Shkruan: Astrit Lulushi/
Disa mendojnë ditë ose javë në të ardhmen, të
tjerë se çfarë mund të ndodhë vite në të ardhmen. Në librin Disturbing the
Universe, autori Freeman Dyson sjell një ide të astrofizikanit rus Nikolae
Kordashev, i cili paraqet teorinë se çfarë mund të ndodhë mijera vjet në të
ardhmen. Sipas tij, qytetërimi do të kalojnë në tre faza; në kontrollin e
burimeve të planetit; kontrollin e burimeve të një ylli; në kontrollin e
burimeve të një galaktike.
Deri tani qytetërimi ende nuk ka hyrë në fazën e
parë, dhe për këtë mund t’i duhet disa qindra vite, që do të thotë se
civilizimi i sotëm ende nuk është gati.
Diferenca në madhësinë dhe fuqinë ndërmjet fazës
së 1, 2 dhe 3, është e paimagjinueshme. Por bazuar në procesin e rritjes
ekonomike mendohet se ky hendek mund të tejkalohet me shpejtësi. Një shoqëri në
rritje me një normë modeste prej një për qind në vit mund të arrijë të kryejë
kalimin nga kontrolli i planetit në kontrollin e një ylli në më pak se 2500
vjet. Tranzicioni për kontrollin e një galaktike do të zgjasë edhe më shumë,
pasi ky kalim kërkon udhëtime ndëryjore.
Sipas Kardashevit, një qytetërim jashtëtokësor,
nëse ekziston, ka më shumë gjasa të zbulohet në një prej tri fazave të
qytetërimit sesa gjatë periudhave të shkurtra kalimtare, pra mund të duhet të
kalojnë mijëra vite para se njeriu të jetë në gjendje të kuptojë, mësojë ose të
dallojë jetën jashtë tokësore.
Në plan afatgjatë, kufijtë e rritjes
teknologjike të një shoqërie janë të brendshme, dmth., varet prej saj sesa t’i
zgjerojë ato. Një shoqëri gjithmonë ka mundësi të kufizojë rritjen e saj, qoftë
me vendim, me stagnim ose mosinteresim.
Gjithashtu, një shoqëri e fuqishme
teknologjikisht do të mund ta zgjerojë habitatin e saj brenda disa mijëra
vjetësh nga një planet në biosferë që shfrytëzon një yll, dhe nga një yll i
vetëm në një galaktikë të tërë brenda disa milion vjetësh.
Gjithashtu, një specie që do të ketë arritur t’i
përshtatet kalimit të fazës 2, kur qytetërimi kontrollon yllin, do të jetë i
paprekshëm nga zhdukja qoftë edhe nga katastrofa më e keqe e imagjinueshme
natyrore ose artificiale. Pak nga pak, ne të gjithë po transfomohemi.