• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2019

Haradinaj:Jetësohet projekti më i madh i energjisë së ripërtëritshme në vend

December 19, 2019 by dgreca

Haradinaj:  Për Kosovën ka filluar një epokë e re, po jetësohet  projekti më i madh i energjisë së ripërtëritshme në vend/

Prishtinë, 19 dhjetor 2019

“Për Kosovën ka filluar një epokë e re, epoka e investimeve strategjike, investim ky më i madhi që ka ndodhur ndonjëherë në zhvillimin e Kosovës”, kështu ka deklaruar kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në konferencën e përbashkët për media me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, duke njoftuar se është shënuar një sukses i madh për Kosovën, është finalizuar e tërë procedura për Parkun e Erës në Bajgorë, i ndërmarrjes SOWI Kosovo, projekti më i madh i energjisë së ripërtëritshme në vend, i cili do të mundësojë hapjen e qindra vendeve të reja të punës. 

Kryeministri në detyrë Haradinaj tha se të mërkurën është nënshkruar përmbyllja financiare me BERZH-in, dhe përveç BERZH, projekti që parasheh investime prej 170 milionë euro, ka gjetur mbështetje financiare edhe nga bankat prestigjioze Erste Group Bank dhe NLB Bank, derisa mbulesa financiare është ofruar nga Agjencia Gjermane Euler Hermes.

“SOWI Kosovo, ndërmarrja me pronësi kosovare, gjermane dhe izraelite, që është investitori i parë i shpallur strategjik në Kosovë, do të vendosë 27 turbina të prodhuesit General Electric në rajonin e Bajgorës, me kapacitet të instaluar prej 105 megavatësh, për të prodhuar energji elektrike pa dëme në mjedis. Kjo energji elektrike është më se e nevojshme në vendin tonë, dhe përveç tjerash, me këto kapacitete ne përmbushim caqet për energji të ripërtëritshme më herët se që jemi zotuar”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke theksuar se projekti do të përfundojë së ndërtuari në vitin 2021.

E veçanta e projektit të SOWI Kosovo, sipas kryeministrit në detyrë Haradinaj, është se ka bashkuar shtete të ndryshme, Kosovën, Gjermaninë, SHBA-në, Izraelin, Slloveninë dhe Austrinë, derisa edhe përmbyllja financiare po bëhet pikërisht në ditëlindjen e shtatë të BERZH në Kosovë, e që është shembulli më i mirë i bashkëpunimit, në të cilin vendi ynë luajti rol aktiv dhe shumë të rëndësishëm.

Më tej, kryeministri në detyrë Haradinaj, theksoi se ashtu sikurse ndërmarrjes SOWI Kosovo, Qeveria e Kosovës gjatë këtyre dy vjetëve u ka qëndruar pranë gjithë investitorëve në vend dhe atyre të huaj, duke ofruar gjithë përkrahjen.

“Puna e përbashkët e institucioneve të Qeverisë dhe kompanisë SOWI Kosovo, ka rezultuar në më shumë se 20 leje, kërkesa këto që rrjedhin nga korniza ligjore në Republikën e Kosovës”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke falënderuar  administratën dhe personelin e Qeverisë së Kosovës, për asistencën profesionale të ofruar dhe për profesionalizmin e treguar në procesimin e kërkesave të investitorëve të huaj, dhe të ndërmarrjes SOWI Kosovo në veçanti.

Po ashtu, kryeministri në detyrë Haradinaj, ka falënderuar ambasadorin Christian Heldt dhe gjithë stafin e ambasadës Gjermane nën lidershipin e ambasadorit për një përkrahje të vazhdueshme për këtë projekt.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, tha se kjo ishte një punë ekipore e vërtetë dhe se kjo tregon se kur të gjithë palët e interesit bashkëpunojnë, mund të bëhen gjëra që veprojnë mirë në Kosovë.

“Siç e përmendi kryeministri ky është projekti i parë i tillë në kornizën ligjore për investime strategjike. Unë si ambasador gjerman jam shumë krenar që një projekt i tillë në energjinë e ripërtëritshme mund të bëhet brenda kësaj kornize. Ka pasur shumë sfida dhe ky është momenti që t’i falënderojmë të gjitha palët e interesit nga ana e biznesit, mirëpo gjithashtu edhe administratën kosovare, Qeverinë dhe agjencitë që kanë luajtur rol të rëndësishëm për të bërë këtë që të ndodh”, tha ambasadori gjerman, Heldt.

Ceremonia e nënshkrimit, siç u shpreh ambasadori Heldt, ka qenë mbresëlënëse dhe ka treguar se bashkëpunimi shpie në rezultate dhe se është shumë i lumtur për këtë pasi energjia e ripërtëritshme shpie drejt një të ardhme ku Kosova po merr më shumë autonomi në aspektin e energjisë së pastër.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Haradinaj-Jetesohet, Projekti elektrik

“Impeachment” ndaj Presidentit Trump: Gjithëçka që duhet ditur

December 19, 2019 by dgreca

Nga Faton Bislimi*/

Sot në orët e herëshme të mëngjesit, mediat ndërkombëtare e kanë dhënë lajmin e ditës mbi vendimin e Dhomës së Përfaqësuesëve të SHBA-ve për t’i aprovuar “Nenet e Akuzës” apo “Articles of Impeachment” ndaj Presidentit Trump.  Ajo që të bën më shumë përshtypje ështëë një korelacion jo i drejtë mbi këtë veprim të Dhomës së Përfaqësusëve të Kongresit të SHBA-ve dhe vendimit për shkarkim të Presidentit amerikan.

“Impeachment” është një proces kushtetues në SHBA që i mundëson Dhomës së Përfaqësuesëve të Kongresit që të akuzojnë në mënyrë zyrtare cilindo nga zyrtarët e lartë shtetëror duke përfshirë këtu edhe vet Presidentin e SHBA-ve, për krime te larta duke përfshirë tradhëtinë dhe korrupsionin (ryshfetin). Kushtetuta e SHBA-ve, për të mos lënë në duar të jurisë apo gjyqeve të rregullta akuzën, gjykimin, dhe dënimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë të zgjedhur apo emëruar, ia ka dhënë të drejtën e “impeachment” vetëm Dhomës së Përfaqësuesëve të Kongresit. Realisht, ajo që ka ndodhë dje mbrëma në SHBA, është e barasvlefshme me atë që në zhargonin tone të jurispodencës do të njihej si “konfirmim i aktakuzës” ndaj presidentit Trump. Kjo nënkupton se pas disa muajsh hetimesh të zhvilluara nga Komisioni Legjislativ i Dhomës së Përfaqësuesëve të Kongresit të SHBA-ve, të kryesuar nga Kongresisti dhe Kryetari i këtij Komisioni Jerry Nadler, dje mbrëma nën udhëheqjen e Kryetarë së Dhomës së Përfaqësuesëve, Nancy Pelosi, kongresistët krejtësisht të ndarë në vija partiake votuan për të “konfirmuar aktakuzën” ndaj Presidentit Trump.  Për t’u bërë i plotëfuqishëm akti i “impeachment” apo konfirmimi i aktakuzës, nevojitet vota e shumicës së thjeshtë të Dhomës së Përfaqësuesëve dhe këtë democratët e kanë, andaj edhe aktakuza u konfirmua në të dyja nenet e veta – neni një që akuzon Presidentin për keqpërdorim të pushtetit të tij (apo detyres zyrtare) dhe neni dy që akuzon Presidentin për pengim të punës së Kongresit.

Sipas procedures kushtetuese amerikane, fakti që dje mbrëma i është konfirmuar aktakuza Presidentit Trump në asnjë mënyrë nuk nënkupton as shkarkim nga detyra e as ndonjë kufizim tjetër të ushtrimit të detyrës së tij. Realisht, të qenurit “impeached” apo me aktakuzë të konfirmuar, mund të cojë në shkarkim nga detyra zyrtare edhe Presidentin, por vetëm atëherë kur pas një gjykimi, ai do gjendej fajtor sipas aktakuzës në fjalë.

Tani, pasi që Dhoma e Përfaqësuesëve në të cilën democratët kanë shumicën (232 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesëve janë demokratë, 198 janë republikanë, 1 është i pavarur, dhe 4 karriga janë vakante, nga 435 anëtarë gjithësej sa ka Dhoma e Përfaqësuesëve), e ka konfirmuar aktakuzën në dy nenet e lartëcekura, sipas procedures kushtetuese amerikane, rasti përcillet në Senat.

Senati është i obliguar që të gjykojë secilin rast të “impeachment” pra secilin zyrtar të lartë shtetëror ndaj të cilit Dhoma e Përfaqësuesëve ka vendosur të konfirmojë aktakuzë për ndonjërin nga krimet e parashikuara me procedurën e “impeachment” sic janë krimet e larta ndaj shtetit, tradhëtia, apo marrja e ryshfetit. Nëse i akuzuari në fjalë është Presidenti apo Zëvendës Presidenti i SHBA-ve, atëherë gjykimi në Senat udhëhiqet nga Kryesuesi i Gjykatës Supreme të SHBA-ve, jo nga Kryetari i Senatit sic do ndodhte per cilido zyrtar tjetër.  Aktakuza e konfirmuar nga Dhoma e Përfaqësuesëve ndaj Presidentit Trump thirret në “abuzim të pushtetit” dhe “pengim të Kongresit” të cilësuara si krime të larta në kuadër të procedures se “impeachment.” 

Andaj, në momentin që aktakuza e konfirmuar i dërgohet Senatit të SHBA-ve, ata e kanë për obligim ligjor e kushtetues që nën udhëheqjen e Kryesuesit të Gjykatës Supreme të SHBA-ve (gjykatës më të lartë në vend), të gjykojnë rastin në fjalë dhe të shpallin verdiktin, pra të vendosin nëse i akuzuari, ne këtë rast Presidenti Trump është fajtor apo jo.

Për të dhënë verdikt të fajsisë, pra për të gjetur fajtor Presidentin Trump sipas aktakuzës në fjalë, dy-të-tretat e Senatit duhet të votojnë “për” apo “pro” verdiktit të fajsisë. Senati ka 100 anëtarë, dhe në këtë legjislaturë, nga këta 100 anëtarë, 53 janë republikanë, 45 demokratë, dhe 2 të pavarur. Pra, për të gjetur fajtor Presidentin Trump, jo vetëm se do duhej të votonin të gjithë demokratët dhe të pavarurit, por të paktën edhe 20 republikanë ashtu që të arrihej shumica e kërkuara e dy-të-tretave, pra të arrihej numri i 67 votave të domosdoshme për të shpallur aktgjykim fajsues për Presidentin Trump. E, në rast se kjo do të ndodhte, pra dy-të-tretat e Senatit do të votonin për një verdikt fajsues ndaj Presidentit Trump, atëherë ai do të largohej nga posti i Presidentit.

Sidqofotë, kur dihen ndarjet e thukta në këtë temë sipas vijave partiake, dhe kur kihet parasysh fakti se në Senat, republikanët kanë shumicën e anëtarëve, duket realisht krejtësisht e pamundur që një verdikt fajsues për Trumpin do të arrihet.

Andaj, të gjithë ata që me nguti e shpallën aktin e konfirmimit të aktakuzës ndaj Presidentit Trump nga Dhoma e Përfaqësuesëve të Kongresit si “shkarkim” ose “procedure për shkarkim” duhet të jenë më të vëmendshëm dhe të kuptojnë drejtë këtë procedure. Në fund të fundit, dihet postulati kryesor i drejtësisë “të gjithë janë të pafajshëm deri sa të mos jenë gjetur fajtor me verdikt gjylues.” E në rastin e Presidentit Trump, mundësia që të arrihet një verdikt gjykues që atë e gjenë fajtor është pothuajse zero.

*Faton Bislimi është anëtar bordi dhe coordinator për politika në Ballkan i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, si dhe anëtar i Këshillit për Diplomaci Qytetare të German Marshall Fund of the US në Washington, DC.

Filed Under: Politike Tagged With: Fation Bislimi, Impeachment

140 Vjetori i Betejës së Nokshiqit

December 19, 2019 by dgreca

Beteja e Nokshiqit/

Nga Esad GJONBALAJ/

Në dimrin e ftoftë të vitit 1879 dallgët dhe stuhitë ekspansioniste iu kishin vërsulur trojeve shqiptare. Pushtuesve osman ju kishte filluar t’i u lëkundej dheu nën këmbë, ndërkaq Rusia Cariste e fuqizuar me fitoren ndaj ushtrisë osmane  përpiqej ta  shtonte ndikimin dhe influencën e saj në Gadishullin Ballkanik.

Sllavet e Ballkanit përfitonin duke zgjeruar territore në dëm të trevave shqiptare. Vendimet e Kongresit famëkeq të Berlinit ndikuan që shqiptarët te ngrehin zërin e tyre në mbrojtje të tokave shqiptarë që rezultuan me faktin që krerët me më zë të kohës të organizohen përmes  Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Një nder nismëtarët kryesor të mbajtjes së Lidhjes së Prizrenit ishte edhe Ali Pasheë Gucia, sëbashku me Jakup Ferrin. Këto dy figura historike të  trevës tonë  sëbashku me burrat më  të mëdhenj të  kombit morrën vendimet më me rendësi për fatin e kombit shqiptar në  këtë periudhë  plotë  trazira të historisë  duke hedhur poshtë vendimet e Kongresit famëkeq të Berlinit dhe duke ua “kthyer pushkën” edhe fuqive të mëdha.

Para 140 viteve në  betejën e lavdishme të Nokshiqit  ra  heroikisht komandanti i forcave vullnetare mbrojtëse shqiptare Jakup Ferri  bashkë me 800 bashkëluftëtarë dhe 600 te plagosur . Jakup Ferri  me bashkëluftëtarë ra ne mbrojtje të shqiptarisë, duke arritur një nder fitoret më  të  lavdishme në historinë e popullit shqiptar vetëm me forca vetanake të përbëra nga vullnetarët e ardhur  nga të gjitha trojet shqiptare, të armatosur, dobët të pajisur me armatim elementar por me vullnet të zjarret në mbrojtje të atdheut.

Atdhetatarizmi dhe dëshira e shqiptareve për ti mbrojtur tokat e stërgjyshërve nga copëtimi mposhten ushtrinë e rregulltë  të okupuesve malazias  të udhëhequr nga Mark Milani, e cila ishte mirë e organizuar, e armatosur dhe e pajisur me armë më moderne të kohës  (topa, mitraloza, pushkë e revole) nga Rusia, e disa  shtete të tjera Evropiane. Forcat vullnetare shqiptare nën komandën e Jakup Ferrit i  shkaktuan humbje të mëdha në njerëz 2500 ushtarë të vrarë malazez dhe 1200 robër dhe teknikë ushtarake ushtrisë malazeze. Ne këtë përvjetor të përkujtimit të kësaj beteje mund të ndiejmë krenarinë tonë për sukseset dhe përkushtimin kohës të shqiptarëve të Plavë Gucisë por edhe përkrahjes së fuqishme  të krerëve e vullnetarëve nga trevat e tjera shqiptare. Në këtë përvjetor mund të parashtrojmë pyetjen historianëve të sotëm, pse vallë ky përkujtim jubilar po ikën dhe asnjë organizim dhe përkujtim, as i intelektualëve në mënyra vetenake por edhe asnjë aktivitet nga shtetet tona për Luftën dhe betejën e Madhe të Nokshiqit, që edhe  analistët e kohës e kishin  vlerësuar si bazament të vetëdijesimit kombëtar të faktorit shqiptar  për krijimin e shtetit shqiptar.

Kronisti i kohës i gazetës britanike The Guardien, Arthur Evans, në korrespodencat e asaj kohe dhe në librin e tij “Albanian Letters” pikërisht këtë luftë e kishte  vlerësonte si një ndër hapat e par që shqiptarët i kishin ndërmar për të luftuar me qëllim të krijimit të  shtetit të  tyre nacional. Po ashtu  me 2 maj te vitit 1880 gazeta “New York Times” kishte botuar një artikull për Plave Gucinë

Artikulli fillon kështu: ” Gucia dhe Plava janë përfolur shumë lidhur me marrëveshjen e çështjes së kufijve në mes të Malit të Zi dhe Portës. Në çdo qytet të Evropës këto dy qytete (Plava e Gucia) janë bërë temë e diskutimeve në qarqet diplomatike; emrat e tyre janë publikuar me qindra herë në çdo gazetë të rëndësishme botërore, dhe telegramet përmes Atlantikut kanë ardhur deri te ne….artikulli vazhdon.

 Nëse para 140 vjetësh “Të gjitha kryeqendrat botërore ishin marrë  me Plavën e Gucinë”, atëherë çka po bëjmë ne sot që ta ngrisim zërin për padrejtësitë e bëra në këto troje ?

Po ashtu në Muzeun Kombëtar në Tiranë ekziston flamuri kombëtar me i vjetri i ruajtur nën të cilin shqiptarët e të gjitha trojeve etnike kishin luftuar të bashkuar në këtë betejë, që është edhe një dëshmi bindëse se aty ishte luftuar për shtetin shqiptar dhe ishin  mbrojtur  kufijtë e Shqipërisë së natyrshme.

Ky përvjetor i 140 jubilar është moment i duhur për korrigjimin e gabimit historik për mosdekorimin deri më tash (përkundër premtimeve edhe nga Shqipëria edhe nga Kosova) të kryekomandantit ushtarak Jakup Ferri i cili me strategji të vetën ushtarake e trimëri të treguar në fushëbetejë ku edhe kishte flijuar jetën e vetë,  dhe me arritjen e njërës nga fitorët më të lavdishme të popullit shqiptar e ka merituar të shpallet HERO I KOMBIT SHQIPTAR.

Në këtë datë të harruar,  Plava e Gucia thërrasin në ndërgjegjen e përgjegjësve, si të historianëve, intelektualëve dhe të udhëheqësve të  shteteve tona, sepse qe 140 vite rezistojmë thuajse të vetëm duke kulluar gjak nga plagët e tentimeve sllave për konvertim, të asimilimit, e plagët e rënda të  mërgimit. Në këtë përvjetor u themi se heshtja është krim ndaj historisë së lavdishme të LUFTES SE NOKSHIQIT.

KUJTIM E LAVDI PËR JETË E MOT TRIMAVE TË NOKSHIQIT.

 img: GUCIA dhe PLAVA NE “NEW YORK TIMES” 2 MAJ 1880

Filed Under: Fejton Tagged With: Beteja e Nokshiqit, Esad Gjonbalaj

Qasja enveriste e Ramës ndaj mediave

December 19, 2019 by dgreca

Nga  Sokol PAJA/ New York/

 Në të gjitha regjimet autoritare, lufta ndaj medias është pjesë e pandashme e propagandës shtetërore me qëllim fshehjen e dështimeve e skandaleve të qeverisë, ç’qëndërzimin e vëmëndjes së opinionit publik, shmangien nga përgjegjësia dhe krijimi i një realiteti imagjinar krahas problemeve reale që kalon vëndi. Etja e kryeministrit Rama për të kontrolluar me ligj dhe dënuar institucionalisht çdo media që guxon të kritikojë regjimin është një qasje e pastër totalitare. Lufta e Ramës ndaj mediave të kujton leksionet mbi gazetarinë që mbante Enver Hoxha nëpër koperativat bujqësore në fshatrat e myzeqesë në vitet 60′. Regjimi autoritar i Edi Ramës ka hapur një spirale të shëmtuar lufte ndaj fjalës së lirë. Që pas ardhjes në pushtet, Rama u tregua shumë dinak në marrëdhënie me mediat. Pasi i zotëroi deri në skllavërim 90 të mediave audiovizive, online dhe print pasi i poshtëroi publikisht duke i quajtur kazan, fundrrina e së fundmi edhe kriminelë, me paketën e re ligjore anti-shpifje ai po zyrtarizon funeralin e medias dhe të fjalës së lirë në Shqipëri. Rama në administrimin e pushtetit dhe marrëdhënien e tij me median dhe aktorë të tjerë, reflekton qartazi një qasje enveriste. Që propaganda shtetërore komuniste të ketë sukses, duhet shpikur një armik i cili trumbetohet nga agjit-propi shtetëror si rrezik, kërcënim, shkatërrim i unitetit parti-popull. Enveristi Rama e gjeti armikun fajtor median. Arroganca shtetërore, ndërsimi i orkestruar, egoizmi dhe nervozizmi i funksionarëve publikë, paaftësia në menaxhimin e katastrofës pas termetit, keqqeverisja 6 vjeçare, dështimi fatal i politikave publike, korrupsioni galopant, rënia ekonomike, oligarkia, shpopullimi i vëndit, varfërimi i tejskajshëm i shqiptarëve, kontrolli mbi të gjitha institucionet e varura dhe të pavarura, asgjësimi i opozitës, zgjedhjet moniste, dështimet e njëpasnjëshme, sipas Ramës janë për fajin e medias. Kjo një gjetje aspak inteligjente e pushtetit autoritar të Ramës në një kohë kur nevoja për qeverisje të mirë dhe rindërtim është më e madhe se kurrë. Rama në luftën ndaj medias ka ngjallur modelin totalitar të Enver Hoxhës. Në Shqipërinë komuniste në vitet 60, diktatori Hoxha në një bashkëbisedim me koperativistët e fshatit Krutje, u mban atyre leksione gazetarie, më gjasmë duke sulmuar gazetarët e kohës që nuk pasqyronin si duhet lumturinë e masave në komunizëm dhe fitoret e revolucionit proletar. Hoxha i fton koperativistët dhe i mëson sesi të shkruajnë e raportojnë dhe madje i nxit që më çdo kusht të pasqyrojnë parajsën komuniste. Të njëjtën gjë po bën dhe Rama e instrumentat e tij politik e propagandistik ku fajësojnë median për qeverisjen e keqe dhe paaftësinë në përmbushjen e detyrave publike. Lufta ndaj medias, shtypit, botimeve, është kthim në diktaturë. Çdo akt që prek lirinë e medias është atentat ndaj demokracisë. Sot Shqipëria nuk ka nevojë për ligje që i marrin shpirtin fjalës, por për fjalë e vepra të mira që të ndërtojmë një shtet institucionalisht dhe shpirtërisht të shëndoshë përballë sfidës së ringritjes, rindërtimit, zhvillimit dhe integrimit kombëtar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Sokol paja- Qasja enveriste-Qeveria Rama-Mediat

BANDA MUZIKORE “VATRA”, KRIJUSE E BANDËS KOMBËTARE

December 18, 2019 by dgreca

Të njohum historinë e Vatrës-

Vatrani Thoma Nassi, krijues i Bandës zyrtare të Shtetit Shqiptar prej Bandës së Vatrës, që shkoi në Shqipëri më 1920.

NGA DALIP GRECA/

Në një mesazh që mora këto ditë nga kompozitori dhe etnomuzikologuinjohur Vasil LTole, u informova se me 11 prill 2013, në sallën e aktiviteteve të Qendrës së Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes(QKMBM) në Tiranë, institucion në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, do të organizohen veprimtari kushtuar Bandës muzikore të Vatrës. Veprimtaria do të jetë komplekse; do të ketë një Ekspozitë fotografike kushtuar Bandës Vatra, si themel i Bandës së Shtetit Shqiptar,një tablo për aktivitetin e bandave të tjera muzikore në Shqipëri, ekspozitë me fotografi që përfshijnë shek. XIX deri në ditët e sotme.

Po ashtu do të organizohet edhe një Akademi Përkujtimore kushtuar krijuesit të bandës, kompozitorit Thoma Nassi dhe rolit të bandës në zhvillimet muzikore dhe politike në Shqipërinë e viteve 1920- 1930, ku do të referojnë studiues të njohur të kësaj fushe Eftim Dodona, Frederik Stamati, Koço Gjipali dhe Vasil S. Tole.

 Me këtë rast iështë propozuar Ministrit të Mbrojtjes z. Arben Imami, që të dekorojë me “Medaljen e shërbimeve të veçanta”  banden muzikore shqiptaro-amerikane “VATRA” dhe themeluesin e saj Thoma NASSI per rolin e tyre të jashtezakonshëm në Luftën e Vlorës-1920 dhe në krijimin më pas të Bandës zyrtare të shtetit shqiptar, sot Orkestra Frymore Kombëtare e Forcave të Armatosura.
Në mjediset e jashtme të QKMBM-së (ish-Shtëpia Qendrore e Ushtrisë), në përfundim të aktivitetit parashikohet organizimi i një koncerti festiv nga Orkestra Frymore Kombetare e Forcave te Armatosura-OKFKA. Federata Vatra do të japë kontributin e saj me materiale fotografike dhe arkivore në këtë veprimtari.

                    SI LINDI BANDA E VATRËS

  … Është rasti që të ndjekim gjurmët e Bandës së Vatrës nga Worcester-i, Massachusetts në Shqipëri.

Banda muzikore me emrin”Vatra” kishte për themeluesThoma Nassi.Ajo lindi në Worcester, Massachusetts, më 11 dhjetor 1917. Kjo e dhënë vjen nga themeluesi i saj Profesor Nassi, ndërsa në një shkrim të botuar në gazetën Dielli në prill 2012, me bashkautorë Frederik Stamati dhe Ariola Prifti, jepet data 17 dhjetor 1916, ndërkohë që po aty konfirmohet se në vulën mbi instrument është stampuar data 11 dhe jo 17.Logjikisht mbetet dat 11 dhjetor si ditëlindje e kësaj bande. Në kujtimet që ka lënë pas Thoma Nassi e përshkruan bandën Vatra si një krijesë që e kërkoi koha.Ajo përbëhej nga emigrantë të zakonshëm që nuk kishin as përvojë dhe as dije muzikore. Natyrisht që kishte edhe njerëz të dijshëm në të, sic ishte dhe kompozitori i Hymnit të Vatrës, Ajdin Asllani, i diplomuar në Bukuresht. Por pjesa më e madhe ishin punëtorë që punonin tërë ditën në fabrika, por me vullnet dhe dëshirë arritën që brenda një viti të mësonin dhe të përballonin me sukses koncerte të shumta në Boston, Worcester, New Bedford, Massachusetts, në Camp Devens, në Portland, Biddeford, në Maine, dhe në qytete dhe qyteza të tjera, koncerte të cilët u dhanë për llogari të Kryqit të Kuq Amerikan dhe organizatave të tjera të bamirësisë.Ndërkohë ekzistonte në SHBA dhe një bandë tjetër muzikore e djemëve shqiptar të Amerikës, në Jamestown në New York, e cila drejtohej nga korçari tjetër, Thoma Vishnja.Kjo quhej banda “Sofia” për nder të Mbretëreshës Sofia, e shoqja e Princ Wiedit dhe ishte krijuar që më 1915.

Në pranverën e vitit 1920 ishte hedhur idea e dërgimit të njëgrupimi të konsiderueshëm emigrantësh në Shqipëri për të ndihmuar çështjen kombëtare.Prej kohësh nën drejtim e Aqif Përmetit kishin nisur përgatitjet për stërvitjen e trupave vullnetare dhe rreth 120 ushtarë ishin të gatshëm për t’u nisur drejt Shqipërisë.Bashkë me ta ishte hedhur ideja qëtënisej edhe banda muzikore e Vatrës, si dhe disa atdhetarë të dijshëm, që me kontributin e tyre do t’i ndihnin çështjes kombëtare.

   Problemi qëndronte se kush do ta drejtonte bandën muzikore të Vatrës? Thoma Nassi ishte i vetmi që kishte përvojën e duhur dhe njohuri profesionale.Ai asokohe sapo qe liruar nga ushtria amerikane, ku kishte shërbyer si drejtues i një orkestre.Nassi e kishte një arsye njerëzore që të hezitonte për t’u nisur, pas lirimit nga shërbimi ushtarak ishte martuar. Në shënimet e lëna në formë kujtimesh ai e pohon se “nusja e re ishte një arsye hezitimi”, por për shkak se banda nuk mund të shkonte pa drejtuesin e saj dhe se ai ishte i vetmi që mund ta kryente atë detyrë,i dha fund mëdyshjes dhe u nis së bashku me grupin muzikor.

  Udhëtimi u realizua me një anije italiane, por italianët u nxorën shumë pengesa gjatë kalimit në Itali, siç u nxorën edhe në Shqipëri, ku ishpallën ”persona non grata”. Pas një qëndrimi të shkurtër në Brindizi, anija u lejua që të nisej drejt portit të Durrësit. Populli i priti me brohoritje në port, edhe pse italianët që atë kohë mbanin të pushtuar Durrësin, e shtuan përshëprimën dyshuese për misionin e tyre. Duke qenë se përveç Durrësit, italianët mbanin të pushtuar edhe Vlorën, Tepelenën, Sarandën e Gjirokastrën, i shihnin dhe i trajtonin si persona të dyshmtë bijtë e shqiptarëve të Amerikës. Pas një qëndrimi disaditorë në Durrës u nisën me kamionë drejt Tiranës, ku populli, qeveria e përkohshme dhe klerikët i pritën me brohoritje, lule dhe bujari. Qeveria e kishte kuptuar vlerën e një turneu të bandës së Vatrës për të rritur moralin e popullatës dhe për ta bërë atë më koshiente për çështjen kombëtare, që ishte e kërcënuar.

    KONCERTE NGA SHKODRA NË GJIROKASTËR, ELBASAN, DELVINE DHE NE DRASHOVICE,KU ISHTE NDEZUR LUFTA E VLORES

Pas qëndrimit në Tiranë, banda e Vatrës u ftua që të jepte koncerte në qytetet e mëdha të Shqipërisë. Këshilli i Regjencës, që drejtonte vendin, në të cilin  bënte pjesë edhe Sotir Peci, e kishte kuptuar fare mirë dobinë e koncerteve të bandës së Vatrës, prandaj kërkoi që koncertet të shtriheshin në të gjithë Shqipërinë. Vetë Sotir Peci e njihte mirë zjarrin e atdhetarisë të shqiptarëve të Amerikës, sepse ai kishte kontributin e vet, krahas Petro Nini Luarasit, Fan Nolit, Faik Konicës dhe patriotëve të tjerë. Gazeta “Kombi” që pat botuar Peci në Amerikë kishte pjesën e saj në rritjen e ndjenjës kombëtare tek shqiptarët e Amerikës.

  Pas Durrësit dhe Tiranës, banda e Vatrës u ftua që të jepte koncerte në qytetin e lashtë me plot kulturë e tradita muzikore, Shkodër. Pritja e shkodranëve ishte e mrekullueshme.Bashkë me bandën këndonte dhe populli.Pas Shkodrës, banda u zhvendos në qytetin e Elbasanit.Edhe aty u dhanë koncerte që u mirëpritën nga elbasansit, të shquar për tradita muzikore dhe arsimore, me të parën shkollë Normale.

Edhe pse italianët i paraljmëruan që të mos udhëtonin drejt jugut, banda e Vatrës, nuk u ndal.Ajo shkoi në Delvinë dhe në Sarandë, ku dha koncerte të suksesshme dhe e bëri popullin për vete. Gjirokastra u bë vendqëndrimi i djemëve muzikantë nga Amerika. Edhe pse aty ishte vendosur komanda italiane që i ndiqte me rreptësi lëvizjet e bandës, koncertet nuk u ndërprenë.Problem mbetej Tepelena.Garnizoni Italian ishte vendosur në kalanë e lashtë të Ali Pashës.Djemtë e ardhur nga Amerika e morën në sy rrezikun dhe u bënë gati të niseshin drejt Tepelenës.Bashkë me ta ishin dhe vullnetarët, bijtë e vatranëve. Forcave u prinin dhe dy gjeneralë shqiptar tëish ushtrisë turke. Ndërkohë i gjithë populli ishte ngritur në këmbë për të nxjerrë italianët jashtë kufijëve.Prania e bandës së Vatrës dhe e djemëve vullnetarë të veshur me uniformat karakteristike të përgatitura në Amerikë, shërbeu si një shembull frymëzimi për të mbushur radhët e ushtrisë popullore në Luftën e Vlorës.

BANDA E VATRES DHE DELEGACIONI I LIDHJES SE KOMBEVE NË KORÇË

Dukej se italianët që nuk donin të lëshonin Vlorën dhe rrethinat, Tepelenën dhe Sarandën, ia kishin shkelë syrin grekëve për trazira dhe pretendime në Korçë, Bilisht, Ersekë dhe Përmet.

Në këto rrethana Qeveria i propozoi bandës së Vatrës dhe ushtarëve vullnetarë shqiptaro-amerikanë një zhvendosje në Ersekë, Përmet dhe Korçë, ku konflikti ishte i ndezur.Si në Përmet ashtu edhe në Ersekë shqiptaro-amerikanët u pritën me brohoritje dhe thirrje gëzimi.Hyrja në Korçë ishte e jashtzakonshme. Ja se si e përshkruan këtë moment Thoma Nassi: Banda ” Vatra” ka luajtur triumfalisht dhe me krenari në Korçë, e  rrethuar nga të dyja anët nga korçarët, të cilët na mbuluan me një shi lulesh, me thirrje gëzimi dhe lot. Korça ishte duke u përgatitur për t’u bërë ballë grekëve të cilët ishin të mobilizuar në pikat kufitare në afërsi të Bilishtit.Presidenti i grupit tonë, Kosta Pano, kaloi shumë netë pa gjumë në biseda me oficerët shqiptarë dhe mbrojtësit në kufi, në pritje të një konflikti të pashmangshëm.”

Është koha kur Lidhja e Kombeve, duke kërkuar për të shmangur gjakderdhjen, dërgoi një delegacion në Korçë nën udhëheqjen e profesorit Sederholm.Delegacionit i ishte dhënë autoriteti për të zgjidhur mosmarrëveshjet ndërmjet Shqipërisë, Italisë, Greqisë dhe, mbi linjat kufitare të përhershme. Grekët pretendonin në mënyrëabsurde  se Bilishti, Korça, Erseka e Përmeti ishin populluar nga grekë.

    Delegacioni i Lidhjes së  Kombeve  ishte i impresionuar pozitivisht nga prania e  Bandës së Vatrës dhe vullnetarët e ardhur nga Amerika. Ata u bënë pjesmarrës të koncerteve. Banda filloi të lunate nga dy koncerte  nëjavë në qiell të hapur në Kopështin e Themistokli Germenjit. Programet e koncerteve përbëheshin nga pjesë të muzikës klasike,nga një uverturë, një pjesë simfonike, zgjedhje operistike (zakonisht Wagner),si dhe pjesë nga  Shtraus, dhe këngë shqiptare, ku shoqëronte dhe komuniteti i pranishëm.Korçarët, të veshur me rrobat më të mira që kishin, merrnin pjesë familjarisht në këto koncerte dhe duartrokisnin me zjarr e brohoritje.Dashuria e njerëzve për muzikën ishte fenomenale, ndërkohë ndjenja kombëtare kishte pjesën e vet në ato koncerte.

Në kujtimet e veta Prof. Thoma Nassi shkruan se nuk  iu shua nga kujtesa nata e Krishtlindjeve në Korçë. Iu desh që tëpërgatitej , të përkthente në gjuhën shqipe tekste të këngëve dhe t’ua mësonte 60 pjestarëve të korit, të cilët i përvetësuan tekstet dhe muzikën në një kohë rekord, ndërkohë që banda lunate pjesë orkestrale. Kjo ishte shfaqja e parë e një oratoriumi në Shqipëri.Pjesmarrja ishte e jashtzakonshme.Gjithandej brohoritje dhe kërkesa për të përsëritur çdo numër të programit.

Gjatë kësaj periudhe, delegacioni i Lidhjes së Kombeve ishte pranë bandës dhe  mori pjesë në koncerte, sidomos Profesor Sederholm, i cili ishte një admirues i zjarrtë Wagner. Ai dhe maestro i bandës së Vatrës, Nassi, u bënë miq, sa profesori shkonte edhe në shtëpinë e Nassit dhe i gëzohej traditës dhe kuzhinës tradicionale shqiptare, si dhe librave të pakta që kishte sjellë nga Amerika.

Në bisedat që bënte me Profesor Sederholm, Nassi ka guxuar dhe i ka kërkuar atij t’i thoshte diçka për të ardhmen e qyetit të lindjes, Korçës. Në intimitet, Profesor Sederholm e paralajmëroi Nassin, që të ishte i kujdeshëm, që të mos e dëmtonte çështjen kombëtare, por i shfaqi mendimin e tij se Kombi shqiptar, që kishte nxjerrë luftëtarë trima, që kishte nxjerrë pjestarët e kësaj bande të mrekullueshme, që kishin aq dashuri për muzikën, që kishte nxjerrë ata djem vullnetarë që kishin lënë Amerikën për të ndihmuar Atdheun, e meritonte lirinë.

Thoma Nassi shkruan në kujtimet e tij se ishte i sigurtë se rekomandimet e Profesor Sederholm, kishin luajtur rolin e tyre përcaktuese për lirinë e Korçës me rrethinat.

Banda e Vatrës, jo vetëm që i dha gjallëri jetës kulturore në Korçë, por ajo nxiti dhe krijimin e grupeve dhe bandave të tjera muzikore. Kështu u krijua  “Banda e Korçes” nga studentët e rinj, dhe në një periudhë të shkurtër kohe, filloi të japë koncerte. Nisi organizimi i festivalit të Muzikës.U vu në skenë Opera e parë shkurtuar,”Il Trovatore” etj. Në këtë ambjent të etur për kulturë Thoma Nassi kompozoi shumë këngë, tekstet e të cilave u shkruan nga shqiptarë të njohur të kohës, si Kristo Floqi, Remzi Ojteze, Ali Asllani, dhe të tjerë. Këto këngë të reja u përhapën me shpejtësi rrufeje në të gjithë Shqipërinë.

NGA KORÇA NË DRASHOVICË, KU ISHTE NDEZUR LUFTA E VLORËS

Kur vera kishte nisë të nxehte dhe banda e Vatrës ishte bërë si e shtëpisënë Korçë, vjen një thirrje nga Vlora, ku bëhej luftë. Ishte qershor 1920.Përmes një telefonate u kërkohej zhvendosja në Vlorë për të dhënë koncerte me qëllim që t’u ngrihej morali forcave që luftonin furishëm në Tepelenë, Drashovicë dhe kodrat përreth qytetit të Vlorës.

Kjo luftë e pashembullt, ku luftonte një popull i vogël dhe i paarmatosur me një fuqi të madhe kishte marrë përmasat e një betejë epike dhe kishte tërhequr  vëmendjen e të gjithë botës. Ndër korrespondentët e huaj që mbulonin luftën, shquhej Edsel Mowrer, që shkruante për  Chicago Daily News dhe Washington Post. Dukej se të gjithë korrespondentët ishin në anën e shqiptarëve ,trimëria e të cilëve përshkruhej me nota epizmi.Luftëtarët shqiptarë kishin tërhequr vëmendjen kur me brucat e tyre të leshta hidheshin mbi barrikadat me tela me gjemba, duke iterrorizuar italianët. Të gjitha këto tërhoqën vëmendjen e djemëve shqiptaro-amerikan që u bënë dëshmitarë dhe luftëtarë të një lufte epike.

Nasi na përcjell informacionin se Banda e Vatrës ishte e vendosur në Drashovicë dhe ishte e mbështetur nga Kryqi i Kuq Amerikan nën drejtimin e Charles Hollingshead, i cili më vonë organizoi Shkollën Teknike në Tiranë. Banda shkonte dhe jepte koncerte në front. Kishte raste, ku jepeshin dhe dy ose më shumë koncerte në ditë. Pjestarët e bandës gjatë kësaj kohe ndihmuan edhe në Spitalin e Kryqit të Kuq, duke u kujdesur për të plagosurit e tëdy palëve, shqiptarë dhe italianë.

Në shënimet e Thoma Nassit vijnë edhe të dhëna për luftën, si psh fakti që nëfshatin Vajzë të Vlorës luftëtarët shqiptarë kishin kapur robër 400 italianë.Problem mbetej ushqimi i tyre dhe transportimi për në Vlorë. Po ashtu Nassi kujton:” Kam bërë disa udhëtime në Vlorë me z Hollingshead dhe vura re demoralizim të plotë të ushtrisë italiane nga njëra anë, dhe luksin në të cilin jetonte Komandanti i Përgjithshëm, Gjeneral Piacentini, në një nga pallatet në Vlorë.”Komandanti i Përgjithshëm na ftoi të ulemi në tryezë me të, dhe ne e bëmë këtë. Natyrisht,unë isha i maskuar si një nga pjestarët e personelit tëKryqit Kuq Amerikan. Sikur Komandanti i Përgjithshëm t’mëkishte  njohur se unë isha një shqiptar “spiun”, fati im do të kishte qenë i dyshimtë!”

 Nassi kujton se ato kohë një poezi e bukur i rrëmbeu zemrat e shqiptarëve, ajo ishte poezia” “Vlora, Vlora, bjeri më të lumtë dora.”, të cilën gabimisht ai ia atribuon si autor Bajrma Currit, por në fakt ishte poeti i njohur vlonjat Ali Asllani.Teksti e impresionoi Thoma Nassin, i cili vendosi që t’i kompozonte muzikën dhe kënga u bëshpejt shumë popullore dhe u përhap në të gjithë Shqipërinë.

Sipas Dorothy Thompson, në një prej transmetimeve tëradios së saj, “Shqiptarët kishin kënduar ‘Vlora, Vlora’, ndërsa ishin duke sulmuar italianët.” Ditën e përfundimit të luftës, ku italianët u tërhoqën në ishullin e Sazanit, Banda e Vatrës ishte në krye të marshuesëve fitimtarë, duke kënduar”Vlora, Vlora…!”.Populli i priti më brohoritje e thirrje gëzimi.Të vegjlit shquheshin duke kënduar bashkë me bandën.

Pas përfundimit të Luftës së Vlorës, banda u kthye sërish në Korçë, ku dha një kontribut të jashtzakoshëm në gjallërimin e jetës kulturore dhe artistike.Vetë Thoma Nassi, i cili u vendos në Tiranë, inspiroi zhvillimin muzikor të vendit.Përmes Ministrisë së Arsimit ai organizoi mësimin e muzikës nëtë gjitha shkollat e vendit. Po ashtu stimuloi artistët e rinj, që vinin nga Shkodra apo Korça si: Kristaq Kono, Juri Trebicka, Luigj Filai, Kristaq Antoniu etj. Ai bashkëpunoi me Fan S Nolin dhe me Ahmet Zogun. Për të dy flet plot simpati për njohuritë dhe shijet muzikore”. Këngët e Nassit u bënë shumë të njohura në Shqipëri si:  “Kenga e Mullirit”, “Kenga e Bariut” dhe “Kater Valle” etj.

                                      ***

Pas gjashtë vitesh kontribut të jashtzakonshmë, në mesin e vitit 1926 Thoma Nassi vendosi që ta linte Shqipërinë dhe së bashku me bashkëshorten dhe tre fëmijët që duheshin shkolluar u kthye në Amerikë.Ndërkohë Banda e Vatrës e kishte kryer shërbimin e saj dhe ishte kthyer në Bandë e Shtetit Shqiptar. Pat disa konflikte mes Vatrës dhe Shtetit shqiptar, konflikt që u debatua edhe ne Parlament, që ishin të natyrës financiare, kush do t’i paguante pjestarët e bandës, që patën lënë Amerikën për të t’i shbyer shtetit shqiptar. Gjithësesi banda i shërbeu Republikë si bandë e saj deri në vitin 1934, kohë kur u ngrit banda e re me përzgjedhje profesioniste me një konkurs ndërkombëtar.

Po kush ishin anëtarët e Bandës së Vatrës? Duke qenë se nuk e disponojmë listën e plotë të anëtarëve, nuk është as në rekordet e arkivit, po përdorim një listë të anëtarëve të Bandës gjatë fushatës për shpëtimin e Shqipërisë, organizuar nga VATRA, për të rikthyer pavarësinë e humbur të shtetit shqiptar. Tek lista e kontributorëve gjenden edhe listat e dhuruesë të Bandës së Vatrës, pa pretenduar se kjo ëhtë lista e plotë.

Kontributi i bandes “Vatra” me 3 Qershor 1917, ne Fushaten “Per Shpetimin e Shqiperise”: BANDA  “VATRA” ,  WORCESTER,  MASS.

Profesori  Thoma  Nasi                   $   10

Kosta  Pano                                        $   15

Vangjel  Sotir                                     $   25

Zissi  Morçka                                      $   10

Loni  Treska                                        $   10

Kristaq  Koço                                      $   10

Koli  Morçka                                       $   10

Sotir  Tërpatsi                                    $   10

Zissi  Stavre                                         $   10

Petraq  Th.  Peci                                                $   10

Vasil  Kristo                                         $   10

Petro  Ndina                                       $     5

Petro  Themistokli                           $     5

Sami  Isuf                                             $   10

Rauf  Grapshi                                     $   15

Dhimitri  Kristo                                  $     5

Kosta  Shoqo                                      $     5

Lambi  M.  Qirjako                            $   10

Stavre  Z.  Boboshtica                     $   10

Kristaq  Vasil                                       $   10

Lazo  Shagla                                        $   10

Bajram  Konispoli                             $   10

Filed Under: Featured Tagged With: Dalip Greca-Banda VATRA-Thoma Nassi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 36
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT