• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2019

KOSOVA SHTET, 11 VJET ME KUSHTETUTË

June 15, 2019 by dgreca

-Para 11 viteve, në 15 Qershor 2008, ka hyrë në fuqi Kushteta e Republikës së Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”/

-Në 2019-tën, 11 vjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur po shënohet në kohën kur festohet 20 vjetori i lirisë, e cila nisi në  Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të  NATO-s filluan të  hynin në Kosovë/

-Kosova në rrugën drejt pavarësisë ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare/

KALENDAR-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

RISHTINË, 15 Qershor 2019/ “Shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm” e përcakton Republikën e Kosovës, që në nënin 1, Kushtetuta e saj, e cila ka hyrë në fuqi para 11 viteve, në 15 Qershor 2008.  njohur ndërkombëtarisht

Nga “Kapitulli I Dispozitat Themelore” i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të njohur ndërkombëtarisht, citojmë:


“Neni 1 [Përkufizimi i Shtetit] 

1. Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm. 

2. Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të vet. Republika e Kosovës ushtron autoritetin e 
saj bazuar në respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të vet dhe të gjithë individëve 
brenda kufijve të saj. 

3. Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë 
shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti.
Neni 2 [Sovraniteti]
1. Sovraniteti i Republikës së Kosovës buron nga populli, i takon popullit dhe ushtrohet, në 
pajtim me Kushtetutën, nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, me referendum, si dhe në 
forma të tjera, në pajtim me dispozitat e kësaj Kushtetute.
2. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i 
patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë 
Kushtetutë dhe me ligj. 

3. Republika e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së interesave shtetërore, 
mund të marrë pjesë në sisteme të sigurisë ndërkombëtare. “

Kushtetuta, akti më i lartë  juridik i shtetit më parë ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës në ditën e 9 Prillit, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008.

Prej atëherë, 9 Prilli është festë shtetërore – Dita e Kushtetutës, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.

Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të  dala nga Paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e bëri presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, pasi ato i dërgoi në Presidencë kryeparlamentari në atë kohë, Jakup Krasniqi.

Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar kryeadministratori – shefi i Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, presidenti “shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”. Poashtu,  presidenti “ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj”.

Zhvillimet më të rëndësishme brenda 11 viteve ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, në 7 Shtator,  ka miratuar amendamentimin e  Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes  ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 Shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

“Përmbyllja e mbikëqyrjes është vlerësimi më i lartë ndërkombëtar, që i është bërë shtetit të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë”, u vlerësua atëherë.

Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të shtetit të ri, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin.

Deri në 11 vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës pavarësia e Kosovës është e njohur nga 116 shtete të botës anëtare të OKB-së.

Në rrugën drejt pavarësisë Kosova ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.

Kosova prej vitit 1974  ka pasur Kushtetutën e vet, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën  e atëhershme. Nga shpërbërja e federatës dolën shtatë shtete të reja të rajonit: Kosova – shteti më i ri evropian, si dhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona.

Para 30 vitesh, në 28 Mars të vitit 1989, Serbia në Kuvendin e saj miratoi “Kushtetutën e tankeve”, që përgjakshëm, në rrethana tragjike terrori, me forcë e në mënyrë kundërkushtetuese rrënoi autonominë që kishte Kosova.

Kundërshtimi i fuqishëm rrënimit të autonomisë në Kosovë ishin demonstratat gjithëpopullore në të cilat vetëm brenda dy ditëve, në 27 e 28 Mars 1989, në shtetrrethimin e hekurt ushtarako-policor të vendosur nga Beogradi u vranë 22 shqiptarë e plagosën qindra të tjerë në Prishtinë, Mitrovicë, Zhur e Dushanovë afër Prizrenit, Podujevë, Deçan, Gjilan e në anë të tjera të Kosovës.

Demonstratat pasonin grevën  e urisë të 1.300 minatorëve të Trepçës, nga 20 deri 28  Shkurt 1989, e cila ishte në mbrojtje nga sulmet e Serbisë kundër Kosovës e mëvetësisë së saj, rezistencë e fuqishme e përkrahur nga populli dhe në kërkim të lirisë, demokracisë e të drejtave të plota për shqiptarët.

Në vijimësi të kundërshtimeve të fuqishme gjithëpopullore dhe institucionale të “Kushtetutës së tankeve” serbe, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese për Pavaraësi në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator u organizua edhe Referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, kur President i parë i Republikës së Kosovës u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.

Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.

Kosova e lirë, pas përfundimit të luftës në Qershor 1999, prej vitit 2001 deri pas shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurt 2008  ka pasur një Kornizë Kushtetuese, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.

Para një viti, me rastin e 10 vjetorit të Ditës së Kushtetutës, 9 Prillit, hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës janë dekoruar me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë nga presidenti  Hashim Thaçi.

Të dekoruarit janë: Prof. Dr. Arsim Bajrami. Prof. Dr. Hajredin Kuçi, Prof. Dr. Gjylieta Mushkolaj, Ilaz Ramajli, Prof. Dr. Kadri Kryeziu, Ramë Manaj, Prof. Dr. Eqrem Kryeziu, Mahir Yagcilar, Ylber Hysa,  si dhe Nekibe Kelmendi (pas vdekjes)

Në këtë vit – 2019-tën, 11 vjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur po shënohet në kohën kur festohet 20 vjetori i lirisë, e cila nisi në  Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin e vitit 1999, kur forcat paqeruajtëse shpëtimtare të  NATO-s filluan të  hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria,  pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe të goditjes së caqeve të forcave serbe që bënin masakra e spastrim etnik duke vrarë më shumë se 12 mijë shqiptarë, zhdukur mëse 6 mijë e dëbuar rreth një milion.

Kosova e lirë dhe e pavarur feston jubileun e 20 vjetorit të lirisë, përgjithmonë mirënjohëse dhe falënderuese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë botën demokratike.

Në 8 Janar të këtij viti, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka shpallur 2019-tën Vit të NATO-s në Kosovë. “Populli i Kosovës do u jetë përjetësisht mirënjohës shteteve anëtare të NATO-s për mbështetjen e tyre”, theksonte deklarata e Presidencës.Në 26 Mars Qeveria e Kosovës, në një mbledhje drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ka themeluar Këshillin Organizativ për shënimin e 20 vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, i cili udhëhiqet nga ish-Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Behlul Jashari-Kosova- 11 Vjet Kushttetute

Gazetari Lekë Zherka, ndërroi jetë në moshën 56 vjeçare

June 15, 2019 by dgreca

Lekë Zherka e filloi karrierën e gazetarit në vitin 1985 në Radio Televizionin e Prishtinës.

Pas luftës së Kosovës ai ishte drejtor i Radio Kosovës, ndërsa më pas ishte drejtor shumëvjeçar në Kohavision.I ndjeri Zherka deri në fund vazhdoi punën në Radiotelevizionin 21.Kolegët e miqtë e tij u shprehën të pikëlluar më vdekjen e tij duke e cilësuar atë një humbje të rëndë për gazetarinë shqiptare.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpreh i pikëlluar me lajmin për vdekjen e parakohshme të gazetarit dhe drejtuesit të shumë medieve në Kosovë, Lekë Zherka. “Ai dha një kontribut shumë të madh në zhvillimin e mediave dhe gazetarisë profesionale. Në këto momente të vështira, bashkëndjejmë me familjen Zherka dhe komunitetin e gazetarëve”, shkroi ai në rrjetet sociale. (VOA)

***

Kryeparlamentari Veseli ngushëllon familjen Zherka

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli,i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Zherka, me rastin e vdekjes së gazetarit të njohur Lekë Zherka. 

“Me trishtim dhe pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të gazetarit të njohur dhe shumë të dashur, Lekë Zherkës.Vdekja e hershme këtij emri të njohur të gazitarisë shqiptare, është humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për Ju, për miqtë dhe gazetarinë tonë, të cilës Leka i kontribuoi për disa dekada me shumë pasion dhe profesionalizëm.

Profesionist i mirëfilltë, shembull i rrallë i përgjegjshmërisë dhe ndershmërisë.Me punën e tij ai kontribuoi në ngritjen dhe zhvillimin e shumë mediave në Kosovë, në edukimin e kuadrove duke ndjekur gjithmonë standardet më të larta të gazetarisë.Shëmbëlltyra e tij do të kujtohet përjetësisht me respekt të veçantë, ndërsa vepra e tij do të mbetet e pavdekshme.Duke ndarë dhembjen bashkë me Ju, në emër të Kuvendit dhe në emrin tim, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryeparlamentarit Veseli.(Dielli)

Filed Under: Politike Tagged With: Lek Zherka-nderroi Jete

Dje dhe sot

June 15, 2019 by dgreca

NGA ASTRIT LULUSHI/

Teorikisht dihet domosdoshmëria e shëndetit, por në praktikë kjo harrohet. Të pakontrollueshëm për karrierë, njerëzit i shkaktojmë vetes stres. Ata që tregojnë kujdes të tepruar për shëndetin fizik, neglizhojnë atë mendor.
Në kohët e lashta, njerëzit iishin mësuar të qëndronin në dhimbje dhe e pranonin kalimin e jetës. Vdekja mund t’i gjente ata në çdo kohë, në luftë, sëmundje, uri dhe krim. Të lashtët mendonin se Perëndia kujdesej për shëndetin e tyre. Kur ishin të sëmurë, ata mendonin se Zoti ishte i pakënaqur me ta dhe po i dënonte.
Ishte Hipokrati, i cili sugjeroi mjekim fizik, pavarësisht nga vullneti i perëndive. Romakët thithën shumicën e njohurive helene në mjekësi dhe i dhanë asaj shtysë të re. Mjeku më i famshëm në kohën romake ishte Galeni. Ai ishte kirurg dhe operacionet e rrezikshme që kreu në tru askush për dy mijë vjet pas tij nuk guxoi t’i bënte.
Njerëzit në kohët e lashta ishin shumë të pasigurtë. Sot, po njësoj. Të gjithë nxitojnë për t’i nxjerrë fundin jetës. Çrregullimet mendore, rreziku i drogës dhe i aksidenteve janë rritur. Për më tepër, ankthi që shqetëson njeriun sot vjen nga paraja dhe frika se mos e humbasi atë. Ndërsa Mjekësia është i vetmi biznes i pafalimentueshëm, por që i falimenton të gjithë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi- Dje dhe Sot

JOANA, ROMANI ME I FUNDIT I SHKRIMTARIT PETRAQ J. PALI

June 15, 2019 by dgreca

Nga Luan Çipi /Para një muaji u njohëm me romanin “TË PABESËT”, ndërsa sot, me një tjetër krijim prestigjioz  të shkrimtarit Petraq  J. Pali, JOANA, pa cilësim gjinie nga ana e tij, po që unë me plot gojën, do ta quaja gjithashtu roman dhe mandej do të shtoja qysh në fillim mendimin tim, si një prej romaneve bashkëkohor më të bukur lexuar prej meje në vitet e fundit, krahas romanit shumë cilësor të tij “GRUAJA ME TË ZEZA” (botuar nga i njëjti autor, në vitin 2007).

Po ta shikonim nga ana numerike, Petraq J. Palin, me 25 krijimet madhore vetjake të deri tanishme, të 5 bashkëpunimeve antologjike, si dhe të publicistikës së tij në shumë organe e në disa gjuhë, atë do ta përfshinim ndër shkrimtarët më produktivët të kohës, por, duke lexuar edhe veprën e fundit të tij “JOANA”, Adoleshenca ime (Vegime e bëma fëmijërore), do bindemi se kemi të bëjmë me një krijues letrar mjaft tërheqës e të dobishëm, të vërtetë e të sinqertë, që duhet lexuar me përparësi e vëmendje.

E kam njohur gati 50 vjet më parë,  Petraq Palin, kur punonte si Teknik Ndërtimi në Vlorë: Ishte atëherë një burrë simpatik, plot energji, gjithnjë i qeshur dhe i gëzuar, që të jepte sa e takoje, miqësi e dashuri. Dëshira për shoqëri e aheng, nuk i linin kohë të lirë që të merrej me pasionin e tij të ndezur, për të shkruar e për të thurur poezi, pasuri që e mbante thellë të ndrydhur në shpirt dhe që ia kishte zbuluar dhe nxitur e frymëzuar babai i tij i madhërishëm, mësuesi i merituar, atdhetari i spikatur,  poligloti, historiani dhe poeti qeparotas, Janko Pali.

Emigrimi i tij familjarisht, fill pas ndërrimeve demokratike, në Korfuz të Greqisë dhe  më pas në Virxhinia të Amerikës, malli, patriotizmi në gjenezën Jankopaliane, dashuria për vendin e vet Qeparoin që e lindi dhe Vlorën e veprimtarisë djaloshare, që e zbuloi si ajkën e të rinjve të gëzueshëm, të zotë e të dashur dhe që e vuri në ballin e tyre si organizator, formuan ecurinë  e mëtejshme të suksesshme të  Petraq Palit. Ai  u shqua si shkrimtar në Shoqatën Shqiptaro Amerikane, duke u zgjedhur dhe rizgjedhur dhe 8 vjet nënkryetar e sekretar i saj dhe së fundi u nderua si Anëtar i Akademisë Shkencore Shqiptaro-Amerikane dhe kalorës i disa ndereve, çmimeve e titujve të shoqatave, deri “Shkrimtar i Vitit 2018” dhe së fundi  “Misionar i Paqes në Botë në vitin 2019”,  si dhe  prej muajit Maj 2019:  “Anëtar i Unionit Global të Poetëve Shqiptar”.

Faqja e posaçme në internet dhe shoqata “Qeparoi” është një tjetër veprimtari që lartëson e paraqet vullnetin e pamposhtur dhe sakrificën pa interes, të këtij shqiptari të vërtetë, ndërsa, për disa vjet, Shkolla “Janko Pali”, është një tjetër mundim e sakrificë familjare e patriotike e tij.

Një tjetër mësim që na jep Petraq J. Pali, si rrallë djem shqiptar të tjerë të kësaj kohe, është kujdesi, respekti dhe shpenzimet financiare që i kushton kujtimit dhe nderimit të babit të vet, të cilit ia ka ruajtur krijimtarinë dhe veprimtarinë dokumentare patriotike, didaktike, shkencore e historike, i ka botuar të përpunuar një pjesë prej tyre dhe nuk i rresht përpjekjet, për ta vendosur atë në piedestalin që meriton.

Petraq J. Palin edhe tani, 75 vjeçar,  kur me vullnet e durim ka përfunduar edhe arsimin e lart juridik, tek e shikoj energjik dhe lexoj e njihem me punët e tij, mrekullohem nga veprimtaria shoqërisht e dobishme e tij. Krenohem me të dhe i uroj, mikut tim, të ruaj natyrën e tij pozitive plot gjallëri dhe entuziazëm dhe të ketë shëndet të mirë e prodhimtari të pashtershme!

Duke ardhur te libri i tij i fundit “JOANA”, mund të themi, se është  një tjetër arritje sipërore e autorit Petraq J. Pali, me redaktore z. Lejla Gorishti, me kopertinë e përpunim grafik të Petrit Rrapaj, përgatitur cilësisht për botim nga Shtëpia Botuese “Euriprint Vlorë”

Nuk dua të shtjelloj, apo të komentoj ngjarjet, që aq bukur dhe tashmë, si një letrar i pjekur, plot sinqeritet, dashuri e vërtetësi, trajton Petraq J. Pali, se kam frikë mos ju shuaj kërshërinë lexuesve dhe dashamirësve të tij.  

Ju rekomandoj ta lexoni  romanin “JOANA”, për t’u njohur me  adoleshencën tepër interesante e të veçantë, me  vegimet e bëmat fëmijërore, dështimet  dhe prapësitë e pavullnetshme, teprimet dhe çapkënllëqet e  Petraq J. Palit junior, si dhe me personazhet interesantë të romanit: prind, mësues e shokë të tij, por  sidomos dhe me të dashurën e tij fatkeqe.

Le t’i urojmë prozatorit dhe poetit prodhimtar e cilësor, Petraq J. Pali, në 75 vjetorin e lindjes së tij, jetë të gjatë dhe shumë libra të tjerë, po kaq të bukur.

Vlorë, më 15 Qershor 2019

Filed Under: LETERSI Tagged With: Luan Cipi- Joana- Petraq J Pali

KUR PERUROHEJ E PARA QENDER KATOLIKE SHQIPTARE NE NEW YORK

June 15, 2019 by dgreca

Monsinjor Oroshi – ju sot zeni vendin e shkelqyeshem në historisë e Shqipnisë/

FJALIMI QE U MBAJTE NGA DR. HALIM BEGEJA*/

I nderueshmi Kryetar i Ceremonisë,

Të nderuem fetar, Zoja e Zotni

Gjindemi sot ketu të mbledhun perpara kryqit të Krishtenimit, i cilli i lutun e i nderuem si shqiptar, duhet t’a kishte vendin ne Shqipnin’ e Shqiptarevet. Mirepo atje kisha, xhamia dhe teqet i shkatrroi dhe i mbylli te gjitha dora e zeze e komunizmes.

Sot vendi yne emrohet (vetëshpallet) si vendi i parë atheist, padyshim i pashembull në bote dhe as qe do te kete shembull tjeter per gjer sa kjo bote te kete jete.

Sot ketu si shqiptarë me në krye vlleznit t’onë katholikë po i deshmojme botes mbare se nuk asht populli shqiptar ay qe ka zgjedhe rrugen e atheizmes, por asht nji klike komuniste, e cila me anen e pushkes dhe te çdo turture çnjerzore asht versul per kontra popullit shqiptar, me qellim që ta xhveshi kete nga çdo besim dhe traditë të bukur e të ndershme.

Prandaj inagurimi i ksaj Qendre te Kryqit të Krishtenimit, mu ne zemer të New York-ut, dhe si e para Kishë Katholike Shqiptare në botë asht nji nderim i madh per të gjithë ne shqiptarët, që e bamë të mundeshme që kete misjon të denje fetar e patriotik t’a shofim te realizuem, e, qe në krye te ktij misjoni shkelqen figura e DOM ZEF OROSHIT me besimtaret e tij dhe ndihmen e madhe te Shoqates Katholike Shqiptare n’Amerikë.

Per gjatë shekujve raca shqiptare asht njoft nga te gjithë popujt e botes si race krenare, trime, fisnike dhe e pajisun me cillsina shoqerore, që, siç e dijmë, permenden neper libra me admirim e respekt nga shkrimtarët e huej të permendun.

Mendesija e shkelqyeshme e races shqiptare arrijti deri në Kathedren e Shenjtë: në kryesine e Katholiçizmes botnore: gjith’ashtu fuqija e shkelqyeshme e races s’onë arrijti te administrojë të jetë dorë e fuqishme jo vetem e Atdheut T’one, por edhe t’i shkoje ne ndihme krishtenimit, qe randë e kercenonte fuqija e forte botnore (e atehershme) otomaneve. 

Kjo asht koha e perjetesueme me emrin e shqiptarit te Madh dhe katholikut te pashembull: SKENDERBEUT.

Mirë po madheshtinë e races T’onë e ka luftue shum randë fati. Gjergj Kastrioti vdes! 

Vdes atehere kur populli Shqiptar dhe mbare bota kish nevojen e Tij. 

E ne fakt nga kjo kohë Skanderbejane e gjer me sot perdja e zezë e ka mbulue truallin shqiptar.

Me qindra mijra vriten e persekutohen vetem sepse kerkojne me ruejtë emrin e Shqyptarisë si në pikpamje shoqenore ashtu dhe toksore. 

Te tjere qindra mijrash shterngohen të braktisin Vatren Shqiptare me qellim qe te mbajne gjallë fenë dhe kombesinë dhe kështu qysh ateherë iu deshmue botes se huej se shqiptari nuk i pranon prangat e roberise Otomane.

Katholike e Orthodhokse t’asaje kohe – u strehuen n’Itali dhe sot, siç e dijmë ata shqiptarë arbreshë qendrojnë me gjuhë e zakone shqiptare a thue se janë lind e rrit ne token shqiptare prane, atyne baballareve te traditave shekullore.

Institutet fetare dhe klubet shoqerore, jane mjeti kryesor per t’iu pergjegj nevojave kombtare e fetare: e sot per t’iu pergjigj terrorit komunist, qe furishem sulmon racen shqiptare.

Prandaj zemra e shqiptarit te vertetë gufon kur ndigjon ose shef, siç ne po kemi rast me pa sot te realizuem blemjen e Qendres Katholike, randesija e se cilles, perveç asajë fetare, ka ate randesi kombetare qe ngroh zemrat e te gjithe shqiptarevet pa dallim feje.

Jane qendrat fetare qe e kane mbajtë n’armoni e te bashkuem racen shqiptare të të tre besimeve: jane keto Qendra fetare qe e kanë ba të mundeshme çeljen e shkollave shqipe dhe qe i kane dhane hov perparimit te gjuhes shqipe dhe ne menyre efektive kane dhane kontributin ma te madh ne çdo ndermarrje per lirine e Shqipnisë.

Motra dhe vllezen katholike!

Po t’a lejonte rasti dhe koha do te flitsha shum gjate per katholiket e sakrifikuem per Kombin e Atdheun t’onë, mire po ketu nuk kemi kohe as emrat e tyne te permenden, sepse janë me mijra të shtruem n’Altarin e Kombit, janë n’atë Altar që janë shkrue me gjakun e tyne fjalet:

“Te sakrifikuem per lirine e Shqipnise”

Prandaj motra dhe vllezen katholike, ju zeni vendin e shkelqyeshem të historisë së Shqipnisë.

Ju jeni bijat e bijt e atyne qe jane ba fli per Atdhe e Fe: ju jeni bijat e bijtë e atyne qe i kane dhanë dritë e lulzim Shqipnisë, e ju vetë, sot, jeni po ata bija e ata bijë që keni sakrifikue gjith-shkafin per të ruejte lirine e vertetë të popullit shqiptar.

Perpjekjet e katholikeve per lulezim e perparim te races s’one jane te lashta: mjafton ketu t’iu permend se në vitin 1493, mbas pak vjeteve te zbulimit te Shtypshkronjes nga ana e Gutenbergut, afer Shkodres ndertohet shtypshkronja, ku u botue per heren e pare “Meshari Katholik” ne gjuhen shqipe nga Dom Gjon Buzuku.

Mos harroni jo vetem ju, po te mos harrojme te gjithe ne, se shkollat e para shqipe jane nga ana e katholikeve: ajo e Pllanes ne 1638 dhe ajo e Blinishtit ne 1639.

Shkolla Franceskane e 1861 e qe ne krye te sajë arrijti në 1902 katholiku dhe Patrioti i Madh Pater Gjergj Fishta, u ba gurra e pashterrueme per kulture dhe racen shqiptare: ajo shkollë nxori bijtë e denjë të Kombit si Pater Anton Harapin, i cilli si burre i burrave vdes nga plumbat e trathetareve komuniste, te cileve iu tha: “Gjaku i em do të sherbejë me rrit filiza të reja shqiptare, qe do te jene shqiptare si unë.”

Ne 1912 Shkodra, kishte akoma trupat malazeze si dhe fuqitë nderkombetare. Shkolla Franceskane ishte ne ndertesen e Qendres Katholike në Shkoder, ku kampaneli dominonte pamjen e krejt Shkodres.

Pater Gjergji trim, siç ishte, e patriot i Madh i çoi fjalë NDOK GJELOSHIT dhe i tha që flamurin e Shqipnisë t’a ngjiste mu në maje të kampanelit. Kur Koloneli ingliz i tha Pater Gjergjit “se atehere do t’a gjuejmë me top Flamurin Shqiptar”. 

Pater Gjergji, pa u mendue iu pergjigj: “Ju falemnderes per nderimin qe po i bani Flamurit Shqiptar: atij me te vertetë i ka hije m’u pershendetun me topa.”

Flamuri valoj në Shkoder dhe Pater Gjergj Fishta nga ajo dritare e Qendres Katholike, qe ishte kundrull kampanelit me Flamurin Kuq e Zi shkroi kangen e pavdekshme te Flamurit.

“Porsi fleta e Ejllit të Zotit

Po rreh flamuri i Shqypnis

E therret bijt e Kastriotit

M’u mbledhe t’tanë n’çeta t’ushtris…”

Homeri i Shqiptarvet (Fishta) e leshoi zanin e tij nga Qendra Katholike në Shkoder, e cila sot nuk besoj te kete ndryshim me gjendjen qe ndodhemi ne ketë Qender Katholike, prej kah zani i katholikeve shqiptarë, me në krye patriotin e flaket DOM ZEF OROSHINna therret, qe te bashkohemi per të ba te të mundeshme, qe nepermjet vllaznimit shqiptar të mundemi me ruejtë ndjesitë fetare e kombëtare.

Me ruejt ate çfarë na lanë trashegim te paret t’onë.

Ajo asht sot Qendra Katholike e para në botë, sepse të gjitha kishat, xhamijat dhe teqet i mbylli regjimi komunist ne Shqipni.

Le t’a quejme edhe qendren e shqiptarevet të lirë, prej kah të flladisi era e lirisë, per të cillen jemi shtrengue te strehohemi neper vendet e botes se lire.

Me kujtohet te kem ndigjue se kur- u themelue ne Shkoder Kisha Katholike prane kalas per nderin e Zonjes se Shkodres, muslimanet shkodranë, kishin dhurue gjysen e shpenzimeve’duke thane se ajo “Kishe na perket të gjithe neve shkodraneve”.

Shpirnisht kam bindje se me gjendjen qe ndodhemi sot kjo Kishë Katholike ne New York i perket të gjithe shqiptareve ne botë, sepse ne kete institut fetar do te vlojë fryma e shqiptarit te lirë.

Pra le t’urojmë me gjithe zemer qe “Qendra Katholike Shqiptare n’Amerike” te kete sukses ne misjonin e saje fetar e kombetar dhe njikohsisht te bahet qendra e dashamiresisë, asaj dashamiresije Fishtjane, që kur korrespondenti Ingliz e idhnojë per disa pyetje At Gjergj Fishta iu pergjegj: “Besë e nder e burrni e mos na lasht Zoti kurrë pa Myslimanë”. 

Por tham se edhe neve myslimaneve mos na lasht Zoti kurre pa te krishterë.

Ne si Organizata Balli Kombetar, qe kemi nderim e respekt te veçantë per te tri besimet që ndodhen ne Shqipni, urojme qe kjo Qender Katholike te vazhdojë frymen e desherueme nga i gjithe populli shqiptar, qe pret n’agoni ristabilizimin e themelimin e kishave, te xhamive dhe te teqeve.

Duke iu urue me gjithe zemer çdo sukses, iu tham edhe me gjithe zemer juve katholikeve nisjatorë: 

Rrofshi sa malet! 

Rrofte Shqypnija!

* Shënim: Shkrimi i mësipërm në fjalë, është marrë nga libri në dorëshkrim: “Mons. dr. Zef Oroshi” (Jubileu i 50-vjetorit të meshës së parë në SHBA), që përfshin një përmbledhje të zgjeruar të shkrimeve, studimeve, fjalimeve në aktivitetet me profil atdhetar, publicistik dhe dorëshkrimeve të karakterit historik, gjuhësor, kulturor, patriotik, fetar, enciklopedik etj., të shkruar në vite e kohë të ndryshme nga Monsinjor Oroshi dhe të tjerët për te, të cilat i përzgjodha dhe përgatita me shumë kujdes dhe dashamirësi për botim. (Tomë Mrijaj)

*(Marrë nga revista Jeta Katholike Shqiptare, New York, vjeti 1970, Nr.1-2.,)

Filed Under: Histori Tagged With: Dr.Halim Begeja- Mons. Oroshi-Qendra Katolike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT