Nga Narjana Bulku/Unë nuk jam artiste , por kam takuar shumë të tillë. Kam dëgjuar historitë e tyre të rrugëtimit artistik, të përpjekjeve për të arritur suksesin, duartrokitjet, admirimin e spektatorëve nga ku ata veçojnë ato shqiptare që izolimi dhe paliria ua cungoi artin e megjithatë koha tregoi se shqiptarët ditën dhe dijnë shkëlqejnë në art.
Nuk jam artiste por historinë e artit përpiqem ta ndjek me maturi e liri dhe gjithmonë mendoj se ajo është e lidhur ngushtë me historinë e një kombi , me objektet, detajet brenda dhe përtej artit.Artistët që jetojnë jasht Shqipërisë e dijnë fort mirë se sa shumë efekt ka skena, momenti dhe arsyeja e interpretimit, spektatori që i ndjek , jehona e shfaqjes, kujtesa përtej saj.Ata e dijnë fare mirë koston dhe rëndësinë e një skene sepse atyre jo pak herë ju mungon ajo. Kur i largohen Shqipërisë ku arti i tyre lindi e u maturua jo pak herë ata pohojnë se skena mund të jetë edhe një gërmadhë por që për ta është një histori, mund të jetë një objekt historik, natyrë, udhë ,kryqëzim që bëhet pjesë e rolit , i jep ngjyra kujtese atij.
Ata janë zot të objektit që arti i tyre përjetëson me art ndërsa spektatori me duartrokitje të gjata dhe kujtesë. Në vendin tonë ku arti është parë si dekor i diktaturave dhe artistët si produkte të një realizmi të konturuar me urdhër nga lart, sot më shumë se kurrë ka nevojë të dëgjohet zëri i tyre , thirrja e tyre sikur edhe një e vetme të jetë është thirrma e një kohe që e shpërdoroi vlerën dhe rolin e individid dhe individualitetit artistik.Jo vetëm si kompesim i dhunimit të gjatë të lirisë krijuese, por edhe si shpërblim i të vetmes vlerë që ne si komb trashëgojmë ;artin. Në Tiranën e nxehtë të këtyre ditëve artistët duan të ruajnë të pashembur një të kaluar brenda mureve të një godine historike që prodhoi artistë të palirë por të vërtetë.Artistë që koha nuk ua inkurajoi sa duhet shpirtin artistik e ku ato mure me siguri fshehin misteret e një të kaluare që për ata por edhe për ne është histori.Ata kanë nevojë të pohojnë e të mohojnë të kaluarën e një arti që me të mirat dhe të këqijat e veta prodhon historikun e atij institucioni . A nuk gjurmohen , dokumentohen dhe mbrohen këto vlera kudo në botë madje edhe me ligj?! Dhe artistët shqiptarë nëpër botë e dijnë fare mirë mbivlerën që akumulon jetgjatësia e objekteve të tilla si zanafillë e jetës artistike .A nuk janë skenat antike po aq madhështore sa atëherë në lashtësi duke na sjellin zëra e motive që më nuk janë?!
Artistët shqiptarë , trashëgimnia kulturore, protestat e tyre pothuajse një vjeçare në mbrojtje të një objekti teatri ,testament i identitetit të tyre duket se janë thirrje për një shoqëri të tërë e cila ka nevojë të kujtojë , ruajë dhe mbrojë fatet e veta.Është një moment historik ku mund të ndryshohet një mentalitet kulturor të cilin politika nuk e ndryshoi dot. Nuk janë të pakta rastet kur artistët i kanë ndryshuar mjediset duke i transformuar ato në jetike , shpresëdhënëse.Nuk është e nevojshme ti këndosh apo recitosh heroit, udhëheqësit, etj për tu ndjerë artist, është akti dhe vepra që të bën të tillë. Kur Gjilberta Lucaj interpretonte me violinçelin e saj atje ku droga dhe lufta ishte zot( Afganistan) ,kur Riad Ymeri e miqtë i këndonin jetës së Bekim Lumit që shuhej, janë arsyje më shumë dhe bindëse se ata mundet ta mbrojnë godinën plot histori që askush nuk do të shembet . Përtej vlerave arkitektonike shekullore aty janë objekte që bota postmoderne që artistët e njohin mirë i ruan si suvenire muzeale.
Ne e kemi goditur shpesh herë kulturën tonë me kazmat e diktaturës , me sherret e politikës dhe me mllefet e hakmarrjes e gjithmonë kemi dalë më të dobët nga ky konflikt me vetveten, me pa të shkuar, me pa të ardhme. Le të jemi në krah të artistëve edhe pse nuk jemi të tillë ; ata dhurojnë vepra , emocione ndërsa ne duartrokitje e kujtesë dhe rrjedhimisht kauzat e tyre janë qytetare qytetërimesh.