• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2019

PAARSYESHMËRIA E POLITIKËS

June 23, 2019 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/

“Kjoftë mallkue kush qet ngatrrime/

Ndër kta vllazën shoq me shoq/

Kush e ndan me fjalë e shkrime/

Ç’ka natyra vetë përpoq”/-NDRE MJEDA-/

Mungojnë pak ditë nga 30 qershori, një datë që ka marrë shembëlltyrën e diçkaje të panjohur, të paparashikueshme, të një përbindëshi që mund të përpijë në pak orë, jo vetëm qetësinë e shqiptarëve por edhe shpresat e tyre për një Vend normal. Mbizotëron ideja se në këtë Vend arsyeja është terratisur, duke i lëshuar vendin një paarsyeshmërie që ka pushtuar të gjitha institucionet e brishta që krijoi kalesa e pambaruar drejt modelit të shtetit të së drejtës.

            Arsyeja ka braktisur Opozitën që, në një çast të caktuar vendosi të heqë dorë nga përgjegjësia e politikës së zakonshme në selitë e caktuara për të e për të dalë në rrugë, duke përqafuar anonimatin për formë, duke lënë jetimë qindra mijra shqiptare e shqiptarë që i kanë votuar, por që nuk e shohin politikën si një lëvizje guerrilesh të përjetëshme në dobi të interesave të aktorëve të saj. Paarsyeshmëria ka mbërthyer fort shumicën qeverisëse, që në mbrojtje të një emri, edhe se i drejtuesit të saj, nuk nguron t’a  kthejë Shqipërinë në një teatër absurd, në të cilin të zotërojë kaosi institucional e njerëzor, larg respektimit t’atyre rregullave, të cilat ajo vetë i shpalos si trofe fitoresh të shtetit bashkëkohor perëndimor. Paarsyeshmëria e bën atë shumicë të arrijë në një vendim hipotetik të largimit nga detyra tw kryetarit të shtetit, aleatit të një legjislature, të cilin ajo vetë e kishte votuar jo më shumë se dy vjet më parë, për t’a “hequr qafe” nga ndërlikimet e luftës politike që parashikohej të ndërronte rrjedhën e saj të viteve 2013 – 2017.

            Paarsyeshmëria ka kaplluar edhe kryetarin e shtetit që, në pamundësi për të luajtur rolin e tij të ligjshëm si autoritet garant për të gjithë qytetarët e, po ashtu, për të qënë personalitet përmbi palët, gjatë më shumë se katër muajve të trazirave nuk ka qënë në gjëndje të krijojë kushtet e nevojshme për një normalizim të gjëndjes politike në prag të një afati zgjedhor të caktuar prej atij vetë, por merr një vendim të diskutueshëm, i cil nuk i a arrin qëllimit, por e bën më të pasigurtë atë. Arsyeja do të donte që ai vendim duhej të vinte si pasojë e një tavoline ku të thirreshin të dy palët “ndërluftuese” e të caktohej një tjetër datë. Ndoshta kryetari Meta është sprovuar për një gjë të tillë pa një përfundim si pasojë e kryeneçësisë së dy palëve. Ndoshta nuk i a ka arritur, edhe se ai ditët e fundit ka pohuar bisedat me ta, sepse të dy palët kanë vënë kushte “të panegociushme” bisedimesh, një term që përjashton në mënyrë të prerë çdo mundësi zgjidhjeje të çfarëdo kundërshtie të mundëshme. I vënë në një pozitë aspak të këndëshme, atë të spektatorit pasiv të një furtune që paralajmërojnë regjizorët dhe aktorët e kësaj shfaqjeje të rradhës së politikës, ai nuk ruan drejtpeshimin që e detyron roli që ka, por bëhet palë në kundërshtinë e rradhës, duke e shmangur përkohësisht “mollën e sherrit” që u bë dita e zgjedhjeve vendore, pra duke ligjësuar kërkesën e Opozitës, në të cilën si figurë e dytë është vetë gruaja e tij, një tjetër fakt kundërthënës për një demokraci normale.

            Kështu i hapet rruga një kundërshtie të zyrtarizuar mes atyre që e quajnë dekretin presidencial të ligjësuar e të drejtë (Opozita e një pjesë e opinionit publik dhe shprehësve të tij në media) dhe shumicës qeverisëse që e quan “zero” atë vendim  e madje kundërvepron me një fjalor aspak “diplomatik” kundrejt autorit të tij, që do apo nuk do ajo, mbetet në karrigen e kryetarit të shtetit. Kësaj katrahure institucionale e logjike i shtohen edhe qëndrimet e ndërkombëtarëve që kuptojnë pak problemet e shqiptarëve, por që, me të drejtë, bëjnë thirrje kundër përdorimit të dhunës, ashtu sikurse me fjalë i bashkohen kësaj ideje të gjithë lojtarët e kësaj skene tragjikomike. Rezultati i deri sotëm, pa asnjë viktimë në gjithë këta muaj, i jep nder të gjithë palëve, edhe se episodet vandale në qendrat e KZAZ-ve të disa rretheve, nuk janë shëmbuj të pëlqyeshëm.

            Publikimi i përgjimevet të bisedave telefonike qe një katalizator i fuqishëm i dukurive të politikës. Ata treguan, për aq sa mund të gjykohet si sasi e si përzgjedhje, honin e turpshëm në të cilin ka rënë politika shqiptare, pa asnjë shpresë daljeje. Ata qenë shkëndija udhërrëfyese të një përçudnimi moral e institucional, të denjë jo për një Vënd t’Evropës, por as për republikat e bananeve apo ato të botës së katërt. Ata treguan në mënyrë të padiskutueshme se në bazën e veprimtarisë së pushtetit të sotëm është mashtrimi, paligjësia, vjedhja e blerja e votave, pasojë e një banditizmi politik të paskrupullt, që është i papranueshëm për asnjë parim moral apo zgjedhje politike.

            Ajo që është më shqetësuese në këtë kuadër të zi të politikës sonë është fakti që kjo histori nuk është një episod rastësor i kryeministrit të sotëm apo bashkëpuntorëve të tij të një partie. Me që dukuria e tjetërsimit të votave është bërë kronike në këta vite të pas komnizmit, ajo është kthyer në një kolerë nga e cila askush nuk është i paprekur. Mjafton të kujtohen thasët me miell të disa viteve më parë të shpërndarë “bujarisht” nga LSI-ja, apo “lojrat” me kutitë e votimit e votimet disa herë të militantëve në të njëjtën ditë shumë vite më parë. Ndoshta nën drejtimin e Rilindjes së Edi Ramës ka marrë forma e përmasa të pazakonta, por si dukuri është e pranishme në të gjitha veprimtaritë zgjedhore, duke hyrë thellë në mendësinë e kësaj klase politike pas komuniste që ka ecur në hullinë e etërve biologjikë e shpirtërorë.

            Përfundimi i sendërtimit në praktikë të asaj mendësie është një demokraturë partitokratike që nuk premton asgjë të mirë as për të sotmen as për t’ardhmen e Shqipërisë. Gabimi që bëhet në analizën e kësaj dukurie të shëmtuar është se ajo nuk konsiderohet si një e keqe e madhe e vënë në sistem, por si një shprehje e së keqes  së individëve më në zë të saj, t’atyre që kanë mbajtur në gati tridhjetë vite postet drejtuese të katrahurës. Sigurisht ata kanë pjesën e tyre të madhe të përgjegjësisë, por do t’ishte naive të besohej  se mjafton që të shmangeshin politikisht ata e problemet e Shqipërisë do të merrnin rrugën e zgjidhjes. E keqja është në shtrirjen dhe thellësinë e regjimit në shumicën dërmuese të shqiptarëve që, dashje pa dashje, për të mbijetuar janë të detyruar të inkuadrohen në të. Përgjimet dhe kundërveprimet ndaj tyre vërtetojnë këtë fakt, prandaj gjërat mbeten në vend dhe arsyeja nuk futet në punë për të gjetur rrugë më të dobishme. Nëse Opozita do t’ishte vërtetë e vendosur të shkallmonte sistemin , për të cilin ka edhe ajo vetë pjesën e saj të përgjegjësisë së padiskutueshme, arsyeja do t’a këshillonte të vazhdonte luftën e saj në selitë institucionale, duke paditur çdo ditë me fakte e argumenta, me fjalë e jo me shashka drejtuar policisë të gjitha të këqijat e regjimit. Në vend që të kërkonte  si kusht “të panegociushëm” dorëheqjen e Edi Ramës si kryeministër, me iluzionin foshnjarak se ai akt mjaftonte për të zgjidhur problemet, duhej të vazhdonte përballimin me qeverinë e partinë në pushtet, në çdo tavolinë a sallë ku diskutoheshin çështjet e reformave të ndryshme të jetës politike, administrative, ekonomike, gjyqësore, në ndryshimet kushtetuese e reformën zgjedhore etj deri tek pjesëmarrja në votime, pavarësisht se si i quante ato. Opozita ka bërë të kundërtën e gjithë këtyre opsioneve duke u vetëdënuar për papërgjegjshmëri të plotë. Meritë duhet t’i jepet atyre pak deputetëve që nuk pranuan vetëvrasjen institucionale, por vazhduan të qëndrojnë në kuvend, duke shpalosur shpesh qëndrime të denja e të dobishme.

            Por paarsyeshmëria e Opozitës pasohet nga një tjetër mungesë arsyeje, këtë herë nga ana e kryeministrit dhe pasuesve të tij që, për të mos çuar Vendin drejt një konflikti vëllavrasës, për më tepër në dritën e ngjarjeve të fundit katalizatore të dhunës, do të kishte vendosur të hiqte dorë nga posti shtetëror, pa u merakosur shumë për “preçedentin” që do të krijohej, mbasi ai tashmë është i konsoliduar e nuk mund të shmanget përderisa sistemi është i kalbur. Përgjimet nuk janë vetëm “indicje” që duhen “përcaktuar” nga ndonjë prokuror apo gjykatës, simbas filozofisë së pushtetit, por tregues të pakundërshtueshëm  të një realiteti tepër mjeran të politikës shqiptare, së cilës i është hapur tashmë “vazoja e Pandorës”, aq më tepër po të mbajmë parasysh se ata janë vetëm maja e ajzbergut e akullnajës së stërmadhe të saj.

            Kjo është Shqipëria e sotme, rezultat tragjikomik i tre dhjetëvjeçarësh demokrature e sprovash mafioze të mendësisë komuniste, të sendërtuar mbi shkretëtirën e vlerave të rrafshuara morale e të “njerëzve të rinj”, të krijuar nga diktatura të cilën e kujtojnë me mall ende një pjesë e shqiptarëve.

            Në këtë kuadër dëshiroj të ve në dukje një tjetër fakt, simbas mendimit tim modest, shumë të rëndësishëm e ndoshta përcaktues në zhvillimet e ditëve të pritme, atë të ftesës së forumit të intelektualëve Tirana, drejtuar dy forcave politike kundështare, për t’u ulur në një tavolinë së bashku me ta, për të gjetur një mënyrë të qytetëruar e madje edhe në traditën më të mirë të Kuvendeve të Arbërit, një zgjidhje që do të shmangëte një ballafaqim të padobishëm e me pasoja të rënda e të panjohura për sot e për t’ardhmen e Vendit.

            Në çaste dramatike të një shoqërie bëhet e detyrueshme që pjesa më e mirë e saj, të ndërmarrë nismën për të vetëdijesuar  politikën e verbuar nga pasioni për rreziqet që i kanosen Vendit nga veprimet e saj shkatërrimtare. Është e domosdoshme që shoqëria civile të ndërmjetësojë e që, nëpërmjet punës së saj bindëse e mendimit të ndritur, të mund të imponohet, në situata të pazakonta, edhe kundrejt të zgjedhurve të popullit, kur ata nuk shohin humnerën drejt së cilës po e shpien atë. Duke vlerësuar lart këtë hap të Forumit uroj që personazhet politikë të ftuar të kenë largpamësinë e pjekurinë e nevojshme për t’i u përgjigjur me përgjegjësinë e duhur kësaj nisme, për të hapur një rreze shprese në kapërximin denjësisht e qytetërisht edhe të kësaj krize të thellë, për t’i kursyer Vendit tonë të tjera fatkeqësi, për të kërkuar udhën e drejtë të ecjes përpara të tij, pavarësisht mosbesimit që frymëzon klasa e tij politike.

            Qershor 2019                                                      Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika-Paarsyeshmeria e Politikes

KUR LETËRSIA I VJEN NË NDIHMË HISTORISË…

June 23, 2019 by dgreca

– Mes komunistëve dhe nacionalistëve ka pasur një periudhë të butë të marrëdhënieve të tyre. Kjo ka ndodhur midis dy shtatorëve 1942-1943- /

– Ylli Polovina ka pasur guximin të tejkalojë mbi legjendat e thurrura padrejtësisht nga politikanët komunistë apo ata historianë që të detyruar, kanë shtrembëruar realitetin, pra edhe mbi shumë opinione të gabuara, dhe t`i qëndrojë besnik vetëm atyre që në rrethana të caktuara kanë ngjarë./

NGA SHPENDI TOPOLLAJ/*

Tepër i vëmendshëm në temat që zgjedh dhe shumë skrupuloz në trajtimin eruditiv të tyre, Ylli Polvina, me të gjithë librat e tij të shumtë, ku mjeshtërisht di të alternojë letërsinë me historinë, është bërë një autor mjaft i respektuar dhe i kërkuar nga lexuesit e çdo kategorie. Kjo bije në sy se dhe te libri i botuar tash së fundi, kushtuar familjes mjaft të njohur kolonjare të Butkallinjve, e cila s`është tjetër veçse një ilustrim mjaft i goditur i gjithçkaje ngjau në Shqipërinë e gjithë shekullit që lamë pas. Dy kapele kuptimplota të vendosura në kopertinë; njëra e oficerit me simbol yllin e kuq dhe tjetra qeleshe e bardhë me shqiponjën e zezë të nacionalistëve, armike për vdekje mes tyre, të paralajmërojnë për gjithësa do ndeshësh gjatë leximit të këtij libri me ngjashmëri romani. Komunistë e ballistë, partizanë e bashkëpunëtorë të armikut, bejlerë e fshatarë të varfër, shtypës e të shtypur, patriotë e tradhtarë, pasanikë e shërbëtorë, trima e frikacakë, etj. janë epitetet inatçore dhe aq dëmprurëse që nuk na janë ndarë prej dekadash të tëra dhe nga përçarja e të cilave ende sot e kësaj dite nuk po e marrim veten. Është punuar djallëzisht për hir të pushtetit, për ta mbajtur ndezur këtë luftë të turpshme mes shqiptarëve, pa e vrarë mendjen aspak se pikërisht ky zjarr përvëlues ferri, na ka dëmtuar shumë e shumë më tepër se vetë pushtimi i armiqve ndër shekuj. Kemi një jetë të tërë që altoparlantët trullosës të propagandas hileqare na e kanë topitur mendjen deri në ekstrem, dhe vazhdojmë ta shohim njëri – tjetrin me egërsi, si kundërshtarë të papajtueshëm. Pikërisht kjo psikologji primitive që na mundon e pengon në çdo hap që bëjmë dhe na shndërron në qesharakë në sytë e botës të  qytetëruar, natyrisht që ka qenë dhe vështirësia më e madhe që autorin Polovina e ka stepur para se t`i futet punës për shkruarjen e këtij libri. Lukiani, “Volteri i  lashtësisë klasike”, duke dhënë këshillat e tij të mençura sesi duhet shkruar historia, ka thënë se “Detyra e historianit nuk është si ajo e oratorit; ajo që është e nevojshme të thuhet, duhet thënë ashtu siç është në të vërtetë. Sepse ajo që u bë, u bë e mori fund; lipset vetëm të renditet materiali dhe të parashtrohet në rregull” Dhe vazhdon: “Kësisoj historiani duhet të vrasë mendjen jo se çfarë të thotë, por se si ta thotë.” Dhe Ylli Polovina ka pasur guximin të tejkalojë mbi legjendat e thurrura padrejtësisht nga politikanët komunistë apo ata historianë që të detyruar, kanë shtrembëruar realitetin, pra edhe mbi shumë opinione të gabuara, dhe t`i qëndrojë besnik vetëm atyre që në rrethana të caktuara kanë ngjarë. Dhe dashje pa dashje, në ato ngjarje që përshkruan, ka korrigjuar shmangiet nga e vërteta historike. Në këtë mënyrë, ai ka ndjekur rrugën sokratike për të kryer detyrën më të lartë, atë të kërkimit të së vërtetës. Kështu është natyra njerëzore, e koklavitur dhe e ndikuar nga rrethanat. Prandaj, nobelisti H. Hesse thosh se “Kurrë njeriu nuk është përsosshmërisht i shenjtë apo errësisht mëkatar.” Të tillë janë dhe personazhet që ka nxjerrë familja Butka, që aq bukur i portretizon Ylli Polovina dhe ku vendin më të rëndësishëm e zë jeta e Fetahut dhe patjetër ajo e djalit të xhaxhait të tij Safetit, thuajse vëllait të tij, pasi Fetahut, babanë, ja vranë në 1911- ën, kështu që atë dhe Qemalin i rriti Saliu. Kuptohet që ndodhitë kanë të domosdoshme vendosjen në kohë dhe hapësirë. Ylli vetë nuk është kolonjar, por unë si i tillë jam befasuar dhe mrekulluar nga pikturimet e tij për vendet, zakonet, atdhetarinë, trimërinë, dëshirën për dije dhe kulturë, bujarinë, mikpritjen, besnikërinë e deri gatimet e banorëve të atyre fshatrave. Kam ndier aromën e papërsëritshme të atij vendi, mirësinë e banorëve të saj, shijen e veçantë të gatimeve të atyre grave të papërtuara e nikoqire, melodinë e atyre këngëve. Ai hyn në botën e tyre të brendshme, hulumton atje, përligj e justifikon sjelljet e tyre. Na tregon se në familjen e Butkajve apo në atë trevë, asgjë nuk vjen nga hiçi. Patriotizmi dhe virtytet e tjera, si gjithçka tjetër, janë të trashëguara. Njerëzit janë sa paqësorë aq dhe luftëtarë të paepur, kur vendin e kërcënojnë të huajt. Nuk e kanë për gjë të rrokin armët dhe duke lënë ngrohtësinë e zjarrit të vatrës dhe fëmijët e gratë pa përkrahje, të marrin malet me dëborë, ku i ftohti të than e uria të grin. Dhe s`dihet në kthehesh i gjallë. Dhe në këto situata të rënda, ruajnë qetësinë dhe shpesh krijojnë vjersha. Kush e ka lexuar librin me poezi të Sali Butkës apo ato që na jep në këtë libër Polovina si krijime nga partizani Muharrem Butka, bindet lehtë për natyrën e kolonjarit. Janë të njohura trimëritë e Sali Butkës apo djalit të tij dëshmor Ganiut etj. por nga familja e tyre, personalitete si Safeti, Fetahu etj. gjithnjë për të njëjtin qëllim, përdorën autoritetin dhe ndikimin e tyre për shtimin e radhëve të luftëtarëve për lirinë e vendit, në çetat që ata komandonin. Dhe në u rreshtuan në krahë të ndryshëm, kjo ndodhi se të tilla ishin rrethanat historike; njëri përkrahte idetë komuniste dhe shpresonte në to, tjetri nuk e shihte dot me sy, nënshtrimin ndaj të huajve e sidomos atyre serbë që ende nuk qenë shlyer nga kujtesa popullore krimet e përbindshme që kishin bërë ndaj popullit tonë.  Por si mund të ishte armik, fjala vjen intelektuali i shquar Safet Butka, i rritur në një familje që e kishte të pikturuar sa një faqe muri, flamurin kombëtar nga i mirënjohuri Sotir Zografi? Si mund të pajtohej ai, i biri i të madhit Sali Butka, i internuari nga italianët në Ventotene, me armiqtë e Shqipërisë? Kush nuk e ka lexuar, le ta lexojë librin e mikut tim të mirë, e historianit serioz, prof. Uranit për kontributin e paçmuar që babai i tij Safeti, ka dhënë për ndiçimin e mendjeve të shqiptarëve nëpërmjet rritjes së cilësisë të shkollave të asaj kohe. Dhe e tëra kjo, jo me llafe, por me dokumente zyrtare. Ndaj ndien neveri kur sheh pas kaq vitesh sesi shkruante për vetëvrasjen e tij Qarkori i Korçës: “Safet Butka, sabotator i Lëvizjes Nacional – Çlirimtare dhe ndihmës i fashizmit për ta përçarë dhe për ta hedhur në vëllavrasje popullin shqiptar”. Personalisht, jam bir i partizanit të orëve të para të Çetës së Kolonjës dhe batalionit “Hakmarrja” dhe e di mirë se im atë në luftën e Blushit u plagos në kokë nga ballistët. Por mos vallë duhet të mbetem i verbër në gënjeshtrat e komunizmit që ende vazhdon të mbjellë ndarje mes shqiptarëve të pafajshëm. Enver Hoxha me shokë damkosi, burgosi e pushkatoi ata që i kishte në krah gjatë gjithë asaj kohe dhe si faqezi që ish, nuk e vriste aspak ndërgjegja për  njerëz që gëzonin autoritet në popull pa menduar ideologjikisht e politikisht si ai e ca më shumë që mund t`i rrezikonin karrigen e pushtetit. Polovina mjaft qartë dhe me vepra e veprime protagonistësh, na e ka dhënë luftën për pushtet dhe si futej ajo deri brenda gjirit të familjes. Nuk ka qenë në traditën e shqiptarit, por komunizmi e realizoi poshtërsisht të armiqsonte edhe vëllanë me vëllanë. T`i armiqësonte deri atje sa t`i vinin pushkën njëri – tjetrit. Turp! Kur u shpreha pak më lart se ky libër është ndërtuar si një roman, kisha parasysh se ai depërton deri në disa hollësi të çuditshme, vendesh, ngjarjesh e karakteresh. Pa folur pastaj për një vijimësi e harmoni ndodhish në kohë. Nuk është e lehtë të flasësh me data e orë apo me dëshmitarë e dialogje mes tyre, me aq saktësi. Ashtu sikurse autori nuk ka fshehur asgjë nga të mirat apo mangësitë e personazheve. Vetëm kështu ai bëhet më i besueshëm për lexuesin. Askënd nuk e gjykon për veprimet e tij; ai vetëm jep faktin. Atë punë le ta bëjnë vetë lexuesit. Dhe lexuesi i ka ment në kokë, nuk ka pse gënjehet më. E sheh se Safeti është një nga patriotët më të mëdhenj e sedërqar, i cili nuk e duron peshën e imponuar të vëllavrasjes, Fetahu vuan padrejtësisht burgjeve dhe internimeve, sikurse sheh mizoritë e xhelatëve të sigurimit që janë çnjerëzore, hakmarrja ndaj familjeve të të dënuarve është përtej çdo përfytyrimi, terrori dhe përgjimi i çdo të dyshuari nuk ndalen, varfërimi i popullit vjen duke u trashur, izolimi i pashembullt, dëshira për ta lënë vendin nuk rresht, historia shtrembërohet sipas rastit, e sidomos dëshirave të vetë udhëheqësit paranojak. Ai shpif pa pikën e gajles për kë t`i mbushet mendja. Si shkruan në një botim, nuk shkruan në tjetrin. Ylli Polovina, rigoroz në kërkesat ndaj vetes, ka shfrytëzuar edhe mjaft dokumente që flasin vetë rreth këtyre ngjarjeve dhe personazheve. Edhe qëndrimi i grave të kësaj familje të madhe, vajzave apo nuseve është si i amazonave. Ato paraqiten burrnesha dhe dinë t`i përballojnë me dinjitet dhe ndershmëri fatet, vuajtjet, sakrificat e privacionet e burrave të tyre, për të mos thënë se ishin si ato që ndeshi lundërtari spanjoll Orelana në brigjet e lumit Maranon dhe i kishin të gjitha cilësitë për të shërbyer si modele të statujës së Polikletit. Ndodh që edhe në mal të shkonin pas bashkëshortëve, siç është rasti i të shoqes së Muharremit, partizanit trim dhe i vlerësuar edhe nga lugati Enver Hoxha. Kur ata nuk janë në shtëpi, dinë t`u dali për zot fëmijëve dhe të presin e përcjellin me të gjitha nderimet miqtë, partizanë a ballistë qofshin ata. Kur burrat janë në burg, i ndjekin me trasta në duar dhe asnjëherë nuk ankohen ndaj tyre kur i fusin në ndonjë kasolle për kafshët. E tillë është e gjithë familja e Sali Butkës. Ndaj dhe të tillë mbeten edhe atje në arrati a mërgim ku janë vendosur, siç na jepet në libër rasti i arkitektit Qemal Butka, i cili që nga Amerika nuk e harroi kurrë vendlindjen e tij dhe për të cilën pasi e vizitoi thosh: “Ishte e lodhur dhe e drobitur Shqipëria, kur e pashë. M`u duk kockë e lëkurë. Por unë kam shpresë se ajo do të bëhet” . Dhe patjetër do të bëhet, se njerëz si Butkallinjtë ka ende ky vend dhe shkrimtarë të përgjegjshëm, të ndershëm e kurajozë si Ylli Polovina që aq bukur e korrigjojnë historinë, do kemi përherë mes nesh. Ashtu sikurse kishte Franca dikur, nga ata që shpresonin se do bëhej më mirë, sipas dëshirës së V. Hygoit: “Ah sikur vargu im, varg i gjallë e plot furi / Të mund të shtypte dhe të bënte shkrumb e hi / Çdo sofist dhe tiran shpirtzi!”

*    (Rreth librit “Historia e Shqipërisë kalon edhe nga Butka” të Ylli Polovinës)

Filed Under: LETERSI Tagged With: Ylli Polovina-Historia e Shqiperise-Butka- Shpend Topallaj

MJAFT ME!

June 23, 2019 by dgreca

Mjaft me: Gjendja e acaruar politike ne Shqiperi eshte e papranueshme!/

NGA SADIK ELSHANI*/

Gjendja e tanishme e acaruar ne Shqiperi ka arritur shkallen alarmuese dhe jane mjaft shqetesuese per te gjithe shqiptaret. Kembanat e rrezikut kombetar po bien ne te kater anet e Shqiperise, po bien per Shqiperine dhe te gjithe shqiptaret, por siç duket ato jane duke rene ne veshe te shurdher. Gjendja eshte mjaft e tensionuar, polarizuar dhe eshte duke e arritur piken e pakthimit, te perfshirjes se vendit ne nje vorbull shkaterrimtare, perleshje fizike e lufte qytetare, katastrofe kombetare. Dikujt ndoshta kjo gjendje nuk i duket edhe aq serioze, por shqiptaret duhet t’i njohin mire keto shenja, viti i mbrapshte 1997 duhet te na vije ndermend. Vendi shume lehte mund te kaplohet ne perleshje, stuhi vdekjepruese, por pastaj eshte shume veshtire qe ky zjarr te shuhet pa u shkaktuar deme me rrjedhoja te tmerrshme qe mund te zgjasin me dhjetevjeçare te tere, plage qe nuk sherohen lehte. Keto veprime te pamatura e te rrezikshme te politikes shqiptare jane duke e demtuar te ardhmen e Shqiperise, integrimin e saj ne strukturat Verore – Atlantike, anetaresimin ne BE. Jane duke e demtuar çeshtjen shqiptare, poziten e Kosoves ne bisedimet me Serbine dhe jane duke i kenaqur vetem armiqte tane te shumte.

Per tango duhen dy

Per te vallezuar tango duhen dy persona. Ne skenen politike shqiptare nuk ka engjuj, secila pale i ka mekatet e veta, ndoshta njera me pak e tjetra me shume, por nuk mund t’i masim tani ne nje peshoje te sakte moralizuese. Asnjera pale nuk e ka çelesin magjik per zgjidhjen e problemeve te shumta me te cilat po ballafaqohet Shqiperia dhe shoqeria shqiptare. Prandaj, duhet te arrihet nje kompromis, bashkepunim i te gjitha subjekteve politike, shoqerore, institucioneve dhe organeve shteterore, institucioneve akademike, shkencore, kulturore,shqerise qytetare, etj. Partite politike shqiptare nuk i bashkon ideali kombetar, interesat e larta kombetare, per te punuar per te miren e vendit, per ta perparuar çeshtjen shqiptare. Emerues te perbashket ato kane korrupsionin, krimin, zhvatjen e pasurise kombetare, pasurimin e paligjshem e ne kurriz te popullit, privilegjet e shumta… Prandaj, ata jane duke u kacafytur me njeri – tjetrin per ineresat e tyre vetjake dhe te klaneve te tyre dhe jo per interesat e vendit, per ta ndertuar nje shtet funkcional, te qendrueshem e demokratik, ku sundon ligji dhe jo anarkia, kaosi.

Nje proces kushtetues per largimin e udheheqesve te larte te shtetit

Rrethi i cmendurise nuk mbaron kurre ne Shqiperi, por ai vazhdon rrathe – rrathe pa u ndalur kurre: Dje thonin, Berisha ik; sot jane duke thene, Rama ik; neser do te thone, Basha ik; pasneser… Por, koha eshte, madje shkuar qe te gjithe politikanet e sotem te korruptuar te largohen nga skena politike dhe te hapin udhe per nje fillim te ri. Shteti qe ka nje jete 107 vjecare si nje shtet i pavarur duhet te kete nje ligj, kushtetute ku saktesohet ecuria ligjiore sesi duhet shkarkuar nga detyra Kryetari (Preisidenti) i vendit, Kryeministri e funksionaret tjere te larte te shtetit dhe jo kujt t’i teket e sa here t’i teket te kerkoje shkarkimin e tyre. Edhe ne ShBA gjysma e popullsise nuk e pelqen Kryetarin (Presidentin) e tanishem Donald Trump. Po ashtu, edhe presidentin para tij, Barack Obama, nuk e ka pelqyer gati gjysma e popullsise, e neser do te ndodhe e njejta gje edhe me kryetarin e ardhshem, por kurrkush nuk eshte çuar dhe nuk do te çohet ne kembe per shkarkimin e tyre, sepse ne Amerike ka nje proces kushtetues sesi shkarkohet Presidenti dhe kjo eshte detyre e Kongresit Amerikan. E njejta gje duhet te ndodhe edhe ne Shqiperi. Secila parti politike ne Shqiperi i ben te njejtat veprime kur eshte ne opozite. Kete qe po e ben opozita sot, dje e ka bere partia qe sot eshte ne pushtet kur ishte ne opozite. Te gjithe i shohin te metat, por gjithmone i shohin te metat e kundershtarit dhe jo te metat e veta. Kete e bejne edhe perkrahesit e tyre, prandaj ne kete menyre kurre nuk mund te permiresohen gabimet.

Nderhyrje e menjehershme per pajtimin e paleve kundershtare

Prandaj, keto marrezi duhet te ndalen nje here e pergjithmone, duhet nje nderhyrje e menjehershme e te gjitha forcave, mendjeve te arsyeshme, nese kane mbetur ende te tilla ne shqiptari. Presidenti (Kryetari) i Shqiperise duhet te ushtroje funksionin e tij kushtetues ne baze te nenit 86 te Kushtetutes se Shqiperise: Presidenti i Republikes eshte kryetar i Shtetit dhe poerfaqeson unitetin e popullit. Palet kundershtuese duhet te ulen rreth nje tavoline dhe te bashkebisedojne si shqiptare, si vellezer, qe nganjhere zihen, por qe i tejkalojne mospajtimet ne mes tyre. Duhet nje nderhyrje e çilter (e sinqerte) nga njerez, shoqata qe kane lidhje dhe jane te aferta me te dyja palet. Figurat tona te rendesishme kombetare, qe jane te paanshme e qe gezojne respektin e te dyja paleve, duhet t’i mbledhin ato e te arrijne nje kompromis, pajtim te pranushem per te dyja palet e qe eshte ne te mire te Shqiperise e te gjithe shqiptareve. Ne raste te tilla intelektualet duhet te ngrene zerin e te veprojne dhe jo vetem te jene vezhgues pasive. Gjendja e tanishme e acaruar eshte e papranueshme dhe nuk duhet te vazhdoje per asnje dite me teper. Mjaft kemi luftuar me armiqte tane nder shekuj, tani te mos luftojme me njeri – tjetrin. Jemi çliruar (pjeserisht) nga armiqte tane shekullore, tani te çlirohemi edhe nga vetja jone. Edhe nje here ketu te perkujtojme nje thenie te shkelqyer e mjaft keshilledhenese te Mit’hat Frasherit: “Shqiptaret do t’i fitojne te gjitha lufterat sapo te kene perfunduar betejen e fundit ndermjet tyre”. Le te jete kjo beteja e fundit ndrmjet shqiptareve!

Philadelphia, 22 qershor, 2019

*Sadik Elshani eshte doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Analiza Tagged With: Sadik Elshani-Mjaft me- gjendje e padurushme

Pasuria dhe njohja

June 22, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Çdo gjë ka një shpjegim. Origjina e një fenomeni, po të kërkohet, është brenda tij. Ngjarjet e sotme në Shqipëri rrjedhin nga sistemi i prishur që politikanët përpiqen ta reformojnë, ta ndreqin, kështu që njerëzit të mos dalin kurrë nga errësira e djallit dhe e mosdijes.
Filozofë të antikitetit janë marrë me çështjen e besueshmërisë së dijes. Ata e shpjegonin origjinën dhe natyrën e botës nëpërmjet miteve. Fenomene të tilla si rrufeja dhe tërmete ishin veprime që i atribiboheshin perëndive.
Të tjerë që nuk u besonin perëndive kishin shpjegimet e veta. Për shembull, në lidhje me tërmetet ata argumentonin se Toka qëndronte mbi ujë dhe kur tronditej nga valët, shkaktonte tërmete. Madje disa mendonin se bota u krijua nga uji.
Sipas filozofëve modernë, qytetërimi perëndimor filloi me Thalesin. Pas tij, Sokrati mbështeti kërkimin e njohurive nëpërmjet arsyetimit. Ai thoshte se ka tre kategori të dijes; ndjesia, besimi dhe njohja. Kjo reflektohet në thënien e tij se besimi i mbështetur nga arsyetimi është njohuri.
Platoni i besonte logjikës si mjet për të kërkuar të vërtetën. Dija varet nga mënyra me të cilën është fituar, thoshte ai. Nëse dija vjen nga përvoja, është e thjeshtuar; nëse vjen nga logjika, është e besueshme. Lidhur me njohuritë e përvojës, edhe Sokrati thoshte se njeriu me përvojë është e mundur të dijë diçka që të tjerët kurrë nuk do ta kishin mësuar. Ai e arsyeton këtë me idenë e rimishërimit, që shpirti ekziston dhe njohuria transferohet. Pra, se njerëzit kanë një pasuri të madhe edhe para se ta meritojnë atë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi-Pasuria dhe Njohja

Majlinda Kelmendi, nuk ndalet, fiton medaljen e artë…

June 22, 2019 by dgreca

… kurse Gjakova të argjendtë në Lojërat Evropiane/

Xhudistet nga Kosova, Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova kanë fituar medalje në Lojërat Evropiane që po mbahen në Minsk të Bjellorusisë.

Majlinda Kelmendi ka fituar medaljen e artë në kategorinë deri 52 kilogram, pas fitores në finale ndaj xhudistes nga Rusia, Natalia Kuziutina.

Kurse Nora Gjakova fitoi medaljen e argendtë në kategorinë deri 57 kilogram, pasi që në finale u mposht nga xhudistja nga Rusia, Daria Mezhetskaia.

Në Lojërat Evropiane në Minsk, Kosova përfaqësohet me 12 sportistë, ku xhudo ishte sporti nga i cili Kosova edhe priste medalje.

Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka ka postuar ne rrjetin social Facebook një mesazh i shoqëruar nga kampionia, Kelmendi.

Lojërat Evropiane Minsk 2019!
Majlinda e artë
Në finale luftë e fortë me Rusen Kuzjutina
Pas pak garon Nora në finale prapë me Ruse!
Kosova mbi të gjitha – Gjithandej nëpër Botë!

Filed Under: Sport Tagged With: Majlinda Kelmendi -Medalje e Arte-Minsk

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT