• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2019

Ambasadori Amerikan Kosnett: Kosova të ruajë fokusin…

August 5, 2019 by dgreca

-Kryetari i rizgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa takim me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett/ 

PRISHTINË, 5 Gusht 2019-Gazeta DIELLI/ Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka nisur mandatin e tretë sot, me një takim me Ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Në takimin me Ambasadorin Kosnett u diskutuan tema të rëndësishme për vendin, me theks të veçantë zgjedhjet e brendshme të LDK-së dhe situata aktuale politike.

Kryetari Mustafa e njoftoi Ambasadorin Kosnett për ecurinë e procesit zgjedhor të LDK-së dhe theksoi se Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të përgjithshme sa më parë. LDK-ja ka përgatitur programin qeverisës për qeverinë e re ku prioritet do të jenë luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmbyllja e dialogut me Serbinë, përshpejtimi i proceseve integruese në strukturat euroatlantike, zhbllokimi i potencialit ekonomik përmes përkrahjes së sektorit privat, etj.

Ndërsa, Ambasadori Kosnett theksoi se është e rëndësishme që Kosova të ruajë fokusin e vet në fuqizimin e sundimit të ligjit, kthimit në tryezën e bisedimeve me Serbinë, për të arritur normalizim dhe për të krijuar mundësi të cilat lejojnë qytetarëve të Kosovës të kontribuojnë në prosperitetin e Kosovës.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Agim Veliu, Lutfi Haziri, Vjosa Osmani, Vlora Dumoshi dhe Besian Mustafa, bën të ditur njoftimi i dërguar nga LDK.

Në 3 Gusht 2019 Isa Mustafa është rizgjedhur me aklamacion kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në Kuvendin e nëntë zgjedhor mori shumicën e votave nga 355 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve të LDK.Lidhja Demoratike e Kosovës, e themeluar në 23 Dhjetor 1989 nga Ibrahim Rugova derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës i zgjedhur edhe në krye të partisë dhe nga intelektualë të tjerë shqiptarë, në 23 Dhjetor 2019 e shënon 30  vjetorin. Më shumë se parti, LDK në fillimet e saj lindi si një lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci, në rrethana të rënda okupimi e të dhunës së egër. Që në atë kohë Rugova dhe LDK hapur përcaktonin pozicionin gjeopolitik – shpallnin idenë për shtetin e Kosovës./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Ambasadori Kosnett-Kosova-Fokusi

Në kujtim të Monsinjor Zef Oroshit, Nxënësi i Ndre Mjedës

August 5, 2019 by dgreca

NGA FRANK HKRELI/ Ishte viti 1970, kur për herë të parë e takova Mons Dr. Zef Oroshin, në lagjen Bronks të Nju Jorkut.   Gjatë qëndrimit tim si refugjat në Itali, (1969-1970), për Dom Zefin dhe për aktivitetin e tij fetar dhe atdhetar në komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju Jork, më kishte folur miku im në Romë, Dom Prenkë Ndrevashaj.   Por edhe në dy tre takime që kisha pasur me Ernest Koliqin në Romë, më kishte këshilluar që kur të arrija në Amerikë të takohesha menjëherë me Dom Zef Oroshin dhe t’i rrija afër, pasi mund të më ndihmonte në vazhdimin e studimeve në Amerikë, duke marrë parasyshë moshën time të re.

Ashtu edhe u bë!   Më të ardhur në Nju Jork, në fund të vitit 1970, kushëriri i nënës time Ndoc Vulaj, mik i ngushtë i Dom Zefit, më prezantoi tek Monsinjori të dielën e parë pas arrijtjes time në Amerikë — tek Kisha e parë Katolike Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e themeluar prej tij në Bronks të Nju Jorkut.  Ishte një takim, pas meshës, me Dom Zefin dhe me Ndoc Vulajn në qëndrën e kishës, sipër ndërtesës ku zhvillohej ceremonitë fetare.   Pyetja e parë që më bëri Monsinjor Oroshi, pasi u përshëndetëm ishte: si je me anglishten?   Unë ju përgjigja se kisha filluar ta mësoj anglishten gjatë qendrimit tim si refugjat në Romë, por jam i vetdijshëm, i thashë, se do të më duhet kohë që ta përvehtësojë si duhet.   Pa asnjë vonesë, madje edhe pa më pyetur fare, Dr. Oroshi merr telefonin dhe i telefonon dikujt.   Flet me të në anglisht për nja 5-6 minuta.

Merrja vesh ndonjë fjalë aty këtu, por thelbin e bisedës nuk e kuptova fare.   Sidoqoftë, Dom Zefi i kishte telefonuar një prifti jezuit që e njihte, në Universitetin e njohur Fordham në Nju Jork, i cili administrohet nga Kuvendi Jezuit.   Pas bisedës me të, Dr Oroshi më shpjegon se e kishte njoftuar profesorin amerikan se  në zyrën e tij kishte një djalosh të ri shqiptar refugjat i posa ardhur nga Evropa dhe se i kishte kërkuar atij të bënte çmos që të më mundësonte me çdo kusht dhe sa më parë,regjistrimin në Universitetin Fordham për kurse anglisht –për të mësuar anglishten sa më mirë dhe sa më shpejt, me objektivin për të vazhduar studimet që i kisha ndërpre, si përfundim i arratisjes.  “Nëqoftse dëshiron të përparosh në këtë vend”, më këshilloi Dom Zefi në takimin e parë me të, “Duhet të mësosh gjuhën e vendit, sepse pa gjuhën anglishte ke me mbetë mbrapa”, mu drejtua ai me një fytyrë serioze.

Monsinjor Oroshi ishte në dijeni se unë kisha kryer 5-vjet në një seminar katolik në Kroaci dhe natyrisht ia dinte vlerën gjimnazit klasik dhe donte që të mos habitesha duke gjetur çfardo pune në Amerikë, si të gjithë të rinjë shqiptarë të moshës time në atë kohë, sepse ashtu ishin rrethanat – shumë të vështira për imigrantët e rinj.   Dom Zefi më porositi të mos ndërprisja shkollën, por të vazhdoja studimet me çdo mënyrë.

Në të vërtetë, ashtu edhe ndodhi.   Me rekomandimin e Mons Zef Oroshit u regjistrova në Universitetin Fordham për kurse fillestare për gjuhën anglisht dhe mbrenda 6 muajsh e përvehtësova anglishten në nivelin e duhur, sa që u regjistrova si student i rregullt në Kolegjin shtetëror Lehman, në Bronks, pasi Univresiteti Fordham, si universitet privat, ishte shumë i shtrenjtë dhe nuk i kisha mundësitë financiare për tu regjistruar aty.

Në këtë ndërkohë, si në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për mbështetjen që Mons. Oroshi tregoi ndaj meje — në atë kohë kritike për mua në një vend të huaj — unë bëja çmos që t’i gjëndesha pranë kishës, për të ndihmuar me çfardo mundësie që kisha në dispozicion, atë dhe aktivitetet e qendrës së parë katolike shpiptare në Shtetet e Bashkuara.   Unë kisha filluar të tregoja shënja interesimi për gazetari, pasi edhe në Lehman College kisha marrë disa kurse në këtë degë dhe madje kisha filluar të shkruaja edhe artikuj modest, në anglisht, për gazetën studentore të kolegjit Lehman.

Mbështetjen e Mons Oroshit për mua, gjatë atyre viteve fillestare kritike për çdo immigrant në një vend të huaj, sidomos për një të ri si unë në atë kohë — e ruaj si një kujtim të pashlyeshëm dhe si një ndihmë të pazëvendsueshme për të ardhmen time, të cilën e kam vlerësuar gjithmonë si një besim të tij në mua personalisht, por edhe në breznitë e ardhëshme të shqiptarëve në këtë vend dhe në cilësitë dhe aftësitë e tyre pozitive për të ndërtuar një jetë të re dhe më të mirë në një vend të lirë e demokratik, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kishim gjetur strehim e mbështetje nga ky vend

Autori me Mons. Zef Oroshin në demonstratë kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës — për të protestuar vrasjen barbare të Dom Shtjefën Kurtit nga regjimi komunist në vitin 1973 — para Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe përball Misionit të Shqipërisë Komuniste në OKB.

Kisha Katolike Shqiptare dhe Lidhja Katolike botonin në atë kohë – revistën, “Jeta Katolike Shqiptare”, revistë e cila vazhdon të botohet edhe sot.   Monsinjor Oroshi, ndërkaq,më kërkonte ndihmën time në përgatitjen e shkrimeve nga autorë të ndryshëm që dërgonin artikujt e tyre për botim në revistën e Lidhjes Katolike – siç e kuptova më vonë, më shumë për të ndihmuar zhvillimin tim në këtë fushë, se sa i ndihmojshe unë atij, por në të vërtetë, qëllimi i tij përfundimtar ishte që të merrja përvojën e duhur në përgatitjen e revistës, ndërsa njëkohësisht më inkurajonte të shkruaja edhe artikuj me subjekte që preferoja unë.   Kështuqë, me ndihmën e Mons. Oroshit, unë hodha hapat e para drejtë gazetarisë, duke shkruar edhe artikuj në gjuhën shqipe për një organ, siç ishte revista Jeta Katolike e Nju Jorkut.   Kjo nismë, për një 20-vjeçar, më dukej mua një arritje e madhe duke marrë parasyshë se përveç shkollës 8-vjeçare unë nuk kisha përdorur gjuhën shqipe në shkollë ndërkohë që shqipja ime linte shumë për tu dëshiruar.   Me hapa të ngadalshëm por të sigurtë, nën mbikqyrjen e Mons Oroshit, revista filloi të botonte aty këtu ndonjë shkrim timin dhe eventualisht, falë edhe interesimit tim për këtë fushë veprimtarie, arrijta të bëhem edhe anëtar i redaksisë.   Kështuqë, jepja kontributin tim modest në përgattijen e secilit numër të Jetës Katolike, për atë kohë që isha pranë Kishës Katolike Shqiptare dhe nën mbikqyrjen e Drejtorit Përgjegjës, Mons Zef Oroshit.   Kjo situatë vazhdoi deri në vitin 1974, kur u largova për në Washington për të filluar punën pranë Zërit të Amerikës, në gjuhën shqipe.

Kanë kaluar pra pothuaj 50-vjet ç’prej asja kohe kur Dom Zefi më ndihmoi të hidhja hapat e parë drejtë gazetarisë – një fushë veprimi kjo, që eventualisht u bë profesioni im i jetës për më shumë se 30-vjetë, për një ent ndërkombëtar lajmesh dhe informacioni, me fame botërore, siç ishte Zëri i Amerikës. – duke më hapur kështu rrugën e punësimit në Zërin e Amerikës.   Ishte Dom Zef Oroshi ai që më dha mundësitë e para për të zhvilluar mëtej interesimin tim në fushën e gazetarisë, duke më bërë pjesë të redaksisë së revistës, “Jeta Katolike”, të cilën ai me disa bashkpuntorë të tij e kishte themeluar disa vite më parë.   Mund e them pa asnjë dyshim, se përvoja ime fillestare në gazetari — me mbështetjen dhe durimin e Monsinjor Oroshin — në revistën Jeta Katolike, më ka hapur përspektiva të pa imagjinueshme në jetën dhe në karierën time prej më shumë se 30-vitesh në Zërin e Amerikës, ku kam ushtruar detyra të ndryshme në fushën gazetareske, si korrrespondent, si redaktor, producent, shef i Shërbimit shqip të VOA-s dhe detyra të tjera më të larta, përfshirë, ndër të to, edhe Drejtor i Divizionit Evropian dhe zëvëndës Drejtor për ish-Bashkimin Sovjetik, gjatë periudhës ndoshta më interesante të historisë së shekullit të kaluar, atë Luftës së Ftoftë dhe më vonë, pas pensionimit nga qeveria federale, si autor e publicist modest, që falë të Madhit Zot, vazhdoj edhe sot, sipas mundësive.

Nuk jam i sigurt se cila do të kishte qenë kariera ime dhe çfarë drejtimi do të kishte marrë jeta ime në përgjithësi, po të mos kisha pasur ndihmën dhe këshillat e Mons. Zef Oroshit dhe bashkpuntorëve të tij në atë kohë.   Për këtë ndihmë dhe mbështetje fillestare, Monsinjor Oroshit i mbetem mirënjohës për gjithmonë.   Ai ishte burrë, fetar dhe patriot, ashtu siç ishin shumë burra të brezit të tij të pas Luftës së dytë Botërore– në kuptimin e vërtetë të fjalës — mësimet e të cilit për gazetari dhe këshillat e tija për jetën dhe dashurinë për Atdheun, në përgjithësi, për një refugjat 20-vjeçar në atë kohë, ishin të pazëvendësueshme.   Por mbi të gjitha, atdhedashuria e tij dhe veprimtaria e tij fetare dhe patriotike, pa asnjë interes personal — ishin dhe mbeten një mësim tjetër jetësor për mua – një përvojë që më ka ndjekur gjithë jetën dhe karierën time.

Si njëri që ka shërbyer në moshë të re, si Sekretar i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane (LKSHA) dhe si anëtar i Këshillit Redaktues të organit Jeta Katolike të LKSHA, në fillim të 1970-ave – pra, si një bashkpuntor i ngusht i Mons Oroshit në botimin e revistes Jeta Katolike Shqiptare — e ndjejë veten të nderuar dhe të privilegjuar me ftesën që më bëri autori Tomë Mrijaj për të kujtuar me pak fjalë Mons Zef Oroshin, në librin e tij të posa botuar, në këtë 50-vjetor jubilar historik – veprimtaria e të cilit mbetet trashëgimi e pashlyeshme jo vetëm për Kishën Katolike Shqiptare në mërgim, por edhe për Kishën e shumë vuajtur në Shqipëri dhe në të gjitha trevat shqiptare.   Dom Zef Oroshi, me rastin e themelimit të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane, (LKSHA) më 16 Qershor, 1962, në një kohë kur Kisha Katolike Shqiptare po martirizohej nga regjimi komunist i Enver Hoxhës – ish-udhëheqsi i komunitetit katolik shqiptaro-amerikan, me fjalë optimiste dhe profetike, ishte shprehur se me themelimin e kësaj qendre:“Jemi nji shkëndi e vogël, që me ndihmë të Zotit do të bahemi dritë e madhe, me shëndritë dhe votrat e errësueme në Atdhe.”   Në të vërtetë ashtu edhe ndodhi.   Ishte Mons. Rrok Mirdita, të cilin Mons Oroshi e kishte sjellur nga trojet shqiptare nën Malin e Zi  për të punuar me të në Nju Jork–ai i cili pas shembjes së komunizmit u caktua nga Vatikani për tu këthyer në Shqipëri për të ngritur Kishën Katolike në Shqipëri, të shkatërruar nga komunizmi.

Profecia e tij u vërtetua.   Veprimtaria fetare dhe atdhetare e Monsinjor Zef Oroshit ishte vendimtare, jo vetëm për mbajtjen gjallë të traditës dhe historisë së Kishës Katolike Shqiptare në mërgim, por edhe për Kishën e shumë vuajtur në Shqipëri dhe në të gjitha trevat shqiptare.   Themelimi i Lidhjes Katolike Shqiptare në vitin 1962 dhe themelimi më vonë i Kishës së parë Katolike Shqiptare në Amerikë, nga Mons. Oroshi me ndihmën e At Andre Nargaj, me shumë bashkpuntorët e tyre, i parapriu, jo vetëm, asaj që sot është famullia e parë katolike shqiptare në Amerikë, “Famullia e Zojës së Shkodrës” në Hartsdale të Nju Yorkut, që  sot është një qëndër veprimtarie të larmishme fetare, kombëtare, gjuhësore e kulturore për komunitetin shqiptaro-amerikan në pëgjithësi dhe pa dallime fetare as krahinore – por edhe simbol i ringjalljes së Kishës Katolike Shqiptare në Amerikë, në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, pas pothuaj 50-vuajtjesh e persekutimesh komuniste — ndër më të egërat në ish-vendet komuniste.

Rëndësinë fetare, kulturore dhe kombëtare të përurimit të Kishës së parë Katolike Shqiptare në Nju Jork, e ka shprehur, ndoshta, më së miri në atë kohë, Ernest Koliqi, i cili në revistën “Shëjzat” ka shkruar me atë rast, se përveç dobisë shpirtërore, kisha e re do të shërbente edhe si qëndër veprimtarishë kombëtare: “Na tue u nisë nga pikëpamja shqiptare, dëshirojmë të theksojmë këtu vlerën e një organizimi i cili, në flakë e në dritë të fesë – nevojë urdhënore e njerëzve sidomos kur mjerohen nga goditjet e fatit si janë të mërguemit – synon të mbajë gjallë zakone e doke, thjeshtë kombëtare, dmth. të ruaj në vend të huaj pasuninë ethnike të trashigueme nga të parët, pasuni që na lejon m’u quejtë Shqiptarë në botë.’’

Nuk kam asnjë dyshim se përveç nevojave shpirtërore të besimtarëve katolikë shqiptarë, themelimi i Kishës dhe Qendrës Katolike Shqiptare në Nju Jork, në mendjen dhe zemrën e Mons. Zef Oroshit, kishte për objektiv gjithashtu edhe ruajtjen e trashëgimisë fetare dhe të traditës kombëtare, përfshir gjuhën dhe kulturën shqiptare.   Një prej kontributeve të Mons. Oroshit në fushën e gjuhës dhe letërsisë shqipe – është edhe botimi i Katër Ungjijve, sipas Matheut, Markut, Lukës e Gjonit, si edhe Punët e Apostujve – një përkthim  ky që Martin Camaj e kishte cilësuar si një “ngjarje kulturore”, në të cilin shton ai, Mons Oroshi ka ndjekur mjeshtrin e vet, Dom Ndre Mjedën, të cilit Oroshi edhe ia ka kushtuar atij ketë vepër fetaro-kulturore.

Veprimtaria e përgjithëshme prej dekadash e Mons. Zef Oroshit duhet të shikohet nga kënd-veshtrimi i punës së tij me moton e Lidhjes Katolike Shqiptare, për objektivin e rëndësishëm për të ardhëmen — “Për Fe e Atdhe” — të lidhura e të bashkuara ngusht me unazën, “Përparim”, trashëguar nga para-ardhësit e tij kishtarë dhe atdhetarë shqiptarë, edukatorët e tij, si Dom Ndre Mjeda dhe At Gjergj Fishta.   I frymëzuar nga mësuesit e tij, Fishta e Mjeda, Dom Zefi ishte një vijues i denjë i traditave të mira Kombëtare, të gërshetuara me kulturën e shëndoshë perëndimore-amerikane.   Ky pra ishte Monsinjor Oroshi që kam njohur unë dhe të cilin e kujtoj gjithmonë me nderim dhe respekt, i cili ka patur një influencë jashtzakonisht të madhe në jetën, karierën dhe veprimtarinë time në përgjithësi.

I lavdishëm qoftë sot dhe gjithmonë kujtimi i Mons Dr. Zef Oroshit dhe i të gjithë atyre burrave dhe burrneshave të asaj gjenerate – të cilët u detyruan të largoheshin nga regjimi komunist enverist prej Atdheut të tyre, të cilin e donin pa asnjë kusht., e për të cilin nuk pushuaan kurrë së punuari për t’ia ruajtur nderin dhe emrin e mirë në botë – burra këta që sot i mungojnë kombit dhe që, fatkeqësisht, nuk jam i sigurt nëse vinë më në trojet tona.

*Këto kujtime janë pjesë e librit, “Mons Dr. Zef Oroshi-Në Jubileun e 50-Vjetorit të meshës së parë shqip në Shtetet e Bashkuara”,të autorit, Tom Mrijaj, botuar këtë fund jave në Shkodër, e të cilin e falënderoj që më dha mundësinë të bëhem pjesë e kësaj nisme, për të nderuar, Mons. Dr. Zef Oroshin.

Përfaqësia e Kishës Katolike Shqiptare me në krye Monsinjor Dr. Zef Oroshin, në paradën kushtuar Ditës së Bronksit, 1972

Darkë e shtruar nga Këshilli i Kishës Katolike Shqiptare në Bronx me në krye Monsinjor Dr. Zef Oroshin në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për Sekretarin e Lidhjes Katolike Shqiptare, Frank Shkreli me rastin e largimit të tij nga Nju Jorku për në Washington, për të filluar punën në Zërin e Amerikës, Qershor, 1974

Frank Shkreli falënderon me këtë rast, Monsinjor Dr. Zef Oroshin për ndihmat dhe këshillat e tija dhe njëkohësisht edhe Këshillin e Kishës Katolike Shqiptare për bashkpunimin dhe ndihëmesën e tyre gjatë periudhës që kishte shërbyer si Sekretar i Lidhjes Katolike, të themeluar nga Monsinjor Dr. Zef Oroshi.

*Këto kujtime janë pjesë e librit, “Mons Dr. Zef Oroshi-Në Jubileun e 50-Vjetorit të meshës së parë shqip në Shtetet e Bashkuara” e autorit, Tom Mrijaj botuar këtë fund jave në Shkodër “

Frank Shkreli duke mbajtur fjalimin e rastit në demonstratën — kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës –protestë e udhëhequr nga Mons. Dr. Zef Oroshi —- para Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe përball Misionit të Shqipërisë Komuniste në OKB, për të protestuar vrasjen barbare të Dom Shtjefën Kurtit nga regjimi komunist shqiptar në vitin 1973.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank Shkreli-Monsinjor Zef Oroshi-MJEDA

Mallkuar qofshin pushimet politike

August 5, 2019 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Këto pushimet politike më kujtojnë atë këngën e Loretta Goggit, Maladetta Primavera, veçse me versionin, mallkuar vera, pushimet verore etj. Pasi është si të luash mendsh kur pas nji viti skandalesh politike, Edi Rama kuvendon akoma nga fejsbuku, tallet, ironizon, si kryeministër i Shqipërisë. Një vend si Shqipëria do e meritonte plotësisht një shpërbërje qeverie dhe çuarjen e vendit në zgjedhje, ashtu si Greqia, ashtu si edhe po veprojnë shqiptarët në pjesë e epërme të kombit, Kosovë. Mirëpo ndodh e kundërta tek ne, njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit. Eshtë shumë e thjeshtë në demokraci, dështove, hap krahun. Kurse kryeministri në Shqipëri grindet me ndonjë qytetar në fejsbuk sa për të thënë se ka dikë kundërt, grindet dhe e ironizon tallur çfarë ka qejf me mendjen e mbushur se nuk ka humbur aspak nga reputacioni si qeveritar i ligjshëm i vendit. 

Për më keq akoma kjo fushatë e dyzuar e opozitës, ca me regjistrimin për zgjedhje në 13 tetor, ca me takime nëpër Shqipëri siç edhe po vepron Lulzim Basha. Pa mënjanuar edhe komunitetin artistik në lidhje me godinën e teatrit kombëtar, një opozitarizëm për t’u patur zili, megjithëse nga ana tjetër nxorri në pah një hendek të madh social atë të mospërkrahjes së njëri-tjetrit karshi objekteve të kultit të fjalës. Aq sa të vjen keq kur e shikon një aktore ikonë me një karrierë dyzetëvjeçare që përulësisht të thotë se partia e saj është arti. Shoqëria karshi duket si një tren që rend përbri saj, indeferent, pa e kuptuar se nuk po vret artistin apo artin në përgjithësi por vetveten. Dhe të parët që po e bëjnë këtë janë ata që përkrahin ca dështakë si Edi Rama. Ndaj sa herë hedh sytë nga Shqipëria të kujtohet ajo kënga e vjetër, mallkuar qofshë moj verë pushimesh. Pasi nuk po e merr vesh i pari të dytin. Nuk po kuptojmë se ku janë standartet demokratike të një shtetari? Ku ato të një opozitari? Dhe ku ato të një shoqërie që kujton se është e denjë për komunitetin europian ndaj i duket normale të ndahet jo në tresh, por në katër, pesë a gjashtëfishin e vet. Nuk e di se çfarë skandali tjetër duan më së pari opozitarët që kanë filluar të pëshpërisin për zgjedhje të reja por me Edi Ramën. Ka qënë një vit skandalesh dhe ja ky i fundit me kryetarin e bashkisë së Durrësit. Nuk e di përse i duhen Lulzim Bashës këto takimet në rrethe, kur rrethet, ruralizmi në përgjithësi i është mbushur mendja më përpara se vet Bashës që nuk ka zgjedhje me Edi Ramën. Dhe se Edi Rama nuk njeh asnjë koncept a standart demokracie veç uni të tij prej të parruari, shalvarexhiu, a mjaftisti me ideologji te tipit Enver Hoxha. Hiqeni nga mendja se do ta hiqnin Edi Ramën me delikatesë europiane a amerikane. Lërini pushimet menjanë dhe kthejuni shesheve, fillojeni nga teatri sa nuk është vonë. Lërini deklaratat me shtatorin se gjoja në shtator do filloni nga protestat. Protestat nuk njohin vapë, nuk njohin pushime, nuk njohin deklarata personale por në grup opozitar. Nuk është tragjedi kombëtare të zbythësh Edi Ramën, tragjedi është t’i japësh kohë të kakarisi. Eshtë një absurditet i gjithi që skandal pas skandali dhe ai del më i fortë. Nga ana tjetër një opozitë që edhe bën fushatë, edhe deklaron, edhe distancohet, edhe shkon e regjistrohet. Çfarë do bëj edhe opozita votime siç bëri Edi Rama në 30 qershor? Eshtë absurditet ramist ky jo opozitar. Nuk ka demokraci me këtë logjikë. Nuk fitohet kështu. Madje opozita sot duhej të ishte më e bashkuar. Biles i bëni thirrje edhe presidentit t’i lëri mënjanë sportivitetet  malore, të lëri edhe postin e presidentit se vlen më shumë si opozitar. Mjaft e latë me pushime Edi Ramën. Dhe lëri justifikimet se shqiptarët po pushojnë. 5% e shoqërisë ka privilegjin e pushimeve, të tjerët janë argatë të vapës, të të folurit me veten, pritjes etj. Sikur 100 skandale të tjerë të publikoni, Edi Rama nuk dorëhiqet. Sikur gjithë Europa t’i kthehet kundër, sikur Amerika, ai nuk dorëhiqet. Dhe nuk njeh kënd tjetër veç mendjes së tij. Kjo është simptoma e regresit tonë dhe ne e kemi plot historinë me shembuj të tillë. Kaq…, ndaj mbushni sheshet. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja-Pushimet Politike

Kosova, në tavolinën e shteteve që janë si Amerika

August 5, 2019 by dgreca

-Kryeministri në detyrë, Haradinaj në 21 vjetorin e Betejës së Markalleshëve: Nuk ka lindje më të vështirë se sa lindja e një shteti, t’i kryejmë punët qind për qind…Jemi nisur që t’i takojmë familjes se shteteve sepse jemi bërë shtet, e kemi shpallur veten shtet, dhe duam të jemi në tavolinën e shteteve që janë si Amerika dhe të tjerët veç e veç/

GJAKOVË, 4 Gusht 2019-Gazeta DIELLI/ Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në tubimin përkujtimor, kushtuar 21- vjetorit të Betejës së Markalleshëve dhe dëshmorëve Mark Lleshi, Prend Lleshi, Kolë Lleshi dhe Memë Lleshi.

Fillimisht kryeministri në detyrë Haradinaj bëri homazhe te memoriali i dëshmorëve Mark, Prend, Kolë dhe Memë Lleshi.

Para të pranishmëve, kryeministri në detyrë, Haradinaj, tha se po ndihet jashtëzakonisht mirë që sot ka pasur nderin të kalojë pak momente te Markalleshët, familje kjo që ka një histori të vetën të gjatë, edhe në luftëra të tjera, kohëra të tjera sikurse edhe në kohën e Luftës së Dytë Botërore, ku nga kjo familje ranë dëshmorë njerëz të shquar.

“U pushkatuan padrejtësisht. Andaj më lejoni sot të ju falënderoj të gjithëve për prezencë në nderim të betejës së Markalleshëve të 7 gushtit por edhe të heronjve të Kosovës të rënë edhe më vonë. Dua të them disa fjalë për ditën e sotme pse është me rëndësi kujtesa jonë për të kaluar nëpër momente të vështira sepse janë bërë 20 vjet nga kjo betejë por edhe është kaluar një kohë”, theksoi kryeministri në detyrë, Haradinaj, duke shtuar se më së miri ndoshta kjo shpjegohet me faktin se nuk dihet që ka lindje më të vështirë se sa lindja e shtetit,  një lindje e këtillë kaq e vështirë është jashtëzakonisht e veçantë dhe ne jemi nisur që t’i takojmë familjes se shteteve sepse jemi bërë shtet, e kemi shpallur veten shtet, dhe duam të jemi në tavolinën e shteteve që janë si Amerika dhe të tjerët veç e veç.

Ndër tjera, kryeminitri në detyrë, Haradinaj shtoi se e dimë se për këtë Kosovë ka pasur shumë flijime, përndjekje, masakra e gjenocid, tmerre që i ka përjetuar populli ynë për të ardhur deri të dita e qershorit të ’99-ës.

Në këtë familje të Markalleshëve, sipas kryeministrit në detyrë, Haradinaj, ndër breza ruhet kjo sakrificë dhe e dinë se si ka qenë rruga jonë deri këtu dhe është në interesin tonë që ta përfundojmë Kosovën si shtet qind për qind, t’i kryejmë punët qind për qind, të bashkojmë shtetin tonë me kombin kudo që janë shqiptarët por edhe t’i bashkohemi familjes euroatlantike sepse aty është vendi ynë, aty takojnë vlerat tona, aty është nderi ynë.

“Nëse shërbehemi me shembullin e kësaj familjeje rruga jonë do të jetë e lehtë, pa asnjë dilemë dhe do të arrijmë së bashku dhe uroj që në këtë shembull, në këtë sakrificë të Markalleshëve, të të gjithë dëshmorëve, të shërbehemi si komb”, tha kryeministri në detyrë, Haradinaj.

Nga një fjalë parë të pranishmëve mbajti Dervish Tahiri nga Kuvendi Komunal i Gjakovës, Don Alberti famullitar, ndërsa në emër të familjes foli Gegë Lleshi./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Ramush-Kosova-Shtet si SHBA

Sajmiri në linjën direkte Tiranë- Bogota?-

August 5, 2019 by dgreca

Ish-ministri Demiraj zbulon linjat e reja të Air Albania/

Ish-ministri i Brendshëm Dritan Demiraj ka reaguar pas lajmit se Air Albania do të udhëtojë edhe drejt aeroporteve të BE, në vjeshtë.

Reagimi i plotë:

Të nderuar miq!

Me gëzim të madh ndoqa lajmin se Air Albania fillon fluturimet në Vjeshte me emrin Migjeni por edhe se avionet e linjave të tjera do të kenë emrat e Rilindasve të vërtetë të Shqipërisë si Naimi, etj.

Natyrshëm më lindi një pyetje:
Meqenëse jemi në pritje të ftesës nga BE në datat 18-19 tetor dhe tashmë që Rilindasit e sotëm deklarojnë se i kanë plotësuar të gjitha kërkesat e BE-së kur do fillojnë fluturimet me avionët:

Sajmiri në linjën direkte Tiranë- Bogota?
Taulanti në linjën direkte Tiranë-Karakas?
Kryerilindasi në linjën më të rëndësishme direkte Tiranë-Moskë?

Rroftë Rilindja, pasi pas ardhjes së tyre në pushtet në vitin 2013 u hapi sytë Shqiptarëve që të “integrohen” dhe të marrin eksperiencë nga “demokracitë” e vendeve më demokratike në botë dhe duke e shpërndarë atë me shumë sukses në të gjithë Europën.

Filed Under: Komente Tagged With: Dritan Demiraj-Saimir Tahiraj-Air Albania

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT