• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2020

THAÇI NE WASHINGTON:Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Fati i Kosovës

February 23, 2020 by dgreca

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi niset për në SHBA, do të ketë takime me Administratën Amerikane: Kosova është më fat që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ruajnë përkushtimin për Kosovën, për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e Kosovës dhe tërë rajonit/

PRISHTINË, 23 Shkurt-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar sot për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të takojë zyrtarë të lartë të administratës amerikane. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rikthyer vëmendjen në zhvillimet në Kosovë dhe në rajon, duke u angazhuar për arritjen e marrëveshjes përfundimtare të paqes në mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për t’i hapur rrugë investimeve nga jashtë dhe zhvillimit ekonomik.

Para nisjes për në SHBA, presidenti Thaçi u shpreh se “Kosova është më fat që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ruajnë përkushtimin për Kosovën, për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e Kosovës dhe tërë rajonit”.

“Lidershipi i Presidentit Trump, përkrahja e Sekretarit Pompei dhe angazhimi i drejtpërdrejtë i të Dërguarit Special, ambasadorit Grenell, janë inkurajim për ne”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Jemi të bekuar me miqësinë tonë të përhershme, me raportin tonë special me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi në Washington do të ketë prezantime edhe në dy debate për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, një në Brookings Institute dhe tjetrin në Atlantic Council, si dhe do të ketë takime në think-tanks me ndikim në politikën e jashtme të SHBA-së. Presidenti Thaçi do të flasë për të arriturat e deritashme, për prioritetet e Kosovës dhe për sfidat e mundësitë në rrugën e integrimit euroatlantik.

Filed Under: Kronike Tagged With: Presidenti Thaçi, Washington

GAZETA E KOSOVËS RILINDJA PARA 18 VITEVE U DËBUA E MBYLL DHUNËSHËM

February 22, 2020 by dgreca

-GAZETA TRADICIONALE E KOSOVËS RILINDJA PARA 18 VITEVE U DËBUA E MBYLL DHUNËSHËM NGA UNMIK/

-Një zhvillim i  ri dhe i shumë mirëpritur është se në këtë muaj Shkurti 2020 të 75 vjetorit të numrit të parë të gazetës tradicionale e historike Rilindja për zgjidhjet që kërkohen e priten Qeveria e re e Kosovës ka shprehur interesim dhe për këtë ka komunikime me Kabinetin e Kryeministrit/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 21 Shkurt 2020/ Para 18 viteve, në 21 Shkurt 2002, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja u dëbua dhunshëm, kundrligjshëm e padrejtësish nga shtepia e saj-Pallati me emrin e saj dhe detyrimisht u mbyll nga administrata e UNMIK-ut.

Gjithë çka kishte brenda kateve të Pallatit gazeta historike, përfshirë Arkivin – pasuri kombëtare e pazëvendësueshme dhe e pakompensueshme e hodhën e ngujuan në bodrumin-bunker të errët, me lagështi e vërshima uji, e për këtë edhe për kulturocid është një nga tre paditë që ka bërë Rilindja në Gjykatë.

Pas komunikimeve me gazetën Rilindja, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 15 Shkurtit 2005 mori vendim për ndërprerjen e punimeve që po zhvilloheshin në pronën e uzurpuar – anulimin e kontratës për renovim të Pallatit të Rilindjes “për shkak të paqartësive juridike në lidhje me pronësinë dhe menaxhimin e objektit”, ndërsa për ta shndërruar në ndërtesë qeveritare i rifilloi në 7 Nëntor 2008 duke siguruar për zgjidhjen e ligjshme që do bëhet edhe për gazetën  tradicionale të Kosovës edhe për punëtorët e saj, por që ende nuk u bë.

Ndërmarrja Shoqërore Gazeta Rilindja në vitin 2017 ka hyrë në procesin e likuidimit, gjatë të cilit punëtorët e saj, bazuar në ligje, në Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës kanë bërë kërkesat e tyre edhe për kompensim për dëbimin kolektiv padrejtësisht nga puna.  

Gazeta tradicionale Rilindja, histori Kosove që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për vetëvendosje e të drejtë bashkimi me Shqipërinë e deri në shpalljen e pavarësisë e njohjet ndërkombëtare, nisi të dalë para 75 viteve në 12 Shkurt 1945 në Prizren, me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.

Duke mos u ndalur, duke dalë gazetë e rezistëncës edhe me emrin “Bujku”, edhe kur e ndaloi regjimi okupues i Beogradit në 7 Korrik 1990, duke dalë me numra të jashtëzakonshëm edhe pasi e dëboi e mbylli UNMIK-u, gazeta tradicionale Rilindja u bë  edhe histori e Kosovës deri në shpalljen e pavarësisë në 17 Shkurtin historik 2008 e njohjet ndërkombëtare.

Gazeta Rilindja pas dëbimit doli me rreth 40 numra të jashtëzakonshëm protestues të kohëpakohshëm, të cilët i ka përmbyllur në 30 Dhjetor 2008 me paralajmërimin në ballinë: DUKE BESUAR NË SUNDIMIN E LIGJIT NË SHTETIN E KOSOVËS PRESIM QË NGA NUMRI I ARDHSHËM RILINDJA TË DALË PËRDITË.

 Pas 10 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në mbrëmjen e 31 Dhjetorit  2018 të pritjes së 2019-tës, ridoli simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim, sipas shembullit të gazetave në rajon e në botë që kishin status të njëjtë ndërmarrje shoqërore e që janë pzivatizuar e vazhdojnë të dalin.

Një nga titujt e kësaj ridalje simbolike të gazetës Rilindja është: 23 Tetor 2018: Lajm i mirë nga Qeveria e Kosovës – Vendimi ­ për kryerjen e pagesës për shpronësimin e Ndërtesës së ish-Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja.

“Punëtorët e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja presin që në 2019-tën Qeveria të bëjë pagesën për shpronësim dhe të realizojnë 20 përqindëshin, se tepër shumë gjatë presin të drejtën – 17 vjet nga dëbimi i dhunëshëm, i padrejtë e i kundërligjshëm nga adminisrata e UNMIK-ut në 21 Shkurt 2002 nga Pallati Rilindja, ku pastaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka 10 vjet që janë vendosur disa ministri të Qeverisë së Shtetit të Kosovës”, theksohej në shkrimin e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja që ridoli simbolikisht, botim digjital, në 31 Dhjetor 2018.

Por, Qeveria e Kosovës ende nuk e ka bërë pagesën për shpronësimin, nga e cila punëtorët e gazetës Rilindja do realizionin të drejtën e ligjëshme për 20% e vlerës së hapësirave ku punonin në Pallatin tani ndërtesë qeveritare, Dhe, çka është më e rëndësishmja,   ende nuk u bë zgjidhje për statusin e ri dhe nuk ridoli gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila ishte institucinale me status të ndërmarrjes shoqërore.

Një zhvillim i  ri dhe i shumë mirëpritur është se në këtë muaj Shkurti 2020 të 75 vjetorit të numrit të parë të gazetës tradicionale e historike Rilindja për zgjidhjet që kërkohen e priten Qeveria e re e Kosovës ka shprehur interesim dhe për këtë ka komunikime me Kabinetin e Kryeministrit.

Kërkesa për zgjidhje, për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e themeluar nga UNMIK – Misioni  i OKB  në Kosovën e pas luftës së përfunduar në Qershorin  e vitit 1999.

Në arsyetimin e  kërkesës për privatizim theksohet se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati,  dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

 “Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 Shkurt 2014.

Në këtë ditë të 18 vjetorit të uzurpimit të Pallatit të Rilindjes nga UNMIK-u, në fund të këtij shkrimi protestë sjellim kryeartikullin dhe një letër që kam shkruar në 19 e 20 Shkurt 2002 e botuar në numrin e fundit të përditshëm të gazetës Rilindja në ditën e mbylljes-dëbimit, 21 Shkurt 2002:

ZBATOHET VENDIMI I UNMIK-ut PËR LARGIM NGA PALLATI I RILINDJES

GAZETA “RILINDJA” DETYRIMISHT NDËRPRET BOTIMIN DERISA T’I SIGUROHET LOKALI I RI I PUNËS

Gazeta “Rilindja” detyrimisht ndërpret botimin, përkohësisht, pasi prej sot fillon zbatimi i vendimit të UNMIK-ut për largimin e saj nga Pallati i Rilindjes, ku është paralajmëruar vendosja e disa ministrive të Qeverisë së Kosovës. Ndërprerja, duke filluar prej nesër, do të zgjasë derisa “Rilindjes”, që largohet nga Pallati i saj, t’i sigurohet lokali i ri i përshtatshëm për punë të redaksisë. Administratori i UNMIK-ut për Pallatin e Rilindjes, përmes asistentes së tij, na njoftoi dje në mëngjes se energjia elektrike në Pallatin e Rilindjes do të ndërpritet sot në orën 16. Si pasojë, pas kësaj ndërprerje të energjisë elektrike do të ndërpritet edhe puna e Radio-Rilindjes.

Lidhur me këtë situatë NIB “Rilindja” iu ka drejtuar me një letër zyrtare Kuvendit të Kosovës, kryetarit akademik Nexhat Daci, Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetarit dr. Ibrahim Rugova, Partisë Demokratike të Kosovës, kryetarit Hashim Thaçi, dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kryetarit Ramush Haradinaj.

 Në letër thuhet:

Ju njoftojmë se detyrimisht do të ndërpritet, dhashtë Zoti vetëm përkohësisht, botimi i gazetës më të vjetër, tradicionale, të Kosovës, “Rilindja”, për shkak të ekzekutimit të vendimit të UNMIK-ut për largim nga lokalet tona në Pallatin e Rilindjes, pa na u siguruar lokal tjetër i gatshëm për të vazhduar punën normalisht dhe pa ndërprerje.

Në Pallatin e Rilindjes, të premten e kaluar është ndërprerë uji, ndërsa administratori i UNMIK-ut për Pallatin, z. Simon Burges, na ka paralajmëruar se këtë të premte, më 22 shkurt, (më vonë na u tha këtë të enjte) në orën 16, do të ndërpritet edhe energjia elektrike. Administratori i Pallatit na ka thënë se ne duhet të kalojmë në aneksin e Pallatit, atje ku është Shtypshkronja, por ato lokale janë tejet të shkatërruara, madje kulmi nuk e mban shiun, prandaj për t’i riparuar e bërë ambiente normale për punë, duhen investime të mëdha, qindra mijëra euro.

Ne nuk e kemi mundësinë që t’i sigurojmë mjetet për këto investime, por edhe jemi të bindur se, edhe duke u mbështetur në të drejtën për pronën, është obligim moral e material i atyre që na i marrin lokalet tona në Pallatin e Rilindjes të na sigurojnë lokale të tjera, që do të jenë po ashtu të gatshme të vazhdojmë punën normalisht.

Për ne në “Rilindje” ishte e paimagjinueshme që në këto rrethana të reja, në Kosovën e lirë, të mbesim pa lokale pune, e të jemi të detyruar ta ndërprejmë botimin e gazetës, që mu në këtë muaj festoi 57-vjetorin. Madje, të përkujtojmë, edhe në kushte shumë të rënda të luftës e të paraluftës e kemi nxjerrë këtë gazetë, edhe si gjysmëilegale e me emër tjetër (“Bujku”), atëherë kur regjimi i Milosheviqit e ndaloi me dhunë “Rilindjen”, në atë kohë gazetën e vetme të përditshme shqiptare në Kosovë.

Për “Rilindjen”, institucionin shumë të rëndësishëm që për gati gjashtë dekada është simbol i qenies shqiptare dhe i Kosovës, që të mbijetohet, është e domosdoshme mbështetja institucionale, morale e materiale. Krahas institucioneve të Koso vës, besojmë se do të kemi edhe mirëkuptimin e mbështjetjen e autoriteteve ndërkombëtare, të cilat bënë dhe po bëjnë aq shumë për Kosovën.

Para se të përfundojmë, të shtojmë edhe këtë: Ne në “Rilindje” i gëzohemi shumë ngritjes së institucioneve të Kosovës dhe përshëndesim vendosjen e ministrive në Pallat, pa asnjë fije kundërshtimi, edhe pse për momentin po mbesim keq.

Dhe, më në fund, ju përcjellim vullnetin e shprehur të punëtorëve të “Rilindjes”, që kjo gazetë të jetë e afërt me institucionet e reja të Kosovës, si dhe kërkesën që çështja e “Rilindjes” të shtrohet në Kuvendin e Kosovës.

Një letër tjetër “Rilindja” i ka dërguar edhe autoriteteve ndërkombëtare në Kosovë dhe zyrave diplomatike në Prishtinë.

AUTORITETEVE NDËRKOMBËTARE NË KOSOVË DHE ZYRAVE DIPLOMATIKE NË PRISHTINË

            Shumë të nderuar,

Ju njoftojmë se detyrimisht do të ndërpritet, dhashtë Zoti vetëm përkohësisht, botimi i gazetës më të vjetër, tradicionale, të Kosovës, “Rilindja”, për shkak të ekzekutimit të vendimit të UNMIK-ut për largim nga lokalet tona në Pallatin e Rilindjes ende pa na siguruar lokal tjetër për të vazhduar punën.

Besojmë se do të kemi mirëkuptimin e interesimin Tuaj për angazhimet që “Rilindja” të ketë mbështetje institucionale, morale e materiale, që pas largimit nga lokali i saj t’i sigurohet lokal tjetër pune, i përshtatshëm për redaksi gazete.

“Rilindja” më 12 shkurt të këtij viti festoi 57-vjetorin dhe shpresojmë se do të presë edhe shumë përvjetorë të tjerë.

(RILINDJA, 21 SHKURT 2002)

(Behlul Jashari

Kryeredaktor i gazetës Rilindja deri në numrin e fundit dhe në kohën e dëbimit nga Pallati i Rilindjes, kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së rezistencës “Bujku”. (Ndërmarrja Shoqërore Gazetare Rilindja sipas Statutit nuk ka drejtor, por vetëm kryeredaktor i cili e menaxhon dhe përfaqëson)

Kryetar i Këshillit Drejtues nga zgjedhjet me votim të fshehtë-referendum të 7 Shkurtit 2002, që i mbajtëm për të krijuar legjitimitet përfaqësimi në luftën për të drejtën derisa kishim presionet e ultimatumet e UNMIK-ut për të na dëbuar nga puna dhe Pallati, që ndodhi pas dy javësh – në 21 Shkurt 2002 dhunëshëm)
8 Attachments

Filed Under: Politike Tagged With: Rilindja

Kulti i të parëve – shprehje e një psike të popujve të lashtë

February 22, 2020 by dgreca

“Kombet ngrihen dhe mbahen në këmbë vetëm për hir të të vdekurve të tyre të mëdhenj.”– Branko Merxhani/

NGA ANTON ÇEFA/

Kulti i të parëve është një tipar shpirtëror universal për etnitë a grupet etnike të lashta. Në rrafsh psikologjik, ai sendërtohet në zakone, rite, ceremoni, etj., që në përgjithësi i takojnë së kaluares, duke na dëshmuar përbërës të psikës së lashtë të njerëzimit.

Në kohë të hershme, fiset dhe lidhjet fisnore, që shpesh besonin se kishin origjinë hyjnore, e kishin zakon të nderonin paraardhësit e tyre të vdekur nëpërmjet riteve të veçanta, organizimit të ceremonive të ndryshme, etj.

Dëshmi të gjalla të kultit të të parëve ne i gjejmë edhe në zakonet e dikurshme të popullit tonë, ruajtur sidomos në viset e thella malore. Kjo na dëshmohet në mbetje të jetës së përditshme, si edhe në folkor, në mitologji, në veçoritë etiko-morale, në normat juridike, etj.

Në psikën e stërgjyshëvë tanë, ky kult e ka alfën tek respekti me një përkushtim të veçantë i trashëgimisë shpirtërore të të parëve, dhe në radhë të parë tek ruejtja me fanatizëm, dhe nderimi i thellë i asaj substance shpirtërore që përbën tharmin e shqiptarizmit të moçëm, që jetësohet tek virtytet e fisme etiko-morale të mishëruara ndër zakone. Më së miri kuptohet këtu shpjegimi që i ka bërë Niçe kësaj dukurie: moraliteti nuk është gjë tjetër veçse bindje ndaj zakonit; kështu, njeriu më i moralshëm ishte ai që sakrifikonte më shumë për zakonin.        

Na përvijohet i qartë ky kult në dy monumentet më madhore të kulturës sonë popullore, në Eposin e kreshnikëve dhe në të drejtën zakonore, ku shprehet me tonalitete të larta krenaria për “kanunin” që kanë trashëguar prej të parëve, dhe e konsiderojnë atë si kredon e jetës e të veprimtarisë së tyre. 

Kreshnikët vlerësojnë lart thesarin e çmueshëm të virtyteve fisnike që përbën pajën më të vlertë të psikës së tyre. Emblematike janë gdhendur në rapsodinë “Martesa e Halilit” këto virtyte, në përgjigjen që Halili i jep krajlit, kur ai e pyet: “A p’e shef, Halil, dekën me sy? / Kurr ma ngusht, Halil, a thue je kenë?”:

          “Pa nigjo, more krajle kapedane,

            S’a ngusht njeri deri n’ditë të dekës:

            Deka vjen mbas mikut t’pre,

            Deka vjen mbas besës s’thyeme,

            A’ i kue (kafshatë) bukë mos t’kesh për mik.” 1).

Është skalitur në këto vargje një përgjithësim tejet artistik i vlerësimit të jetë-vdekjes përballë vlerave shpirtërore dhe konceptimi i botës morale të kreshnikëve. Shqiptari i kanunit gjindet më ngusht se para vdekjes, kur i presin mikun, kur i vjen miku dhe nuk ka bukë me i dhanë, dhe mbas thyerjes së besës. Këtë vlerësim ushqejnë ata edhe për virtytet tjera shpirtërore, që i dallojnë ata prej të huajve si burrninë, nderin, ndoren, faljen, etj.

Një vend të veçantë në psikën e kreshnikëve zë ideali i lirisë së trojeve, gatishmëria për t’i mbrojtur ato qoftë edhe me vetëflijimin sublim. Ata e kanë për nderin më të lartë të japin jetën për to. Halili, i lidhur këmbësh e duarsh, duke pritur të ekzekutohet nga Krajli, nëpërmjet fjalëve të fundit, transmetuar permes këngës, thotë:     “Tjeter t’mirë ne t’parët nu’ na kanë lanë, / Kurrnja nesh veç mos me dekë në t’shtrueme, / Por me shpata m’u pre tuj këndue.” 2).

Në një rapsodi tjetër thuren vendosmëria, heroizmi, vetëmohimi për lirinë dhe mbrojtjen e trojeve: “Tan n’tokën tonë na duem me dekë. / Tokën e babës s’mujm’ m’ e lshue, / rob askuj nuk mujm’ m’ u ba.” 3).

Kjo psikë e konceptimit të vdekjes për atdheun si akti më sublim i njeriut e ka shoqëruar shqiptarin gjatë gjithë historisë së tij. Fjala e urtë thotë: “Ai që vdes per atdhe, nuk ka vdekun por ka le” është kuptimplote në shprehjen e idealit dhe ndjenjës së popullit tonë për këtë dukuri. Për dëshmorin e atdheut është e pavdekshme kujtesa popullore.

*   *   *

Një aspekt tejet i hershëm i kultit të të parëve tek populli ynë është nderimi për të vdekurit. Një varg ritesh jetësohen që kur njeriu është në grahmat e vdekjes, dhe, sidomos në organizimin e funeralit. Spikat në mënyrë të veçantë gjëma. Në botimet e kanuneve tona janë përfshirë në kapituj të veçantë ritet e vekjes, gjëmës, varrimit të të vdekurëve. Duke bërë fjalë për kultin e të vdekurve në Mirëditë, në Malësi të Madhe, në Dukagjin, Bernardin Palaj shkruan: “Asht teprica ma arkaike e fiseve indo-europjane, ruejtë besnikisht vetëm ndër malet t’ona.”. 4). 

Malësorët besonin se që në kohën kur njeriu është në grahmat e fundit, vijnë hijet e të parëve për t’ia bërë vdekjen sa më të lehtë dhe bile të gëzueshme, dhe për t’i prirë në udhën për në botën tjetër. 5). Për mendësinë e malësorëve tanë, shpirtërat e të parëve janë mbrojtës të familjes dhe, në festat familjare, ata i ruajnë një vend bosh atyre.

Por, jo vetëm kaq, ata kanë marrëdhëniet më të çuditshme me shpirtrat e të vdekurve dhe jo vetëm të të parëve. Kadare, në “Eskili – ky humbës i madh”, duke komentuar tragjedinë “Orestia”, shkruan: “Ruajtja e pëlhurës rrjetë prej Klitemnestrës nuk është rastësi, as për arsye efekti, por lidhet me gjithë dinamikën e krimit. Por shpjegimi i saj mund të bëhet vetëm me ndihmën e kodit zakonor shqiptar. Dhe, ja se si: kur në një familje vritej dikush, këmishën e përgjakur e vendosnin në një vend të dukshëm të kullës malësore, në një mënyrë që në bazë të ndryshimit të ngjyrës së njollave të gjakut mbi pëlhurë të hetonin sinjalet, që sipas tyre i vrari dërgonte që nga nëntoka: padurim për marrjen e gjakut, pezmatim apo pikëllim.” 6). Ky padurim për marrjen e gjakut shtyhet më tej, është padurim për vënien në jetë të kanunit, pra të ligjit që i kanë lënë trashëgim të parët.

Malësorët tonë, të vdekurit i futnin në gojë një pare për të paguar urën që do të kalojë për në botën tjetër. Bashkë me kufomën, ndër varre, ata futnin sende të ndryshme të cilat i kishte përdorur i vdekuri kur ka qenë gjallë, vegla pune, armë, ushqime. Një jehonë e largët e besimit se shpirti i të vdekurit ringjallet.

Ky është një zakon shumë i lashtë. Në varrin e një vajze babilonase, është gjetur një rezervë e madhe ornamentesh, lulesh, shishe parfumesh, krehrash, penelash kozmetikë, kallepe të një paste të zezë, me të cilën e kishin zakon të lyejnë vetullat e qerpikët.”  7).

Kulti i të vdekurve ka qenë i zakonshëm edhe në shoqërinë homerike. Yamamoto, duke treguar ritualin e varrimit tek ajo shoqëri, ka hamendësuar edhe kuptimin teorik të tij: “Grupet fisnore që besohet se rrjedhin prej perëndive, kanë detyrimin të varrosin të vdekurit e tyre dhe të organizojnë në këto raste ceremonitë mortore, ku burra e gra qajnë, çjerrin fytyrat e shkulin flokët. Këto grupe i ruajnë lidhjet me paraardhësit e tyre, duke u ofruar ushqime apo duke bërë kurbane për to. Në këtë mënyrë, ato u konfirmojnë paraardhësve legjitimitetin e ekzistencës së tyre në shoqëri. Kështu, grupet fisnore të shoqërisë homerike e ruajnë ekzistencën tokësore, duke zbatuar ritualet e respektimit të të parëve dhe sigurojnë ekzistencën hapësinore, nëpërmjet bashkekzistencës dhe rivalitetit me fise të tjera, jo të një gjaku me to.”  8).

  *   *   *

Nderimi për të vdekurit kap kulmet artistike në organizimin e gjëmëve. Kadare ka shkruar në librin që çekëm më lart: “Një ritual mortor tek shqiptarët, s’është veçse një dasmë e kthyer me kokë poshtë.”. Në tekstet poetike të vajeve sidomos të grave me tone të thekshme vajtimi dhe me melodi karakteristike elegjiake tregohen punët e mira të të vdekurit, vlerat e tij njerëzore, etj.

Vajtimi i të vdekurve me gjamë në Veri dhe me ligje, të qara me logori, në Jug, ka qenë një zakon i të gjithë shqiptarëve. Këtë e kanë vërejtur edhe udhëtarët e huaj, që janë përshkuar në vendin tonë. “Në vitin 1814, në qytetin e Gjirokastrës, udhëtari Hjuz dëgjon të qara me logori, që vinin nga disa shtëpi njëherësh.. . . Ky zakon i grave shqiptare i bën përshtypje të thellë udhëtarit Hjuz dhe i kujton atij se, po në të njëjtën mënyrë, si këto gra shqiptare kishte qarë Uliksin edhe Penelopa e tij besnike” 9).

“Ligjet përbëjnë një nga pjesët më kryesore dhe më të bukura të poezisë popullore të shqiptarëvet. – shpjegon Çabej –  Se te këta është i gjallë kulti i të vdekurve e i trimave. Trimat e vdekur përmenden me zemër dhe lartësohen poetikisht jo vetëm në ligjet e grave, por edhe në gostitë e burrave. Momenti psikologjik në një situacion poetik të tillë është prania shpirtërore e të vdekurit; kulti i heronjve pothuajse e bën trimin e vdekur të ngjallet rishtas dhe të marrë pjesë shpirtërisht në këto mbledhje. Është me rëndësi për njësinë shqiptare që nëpër ligjet e krahinave të ndryshme shkon një frymë e njëllojtë dhe e përbashkët  shqiptare. Kjo shprehet si në kuptimin e botës si dhe në elementet formale dhe në mjetet e stilit.” 10).

“Thërmijëza të gjëmëve ruhen në kujtesën popullore në mbarë Shqipërinë, por vendi ku dukuria është ruajtur deri vonë ka qenë Veriu i Shqipërisë.” 11). At Zef Pllumi, në “Rrno vetëm për me tregue” përshkruan një gjamë, ndodhur në vitet 50 të shekullit të kaluar në Kir. Gjamën, ai e quan “doken ma të vjetër, pa dyshim parahistorike”. “Jo, na aty nuk ishim ma në shekullin e njizetë! Shqiptari jetonte çastet ma të vjetra të njerëzimit. Kurrë nuk e kam pa vdekjen ose shuemjen e jetës ma të madhe së atëherë, ndër ato çaste: Mrikë Kacelja e Prekalit kje shti në vorr në dhe të Kirit me ma shumë madhshti se Hektori i Trojës tek Iliada e Homerit. Funeralet e lulzueme e shkëlqimtare të kohës së sotme nuk mund i aviten kurrkund asaj madhështie që tundte malet. Kje gjama e fundit në Dukagjin: dita e fundit e epikës së shqiptarëve. Sot ato doke nuk i kupton kurrkush ma.” 12).

Nderimi i të parëve ndër malësitë tona dëshmohet dukshëm në lidhjet e tyre me fisin prej nga e kanë origjinën. “Çdo fis ka një legjendë të caktuar për prejardhjen e vet. Prejardhja ndiqet rreptësisht sipas vijës së mashkullit dhe tradita është trashëguar nga ati tek i biri përmes kujtesës, të paprishur nga trajta e shtypur”, ka shkruar Durham 13). “Ka pak vende të tjera në Europë, ku një njeri mund të japë emrat e pararendësve të vet për treqind vjet” 14). 

Duke folur për emrat tripjesësh të personave, emra të cilët përdoren në Veri dhe në Jug të vendit tonë, Çabej ka shkruar “spjegohen me rëndësinë që i jep shqiptari ruajtjes së fisit të vet edhe në emër.” 15). 

Shqiptarët edhe larg atdheut, kudo ku i ka hedhur fati i ruajnë me devocion traditat dhe kultin e të parëve. Dora D’Istria ka theksuar faktin që arbëreshët kanë ruajtur me besnikëri e dhëmshuri kultin e të parëve të tyre dhe traditat kombëtare.  16). 

Vërtet, ngjarjet dhe format e dëshmive të kultit të të parëve i takojnë së kaluares, por duhet theksuar se nderimi i të parëve merr një kuptim të veçantë, tejet të rëndësishëm, edhe në ditët tona, në mishërimin tek ata të traditës shpirtërore, të kontributeve që kanë dhën ata në fushën e kulturës. Ja çfarë shkruan Branko Merxhani: “Kombet ngrihen dhe mbahen në këmbë vetëm për hir të të vdekurve të tyre të mëdhenj. Të gjallët vetëm i përbëjnë kombet. Ata që i bëjnë, që i shtyjnë përpara, që u japin frymë, erë dhe gjak, janë të vdekurit e tyre të vajtuar e të nderuar.” 

Referenca

1). Biblioteka Françeskane “At Gjergj Fishta”, Kolana e shkrimtarëve françeskanë “Visaret e Kombit-Kangë kreshnikësh dhe Legjenda”, Botimi III, Mbledhë dhe redaktue nga At Bernardin Palaj dhe At Donat Kurti, Botime Françeskane, Shkodër, 2007, f. 39. Në raste të tjera, do të shënojmë vetëm: “Visaret e Kombit”.

 2). “Visaret e Kombit”, f.210. 

3). Universiteti i Tiranës, Instituti i Folklorit, “Folklori shqiptar”, Shtypur në Stabilimentin e Dispencave, Botim I, Tiranë, 1972, f. 103. 

4). At Bernardin Palaj, “Mitologji, doke dhe zakone shqiptare”, Zgjodhi, shtjelloi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha, “Shpresa”, Prishtinë, 2000, f. 22

5). At Bernardin Palaj, po aty, f. 24.

6). Ismail Kadare, Eskili – ky humbës i madh”, f. 117-118.

7). Nathaniel Micklem, “Religion”, Oxford University Press, London, New York, Toronto, 1948, p. 25.

8). Kazuhiko Yamamoto, “The Ethical Structure of Kanun and Cultural Implications – Struktura etike e Kanunit dhe nënkuptimet e saj kulturore”. Përkthyer dhe përgatitur për botim nga Selahedin A. Velaj & Printed in the United States of America, March, 2005, f. 214. 

9). Hughes, Th. S.”Travels in Sicily, Greece and Albania”, v. II, P. 35, London, 1835, Cituar sipas Shpëtim Mema, “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë”, shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1988, f. 129.

10). Eqrem Çabej, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, shtëpia botuese “MÇM”, Tiranë, 1994, f. 43

11). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë, 1985, zëri “Gjëma”, përgatitur nga Yllka Selimi, f.341 

12). At Zef Pllumi, “Rrno për me tregue”, pjesa II, botues “Hylli i Dritës”, Tiranë, 1997, f. 136-140.

13). Edith Durham, “Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për Shqipërinë dhe shqiptarët”, Shtëpia botuuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1990, f. 113.

14). Edith Durham, vepër e ciituar, f. 439.

15.Eqrem Çabej, vepër e cituar, f.41.

16). Dora D’ Istria, “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”, te Nasho Jorgqi, “Antologji e mendimit estetik shqiptar 1504-1944”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1979, f. 132.

Filed Under: Opinion Tagged With: Branko Merxhani

VATRA- BASHKATDHETARI NGA GJERMANIA UROI KRYETARIN BERISHA

February 22, 2020 by dgreca

ISH KRYETARI SHUMEVJEÇAR I LDK PËR GJERMANINË DHE ISH KRYETAR I KOLEGJIUMIT TË DEGEVE DIASPORËN, Z. HAFIZ GAGICA UROI KRYETARIN E VATRËS Z. ELMI BERISHA/

Z. Hafiz Gagica, ish Kryetar shumevjeçar i LDK-së për Gjermaninë dhe kryetar i Kolegjiumit te degeve për Diasporën, i shoqëruar nga e bija Zarife Gagica si dhe veprimtari Musa Dakaj, vizituan Vatrën, të shtunën në mesditë, 22 Shkurt 2020-/

Të Shtunën  në mesditë, 22 Shkurt 2020, selinë e Vatrës e vizitoi ish Kryetari shumevjeçar i degës së  LDK-së për  Gjermaninë, ish kryetar i Kolegjiumit te degeve te LDK-së për botën e Jashtme, z. Hafiz Gagica i shoqëruar nga e bija-Zarife dhe aktivisti Musa Dakaj. Ata u pritën nga kryetari i Federatës Pan Shqiptare të Amerikës”VATRA” z. Elmi Berisha me bashkëpunëtorët e tij: Presidenti i nderit i Vatrës Agim Rexhaj,arkëtari Marjan Cubi,anëtari i këshillit  Ramadan Gashi, dr. Naim Dedushaj dhe editori i gazetës”Dielli”.

          Mysafirëve ua ka uruar mirëseardhjen kryetari Berisha. Ai tha se ishte kënaqësi që priste në selinë e Vatrës një nga njerëzit e rëndësisihëm të LDK-së për Diasporën, koordinatorin dhe bashkëpunëtorin e të ndjerit President historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Kryetari i Vatrës përgëzoi z. Gagica për kontributin që ai ka dhënë në organizimin e degëve të LDK-së jo vetëm në Gjermani, por në të gjithë botën ku jetojnë shqiptarët.

        Më pas kryetari Berisha i ka prezantuar mysafirëve vizionin e Vatrës nën mandatin e tij, ku synohen lartësitë e shekullit XXI, dhe rritja e prezencës shqiptare në Washington si dhe tërheqja e brezit të ri në Vatër. Ai, tha se Vatra, por përpiqet që të krijojë një ombrellë për të tërhequr në bashkëpunim për çështjen Kombëtare edhe organizatat e tjera të komunitetit shqiptar në Amerikë dhe Kanada.

             Mysafiri me banim në Gjermani tha se ndjehej i emocionuar që ndodhej në Vatrën e Nolit dhe Konicës, para të cilëve përulej me respekt. Z. Gagica uroi kryetarin e Vatrës, z. Elmi Berisha, të cilit i uroi sukses gjatë mandatit në krye të Vatrës shqiptare.

-Ju, tha ai, keni në favor moshën dhe përvojën për të arritë suksesin. Mjafton që të gërshetoni trashëgiminë e brezit të vjetër me atë të brezit të ri, shtoni numrin e femrave, dhe punët do të ecin mbarë.

Po ashtu, tha ai ,ndjehej tepër i emocionuar që takonte në këtë shtëpi historike të shqiptarëve të Amerikës bashkëpunëtorët e hershëm të tij, të cilët i bashkoi me idealet e Lirisë presidenti Ibrahim Rugova.Ai kujtoi me radhë bashkëpunimin me veprimtarët e LDK-së në SHBA, të cilët ndodhen këtu në Vatër..

Presidenti i nderit i Vatrës z. Agim Rexhaj,i uroi mysafirit mirëseardhjen në këtë Tempull të Shqiptarizmit, siç do ta quante ai selinë e Vatrës. Me pak fjalë ai tregoi se përse Vatra krenohet me shërbimet që i ka bërë Kombit. Frymën Kombëtare të  Vatrës, tha ai, kam 30 vjet që e kam bërë pjesë të shpirtit. Takimi me nacionalistët antikomunistë më ndihmuan të kuptoj se kush ishte në të vërtetë Enver Hoxha dhe diktatura e tij. Kam gjetë në Vatër vetëm Marjan Cubin nag Kosova, komentoi ai. Më pas kujtoi takimet e  para me Dr. Rugovën, vizitën në Kosovë, bisedat per krijimin e LDK-se, anëtarësimin simbolik të Anthony Athanas në LDK me 10 prill 1990, bashkëpunimin në krijimin e LDK-së në Amerikë etj.

Marjan Cubi, arkëtar i Vatrës dhe ish kryetar i LDK, pasi i uroi mirëseardhjen mysafirit, solli në kujtesë takimet e para me z. Gagica, kur ishte koordinator, ardhjen në SHBA, organizimin e degëve të LDK-së në SHBA, takimet me dr. Rugovën qysh më 1989, në seminarin për Pjetër Bogdanin e më pas.

Urimeve për kryetarin e Vatrës dhe mirëseardhjen për mysafirin Gagica, iu bashkuan edhe Dr. Naim Dedushaj, Musa Dakaj dhe Ramadan Gashi.

Zonjushë Zarife Gagica tha se e kishte pasë ëndërr që të vizitonte Vatrën, me emrin e së cilës ishte ndeshur që në fëmijëri. Jam me fat, tha ajo për Diellin, që babai ma realizoi këtë dëshirë. Sot e preka me sy dhe zemër historinë e burrave dhe grave të Vatrës, që i paraprinë shtetit shqiptar.

Editori i Diellit i ka njohur mysafirët me historinë e Diellit 111 vjeçar dhe të Vatrës 108 vjeçare, që nga themelimi deri në ditët e sotme.

Z. Gagica shkroi në librin e vizitorëve: Vizita, së bashku me vajzën Zarifa, sot këtu në Vatër, më krijoi emocione të fuqishme dhe më imponoi një respekt të jashtzakonshëm për ata burra dhe gra, që kontribuan për ruajtjen e Kombit shqiptar, që ndërtuan urat e miqësisë mes Kombit Shqiptar dhe Amerikës, por edhe për të gjithë ata breza që e ruajtën Vatrën, këtë thesar të historisë tonë Kombëtare. Kryetarit të Vatrës, z. Elmi Berisha me stafin e tij, i uroj nga zemra suksese dhe lartësi të reja për VATRËN!

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, Hafiz Gagica, Vatra

USTA LONI TREBICKA

February 22, 2020 by dgreca

Portret biografi nga Thanas L. Gjika/

Ne shqiptarët nuk e kemi shkruar historinë familjare, për pasojë shumëkush prej nesh di pak ose aspak për jetën dhe bëmat e srërgjyshërve të vet. Pas shpërnguljes masive që na ndodhi pas vitit 1991, e cila për fat të keq vijon akoma, mendoj se është mirë që çdo familje sa më parë ta shkruajë historinë e familjes së vet dhe një kopje ta dorëzojë në Arkivin e Shtetit e një kopje t’ua lerë pasardhësve. Nga ana e tyre brezat e ardhshëm t’i pasurojnë këto biografi me jetën dhe bëmat e tyre. Ky proces ndihmon për mbrojtjen e pasurive dhe traditave tona familjare, shoqërore dhe kombëtare, si dhe për jetëgjatësinë e diasporës.

          Loni Vasil Trebicka ka qenë një prej ustallarëve ndërtues më të shquar të Korçës. Ai ishte bir i një familjeje të ardhur në Korçë nga fshati malor Trebickë, ku burrat brez pas brezi kishin ushtruar zanatin e muratorit. Midis muratorëve të qytetit dhe krahinës së Korçës, Loni u shqua që në rininë e tij për guxim, profesionalizëm, ndershmëri dhe karakter qytetar të lartë. Duke ia njohur këto tipare, mendova që jetën dhe bëmat e tij të mos i lë pa i shkruar në letër, sepse duke i lënë pa shkruar ato do të harrohen si janë harruar jetët dhe bëmat e gjyshërve e stërgjyshërve tanë.

* * *

          Ambjenti shoqëror dhe profesional ku u rrit usta Loni

          Fshati Trebickë, ku kishin lindur të parët e fisit të cilit i përket kushëriri im Loni, bashkë me fshatrat fqinjë, deri aty nga viti 1470 bënin pjesë në krahinën që quhej Opar. Sulltan Bajaziti ia dha këto fshatra dhëndërit të tij Iliaz Bej Mirahorit si vakufe (vakëfe), kur ky u pensionua dhe deshi të pleqërohej në Korçë.  Që nga ajo kohë Vithkuqi, Panariti, Grabocka, Trebicka, Treska, Katundi dhe Stratobërda nuk u quajtën më Opar, por “zona e Vakëfeve”, si quhen dhe sot.

          Shumica e burrave të kësaj zone, si shumica e burrave të shumë fshatrave malorë të Kolonjës, Oparit dhe Dibrës, nuk bënin jetën e një bujku të zakonshëm. Në fshatin e tyre ata jetonin gjatë pesë muajve të ngrohtë të vitit si bujq dhe blegtorë, kurse gjatë shtatë muajve të ftohtë (nga fundi i tetorit deri në fund të majit të vitit tjetër) shkonin e punonin si muratorë në zona ku dimri ishte i butë pa ngrica. Kjo mënyrë jetese me emigracion të brendshëm (kurbet sezonal) ishte krijuar që në kohët e vjetra.

          Në qytetet dhe fshatrat e Beratit, Myzeqesë, Përmetit, Tepelenës, Gjirokastrës dhe Himarës ekzistojnë edhe sot shtëpi të bukura të ndërtuara prej këtyre ustallarëve me gurë të skalitur, me porta dhe dritare me harqe. Edhe murin e gjatë mbrojtës në anën e djathtë të lumit Osum anës Beratit e kanë bërë disa grupe ustallarësh të këtyre fshatrave bashkë me disa argatë beratas.

          Ustallarët e këtyre fshatrave punonin në grupe me nga 4-10 persona, midis të cilëve shquhej kryeustai. Ky luante rolin e ingjinierit dhe të sipërmarrësit të punëve. Çdo grup kishte një ose dy mushka për transportin e veglave, veshjeve dhe ushqimeve, si dhe një qen. Gjatë pushtimit turk e deri në vitin 1920 grupet e ustallarëve mbanin dhe një ose dy pushkë për t’u mbrojtur nga hajdutët. Sasia e pjesëtarëve të grupit përcaktohej nga madhësia e objektit (shtëpisë) që do të ndërtohej.

                    * * *

          Fëmijëri dhe rini e vështirë

          Loni u lind në Trebickën e Poshtm, kur i gjithë fshati (Trebicka e Poshtme dhe e Sipërme) kishte rreth 200 familje, pra nja 1.000 banorë, si ka shkruar Polikron Simi Trebicka në librin e tij “Trebicka në rrjedhën e viteve” botuar më 1993. Gjyshi i Lonit, i cili ka qenë dhe gjyshi im, quhej usta Thanas Xheka (Xhekë është forma e shkurtër e emrit Vangjel). Nusja e Thanas Xhekës pasi lindi më 1884 djalin e parë Vasilin, vdiq pa mbushur fëmija një vit. Kjo vdekje e detyroi gjyshin Thanas të rimartohej me bashkëfshataren Nerënxa për të rritur djalin e vetëm 1-vjeçar. Nga kjo martesë në vitet e parë lindën disa fëmijë të cilët jetua vetëm disa javë ose muaj, kurse më 1894 u lind Ligori (Goni, si e quanim shkurt, babain tim). Pra Vasili dhe Ligori ishin vëllezër me diferencë 10 vjet, të cilët i rriti Nerënxa. Kjo nuse edhe pse në fakt ishte njerkë e Vasilit, e deshi dhe e rriti atë si djalin e vet. Po ashtu dhe Vasili që nga mosha 1-vjeçare e njohu dhe e deshi atë si nënën e vet.

          Gjatë dimrit 1902-1903 ndodhi një tjetër fatkeqësi, kryeusta Thanasi u sëmuar nga pleviti gjatë punës për ndërtimin e një shtëpie në qytetin Kavallë, sot qytet i Greqisë. Ai vdiq në mars të vitit 1903 duke lënë djalin e madh Vasilin 19-vjeçar dhe Ligorin e vogël 9-vjeçar. Varrimi i usta Thanasit u bë në Kavallë, por varrin e tij nuk ka pasur rast ta vizitojë asnjë prej ne pasardhësve. Mbas vdekjes së Thanasit, vëllai i tij usta Sotiri mori drejtimin e grupit ku u shtua dhe Ligori si ndihmës baltaxhi. Sotiri e ndërroi vendin e punës dhe në tetor të vitit 1903 shkoi në Dhoksat të Gjirokastrës për ndërtim shtëpish. Mbas disa vjetësh, në shtator të vitit 1908 usta Vasili u martua me vajzën Kondile, bijë nga fshati Treskë. Nga kjo martesë u lind Loni në fillim të marsit 1910.

          Para vitit 1913, gjendja e varfër dhe dëshira për të mos kryer shërbimin ushtarak në vende të largëta të Perandorisë Turke, i detyronte shumë të rinj të krishterë të Vilajeteve Manastir e Janinë (Shqipëri e Jugut) të merrnin rrugën e kurbetit për Egjipt, Rumani, Bullgari e pas vitit 1884 edhe në SHBA. Duke ëndërruar një vend pune ku mund të paguheshin më mirë dhe mund të mblidhnin pare për të përmirësuar jetën, në fund të marsit 1910, Vasili bashkë me Ligorin dhe disa kushërinj morën rrugën e kurbetit për Amerikë. Pasi kaluan disa muaj në Boston MA dhe dimrin e ashpër në Concord NH, në pranverë të vitit 1911 ata shkuan me tren në qytetin Seatle WA në brigjet e Oqeanit Paqësor, ku nuk binte borë. Ligori dhe  kushërinjtë u rregulluan në punëra të ndryshme si ngarkim-shkarkim peshku, derdhje çeliku nga fonderia, prerrje trupash në sharra, etj. Kurse Vasilin, duke qenë usta shumë i mirë, trupmadh dhe i fuqishëm, e mori në punë një grup muratorësh për ndërtim pallatesh. Mirëpo pas dy vjet pune, ai u dëmtua rëndë në kokë sepse ra nga skela e katit të tretë. Në atë kohë nuk kishte inshurenca për ustallarët, prandaj vëllai i tij pas vizitave të para te mjekët, e mbajti pa punë dy vjet në konak (dhoma e përbashkët, ku jetonin ata të dy dhe 5 kushërinjtë, djemtë e hallës: Hari, Simi, Panua, Nisi dhe Rakua, bijtë e Sotir Stefanit).

          Në vitin 1915, kur u pa se Vasili nuk kishte përmirësim, Ligori dhe kushërinjtë vendosën ta dërgonin në atdhe pranë nënës, gruas e djalit. Trebicka dhe shumë fshatra të tjerë të Shqipërisë së Jugut ishin djegur gjatë vitit 1914 prej ushëtrisë greke (andartëve), për shkak se burrat e atyre fshatrave, kur i pyesnin ushtarët grekë “a jeni grekë ortodoksë?”, ata u përgjigjeshin “ne jemi shqiptarë ortodoksë”. Shumë banorë që shpëtuan gjallë të Trebickës, Panaritit, Katundit, Stratobërdës, Treskës, Grabockës, Orgockës, Koblarës, etj, pas këtyre masakrave u shpërngulën nga vatrat e tyre dhe u vendosën në Korçë, ose në qytetet dhe fshatrat e Beratit, Përmetit, Gjirokastrës e Himarës, ku kishin miq e të njohur, të cilëve u kishin ndërtuar shtëpitë. Kurse xhaxha Sotiri me familjen e tij dhe nënë Nerënxa me nuse Kondilen dhe Lonin e vogël, si shumë bashkëfshatarë të tjerë, pasi u fshehën gjatë masakrave, u rikthyen te shtëpitë e tyre. Kur erdhi Vasili nga Amerika më 1915 shkoi në fshat, ku u bashkua me nusen, djalin dhe nënë Nerënxën. Mirëpo në pranverë të vitit 1916 ushtria greke sulmoi përsëri qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë së Jugut. Djegiet dhe masakrat u përsëritën. Kësaj here pothuaj gjithë trebickallinjtë u shpërngulën nga fshati i tyre përgjithnjë. Kjo shpërngulje e detyroi fisin tonë të ndahej më dysh: usta Sotiri, me gruan e vet dhe djalin Andon, i cili ishte i martuar me Kostandinën nga fisi Koçollarë i Koblarës, shkuan në fshatin Dhoksat të Gjirokastrës. Kurse Vasili me gruan e tij, që ishte shtatzënë, me djalin Loni dhe nënë Nerënxën, shkuan në Korçën e afërt, ku zunë një dhomë me qira.

          Shumica e familjeve të shpërngulura pasi sistemoheshin në qytete e fshatra të tjerë merrnin për mbiemër emrin e fshatit nga ishin me origjinë. Kështu Vasil Thanas Xheka pas vajtjes në Korçë u quajt Vasil Thanas Trebicka. Këtë mbiemër morën dhe nënë Nerënxa,  nuse Kondilja dhe Loni, kurse Ligori në Amerikë vijoi të quhej Ligor Thanas Xheka. Nga ana e tij usta Sotiri, kur shkoi në Dhoksat u quajt Sotir Xhekë Thimio, kurse i biri u quajt Andon Sotir Thimio. Mbiemrin Thimio nuk e di njeri pse e mori kjo degë e familjes sonë. Andoni me Kostandinën lindën tre fëmijë: Viktoria, Pandeliu dhe Apostoli, të cilët kanë lënë pasardhës dhe këta kanë fëmijë që jetojnë në Gjirokastës, Tiranë, Korçë, Itali dhe SHBA.

          Gjendja ekonomike e familjes së Vasilit në Korçë ishte shumë e vështirë sepse në qytet nuk kishte shtëpinë e vet, kopshtin e bashtën, ato pak dele dhe pula. Këtu më 1916 familja u shtua dhe me vajzën Athina dhe më 1918 edhe me djalin Kristaq. Vasili nuk mund të punonte dhe ato pak dollarë që solli u mbaruan shpejt. Ligori dërgonte shuma të vogla dollarësh çdo gjashtë muaj, që nuk mjaftonin për të paguar qiranë dhe për të blerë ushqimet për gjithë familjen. Prandaj nënë Nerënxa dhe nusja Kondile filluan të punonin ku të mundnin si pastruese, larëse rrobash, gatuese gjellësh, etj. Në nëntor të vitit 1920 u kthye dhe Ligori nga Amerika. Me nënën e tij ai zuri një dhomë tjetër me qira dhe u martua pas dy javësh me një vajzë që ia kishte gjetur nëna e tij, që kur  ishte në mërgim.

          Vitet 1921-1922 sollën disa fatkeqësira në jetën e Ligorit. Nusja kishte qenë e sëmurë me plevit dhe sa vinte rëndohej. Vizitat te mjekët nuk po e shëronin sepse në atë kohë nuk ekzistonin antibiotikët. Në verë të vitit 1921 nevoja për të pasur pare për të shpenzuar nëpër doktorët dhe për të blerë orendi, ushqime të mira e veshje për punë, e detyruan Ligorin që të pranonte propozimin e disa miqve për t’i këmbyer dollarët flori me dhrahmi greke monedha në letër që ishin në qarkullim. Ndërkohë në shtator 1921 i mbaroi afati 1-vjeçar i pasaportës që kishte marrë prej Kostë Çekrezit, Konsullit të Shqipërisë në Washington DC. Pra ai nuk mund të kthehej më në SHBA. Në nëntor i ndodhi fatkeqësia tjetër, i vdiq  nusja, kurse në mars 1922 qeveria greke shpalli se i konsideronte të pavlefshme kartmonedhat dhrahmi që kishin mbetur jashtë shtetit. Kështu, kursimet e mbledhura me djersë e mund në kurbet, Ligorit i shkuan kot. Kartmonedhat e dhrahmive 100-mijshe, 50-mijëshe dhe 10-mijëshe ishin në shtëpinë tonë me tufa, me të cilat më vonë do të luanim ne fëmijët. Kur i thamë një ditë se nuk duhej ta vijonte miqësinë me ata që ia ndërruan dollarët me dhrahmitë letër, sepse ata ia kishin hedhur, ai na tha se fajin e kishte ai vetë që pranoi pa pyetur dhe jo ata që i propozuan atë pazar këmbimi.

          Pas vdekjes së nuses së parë, humbjes së kursimeve dhe skadimit të afatit të pasaportës, Ligori e mblodhi mendjen se duhej të rifillonte jetën nga e para me kurajo dhe optimizmin. Në korrik të vitit 1922, kur ishte 28-vjeçar kërkoi për nuse vajzën 17-vjeçare Meropi, bijë e një familjeje nga Trebicka që kishte zbritur në Korçë para vitit 1900. Meropi ishte vajza e vetme e zotit Josif Doko Simo, të cilin Ligori e kishte njohur gjatë viteve të kurbetit në Amerikë. Në gusht e mori nusen në shtëpi pa dasmë. Një muaj më vonë u bashkua si usta me një grup muratorësh për të ndërtuar shtëpi në fshatrat e Tepelenës. Kur u kthye në maj, shkoi me nusen te fotografi dhe bëri foton me rroba dasme si kujtim.

          Në verë të vitit 1922, Loni mbaroi shkollën fillore. Pa i mbushur ende të 13 vjetët filloi të kërkonte punë. Xhaxhai i tij, Ligori iu lut të bashkohej me grupin që do bashkohej ai për ndërtime në fshatrat e Tepelenës, por prindërit e tij, nënë Kondilja dhe Vasili, nuk pranuan që djali të largohej nga Korça. Kështu Loni filloi punë si baltaxhi pranë një grupi muratorësh, shokë të babait të tij. Mbas disa vjetësh ai u bë ndihmësusta dhe në vitin 1929 fitoi pozitën e ustait. Ashtu si i ati dhe ai u bë usta i talentuar pa studiuar në ndonjë shkollë profesionale, por duke punuar me pasion dhe i ndihmuar prej trupit të fortë dhe aftësive individuale.

          Usta Loni ishte trupmadh si i ati, i fuqishëm, që dallohej për punën e shpejtë e të pastër. Të gjithë ustallarët korçarë që punuan me të, çuditeshin se si ai nuk e ndoste vendin e punës edhe as rrobat që mbante veshur.

          Guxim dhe arritje profesionale

          Në shkurt të vitit 1931 në qytetin e Korçës ra një tërmet që bëri shumë dëme. Midis dëmeve ishte dhe bashkimi i dy kullave të këmbanoreve të Kishës së Shën Gjergjit. Kjo kishë ishte ndërtuar në vitet e pushtimit turk 1898-1905 si dhuratë prej atdhetarit Anastas Avramidh Lakçe. Ky atdhetar korçar i mërguar në Rumani, pasi u pasurua i dhuroi shoqërisë “Dëshira” të Sofjes paret për blerjen e shtypshkronjës ku botoheshin falas librat e Naim Frashërit dhe atdhetarëve të tjerë e më tej për ndërimin e kishës madhështore të Shën Gjergjit, një monument madhështor arkitektonik, ndërtuar e gjitha me gurë të mëdhenj gri të skalitur. Mirëpo dëmtimi i dy kullave të këmbanoreve shkaktoi panik në popull. Pritej që ato të binin nga dita në ditë, mirëpo nuk po binin vetë. Populli ndërpreu vajtjet në kishë për të kryer ceremonitë fetare. Askush nuk guxonte të hipte për të çmontuar kullat e këmbanoreve.

          Pikërisht në këtë kohë u shfaq guximi, zgjuarësia dhe profesionalizmi i usta Lonit, këtij trebickalliu 21-vjeçar. Vinça ende nuk kishte në Korçë. Pasi u konsultua me ing. Anastas Pilikën, i cili kishte kryer studimet në Amerikë në Universitetin e qytetit Detroit MI., Loni ndërtoi dy palë skela, njërën nga ana ballore e kishës dhe tjetrën nga ana e prapme e kullave. Kur përfundoi ndërtimin e tyre filloi çmontimin e kullave të këmbanoreve duke hequr pjesët përbërëse nga maja deri te niveli i çatisë së kishësh. Pastaj çmontoi skelat dhe mbylli vrimat e mëdha që u krijuan nga prishja e kullave. 

          Ingjinier Pilika pas këtij veprimi të guximshëm e vlerësoi djaloshin dhe e mori në grupin e ustallarëve me të cilët po ndërtonte Katedralen “Zonja e Madhe” pranë Mitropolisë. Mirëpo, kur përfundoi ndërtimi i kishës doli problemi i vendosjes së tre kryqeve, dy mbi kullat e këmbanoreve në ballë dhe një mbi kupolën e madhe në mes të kishës. Përsëri ishte usta Loni, ai që sugjeroi zgjidhjen dhe guxoi ta zbatonte atë. Mbi skelën e kupolës ai ndërtoi një trekëndësh të lartë, në majë të të cilit mbërtheu një çengel dhe kaloi aty litarin me të cilin lidhi veten dhe i detyroi shokët ta tërhiqnin litarin derisa ai të arrinte në pozicionin e duhur mbi kupolë. Kështu ai mundi të vendoste pak çimento te vrima dhe nguli kryqin e parë. Po kështu veproi dhe për vendosjen e dy kryqeve të tjerë mbi kullat e këmbanoreve. Vendosja e tre kryqeve ia rriti famën ustait të ri.

          Gjatë viteve 1931-1932 duke punuar me ing. Pilikën për ndërtimin e Katedrales “Zonja e Madhe”, Loni përvetësoi ndërtimin me tulla dhe leximin e projekteve të ndërtimit. Më tej ai u stërvit të skiconte vetë tre lloj projektesh të thjeshta për ndërtim shtëpish të vogla private me një ose dy kate. Shumë shpejt ai i nguliti në mendje skicat dhe sasinë e materialeve që duheshin për ndërtimin e secilës skicë. Po ashtu ai nguliti në mendje dhe koston në lek të materialeve dhe se sa duhej paguar puna e tij dhe e ustallarëve. Me të tilla njohuri praktike ai bënte pazar me ata që donin të ndërtonin shtëpi të re. Duke punuar me cilësi e ndershmëri, ky usta kishte shumë kërkesa pune për ndërtim shtëpish të reja, prandaj ai nuk pati kurrë kohë të merrej me meremetim shtëpish të vjetra, ndërrim çatish, ngritje avllish, etj.

          Vepra arkitektonike me vlera kombëtare

          Nga duart e usta Lonit dhe të shokëve të grupit të tij në qytetin e Korçës ka shumë shtëpi, vila, godina qeveritare, fabrika e objekte të tjerë. Midis tyre janë disa ndërtesa madhështore me vlera arkitektonike të spikatura, të cilat janë frut i punës së tij dhe shokëve të tij gjatë zbatimit të projekteve të ingjinierëve A. Pilika dhe Qemal Butka në vitet 1931-1938, të ingjinierëve italianë në vitet 1938-1943 dhe më vonë edhe të ingjinierëve sovjetikë në vitet 1952-1958. Po ndalem të përshkruaj disa prej tyre:

          Varri monumental i Dr. Mihal Turtullit

          Te vorrezat e vjetra të qytetit të Korçës, kur ato ishin rreth kishës së Shën Mërisë, që ndodhej në daljen veriore të qytetit, pra në të djathtë të rrugës Korçë-Tiranë, usta Loni ndërtoi në vitin 1935 një varr monumental, varr-shtëpi, të cilin e veshi krejt me mermer të bardhë të importuar nga Greqia. Ky varr monumental u ndërua për okulistin dhe politikanin Dr. Mihal Turtulli, atdhetarin që kishte shkrirë pasurinë e vet për çështjen kombëtare. Ky varr u ndërtua sipas projektit të një varri-shtëpi që ishte ndërtuar për një mikun e Dr. Turtullit në Gjenevë të Zvicrës, ku ai jetoi disa vjet. Dimensionet e tij ishin: 3.1/2 metra të gjerë, 4 metra të gjatë dhe 6.1/2 metra të lartë. Prerja e copave të mermerit në forma të ndryshme dhe vendosja e tyre ishin punë delikate dhe të vështira, që nuk mund t’i realizonte një usta i zakonshëm. Ky varr monumental ishte një munument kulture që nuk ekzistonte në asnjë nga vorrezat e qyteteve shqiptare.

          Fatkeqësisht, në vitet 1961-1963 gjatë zhvendosjes të vorrezave prej anës veriore tek ana jugore e qytetit, ky varr, ashtu si dhe kisha e Shën Mërisë e ndërtuar rreth vitit 1300, bashkë me shumë varre të tjerë të mermertë me vlera muzeale u shkatërruan dhe nuk u rindërtuan te vorrezat e reja. Në ato vite konsideroheshin objekte me vlera të mëdha historike e muzeale objektet që kishin lidhje me Luftën Antifashiste dhe ndërtimin e socializmit. Kështu Korça e traditave “borgjeze” i humbi dy monumente kulture, kishën 800-vjeçare të Shën Mërisë, e cila kishte qimitir (ambjent nëntokësor ku ruheshin eshtrat e njerëzve të shquar) dhe varrin-shtëpi të Dr. Turtullit, objekte që nuk gjendeshin askund në Shqipëri. 

          Vila madhështore e Dr. Sotir Polenës

          Doktor Sotir Polena, pasi përfundoi në Austri studimet e larta për mjekësi dhe specializimin pasuniversitar për kirurgji, erdhi në qytetin e lindjes, në Korçë, në vitin 1930. Këtu ushtroi profesionin e mjekut kirurg me shumë sukses. Në vitin 1933 ai porositi jashtë shtetit një projekt për ndërtimin e një vile të madhe, ku duhej të përfshihej brenda saj shtëpia dykatëshe ku banonte familja. Godina e re u ndërtua me katër kate. Në katin e parë dhe të dytë u bënë vetëm shtesa anësore mbështetur mbi shtylla betoni. Kjo pjesë u mbulua me soletë betoni dhe mbi të u ndërtuan dy kate të tjerë. Dy katet e parë do të vijonin të shërbenin si shtëpi banimi për familjen dhe shërbëtorët. Kurse kati i tretë do të shërbente si klinikë për vizita dhe operacione. Kati i sipërm do të shërbente si pavion për të mbajtur të operuarit disa ditë derisa të forcoheshin para se t’i dërgonte në shtëpitë e tyre. Me këshillën e arkitekt Pilikës ai ia besoi zbatimin e projektit grupit të ndërtuesve që drejtonte usta Loni Trebicka.

          Aty nga vitet 1960-1961, Loni dhe unë po kalonim para kësaj vile të bukur. Duke parë nga vila e pyeta se pse kishte mbetur pa u suvatuar nga jashtë. Ai më tregoi se gjithëçka kishte ecur mirë derisa u përfundua krejt godina dhe u suvatuan ambjentet nga brenda. Mirëpo kur ishin ndërtuar skelat për të filluar suvatimin e godinës nga jashtë, doktori hipi në skelën e katit të dytë për të parë si po shkonin punët. Në një moment ai u pengua dhe ra nga skela poshtë, por nuk pati dëm në trup. Kjo ngjarje iu duk si shënjë e keqe dhe dha urdhër të çmontoheshin skelat dhe të mos kryhej suvatimi i godinës. Prindërit e doktorit kishin lindur nëntë fëmijë, por prej tyre jetonte vetëm ky djalë. Kuptohet se rënia nga skela e trembi atë, ose prindërit e tij, se mos mbetej familja pa trashëgimtar…

          Lënia pa suvatuar e asaj vepre ishte një nga pengjet e usta Lonit. Fatkeqësisht edhe sot ajo vilë e bukur ka mbetur e pasuvatuar nga jashtë prandaj nuk e tregon bukurinë e vet sa dhe si duhet. Në mjaft vende pjesët prej betoni kanë filluar të dëmtohen nga erozioni natyror, sepse cimentoja greke që ishte përdorur nuk ishte e markave të larta.

          Godina e Bankës së Shtetit

          Banka shtetërore si institucion në Shqipëri u krijua në vitet 1923-1924. Në Tiranë dhe në qytetet e tjerë ky institucion e kryente detyrën në disa godina jo të përshtatëshme.  Për këtë arsye Mbreti Zog i I në bashkëpunim me ingjinierë arkitektë italianë ndërtoi në vitet 1935-1936 godina të reja për të kryer funksionin e bankës shtetërore në qytetet kryesore të vendit. Këto ndërtime Mbreti i realizoi me kreditë që merrte prej Italisë. Me ato kredi ai bëri përveç godinave të bankave dhe disa ndërtime të tjera si rrugë automobilistike për lidhjen e qyteteve kryesore, urën madhështore të Milotit mbi lumin Mat, godinën e maternitetit të Tiranës, Hotel Dajtin, stadiumin, etj.

          Arkitekti italian vendosi që Godina e Bankës së Shtetit në qytetin e Korçës të ndërtohej në dy katet e parë me gurë të mëdhenj gri të skalitur, kurse kati i tretë që do të ishte shtëpi banimi e drejtorit të bankës, të ndërtohej me tulla të kuqe. Për skalitjen e gurëve gri u caktua një grup gurgdhëndësish që drejtohej prej usta Kristaq Papaargjirit. Kurse për zbatimin e projektit, pra për ndërtimin u caktua usta Loni me grupin e tij. Kjo godinë zbukuron qytetin edhe sot pranë qendrës te këndi që formohet nga ndarja midis rrugës Korçë-Tiranë dhe rrugës Korçë-Bilisht.

          Prefektura / Komiteti Ekzekutiv dhe Gjykata

          Midis ndërtimeve që u bënë para pushtimit italian në qytetin e Korçës, ku mori pjesë usta Loni me grupin e tij, është dhe godina e madhe me dy kate, që u ndërtua në të majtë të Lumit të Mborjes. Kjo godinë u ndërtua sipas projektit të hartuar prej ing arkitektit Qemal Butka, që kishte mbaruar studimet në Vjenë në vitin 1931, me kate të lartë dhe hyrje madhështore. Hyrja e saj kryesore është realizuar me një portal, që përfshin të gjithë lartësinë e fasadës mbështetur në kolona të forta. Ndërtimi i kësaj godine u krye gjatë viteve 1936-1937. Mbasi mbaroi ndërtimi, qeveria mbretërore e përdori për zyrat e Prefekturës dhe të Gjykatës. Pas Luftës së Dytë Botërore në këtë godinë u vendosën zyrat e Komitetit Ekzekutiv të Rrethit me seksionet përkatës dhe Gjykata.

          Për ndërtimin e kësaj godine u përdorën mure me tulla të suvatuar nga jashtë, kurse për ndarjen e pjesës së themeleve nga muri i katit të parë dhe për ndarjen midis dy kateve u përdorën gurë të skalitur të nxjerrë nga mademi i gurit të Polenës. Guri i mademit të Polenës është gur i kuq zbukurues më i fortë se guri gri. Gurët e kuq u përdorën edhe për ndërtimin e qosheve të godinës, anësoret e portave dhe të dritareve, si dhe për shtyllat te hyrja kryesore e godinës.

          Me skalitjen e gurëve të kuq për këtë godinë u caktua një grup gurgdhëndësish që drejtohej prej usta Guri Qiricit, një mjeshtër i punimit të gurit me origjinë nga fshati Koblarë, shok i usta Lonit. Pra ky objekt arkitektonik është gjithashtu një kujtim i punës së kujdesëshme të kryemjeshtrave Loni Trebicka e Guri Qirici dhe i punëtorëve të tyre.

          Godina në formë vapori

          Familja e pasur korçare me mbiemrin Çekani ndërtoi në qendër të qytetit gjatë viteve të Mbretërisë një godinë të bukur me gjashtë kate në formë vapori. Në katin e parë kishte një farmaci dhe disa dyqane tregëtie. Mbi katin e pestë kishte një verandë e ballkon të madh prej ku dukej qyteti si në pëllëmbë të dorës. Farmacia mbane emrin “Farmacia Çekani”. Me formën e veçantë dhe me lartësinë e saj kjo godinë nuk gjendej në asnjë qytet tjetër të Shqipërisë. Duke pasur në sfond Malet e Moravës dhe përpara Monumentin e Ushtarit të Panjohur të Odise Paskalit, kjo godinë shumë shpejt u bë simbol i qytetit. Mirëpo mbas ardhjes në pushtet të qeverisë komuniste, kjo godinë private u shtetëzua, të zotët e saj u degdisën.

          Nëpunësve të urbanistikës së qytetit në vitet 1970-të u lindi nevoja për ndërtimin e një godine të re për të vendosur Komitetin e Partisë së Rrethit, organika e të cilit fryhej gjithnjë e më shumë. Ata i ranë shkurt punës për të krijuar sheshin e nevojshëm për ndërtesën e re. Prishën godinën madhështore, “Vaporin”, simbolin arkitektonik të qytetit, godinë që nuk kishte kush ta mbronte sepse ishte pronë shtetërore. U zhduk nga qyteti edhe kjo godinë monumentale ashtu si u zhdukën dhe Kisha e Shën Mërisë, Kisha e Shën Gjergjit, vorrezat e lashta, Katedralja Zonja e Madhe, etj. Qeveritarët e sistemit komunist edukoheshin prej partisë shtet të mendonin se historia e kulturës dhe e artit shqiptar fillonte me historinë e objekteve të kulturës dhe artit që po ndërtoheshin prej shtetit komunist. Nuk mendonin se prishja e një objekti kulturor e artistik është humbje e përjetshme.

          Për ndërtimin e godinës në formë vapori kishte punuar disa vjet edhe usta Loni me punëtorët e tij. Prandaj ai kur pa shkatërrimin e kësaj godine simbol, u mërzit pa masë dhe më tha me vrarje zemre: “Nuk ndreqet Korça duke prishur kënaçe për të bërë bucela. Sot për ne ustallarët është ditë zie”.

          Në vitet 1930-1943 në Korçë si në gjithë qytetet e Shqipërisë shumë njerëz që merreshin me tregëti dhe profesione si ndërtues, suvatues, bojaxhinj, etj patën fitime të mira. Tregëtarët italianë sillnin materiale moderne të llojllojshme me çmime të leverdisëshme. Kjo situatë u dha mundësi të pasurve të porositnin ndërtim shtëpish të reja, kurse ustallarëve u erdhi rasti të shpalosnin më tej aftësitë e tyre profesionale.

          Loni me grupin e tij të punës ndërtoi në këto vite krahas godinave qeveritare dhe një numër shtëpish private luksoze. Të tilla janë disa vila midis të cilave po përmend shtëpinë e nje familjeje, e cila është e dokumentuar si punë e usta Lonit nga një foto që ruan djali i tij Vaskë Trebicka. Kjo vilë pas vitit 2000 u muarr me qira nga qeveria greke për të sistemuar aty Konsullatën Greke të Korçë. Të gjithë gurët e skalitur të kësaj godine mbi themelet e deri te mesi i katit të dytë i kanë punuar duart e usta Lonit, po ashtu dhe anët e dritareve ai i ndërtoi me tulla të prera me sqaparin e tij duke krijuar dritare të veçanta artistike. Mbas ndërtimit të karabinasë së kësaj shtëpie, ustai porositi fotografin t’i bënte një kujtim. Doli në foto duke e mbështetur dorën e majtë te muri anësor i saj për t’u treguar pasardhësve se aty ai kishte derdhur djersën dhe talentin e tij për gdhëndjen e gurëve dhe tullave. Ata gurë e ato tulla e kanë parë fytyrën e përqendruar e të djersitur të usta Lonit duke goditur mbi to me duart e tij të arta për t’i kthyer nga gurë e tulla të zakonshme në objekte të bukur artistikë për ndërtim muresh dekorativë. 

          Godina fabrikash në vitet e ndërtimit të socializmit

          Pas Luftës së Dytë Botërore, puna për ndërtimin e shtëpive private u kufizua. Disa pak ndërtime që vijuan të bëheshin pas vitit 1944 binin në sy për cilësinë e ulët të materialeve që prodhoheshin në vend, për zvogëlimin e dimensioneve dhe varfërinë e përgjithëshme. Qeveria që erdhi në fuqi u përpoq të ndërtonte pallate me apartamente banimi, si dhe fabrika e punishte për punësim të popullsisë. Politika shtetërore synonte shtetëzimin e çdo prone private dhe stimulonte vetëm ndërtimet shtetërore. Mbas vitit 1950 edhe usta Loni u fut në punë në Ndërmarrjen Shtetërore të Ndërtimeve  (NShN). Ai punoi tani për ndërtimin e disa prej objekteve shtetërore, por pa e braktisur punën private për ndërtimin e disa shtëpive të vogla pas orarit të punës shtetërore dhe sidomos gjatë ditëve të djela. Grupi i tij i punëve private mbeti po ai ku bënin pjesë ustallarët Thomo Orgocka, Pano Petro, Spiro Grabocka dhe baltaxhiu i palodhshëm Rako Niçka me origjinë nga Qyteza.

          Në fillim të viteve 1950 Loni punoi për ndërtimin e Fabrikës së Sheqerit në Maliq, pastaj për ndërtimin e një fabrike të vogël qelqi brenda në qytetin e Korçës, më tej për ndërtimin e Ndërmarrjes së Konservimit, të Birrarisë dhe kinemasë Republika dhe në vitet 1963-1964 për ndërtimin e Fabrikës së Qelqit afër fshatit Mborje. Pas këtij objekti, Loni u punësua si usta i kësaj fabrike për ndërtime e riparime të ndryshme dhe kryeisht për riparimin e kullave të zjarrit të saj. Me ndërtimin e fabrikave të tjera të qelqit në Tiranë e Kavajë, Loni ishte ustai kryesor që dërgohej për ndërrimin e tullave të shamotit edhe në kullat e zjarrit të këtyre dy fabrikave të reja.

          Tullat e shamotit kishin aftësinë që të ruanin temperaturën e lartë gjatë punës për shkrirjen e qelqit, prandaj me to visheshin nga brenda kullat e zjarrit. Mirëpo ato kishin një të keqe se dëmtoheshin dhe duheshin ndërruar çdo vit. Kjo ishte puna cfilitëse që i shkurtoi jetën usta Lonit me shokë, sepse tullat nuk ftoheshin menjëherë pas shuarjes së zjarrit. Ato e mbanin temperaturën e lartë për shumë ditë e javë, por punëtorët e prodhimit të qelqit nuk mund të mbaheshin gjatë pa punë, prandaj drejtoria e detyronte grupin e ustallarëve që të fillonte punën e heqjes së tullave që kur temperatura kishte zbritur në 300 gradë celsus. Hyrja në furat e nxehta dhe dalja prej aty në temperaturat normale, pra puna në 300 gradë brenda furave dhe dalja në ambjentet me 40-50 gradë (pra puna në diferencë temperaturash prej 250 gradësh) u shkaktonte shpesh ustallarëve bronkopleumoni. Përdorimi i antibiotikëve i shëronte bronkopleumonitë duke kalcifikuar pjesën e sëmurë të mushkërive. Me pak fjalë, kalcifikimi nxirrte jashtë përdorimit pjesë të tëra të mushkërive. Në vitin 1970, kur usta Loni doli në pension, atij i funksiononte vetën një e pesta e mushkërive. Kjo gjëndje i shkaktoi largimin e parakohshëm nga jeta më 1979, pra 69 vjeçar, këtij burri dikur të fuqishëm, që ngrinte i vetëm edhe gurë 200 kilogramsh. Një gur i tillë ishte dhe guri i skalitur prej tij, të cilin, pasi ia vunë dy ustallarët mbi dy duart e tij e ngriti dhe e vendosi sipër kollonave mbajtëse të portës së jashtme të shtëpisë që ndërtoi për vete në vitet 1944-1946 te rruga Kristaq Isak, ku banoi familja jonë për shumë vjet.

          Medalja e Punës për metodën “Zhandarova ta kalova”

          Gjatë ndërtimit të Fabrikës së Shqerit në Maliq u dërguan prej Bashkimit Sovjetik krahas ingjinierëve dhe arkitektit dhe një usta për dhënie përvoje në ndërtimin e mureve me tulla. Ky usta e kishte mbiemrin ZHANDAROV dhe metodën e punës së tij që do të përhapte në Shqipëri e quante “Metoda Zhandarova“.

          E vunë usta Lonin te një mur dhe usta Zhdanovin në murin karshi që të dëshmonte metodën e tij. Të dy kishin në dispozicion nga një baltaxhi, nga një govatë te këmbët për mbajtjen e baltës dhe si vegla pune kishin vetëm nga një mistri, një çekan dhe nje plumbçe (shaull). Mirëpo usta Zhandarovi mbajti të govata e tij e baltës dhe një lopatë, kurse Lonit nuk i dhanë lopatë. Filloi gara: dy baltaxhinjtë sillnin baltë dhe e hidhnin te govatat e dy ustallarëve. Usta Loni e merte baltën me mistrinë e tij dhe e hidhte mbi mur, pastaj e shtronte dhe vendoste tullat. Kurse ustai sovjetik e merrte baltën me lopatë nga govata dhe e hidhte në mur, e perhapte dhe shtronte tullat. Për disa minuta muri i usta Zhdanovit po ecte më shpejt se muri i usta Lonit. Ky, kur e kuptoi djallezinë e mysafirit, i tha baltaxhiut të vet: “Ma hidh baltën drejt e në mur mos e zbraz te govata“. Kështu baltën që sillte baltaxhiu me govatën e tij filloi ta hidhte drejt e mbi murr, Loni e përhapte me shpejtësi dhe mbi të vinte tullat sipas radhës duke i goditur nga pak me çekanin e tij për t’i niveluar. Në fund të orës së parë, muri në krahun e usta Lonit ishte rritur me disa rreshta më shumë. Ustai sovjetik, për të mos u turpëruar edhe më keq, kërkoi të mbyllej gara dhe usta Loni të shpallej fitues. Loni, gjatë drekës tha me shkaka se metodën e tij mund ta quanin ‘Zhandarova ta kalova’.”

          Në Kuvendin Popullor, ambasada sovjetike kishte sjellë disa medalje pune të gatshme me drapër, çekan, kazmë e lopatë për t’ua dhënë si stimul punëtorëve të dalluar në Shqipëri. Pas dy-tre muajsh një të tillë i erdhi dhe usta Lonit, mjeshtrit që tejkaloi “Metodën Zhandarova”.

          Qytetaria dhe shpirtmadhësia e usta Lonit

          Loni Trebicka, si në rini kur punonte dhe fitonte pare dhe gjatë viteve të pensionit, ishte njeri që kishte shoqëri të gjerë dhe në shoqëri dallohej për bujari, qiraste këdo me të cilin ulej në lokale të ndryshme. Ai ishte nga ata njerëz që janë të zotë të bëjnë pare, por dijnë dhe t’i prishin kur është rasti për t’u nderuar. Kur ishte beqar, Loni pasi kishte punuar si ndërtues, shkonte në mbrëmje disa orë te kinema “Luksi” ku rinte te dera për të prerë biletat e spektatorëve dhe shikonte falas filmat në seancën e fundit. I mjaftonin gjashtë orë gjumë.

          Më 24 shtator 1933 djemtë muratorë të Korçës krijuan shoqërinë e parë me emrin “Shoqëria profesionale e mjeshtërve për ndërtime godinash PUNA”. Usta Loni dhe disa shokë të tij ishin ndër nismëtarët e saj. Në statutin e vet kjo shoqëri shpalli se kishte për qëllim mbrojtjen, ndihmën morale e materiale të anëtarëve të saj, pra të punëtorëve. Aktivitetet e veta kjo shoqëri i kryente të shtunave mbas orarit të punës si mbrëmje dëfrimi, mbledhje për të formuluar kërkesa për përmirësimin e kushteve të punës, për hapje frontesh të reja pune, për pagesa më të mira, etj. Grupi Komunist i Korçës u përpoq që ta detyronte “Shoqërinë Puna” të bënte kërkesa politike dhe kërkesa kundër importimeve italiane. Mirëpo importet italiane të lëndëve të ndërtimit i kishin dhënë një bum ndërtimeve të shtëpive private. Kundërshtimi i këtyre importeve dëmtonte interesat e punëtorëve të ndërtimit, prandaj Loni me shokët e vet u tërhoqën dhe u bënë anëtarë pasivë. Petro Papi, kryetari i “Shoqërisë Puna” ishte anëtar aktiv i Grupit Komunist të Korçës. Ky, për ta ribërë aktiv Lonin, i kërkoi që të bëhej anëtar i Grupit Komunist, por Loni iu shmang duke thënë se sapo i kishte vdekur babai dhe nënën e kishte të sëmurë, se duhej të martonte motrën, të rriste vëllain, se ishte ende pa shtëpi të tijën e duhej të ndërtonte një shtëpi për familjen e vet, etj.

          Mirëbërje brenda familjes.

          Dikush mund të mos i quajë mirëbërje ndihmat që djali i shtëpisë i jep familjarëve, por për mua disa nga këto ndihma nuk janë ndihma të zakonshme, por mirëbërje të rëndësishme.

          Loni ka qenë që në vitet 1922-1939 i vetmi krah pune në familje, me të ardhurat e të cilit jetonin nëna, babai, motra e vëllai. Ai siguroi shpenzimet e dasmës për motrën Athina më 1934. Djali i saj i vogël, Nikua, më 1945 duke trazuar një bombë të mbetur nga lufta, u dëmtua rëndë në këmbën e djathtë dhe doktor Polena ia preu deri te gjuri për të mos iu gangenizuar dhe më lart. Djali filloi të ecte me ndihmën e një paterice, që e mbështeste te sjetulla. Por nënë Athinaja nuk mund ta shikonte dot djalin sakat, u sëmur dhe pas tre vjetesh u nda nga jeta. Babai i Nikos, marangozi Thomaq Qirinxhi më 1950 me djalin e madh Petraqin shkuan në Tiranë, ndërsa Nikon e regjistruan tek Azili i Invalidëve të Luftës afër spitalit civil të Korçës, për të cilin dajo Loni mori përsipër detyrimet e kujdestarit. Kur Nikua mbaroi shkollën 7-vjeçare ishte 16-vjeçar. Loni, bisedoi me doktor Polenën për aftësimin dhe punësimin e nipit. Doktor Polena i tha se në Bukuresht kishte mundësi t’i vihej një protezë prej druri me disa pjesë lëkure. Loni njoftoi babanë e djalit dhe ky u lidh me kushëririn e tij në Bukuresht, z. Kristo Kristesku Rëmbeci. Kushëriri mori përsipër shpenzimet e spitalit dhe të qëndrimit në Bukuresht, kurse Loni pagoi shpenzimet e udhëtimit vajtje ardhje. Kështu Niko Qirinxhiu u kthye shëndoshë e mirë nga Bukureshti duke ecur me të dy këmbët. Ai qëndroi pranë babait e vëllait të tij në Tiranë ku u punësua në repartin e këpucarisë te Ndërmarrja Ushtarake e Veshmbathjes. Petraqi (1935-1982) dhe Nikua (1938-1989) pasi u vdiq babai u martuan. Patraqi ka lënë bashkëshorten dhe djalin Klito, kurse Nikua ka lënë bashkëshorten dhe katër djem e një vajzë.

          Mirësia dhe bujaria e Lonit është shfaqur edhe ndaj vëllait të tij Kristaqit, i cili ka qenë shëndetlig. Ky pasi punoi disa vjet në Ndërmarrjen e Konservimit, për shkak të një diareje kronike u largua nga puna dhe nuk u punësua më. Loni e mbajti atë si invalid në shtëpi, kurse nusja e tij Viktoria u kujdes për të për larje dhe ushqim, që nga viti 1938 kur erdhi nuse në atë familje derisa ajo u nda nga jeta.

          Mirëbërje xhaxhait.

          Një tregëtar i pasur i Korçës në pranverë të vitit 1944 i kërkoi usta Lonit t’i ndërtonte një shtëpi të re në po atë vend ku ai kishte shtëpinë e trashëguara nga babai. Kjo shtëpi “e vjetër” ishte shumë e mirë, por zotnia donte të ndërtonte një vilë moderne sipas një projekti italian. Loni në atë kohë jetonte te shtëpia që i kishte lënë dajua i tij që kishte shkuar në Amerikë. Mirëpo duke jetuar pa qira në shtëpinë e dajos, ai ndjeu se mund ta pësonte si thosh populli: “Poçexhiu poçe bën, poçe për vete s’ka”, pra mund të mbetej pa pasur një shtëpi të vetën. Iu lut tregëtarit t’ia shiste dyert, dritaret dhe disa trarë e dërrasa të shtëpisë që do të prishte. Pasi i bleu ato me një çmim të lirë, bleu një vend te mëhalla e Shën Triadhës, ku ndërtoi ca nga ca shtëpinë e vet, të cilën e mbaroi më 1946.

          Deri në atë kohë xhaxhai i tij, Ligori, nuk kishte mundur të ndërtonte shtëpi për vete dhe rronte në një shtëpi me qira bashkë me gruan dhe tri fëmijë. Atëhere nipi Loni i tha xhaxha Ligorit: “Merr familjen dhe shko jeto te shtëpia ime e re pa qira”. Jeta në shtëpinë e re me disa dhoma, me bashtë e oborr, me çezmë për karshi, ia mbushi jetën me gëzim Ligorit dhe Meropit. Në maj të vitit 1947, kur këta ishin 53 dhe 42 vjeçarë u shtuan me një vajzë, Margaritën, të shëndetshme ë u bë e pashme dhe e zgjuar.

          Loni me pjesëtarët e familjes së vet (nënë Kondilja, gruaja Viktori, dy vajzat dhe djali, si dhe Kristaqi) jetonin te shtëpia e dajos, vëllait të nënës. Mirëpo në vitin 1964 dajua i Lonit i moshuar kuptoi se nuk mund të kthehej më në atdhe, prandaj vendosi ta shiste shtëpinë te një korçar që jetonte afër tij në Boston MA, i cili e bleu për një fisin e tij që jetonte në Korçë. Në atë vit Loni me familjen shkoi për të banuar te shtëpia e tij te mëhalla e Shën Triadhës, ku jetoi tre vjetët e parë bashkë me familjen e xhaxhait drerisa lagja i dha një apartament Ligorit te pallatet e rinj aty pranë.

          Mirëbërje kunatit.

          Vëllai i gruas së Lonit, Stavri Lako, duke parë se kunati ishte shumë bujar, se e sistemoi xhaxhin e vet te shtëpia e re pa qira, guxoi dhe i kërkoi Lonit t’i ndërtonte një shtëpi njëkatshe me dy dhoma e një kuzhinë te mëhalla e Shën Ilisë me nja 40.000 lekë të cilat do t’ia lante kur t’i mblidhte. Loni ia ndërtoi shtëpinë duke paguar materialet dhe ustallarët, pa marrë për vete asnjë lek. Shkuan vitet dhe kunati me bashkëshorten e tij filloi të bënte pare, por nuk po i mblidhte paret e borxhit dhe as filloi ta lante borxhin ca nga ca. Loni nuk ia kërkoi kurrë borxhin kunatit dhe nuk e përfoli. Një herë e shoqja, pra motra e Stavrit, e shtyu që t’ia kërkonte, por Loni ia mbylli gojën duke thënë: “Po të duash ta kesh shtëpinë e vëllait të hapur, harroi ato pare. Yt vëlla dhe jot kunatë duket që kanë vendosur të mos na i kthejnë, po ua kërkuam do mërritemi me ta për gjithënjë.” Kështu ai borxh mbeti vetëm në kujtesë.

           Mirëbërje kushërirës, vajzës së Andonit.

           Në maj të vitit 1940 Ligori para se të kthehej me grupin e tij nga Lekli i Tepelenës në Korçë, shkoi për të parë familjen e xhaxhait të tij, usta Sotirit, i cili, si kemi thënë më parë, bashkë me gruan, djalin Andon e nusen e këtij, ishte shpërngulur nga Trebicka më 1916 dhe ishte vendosur në Dhoksat e pas disa vjetësh ishte sistemuar brenda në Gjirokastër. Ligori kishte shkuar në Gjirokastër për herë të parë mv 1928 për të ngushëlluar për vdekjen e Andonit, i cili kishte lënë tre fëmijë të vegjël, kurse gjatë vizitës së dytë mori vesh se Viktoria, vajza e Andonit dhe Kostandinës, ishte ndarë nga burri, dhe se ky ia kishte mbajtur djalin e vetëm. Viktoria ishte shumë e shqetësuar nga shkëputja prej djalit të vogël, prandaj nuk donte të rronte më në Gjirokastër. Ligori u tha se ai vetë nuk mund ta ndihmonte për ta sistemuar në Korçë, por i nipi, usta Loni, ishte në gjendje të mirë ekonomike dhe kishte shoqëri të gjerë. Kështu djali i madh i Andonit, Pandeliu me Viktorinë dhe Ligorin në maj të vitit 1940 erdhën bashkë në Korçë dhe shkuan te shtëpia e Lonit ku biseduan për hallin që kishin. Loni ishte 6-vjeç kur Sotiri dhe Andoni me familjet e tyre ikën prej Trebicës. Ai i mbante mend disi turbullt ata të dy, kurse Viktorinë dhe Pandeliun nuk i kishte parë kurrë, por u prek nga ato që dëgjoi dhe pa pyetur gruan dha fjalën se do ta mbante vajzën e Andonit dhe do të përpiqej ta martonte. Dhe vërtet mbas disa muajve Loni arriti ta martonte Viktorinë me një shokun e tij, Aristokli Palon, të cilit i kishte vdekur gruaja para disa vjetësh. Aristokliu kishte dy djem, Gaqon dhe Raqin, të cilët po i rriste nëna e tij e moshuar. Viktoria u kujdes për djemtë e burrit dhe me Aristokliun lindi dy vajza, Elvirën dhe Andonetën, të cilat e quanin Lonin me respekt “dajo Loni”.

          Mirëbërje për banorët e pastrehë.

          Në mars të vitit 1970, Loni 60-vjeçar doli në pension. Ishte koha kur vijonte ndërtimi i pallateve me punë vullnetare. Trupi i tij i mësuar me punë nuk e duronte dot papunësinë e plotë. Delte shëtitje çdo ditë, takohej me shokët pensionistë për kafe, por duart i hanin për punë, por e ndjente se nuk kishte fuqi të ndërmerrte ndërtime shtëpish private. Një ditë duke pirë kafen e mëngjezit te kafene “Panda” u tha dy ustallarëve pensionistë të mëhallës, Guri Qiricit dhe Pano Petros, që të merrnin pësipër ndërtimin e dy pallateve dykatesh me 16 hyrje gjithsej për strehimin e familjeve që kishin nevojë. Këtë ide e mbështetën dhe kolegët e tjerë Rako Niçka, marangozi Thoma Toroveci dhe disa të tjerë, madje dhe xhaxhai i tij Ligori, 76-vjeçar. Lajmëruan zyrtarët e Lagjes, u caktua vendi i ndërtimit dhe në mars-prill u sollën materialet dhe filloi hapja e themeleve. Pa ardhur dimri familjet hynë në apartamentet e rinj ku festuan Vitin e Ri 1971 duke ngritur nga një gotë dhe për shëndetin e ustallarëve. Ne bijtë e këtyre ustallarëve, sa herë kalojmë para këtij pallati i kujtojmë dhe i falenderojmë prindërit tanë që lanë këtë kujtim human, që i nderon ata dhe neve.

          Qytetaria dhe mirësia vijon.

          Usta Loni me bashkëshorten Viktori lanë tri fëmijë: Albertinën (1940 – ), Vaskën (1945- ) dhe Donikën (1953- ), të cilët shquhen si njerëz të ndershëm, që çdo gjë e kanë arritur me djersën e ballit. Albertina me burrin dhe dy djemtë me nuset e fëmijët e tyre jetojnë në Australi, kurse Vaska dhe Donika me fëmijët e vet jetojnë në Korçë.

          Vaska me bashkëshorten Miranda, pleqëruan prindërit dhe xhaxha Kristaqin, rritën e martuan vajzën Viktora dhe djalin Leonard dhe u kujdesën për mëkëmbjen e dy fëmijëve të Viktora-s (Odise dhe Juli) dhe djalin e Leonardit (Vasiljani). Më 2019, kur nusja e Leonardit ishte shtatzënë, Vaska me Mirandën ndërtuan një shtëpi të vogël me një dhomë e një kuzhinë te bashta për të kaluar pleqërinë e tyre, kurse në shtëpinë e madhe lanë të jetojë në paqe familja e Leonadrit, e cila u shtua me vajzën Irina.

* * *

          Në mbyllje të këtij portreti biografi për kryemjeshtrin Loni Vasil Trebicka, dua t’i sugjeroj Bashkisë së qytetit të Korçës, që ta vlerësojë me titullin “Qytetar Nderi”. E bëj këtë sugjerim, jo se jam kushëriri i tij, por sepse mendoj që kjo bashki bëri mirë kur i dha usta Kristaq Papargjirit titullin “Qytetar Nderi” dhe këtë respektim ta vijojë edhe për usta Lonin e për ndonjë mjeshtër tjetër. Emrat Kristaq Papargjiri, Loni Trebicka, Guri Qirici e ndonjë tjetër duhet t’i mbajnë rrugët në qytetin e tyre, ku ata kanë lënë pasardhësit dhe objektet e ndërtuar me duart e tyre.           Korça është qytet i vilave të bukura që i kanë ndërtuar bijtë e saj, mjeshtrit duarartë dhe jo ustallarë të ardhur nga Dibra e Kolonja, ose krahina të tjera, si janë ndërtuar Tirana, Berati, Gjirokastra, Fieri, etj. Duke i nderuar këta bij, ky qytet do ta dëshmojë më mirë vlerësimin e hitorisë së vet, si qytet me kulturë që është…   

Filed Under: ESSE Tagged With: Thanas L Gjika, Usta Lonni Trebicka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 38
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT