• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2019

SHTATORE SIMBOLIT TË REZISTENCËS SHQIPTARE ADEM DEMAÇI

July 26, 2019 by dgreca

-Kryeministri në detyrë Haradinaj: Popullit sot i duhet përmasa e vendosmërisë së heroit si Adem Demaçi. Para një viti, Kosova u nda nga njeriu i saj, që shkriu plot 28 vjet të jetës së tij duke e menduar lirinë/

NGA BEHLUL JASHARI-Korrespondent i Diellit-Kosovë/

PRISHTINË, 26 Korrik 2019-Gazeta DIELLI/ Është zhvilluar sot ceremonia e vënies së gurthemelit për ndërtimin e shtatores së veprimtarit dhe simbolit të rezistencës së çështjes kombëtare, Adem Demaçi, në parkun me emrin tij, afër Rrethit të Flamurit, në Prishtinë.

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, me rastin e vënies së gurthemelit për ndërtimin e shtatores së Adem Demaçit tha se, sot një vit bota u nda nga njeriu që guxoi të krijojë liri për popullin e tij të robëruar.

 “Pa fjalën e tij, që rrezatonte shpresë, njerëzit vështirë do të rreshtoheshin me lëvizjen e rezistencës dhe liria e Kosovës do të ishte vetëm ëndërr”, tha kryeministri në detyrë, Haradinaj, duke shtuar se atij iu ndalua fjala, duke luftuar një jetë për lirinë e saj.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, më tutje në fjalën e tij para të pranishmëve tha se, veprimtarit të shquar Adem Demaçi iu shkelën të gjitha të drejtat, por ai kurrë nuk u ndal, duke krijuar drejtësi për të tjerët, baca Adem ishte frymëzuesi.

 “Para një viti, Kosova u nda nga njeriu i saj, që shkriu plot 28 vjet të jetës së tij duke e menduar lirinë. Ademi ishte mendimtar. 10 mijë ditë prapa hekurave nuk i konsideroi të humbura, por ditë pune për Kosovën. Burgu për idealistin Adem Demaçi ishte vendi i tij i punës”, tha kryeministri në detyrë, Haradinaj, duke shtuar se baca Adem për popullin e tij ishte shenjtor, që tregon rrugët se kah duhet t’i bie për të mbërri në liri dhe askush si ai nuk ka dhënë shpresë e besim për të gjallët se liria është e mundshme dhe për të krijuar duhet të guxosh.

Kryeministri në detyrë, Haradinaj, tha se baca Adem do të rikthehet në Prishtinë i gdhendur në bronz, për t’ua rrëfyer brezave historinë e sakrificës dhe të për të mbajtur gjallë shpirtin tonë çlirimtar.

Kryeministri në detyrë, Haradinaj, më tutje tha se popullit të tij, që i është bashkuar popujve të lirë sot, i duhet përmasa e vendosmërisë së heroit si Adem Demaçi, për të gjetur forcën brenda vetes, për të qëndruar konsistent në mbrojtje të interesit nacional.

“Pusho i patrazuar në tokën e atdheut tonë, baca Adem. Lavdi!”

Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politik, Hydajet Hyseni, tha se sot na ka bashkuar Adem Demaçi, sikur na ka bashkuar edhe në të kaluarën brez pas brezi. “Baca Adem tash e tutje do të flas edhe në bronz dhe do të japë mesazhe siç ka dhënë brez pas brezi”, tha Hyseni.

Në emër të familjes, djali i Adem Demaçit, Shqiptar Demaçi, falënderoi Kryeministrin dhe të gjithë bashkëveprimtarët për nderimin që po i bëjnë Adem Demaçit.

Fillimisht, u bënë homazhe pranë varrit të veprimtarit dhe simbolit të rezistencës së çështjes kombëtare, Adem Demaçi, me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta.

Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës sot organizojnë akademi përkujtuese për Adem Demaçin në njëvjetorin e ndarjes nga ne të Heroit kombëtar. Në këtë akademi në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë paraqiten fragmente të jetës, të veprimtarisë dhe të krijimtarisë letrare, si dhe mendime e vlerësime për figurën dhe veprën e Demaçit./b.j/

Filed Under: Politike Tagged With: Haradinaj-Bust-Adem demaci

Shqetësim i Universit

July 26, 2019 by dgreca

Shkruan: Astrit Lulushi/

Disa mendojnë ditë ose javë në të ardhmen, të tjerë se çfarë mund të ndodhë vite në të ardhmen. Në librin Disturbing the Universe, autori Freeman Dyson sjell një ide të astrofizikanit rus Nikolae Kordashev, i cili paraqet teorinë se çfarë mund të ndodhë mijera vjet në të ardhmen. Sipas tij, qytetërimi do të kalojnë në tre faza; në kontrollin e burimeve të planetit; kontrollin e burimeve të një ylli; në kontrollin e burimeve të një galaktike.
Deri tani qytetërimi ende nuk ka hyrë në fazën e parë, dhe për këtë mund t’i duhet disa qindra vite, që do të thotë se civilizimi i sotëm ende nuk është gati.
Diferenca në madhësinë dhe fuqinë ndërmjet fazës së 1, 2 dhe 3, është e paimagjinueshme. Por bazuar në procesin e rritjes ekonomike mendohet se ky hendek mund të tejkalohet me shpejtësi. Një shoqëri në rritje me një normë modeste prej një për qind në vit mund të arrijë të kryejë kalimin nga kontrolli i planetit në kontrollin e një ylli në më pak se 2500 vjet. Tranzicioni për kontrollin e një galaktike do të zgjasë edhe më shumë, pasi ky kalim kërkon udhëtime ndëryjore.
Sipas Kardashevit, një qytetërim jashtëtokësor, nëse ekziston, ka më shumë gjasa të zbulohet në një prej tri fazave të qytetërimit sesa gjatë periudhave të shkurtra kalimtare, pra mund të duhet të kalojnë mijëra vite para se njeriu të jetë në gjendje të kuptojë, mësojë ose të dallojë jetën jashtë tokësore.
Në plan afatgjatë, kufijtë e rritjes teknologjike të një shoqërie janë të brendshme, dmth., varet prej saj sesa t’i zgjerojë ato. Një shoqëri gjithmonë ka mundësi të kufizojë rritjen e saj, qoftë me vendim, me stagnim ose mosinteresim.
Gjithashtu, një shoqëri e fuqishme teknologjikisht do të mund ta zgjerojë habitatin e saj brenda disa mijëra vjetësh nga një planet në biosferë që shfrytëzon një yll, dhe nga një yll i vetëm në një galaktikë të tërë brenda disa milion vjetësh.
Gjithashtu, një specie që do të ketë arritur t’i përshtatet kalimit të fazës 2, kur qytetërimi kontrollon yllin, do të jetë i paprekshëm nga zhdukja qoftë edhe nga katastrofa më e keqe e imagjinueshme natyrore ose artificiale. Pak nga pak, ne të gjithë po transfomohemi.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi-Shqetësim i Universit

KUJTESA-Sevasti Qiriazi- Dako

July 26, 2019 by dgreca

(Ribotim me rastin e 70-vjetorit të vdekjes)/

Nga Anton Çefa/

Në radhët e atyre familjeve shqiptare që janë shquar për shërbimet e larta ndaj atdheut, renditet nderueshëm familja e Qiriazëve, zulma e veprimtarisë patriotike të së cilës do të jehojë gjithnjë e më shumë në kalim të kohëve dhe do të ndikojë gjithnjë e më tepër në formim të breznive të ardhshme. Gjerasimi, Gjergji, Sevastia, Parashqevia. Cilin të kujtosh më parë dhe cilin të vlerësosh më tepër? Të gjithë ua lanë borxh emrin e tyre kujtesës kombëtare. Një borxh ende i papaguar.

Ekspozite e hapur ne Shqiperi me 2016/

Qiriazët e kanë origjinën nga fshati Peras i Kolonjës. Stërgjyshi i Qiriazëve, Mëhilli, qe vrarë duke luftuar me turqit, në fillim të shek. XIX. Mbas kësaj drame, familja emigroi në Tërnovë, një fshat afër Manastirit. Gjyshi i tyre, Qiriazi, qe 11 vjeç, kur u larguan nga fshati i lindjes.

Lindën dhe u rritën në një mjedis familjar thjesht shqiptar; një djep vertetë i denjë për të përkundur bij e bija të përkushtuar ndaj idealeve më fisnike njerëzore e kombëtare. Në kujtimet e saj, Sevastia ka shkruar më vonë: “Babai na tregonte histori të mahnitshme rreth stërgjyshërve tanë, apo heronjve shqiptarë…Ndjenjat patriotike të tim eti na ushqyen me frymën e tij, e cila me kalimin e viteve u rrit e na bëri të gjithë ne fëmijët patriotë të mirë, që u përpoqëm me mish e me shpirt për çështjen e Shqipërisë”.

Prindërit, Dhimitri e Maria-edhe kjo një vajzë kolonjare, e bija e Kristo Vodenës-patën 10 fëmijë. Dhimitri zuri punë në Manastir, ku mori edhe familjen. Aty u lind Sevastia, në vitin 1871. Që në moshën 4-vjeçare, atë e dërguan në shkollën greke, prej nga, pak më vonë, kaloi në shkollën e Misionit Amerikan. Gjerasimi, vëllai më i madh, i mësoi asaj të shkruajë e të lexojë në gjuhën shqipe. Ai, gjithashtu, ndikoi shumë në edukimin e saj patriotik. Shtëpia e Qiriazëve, ndërkaq, qe shndërruar në një vatër të rëndësishme kombëtare, që priste e përcillte patriotët e shquar të Rilindjes si Kostantin Kristoforidhin, Koto Hoxhin, Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, Orhan Pojanin, Nuçi Naçin, etj.

E zgjuar nga natyra, me një botë shpirtërore të pasur, e ndezur që në fëmijëri me zjarrin e idealeve atdhetare, me një këmbëngulje e vullnet të paepur, Sevastia ndjeu që heret nxitjen e brendshme dhe nevojën e domosdoshme për dituri. Kështu, mbasi mbaroi shkollën e Misionit Amerikan, duke kapërcyer pengesa e vështirësi të patregueshme, ajo u rregjistrua në Kolegjin e Konstantinopolit, e para vajzë shqiptare që po merrte arsim të lartë. Mbasi kreu Kolegjin, diploma e saj u regjistrua në Byronë e Edukimit në Konstantinopol, gjë që i mundësoi asaj të merrte “iradën” d. m. th. lejen për të hapur një shkollë shqiptare për vajzat.

Për këtë qëllim, bashkë me Gjerasimin, shkuan në Korçë, ku kishte vetëm shkolla në gjuhën greke për fëmijët e krishterë dhe shkolla në gjuhët turke e arabe për fëmijët myslimanë. Me 23 tetor 1891, mbas një lufte të vendosur dhe përpjekjeve të pareshtura kundër Patrikanës së Stambollit dhe autoriteteve osmane, ata hapën Shkollën Shqipe të Vashave, të cilën Sevastia e drejtoi që nga dita e themelimit. Aty dhanë mësim mësueset shqiptare: Parashqevi Qiriazi, Fanka Efthimi, Polikseni Luarasi, Helidhona Falli, etj.

E mirëpritur dhe e dashur nga populli, shkolla u rrit shpejt dhe u shndërrua në një çerdhe të edukimit patriotik të vashave. Kur, në janar të vitit 1894, vdiq Gjerasimi, për të vazhduar punën e tij në shkollë erdhi nga Manastiri vëllai tjetër i Sevastisë, Gjergji. Në vitin 1904, mbas mbarimit të Kolegjit të Konstantinopolit, erdhi edhe motra më e vogël, Parashqevia, gjë që i krijoi mundësinë Sevastisë të shkonte në Amerikë për të plotësuar studimet e saj për një vit.

Mbasi vizitoi Bostonin, Sevastia shkoi në Chicago, ku ndoq leksionet në fakultetin e pedagogjisë në University of Chicago dhe Northern University. Njëkohësisht, ajo mbajti konferenca për t’ua bërë të njohur Shqipërinë miqve amerikanë.

Në vitin 1905, u kthye në Evropë. Gjatë udhëtimit, ajo u ndalua në Londër, Paris, Vjenë dhe në Bukuresht, ku u njoh me veprimtarin energjik të çështjes kombëtare, Kristo Dakon, që në atë kohë ishte sekretar i përgjithshëm i Shoqërisë patriotike “Drita” dhe një nga udhëheqësit kryesorë të studentëve shqiptarë të Universitetit të Bukureshtit. Me që ai ishte i specializuar në matematikë, Sevastia iu lut të përgatiste tekste mësimore për aritmetikën, gjeometrinë dhe algjebrën për Shkollën e Vashave, gjë që ai e bëri me dëshirë të madhe, dhe që qenë të parat tekste të këtyre disiplinave në gjuhën tonë. Kjo veprimtari e përbashkët, që vazhdoi nëpërmjet korrespondencës mbasi Sevastia u kthye në Korçë, dhe hullia e qëllimeve dhe idealeve të larta patriotike, i afruan ata me njeri-tjetrën dhe, në vitin 1910, duke e ndjerë veten të denjë për njëri-tjetrin dhe për t’i shërbyer së bashku atdheut, u martuan. Patën dy djem: Aleksandrin dhe Gjergjin, që vazhduan me devocion e dinjitet jetën dhe bëmat e prindërve.

Mbas luftave ballkanike, e kërcënuar herë mbas here për konfiskimin e librave, djegien e shkollës dhe internimin nga qeveria turke dhe e ndjekur nga veprimtaria kriminale e Patrikanës, Sevastia u tërhoq përkohësisht në Manastir. Ajo e rihapi shkollën në dy vitet e para të Pavarësisë, 1912- 1914; por për arsye të përndjekjeve të andartëve grekë, Qiriazët u larguan në Rumani dhe me fillimin e Luftës së Parë Botërore, shkuan në Amerikë, në Natick, Massachusetts. Të dy motrat filluan menjëherë nga puna për t’i mësuar shqiptarëve të rritur gjuhën amtare. Shkolla në Natick, e para shkollë në gjuhën tonë në Amerikë, qe hapur që në vitin 1908 nga Kristo Dako.

Ndërkaq, ndërsa Parashqevia boton revistën dyjavore “The Morning Star”, çifti Dako-Qiriazi themelojnë Partinë Kombëtare Shqiptare, me qendër në Worcester, kryetare e së cilës qe Sevastia. Qëllimi i kësaj partie politike qe mbrojtja e të drejtave të Shqipërisë në forumet ndërkombëtare. Kësaj propagande, ndër të tjera, i shërbeu edhe “Memorandumi mbi të drejtat, shpresat dhe aspiratat e shqiptarëve”, që e shkroi Sevastia dhe ua dërgoi Fuqive të Mëdha, me 12 tetor 1918, në prag të Konferencës së Paqes së Parisit. Në vitin 1922, Sevastia u kthye në Tiranë dhe së bashku me Parashqevinë, që kishte shkuar atje nga Parisi, mbas përfundimit të Konferencës së Paqes, ku kishte qenë delegate e shqiptarëve të Amerikës, rihapën Shkollën e Vashave, tashmë si Instituti Kyrias-një institut me karakter thellësisht kombëtar dhe me vlera të pakrahasueshme arsimore e edukative, ku mësonin vajzat shqiptare pa dallime krahine dhe besimi.

Me vendimin e qeverisë shqiptare për mbylljen e shkollave private e fetare, në vitin 1933, mbas 42 vjet shërbimi, u mbyll edhe Instituti Kyrias.

Me rënien e Shqipërisë në duart e komunistëve, si për gjithë popullin tonë dhe sidomos për familjet e nacionalistëve, filluan vitet e vështira të përndjekjeve, bastisjeve, burgosjeve, torturave, vrasjeve, pushkatimeve, varjeve, etj. Nuk mund të përshkruhen peripecitë dhe dhimbjet fizike e shpirtërore, që kaloi Sevastia dhe familja e saj në vitet e fundit të jetës së saj.

Ajo vdiq në vitin 1949, mbasi e patën nxjerrë nga shtëpia dhe pati përjetuar dhunimin e kufomës së të shoqit, patriotit të madh, Kristo Dakos, burgosjen e djemve të saj, inxhinierit të aftë, Aleksandrit dhe kirurgut të njohur, Gjergjit, i cili, duke mos mundur të durojë torturat e hetuesisë, vari veten në qelinë e burgut. Ajo vdiq e ngushtuar në shpirt që nuk ia dhanë kufomën e tij ta varroste me duart e veta dhe zemërplasur, duke parë gremisjen e atdheut të saj të dashur, për të cilin pati punuar gjithë jetën.

Arkivolin e saj, të vendosur mbi një karrocë, e përcollën vetëm njerëzit e familjes: dy nuset e djemve, mesa e vogël dhe guzhinierja e Institutit Kyrias.

Për oportunitet dhe hipokrizi politike të pushtetarëve, më vonë asaj i qe dhanë titulli “Mësuese e Popullit”. Siç duket, “ u përmendën” ata mjeranët e kuq në pushtet që ajo kishte qenë gjithë jetën dhe do të ishte përjetësisht mësuese e breznive shqiptare.

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa- Sevasti Qiriazi- Kujtesa

BOTIM I RI NË GJUHËN ANGLEZE-‘IVORY EYE’ (ATI DHE FATI)

July 26, 2019 by dgreca

BOTIM I RI NË GJUHËN ANGLEZE-‘IVORY EYE’ (ATI DHE FATI)/

            Miq të nderuar dhe të respektuar, dhjetë vjet pas botimit në gjuhën angleze të romanit : THE INN WITH TWO DOORS. Kam kenaqësinë dhe përgjegjësinë qytetare t’ju vë në dijeni: Shtëpia Botuese, Prestigjioze:’ iUnivers,’ në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, botoi këto ditë librin me titull:

                                                ‘IVORY EYE’ (ATI DHE FATI)

            Prindi i paepur Fredo Samarxhiu personazhi kryesor i romanit ‘ATI DHE FATI, i flet audencës në ghjuhën angleze. Paraqet me dinjitet lexuesit anglisht folës letërsinë e sotme Shqiptare. Tregon me sinqeritet peripecitë e jetës së tij të vështirë dhe të vërtetën e madhe të pa tjetërsueshme: Jeta e njeriut përmblidhet në këto fjalë: ‘KUR DO DO DHE KUR,S’DO S’DO.’ Por përsëri mbi këtë të vërtetë të madhe njeriu se ka ndalur dhe se ndal luftën dhe përpjekjen stoike për të mbijetuar.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Kristaq Turtulli-BOTIM I RI NË GJUHËN ANGLEZE-'IVORY EYE’ - ATI DHE FATI

TEATRI KOMBETAR- Një objekt … një histori

July 26, 2019 by dgreca

Nga Narjana Bulku/Unë nuk jam artiste , por kam takuar shumë të tillë. Kam dëgjuar historitë e tyre të rrugëtimit artistik, të përpjekjeve për të arritur suksesin, duartrokitjet, admirimin e spektatorëve nga ku ata veçojnë ato shqiptare që izolimi dhe paliria ua cungoi artin e megjithatë  koha tregoi se shqiptarët ditën dhe dijnë shkëlqejnë në art.

Nuk jam artiste por historinë e artit përpiqem ta ndjek me maturi e liri dhe gjithmonë mendoj se ajo është e lidhur ngushtë me historinë e një kombi , me objektet, detajet brenda dhe përtej artit.Artistët që jetojnë jasht Shqipërisë e dijnë fort mirë se sa shumë efekt ka skena, momenti dhe arsyeja e interpretimit, spektatori që i ndjek , jehona e shfaqjes, kujtesa përtej saj.Ata e dijnë fare mirë koston dhe rëndësinë e një skene sepse atyre jo pak herë ju mungon ajo. Kur i largohen Shqipërisë ku arti i tyre lindi e u maturua jo pak herë ata pohojnë se skena mund të jetë edhe një gërmadhë por që për ta është një histori, mund të jetë një objekt historik, natyrë, udhë ,kryqëzim që bëhet pjesë e rolit , i jep ngjyra kujtese atij.

Ata janë zot të objektit që arti i tyre përjetëson me art ndërsa  spektatori me duartrokitje të gjata dhe kujtesë. Në vendin tonë ku arti është parë si dekor i diktaturave dhe artistët si produkte të një realizmi të konturuar me urdhër nga lart, sot më shumë se kurrë ka nevojë të dëgjohet zëri i tyre , thirrja e tyre sikur edhe një e vetme të jetë është thirrma e një kohe që e shpërdoroi vlerën dhe rolin e individid dhe individualitetit artistik.Jo vetëm si  kompesim i dhunimit të gjatë të lirisë krijuese, por edhe si shpërblim i të vetmes vlerë që ne si komb trashëgojmë ;artin. Në Tiranën e nxehtë të këtyre ditëve artistët duan të ruajnë të pashembur një të kaluar brenda mureve të një godine historike që prodhoi artistë të palirë por të vërtetë.Artistë që koha nuk ua inkurajoi sa duhet shpirtin artistik e ku ato mure me siguri fshehin misteret e një të kaluare që për ata por edhe për ne është histori.Ata kanë nevojë të pohojnë e të mohojnë të kaluarën e një arti që me të mirat dhe të këqijat e veta prodhon historikun e atij institucioni . A nuk gjurmohen , dokumentohen dhe mbrohen këto vlera kudo në botë madje edhe me ligj?!  Dhe artistët shqiptarë nëpër botë e dijnë fare mirë mbivlerën që akumulon jetgjatësia e objekteve të tilla si zanafillë e jetës artistike .A nuk janë skenat antike po aq madhështore sa atëherë në lashtësi duke  na sjellin zëra e motive që më nuk janë?! 

Artistët shqiptarë , trashëgimnia kulturore, protestat e tyre pothuajse një vjeçare në mbrojtje të një objekti teatri ,testament i identitetit të tyre duket se janë thirrje për një shoqëri të tërë e cila ka nevojë të kujtojë , ruajë dhe mbrojë fatet e veta.Është një moment historik ku mund të ndryshohet një mentalitet kulturor të cilin politika nuk e ndryshoi dot. Nuk janë të pakta rastet kur artistët i kanë ndryshuar mjediset duke i transformuar ato në jetike , shpresëdhënëse.Nuk është e nevojshme ti këndosh apo recitosh heroit, udhëheqësit, etj për tu ndjerë artist, është akti dhe vepra që të bën të tillë. Kur Gjilberta Lucaj interpretonte me violinçelin e saj atje ku droga dhe lufta ishte zot( Afganistan) ,kur Riad Ymeri e miqtë i këndonin jetës së Bekim Lumit që shuhej, janë arsyje më shumë  dhe bindëse se ata mundet ta mbrojnë godinën plot histori që askush nuk do të shembet . Përtej vlerave arkitektonike shekullore aty janë objekte që bota postmoderne që artistët e njohin mirë i ruan si suvenire muzeale. 

Ne e kemi goditur shpesh herë kulturën tonë me kazmat e diktaturës , me sherret e politikës dhe me mllefet e hakmarrjes  e gjithmonë kemi dalë më të dobët nga ky konflikt me vetveten, me  pa të shkuar, me pa të ardhme. Le të jemi në krah të artistëve edhe pse nuk jemi të tillë ; ata dhurojnë vepra , emocione ndërsa ne duartrokitje e kujtesë dhe rrjedhimisht kauzat e tyre janë qytetare qytetërimesh. 

Filed Under: Politike Tagged With: Marjana Bulku- teatri-Mbroje-Nje histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 35
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT