NGA MINELLA DANI*/
Një telefonatë, mbasditen e datës 17 të muajit mars, nga Amerika. Me zë të dridhur, miku im Naim Staravecka, më pyet: Është e vërtetë ajo që thuhet për Bexhetin? Deshte që t’i transmetoja familjes ngushëllimet e tij nëse ishte lajm i saktë. Kishin qenë të dy anëtar të Këshillit Bashkiak të Lushnjes, veç shoqërisë së vazhdueshme në prani edhe të vëllait , Halilit që së bashku para 10 vitesh e përcollëm në banesën e fundit në Lushnje. Pyetjen e tij e mora si pohim të largimit nga kjo jetë e mikut tonë të përbashkët. Nuk dija në ishte e vërtetë, por ndjeva një dhimbje të papërshkrueshme. Kisha arsye ta besoja.
Vitet e fundit në Romë, si pensionistë, e konsumonim bashkërisht kafen e mëngjesit e zgjateshim në biseda gjer në orët e vona. Temë e preferuar e tij ishin shkrimet e poezitë, bisedat me njerëz të letrave, për mua jo shumë të dëshiruara dhe e devijoja bisedën për ngjarje pa vlerë të jetës së përditshme. Ishte ritual i zakonshëm dhe e kërkonim njeri tjetrin, deri në largimin tim për në Tiranë. Kohë mbas kohe nevoja më çonte në Itali, e kërkonim njeri tjetrin, ishte si të thuash një gëzim i përbashkët. Herën e fundit kur isha atje, për pak ditë, ndodhi çudia. I dërgoja mesazhe e i bëja telefon, asnjë përgjigje! U ktheva pa mundur ta takoj. Kaluan ditë e rifilluan mesazhet e shkurtëra. Nuk e pyeta për heshtjen e atyre ditëve, ndërkohë që e kishim mundësinë të ishim ballpërballë. Më dukej e tepërt. U habita kur në një rast, si nevojë e atij sqarimi të vonuar, më shkruante se në kohën e qëndrimit tim të fundit në Romë, ai ndodhej i shtruar në spital. Nuk doja të “shqetësoja”- më shkruante- si të refuzonte një kafe. Operohej nga mëlçia, operacion që zgjati katër orë. Me fjalë të pakta më shkruante: Mjekët e Umberto Primo, në dalje nga spitali, më vunë në dijeni se kisha edhe katër muaj jetë. Dy muaj kaluan, për kohën e mbetur nuk ndihem i merakosur. Kam vetëm dhimbjen e fëmijve që e vuajnë shumë e përpiqen të bëjnë të pamundurën. I lutem të mos merren me mjekë të tjerë, e vajza të mos këmbëngulë të më marrë në Amerikë, por ata kërkuan e gjetën mjekun e ardhur nga Franca, i cili më vizitoi e u shpreh çuditërisht: Ti mund edhe të vdesësh, por vetëm nga rrufeja; me këtë organizëm mund të kalosh të paktën edhe pesë vite të tjerë. Besoj se do ta kaloj – më thoshte me optimizëm të shtirë- e më dërgonte fotografi personale. Bashkëbisedimet u bënë më të shpeshta e gradualisht më reale. Sapo të shërohem do vazhdoj të ribëj jetën si njëzetvjeçar. Nuk donte të dëgjonte nga të tjerë “ më vjen keq”, “qofshin të shkuara” e shprehje si këto. Porosi e tij për të shoqen, Behijen që i shërbente tek koka me përkushtim, ishte të mos lejonte njeri të hynte në dhomë. Edhe djemtë e bashkëshortet e tyre privoheshin, pavarësisht se ata vetëm tek ai e kishin vëmendjen çdo ditë e çdo orë. Shkëmbimi i masazheve vazhdonte sikur s”kish ndodhur asgjë:
-Ciao, Mirëmëngjes Bexhet. Ke të fala nga Tahsimi.
– Mirëmëngjes. Bëji edhe ti shumë të fala prej meje. Me numrin që më ke dërguar nuk lidhem dot, më thonë ky numër nuk ekziston.
– Bellissime donne këto që më ke dërguar dhe unë i përgjigjesha me të njëjtën recetë.
- Grazie profesore, shumë të bukura këto foto.
- Të fala nga Lushnja. Sapo u ktheva. Natën e mirë. Të fala çunave…
Kështu vazhdonim çdo ditë. Një klip dhe mesazh i gjatë i tij. Ajo që dinte dhe mundohej ta fshihte më parë, tani e shkruante hapur. Kur kuptonte se i kisha lexuar i fshinte e s’mund t’i riprodhoj.
I shkrova ashtu si munda: Po më çudit. Dy ditë më parë, një mik i djemve, në Lushnje, më pyeti a kisha folur me çunat e tu kohët e fundit. I tregova ato që dija, duke vazhduar me humorin e përshkrimeve tua, duke menduar se janë rrëzuar hipotezat e para dhe se ti kishe filuar të bëje itinerarin e zakonshëm. Të telefonova se mu duk i dyshimtë qëndrimi yt optimist kur ai më tha se bëje kimioterapi. Shumë vetëve u ka bërë mirë, por besimi, optimizmi që ty s’të mungon, janë më të rëndësishëm. Bëra mirë që të telefonova se krijoj ide më të qartë. Ata me të cilët rri të bëjnë shumë të fala dhe thonë se ti nuk vdes kurrë. Ashtu qoftë! Edhe unë atë të uroj. Veçse në vërsën tonë- thot Noli- nuk priten lajme të mira. Shkova sot në Kolonjë për të përcjellë në amëshim ish drejtorin tim Nexhip Beqirin, nëse e ke njohur, më i ri se unë. Duhet ta shohim gotën gjysëm plot. Unë të përqafoj me mall e shpresoj të dëgjoj lajme të mira herën tjetër. Të fala Behijes, Ninit, Andit e Klodit, mos harro Irmën e Gëzimin.
16.02. – Më dërgo numrat e djemve se i kam humbur. A domani. – Mesazh i gjatë, por i fshirë. Unë – Sot lozëm shumë. Ti fitove, unë humba: s’mendoja se mund të më rridhnin lotë në këtë moshë. Ciao! Fli tani, mos bëj si çupëlinë. Nesër ditë e re, mendime të tjera. Fundja edhe këto janë pjesë të jetës.
– Më thërret Zenel Kashami për një kafe e s’mund ta refuzoj. (Nuk më le të largohem) – Do të bëhesh mirë. Jam në Lushnje, kam vëllan sëmurë. Ciao! Bexheti: Zoti e shpëtoftë profesorin. Më vjen shumë keq, jo pse është vëllai yt por është vërtet shumë i mirë si ju të gjithë. Kujdes vere maskën kur del se gripi kinez ka mbërritu edhe në Shqipëri, pavarësisht se atje e fshehin si gjithë poshtërsitë e tjera.
Ditën tjetër: Mirëmëngjes Minella. Si u bë profesori? 27.02 : Po kthehem në Tiranë. Mendoj se e hodhi. Shpresojmë. – Ndershmërisht më gëzove. Unë do shërohem e do filoj jetën nga e para. Le të thotë Shopenhaueri se e vetmja gjë që nuk duhet të bëjë një mëndje inteligjente është të mos dojë ta përsërisë jetën pa ndryshuar asgjë nga e kaluara. Unë mendoj se ka të drejtë Niçja: Secili duhet të jetojë në mënyrë të tillë që të dëshirojë ta përsërisë jetën ashtu si e ka jetuar. – Mirëdita Bexhet.
Më dërgon një foto. Unë: Po qe e fundit kjo foto, kot ankohesh. Uroj të jetë ashtu. Fotua është bindëse, por mos ia dërgo ndonjerës. Natën e mirë. – Natën e mirë gjum me ëndrra të bukura. Unë: Buona sera. Attenzione alla salute. Ai: Grazie! Ditën tjetër : Bexhet si je? Asnjë përgjigje! 15.03. Mirëmëngjes Bexhet. Heshtje.
17.03 Bexheti ka ndërruar jetë.
Momenti dhe vendi ku u shua, kohë izolimi e larg qytetit ku u rrit , atje ku si baba i përkushtuar edukoi e rriti katër fëmijë, ku punoi me ndershmëri si inxhinjer, drejtor i ujësjellsit e punë nga më të ndryshmet, nuk na japin mundësinë t’i hedhim një grusht dhe. Askush nuk ka mundësi t’i recitojë ndonjë nga poezitë e shumta që shkruante, askush nuk mund të përmend aktivitetin e tij si gazetar, shkrimtar e poet, por të gjithë ne që e kemi njohur e jo vetëm, ndihemi të trishtuar.
Nuk më lejoi ta dërgoja në shtyp librin e fundit me poezi. Edhe shumë shkrime të tjera, ndonëse të vlerësuara nga autoritete të letrave, nuk deshi t’i botonte. Lamtumirë, mik i dashur. Ne të deshëm e do të kujtojmë përherë ashtu siç ishe me të mirat e këqiat njerëzore.
Ngushëllime, familjes e gjithë të afërmëve!
- Shkrimi u shkrua nga Minella Dani, me kërkesë të editorit të gazetës”Dielli”. Ngushëllojmë familjen Jaçellari, bashkshorten, djemte, dhe vajzen, Irma Jaçellari Idrizi, bashkshortin e saj Gëzimin dhe fëmijët!
Pushofte ne Paqe shpirti i Bexhetit!
* Shkrimtarit Bexhet Jaçellari i është akorduar titulli qytetar nderi i qytetit të Lushnjes për kontributin e çmuar në fushën e artit.