• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2020

NUK KA ASGJË MË TË SHENJTË SE SA MBROJTJA E JETËS SË QYTETARËVE TANË

March 22, 2020 by dgreca

Shkruan: Dr. Vjosa Osmani /

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës/

Sot, Kosova u zgjua me dhembje për humbjen e jetës së një qytetari tonë nga virusi Covid 19. Ndjenjat tona sot janë me familjarët e tij e me qytetarët e vendit, të cilët po e përjetojnë ankthin e krijuar nga pandemia.

Në këtë kohë kur bota e qytetëruar po tregon solidaritet të jashtëzakonshëm ndaj njëri-tjetrit dhe kur qeveritë si dhe pushtet e opozitë anekënd botës janë bashkuar në betejën globale kundër pandemisë më të rrezikshme që nga Lufta e Dytë Botërore, është koha që të gjithë përfaqësuesit politikë të bashkohen me mantelbardhët tanë në betejën e tyre për shpëtimin e jetëve të qytetarëve.

Ne nuk mund të lejojmë që në këtë kohë tmerri të triumfojë virusi i përçarjes dhe jo forca e bashkimit ndaj së keqes. E sotmja është kohë e solidarizimit të plotë, jo e ndarjeve; është kohë e betejës ndaj virusit vdekjeprurës, prandaj heshtat tona duhet t’i drejtojmë kundër pandemisë dhe jo kundër njëri-tjetrit. Duhet që betejat politike t’i shmangim menjëherë dhe në vend të tyre, ashtu sikur jemi betuar ne që morëm besim qytetar, të punojmë për përmirësimin e jetës së njerëzve tanë. Në këtë kohë të rëndë pandemie, kjo nënkupton mbrojtjen e jetës së qytetarëve tanë dhe përkrahjen e pakusht të profesionistëve tanë, të cilët po e bëjnë të pamundurën për menaxhimin e kësaj situate të rëndë.

Kosovës i duhet sot jo vetëm solidaritet qytetar, por edhe solidaritet politik. Është koha të tregojmë jo vetëm përgjegjësi institucionale, por mbi të gjitha përgjegjësi morale. Është koha të punojmë bashkë sot, që e nesërmja të mos na mallkojë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Dr.Vjosa Osmani, Mbrojtja e shenjte

NE ROME U NDA NGA JETA SHKRIMTARI BEXHET JAÇELLARI

March 22, 2020 by dgreca

NGA MINELLA DANI*/

Një telefonatë, mbasditen e datës 17 të muajit mars, nga Amerika. Me zë të dridhur, miku im Naim Staravecka, më pyet: Është e vërtetë ajo që thuhet për Bexhetin? Deshte që t’i transmetoja familjes ngushëllimet e tij nëse ishte lajm i saktë. Kishin qenë të dy anëtar të Këshillit Bashkiak të Lushnjes, veç shoqërisë së vazhdueshme në prani edhe të vëllait , Halilit që së bashku para 10 vitesh e përcollëm në banesën e fundit në Lushnje.  Pyetjen e tij e mora si pohim të largimit nga kjo jetë e mikut tonë të përbashkët. Nuk dija në ishte e vërtetë, por ndjeva një dhimbje të papërshkrueshme. Kisha arsye ta besoja.

Vitet e fundit në Romë, si pensionistë, e konsumonim bashkërisht kafen e mëngjesit e zgjateshim në biseda gjer në orët e vona. Temë e preferuar e tij ishin shkrimet e poezitë, bisedat me njerëz të letrave, për mua jo shumë të dëshiruara dhe e devijoja bisedën për ngjarje pa vlerë të jetës së përditshme. Ishte ritual i zakonshëm dhe e kërkonim njeri tjetrin, deri në largimin tim për në Tiranë. Kohë mbas kohe nevoja më çonte në Itali, e kërkonim njeri tjetrin, ishte si të thuash një gëzim i përbashkët. Herën e fundit kur isha atje, për pak ditë, ndodhi çudia. I dërgoja mesazhe e i bëja telefon, asnjë përgjigje! U ktheva pa mundur ta takoj. Kaluan ditë e rifilluan mesazhet e shkurtëra. Nuk e pyeta për heshtjen e  atyre ditëve, ndërkohë që e kishim mundësinë të ishim ballpërballë. Më dukej e tepërt. U habita kur në një rast, si nevojë e atij sqarimi të vonuar, më shkruante se në kohën e qëndrimit tim të fundit në Romë, ai ndodhej i shtruar në spital. Nuk doja të  “shqetësoja”- më shkruante- si të refuzonte një kafe. Operohej nga mëlçia, operacion që zgjati katër orë. Me fjalë të pakta më shkruante: Mjekët e Umberto Primo, në dalje nga spitali, më vunë në dijeni se kisha edhe katër muaj jetë. Dy muaj kaluan, për kohën e mbetur nuk ndihem i merakosur. Kam vetëm dhimbjen e fëmijve që e vuajnë shumë e përpiqen të bëjnë të pamundurën. I lutem të mos merren me mjekë të tjerë, e vajza të mos këmbëngulë të më marrë në Amerikë, por ata kërkuan e gjetën mjekun e ardhur nga Franca, i cili më vizitoi e u shpreh çuditërisht: Ti mund edhe të vdesësh, por vetëm nga rrufeja; me këtë organizëm mund të kalosh të paktën edhe pesë vite të tjerë. Besoj se do ta kaloj – më thoshte me optimizëm të shtirë- e më dërgonte fotografi personale. Bashkëbisedimet u bënë më të shpeshta e gradualisht më reale. Sapo të shërohem do vazhdoj të ribëj jetën si njëzetvjeçar. Nuk donte të dëgjonte nga të tjerë “ më vjen keq”, “qofshin të shkuara” e shprehje si këto. Porosi e tij për të shoqen, Behijen që i shërbente tek koka me përkushtim, ishte të mos lejonte njeri të hynte në dhomë. Edhe djemtë e bashkëshortet e tyre privoheshin, pavarësisht se ata vetëm tek ai e kishin vëmendjen çdo ditë e çdo orë.  Shkëmbimi i masazheve vazhdonte sikur s”kish ndodhur asgjë:

-Ciao, Mirëmëngjes Bexhet. Ke të fala nga Tahsimi. 

– Mirëmëngjes. Bëji edhe ti shumë të fala prej meje. Me numrin që më ke dërguar nuk lidhem dot, më thonë ky numër nuk ekziston. 

– Bellissime donne këto që më ke dërguar  dhe unë i përgjigjesha  me të njëjtën recetë.

  • Grazie profesore, shumë të bukura këto foto.
  • Të fala nga Lushnja. Sapo u ktheva. Natën e mirë. Të fala çunave…

Kështu vazhdonim çdo ditë. Një klip dhe mesazh i gjatë i tij. Ajo që dinte dhe mundohej ta fshihte më parë, tani e shkruante hapur.  Kur kuptonte se i kisha lexuar i fshinte e s’mund t’i riprodhoj.

I shkrova ashtu si munda:  Po më çudit. Dy ditë më parë, një mik i djemve, në Lushnje, më pyeti a kisha folur me çunat e tu kohët e fundit. I tregova ato që dija, duke vazhduar me humorin e përshkrimeve tua, duke menduar se janë rrëzuar hipotezat e para dhe se ti kishe filuar të bëje itinerarin e zakonshëm. Të telefonova se mu duk i dyshimtë qëndrimi yt optimist kur ai më tha se  bëje kimioterapi. Shumë vetëve u ka bërë mirë, por besimi, optimizmi që ty s’të mungon, janë më të rëndësishëm. Bëra mirë që të telefonova se krijoj ide më të qartë. Ata me të cilët rri të bëjnë shumë të fala dhe thonë se ti nuk vdes kurrë. Ashtu qoftë!  Edhe unë atë të uroj. Veçse në vërsën tonë- thot Noli- nuk priten lajme të mira. Shkova sot në Kolonjë për të përcjellë në amëshim ish drejtorin tim Nexhip Beqirin, nëse e ke njohur, më i ri se unë. Duhet ta shohim gotën gjysëm plot. Unë të përqafoj me mall e shpresoj të dëgjoj lajme të mira herën tjetër. Të fala Behijes, Ninit, Andit e Klodit, mos harro Irmën e Gëzimin.

16.02. – Më dërgo numrat e djemve se i kam humbur. A domani.  – Mesazh i gjatë, por i fshirë.   Unë –  Sot lozëm shumë. Ti fitove, unë humba: s’mendoja se mund të më rridhnin lotë në këtë moshë. Ciao! Fli tani, mos bëj si çupëlinë. Nesër ditë e re, mendime të tjera. Fundja edhe këto janë pjesë të jetës.

– Më thërret Zenel Kashami për një kafe e s’mund  ta refuzoj. (Nuk më le të largohem) – Do të bëhesh mirë. Jam në Lushnje, kam vëllan sëmurë. Ciao!  Bexheti: Zoti e shpëtoftë profesorin. Më vjen shumë keq, jo pse është vëllai yt por është vërtet shumë i mirë si ju të gjithë. Kujdes vere maskën kur del se gripi kinez ka mbërritu edhe në  Shqipëri, pavarësisht se atje e fshehin si gjithë poshtërsitë e tjera.

Ditën tjetër: Mirëmëngjes Minella. Si u bë profesori?  27.02 : Po kthehem në Tiranë. Mendoj se e  hodhi. Shpresojmë. – Ndershmërisht më gëzove. Unë do shërohem e do filoj jetën nga e  para. Le  të thotë Shopenhaueri se e vetmja gjë që nuk duhet të bëjë një mëndje inteligjente është të mos dojë ta përsërisë jetën pa ndryshuar asgjë nga e kaluara. Unë mendoj se ka të drejtë Niçja: Secili duhet të jetojë në mënyrë të tillë që të dëshirojë ta përsërisë jetën ashtu si e ka jetuar.   – Mirëdita Bexhet.

Më dërgon një foto. Unë: Po qe e fundit kjo foto, kot ankohesh. Uroj të jetë ashtu. Fotua është bindëse, por mos ia dërgo ndonjerës. Natën e mirë.   – Natën e mirë gjum me ëndrra të bukura.   Unë: Buona sera. Attenzione alla salute.   Ai: Grazie! Ditën tjetër : Bexhet si je?  Asnjë përgjigje! 15.03. Mirëmëngjes Bexhet. Heshtje.

17.03 Bexheti ka ndërruar jetë. 

Momenti dhe vendi ku u shua, kohë izolimi e larg qytetit ku u rrit , atje ku si baba i përkushtuar edukoi e  rriti katër fëmijë, ku punoi me ndershmëri si inxhinjer, drejtor i ujësjellsit e punë nga më të ndryshmet, nuk na japin mundësinë t’i hedhim një grusht dhe. Askush nuk ka mundësi t’i recitojë ndonjë nga poezitë e shumta që shkruante, askush nuk mund të përmend aktivitetin e tij si gazetar, shkrimtar e poet, por të gjithë ne që e kemi njohur e jo vetëm, ndihemi të trishtuar.

Nuk më lejoi ta dërgoja në shtyp librin e fundit me poezi.  Edhe shumë shkrime të tjera, ndonëse të vlerësuara nga autoritete të letrave, nuk deshi t’i botonte.  Lamtumirë, mik i dashur. Ne të deshëm e do të kujtojmë përherë ashtu siç ishe me të mirat e këqiat njerëzore.

                     Ngushëllime, familjes e gjithë të afërmëve!

  • Shkrimi u shkrua nga Minella Dani, me kërkesë të editorit të gazetës”Dielli”. Ngushëllojmë familjen Jaçellari, bashkshorten, djemte, dhe vajzen, Irma Jaçellari Idrizi, bashkshortin e saj Gëzimin dhe fëmijët!

Pushofte ne Paqe shpirti i Bexhetit!

* Shkrimtarit Bexhet Jaçellari i është akorduar titulli qytetar nderi i qytetit të Lushnjes për kontributin e çmuar në fushën e artit.

Filed Under: ESSE Tagged With: Minella Dani, nderroi jete

BASHKËSHORTËT HOXHA NË VIJËN E PARË TË FRONTIT KUNDËR CORONAVIRUSIT NË NEW JERESY,ShBA

March 22, 2020 by dgreca

Bisedë me specialistë të shendetit z.Taulant Hoxha i cili së bashku me bashkeshorten e tij janë në vijë të pare në frontin e Luftës kundër Coronavirusit në Amerikë/

NGA KEZE KOZETA ZYLO/

Taulanti punon në departamentin e Radiologjisë dhe skanon pacientët që janë me simptomat e Covid19, ndërsa Entela është infermiere në repartin intensiv (reanimacion) ku pacientët janë në gjendje kritike, dhe trajtohen me respirator dhe aparaturat e oksigjenit.  Taulanti qëkur ka qenë student, ka shpikur një mbrojtëse nga radiacioni për fëmijë, e cila u aprovua nga shteti amerikan dhe zotëroj patentën për të. Në 2016-ën gjithashtu ka publikur një libër për Rezonancën e Magnetike (MRI Planning) për t’u ardhur në ndihmë studentëve të kësaj fushe.

Taulant Hoxha MBA RT (R) MR, teknolog i Rezonancës Magnetike dhe bashkëshortja e tij Entela Hoxha BSN RN Infermiere e Regjistruar, janë specialistë të shendetit njerëzor dhe punojnë në spitale të njohura në Amerikë, për të mbrojtur shëndetin e popullit amerikan.  Në këtë kohë Pandemic Corona Virus ata janë në vijë të parë të Frontit të Luftës kundër Coronavirusit Covid 19.

Z.Hoxha, jemi në kohë lufte sipas presidentit Trump dhe OBSh-së ku ju keni detyrat tuaja në shëndetësi për t’i shërbyer popullit amerkan.  Më konkretisht cilat janë detyrat tuaja në këtë situatë tragjike?

Unë punoj në departamentin e Radiologjisë dhe skanojmë pacientët që janë me simptomat e Covid19, pasi virusi atakon rrugët e frymëmarrjes dhe veçanërisht mushkëritë. Për momentin jemi në gadishmëri të plotë dhe në kontakt të vazhdueshëm me CDC (Agjensia e kontrollit dhe parandalimit të sëmundjeve). Ata na njoftojnë për çdo zhvillim të fundit të Covid19 dhe në baze të informacionit dhe udhëzimeve të CDC, ne përshtasim protokollin për trajtimin e pacientëve që shfaqin simptomat e Covid 19. 

Bashkëshortja Entela, është infermiere në repartin intensive (reanimacion) ku pacientët janë në gjendje kritike, dhe trajtohen me respirator dhe aparaturat e oksigjenit. Entela gjithashtu është në gadishmeri të plotë bashkë me kolegët e saj duke dhënë maksimumin për të shpetuar sa më shumë jetë dhe mposhtur këtë virus pandemik

Në cilat spitale shërbeni dhe cilat janë disa nga problemet akute që ju përballeni në këtë kohë?

         Unë punoj në Hackensack Meridian Health Palisades Medical Center dhe bashkëshortja punon në Select Specialty Hospital. Një nga problemet që ne po ndeshemi për momentin faktikisht jo vetem ne por e gjithë Amerika, është numri i kufizuar i mjeteve mbrojtëse si maskat N95, dorezat, dhe veshjet speciale. Megjithatë spitalet tona po bëjnë punë të shkëlqyer për të na i siguruar këto mjete dhe ne po i menaxhojmë me shumë kujdes për mosshpërdorimin e tyre. Spitali gjithashtu ka marrë masa për rritjen e fluksit se pacientëve që deri tani nuk ka krijuar ndonjë problem.

Gjatë shërbimit tuaj në shendetësi në këtë kohë keni pasur raste me pacientë shqiptarë?

         Jo fatmirësisht deri tani nuk kemi pasur ndonjë shqiptar me Covid19 apo me simptomat e këtij virusi. 

Cilat janë këshillat tuaja si profesionistë në këtë fushë dhe a mendoni se do të zhduket së shpejti kjo epidemi globale që po merr me shpejtësi jetë njerëzish?

         Higjena është mbrojtja kryesore nga ky virus. Larja e duarve me sapun për 20 sekonda, mosprekja e fytyrës (hundës, syve dhe gojës), pastrimi i sipërfaqeve dhe dorezave të derës me alkohol pasi në metale ky virus qëndron me ditë. Nëse njerezit dalin për të bërë pazaret menjëherë të lajnë duart pasi karrocat e marketeve jane vektor transmetimi i virusit. Distancimi nga njerëzit është shumë i rëndësishëm pasi jo vetëm që të mbron nga virusi, por ndërpret përhapjen e virusit Covid 19 në masë. 

        Për t’u mbrojtur nga ky virus duhet të marrim sa më shumë Vitamin C dhe të pijmë ujë të ngrohtë me limon çdo 15 minuta. Arsyeja se pse duhet të pijmë ujë çdo 15 minuta është sepse virusi qëndron në fyt për të depërtuar në mushkëri. Duke pire ujë çdo 15 minuta, virusi transportohet në stomak ku shkatërrohet nga acidi i stomakut. Një tjetër rekomandim është gargara me ujë dhe kripë.

         Besoj se së shpejti do i rikthehemi normalitetit. Qeveria amerikane po punon nonstop për mbrojtjen e qytetareve dhe po mbështet shkencën dhe mjekësinë për zhvillimin e kurës së Covid19 dhe të vaksinës për parandalimin e saj. Trump ka akorduar miliarda dollar dhe ka vënë në gadishmëri agjensitë e shëndetit dhe FDA (Agjensinë për miratimin e ilaçeve) për miratim sa më të shpejtë të kurës dhe vaksinës së Covid 19. 

Nju Jorku dhe disa shtete të tjera po bëhen shtete të frikshme me një përhapje me shpejtësi të Coronavirusit si do të parandalohet kjo epidemi që po merr jetë njerëzish?

         Masat tashmë janë marrë si kudo nëpër botë me ndalesën e qarkullimit të njerëzeve. Publiku po edukohet për mënyrat e mbrojtjes dhe parandalimit të përhapjes së virusit. FDA sot aprovoi (test kit) tampon qe jep zbulon  Covid 19 brenda 45minutave. Një lajm shumë i mire është se jemi shumë pranë kurës së Covid 19. President Trump lajmëroi në konferencën e shtypit të së shtunës, se Hydroxychloroquine në bashkëpunim me antibiotikun Azithromycin janë shumë efektive në luftën kundër virusit. Nga testet e bëra, 90% e pacientëve me Covid 19 u janë zhdukur simptomat dhe kane rezultuar negativ vetem 6 ditë pas trajtimit me këtë kurë. 

Cili është edukimi juaj dhe si i keni ngjitur shkallët e karrierës në mjekësi?

         Unë jam diplomuar me BSAST Bachelor Shkencor për Shkencat e Aplikuara dhe Teknologji në Medical Imaging në Thomas Edison State University. Gjithashtu jam diplomuar me Master për Administrim Biznesi, specialiteti menaxhim në Fitchburg State University. 

         Bashkëshortja është diplomuar me BSN Bachelor në Shkencat e Infermierisë.

         Për të dy ka qenë e vështirë në fillim, sepse ishim studentë me kohë të plotë dhe nuk kishim mundësi të punonim shumë. Ka qenë sakrifice shumë e madhe, pasi përveç shkollës duhej edhe të shkonim nëpër spitale për të bërë praktikën deri natën vonë. Dëshira dhe pasioni për fushën e mjekësisë na motivonte që të ecnim përpara pavarësisht vështirësive. Por në Amerikë pas sakrificës vijnë vlerësimi dhe frytet e punës. Pas diplomimit dhe specializimeve, oportunitetet kanë qenë më të mëdha për ngjitjen e shkallëve të karrierës. Personalisht jam përpjekur të jap maksimumin për fushën e Radiologjise pasi e dashuroj si profesion. Qëkur kam qenë student, kam shpikur një mbrojtëse nga radiacioni për fëmijë, e cila u aprovua nga shteti amerikan dhe zotëroj patentën për të. Në 2016-ën gjithashtu kam publikur një libër për Rezonancën e Magnetike (MRI Planning) për t’u ardhur në ndihmë studentëve të kësaj fushe. 

Sa e vështirë është për ju të dy si bashkëshortë të punoni në këto ditë të vështira dhe si e menaxhoni kohën?

Është pak e vështirë sepse në një kohë që të gjithë ndodhen pranë familjeve të tyre ne jemi në frontline, duke e luftuar pandeminë virale që ka traumatizuar gjithë globin. Për momentin të dy jemi të fokusuar në punë, pasi pacientët kanë shumë nevojë për ne në këto momente jo vetem fizikisht por edhe psikologjikisht. Në të tilla profesione sidomos në emergjencë kombëtare koha është luks dhe e kuptojmë shumë mirë njeri-tjetrin. 

Keni frikë nga kjo epidemi se mos ju transmetohet nga të sëmurët?

         Jo sepse ne gjithmone jemi të ekspozuar nga sëmundje edhe më të rrezikshme vdekjeprurëse. Megjithatë kujdesi është shumë i lartë dhe ndjekim protokollin e duhur në përballimin e saj. Meraku është se mos bëhem vektor transmetimi për prindërit dhe marr gjithë masat e duhura para se të dal nga spitali duke lënë uniformën në punë dhe duke bërë larjen e duarve. Ky virus është i rrezikshëm për moshat e treta dhe sidomos nëse kanë sëmundje ekzistente.   

Si mendoni për gjendjen e Shqipërisë parë me syrin tuaj si shqiptar, por dhe si specialist?

         Mendoj që masat e marra nga shteti shqiptar janë të domosdoshme dhe njerëzit duhen ta marrin pak më seriozisht vetëizolimin, sidomos duke parë gjendjen e rënduar ne Itali që është shume herë më e zhvilluar se Shqipëria. Njerëzit duhen të ndërgjegjësohen dhe të ndjekin rregullat e vetëizolimit, sepse përbejnë rrezik jo vetëm për veten e tyre dhe familjarët, por për të gjithë qytetarët e tjerë. Të mos harrojmë që Shqipëria është një vend i varfër dhe përshkallëzimi i situatës për shkak të pakujdesisë apo kapriçove të disa qytetarëve do e çonte vendin në kolaps total. Ndihmë nga shtetet tjera do mungonte ashtu sic i mungon Italise pasi çdo shtet do të  sigurojë qytetarët e saj. Megjithatë popullsia dërrmuese janë përgjigjur më mirë seç pritej dhe po zbatojnë instruksionet e specialistëve dhe instancave qeveritare. Shpresoj që ta kalojne sa më shpejti dhe pa u rritur numri i viktimave. Fatmirësisht kura qe po zhvillohet me kombinimin e 2 ilaçeve te lartpërmendura ka dhenë shumë shpresë në bazë të rezultateve të deritanishme dhe ato ilaçe ndodhen rëndome nëpër farmaci kudo nëpër botë.

Cila ka qenë fëmijëria juaj?

         Personalisht kam pasur nje femijëri të lumtur dhe më gëzon fakti që nuk kishim teknologji të zhvilluar si fëmijët sot, sepse na bënte më social dhe mendjen më pjellore. Krijonim vetë lojra nëse topi i llastikut çahej, dhe ndoshta ajo më ka ndihmuar edhe për shpikjen që bëra këtu në Amerikë. 

E kishit ëndërr kur erdhet në Amerikë të punonit në fushën e mjekësisë?

         Amerikën gjithmonë e kam pasur ëndërr dhe të them të drejtën se mendoja kurrë që do punoja ne fushën e mjekësisë. Kur fillova kolegjin, ne fillim u regjistrova për Computer Science (Shkencat Kompjuterike) por një student i klasës më bindi të ndërroja degë në Radiography dhe kur bëra orientimin ne Radiography u dashurova menjëherë. Pjesa tjetër është histori.      

Kur keni ardhur në Amerikë?

         Në Amerikë kam ardhur me ane tëllotarisë Amerikane në prill të vitit 2000, para 20-vjetësh dhe isha 19 vjeç. Llotaria më ra mua vetëm, pa familjen. Ishte një aventurë drejt të panjohurës ku realiteti ishte komplet ndryshe nga çfare dëgjoja në Shqipëri apo shikoja në televizor. Ishte një fat shumë i madh, që më ndryshoi jetën time dhe të familjes 190 gradë ku dhe njoha shoqen e jetës që kemi kaluar çdo vështirësi të jetës së bashku dhe më ka bekuar dhe dhuruar 2 djem të bukur  Brian dhe Kevin që mezi presin të vizitojnë Shqipërinë.

Bisedoi Keze Kozeta Zylo, gazetare, shkrimtare

21 Mars, 2020, New York

Filed Under: Opinion Tagged With: Coronavirusi, Keze Kozeta Zylo, Taulant Hoxha

Kufomat politike që po sëmurin një shtet foshnjë

March 22, 2020 by dgreca

Nga Akri Çipa/

Teksa gjithë kontinenti europian dhe më gjerë gjendet përpara një sfide të paprecedentë dhe një gjendjeje alarmi për pandeminë COVID-19, fati i qeverisë së Kosovës është në udhëkryq. Situata surreale e krijuar përbën një shembull zhgënjyes të pragmaticitetit politik që përmbys një qeveri legjitime dhe vetë instituticionin e votës së lirë, nëpërmjet së cilës ajo u zgjodh. Por, edhe më rrezikshëm akoma, këto veprime të ndërmarra nga aktorët politikë vijnë me kosto të shumëfishuar në kushtet e paqartësisë së madhe për atë çfarë do të ndodhë në vijim.

Mocioni i mosbesimit, kërkuar nga LDK, do të sillte detyrimisht rrëzimin e një qeverie tejet jetëshkurtër, por do të fuste edhe të gjithë shtetin në një terren të pasigurt. Ndryshimi radikal i jetës së përditshme të qytetarëve si pasojë e vazhdës së masave të jashtëzakonshme të ndërmarra kundrejt koronavirusit, e bën edhe më të pavolitshëm konfliktualitetin aktual politik. Në vend që të kishte një koordinim më të madh përballë një armiku të përbashkët që kërcënon shëndetin publik, klasa politike e Kosovës është ngërthyer në një lojë shkatërruese për përgjegjësinë politike dhe institucionale.

Gjasat janë që përshkallëzimi i situatës politike të jetë materializuar pikërisht në këtë moment delikat për të shmangur organizimet dhe protestat e mundshme kundërshtuese. Por, këto lloj llogaritjesh duhen riparë. Në kushtet kur është e pamundur për të mbajtur zgjedhje të reja, një qeveri e dalë me marrëveshje dhe pa legjitimitet zgjedhor do të sillte destabilizim dhe humbje të besueshmërisë së autoriteteve shtetërore, në një moment kur besimi është element jetik. 

Pavarësisht mëtimeve për të paraqitur një qeveri teknike ose stabiliteti si mundësi për tejkalimin e situatës, faktet janë kokëforta. Dhe këto fakte parathonë që shteti i Kosovës do të mbetet në mëshirën e entiteteve politike të cilat, edhe në kushtet e mungesës së mandatit elektoral dhe përballjes së munguar me votuesin, mbajnë të centralizuar vendim-marrjen. Kjo partitokraci e shëmtuar tregon se si zhvlerësohet procesi elektoral dhe vota e lirë. Përballja kryesore e një politikani është me votuesin dhe pesha në skenën politike duhet të jetë proporcionale me aftësinë për të marrë votëbesimin e elektoratit. Kur vendimmarrja mbetet në duart e politikanëve të cilët e kanë të munguar këtë votëbesim, pikëpyetjet për llogari-dhënien dhe mbajtjen e përgjegjësisë janë të mëdha. 

Justifikimet e përshkallëzimit të situatës, duke ia atribuar atë edhe aktivitetit të diplomatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, kalojnë në plan të dytë demokracinë e vetë vendit. Për më tepër, kjo bëhet edhe në një moment kur ka një pasiguri të madhe edhe në skenën ndërkombëtare. Gjasat reale ekzistojnë, që të ketë ndryshime të rëndësishme politike në vendet partnere brenda muajve të ardhshëm dhe anashkalimi i partneriteteve zyrtare për hir të kanaleve dytësore cënon kredibilitetin e Kosovës dhe rrezikon të vijë e shoqëruar me pasoja afatgjata. 

Fati i qeverisë aktuale, (kjo e fundit e lindur mes njëmijë dyshimesh pasigurish as dy muaj më pare), ishte parashkruar që tek zvarritja që iu bë në mënyrë të tejzgjatur bisedimeve ndërmjet atyre që do të përfundonin si partnerë në qeverisje. Akuzat dhe mungesa e besimit që u vërejt gjatë asaj peiudhe ndërmjet palëve ishte një paralajmërim ogurzi për bashkëqeverisjen e tyre. Por, përtej provokimeve dhe fërkimeve që e kanë karakterizuar dialogun paszgjedhor si dhe dy muajt e fundit, bashkëqeverisja jetëshkurtër ka treguar se ekzistojnë mundësitë dhe elementët e bashkëveprimit. Tejkalimi i dasive duhet të ishte një mision shtetformues, sikurse u premtua dhe jo një tjetër lojë politike, sikurse po rezulton. 

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, zonja Viola von Cramon, theksoi se procedimi i mocionit të mosbesimit do të ketë pasojat jashtëzakonisht të dëmshme për Kosovën në rradhë të parë, por, më gjerë, edhe për gjithë rajonin. Zhvlerësimi i demokracisë së Kosovës bëhet, në këtë mënyrë, edhe më e rrezikshme dhe ngjan si një bast i mirëfilltë, më shumë se sa një veprim i përgjegjshëm dhe burrështetësish. Një bast që duket edhe më irracional në kushtet e sfidave të shumta të jashtme me të cilat përballet vendi.

Teksa nevoja primare për të gjithë është garantimi i sigurisë shëndetësore të qytetarëve dhe mbajtja në lëvizje e një ekonomi të brishtë dhe që rrezikon kolapsin, tentativat për politizim dhe për të fituar kapital politik janë zbehur edhe në Tiranën tejet konfliktuale. Është e pashmangshme ngritja e pyetjes së kujt i intereson një tjetër rënie qeverie në Kosovë. Situata alarmante dhe dëmi i menjëhershëm i shkaktuar, bashkë me ndërprerjen e përsëritur të një mandati qeverisës, e bëjnë veprimin aktual shumë më tepër se një taktikë ose aventurë e thjeshtë politike.

Filed Under: Opinion Tagged With: Akri Çipa, Kufomat politike, shtetl foshnje

DOSIER- KOSOVA PARA 22 VITEVE, ZGJEDHJE NË KOHË LUFTE

March 22, 2020 by dgreca

-Në prag të zgjedhjeve kosovare parlamentare e presidenciale të para 22 viteve, Kongresi Amerikan kishte miratuar një rezolutë, në të cilën, krahas kërkesës që SHBA-të të mos lejojnë të përsëritet një Bosnje tjetër në Ballkan, kërkohej që zgjedhjet në Kosovë të mos pengoheshin. “Ne kemi një shprehje në anglisht: ‘zgjedhje në hije’. Por, ne presim me padurim që kosovarët të mbajnë zgjedhje në dritën e diellit”, deklaronte Ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit, Strob Talbot.

Pas zgjedhjeve, në 29 Maj 1998, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova në Uashington u takua me Presidentin Amerikan Bill Clinton/

–Korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI, atëherë korrespondent  i Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë raportonte nga zgjedhjet e 22 Marsit dhe drejtpërdrejtë nga seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës dhe ndërhyrja aty e forcave serbe në 16 Korrik 1998/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari(me shume foto genie ne facebook dielli vatra)

PRISHTINË, 22 Mars 2020/ Kosova, para 22 viteve, në kohë lufte, mbajti zgjedhje në 22 Mars dhe në 16 Korrik 1998 konstituoi Kuvendin që nuk kishte arritur ta konstituonte pas zgjedhjeve të para pluraliste parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992 të Republikës atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, që megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Seanca konstituive e Kuvendit u mbajt në shtëpinë e shkrimtarëve, që u shndërrua në seli të Presidencës e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, në sallën që ishte e vogël për ngjarjen e madhe, ku ishte gritur flamuri kombëtar shqiptar dhe u intonua Himni i Flamurit.

Deputetët, të zgjedhurit e popullit që kishin ardhë edhe nga zonat e luftimeve, zgjodhën me aklamacion akademik Idriz Ajetin për kryetar të Kuvendit dhe tre nënkryetarë, ndërsa u betuan se, “do të angazhohen me përgjegjësi dhe me ndërgjegje për pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, për realizimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave njerëzore dhe kombëtare të qytetarëve të saj në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Zgjedhjet ishin edhe presidenciale dhe i zgjedhuri për herë të dytë, Presidenti Ibrahim Rugova, dha poashtu betimin: “Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj arritjes dhe ruajtjes së pavarësisë të Republikës së Kosovës në tërësinë territoriale të saj, realizimit të lirive dhe të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe të ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrat e mia. Betohem!”.

Në seancën e nisur në orën 12:30, ku u bënë nderimet më të larta për të rënët për lirinë e pavarësinë e Kosovës, u miratua propozimi që Kuvendi të nxjerrë një Deklaratë për gjendjen në vend, e cila theksonte se, Kuvendi i Republikës së Kosovës është institucion i bashkërendimit të përpjekjeve të përgjithshme politike e ushtarake në funksion të realizimit të pavarësisë së Kosovës.

“Mbledhja konstitutive e Kuvendit të Republikës së Kosovës u bë në kushtet e okupimit serb të Kosovës, në rrethanat e ushtrimit të terrorit shtetëror serb me përmasa gjenocidi, por edhe në kushtet e fuqizimit të rezistencës së përgjithshme dhe të hovit të luftës çlirimtare të Kosovës”, thuhej fillimisht në Deklaratë.

Theksohej se, “i dalë nga zgjedhjet e 22 Marsit 1998, të mbajtura gjithashtu në kushte të pushtimit, dhe si kundërshtim politik e institucional i këtij pushtimi dhe i institucioneve të pushtuesit, e, para së gjithash, si shprehje e vullnetit politik të popullit të Kosovës për liri e pavarësi, institucioni më i lartë politik përfaqësues dhe kushtetues – ligjvënës i pavarësimit të Kosovës”, po nxirrte Deklaratën.

Seanca konstituive e Kuvendit zhvillohej nën shtetrrethimin ushtarako-policor që Beogradi kishte vendosur në Kosovë e që u dyfishua edhe me rrethimin nga forcat serbe me armatime e makineri luftarake që mbërritën te ndërtesa, madje edhe hynë brenda dhe konfiskuan dosje e dokumete. Isha një nga gazetarët e paktë brenda seancës dhe raportoja drejtpërdrejtë me telefon për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – ATSH dhe Radio Televizionin Shqiptar – RTSH derisa me një kasetofon special të vogël e të fshehur, që ma kishte dërguar vëllai Demë Jashari nga Zvicëra, bëja gjithë audioincizimin  e zhvillimeve, ku dëgjohej edhe uturima e blindave-tankeve. Pjesë e zhvillimeve, derisa vazhdonte ndërhyrja e forcave serbe, ishte edhe ardhja e shpejtë brenda selisë, ku ishin Presidenti Rugova dhe deputetët, e diplomatëve amerikanë – e Nikollas Hill, sekretar i parë në Ambasadën e SHBA-ve në Beograd, që ndodhej atë ditë në kryeqytetin kosovar dha nga Zyra Amerikane në Prishtinë, që ishte hapur nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në 6 qershor 1996  dhe shënonte vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta. 

Në prag të zgjedhjeve kosovare parlamentare e presidenciale të para 22 viteve, Kongresi Amerikan kishte miratuar një rezolutë, në të cilën, krahas kërkesës që SHBA-të të mos lejojnë të përsëritet një Bosnje tjetër në Ballkan, kërkohej që zgjedhjet në Kosovë të mos pengoheshin. “Ne kemi një shprehje në anglisht: ‘zgjedhje në hije’. Por, ne presim me padurim që kosovarët të mbajnë zgjedhje në dritën e diellit”, deklaronte ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Strob Talbot.

Pas zgjedhjeve, në 29 Maj 1998, Presidenti Rugova në Uashington u takua me Presidentin amerikan Bill Clinton. “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”, deklaronte Rugova pas takimit. Ndërsa, Clinton tha se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s.

Njëmbëdhjet vite më vonë, në 1 Nëntor 2009,  në Kosovën e lirë, Presidenti amerikan Bill Klinton, në fjalën e tij në Kuvendin e Republikës kosovare, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar. 
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, tha Presidenti amerikan Clinton. 
“Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve, Clinton gjatë vizitës në Kosovë.

Presidenti amerikan Clinton me rastin e shuarjes në 21 Janar 2006 të Presidentit kosovar Rugova shprehej: “Kam pasur nderin ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…

Kosova para 30 vitesh, në 2 Korrik 1990, miratoi në Kuvend Deklaratën Kushtetuese për pavarësinë e saj. Më pas, Kuvendi i Kosovës miratoi Kushtetutën dhe më të shpalli Kosovën Republikë në një mbledhje në Kaçanik në 7 Shtator 1990.  Në fundshtatorin 1991 Kosova mbajti Referendumi për pavarësi, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.

Kosova është e lirë 21 vite,  nga 12 Qershori 1999, kur nisën të hyjnë forcat shpëtimtare paqeruajtëse të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pavarësia e Kosovës, e shpallur para 11 viteve, në 17 Shkurt 2008, është njohur deri tani nga 116 shtete të botës anëtare të OKB-së. Nga vendet fqinje pavarësinë e Kosovës nuk e ka njohur ende vetëm Serbia, ndërkohë që paralajmërohet një fazë finale e dialogut drejt njohjes reciproke.

***

RAPORTIME PËR ZGJEDHJET E 22 MARSIT 1998:

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1998/98-03-22.ata.html

[01] 60 percent of electors voted until midday

PRISHTINA, March 22 – ATA correspondent in Prishtina Behlul Jashari said on Sunday that the Republican Election Commission reported that some 60 percent of the electors had cast their votes until midday. shdha/ak/

Albanian Telegraphic Agency

[02] Serb police take away Albanian flags, mistreat election activists

PRISHTINE, March 22 – ATA correspondent in Prishtine Behlul Jashari said on Sunday that the Serb police forces had intensified movements all over the Kosova today when the people were voting.

Serbian police have beaten a member of the voting council in the town of Mitrovica and taken away two Albanian flags from the city polling station. An observer has also been beaten in Obiliq. fh/mima/ak/

Albanian Telegraphic Agency

[05] LDK says over 80 percent vote

PRISHTINE, March 22 – ATA correspondent in Prishtina Behlul Jashari said on Sunday that according to the election commission of the Democratic League of Kosova (LDK) over 80 percent of the electorate had voted until 16. 00 p.m.

Other reports from Podujeva, Vushtri and Istog said that over 90 percent of the eligible voters had cast their ballots, ATA correspondent said.

Such turnout has been verified in other polling stations in Prishtine. fh/mima/ak/

Albanian Telegraphic Agency

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1998/98-03-23.ata.html

[07] Victory of Rugova and LDK in elections in Kosovo

-According to Republican Commission-

PRISTINA, 23 March /ATA correspondent Behlul Jashari report: Republican Commission, at a news conference this evening in Prishtina, released the preliminary results of the parliamentary and presidential elections held in Kosovo yesterday.

Although no concrete returns were issued on presidential elections, forewarned results show that dr.Ibrahim Rugova is sure to be reelected president of the Republic of Kosovo.

Further on as chairman of the Republican Commission Tadej Rodiqi said, “The votes’ percentage in favor of the president of Republic is more than 90 percent in the voting districts”.

This same evening the Republican Commission declared that the preliminary results speak of a sweeping victory of the LDK candidates for the parliament of the Kosovo’s Republic.

The Commission stated that it will provide other figures on the voting results tomorrow by midday./LM/

Albanian Telegraphic Agency

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1998/98-03-24.ata.html

[01] Victory of Rugova and LDK in elections in Kosova

-According to Republican Commission-

PRISHTINE, 23 March /ATA correspondent Behlul Jashari reports: Republican Commission, at a news conference this evening in Prishtine, released the preliminary results of the parliamentary and presidential elections held in Kosova yesterday.

Although no concrete returns have been issued on presidential elections, preliminary results show that Dr.Ibrahim Rugova is sure to be reelected president of the Republic of Kosova.

Furthermore as chairman of the Republican Commission Tadej Rodiqi said, “The votes’ percentage in favor of the president of Republic is more than 90 percent in the voting districts”.

This same evening the Commission declared that the preliminary results speak of a sweeping victory of the Democratic League of Kosova (LDK) candidates for the parliament of the Kosova’s Republic.

The Commission stated it will provide other figures on the vote turnout tomorrow by midday./lm/

Albanian Telegraphic Agency

[02] LDK candidates score overwhelming victory in elections

PRISHTINE, March 24 (ATA)-Sources of the Democratic League of Kosova (LDK) report on a sweeping victory of the LDK candidates for deputies, the Kosova Centre of Information (QIK) says.

The five LDK candidates, Dr.Sabri Hamiti, Dr. Rrexhep Gjergji, Fatmir Sejdiu, Naip Zeka and Aim Veliu have won in Podujeve. In this commune, 90 % of the citizens with the right to vote took part in the elections, and 98% of the electors voted for the president of the Republic of Kosova.

In Gjilan, the ballots of 78 polling stations, out of a total of 87, have been counted. The communal electoral commission reports that the electors’ participation was 78,84 % of the citizens eligible for vote.

The deputy-chairman of the LDK branch in Gjilan, Lufti Haziri, said that 99% of the electors voted for the president of the republic of Kosova.

The LDK candidates winning in Gjilan are Ibrahim Kadriu, Abdyl Hoxha, Xhavit Hajdari, Dr. Fehmi Rexhepi and Abdyl Hoxha.

The communal electoral commission in Peje reports that over 82 % of the electors have voted. Also in this commune, the LDK candidates have scored victory.

Preliminary results from the Dragash commune show that more than 95 % of the electors took part in Sunday’s elections. Some 99.6% of the electors voted for Dr. Ibrahim Rugova, while LDK candidate Ruzhdi Berisha won in the elections for deputies. /p.ta/mima/lm/

Albanian Telegraphic Agency

[11] Rugova says Kosova parliament, government to be convened soon

PRISHTINA, March 24 – ATA correspondent Behlul Jashari said that the President of the Republic of Kosova Ibrahim Rugova praised the elections of March 22 as a referendum for independence, peaceful policy and democracy in Kosova.

“We express our great satisfaction that the presidential and parliamentary elections have been successful and hail a massive turnout of Kosova citizens in elections, whose characteristic is the participation of over 300 000 youths out of 1 150 000 eligible voters,” Rugova told a news conference on Tuesday in Prishtina.

Rugova said that immediately after the outcome was made known the parliament and government would be constituted in Kosova.

President Rugova drew the attention on the ongoing grave and dangerous situation in Kosova and urged the Contact Group to use pressure on Belgrade to carry out decisions taken on Kosova on March 9 in London.

He informed the nomination of president’s consultative group for talks with Belgrade and said that this group would prepare the platform of negotiations in consultation with the president.

Speaking of a protocol signed on Monday in Prishtina regarding an Albanian education accord in Kosova, Rugova said that it was important that a timetable was defined but pressure should be used on Belgrade to implement it.

“I hope this accord is implemented,” Rugova said. pta/mima/ak/

Albanian Telegraphic Agency

[13] Rugova reelected president of Kosova

PRISHTINE, March 24 (ATA) – Ibrahim Rugova was reelected president of the Kosova Republic according to the election outcome revealed so far, ATA correspondent in Prishtina Behlul Jashari said quoting head of the Republican commission Tadej Rodiqi as saying that Rugova had won 99,3 percent of the votes.

The results of three communes were not calculated and it seemed that this would not influence the election of the president, Rodiqi said.

He said that the number and percentage of the electorate of Peja commune had not arrived yet but the names of the deputies were made known.

In Fushe-Kosova the elections were annulled. Technical faults were noticed in Dragashi commune, South of Prizren, and the election commission would decide.

The Republican commission told today’s news conference on the overwhelming victory of the Democratic League of Kosova.

Rodiqi said that 89 deputies, 84 of whose are of the Democratic League of Kosova (LDK), were elected through a direct vote.

The Albanian Christian Democrat party won a seat in parliament and another in the coalition with the LDK.

The Association of the Kosova citizens won a seat, Party of the Democratic Action in coalition with LDK a seat and the Liberal party of Kosova in coalition with the LDK a seat. The turnout was 88, 73 percent. rxh/das/ak/

Albanian Telegraphic Agency

RAPORTIMI I 16 KORRIK 1998:

https://groups.google.com/forum/#!topic/soc.culture.albanian/z54WAisyNOw

Ne Prishtine u konstitua Parlamenti i Republikes se Kosoves

-Rugova dhe deputetet bejne betimin –

      PRISHTINE, 16 korrik – Korresp. i ATSH-se, Behlul Jashari,
njofton: Sot ne Prishtine u be konstituimi i Parlamentit te
Republikes se Kosoves, qe ka dale nga zgjedhjet e 22 marsit
te ketij viti ne Kosove, pas skadimit te mandatit te Parlamentit
te pare demokratik shumepartiak te Kosoves, qe doli nga zgjedhjet
e 24 majit 1992 dhe i cili ne rrethanat teper te renda te Kosoves
nuk ishte konstituar.
      Mbledhja e sotme konstituive e Parlamentit te Kosoves, me
pjesemarrjen e deputeteve te te gjitha partive parlamentare, u
mbajt mbasdite ne ambientet e Presidences se Kosoves dhe te
LDK-se, per shkak se godina e Parlamentit kosovar, qe nga fillimi
i korrikut 1990, mbahet i pushtuar nga regjimi ushtarako-policor
i Beogradit.
      Deputetet qe kishin mbushur sallen, kryen te gjitha
prozedurat e konstituimit te Parlamentit dhe te komisioneve te
tij, ne baze te Kushtetutes se Republikes se Kosoves.
      Kryetari i Parlamentit te Republikes se Kosoves u zgjodh
akademiku Idriz Ajeti, deputet i LDK-se. U zgjodhen tre
nenkryetare te Parlamentit: Gjergj Dedaj i Partise Liberale, Zef
Morina i Partise Shqiptare Demokristiane dhe Iljaz Kurteshi i
Partise Socialdemokrate. Sekretar i Parlamentit u zgjodh Fatmir
Sejdiu i LDK-se.
      Ne betimin e tij, presidenti i Republikes se Kosoves,
dr.Ibrahim Rugova, tha: “Betohem se tere fuqine time do t’ia
kushtoj arritjes dhe ruajtjes se Pavaresise se Republikes se
Kosoves ne teresine territoriale te saj, sigurimit te lirive dhe
te te drejtave njerezore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes
se Kushtetutes dhe ligjeve, ruajtjes se paqes dhe mireqenies se te
gjithe qytetareve te Republikes se Kosoves dhe me ndergjegje e
pergjegjesi do t’i kryej te gjitha detyrimet e mia”.
      Edhe deputetet e Parlamentit te Kosoves bene betimin
solemn, duke thene njezeri: “Betohem se do te angazhohem me
pergjegjesi dhe me ndergjegje per pavaresine dhe sovranitetin e
Republikes se Kosoves, per realizimin dhe mbrojtjen e lirive dhe
te drejtave njerezore e kombetare te qytetareve te saj, ne
perputhje me Kushtetuten dhe ligjet e Republikes se Kosoves”.
      Kryetari i sapozgjedhur i Parlamentit te Kosoves,
akademiku Idriz Ajeti, falenderoi deputetet per besimin e madh qe i
dhane.
      Konstituimi i Parlamentit te Kosoves u be ne rrethana te
jashtzakonshme te gjendjes se luftes ne Kosove dhe pa ndonje
paralajmerim publik per konstituimin e tij sot, per t’iu shmangur
ndalimit me dhune nga forcat serbe.
      Pas perfundimit te punimeve te Parlamentit, forca te medha
serbe, me armatim lufte, rrethuan ndertesen e me pas hyne me
shume provokime e kercenime ne ambientet ku u zhvilluan punimet.
Forcat serbe dhe pjesetare te sigurimit shteteror serb bastisen
ambientet dhe konfiskuan materiale te punimeve te parlamentit e
te tjera. Nderkohe, atje mberriten edhe diplomate te Shteteve te
Bashkuara, te akredituar ne Beograd dhe qe ndodheshin ne
Prishtine dhe nga Zyra Amerikane ne kryeqytetin e Kosoves.

http://www.hri.org/news/balkans/ata/1998/98-07-16.ata.html

[14] Kosova Albanians inaugurate their parliament -Rugova and deputies

swear oath of allegiance- PRISHTINE, July 16/ATA correspondent Behlul Jashari reports:

The Parliament of the Republic of Kosova, emerging from the elections of March 22 this year in Kosova, was inaugurated in Prishtine today.

The elections were held after the expiry of the mandate of the first democratic pluralistic Parliament of Kosova, which emerged from the May 24 elections of 1992 and which could not convene under very grave conditions of Kosova.

Today’s meeting to inaugurate the parliament of Kosova, with the participation of the deputies of all parliamentary parties was held in the Presidency of Kosova and the Democratic League of Kosova (DLK) headquarters, as the building of the Kosova parliament has been occupied by the Belgrade military and police regime since the beginning of July 1990.

The legislators carried out all the procedures of inaugurating the Parliament and its commission, based on the Constitution of the Republic of Kosova.

Academician Idriz Ajeti, LDK deputy, was elected speaker of parliament.

Gjergj Dedaj, deputy of the Liberal Party, Zef Morina of the Albanian Christian-Democratic party, and Iljaz Kurteshi of the Social-Democratic Party were elected deputy speakers.

Fatmir Sejdiu, LDK deputy, was elected secretary of Parliament.

In his oath of allegiance, the president of the Republic of Kosova, Dr. Ibrahim Rugova, said that he will energetically devote himself to achieving and safeguarding the Independence of the Republic of Kosova in its territorial integrity, to ensuring human and civil rights and freedoms.

The Kosova parliament was inaugurated under extraordinary war state conditions in Kosova and without any public announcement of its inauguration today, so that the Serbian forces could not prevent it convening.

After the end of the parliament’s proceedings, Serbian forces, backed by armaments, surrounded the building and later, through many provocations and threats entered it.

Serbian forces and participants of Serbian state security members confiscated armloads of documents.

Meanwhile diplomats of the United States, accredited to Belgrade and who were in Prishtine and representatives from the U.S. Office in the Kosova capital also arrived there. /sh.dha/pas/lm/

Albanian Telegraphic Agency

Filed Under: Histori Tagged With: 22 vjet me pare, Belhlul Jashari, zgjedhje en lufte

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 45
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT