretisht për ringritjen e kabinetit ministerior pas prestigjit të humbur të mbretit Zog në plan të brendshëm e të jashtëm, që të riorganizohej e drejtohej lëvizja nacionaliste me patriotë me emër dhe me mbështetjen e Federatës panshqiptare Vatra. Veçse Zogu synon më edhe lart, tek ka nevojë për personalitetin e Konicës në arenën ndërkombëtare, famën dhe autoritetin që ai gëzonte në qarqet politiko-diplomatike në ShBA e Europë.

“Miku i mirë në ditë të keqe” – thotë urtësia popullore dhe më zi se pushtimi fashist i vendit nuk kish, sidomos kur lëvizja komuniste, e dirigjuar nga Kominterni, kishte filluar edhe ajo të organizohej e aktivizohej në Shqipëri. Kësisoj, pas kurrizeve të kthyera Zog-Konica, kur letra e mëposhtme e Rilindësit të hershëm për mbretin (22 shtator 1939) i kishte acaruar tejet marrëdhëniet midis të dyve, shohim Zogun të lidhet sërish me Konicën, në një orvatje të mundshme për të kërkuar pas tij mbështetje të jashtme anglo-amerikane për lëvizjen e brendshme nacionaliste në Shqipëri. Ishte njëfarësoj ide për t’u testuar nga ana e Zogut, një përpjekje për ringritje, duke dashur të  rivërë “në funksionim”dyshen klasike Noli-Konica të Vatrës, përvojën e tyre për t’i dhënë tonin lëvizjes nacionaliste, dhe sidomos për të shfrytëzuar lidhjet e tyre të shumëfishta me patriotë e bashkatdhetarë. 

Por, nga ana tjetër, edhe Konica, me sa duket, në çaste të rënda historike, kishte nevojë për personalitetin e mbretit Zog, pavarësisht shkëlqimit të tij të humbur në prill 1939.

Duke i parë gjërat bardhë e zi, me dritë e me hije, me paragjykime e shkëputje nga konteksti dhe kompleksiteti historik, me epitete e shabllone të parafabrikuara të tipit “mirë”/“keq”, “pozitive”/”negative”, etj.  ndoca studiues i kanë etiketuar si kanë dashur marrëdhëniet Zog-Konica, apo edhe shumë më parë marrëdhëniet Esad pasha-Konica (në vitin 1913). Madje, çuditërisht edhe vetë Mustafa-Merlika Kruja, figurë qendrore gjatë pushtimit fashist të vendit, flet në letërkëmbimin e tij, për “akte tradhtije” në çaste të caktuara, duke përmendur Historinë shqiptare, që nga Hamzai e Moisiu i lavdisë skënderbejane e deri te Konica…??!! 

Që Konica njihet për pragmatizmin e tij të theksuar si politikan e diplomat i hollë, si i papritshëm e i pakapshëm, spontan e origjinal, sidomos në qëndrimet politike me figura historike shqiptare, kjo as që mund të mohohet për një Njeri-Epokë si Konica, i frustruar, fatkeqësisht, tërë kohës, por që “s’ia ka ngrënë ndonjëherë kollaj qeni shkopin”. “Konica-Ustai shihte te Esadi dhe Zogu forcën e bajrakut, apo njeriun e forcës që i duhej kohës, nisur nga ideja se është mençuria ajo që udhëheq forcën; ai donte një Esad e një Zog që t’i përpunonte siç dinte dhe donte vetë”, – na është shprehur prof. Sherif Delvina në bisedat e gjata që kemi pasur me të. Ja një shpjegim origjinal i pinjollit fisnik të familjes Konica për të depërtuar në thelbin e psikologjisë së çuditshme e së mahnitshme koniciane, siç shihet konkretisht edhe në Letrën  e 22 shtatorit 1939 të Konicës drejtuar Mbretit Zog.

Kjo letër, që botohet këtu për herë të parë paraqitet si tekst i daktilografuar, kopje pas kopjesh, me germa tepër të zbehta dhe si tekst i vështirë për t’u transkriptuar. Mban në krye vulën B 6808/6586/90 C, datuar si hyrje arkivore më 17 tetor 1940 dhe shënohet në të COPY. Po ashtu është shënuar me shkrim dore “Comunicated by Mr. P. Bozdo.”

Është një letër kuptimplote në mjaft drejtime, ku thuhen bukur, me ashpërsinë dhe tonin karakteristik konician, katër të vërtetat që fshikullojnë hidhur mbretin Zog. Por le ta lëmë më mirë vetë autorin të flasë dhe lexuesin të shijojë e gjykojë këto dokumente historike aq të veçanta e të rëndësishme. 

Letër drejtuar Mbretit Zog

22 shtator 1939.

Madhërisë së Tij Mbretit Zog.

Madhëri,

Gjëma që e bëri Shqipërinë viktimë i futi në telashin më mizor Legatat shqiptare, besnike ndaj idealit kombëtar. Legata që vuajti më shumë është ajo e Uashingtonit.

Borxhet e kësaj Legate, nga janari në shtator janë 7.950 dollarë, që ndahen kështu: qera 5.000 dollarë; shpenzime të ndryshme (daktilografim, shpenzime zyre, telegrafe, vajtje nëpër kolonitë shqiptare, etj.) 1.450 dollarë.

Qeveria faktike në Shqipëri ofroi bujarisht të paguante këto borxhe. Unë kundërshtova të pranoja dhe parapëlqeva t’i nënshtrohesha mungesave më të mëdha dhe turpërimeve pa fund, duke besuar se Ju do të bënit veprimin e nevojshëm me të arritur në Francë. Kam punuar me këmbëngulje e durim për të ngritur prestigjin Tuaj, për të falur ikjen Tuaj, për t’Ju bërë juve simbolin e gjallë të Shqipërisë. Ju mbrojta kundër akuzës që ari i thesarit të shtetit, marrë nga Ju kur ia mbathët, ishte një vjedhje; shpjegova se këtë e bëtë për të paguar prapambetjet e Legatave Tuaja jashtë shtetit.

Dhe ja ku me çudinë më të madhe mora dërgesën tuaj prej 500 livra angleze, që të këmbyera këtu dhanë 1.950 dollarë. Kam ende nevojë për 6.000  dollarë për të paguar faturat, për të lënë apartamentin që kam dhe për të marrë me qera një apartament më modest duke pritur urdhrat tuaja. 

Nuk Ju kuptoj. Nga katër gjëra, njëra:

  1. Ose ju jeni i paaftëpër të kuptuar përgjegjësitë tuaja;
  2. Ose ju nuk donitë kuptoni;
  3. Ose, duke pasur përherë të bëni me gënjeshtarë në rrethin Tuaj, Ju më pandehni mua po ashtu si ata;
  4. Ose Ju keni vendosur ta gëzoni për vete paranë e vënë mënjanë në kurriz të Shqipërisë, duke mos e çarë kokën për asgjë, pa u trembur se do bëheni rrjedhimisht qesharakë, madje edhe shumë i ulët [fjalët me germa të pjerrëta janë të autorit F. Konica].

Bëni një përpjekje për të kuptuar se unë nuk kërkoj asgjë për vete personalisht.

Do pres deri më 22 Tetor [të më dërgoni] një çek prej 6.000 dollarësh nga ana Juaj. Pas kësaj date, do të jem i detyruar, me zemër të thyer, të vendos paqen me qeverinë aktuale të Shqipërisë, – dhe Ju nuk do keni asnjë të drejtë të ankoheni për pasojat që do rrjedhin.

Me respekt,

FAIK KONITZA (Firma)

Më 22 Shtator 1939.

 Telegram dërguar Mbreti Zog

(Kopje)

Më 20 Korrik 1942. 

Madhërisë së Tij Mbretit Zog,

Parmoor,

Henley-on-Thames, England.

Pas bisedimesh ramë dakort për t’i paraqitur Madhërisë Suaj sugjerimet e mëposhtme stop Është e rëndësishme të formohet menjëherë kabinet i vogël me anëtarë të marrë mes shqiptarëve që jetojnë në Angli duke parapëlqyer persona që dijnë gjuhën angleze stop Do duhet gjithashtu pa vonesë të emërohet një përfaqësues në Uashington dhe një në Londër stop Do duhet më në fund të dërgohet këtu një njeri i besuar, si i deleguari Juaj për të diskutuar disa pika stop Dërgimi i ndonjërit që këtej i pamundur stop Hollësitë pasojnë në letrën Madhërisë Suaj stop

Faik Konitza

(firma).

 Letër dërguar Mbretit Zog

(Kopje e një letre dërguar Madhërisë së Tij para dhjetë ditësh)

Marrë më 10.8.42

Madhërisë së Tij Mbretit Zog.

Lartmadhëri,

Sipas udhëzimeve të Madhërisë Suaj, ndërmora bisedime të shpejta me miqtë e mi politikanë shqiptarë dhe arritëm në një marrëveshje për të cilën Ju parashtrova pikat kryesore me anë telegrami. Po i përsëris këtu më me hollësi.

Jemi të mendimit se Kabineti duhet të formohet pa vonesë; dhe se duhet të jetë, sikurse e ka thënë tashmë Madhëria Juaj në letrën e Tij, një kabinet i vogël (mendojmë se një Kryeministër, një Ministër i Punëve të Jashtme dhe një Ministër i Veprimit Kombëtar do të mjaftonin). Më në fund, ne mendojmë se, duke pasur parasysh vështirësinë e komunikimeve, këta ministra duhet të zgjidhen mes shqiptarëve që ndodhen tashmë në Angli. Ka mundësi që, me t’u afruar periudha e bisedimeve për paqe, ministrat që Madhëria Juaj do emërojë tani, të zëvendësohen nga personalitete shqiptare, puna e të cilëve mund të jetë më e efektshme.

Do të ishte e dëshirueshme që Madhëria Juaj të kishte një përfaqësues në Uashington dhe një tjetër në Londër. Por do duhej të shmangej titulli “ministër”, që do t’i vinte këta veprimtarë në pozitë të vështirë për aq kohë sa qeveria Juaj nuk do jetë njohur zyrtarisht. Titulli “përfaqësues”, përkundrazi, është i thjeshtë, i lakueshëm dhe mund të shërbejë në tërë rastet.

Është mendimi të formojmë këtu, më vonë, një Këshill me persona të aftë për të ndihmuar lëvizjen, dhe që s’do merrnin kurrfarë shpërblimi.

Shpenzimet në Amerikë, për mendimin tonë do kapnin shumën rreth $ 5, 000 (pesë mijë dollarë) në muaj kur organizata të jetë e plotësuar dhe vënë në lëvizje. Hëpërhë, shpenzimet do të ishin edhe më të moderuara. Do të shpërndaheshin si më poshtë: 1) shpërblim dhe shpenzime të ndryshme të përfaqësuesit tuaj në Uashington, në shumën që do të përcaktojë Madhëria Juaj; 2) një ndihmë prej $ 600 (gjashtë qind dollarë) në muaj për “Diellin” që t’i bëjmë të mundur të botohet një herë në javë; 3) $ 400 (katër qind dollarë) në muaj për një agjent shtypi, një gjë e domosdoshme këtu.

Më në fund, do të ishte e udhës që Madhëria Juaj të dërgonte këtu një person të mirëbesuar, për t’u vënë në kontakt me ne dhe për t’i parë gjërat nga afër. E shohim të pamundur që të dërgojmë  dikë që këtej.

Nëse këto sugjerime e kënaqin Madhërinë Tuaj, mbarëvajtja e organizimit do të bëhej më e sigurt po qe se një bankë anglo-amerikane ngarkohej me pagesat, dhe që jep sigurinë për shmangien e vonesave.

Opinioni publik shqiptar është tani në përkrahje të Madhërisë Suaj; – dhe kjo, në pjesën më të madhe falë punës së shkathët dhe ndikimit të Imzot Nolit, që arriti të krijojë boshllëk përreth Çekrezit. Mendova një çast që Imzot Noli mund të ishte njeriu ideal për Kryeministër, por, për fat të keq, fakti që tani ai është qytetar i Shteteve të Bashkuara e bën këtë gjë të vështirë. Por ai do të jetë përherë një këshilltar i zoti dhe vigjilent. 

Jam, Madhëri, i Lartësisë Suaj, shërbëtori i bindur,

Faik Konitza.

Në Boston, më 20 Korrik 1942.

Letër drejtuar Sotir Martinit

[Ministër i Oborrit]

Shkëlqesisë së Tij Zotit Sotir Martini. 

I dashur Zoti Martini,

Mora dërgesën tuaj prej njëmijë dollarësh, si dhe radiogramet tuaja dhe komunikatat e ndryshme.

Me telefon e me letra, e kisha rregulluar funksionimin e organizimit tonë. Me të mbërritur në Boston, fillova menjëherë bisedimet konkluduese, rezultati i të cilave iu komunikua pa vonesë Mbretit me telegram e me letër. Kopje të letrës dhe të telegramit do të dërgohen këto ditë, për t’i pasur në rastin kur origjinalet mund të humbasin.

Organizimi i lëvizjes sonë, me Mbretin Zog në krye do të ketë sukses, me gjithë kundërshtimin e pafuqishëm të Çekrezit, ëndrra absurde e të cilit është të bëhet i njohur si Drejtues i Shqipërisë të Lirë dhe të përfitojë kështu huadhënie amerikane në të holla, në kuadër të “Lend-Lease Bill”.  Ideja e Nolit duke ftuar Çekrezin për t’u bashkuar me ne, ishte në realitet për ta vënë në provë që Çekrezi nuk do bashkim, gjë që tani u provua më së miri.

Ka vetëm një gabim që mund ta bëjë të dështojë lëvizjen tonë: do të ishte nga ana e Mbretit të merrte zotime dhe pasandaj të mos t’i mbante. Ju e dinë që Madhëria e Tij, për fat të keq e ka këtë huq. Kujtoni si u soll me mua. Gjatë tre vjetëve të fundit, unë jetova me hua, dhe borxhet e vjetra ende nuk janë paguar. Po jua lë juve të gjykoni vetë. 

Peshkop Noli do të ish mirë të merrte një dhurim prej disa mijë dollarësh për t’i mbajtur mënjanë, larg tekeve të turmës, që mund ta detyrojë nesër të mbajë një qëndrim të ndryshëm nga ai që po mban tani. Dhurimi pra duhet t’i bëhet pa zhurmë, me një letër nga Mbreti, duke i thënë se shuma është për bamirësitë private të Peshkopit.

Po kemi edhe çështjen e Z. Vasil J. Panit, tregtar për nga karakteri e shpirti, i cili, me një a dy prej miqve të tij shpenzoi nja pesë mijë dollarë të “Vatrës”, mbi bazën e premtimeve të pambajtura nga ana e Mbretit, kur u fol se Madhëria e Tij i paskësh dërguar Vatrës një dhurim prej disa mijë dollarësh. Duke i dërguar një çek personal Zotit Pani, Mbreti do të bënte kështu një akt drejtësie, për t’i vënë kapak së shkuarës.

Më në fund, mendoj se duhet t’i bashkoni lëvizjes sonë ZZ. Dervish Duma dhe Anton Logoreci. I njoh ata dhe përgjegjësinë e mbaj unë ndaj tyre për qëndrimet që do kenë. Ndoshta edhe jeni qarë e ankuar për ta, por gjendja e tanishme kërkon një frymë pajtimi.

Ja ç’kisha për të thënë tani për tani. Bëni si të doni.

Mbetem i devotshmi juaj,

(firma) Faik Konitza.

Më 24 Korrik 1942. 

Filed Under: ESSE Tagged With: Fotaq Andrea-Konica

HISTORIA E NJË FLAMURI

April 4, 2019 by dgreca

-Është fjala për flamurin e Shoqërisë Sinicare “Përparimi” me qendër në Çikago-

                                                                                             Nga Fuat Memelli-Boston

Këto ditë isha në shtëpinë e Peshkop Ilia Ketrit në Boston, për t’i marë një intervistë për dokumentarin e Sinicës, fshati ynë i përbashkët. Krahas të tjerave, ai më tregoi edhe  flamurin që shikoni në foto, i cili është i Shoqërisë Sinicare “Përparimi” me qendër në Çikago. I përket vitit 1929, kur edhe është themeluar shoqëria. Ishte një surprizë e bukur për mua të shikoja e të prekja flamurin e sinicarëve të parë që erdhën në Amerikë. Në foton e tyre, ku janë gjithësej 30 veta, anash janë flamuri amerikan dhe shqiptar, ndërsa në mes është flamuri i shoqërisë. Një koncepim vërtet i bukur! Por, si u gjet ky flamur? Ka historinë e vet ai. Atë na i tregon Peshkop Ilia.-Kohët e fundit duke kontrolluar arkat me disa materiale familjare që kishim në shtëpi, gjeta këtë flamur. U gëzova pa masë , pasi kisha gjetur flamurin e Shoqërisë Sinicare “Përparimi”., pjesëtarë të së cilës kanë qënë edhe të afërt të mi. E lava, hekurosa dhe u bë si i ri. Trifon Sotua, i gjeti një mbajtëse dhe u bë për bukuri.

Ka ditë që krahas flamurit amerikan e shqiptar, në shtëpinë e Ilias është edhe ky flamur. Duke folur me të për historinë e flamurit, ai thotë se duhet t’i jetë dorëzuar babait të tij, Sotir Ketri, nga kushëriri i vet i parë, Kristo Cicani, i cili gjithashtu ishte në Amerikë dhe qe një nga veprimtarët e asaj shoqërie. Babai duhet ta ketë vendosur në një arkat e shtëpisë dhe kështu u gjet rastësisht.

Duke parë me kujdes flamurin, ve re se ai  ka datën e themelimit të shoqërisë, që është 3 nëntor 1929 dhe qytetin Akron, në shtetin Ohio të Amerikës. Ka gjithashtu të fiksuar edhe Çikagon, si qendër të shoqërisë. E pyes Ilian edhe për  dy qytetet që gjenden në flamur dhe ai më shpjegon :-Shoqata është krijuar në fillim në qytetin Akron të Ohios, pasi aty u sistemuan një pjesë e mirë e sinicarëve kur erdhën nga Shqipëria. Aty e krijuan edhe shoqërinë. Më vonë shumica e tyre shkuan në Çikago dhe aty mbeti qendra e shoqërisë. (Dua të theksoj se dy vjet më parë e konkretisht në vitin 1927, në Sinicë ishte krijuar Shoqëria Sinicare “Lulëzimi, e cila kishte si objekt përparimin e fshatit dhe mbrojtjen e pronës së fshatarëve,  pyjeve, kullotave, etj.) Sivjet mbushen 90 vjet nga krijimi i Shoqërisë Sinicare “Përparimi”. Ata që e krijuan, nuk jetojnë më, por jetojnë pasardhësit, jeton kujtimi i tyre. Nuk harroet kontributi që ata dhanë për vendlindjen. Me kontributin e tyre u ndërtua godina e shkollës, u bënë kalldrëme, çezma, ura, etj, krahas disa shtëpive të reja që ndërtuan për familjet e tyre në fshat.

Pas viteve 90, në Amerikë dhe sidomos në Çikago erdhën disa familje sinicare. Duke ecur në gjurmët e të parëve të tyre, ata vazhduan të kontribuojnë për fshatin.  Kështu ata dërguan fonde për murin e kishës  si dhe këmbanaren e saj, e cila ishtë dëmtuar në vitin 1967, si shumë objekte të tjera fetare. Vitet e fundit , kontribuan për rikonstruksionin e shkollës e kthimin e saj në muze, tok me shumë sinicarë të tjerë që janë në Amerikë, Greqi, Kanada dhe Shqipëri. 

Kur të shkojë në Çikago, Peshkop Ilia Ketri, do ta çojë flamurin aty ku e ka patur “folënë” për shumë vite. Në nëtor, kur mbushen 90 vjet nga krijimi i Shoqërisë Sinicare “Përparimi”. Mendoj se sinicarët e atyshëm që kanë edhe shoqatën e tyre, duhet ta përkujtojnë këtë ngjarje të shënuar. Pse jo, edhe sinicarët në Shqipëri mund ta përkujtojnë. Kështu mbahet gjallë një “copëz” historie. Ky do të jetë edhe një homazh për të kujtuar të parët e tyre si dhe një nxitje për të vazhduar kontributin për vendlindjen, zëri i të cilës na thërret të gjithëve.

Filed Under: Histori Tagged With: Fuat Memelli

GAZETA “DIELLI”, NJËQIND E DHJETË VJET, NJË EPOKË PËRTEJ SHEKULLIT

April 3, 2019 by dgreca

NGA HARRY BAJRAKTARI*/

Gazeta “Dielli ” u themelua nga Federata Pan-Shqiptare “Vatra” në Boston më 1909, kur Shqipëria ende ishte nën sundimin e Perandorisë Osmane. Gazeta “Dielli” është dhe mbetet gazeta me jetëgjatësi më të madhe nga të gjitha gazetat dhe publikimet tjera të botuara në gjuhën shqipe në Shqipëri dhe në diasporën shqiptare. Një gazetë që i dha frymë shqiptarizmit, aq sa është jeta e saj sot. Vetë emri i saj simbolizon dritën, kundër errësirës.

          Sivjet kjo gazetë po kremton 110 vjetorin e saj në rrethana krejt tjera nga atëherë kur u  botuan numrat e parë të saj nga dy intelektualët më të mëdhenj atëherë e sot, Fan Noli dhe Faik Konica.

Gazeta “Dielli”, si organ i “VATRËS” që në fillim të daljes së saj në dritë, u bë zë i fuqishëm i atdheut dhe i shqiptarëve kundër pushtimit të Perandorisë Osmane, duke nxitur e motivuar shqiptarët të bashkoheshin në një kauzë të përbashkët për liri dhe pavarësi të Shqipërisë. Nga Bostoni i SHBA, kjo gazetë ringjalli fuqishëm idetë e Rilindjes Kombëtare në një kohë ku në atdheun tonë mbretëronte një terr i plotë dhe ishte ndaluar çfardo letre e publikuar në gjuhën shqipe.

Kontributi i “Diellit”, përmjet shkrimeve të Fan Nolit, Faik Konicës, Çekrezit, Panaritit dhe intelektualëve të tjerë që vepronin në Boston, ku ishin të përqëndruar shqiptarët e ardhur nga atdheu, për kohën ishte i pazëvendësueshëm që edhe shqiptarët, të fundit në Ballkan, të fitonin lirinë dhe pavarësinë. Kjo ëndërr e hershme e shqiptarëve, u realizua në vitin 1912, kur në Vlorë u ngrit Flamuri ynë i bukur dhe Shqipëria filloi të bëhej. Kjo ëndërr e madhe e shqiptarëve u përgjysmua në Konferencën e Londrës më 1913, ku jashtë Shqipërisë, mbetën gjysma tjetër e territoreve shqiptare bashkë me Kosovën që sot ka pavarësinë.

          Gazeta “Dielli”, si organ i VATRËS, kishte reaguar ashpër kundër fuqive të mëdha rreth copëtimit të Shqipërisë, ku tokat shqiptare pa të drejtë iu kishin dhuruar shteteve fqinje: Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Kjo gazetë kishte luftuar për çdo pëllembë tokë të krahinave të shumta shqiptare, duke ngritur zërin edhe në Konferencën e Versajës më 1919, kundër projektitimit famkeq, sidomos të Rusisë, që edhe Shqipëria Londineze të copëtohej dhe t’u jipej serbëve dhe grekëve. Këtë tragjedi të projektuar kundër shqiptarëve, e shpëtoi presidenti i SHBA,  Thomas Woodrow Wilson.

 Në këtë kontekst dëshiroj t’ them dy fjalë për mikun tim, biznesmenin dhe veprimtarin e VATRËS dhe të gjithë shqiptarëve, z. Anthonio Athanas, i cili ishte edhe bashkëpuntor i Nolit e Konicës.  Zoti Athanas ka qenë një figurë shumë e respektuar nga të gjithë shqiptarët në Amerikë, në Shqipëri dhe në të gjitha trojet tona, si dhe nga shumë amerikanë. Ka ndihmuar Shqipërinë në të gjitha krizat e saj.  Ka mbështetur edhe Kosovën, kur u hap çështja e saj për liri dhe pavarësi. Restoranti i tij ka qenë një Ambasadë shqiptare, derë e hapur për miqtë tanë. Ai, ishte njëurëlidhës me administratën në Washington dhe kishte influencë në qeverinë amerikane, nga që kishte një lidhje të ngushtë me presidentin Kennedy dhe vëllezërit e tij.

Restorantin e tij e kanë vizituar edhe shumë kryetar e personalitete të vendeve të ndryshme të botës.

 Anthonio Athanas ishte edhe mentor i imi.

          Gazeta “Dielli” dhe gazeta “Illyria”, kjo e fundit e themeluar në vitin 1991 kanë ngajshmëri, ndonëse janë themeluar në kohë, kushte dhe rrethana të ndryshme. Këtu ka një koincidencë, e para doli vetëm tri vjet para shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ndërkaq e dyta 8 vjet para se Kosova të fitonte lirinë në luftën e fundit në Ballkan.

Siç dihet gazeta “Dielli” ushtroi influencë të madhe në afirmimin e çështjes kombëtare për liri dhe pavarësi dhe njëherësh nuk la anash imperativin e konsolidimit të të shtetit demokrtik shqiptar, i cili kaloi nëpër një rrugë tejt të vështirë krizash.  Në këtë mënyrë ishte edhe me gazetën Illyria, e cila u parapriu ngjarjeve të bujshme deri në fitimin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, kundër Serbisë. Roli i të dyjave ka qenë i pazëvëndësuseshm për krijimin e opinionit tek administrata amerikane dhe populli amerikan.

Këto dy gazeta shërbyen si një urë lidhëse në mes shqiptarëve të Amerikës dhe shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe viset tjera shqiptare. Gjithashtu kontribuan edhe në forcimin e marrëdhënieve të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit me administratën amerikane.

 “Dielli” ka demaskuar ideologjinë komuniste dhe ka ndihmuar rrëzuarjen e diktaturës së Enver Hoxhës që për 50 vjet kishte groposur Shqipërinë. Ka mbështetur parezervë pluralizmin dhe zhvillimin e demokracisë në Shqipëri.

Vlerat e gazetës “Dielli” dhe kontributi i saj në ngritjen e çështjes kombëtare dhe të kulturës shqiptare për 110 vjet të shkuara, nuk kanë karahasim me ndonjë publikim tjetër në gjuhën shqipe as në atdhe dhe në diasporën shqiptare, sepse kjo u mbijetoi të gjitha furtunave që për mendimin tim është një mrekulli e rrallë që do t’i kishin lakmi edhe komunitetet tjera të shumta në SHBA. Kjo mbijetesë e kësaj gazete është meritë e komunitetit tonë, atëherë para 100 vjetësh dhe sot pas 100 vjetësh, me VATRËN si organ i saj.

          Gazeta “Dielli” përmjet editorëve të saj ka përcjellë idetë kombëtare të një brezi tek brezi tjetër, duke ruajtur kontinuitetin e saj deri në ditët e sotme, me editorin e tashëm, Dalip Greca, i cili  me punën e tij ka vazhduar traditën e saj kombëtare, fizionominë dhe mos lënien në harresë të figurave intelektuale që vepruan në komunitetin tonë shqiptaro-amerikan për këto 110 vjet.

Kur filloi të dalë gazeta “Dielli” ishim në luftë për të krijuar Shqipërinë, e sot pas 110 vjetësh kemi dy shtet shqiptare: Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe një konsolidim të shqiptarëve në Maqedoni, në Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës.

          Emëri i Ekrem Bardhës që ka jetë të gjatë në SHBA lidhet me të gjitha Lëvizjet kombtare që u organizuan në komunitetin tonë. z. Bardha pas meje mori në dorë botimin e gazetës “Illyria” dhe mund të them se ka qenë dhe mbetet një figurë e rëndësishme në komunitetin tonë shqiptaro-amerikan. Ai, për 60 vjet me radhë, ka dhënë një kontribut të çmueshëm për çështjen kombëtare, me veçanti për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Me z. Bardha, Anthonio Athanas dhe me një grup të shqiptarëve të Amerikës, menjëherë pas luftës vizituam Kosovën e lirë. Ky fakt flet për atdhedashurinë e madhe të tyre. Me ne ishte edhe kongresmeni amerikan, miku ynë Eliot Engel.

Do të doja dua të përshendesja edhe botuesin e sotëm të gazetës “Illyrias”, Vehbi Bajramin që vazhdon ta mbajë këtë gazetë, e cila po bën jetë prej tri dekadash.

Shkrimin tim, me rastin e 110 vjetorit të gazetës “Dielli”, do ta përfundoja me një konstatim: “Dielli” ka një biografi shumë të pasur, me një histori të gjatë kombëtare dhe me një thirrje të përhershme që së bashku të veprojmë për interesin e përgjithshëm të atdheut, ashtu si bënë Rilindasët tanë.

*Autori është biznismen dhe veprimtar i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës Illyria

Filed Under: Politike Tagged With: harry bajraktari

Olsi Beçi fiton çmimin Ekselencë në Film

April 3, 2019 by dgreca

Nga Ermira Babamusta, Ph.D.

Fotografi i Vipave dhe filmbërësi i njohur në shkallë ndërkombëtare Olsi Beçi ka fituar disa çmime prestigjioze për veprimtarinë e tij të dalluar artistike, si Videografi më i Mirë, Skenari më i Mirë për filmin “The other face”, Arritje në Art, dhe Ekselencë në Film nga Ecovolis për kontributin e tij në fushën e artit dhe filmit. Projektet e tij artistike janë përzgjedhur në festivale me emër në Europë si në Amsterdam, Itali, Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, etj, ku kanë dhënë një përfaqësim dinjitoz të artit shqiptar nëpër botë. 

Me një karriere të suksesshme mbi 10-vjeçare Olsi Beçi konsiderohet si një nga figurat më të larta shqiptare në fushën e artit, për talentin e së cilit kanë shkruar edhe media internacionale. Në këtë intervistë Olsi Beçi rrëfen për pasionin e tij dhe projektet e vitit 2019.

Intervistë me Olsi Beçi, Fotograf dhe Filmbërës

Urime Olsi për çmimin Ekselencë në Film. Na flisni për bashkëpunimin tuaj me Ecovolis dhe kauzën “Lumenjtë e pastër”.

Olsi Beçi: Faleminderit, jam shumë i lumtur që nëpërmjet punës time arita të pasqyroj realitetin për mbrojtjen e kauzës “Lumenjtë e paster” nëpërmjet videove të mia ndërgjegjësuese, denoncuese dhe lajmëruese mbi pasojat katastrofale të ndotjes së lumenjve në mjedisin shqiptar. Bashkëpunimi disa vjeçar me Ecovolis u finalizua me çmimin ekselent në film-eco movie 2019 çmimi i marë nga Ened Mato (drejtues i ecovolis) për mua është shumë i rëndësishëm për suksesin që pati.

Është shumë e rëndësishme për mua që ia arita qëllimin të promovoja bikingun dhe mbjelljes së pemëve projekt i udhëhequr nga PASS (programi i alternativave social stimuluese).

Së bashku kemi pasur disa projekte që vlen për tu përmendur si promovimi i transportit ekologjik me biçikleta duke i dhënë qytetit tonë më shumë ajër të pastër, duke shtuar një praktikë qytetare dhe europiane që ndihmon në zhvillimin ekonomik, social dhe mjedisor të komunitetit tonë.

Me çfarë projekti po merreni tani? Për çfarë bën fjalë?

Olsi Beçi: Në kuadër të hyrjes së Shqipërisë në NATO në datën 6 prill mbahet maratona (Run for NATO) e organizuar nga YATA Albania, ku detyra ime është realizimi i dukumentarit ku do ndërthuren momente nga maratona me opinionet e pjesmarësve.

“Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO” synimi im është të pasqyroj më së miri rolin që luan Aleanca, e cila mbetet organizata për garantuar sigurinë dhe mbrojtjen ushtarake kundër çdo lloj kërcënimi.

Një tjetër projet që do oranizohet në 7 qershor në pallatin e kongreseve është Miss Univers Albania ku përgatitjet kanë filluar që tani, duke qënë pjesë e jurisë në përzgjedhjen e vajzave që do kualifikohen për natën gala. Vajza që zgjidhet fituese dërgohet për të përfaqësuar Shqiperinë para të gjithë botës duke bëre krenar të gjithë shqiptarët në natën finale te MISS UNIVERSE live në FOX.

Cilat janë disa nga arritjet tuaja deri tani?

Olsi Beçi: Janë disa projekte të rëndësishme që kam pasur përgjegjësine në sektorin e fotografisë edhe të videos për të treguar kauzën përkatëse te secilës prej tyre.

Një nga më të rëndësishmet në karierën time ka qënë ekspozita ime në nëntor 2018 me fëmijët me sindromë Dawn për 10 vjetorin e krijimit qendrës Xhonatan. Misioni i ekspozitës ishte të tregoj me artin e fotografisë që shoqëria të përkrahi dhe ti pranojë fëmijët me aftësi ndryshe dhe mos t’i pengoj për të jetuar normalisht.

Moment tjetër ka qënë pjesmarja në juri të Tirana Autum një konkurs fotografie që promovon qytetin dhe kulturën në Tiranë. Përgjegjesia ishte shumë e madhe pasi perzgjedhja e fituesit ishte shumë e vështirë.

Ndihem i privilegjuar për bashkëpunimet që kam pasur me fushatat e organizuara nga UNICEF, videoklipin e urimit të festave të fundvitit me stafin e Ambasadës Amerikane me pjesmarjen e grupit te famshëm amerikan Derik Nelson and Family, koncertin e këngëtarit të mirënjohur Alban Skenderaj, backctage e Kënges Magjike, etj.

Me cilin projekt tuajin krenoheni më shumë?

Olsi Beçi: Siç e përmenda edhe më sipër ekspozita ka qënë ndër më të rëndësishmet për mua ku ndihem krenar që arrita synimin tim të lumturoj fëmijët me aftësi ndryshe. Kur njoha fëmijët me sindromë Dawn të qëndrës Xhonatan dhe jetova momente nga jeta e tyre së bashku, e ndjeva si detyrim shpirtëror për ti treguar të tjerëve që janë si ne dhe të mos i përjashtojmë nga shoqëria përkundrazi t’i përkrahim dhe tju dhurojmë dashuri.

Do të veçoja edhe filmin “The other face” me pjesmarsen e aktores ikonë të kinematografisë shqiptare Tinka Kurti, ku në festivalin e filmit në Amsterdam u vleresua si skenari më i mirë.

Bashkëpunimi me Donika Mustafai ka qënë një tjetër sukses i imi ku realizuam dokumentarin “Fëmijeria e marrë peng” që pasqyron një jetë jo reale të fëmijëve nga familje me te ardhura të mëdha monetare. Dokumentari u nominua në çmimet KULT dhe DokuFest

Çfarë do të thotë arti dhe fotografia për ju?

Olsi Beçi: Fotografia për mua ka formë, ka koncept, ka shpirt,ka jetë. Është një çast nga jeta që mund të mos frymojë por që jeton përjetësisht

Fotografia është art dhe si cdo art tjtër më e rëndësishmja është talenti që as nuk blihet dhe as nuk mësohet ky komponent është më kryesori që të bën artist i fotografisë.

Rëndësia më e madhe në një fotografi i kushtohet kompozimit të saj që ka të bëj me aftësinë e syrit të fotografit për të kordinuar të gjithë komponentet në objektivin e tij. Rol të vëçantë ka edhe punimi i fotografisë prandaj është art dhe arti ka të bëjë me botën krijuese të njeriut.

Çfarë e bën një film një prodhim të mirë?

Olsi Beçi: Për realizimin e një filmi të suksesshëm duhen ndërthurur shumë komponente së bashku. Si përgjegjës i fotografisë dhe i videos mendoj që ky është një nga komponentet më të rëndësishëm sepse me anë te objektivit duhet të shprehim të gjitha ndjenjat dhe emocionet për të dhënë një mesazh. Një video e realizuar mirë padyshim që e bën një prodhim të suksesshëm.

Cilat janë planet e tuaja për 2019 dhe synimet në të ardhme?

Olsi Beçi: Unë jam natyrë novatore dhe kjo më bën të heci me hapin e kohës. Një gjë është e sigurtë, që dashuria dhe perfeksionimi për profesionin tim do më ndjekë si në vitin 2019 ashtu dhe në vitet e tjera dhe në vazhdim. Nuk do rresht së ndaluari për të ngjitur shkallët e suksesit në karrierë dhe në jetë.

Filed Under: Interviste Tagged With: Ermira Babamusta, Olsi Beçi

Prof. Nikolla Pano uron dhe… dhuron për DIELLIN-$1,110.00

April 3, 2019 by dgreca

Prof. Nikolla Pano, ligjërues në Konferencën kushtuar 110 vjetorit të Gazetës”DIELLI”,- që do të organizohet me 6 Prill në 3 West Club 51th Street, në Manhattan,- dërgoi në VATËR një Chek sa bujar aq edhe simbolik. Nga kursimet e  veta profesori dhuroi $1,110.00(Pra një mijë plus 110, që janë vitet e gazetës DIELLI.). Falenderime të përzemërta nga të gjithë vatranët, Redaksia dhe lexuesit e gazetës Dielli, i cmuari Profesor Pano, ikonë për Kulturën tonë Kombëtare.

Profesor Pano është i njohur jo vetëm si ikonë në fushën akedemike të shqiptarëve të Amerikës, analist i thellë dhe i panashëm, por i njohur edhe për kontributet e tij për kulturën shqiptare në SHBA, vecanërisht në Bibliotekën Noliane, pranë Kishës së Shën Gjergjit në Boston.

Janë të njohura lidhjet e Profesorit me Vatrën dhe gazetën e saj DIELLI. Babai i tij, Vasil Vangjel Pano (Panariti), i cili pat arritë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1911, ishte nga anëtarët e parë kryesorë themelues të degës nr.4 të VATRËS (Manchester, New Hampshire), degë që u themelua nën kujdesin e drejtëpërdrejtë të Faik Bej Konicës në qershor 1912. Më pas, kur babai i tij lëvizi për në Boston në mes të vitit 1920, e transferoi anëtarësinë në degën Nr.1. Babi i Prof. Nikolla Pano, qëndroi anëtar besnik i Vatrës dhe abonent në Gazetën”Dielli” derisa ndërroi jetë në nëntor 1959.

 Bashkë me Chekun Prof. Nikolla Pano dërgoi një letër me urime të ngrohta për stafin e Diellit dhe për Vatrën me rastin e 110 vjetorit të gazetës, me të cilën i ka ruajtë lidhjet në vazhdimësi. Profesori e mbyll letrën duke pohuar se e ka marrë DIELLIN gjatë të gjithë periudhës që është botuar dhe konstaton se gazeta ka ardhë duke u përmirësuar në cilësi gjatë dekadës së fundit.
Urimet e mia për stafin e Diellit dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në suksesin dhe ruajtjen e këtij komuniteti shqiptaro-amerikan!-uron Porf.Nicholas C. Pano.

Filed Under: Featured Tagged With: Prof. Nicholas Pano

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 30
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT