• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2020

SOLIDARITETI HUMAN PERBALLE KORONAVIRUSIT

March 21, 2020 by dgreca

Shkruan: Pashko R. Camaj, Dr. i Shkencave të Shëndetit Publik/

            Në botën e kthyer mbrapsht nga pandemia e koronavirusit, për të cilën raportohet në lajme dhe mjetet e tjera të informimit 24 orët e ditës, ja vlen të kujtojmë se njerëzimi ka përballuar shumë pandemi gjatë historisë së tij! Për ne, popullatën shqipëtare në SHBA si dhe pjesë tjera të botës, shqetësimi është i dyfishtë.  Në njërën anë jemi të kapluar me situatën personale, me familjet dhe shoqërinë tonë. Në tjetrën anë, jemi të shqetësuar sesa dhe sesi janë në gjendje të mbrohen dhe të mbijetojnë bashkëkombasit tanë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni Veriore, Mal të Zi. Na mbetet të kërkojmë nga ata që të veprojnë së bashku ndërsa u themi se dhe në këto raste ne jemi të bashkuar dhe se jemi një! Një moment pandemije do të jetë dhe një arsye që të mendojmë dhe veprojmë si një trup i vetëm për të mirën tonë mbarëkombëtare!

Natyra e rrezikshme e kësaj pandemije, reagimet e qeverive lokale, rajonale dhe botërore ndaj saj dhe të gjitha tentativat për ta ngadalësuar hovin sugjerojnë se realisht nuk mund ta dimë sesi do të jetë bota në përfundim të kësaj krize të madhe. Sëmundjet dhe vdekjet e raportuara nga shumë vënde dhe efekti paralel dhe negativ në ekonomi veç sa kanë filluar. Megjithatë është e rëndësishme të kuptojmë dallimin midis frikës dhe shqetësimit, midis gatishmërisë dhe panikut, midis reagimit të shëndetshëm dhe mendësisë shkatërruese.  Ish-Presidenti amerikan, Franklin D. Roosevelt e ka kuptuar atë në mënyrë intuitave dhe në fjalimin e tij inaguarues në vitin 1933, që përkonte me fundin e “Depresionit të Madh” amerikan, tha se “e vetmja gjë që na frikëson, është vetë frika.” Mediat sociale dhe shumë qarqe lajmesh të përditshme vërshojnë lloj lloj teorish mbi origjinën dhe përhapjen e Koronavirusit, dhe fatkeqësisht shumë prej tyre nuk synojnë informimin e  publikut. Shpesh ata provokojnë frikë me anë të titujve sensacionalë, dezinformatave dhe pretendimeve të pabazuara. 

Një gjë e dimë me siguri: Antidoti më i fortë i frikës është informacioni – informacion i saktënga burimet të besueshme.  Por, në kohën e sotme, edhe të dhënat e vërtetuara janë dukur ose paraqitur si kontradiktore. Mungesa e vaksinës dhe ilaçeve që ende nuk ekzistojnë, por dhe mungesat e testimit në mbarë vendin do të thotë që ende nuk kemi njohuri të plota për shkallën e kësaj krize. Ne duhet të jemi të përgatitur për të papriturat, si për shembull ku mund të shfaqet virusi në fazën tjetër ose si do të ndryshojë vdekshmëria pasi të jenë testuar më shumë njerëz. Ky tregues mund të përkeqësohet por mund të përmirësohet. E panjohura shkakton frikë por kjo nuk do të thotë se duhet të bëhemi pre e saj.

Pandemia e re e koronavirusit është një problem shumë i mprehtë që pritet të kulmoj në javët dhe muajt e ardhshëm. Këto janë kohë te vështira për personat e infektuar, si dhe për ata që përpiqen të shmangin infeksionin. Por mes gjithë trazirave dhe gjendjes shumë të rënduar, ​​ka disa episode pozitive, mesazhe solidarizuese dhe arsye për të qëndruar shpresëdhënës. 

Disa prej tyre janë:

  • Shumica e njerëzve me COVID-19 shërohen.Vlerësimet sugjerojnë që 99% e njerëzve të infektuar me virusin që shkakton COVID-19 do të shërohen. Disa njerëz nuk kanë simptoma fare ose disa i kanë të lehta. Ndërsa mijëra njerëz kanë vdekur, niveli i përgjithshëm i vdekjeve është 1-3% (ose ndoshta edhe më i ulët kur të jepen më shumë të dhëna për numrin e njerëzve të infektuar), shumë më pak se MERS (rreth 34%), SARS (rreth 11%), ose Ebola (90%), megjithëse më i lartë se gripi mesatar sezonal (0,1%).

Humbja e jetës nga kjo sëmundje është e tmerrshme dhe shumë më tepër raste priten, por bazuar vetëm në shkallën e vdekjeve rezulton se mund të ishte shumë më keq.

Fëmijët duket se infektohen më rrallë dhe kanë raste më të lehtë të sëmundjes infektive. Sipas CDC-së, shumica e infeksioneve deri më tani kanë prekur të rriturit. Dhe kur fëmijët janë të infektuar, ata kanë tendencë ta kalojnë në formë më të butë COVID-19. Për fëmijët dhe prindërit e tyre, ky është një lajm i mirë. Sidoqoftë, është e rëndësishme të theksohet se fëmijët mund të zhvillojnë infeksion sot mund të jenë vektorë për këtë infektim. Një studim i ditëve të fundit nga Kina (për aq sa mund të besohet) tregoi se në fillim të shpërthimit një numër i vogël i fëmijëve, veçanërisht foshnjat dhe të miturit mund të zhvillonin infeksion serioz. Siç është e vërtetë në përgjithësi, ka të ngjarë që fëmijët mund të përhapin infeksionin në mungesë të simptomave, megjithëse sa shpesh ndodh kjo është e paqartë. Duket se koronavirusi i ri nuk sillet si shumë sëmundje të tjera virale, prej të cilave, të moshuarit dhe fëmijët janë veçanërisht të prekshëm

Numri i rasteve të reja po bie aty nga ku filloi të përhapej epidemia. Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, duke folur për një shpërthim të ri të koronavirusit, theksoi se “Kina dhe Republika e Koresë kanë rënie të rasteve infektive në shkallë të konsiderueshme.” Në fakt, provinca Wuhan (vendi i rasteve të para) ka raportuar se nuk ka asnjë rast të ri lokal për herë të parë që nga fillimi i shpërthimit. I vetmi rast i ri u “importua” nga udhëtarët që mbërrijnë atje. Ndonëse shifrat aktuale janë të vështira për tu verifikuar, ashtu si edhe metodat që përdorin këto vende për të ndalur infeksionin, siç është testimi agresiv diagnostik, nëse numri i rasteve të reja në Kinë është me të vërtetë në rënie, ky është lajm i mirë dhe sugjeron që përpjekjet për të ngadalësuar përhapjen e këtij infeksioni mund të jenë të suksesshme.

  • Dobia e Internetit! 

Aktualisht për të praktikuar distancën sociale duke ruajtur disa kontakte shoqësore dhe nevoja mjekësore, njerëzit në izolim ose karantinë mund të kërkojnë ndihmë, të vizitojnë miqtë, të “shohin” familjen dhe mjekët në mënyrë praktike dhe të ofrojnë azhurnime për gjendjen e tyre.

  • Përgjigja dhe përgatitjet tona ndaj pandemive të ardhshme (që do të na testojnë edhe në të ardhmen) duhet të përmirësohet! Pandemia e COVID-19 ka ekspozuar mangësi në sistemet e kujdesit shëndetësor në të gjithë botën që jep mundësinë për t’i përmirësuar ato. Për shembull, një përgjigje më e shpejtë globale, shpërndarje më e mirë dhe e shpejtë e kutive të testimit dhe mesazheve publike më të koordinuara dhe të qarta duhet të jenë pjesë e protokollit të gatishmërisë së ardhshme.

               Neve na mbetet që ta shndërrojmë panikun dhe frikën në aksione serioze, të ndalim apo  ngadalësojmë shpërndarjen e virusit dhe me kontributin tonë, të ‘ulim kurbën’ e të infektuarve ashtu që të mos e vërshojmë rrjetin shëndetësor dhe t’u japim mundësi institucioneve përkatëse të bëjnë punën e tyre në shërbimin ndaj të sëmurit dhe ndaljen e pandemisë së koronavirusit.

Filed Under: Politike Tagged With: dr. Pashko Camaj, percale Coronavirusit, solidaritet

GAZETARI DHE STUDIUESI DHIMITËR DISHNICA NDËRROI JETË NË WORCESTER, MA, NË MOSHËN 77 VJEÇARE

March 21, 2020 by dgreca

Gazetari dhe studiusi Dhimiter Dishnica, ndërroi jetë në moshën 77 vjeçare, ditën e enjte, më 19 mars në Spitalin Shën Vincent, në Worcester. Ai la të pikëlluar gruan e tij me të cilën jetonte prej 52 vjetësh, Afërdita (Agolli) Dishnica, si dhe vajzën e tij, Elonia me bashkshortin George Pojani nga Worcester, së bashku me fëmijët e tyre, Rei dhe Janny Pojani. Dhimitri lë gjithashtu pas djalin e tij, Erdvin Dishnica dhe gruan e tij, Tania, Romë, Itali me djalin e tyre, Matteo. Po ashtu ai la pas motrat Liljana Saraçi dhe Vilma Koti me burrin e saj në Korçë, Shqipëri si dhe motrën Valentina Kondili në Jacksonville, Florida.

      Dhimitri ka lindur në Korçe, Shqipëri dhe është diplomuar në Universitetin e Tiranës me një master të dyfishtë në Histori dhe Gjeografi. Më vonë, ai vazhdoi studimet e metejshme dhe fitoi një diplomë tjetër në gjuhën shqipe. Pas kësaj, Dhimitri punoi si mësues në rrethin e Librazhdit. Pastaj, ai u bë një gazetar kronik në redaksinë e informacionit dhe kulturës në Radio Tirana. Ishte drejtor i Pallatit të Kulturës Ali Kelmendi ne Tirane, i cili ishte një nga dy institucionet më të mëdha kulturore dhe artistike të kryeqytetit. Me pas Dhimitri ishte specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit; në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe në Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore. 

    Si gazetar dhe historian, ai ka botuar rreth një mijë faqe në shtypin e përditshëm dhe në revistat shkencore brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe eshte gjithashtu autor i katër librave, përfshirë “Motrat Qiriazi”, ”Voskopoja” (me bashkëautor) “ Përballë të vërtetës-Kristo Dako, jeta dhe vepra“ “Miqtë e Shqipërisë” si dhe librin ”Ftesë për debat”.

 Ai emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 2000 dhe ishte besimta i rregullt i Kishës Ortodokse Shqiptare  të Shën Mërisë. Dhimitri vazhdoi t’i jepte komunitetit shqiptar kontributin e tij duke themeluar shoqërinë jofitimprurëse shqiptare amerikane “KOMBI” në 8 Mars 2008 me misionin për të ruajtur Identitetin Kombëtar i cili më vonë u pasua nga hapja e Shkollës Shqipe në Worcester më 3 tetor, 2009. Dhimitraqi ishte një intelektual i vërtetë me njohuri të pamasë për kulturën shqiptare dhe historinë botërore, një burrë i dashur, një baba dhe gjysh i mrekullueshëm dhe një mik besnik. Shërbimet funerale dhe varrimi do të jenë private. Pushoftë në paqë shpirti i tij!(DIELLI)

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Dhimiter Dishnica, nderroi jete

NEW YORK-QENDRA E PANDEMISE SE CORONOVIRUSIT PER SHBA

March 21, 2020 by dgreca

GUVERNATORI I NEW YORK-ut, CUOMO, U TËRHEQ VËMENDJEN TË RINJËVE: JU NUK JENI SUPERMAN & SUPERWOMAN!/

NGA DALIP GRECA/

Coronovirusi ka vazhduar ofensivën në shtetin e New York-ut duke shënuar deri të shtunën në mëngjes 45 të vdekur, ndërkohë që numri i të infektuarëve po i drejtohet shifrës së 11 mijëve. Guvernatori Cuomo u tërhoqi vëmendjen të rinjëve sepse ata kanë vazhduar të dalin në parqe dhe mjediset e qyteteve dhe se janë të shumta rastet e infektimeve edhe në moshat 18-49 vjeç, rreth 54 % : “Ju nuk jeni Supermen & Superumen”-u tha ai të rinjëve./

-Harta e Infeksionit me COVID-19: Rreth 2,000 raste të raportuara në Queens, mbi 1,790 në Manhattan, mbi 2,270 raste në Brooklyn, mbi 1.000 në Bronx dhe më shumë se 370 në Staten Island/

Ndërsa Amerika renditet e katërta në Botë për shkallën e infektimit me Coronovirusin me 24 mijë të infektuar e 285 të vdekur, mbi 7.500 qytetarë në NYC  kanë rezultuar pozitiv me virusin, ndërkoh që në shkallë shteti shifra ka shkuar rreth 11 mijë, dhe shteti me 20.06 milion banorë shumë shpejt është bërë epiqendra globale e pandemisë dhe nga dita e nesërme fillon kufizimi i daljes nga shtëpitë.

New York City është qytet i dendur,shumë i populluar dhe mjedisi me shumë njerëz favorizon përhapjen me shpejtësi të virusit.

U raportua se gjatë ditës së sotme se 285 amerikanë kanë vdekur në shkallë vendi nga sëmundja e Coronovirusit që nga mëngjesi i së Shtunës, pallogaritur të dhënat e fundit, dhe 48 të kësaj shume i përket Nju Jorkut.

Guvernatori kritikoi të rinjtë për mosrespektimin e paralajmërimit për të shmangur kontaktet e panevojshme me të tjerët. Parqet e qytetit ishin të mbushura ditën e Premte, pasi temperaturat tejet të ngrohta, rreth 72’(Frn) i nxorën njujorkezët në rrugët e parqet për të vrapuar, për shëtitje, për ecje me biçikleta dhe për të luajtur me fëmijët e tyre. Qytetarët në fakt ishin të shkujdesur, nuk respektonin distancat, veçanërisht të rinjtë, ndaj guvernatori i akuzoi ata se po bënin “të fortët” duke shpërfill urdhërat dhe udhëzimet.

Më pak njerëz dolën jashtë të Shtunën edhe për shkak të ftohjes së motit, ku tempereturat zbritën me 20 gradë, krahasuar me të premten, por Cuomo paraljmëroi se veprimet e qytetarëve nuk duhet të diktohen nga rrezet e Diellit.

Ai paralajmëroi të rinjtë e të rejat: “Ju nuk jeni Superman….nuk jeni superwoman”, tha Cuomo. “Ju, komentoi ai, mund ta merrni lehtsisht këtë virus nga pakujdesia, dhe mund ta trasferoni po nga pakujdesia, duke dëmtuar dikë që e doni, ose mund të dëmtoni dikë, fare padashje.

Guvernatori kërkoi distancim social, veçanërisht në parqe, ku dendësia e qytetarëve është e dukshme.Ai kërkoi me forcë ndaljen e grumbullimeve të qytetarëve.

Përsa i përket shpejtësisë së përhapjes së virusit në NYC, Guvernatori bëri thirrje se nuk ka vend për frikë, as panik.

Coronavirusi- “Ky nuk është një film fiction,” tha Cuomo.Nëse keni simptoma të virusit, paraqituni për mjekim dhe shëroheni,” tha ai.

KËSHILLTARI I SHTYPIT I GUVERNATORIT, POZITIV

Për veten e tij guvernatori Cuomo tha se nuk është testuar për koronavirus sepse beson se nuk ka qenë i ekspozuar dhe nuk po ndjen simptoma, ndërkohë që një mga anëtarët e ekipit të tij të shtypit, pas testimit rezultoi pozitivisht për virusin të Premten në mëngjes dhe të gjithë ata që punuan pranë personit u vunë nën karantinën paraprake,- tha sekretarja e guvernatorit Melissa DeRosa.

Cuomo konfirmoi që dyqanet ushqimore dhe ilaçet në New York do të qëndronin të hapura dhe u zotua të mos bllokojë transportin, siç janë bllokimet e rrugëve ose mbylljet e aeroportit.

Të gjitha bizneset që nuk janë jetike për jetën e qytetarëve, janë urdhëruar të mbyllen deri të dielën në mbrëmje,ndërkohë që sonte duhet të mbyllin qepenat dyqanet e berberëve, sallonet e bukurisë dhe sallat e tatuazheve.

MANHATTANI, QYTETI MË I PREKUR NGA CORONAVIRUSI

Harta e përhapjes së Coronovirusit paraqitej e tillë deri të shtunën në mëngjes: Kishte më shumë se 2,000 raste të raportuara në Queens, mbi 1,790 në Manhattan, mbi 2,270 raste në Brooklyn, mbi 1.000 në Bronx dhe më shumë se 370 në Staten Island, njoftoi zyra e kryetarit.

Zyrtarët e shtetit planifikojnë të dërgojnë 1 milion maska ​​N95 në New York City dhe 500,000 në Long Island, si dhe 6,000 ventilatorë, që do të sigurohen në javët e ardhshme.

Guvernatori dha lajmin e mirë se virusi po ngadalësohej në disa pika të nxehta, siç është Qarku Westchester, ku u shfaq fillimisht pika e nxehtë.

New York-u ka testuar më shumë se 40,000 njerëz – rreth dy herë më shumë se Kalifornia dhe shteti Washington, që janë shtetet e dyta dhe të tretat me infeksion më të lartë. 

Filed Under: Featured Tagged With: Cuomo, dalip greca

SI MUND TA PËRBALLONI JETËN NË KUSHTET E MBYLLJES NË SHTËPI

March 21, 2020 by dgreca

Bisedë me znj. Elona Lopari, trainere jete dhe karriere (Life and Career Coach) , Brooklyn, New York/

Në këtë kohë të Pandemic Coronavirus për të limituar stresin secili duhet t’i thotë vetes që unë jam i sigurtë dhe të gjithë njerëzit e dashur të mi janë mirë dhe kjo situatë do të kalojë sa më shpejt që të jetë e mundur sugjeron znj.Elona Lopari

Nga Keze Kozeta ZYLO/

Znj.Elona Lopari ka punuar me plot sukses për 13 vite në kompani të mëdha amerikane dhe i ka ngjitur shkallët e karrierës shumë shpejt në pozicione të ndryshme duke filluar si menaxhere dhe më pas si lidere në Human Resource. 

Znj.Lopari, ka pasur kenaqësinë dhe privilegjin që të punojë me qindra punëtorë në Amerikë duke zbuluar edhe pasionin e saj për lidership edhe psikologji ose fushës së re që quhet ndryshe “Coaching”.  Ajo është licensuar si Life Coach (Trainere Jete).“Coaching” është një fushë e re që kryesisht merret me zhvillimin personal të individit që me ndihmën e një traineri (Coach) mund të zbulojë dhe eksploroj pengesat dhe besimet limituese mendore qe e pengojnë të perparojë në një ose më shumë fusha të jetës.  Znj.Lopari ka mbi dy vite që ka hapur kompaninë e saj që quhet “Elona Lopari Coaching” duke i ardhur në ndihmë kryesisht grave nga kultura të ndryshme të botës për ngritjen ose arritjen e tyre në karrierë, biznes ose në zhvillimin e jetës së tyre personale.  Znj. Lopari veçanërisht e ka për nder dhe ndjen përgjegjësi për të kontribuar në komunitetin e grave shqiptare që duan të zbulojne pasionet, aftësitë e tyre personale dhe profesionale dhe si t’i aplikojnë këto në punë ose në biznes në mënyrë që ato të përmiresojnë jo vetëm jetën e tyre, por edhe të familjes, shoqërisë dhe më gjerë.

Znj Lopari si ka qenë fëmijëria juaj dhe si e kujtoni atë?

Fëmijëria ime ka qenë përgjegjsisht e lumtur duke mbajtur mend më së shumti lojërat krijuese në lagje me shoqërinë në Tiranë.  Kam shumë kujtime të bukura deri në moshën 15 vjeçare kur ishte momenti i shkëputjes për të ardhur në Amerikë.

Kur keni ardhur në Amerikë dhe cilat janë mbresat e para kur shkelët në këtë vend të bekuar? 

Siç e preka edhe më parë kam ardhur në Amerikë në moshën 15 vjeçare mbasi kisha mbaruar vitin e parë të shkollës së mesme në Tiranë. Kujtimet e para në Amerikë i kujtoj me shumë ëndrra të bukura për Amerikën duke kujtuar ato që na kishte folur babi im që kishte më shumë se një vit që kishte ardhur përpara meje, motrës vëllait edhe mamit. 

Ai shpeshherë na thoshte për mundësitë e shumta në këtë vend edhe si duke mbaruar shkollat dhe duke u edukuar ne do mundeshim të kishim mundësi më të mira se në vendin tonë.

Cili është shkollimi juaj dhe për çfarë keni mbaruar konkretisht?

Unë kam mbaruar Brooklyn College për Menaxhim Biznesi dhe Financë me diplomë Bachelor dhe gjithashtu së fundmi jam licensuar për Life Coaching, një fushë e Psikologjisë.

Ju keni hapur biznesin tuaj “Elona Lopari Coaching” dhe si gazetare mendova të të kontaktoj në këtë kohë kolere pasi mendoj se funksionimi i kompanisë suaj është më i domosdoshëm se kurrë?

Po kam dy vite që kam hapur kompaninë time që përfshim shumë nga shërbimet e Coaching në Karrierë, Biznes, Jetë, Prindërim dhe Coaching.  Në këto kohë të vështira si ekonomikisht po edhe psikologjikisht ku jemi përfshirë të gjithë, shërbimi ynë për Life Coaching ose trainim jete përqëndrohet në ardhjen në ndihmën e individit për të menaxhuar mendjen dhe mendimet negative në funksion të jetës praktike. Çfarë ne mendojmë, ne më pas ndjejmë dhe më vonë kryejmë veprime përkatëse për të marrë rezultate në jetën reale.  

Këhtuqë është shumë e rëndësishme që të kuptojmë a po mendojmë pozitivisht ose negativisht, ngase kjo ndikon ne ndjenjat tona negative ose pozitive dhe më pas sjellin rezultatet në jetën tonë.

Si funksionon kompania dhe si i ndihmoni klientët tuaj kur dihet se shumë prej tyre janë në ankth, në pagjumësi, të pasigurtë nga frika e Pandemic Coronavirus?

Unë afroj workshops dhe seanca private për klientët e mi në zyrën time këtu në Brooklyn. 

Një nga metodat më praktikante që unë i ndihmoj klientët e mi është praktika e meditimit dhe reflektimit me fokus në gjërat që vlerësojmë më shumë në jetë, pastaj në shkrimin e mendimeve në letër në mënyrë që ato të kuptojnë se si mendimet e tyre negative ose penguese kontribojnë në rezultatet që shfaqen në jetën e tyre.  Unë i ndihmoj klientët të kuptojne se përkundër situatave që jeta të shërben të mira ose të keqia ne gjithmonë e kemi në dorë se si ta shohim situaten mirë apo keq dhe ku të fokusohemi.  Duhet gjithashtu të afirmojmë me veten thënie pozitive që ato i besojnë me zë të lartë në mënyrë që këto thënie të kalojnë në subkoshiencën e tyre dhe të fillojnë të bëhen besime të reja. 

A mendoni se ekzagjerohet nga mediat, politikanët lajmi i përhapjes së Coronavirusit të këtij virusi të padukshëm dhe padyshim ndër njerëz me probleme, por dhe të shëndetshëm shkakton panik? 

Unë mendoj që mediat po bëjnë një punë të mirë informative duke u munduar që të reagojnë në kohë dhe të jepen të gjitha informacionet e nevojshme duke mbajtur balancin midis situatës siç është në të vërtetë me fakte dhe gjithashtu duke munduar të mbajë qetësinë e gjithëecilit. 

Me të gjithë informacionin nga media televizive dhe sociale, unë sugjeroj që njerëzit të kenë kujdes nga mbingarkimi i informacionit. Të mundohen të gjejnë një të mesme midis informacionit që të jenë në dijeni dhe nga ana tjetër marrja me aktivitieteve të tjera që u japin kënaqësi si shikimi i një filmi të bukur, leximi, gatimi ose shpenzimi i kohës cilësore me njerëzit e dashur në biseda ose lojërave krijuese.

Cilat janë disa nga këshillat e tua si specialiste për njerëzit që po përjetojnë simptoma të depresionit, të tmerrit të epidemisë?

Të mundohen sa të munden te shpenzojmë pak kohë vetëm për lajmet, por të futen në biseda me njerëzit rreth e rrotull në familje, të përpiqen të rrethojne veten me familjarë që japin kurajo, të limitojnë mbi informacionin mbi virusin, dhe në fund të praktikojnë ushtrime fizike në kushte shëpie si yoga dhe të dëgjojnë muzikë. T’i thonë vetes që unë jam i sigurtë dhe të gjithë njerëzit e dashur të mi janë mirë dhe kjo situatë do të kalojë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Si e afroni shëbimin tuaj dhe cili është orari përkatës?

Unë afroj seanca private dhe në grup në zyrën time në Brooklyn ose virtualisht me video call dhe të gjithë të interesuarit mund të më ndjekin në Web: elonaloparicoaching.com ose e-mail elonalopari@gmail.com.  

Klientët mund të ndjekin orarin përkatës ose duke lënë takime për seancat private me mua ose te regjistrohen për një nga workshops me tema të ndryshme.

Cila janë planet tuaja për të ardhmen?

Në të ardhmen, dua të vazhdoj në misionin tim të fuqizimint të grave të gjitha kulturave në pergjithësi dhe grave shqiptare në veçanti përmes edukimit të fushës së coaching dhe të mesoj si kjo fushë mund të ndryshojë jetën dhe e ndihomon individin të kuptojë potencialet pa limite të vetvetes. Përvec seancave private, dua të organizoj evente dhe seminare për zhvillimin personal për të ndihmuar gratë në këtë formë.

Faleminderit Znj.Lopari për bisedën dhe ju urojmë shumë suksese në fushen tuaj.

Bisedoi Kozeta Zylo, gazetare, New York.

19 Mars, 2020

Staten Island, New York

Filed Under: Interviste Tagged With: Elona Lopari, Kozeta Zylo

SOFRA POETIKE E DIELLIT-POEZI NGA PËLLUMB LAMAJ

March 21, 2020 by dgreca

ME RASTIN E DITËS BOTËRORE TË POEZISË/

QELIA /

Brenda katër muresh/
Rrethuar nga terri/
Zvarritem parreshtur/
S’po di nga lind dielli/

Brenda katër muresh

Shtangur nga vetmia

Hijet më rrethojnë

Nxinë e tërë qelia

Brenda katër muresh

Kruspull nga të ftohtit

Pres të vij mesnata

Ti drejtohem Zotit

Brenda katër muresh

Dhe pse natë e thellë

Më kot pres unë Zotin 

Ai është lart në qiell

***
STATUJË E LIRISË

Eh Statujë, Statujë e Lirisë

Sa kufoma rinie vyshkur mbi ball

Jehona dashurie që kurrë s’u dhuruan

Kafka martirësh mbetur pa varr

Eh Statujë , Statujë e Lirisë

E vetmja dritë, i vetmi zjarr

E vetmja ëndërr ku shpresat udhëtojnë

Përzjere në klithma,kulluar në gjak.

Eh Statujë,Statujë e Lirisë

E vetmja dritë që na mban gjallë

Por dhe po ikëm pa u takuar

Besomë, do vijnë të të puthin vrasësit tanë.
Spaç 1979

DITA E VERËS

Trishtimin flaka sot

Mbi telat me gjemba

Dhe sytë e lodhur në qiell

Në arratisjen e një reje rebele


Që largohej me shpejtësi

Drejt foleve të panjohura

Ravijëzuan fytyrën tënde

E në çast,mitralozët

E bajonetat drejtuar nga unë

U shndrruan në petale dashurie

Vall pse je kaq larg
Sot që është 
Dita e Verës

E unë trëndafilin e kuq 

Dot nuk ta sjell…!
Spaç 1979

BASTARDËT

Gjithë jetën i kënduat përbindëshit

Kur ngordhi e qatë në ç’do varg

Tani si jashtëqitje sllavokomunizmit

S’ju mbetet gjë tjetër veç të pështyni lart

Të parët që ngritët dy gishtat lart ishit ju
Sekretarë të partisë, komsomolas te rinisë
E pështytë,me këmbë e shkelët paçavuren e kuqe
Dhe në mëngjes u gdhitë pishtarë të demokracisë

Të parët që ja mbathët në perëndim ishit po ju

Shkrimtarë të realizmit socialist,pa Zot,pa atdhe`

Ju që mbi gërmadhat e botës së vjetër kapitaliste

Do ndërtonit internacionalen komuniste,botën e re`

Ju që gjithë jetën shkelët mbi varre
Dhe hija e vdekjes ju ndjek nga pas

Mos harroni shkrepëtimën që zbret nga qielli
Ofshamat dhe mjerimin e një populli të pafat…

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Pellumb Lamaj, poezi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • …
  • 45
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT