
-Kryetari i rizgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa takim me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett/
PRISHTINË, 5 Gusht 2019-Gazeta DIELLI/ Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka nisur mandatin e tretë sot, me një takim me Ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.
Në takimin me Ambasadorin Kosnett u diskutuan tema të rëndësishme për vendin, me theks të veçantë zgjedhjet e brendshme të LDK-së dhe situata aktuale politike.
Kryetari Mustafa e njoftoi Ambasadorin Kosnett për ecurinë e procesit zgjedhor të LDK-së dhe theksoi se Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të përgjithshme sa më parë. LDK-ja ka përgatitur programin qeverisës për qeverinë e re ku prioritet do të jenë luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmbyllja e dialogut me Serbinë, përshpejtimi i proceseve integruese në strukturat euroatlantike, zhbllokimi i potencialit ekonomik përmes përkrahjes së sektorit privat, etj.
Ndërsa, Ambasadori Kosnett theksoi se është e rëndësishme që Kosova të ruajë fokusin e vet në fuqizimin e sundimit të ligjit, kthimit në tryezën e bisedimeve me Serbinë, për të arritur normalizim dhe për të krijuar mundësi të cilat lejojnë qytetarëve të Kosovës të kontribuojnë në prosperitetin e Kosovës.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Agim Veliu, Lutfi Haziri, Vjosa Osmani, Vlora Dumoshi dhe Besian Mustafa, bën të ditur njoftimi i dërguar nga LDK.
Në 3 Gusht 2019 Isa Mustafa është rizgjedhur me aklamacion kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në Kuvendin e nëntë zgjedhor mori shumicën e votave nga 355 delegatë të zgjedhur në kuvendet e degëve të LDK.Lidhja Demoratike e Kosovës, e themeluar në 23 Dhjetor 1989 nga Ibrahim Rugova derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës i zgjedhur edhe në krye të partisë dhe nga intelektualë të tjerë shqiptarë, në 23 Dhjetor 2019 e shënon 30 vjetorin. Më shumë se parti, LDK në fillimet e saj lindi si një lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci, në rrethana të rënda okupimi e të dhunës së egër. Që në atë kohë Rugova dhe LDK hapur përcaktonin pozicionin gjeopolitik – shpallnin idenë për shtetin e Kosovës./b.j/