NGA ASTRIT LULUSHI/
Teorikisht dihet domosdoshmëria e shëndetit, por në praktikë kjo harrohet. Të pakontrollueshëm për karrierë, njerëzit i shkaktojmë vetes stres. Ata që tregojnë kujdes të tepruar për shëndetin fizik, neglizhojnë atë mendor.
Në kohët e lashta, njerëzit iishin mësuar të qëndronin në dhimbje dhe e pranonin kalimin e jetës. Vdekja mund t’i gjente ata në çdo kohë, në luftë, sëmundje, uri dhe krim. Të lashtët mendonin se Perëndia kujdesej për shëndetin e tyre. Kur ishin të sëmurë, ata mendonin se Zoti ishte i pakënaqur me ta dhe po i dënonte.
Ishte Hipokrati, i cili sugjeroi mjekim fizik, pavarësisht nga vullneti i perëndive. Romakët thithën shumicën e njohurive helene në mjekësi dhe i dhanë asaj shtysë të re. Mjeku më i famshëm në kohën romake ishte Galeni. Ai ishte kirurg dhe operacionet e rrezikshme që kreu në tru askush për dy mijë vjet pas tij nuk guxoi t’i bënte.
Njerëzit në kohët e lashta ishin shumë të pasigurtë. Sot, po njësoj. Të gjithë nxitojnë për t’i nxjerrë fundin jetës. Çrregullimet mendore, rreziku i drogës dhe i aksidenteve janë rritur. Për më tepër, ankthi që shqetëson njeriun sot vjen nga paraja dhe frika se mos e humbasi atë. Ndërsa Mjekësia është i vetmi biznes i pafalimentueshëm, por që i falimenton të gjithë.