• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2019

GËZUAR 2020!- FLASIM SHQIP SE JEMI SHQIPTARË!

December 30, 2019 by dgreca

FESTA E SHKOLLËS SHQIPE “VATRA” NË CLEARWATER-TAMPA: FLASIM SHQIP SE JEMI SHQIPTARË!/

Shkruan: LUAN KALANA/ Me shume foto gjeni ne fb-dielli vatra

Clearwater Florida USA. Mes një atmosfere festive me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollës, prindërve dhe të ftuarëve, u përcoll me gëzim, Urimi për Vitin e Ri 2020 edhe këtu në mërgim,në kommunitetin shqiptar Clearwater të Tampa Bay,USA.

 Koncerti i fëmijëve të shkollës, kokteji dhe muzika ishte një manifestim familjar e prindëror bashkë me dhuartat, një eveniment me vlera atdhetare që ju bashkua gëzimit të fëmijëve për Vitin e Ri 2020.Ishte një aktivitet dhe një organizmi për tu vlerësuar, mbreslënës nga dega “VATRA” në Tampa Bay,me Presidentin ,patriotin e palodhur ,mërgimtarin z.Tasim Ruko. Meritë të veçantë ka drejtuesja e aktivitetit ,Mësuesja znj.Meri Andrea Kodra,me talentin e saj dhe përvojën artistike ish Mësusese edukatore e shquar në qytetin e Korçës,me grupin artistik të shkollës të veshur kuq e zi ,me ngjyrat e Flamurit kombëtar, përcollën me repertorin e larmishëm me këngë, recitime, lojëra e valle,mesazhin simbolik “Flasim Shqip ,jemi Shqiptarë !” U këndua e u recituan nga fëmijët në shqip,për Vitin e Ri,për Atdheun,për Shqipërinë .Ato ishin emeocionuese dhe prekëse dhe u duartrokitën e u shoqëruan me lot gëzimi nga shumë prej pjesmarrësve që kishin mbushë sallën. Akoma më të bukur e bënë festën ,artisti kantautori Tomi Flilpi,i cili këndoi pa pushim gjatë gjithë mbrëmjes bashkë me fëmijët të shoqëruar nga DJ maestro Armandi Zaçellari,të cilët i dhanë gjallëri ambjentit festiv,me këngë e vallet për fëmijë nga të gjitha trevat shqiptare. Ndihmesë dhe kontribut, në organizimin e Festës dhanë Adriana sa bashku me familjen, rregulloi ambjentin dhe gjithë kohës së bashku me Gentianan,Sonilen ,Anilën, Diara,Lolan qëndruan të gatshme për ndihmë… Po kështu edhe prindi Bardha Kokonozi dha ndihmesën e saj në dhuratat për fëmijët. znj.Adriana solli suprize edhe babagjyshin e vitit të ri ,znj. Gitjana Gjyshi me grupin e valleve ,,lojrat,mësuesi Haki Veliun dhe gruan e tij që është pranë shkollës së bashku me në ndihmën Mësuesen Anna Kullaj,znj.Elida Rembeci Kallanxhi që ndihmon në dhënien e mësimit të gjuhës.dhe Paul Qendro në ndihmë të organizimit dhe përgatitjes të sallës.e të tjerë. Nuk mund të lemë pa faelnderuar e përmendur,sponsorit ata që mbushën tavolinat plot me pizza , ushqime e pije të bollshme :- Klarenc Novaku i New York New York Pizza, dhe- Oltian Ndreu i Bro’s Pizzeria,Isuf Spahija si dhe “Central Christian Church” për ambjentin dhe pajisjet e vëna në dispozicion. Evenimetit artistik e pasuruan me fjalët e tyre pershëndetëse dhe me dhurata për fëmijet të ftuarit Dr. znj.Anna Kohen,themeluse e  presidente e AAWO “Motrat Qiriazi”- tash dega e Florides, një aktiviste e shquar e kudondodhur e cila shpërndau dhurata simbolike për fëmijët.- Aktori i talentuar imirenjohur,z.Aleksandër Rrapi, që përshëndeti të pranishmit dhe hodhi ide të vyeshme se si shkolla shqipe “Vatra” dhe komuniteti shqiptar të forcojnë bashkëpunimin për praktikimin e traditës kulturore shqiptare;.Luan Lumeka Kalana, poet, i cili inkurajoi nxënësit në rrugën e tyre të dijes dhe shpërndau disa libra dhurata nga botimet e tij. Atmosfera festive arriti kulmin kur në sallë hyri Babagjyshi,Plaku i Vitit të Ri,i mirëpritur nga fëmijët i veshur tradicional,i cili shpërndau dhurata e çmuara e nga një çantë plot çdo për fëmijë , nga shoqata VATRA ,nga z.Tasim Ruko.Gjatë koncertit e pas saj ,Mësuesë ,prindër e të ftuar vallzuan bashkë me fëmijët duke kënduar e brohiritur : “-Flasim Shqip ,jemi Shqiptarë” Mirënjohje ,falenderim dhe Urimi ynë buron nga zemra ,Gëzuar r Vitin e Ri 2020 Mirëupafshim në aktivitete e Festa të tjera ,shkolla Shqipe ‘VATRA”,Clearwater Florida .

*  Luan Kalana,-publicist shqiptaro-amerikan Celarwater Florida 29 dhjetor 2019.

Filed Under: Featured Tagged With: Clearwater

2020 VITI I AT GJERGJ FISHTES

December 30, 2019 by dgreca

Kujtoj…Sot, mbas pak vjetësh librin/

Daniel GAZULLI – Fritz RADOVANI/

Në 70 – vjetorin e vdekjes së Poetit tonë Kombëtar!/

Ia kushtojnë, Autorët./

Dhjetor 2010./

Kopertina®: Foto e Përkrenares Gj. Kastriotit Vienë, D. Gazulli 2007/

                Portret i At Gj. Fishtës, Grafikë nga F. Radovani, 2010./

JETA DHE VEPRA E

AT GJERGJ FISHTËS OFM.

ASHT  PËRGJITHMONË:

MENDJA, ZEMRA DHE SHPIRTI I

POPULLIT SHQIPTAR!

30 Dhetor 1940…

Nalt nga qielli zbret një Engjëll e bie tue përplasë Flatrat  e Tij…

          Asht Flamuri i Shqipnisë, që mbulon Fytyrën e Poetit tonë Kombëtar…

          E bashkë me Te… vorroset edhe Ai, ndoshta përgjithmonë….

Themi përgjithmonë, mbasi atë ditë nuk u vesh vetëm Shkodra, Malet e fushat e saja me të zeza, po u vesh gjithë Shqipnia, tue hy në zi të pafund të vitit 1941…

Plot 70 vjet ma parë! Kur Shqiptarët menduen se një zemër e madhe pushoi së rrahuni, pikërisht prej asaj dite Ajo vazhdoi me gufue ma shumë se kurrë, për t’ i ndejë fjalës së dhanun:

          Kurrë, Shqipni, s’kam me t’ harrue,

          Edhe në vorr me t’ përmend kam.

E kjo, me siguri, asht arësyeja që At Gjergj Fishta, vazhdon mos me u prehë në vorrin e vet!

Me mbarimin e luftës, re të zeza, ngarkue me llohë stepash ruse e zgjyrë kulisash serbe, u shfaqen në qiellin e letrave shqipe, si në gjithë jetën shqiptare, e zunë yjet ma të ndritun; ndër ta edhe yllin e kalvarit të mundimeve shekullore, At Gjergj Fishtën. Por ai:

          Ndërtue kishte ‘i pomendore,

          rr’fe as mot mos m’e dërmue.

Nuk mund të shkatrrohej vepra e Tij gdhenë me daltë hutash e martinash drejtpërdrejt mbi shkambijtë alpinë; nuk mund të shuhej Ai vullkan, shpërthye ma shumë prej zemres se sa prej mendjes së Poetit erudit. Kujtuen përbindshat katilë se vullkanin do të mund ta shuenin përgjithmonë tue hedhë baltë mbi te, po më kot: Ai shfaqej e rishfaqej me një shkelqim lëbyrës në qiellin e zymtë shqiptar të letrave.

          Dhe ja, yjet e rralluem kanë zanë përsëri vend në Panteon.

          Njeni prej tyne na grishë sot t’i përkujtojmë 70-vjetorin e vdekjes.

Që ky komb ynë i lashtë i Mesdheut të bahej shtet e të mund t’ i dilte zot vetes, nuk mjaftonin martinat e topat e botës mbarë; duhesh dituni, pa të cilën asnjë komb nuk mundi t’u bajë ballë rrebesheve të historisë. Asht kjo arësyeja që pushtuesit kudo në botë, ma parë se kështjellat, rrafshojnë shkollat, themelin e ndërgjegjes kombëtare e liridashëse pakufi të Tij.

Ndërkohë qiri i Frashërllijëve ishte ba pishtar, Prizreni shpërndante anë e kand Shqipnisë flakë lirie e atdhetarie. Shkodra e vjetër, dikur portë e Ballkanit, po zgjohej nga letargjia e randë osmane, nga një gjumë vërtet vdekjeprues. Malet po shkundnin supet e pluhnosuna nga zgjedha disashekullore.

Lezha, që pesë shekuj ma parë do të merrte përjetësisht në gji Gjergjin e Madh të Historisë, katër shekuj ma vonë do t’ i jepte  Atdheut në një fshat të vogël të Zadrimës, Gjergjin e dytë, Apostullin e Lirisë. Fishta, ky fshat shpeshherë i pashënuem në harta, e ndoshta i lanun në harresë me dashje, asht sot në gojën, mendjen e zemrat e shqiptarëve kudo që janë në trojet e tyne sidhe kudo përreth ku gjendet “gjaku ynë i shprishur.”

Ishte fund i asaj nate të gjatë osmane, “natë tri herë mizore”, që kishte rrënue qytete e fshatra, kështjella e kisha, kur lindi Ai me 23 tetor 1871. Atdheu kishte në trup nandë varrë, Atdheu ynë i brishtë ishte tretë në dhimbjen e vet. Bijtë e Tij të ligun, por të paepun, sa kishin fillue me thurë andërrat e para për një Shqipni “zonjë më vete”. Ndërkohë, çapojtë gllabrues të sllavëve të jugut e ata të helenëve kishin shkëputë mish e gjak nga Atdheu ynë brijëdalë e lakmia e tyne ishte me të vërtetë rrënqethëse.

Po Zoti nuk do kurrë  me e humbë Truellin e Kastriotit të Madh…

E n’ ato gërmadha të braktisuna, Ai i Lumnueshmi, dërgoi një djalë me emnin Zef…Kur ishte 9 vjeç, porsa Françeskanët kishin çelë në Troshan një shkollë, ndër nxanësit e parë ishte edhe Zefi i vogël, i biri i Ndokë Simonit.

Një studjues dhe adhurues i Popullit Shqiptar, At Lavro Mihaçeviq, pikërisht Ai profesor i Kolegjit Françeskan të Troshanit, ishte që zgjodhi dhe çoi në Bosnje për studime At Gjergj Fishtën dhe At Shtjefen Gjeçovin. Më 1886, Zefi 15-vjeçar asht në Bosnje për të vazhdue ma tej studimet. Atje filloi me marrë nektarin e dijes…

Mbas një viti, simbas rregullave françeskane, ndërroi emnin nga Zef në Gjergj. Ishte një përkim fatlum të merrte emnin e Kastriotit të Madh, emën që e mbajti me nder sa ishte gjallë.Zadrimori i ri, atje në dhé të huej, mes mureve të Kuvendeve të Guçjagorës e të Livnos, mallin e tij vullkanik filloi ta shprehte në vargje, i ndikuem edhe nga poetët dalmatë Andrea Kaqçiç e Gega Martiç, edhe ata të përvëluem për liri.

Më 1893 Fishta i ri u kthye në Atdhe. Me 25 shkurt 1894 meshoi për herë të parë në Troshan, pikërisht aty ku kishte hedhë hapat e parë drejt një bote të trazueme e që quhej bota e shkronjave dhe e ditunisë.

Kurse më 1897-1898 shërbeu si kapelan në Lezhë, ku do të kthehej herë mbas here, sidomos për të gjetë prehje e për të shkrue disa prej kangëve të Lahutës, këtu, në mes zadrimorëve të tij e Lekëve të Malësisë, që rrethonin Lezhën. Ku tjetër mund të gjente prehje e frymëzim si në Lezhë ku ishin:

          qielli i kaltër, toka e blerë,

          njeti dimën, këtu pranverë …

Por nuk do të ishte gabim të shprehemi se e përpjeta drejt lavdisë e At Gjergj Fishtës nis pikërisht në Gomsiqe, ku pat rastin e fatin të njihej me Abatain e Mirditës, Imzot Prengë Doçi, atdhetar i flaktë, luftëtar i paepun, por edhe poet e burrë me kulturë të rrallë për kohën: Kishte rrahë botën në mërgimin e tij të detyruem, prej Njufëlandit të SHBA, deri në Indi. Abati do të bahej udhëheqësi shpirtnor e kulturor jo vetëm i Tij, po edhe i shumë klerikëve të tjerë.

Në janar 1899, Imzot Doçi bahet nismëtar i themelimit të Shoqnisë “Bashkimi”, tue mbledhë rreth vetes anëtarë të shquem, si Dom Ndoc Nikajn, At Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, At Shtjefen Gjeçovin, Dom Ndre Mjedën. E nisun si shoqni kulturore, ajo luejti rol të dorës së parë jo vetëm me botimin e fjalorit të quejtun i “Bashkimit”, e të 34 librave të tjerë, por sidomos në krijimin e një votre atdhetarësh që shkelqej në gjithë Shqipninë.

Image result for gurakuqi, mjeda dhe fishta"

Luigj Gurakuqi, At Gj. Fishta dhe Don Ndre Mjedja, 1923.

Image result for Kuvendi Françeskan i Gjuhadolit Shkodër"

Kuvendi Françeskan i Gjuhadolit Shkodër.

Arkitekt At Gj. Fishta. Foto Marubi 1935.

Kuvendi Françeskan ishte kthye në berthamë të një qendre të studimeve albanologjike. Krahas shërbimeve fetare, ata banin edhe jetë shkencore sikur të ishin në një institut të mirëfilltë studimor. Shoqnia “Bashkimi”, e  ma vonë edhe revista “Hylli i Dritës”, ishin monumenti që ndërtoi Akademia Françeskane.

Që në nisje të veprimtarisë së Tij poetike, pedagogjike, gjuhësore, publiçistike, ende nën sundimin otoman, At Fishta u kosiderue menjëherë Apostull i Shqiptarisë, por me një vizion përveçse thellësisht kombëtar, kryekëput edhe përendimor dhe europian.

Aty ku vuni kambën e zbathun të fratit t’ Asizit, vështroi me kujdes dhe përvetësoi me saktësi nga goja e popullit frazeologjinë e tij, që arrijti me e njohë si pak kush para e mbas Tij dhe e vuni në punë ma aq mjeshtri, sa rrallë kush mundet me lidhë fjalën me psikologjinë e popullit të vet, për me lanë në thesarin e kulturës sonë kombëtare kryevepren e letërsisë shqipe, “Lahuta e Malsisë”, e cila ngërthen 15.563 vargje ndër 30 kangë. Krijimtaria poetike e botueme e At Fishtës kalon 50.000 vargje.

Ai ishte i pari drejtor shqiptar qysh prej themelimit të shkollës françeskane më 1861. Asht ky një çast në jetën e Fishtës që nuk mund të kalohet lehtë, pse:

Kur në shkollë zbutun shqiptari,

N’mni t’ket marrun ai gjakun dhe dhunën

E me dije të ket kapun ai punën,

Shqipnisë fati do t’i çilet taman.

Duen apo nuk duen disa, Ai na mësoi të gjithë Shqiptarëve me shkrue e me lexue në Gjuhën Shqipe. Alfabeti nuk ishte një çashtje teknike akademikësh, po një çashtje kombëtare që kërkonte BASHKIM e ngritje mbi çdo ndasì, grindje, mni e ngatrresë, për atë gjuhë që ishte:

          Porsi kanga e zogut t’ verës,

          Që vallëzon n’ blerim të prillit;

          Porsi i ambli fllad i erës,

          Që lëmon gjinjtë e drandofillit:

          Porsi vala e bregut t’ detit,

          Porsi gjama e rrufesë zhgjetare,

          Porsi ushtima e një tërmeti,

          Ashtu asht gjuha jonë Shqiptare!

Melbourne, 29 Dhjetor 2019.

Filed Under: Featured Tagged With: At Gjergj Fishta, Fritz radovani

DY VARRE PESËQIND VJET LARG NJËRI TJETRIT

December 30, 2019 by dgreca

NGA VISAR ZHITI/

Përsëri erdhën nga larg, nga shkretëtirat. Kaluan malin e fundit.

Panë detin e madh, të huaj. Si llahtarí të kaltër, harbues shtynte

dallgët si gjokset lakuriqe të grave të haremeve. Ja çadra e tyre

si trëndafil mes mijëra çadrave ushtarake, mes topave  dhe kuajve

nën rrapëllimën e daulleve dhe kazanëve, nën emblemat absurde.

Pluhur i para pesëqind vjetëve. Atje poshtë ishte qyteti i vogël,

i pushtuar. Kisha dhe varri i Gjergj Kastriotit, i xhindit, që xhindosi Sovranin e madh. Do të suleshin ata, gjithmonë ata, të njëjtët ata,

do të shkulnin pllakën e rëndë të varrit, do të nxirrnin eshtrat e Heroit

si eshtrat e vetë kombit. Pastaj do t’i thyenin  copa-copa, eshtrat

me baltë, të gjata sa shpatat. Do të thyenin kafkën si kubenë e qiellit.

Të çmendur dhe makabër. Nga një copë kockë si hajmali do të varnin

në qafë ushtarët për të pasur fat nëpër betejat si armiku i tyre i madh. Pesëqind vjet më parë, kur dhe varret tani janë varrosur në harresë.

Ra nata. Nata e kombit. Me heroizma si me gërmadha, pa skelete heronjsh. Nata me britma robërish që digjeshin si pishtarë.

Pesëqind vjet natë ballkanike. Frutat e pemëve ashtu si buka  s’kishin shije. Rrënjët thithnin gjak të turbullt, të përzier. Nëpër tokë

kalbeshin trupa barbarësh dhe dezertorësh, bejtexhinjsh dhe devesh, spiunësh e kuzhinierësh të paqes më të keqe se lufta. Njeriu binte

e malet bëheshin më të lartë nga kufomat. Malet u mbushën

me partizanët e luftës më të fundit të botës, plot si me pyje. Gërmadhë

u bë mishi i historisë dhe ne kujtuam se erdhën ditë të reja. Besuam

tek urat. Besuam që deti u bë e dashura e të gjithëve si liria. Kështu thoshin këngët. Pastaj, ah, pastaj kur u hap tymi i betejave,

nëpër pellgje pamë pasqyrimin  e sundimtarëve të ikur,

të sundimtarëve tanë që na udhëhoqën, u përzjehej pasqyrimi

nëpër pellgje, binin si pluhuri i pushtuesve të para pesëqind viteve.

Na merreshin mendtë si këmbët. Dhe u sulëm ne, vetë ne, jo

pushtuesit, te kishat tona. Thyem kryqin e megjithatë nuk shpëtuam

dot nga udhëkryqi ynë. Në një tjetër kishë gjetëm skeletin e Gjergjit…

jo, jo të Kastriotit… të Gjergj Fishtës, më të madhit rapsod të shekullit njëzet, e fundmja lahutë e botës. Në zjarr i kishim hedhur librat e tij.

O Zot! Jo, jo, nuk do t’ju them që pushtuesit anadollakë na vodhën skeletin e Kryetrimit dhe ne, vetë ne, me duart tona, ditën me diell, humbëm skeletin e poetit, (s’ua ndamë letrarëve të rinj si copa

hajmalish kockat e tij), e hodhëm në lumë. Në lumin që vinte

nga sllavët tani. Me brinjët e poetit mund të bëhen lira të bukura.

Spaç, 14 janar 1983

Filed Under: Opinion Tagged With: Visar Zhiti

Zana Kokoshi Shehu u nda nga Jeta

December 30, 2019 by dgreca

U ngrit drejt qiellit një Zanë Perëndie/

Ndahet nga jeta në Zvicër bashkëshortja e Poetit të shquar Agim Shehu, Zana Kokoshi , emrin e së ciles e pagëzoi Ali Asllani, një burrë i ndritur i Kombit/

Nga Keze Kozeta Zylo/ DIELLI

Një lajm i trishtë më pushtoi shpirtin në këtë fund dhjetori në New York.  Dhimbshëm e lexova statusin e Poetit të shquar të Kombit z.Agim Shehut për ndarjen nga kjo botë të gruas së tij gojëmjaltës dhe fisnikes Zana. Një shqiptare dritëdhënëse dhe një emigrante më pak…

 Ndërsa kujtoj takimin e fundit që kemi pasur me Kryepoetin tepelenas Agim Shehu dhe bashkëshorten e tij Zanen në Amerikë, loti më pikon me tingull si vaj labeje në kartë, në këto orë të vona njujorkeze.  Ishte një takim i ngrohtë, i dielltë, sepse nga sytë e kadifenjta të Zanës shihja rrezet e arta dhe ndjeja shpirtin e saj aq të butë dhe prej fëmije siç i thur poezi i dashuri i saj i perjetshëm Agimi.  Një jetë bashkë na fliste plot krenari rreth tryezës miqësore dhe unë sa më shumë kalonin orët aq më shumë më dukej se ishja duke darkuar me një perëndeshë të vërtetë. 

O Zot them në këto momente se: “Ku do t’i gjejmë këto Hyjnesha të arsimit kombëtar të atij brezi që po ikin dhe nuk e di kur do kthehen prapë… Zana kishte shumë ç’të tregonte kishte mbi supe një jetë të tërë në arsim, edhe pse fati e rëndoi shumë si mbesa e Kudret Kokoshit nga Vlora dhe nje nga intelektualet dhe patriotët e shquar të Kombit i cili u persekutua nga regjimi diktatorial.  Por Zana ishet gati si krijesë mitologjike si vetë emrin e bukur që kishte, dhe i ruajti me fanatizem emrin e familjes së saj po aq dhe të poetit bashkëshort që vuajti dënimin duke e

çuar të punonte punë krahu në Elbasan.  Emri i Zanës është një histori e bukur pagëzuar nga atdhetari i zjarrtë dhe poeti Ali Asllani.  Po sjelle në këtë homazh disa fragmente nga kujtimet e z.Shehu titulluar “Dy orë me Ali Asllanin” dhe ja se si:  “Në fillim të dashurisë i thashë sime shoqeje se ke emër shumë të bukur, prerë nga legjenda hyjnore e zanave në mitologji. Harmonizon me “Agimin”…’! Më tha me gëzim të çiltër e disi krenare: “Ma ka vënë poeti i hollë lirik, njeriu ynë, Ali Asllani…” Biseda vazhdoi gjatë dhe e bukur nga jeta e tij të cilën e dashura ime e mbante të gjallë në kujtesë.

…Trokitëm e hymë ngadalë si te një tempull në konakun e tij. Një grua me lëvizje të përmbajtura tërë mirësi na drejtoi brënda. Ishte e shoqja, Qanieja. Në tërë fytyrën e saj kish një mirësi të butë përpunuar nga mundime e fatkeqësi. Rudhat e holla e bënin më të dhëmshur (nëpër ato rudha kish përcjellur në botën tjetër të birin që vdiq në varfëri nga tuberkulozi, pasi s’kishin mundësi për mjekimet e duhura). Na përqafoi të dyve.  Zanën e mbajti gjatë, thua nuk i mbaronte dot tërë ato fjalë dashurie me kujtimet që kish në zemër për të.

…I shoqi tanimë i moshuar u ngrit lehtë, tërë mirësjellje fisnike, përqëndroi vështrimin të na njihte.  Mua më kaloi lehtë, si të panjohur.  Sytë i ndali te ime shoqe të cilën ende s’po e njihte saktë. “Jam Zana, Zana Kokoshi…” iu drejtua ajo dhe e përqafoi duke u përlotur mbi të. Ai mbeti i hutuar si te legjenda e rinjohjes. “Zana…Zana ime…” foli ai tepër i prekur dhe po e përqafonte duke mërmëritur rrokje fjalësh të pakuptueshme.

“Se të harruam! Si të kam, floriri im?! Ismail Beu e çmonte shumë xhaxhain tënd, të ndjerin Qazim. Atë e caktoi përfaqësues të tij në Memorandumin e Gërçës.  Në Deklaratën e Pavarësisë jo rastësisht hodhi firmën krah Ismail Beut…” “Ia kanë shuar emrin” foli me gjysmë zëri ime shoqe. “Pema kur krasitet bëhet më e shëndoshë” shtoi ai duke vënë buzën në gaz.  Zanës i qe bërë fytyra krejt e purpurt, pa gjetur dot fjalë të saktë t’i përgjigjej më tej. Ai vazhdoi me një mirësi të ëmbël si prej perëndie: “Nuk e harroj, kur ishe në Pedagogjike këtu, vija të merrja çdo të shtunë e të ktheja të dielën. Në orën e caktuar ty të gjeja te vëndi para portës ku më prisje.  Sa më shihje turreshe më hidheshe në qafë e të mirrja për dore si një keçe Vlore…” E shihja me adhurim se si tërë fytyrën ia mbulonte një gëzim i brendshëm gati si prej fëmie. Befas kaloi në pyetje tjetër: “Si kalon tani”? “Shumë mirë – iu përgjigj ime shoqe, – kam dy binjakë të vegjël, m’i mban në prehër vjehrra, një nënë labe e rrallë…” Atij iu mbush fytyra me dritë, e vështroi …Zanën me sy të qeshur si ta ledhatonte, e foli si nga thellësia e vetes së tij: “..Keçe Vlore kryeneçe/ që hutoje një krahinë…” Heshti me sy të qeshur mbi të duke menduar vazhdimin e vargjeve e shtoi: “…Sot si nuse 20 vjeçe/ po e mbush me zogj shtëpinë…”. La përshtypjen se u gëzua që e gjeti saktë e bukur dhe të dy të qeshur po shiheshin gëzueshëm në sy sikur njiheshin për herë të parë.

…Qeshi përsëri tërë mirësi. Thamë fjalët e fundit e u ngritëm. “Më eja nganjëherë se më gëzon zemrën – i tha sime shoqeje. – Kam nevojë të më vish…Më tha Perëndia që të vura emrin! E mbase jetën e kalon gjer në fund si Zanë. Kima kujdes – më tha mua në fund si me zë lutjeje. Do të ta shpërblejë Perëndia se është vajzë Perëndie”. U përqafua me të i përlotur, e u ndamë. Doli te dera e sytë i mbante nga Zana, si nga një pëllumb që i largohej e nuk do ta takonte më kurrë…

Natyrisht ajo ka qenë një grua besnike, e mençur dhe e bukur në krah të poetit, ndaj dhe pena e tij brilante i shkruan Zanës: Ledhaton vajzën, përkëdhel birin/ Më sheh dhe hesht/ mendon pazarin/ Te thinjat zë të lëmoj hirin/ dhe më merr malli për zjarrin…

Në moshën e trete ata janë emigrantë azilantë në Zvicër dhe doemos kjo është tronditëse të lesh Atdheun dhe të shkosh në një vend tjetër, por kushtet e helmëta i detyruan të iknin sa më parë.  Pena e Poetit duket se i shërben dhe më mirë Kombit në një vend të lirë siç është Zvicra, është një shërbim nga atdhetar soji, i një race virgjine Shehu dhe Kokoshi…

Por sot dua të ndalem tek metaforat tejet të holla dhe fine që na dhuron poeti Shehu për Zanën gojë sheqeren do te thoshnin nga anët tona dhe çfarë mjeshterie sjellë me paralelizmin figurativ midis borës që s’pushon në Alpet e bardha të Zvicrës dhe shpirtit të ngrohtë të saj si në këto vargje në : « Dimër zvicre”  Bie dëborë e hollë, e hutuar/ vellon e bardhë në dritare ma shtriu/ Kërkonte nusen/ Pa gruan time të thinjur dhe shkriu!…

Dashuria e çiftit bashkëshortor ngeli e pastër si velloja e bardhë e Zanës e cila ecën si në balada dhe i lexojmë në këto vargje brilante si: “Vellua e bardhë e nuses/ kujtimet na erdhën pranë/ nga lëndina e bregdete/ një mjegull, mbi Vjosë matanë/ vellon e kish marrë me vete.

Për vellon poeti do të tregonte: “Në bisedat tona intime, e pyes një ditë, pse adhuron vetëm Vellon? Ma ktheu, se vetëm ajo na mbeti e bardhë, e paprekur nga fati i zi!? Heshta në botën time dhe vazhduam shetitjen te vendi ynë buzë liqenit”.

Dhe shetitja e tyre s’do te ndalet kurrë, sepse është historia dhe jeta e pazakontë e një cifti bashkëshortor të kapur dorë për dore perjetësisht.  Zana, kjo hyjneshë e Poetit dhe e lexuesve të shumtë u ngrit drejt qiellit me vellon e bardhë si vetë shpirti i saj që fali vetëm mirësi e dashuri në botën e egërt ku jetoi dhe punoi. Ajo ndrit nga lart si nje nuse e bukur me shkelqim nga fijëza Hëne Progonati dhe mjaltos hojëzat e nje shpirti poetik.

Dritë të pastë shpirti mësuesja jonë dritëdhënëse!

Lamtumirë Zanë Perëndie!

30 dhjetor, 2019

Staten Island, New York

Filed Under: ESSE Tagged With: Keze Zylo

LEK PREVIZI: VATRANE, GEZUAR VITIN E RI 2020!

December 29, 2019 by dgreca

Viti 2020 qofte i mbare e me suksese per ju dhe gazeten e lavdishsme historike DIELLI, qe vazhdon te ndrise mbi boten shqiptare. Ju lumte e rrofshi !/

Te nderuar miq Vatrane,/


Urime ! 

Gezuar Festat funvjetore, dhe posaçerisht Vitn e Ri, qofte i mbare e me suksese per ju dhe gazeten e lavdishsme historike Dielli, qe vazhdon te ndrise mbi boten shqiptare. Ju lumte e rrofshi !Ne jemi (une me miq te mi)  disa te mrekulluar  qe i shptuam termetit te diktatures komuniste, tashma ne pleqeri te shtyre, por me zemer te re per lavdine e perparimet e Attdheut ,  Shqiprise sone te dashur, dhe te Kombit Shqiptar. Me aq sa kemi fuqi, shendet e dije,  mundohemi te hedhim nje fjale te mire, per lartesimin   e Kombit tone dhe per historine e tij te lavdishme ne shekuj e mijavjeçare. Kjo eshte detyra jone e perbashket dhe kesaj detyre ju ti qendroni te vendosur gjithmone. Me gjithe keto fjale te mira, s’ka dyshim se na dhemb zemra per katastrtofen e termetit, me shprese se Shqiperia e shqiptaret te dijne te bashkoheh per sherimin e plageve e shkaterrimev qe ka shkatuar. Jeta ecen perpara, dhe ne jemi te bindur se Shqiperia do ta marre veten nga kjo fatkeqesi, dhe nga fatkeqesite e tjera, siç ishte termeti i tmerrshem i diktatures komluniste, qe s’duhet harruar, e qe plaget qe ka lene jane akoma te hapura  per ata qe e perballuan me sakrifica njerezore me vujtje, tortura e mundimle te papershkrueshme. Zoti qofte me ne sikur ka qene gjithmone qe kombi yne perballoi stuhite e shekujve dhe ruejti identitetin e tij me krenari e dinjitet. Gezuar Vitin e Ri 2020   me arritje e sukses te reja ! Me respekt: Lek Pervizi 

Filed Under: Featured Tagged With: Gezuar Vitin e Ri 2020, Lek Previzi

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 36
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT