Vlerëson lart rolin e gazetës “Illyria” dhe të botuesit Vehbi Bajrami, në shërbim të çështjes kombëtare në tre dekada/
Nga Ruben Avxhiu*/
Të premten në ditën e fundit të janarit, botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami, vizitoi selinë e Federatës Vatra në Bronx, New York, ku u prit me ngrohtësi nga kryetari i ri i sapozgjedhur, Elmi Berisha.
“Po e vizitoj Vatrën për të përshëndetur mikun tim të tri dekadave, Elmi Berisha, për zgjedhjen e tij si kryetar i Vatrës”, tha botuesi Bajrami. “Kam besim se do ta çojë përpara Vatrën, do ta forcojë do t’ia shtojë anëtarët. Do të bashkëpunojë si ka qenë gjithmonë bashkëpunues edhe me komunitetin”.
Takimi mes tyre ishte posaçërisht i veçantë edhe për kryetarin Berisha që nuk i kurseu lavdërimet për Vehbi Bajramin: “Të njoh si ider i komunitetit si pronar i gazetës Illyria, një gazetë që ka lënë shenjë në historinë 30-vjeçare që lëmë pas të komunitetit. Personalisht të jam mirënjohës e të falenderoj nga zemra. Po ti ke një domethënie paksa të veçantë për mua. Vizita jote është më personale, më pranë zemrës, sepse kemi qenë miq të mirë që prej viteve 1990, po në një mënyrë më ke ndihmuar dhe më ke përcjellë në vazhdimësi në proceset e mia, në kontributin që jam munduar të jap për Kosovën dhe kombin. Kam gjetur shumë mbështetje, profesionalizëm dhe urtësi të paparë, e cila gjithmonë është gërshetuar me mendime për botën shqiptare dhe amerikane nga të cilat kam përfituar nga miqësia që kam pasur me ty”.
“Jam shumë krenar për ty se na e ke zbardhur fytyrën kudo që ke vepruar dhe punuar. Si në jetën private po ashtu edhe me gazetën apo me “Zërin e Amerikës”, me punën që ke bërë në Kongresin Amerikan dhe me lidhjet me qeverinë amerikane. Unë e njoh mirë kontributin tuaj për çështjen kombëtare dhe ndihem mirë që je sot këtu për të më mbështetur për detyrën që kam marrë përsipër nga Kuvendi i Vatrës”, tha kryetari i ri i Vatrës, Elmi Berisha.
Sentimenti ishte reciprok. “Për 30 vjet në komunitet, Elmiu ka dëshmuar se është një shqiptar i mirë, një aktivist i vendosur dhe një lider i zoti, si e ka treguar edhe libri i tij që ka botuar “Lidershipi”. Ndihmat në Washington me kongresistë dhe senatorë, në fushata të shqiptarëve. Ajo që e veçon në këtë biografi të tij është bashkëpunimi i tij me Presidentin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Ka pasur një bashkëpunim të ngushtë me të”, tha Vehbi Bajrami.
Ai përmendi punën në zyrën e Senatorit Dole, “i cili siç e dini ka qenë instrumental në çlirimin e Kosovës, me Jim Xhemën etj”.
Vehbi Bajrami foli edhe për lidhjen e tij shpirtërore me Vatrën. “Përveç aktiviteteve më lidh edhe libri “Shqiptarët e Amerikës”. Gati në çdo temë për të kaluarën e komunitetit, kam shkruar se busulla ka qenë Vatra. Mund të them se gati 20% e librit i kushtohet Vatrës”, tha ai.
Ai e vlerësoi Vatrën edhe në ditët e sotme, si e vjetra organizatë në botën shqiptare, e rrallë që ka një një zyrë të saën, ka një anëtarësi, ka degët e saj, ka një organizim të fortë.
“Ka një gazetë që botohet dhe dua të përgëzoj këtu editorin Dalip Greca që po bën një punë të jashtëzakonshme, me botimin e saj”, tha ai. “Nuk ka organizatë tjetër në botën shqiptare që ka një aktivitet kaq të gjatë. Ka pasur rënie ngritje, po vazhdon të jetë. Edhe uroj që kjo organizatë të forcohet më tej me lidershipin tuaj. Me shokët që keni në krah të djathtë”.
Ai këshilloi që më mirë se përplasjet në gjyqe dhe media, mosmarrëveshjet mes vatranëve të zgjidhen duke biseduar me njëri-tjetrin për hir të dashurisë dhe përkushtimit për Vatrën dhe atdheun.
“Edhe “Illyria” do të përpiqet t’ju ndihmojë duke pasqyruar aktivitetin tuaj. Sot po e filojmë me një intervistë”, tha Bajrami duke e uruar edhe njëherë mikun e tij.
Elmi Berisha e mirëpriti bashkëpunimin me entuziazëm. “Unë të premtoj miku im se ndoshta nuk do të bëj mrekullira por që në këto dy vjet do të lë gjurmë që do të shërbejnë për të mirën e Vatrës, të komunitetit shqiptar dhe të kombit”.
Ai premtoi se do të ndërtonte ura të reja bashkëpunimi. Jo vetëm që nuk është përjashtuar askush nga Vatra, po dyert mbeten të hapura për të gjithë. Kryetari Berisha u ndal veçanërisht në dëshirën e tij për të afruar rininë shqiptaro-amerikane në Vatër dhe për të krijuar një perspektivë pune që ai e quajti: qasja “Vatra në shekullin 21”.
Duke u kthyer edhe njëherë nga botuesi Vehbi Bajrami ai tha “Unë kam shumë për të folur për ty por do të ruaj disa gjëra për t’i thënë më vonë, se kemi dy vjet përpara që na presin. Po unë jam shumë krenar që të kam mik. E dua dhe e respektoj shumë gazetën “Illyria” dhe të jam shumë mirënjohës për punën që ke bërë në këto 30 vite në Amerikë për komunitetin shqiptar dhe kombin”.
Më poshtë vijojnë disa shkëmbime nga intervista me kryetarin e Federatës PanShqiptare “Vatra”, Elmi Berisha.
Kuvendi i Vatrës në Michigan ka qenë më demokratiku në 30 vjetët e fundit. Ka pasur debate të forta, ka pasur kundërkandidatë. I pari Kuvend në histori, me 100 pjesëmarrës. Janë paraqitur vizionet dhe planet e veprimit për 2-3 dhe dhjetëvjeçarin e ardhshëm dhe besoj se ka nisur ndryshime të mëdha.
Tema më e rëndësishme që u prek aty është si t’ia bëjmë që të afrojmë brezat e rinj në Vatër. Kjo besoj se është jetike për organizatën dhe komunitetin tonë.
Dua të filloj e të punojmë sesi të kanalizojmë financimet e Vatrës. Do të rishikojmë statutin e Vatrës, do të bëjmë disa ndryshime me rëndësi që ta lehtësojnë pjesëmarrjen e komunitetit në Vatër, jo vetëm me anëtarësi po edhe me dhurime financiare e çdo ndihmë që munden.
Po Kuvendi ka pasur edhe kritika të forta. “Illyria” ka botuar disa deklarata nga një grup anëtarësh të vjetër. Ka pasur pakënaqësi etj. Kush do të jetë qendrimi juaj ndaj këtij konfliktit si kryetar?
Askush nuk është përjashtuar. Unë jam shumë i hapur ndaj mendimeve të ndryshme. Kam qenë gjithmonë. Nuk më ka mbetur hatri nga askush. Do të vazhdoj punën time. Nuk do të merrem me askënd. Çdokush me mendime të kundërta është i mirëpritur.
Kurse pakënaqësitë ato më duken normale. Do të ketë gjithmonë të tilla.
Nuk janë përjashtuar njerëzit. Janë të ftuar të bashkëpunojmë. Mirëpo fjalën përjashtim do ta përdorja vetëm për një lloj sjellje dhe komunikimi që nuk mund të ketë vend në Vatër. Ai që i thotë vetes vatran nuk duhet të bjerë në cënime të jetës private dhe personale. Këto për mua janë të papranueshme. Jetojmë në Amerikë. Jetojmë në një vend që ka demokraci dhe ligje dhe këto nuk do të lejohen. Fyerje personale edhe degjenerime, nuk do të lejoj si kryetar i Vatrës. Për këtë ju siguroj. Debat të hapur po. Mendimet ndryshe janë të mirëseardhura gjithmonë. Nuk do të ndjehem kurrë i fyer prej tyre e nuk i marr kurrë personalisht.
Qasja ime do të jetë t’i ftoj të gjithë të shpenzojmë energjitë dhe resurset që ta çojmë Vatrën përpara e jo që të luftojmë njëri-tjetrin.
Na tregoni diçka për jetën tuaj, për vendosjen në SHBA e për punën që keni bërë, që t’ju njohë më mirë lexuesi edhe personalisht.
Unë kam ardhur në moshën 18-vjeçare në Neë York. Vij nga Klina e Kosovës, ku jam lindur dhe rritur.
Gjatë viteve 1990 jam kyçur menjëherë me veprimtarinë patriotike, si pjesë e Lidhjes Demokratike. Në atë kohë vendimtare ka qenë mbajtja në kmbë e sistemit paralel. Kam qenë pjesë e të gjtha proceseve të sistemit paralel atje që do të thotë që nga financimi dhe krijimi i mundësive të punës për mjekët dhe shërbimin shëndetësor, për mbajtjen hapur të shkollave dhe edukimin e rinisë. Kam marrë pjesë aktive në lobimin për Kosovën, edhe pse i ri në moshë edhe pse financiarisht ende jo shumë i stabilizuar. Shumë njerëz më kanë njohur si pacifist, apo mbështetës i ideologjisë së Presidentit Rugova dhe kjo është e vërtetë se jam 100%, por kur erdhi koha e luftës në Kosovë kam përkrahur në mënyrë të drejtpërdrejtë duke marrë pjesë edhe vetë.
Pas luftës, kur administrimi ndërkombëtar po e shmangte punën e pavarësisë dhe vetë po dëshmonte të meta në punën me Kosovën, i jam rikthyer lobimit në Washington, së bashku me një lobues të madh si Jim Xhema, që njihet si lobuesi më i madh i shqiptarëve në Amerikë.
Kam pasur fatin e madh që nga 2000 deri në 2006 kam vepruar si përfaqësues i Presidentit Rugova, duke e përfaqësuar në Zyrën e Senatorit Bob Dole në Washington. Aktiviteti im ka vazhduar kështu me radhë.
Kohët e fundit e kam intensifikuar punën time në Vatër. Kjo punë është kurorëzuar me zgjedhjen time në mënyrë unanime si kryetar i Vatrës.
Jam autor i librit “Lidershipi”, të cilin gazeta “Illyria” e ka promovuar. Libri është paraqitur me një takim të bukur në shtëpinë historike të Presidentit Roosevelt në New York.
Ju keni sponsorizuar edhe një statujë të Nënë Terezës…
Po e vërtetë, në Klinë të Kosovës, në vitin 2004.
Në vitet 1990, problemet në atdhe ishin të skajshme. Në kohën tonë, gjendja nuk mund të krahasohet, mirëpo kjo nuk justifikon zbrazëtirën e krijuar në Washington në vitet e fundit. Për shqiptarët në Ballkan ka shumë probleme që nuk janë zgjidhur. A mund ta kryejë Vatra këtë detyrë të braktisur?
Unë e kam si një synim kryesor lobimin. E vërtetë si e thatë që nuk ka problemet tragjike të dikurshme, po kemi procese në zhvillim si bisedimet për zgjedhjen e konfliktit Kosovë -Serbi brenda këtij viti. Unë e mbështes këtë proces, shqiptarët e Kosovës e meritojnë të udhëtojnë të lirë nëpër Europë, të zhvillohen e të përparojnë, duke mos mbetur mbrapa përshkak të këtij konflikti.
Shihet qartë se zbrazëtira e moslobimit në Washington e ka zbehur pak edhe forcimin e shtetit të Kosovës. Dikur kishim mbështetje të drejtpërdrejtë nga Senati, Kongresi e Shtëpia e Bardhë.
Ju keni qenë shumë i angazhuar edhe me Rrjetin Ndërkombëtar të Biznesit. A mund të ndihmojë ajo përvojë me Vatrën, me lobimin e veprimtari të tjera?
Mendoj se ngritja profesionale e ekonomike e shqiptaro-amerikanëve është duke ecur shumë mirë. Shqiptarët kanë bërë miliona dollarë në shumë fusha, po sidomos në dy prej tyre ku janë shquar jashtëzakonisht në gastronomi apo industrinë e restoranteve si dhe në sektorin e pronave të patundshme, po edhe nëpërmjet ndërtimit. Shqiptarët e kanë gjetur veten sidomos në këto dy industri duke arritur suksese të jashtëzakonshme.
Në anglisht i thonë “buying power”, fuqia blerëse. Nëse shqiptarët bashkohen e koordinohen që t’i blejnë materalet e shërbimet nga njëri-tjetrit. Si në ndërtimtari, në pronat e patunshme, në ristorante, piceri, steakhouses, ashtu edhe në financë, në banka, në kompani të sigurimeve, në furnizimin me verë, me ushqime, me djathtë etj. Pra, nëse blehet me shumicë, mbi 40% e shpenzimeve mund të mbeten brenda komunitetit shqiptar. Kjo llogaritet në miliona dollarë. Këto do të pasuronin familjet shqiptare në SHBA, po në këtë kuadër një përqindje e vogël por me rëndësi do të shkonte edhe te Vatra e institucione të tjera, te qendrat e besimit fetar, shkollave shqipe e pse jo edhe puna e lobimit në Washington.
Pas gjashtë vjetësh në Rrjetin e Binzesit si dhe 30 vjet në SHBA kam parë se potenciali është jashtëzakonisht i madh, nëse shqiptarët bashkohen në biznes. Në këto vite kam takuar biznesmenë shqiptarë nga e gjithë bota dhe mund të them pa frikë se mbi 30% e tyre kanë filluar të bëjnë biznes së bashku.
Është mbase herët për të folur, se sa keni nisur e janë plot sfida para jush tani, po si do të dëshironit që të ishte Vatra, pas dy vjetësh në fund të mandatit tuaj?
Konica e Noli e krijuan Vatrën duke e imagjinuar si një ombrellë e të gjitha organizatave të komunitetit. Unë dëshiroj që të gjitha organizatat e komunitetit të njohin Vatrën si të tillë dhe të na bashkohen duke ruajtur identitetin e tyre.
Në këto dy vjet do të ndërtoj ura të reja mes Vatrës dhe organizatave të komunitetit po edhe me figura të komunitetit që kanë kontribuar në 50 vitet e fundit. Do të mundohem të ndërtoj edhe ura të reja me komunitetin shqiptar.
Po edhe do të ndryshoj pak edhe mënyrën e punës, duke zhvilluar atë që e shoh si qasja: Vatra e Shekullit 21, me vëmendjen te rinia në Amerikë, fëmijët tanë, vajzat dhe djemtë që kanë lindur këtu e po zhvillon e begatohen.
Këtu do të kisha nevojë edhe për ndihmëne Vehbiut dhe të gazetës që si t’i afrojmë të rinjtë që të bëhen pjesë e punës sonë.
Vatra ka histori të madhe dhe shumë mundësi për të ndihmuar. Unë shpresoj se komuniteti do të na bashkohet dhe uroj gjithashtu që të mos na shkojnë energjitë e koha duke u përplasur e në konflikte me njëri-tjetrin, po duke punuar së bashku për ta bërë Vatrën ashtu si e kanë dashur Noli dhe Konica.*
Kortezi: GAZETA”ILLYRIA”