• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2019

Funksionalizohet Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme

June 18, 2019 by dgreca

-Ministri Tahiri: Funksionalizimi i Dhomës së Posaçme zhbllokon 20 përqindëshin e  mijëra punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore. 21 mijë lëndë janë në pritje/

 -Në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës edhe kërkesat-paditë e punëtorëve të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja/

 PRISHTINË, 18 Qershor 2019-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në Kosovë, pas mëse një viti, me ligj të ri funksionalizohet Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, së bashku me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skënder Çoçaj, kanë vizituar sot Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, ku janë pritur nga kryetari i kësaj Dhome, Sahit Sylejmani dhe kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci.

Gjatë takimit, ministri Tahiri ka theksuar se për shkak të kompetencës ekskluzive të Dhomës së Posaçme me çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, puna e kësaj gjykate ndikon drejtpërdrejt në dinamikën e procesit të privatizimit e sidomos tek shpërndarja e fondeve në mirëbesim tek punëtorët dhe kreditorët e ndërmarrjeve shoqërore si dhe bartja e mjeteve të mbetura tek buxheti i Republikës së Kosovës.

Sipas ministrit Tahiri, me Ligjin e ri për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, që tashmë është miratuar në leximin e dytë në Kuvendin e Republikës dhe brenda javës pritet të dekretohet nga Presidenti i Kosovës,  garantohet vazhdimësia e punës së kësaj Dhome pas përfundimit të mandatit të EULEX-it në gjyqësor, si dhe shënohet një momentum sa i përket përfitimit të pronësisë të sistemin tonë gjyqësore përmes shkëputjes së përhershme nga gjyqtarët ndërkombëtarë dhe kalimit të kompetencave të plota tek gjyqtarë tërësisht vendorë.

“Lajm i mirë është që më në fund po fillon trajtimi i 21 mijë lëndëve që kanë mbetur nga privatizimi. Janë mijëra qytetarë që presin 20 përqindëshin e tyre, disa prej tyre presin pagat në këtë proces, kreditorët presin mjetet e tyre. Puna e kësaj Dhome ndikon direkt në ritmin e punës së procesit të privatizimit”, ka thënë ministrit Tahiri.

Trajtimi i lëndëve, sipas ministrit Tahiri, do të zhbllokoj edhe rreth 100 milionë euro  të bllokuara në Bankën Qendrore të Kosovës, të cilat do të derdhen në buxhetin e Kosovës.

“Ligji i ri mundëson strukturë të re organizative brenda kësaj gjykate, e cila përveç se respekton pavarësinë  gjyqësore, parasheh përfshirjen e plotë të kësaj gjykate brenda kornizës së kompetencave menaxhuese të Këshillit Gjyqësor të Kosovës”, ka theksuar ministri Tahiri.

“Nëse gjatë viteve të fundit Dhoma e Posaçme është stërngarkuar me lëndë, e situata më pas është bërë edhe më e pamundur me bllokimin total të punës si pasojë e përfundimit të mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë, tashmë me miratimin e ligjit të ri, nuk ka më asnjë arsyetim për gjyqtarët dhe Dhomën e Posaçme. Tani përgjegjësia bie mbi vet Gjykatën Supreme dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, që të siguroheni që pikërisht lehtësimet të cilat ua ofron ligji i ri t’i shfrytëzoni maksimalisht për të çuar përpara punën e kësaj gjykate, për të zgjidhur 21 mijë lëndë që janë në pritje dhe si rezultat për të përmirësuar direkt jetën e qytetarëve tanë”, ka theksuar ministri Tahiri.

Në Kuvendin e Kosovës në 30 maj 2019 është miratur në shqyrtim të dytë Projektligji për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i cili ishte miratuar në parim afër një vit më herët – në 12 korrik  2018.

Ndërmarrja Shoqërore Gazeta Rilindja pas dëbimit e mbylljes së dhunëshme të kundrligjëshme nga UNMIK në vitin 2002 ka bërë tre padi në gjykatë, ndërsa  në vitin 2017 ka hyrë në procesin e likuidimit, gjatë të cilit punëtorët e saj, bazuar në ligje, në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, e cila i mbështetë në vazhdimësi për të drejtat e tyre të ligjëshme dhe në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës kanë bërë kërkesat e tyre edhe për kompensim për dëbimin kolektiv padrejtësisht nga puna, si dhe për pagat e papaguara për punën në kohë lufte. Në maj 2019 punëtorët e NSH Gazeta Rilindja – gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja kanë aplikuar për 20 përqindëshin që u takon me ligj nga vlera e pronës që kishin në Pallatin Rilindja, pasi Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 23 tetorit 2018 ka marrë vendimin të bëjë pagesën për shpronësimin. Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që për nevojat e shpronësimit të ndërtesës së ish-NSH Rilindja – Pallatit të Shtypit Rilindja të ndajë 3.3 milionë euro.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dhoma e Posacme-Gjykata Supreme-Behlul jashari

Shqipëria dhe Europa, perspektiva e integrimit

June 18, 2019 by dgreca

NGA ALFRED PAPUÇIU/

Po e ndjek me interes si çdo shqiptar debatin  e shfrenuar lidhur me mundësinë apo jo që Shqipëria të bëjë pjesë në familjen europiane të Brukselit. Gjakrat janë ndezur dhe shkohet deri atje, sa “për inat të sime vjehrre”, disa janë gati “të flenë me mullixhinë”. Gazetat shqiptare shprehin mendime të kundërta dhe botojnë shkrime të analistëve, si dhe deklarata të atyre që janë “kundër” apo “pro” përkatësisë europiane të Shqipërisë. E kuptoj se për interesat e tyre politike, grupime të caktuara përpiqen të imponojnë argumentet e tyre. Por këtu nuk është fjala për interesat politike, ekonomike, sociale vetëm të një grupimi, qoftë ky i së majtës, i qendrës apo i së djathtës, ”për të marrë pjesën e luanit” e ku ta di unë, por kemi të bëjmë me interesat e ligjshme të gjithë kombit, popullit shqiptar: mundësinë e futjes në Bashkimin Europian, paçka se ai është shumë larg së qeni i përkryer. Ëndrra europiane e brezave të tërë, rilindësve e më vonë, siç duket për egoizëm të disave do të shtyhet akoma. Në këtë kor futen dhe grupime të caktuara europiane, qofshin në Bruksel, Strasburg, Luksemburg etj., që kanë frikë siç duket nga ideja e “Shqipërisë së Madhe”, e cila në fakt nuk shtrohet tani. Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete mike që i kanë rritur shkëmbimet e tyre, që flasin një gjuhë, ashtu siç është Zvicra me Italinë, Austrinë, Francën, Gjermaninë, Lihtenshteinin, ku flitet respektivisht italishtja, gjermanishtja, frëngjishtja, romanshë dhe popuj të këtyre vendeve kalojnë lirisht dhe janë vendosur atje ku kanë gjetur punë apo ku kanë interesa dhe jetë më të mirë. S’ka gjë më të mirë se Rruga e Kombit apo nisma të tjera që ndihmojnë dy vendet për shkëmbime ekonomike, tregtare, kulturore etj.. E kam ngritur prej vitesh dhe miqtë tanë të një multinacionaleje amerikane ku unë kam punuar në vitet 2000 e kanë ngritur, se porti i Durrësit duhej të ishte kthyer prej kohësh në një “silos” ku të stokoheshin mallrat që do vinin nga gjithë bota dhe pastaj të shkonin me rrugë tokësore edhe në Kosovë e Maqedoninë e Veriut. Këtë rol e ka luajtur deri-diku porti i Selanikut apo porte të tjera në Ballkan.

Prej mëse 40 vitesh ushtroj profesionin e gazetarit, përkthyesit, botuesit, funksionarit ndërkombëtar, dikur në Shqipëri dhe aktualisht në Zvicër. Kam bashkëpunuar dhe bashkëpunoj me shkrime dhe botime në shtypin zviceran dhe në atë të organizatave ndërkombëtare, si dhe në shtypin shqiptar. Këto vitet e fundit, më tepër jam i prirur të shkruaj dhe të debatoj edhe me miqtë e mi për Europën dhe kombin tonë. Sidomos në këto çaste, kur Veriu i industrializuar nuk është akoma i prirur të pranojë peshën në rritje dhe ndihmesën që japin fuqitë e reja të “Europës tjetër” jashtë saj dhe nevojën për të vendosur një ekuilibër të ri midis Veriut dhe Jugut. Vetëm Shtetet e Bashkuara, në erën e Klintonit, Bushit, të Obamës dhe tani të Trump-it mund të krahasohen si komb, ndërsa Europa e të 27-ve, përveç disa përjashtimeve, me Francën dhe Gjermaninë, është akoma shumë larg që të cilësohet një ditë si “Shtetet e Bashkuara të Europës”. Kontrasti është i madh midis kontinentit amerikan dhe Europës, për arsye se europianët e Brukselit refuzojnë të përballojnë situatën e tanishme që evoluon dita- ditës. Nuk mund të vësh në asnjë mënyrë, siç vënë në dukje analistët, Presidentin amerikan Trump me drejtuesit e Komisionit Europian, të atrofizuar dhe burokrat, apo me protokollin e tij i shkon për hosh nostalgjikëve të epokës së merhumit. A nuk ishte ajo “Europë e kamur” që e mbante të mbyllur Shqipërinë për dekada të tëra, duke mos folur për të dhe shumë europianë nuk e dinin ku binte Shqipëria dhe shqiptarët, si e dëshironte E.H? A mos do ajo akoma, për hir të disa zotërimeve apo privilegjeve që kanë fituar funksionarë të saj diku në Jug të Europës, ta shtyjë “në kalendat greke” futjen e Shqipërisë në Bruksel, që i takon “de jure”? Apo për t’i bërë qefin duke e joshur klanin serbomadh, apo ndonjë shtet “superfuqi” që i shkon pas ?! E dimë se Tito me politikën e tij” të paangazhuar” të hapjes, çoi emisarë të tij burra, gra dhe vajza të reja, në shumë vende europiane, të cilët pasi mbaruan studimet dhe u bënë profesorë, ekonomistë, mjekë apo u martuan me vendës, tani hapur apo edhe në mënyrë të zhdërvjellët bëjnë politikën e Serbisë.

Europës i duhet përsëri një staf me vizion të qartë dhe që është i paanshëm, pasi ajo po paguan anonimatin burokratik të drejtuesve të saj me çmim të lartë.

Duke qenë jashtë në diasporë, më tepër kam mbajtur rolin e spektatorit dhe jo të protagonistit të ngjarjeve të këtyre viteve, sidomos pas viteve ‘90. Detyrat që kam pasur si funksionar ndërkombëtar i pavarur në disa organizma të sistemit të OKB-së, nuk më linin kohë të merresha me analiza e shkrime për shtypin shqiptar. Natyrisht, kam ndjekur në çdo hap gjendjen në Shqipëri, analizat e bëra nga dashamirët e saj, por edhe të atyre dashakeqëve që sa vijnë e pakësohen. Kam shkruar edhe me mllef, por edhe me argumente kundër tyre, siç vazhdoj edhe tani, kur është sidomos çështja e mbrojtjes së interesave të kombit dhe padrejtësive që i bëhen atij nga disa qarqe vendimmarrëse europiane apo nga disa fqinj keqdashës. Kam shkruar dhe e theksoj edhe sot për domosdoshmërinë e ekuilibrit të politikës sonë të jashtme, sidomos me fqinjët tanë, qofshin të Jugut, Veriut, Lindjes apo Perëndimit. Edhe për një politikë largpamëse me europianët. Kam shkruar edhe për Amerikën dhe qëndrimet pozitive të administratës së presidentëve Klinton, Obama e Trump. Për mua mbetet vendi i parë në botë, i paarritshëm, i lirisë dhe demokracisë. Kam shkruar edhe për Zvicrën që kur shkon në fshatin zviceran, se qytete të mirëfillta mund t’i quash pa hezituar, shikon në ballkonet e shtëpive, krahas luleve shumëngjyrëshe, edhe flamurin e Kantonit dhe atë të Zvicrës. Midis Zvicrës dhe vendeve fqinje tani ka vetëm kufij fiktivë. Fqinjë të mirë që ngrenë së bashku dolli, qofshin këta zviceranë, francezë, edhe shqiptarë. Kufijtë ndahen vetëm nga breza tokash me grurë apo lule dhe aty-këtu ka forca lëvizëse, që natyrisht kontrollojnë hyrjen e keqbërësve të mundshëm.

Kjo më bën në këto çaste të mendoj edhe për kombin tonë: tashmë ai nuk është më “i mbyllur hermetikisht” si dikur, por i hapur, paçka se shumë bashkëkombës të mi detyroheshin akoma deri para disa vitesh të mbanin radhën me orë të tëra, ditë dhe muaj, për të marrë një vizë për të shkuar në Europën e 27-shes. Jo për turizëm, por për të punuar dhe për t’u rraskapitur… Ata shkojnë tani lirshëm.

Kam punuar në organizatat ndërkombëtare, Kombet e Bashkuara në Gjenevë, në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën, në UNCTAD, në Byronë Ndërkombëtare të Punës, në OMS, me kolegë të vendeve të botës dhe nuk kishim asnjë kompleks për njëri-tjetrin. Punonim si vëllezër dhe ndihmonim njëri-tjetrin, ashtu siç më kujtohet kur isha gazetar në Shqipëri, ndihmonim njëri- tjetrin, me Kastriot Gjinin e ndjerë kompozitor, me Shaban Muratin analist të zotin etj.. Ambicia ime e vetme tani është se si të hedhim një gur të mirë në kalanë tonë, që është futur në udhën e demokracisë europiane, të NATO-s. Unë kam pasur fat dhe e them sinqerisht, siç mund të kishin edhe shumë bashkëkombës dhe ish-kolegë të mi, që kam jetuar për një kohë të gjatë në një vend me tradita të lashta demokratike, si Zvicra, kryesisht për arsye personale. Në Zvicër kam vazhduar edhe një universitet të dytë, duke shtuar njohuritë e mia juridike, politike, ekonomike, rajonale për Europën e ëndërruar nga Viktor Hygo, Robert Shumani, Jean Monnet, Henri de Saint-Simon, Konrad Adenauer, Curçilli, Altiero Spinelli, Alcide de Gasperi, Paul-Heri Spaak, Denis de Rougemont.

Emri “Europë” është shumë i lashtë dhe e gjejmë te Herodoti. Sipas legjendës, Europa ishte një princeshë feniciane që ia kishte marrë mendjen Zeusit, mbretit të Olimpit. Europa ishte dhe Iliria, Dardania, shumë më parë se treva që u krijuan në Europë më vonë.

E përsëris, e kam shprehur dhe e shpreh hapur dhe pa ndonjë nëntekst, pasi i gëzoj prej vitesh të gjitha të drejtat te shteti multietnik zviceran: kam një simpati të veçantë për Zvicrën dhe ministren e saj të Jashtme, Micheline Calmy- Rey, ish-presidente e Konfederatës Zvicerane, jo sepse më ka dërguar një letër të ngrohtë, por sepse është e guximshme dhe e prerë kur ka të bëjë me çështjen e interesave të vendit të saj. Atë e respektonin dhe e respektojnë akoma edhe përfaqësues të partive të tjera politike, të së djathtës dhe të majtës apo të qendrës, për probleme që lidhen me interesat kombëtare. Ajo më shkruante për rrugën që duhet të ndjekë Kosova dhe Shqipëria për në Europën e Brukselit. Zvicra nuk është anëtare e Bashkimit Europian, është në “Europën tjetër” si dhe Shqipëria, pasi kështu ka vendosur populli sovran i saj. Por ajo ka marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe me fqinjët që janë në Europën e Brukselit, apo edhe më larg. Zëri i saj dëgjohet dhe vlerësohet në marrëdhëniet ndërkombëtare. Do të doja që e njëjta gjë të ndodhte edhe në Shqipëri, në Kosovë dhe në vendet e Ballkanit. Nuk mund të rri pa përshëndetur hapat e guximshëm të ministrit të Jashtëm të Kosovës, të përkushtuarit fisnik, Bexhet Pacolli, i cili ka bërë dhe bën aq shumë për njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në shumë shtete të botës. Një shembull tepër domethënës në këtë kohë të tranzicionit të kombit tonë të lashtë në Europë. Ai është tepër largpamës dhe me vizion të qartë për të ardhmen e Kosovës martire.

Ndonjë parlamentar që e njoh dhe dikur na ka thënë se “ju të diasporës jeni jashtë loje dhe nuk duhet të jepni mendime për kombin”, tani mund të përtypet. Atij i kujtoj se Zvicra i quan bashkëkombësit e saj të vendosur jashtë territorit helvetik, në Europë, Argjentinë, Amerikë, Kanada, Tailandë, Singapor e gjetiu, si “ambasadorë të nderuar” të Zvicrës apo “Zvicra e dytë”. Janë mbi 700 mijë zviceranë që jetojnë jashtë shtetit. Popullsia zvicerane tanimë ka arritur rreth 8 milionë banorë, midis të cilëve 20 për qind janë të huaj. Do të kisha dëshirë që të hapnim një diskutim edhe për rolin e ambasadave dhe misioneve tona: se çfarë bëjnë ato për të afruar shqiptarët, sidomos në kohët e sotme, për të diskutuar edhe për të ardhmen e tyre, për rolin që duhet të luajnë tani kur na bëhen padrejtësi, për shtyrjen e futjes së Shqipërisë në Europë?! Ato vende si Italia, Portugalia, Spanja etj., kur hynë në rrugën demokratike, kanë pasur dhe kanë fatin të mos kenë fqinjë “që të qajnë ditën dhe të fusin thikën natën”. A mund të pranojmë të heshtur që Europa të jetë si Shtetet e Bashkuara të Europës, pa Shqipërinë, Kosovën dhe ndonjë vend tjetër të Ballkanit? Jo, duhet të veprojmë së bashku, me maturi dhe pa mllef, për të mirën e kombit, sa nuk është vonë, që të mos na shajnë brezat e ardhshëm shqiptarë, duke na cilësuar si “të mefshtë”, që kemi parë vetëm interesat e ngushta vetjake. Të shohim së shpejti flamurin tonë me shqipen dykrenore, krahas atyre të kombeve të tjera që e përbëjnë atë në Bruksel, ashtu siç e shohim me krenari në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, në Gjenevë apo në selinë e NATO-s dhe organizmave të tjera ndërkombëtare, ashtu siç e shohim në Rokfeler Center e gjetiu në botë. Me të drejtën e tyre të shkruar, romakët i dhanë Europës rregullat që drejtuan marrëdhëniet sociale. Misionarë të ardhur nga Roma, Irlanda dhe Kostandinopoli përhapën besimin kristian në Europë. Megjithëse kisha orientale u deklarua e vetmja kishë “ortodokse” duke u ndarë nga Roma dhe megjithëse reforma u imponua në shumicën e vendeve të Europës Veriore, parimet kryesore të kristianizmit janë të ngjashme për të gjithë kristianët e të gjitha besimeve dhe bazat e moralit kristian njihen kudo. Me gjithë shumëllojshmërinë e gjuhëve dhe të dialekteve rajonale, njohuritë e filozofëve dhe të shkencëtarëve u përhapën në gjithë territorin europian dhe ndikuan në mënyrë reciproke. Shkrimtarë dhe poetë europianë përdorin simbole që kanë të njëjtat burime: mitologjinë greke, legjendat skandinave, ungjillin që njihet prej shqiptarëve shumë përpara disa popujve dhe kombeve që tashmë janë në Europë. A nuk është e mjaftueshme ajo gjuhë nga më të vjetrat indoevropiane, si shqipja, ajo kulturë, puna e qindra mijëra shqiptarëve që kanë ndërtuar e ndërtojnë Europën prej dhjetëra dekadash; a nuk është e mjaftueshme Nënë Tereza, ata guvernatorë e njerëz të shquar të kombit tonë që kanë dhënë për Europën; ato sakrifica të popullit të vuajtur shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore; ajo ndihmë që iu dha italianëve gjatë “kapitullimit” të Italisë që u strehuan te vatrat e shqiptarëve të thjeshtë? Për ata shqiptarë që në vitet ‘90 u larguan nga Shqipëria për të parë një jetë më të mirë. Një fenomen i tillë ishte parë edhe në shekullin e XIX me emigracionin e dhjetëra mijëra europianëve në Amerikë, tokën e premtuar. Shumë grekë, sidomos intelektualë, por gjithashtu muratorë, fshatarë janë kudo në botë. Në rast se shkoni në Florida, ju mund të shihni ata që ndërtojnë “billdingjet” janë grekë; ka shumë restorante greke me “buzuqe” dhe një lagje e tërë greke. I njëjti fenomen ndodhi me italianët në vitet e parat ë shekullit XX. Si edhe francezët që janë kudo në botë; me zviceranët që siç e përmendëm më sipër janë mbi 700 mijë, jashtë kufijve të Konfederatës Helvetike. Autoritetet e këtyre vendeve, ambasadorët e akredituar atje, si edhe shtypi, nxjerrin në pah cilësitë e këtyre “përfaqësuesve të denjë” të Francës, të Greqisë, të Zvicrës, të Spanjës…Dhe kjo me të drejtë. Mjaft më me korniza e ndarje kufijsh për popujt e Ballkanit! Edhe ata meritojnë të shohin diçka më tepër, për vete dhe fëmijët e tyre. Shqipëria dhe Ballkani të mos bëhen pré e keqdashësve që hedhin vetëm anatema ndaj popujve të tyre mikpritës, bujarë, punëtorë, që kanë të drejtën të lëvizin në Europën që u përket jo vetëm gjeografikisht, por edhe ligjërisht. Europa është e ardhmja jonë dhe jo më nostalgji.

Filed Under: Analiza Tagged With: Alfred Papuciu- Shqiperia-Europa-Integrimi

RECOGNIZE ET APOLOGIZE!

June 18, 2019 by dgreca

RALLY FOR JUSTICE !

75th Year Commemoration of the Albanian Genocide by Greek General Et Nazi collaborator Napoleon Zervas

Thousands of Albanians, Jews Et Macedonians killed by the Greek Government of 1944 in order for Grees to be “Ethnically Cleansed.”

RECOGNIZE ET APOLOGIZE!

Date: Thursday  June 27.2019

TIME: 12.00 P.M.

PLACE: Consulate General of Greece

Adress: 69 E, 79th St, New York, NY 10075

(79th Street Between Madison Ave et Park Ave)

The Rally will start at the Greek Consulate & end in front on the Albanian UN Mission For FAILING to demand Justice for thousands of innocent Albanian Women, children & elderly for 75 years.

Greece Guillty for GENOCIDE

WE WANT JUSTICE NOT REVENGE!

Filed Under: Featured Tagged With: RALLY FOR JUSTICE

Kosovë-SHBA, hyn në fuqi Marrëveshja e Ekstradimit

June 18, 2019 by dgreca

Kosovë-SHBA, hyn në fuqi Marrëveshja e Ekstradimit/
Kosovë-SHBA, hyn në fuqi Marrëveshja e Ekstradimit

–“Unë, Donald J. Trump, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ratifikoj  dhe e konfirmoj Traktatin. Andaj, kam nënshkruar këtë instrument të ratifikimit dhe e kam mbyllur me vulën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”,thuhet ndër të tjera në letrën e Presidentit Trump/

–Ministri Tahiri: Letra e Presidentit Trump akt historik  për marrëdhëniet mes dy vendeve

PRISHTINË, 18 Qershor 2019-Gazeta DIELLI/Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri,  nëpërmjet zyrtarëve të lartë të shtetit amerikan, ka pranuar letrën e nënshkruar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, me të cilën konfirmohet hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Ekstradimit mes Kosovës dhe SHBA-së.

“Unë, Donald J. Trump, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ratifikoj  dhe e konfirmoj Traktatin. Andaj, kam nënshkruar këtë instrument të ratifikimit dhe e kam mbyllur me vulën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet ndër të tjera në letrën e Presidentit Trump.

Ministri Tahiri ka theksuar se marrja e kësaj letre është akt historik në marrëdhëniet dypalëshe.

“Nga zyrtarë të lartë të shtetit amerikan tashmë kam pranuar letrën e nënshkruar nga Presidenti i SHBA-ve z. Donald Trump, dhe nga Sekretari i Shtetit, z. Mike Pompeo, përmes së cilës konfirmohet hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Ekstradimit në mes dy vendeve. Kjo marrëveshje shënon një akt historik në marrëdhëniet dypalëshe mes SHBA-së dhe Kosovës dhe është garanci e mëtejme se sundimi i ligjit është i pa alternativë dhe lufta kundër krimit do të shkojë deri në fund” thekson ministri Tahiri.

Pas hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshje, ministri Tahiri potencon se Kosova tashmë rangohet si vend i besueshëm nga prijësit e demokracisë liberale.

“Pesha historike e kësaj marrëveshje, me vulën e Presidentit Trump, do të lë gjurmë në historinë e shtet ndërtimit tonë dhe do ta markojë Republikën e Kosovës në rangun e një vendi, në të cilin prijësit e demokracisë liberale dhe sundimit të ligjit kanë besim të plotë” thekson ministri Tahiri.

Protokolli i instrumenteve të Ratifikimit të Marrëveshjes së Ekstradimit në mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është nënshkruar javën e kaluar nga Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, z. Matthew Palmer në Prishtinë./b.j/

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari-Kosova-SHBA_Ekstradimi

VOTAT SHQIPTARE….Rroftë o rroftë Ed kazani!

June 18, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Nuk e di se çfarë është publikuar deri më sot, a janë të mjaftueshme për shqiptarët për të kuptuar se sa poshtërsisht është shpërdoruar sistemi i votës. Se…, e frikshme është jo dhuna e sekserëve, jo shitja e votës për 50 mijë lekë etj., por penetrimi i pushtetit dhe atij që ka lekun drejt frymëmarrjes sociale të një vendi. Nuk e di nëse e bëni dallimin midis përdorimit që i bën pushteti shoqërisë për të kuptuar përfundimisht se sa mish për top e bën vendin një grafoman i dështuar, një politikan pjellë e propagandës. Një shallvarexhi që akoma ju kërcënon duke ju përmendur Amerikën dhe Europën. Ju thotë pa pikë turpi se kush pengon votimet e 30 qershorit, Amerika u bllokon vizat, kurse Europa ua heq. E para është një matufepsje shallvarexhiu se i nxjerr kallpin vetvetes kur nuk bën dot dallimin midis zgjedhjeve dhe votimeve. Dhe e dyta, nuk iu mbush mendja akoma se shqiptarët nuk kanë nevojë për viza, nuk i mbajti dot Enver Hoxha me telat me gjemba, jo ky me shallvare. Shqiptarët i kanë të hapura shtigjet në male, po ashtu edhe gomonet, trailerat, vizat fallco, bashkimet familjare, identitetet e rreme etj. Shqiptarët të gjitha i kanë dhe të gjitha epitetet e mundshme i kanë marrë përsipër. Dhe i kanë pranuar se edhe i kanë merituar, qofshin ato me bojë të zezë qofshin me bojë floriri. Të gjitha i kanë merituar, veçse qeveritë e vendit të tyre jo, jo…, veçmas këtë të shallvarexhiut. Megjithatë një gjë duhet të dini botërisht, që ky këtë zanatin e vjedhjes së votës nuk e ka mësuar sot. Dhe a e pyesni veten se kështu mund të ketë marrë e mbajtur edhe bashkinë e Tiranës?! Nuk ka si shpjegohet ndryshe. Ne nuk durojmë babain të na qeverisi në shtëpi për një vit, e jo më një qeveritar për 16 e kusur vjetë?! Eshtë pak e çuditshme, por aty janë të gjitha. Dhe nga ana tjetër duhet me i thënë vëllezërve socialistë, mos e ulni kokën…, por përbuzeni me të njëjtën forcë që përbuzni Saliun. Ju kanë përdorur deri në asht sa për inat të Saliut u shqyet deri bythësh për një grafoman si ky shallvarexhiu, pa e besuar asnjëherë se një padrino më i keq se i pari nuk po mashtronte vetëm ju për një vend pune, një pension me të mirë a për ca lehtësime rimbursmesh në ilaçe, por një vend të tëre.  Ju futi në lojë të tillë që bar të hani dhe veç Saliut mos t’i dëgjoni emrin. Dhe jeni gati edhe sikur 50 vjetë tjera t’ju shtrydhi, prapë Saliut mos t’i dëgjoni emrin. E kishte zërin të kulluar dhe nuk ishte e vështirë fare për ta njohur. Si tha ai vlonjati i liruar, është lyrë shkopi me mut nga të dy krahët djema. Aty e keni dëgjojeni dhe kuptoni se sa shumë jeni përdorur, për të ndjerë edhe përdorimin që i bëjnë prostitutave në semaforët e europës, premtimi elektoral  që ju e prisni si dhuratë nga shallvarexhiu. Ky rasti i përgjimeve është një lloj skandali që do mbahet mend. Një lloj si skandalet në vende të ndryshme të botës. Më vjen keq që edhe vendi im u bë pjesë e listave të zeza. Ashtu siç më vjen keq që akoma që një i çmendur qeveris dhe psall duke akuzuar shtypin e lirë të një vendi si Gjermania. Por ju e dini e bënte edhe Enver Hoxha në kohë me Amerikën, BRSS, Kinën dhe vendet fqinje. Kur të drejtohem ty socialist, dua të të lë të kuptosh se çfarë dëgjon, dëgjoje drejt, pa turp, dhe shënoje si bombën më të madhe dhuratë, a greminën ku e katandisi rilindasi shallvarexhi partinë tënde socialiste. Nuk ka kimikat që t’ia heqi njollën e përgjimeve. Dhe nëse vërtetë Shqipëria do të ishte në shinat e shtetit ligjor, kjo parti do të ishte sot e jashtëligjëshme. Në një vend normal do t’i kërkonte ndjesë publike shoqërisë dhe vendi do kish shkuar me kohë në zgjedhje të parakohëshme. Por kjo nuk ndodh aty. Megjithatë janë drama të rënies së politikës në përgjithësi, ndaj sot jemi edhe gazi i botës. Rroftë shallvarexhiu, shakaxhiu i përparimit shqiptar, tifozi i Juves, lideri i rajonit.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja- Votat- Kazani-Rama

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT