
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës në Kosovë.
Marrëveshja është nënshkruar nga liderët e të dy partive, Albin Kurti (Vetëvendosje) dhe Isa Mustafa (LDK).
Dy liderët, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, në një konferencë të përbashkët për media njoftuan për arritjen e marrëveshjes dhe ndarjen e përgjegjësive në kuadër të qeverisë së re.
“Ne sot u takuam me kryetarin Isa Mustafën dhe u dakorduam që të takohemi edhe nesër për ta zgjedhur qeverinë e re dhe në këtë mënyrë ta jetësojmë ndryshimin e madh politik të 6 tetorit. Ne tashmë kemi nënshkruar marrëveshjen dhe jemi marrë vesh për të gjitha, përveç për harmonizimin të programit edhe për ndarjen e përgjegjësive në kuadër të qeverisë së re, ku ne do të bashkëqeverisim”, tha i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se dy partitë dëshirojnë që qeveria të jetë e suksesshme, dhe siç u shpreh ai, të realizojë pritjet e qytetarëve.
“Ne kemi arritur marrëveshje dhe vlerësojmë se është marrëveshje e mirë është në interes të ndryshimeve që domodosshmërisht duhet të ndodhin në vendin tonë”, tha Mustafa.
Sipas kësaj marrëveshjeje, Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga LVV dhe LDK do të ketë 15 ministri, dy zëvendëkryeministra dhe rreth 33 zëvendësministra.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, do t’i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se Glauk Konjufca, i cili ishte zgjedhur në krye të institucionit legjislativ më 26 dhjetor, nuk do të japë dorëheqje, por do të marrë një post qeveritar.
Ndërkaq, çështja e presidentit nuk është pjesë e kësaj marrëveshjeje, tha lideri i LDK-së, Isa Mustafa.
“Sa i përket presidentit nuk është pjesë e marrëveshjes që sot e kemi nënshkruar. Do të jetë çështje për të cilën do të dakordohemi unë dhe Kurti si lider politik dhe do ta zgjedhim edhe atë çështje në kohën që është e domosdoshme”, tha Mustafa.
Dy partitë pritet gjatë ditës të mbledhin organet vendimmarrëse, që ta miratojnë marrëveshjen e arritur mes dy liderëve.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, mandatari për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti ka bërë një postim në Facebook, ka uruar qytetarët për arritjen e marrëveshjes.Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës në rrjetin e tij social Facebook ka shkruar se me arritjen e marrëveshjes së koalicionit do të angazhohen në fuqizimin e shtetit të Kosovës.
Më 3 shkurt, në seancën plenare të thirrur nga i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti, pritet të votohet për Qeverinë e ardhshme të Kosovës, të udhëhequr nga LVV-ja dhe LDK-ja.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj më herët ka thënë se lajmi për arritjen e marrëveshjes “është veprim i duhur dhe konkretizim i mirë, që respekton rezultatin zgjedhor”.
“Tashmë është e domosdoshme të formohet qeveria sa më shpejtë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.
Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave (61 e më shumë) të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Bazuar në numrin e deputetëve të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike, shumica prej 61 votave është e pritshme të arrihet, pasi që në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 6 tetor, Vetëvendosje fitoi 29, kurse LDK 28 ulëse në kuvend. Këtij numri i shtohen edhe votat e komuniteteve pakicë, të cilat do të jenë pjesë e qeverisë po ashtu.
Megjithatë, në rast se përbërja e propozuar e qeverisë nga Albin Kurti nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti i Republikës së Kosovës, brenda 10 ditësh emëron kandidatin e ri për kryeministër.
Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet qeveria, atëherë presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor, 2019. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, e përcjellë nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto zgjedhje pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pasi që ai kishte marrë ftesë për intervistë në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.-Kortezi-Luljeta Krasniqi-Veseli-Europa e Lire.













