
NGA EUGJEN MERLIKA/
“Kjoftë mallkue kush qet ngatrrime/
Ndër kta vllazën shoq me shoq/
Kush e ndan me fjalë e shkrime/
Ç’ka natyra vetë përpoq”/-NDRE MJEDA-/

Mungojnë pak ditë nga 30 qershori, një datë që ka marrë shembëlltyrën e diçkaje të panjohur, të paparashikueshme, të një përbindëshi që mund të përpijë në pak orë, jo vetëm qetësinë e shqiptarëve por edhe shpresat e tyre për një Vend normal. Mbizotëron ideja se në këtë Vend arsyeja është terratisur, duke i lëshuar vendin një paarsyeshmërie që ka pushtuar të gjitha institucionet e brishta që krijoi kalesa e pambaruar drejt modelit të shtetit të së drejtës.
Arsyeja ka braktisur Opozitën që, në një çast të caktuar vendosi të heqë dorë nga përgjegjësia e politikës së zakonshme në selitë e caktuara për të e për të dalë në rrugë, duke përqafuar anonimatin për formë, duke lënë jetimë qindra mijra shqiptare e shqiptarë që i kanë votuar, por që nuk e shohin politikën si një lëvizje guerrilesh të përjetëshme në dobi të interesave të aktorëve të saj. Paarsyeshmëria ka mbërthyer fort shumicën qeverisëse, që në mbrojtje të një emri, edhe se i drejtuesit të saj, nuk nguron t’a kthejë Shqipërinë në një teatër absurd, në të cilin të zotërojë kaosi institucional e njerëzor, larg respektimit t’atyre rregullave, të cilat ajo vetë i shpalos si trofe fitoresh të shtetit bashkëkohor perëndimor. Paarsyeshmëria e bën atë shumicë të arrijë në një vendim hipotetik të largimit nga detyra tw kryetarit të shtetit, aleatit të një legjislature, të cilin ajo vetë e kishte votuar jo më shumë se dy vjet më parë, për t’a “hequr qafe” nga ndërlikimet e luftës politike që parashikohej të ndërronte rrjedhën e saj të viteve 2013 – 2017.
Paarsyeshmëria ka kaplluar edhe kryetarin e shtetit që, në pamundësi për të luajtur rolin e tij të ligjshëm si autoritet garant për të gjithë qytetarët e, po ashtu, për të qënë personalitet përmbi palët, gjatë më shumë se katër muajve të trazirave nuk ka qënë në gjëndje të krijojë kushtet e nevojshme për një normalizim të gjëndjes politike në prag të një afati zgjedhor të caktuar prej atij vetë, por merr një vendim të diskutueshëm, i cil nuk i a arrin qëllimit, por e bën më të pasigurtë atë. Arsyeja do të donte që ai vendim duhej të vinte si pasojë e një tavoline ku të thirreshin të dy palët “ndërluftuese” e të caktohej një tjetër datë. Ndoshta kryetari Meta është sprovuar për një gjë të tillë pa një përfundim si pasojë e kryeneçësisë së dy palëve. Ndoshta nuk i a ka arritur, edhe se ai ditët e fundit ka pohuar bisedat me ta, sepse të dy palët kanë vënë kushte “të panegociushme” bisedimesh, një term që përjashton në mënyrë të prerë çdo mundësi zgjidhjeje të çfarëdo kundërshtie të mundëshme. I vënë në një pozitë aspak të këndëshme, atë të spektatorit pasiv të një furtune që paralajmërojnë regjizorët dhe aktorët e kësaj shfaqjeje të rradhës së politikës, ai nuk ruan drejtpeshimin që e detyron roli që ka, por bëhet palë në kundërshtinë e rradhës, duke e shmangur përkohësisht “mollën e sherrit” që u bë dita e zgjedhjeve vendore, pra duke ligjësuar kërkesën e Opozitës, në të cilën si figurë e dytë është vetë gruaja e tij, një tjetër fakt kundërthënës për një demokraci normale.
Kështu i hapet rruga një kundërshtie të zyrtarizuar mes atyre që e quajnë dekretin presidencial të ligjësuar e të drejtë (Opozita e një pjesë e opinionit publik dhe shprehësve të tij në media) dhe shumicës qeverisëse që e quan “zero” atë vendim e madje kundërvepron me një fjalor aspak “diplomatik” kundrejt autorit të tij, që do apo nuk do ajo, mbetet në karrigen e kryetarit të shtetit. Kësaj katrahure institucionale e logjike i shtohen edhe qëndrimet e ndërkombëtarëve që kuptojnë pak problemet e shqiptarëve, por që, me të drejtë, bëjnë thirrje kundër përdorimit të dhunës, ashtu sikurse me fjalë i bashkohen kësaj ideje të gjithë lojtarët e kësaj skene tragjikomike. Rezultati i deri sotëm, pa asnjë viktimë në gjithë këta muaj, i jep nder të gjithë palëve, edhe se episodet vandale në qendrat e KZAZ-ve të disa rretheve, nuk janë shëmbuj të pëlqyeshëm.
Publikimi i përgjimevet të bisedave telefonike qe një katalizator i fuqishëm i dukurive të politikës. Ata treguan, për aq sa mund të gjykohet si sasi e si përzgjedhje, honin e turpshëm në të cilin ka rënë politika shqiptare, pa asnjë shpresë daljeje. Ata qenë shkëndija udhërrëfyese të një përçudnimi moral e institucional, të denjë jo për një Vënd t’Evropës, por as për republikat e bananeve apo ato të botës së katërt. Ata treguan në mënyrë të padiskutueshme se në bazën e veprimtarisë së pushtetit të sotëm është mashtrimi, paligjësia, vjedhja e blerja e votave, pasojë e një banditizmi politik të paskrupullt, që është i papranueshëm për asnjë parim moral apo zgjedhje politike.
Ajo që është më shqetësuese në këtë kuadër të zi të politikës sonë është fakti që kjo histori nuk është një episod rastësor i kryeministrit të sotëm apo bashkëpuntorëve të tij të një partie. Me që dukuria e tjetërsimit të votave është bërë kronike në këta vite të pas komnizmit, ajo është kthyer në një kolerë nga e cila askush nuk është i paprekur. Mjafton të kujtohen thasët me miell të disa viteve më parë të shpërndarë “bujarisht” nga LSI-ja, apo “lojrat” me kutitë e votimit e votimet disa herë të militantëve në të njëjtën ditë shumë vite më parë. Ndoshta nën drejtimin e Rilindjes së Edi Ramës ka marrë forma e përmasa të pazakonta, por si dukuri është e pranishme në të gjitha veprimtaritë zgjedhore, duke hyrë thellë në mendësinë e kësaj klase politike pas komuniste që ka ecur në hullinë e etërve biologjikë e shpirtërorë.
Përfundimi i sendërtimit në praktikë të asaj mendësie është një demokraturë partitokratike që nuk premton asgjë të mirë as për të sotmen as për t’ardhmen e Shqipërisë. Gabimi që bëhet në analizën e kësaj dukurie të shëmtuar është se ajo nuk konsiderohet si një e keqe e madhe e vënë në sistem, por si një shprehje e së keqes së individëve më në zë të saj, t’atyre që kanë mbajtur në gati tridhjetë vite postet drejtuese të katrahurës. Sigurisht ata kanë pjesën e tyre të madhe të përgjegjësisë, por do t’ishte naive të besohej se mjafton që të shmangeshin politikisht ata e problemet e Shqipërisë do të merrnin rrugën e zgjidhjes. E keqja është në shtrirjen dhe thellësinë e regjimit në shumicën dërmuese të shqiptarëve që, dashje pa dashje, për të mbijetuar janë të detyruar të inkuadrohen në të. Përgjimet dhe kundërveprimet ndaj tyre vërtetojnë këtë fakt, prandaj gjërat mbeten në vend dhe arsyeja nuk futet në punë për të gjetur rrugë më të dobishme. Nëse Opozita do t’ishte vërtetë e vendosur të shkallmonte sistemin , për të cilin ka edhe ajo vetë pjesën e saj të përgjegjësisë së padiskutueshme, arsyeja do t’a këshillonte të vazhdonte luftën e saj në selitë institucionale, duke paditur çdo ditë me fakte e argumenta, me fjalë e jo me shashka drejtuar policisë të gjitha të këqijat e regjimit. Në vend që të kërkonte si kusht “të panegociushëm” dorëheqjen e Edi Ramës si kryeministër, me iluzionin foshnjarak se ai akt mjaftonte për të zgjidhur problemet, duhej të vazhdonte përballimin me qeverinë e partinë në pushtet, në çdo tavolinë a sallë ku diskutoheshin çështjet e reformave të ndryshme të jetës politike, administrative, ekonomike, gjyqësore, në ndryshimet kushtetuese e reformën zgjedhore etj deri tek pjesëmarrja në votime, pavarësisht se si i quante ato. Opozita ka bërë të kundërtën e gjithë këtyre opsioneve duke u vetëdënuar për papërgjegjshmëri të plotë. Meritë duhet t’i jepet atyre pak deputetëve që nuk pranuan vetëvrasjen institucionale, por vazhduan të qëndrojnë në kuvend, duke shpalosur shpesh qëndrime të denja e të dobishme.
Por paarsyeshmëria e Opozitës pasohet nga një tjetër mungesë arsyeje, këtë herë nga ana e kryeministrit dhe pasuesve të tij që, për të mos çuar Vendin drejt një konflikti vëllavrasës, për më tepër në dritën e ngjarjeve të fundit katalizatore të dhunës, do të kishte vendosur të hiqte dorë nga posti shtetëror, pa u merakosur shumë për “preçedentin” që do të krijohej, mbasi ai tashmë është i konsoliduar e nuk mund të shmanget përderisa sistemi është i kalbur. Përgjimet nuk janë vetëm “indicje” që duhen “përcaktuar” nga ndonjë prokuror apo gjykatës, simbas filozofisë së pushtetit, por tregues të pakundërshtueshëm të një realiteti tepër mjeran të politikës shqiptare, së cilës i është hapur tashmë “vazoja e Pandorës”, aq më tepër po të mbajmë parasysh se ata janë vetëm maja e ajzbergut e akullnajës së stërmadhe të saj.
Kjo është Shqipëria e sotme, rezultat tragjikomik i tre dhjetëvjeçarësh demokrature e sprovash mafioze të mendësisë komuniste, të sendërtuar mbi shkretëtirën e vlerave të rrafshuara morale e të “njerëzve të rinj”, të krijuar nga diktatura të cilën e kujtojnë me mall ende një pjesë e shqiptarëve.
Në këtë kuadër dëshiroj të ve në dukje një tjetër fakt, simbas mendimit tim modest, shumë të rëndësishëm e ndoshta përcaktues në zhvillimet e ditëve të pritme, atë të ftesës së forumit të intelektualëve Tirana, drejtuar dy forcave politike kundështare, për t’u ulur në një tavolinë së bashku me ta, për të gjetur një mënyrë të qytetëruar e madje edhe në traditën më të mirë të Kuvendeve të Arbërit, një zgjidhje që do të shmangëte një ballafaqim të padobishëm e me pasoja të rënda e të panjohura për sot e për t’ardhmen e Vendit.
Në çaste dramatike të një shoqërie bëhet e detyrueshme që pjesa më e mirë e saj, të ndërmarrë nismën për të vetëdijesuar politikën e verbuar nga pasioni për rreziqet që i kanosen Vendit nga veprimet e saj shkatërrimtare. Është e domosdoshme që shoqëria civile të ndërmjetësojë e që, nëpërmjet punës së saj bindëse e mendimit të ndritur, të mund të imponohet, në situata të pazakonta, edhe kundrejt të zgjedhurve të popullit, kur ata nuk shohin humnerën drejt së cilës po e shpien atë. Duke vlerësuar lart këtë hap të Forumit uroj që personazhet politikë të ftuar të kenë largpamësinë e pjekurinë e nevojshme për t’i u përgjigjur me përgjegjësinë e duhur kësaj nisme, për të hapur një rreze shprese në kapërximin denjësisht e qytetërisht edhe të kësaj krize të thellë, për t’i kursyer Vendit tonë të tjera fatkeqësi, për të kërkuar udhën e drejtë të ecjes përpara të tij, pavarësisht mosbesimit që frymëzon klasa e tij politike.
Qershor 2019 Eugjen Merlika