• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2019

LE TË NISEMI SË BASHKU!

July 27, 2019 by dgreca

NGA NEXHAT PESHKEPIA*/

Le të nisemi së bashku e jo nji nga nji. Po të nisemi nji nga nji, mund t’a humbasim rrugën, do të mërzitemi nga vetmia dhe do të dëshpërohemi.

         Po të jemi vetëm, kush do të na mbrojë shpinën? Dhe anmiku asht djallzor: ai shtie mbas shpine.

              Por, po të nisemi së bashku, rrugën nuk do t’a humbasim, nuk do të mërzitemi sepse do të këndojmë së bashku kangët e trimnisë.

          Beteja e fundit do të jetë e jona, sepse kur të hidhemi në zjarrin e ndeshjes, zemra nuk do të na lëshojë.

        Nuk duhet të thomi:”Atdheu ka humbë”, ose  “Trathtarët e shitën Atdheun”. ….     Fjalë pa kuptim sepse Atdheu as humbet as shitet.

Atij që thotë:

“Atdheu asht larg dhe s’arrihet dot”, atij ne duhet t’i thomi:”Nuk asht Atdheu që asht larg teje, por asht zemra tande që asht larg Atdhut”

             Ka dhe nga ata që thonë: “Për ne, Atdheu ka vdekë”.

       Atij që thotë ashtu, gjaku i asht bamë ujë. Kur t’a shifni, ndërroni rrugë. Përveç që bajnë mëkat, sepse Perëndia, Atdheun, e ka krijue të përhershëm….Por ne duhet të thomi:”Atdheu sot po vuen. Disa ia kanë grabitë Lirinë, dhe përpiqen t’ia marrin edhe shpirtin”. Ata, që në shpirt nuk besojnë.”

   Por ne duhet të thomi:

              Le të nisemi së bashku e t’ia zgjidhim zinxhirët, Atdheut. Ta lirojmë nga zgjedha e t’a kthejmë Zot më vete, siç ka qenë dhe siç i ka hije. Së bashku t’a stolisim Atdheun me rrobat më të çmushme, t’i vëmë në kryet Kunorën e Lirisë, t’a ulim në Fronin e artë plot lavdi, të gjunjëzohemi te kambët e tij e t’i falemi.

Oh, ju lutem, dëgjomëni!

Le të nisemi së bashku e jo nji nga nji.

         Le të nisemi së bashku e të bashkuem, dhe do t’a shifni se do t’ia arrijmë qëllimit:

– DO T’A LIROJMË ATDHEUN!

*Ripublikuar sot tek Gazeta “DIELLI”

….një thirrje nga Nexhat Peshkepia, megjithse e botuar në kulmin e luftës së ftohtë në gazetën e Nju Jorkut, Shqiptari i Lirë, organ i Komitetit Shqipëria e Lirë, më 1970 — është gjithmonë një thirrje aktuale për shqiptarët kudo, që në kohë krize të bashkohen rreth Atdheut, jo një nga një, por të gjithë së bashku. (Frank Shkreli)

Filed Under: Politike Tagged With: Nexhat peshkepia-Le te nisemi se bashku

LUFTA E KLASAVE – KANCERI I POLITIKËS SHQIPTARE

July 27, 2019 by dgreca

Nga Thanas L. Gjika/*

          Gjatë shekujve XIX dhe XX mbisunduan dy mënyra qeverisjeje, ajo e qeverisjes sipas kushtetutës borgjeze krijuar prej Napoleon Bonapartit dhe mendësia e qeverisjes diktatoriale provuar prej Komunës së Parisit dhe partive nazifashiste, të cilën e perfeksionoi Partia Komuniste Bollshevike nën drejtimin e Vladimir Iliç Leninit. Ky për të marrë dhe mbajtur pushtetin me partinë e tij si forcë e vetme politike ngriti në parim luftën e klasave për të eliminuar partitë e tjera politike dhe individët që nuk ndiqnin programin e partisë së tij. Kështu Lenini arriti të instalonte Pushtetin e Sovjetëve. Pasuesi i tij, Josif Visarjanoviç Stalini e zbatoi me zell më të madh parimin e luftës së klasave, duke u shkaktuar popujve të Bashkimit Sovjetik 20 milion viktima, pra shumë më tepër viktima sesa u shkaktoi L2B. Një rrugë të tillë ndoqën për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit edhe partitë e tjera komuniste të cilat deri në vitin 1990 e rritën numërin e viktimave të sistemit komunist në 100 milion njerëz.

          Nga ana tjetër demokracitë borgjeze ishin qeverisur sipas parimeve kushtetuese, të cilat i pati pasuruar Abraham Linkolni në mbarim të Luftës Civile, kur dha një shembull human për të shuar urrejtjen midis forcave kundërshtare. Ai u tha ushtarëve të tij se kundërshtarët e mundur nuk duheshin parë e trajtuar me urrejtje, sepse ata “janë bashkëqytetarët tanë”. Pak kohë më vonë, kur u zgjodh president për të dytën herë, Linkolni theksoi: “vendi do të qeveriset me drejtësi, pa keqdashje për askënd”. Këto thënie u kthyen në parime dhe kështu u krijua uniteti kombëtar i kombit të ri amerikan, i cili u mobilizua pa asnjë dallim për zhdukjen e pasojave të luftës dhe zhvillimin e vendit.

          Në këtë rrugë, në rrugën e krijimit të unitetit kombëtar, hyri dhe populli shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare, kur intelektualët atdhetarë përpunuan ideologjinë tonë nacionaliste. Ata krijuan parulla mobilizuese si “Atdheu mbi të gjitha”, “Liri, a vdekje”, “Për lirinë e atdheut jap jetën”, etj. Ky lloj morali vijoi të frymëzonte rininë tonë edhe gjatë viteve të Mbretërisë Shqiptare, kur nëpër shkolla këndohej: “Do vijë koha përsëri / kur flamuri kuq e zi / do valojë mbi Kosovë e Çamëri”.

          Më 7 prill 1939, sulmit të ushtërisë fashiste iu kundërvunë forca shqiptare të ushtërisë mbretërore, të xhandarmërisë dhe disa vullnetarë popullorë. Në luftimet e asaj dite ranë 15 dëshmorë: dhjetë në Durrës, dy në Vlorë, një në Sarandë, një në Berat dhe një në Shkodër. Shumë shpejt atdhetarë të krahinave të ndryshme si Abaz Kupi, Safet Butka, Selim e Myslim Peza, Muharrem Bajraktari, Riza Kodheli, Haxhi Lleshi, etj krijuan çetat e para të armatosura dhe filluan luftën për ta kundërshtuar pushtimin fashist. Natyrisht rezistenca e 7 prillit dhe çetat e para të armatosura, kishin mungesa në organizimin e tyre. Çetat e para atdhetare që u pasuan më vonë dhe nga çetat që krijoi organizata patriotike “Balli Kombëtar” ishin të ngjashme me çetat e Rilindjes Kombëtare. Disiplina dhe ndërlidhja e tyre ishin të dobëta. Kurse çetat partizane që krijoi Partia Komuniste gjatë pranverës së vitit 1942 e më vonë, u shquan për organizim, disiplinë, ndërlidhje dhe komandë të përqendruar. Pikërisht me këto tipare çetat partizane korrën suksese dhe fituan simpatinë e aleatëve dhe të shtresave të varfra të popullit shqiptar. Dihet se Partia Komuniste Shqiptare dhe çetatat e saj të armatosura u krijuan sipas udhëzimeve të Stalinit, udhëzime që i vunë në zbatim tek ne të dërguarit e Josif Broz Titos. Enver Hoxha, i vënë në krye të PKSH-së prej tutorëve jugosllavë, Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës, u nxit prej tyre që të bashkohej me forcat antifashiste nacionaliste me qëllim që shpejt a vonë të delte mbi to dhe t’i eliminonte. Me këtë synim ai dhe forcat e tij morën pjesë në Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942, ku u zgjodh Këshilli i Përgjithshëm Nacional, i cili u quajt pak më vonë prej PKSH-së Këshilli Nacional-Çlirimtar. Më tej të dërguarit e Titos e shtynë Enver Hoxhën që të dërgonte përfaqësuesit e PKSH-së në Tapizë e Mukje, ku më 3 gusht 1943 u hartua Marrëveshja e Mukjes, e cila zgjodhi Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë, i cili do të luante në fund të luftës rolin e një qeverie provizore deri në zgjedhjet popullore kur do të përcaktohej forma e regjimit politik. Mirëpo tutorët jugosllavë e detyruan Enver Hoxhën që ta mohonte Marrëveshjen e Mukjes dhe brenda shtatorit 1943 me anë të një shkresë sekrete të firmosur nga “Shpati”, pseudonimi i Enver Hoxhës, u urdhëruan organizatat bazë të PKSh-së që ta shpallnin tradhëtar “Ballin Kombëtar” në mbarë Shqipërinë londineze dhe ta luftonin si armik edhe pse deri atëhere forcat e kësaj organizate kishin luftuar në bashkëveprim me forcat partizane kundër pushtuesve italianë. Disa javë më vonë udhëheqja e PKSH-së shpalli “armiq” edhe forcat që drejtonte Abaz Kupi, udhëheqësi i rezistencës së 7 prillit 1939 dhe anëtari i Këshillit të Përgjithshëm Nacional / Këshillit Na-Çl.

          M. Popoviçi dhe Dushan Mugosha e mësuan Enver Hoxhën që me çdo kusht të luftonte që PKSH-ja të zbatonte pa hezitim parimin e “Luftës së klasave”, luftës për asgjësimin e të gjitha forcave politike e ushtarake dhe të individëve që nuk përputheshin me vijën politike të PKSH-së. Duke shfrytëzuar rrethanat e luftës, PKSH-ja filloi veprimet për t’u shpallur si forca e vetme luftarake antifashiste me qëllim që të merrte në fund të Luftës Antifashiste pushtetin si forcë e vetme politike. Kështu ajo arriti që në fund të L2B të delte fitimtare dhe të instalonte qeverinë e vet komuniste. Kjo qeveri e konsideroi luftën e klasave motor lëvizës të shoqërisë shqiptare, pa menduar se kjo lloj politike dëmtonte unitetin kombëtar dhe nuk sillte çlirimin e forcave të brendshme të kombit për t’u mobilizuar për zhvillimin e vendit. Enver Hoxha, thirrjet e rilindasve “Atdheu mbi të gjitha”, “E jap jetën për atdheun” i zëvendësoi me parullat “Partia mbi të gjitha”, “E jap jetën për partinë”. Sipas tij partia ishte më e rëndësishme se atdheu.

          Me arrestime, burgime, internime, pushkatime të atyre që mendonin ndryshe, ose që i dukeshin Enver Hoxhës se mendonin ndryshe, vijoi sundimi i diktaturës së proletariatit deri në vitet 1990-1991, kur u pranua kapitullimi i këtij regjimi dhe tek ne.

Në vitin 1992 intelektualë të shquar shqiptarë menduan se erdhi koha që politika shqiptare të largohej nga urrejtja që kishte mbjellë politike e luftës së klasave dhe të ndiqej një politikë humane për të realizuar pajtimin midis persekutuesve dhe të persekutuarve, pra për të arritur paqësisht tek uniteti kombëtar, aq i nevojshëm për popullin tonë të përçarë nga ideologjia komuniste.

          Para se të largohej nga jeta në mars 1992, Martin Camaj, poeti i lartësive, si e quan Frank Shkreli, shkroi:

“Avitu, njeri! Afrohuni shqiptarë!

Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë

Si bima prej fare në pranverë”.

          Mesazh human që dëshmonte se poeti qëndronte larg hakmarrjes, larg inatit e zemërimit që mund t’i shkaktonin një njeriu të zakonshëm përndjekja dhe mohimi që i kishte bërë regjimi komunist.

          Po ashtu, luftëtari i të drejtave të njeriut, Profesor Sami Repishti, ish i burgosur, në gusht 1992 shkoi nga Amerika në Shqipëri për të ndihmuar në ecurinë e proceseve për demokratizimin e jetës e të pushtetit. Sapo zbriti në Rinas ai deklaroi para gazetarëve: ‘Kthehem në atdhe me dashuni për të gjithë dhe me urrejtje për asnjeri’.

          Studiuesi i talentuar, Profesor Rexhep Qosja, shkoi nga Prishtina në Tiranë për të diskutuar mundësinë e arritjes së pajtimit kombëtar midis përndjekësve dhe të përndjekurve. Nga Parisi shkroi dhe Ismail Kadareja për këtë problem. Mirëpo Partia Socialiste, forca politike që mbante në gjirin e vet ish-komunistët dikur të pushtetshëm në formacionet e PPSH-së, të shtetit dhe të Sigurimit, nuk kërkoi të falur për bëmat kriminale dhe gabimet e shumta që kishin shkaktuar lëndime të rënda në më shumë se një të tretën e popullit. Gjatë vitit 1992 e më vonë, kur kishte ardhur koha e tyre, të përndjekurit nuk shprehën asnjëherë ndjenja hakmarrjeje ose revanshi. Visar Zhiti, Atë Zef Pëllumbi, Eugjen Merlika, Lek Pervizi, Lazër e Jozef Radi e shumë të dënuar të tjerë botuan vepra memuaristike, poezi, analiza e romane, ku zotëronte humanizmi dhe jo urrejtja klasore. Por, përderisa shkaktarët e krimeve nuk kërkuan të falur, viktimat nuk kishin si dhe pse t’i falnin përndjekësit e tyre të papenduar. Kështu në shoqërinë shqiptare paskomuniste nuk u arrit pajtimi kombëtar për shkak se në Partinë Socialiste nuk pati intelektualë largpamës që të ngriheshin mbi urrejtjen klasore dhe të vlerësonin si duhej nacionalistët, ballistët, legalistët dhe dëshmorët e tyre që ranë gjatë Luftës Antifashiste nuk u vendosën në panteonin e Vorrezave të Kombit. Për fat të keq edhe Partia Demokratike, Partia Republikane etj të mbushura me ish-komunistë e ish-sigurimsa, nuk patën intelektualë vizionarë për të gjetur rrugën e pajtimit kombëtar. Lufta e dikurshme e klasave nuk u shua, nacionalistët, ballistët e legalistët urreheshin si më parë. Pronat që ua mori regjimi komunist, partitë e reja sa herë erdhën në pushtet nuk ua kthyen, por u dhanë disa copa letrash dhe i sorollatën e po i sorollatin nëpër gjykata. Ata u lanë jashtë lojës politike, asnjë post me rëndësi vendimmarrës nuk iu dha të përndjekurve të komunizmit. Madje në vitet 1991-1992 parimi i luftës së klasave u pasurua dhe me luftën midis anëtarëve e simpatizantëve të partive të reja politike. Anëtarët dhe simpatizantët e PS-së sulmonin e sulmojnë me sharje e shpifje anëtarët dhe simpatizantët e PD-së, PR-së dhe anasjelltas. Kjo luftë e re bëhet sa për tym e tifozllëk për t’ia marrë mendjen popullit, ndërkohë që sipas planit katovica, besnikët e PKSH / PPSH-së të gëzojnë pasuritë dhe pushtetin.

          Kjo luftë vijon dhe sot duke e gërryer shoqërinë shqiptare si kanceri. Kjo luftë pas vitit 1992, kur u ndërrua sistemi ka qenë dhe është absurde. Atë e mban gjallë plani Katovica, i cili duhet shkatërruar bashkë me klasën e korruptuar politike, që e zbaton. Uroj që Vetingu dhe Reforma në Drejtësi ta shpëtojë politikën shqiptare nga mendësia e luftës së klasave dhe korrupsioni. Përndryshe populli, sidomos rinia duhet të ngrihet në një lëvizje të re më serioze e më të programuar demikratike se lëvizja e studentëve e vitit 1990…

* Artikulli është ripunuar nga autori

Filed Under: Analiza Tagged With: Thanas L Gjika-Lufta e Klasave-Kanceri

DOPOLAVOROT FASHISTE NË KOKËN E KRYEMINISTRIT

July 27, 2019 by dgreca

  Nga Kolec  P.TRABOINI/   Ja çfarë thotë e shkruan kryeministri i vendit tonë, kryeqeveritari i një populli që në saj të udhëheqësisë së “ndritur” po merr arratinë nga sytë këmbët në këto ditë të nxehta korriku: “…historisë së teatrit kombëtar. E cila s’ka asnjë lidhje me muret prej tallashi të karakatinës së “Dopo Lavoros”, ndërtuar nga ushtria italiane, si një ngrehinë e përkohshme për argëtimin pas pune./ Edi Rama, 27 korrik 2019” .

Ky kryeministri ynë, që pretendon të jetë artist e të ketë qenë pedagog arti, as nuk merr mundimin ti referohet historisë sepse shkon sipas avazit të Luigjit të XIV “Shteti jam unë” dhe rrjedhimisht vetëm çfarë them unë është e vërtetë. Shqetësues është fakti se nuk është hera e parë që bën kësisoj. Por le ti referohemi vetëm rastit të fundit ku ai e quan ndërtesën e Teatrit Kombëtar “karaktinë e “Dopo Lavoros”, ndërtuar nga ushtria italiane”. Ndërtesa nuk ka të bëjë në asnjë sens me ato që thotë zoti kryeministër. Ajo është porositur nga shteti shqiptar me vendim zyrtar, me firmë e vulë dhe është projektuar në vitin1938. Po atë vit kanë nisur ndërtimi. Nuk është ndërtim i përkohshëm, siç e cilëson kryeministri, por ndërtim i përhershëm. Po a përmbledhim historinë e këtij teatri që qeveritarët i janë qepur për ta rrënuar ne kuadrin ne PPP (lexo: partneriteti privat pushtet për grabitje të pronave publike): -U porosit nga Qeveria Shqiptare më 1938. -U projektua nga arkitekti i njohur Italian Giulio Berté. -Firma projekt – zbatuese “Pater – Construzioni Edili Speciali Milano” -Ndërtesa është e stilit futurist, modern për kohën. -Nisi punimet në vitin 1938. -U përfundua e inaugurua me 8 gusht 1939. -Një gazetë shqiptare për këtë ngjarje shkruante: “Inaugurimi në Tiranë i lokalit modern për kinema-theatër ….ka një madhësi prej 1000 vendesh të ndame në dy rende… me qëllim që t’ u japi spektatorëve zbavitje në kryeqytet në një seli të denjë zotnijsh dhe elegante.” Tani i nderuar kryeministër a mund ti shpjegoni komunitetit e artistëve dhe artdashësve shqiptarë ku është tallashi, ku është karakatina, ku është ngrehina e përkohshme dhe kush e ka projektuar, arkitekti i madh italian, Giulio Berté apo ushtarët e dopo-lavoros tënde që një zot e di se ku e ke gjetur? A është në stilin e stallave të kuajve apo e stilit modern futurist për kohën. Zoti Kryeministër, kur mbani fjalime të pafundme e të pandalshme, kur shkruani pa u lodhur e rraskapitur natë e ditë në Facebook dhe në Twiter, është mirë të mbash pranë një kovë akull… se vapa e korrikut mund të ndikojë në superxhiron e mendimeve e të dalin jashtë kontrollit. E këto ndër ne nuk janë gjëra të pa ndodhuna. Se edhe Flamurin e Deçiqit ja hoqe Ded Gjo Lulit dhe bashkëluftëtarëve të tij, në mes të cilëve edhe im atë, dhe pa tu dridhur syri ja faturove dy endacakëve, Lolit dhe Colit nga fshatrat e jugut. Këtë shënim, zoti Kryeministër, më kot u mundova ta vë në morinë e faqeve të tua elektronike, sepse nga të gjitha më keni bllokuar, ju personalisht ose nga sejmenët e tu që i mban me bukë me qëllimin e lartë fisnik që të lëvrijnë si viruse elektronike. 27 korrik 2019

Filed Under: Politike Tagged With: Kolec P. Traboini- teatri Kombetar-Edi Rama- Dopo Lavoros

Edward Lear- Imitim i poetëve të vjetër

July 27, 2019 by dgreca

Imitim i poetëve të vjetër/
Edward Lear/
(shqipërim nga Astrit Lulushi)/

Koha është ngadalësim i shpejtë!/
Përdore atë, njeri, edhe kur ajo zgjat:/
Që të mos thonë “ke marrë fund”,/
Para se të fillosh punët e ditës./
Koha është falje e një toke të mirë!/
Për të kurorëzuar punën tënde të ndershme:/
Por nëse barërat e këqia lihen/
Ato mbysin përpjekjet e farave në rritje./
Koha është pronë e paluajtshme e datës së pasigurt!/
Dhënë për ty nga fati i përjetshëm./
Mos e lë mënjanë, para se afati i shkurtër të skadojë,/
Për të shpëtuar shpirtin nga flakët e zjarrit që s’shuhet. /

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Edward Lear-Imitimi i poeteve te Vjeter-Astrit Lulushi

Imigrantët dhe fati i tyre

July 26, 2019 by dgreca

Shkruan: Nikë Gashaj/ DIELLI

Me nocionin “imigrantët” nënkuptohen bashkësitë e formuara në bazë të vendimeve individuale dhe familjare që braktisin vendlindjen e vet dhe shpërngulen e vendosen në një vend dhe shtet tjetër, shpesh herë duke ia kthyer shpinën të afërmve të vet, prindërve, vëllezërve e motrave, kushërinjve e miqve e shokëve, trojeve të veta etnike, kulturës dhe kombit të vet. Ata këtë vendim e marrin për shkaqe ekonomike, përgjithësisht për arsye të varfëris familjarë, të papunësis, dhe më pak politike etj. Ata vendosin që të jetojnë në një mjedis tjetër, ku flitet një gjuhë tjetër, ku kultura dhe tradita e tyre kurrë nuk ka qenë e pranishme. Mirëpo, ata vetë e kanë zgjedhur këtë rrugë që ta ndërrojnë mjedisin kulturor dhe në pikën e fundit, kryesisht të asimilohen, ata apo pasardhësit e tyre, çka paraqet çështje shqetësuese për ruajtjen e identitetit të tyre kombëtar, në rend të parë të nacionalitetit shqiptar. Kështu ka ndodhur, edhe me një pjesë të shqiptarëve të Malit të Zi, që janë shpërngulur  në vendet e Europës Perëndimore, Australi, SHBA dhe gjetiu.

Ndërkaq, është e domosdoshme që të bëhet dallimi ndërmjet dy grupeve të imigrantëve: në ata që kanë të drejtë të bëhen nënshtetas të shtetit të ri dhe ata të cilëve nuk e  kanë këtë të drejtë. Pikërisht, lënia pas dore e këtyre dallimeve është shkak i mosmarrëveshjeve të shumta, si në literaturën relevante ashtu edhe në debatet publike. Në kuptimin e parë përdoret termi imigrantët, ndërsa për kategorinë e dytë përdoret “metikët“.

                                          Kush janë imigrantët?

Imigrantët janë persona të cilët janë vendosur në një shtet tjetër në pajtim me dispozitat e imigrimit të atij vendi dhe të cilët kanë të drejtë për ta fituar nënshtetësinë, pas një periudhe relativisht të shkurtër (3-5 vjet), në dakordim me kushtet e tjera minimale të përcaktuara (p.sh.njohja e gjuhës zyrtare dhe njohja elementare e institucioneve politike dhe të historisë së vendit). Këto janë kushtet themelore për ta fituar nënshtetësinë e shteteve në të cilat janë më së tepërmi përqëndruar imigrantët: SHBA, Kanadaja dhe Australia.

Shikuar historikisht, raporti i imigrantëve ndaj procesit të ndërtimit të kombit shumicë ka qenë i ndryshëm në krahasim me pakicat kombëtare. Për dallim prej pakicave kombëtare, “garat“ në ndërtimin e identitetit nacional nuk kanë qenë as të dëshirueshme, as të mundshme për imigrantët në demokracitë perëndimore. Grupet imigruese janë, parimisht, tepër të vogla dhe territorialisht të përçara dhe të thërrmuara për përpjekjen e rekonstruimit të kulturës së tyre burimore në shtetin e ri. Në vend të asaj, ata tradicionalisht pranojnë që të integrohen në kulturën e shumicës societale. Janë të rralla rastet që imigrantët janë ankuar se njohja e gjuhës zyrtare është kusht për të fituar nënshtetësinë e shtetit të tyre të ri, apo që fëmijëve të tyre iu duhet të mësojnë gjuhën zyrtare në shkolla. Ata e kanë pranuar që perspektiva e tyre, e veçanërisht perspektiva e fëmijëve të tyre varet nga participimi i tyre në institucionet themelore sociale, ekonomike dhe politike (të cilat funksionojnë në gjuhën zyrtare të shtetit përkatës).

                        Demokracitë perëndimore dhe imigrantët

Demokracitë perëndimore sot kanë më shumë se dy shekuj eksperiencë me imigrantët dhe ka fare pak fakte që imigrantët të cilët kanë të drejtë në fitimin e nënshtetësisë paraqesin ndonjë kërcënim për stabilitetin dhe kohezionin e shteteve të tyre të reja, në të cilat jetojnë. Në gishtërinj mund të numërohen shembujt e grupeve imigruese, që kanë organizuar lëvizje separatiste ose parti nacionaliste, ose kanë përkrahur lëvizjet revolucionare për rrëzimin e qeverive demokratikisht të zgjedhura në shtetet përkatëse.

Në vend të kësaj, imigrantët integrohen në sistemin politik, ekonomik dhe social të shtetit të tyre të ri. Këtu po cekim se në vendet me një vërshim të madh të imigrantëve, si dhe në numrin më të madh të shteteve  të tjera të Perëndimit, refugjatët që e kanë fituar azilin politik po ashtu e kanë statusin e imigrantëve me të drejtë nënshtetësie.

Analizuar historikisht, qeveritë e Perëndimit nuk i kanë dalluar refugjatët nga imigrantët ekonomikë, duke  patur dhe drejtuar një raport politik, pak a shumë identike në lidhje me pranimin dhe asimilimin e tyre.

Imigrantët nuk i kanë kundërshtuar aksionet e drejtuara për integrimin e tyre. Mirëpo, ajo nuk do të thotë, se ata nuk janë përpjekur që të bëjnë negociata mbi kushtet e integrimit. Debati aktual mbi “multikulturalizmin“ në vendet e imigrimit paraqet në të vërtetë shqyrtimin mbi redefinimin e kushteve të integrimit. Imigrantët kërkojnë një qasje më tolerante (“më multikulturore“) të integrimit, që do t’iu lejojë, madje, do t’i inkurajojë, për t’i ruajtur aspektet e ndryshme  të trashëgimisë së tyre kombëtare, madje edhe pas integrimit të tyre në institucione të përbashkëta, ku përdoret gjuha zyrtare e shumicës.

Imigrantët insistojnë mbi të drejtën e ruajtjes së identitetit të tyre kombëtar, të kulturës dhe të zakoneve (kuzhina kombëtare, veshja, religjioni), si dhe për të drejtat të shoqërohen me qëllim të ruajtjes së identitetit të vet.

Synimet e tilla janë legjitime dhe nuk konsiderohen sipas teorive politike perëndimore “jopatriotike“, ose “antiamerikane“, ose “antiperëndimore“. Aq më tepër, institucionet shtetërore, mendojnë teoricienët perëndimorë, do të duhej t’u përshtateshin këtyre synimeve – p.sh.shkollat dhe institucionet e tjera publike punën e vet do të duhej t’ua përshtatnin festave religjioze të imigrantëve, mënyrës së veshjes së tyre, kufizimit në ushqim etj.

                             Sigurimi i kushteve të drejta të integrimit

 Si përgjigjen demokracitë liberale në këto kërkesa për multikulturalizmin e imigrantëve? Edhe këtu demokracitë liberale, shikuar historikisht, u kanë kundërshtuar kërkesave të tilla. Deri në vitet gjashtëdhjetë, shtetet kryesore të imigrimit (SHBA, Kanadaja dhe Australia) e kanë zbatuar një politikë të asimilimit të plotë. Nga imigrantët është pritur që të përvetësojnë normat dhe vlerat ekzistuese kulturore të shtetit ku jetojnë, çka gradualisht, në pikëpamje të të folurit, të veshjes, të shfrytëzimit të kohës së lirë, të mënyrës së ushqimit, në madhësinë familjare etj. Ata do t’i bëjnë të padalluar në krahasim me njerëzit e lindur në atdheun e tyre të ri.

Është konsideruar që një politikë e tillë do të sigurojë lojalitetin e tyre ndaj shtetit ku kanë vendosur të jetojnë dhe dotë garantojë që imigrantët të bëhen anëtarë produktivë të shoqërisë.

Ndërkaq, në fillim të viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar fillohet të shihet se politika e një asimilimi total është joreale, e papranueshme dhe e padrejtë. Ajo është joreale për arsye se, pavarësisht nga intensiteti i asimilimit, imigrantët kurrë nuk e humbin identitetin e vet kombëtar dhe kulturor në terësi. Andaj, paraqitja e “veshit për shkrirje“ kurrë nuk e ka shprehur gjendjen e vërtetë; fakti se imigrantët janë integruar në institucionet shoqërore dhe se e kanë mësuar gjuhen zyrtare të shtetit të ri, nuk do të thotë se ata me atë e kanë humbur identitetin e vet kombëtar dhe kulturor.

Politika e asimilimit është po ashtu e paarsyeshme, duke marrë parasysh se faktet tregojnë se imigrantët, që e kanë ruajtur në mënyrë të dukshme identitetin kombëtar dhe kulturor mund të jenë anëtarë lojalë dhe produktivë të shoqërisë.

                    Integrimi i drejtë i imigrantëve në shtetin e ri

Definitivisht, politika e asimilimit është e padrejtë, sepse i diskriminon imigrantët dhe e bën integrimin proces të dhunshëm. Sipas disa autorëve perëndimorë, kërkesa e imigrantëve për modelin “multikulturor“ të integrimit është kërkesë e drejtë dhe me rëndësi për procesin e konstituimit të kombit shumicë. Në qoftëse demokracitë liberale kërkojnë nga imigrantët që të integrohen në institucionet shoqërore ku përdoret gjuha zyrtare e shtetit, atëherë si detyrë e shumicës etnike është sigurimi i kushteve të drejta të integrimit.

Sipas teorisë politike, integrimi i drejtë supozon ekzistimin e elementeve siç vijojnë:

(a) Duhet të shmanget integrimi “përkrye nate“, se ka të bëhet mbi një proces të komplikuar dhe afatgjatë, i cili kyçë gjenerata të shumta dhe të ndryshme. Plotësimi i kësaj kërkese supozon, ndër të tjera, që të jetë e mundshme që shërbimet e caktuara të bëhen në shumë gjuhë, si dhe përkrahjen e pushtetit shtetëror, atyre organizatave dhe grupeve brenda bashkësive imigruese që ndihmojnë integrimin e imigrantëve në mjedisin e ri shoqëror.

(b) Është e domosdoshme të sigurohet që institucionet sociale, në të cilat imigrantët integrohen mundësojnë  dhe garantojnë një nivel të njëjtë të respektimit dhe njohjes së identitetit kombëtar dhe kulturor, sikurse edhe ndaj pjesëtarëve të kombit shumicë.

Kjo kërkon kontrollimin sistemor të institucioneve sociale, për ta vërtetuar se rregullat e tyre, organizimi i brendshëm dhe simbolet – a i diskriminojnë imigrantët apo jo? Po ashtu, sipas teorisë politike, është e domosdoshme të kontrollohen programet shkollore për t’u vërtetuar se ato a i nxisin stereotipet mbi pakicat, ose e nënçmojnë kontributin e tyre historisë nacionale dhe botërore.

Këto janë masa të domosdoshme, se si imigrantëve do të iu ofrojnë kushte të drejta për integrim.

                        Politika e multikulturalizmit  dhe imigrantët

Politika e “multikulturalizmit” e qeverive të Australisë dhe Kanadasë, paraqet përpjekje që të definohen kushte të drejta dhe adekuate të integrimit. Kritikuesit e multikulturalizmit, ndërkaq, theksojnë se kërkesa e imigrantëve për multikulturalizëm nuk do të thotë vetëm redefinim të kushteve të integrimit, por në thelb paraqet refuzimin e vetë idesë së integrimit, si dhe mospranimin e participimit në institucione të përbashkëta, që funksionojnë në gjuhën e shumicës etnike. Mirëpo, sipas teoricienëve demokratikë kjo nuk është e vërtetë. Para së gjithash, imigrantët janë të vetëdijshëm se është në interesin e tyre – e në veçanti në interes të fëmijëve të tyre – që të integrohen në shoqërinë e re. Vetëm të integruar ata mund t’i shfrytëzojnë plotësisht mundësitë për prosperitet të cilat ua ofron shteti i ri. Sikurse imigrantët t’i kishin dhënë më tepër rëndësi dhe ta kishin nderuar dhe respektuar identitetin kombëtar dhe kulturor më tepër sesa prosperitetin ekonomik nuk do të kishin shkuar në imigrim.

Natyrisht se këtu ka edhe përjashtime. Duke pasur parasysh, se shkaqet kryesore për imigrim janë kryesisht ekonomike kërkesa e imigrantëve për multikulturalizëm është racionale dhe e arsyeshme vetëm në qoftëse ajo është në pajtim me integrimin e tyre ekonomiko-shoqëror në një bashkësi të gjerë. Me fjalë të tjera, multikulturalizmi duhet të mundësojë një integrim më të lehtë të imigrantëve në shoqëri, e jo të pengojë integrimin e tyre.

Dhe më të vërtetë, kur të analizohen kërkesat aktuale të imigrantëve, vërehet se ato nuk janë të drejtuara për refuzimin, por për ndërrimin e kushteve të integrimit. Imigrantët kërkojnë ndërrime në institucionet themelore – shkolla, vende të punës, gjyqe, polici dhe në shërbimet sociale- se si më lehtë të participojnë në punën e tyre.

Ata insistojnë për reformat i institucioneve në fjalë, me qëllim që identiteti i tyre kombëtar dhe kulturor më tepër të respektohet. P.sh. ata dëshirojnë që shkollat të japin më shumë informacione  mbi jetën e imigrantëve; që festat e tyre kombëtare dhe fetare si dhe mënyra e veshjes të pranohen në vendin e punës; që ndihma sociale të jepet në mënyrë që te kihen parasysh dallimet kulturore, etj. Larg asaj që këto kërkesa e pengojnë integrimin, ato përkundrazi e nxisin.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Nike Gashaj-Immigrantet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT