• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2019

…asgjë

August 20, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Të blesh libra është gjë e mirë vetëm nëse është e mundur të blihet edhe koha për t’i lexuar. Por si rregull, blerja e librave nënkupton leximin e tyre. Kështu snobët fryhen e flasin dhe të tjerët dëgjojnë e shqyejnë sytë.
Në histori, një shekull është kohë e gjatë, njerëzit janë gjithmonë në ndryshim, lëvizin dhe diçka gjithmonë ndodh.
Nga ana tjetër, në historinë e letërsisë, 30 vite tregojnë se asgjë nuk ka ndodhur, gjërat janë siç kanë qenë 60-70 vite të shkuara; ata që krijuan me zell në vitet e tiranisë, paçka se vënë në gjoks atdheun, janë nga brumi i diktaturës; dhe sot vazhdojnë të krenohen e shesin krijimet dhe librat me helme të atyre vite.
Por edhe kur papritur ndryshimi vjen, shpesh një gabim ndodh dhe ngjarjet marrin drejtimin e kundërt; rikrijimi në libra i kësaj gjendjeje do të ishte material vërtetë shpjegues i historisë së letërsisë gjatë dekadave të fundit.
Çmimi Nobel u jepet personave të gjallë që dallohen për arritjet e tyre. Por një ditë, ndoshta do të dalë dikush për të ndarë a caktuar një çmim tragjik të letërsisë ose për të shkruar një histori letërsie për të treguar aty sesi një vend i ka trajtuar me përçmim, përbuzje e neveri, personalitetet e kësaj fushe kur ishin gjallë, dhe me të cilët sot krenohet. 

Filed Under: Kulture Tagged With: Astrit Lulushi-...asgjë

ALBANOLOGËT NGA BOTA MBLIDHEN NË KOSOVË

August 19, 2019 by dgreca

-Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, nis Seminari XXXVIII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i themeluar para 45 viteve. Programi bazë i punimeve nga 19 deri 30 gusht 2019 dhe Historiku i Seminarit…

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 19 Gusht 2019/ I themeluar para 45 viteve, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, zhvilloi sot në Prishtinë ceremoninë solemne të hapjes së punimeve në edicionin e 38-të.

Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, pjesëmarrësit me një minutë heshtje nderuan Drejtorin e Nderit të Seminarit, albanologun e shquar, akademik Idriz Ajetin, i cili ka ndërruar jetë në 13 shkurt 2019, në moshën 102 vjeçare.

Në fjalimet e hapjes, dekania e Fakultetit të Filologjisë, prof. Lindita Rugova, theksoi rëndësinë e traditës së Seminarit dhe kontributin e studiuesve për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare. “Institucioni i Seminarit është koncepti më i fortë i ndërkombëtarizimit të albanologjisë në botë, është prezantimi më me vlerë i shkencës vendore vështruar nga një kënd global”, u shpreh ajo.

Rektori i Universitetit të Tiranës, prof. Mynir Koni, vlerësoi rëndësinë historike të Seminarit dhe kënaqësinë me të cilën Fakulteti i Histori-Filologjisë në Tiranë bashkëpunon për zhvillimin e sukseshëm të Seminarit.

Nënkryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Jusuf Bajraktari, u uroi punë të mbarë seminaristëve dhe i falënderoi albanologët e shquar, të cilët vijnë nga vende të ndryshme të botës për të dhënë kontributin e tyre në Seminar.

Drejtori i Seminarit, prof. Shkumbin Munishi, tha se “edicioni i sivjetmë është një hallkë tjetër në zinxhirin e një tradite albanologjike të nisur këtu e dyzet e pesë vjet më parë”. Ai potencoi rëndësinë e bashkëpunimit me Fakultetin e Histori-Filologjisë të Universitetit të Tiranës.

Seminari XXXVIII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare gjatë punimeve nga 19 deri 30 gusht 2019 ka këtë program bazë: 1. Kurse intensive të mësimit të shqipes (tri nivele); 2. Ligjërata të gjuhësisë shqipe; 3. Ligjërata për letërsinë shqiptare; 4. Ligjërata për kulturën shqiptare; 5. Referime shkencore; 6. Ligjërata të përgjithshme; 7. Tryeza të rrumbullakëta; 8. Tryeza e doktorantëve; 9. Program kulturor plotësues për t’i njohur seminaristët me bukuritë natyrore, me veprimtari të kulturore e të mira të tjera në qendra të Kosovës.

 Temat bosht të Seminarit për sesionet shkencore (29 – 30 gusht 2019) janë:

1. Gjuhësi: Struktura e shqipes aktuale

Gjendja dhe përshkrimi i sistemit fonologjik dhe fonetik të shqipes aktuale; Gjendja dhe përshkrimi I sistemit morfo-sintaksor të shqipes; Gjendja dhe përshkrimi i sistemit leksiko-semantik dhe stilistikor të shqipes; Gjendja dhe përshkrimi I varieteteve aktuale të shqipes.

2. Letërsi: Si ëndërrohet në letërsinë shqipe

Ëndrra romantike: individi dhe shoqëria në letërsinë shqipe; Alegoritë moderne të ëndrrës; Imagjinari modern në letërsinë shqipe mes ëndrrës dhe rêverie; Ligjërimi onirik si paradigm stilistike; Ëndrra dhe letërsia fantastike; Ëndrra si “realitet” tjetër.

3. Kulturologji: Rrjetet sociale, politika dhe etika

Llojet e rrjeteve sociale; Kultura në rrjetet sociale; Mediat në rrjetet sociale; Politika në rrjetet sociale; Etika në rrjetet sociale; Drejtimet e zhvillimit të rrjeteve sociale.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1974. Ishte viti i Kushtetutës që avanconte të drejtat e shqiptarëve të Kosovës si element konstituiv me të drejtë vetoje, i federatës së atëhershme, nga shpërbërja e së cilës kanë dalë shtatë shtete.

Seminarit në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Pas çlirimit të Kosovës në qershorin 1999, nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Filed Under: Histori Tagged With: Bell Jashari-Seminari 38-Albanologet

TREGONI DINJITET PËRBALL TOTALITARIZMIT!

August 19, 2019 by dgreca


Nga Frank Shkreli/

23 Gushti shënon Ditën Evropiane të Kujtimit të Viktimave të stalinizmit, komunizmit dhe nazizmit. Anë e mbanë Evropës, 23 gushti kujtohet si një ditë simbolike kundër ekstremizmit, mos tolerancës dhe shtypjeve — një ditë ndërkombëtare e përcaktuar si e tillë nga Parlamenti Evropian, më 2008/2009, me qëllim që në atë ditë të kujtohen viktimat e të gjitha regjimeve totalitare dhe autoritare, “me dinjitet dhe pa dallime”. 

Siç dihet, kjo datë është zgjedhur për arsye historike pasi përkon me datën e nënshkrimit të Paktit të mos-agresionit – të quajtur Molotov-Ribbentrop, i vitit 1939 – midis Bashkimit Sovjetik komunist dhe Gjermanisë naziste, marrveshje kjo e cila përmbante edhe një protokoll për ndarjen, në sfera influence midis –Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë, të disa vendeve evropiane, Rumanisë, Polonisë, Lithuanisë, Letonisë, Estonisë dhe Finlandës.   Ky traktat famëkeq midis dy ideologjive komuniste dhe nazizte të shekullit të kaluar, është cilësuar nga ish-presidenti i Paralamentit Evropian, Jerzy Buzek si “bashkpunimi midis dy formave më të këqia të totalitarizmit, që ka njohur historia e njerëzimit.”

Dita Evropiane për Kujtimin e Viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit, e njohur gjithashtu në disa vende edhe si “Dita e Shiritit të zi”, shënohet nga të gjitha entet e Bashkimit Evropian anë e mbanë Evropës, përfshirë vendet ish-komuniste, me përjashtim të Shqipërisë.   Këtë ditë e nderojnë dhe e kujtojnë edhe disa vende që nuk kanë përjetuar as komunizmin as nazizmin, siç janë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja. 

Më 21 maj, 2014, Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka miratuar rezolutën në mbështetje të ditës kushtuar viktimave të regjimeve komuniste dhe naziste, “Për të kujtuar dhe për të mos harruar kurrë terrorin e ushtruar ndaj miliona qytetarëve të Evropës Lindore dhe Qendrore, për më shumë se 40-vjet, nepërmjet shtypjeve ushtarake, ekonomike dhe politike, duke përdorur ekzekutimet arbitrare, arrestimet në masë, deportimet, shtypjen e fjalës së lirë, konfiskimin e pronës private, si dhe shkatërrimin e identitetit kulturor dhe moral të kombeve…”, forma shtypëse këto që gjatë dekadave kanë “çuar në krime jashtzakonisht të mëdha të bëra me paramendim kundër miliona njerëzve duke shtypur në mënyrën më flagrante të drejtat e tyre bazë të njeriut, duke I ndarë ata nga bota demokrataike me një perde të hekurt dhe meMurin e Berlinit”, thuhet, ndër të tjera, në rezolutën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, kushtuar Ditës Evropiane të Viktimave të Totalitarizmit. Vitet e fundit, është bërë zakon që në këtë ditë, Shtëpia e Bardhë të lëshojë një deklaratë të veçantë në kujtim të Ditës Ndërkombëtare, kushtuar viktimave të komunizmit dhe nazizmit.

Shënimi Ditës së Kujtesës ka për qëllim që, brez pas brezi, të ruhet kujtimi i miliona viktimave të komunizmit dhe nazizmit, si rrjedhim i deportimeve në masë, vrasjeve dhe zhdukjeve pa shenjë, viktimave të kampeve të punës dhe kampeve përqendrimit të këtyre regjimeve – ndërkohë që të njëjtën ditë të promovohen gjithashtu edhe vlerat demokratike, në shërbim të paqës dhe stabilitetit në kontinentin evropian por edhe në vendet individuale të kontinentit të vjetër.   

Fatkeqësisht, Shqipëria jonë, zyrtarisht, nuk e ka gjetur ende vullnetin politik, forcën morale as dinjitetin kombëtar për tu bërë pjesë e Evropës, në këtë ditë të kujtimit të viktimave të komunizmit — dhe për të treguar dinjitetin e saj përball totalitarizmit në përgjithsi, megjithse politikanët e të gjitha ngjyrave dhe të partive kryesore politike shqiptare të këtyre 30-viteve post-komunizëm – bërtasin me të madhe, në përpjekje për të na bindur se ata i ndajnë vlerat me botën perëndimore. Por siç duket Shqipëria zyrtare, në këtë ditë, nuk dëshiron të jetë pjesë e Evropës — pasi nuk ka asgjë të bëj me pjesën tjetër të Evropës, e cila çdo vit, me 23 gusht kujton dhe nderon viktimat e komunizmit dhe të nazizmit — ata burra dhe ato gra të guximshme të cilat me qëndrimet e tyre mbrojtën vlerat e përbashkëta njerëzimit, në mbështetje të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit të tyre njerëzor.

Por, fatbardhësisht, dita e 23 gushtit nuk do të kalojë krejtsisht në heshtje as në Shqipëri, falë punës së palodhëshme të Autoritetit për Hapjen e Dosjeve.   Ashtu si në të kaluarën edhe sivjet, do të vazhdojë bojkotimi i kësaj dite nga autoritetet dhe entet më të larta të qeverisë dhe të shtetit shqiptar.  Por, Autoriteti për Informim mbi Dokumenteteish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991, (AIDSSH), njofton në faqen e saj të internetit se ky ent – i cili në mendimin tim po bën një punë të mrekullueshme megjithë kufizimet politike dhe financiare që i imponon legjislacioni shqiptar –njofton se në kuadër të 23 gushtit, Ditës Europiane të Viktimave të Regjimeve Totalitare dhe 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, në disa qytete shqiptare po zhvillohen aktivitete përkujtimore të organizuara nga AIDSSH, në bashkëpunim me institucionet partnere, pushtetin lokal dhe komunitetin e të përndjekurve.   Njoftohet se ceremoni përkujtimore do të zhvillohen në ish-kampet dhe vendet e internimit në Lushnjë, Belsh, Tepelenë dhe Tiranë, duke dokumentuar historinë individuale dhe familjare të të internuarve në Tepelenë e po ashtu, vijimësinë e dënimeve shumëvjeçare në kampe apo vende të punës në Lushnjë e Belsh, thuhet në njoftimin e AIDSSH. 

2019 shënon 80-vjetorin e Paktit famëkeq Hitler-Stalin, nënshkruar më 23 gusht, 1939 — një aleancë tiranike kjo që shkaktoi Luftën e dytë Botërore si dhe vujatjet dhe vdekjen e miliona njerëzve, anë e mbanë Evropës dhe botës.   Ishte ky një pakt djallëzor midis dy diktaturave më të egra në histori, të cilat, si pjesë të ideologjisë së tyre — siç provoi edhe historia e shekullit të kaluar — komunizmi dhe nazizmi kishin një kauzë të përbashkët krimesh kundër njerëzimit, duke ushtruar një terror të paparë mbi njerëzimin si dhe shkatërrimin e shumë kombeve, anë e mbanë botës.   

Por qëllimi përfundimtar pan-evropian për shënimin e kësaj dite të Kujtesës një herë në vit, është që këto krime të mos qiten në harresë, ashtu që të mos përsëriten më në historinë e njeërzimit.   Në deklaratën e Parlamentit Evropian të miratuar në shtator të vitit 2008, në kujtim të viktimave të komunizmit dhe nazizmit, thuhet se, “në bazë të ligjit ndërkombëtar, nuk skadon kurrë afati për dënimin e krimeve të luftës dhe të krimeve kundër njerëzimit.”

Edhe Shqipëria duhet domosdoshmërisht të shënojë këtë ditë zyrtarisht, me akt të Kuvendit të Shqipërisë.  Jo vetëm për të nderuar dhe kujtuar viktimat e totalitarizmit, por edhe për të nderuar të mbijetuarit e komunizmit, ish-të përndjekurit e sotëm të atij të regjimi, të cilët me frymë i shpëtuan atij sistemi, por që edhe 30 vjet pas shembjes së komunizmit, vazhdojnë të vuajnë pasojat e asaj tiranie, shpirtërisht, psikologjiisht dhe materialisht.  Një përkujtim i tillë i viktimave të komunizmit është i nevojshëm gjithashtu për të treguar se vërtetë shqiptarët duan të ndajnë me të tjerët popuj vlerat e tyre në mbrojtje të jetës dhe të drejtave universale të njeriut, duke shënuar këtë ditë me pjesën tjetër të Evropës dhe botës.

Fatkeqësisht, shënjat nuk janë inkurajuese se Shqipëria ka në mend ti bashkohet Evropës, Shteteve të Bashkuara dhe Kanadës për të kujtuar viktimat e totalitarizmit duke i kushtuar atyre një ditë në kalendarin e saj.  Klasa politike shqiptare, fatkeqsisht, refuzon të shkëputet krejtësisht dhe as nuk është përballur me të kaluarën e saj totalitare dhe komuniste.   Përkundrazi, ajo po përpiqet me fjalë dhe me vepra të ruaj e të mbrojë atë të trashëgimi të hidhur kriminale për qëllime të veta të ngushta politike dhe ekonomike, në kurriz të një populli shumë të vuajtur, i cili vazhdon të vuaj gjithnjë pasojat e atij regjimi.  Fati i keq për shqiptarët është se duket se kjo klasë politike, 30-vjetë pas shembjes së Murit të Berlinit – me fjalë dhe me veprat e saja pa bujë të madhe – është përcaktuar se cilën rrugë do të ndjekë.   Por gjithsesi, po e mbyll këtë shkrim modest me pyetjen që kam shpesh në të kaluarën post-komuniste në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare: Cilën rrugë do të ndjekë Kombi shqiptar sot dhe në të ardhmen?  Rrugën e vlerave dhe të drejtave bazë universale të njeriut, të lirisë dhe demokracisë perëndimore, apo rrugën e një regjimi autoritar, përcaktuar gjysmë shekulli më parë nga një ish-diktatori, pasojat e rënda të të cilit shihen ende anë e mbanë vendit?  

Ka ardhur koha që të tregoni dinjitet kombëtar përball totalitarizmit!

Frank Shkreli

—————————————————————————————————

SA PËR INFORMACION –REZOLUTA E KONGRESIT AMERIKAN E CILA KA CAKTUAR 23 GUSHTIN, SI Ditën Ndërkombëtare të Vikitmave të Komunizmit dhe Nazizmit – miratuar me 21 maj, 2014

113th CONGRESS

1st Session

H. RES. 302

IN THE HOUSE OF REPRESENTATIVES  -Mr. Shimkus submitted the following resolution; which was referred to the Committee on Oversight and Government Reform 

RESOLUTION

Expressing support for designation of August 23 as Black Ribbon Day to recognize the victims of Soviet Communist and Nazi regimes.

Whereas, on August 13, 1941, President Franklin D. Roosevelt and Prime Minister Winston Churchill issued a joint declation of certain common principles in the national policies of their respective countries on which they based their hopes for a better future for the world and the right of all peoples to choose the form of government under which they will live and self -government restored to those who have been forcibly deprived of them and that the people of countries may live in freedom;

Whereas the United States Government has actively advocated for and continues to support the principles by the United Nations Universal Declaration of Human Rights and the United Nations General Assembly resolution 260 (III) of December 9, 1948;

Whereas Captive Nations Week, signed into law by President Dwight D. Eisenhower in 1959, raised public awareness of the oppression of nations under the control of Communist and other nondemocratic governments;

Whereas the European Parliament resolution on European conscience and totalitarianism of April 2, 2009, and the Black Ribbon Day resolution adopted by the Parliament of Canada on November 30, 2009, establish a day of remembrance for victims of Communist and Nazi regimes to remember and commemorate their victims;

Whereas the extreme forms of totalitarian rule practiced by the Soviet Communist and Nazi regimes led to premeditated and vast crimes committed against millions of human beings and their basic and inalienable rights on a scale unseen before in history;

Whereas fleeing the Nazi and Soviet Communist crimes, hundreds of thousands of people sought and found refuge in the United States;

Whereas August 23 would be an appropriate date to designate as Black Ribbon Day to remember and never forget the terror millions of citizens in Central and Eastern Europe experienced for more than 40 years by ruthless military, economic, and political repression of the people through arbitrary executions, mass arrests, deportations, the suppression of free speech, confiscation of private property, and the destruction of cultural and moral identity and civil society, all of which deprived the vast majority of the peoples of Central and Eastern Europe of their basic human rights and dignity, separating them from the democratic world by means of the Iron Curtain and the Berlin Wall; and

Whereas the memories of Europe’s tragic past cannot be forgotten in order to honor the victims, condemn the perpetrators, and lay the foundation for reconciliation based on truth and remembrance: Now, therefore, be it

That the House of Representatives supports the designation of Black Ribbon Day to recognize the victims of Soviet Communist and Nazi regimes.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank Shkreli-23 Gushti-dinitet-perballja

“Fytyra” e re e Shqipërisë Tjetër…

August 19, 2019 by dgreca

-Silvana Begaj, lektorja e universitetit suedez që kërkon një Atdhe për të gjithë/

-Silvana Begaj, lektorja e universitetit suedez që kërkon një Atdhe për të gjithë/

NGA ARBEN SHAQIR VATA/

Silvana Begaj ishte thuajse krejt e panjohur deri pak muaj më parë, kur disa shkrime të saj për projektin “Shqipëria Tjetër”, bënë xhiron e publikimeve në dhjetra portaleve shqiptare, brenda e jashtë kufijve. Apelet e një vajze në kulmin e debateve politike të krizës së zgjedhjeve në Shqipëri, nuk mund të kalonin pa u vënë re nga opinioni publik, aq më tepër kur artikujt fshikullues ndaj politikës 30 vjecare në Shqipëri, vinin nga një “mendje e ftohtë”, një asistent pedagoge në Universitetin e Gävle në Suedi. 
Po kush është Silvana Begaj, vajza që kërkon të qetësojë “kokat e nxehta” të Tiranës; si arriti një vajzë e thjeshtë shqiptare të ngjisë në pak kohë shkallët e karrierës profesionale në një vend të huaj, dhe cfarë është projekti “Shqipëria Tjetër”, një nismë që ajo planifikon ta zbatojë në politikën shqiptare?! 


Silvanën, në këto ditë të pragfillimit të vitit të ri akademik në Suedi, e gjen të rrethuar në zyrën e saj nga studentë të shumtë të huaj që kanë zgjedhur universitetin ku ajo është e punësuar për të kryer studimet e larta. Që prej vitit 2014, Silvana është asistent pedagoge ne degen e Menaxhimit , ndërsa koordinon edhe studentët ndërkombëtare që diplomohen në këtë universitet mjaft të njohur të Suedisë. Një aplikim on line për këtë vend pune ka mjaftuar për Silvanën dhe ajo ka kuptuar që ëndrrat mund të bëhen realitet. Ne Shqiperi ka pasur disa eksperienca të ndryshme të cilat i shërbyen si trampolinë për integrimin në Suedi.
Për shumëkënd karriera e saj mund të quhet e suksesshme, por për Silvanën kjo është dicka krejt normale në një vend ku zotëron konkurenca e drejtë dhe zbatimi I ligjit. Ajo thotë me modesti se është një vajzë krejt e zakonshme, që ka guxuar të ëndërrojë dhe përpiqet deri në fund për të arritur synimet e veta. Mësimdhënia apo kërkimi shkencor me të cilin merret shumë kohët e fundit, nuk është i vetmi angazhim per Begajn. Suedia është vendi i mundësive dhe Silvana thjeshtë e ka shfrytëzuar këtë fakt. Prej një viti ajo ka themeluar një kompani private që kryen restaurimin e godinave të vjetra dhe atyre historike në disa qytete të Suedisë. 
Por angazhimi më i madh për të, duket të jetë ai human. Silvana Begaj tregon se prej 5 vitesh është Peacemaker, pjesëtare e “Dialog për Paqen”, një NGO ndërkombëtare me qendër në Norvegji, e cila zhvillon dialog dhe ndërmjetëson me palët e përfshira në konflkte në zona të ndryshme të botës, si Indi, Pakistan, Bangladesh, etj. Projekti i radhës që do të finalizohet së shpejti, thotë Silvana, është krijimi i një NGO ndërkombëtare për integrimin e gruas në shkallë botërore. Si një kerkuese shkencore, ajo,bashkë me një grup specialistësh nga disa vende, do të bëjnë hulumtime për të gjetur se cfarë politikash duhen ndjekur për integrimin sa më të plotë të gruas, kryesisht në vendet me probleme në këtë drejtim, sigurisht edhe në Shqipëri. 
E cuditshme në fakt, por ajo pohon se i del koha edhe për …Politikë. Ajo është e angazhuar me Centerpariet, një parti qeverisëse në Suedi, dhe ka ambicje për të konkuruar në nivele lokale. Megjithëse e larguar nga Shqipëria, Silvana nuk i ka shkëputur lidhjet me vendin dhe ndjek rregullisht cfarë ndodh atje. SHQIPËRIA TJETËR, është lëvizja që ajo synon të shpalosë në momentin e duhur, një projekt për të ringjallur shpresat dhe ëndrrat e rinisë, ëndrra të vrara nga politika e afro 30 vjetëve në Shqipëri. Sipas saj, ky është një projekt që ka për qëllim të grumbullojë ekspertizën më të mirë shqiptare dhe të huaj në vendet europiane dhe në bashkëpunim me organizata dhe aktorë të rëndësishëm politikë dhe të shoqëerisë civile në këto vende, të kontribuojë për zhvillimin e Shqipërisë. 
Portreti i Silvana Begajt, një vajzë që nga katedrat e Tiranës përfundoi në katedrat e Suedisë, nuk mund të jetë i kompletuar pa dy dashuritë e saj; letërsinë nga e cila mësoi si të krijojë si dhe familjen, nga e cila merr inspirimin!

Filed Under: Politike Tagged With: Arben Vata-Shqiperia Tjeter-Silvana Begaj

Lahim Kola …diapazoni i një instrumentisti

August 19, 2019 by dgreca

Nga Marjana Bulku/*

Nuk ishin heronjtë e skenës e mbase emrat e tyre as nuk citoheshin kur sallat e mbushura plot duatrokitnin protagonistët por natyrisht që skena nuk do të mund të quhej e tillë pa ata që vetëm me 7 nota dhurojnë miliona tinguj muzikorë duke krijuar emocione të bukura të cilat ua mbushnin sado pak shpirtin qytetarëve duke i bërë të ndihen edhe më shumë qytetarë.

Lahim Kola vjen si protagonist në këtë rrëfim  jo vetëm për vete ,  diapazoni i tij  shkon përtej vetvetes , tek miqtë dhe bashkëpunëtorët ,dikur në kohën kur lindi, atje në zonën (Gryka e Madhe Sopot)e cila i ka dhuruar Dibrës sistematikisht vlera, nëpër hapat e para drejt artit të cilat nuk mund të ishin nëpër korridore sallonesh apo kolegjesh me zë e emër por nëpër gryka ku nuk shteron vullneti  dhe pasioni e kur ndodh që njeriu takon njerëzit e duhur , ata që dijnë ta dallojnë shkëndijën e bukur të talentit të cilin munden ta shndërrojnë në produksion artistik me vlera për çdo kohë .

I tillë do të ishte i mirënjohuri Tonin Rrota i cili drejtonte në atë kohë Estradën Profesioniste Peshkopi në vitet 1960 , kohë kjo që përkon me angazhimin profesional të një artisti që kujton me dashuri çdo akt që e lidhi aq shumë me muzikën e cila frymonte edhe nëpër livadhet ku bariu i binte fyellit.

Por asgjë  nuk mundet ta plotësojë zanafillën e pasionit të tij për muzikën sesa ky rrëfim i Lahimit  që unë dua ta citoj fjalë për fjalë …

“    Ne fillim te viteve ’50 nisi të kremtohej data e clirimit të Zerqanit me 3 gushtnë  livadhet e allushjet. Një lugine e bukur e gjelberuar me lisa të medhenj që me hijet e tyre ia shtonin hijeshine ketyre livadheve të sapo kositura,që  pershkoheshin nga vijat plot me uje të ftohte të Gurrave te Tushjet. Në  kete feste vinin, jo vetem fshatrat e Grykes së Madhe, por edhe nga fshatrat e Gollobordes, të Maqellares e Bulqizes. Gjemonin lodrat e cylat nga të kater anet. Bukuri të papare krijonin veshjet popullore të grave, nuseve e vajzavetë  krahines së Zerqanit. Shamitë e jepekut, qashat e shajakut, të zeza për nuset e të  kuqe për vajzat, si dhe jeleket me pafte e bakoret me lara. Por bukurine më të madhe ja shtonin grupet artistike të ardhura  nga Tirana e Shkodra. Këta grupe me kengetar popullor si Xhevdet Hafizi, File Gjeloshi, Lucije Miloti e tj. të shoqeruar nga orkestra të mrekullueshme, që jepnin shfaqje sapo mbaronte festa, na kenaqnin shpirtin. Por ç’e do se ishte vetem një dite në vit. Mua mbi gjithcka më pelqente fizarmonika dhe thoja me mend e mija: “ah sikur të arrija te kisha një të tille”.Me një fjalë u “dashurova” me këtë instrument. Ishte interesante se po thuajse të gjitha kenget që kendoheshin aty, pas disa ditesh mesoheshin dhe kendoheshin nga të rinjte. Kjo tregonte etjen e madhe që kishin njerzit e vecanrisht të  rinjte dhe femijet për keto kenge, por që s’kishin ku t’i degjonin…”

  Disa vjetë më vonë por pa u shkëputur kurrë nga ajo andërr fëminore vjen edhe ai momenti i duhur pranë njerëzve të duhur që kanë të përbashkët vullnetin e mirë.

Mjaftoi një firzamonikë dhe një partiturë dhe interpretimi edhe pse me emocion e me  duar që i dridheshin mbi instrumentin të cilin Lahimi  e kishte dashuruar në fëmijëri dhe kish mësuar ta ushtronte gjatë shërbimit ushtarak dhe dyert drejt profesionit do t’ia çelte një profesionist me emër dhe që i dha emër artistave , trupës dibrane duke ditur ta spikasë talentin dhe ta zhvillojë atë  nëpërmjet  punës  . Dhjetori i vitit 1960 do ti çelte rrugën e gjatë si instrumentist profesionist pranë Estradës Profesioniste  Peshkopi. Dhe nuk ishte aspak e lehtë -shprehet Lahimi , -e përmëtepër kur do të zëvendësoje një artist të mirfilltë si Ahmet Balliu i cili u largua për studime.

Të punoje me emra si Tefë Krroqi , regjizor i Estradës, i rrethuar nga kujdesi i Selim Alliut i cili i krijoi mundesi për arsimim komod çdo njërit që e dëshironte atë në një mjedis i cili duhet të edukonte shije muzikore mund të duket si luks  por është përgjegjësi gjithashtu pasi kërkon aftësi , punë dhe  përkushtim të vazhdueshëm .

Arti edukon ndjesi të bukura , modestie , solidariteti e disipline , pikërisht kështu mendoj teksa ndjek rrugëtimin artistik të Lahim Kolës( xhaxhi Lahimit siç jemi mësuar ta thërrasim në familje) .

Rrugëtimi i tij kalon nëpër udhë pasioni dhe përkushtimi, pa planifikuar kurrë madhështi por veçse dëshirë dhe sakrifica për atë çka shpirti don të bëjë : muzikën që sjell dhe ndjell aq shumë gëzim .Ai ka ruajtur me dashuri çdo kujtim, regjistrime , fotografi , audio ,vizive orkestrale duke pasuruar atë fond që mjerisht ka mbetur në harresë për shkak të teknologjisë së kufizuar të kohës . Teksa i ndjek me rradhë regjistrimet e hershme pohoj me një ndjesi krenarie se sa bukur këta artistë i kanë bërë jehonë trimërisë, bukurisë së natyrës dhe asaj njerëzore. Artistëve dibranë lindur e rrethuar me aq shumë bukuri natyrore ju kishte hije admirimi për natyrën , malet, kuvendet burrërore por edhe hijes jetëgjatë të bukurisë çka mbetet madhështore prej mjeshtërisë interpretuese të  Melita Shehut. 

“Të fala nga Korabi ” e vitit 1961 në një tur kombëtar përshkruhet me shumë dashuri nga Lahimi i cili në çdo akt përmend emra që për ne mbase janë të harruar por për të kurrsesi jo; Skënder Cala e Melita Shehu, Muharrem Zajmi, Haziz Ndreu, Adil Shehu, Hiqmet Elezi ,Haxhi Mata,Stefan Roçi, e pasuar nga Inajet Shehu, Agim Skara,Behar Mera,Flora Toska, Abdyl Sturçe,Liri Rasha,Arif Vladi, Saje Poleshi, etj…janë emra që e bënë të përjetshëm këtë udhëtim muzikor dhe artistik  nga Korabi i lartë nëpër gjithë Shqipërinë e kohës.

Ne vërtet ishim të privuar dhe nuk i pamë skenat e botës në atë kohë , por sot kur ato nuk na mungojnë ndjejmë se sa gjallë e paskan mbajtur kulturën tonë këto akte artistësh , se sa peshë historike dhe sociale mbartnin ato skena të thjeshta ku e bukura duartrokitej me shpirt. Dhe sa më shumë artistët shtohen akoma më të vlefshme bëhen  këto rrënjë identiteti të cilat e kanë zanafillën pikërisht nëpër  këto rrëfime që nuk u ikën asnjëherë vlera dhe rëndësia.

Në kujtesën njerëzore dhe artistike të Lahimit një vend të veçantë zë Agim Krajka, një nxitës dhe frymëzues permanent me ndihmën e të cilit ai do tē luante në skenë solo  pjesët :” Speranza Perdita, Vallja e shpatave, Fantazi për firzamonikë dhe madje me ndihmën e mjeshtrit Tonin Rrota , Lahimi arrin të krijojë këngë me motive popullore të cilat kanë mbetur në fondin e repertorit dibran si; Aksionistja e malit,Çobani e çobanesha,Aksioni na bashkoi , përpunimi i Shkurte Hoklit (me të cilën prezantohet për herë të parë Liri Rasha) , e shumë të tjera. 

Prezenca e Zef Çobës , Përparim Tomçinit , Edmond Zhulalit do të linin gjurmë të paharrueshme në zhvillimin e mëtejshëm të muzikës së kultivuar dibrane.

 Nuk ka gjë më të bukur se sa të duartokasësh artistët, përtej bukurisë skenike ata përcjellin njē diapazon të tërë përpjekjesh, përjetimesh , kufizimesh, sakrificash që në skenë nuk duken, por që kujtesa e tyre i ruan si një pasuri arkivore. Teksa futem një këtë lloj arkivi që Lahimi e ka ruajtur mjeshtërisht ndjek se si luan orkestra muzikore me dy tre instrumentistë, sa i pastër është tingulli nën atë interpretim live, sa i kthjellët është deri i kulluar zëri i Melita Shehut, sa i thellë është interpretimi i Skënder Calës , sa epik Arif Vladi , sa e ngrohtë Vera Laçi ,Liri Rasha e Flora Toska ,sa modern dhe klas Arjan Toçi, sa madhështor Edmond Zhulali i cili nuk reshti kurrë ti dhurojë art dhe artistë skenës , Dibrës , Shqipërisë.

Teksa ndjek rrëfimin arkivor plot me foto, shkrime e audio edhe vizive të Lahim Kolës pohoj dy gjëra : oda dibrane nuk është aspak rastësi dhe as një ngjarje gjeografike e eventeve folkloristike por një buqetë arti kultivuar historikisht në atë trevë ku i këndohet trimërisë e burrnisë, maleve e natyrës dhe  se Agim Kola dhe Artur Kola dy trashëgimtarët e Lahimit , përveç edukatës kanë të përçuar gene të mrekullueshme artistike të cilat bëhen të dukshme në vendet ku ato jetojnë dhe duke na bërë të kuptojmë se talenti lind, edhe pse jo në qytete që gjallojnë nga teatro a skena të mëdha , ato bëhen të tilla kur takojnë njerëz dhe vullnete nxitëse , frymëzuese e dashamirëse.

Diapazoni i një njeriu si Lahim Kola shkon tej e përtej kohës, nëpër rrënjët e familjes, bukuritë e trevës ku është rritur , traditat e zonës me kostumet më të bukura në Shqipëri dhe kapërcen kufinjtë e Dibrës për ti dhuruar përjetësisht asaj tinguj , zëra e melodi që vijnë e shkojnë për të ushtuar grykave të thella të maleve ku ruhet e freskët dhe e harruar e shkuara jonë , diapazon.

  • Per me shume fotografi shihni ne facebook dielli vatra

Filed Under: Kulture, Reportazh Tagged With: Marjana Bulku- Lahim Kola- Diapazioni

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT